Na kish marrë malli ta shihnim sallën e Universitetit të Arteve të mbushur plotë e përplotë me një publik që e do artin muzikor.
Kjo ndodhi sonte në koncertin e Orkestrës Simfonike të RTSh, me solistë flautisten Jonela Golemi, pianistin Eni Barbullushi, dirigjent Gridi Karaja.
Programi i përzgjedhur nga kryeveprat e literaturës botërore përmbante “Il Carnevale di Venezia op. 77 për flaut dhe orkestër,-Giulio Briccioldi, Koncertin për piano dhe orkestër nr 1 në Es Dur op. 124,- F. Liszt dhe Simfoninë nr 4 në f mol op. 36,- P. I. Tchajkovsky.
Flautistja e mirënjohur Jonela Golemi ka vite e vite që kontribuon me koncerte solistikë. Kurdoherë e suksesshme ajo gëzon respekt për talentin, seriozitetin dhe përkushtimin e treguar.
Tema me Variacione “Il Karnevale di Venezia kompozuar në shekullin e 19-të konsiderohet si një nga kryeveprat e flautit. Kompozitori Briccioldi ( 1818-1881) duke qëne edhe flautist virtuoz njihet për kontributin e tij në zhvillimin e teknikës së instrumentit, gjë që e ka pasqyruar më së miri në këtë vepër.
I frymëzuar nga tradita e festimit të Karnavaleve, citoi për temë një melodi të thjeshtë tradicionale veneciane që zhvillohet në variacione mes elegancës, virtuozitetit e shkëlqimit teknik. Vepra shquhet per frymën dhe idealet romantike të kohës, shprehshmërinë emocionale dhe plastikën ekspresive. Ndaj interpretimi mbetet sfidues për çdo flautist, pasi kërkon jo vetëm aftësi teknike virtuoze, por edhe ndjeshmëri e muzikalitet të thellë.
Flautistja me pjekurinë artistike, natyrshmërinë e lojës së përkorë, teknikën preçize dhe frymëzimin plot pasion i përcolli idetë e veprës bukur tek publiku, që e mirëpriti dhe e duartrokiti gjatë. Në suksesin e saj rol jo më pak të rëndësishëm luajti dirgjenti i cili diti me nuhatje artistike të ruante ekuilibrat e duhur mes solistit dhe orkestres.
Koncerti vijoi me pianistin Eni Barbullushi. I larguar nga Shqipëria në moshën 9 vjeç edukimi pedagogjik i tij muzikor vijoi në konservatorin G. Donizetti në Bergamo nën drejtimin e Maestro Marco Giovanetti, ku paralel ndiqte edhe Akademinë Santa Cecilia me pianistin dhe pedagogun e mirënjohur rus Konstantin Boginjo, deri sa mbaroi nivelin bachelor.
Masterin e vijoi në Edsberg ” Royal College of music” në Stokholm nën drejtimin e Maestro Mats Widlund, ku diplomohet me rezultate të shkëlqyera si solist dhe muzikë dhome.
Formimi i tij artistik plotësohet në vazhdimësi në nivel Master me artistë dhe mjeshtra me famë botërore si: Boris Petrudhansky, Tuija Hakkila, Vladimir Ogarkov, Aleksander Romanovsky etj.
Pas një përvoje koncertore të sukseshme në europe ai vjen për herë të parë në skenën shqitare me këtë background artistik..
Premiera e Koncertit për piano nr 1 u realizua nga vetë Liszt-i në vitin 1855. Ideja e tij zë fill që kur ishte ishte 19 vjeç në vitin 1830. Ky proces i gjatë kohor deri në përfundim të veprës është tregues i zhvillimit dhe formimit të Liszti-it, nga një pianist i shquar virtuoz në një kompozitor të pjekur dhe ndikues të periudhës romantike.
Strukturimi i formës së koncerti, që luhet e unifikuar si një e vetme i përmban të katër kohët e ciklit simfonik. Bartok e ka vlerësuar si “Kompozimi i parë perfekt i Sonatës ciklike”.
Ndjesia dramatike e madhështore e Allegro maestoso në kohën e parë qetësohet nga dialogu i një lirizmi të thellë mes pianos dhe orkestrës në kohën e dytë. Në kontrast me të karakteri lozonjar i Allegro animato i kohës së tretë është një çlirim emocional. Për të vijuar në kohën e katërt Allegro marziale animato ku kompozitori rikthen temat e mëparëshme në një temp të shpejtë dhe energjik, duke përfuduar koncertin me një shfaqe të shkëlqyer të virtuozitetit të pianos dhe fuqisë shprehëse emocionale të orkestrës.
Roli i saj në këtë vepër e tejkalon faktin e një shoqërimi. Në shumë raste dialogjet muzikorë shumë shpesh kthehen gati me të njëjtën peshë emocionale ndërmjet solistit dhe klarinetës, spalës së violinave, viollonçelave , por në kohën e tretë po kaq protagoniste bëhet triangola në grupin e perkusionit. Studjuesit e trajtojnë edhe këtë dukuri si risi individuale e të Liszt-it.
Pikërisht për risitë e saj vepra ndikoi shumë në brezin e kompozitorëve romantikë.
Pianisti me talentin, njohjen në thellësi të ideve artistike, aftësinë virtuoze teknike, kualitetin e tingullit, natyrshmërinë dhe artistizmin e kalimit të situatave të ndryshme e të larmishme emocionale tërhoqi në mënyrë manjetike vëmendjen e publikut, duke i dhënë tërë kënaqësinë e mundshme të shijimit të veprës.
Para koncertit e dëgjova me pianistë me famë botërore dhe në interpretimin e Enit dallova qëndrimin individual në konceptimin tërësor të veprës dhe realizimin e saj, që buron nga thellësia e brendëshme e ndjeshmërisë dhe kultura e formimit të tij.
Kjo është karakteristika e talentit me aftësi koncertale, kjo e bëri lojën e tij komunikuese jo vetëm me profesionistët, por dhe me publikun e thejshtë. Për dijeninë e lexuesit duhet thënë se pianisti e realizoj në gjëndje shëndetsore jo të mirë, por me përfshirjen maksimale në interpretim nuk u ndje aspak. Padyshim një bravo edhe për dirigjentin dhe orkestrantët, veçanërisht për solot e tyre.
Paraqitja për herë të parë në skenën shqiptare kaloi me shumë sukses dhe duartrokitjet zgjatën mbi disa minuta.
Në pjesën e dytë patëm kënaqësinë shpirtërore të ndiqnim simfoninë e katërt të Tchaikovsky-it premiera e së cilës u realizua në Moskë në vitin 1878, dirizhuar nga N. Rubinstein.
Periudha gjatë krijimit përkon me një gjëndje të rënduar psikologjike të kompozitorit. Situata ishte tepër e trazuar emocionalisht për faktin e zbulimit të prirjeve homoseksuale pas divorcit nga Antonia Milinkova.
Sipas studjuesve kjo krizë e rëndë ndikoi emoconalisht ne idetë estetike të veprës duke i dhënë asaj një karakter të fuqishëm dramatik në pershkrimin aktual të jetës së tij. Ndaj tema e fatit dhe lufta për lirinë individuale udhëheqin tërë strukturën e simfonisë dhe zhvillimin emocional. Motivi i fatit simbolizon jo vetëm krizën personale të kompozitorit, po edhe përpjekjet e tij për t’u shkëputur drejt lirisë.
Në aspektin teknik forma e saj mban lidhje me tradirën klasike në krijimin e situatave kontraste e të tensionuara, por me ngarkesa të dallueshme të frymës romantike.
Dirigjenti Gridi Kraja ka disa vjet që drejton orkestrën simfonike te RTSh. Pas një eksperience një vjeçare me orkestrën e Prishtinës ai rikthehet shumë i sigurt ne pultin e dirigjimit, duke shënuar suksese të njëpasnjëshme koncertesh.
Edhe në këtë mbrëmje me nuhatje të mirë artistike bëri dallimin mes shoqërimit të solistëve, duke ruajtur me ta raporte të drejta dhe koncertimit të vetë orkestrës.
Tek interpretimi i simfonisë Kraja i trajtoi me vërtetësi dhe emocion idetë e veprës. Pas hyrjes së fuqishme me karakter dramatik, në kontrast me të ai nënvijzojë karakterin e një meditimi të thellë në prezantimin e temës kryesore të kohës së parë – Andante sostenuto- Moderato con anima, duke luajtur bukur emocionalisht me dinamikën, tempet dhe valët e ngritjes dhe uljes së tensioneve gjatë ecurisë. Një qëndrim më i kujdesshëm për të mos e konsumuar gjithë forcën e shprehjes orkestrale që në fillim do t’i shërbente më bukur organizimit artistik drejt kulminacionit
Në kohën e dytë Andatino in modo di Canzone ruajti qetësinë duke kënduar karakterin lirik disi melankolik të temës prezantuar fillimisht nga oboja që më pas e merr sektori i harqeve. Bukuria e ngjyrave timbrike ndërmjet dialogëve të sektorit të harqeve dhe atij të frymës u trajtua me sens emocional.
Por edhe këtu dirigjenti pati kujdes të shprehte brishtësinë e ndjesive të individit përballë forcës së errët të fatit.
Koha e tretë Skerco: Pizzikato ostinato- Allegro dirigjenti jo vetëm ruajti karakterin skercoz, por kërkoi prej orkestrës kontraste te bukura dinamike forte- piano kaq artistike realizuar me shumë sens emocional në pizzikato. Krejt në kontraste me të e gjithë koha e katërt Finale:Allegro con fuoco, që si ide është fitorja e lirisë së individit ndaj paragjykimeve sociale, dirigjenti e trajtoi me një frymë me një ritëm shumë të shpejtë duke nënvizuar karakterin e saj dinamik. Edhe këtu për mendimin tim duhej patur parasysh një kujdes më i vëmendshëm ndaj dinamikës pasi gjithë kohës mbizotërojë forte dhe shumë forte. Gjithësesi këto sugjerime në shërbim të cilësisë nuk e zbehin suksesin e interpretimit të simfonisë, përderisa ajo komunikoi me publikun dhe e entusiazmojë . Ndaj ai jo vetëm e mirëpriti por dhe e duartrokiti gjatë.
Urime të përzemërta solistëve orkestrës dhe veçanërisht dirigjentit.
FALEMINDERIT!
I. Dama. 12. 10. 2024
Komentet