VOAL

VOAL

Ngrohja globale, qershori thyen rekordin për temperaturat e larta

July 21, 2016

Komentet

Sulmet ukrainase me dronë po e çojnë luftën thellë brenda Rusisë

Pamja satelitore me rreze afër-infra të kuqe tregon tym duke u ngritur nga rezervuarët e naftës në portin baltik të Ust-Lugës, në rajonin e Leningradit në Rusi, më 29 mars 2026.

 

Shërbimi rus i REL-it, Donbas.Realities

Rajoni i Leningradit në Rusi ndodhet rreth 600 kilometra larg pikës më të afërt të Ukrainës.

Por, më 15 prill, guvernatori i këtij rajoni e shpalli atë rajon “të vijës së frontit”. Një pjesë e shpjegimit të tij ishte kjo: nga janari deri në mars, sipas tij, mbi këtë rajon janë rrëzuar gjithsej 243 dronë ukrainas.

Megjithatë, jo të gjithë dronët janë rrëzuar.

Nga terminalet e eksportit në Gjirin e Finlandës e deri te rafineritë në brendësi të vendit, objektet e naftës në rajonin që rrethon Shën Petersburgun – qytetin e lindjes së presidentit rus, Vladimir Putin – kanë qenë ndër më të goditurat në valën e shtuar të sulmeve ukrainase ndaj prodhimit, magazinimit dhe infrastrukturës së eksportit të hidrokarbureve ruse.

Sulmet, të cilat shpesh godasin qindra kilometra ose edhe më larg nga vijat e frontit, kanë ndryshuar dinamikën e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, tani në vitin e saj të pestë që kur Putini urdhëroi pushtimin e plotë të vendit fqinj në shkurt të vitit 2022.

Se deri në çfarë mase ato mund ta ndryshojnë rrjedhën e luftës, ende nuk është e qartë. Por, sulmet – kryesisht me dronë, por edhe me raketa, dhe që synojnë edhe instalime ushtarake si sistemet e mbrojtjes ajrore, aeroportet ushtarake dhe fabrikat e armëve – po ndodhin në një kohë kur Rusia po përballet me vështirësi në fushëbetejë, duke përparuar me ritëm shumë të ngadaltë dhe me kosto të madhe në ushtarë të vrarë e të plagosur.

Ato ia kanë vështirësuar Rusisë përfitimin nga rritja e madhe e çmimit të naftës – një burim kyç financimi për luftën e saj kundër Ukrainës – që ka ardhur si pasojë luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit dhe kufizimit të qarkullimit në Ngushticën e Hormuzit nga Teherani.

Pamjet e tymit të zi që ngrihet mbi objektet ruse të naftës janë bërë papritur pothuajse të zakonshme. Sulmet e kanë sjellë luftën e Moskës kundër Ukrainës më afër qytetarëve rusë, për shembull në portin e Detit të Zi, Tuapse, ku banorët kanë raportuar banorët kanë raportuar se nga qielli kanë rënë pika vaji gjatë një serie sulmesh në javët e fundit.

Ato e kanë shtyrë Putinin edhe të zvogëlojë planet për paradën ushtarake të 9 Majit në Sheshin e Kuq, me të cilën shënohet fitorja ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Parada e Ditës së Fitores pritet të mbahet pa shfaqjen e armëve të rënda, si tanke dhe raketa balistike ndërkontinentale, për herë të parë në pothuajse 20 vjet. Parada më të vogla në disa qytete janë anuluar.

Sipas hulumtuesit francez me burime të hapura, Clement Molin, Ukraina ka lëshuar rreth 1.000 dronë drejt Rusisë në gusht të vitit 2024, 3.000 në korrik të vitit 2025 dhe 7.000 në mars – për herë të parë më shumë sesa Rusia ka lëshuar drejt Ukrainës.

Ky numër, i bazuar pjesërisht në të dhënat e Ministrisë ruse të Mbrojtjes, ra pak në prill. Por, në çdo rast, vlerësimi e efekteve është çështje cilësie po aq sa edhe sasie, pjesërisht sepse pretendimet e Moskës për numrin e dronëve të rrëzuar nga ushtria e saj nuk janë të besueshme.

“Do të isha i kujdesshëm të nxirrja përfundime shumë të forta vetëm nga shifrat e papërpunuara… Megjithatë, prirja më e gjerë është reale”, tha për Radion Evropa e Lirë John Helin, bashkëthemelues i organizatës hulumtuese Black Bird Group.

“Ukraina e ka zgjeruar qartazi kapacitetin e saj për sulme me dronë me rreze të gjatë veprimi dhe Rusia tani përballet me sfidën që të mbrojë një zonë shumë më të madhe në prapavijë nga sulmet e rregullta ukrainase”.

Shifrat “sugjerojnë një ndryshim në shkallë, por suksesi i fushatës ukrainase me rreze të gjatë duhet të vlerësohet më shumë nga efektet”, tha Helin, si për shembull “çfarë është goditur, sa shpesh, sa thellë brenda Rusisë, nëse sulmet e kanë detyruar Rusinë ta shpërndajë mbrojtjen ajrore, nëse kanë ndërprerë logjistikën, kanë ulur prodhimin e rafinerive apo kanë shkaktuar kosto reale ekonomike dhe ushtarake”.

“Në këto aspekte, është e qartë se fushata ukrainase me rreze të gjatë po bëhet gjithnjë e më efektive”, tha ai.

Ukraina goditi infrastrukturën ruse të naftës të paktën 21 herë në prill, përfshirë nëntë sulme ndaj objekteve të përpunimit, gjë që ndihmoi që vëllimi i përpunimit të naftës së papërpunuar në Rusi të binte në nivelin më të ulët që nga viti 2009, sipas Bloomberg News.

Në fushëbetejë dhe në sulmet ajrore të kryera nga të dyja vendet, dronët janë bërë faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm në luftën më vdekjeprurëse në Evropë që nga viti 1945. Të dyja palët po përpiqen t’i ndërtojnë, t’i blejnë dhe t’i përmirësojnë sa më shpejt që të munden.

“Sot, dronët tanë ukrainas kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si zhvillohet lufta”, tha presidenti Volodymyr Zelensky në një demonstrim në prill, me rastin e Ditës së Armëpunuesit të Ukrainës, ku prezantoi më shumë se 30 lloje dronësh.

Ministri i ri i Mbrojtjes i Ukrainës, Mykhaylo Fedorov, tha në fund të prillit se Kievi ka blerë më shumë dronë në tre muajt e parë të mandatit të tij sesa gjatë gjithë vitit të kaluar.

“Tani po shohim momentin kur kapacitetet e mbrojtjes ajrore të Rusisë janë shumë më të vogla sesa rritja e prodhimit të dronëve ukrainas”, tha për Radion Evropa e Lirë Oleksandr Karpyuk, ushtar i Brigadës së 59-të Sulmuese të Forcave të Sistemeve Pa Pilot të Ukrainës, i njohur me nofkën ushtarake Serge Marco.

Synimi i sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore është element kyç i strategjisë së Ukrainës, sugjerojnë ushtarë, zyrtarë dhe analistë ushtarakë – qoftë përmes dëmtimit apo shkatërrimit të tyre me sulme të drejtpërdrejta, qoftë duke i neutralizuar përmes dërgimit të disa dronëve në drejtim të tyre, për t’i mbajtur të zënë dhe për t’i penguar të mbrojnë objektivat nga raketat dhe sulmet e tjera.

Nëse sistemet ruse rrëzojnë dhjetëra apo qindra dronë, ato sisteme do të shterohen, duke hapur qiellin për sulme të mëtejshme, tha Karpyuk: “Fillimisht vijnë dronët, pastaj vijnë raketat. Ata i nxjerrin jashtë funksionit sistemet e mbrojtjes ajrore – dhe kjo do të thotë se disa Flamingo, me kokë luftarake prej 1.000 kilogramësh, mund t’i godasin [objektivat] me lehtësi”.

Ukraina ka promovuar raketat e veta lundruese Flamingo. Ajo i përdori disa prej tyre më 5 maj, tha Zelensky, përfshirë në një sulm ndaj një fabrike në Çeboksari, rreth 1.200 kilometra larg Ukrainës, e cila prodhon komponentë navigimi për ushtrinë ruse. Guvernatori rajonal tha se të paktën dy persona u vranë dhe më shumë se 30 u plagosën.

Forcat e Sistemeve Pa Pilot të Ukrainës shkatërruan 41 njësi ruse të mbrojtjes ajrore në mars, sipas komandantit të këtij shërbimi, Robert Brovdi, duke e rritur ritmin pas shkatërrimit të 54 njësive gjatë tre muajve paraprakë.

Analistët paralajmërojnë se pretendime të tilla janë të vështira për t’u verifikuar. Oryx, një grup që monitoron humbjet e pajisjeve ushtarake gjatë luftës, ka numëruar 18 sisteme ruse të mbrojtjes kundërajrore tokë-ajër të shkatërruara ose të dëmtuara dhe shtatë radarë në mars.

Cilatdo qofshin shifrat, shkatërrimi ose nxjerrja jashtë funksionit e sistemeve të mbrojtjes ajrore mund t’i ndihmojë forcat ukrainase në front që t’i zmbrapsin përparimet ruse dhe të arrijnë përparime të veta.

Kjo gjithashtu “hap një dritare për sulme të thella, sulme me rreze të mesme dhe sulme efektive. Po i shohim ato në rajonin e Leningradit dhe përgjatë bregut të Detit të Zi”, tha për Radion Evropa e Lirë Oleksiy Bezuhliy, zëdhënës i Regjimentit të 413-të të Veçantë të Forcave të Sistemeve Pa Pilot, duke iu referuar valës së fundit të sulmeve ukrainase ndaj objekteve ruse të naftës.

Sipërfaqja e madhe e Rusisë e rrit cenueshmërinë e saj ndaj “sulmeve për shtypjen e mbrojtjes ajrore” nga Ukraina, sipas hulumtuesit të Universitetit të Oslos, Fabian Hoffmann, sepse humbja e një sistemi të vetëm mund të nënkuptojë se një zonë e tërë nuk është më nën mburojën e mbrojtjes ajrore.

Fokusimi te mbrojtja e Putinit, e Qeverisë dhe e Moskës mund t’i lërë më të ekspozuara objektet e largëta energjetike dhe ushtarake, apo forcat pranë frontit – një faktor që ka dalë në pah para paradës së 9 Majit në Moskë, ngjarje e përvitshme me profil të lartë, në të cilën Putini merr pjesë nga tribuna pranë Mauzoleut të Leninit.

“Ngurrimi i dukshëm i Rusisë për t’i zhvendosur kapacitetet nga unaza e ngushtë e mbrojtjes ajrore dhe raketore përreth Moskës – me gjasë për shkak të frikës se realitetet e luftës do të afroheshin më shumë te dera e regjimit – e përkeqëson problemin”, shkroi Hoffmann.

Në një postim në blog më 12 prill, ai shkroi se “vetëm fushata e sulmeve nuk ia siguron Ukrainës fitoren në luftë, as nuk e eliminon potencialin ekonomik të Rusisë”.

Megjithatë, shtoi ai, efektet kumulative të kufizimeve që ajo imponon “janë reale dhe ndikojnë ndjeshëm në buxhetin dhe planifikimin e Rusisë, edhe nëse nuk arrijnë ta shembin kapacitetin e saj për të zhvilluar luftë”.

Irani po përdor rrugë alternative për ta anashkaluar bllokadën detare të SHBA-së

Një grua iraniane ec pranë një murali në një rrugë në Teheran.

 

Frud Bezhan

Fushata e bombardimeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e ka rrënuar një pjesë të madhe të infrastrukturës dhe industrive të Iranit, gjë që ka ndërprerë prodhimin vendas dhe ka rritur çmimet e produkteve bazë ushqimore.

Një bllokadë detare amerikane e ka shtuar trysninë ekonomike mbi Iranin, duke penguar tregtinë e tij përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila është rrugë jetike detare që praktikisht është mbyllur që nga fillimi i luftës më 28 shkurt.

Si pasojë, Teherani është kthyer drejt rrugëve alternative, duke transportuar mallra me kamionë nga Pakistani dhe Turqia fqinje, si dhe duke dërguar ngarkesa nga aleatja Rusia përmes Detit Kaspik.

Irani po shqyrton gjithashtu dërgimin e naftës përmes hekurudhës drejt Kinës, e cila është partnere e rëndësishme tregtare e republikës islamike.

Steve H. Hanke, profesor i ekonomisë në Universitetin Johns Hopkins në Baltimore, tha se rrugët alternative mund ta ndihmojnë Iranin të furnizohet me mallra konsumi, ushqime dhe materiale industriale. Por, ato “nuk mund ta zëvendësojnë një ekonomi detare të bazuar në kontejnerë”.

“Transporti me kamion është më i shtrenjtë dhe kapaciteti i Detit Kaspik është i kufizuar nga portet dhe flotat”, tha Hanke, ish-këshilltar ekonomik i administratës së presidentit amerikan Ronald Reagan.

“Priten kosto më të larta të importeve dhe inflacion më i madh për mallrat e tregtueshme, por jo kolaps ekonomik që disa kanë parashikuar”, theksoi ai.

Trump deklaroi në fund të prillit se “e gjithë infrastruktura e naftës së Iranit do të shkatërrohej” sepse bllokada amerikane po e pengonte Teheranin të eksportonte naftën, burimin kryesor ekonomik të vendit.

Por, ekspertët janë skeptikë se bllokimi i Ngushticës së Hormuzit do ta detyrojë Iranin të dorëzohet ose të nënshkruajë marrëveshje paqeje sipas kushteve amerikane.

Nga ana e tyre, zyrtarët iranianë kanë deklaruar se embargoja amerikane nuk ka ndikuar në aftësinë e vendit për të siguruar mallra bazë dhe ushqime, duke përmendur prodhimin e fortë vendas dhe rrugët alternative të importit.

“Pavarësisht bllokadës detare amerikane, ne nuk kemi problem me furnizimin me mallra bazë dhe ushqime sepse, për shkak të madhësisë së vendit, është e mundur të importojmë nga kufij të ndryshëm”, tha ministri i Bujqësisë, Gholamreza Nouri, më 21 prill.

Rosemary Kelanic, drejtoreshë e Programit për Lindjen e Mesme në institutin Defense Priorities me bazë në Uashington, tha se gjeografia e Iranit ka zbutur ndikimin e bllokadës detare amerikane.

Irani, vend me rreth 90 milionë banorë, ka pothuajse 6.000 kilometra kufij tokësorë me shtatë vende, si dhe një vijë bregdetare prej 700 kilometrash përgjatë Detit Kaspik, që e lidh atë me Azinë Qendrore dhe Rusinë.

“Masa si transportimi i mallrave me kamionë nga vendet fqinje mund të kompensojnë ndërprerjet e shkaktuara nga bllokada. Edhe pse kompensimi mund të mos jetë i plotë, vëllimet tregtare mund të jenë më të ulëta, kostot e tranzitit disi më të larta dhe lloji i mallrave mund të ndryshojë”, tha ajo.

“Por, ka shumë mënyra se si një ekonomi lufte mund të zëvendësojë mallrat me alternativa të ngjashme”, nënvizoi ajo.

“Mundësitë për iranianët që të improvizojnë përreth bllokadës së Trumpit janë të pafundme, sepse vendi ka mijëra kilometra kufij tokësorë për t’i shfrytëzuar”, shtoi Kelanic.

Sipas ligjit ndërkombëtar, bllokadat që pengojnë rrjedhën e ushqimeve dhe ilaçeve janë të ndaluara. Nuk është e qartë nëse Shtetet e Bashkuara po bllokojnë dërgesat e mallrave civile drejt Iranit në mënyrë të paqëllimshme apo si pjesë e politikës së tyre. Radio Evropa e Lirë kërkoi komente nga Shtëpia e Bardhë për këtë.

Rrugët tokësore

Ligjvënësi iranian Ebrahim Najafi tha muajin e kaluar se vendi po përdorte rrugët tokësore me Pakistanin, Turqinë, Armeninë dhe Azerbajxhanin, si dhe Detin Kaspik, për të importuar mallra.

Pakistani hapi portet e tij për ngarkesa nga vende të treta të destinuara për Iranin më 25 prill. Ky veprim krijoi gjashtë rrugë tokësore për transportin e mallrave nga portet Gvadar, Karaçi dhe Port Qasim drejt kufirit iranian.

Këto rrugë do të përdoren kryesisht për importimin e orizit, mishit dhe qumështit formulë për foshnja.

Që nga vendosja e bllokadës amerikane më 13 prill, rreth 3.000 kontejnerë të destinuar për Iranin kanë mbetur të bllokuar në portet pakistaneze.

Ndërkohë, pika kufitare Kapikoy-Razi lidh Iranin me Turqinë. Duke lidhur Azinë Perëndimore me Evropën, ky korridor transiti lehtëson tregtinë e madhe. Nuk është e qartë nëse Irani ka rritur importet përmes këtij korridori që nga vendosja e bllokadës.

Rusia ka riaktivizuar dërgesat përmes Detit Kaspik drejt Bandar Anzali, një port iranian në detin më të madh në botë të rrethuar nga toka.

Bandar Anzali u godit nga sulmet ajrore izraelite më 18 mars, duke pësuar dëme. Në atë kohë, Izraeli tha se kishte goditur objektiva në një port dhe bazë të marinës iraniane ku ndodheshin dhjetëra anije ushtarake, përfshirë anije me raketa dhe mjete patrullimi.

Raportet mediatike kanë sugjeruar se Moska dhe Teherani po përdorin Detin Kaspik për të kontrabanduar naftë dhe armë të sanksionuara. Por, Irani dhe Rusia gjithashtu shkëmbejnë produkte ushqimore përmes kësaj rruge. Tregtia e drithërave mes Iranit dhe Rusisë u ndërpre menjëherë pas sulmit izraelit, por më pas rifilloi.

Kpler, kompani analitike për mallra dhe transport detar, tha se rreth një duzinë anijesh nga Rusia, Kazakistani dhe Turkmenistani që transportonin drithëra, misër dhe vaj luledielli, kanë mbërritur në portet iraniane të Kaspikut që nga mesi i prillit.

Nafta përmes hekurudhës

Përveç sigurimit të rrugëve të reja të importit, Irani po kërkon gjithashtu mënyra për të eksportuar mallra, veçanërisht naftën.

Bllokada amerikane ka ndërprerë ndjeshëm eksportet detare të naftës së Iranit, por nuk i ka ndalur plotësisht. Disa cisterna të lidhura me Iranin kanë arritur të anashkalojnë bllokadën, sipas grupit të gjurmimit të ngarkesave Vortexa dhe kompanisë detare Lloyd’s List.

Ekspertët thanë se republika islamike duhet të jetë në gjendje ta përballojë bllokadën edhe për dy muaj të tjerë, duke iu referuar deri në 130 milionë fuçive naftë iraniane që ndodheshin tashmë në det para se bllokada të hynte në fuqi.

Megjithatë, Irani po u drejtohet alternativave, përfshirë eksportimin e naftës përmes hekurudhës drejt Kinës, e cila blen rreth 90 për qind të naftës iraniane, sipas Hamid Hosseini, zëdhënës i sindikatës së eksportuesve të naftës në Iran.

Infrastruktura hekurudhore lidh Iranin me qytetet kineze Yiëu dhe Xi’an. Korridori Kazakistan-Turkmenistan-Iran u hap në vitin 2014 dhe u zgjerua më 2025 nga lidhja hekurudhore kineze prej 10.400 kilometrash.

“Hekurudha mund të transportojë vëllime strategjikisht të rëndësishme, por në afat të shkurtër nuk mund të zëvendësojë cisternat detare në shkallë të gjerë”, tha Hanke nga Universiteti Johns Hopkins.

“Vlera e saj është pjesërisht logjistike dhe pjesërisht politike: ajo funksionon tërësisht jashtë çdo rruge ujore që një marinë perëndimore mund ta patrullojë, dhe plotësisht jashtë sistemit të pagesave në dollarë, pasi Kina e ka paguar naftën iraniane në juan që nga viti 2012”.

Kelanic tha se transporti i naftës me det është më efikas, por ka mënyra që Irani ta dërgojë naftën në rrugë tokësore për ta shmangur embargon amerikane.

“Irani mund ta transportojë naftën edhe me kamionë nëpër autostrada, siç ka bërë Iraku, duke shmangur Ngushticën e Hormuzit përmes transportit tokësor në Siri drejt Detit Mesdhe”, tha ajo.

“Në afat të shkurtër, vëllimet do të jenë më të vogla, të kufizuara nga disponueshmëria e kamionëve-cisternë. Por, vendet pritëse ose vende të treta mund të sigurojnë kamionë shtesë, ndoshta si favor politik ndaj Iranit, ose thjesht sepse do të ishte në interesin e tyre të rrisnin qasjen në naftë në një treg të ngushtë”.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Moska kërkon evakuimin e ambasadave të huaja në Kiev! Ç’pritet të ndodhë pas paradës së 9 majit

Rusia u ka kërkuar ambasadave të huaja që të sigurojnë “evakuimin në kohë” të stafit diplomatik dhe qytetarëve të tyre nga Kievi, në rast të një sulmi rus ndaj kryeqytetit ukrainas.

Deklarata u bë nga Ministria e Jashtme ruse, përmes një shënimi zyrtar drejtuar misioneve diplomatike të huaja.

Sipas njoftimit, Moska paralajmëroi se mund të ndërmarrë një “sulm hakmarrës” ndaj Kievit nëse Ukraine do të tentojë të prishë ceremonitë dhe përkujtimet e 9 majit në Moscow, që lidhen me Ditën e Fitores në World War II.

Autoritetet ruse u kërkuan ambasadave të “sigurojnë evakuimin në kohë të personelit diplomatik dhe të misioneve të tjera, si dhe qytetarëve, nga qyteti i Kievit”, duke shtuar tensionet mes dy vendeve në prag të festimeve të rëndësishme shtetërore në Rusi. BW

Me cilat shtete Serbia shkëmben të dhëna sekrete?

Jovana Kërstiq, Zoran Gllavonjiq

Nënshkrimi i një marrëveshjeje për shkëmbimin e të dhënave sekrete në fushën e mbrojtjes e ka rikthyer në fokus bashkëpunimin ushtarak mes Serbisë dhe Izraelit.

Autoritetet thonë se marrëveshja e re krijon kushte për bashkëpunim mes dy shteteve në fushën e industrisë së mbrojtjes, por nuk japin hollësi.

Opozita ka kritikuar thellimin e bashkëpunimit me Izraelin, duke vlerësuar se ai po ndodh në një moment të papërshtatshëm, marrë parasysh operacionet ushtarake të këtij shteti në Gazë, dhe përfshirjen e tij në konfliktin me Iranin.

Duke komentuar këto vlerësime, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 5 maj se nuk dëshiron t’i japë llogari askujt, dhe se shteti bashkëpunon si me Iranin, ashtu edhe me Izraelin.

Konsulenti për siguri dhe gjeopolitikë, Nikolla Lluniq, thotë se marrëveshje të tilla janë hapi i parë që shtetet ndërmarrin kur eksportojnë teknologji të sofistikuar ushtarake, dhe supozon se kështu është edhe në këtë rast.

“Asnjë kompani e industrisë së mbrojtjes me produkte moderne nuk do të vijë në një vend të tretë, nëse teknologjia e saj nuk mbrohet në mënyrën e duhur”, shprehet Lluniq për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL).

Qeveria e Serbisë dhe Ministria serbe e Mbrojtjes nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it se çfarë sjell kjo marrëveshje në bashkëpunimin mes dy shteteve. Deri në publikimin e këtij teksti nuk u përgjigj as Ministria e Mbrojtjes e Izraelit.

Izraeli nuk është i vetmi vend me të cilin Serbia shkëmben dhe mbron të dhëna sekrete.

Beogradi ka marrëveshje të tilla me më shumë se 20 vende dhe organizata ndërkombëtare.

Çfarë u nënshkrua me Izraelin?

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë dhe ajo e Izraelit nënshkruan Marrëveshjen e përgjithshme të sigurisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të të dhënave sekrete në fushën e mbrojtjes.

“Qëllimet e kësaj marrëveshjeje janë të sigurojë mbrojtjen e të dhënave sekrete, që transmetohen ose shkëmbehen mes palëve, të sigurojë mbrojtjen e objekteve, sigurinë e personelit dhe çështje të tjera për të cilat palët merren vesh bashkërisht”, tha përfaqësuesi i Ministrisë serbe të Mbrojtjes, Marko Jovanoviq, në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Mbrojtje.

Ai nuk saktësoi se për cilat projekte bëhet fjalë, por shtoi se nisma për marrëveshjen kishte ardhur nga pala izraelite.

Çfarë janë të dhënat sekrete?

Ligji në Serbi i përkufizon të dhënat sekrete si informacione ose materiale me interes për shtetin, zbulimi i paautorizuar i të cilave mund të dëmtojë interesat e vendit.

Ato, ndër të tjera, mund të lidhen me sigurinë kombëtare dhe publike, marrëdhëniet me shtetet e tjera, mbrojtjen, politikën e jashtme dhe çështjet e inteligjencës.

Në bazë të ligjit, atyre u përcaktohet afati dhe niveli i sekretit, prandaj mund të mbajnë shënimet “sekret shtetëror”, “rreptësisht konfidenciale”, “konfidenciale” ose “të brendshme”.

Në përputhje me marrëveshjet dypalëshe, Serbia mund të disponojë edhe me të dhëna sekrete të një shteti tjetër.

Zbatimi para ratifikimit

Marrëveshja me Izraelin hyri në fuqi para se për ratifikimin e saj të votonin deputetët e Kuvendit të Serbisë.

Me kërkesë të Qeverisë së Serbisë, Komisioni parlamentar për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme dha më 29 prill pëlqimin për zbatimin e përkohshëm të marrëveshjes, deri në hyrjen zyrtare të saj në fuqi.

Sipas ligjit, kjo është e mundur nëse Qeveria e arsyeton zbatimin e menjëhershëm me nevojën për urgjencë.

I pyetur nga përfaqësuesit e opozitës se pse po insistohet në procedura urgjente, përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes, Marko Jovanoviq, tha se zbatimi i marrëveshjes do të mundësojë hyrjen sa më të shpejtë në fuqi të kontratave për “pajisjen me armatim dhe përmirësimin e aftësive operative të Ushtrisë së Serbisë”.

Ai nuk iu përgjigj pyetjes nëse kjo lidhet me fabrikën e paralajmëruar të dronëve.

Çfarë dihet për fabrikën e dronëve?

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, paralajmëroi më 14 prill se shteti serb do të ndërtojë në territorin e vet, së bashku me Izraelin, një fabrikë të “dronëve më të mirë në këtë pjesë të botës”.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese dhe gazeta izraelite Haaretz kanë raportuar se Beogradi është marrë vesh për ndërtimin e fabrikës me gjigantin izraelit të prodhimit të pajisjeve ushtarake, Elbit Systems.

Sipas të dhënave që REL-i i ka marrë nga Ministria serbe për Tregti të Brendshme dhe të Jashtme, Serbia edhe më herët ka blerë armatim dhe pajisje ushtarake nga e njëjta kompani.

Në gusht të vitit 2025, mediat izraelite raportuan se Serbia kishte lidhur me këtë kompani një kontratë për blerjen e armatimit dhe pajisjeve të sofistikuara ushtarake në vlerë prej 1.64 miliard dollarësh.

Autoritetet në Serbi as nuk e kanë konfirmuar, as nuk e kanë mohuar këtë.

Me kë ka Serbia marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave sekrete?

Shkëmbimi i të dhënave sekrete me shtete të tjera në Serbi parashihet me ligj, por vetëm nëse ekzistojnë marrëveshje dypalëshe të nënshkruara.

Dokumente të tilla Beogradi ka që nga viti 2011 me NATO-n, me Bashkimin Evropian dhe disa shtete anëtare të tij, me Rusinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Algjerinë, si dhe me shtetet fqinje: Maqedoninë e Veriut, Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe Hungarinë.

Konsulenti për siguri dhe gjeopolitikë, Lluniq, thotë se marrëveshje të tilla janë veçanërisht të rëndësishme në industrinë e mbrojtjes, në mënyrë që të dhënat të mos përfundojnë te vendet e treta.

“Nëse dy kompani pajtohen për zhvillimin e një projekti, atëherë të dhënat, teknologjia, zhvillimi dhe hulumtimi mbrohen në hollësi përmes procedurave operative dhe rregulloreve, të cilat si bazë ligjore i referohen marrëveshjes mes dy vendeve”, thotë Lluniq për REL-in.

Marrëveshjet për mbrojtjen e të dhënave që në titull nuk e përmbajnë “fushën e mbrojtjes” janë të përgjithshme dhe nuk lidhen ekskluzivisht me bashkëpunimin ushtarak, por përfshijnë të gjitha sektorët ku ka informacione konfidenciale.

Stërvitje të ushtrisë serbe dhe forcave të NATO-s në Bujanoc, Serbi, më 16 qershor 2023.

Stërvitje të ushtrisë serbe dhe forcave të NATO-s në Bujanoc, Serbi, më 16 qershor 2023.

Kryesisht bëhet fjalë për sektorin e sigurisë dhe policisë, në rastet e shkëmbimit të të dhënave për krimin e organizuar, terrorizmin, trafikimin e qenieve njerëzore dhe narkotikëve.

Po ashtu, me marrëveshje të tilla mbrohen raportet konfidenciale që shkëmbejnë ministritë e jashtme të shteteve, sekretet afariste në projekte strategjike si energjetika dhe infrastruktura, si dhe të dhënat në kuadër të ndihmës juridike ndërkombëtare.

E tillë është, për shembull, marrëveshja me BE-në, e nënshkruar më 2011, gjatë qeverisjes së mëparshme të demokratëve.

Ajo mundëson bashkëpunimin në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, si dhe qasjen në të dhëna të rëndësishme për reformën e sektorit të sigurisë dhe drejtësisë. Marrëveshje të ngjashme ka edhe me Slloveninë, Çekinë, Spanjën, Rumaninë dhe Luksemburgun.

Me marrëveshjen me NATO-n të vitit 2008 u vendosën rregullat për trajtimin e informacioneve konfidenciale në kuadër të programit të bashkëpunimit Partneriteti për Paqe, pjesë e të cilit është Serbia, ndonëse nuk i përket kësaj aleance ushtarake.

Ky dokument ishte kusht për stërvitjet e përbashkëta ushtarake që Serbia zhvillon me anëtaret e aleancës dhe për pjesëmarrjen në misione ndërkombëtare paqeruajtëse.

Pas ardhjes në pushtet të Partisë Përparimtare Serbe, në tetor të vitit 2014 u nënshkrua me Rusinë marrëveshja për mbrojtjen e ndërsjellë të të dhënave sekrete në bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik.

Një muaj më vonë, në Serbi u mbajt stërvitja e parë e përbashkët ushtarake.

Që nga atëherë, Beogradi ka blerë nga Moska avionë të përdorur MiG-29, tanke, automjete të blinduara, helikopterë, sisteme kundërajrore dhe raketa.

Në dhjetë vjetët e fundit, Serbia ka blerë armatim edhe nga Kina, përfshirë sisteme të mbrojtjes kundërajrore, dronë luftarakë dhe raketa balistike supersonike. Çmimi nuk dihet.

Beogradi nuk ka me Pekinin marrëveshje ombrellë për mbrojtjen e ndërsjellë të të dhënave sekrete; konfidencialiteti i informacioneve rregullohet me klauzola të veçanta për sekretin brenda kontratave konkrete.

Edhe pse BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë paralajmëruar disa herë autoritetet në Serbi për rreziqet e thellimit të bashkëpunimit ushtarak me Kinën dhe Rusinë, deri më tani kanë munguar masa më konkrete.

As SHBA-ja nuk ka me Serbinë marrëveshje dypalëshe për mbrojtjen e të dhënave sekrete.

Bashkëpunimi zhvillohet në mënyrë të tërthortë përmes marrëveshjeve të veçanta, si Marrëveshja për statusin e forcave e vitit 2006, që rregullon qëndrimin e personelit ushtarak; Marrëveshja për kontrollin e narkotikëve dhe zbatimin e ligjit e vitit 2014; si dhe Traktati për ekstradim i vitit 2016. Beogradi nuk ka blerë armatim modern nga SHBA-ja, ndërsa pala amerikane e ka ndihmuar ushtrinë në Serbi me donacione të automjeteve për terren.

Në marrëveshjen mes Francës dhe Serbisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të të dhënave sekrete, të vitit 2018, thuhet se qëllimi është përcaktimi i rregullave të sigurisë që mund të zbatohen në të gjitha marrëveshjet e bashkëpunimit.

Që nga atëherë, të dy vendet kanë forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, ndërsa Serbia ka blerë nga Franca sisteme kundërajrore dhe radarë, si dhe helikopterë.

Me një kontratë të vitit 2024, në vlerë prej 2.7 miliardë eurosh, Beogradi porositi nga Parisi 12 avionë luftarakë Rafale.

Eksporti i armëve drejt Izraelit

Marrëveshja e nënshkruar me Izraelin është specifike sepse fokusohet në fushën e mbrojtjes.

Dërgesat e municionit nga Serbia drejt Izraelit, sipas presidentit serb Vuçiq, janë përshpejtuar që nga tetori i vitit 2023.

Atëherë Izraeli u sulmua nga Hamasi, organizatë palestineze që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë terroriste.

Izraeli më pas nisi ofensivën tokësore në Rripin e Gazës, e cila çoi në viktima të shumta civile palestineze, shkatërrim të qyteteve dhe krizë humanitare.

Pavarësisht thirrjeve të Kombeve të Bashkuara që shitja e pajisjeve ushtarake për këtë vend të pezullohej, ekipe ndërkombëtare gazetarësh hulumtues kanë raportuar se eksporti i armëve nga Serbia drejt Izraelit është rritur 30 herë.

Pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit në qershor të vitit 2025, Vuçiq vlerësoi se të dyja shtetet janë “miqësore” me Serbinë, ndërsa Ministria serbe e Mbrojtjes njoftoi se eksporti i armatimit dhe pajisjeve ushtarake, sipas udhëzimeve të tij, ishte pezulluar.

REL-i ka konstatuar se vetëm gjatë shkurtit dhe marsit të këtij viti, dy avionë mallrash të një kompanie private ajrore izraelite kanë qenë në Beograd të paktën nëntë herë.

Bëhet fjalë për avionë të specializuar për transportin e ngarkesave, përfshirë armatimin.

Sipas informacioneve që REL-i i ka konfirmuar nga dy fabrika shtetërore të armëve, eksporti i armatimit jashtë vendit është rifilluar që nga shkurti.

REL-i ka kërkuar disa herë, në bazë të ligjit për qasje të lirë në informacionet me rëndësi publike, të dhëna për lejet e importit dhe eksportit të armëve drejt Izraelit. Të dhënat nuk janë dorëzuar.

Sipas të dhënave të Entit Republikan të Statistikave në serbi, në vitin 2025 në Izrael janë eksportuar armatim dhe municion në vlerë prej rreth 1.3 milion dollarësh.

Kjo nuk do të thotë se këto janë shumat përfundimtare, sepse ato tregojnë vetëm një pjesë të eksportit të armëve.

Të dhënat e sakta nuk janë të qasshme publikisht, pasi shteti prej disa vjetësh nuk publikon se çfarë armatimi dhe pajisjesh ushtarake ka eksportuar, kujt, në çfarë sasie dhe me çfarë çmimi.

Kina bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Iran në prag të takimit Trump–Xi

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi (djathtas), takohet me homologun e tij iranian, Abbas Araqchi, në Pekin më 9 maj.

 

Radio Evropa e Lirë

Pekini e ka ripërsëritur thirrjen për një “armëpushim gjithëpërfshirës” në konfliktin Iran–SHBA dhe për rikthimin e lëvizjes normale në Ngushticën e Hormuzit. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, e nisi vizitën e tij të parë në Kinë qëkurse nisi shpërthimi i konfliktit në fund të shkurtit.

Ministri i Jashtëm, Wang Yi, tha pas një takimi me Araqchin më 6 maj në kryeqytetin kinez se Kina do të punojë “më fuqishëm” për të ndihmuar në përfundimin e luftimeve dhe për të luajtur “rol më të madh në rikthimin e paqes dhe qetësisë në Lindjen e Mesme”.

“Kina beson se ndalja e plotë e armiqësive është e domosdoshme, rifillimi i konfliktit është i papranueshëm dhe vazhdimi i negociatave është veçanërisht i rëndësishëm”, tha Wang, sipas një deklarate nga Ministria e tij pas takimit.

Takimi mes tyre vjen një javë para se presidenti amerikan, Donald Trump, të takohet me homologun e tij kinez, Xi Jinping.

Takimi i Araqchit me Wang erdhi në mes të raportimeve se Teherani dhe Uashingtoni janë pranë një marrëveshjeje për një memorandum njëfaqësh për t’i dhënë fund luftës në Gjirin Persik.

Media amerikane Axios ishte e para që raportoi për memorandumin e propozuar. Zyrtarët në Uashington nuk i janë përgjigjur menjëherë kërkesës për koment.

Ndër dispozitat e tjera, sipas Axios, marrëveshja do të përfshinte angazhimin e Iranit për një moratorium mbi pasurimin bërthamor, pajtimin e Shteteve të Bashkuara për të hequr sanksionet dhe për të liruar miliarda dollarë fonde iraniane të ngrira, si dhe heqjen e kufizimeve nga të dyja palët për anijet që lundrojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Komentuesit politikë në Iran e kanë mirëpritur gjerësisht vizitën e Araqchit në Pekin, duke e përshkruar atë si një lëvizje thelbësore kundërlëvizje para takimit midis Trump dhe Xi.

Analisti Mostafa Najafi shkroi në platformën X se koha e vizitës është vendimtare, duke paralajmëruar se “pasiviteti dhe mungesa e iniciativës” nga tani deri në mbërritjen e Trumpit në Pekin “mund të jenë të rrezikshme”.

Najafi theksoi përpjekjet e vazhdueshme të SHBA-së për të hartuar një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër Iranit lidhur me Ngushticën e Hormuzit, duke e paraqitur udhëtimin e Araqchit si paraprirje të nevojshme ndaj përpjekjeve amerikane për të ndikuar në politikën kineze karshi Iranit para bisedimeve Trump–Xi.

Strategu Mostafa Kharratian argumentoi se vizita duhet të shërbejë si një pikënisje për dialog të plotë strategjik dypalësh dhe trepalësh mes Teheranit, Pekinit dhe Moskës.

Ai pohoi se supozimi kryesor i Uashingtonit, se Irani do të dorëzohet i pari në një luftë ekonomike, mund të bjerë, nëse Teherani siguron financim kinez prej rreth 20 miliardë dollarësh për të kompensuar ndikimin e bllokadës detare amerikane.

Kharratian gjithashtu theksoi sinjale të fundit nga Moska dhe Pekini, përfshirë pritjen në nivel të lartë të Araqchit nga Rusia dhe aktivizimin e paprecedentë nga Kina të ligjit të saj për bllokimin e sanksioneve, si dëshmi se kushtet për një përgjigje të koordinuar ndaj presionit amerikan janë vendosur.

Komentatori Erfan Ebrahimi bëri një krahasim me rolin ndërmjetësues të Pakistanit, duke argumentuar se Pekini – ndryshe nga Islamabadi – ka peshë të mjaftueshme politike për të vepruar si “nismëtar” dhe “garantues” i çdo marrëveshjeje të mundshme midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës.

Papa Leoni XIV thirrje për t’i dhënë fund konflikteve: Të ndalojmë dhunën dhe të promovojmë paqen

Papa Leoni XIV ka bërë thirrje për t’i dhënë fund luftërave dhe për të punuar për paqen në botë.

“Kisha është e ngarkuar edhe me misionin për të folur qartë dhe për të hedhur poshtë gjithçka që e degradon jetën dhe pengon zhvillimin e saj, të marrë një qëndrim për të varfrit, të shfrytëzuarit, viktimat e dhunës të luftës. Kisha është e thirrur të pranojë me përulësi brishtësinë dhe kalimtarinë njerëzore të institucioneve të saj, të cilat, ndërsa i shërbejnë Mbretërisë së Perëndisë, mbajnë imazhin kalimtar të kësaj bote”, ka nënvizuar ia.

Kjo thirrje e Papës vjen në një kohë konfliktesh dhe luftërash, të cilat kanë shkaktuar  viktima të shumta. bw

Si u bë nipi i Ramzan Kadyrovit shtetas i Serbisë për katër ditë?

Jakub Zakriyev dhe daja i tij, Ramzan Kadyrov – fotografi e vitit 2022.

 

Sonja Goçanin

Jakub Zakriyev, nipi i presidentit të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, ishte shtetas i Serbisë vetëm katër ditë.

Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se përse iu dha shtetësia dhe më pas iu hoq nipit të liderit të republikës ruse dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin.

Zakriyev ndodhet në listën e sanksioneve të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, për shkak të përfshirjes në institucionet ruse.

Nën sanksione nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian është edhe lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, i cili prej vitesh përballet me akuza për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë rrëmbime, tortura, vrasje dhe përndjekje të komunitetit LGBT.

Vendimin për t’i dhënë shtetësinë nipit të tij e nënshkroi më 24 prill kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut.

“Kjo nuk mund të shpjegohet me politikë racionale”, thotë ish-diplomati serb, Sreqko Gjukiq.

“Është interes personal, shlyerje borxhi ndaj Rusisë dhe Kadirovit”, shton ai për Radion Evropa e Lirë.

Macut, katër ditë pas vendimit për dhënien e shtetësisë, nënshkroi edhe vendimin për shfuqizimin e saj.

Kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut.

Kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut.

Për veprimin e fundit, Qeveria serbe iu referua Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Në këtë ligj thuhet se vendimi mund të shfuqizohet “për të eliminuar një rrezik të rëndë dhe të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e njerëzve, sigurinë publike, rendin dhe qetësinë publike, ose për të shmangur çrregullimet në ekonomi”.

Gjukiq vlerëson se Serbia e tërhoqi vendimin për shtetësinë për shkak të paralajmërimeve nga Bashkimi Evropian.

“Është e qartë se kërkohet që Serbia të ndërpresë praktikën e dhënies së shtetësive, në mënyrë që Bashkimi Evropian të mos vendosë masa të caktuara”, thotë ai.

Në BE nuk iu përgjigjën kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar vendimin për dhënien dhe më pas heqjen e shtetësisë së nipit të liderit çeçen.

Serbia, edhe në vitet e kaluara, ka dhënë shtetësi përmes një procedure të veçantë, sipas së cilës shtetasit e vendeve të tjera mund ta fitojnë atë nëse një gjë e tillë paraqet “interes për Serbinë”.

Më shumë se 150 rusë, pas pushtimit të Ukrainës, kanë marrë shtetësinë serbe.

Bashkimi Evropian, në raportin për vitin 2025, ka paralajmëruar Beogradin se kjo përbën rrezik potencial sigurie për BE-në, pasi shtetasit rusë, në këtë mënyrë, fitojnë të drejtën e udhëtimit pa viza në BE.

Edhe pse është kandidate për anëtarësim në BE, Serbia mban marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe nuk u është bashkuar sanksioneve kundër këtij vendi, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Kush është Jakub Zakriyev?

Ibrahim Zakriyev, i njohur edhe si Jakub, u bë një nga kryebashkiakët më të rinj në Rusi – në moshën 27-vjeçare.

Në vitin 2018, ai u emërua kryebashkiak i Groznit – kryeqytetit të Çeçenisë.

Në shkurt të vitit 2020, ai mori detyrën e shefit të administratës së presidentit dhe Qeverisë së Çeçenisë, dhe më pas u bë zëvendëskryeministër dhe ministër i Bujqësisë.

Zakriyev u emërua edhe drejtor i degës ruse të kompanisë franceze Danone, pasi Rusia e konfiskoi atë.

Menjëherë pas transferimit të pronësisë, Danone në Rusi u riemërua në shoqërinë aksionare H&N (Health & Nutrition).

Në mars të vitit 2024, Putin e anuloi nacionalizimin e Danone-s, ndërsa mediat ruse raportuan se ishte arritur marrëveshje për shitjen e saj te persona privatë.

Sipas raportimeve, pronësia duhej të ndahej 50:50 mes nipit të Kadyrovit dhe kompanisë Vamin nga Tatarstani.

Në maj të vitit 2024, shitja e degës ruse të Danone-s përfundoi dhe ajo i kaloi kompanisë Vamin.

Sipas një deklarate të vitit 2023 nga Departamenti amerikan i Shtetit, Zakriyev gjendet në listën e sanksioneve për shkak të lidhjeve me familjen e Ramzan Kadyrovit, si dhe për faktin se ka qenë “drejtues i degës ruse të një kompanie evropiane, pasi Federata Ruse i konfiskoi asetet e saj”.

Dhënia e shtetësisë, “jotransparente”

Për ish-diplomatin Gjukiq, dhënia e shtetësisë në Serbi është jotransparente dhe ngre “shumë pyetje dhe dyshime”.

Gjukiq thekson se në shumicën e rasteve, është e paqartë se çfarë interesi ka Serbia në dhënien e shtetësisë qytetarëve rusë, pasi autoritetet nuk i shpjegojnë publikisht vendimet e tilla.

Në këtë rast specifik, ai beson se Serbia, “në parim”, nuk kishte interes t’i jepte shtetësinë Zakriyevit.

Por, shton se kjo nuk është hera e parë që Serbia i jep shtetësi “një qytetari rus nën sanksione, ose dikujt nga rrethi i tij i ngushtë që është nën sanksione”.

Kush mori shtetësinë serbe?

Së paku katër qytetarë rusë morën shtetësinë serbe edhe pse ishin nën sanksione nga Britania e Madhe dhe Kanadaja në atë kohë, raportoi rrjeti hulumtues BIRN, në vitin 2025.

Atë vit, Radio Evropa e Lirë raportoi se shtetësia serbe iu dha edhe Iman Sumajdovna Khalidovës, e cila, sipas të gjitha të dhënave, është vajza e Sumajdov Khalidovit – sipërmarrës dhe atlet nga Çeçenia.

Në maj të vitit 2023, edhe vetë Khalidov mori shtetësinë serbe përmes një procedure të veçantë.

Në fillim të gushtit të vitit 2022, biznesmeni rus, Oleg Cherepanov, mori pasaportën serbe, dhe në fund të korrikut, Arkady Mutavchi, ish-drejtor ekzekutiv i një furnizuesi për Departamentin e Menaxhimit të Pronave të Kremlinit, mori gjithashtu pasaportën serbe.

Numri i shtetësive të dhëna nga Qeveria e Serbisë u rrit ndjeshëm që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, më 2022, dhe pas vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë dhe njerëzve të afërt me Kremlinin.

Nga viti 2010 deri në vitin 2015, midis pesë dhe 13 personave iu dha shtetësia serbe brenda një viti, ndërsa viti i parë i luftës në Ukrainë solli një numër rekord vendimesh për dhënien e shtetësisë: 64.

Që atëherë, më shumë se 150 shtetësi serbe iu dhanë vetëm qytetarëve rusë.

Paralajmërimet nga Brukseli

Bashkimi Evropian paralajmëroi disa herë kundër praktikës së dhënies së pasaportave serbe qytetarëve rusë.

Raporti i fundit i zgjerimit i vitit 2025 vlerësoi se politika e vizave e Serbisë nuk është plotësisht në përputhje me atë të Bashkimit Evropian dhe se dhënia e pasaportave qytetarëve rusë është “shkak për shqetësim”.

“Duhet të zbatohen kontrolle të rrepta sigurie kur u jepet shtetësia serbe qytetarëve rusë, pasi mbajtësit e pasaportave serbe përfitojnë nga udhëtimi pa viza në BE”, u tha në raport.

Në këtë kontekst, BE-ja i bëri disa rekomandime Serbisë që të përafrohej më tej me politikën e vizave të BE-së.

Marrëdhëniet Çeçeni-Serbi

Zyrtarët çeçenë kanë vizituar Serbinë disa herë në vitet e fundit.

Dzhambulat Umarov, ish-zëvendëskryeministër i republikës ruse të Çeçenisë dhe ministër i Informacionit, prezantoi librin e tij në vitin 2023 në qendrën ruse për shkencë dhe kulturë në Beograd, e njohur si Shtëpia ruse.

Umarov është bashkëpunëtor i ngushtë i udhëheqësit çeçen, Ramzan Kadyrov.

Në nëntor të vitit 2022, përfaqësuesi i kreut të Çeçenisë në vendet arabe dhe myslimane, Turko Daudov, vizitoi Serbinë, ku u takua edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Daudov shkroi atëkohë në faqen e tij në Instagram se ia përcolli përshëndetjet e Kadyrovit Vuçiqit dhe gjithë popullit serb.

Ai tha se “marrëdhëniet vëllazërore shekullore midis Rusisë dhe Serbisë kanë demonstruar edhe një herë forcën e tyre”.

Në përgjigje, Vuçiq deklaroi se populli rus është vëllazëror ndaj serbëve dhe se këto marrëdhënie “nuk mund të shkatërrohen nën asnjë presion”.

Në atë kohë nuk dihej se cili ishte qëllimi kryesor i takimit dhe tema e bisedës së dy politikanëve.

Në janar të atij viti, një delegacion nga Serbia vizitoi Çeçeninë dhe vendet vendosën të bashkëpunonin në boks.

Sipas një deklarate nga Federata Serbe e Boksit, Kadyrov kishte ndërmend të organizonte stërvitje për ekipet kombëtare serbe dhe ruse në Grozni dhe të zhvillonte më tej marrëdhëniet me Beogradin “për të mirën e të dyja vendeve”.

Në vitin 2021 u përmend publikisht edhe një iniciativë për të themeluar një shkollë fetare në Novi Pazar, në Serbinë jugperëndimore, e cila do të merrte emrin e Ahmad Kadyrovit, babait të ndjerë të udhëheqësit çeçen.

Por, tash për tash, nuk ka informacione zyrtare në lidhje me zbatimin e kësaj iniciative.

Përgatiti: Valona Tela

Dokumentoi urinë dhe shkatërrimin në Gaza, fotografi palestinez fiton çmimin Pulitzer

Fotografi palestinez Saher Alghorra fitoi çmimin Pulitzer për fotografi të lajmeve të fundit (breaking) të hënën për “serinë e tij tronditëse dhe të ndjeshme”, që dokumenton urinë dhe shkatërrimin në Gaza si pasojë e sulmeve izraelite.

Çmimet Pulitzer 2026, të shpallura në Universiteti Columbia, nderuan gjithashtu Julia K. Brown me një citim të veçantë për zbulimin e “abuzimit sistematik të grave të reja” nga Jeffrey Epstein dhe “sistemin e drejtësisë që e mbrojti atë”.

Po ashtu, Associated Press fitoi për raportim ndërkombëtar mbi një hetim global të mbikëqyrjes, ndërsa The New York Times mori një çmim për zbulimin se si presidenti i SHBA-së Donald Trump “shkatërroi kufizimet mbi konfliktet e interesit” për të pasuruar familjen e tij.

Themeluar në vitin 1917, këto çmime prestigjioze njohin shërbimin e jashtëzakonshëm publik në gazetarinë amerikane./ AA.

Reuters: Iranit mund t’i duhet deri në një vit për të pasur armë bërthamore

Vlerësimet më të fundit të inteligjencës amerikane tregojnë se afati kohor që do t’i nevojitej Iranit për të ndërtuar një armë bërthamore nuk ka pësuar ndryshime që nga vera e kaluar, pavarësisht përshkallëzimit të tensioneve dhe konfliktit të fundit në rajon.

Të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike tregojnë se Irani disponon sasi të mjaftueshme uraniumi të pasuruar në nivele të larta për të prodhuar deri në 10 bomba bërthamore, nëse materiali përpunohet më tej. Megjithatë, agjencia nuk ka arritur të verifikojë vendndodhjen e rreth 440 kilogramëve uranium të pasuruar në 60%.

Ekspertët theksojnë se materiali bërthamor mund të jetë i fshehur në objekte të thella nëntokësore, të cilat janë të vështira për t’u goditur nga arsenali konvencional.

“Irani ende zotëron të gjithë materialin e tij bërthamor, për aq sa dimë”, është shprehur ish-analisti amerikan Eric Brewer.

Ndërkohë, sipas vlerësimeve të inteligjencës dhe IAEA-s, Irani ka ndërprerë programin aktiv për zhvillimin e kokave bërthamore që në vitin 2003, edhe pse kapacitetet teknike dhe infrastruktura mbeten një shqetësim i vazhdueshëm për Perëndimin.

Zyrtarë të administratës amerikane, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, argumentojnë se sulmet ndaj sistemeve të mbrojtjes ajrore iraniane kanë dobësuar aftësinë e vendit për të mbrojtur objektet e tij bërthamore në rast të një përpjekjeje për armatim të shpejtë.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ka theksuar se operacionet ushtarake, përfshirë “Midnight Hammer” dhe “Epic Fury”, kanë dëmtuar ndjeshëm kapacitetet mbrojtëse dhe industriale të Iranit. Edhe zëvendëspresidenti J.D. Vance ka deklaruar se qëllimi mbetet i pandryshuar: parandalimi i Iranit për të siguruar armë bërthamore.

Pas një armëpushimi të arritur më 7 prill, tensionet mes palëve mbeten të larta. Situata është komplikuar më tej nga kufizimet e Iranit në Ngushtica e Hormuzit, një pikë kyçe për furnizimin global me naftë, duke shkaktuar pasoja në tregjet energjetike ndërkombëtare.

Në këtë klimë të brishtë, zyrtarët amerikanë po shqyrtojnë edhe opsione të tjera, përfshirë operacione tokësore për të siguruar materiale bërthamore të dyshuara në objekte nëntokësore, ndërsa vrasjet e disa shkencëtarëve bërthamorë iranianë nga Izraeli kanë shtuar pasiguritë mbi aftësinë e Teheranit për të zhvilluar një armë funksionale.

Ekspertët paralajmërojnë se, megjithëse njohuritë teknike nuk mund të eliminohen plotësisht, humbja e personelit kyç mund të ndikojë ndjeshëm në ecurinë e programit bërthamor iranian. bw

Konflikti në Iran – Anijet amerikane kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se dy anije tregtare me flamur amerikan kanë kaluar me sukses nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Komanda Qendrore e SHBA-së gjithashtu tha se shkatërruesit me raketa të drejtuara nga Marina po operojnë në Gjirin Arabik pasi kanë kaluar nëpër rrugën ujore kyçe në mbështetje të “Operacionit Liria”.

Ky është emri që i është dhënë operacionit të njoftuar nga Trump dje.

Ai deklaroi se SHBA do të fillojë të udhëzojë anijet “në mënyrë të sigurt” jashtë Ngushticës së Hormuzit.

Raportohet se mbështetja ushtarake për misionin do të përfshijë shkatërrues me raketa, aeroplanë dhe 15,000 trupa.

Sipas Trumpit, ky është një “gjest humanitar në emër të SHBA-së, vendeve të Lindjes së Mesme, por, në veçanti, të Iranit”. /Telegrafi

“Frikë për atentate e grusht shteti në Rusi”- CNN: Kremlini shton masat e sigurisë për Vladimir Putinin

Të gjitha këto masa vijnë, pas një raporti të inteligjencës evropiane të siguruar nga CNN. Pra, zyrtarët e sigurisë janë angazhuar në një rritje të mbikëqyrjes dhe kufizimeve për këdo që hyn në pallatin presidencial rus.

 

RUSI- Kremlini ka rritur sigurinë rreth Presidentit Vladimir Putin, duke instaluar sisteme mbikëqyrjeje në shtëpitë e bashkëpunëtorëve të ngushtë, si pjesë e masave të reja të nxitura nga një valë vrasjesh të figurave të larta ushtarake ruse dhe frika e një grushti shteti. Të gjitha këto masa vijnë, pas një raporti të inteligjencës evropiane të siguruar nga CNN. Pra, zyrtarët e sigurisë janë angazhuar në një rritje të mbikëqyrjes dhe kufizimeve për këdo që hyn në pallatin presidencial rus.

Kuzhinierët, truprojat dhe fotografët që punojnë për presidentin u ndalohen të udhëtojnë me transport publik. Të gjithë personat që vijnë të vizitojnë Shefin e Kremlinit duhet të kontrollohen dy herë dhe ata që punojnë pranë tij mund të përdorin vetëm telefona pa qasje në internet. Sipas raportit, Putin dhe familja e tij kanë ndaluar së shkuari në rezidencat e tyre të zakonshme në rajonin e Moskës dhe në Valdai, shtëpia verore e presidentit që ndodhet midis Shën Petersburgut dhe kryeqytetit.

Ai nuk ka vizituar asnjë strukturë ushtarake këtë vit deri më tani, thotë raporti, pavarësisht udhëtimeve të rregullta në vitin 2025. Për të anashkaluar këto kufizime, Kremlini publikon imazhe të pararegjistruara të tij. Që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022, Putini gjithashtu kalon javë të tëra në bunkerë, shpesh në Krasnodar, një rajon bregdetar që kufizohet me Detin e Zi, vetëm disa orë larg Moskës.

Raporti përshkruan detaje potencialisht të sikletshme të një shpërthimi në komandën ushtarake dhe të sigurisë ruse mbi atë se kush ishte përgjegjës për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë diçka që thuhet se nxiti rishikimin e protokolleve të Putinit dhe zgjerimin e një niveli më të lartë të sigurisë personale për 10 komandantë të tjerë të lartë.

‘Rrezik për një grusht shteti’

Raporti thotë se, që nga fillimi i marsit 2026, Kremlini dhe vetë Vladimir Putini kanë qenë të shqetësuar për rrezikun e një komploti ose përpjekjeje për grusht shteti që synon presidentin rus. Ai është veçanërisht i kujdesshëm ndaj përdorimit të dronëve për një përpjekje të mundshme për vrasje nga anëtarët e elitës politike ruse.

Sipas raportit, ish-ministri i mbrojtjes, Sergei Shoigu, që tani është sekretar i Këshillit të Sigurisë, shihet si rrezik për grusht shteti sepse ka ende shumë ndikim te drejtuesit e lartë ushtarakë. Raporti nuk ofron prova për të mbështetur pretendimet kundër Shoigut, i cili më parë shihej si shumë i afërt me Putinin, dhe një përpjekje për të rrëzuar presidentin rus do të shënonte një ndryshim të madh në besnikëri.

Duke qenë se publikimi i tij mund të ketë për qëllim destabilizimin e Kremlinit, është e dukshme që shërbimi i inteligjencës evropiane në të njëjtën kohë do ta paralajmëronte në mënyrë efektive Kremlinin për një grusht shteti të mundshëm.  Putini i mbijetoi një përpjekjeje të mëparshme për grusht shteti në qershor 2023, kur shefi mercenar Yevgeny Prigozhin udhëhoqi një marshim të dështuar drejt Moskës./Dosja.al

Tregu i energjisë në tronditje globale, dobësohet roli i OPEC! Vihet në pikëpyetje dominimi i Arabisë Saudite, Rusia vë në presion Europën

Tregu global i energjisë po përjeton luhatje të forta për shkak të krizës në Lindjen e Mesme. Çmimi i naftës bruto arriti deri në 126 dollarë për fuçi, niveli më i lartë në katër vite, përpara se të binte sërish. Pasiguria në furnizim dhe zhvillimet gjeopolitike po ndikojnë drejtpërdrejt në tregje.

 

Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, nga ku kalon mbi 20% e furnizimit global me naftë dhe gaz, ka shkaktuar tronditje të mëdha. Sulmet ndaj infrastrukturës energjetike në Katar dhe tensionet me Iranin kanë përkeqësuar situatën, duke ulur rezervat dhe rritur presionet inflacioniste në ekonominë globale.

Kriza ka dobësuar rolin e OPEC dhe ka vënë në pikëpyetje dominimin e Arabisë Saudite. Ndërkohë, vendet e Gjirit po kërkojnë rrugë alternative për eksportet, por kapacitetet aktuale mbeten të kufizuara krahasuar me volumin që kalonte përmes Hormuzit.

Shtetet e Bashkuara po dalin ndër përfituesit kryesorë, duke rritur ndjeshëm eksportet e naftës dhe karburanteve. Nga ana tjetër, Rusia po shfrytëzon çmimet e larta, duke hequr zbritjet për tregjet aziatike dhe duke ushtruar presion energjetik ndaj Evropës.

Sulmet në Katar kanë dëmtuar rëndë impiantet e gazit të lëngshëm, duke ndërprerë një pjesë të madhe të eksporteve dhe duke rritur çmimet e gazit në nivele rekord. Sipas vlerësimeve, kjo mund të çojë në rritje të inflacionit dhe rrezik recesioni në Eurozonë.

Në të njëjtën kohë, kriza po përshpejton ndryshimet në tregun global të energjisë. SHBA dhe vendet e Amerikës pritet të rrisin prodhimin e naftës, ndërsa Kina po forcon pozitat në teknologjitë e energjisë së rinovueshme, veçanërisht në energjinë diellore, duke rritur eksportet në nivele rekord.

Tregu global po hyn në një fazë të re, ku balancat e vjetra po ndryshojnë dhe konkurrenca për dominim energjetik po zhvendoset mes fuqive të mëdha. Panorama


Send this to a friend