VOAL

VOAL

Nga Kastriot MYFTARAJ/Sekretet e lidhjes mafioze Edi Rama-Olta Xhaçka-Artan Gaçi

December 18, 2017
2 Comments
  • author avatar
    Kreshniku dr 9 years ago Reply

    C’far nuke ndodh,???cfare po degjojm
    paskane te drejte
    Opozitaret

Komentet

Bojkoti është gjithnjë gabim – Nga BUJAR LESKAJ

Bojkoti i djeshëm nga Partia Demokratike i seancës plenare të Kuvendit ishte një gabim politik dhe institucional. Ne duhej ta shfrytëzonim foltoren e Kuvendit për të përballur sektin Rama në qeverisje me argumenta, pyetje dhe kritika, por zgjodhëm mungesën, bojkotin.
Cili është kuptimi, ideja dhe mesazhi i këtij bojkoti? Më këtë vendimmarrje, humbëm mundësinë të denonconim fort disa raste:
Së pari, votën e manipuluar të Diasporës më 11 maj 2025. Në seancën e sotme do të diskutonim për Raportin Vjetor 2025 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe do të denonconim abuzimet dhe manipulimet e kryera me voten e mbi 240 mije përfaqësuesve nga Diapora në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit 2025. Do të denonconim abuzimet dhe parregullsitë me administrimin e dërgesave postare. Rastet e vonesave të qëllimshme në shpërndarjen ose kthimin e zarfeve të votimit, shkaqet pse një pjesë e zgjedhësve në Diasporë nuk morën në kohë dokumentacionin për të votuar.
Do të denonconim abuzimet me verifikimin e identitetit të votuesit dhe zinxhirin defektoz të administrimit të fletës së votimit. Në sistemet e votimit me postë, transparenca e procedurës është vendimtare për të garantuar se vota është hedhur nga personi i autorizuar dhe se ajo ka mbërritur e paprekur, deri në administrimin zgjedhor. Patronazhistët e Ramës cënuan integritetin e zgjedhjeve, duke i grumbulluar ose ndërmjetësuar me zarfet e votimit dhe duke ndërhyrë në mënyrën e administrimit të tyre. SPAK duhet t’i hetojë me përparësi këto ndërhyrje, pasi kanë patur ndikim në rezultatin e zgjedhjeve, duke përbërë krim zgjedhor.
Do të vinim përpara përgjegjësisë KQZ, për mungesën e plotë të transparencës mbi regjistrimin e votuesve nga jashtë. Procesi përfshinte regjistrimin elektronik dhe verifikimin e dokumentacionit. Kush i refuzonte dhe kush i pranonte aplikimet, sipas “rregjistrave” të patronazhistëve?
Do të kërkonim për të ardhmen përmirësimin e sistemit të gjurmimit të zarfeve postare në kohë reale; standardizimi i procedurave të verifikimit të identitetit; rritja e informimit të votuesve jashtë vendit; auditime të pavarura të procesit; si dhe një vlerësim i plotë nga vëzhguesit vendas dhe ndërkombëtarë mbi funksionimin e votimit nga Diaspora.
Së dyti, do të denonconim punën e dobët dhe degradimin e institucioneve si AMF dhe INSTAT, institucione që duhej të mbronin qytetarin shqiptar nga pozitat pothuajse monopol të tregjeve financiare jobankare në Shqiperi(AMF) dhe duhej të përgatisnin tregues statistikorë të saktë e të besueshëm për vendim-marrjen financiare publike, qytetarët dhe studjuesit(INSTAT). Gje që s’e kanë bërë as gjatë vitit 2025.
Së treti, do të kritikonim dhe denonconim apatinë dhe mosveprimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, institucion tërësisht në mbrojtje të korrupsionit në Drejtësi.
Së katërti, duhej të denonconim gjendjen skandaloze financiare dhe korrupsionin e thellë në Radio Televizionin Shqiptar, institucion që mbahet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Si dhe apatinë dhe skllavërimin nga sekti Rama të Autoritetit të Mediave Audiovizuale(AMA), institucion që nuk ka gojë të vihet kundër goditjeve të Ramës ndaj mediave të pavarura.
Së pesti, dhe më kryesorja, do të mbështesnim në Kuvend protestën e madhe qytetare, që është në ditën e 45-stë sot të saj. Si opozitarë në Kuvend kemi detyrimin të përfaqësojmë kërkesat dhe pakënaqësitë e qytetarëve në protestë protestë. Kërkesat e tyre të drejta për abrogimin e katër ligjeve të qepura me dorë të sektit Rama janë edhe kërkesa tonat. Mbështetja jone ndaj kërkesave të protestuesve mund dhe duhet të shërbejë për t’i kthyer ato në iniciativa parlamentare dhe propozime konkrete.
Me protestën e kemi domosdoshmëri të koordinohemi për kërkesën kryesore të saj, dorëheqjen e autokratit Rama. Si dhe për Kodin e Ri Zgjedhor, pasi tashmë nuk janë dy palë, mazhorancë-opozitë në këtë reformë themelore, por shtohet mendimi qytetar i protestës. Duhet të koordinohemi edhe për realizimin e qeverisë teknike, sipas përcaktimeve të protestës qytetare.
Duhet kuptuar se çdo ndryshim në Kodin Zgjedhor dhe në Reformën territoriale kërkon domosdoshmërisht vulën dhe konfirmimin e Parlamentit Qytetar, që është në bulevardin e protestës dhe zgjedhjet e reja do të organizohen nga një qeveri teknike, e dalë nga kjo protestë.
Koordinimi, edhe pse jo institucional, mes veprimit parlamentar të opozitës dhe angazhimit qytetar në protestë, duhet dhe do të rrisë presionin politik për transparencë, debat dhe llogaridhënie. Opozita ka në dispozicion instrumente si interpelancat, komisionet hetimore, amendamentet dhe debatin parlamentar dhe sot duhet t’i përdorë sa më dendur ato, e jo të bojkotojë seanca plenare të Kuvendit.
xx
Historia politike shqiptare ka treguar se bojkotet parlamentare rrallëherë kanë prodhuar rezultatet që kanë synuar. Përkundrazi, ato kanë krijuar boshllëqe në përfaqësimin e qytetarëve dhe kanë dobësuar vetë rolin kushtetues të opozitës.
Qytetarët nuk i votojnë deputetët për të lënë bosh karriget në sallën e Parlamentit. Ata i zgjedhin për të ngritur shqetësimet e tyre, për të kundërshtuar ligje që i konsiderojnë të dëmshme dhe për të propozuar alternativa. Bojkoti nuk i zëvendëson këto detyrime.
Koha sot është e Parlamentit Qytetar të protestës dhe e opozitës. Ajo po punon mbrapsht për sektin Rama, qeverinë , maxhorancen dhe Kuvendin si noter të rëndomtë të Ramës. Ne duhet të ecim me hapin e kohës. Dhe këtë nuk e bëjmë dot përmes bojkoteve.

“Nuk mund të ndryshojë ligjet pa konsultim publik”, France 24: Dua Lipa sfidon qeverinë për protestat

France 24 i ka kushtuar një artikull protestave në Shqipëri kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në një zonë natyrore të mbrojtur në bregdet, projekt i lidhur me Ivanka Trump, vajzën e presidentit amerikan Donald Trump, dhe bashkëshortin e saj Jared Kushner.

Sipas medias franceze, protestat kanë nisur që prej fundit të muajit maj, ndërsa kundërshtimi ndaj projektit është kthyer në një simbol të pakënaqësive më të gjera për transparencën e qeverisë dhe mënyrën e menaxhimit të zonave të mbrojtura.

 

 

Në artikullin e saj, France 24 sjell edhe reagimin e këngëtares me famë botërore Dua Lipa, e cila gjatë podcastit të saj Service95 Book Club, në një bisedë me shkrimtaren shqiptare Lea Ypi, tha se ndan shqetësimet e protestuesve. “Ajo që më shqetëson është parimi që qeveria mund të ndryshojë ligjin për të hequr mbrojtjen mjedisore pa asnjë lloj konsultimi publik”, citohet të ketë thënë Dua Lipa. Sipas France 24, Dua Lipa argumentoi se çështja është më e thellë se një projekt i vetëm dhe lidhet me probleme strukturore, duke theksuar nevojën për një zhvillim që të mbështesë komunitetet lokale.

ARTIKULLI
Që nga fundi i muajit maj, janë zhvilluar protesta kundër ndërtimit të planifikuar të një hoteli luksoz të lidhur me vajzën e Trump, Ivanka Trump, dhe bashkëshortin e saj Jared Kushner, në një rezervat natyror në bregdetin e vendit.

Dua Lipa, duke folur në podcastin e saj Service95 Book Club me autoren shqiptare Lea Ypi, tha se ndan shqetësimet e protestuesve për transparencën e qeverisë në miratimin e këtij zhvillimi.

“Ajo që më shqetëson në të vërtetë është parimi që qeveria thjesht mund të ndryshojë ligjin për të hequr mbrojtjen mjedisore pa asnjë lloj konsultimi publik”, tha 30-vjeçarja, e cila ka prindër shqiptaro-kosovarë. “Unë e gjej shumë frymëzuese të shoh se sa shumë njerëz kujdesen vërtet”, tha ajo, duke iu referuar protestave të përditshme.

Këngëtarja tha gjithashtu se ishte e qartë që problemi ishte strukturor dhe se ekzistonte nevoja për të rindërtuar “në një mënyrë që mbështet njerëzit”. Resorti i planifikuar u bë publik për herë të parë në vitin 2024, por vala e fundit e protestave nisi pasi në fund të majit u shfaqën rrethime me tela me gjemba dhe buldozerë në plazhe.

Kundërshtimi ndaj projektit është kthyer në një pikë përqendrimi të pakënaqësive mbi korrupsionin e perceptuar, ndërsa kërkesat tashmë përfshijnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Komentet e artistes u mirëpritën nga aktivistja lokale mjedisore Besjana Gurri, e cila i tha AFP-së se ato ishin një “mesazh i fuqishëm” për qeverinë shqiptare. “Jam e bindur se zëri i saj do të ndihmojë në sjelljen e një vëmendjeje më të madhe ndërkombëtare ndaj kësaj beteje dhe do të amplifikojë shqetësimet e njerëzve që protestojnë në Tiranë.” bw

Erion Braçen nuk e mbajnë nervat, shtyn gazetarin e News24, Marsel Rupi

Me një sjellje të paprecedentë, të dhunshme dhe agresive, deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ndaj gazetarit të News24, Marsel Rupi, në hyrje të Kryesisë së Kuvendit. Në pamjet e publikuara duket momenti kur gazetari i afrohet deputetit duke i drejtuar një pyetje në mënyrë të qetë, ndërsa Braçe e shtyn dhe më pas përdor një gjuhë të papërshtatshme.


Pamjet janë filmuar me telefon nga një qytetar shqiptar i diasporës, i cili ndodhej përpara Kuvendit. Prania e tij duket se ka shkaktuar irritim te deputeti socialist, i cili më pas ka reaguar me tone të ashpra edhe ndaj personit që po filmonte.

“Pakënaqësinë” e tij Braçe e ka shfaqur ndaj gazetarit të News24, pavarësisht se ky i fundit dëgjohet t’i sqarojë se nuk ka lidhje me personin që po realizonte filmimin.

Në pamjet e publikuara dëgjohen gjithashtu fjalë fyese dhe tone agresive nga ana e deputetit ndaj qytetarit që po filmonte.

News24 dënon ashpër çdo sjellje që cenon sigurinë dhe integritetin e gazetarëve të këtij televizioni gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Gazetarët kanë të drejtë të bëjnë pyetje ndaj zyrtarëve publikë, ndërsa këta të fundit kanë të drejtën të mos përgjigjen. Megjithatë, asnjë rrethanë nuk justifikon përdorimin e forcës fizike, intimidimin apo pengimin e punës së medias.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar duke e cilësuar të papranueshme çdo formë pengimi, intimidimi apo kontakti fizik ndaj gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës. Organizata u ka bërë thirrje zyrtarëve publikë të respektojnë rolin e medias dhe deputetit Erion Braçe i ka kërkuar reflektim dhe një ndjesë publike ndaj gazetarit Marsel Rupi.

Gazeta e madhe gjermane: Dështon plani i Ramës, as këngëtari skandaloz nuk e ndal zemërimin e shqiptarëve

Prej javësh, dhjetëra mijëra njerëz në Shqipëri kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ai donte të përmirësonte imazhin e tij me një performancë të Kanye West – por kjo, me sa duket, nuk ka funksionuar veçanërisht mirë.

Nga Tobias Zick, SUEDDEUTSCHE ZEITUNG

Me këtë ngjarje madhore, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tërhoqi vëmendje, megjithëse të paktën pjesërisht ndryshe nga sa e kishte planifikuar.

Për më shumë se katër milionë euro, qeveria e Ramës kishte ndërtuar pranë aeroportit të Tiranës një arenë koncertesh me emrin “Eagle Stadium”, për paraqitjen e një ylli jashtëzakonisht kontrovers: Kanye West, me emrin artistik “Ye”, reper amerikan, i cili gjatë viteve të fundit është bërë vazhdimisht i njohur për tiradat e tij antisemite, përfshirë edhe deklarata të ndryshme qartësisht pozitive për Hitlerin.

Edhe pse West, në fillim të këtij viti, në një reklamë njëfaqëshe në Wall Street Journal, iu drejtua të gjithë “atyre që kam lënduar” dhe siguroi se “nuk jam as nazist dhe as antisemit”, ndërsa shpërthimet e tij kishin qenë pasojë e “episodeve maniake”, pasi ai vuan nga çrregullimi bipolar, kjo nuk mjaftoi për të pastruar imazhin e tij.

Në vende si Britania e Madhe, Polonia, Italia dhe India, koncertet e planifikuara të tij u anuluan, shpesh nën presionin e qeverive përkatëse.

Për një ditë Tirana do të bëhej “kryeqyteti botëror i muzikës”, premtoi Edi Rama

Por nuk ndodhi kështu në Shqipëri.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, i njohur si një pragmatist i pamëshirshëm, nga njëra anë shfaqet vazhdimisht si një mbështetës i vendosur i Izraelit.

Nga ana tjetër, ai nuk pa asnjë arsye për të hequr dorë nga spektakli i “Ye” fundjavën e kaluar, edhe pse Komuniteti Hebraik Shqiptar kishte paralajmëruar se një ngjarje e tillë nuk do të dëshmonte për “hapje kulturore, por për një kundërshti morale”.

Rama u shpreh me entuziazëm paraprakisht se koncerti do të sillte “përfitime të shumta për turizmin dhe ekonominë” dhe do ta bënte Tiranën, për një ditë, “kryeqytetin botëror të muzikës”.

Një sukses i shumëpritur në aspektin e imazhit, të cilin kryeministri, që si profesion të dytë është artist pamor, në fakt do ta kishte shumë të nevojshëm.

Prej javësh njerëzit në vend kërkojnë dorëheqjen e tij, duke e akuzuar për korrupsion dhe keqmenaxhim.

Por koncerti nuk u shndërrua në një sukses të pastër marketingu.

Në ditët para koncertit të Kanye West, dhjetëra mijëra njerëz protestuan sërish në rrugët e kryeqytetit, Tiranë, për të kërkuar “dinjitet, drejtësi dhe ndryshim” për vendin e tyre.

Përpara Ministrisë së Kulturës u mblodhën gjithashtu artistë dhe artiste vendas për të protestuar kundër faktit që për një koncert të tillë, i cili sipas tyre i shërbente mbi të gjitha “marketingut politik të kryeministrit”, shpenzoheshin më shumë se katër milionë euro para shtetërore, ndërkohë që “skena e pavarur kulturore shqiptare”, në total, mezi përfiton gjysmë milioni euro subvencione shtetërore në vit.

Në pankarta lexohej: “Ministria e Turpit”.

Biletat, me sa duket, ishin më pak të kërkuara sesa kishte shpresuar kryeministri

Pavarësisht mbështetjes shumë bujare financiare nga shteti, “Eagle Stadium” nuk ishte i mbushur plot.

Sipas raportimeve të mediave shqiptare, qeveria kishte shpërndarë në shkallë të gjerë bileta për punonjësit e administratës shtetërore dhe për nxënësit e shkollave.

Madje edhe brenda stadiumit thuhet se janë dëgjuar thirrje që kërkonin dorëheqjen e kryeministrit.

Është një tjetër episod në përpjekjet e pasuksesshme të Ramës për të frenuar valën e protestave në vend.

Shkaku ishte një incident në fund të muajit maj në Lagunën e Nartës, një zonë e mbrojtur natyrore, aty ku lumi ende kryesisht i paprekur Vjosa derdhet në Mesdhe.

Ajo është habitat për më shumë se 200 lloje shpendësh, si për shembull flamingot.

Pasi punëtorët në lagunë filluan papritur të ngrinin gardhe ndërtimi dhe të vendosnin tela me gjemba, u organizua spontanisht një protestë dhe rojet private të sigurisë, në disa raste, vepruan me brutalitet ndaj demonstruesve.

Si pasojë, protesta u përhap edhe në kryeqytet dhe kërkesat u zgjeruan shpejt: nga mbrojtja e flamingove – që edhe sot janë simboli i lëvizjes – deri te kërkesat e përgjithshme për dorëheqjen e Ramës.

Zemërimi popullor u ushqye më tej nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo lëshoi urdhër-arreste ndaj disa personave, të cilët dyshohet se janë përfshirë në blerje e shitje tokash dhe pronash të paluajtshme, me qëllim pastrimin e parave nga trafiku ndërkombëtar i drogës. Sipas dyshimeve, pjesërisht bëhet fjalë edhe për toka në Lagunën e Nartës.

Atje, investitorë të ndryshëm planifikojnë ndërtimin e hoteleve luksoze, siç raportojnë mediat shqiptare prej rreth dy vitesh, ndërsa qeveria e ka konfirmuar këtë vetëm me hezitim.

Ndër ta, emri më i njohur është Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump – megjithatë, sipas hetuesve, deri më tani nuk ka asnjë tregues që Kushner të ketë qenë në dijeni të aktiviteteve të tilla kriminale.

Prandaj, zemërimi i protestuesve drejtohet mbi të gjitha kundër qeverisë së tyre dhe mënyrës së saj jotransparente dhe të dyshuar për korrupsion në trajtimin e tokës ndërtimore dhe të peizazheve të mbrojtura.

Parlamenti Evropian i ka kërkuar Shqipërisë të ndalojë punimet në zonën e mbrojtur

Mosbesim të veçantë ka shkaktuar një ndryshim ligjor i vitit 2024, i cili bën të mundura projekte të tilla ndërtimi në zonat e mbrojtura.

Parlamenti Evropian, në mesin e muajit qershor, miratoi një deklaratë, në të cilën i kërkoi qeverisë së Shqipërisë, vend kandidat për anëtarësim në BE, të ndalojë punimet ndërtimore në zonat e mbrojtura natyrore dhe të tërheqë ndryshimin e ligjit.

Po Berlini?

Në përgjigje të një pyetjeje të deputetit të Partisë së Gjelbër në Bundestag, Boris Mijatović, qeveria gjermane deklaroi në fillim të korrikut se “ndan pritshmërinë e Komisionit Evropian që Shqipëria të respektojë standardet e acquis të Bashkimit Evropian”; përveç kësaj, ajo po ndjek raportimet mbi këtë çështje dhe po merr pjesë “në diskutimin e brendshëm të BE-së”.

“Ky pasivitet dërgon sinjalin e gabuar në rajon”, kritikon Mijatović.

“Kush e merr seriozisht acquis-in mjedisor evropian dhe kriteret e anëtarësimit në BE, duhet të veprojë herët.”

Qeveria federale, sipas tij, duhet “të përdorë ndikimin e saj politik për të kundërshtuar ndërhyrje të mëtejshme në zonën e mbrojtur.”

Nëse Edi Rama vetë beson se koncerti i Kanye West i ka sjellë ndryshimin e shumëpritur të imazhit, kjo mbetet e dyshimtë.

Ai, i cili zakonisht është mjaft komunikues në kanalet e tij në rrjetet sociale, në platformën X u kufizua vetëm duke rishpërndarë një deklaratë të reperit.

Në atë deklaratë, West falënderon kryeministrin “dhe gjithë Shqipërinë”, “që ndërtuat një stadium dhe më mirëpritët në vendin tuaj të bukur.”

Të përshpejtohen bisedimet për zgjedhjen e institucioneve shtetërore!- Nga Florim Zeqa

 

Fillimi i mbarë i bisedimeve mes subjekteve parlamentare për krijimin e institucioneve shtetërore duhet të vazhdoj me seriozitet dhe me ritëm të shtuar! Prolongimet eventuale të bisedimeve duke u thirrur në afatet kushtetuese, jo vetëm që mund ta lënë shtetin pa President, mund ta çojnë sërish vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme!

 

Të respektohet vullneti i elektoratit

 

Shkuarja e vendit në zgjedhje do të ishte skenari më i keq, por, më keq se kaq do të jetë përseritja apo rikthimi i Albin Kurtit në pikën zero, gjegjësisht të arritjes së të njëjtës “zgjidhje” për të cilën vendi shkoj në zgjedhjet e 7 qershorit!!

Kosova ka humbur shumë kohë dhe shumë përspektiva zhvillimore shkaku i kalkulimeve personale të liderëve partiakë!

Tendenca e hapur për ta personalizuar procesin negociator për krijimin e institucioneve i dëmton bisedimet, sikurse që i dëmton partitë opozitare tendenca për të marrë më shumë ‘hise’ në qeveri nga ajo që ju ka dhënë elektorati!

Vullneti i popullit është vullneti i Zotit, e thotë një fjalë e urtë popullore!
Populli ua tregojë vendin të gjitha subjekteve, andaj nuk ka rrugë tjetër përveq respektimit të vullnetit të sovranit, të shprehur më 7 qershor!

Prandaj, proporcionaliteti i votës duhet të jetë pikënisje dhe konkluzion i bisedimeve për krijimin e institucioneve shtetërore.

Çdo devijim i kësaj rruge do ta çojë vendin në zgjedhje të reja dhe humbje të shumfishta për shtetin, e cila do të ndikoj në përkeqësimin e jetës së qytetarëve!

Nëse i referohemi maksimës popullore “Dita e mirë shihet në mëngjes”, atëherë gjasat janë shumë të vogla për arritjen e një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit.

E themë kështu, për faktin se, që në takimin e parë ka qenë e mundur arritja e dakordimit për krijimin e institucioneve! Prolongimet nuk do të sjellin përafrime, por vetëm largim nga zgjidhja fatlume për shtetin!

 

Bisedime pa rezultate evidente

 

Epilogu i raundit të parë të bisedimeve mes liderëve partiakë është ky: Albin Kurti ua mati impulsin dy krerëve opozitarë!

Përderisa kryetari PDK-së, Bedri Hamza i mbrojti qëndrimet partiake, Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani më shumë shpërfaqen ambiciet personale sesa qëndrimet partiake shkaku i situatës shpërthyese në LDK!

Për dallim nga dy partitë më të mëdha opozitare, Aleanca e vogël e refuzoi takimin me Albin Kurtit, prapa të cilit refuzim fshihet kërkesa jetësore e Ramush Haradinajt për t’u bërë President!

Pavarësisht ambicieve personale, gjithçka mbetet në dorën e Albin Kurtit!

Mbetët të shihet në ditët dhe javët në vazhdim serioziteti i liderëve partiakë në arritjen e kompromisit politik për të mirën e shtetit dhe interesin e qytetarëve!

 

Anipse në opinionin publik po flitet se për Albin Kurtin më e preferuara për marrëveshje politike është LDK-ja, në realitet është e kundërta e saj, për shkak të mungesës së besueshmërisë së ndërsjellë! Ajo që është provuar një herë dhe ka dështuar, nuk ka gjasa të përseritet më nga LVV!

 

Florim Zeqa, 13.07.2026

Pse nuk flasin intelektualët?- Nga ERMELINDA MEKSI

Pse nuk flasin intelektualët?
Kesaj pyetje që moderatori ua drejton shpesh të ftuarve gjatë intervistave, do t’i përgjigjesha :
“Të flasësh në hapësirën publike kërkon kurajë intelektuale dhe integritet moral.
Këtë e shoh edhe tek mjaft kolegë të mi të Universitetit, të cilët kanë zgjedhur të shprehen publikisht.
Personalisht, nuk kam hezituar asnjëherë të them, me përgjegjësi, atë që kam besuar se i shërben opinionit publik dhe vendimmarrjes. Këtë e kam bërë si në kohën kur isha pjesë e politikës aktive, ashtu edhe gjatë 15 viteve të fundit, kur nuk kam qenë pjesë e saj,ndonëse jo të gjithë e dinë këtë.
Por besoj se pyetja nuk është vetëm pse flasin ose nuk flasin intelektualët. Po aq e rëndësishme është të pyesim: sa dëgjohet zëri i tyre dhe sa peshë i jepet mendimit të argumentuar në debatin publik?
Një shoqëri demokratike ka nevojë jo vetëm për zëra që flasin, por edhe për një kulturë që i dëgjon dhe i vlerëson ata.”
E. Meksi, 13 korrik 2026

Sheshet plot prej 44 ditësh për largimin e Ramës! Televizioni publik gjerman: Protestuesit denoncojnë korrupsionin! Kërkojnë largimin e qeverisë

Televizioni publik gjerman “ZDF Heute”, I ka kushtuar një artikull asaj që po ndodh prej 44 ditësh në Tiranë, me qytetarët që kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Media gjermane bën me dije se edhe pse në fillim revolta nisi kundër resortit në Zvërnec, protestuesit në Shqipëri tani janë të shqetësuar për shumë më tepër sesa vetëm flamingot.

“Ata po denoncojnë korrupsionin në vend, duke kërkuar reforma, zgjedhje të ndershme dhe dorëheqjen e qeverisë aktuale.
Një aspekt i protestave është ndryshimi i legjislacionit për ruajtjen e natyrës i vitit 2024, i cili, sipas organizatave të ruajtjes së natyrës, lehtëson investimet në zonat e mbrojtura dhe dobëson mekanizmat ekzistues të mbrojtjes.
Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian kanë shprehur vazhdimisht shqetësime se ndryshimet janë të papajtueshme me standardet e BE-së për ruajtjen e natyrës dhe kanë kërkuar shfuqizimin e tyre sipas detyrimeve të Shqipërisë sipas Kapitullit 27 të negociatave të pranimit”, thuhet në artikull. bw

44 ditë revoltë/ “Washington Examiner”: Atmosfera është e paqëndrueshme, ndërsa padurimi me pasurimin e Ramës ka arritur kulmin

Ekziston një prirje fatkeqe mes analistëve dhe gazetarëve amerikanë për të supozuar se gjithçka rrotullohet rreth politikës së SHBA-së. Shqipëria është vetëm rasti më i fundit.

Në fund të majit, protesta shpërthyen në Zvërnec, Shqipëri, për planet e dhëndrit të Presidentit Donald Trump, Jared Kushner, për ta zhvilluar një zonë të ndjeshme mjedisore në një kompleks akomodimi me vlerë shumë miliarda dollarë.

 

 

“Washington Examiner”, shkruan se Kushner ishte vetëm një nga shumë shkëndijat që ndezën protestat. Alex Soros, i cili është afruar me kryeministrin shqiptar Edi Rama për të fituar miratimin për zhvillime të ngjashme, ishte një tjetër. Po ashtu edhe përndjekja që Rama i bën pakicës greke të Shqipërisë, e cila banon në Rivierën Shqiptare. Më 12 maj 2023, për shembull, policia e Ramës arrestoi Fredi Belerin, një kandidat me origjinë greke për postin e kryebashkiakut të Himarës. Akuza? Ai kishte keqshpenzuar rreth 100 dollarë gjatë fushatës së tij. Shqiptarët e kuptuan farsën — Rama donte që njerëzit e tij të fitonin për të përfunduar marrëveshjet e veta për pasuri të paluajtshme. Në atë kontekst, zhvillimi i Kushnerit ishte simptoma, por jo shkaku.

Shqipëria mund të ketë dalë nga titujt e mediave në Perëndim, por protestat që atëherë kanë vazhduar të marrin vrull. Vizitorët e fundit në Shqipëri thonë se atmosfera është e paqëndrueshme, ndërsa padurimi me vetëpasurimin e Ramës ka arritur kulmin. Sot, shqiptarët nuk flasin për Kushnerin apo madje as për Shtetet e Bashkuara, por për “Revolucionin e Flamingove”, korrelativi i tyre me revolucionet me ngjyra që çliruan kaq shumë vende në Evropën Lindore nga diktatura.

Shqipëria, natyrisht, nuk është komuniste dhe, po të pyesësh Departamentin e Shtetit, është një demokraci e lulëzuar. Por kjo nuk është ajo që thonë shqiptarët. Kur Perdja e Hekurt u shemb, shqiptarët e përqafuan demokracinë me entuziazëm. Shqipëria u bë vendi më proamerikan në Evropë, në mos në mbarë botën.

Pastaj u përfshinë Departamenti i Shtetit dhe USAID-i. Ata ndihmuan në ngritjen e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Për të kuptuar se çfarë ndodhi më pas, imagjinoni sikur mafiozi i Çikagos Al Capone të kishte marrë nën kontroll FBI-në përpara se ajo të kishte mundësinë ta arrestonte atë dhe pjesën tjetër të mafies së Çikagos në vitet 1930. Rama, kreu i Partisë Socialiste, e rrëmbeu SPAK-un dhe e përdori atë për të shënjestruar këdo që kërcënonte pushtetin e tij: ish-kryeministrin Sali Berisha, ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj dhe shumë të tjerë.

Nuk bëhej kurrë fjalë për qeverisje të pastër. Ndërsa SPAK-u shënjestronte këdo që i bënte Ramës pyetje të vështira, Rama dyfishoi angazhimin e tij si në skemat e pasurive të paluajtshme, ashtu edhe në pastrimin e dukshëm të parave me kartelet e drogës. Këtu, mekanizmi ishte vendimi i tij për të legalizuar kultivimin e marijuanës. Sapo fushat me marijuanë filluan të lulëzonin, po ashtu lulëzuan edhe trafiku i kokainës nga Amerika Latine dhe Afrika Perëndimore, si dhe trafiku i opiumit nga Afganistani dhe Turqia. Roja bregdetare italiane kap rregullisht dërgesa kokaine drejt Shqipërisë; ironikisht, roja bregdetare e Ramës nuk e bën.

Ndërkohë, Rama ndoqi hapur rrugën e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan. Nuk ishte një rastësi e thjeshtë: një ish-ndihmës i Ramës, i cili ndodhej në dhomë kur të dy liderët u takuan, tha se Erdoğan i dha Ramës një kurs të përshpejtuar se si të shkatërronte një sistem demokratik duke shënjestruar kundërshtarët dhe duke kultivuar diplomatët amerikanë. Erdoğan e konsolidoi pushtetin duke marrë nën kontroll autoritetin e kontrollit tatimor, që ishte ekuivalenti turk i SPAK-ut. Ai i bëri ish-diplomatët dhe atashetë amerikanë partnerë biznesi ose, të paktën, u dha donacione për t’i mbështetur në rolet e tyre të reja në institute kërkimore (think tanks). Rama duket se bën të njëjtën gjë. Rama, ashtu si Erdoğan, shpërndan favore në formën e koncesioneve të pasurive të paluajtshme dhe projekteve zhvillimore.

Departamenti i Shtetit e kupton gabimin e tij; ai e ka hequr në heshtje Berishën nga lista e zezë e vizave, duke pranuar në thelb se akuzat kundër tij ishin politike dhe jo thelbësore.

Kritikët e Trumpit e përshkruajnë atë si anti-Mbretin Midas, ku gjithçka që prek shndërrohet në plumb.

Megjithatë, për sa i përket politikës së jashtme, vetë sindroma e tyre e çrregullimit ndaj Trumpit (Trump derangement syndrome) mund të jetë po aq shkatërruese.

Në rastin e Shqipërisë, dëshira për t’u përqendruar te Kushneri i verbon politikanët ndaj çështjeve më të thella, që përfshijnë përvetësimin e burimeve amerikane, rritjen e krimit të organizuar dhe trafikut të drogës nën regjimin e Ramës, si dhe pyetjet mbi përgjegjësinë e disa ish-ambasadorëve amerikanë që u rreshtuan plotësisht në krah të Ramës.bw

“Dua Lipa i bashkohet protestave të Flamingove” – Media e huaj: Fjalët e saj janë një refren i goditur kundër qeverisë Rama! Përfshirja e saj, faktor me ndikim

“EUalive” i ka kushtuar një artikull kritikës publike që bëri Dua Lipa ndaj qeverisë gjatë podcastit me shkrimtaren Lea Ypi, duke e cilësuar zërin e këngëtares me famë botërore si me ndikim në protestën qytetare që vijon prej mbi një muaji.


Në artikull theksohet se fjala e yllit të muzikës vjen si një refren që godet qeverinë e kryeministrit Edi Rama, teksa ajo shqetësim faktin që mbrojtja e mjedisit mund të ndryshohet pa konsultim të duhur publik.

“Për Ramën, ky është një moment i sikletshëm.”, thuhet në artikullin e medias, ndërsa shtohet se kur ngre zërin një figurë  me peshë globale si Dua Lipa, mesazhi përhapet shumë përtej shesheve të Tiranës.

“Ajo nuk po organizon protesta dhe nuk po kërkon dorëheqje, por hyrja e saj e qetë në këtë debat e bën atë një faktor të ri me ndikim.”, thuhet në artikull.

Artikulli i plotë:

Pas gati 50 ditësh protestash në rrugët e Shqipërisë, superylli botëror Dua Lipa më në fund ka reaguar – dhe fjalët e saj vijnë si një refren i goditur mirë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

E lindur në Londër nga prindër shqiptarë në vitin 1995, Dua (emri i së cilës do të thotë “dashuri” në shqip) u ngrit nga videot me këngë të publikuara në YouTube gjatë adoleshencës, për t’u shndërruar në një nga artistet më të mëdha të muzikës pop në botë. Me hite si “Levitating”, “Don’t Start Now” dhe “New Rules”, ajo ka fituar çmime Grammy, ka miliarda dëgjime në platformat muzikore dhe një ndikim të madh edhe në botën e modës, duke u kthyer në një ambasadore kulturore përtej muzikës. Ajo valëvit me krenari flamurin shqiptar në koncertet e saj, viziton familjen në Kosovë dhe më parë ka përdorur platformën e saj për të nxjerrë në pah çështje që lidhen me Ballkanin. Për një audiencë të politikës së BE-së, më të mësuar me eurodeputetë sesa me yje të muzikës, mund të mendohet si ekuivalenti i një influencueseje me ndikim të jashtëzakonshëm, me një shtrirje që tejkalon shumë politikanë.

Në podcastin e saj “Service95”, së bashku me Lea Ypin, Lipa shprehu një shqetësim të matur dhe jo një sulm të ashpër: ajo e konsideron “shqetësuese” faktin që mbrojtja e mjedisit mund të ndryshohet pa konsultim të duhur publik. Kjo është një kritikë e qetë, e përqendruar te parimet, por që drejtohet qartë ndaj ndryshimeve ligjore që i hapën rrugën një projekti resorti luksoz të lidhur me Jared Kushnerin. Nuk bëhet fjalë për një manifest politik të zjarrtë, por për një sinjal të qartë se edhe një personazh me famë globale, që nuk ka asgjë për të fituar nga kjo çështje, po e ndjek me vëmendje situatën.

Për Ramën, ky është një moment i sikletshëm. Protestat e “Flamingos” – të quajtura kështu për shkak të shpendëve shtegtarë që rrezikohen nga zhvillimi i projektit – tashmë kanë kaluar nga një përplasje lokale për çështjet mjedisore në një lëvizje më të gjerë kundër asaj që perceptohet si favorizim i interesave të afërta me pushtetin dhe mungesë transparence. Kur një figurë me peshë globale dhe me identitet të fortë shqiptar si Dua Lipa e ngre zërin, mesazhi përhapet shumë përtej shesheve të Tiranës. Ajo nuk po organizon protesta dhe nuk po kërkon dorëheqje, por hyrja e saj e qetë në këtë debat e bën atë një faktor të ri me ndikim.

Nëse kjo do të ndikojë në ekuilibrat politikë, mbetet për t’u parë. Por në epokën e momenteve virale dhe fuqisë së diasporës, një fjali e vetme e menduar mirë në një podcast nga vajza shqiptare më e njohur e Londrës ka një peshë që vendimet e marra pas dyerve të mbyllura në kryeqytet nuk mund ta shpërfillin lehtë. Rrugët e Shqipërisë kanë folur prej javësh; tani një zë i njohur global i është bashkuar kësaj melodie.

Në këtë debat të nxehtë që ka përfshirë Shqipërinë, historia e pazakontë ku tashmë shfaqen Jared dhe Ivanka Kushner, kryeministri Edi Rama dhe ikona e muzikës pop Dua Lipa, duket si një skenar që edhe serialet më të bujshme të Netflix-it do ta kishin të vështirë ta tejkalonin. gsh

“Rinia nuk ka më frikë”- 44 ditë revoltë për dorëheqjen e Ramës, gazeta “Der Standard” jehonë protestës popullore në Shqipëri!

Mediat ndërkombëtare prej javësh i bëjnë jehonë protestës popullore në Shqipëri, e cila mbledh mijëra qytetarë çdo natë, ku kërkohet dorëheqja e qeverisë.


Një prej tyre edhe gazeta gjermane “Der Standard”.

“Mbikëqyrje e popullsisë, frikësim dhe abuzim me strukturat publike. Vendi nuk është ende i lirë”, shkruan nga Tirana, Adelheid Wölfl për “Der Standard”.

Artikulli i plotë:

“Patroni jo vetëm që kontrollon punët e vendit, por edhe ato të kryeqytetit, Tiranës. Meqenëse kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, është burgosur që nga shkurti i vitit 2025, Edi Rama mori edhe kontrollin politik të metropolit. Zyrtarisht, qyteti administrohet nga politikania Megi Fino, por është Rama ai që i drejton fijet.

Kjo është veçanërisht e vërtetë kur bëhet fjalë për projekte ndërtimi në shkallë të gjerë: kulla gjigante, shpesh gjysmë të zbrazëta dhe të vendosura aq afër ndërtesave historike saqë shkatërrojnë pamjen e qytetit. Në shkurt të vitit 2025, zyra e prokurorit antikorrupsion SPAK urdhëroi arrestimin e Veliajt. Ai akuzohet për përvetësim të 1.1 milion eurove përmes 9 kontratave publike ose lejeve të ndërtimit. Ai i mohon të gjitha akuzat.

Profile të detajuara të popullsisë

Zgjedhjet lokale do të mbahen në Tiranë majin e ardhshëm dhe atëherë do të bëhet e qartë nëse lëvizja aktuale për demokraci, e cila kërkon llogaridhënie, transparencë dhe respektim të ligjit nga socialistët në pushtet, ka ndryshuar edhe peizazhin politik në Shqipëri. Deri më tani, nuk ka parti të rëndësishme opozitare që mbështesin demokratizimin e shoqërisë.

Kjo lidhet edhe me ligjin zgjedhor, i cili u ndryshua në vitin 2008 nga dy partitë kryesore – Socialistët dhe Partia Demokratike – në një mënyrë të tillë që dy partitë e mëdha favorizohen në dëm të partive më të vogla.

Partia Socialiste ka krijuar një sistem që në shqip janë quajtur “patronazhistë”. Anëtarët e partisë, zyrtarët dhe punonjësit e sektorit publik duhet të krijojnë profile të detajuara të qytetarëve – duke përfshirë informacion mbi statusin e tyre të punësimit, sjelljen e votimit, orientimin politik dhe rrethanat personale. Në vitin 2021, këto të dhëna personale të afërsisht 900,000 qytetarëve u bënë publike.

Mungesa e njohurive historike

Ky sistem i mbikëqyrjes tregon se institucionet shtetërore i shërbejnë partisë në pushtet, por zbulon gjithashtu shkallën në të cilën vazhdojnë të ekzistojnë strukturat e vjetra të diktaturave më brutale komuniste në Evropë. Jonila Godole nga “Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë” në Tiranë thekson se shumë të rinj shqiptarë nuk kanë njohuritë historike për të kuptuar mekanizmat aktualë të pushtetit në lidhje me të kaluarën komuniste.

“Ata mezi mësojnë në shkollë se çfarë ka ndodhur këtu. Vetëm 4 faqe në librin e historisë u kushtohen 45 viteve të diktaturës”, – thotë Godole. Ajo vëren se viktimat e diktaturës, siç janë të burgosurit politikë, mezi kujtohen. “Deri më sot, nuk ka asnjë muze kombëtar shtetëror në një vend autentik vuajtjesh”, ankohet ajo.

Mijëra ekzekutime

Gjatë diktaturës, afërsisht 6,000 njerëz u ekzekutuan, dhjetëra mijëra u burgosën dhe deri në 1 në 3 shqiptarë ishte nën mbikëqyrjen e regjimit. Mijëra viktima ende konsiderohen të zhdukur. “Nuk kishte vullnet politik për t’u pajtuar me diktaturën. Ajo që është bërë është vetëm një fasadë”, – thotë Godole për “Der Standard”.

Nga viti 1991 deri në vitin 1996, më shumë se 35 ish-zyrtarë u arrestuan, por ata u shpallën të pafajshëm pasi Partia Socialiste erdhi në pushtet. Disa madje vazhduan të kishin karriera të suksesshme. Gramoz Ruçi u bë Ministër i Brendshëm gjatë diktaturës në vitin 1990, duke u bërë kështu kreu i policisë sekrete famëkeqe, Sigurimit. Kritikët e akuzojnë atë si përgjegjës për të shtënat me armë zjarri ndaj 4 demonstruesve gjatë protestave më 2 prill 1991.

Kur Ruçi u zgjodh Kryetar i Parlamentit në vitin 2017 gjatë qeverisjes së Ramës, Rama i hodhi poshtë kritikat, duke deklaruar se Kryetari i ri i Parlamentit ishte një anëtar i parlamentit me përvojë të lartë, plotësisht i përshtatshëm për këtë pozicion.

Godole beson se është thelbësore që gjyqësori këtë herë të ndërmarrë veprime vendimtare kundër politikanëve të përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe që gabimet e viteve 1990 të mos përsëriten. Shpresa e fundit për shumë nga demonstruesit është SPAK, Zyra e Prokurorit Kundër Korrupsionit, e krijuar disa vjet më parë me ndihmën e SHBA-së dhe BE-së. Në të vërtetë, disa raste kundër politikanëve janë aktualisht në proces, që rrjedhin nga hetimet e SPAK.

Rinia nuk ka më frikë

Megjithatë, sipas shumë kritikëve, qeveria aktuale është bërë gjithnjë e më e korruptuar dhe e shkëputur nga realitetet e njerëzve që vuajnë nga çmimet e tepërta të pasurive të patundshme dhe mungesa e mundësive arsimore dhe të karrierës. “Të rinjtë këtu nuk kanë më asgjë për të humbur”, shpjegon Godole.

Shumë të rinj ende duan të qëndrojnë në Shqipëri. Ndryshe nga prindërit dhe gjyshërit e tyre, këta njerëz, të cilët nuk u socializuan nën një diktaturë komuniste, nuk mund të kontrollohen më përmes frikës. “Ata po rebelohen kundër arrogancës së klasës politike”, – thotë Godole. Rama, i cili e paraqet veten jashtë vendit si një artist modern, në fakt po vepron me autoritarizëm në rritje brenda vendit dhe tani përfaqëson një politikë që shikon prapa.

“Fasada është shkatërruar”, – thotë Godole. Mediat tradicionale po vuajnë gjithashtu një humbje masive të besueshmërisë sepse fillimisht nuk raportuan për protestat e përditshme.

Frikë në administratë

“Bojkotoni median!” shkruhej në postera. Por socialistët e Ramës mbajnë ende një kontroll të fortë mbi një segment të shoqërisë. Ata që punojnë në administratë kanë frikë se do të humbasin vendet e punës nëse protestojnë. Dhe pronarët e bizneseve, duke mos dashur një vizitë të papritur nga autoritetet tatimore, po tërhiqen gjithashtu.

Një grua që guxoi t’i kthente shpinën Ramës dhe socialistëve është deputetja Marjana Koçeku. Më 14 qershor 2026, ajo njoftoi dorëheqjen e saj nga Partia Socialiste dhe që atëherë është anëtare e pavarur e parlamentit. Koçeku ndau në mediat sociale një fotografi të një flamingoje, simbolit të lëvizjes për demokraci. Por rasti i Koçekut tregon gjithashtu se çfarë i pret ata që largohen nga regjimi.

Më 17 qershor, Koçeku shkroi se familja e saj ishte kërcënuar nga grupi kriminal “Bajri” në Shkodër. Ajo paralajmëroi se do të reagonte nëse familjes së saj do t’i ndodhte diçka. Ajo kritikoi një sistem politik të ndërtuar gjatë dekadave mbi frikën, nënshtrimin dhe alienimin.

Fantazmat e vjetra të epokës represive komuniste janë rikthyer, edhe pse Rama donte t’i jepte Partisë Socialiste një fytyrë të re. Kryeministri, i cili donte të hynte në histori si reformator, me sa duket është përndjekur nga e kaluara e tij. Babai i Ramës, Kristaqi, ishte në Presidencën Popullore gjatë diktaturës dhe kështu ishte pjesë e “Regjimit të vjetër”. Dhe djali me sa duket nuk mund ta shohë sa i vjetëruar është stili i tij i qeverisjes për protestuesit e rinj”. gsh

“BE të paralajmërojë Shqipërinë, Rama të ndryshojë kurs”- Revolta kundër Ramës, eurodeputetja holandeze Tineke Strik, mesazh qytetarëve: Vazhdoni rezistencën! Kauza juaj shumë e drejtë

Protesta popullore prej 44 ditësh ka ndërgjegjësuar dhe vënë në lëvizje edhe vetë Brukselin, i cili i është bashkuar zërit qytetar edhe me mision eurodeputetësh që erdhën ditë më parë në Shqipëri.


Tineke Strik, eurodeputetja që drejtoi një mision faktmbledhës për çështjet mjedisore në Shqipëri, thotë se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është në rrezik nëse qeveria nuk ndryshon kursin për zonat e mbrojtura.

Eurodeputetja holandeze Tineke Strik iu bashkua protestuesve në rrugët e Tiranës në fund të muajit të kaluar, duke shprehur solidaritet me kauzën e tyre mjedisore dhe duke premtuar se zëri i tyre do të dëgjohet në Bruksel.

“Sinqerisht, është shumë e çuditshme të shohësh se jeni ju ata që po mbroni vlerat dhe të drejtat e Bashkimit Evropian, ndërsa qeveria nuk po e bën këtë,” u tha ajo protestuesve.

“Unë do t’i çoj këto mësime në Bashkimin Evropian, në Bruksel, se populli është gati të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, por qeveria ende nuk është gati për këtë,” shtoi ajo.

Strik, anëtare e partisë holandeze të gjelbër-majtë Progressief Nederland, e cila bën pjesë në grupin e të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, drejtoi një mision faktmbledhës të Parlamentit Evropian për çështjet mjedisore në Shqipëri – një vend që synon të anëtarësohet në BE deri në fund të kësaj dekade.

Në një intervistë për BIRN, Strik paralajmëroi se dështimet në mbrojtjen e mjedisit mund të rrezikojnë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Ajo u shpreh shumë drejtpërdrejt kur foli për ligjin shqiptar për zonat e mbrojtura, i miratuar në vitin 2024, i cili lejon zhvillimin e projekteve turistike luksoze në zonat e mbrojtura dhe që, sipas shumë kritikëve, përbën një kërcënim për natyrën dhe biodiversitetin.

E pyetur nëse ky ndryshim ligjor është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, ajo u përgjigj:

“Jo, nuk është.”

“Ndryshimi i ligjit, i cili lejon ndërtimin në zonat e mbrojtura, nuk është në përputhje me legjislacionin e BE-së, nëse kemi parasysh Direktivën për Shpendët dhe Direktivën për Habitatet. Komisioni Evropian e ka paralajmëruar tashmë Shqipërinë se duhet ta ndryshojë këtë ligj,” tha Strik.

“Pikërisht për këtë arsye edhe Parlamenti Evropian i bëri thirrje qeverisë shqiptare ta shfuqizojë këtë ligj dhe të miratojë një ligj të ri në përputhje me standardet e BE-së, si dhe të mos ndërmarrë asnjë aktivitet në zonat e mbrojtura,” shtoi ajo.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të mos ndërmarrë asnjë aktivitet tjetër derisa të miratohet një ligj i ri që përputhet me standardet e Bashkimit Evropian.”

Shqipëria është përfshirë prej më shumë se 40 ditësh nga protesta kundër qeverisë, të cilat fillimisht shpërthyen kundër një projekti turistik luksoz të planifikuar në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, në jug të vendit, projekt i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Protestuesit kërkojnë shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura, si dhe dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për korrupsion institucional dhe mungesë transparence.

Më 17 qershor, eurodeputetët shprehën “keqardhje të thellë” për dy ligje shqiptare, të cilat sipas tyre vendosin interesat e zhvilluesve të turizmit luksoz mbi mbrojtjen e zonave natyrore.

Sipas Parlamentit Evropian, zgjerimi i Ligjit për Investimet Strategjike të vitit 2015 mundëson procedura të përshpejtuara lejesh dhe ulje të kontrollit mjedisor, gjë që rrezikon të ndikojë negativisht në zonat e mbrojtura dhe në territore të tjera të ndjeshme për mjedisin.

Parlamenti Evropian kërkoi gjithashtu shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat, sipas tij, lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe dobësojnë mbikëqyrjen mjedisore.

Këto dy ligje janë thelbësore për projektin e planifikuar të zhvillimit luksoz në zonën e lagunës Vjosa–Nartë, në bregdetin shqiptar, i udhëhequr nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner.

Kryeministri Edi Rama e ka mbrojtur këtë projekt.

I pyetur nga Deutsche Ëelle në një intervistë të publikuar më 3 korrik për ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, Rama u përgjigj:

“Po, kemi bërë ndryshime në ligj. Por e dini çfarë? Nuk kemi ndryshuar thelbin e ligjit dhe ndryshimet tona nuk bien ndesh me standardet dhe kriteret evropiane. Ne do të sigurohemi që kjo të verifikohet përmes procesit të negociatave tona të anëtarësimit.”

Megjithatë, Strik këmbëngul se ndryshimet ligjore duhet të shfuqizohen menjëherë.

“Përndryshe do të ketë të paktën negociata shumë të vështira, nëse Rama vazhdon të thotë: ‘Unë do të vazhdoj me këtë projekt ndërtimi, nuk do t’i ndal aktivitetet.’ Atëherë ai do të ketë një problem shumë të madh me Bashkimin Evropian,” tha ajo.

“Nëse ai është vërtet serioz për ambicien e tij që Shqipëria të anëtarësohet sa më shpejt në BE, duhet ta shfuqizojë menjëherë këtë ligj dhe të sigurojë që të mos kryhet asnjë ndërtim në zonat e mbrojtura,” përfundoi ajo.

“Ju lutem, vazhdoni rezistencën.”

Rama ka premtuar se Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, dhe vendi konsiderohet një nga kandidatët më të avancuar në Ballkanin Perëndimor, së bashku me Malin e Zi.

Strik tha se njerëzit që pa në Tiranë janë gati për BE-në dhe i bëri thirrje qeverisë t’i dëgjojë ata.

“Do të thosha atë që u thashë edhe protestuesve: protestuesit tregojnë shumë qartë se janë gati për anëtarësim. Ata po mbrojnë vlerat e Bashkimit Evropian dhe Rama duhet t’i dëgjojë, duke u siguruar që edhe ai të ecë në hap me përparimin.”

“Do t’u thosha: ‘Ju lutem, vazhdoni rezistencën, sepse kauza për të cilën po luftoni është shumë e drejtë. Natyrisht, bëjeni në mënyrë paqësore.’”

“Këtë pashë kur isha në Tiranë: shumë familje dhe një atmosferë shumë konstruktive. Tani është vërtet koha që politikanët dhe qeveria t’i marrin seriozisht këta qytetarë.”

“Ata kanë një pretendim shumë të ligjshëm se Shqipëria u përket atyre dhe duan të sigurojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Por ata duan gjithashtu të sigurojnë që natyra e tyre të mbrohet,” shtoi ajo.

Strik kritikoi gjithashtu mënyrën se si Rama i ka trajtuar protestat, si edhe pretendimet e tij se protestat janë të keqorientuara ose po manipulohen nga faktorë të jashtëm.

“Protestuesit po zemërohen gjithnjë e më shumë, sepse Rama ose hesht, ose, edhe më keq, zhvillon fushata denigruese kundër tyre,” tha ajo.

Ajo iu referua gjithashtu një mosmarrëveshjeje për pronësinë e tokës, e cila aktualisht po hetohet.

“Protestuesit me të drejtë kërkojnë më shumë transparencë për këtë çështje, bashkëpunim të plotë me SPAK-un në hetimin për korrupsionin që lidhet edhe me peizazhin e Vjosë-Nartës, përfshirë aeroportin, si dhe që drejtësia të vihet në vend,” shtoi ajo, duke iu referuar aeroportit të ri të ndërtuar në një zonë të mbrojtur me rëndësi të veçantë për shpendët në lagunën Vjosë–Nartë.

Dëmi tashmë është bërë pjesërisht

Në muajin maj, zona ku është planifikuar ndërtimi i resortit u rrethua me gardh dhe nisën punimet për pastrimin e terrenit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme përpara se ekskavatorët të ndalonin punën më 4 qershor.

Sipas ekspertëve vendas, rruga e re me zhavorr dhe dëmtimet e pyllit, të cilat ende janë të dukshme, përbëjnë një kërcënim për biodiversitetin e zonës.

“Ne pamë dëmet e shkaktuara në këtë zonë të Vjosë–Nartës – një rrugë rreth shtatë kilometra të gjatë që përshkon të gjithë zonën e mbrojtur dhe, në pjesët e përcaktuara si habitate folezimi për breshkat, pamë edhe tharje të ligatinave, e kështu me radhë,” tha Strik.

“Bashkimi Evropian nuk mund të ndërmarrë masa tani, sepse Shqipëria nuk është ende shtet anëtar, por mund t’i thotë: ‘Duhet ta ndaloni këtë, sepse përndryshe nuk jeni në përputhje me standardet e BE-së dhe, si pasojë, nuk do të ketë përparim në negociatat e anëtarësimit.’”

Ajo shtoi: “BE-ja mund ta paralajmërojë Shqipërinë se, duke vepruar në këtë mënyrë, po shkel legjislacionin e Bashkimit Evropian. Shqipëria nuk mund të thotë se ‘këto kushte do të zbatohen vetëm në fund të vitit të ardhshëm’. Kështu nuk funksionon. Gjatë kohës që po negocion për mbrojtjen dhe përmirësimin e natyrës, asaj nuk i lejohet ta përkeqësojë situatën.”

E pyetur nëse kjo çështje është një provë e përkushtimit të Shqipërisë ndaj vlerave evropiane, Strik u përgjigj:

“Po, unë e shoh vërtet si një provë.”

Ajo përfundoi: “Rama duhet të ndryshojë kurs tani. Ai duhet të sigurohet që një zonë e mbrojtur të jetë vërtet e mbrojtur dhe të garantojë që korrupsioni në nivelet e larta të mos tolerohet në vendin e tij.”/BIRN/

Banka Botërore: Shqipëria po plaket e po zbrazet, qeveria pa plan për shëndetësinë

Plakja e popullsisë, emigracioni dhe barra në rritje e sëmundjeve kronike po krijojnë kërkesa të reja për sistemin shëndetësor shqiptar, ndërsa financimi publik mbetet ndër më të ulëtit në Ballkanin Perëndimor, sipas një raporti të Bankës Botërore.

Në vitin 2025, popullsia e Shqipërisë ishte rreth 2.36 milionë banorë, nga 2.9 milionë në vitin 2010.

Raporti ia atribuon këtë rënie emigracionit dhe normave të ulëta të lindshmërisë. Në vitin 2022, norma e fertilitetit ishte vetëm 1.2 fëmijë për grua. Nëse këto prirje vazhdojnë, popullsia mund të bjerë në rreth 2 milionë banorë deri në fund të shekullit.

Rreth 16% e popullsisë ishte 65 vjeç ose më shumë në vitin 2023. Sipas raportit, plakja po rrit peshën e sëmundjeve jo të transmetueshme, përfshirë sëmundjet ishemike të zemrës, goditjet cerebrale, kancerin, sëmundjet e mushkërive dhe Alzheimerin. Këto zhvillime po rrisin kërkesën për shërbime afatgjata, menaxhim të sëmundjeve kronike dhe kujdes të vazhdueshëm.

Banka Botërore vëren se modeli aktual i ofrimit të shërbimeve mbetet i orientuar kryesisht drejt spitaleve dhe lidhet vetëm në mënyrë të kufizuar me performancën.

Pa ndryshime, këto presione mund të zgjerojnë pabarazitë dhe të kufizojnë aftësinë e sistemit për të siguruar vlerë më të mirë për fondet publike. Në vitin 2023, shpenzimet totale për shëndetësinë arritën në rreth 4.9% të

Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Nga kjo shumë, shpenzimet publike, përfshirë fondet buxhetore dhe kontributet për sigurimin shëndetësor, përbënin rreth 3.5% të PBB-së.

Shëndetësia përfiton rreth 9.7%-9.9% të shpenzimeve të përgjithshme të qeverisë. Sipas raportit, Shqipëria shpenzon rreth 301 dollarë për frymë nga fondet publike për shëndetësinë, afërsisht gjysma e nivelit të disa vendeve të tjera të rajonit.

Banka Botërore thekson se kufizimet financiare nuk janë i vetmi problem.

Raporti argumenton se fondet ekzistuese shpërndahen në mënyrë jo optimale, me pjesën më të madhe të shpenzimeve të drejtuara te spitalet dhe një pjesë më të vogël te kujdesi parësor dhe parandalimi.

Një tjetër dobësi është baza e kufizuar e kontributeve. Kontributet për sigurimin shëndetësor përbëjnë vetëm rreth 0.8% të PBB-së, ndërsa transfertat e qeverisë për grupet e subvencionuara arrijnë në rreth 1.6% të PBB-së.

Raporti rekomandon përmirësimin e mbledhjes së kontributeve, rishikimin e transfertave publike për grupet e subvencionuara dhe përdorimin e taksave të lidhura me produkte që dëmtojnë shëndetin.

Megjithatë, Banka Botërore i përshkruan këto masa si mbështetëse dhe jo si zëvendësim për reformat në efikasitet dhe barazi. Dokumenti propozon që Shqipëria të përqendrohet te kujdesi parësor, parandalimi, blerja strategjike e shërbimeve dhe optimizimi i rrjetit spitalor.

Sipas raportit, qëndrueshmëria e sistemit do të varet nga aftësia për të përdorur më mirë fondet ekzistuese, për të mobilizuar të ardhura të reja dhe për të përshtatur shërbimet me një popullsi më të vogël dhe më të moshuar./ N.Maho – Monitor


Send this to a friend