Fakti është më shumë se skandaloz.
Në një festival filmi, është përfshirë në program pa marrë më parë pëlqimin e autorëve, siç e kane denoncuar faktin vetë autorët, edhe filmi “Rikard”, i regjisorit Mevlan Shanaj me skenar të poetes dhe skenaristes Natasha Lako.
Ndërsa në një ceremoni nga ato që tani i quajnë “gala”, fotografia e Natasha Lakos, shfaqet në ekran në vend të portretit të së mirës, regjisores së paharruar, Xhanfise Keko!
Të dy artistët bashkëshortë,
Natasha Lako dhe Mevlan Shanaj
kanë reaguar të fyer e të lënduar në të drejtën e tyre.
Miqtë e mi të dashur
Natasha dhe Mevlan,
Mos u ndjeni të lënduar nga e gjithë shpërfaqja skandaloze e injorancës së ngritur në sistem;
Mos u ndjeni të fyer nga ca idiotë pushteti që medoemos duan të dëshmojnë se janë idiotë;
Ka diçka pothuajse estetike në këtë mjerim: mënyra se si e shëmtuara kërkon me kaq këmbëngulje të paraqitet si madhështore.
Ndoshta ky është paradoksi më i trishtë i kohës sonë: jo se mungon kultura, por se mungesa e saj ka filluar të prodhojë stilin e vet.
Dhe kur mungesa e kulturës arrin të bëhet stil, idiotësia nuk ka më nevojë të justifikohet. Mjafton të marrë skenën.