VOAL

VOAL

Nënpresidenti Mike Pence në Pjong Çang, ndjek Lojërat Olimpike

February 9, 2018

Komentet

Obama, Pelosi mes demokratëve që i kërkojnë presidentit Biden të rishqyrtojë kandidimin

VOA/Marrë nga Associated Press

Ish-presidenti Barack Obama u ka shprehur demokratëve privatisht shqetësimin në lidhje me rikandidimin e Presidentit Joe Biden, sipas dy personave në dijeni të çështjes, që folën në kushte anonimiteti.

Po kështu edhe ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi e ka paralajmëruar privatisht zotin Biden, se demokratët rrezikojnë të mos e rimarrin kontrollin e kësaj dhome të Kongresit, nëse ai nuk largohet nga gara.

Sipas po të njëjtave burime, zonja Pelosi i kishte treguar gjithashtu zotit Biden të dhënat e një sondazhi që tregonte se ai me gjasë nuk mund të fitonte përballë republikanit Donald Trump.

Të shqetësuar rreth aftësisë së presidentit Joe Biden për të fituar zgjedhjet këtë nëntor, demokratët po e nxisin atë të rishqyrtojë çështjen e kandidimit, ndërsa ai po qëndron larg fushatës, për shkak të infektimit me COVID-19.

Publikisht dhe privatisht, demokratë me peshë po dërgojnë sinjale shqetësimi dhe disa shpresojnë se ai do t’i bëjë një rivlerësim të trajektores së garës dhe trashëgimisë së tij në drejtimin e vendit.

Në orët e vona të së enjtes, senatori nga Montana, Jon Tester, u bë senatori i dytë nga grupi demokrat në institucionin ku presidenti Biden shërbeu për katër dekada, që i bëri thirrje të tërhiqet nga kandidimi. Senatori Tester u shpreh nëpërmjet një deklarate: “mendoj se presidenti Biden nuk duhet të kërkojë rizgjedhjen për një tjetër mandat”.

Gjatë javës së kaluar, udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer dhe udhëheqësi demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, biseduan privatisht me presidentin, duke parashtruar pikëpamjet e demokratëve në Kongres, përfshirë shqetësimet e tyre.

Të mërkurën, ligjvënësi i Kalifornisë, Adam Schiff, një aleat i ngushtë i ish- kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, u bë demokrati i profilit më të lartë në Dhomën e Përfaqësuesve, që i bëri thirrje zotit Biden të tërhiqet nga gara. Ai tha se ndërsa e di që ky vendim i përket vetëm presidentit Biden, ai beson se është koha që ai të “kalojë stafetën”.

Zoti Schiff është një demokrat me peshë, por qëndrimet e tij po tërheqin vëmendje për shkak të afërsisë së tij me zonjën Pelosi.

Por zoti Biden ka këmbëngulur se nuk do të tërhiqet, i bindur se ai është kandidati që mund ta mundë sërish ish-presidentin Donald Trump.

I pyetur mbi njoftimet se zoti Biden duket disi më i hapur ndaj idesë për t’u larguar nga gara, zëvendës menaxheri i fushatës së tij, Quentin Fulks tha të enjten se “ai nuk është lëkundur për asgjë”.

Ditët e fundit presidenti ka treguar edhe më shumë vendosmëri për të qëndruar në garë, sipas një personi tjetër në dijeni të çështjes, që foli në kushte anonomiteti.

Por ajo që duket se është thelbësore për demokratët në këto momente, është faktori koha.

Nëse ata po përgatiten seriozisht për hapin e jashtëzakonshëm të zëvendësimit të zotit Biden dhe kandidimin në vend të tij të nënpresidentes Kamala Harris, për postin e lartë të Shtëpisë së Bardhë, kjo fundjavë do të jetë e rëndësishme për t’i ndryshuar mendjen e presidentit, thanë të tjerë persona në dijeni të bisedave të kryera me dyer të mbyllura.

Ndërsa tensionet mbi aftësinë e zotit Biden për të fituar u qetësuan disi, kryesisht pas atentatit për vrasjen e zotit Trump dhe ndërsa në Miluoki po mbahej Kuvendi Kombëtar Republikan, demokratët e dinë se kanë kohë të kufizuar për të zgjidhur shqetësimin brenda partisë pas paraqitjes së dobët të zotit Biden, në debatin e parë presidencial.

Duhet të ndodhë “o tani o kurrë” tha njëri prej tyre, duke nënkuptuar se duhet të ndodhë përpara një takimi virtual të planifikuar për të emëruar zotin Biden si kandidat të partisë, që do të mbahet në javën e parë të gushtit, përpara Kuvendit Kombëtar Demokrat, që nis më 19 gusht në Çikago.

Sigurisht, shumë demokratë duan që zoti Biden të qëndrojë në garë. Dhe Komiteti Kombëtar Demokrat po vazhdon me planet për votimin virtual.

Të mërkurën në mbrëmje, rrjeti televiziv ‘ABC News’ dha detaje të reja rreth takimit privat të zotit Biden gjatë fundjavës me zotin Schumer në shtëpinë e presidentit në Dellauer.

Sipas njoftimit zoti Schumer i kishte thënë presidentit se do të ishte “më mirë për Partinë Demokrate dhe në të mirë të vendit, nëse ai tërhiqej”.

Një zëdhënës i zotit Schumer e quajti lajmin një spekulim të plotë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Andrew Bates tha se zoti Biden i kishte thënë zotit Schumer si dhe zotit Jeffries se “ai ishte i emëruari i partisë dhe se kishte në plan të fitonte e mezi priste të punonte me të dy, për të kaluar axhendën e tij 100 ditore, për të ndihmuar familjet amerikane”.

Por në mesin e demokratëve në mbarë vendin, gati dy të tretat thonë se zoti Biden duhet të largohet e të lejojë partinë e tij të emërojë një kandidat tjetër, sipas një sondazhi të ri të qendrës ‘NORC’ për Kërkime në Fushën e Çështjeve Publike si dhe agjencisë së lajmve ‘AP’. Kjo kundështon fort pretendimin e zotit Biden pas debatit se “demokratët e thjeshtë” vazhdonin ta mbështesnin atë edhe pse “emra të mëdhenj” të partisë i ishin kundërvënë.

Me reagimin e zotit Schiff, shkon në 20 numri i ligjvënësve demokratë në Kongres që i kanë bërë thirrje zotit Biden të tërhiqet nga gara presidenciale.

Në përgjigje të komenteve të zotit Schiff, zyrtarët e fushatës së zotit Biden vunë në dukje atë që e quajtën “mbështetje të gjerë” që gëzon presidenti për garën nga anëtarët e Kongresit në shtetet fushëbetejë, si dhe nga anëtarët afrikano-amerikanë e hispanikë të Kongresit.

Njoftimi i zotit Schiff erdhi pasi zoti Schumer dhe zoti Jeffries inkurajuan partinë që të shtyjë me një javë planet për të mbajtur votimin virtual për të emëruar zotin Biden si kandidat, gjë që mund të ndodhë të dielën, sipas dy personave që kanë dijeni mbi çështjen dhe folën në kushte anonimiteti.

Komisioni i rregullores i Komitetit Kombëtar Demokrat takohet të premten për të diskutuar se si do të funksionojë votimi virtual dhe për ta finalizuar çështjen javën e ardhshme.

“Ne nuk do të zbatojmë një proces votimi virtual të nxituar, por do të nisim një proces të rëndësishëm rishqyrtimi, se si do të funksiononte votimi virtual”, shkruhej në një letër të publikuar të mërkurën të peshkopit Leah D. Daughtry dhe guvernatorit të Minesotës Tim Walz, bashkëkryetarë të komisionit të rregullores në Kuvendin Kombëtar Demokrat.

Presidenti Biden infektohet me Covid-19

VOA/AP dhe Reuters

Presidenti amerikan Joe Biden u diagnostikua COVID-19 ndërsa ndodhej në një udhëtim në Las Vegas për të bërë fushatë të mërkurën dhe po përjeton simptoma të lehta, tha Shtëpia e Bardhë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre njoftoi diagnozën demokratit 81-vjeçar pasi presidenti i “UnidosUS”, një organizatë latine për të drejtat civile, tha se zoti Biden nuk do të ishte në gjendje të fliste në një ngjarje të planifikuar për shkak të infektimit me Covid-19. Në vend të fjalimit para votuesve hispanikë, Presidenti Biden shkoi në Delauer, kur kishte planifikuar të kalonte fundjavën.

“Ai është i vaksinuar dhe po përjeton simptoma të buta”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.

Diagnoza e Presidentit Biden përkon me Kuvendin Kombëtar të Partisë Republikane dhe thirrjet e demokratëve për largimin e tij nga gara për president.

Thirrjeve të 19 ligjvënësve demokratë për tërheqje të zotit Biden nga gara për presidenti iu shtua sot edhe ligjvënësi nga Kalifornia, Adam Shiff, i cili po kandidon për Senatin amerikan.

Shqetësimet e demokratëve mbi aftësitë e presidentit aktual 81 vjeçar për ta mposhtur rivalin republikan, apo nëse është në gjendje që të udhëheqë vendin për një mandat të dytë, u shtuan pas paraqitjes së dobët të zotit Biden në debatin e parë presidencial, të 27 qershorit.

Ish-presidenti Trump ndodhet aktualisht në Miluoki, ku po mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Republikane, disa ditë pasi ai i shpëtoi një atentati me armë, gjatë një tubimi elektoral në Pensilvani.

J.D. Vance, kandidati për nënpresident, mban fjalimin në Kuvendin Kombëtar të Republikanëve

VOA/AP dhe Reuters

Kandidati i republikanëve për nënpresident, senatori J.D. Vance, në fjalimin e tij në Kuvendin Kombëtar të Partisë Republikane foli mbi fëmijërinë e tij në qytetin industrial Midëlltaun të Ohajos, dhe përpjekjet e tij për të mbështetur klasën punëtore.

Senatori 39 vjeçar nga Ohajo, gjatë fjalimit në Milluoki kritikoi politikat e Presidentit Joe Biden dhe Partisë Demokrate, duke thënë se vërshimi i produkteve kineze me çmime të ulta po dëmton fuqinë punëtore dhe klasën e mesme të Ohajos dhe shteteve fqinje si Miçigani, Viskonsi dhe Pensilvania. Këto janë shtete të rëndësishme për zgjedhjet presidenciale.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për udhëheqës që mbështesin kompanitë amerikane, si Ish Presidenti Donald Trump. Senatori Vance falenderoi zotin Trump, i cili ishte i pranishëm në sallën, ku po mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Republikane, që e emëroi atë kanidat të tij për nënpresident, duke premtuar si ai do të punojë për avancuar axhendën e tij për ta bërë Amerikën sërish madhështore.

Në fjalimin e tij ai u përqëndrua edhe në kapërcimin sfidave të varfërisë gjatë fëmijërisë, shërbimin e tij në ushtrinë amerikane, studimet për juridik në Universitetin Yale dhe punën e tij si një sipërmarrës i suksesshëm. Ai gjithashtu kritikoi “politikanë të karrierës” si zoti Biden për politikat tregtare që kanë dëmtuar familjet amerikane.

“Unë jam rritur në Midëlltaun të Ohajos, një qytet i vogël ku njerëzit flisnin hapur, ndërtonin të ardhmen me duart e tyre dhe e donin Zotin, familjen, komunitetin dhe vendin e tyre me gjithë zemër”, tha ai. “Por ishte gjithashtu një vend që ishte injoruar dhe harruar nga klasa politike e Amerikës në Uashington.”

“Politikanët e karrierës” si Presidenti Joe Biden, tha zoti Vance, janë përgjegjës për politikat tregtare dhe luftërat e huaja që dëmtuan këto komunitete.

“Joe Biden ka qenë një politikan në Uashington për sa kohë që unë kam qenë gjallë”, tha zoti Vance. “Për gjysmë shekulli ai ka qenë një kampion i çdo nisme politike për ta bërë Amerikën më të dobët dhe më të varfër.”

“Në qytetet e vogla si Midëlltauni në Ohajo, ato në Pensilvaninë, apo në Miçigan, në shtetet anembanë vendit tonë, vendet e punës dërgoheshin jashtë shtetit dhe fëmijët e tyre dërgoheshin në luftë”, tha ai.

“Vizioni i Presidentit Trump është i thjeshtë – ne nuk do të kujdesemi për të pasurit në Wall Street, ne do të angazhohemi për njeriun që punon”, tha ai. “Ne nuk do të importojmë fuqi punëtore të huaj, do të luftojmë për qytetarët amerikanë”, tha ai.

Zoti Vance tha se Amerika ka nevojë për një udhëheqës që do të luftojë për rikthimin e fabrikave dhe prodhimit në vend.

Fjalimi i tij përfshiu shumë nga parimet thelbësore të platformës së zotit Trump, duke premtuar se do t’i jepte përparësi prodhimit vendas mbi importet kineze dhe duke paralajmëruar aleatët se nuk do të merrnin më “ndihmë falas” për të siguruar paqen botërore.

I zgjedhur në Senat rreth më pak se dy vite më parë, zoti Vance ka kundërshtuar ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe ka mbrojtur përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Me një moshë sa gjysma e asaj të zotit Trump, zoti Vance mund të ushtrojë ndikim për dekada me radhë në Partinë Republikane.

Ai ka argumentuar se qeveria duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar klasën punëtore duke kufizuar importet, rritur pagën minimale dhe goditur fitimet e korporatave. Këto qëndrime bien ndesh me qëndrimin tradicional pro-biznesit të Partisë Republikane, por janë në një linjë me axhendën e zotit Trump.

Kuvendi katër-ditor i republikanëve do të kulmojë me fjalimin e ish-presidentit Trump mbrëmjen e së enjtes, kur ai zyrtarisht do të pranojë emërimin nga partia për t’u përballur me zotin Biden, në një përballje të dytë, sikurse në të vitin 2020.

Përparësitë e politikës së jashtme të Trumpit: NATO, kufiri SHBA-Meksikë dhe rritja e tarifava

VOA/Marrë nga Reuters

Ish-presidenti republikan Donald Trump thotë se ka në plan të ndryshojë rrënjësisht marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me NATO-n nëse ai zgjidhet për një mandat të dytë katërvjeçar në nëntor.

Gjatë fushatës, ai ka hedhur idenë e dërgimit të forcave të armatosura në Meksikë për të luftuar kartelet e drogës dhe vendosjen e tarifave të larta për miqtë dhe armiqtë e Amerikës.

Më poshtë mund të lexoni një përmbledhje të propozimeve të tij mbi politikën e jashtme, që zoti Trump është zotuar t’i zbatojë nëse i fiton zgjedhjet presidenciale të 2024-ës. Këtë javë ai zyrtarisht mori emërimin e Partisë Republikane në Milluoki si kandidat e saj presidenical.

NATO, UKRAINA DHE ALEATËT EVROPIAN

Zoti Trump ka thënë se nën presidencën e tij, Amerika do të rimendonte në thelb “qëllimin e NATO-s dhe misionin e NATO-s”. Ai është zotuar t’i kërkojë Evropës të rimbursojë Shtetet e Bashkuara për “pothuajse 200 miliardë dollarë” në municionet e dërguara në Ukrainë dhe ai ende nuk është zotuar për dërgim të ndihmave të mëtejshme ushtarake për Kievin, nëse ai zgjidhet për një mandat të dytë katër vjeçar.

Ish Presidenti Trump shkurtoi fondet e mbrojtjes për NATO-n në pjesën e fundit të mandatit të tij dhe ai është ankuar shpeshherë se Amerika po paguante më shumë se sa i takonte të paguante krahasuar me kontributet e vendeve të tjera anëtare.

Për luftën në Ukrainë, ai ka thënë se do ta zgjidhte konfliktin edhe para se të merrte detyrën në janar. Megjithëse ai ka paraqitur vetëm disa propozime konkrete politikash, ai i tha agjencisë së lajmeve Reuters në një intervistë vitin e kaluar se Ukrainës mund t’i duhet të heqë dorë nga disa territore për të arritur një marrëveshje paqeje. Dy këshilltarë të zotit Trump i thanë agjencisë së lajmeve Reuters në qershor se ata kishin paraqitur një plan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke kushtëzuar çdo ndihmë të mëtejshme armësh për Kievin në këmbim të pjesëmarrjes në bisedimet e paqes me Moskën.
Ndërsa zoti Trump sinjalizoi në fillim të prillit se ai do të ishte i hapur për dërgimin e ndihmës shtesë në Ukrainë në formën e një kredie, ai qëndroi kryesisht i heshtur për këtë çështje gjatë negociatave të vështira në Kongres mbi një ndihmë prej 61 miliardë dollarësh më vonë atë muaj.

KINA, TREGTIA DHE TAJVANI

Zoti Trump shpesh kërcënon se do të vendosë tarifa të reja të mëdha ose kufizime tregtare ndaj Kinës, si dhe ndaj disa aleatëve evropianë.

Propozimi i ish Presidentit Trump për masa tregtare reciproke do t’i jepte atij kompetenca të gjera për të rritur tarifat hakmarrëse ndaj vendeve nëse përcaktohet se ato kanë vendosur barriera tregtare ndaj Shteteve të Bashkuara. Ai ka hedhur idenë e një tarife universale prej 10%, e cila mund të shkaktojë kaos në tregjet ndërkombëtare, dhe të paktën një tarifë 50% për Kinën.

Zoti Trump ka bërë thirrje që të hiqet statusi i Kinës si një vend i favorizuar, një status që përgjithësisht ul barrierat tregtare midis vendeve. Ai është zotuar të miratojë “kufizime të reja agresive mbi pronësinë kineze të çdo infrastrukture jetike në Shtetet e Bashkuara”, dhe platforma zyrtare e Partisë Republikane bën thirrje për ndalimin e blerjes së pasurive të paluajtshme nga kompanitë dhe entietet kineze në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Trump ka deklaruar se Tajvani duhet të paguajë Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen, sepse Shtetet e Bashkuara nuk kanë përfituar asgjë nga ndihma që i kanë dhënë ishullit të pavarur. Në vend të kësaj, zoti Trump ka thënë se Tajvani u ka marrë Shteteve të Bashkuara “rreth 100% të biznesit të prodhimit të mikroprocesorëve”. Ai ka thënë vazhdimisht se Kina nuk do të guxonte kurrë të sulmonte Tajvanin nëse ai do të ishte president.

MEKSIKA DHE LUFTA KUNDËR TRAFIKUT TË DROGËS

Ish Presidenti Trump ka thënë se do t’i shpallte kartelet e drogës që veprojnë në Meksikë organizata të huaja terroriste dhe do të urdhëronte Pentagonin “të përdorte forcat speciale” për të sulmuar udhëheqjen dhe infrastrukturën e grupeve të drogës, një veprim që nuk ka gjasa të marrë bekimin e qeverisë meksikane.

Ai ka thënë se do të aktivizojë marinën amerikane për të zbatuar një bllokadë kundër karteleve dhe do të përdorë Ligjin mbi Armiqtë e Huaj për të dëbuar trafikantët e drogës dhe anëtarët e bandave kriminale në Shtetet e Bashkuara.

Grupet e të drejtave civile dhe senatorët demokratë kanë bërë thirrje për shfuqizimin e ligjit, të miratuar në 1798, i cili i jep presidentit njëfarë autoriteti për të dëbuar shtetasit e huaj ndërsa vendi është në gjendje lufte.

Platforma e re e Partisë Republikane kërkon gjithashtu zhvendosjen e mijëra trupave të dislokuara jashtë vendit në kufirin SHBA-Meksikë për të luftuar imigracionin e paligjshëm.

KONFLIKTI NË IZRAEL

Pasi kritikoi për herë të parë udhëheqjen izraelite disa ditë pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi në Izrael, zotit Trump ka thënë se Hamasi duhet “të shtypet”. Ndërsa retorika e tij ka qenë luftarake, ai nuk ka ofruar propozime konkrete për zgjidhje politike, përveçse ka thënë se do të ishte më i ashpër ndaj Iranit, i cili është i lidhur ngushtë me grupet që Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur organizata terroriste, përfshirë Hamasin.

Ish Presidenti Trump ka thënë gjithashtu se do të kërkonte dëbimin e të gjithë personave, që janë “banorë të përhershëm” (të pajisur me karta jeshile) të Shteteve të Bashkuara, të cilët janë simpatizues të Hamasit.

KLIMA

Ish Presidenti Trump është zotuar në mënyrë të përsëritur të tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit, një marrëveshje ndërkombëtare që synon të kufizojë çlirimin e gazeve serrë. Ai u tërhoq nga ajo gjatë mandatit të tij në detyrë, por Presidenti demokrat Joe Biden riktheu në vitin 2021 Shtetet e Bashkuar në këtë marrëveshje.

MBROJTJA NGA RAKETAT

Zoti Trump është zotuar të ndërtojë një forcë të sofistikuar tokësore të mbrojtjes nga raketat rreth Shteteve të Bashkuara. Ai nuk ka dhënë detaje, përveç se Forca Hapësinore, një degë ushtarake që krijoi administrata e tij, do të luante një rol udhëheqës në këtë proces.

Në platformën e Partisë Republikane, forca tokësore konsiderohet si “Mburojë e Hekurt”, një shprehje, që shpesh i referohet sistemit izraelit të mbrojtjes nga raketat,

Sondazhi, 2/3 e demokratëve nuk duan Bidenin të kandidojë për President

Sipas një sondazhi të Associated Press, shumica e demokratëve janë kundër kandidimit të presidentit amerikan Joe Biden. Pothuajse 2/3 e demokratëve mendojnë se ai duhet të tërhiqet nga gara presidenciale – dhe të krijojë vend për një kandidat të ri.

Kjo bie ndesh me një deklaratë të Bidenit që ai pretendonte se demokratët ishin ende pas tij pas një paraqitjeje katastrofike televizive.

Sondazhi i Qendrës për Kërkimin e Çështjeve Publike AP-NORC zbuloi gjithashtu se vetëm 3 në 10 demokratë janë jashtëzakonisht ose shumë të sigurt se Biden ka aftësinë mendore për të shërbyer si president. bw

Atentati ndaj ish-presidentit, drejtoresha e Shërbimeve Sekrete thotë se nuk do të japë dorëheqjen

VOA

Drejtoresha e Shërbimeve Sekrete amerikane Kimberly Cheatle tha se agjencia e saj është përgjegjëse për mbrojtjen e ish-presidentit Donald Trump dhe se përgjegjësia përfundimtare për atë që kjo agjenci bën, i takon asaj.

Në një intervistë ekskluzive për gazetarin David Muir të rrjetit televiziv ‘ABC News’ ajo tha se reagimi i saj fillestar kur dëgjoi mbi sulmin me armë ndaj ish-presidentit Donald Trump, ishte “tronditje dhe më pas shqetësim”.

Zonja Cheatle shtoi se ajo nuk kishte në plan të largohej nga detyra dhe se agjencia që ajo drejton do të vazhdojë të jetë transparente e të komunikojë me publikun, siç u shpreh ajo.

Shërbimi Sekret shprehu mbështetjen të martën për policinë lokale mes kritikash për sigurinë në tubim e mbajtur të shtunën në Buttler të Pensilvanisë.

“U jemi thellësisht mirënjohës oficerëve që vrapuan drejt rrezikut për të gjetur personin e armatosur dhe të gjithë partnerëve tanë lokalë për angazhimin e tyre të palëkundur”, thuhej në një deklaratë të Shërbimit Sekret, të publikuar të martën.

“Çdo lajm që sugjeron se Shërbimi Sekret fajëson strukturat lokale të zbatimit të ligjit mbi ngjarjen e së shtunës, thjesht nuk është i vërtetë”.

Zyrtarët po kërkojnë të dinë se si një person i armatosur arriti të ngjitej në majë të një ndërtese e të qëllonte ish-presidentin Donald Trump.

Policia kishte marrë njoftime mbi personin e dyshimtë nga dëshmitarë që kishin treguan dhe bërtitur në drejtim të punonjësve të sigurisë që ndodheshin në vendgjarje, duke u treguar me gisht personin e armatosur mbi çatinë e një godine shumë pranë vendit ku po mbante fjalimin ish-presidenti Trump.

Media amerikane që kanë shqyrtuar video të marra nga të pranishëm nët tubim, thonë se policia është njoftuar të paktën 1 minutë e 57 sekonda përpara se Crooks të gjuante me armë.

Si pasojë e sulmit, zoti Trump u plagos në veshin e tij të djathtë si dhe dy persona të tjerë, pjesëmarrës në tubim.

Një ish-shef i shërbimeve zjarrfikësve, 50-vjeçari Corey Comperatore, u vra duke mbrojtur familjen e tij.

Çështja do të hetohet edhe nga Kongresi – përveç një rishikimi të urdhëruar nga Presidenti Joe Biden.

Zoti Biden ka urdhëruar një hetim të pavarur të atentatit kundër ish-presidentit, përfshirë masat e sigurisë të marra për tubimin.

Sekretari i Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas tha se ai kishte “besim të plotë” tek Shërbimi Sekret, por pranoi se personi i armatosur nuk duhet të kishte arritur kurrë në atë pozicion që çoi në rrezikimin e jetës së ish-presidentit.

Sekretari i Sigurisë Kombëtare të SHBA, Alejandro Mayorkas, agjencia e të cilit përfshin edhe Shërbimin Sekret, u tha gazetarëve të hënën se ai priste që një hetim i pavarur mbi ngjarjen të fillonte brenda disa ditësh.

Zoti Mayorkas tha se hetimi do të shqyrtojë veprimet e Shërbimit Sekret dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit “para, gjatë dhe pas sulmit të armatosur, për të identifikuar veprimet e menjëhershme dhe ato që kërkonin kohë, për të siguruar që misioni për mbrojtjen e ish-presidentit ishte përmbushur në mënyrë më efektive”.

Çështja po hetohet nga disa komisione të Kongresit. Ligjvënësit janë shprehur të alarmuar se si personi i armatosur, I identifikuar si Thomas Matthew Crooks, ishte në gjendje të hapte zjarr nga çatia e një godine që ishte vetëm 135 metra larg nga ish-presidenti.

Kongresi ka caktuar që seanca e parë e dëshmisë së zonjës Cheatle të mbahet më 22 korrik. Drejtoresha e Shërbimeve Sekrete do të flasë para Komisionit të Dhomës për Mbikqyrjen dhe Llogaridhënien.

Burimet: Presidenti Biden do të marrë emërimin e partisë përmes një votimi virtual përpara kuvendit

VOA/Marrë nga Reuters

Brenda disa javësh Presidenti Joe Biden do të marrë emërimin e Partisë Demokrate përmes një votimi virtual, pavarësisht thirrjeve për t’u tërhequr nga gara presidenciale, thanë për agjencinë e lajmeve Reuters katër individë të përfshirë në proces. Emërimi virtual bëhet në prag të mbajtjes së kuvendit kombëtar demokrat në Çikago në fund të gushtit,

Zakonisht, demokratët dhe republikanët i shfrytëzojnë kuvendet kombëtare për të emëruar zyrtarisht kandidatët e tyre presidencial. Por demokrati Biden do të marrë emërimin zyrtar disa javë përpara se partia e tij të hapë kuvendin kombëtar në Çikago më 19 gusht.

Nuk është e qartë se si do të funksionojë saktësisht procesi i emërimit të hershëm, thanë zyrtarët demokratë.

Votimi virtual është një “ide e keqe”, thotë Aaron Regunberg, anëtar i komitetit drejtues të grupit demokrat “Pass the Torch”, duke shtuar se kjo, “do të minonte thellësisht moralin e demokratëve, delegatëve, vullnetarëve, organizatorëve, donatorëve dhe votuesve të zakonshëm, në situatën më të keqe të mundshme”.

THIRRJET PËR TËRHEQJEN E ZOTIT BIDEN NGA GARA

Presidenti Biden, 81 vjeç, përballet me një trysni të vazhdueshme nga disa ligjvënës, donatorë dhe aktivistë për t’u tërhequr nga gara presidenciale pas paraqitjes së tij katastrofike në debatin presidencial, çka ka ringjallur pikëpyetjet në lidhje me shëndetin e tij mendor.

Zyrtarët e fushatës së Presidentit Biden thanë se presin që përpjekja për vrasjen e rivalit republikan Donald Trump të shtunën, të ulë trysninë ndaj zotit Biden për t’u larguar nga gara.

Presidenti Biden ka këmbëngulur në mënyrë të përsëritur se nuk do të tërhiqet nga gara dhe se është i përgatitur më së miri për të mundur republikanin Trump.

Marrja e emërimit të Presidentit Joe Biden si kandidat zyrtar i Partisë Demokrate për zgjedhjet e nëntorit, përmes një votimi virtual, mund të përshpejtojë procedurën dhe mënjanojë sfiduesit e mundshëm.

Por konfuzioni rreth procesit virtual pasqyron kaosin që ka përfshirë demokratët, ndërsa udhëheqësit e lartë përpiqen të shpëtojnë kandidaturën e zotit Biden, thanë burimet. Nuk duket të ketë ndonjë përpjekje të përcaktuar mirë për të kaluar mbështetjen e delegatëve tek një kandidat tjetër përpara votimit virtual.

EMËRIMI I HERSHËM

Emërimi i hershëm është i nevojshëm pasi një ligj i shtetit Ohajo kërkon që kandidatët për president në fletën e votimit të kenë marrë emërimin zyrtar të partive deri më 7 gusht, përpara zhvillimit të kuvendit demokrat në Çikago.

Megjithatë, në muajin maj, guvernatori i Ohajos Mike DeWine, nënshkroi një ligj për të siguruar emrin e zotit Biden në fletën e votimit, pas një projektligji të miratuar nga legjislatura republikane e atij shteti.

Votimi virtual mënjanon mundësinë e një beteje të drejtpërdrejtë në sallën e kuvendit në Çikago që mund ta vërë zotin Biden në siklet dhe shkaktojë kaos për fushatën e tij presidenciale.

Shumë nga detajet e votimit virtual do të përcaktohen mes datave 19 dhe 21 korrik, thanë zyrtarët. Disa zyrtarët të lartë të partisë dhe të fushatës së Presidentit Biden thanë se votimi virtual do të jetë i ngjashëm me kuvendin e vitit 2020, gjatë kohës së pandemisë së COVID-19.

KUSH VENDOS?

Në kuvendin demokrat do të marrin pjesë 4,532 delegatë. Për të marrë emërimin, një kandidat për president duhet të sigurojë mbështetjen e shumicës së delegatëve ose rreth 1895 prej tyre gjatë raundit të parë. Në të kundërt, superdelegatët, të cilët kanë të drejtë të votojnë sipas dëshirës, do të marrin pjesë në raundit pasues për të ndihmuar në emërimin e një kandidati zyrtar.

NË RAST TË TËRHEQJES SË ZOTIT BIDEN NGA GARA

Nëse zoti Biden tërhiqet nga gara pas emërimit zyrtar, 435 anëtarët e Komitetit Kombëtar Demokrat (DNC) do të zgjidhnin një kandidat të ri, përmes një seancë të posaçme.

Anëtarët janë të ndarë afërsisht në mënyrë të barabartë mes burrave dhe grave, si dhe grupeve të ndryshme elektorale, përfshirë përfaqësuesit e LGBTQ dhe pakicave racore.

Trump përzgjedh Senatorin J.D.Vance si kandidatin republikan për postin e nënpresidentit

VOA/Marrë nga Reuters

Ish Presidenti Donald Trump përzgjodhi të hënën Senatorin J.D. Vance si zëvendës kandidatin e tij për Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Partia Republikane hapi kuvendin kombëtar ku do të emërojë zyrtarisht zotin Trump si kandidatin e saj në zgjedhjet e nëntorit.

“Në postin e nënpresidentit, J.D. do të vazhdojë të luftojë për Kushtetutën tonë, do të mbështesë trupat dhe do të bëjë gjithçka që mundet për të më ndihmuar që ta BËJMË AMERIKËN MADHËSHTORE SËRISH”, shkroi zoti Trump në platformën e tij “Truth Social”.

Përzgjedhja e Senatorit James David Vance, autor i librit të suksesshëm “Hillbilly Elegy”, mund të rrisë shanset e pjesëmarrjes së mbështetësve të zotit Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit, pasi kandidati për nënpresident gëzon shumë popullaritet tek baza republikane.

Një konservator i vendosur nga një shtet republikan, zoti Vance nuk ka gjasa të tërheqë shumë votues të rinj, dhe nga ana tjetër mund të shtyjë disa votues të moderuar. Disa mbështetës të zotit Trump i kishin kërkuar që ai të përzgjidhte një grua ose një amerikan me ngjyrë si kandidat për postin e nënpresidentit.

Zoti Trump e bëri njoftimin në fillim të kuvendit kombëtar republikan, dy ditë pasi i mbijetoi një atentati.

Më herët të hënën, zoti Trump shënoi një fitore të madhe ligjore, pasi një gjykatëse federale hodhi poshtë një nga çështjet e ngritura kundër tij.

Gjykatësja Aileen Cannon tha në vendimin e saj se prokurori i posaçëm Jack Smith, i cili drejton hetimin, ishte emëruar në mënyrë të paligjshme në këtë rol dhe se ai nuk e kishte autoritetin ligjor për të ngritur një padi të tillë. Në urdhrin prej 93 faqesh të gjykatëses Cannon thuhet se prokurori i posaçëm duhet të ishte emëruar me miratimin e Kongresit.

Zoti Trump do të pranojë zyrtarisht të enjten emërimin e Partisë Republikane për të sfiduar Presidentin Joe Biden në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Pas sulmit me armë, përzgjedhja e zotit Trump mbart dukshëm më shumë peshë.

Zoti Trump ka pohuar vazhdimisht se do të përqëndrohej tek përzgjedhja e dikujt që ishte i kualifikuar për të marrë detyrën si komandant i përgjithshëm.

“Është e domosdoshme të përzgjedhësh dikë që mund të jetë i mirë për çdo rast, për çdo rast të tmerrshëm”, tha ai në muajin maj gjatë një interviste për programin radiofonik “The Clay Travis & Buck Sexton Show”.

Në një tjetër intervistë për gazetaren e rrjetit ‘Fox News’, Harris Faulkner e cila u regjistrua disa orë përpara tubimit të tij në Battlër të Pensilvanisë, zoti Trump u pyet se ku ndodhej me procesin e përzgjedhjes së kandidatit për nënpresident e nëse vendimmarrja e tij do të ndryshonte nëse Presidenti Joe Biden, do të tërhiqej nga gara.

“Është një pozitë shumë e rëndësishme, veçanërisht nëse diçka e keqe ndodh”, tha zoti Trump. “Kjo është më e rëndësishmja, nëse mund të ndodhë diçka e keqe”.

Para sulmit me armë, zoti Trump e kishte bërë të qartë se donte ta shpallte emrin në mënyrë dramatike në kuvend, çka sipas tij do ta bënte më “interesant” dhe “më emocionues” procesin.

“Është si një veriant shumë i sofistikuar i ‘The Apprentice'”, tha ai në një intervistë radiofonike javën e kaluar, duke iu referuar një programi televiziv që ai ka drejtuar dikur, ku zoti Trump përzgjidhte mes kandidatësh ata që do të punonin për kompaninë e tij.

Zoti Trump dhe organizatorët e kuvendit kanë thënë se axhenda e tij nuk do të ndryshojë, por do të vazhdojë siç ishte planifikuar pavarësisht sulmit.

Në një postim në faqen e tij të mediave sociale zoti Trump shkruante se ai nuk mund të lejojë që “një person që sulmon me armë ose një vrasës i mundshëm, të imponojë ndryshimin e orarit, apo ndonjë gjë tjetër”.

“Në këtë moment është më e rëndësishme se kurrë që të qëndrojmë të bashkuar dhe të tregojmë karakterin tonë të vërtetë si amerikanë, duke mbetur të fortë dhe të vendosur dhe duke mos lejuar që e keqja të fitojë”, shkruante ai.

Zoti Trump zhvilloi takime në ditët para sulmit me pretendentët kryesorë për të marrë pozitën e kandidatit për nënpresident. Një prej personave në dijeni të tyre tha se gjatë takimeve nuk ishte bërë asnjë premtim apo nuk ishte ofruar asgjë.

Pritja e zotit Trump deri tek kuvendi për të zgjedhur numrin dy të tij vjen më vonë se zakonisht sa i takon viteve të fundit, por vështirë se është e pashembullt.

Në vitin 1980, Ronald Reagan negocioi me ish Presidentin Gerald Ford për orë të tëra gjatë kuvendit republikan në Detroit, por vendosi që George H.W. Bush të ishte numri dy i tij, kur negociatat dështuan. Vendimi erdhi më pak se 24 orë para se të pranonte zyrtarisht emërimin nga partia.

Vetë zoti Bush priti deri në kuvendin republikan të vitit 1988 që u mbajt në Nju Orlins përpara se të ‘trondiste’ shumë prej pjesëmarrësve – si dhe disa prej këshilltarët kryesorë të tij, duke zgjedhur senatorin pak të njohur të Indianës, Dan Quayle, si numrin 2 të tij, në vend të një kandidati me të njohur e më të pranuar gjerësisht.

Që atëherë, megjithatë, ka qenë traditë që të zgjidhet një kandidat pak përpara hapjes së kuvendit së partisë.

Në vitin 2008, senatori i Arizonës, John McCain, në një përpjekje për t’i dhënë hov garës së tij kundër demokratit Barack Obama, zgjodhi guvernatoren pak të njohur të Alaskës, Sarah Palin, pak përpara se të hapej kuvendi republikan në Minesota. Ai pati një rritje në anketime, por që nuk zgjati shumë.

Joe Biden, emëroi senatoren e atëhershme të Kalifornisë, Kamala Harris si kandidate për nënpresidente, gjashtë ditë përpara se Partia Demokrate të çelte kuvendin që u mbajt kryesisht ‘online’ për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Gjykatësja pushon çështjen gjyqësore ndaj ish-presidentit Trump për dokumentet e klasifikuara

VOA/Marrë nga Reuters

Gjykatësja Aileen Cannon në Florida pushoi të hënën çështjen gjyqësore me akuza penale ndaj ish-presidentit Donald Trump për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara. Kjo është një tjetër fitore e rëndësishme ligjore për kandidatin republikan për president.

Gjykatësja Cannon, e cila u emërua në këtë detyrë nga ish-presidenti Trump gjatë mandatit të tij, vendosi se prokurori i posaçëm Jack Smith, i cili drejton hetimin, ishte emëruar në mënyrë të paligjshme në këtë rol dhe se ai nuk e kishte autoritetin ligjor për të ngritur një padi të tillë.

 

 

Kjo është një arritje e rëndësishme ligjore për ish-presidentin Trump, që vjen pasi më 1 korrik Gjykata e Lartë vendosi se ish-presidenti gëzon imunitet nga hetimet për shumë nga veprimet e ndërmarra gjatë kohës që ishte në detyrë.

Gjasat janë që prokurorët do ta apelojnë vendimin. Në çështje të mëparshme gjyqësore, gjykatat kanë vendosur në favor të autoritetit të Departamentit të Drejtësisë për të caktuar prokurorë të posaçëm për çështje hetimore me rëndësi politike.

Por vendimi i gjykatëses Cannon e vë në pikëpyetje të ardhmen e kësaj padie, që ishte një sfidë serioze ligjore për ish-presidentin Trump. Prokurori Smith ka paraqitur padi ndaj ish-presidentit Trump edhe në gjykatën në Uashington, në lidhje me përpjekjet për të rrëzuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Sidoqoftë, avokatët e tij nuk kanë bërë një kërkesë të ngjashme për të sfiduar rolin e prokurorit edhe për këtë çështje.

Prokurori Jack Smith

Prokurori Jack Smith

Në padinë për dokumentet, ish-presidenti Trump akuzohej se pati marrë në rrugë të paligjshme dokumente me informacione sekrete të sigurisë kombëtare në pronën e tij në Mar-a-Lago, pasi ishte larguar nga detyra dhe se pengoi përpjekjet e qeverisë për t’i marrë këto materiale.

Dy persona të tjerë, ish-ndihmësi personal i ish-presidentit Trump, Walt Nauta dhe një administrator i Mar-a-Lagos, Carlos De Oliviera, gjithashtu ishin akuzuar për pengim të hetimeve.

Avokatët e ish-presidentit Trump kishin ngritur pikëpyetje rreth ligjshmërisë së vendimit të prokurorit të përgjithshëm Merrick Garland në vitin 2022 për të emëruar prokurorin Smith në krye të hetimeve ndaj ish-presidentit Trump. Avokatët argumentuan se emërimi i prokurorit shkelte Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, pasi nuk ishte një post i krijuar nga Kongresi dhe emërimi i tij nuk u konfirmua nga Senati.

Zyra e prokurorit Smith nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment. Juristët në zyrën e tij patën paraqitur argumenta të kundërta, duke u shprehur se ekziston një praktikë e hershme për caktimin e prokurorëve të posaçëm për të drejtuar hetimet për çështje delikate politike.

Rreth 24 orë nga atentati i përgjakshëm ndaj tij, Trumpi ndan mesazhin e tretë: Amerika të bashkohet!

Ish-Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar për herë të tretë teksa nuk kanë kaluar ende 24 orë nga momentet e panikut që ai dhe mbështetësit e tij përjetuan në Pensilvani.

“Amerika të bashkohet”, ishte mesazhi që Trump ndau bashkangjitur me një portret të tijin në rrjetin social Instagram.

Pas atentatit të dështuar. por që megjithatë la pas një viktimë dhe plagosi rëndë dy të tjerë, reagime të shumta kanë ardhur në mbështetje të Trump dhe kundër dhunës, madje edhe nga kampi demokrat.

Më herët Trump njoftoi se do të qëndronte besnik ndaj planit të tij fillestar për të marrë pjesë në Konventën Republikane dhe më pas gjatë javës në një takim të ngjashëm me atë të Pensilvanisë, në Wisconsin. bw

FOTOT- Donald Trumpi u qëllua dy herë, e shpëtoi jeleku antiplumb

Kandidati republikan për president i SHBA-së, Donald Trump duket se është qëlluar dy herë, me plumba, por ka mundur të shpëtojë.

Siç edhe duket në një foto të shpërndarë nëpër rrjet, Trump është qëlluar edhe në vesh duke u gjakosur, dhe në trup.

Por duket se ai është shpëtuar nga jeleku antiplumb që kishte veshur, pikërisht për të ju shpëtuar plumbave. sn

Image

 

VIDEO- Donald Trumpi u qëllua me armë gjatë një tubimi në Pensilvani, publikohen pamjet e plota

Ish-Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump u sulmua me armë zjarri, në Pensilvani, teksa po mbante fjalën e tij para qytetarëve në kuadër të fushatës së elektorale për zgjedhjet presidenciale.

Kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhe ndërsa  fliste, u dëgjuan disa të shtëna armësh, ku një plumb ishte drejt tij.

Ai u plagos në vesh, ndërsa menjëherë pas ngjarjes, shërbimi sekret ekzekutoi atentatorin e dyshuar.

Nga kjo ngjarje e rëndë vdiq autori, një person tjetër dhe u plagosen dy shtetas që ishin në takimin e Trump.

FBI publikoi emrin e autorit të dyshuar të ngjarjes, ai është 20-vjeçari Thomas Matthew Crooks. gsh


Send this to a friend