VOAL

VOAL

Në hetimet për bosin e fundit të Cosa Nostras bashkëpunoi edhe Zvicra

January 16, 2023

Komentet

U mbajt Kongresi i 100-të i Diasporës Zvicerane- Nga Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj

Nga e enjtja deri të shtunën, më 11, 12 dhe 13 korrik, në resortin Brunnen në breg të Liqenit të Lucernës, u mbajt Kongresi i 100-të i Zvicrës së Pestë, emër me të cilin njihet Diaspora Zvicerane.

Është një vend poetik. Këtu kaluan natën e 27-28 gushtit 1830 tre poetët e mëdhenj romantikë polakë Adam Mickiewicz, Zygmunt Krasiński dhe Antoni Edward Odyniec. Winston Churchill kaloi këtu muajin e mjaltit. Piktori i madh J. M. W. Turner e përjetësoi në disa akuarele gjatë viteve 1840. Edhe piktori i famshëm i peizazheve Heinrich Müller ka realizuar këtu gjatë viteve 1870-1880 disa punime. Në historinë më të vonë shënohet se këtu më 1947 Lidhja Zvicerane e Mbrojtjes së Mjedisit organizoi konferencën ndërkombëtare të mbrojtjes së natyrës që çoi në krijimin e Unionit Ndërkombëtar të Ruajtjes së Natyrës më 1948.

Kongresi i parë i Zvicrës së Pestë u mbajt në Bazel në vitin 1918. Meqenëse kongreset u anuluan gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pandemisë së koronavirusit, edicioni i 100-të u mbajt vetëm në vitin 2024. Zvicra e Pestë e festoi përvjetorin me një udhëtim me varkë nga Lucerna në Brunnen dhe një ceremoni të posaçme festive.

Zvicrës së Pestë i shërbeu ky Kongres i sjvetëm për të rikthyer shikimin e saj në 106 vitet prej kur bashkësia e shtetasve zviceranë të ngulitur jashtë vendit mori formë për herë të parë. Në atë kohë zviceranët emigruan përgjithësisht për të mos u kthyer më në atdheun e tyre. Prirjet e sotme, krahasuar me atëherë kanë ndryshuar. Sot zviceranët i ndryshojnë adresat e banimit përkohësisht për arsye profesionale.

Edhe ky kongres, si gjithë të tjerët, shërbeu për të promovuar marrëdhëniet ndërmjet Konfederatës dhe qytetarëve të saj nëpër botë.

Një ndër dy temat e seancës plenare të së enjtes ishte lëvizja e lirë e njerëzve brenda Bashkimit Evropian. Për sa i përket lëvizjes së lirë, delegatët miratuan një rezolutë për negociatat midis Zvicrës dhe Bashkimit Evropian, në të cilën Këshillit Federal i kërkohet të marrë parasysh interesat e të ashtuquajturës “Zvicra e Pestë”.

Përmes një sërë botimesh të shtypura dhe elektronike, organizata ofron informacion mbi kanalet e saj të komunikimit dhe rrjetet sociale, si dhe këshillon qytetarët që dëshirojnë të emigrojnë ose kthehen në Zvicër për çështje ligjore që lidhen me sigurimet shoqërore, financat dhe pensionet. “Dy shekuj më parë njerëzit nuk u kthyen në Zvicër”, shpjegon Lombardi. “Sot, megjithatë, është e rëndësishme të kujdesemi edhe për bashkatdhetarët tanë që duan të kthehen.”

Pjesëmarrja në demokraci, një sfidë për Zvicrën e Pestë

Në një reportazh nga kongresi, me autor Julien Furrer të RSI, thekson se nëpërmjet Këshillit të Zviceranëve Jashtë Vendit, një lloj Parlamenti i cili tradicionalisht mban një nga dy mbledhjet e tij vjetore gjatë kongresit, iu bëhen të njohura Zvicrës “zyrtare” interesat e mërgimtarëve. Që nga viti 1977, shtetasit zviceranë jashtë vendit kanë të drejtën e votës. Në vitin 1992, votimi me postë realizoi riintegrimin e kësaj popullate “emigrante” në trupin politik kombëtar. Por kohët e fundit, sjell ndërmend gazetari, është vënë në tavolinë çështja e votimit elektronik, ndërsa votimi me postë ndonjëherë mbetet i ndërlikuar për shkak të vonesave postare. Për zgjedhjet federale të vitit 2023, tri kantone kanë vënë në dispozicion të qytetarëve të tyre këtë metodë votimi elektronik: Basel-Stadt, St. Gallen dhe Thurgau. Testet u mirëpritën nga zviceranët jashtë vendit, të cilët kanë kërkuar edhe një herë përgjithësimin e sistemit. Rruga e ndjekur nga tri kantonet synon të thellojë marrëdhëniet politike midis diasporës dhe demokracisë zvicerane, duke rritur ndikimin e mundshëm politik të zviceranëve jashtë vendit. Sepse përveç votimit elektronik, komuniteti dëshiron që autoritetet zvicerane të bëjnë përpjekje më të mëdha për të promovuar pjesëmarrjen, siç theksohet në një analizë të thelluar nga swissinfo.ch tashmë në vitin 2023.

Një elektorat jo i papërfillshëm…

Popullsia e Zvicrës jashtë vendit po rritet. Në fund të vitit 2023, jashtë kufijve të tyre kombëtarë jetonin 813 400 zviceranë jetonin jashtë kufijve të tyre kombëtarë, që është 1,7% më shumë se një vit më parë, shpjegon në detaje një artikull nga swissinfo.ch. Kështu që diaspora përfaqëson rreth 11% të popullsisë zvicerane. Pothuajse dy të tretat e emigrantëve zviceranë jetojnë në Evropë: Francë, Gjermani, Itali, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë.

Në një statistikë të vitit 2023 nga Swii swisinfo.ch bëhet e ditur se zviceranët që jetojnë jashtë vendit janë 813 400 vetë, 54% e tyre femra dhe 46% meshkuj, 21% deri në moshën 18 vjeç, 55,6% në moshën 18-64 vjeç dhe 23,4% në moshën mbi 65 vjeç.

Në Francë jetojnë 209 300 shtetas zviceranë, në Gjermani 99 600, në SHBA 83 700, në Itali 52 000, në Kanada 41 500, në Britani 40 200, në Spanjë 26 500.

Diaspora zvicerane është e përhapur në të gjitha kontinentet, është shumëgjuhëshe, shumëkulturore dhe formon një mozaik që kontribuon në atraktivitetin e Zvicrës jashtë vendit. Prandaj është thelbësore që burrat dhe gratë zvicerane në mbarë botën të mbajnë një lidhje të fortë me atdheun e tyre dhe me njëri-tjetrin.

Sipas kontinenteve, shpërndarja e popullsisë zvicerane jashtë vendit është 64% në Evropë, 16% në Amerikën e Veriut, 7% në Amerikën e Jugut, 7% në Azi, 4% në Australi e Oqeani, dhe 2% në Afrikë.

Një veçanësi e re që u trajtua në këtë kongres ishte prania e afërsisht 6000 pensionistëve zviceranë që janë larguar në Tajlandë. Kjo bashkësi kërkon më shumë mbështetje politike nga Berna.

Në intervistën për Agjencinë Telegrafike Zvicerane (ATS) Presidenti i Zvicrës së Pestë Filippo Lombardi lidhur me prirjet e sotme të zviceranëve jashtë vendit ndaj atdheut, ai theksoi se tani “më shumë zviceranë po largohen dhe më pas po kthehen në atdheun e tyre.” Në këtë kuptim, theksoi ai, nuk është për t’u habitur që ne votuam për një rezolutë që hedh poshtë nismën “Mjaftojnë 200 franga”, sepse për zviceranët jashtë vendit Radiotelevizioni publik Zviceran, përfaqëson një burim shumë të rëndësishëm informacioni dhe ndoshta lidhjen kryesore me vendin”. Lombardi solli pikëpamjen e tij se për Zvicrën është më interesante kur të rinjtë zviceranë të cilët janë trajnuar në vende të tjera vijnë të punojnë për ekonominë tonë, sesa të importojnë fuqi punëtore nga jashtë”.
“Sidomos ata që largohen me synimin për t’u kthyer në Zvicër pas disa vitesh do të donin të qëndronin sa më shumë të lidhur me sigurimet shoqërore, vijoi Lombardi. Problemi është se, pasi të dilni nga sistemi, nuk është më e mundur të rihyni në sistemin AVS dhe është gjithashtu e vështirë që kompanitë e sigurimeve shëndetësore të mbeten të lidhura. Më pas kërkohen zgjidhje përmes diskutimeve ndërmjet palëve. I njëjti arsyetim vlen edhe për bankat, me të cilat, në disa raste, ne kemi negociuar kushte që zviceranët jashtë vendit të mbeten mbajtës të llogarive në Konfederatë”.

Kongresi i Zviceranëve Jashtë Vendit nuk do të mbahet më çdo vit

Organizata e Komunitetit Zviceran Jashtë Vendit (ASO), SwissCommunity, e cila përfaqëson dhe mbron interesat e Zvicrës së Pestë, informon qytetarët zviceranë jashtë vendit në internet dhe në revistën «Schweizer Revue» e «Gazzeta Svizzera» dhe ofron këshilla për tema të rëndësishme.

Revista Zvicerane, organ informues për shtetasit zviceranë që jetojnë jashtë vendit, është botuar gjashtë herë në vit që nga viti 1974 në gjermanisht (Schweizer Revue), frëngjisht (Revue Suisse), anglisht (Swiss Revue) dhe spanjisht (Panorama Suizo) me një tirazh total prej 427 000 kopjesh dhe një shtrirje prej 751 800 lexuesish. Zviceranët italishtfolës jashtë vendit informohen veçmas nga Gazzetta Svizzera, e cila u botua për herë të parë në vitin 1968, gjashtë vjet përpara Revistës Zvicerane.

Kongresi i 100-të vendosi që Revista Zvicerane të botohet tashmë 5 herë në vit.

Një revolucion cilësor u shënua në vendimet e Kongresit të 100-të të Zviceranëve Jashtë Vendit është se kongresi nuk do të mbahet më çdo vit, por do të mbahet një herë në katër vjet. Kongresi nuk do të zhvillohet më në muajin korrik, por në muajin gusht.

Aspekt tjetër cilësor do të jetë mënyra e votimit për organet drejtuese të Zvicrës së Pestë. Deri tani bashkësitë e shtetasve zviceranë, nëpër ngulimet e tyre në botë, i zgjidhnin drejtpërdrejt delegatët, të cilët pastaj, në Kongres, i zgjidhnin organet drejtuese. Në Kongresin e 100-të u paraqit një platformë e cila mundëson që të shtrihet edhe në Diasporë demokracia direkte që zbatohet në Atdhe. Kështu që çdo zviceran në moshë votimi do të hedhë votën e tij për të zgjedhurit e rinj në krye të Diasporës Zvicerane.

Zvicër – Një radar për të luftuar zhurmën

Të dhënat nga një test i kryer në Gjenevë dihen: një automjet në 200 është shumë i zhurmshëm, veçanërisht motoçikletat – Për momentin nuk ka asnjë bazë ligjore për përdorimin e këtyre pajisjeve dhe për sanksione.

VOAL- Konfederata testoi një radar kundër zhurmës vitin e kaluar në Gjenevë. Qëllimi i projektit pilot është të penalizojë në mënyrë më efektive zhurmën e tepërt në rrugë.

Radari – ngjashëm me atë që ndodh me pajisjet e shpejtësisë – mat volumin e zërit të emetuar nga automjetet dhe fotografon ato që tejkalojnë një kufi të caktuar. Niveli teknik i radarit është efikas, sipas Zyrës Federale për Mjedisin.

Projekti pilot u zhvillua verën e kaluar në Gjenevë në një kontekst urban ku shpejtësia maksimale është midis 30 dhe 60 km/h. Çdo ditë, nga 100 deri në 200 automjete janë “pikturuar” nga radari kundër zhurmës, raportojnë gazetat e grupit CH-Media. Vlera kufitare e shkarkimeve u vendos në 80 decibel.

Rreth 70% e automjeteve tepër të zhurmshme ishin motoçikleta. Një në dhjetë motoçiklistë është fotografuar, saktësohet. Më pas vijojnë makinat me 17% dhe mjetet e rënda – kamionë dhe autobusë – me 13%.

Megjithatë, që të zbatohet një regjim sanksionimi, fillimisht duhet të vendosen kufij: aktualisht nuk ka vlerë maksimale që automjetet duhet të respektojnë. Vitet e fundit, megjithatë, ankesat janë shtuar dhe vlerat e matura priren të rriten. Pragu i dhimbjes dhe dëmtimit të dëgjimit është 120 decibel. Pragu i rrezikut është vendosur në 90 decibel. Zyra Federale e Mjedisit rekomandon një vlerë maksimale prej 82 decibel. Në Gjenevë vlerat maksimale të regjistruara ishin 117 decibel për një makinë dhe 110 decibel për një motoçikletë. Sipas gazetave CH-Media, rreth një në 200 automjete ishte shumë e zhurmshme.

Përdorimi i radarit kundër zhurmës do t’u mundësonte forcave policore të jenë më efikase dhe të kursejnë shpenzimet e personelit. Megjithatë, në Zvicër ende nuk ka bazë ligjore për përdorimin e pajisjeve të tilla. Pasi të kenë përfunduar testet pilot, Konfederata do të vendosë për kursin që do të ndjekë, specifikoi Zyra Federale e Mjedisit. ATS/RSI

Sot postbusët do të festojnë 100 vjetorin duke iu rënë borive në të njëjtën kohë në gjithë Zvicrën

Boria e paralajmërimit mund të përdoret vetëm në rrugët malore

VOAL- Rreth 700 autobusë postarë do t’i bien unisonit në të gjithë Zvicrën sot, të mërkurën. Koncerti gjigant do të shënojë 100-vjetorin e borisë së famshme tretonëshe, e cila së bashku me ngjyrën e verdhë është elementi më karakteristik i autobusëve të postës.

Të prezantuara në vitin 1924 për të reduktuar aksidentet në rrugët e qafave malore, të cilat në atë kohë përdoreshin gjithnjë e më shumë nga autobusët postarë dhe makinat private, këto bori të fuqizuara nga një kompresor elektrik mund të arrijnë 120 decibel.

Përdorimi i kësaj borie me tre ngjyra është ligjërisht i kufizuar në rrugët malore, të dallueshme nga shenja përkatëse. Vetëm 700 nga 2,300 automjetet postare janë të pajisura me borinë speciale të njohur gjithashtu si “boria postare”, e cila është punuar me dorë nga kompania Moser-Baer në Sumiswald (BE).ATS/RSI

Për Eurosongun qytetarët zviceranë mund të shkojnë në kutitë e votimeve

VOAL- Rruga është e përpjetë për organizimin e edicionit të radhës të Eurovision Song Contest, gara evropiane e këngës e fituar këtë vit nga Nemo në Malmö. Suksesi i artistit i ka dhënë Zvicrës të drejtën për të pritur tre mbrëmjet (gjysmëfinale dhe finale) në 2025 dhe SSR synon të vendosë se në cilin qytet deri në gusht. Zyrihu, Bazeli, Gjeneva dhe kandidatura e përbashkët e Bernës dhe Bielit janë në garë, por SVP nuk është në favor të saj: presidenti i partisë Marcel Dettling, në deklaratat e raportuara të martën nga Tages-Anzeiger dhe gazeta të tjera, thotë se ai është në favor të një referendumi kundër kredive tashmë të miratuara nga instancat përkatëse. “Është e drejtë që qytetarët duhet të vendosin për këtë shpërdorim parash dhe jo vetëm klasa politike”, thekson ai, duke shtuar se “do të ishte më mirë që paratë t’u jepeshin atyre që janë prekur rëndë nga moti i keq në vend që t’i hedhin në një ngjarje të turpshme ylberi” .

Democentristët e Bernës kanë njoftuar tashmë se do të kundërshtojnë investimin kantonal prej 30 milionë frangash të miratuar tashmë nga Parlamenti. Mbledhja e nënshkrimeve, pavarësisht nga rezultati, do të nënkuptonte fundin e garës për kryeqytetin: votimi nuk do të ishte i mundur para vitit të ardhshëm, por siç u përmend, Shoqëria Zvicerane e Radios dhe Televizionit ka afate shumë më të ashpra për të vendosur se cilit qytet do t’i besojë organizata.

Në Zyrih – ku u votua kredia prej 20 milionë në nivel komunal – seksioni i SVP tha se ishte kundër referendumit. Megjithatë, për këtë po mendojnë të rinjtë democentristë, të cilët ende nuk kanë vendosur zyrtarisht dhe kërkojnë aleatë për të mbledhur 2000 abonime në 60 ditë. Një mund të jetë Bund der Steuerzahler (federata e taksapaguesve), e cila në një deklaratë të publikuar sot bëri të ditur se do të luftojë kundër ngjarjes, duke e cilësuar të pakuptueshëm përdorimin e parave publike për një ngjarje private.

Në këtë rast, do të rrezikohej edhe kandidatura e Zyrihut: nuk do të shkonte në zgjedhje para nëntorit. Për Tages-Anzeiger, zëdhënësi i SSR-së, Edi Estermann, shpjegon se “rreziku i një referendumi do të jetë një nga faktorët e marrë në konsideratë në vlerësim” i cili do të çojë në zgjedhjen e qytetit pritës, por që aspekte të tjera do të kenë të peshohen.

Edhe Bashkimi Federal Demokratik (1.2% e votave dhe 2 deputetë të zgjedhur në zgjedhjet e fundit federale) thotë se është në favor të një votimi popullor dhe do të luftojë të gjitha kreditet publike. Nuk është e drejtë, argumenton ai, që taksapaguesit duhet të paguajnë pjesën më të madhe të kostos së ngjarjes, e vlerësuar në rreth 40 milionë. ATS/RSI

Pak pushim dhe shumë punë për qeveritarët zviceranë gjatë kësaj vere

Këshilltarët federalë, të fotografuar këtu së bashku me Brig, gjatë udhëtimit të fundit veror të Qeverisë në Valais (Valé)

VOAL- Si do të jetë vera e këshilltarëve federalë? Si gjithmonë, pushimet do të alternohen me angazhime të cilat për disa ministra do të jenë gjithashtu mjaft intensive. Viola Amherd, për shembull, ka planifikuar udhëtime pune në Japoni dhe Mongoli. Presidentja e Konfederatës, ashtu si vitin e kaluar, ka për qëllim që të kalojë disa ditë pushimi në fshat në Zvicër.

Por edhe Guy Parmelin së shpejti do të ndalet në Lindjen e Largët, për një mision ekonomik dhe shkencor në Kinë që do të zgjasë një javë. Përsa i përket pushimeve, shefi i Departamentit të Ekonomisë do t’i kalojë në vendlindjen e tij, kantonin Vaud (Vô), si dhe në rajonin francez të Burgundy.

Albert Rösti do t’i kalojë ditët e tij të lira duke ecur në male dhe gjithashtu duke udhëtuar jashtë vendit me gruan e tij Theres. Por kreu i Departamentit Federal të Mjedisit, Transportit, Energjisë dhe Komunikimeve gjithashtu do të marrë pjesë në ngjarje publike dhe do të mbajë fjalime.

Ignazio Cassis ka planifikuar disa ditë pushimi në Ticino, por edhe disa udhëtime pune në Azinë Qendrore dhe Amerikën e Jugut. Në fund të korrikut ministri i Jashtëm do të vizitojë edhe “House of Switzerland” (“Shtëpinë e Zvicrës”) në margjinat e Lojërave Olimpike të Parisit.

Disa ditë në Toskanë është në planet e pushimeve të Elisabeth Baume-Schneider. Prandaj, Departamenti Federal i Brendshëm ka njoftuar se këshilltarija federale do të ketë disa takime më 1 gusht. Si ministre e kulturës ajo do të jetë e pranishme edhe në Festivalin e Filmit në Lokarno.

Sipas Departamentit Federal të Financave që ajo drejton, Karin Keller-Sutter mezi pret të “kalojë kohë me familjen dhe miqtë në Zvicër dhe jashtë saj”. Ministrja gjithashtu shpreson të “gjejë kohë për të lexuar libra të mirë dhe për të studiuar dosje”.

Më në fund, sipas Departamentit Federal të Drejtësisë dhe Policisë, Beat Jans planifikon të takojë miq dhe të afërm gjatë pushimeve që do të marrë në Itali dhe Kroaci. ATS/RSI

Zyrihu është kandidat për Eurosong

Bashkohet me Gjenevën, Bazelin dhe Bernë/Bienne – Nëse zgjidhet, konkursi do të mbahet në Hallenstadion

VOAL- Qyteti i Zyrihut është kandidat për të pritur konkursin e këngës Eurovision 2025. Këshilli i qytetit e shpalli këtë të enjte, duke iu bashkuar kështu Gjenevës, Bazelit dhe Bernës/Bienit. Për legjislaturën është “një mundësi për t’u paraqitur si një qytet kulture, i hapur ndaj botës dhe një destinacion tërheqës turistik”.

Konkursi i planifikuar për në maj do të mbahej në Hallenstadion, “Fshati i Eurovizionit do të ngrihej në parkun Landiwiese, në bregun e majtë të liqenit, ku janë planifikuar koncerte, shfaqje publike dhe ngjarje të tjera zyrtare. Në vend të kësaj, pavijonet e panairit do të ofronin hapësirë ​​për televizionin dhe mediat e tjera. Si vend i fundit, qendra e kongresit do t’i kushtohej ngjarjeve të tjera zyrtare.

Qyteti, nëse zgjidhet, parashikon përfitime të konsiderueshme ekonomike. Ngjarja ndiqet nga mbi 180 milionë shikues, përveç mijëra njerëzve që udhëtojnë drejt vendit të ngjarjes. Bashkia po jep një kredi kornizë prej 20 milionë frangash për të kontribuar në shpenzimet e planifikimit dhe organizimit. ATS/RSI

Bürgenstock, një gadishull malor, me dalje në liqenin e Lucernës, mrekulli e turizmit dhe e paqes- Nga Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj

(Fotokopertinë nga Swiss Tourism)

 

Në qendër të vëmendjes së botës, më 15 dhe 16 qershor, ishte toponimi Bürgenstock (Byrgenshtok), fjalë e përbërë që shpjegon bukur relievin e këtij peizazhi. Për ne shqiptarët është më e lehtë ta kuptojmë nëse kemi parasysh Linin e Pogradecit, një gadishull në liqen. Pra, Bürgenstock është një gadishull malor me dalje në liqenin e Lucernës ose Liqenin e Katër Kantoneve (Uri, Schwyz, Unterwalden  dhe Luzern), një nga më të bukurit në Zvicër dhe më të përmendurit në botë. Për shkak se është një bregliqen i thyer, duket sikur përbëhet nga fjorde të panumërta, të ngjashme me ato norvegjeze. Por ndryshe nga tokat e akullta nordike, kjo zonë është e bekuar me një klimë të butë, perfekte për t’u vizituar në çdo kohë të vitit, por ideale gjatë muajve të qetë të verës, kur aktiviteti në liqen dhe rreth liqenit lulëzon.

Bürgenstock është vërtet tani toponim ndër më të lakuarit në botë, sepse këtu mbahet Samiti i Paqes për Ukrainën me pjesëmarrjen e 100 të ftuarve shtetërorë nga bota, mes tyre 57 kryetarë shtetesh, në përpjekje për t’i dhënë shans paqes në Ukrainë dhe shpresë paqes në Evropë dhe në botë.

Por, nëse kërkon në google, do të shikosh se Bürgenstock, ky resort turistik në një sipërfaqe të kufizuar, është ndër më të lakuarit dhe ndër më të lavdëruarit në botë, krahas metropoleve më të famshme të turizmit.

Ka qenë më shumë se një zgjedhje politike, një zgjedhje poetike ky vend nga ideatorët dhe realizuesit zviceranë të kësaj konference për paqen në Ukrainë, sepse ndoshta askund tjetër nuk mund të ndihet semantika e paqes sa këtu.

Pse është kaq paqësor dhe paqendjellës Bürgenstock? Resorti e merr emrin nga mali me lartësi 1 128 metër mbi nivelin e detit. Që nga Shekulli XIX këtu ndodhet hoteli i madh qendër konferencash i njohur si Resorti Bürgenstock, 600 metër mbi liqenin e Lucernës.

Bürgenstock njihet edhe si Bürgenberg. Me emërtimin e fundit njihet nga kantoni Nidwalden dhe ka qenë për një periudhë të gjatë mollë sherri midis dy kantoneve, derisa, më 1378, një vendim i arbitrazhit, duke iu dhënë fund mosmarrëveshjes ndërkantonale për pronat. Më 1872, kompania Bucher & Durer hodhi themelet e kompleksit hotelier dhe zgjodhi si emër toponimin ekzistues Bürgenstock. Bucher & Durrer, dy zotërinj zviceranë obvaldas, hynë në histori si vizionarë të turizmit: kanë ndërtuar hotele në të gjithë botën, për të pritur dhe për të kënaqur turistët.

Rreth vitit 1900 emërtimi Bürgenstock u vendos si një term i përgjithshëm bisedor për të gjithë kreshtën malore. Bürgenstock shtrihet në një sipërfaqe 10 kilometër katrorë dhe është i rrethuar në veri, në lindje dhe në juglindje nga liqeni i Lucernës. Shpati verior bie pjerrët në liqen. Në fund të shpatit jugor është komuna Ennetbürgen, në fund të skajit perëndimor ndodhet komuna Stansstad.

Gjatë fundit të epokës së akullit, shkruajnë enciklopeditë, Bürgenstock u mbulua plotësisht nga një rrjedhë akulli që zbret nga Gotthard në ultësirat e Alpeve. Shenjat e gërryerjes të lëna nga akulli në gur gëlqeror gjenden edhe në lartësitë më të mëdha. Gurë të mëdhenj graniti që u transportuan nga akulli nga Gotthard, shpërndahen në të gjithë malin, si për shembull një ekzemplar i madh, i rrumbullakët 18 m3 në një shpat të pjerrët në rezervatin tokësor Allwägli, i cili më 1949 u muar nën mbrojtje si monument natyror. Pas regresionit të akullit, Bürgenstock ishte fillimisht një ishull në liqenin e Lucernës. Megjithatë, në rrjedhën e disa mijëra viteve, lumi Engelberger Aa mbushi zonën midis hyrjes së luginës Engelberger dhe Bürgenstock me sedimente, duke krijuar luginën e sotme të sheshtë midis vendbanimeve Ennetbürgen, Buochs, Stans dhe Stansstad.
***


Në faqet turistike të internetit, pothuaj në çdo gjuhë të botës, Bürgenstock është ndër më të përmendurit dhe mund të gjenden të dhëna të panumërta.

Përveç kompleksit hotelier, Bürgenstock ka edhe ashensorin më të lartë të Evropës në natyrë, ashensorin Hammetschwand, i cili lidh shtegun piktoresk të shkëmbit me pikën e favorshme Hammetschwand, hekurudhën e teleferikut Bürgenstock, e cila që nga viti 1888 ka marrë pasagjerë nga një skelë në liqenin e Lucernës deri te hotelet.

Kisha e Bürgenstock-ut, e themeluar më 1897, u bë e famshme në vitin 1954 kur aktorët Audrey Hepburn dhe Mel Ferrer u martuan këtu. Edhe Sophia Loren, Sean Connery dhe Charli Chaplin e zgjodhën këtë resort për vend pushimi. Bürgenstock shërbeu gjithashtu si një vend xhirimi për një nga më ikonë të të gjithë filmave Bond, Goldfinger. Resorti ka qenë gjithashtu vendi për disa konferenca të rëndësishme ndërkombëtare ndër vite. Është pak ta quash Bürgenstock-un ikonik; kjo pronë e madhe turistike me shumë hotele është e zhytur në aq shumë histori dhe magjepsje sa nuk është asgjë më pak se legjendare. Sot, Bürgenstock Resort Lake Lucerne është një nga vendpushimet më të mëdha në Evropë, i përhapur në 148 hektarë pyjorë dhe i përbërë nga Bürgenstock Hotel & Alpine Spa, Hotel Palace, Waldhotel Health & Medical Excellence and Spa, Taverna 1879, Grand Residential Suites dhe Lakeview Vila Rezidence.

Bürgenstock Resort Lake Lucerne është në thelb një qytet brenda qyteti. Dhe me komoditete të shumta ekskluzive si dyqane dhe butikë, një kinema, program për fëmijë, pishina, një kishëz historike dhe anije private me transport midis Lucernës dhe Kehrsitten ku mysafirët mund të eksplorojnë këto qytete simpatike, si dhe aktivitete të tilla si shëtitje të bollshme gjatë verës. ski alpin dhe heli-ski jashtë pistes në dimër, një fushë golfi alpine me 9 vrima, joga, tenis, ashensori historik Hammetschwand (siç e përmendëm, ashensori më i lartë në natyrë në Evropë) dhe një bollëk sportesh ujore në liqenin e Lucernës, turistëve nuk do t’iu mungojë asgjë, pa marrë parasysh sezonin. Mysafirët mund të vizitojnë gjithashtu fermat lokale ku mund të mjelin lopët dhe të mësojnë se si të prodhojnë djathë që mund të dërgohet në shtëpitë e tyre për ta shijuar si suvenir. Plus, me shërbimin e jashtëzakonshëm të personalizuar, ata do të kenë në majë të gishtave çdo luks zviceran.

Ka disa mënyra për të arritur në Bürgenstock. Përveç udhëtimit 30-minutësh me varkë nga Lucerna dhe udhëtimit me teleferik, turistët mund të zgjedhin të mbërrijnë thjesht me makinë, të marrin një avion privat për në Aeroportin Rajonal Buochs ​​(afërsisht 7 milje larg), të zbresin me helikopter në një nga helioportet e shumtë rreth pronës së resortit, me fluturim në aeroportin ndërkombëtar të Zyrihut (afërsisht 50 milje larg), ose me tren (Stacioni Hekurudhor i Lucernës është afërsisht 7 milje larg).
***


Në orën 12:00 të së enjtes (13 qershor) hyri në fuqi zona e kuqe në Bürgenstock (Nidwalden), ku gjatë fundjavës po mbahet konferenca e paqes për Ukrainën, bënë të ditur mediat. Vetëm personat që posedojnë autorizim do të mund të parkojnë dhe qarkullojnë në zonë. Përafërsisht 430 banorët e Bürgenstock duhet të regjistroheshin në polici, duke marrë një dokument të posaçëm, të cilin duhet ta tregojnë në pikën e kontrollit. Të gjitha automjetet gjithashtu duhet të regjistrohen. Kontrollet e rrepta të hyrjes dhe daljes synojnë të garantojnë sigurinë e pjesëmarrësve në konferencë. Rreth 90 delegacione janë regjistruar për samitin e 15 dhe 16 qershorit. Zona e përjashtimit do të qëndrojë në vend deri në orën 18:00 të së hënës. Pavarësisht stemave, aktivitetet e banorëve të Bürgenstock janë të kufizuara. Autoritetet rekomandojnë të mos udhëtojnë jashtë shtigjeve dhe rrugëve të asfaltuara dhe të shtyjnë terminet jo urgjente. Çiklizmi, vrapimi dhe ecja janë të ndaluara.

Konferenca, sipas mikpritësve, synonte: të sigurojë një platformë për dialog “për mënyrat për të arritur paqen gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara”; “të promovojë kuptimin e përbashkët të një kuadri rregullator” dhe të përcaktojë një “udhërrëfyes” që përfshin palët në një proces paqeje. Zvicra, me të kaluarën e saj si ndërmjetëse, thjesht nuk mund të priste dhe konflikti në pragun e Evropës është ndezur tashmë prej 28 muajsh. “Ne guxojmë të flasim për paqen”, tha Ignazio Cassis në një konferencë për shtyp.

Gjatë periudhës përgatitore të konferencës, zyrtarët zviceranë ishin të përmbajtur rreth numrit të përfaqësuesve ndërkombëtarë që do t’i përgjigjeshin. Në fillim u raportua se mund të përgjigjeshin pozitivisht rreth 90 të ftuar. Më vonë u përmend shifra 90. Ndërsa në prag të konferencës u raportua se 100 përfaqësues ndërkombëtarë, midis të cilëve 57 kryetarë shtetesh, zëvendëskryeministra, ministra të Jashtëm, si dhe nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris.

Në Bürgenstock, për të përfaqësuar dy shtetet tona, ndodheshin edhe Presidentja e Kosovës zonja Vjosa Osmani dhe Presidenti i Shqipërisë zotëri Bajram Begaj. Dy shtetet tona firmosën deklaratën përfundimtare për paqen që doli nga kjo konferencë.

 

Rreth 4 000 anëtarë të Forcave të Armatosura të Zvicrës në detyrë për të garantuar sigurinë

 

Kur flet për një samit të kësaj rëndësie e të këtij niveli të lartë nuk mund të mos flasësh për masat e sigurisë, kur pjesmarrja arrin rreth 900 vetë. Forcat e Armatosura të Zvicrës mbështetën masat e sigurisë për samitin duke vendosur deri në 4 000 personel ushtarak për të ofruar shërbime ndihmëse. Ata do të mbronin infrastrukturën e rëndësishme dhe kritike, do të ofronin transport ajror, zbulim ajror, si dhe operacione ajrore, do të kryenin mbikëqyrje dhe ndërhyrje në liqen, si dhe mbështetje logjistike dhe komanduese. Shërbimet logjistike të forcave të armatosura përfshinë rreth 6.5 km gardhe dhe 8 km tela çeliku, rreth 100 automjete për policinë dhe automjete speciale shtesë për transportin e personave të mbrojtur sipas ligjit ndërkombëtar, rreth 2 km pistë dhe pajisje të ndryshme ndriçimi. Forca ajrore përforcuan shërbimin e saj të policisë ajrore dhe ofruan mbikëqyrje të avancuar ajrore dhe transport ajror për personat e mbrojtur sipas ligjit ndërkombëtar. Forcat e armatosura ngritur një heliport në Obbürgen NW për operacionet e tyre. Pesë helikopterë mund të ngriheshin dhe të uleshin këtu.

Në një lajm nga Zyra Federale për Sigurinë Kibernetike bëhet e ditur se faqet e internetit të autoriteteve dhe organizatave të përfshira në konferencë ishin shënjestruar nga hakerat pro-rusë. Të  gjitha sulmet u zbrapsën në mënyrë të menjëhershme. Kjo zyrë, në funksion të konferencës së nivelit të lartë në Kantonin e Nidwalden, ishte përgatitur paraprakisht duke koordinuar rreth njëqind specialistë kombëtarë dhe kantonalë. Pak para, gjatë dhe për një periudhë të shkurtër pas samitit, disa incidente ndodhën në hapësirën kibernetike zvicerane, duke përfshirë, ndër të tjera, sulme të mbingarkesës ndaj faqeve të internetit të autoriteteve dhe organizatave të përfshira në konferencë. Është konstatuar, thuhet në deklaratë, se këto sulme janë kryer nga grupi prorus i quajtur NoName057(16).  U regjistruan gjithashtu përpjekje për të hakeruar sistemet e IT-së të kantoneve Nidwalden dhe Obwalden dhe sulme phishing kundër punonjësve të qendrës së thirrjeve emergjente në Lucernë.

****

Misioni i paqësor i Bürgenstockut, këtij këndi ndoshta më paqësor në botë, megjithatë nuk ka mbaruar. Ignazio Cassis në intervistat e tij në kuadrin e konferencës foli për një konferencë të dytë, e cila, siç nënvizoi kryediplomati zviceran, do të mbahet me pjesëmarrje të plotë, çka nënkupton palën që nuk është ftuar kësaj here. Edhe presidentja Viola Amherd përsëriti gatishmërinë e Zvicrës për një konferencë tjetër, ku të marrin pjesë edhe vendet që munguan në Bürgenstock.

Ndërsa presidenti ukrainas, duke iu përgjigjur pyetjes së Wall Street Journal rreth mundësisë që Rusia të marrë pjesë në një konferencë të dytë, theksoi: “Nëse Rusia merr pjesë në një konferencë të dytë, do të thotë se ka vendosur t’i japë fund luftës ose sepse është shtrënguar ta bëjë këtë nga bota e tërë.” I pyetur rreth mungesës së Kinës, ai është përgjigjur se Ukraina ka vetëm një armik dhe ai është Rusia. Gjithashtu ka ripohuar se nuk mund të ketë paqe pa integritetin e territorit ukrainas. Zelensky ishte ideatori i parë i konferencës në Bürgenstock, ai është gjithashtu edhe ideator për konferencën tjetër dhe për këtë është sërish i mirëkuptuar nga Zvicra. Ndër problemet më të mprehta dhe më urgjente për t’u zgjidhur në kontekstin e luftës në Ukrainë janë lundrimi i lirë dhe i plotë në portet e Detit Azov dhe Detit të Zi, çka garanton sigurinë ushqimore dhe kthimin në Atdhé të 20 000 fëmijëve ukrainas të cilat janë rrëmbyer dhe dërguar në Rusi.

Mediat zvicerane, me krenari të ligjshme, sollën në kujtesë se tradita zvicerane diplomacisë së paqes mbush në tetor 99 vjet dhe hyn në vitin e 100-të. Atëbotë, prej 5 deri më 16 tetor 2025, u mbajt në Locarno (Lokarno) në Palazzo del Pretorio, Konferenca e Paqes, që u finalizua me Marrëveshjet e Lokarnos. Pas Luftës së Parë Botërore, rivendosja e paqes ishte përparësi absolute. Traktati i Paqes vuri bazat e paqes, por shumë vende nuk i pranonin. Për të ndrequr mangësitë e Versajës, do të ndodhte Lokarno, duke iu shërbyer ekuilibreve të reja, sidomos atyre mes fitueseve dhe humbësve.

Prej asaj date roli i Zvicrës në skenën e diplomacisë botërore për paqen ka njohur akte të tjera nga më shembulloret.

***

Në orën 11.00 të së dielës (16 qershor) në kantonin e Nidvaldit kanë rënë për 8 minuta rresht kambanat e paqes. Kishat kanë dashur të shprehin shqetësimin e tyre për luftën në Ukrainë dhe të kërkojnë një bashkëjetesë paqësore.

Zvicër: Njohja e trashëgimisë kulturore, për ta mbrojtur atë

Ditët e UNESCO-s kushtuar trashëgimisë kulturore ekzistuese u mbajtën në fundjavën e dytë të qershorit, po ashtu në Zvicër

VOAL- Objektet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Zvicër hapën dyert e tyre këtë fundjavë të dytë të qershorit. Një ngjarje e promovuar për 8 vjet nga shoqata World Heritage Experience. Kjo trashëgimi natyrore dhe historike është relativisht e sigurt sot, por për t’i mbrojtur këto pasuri edhe në të ardhmen, duhet t’i njohim ato.

Një sondazh i kohëve të fundit zbulon se zviceranët dinë më shumë për trashëgiminë në vendet e tjera sesa në shtëpitë e tyre. Diçka që “ndodh mjaft shpesh”, sipas Lorenzo Cantoni, kreu i katedrës së UNESCO-s në Universitetin Italian të Zvicrës. “Ndonjëherë është më e lehtë për ne të njohim vende të largëta. Është shumë e mundur që ndoshta një trashëgimi si Monte San Giorgio apo pyjet e ahut të Ticinos të jenë pak më pak të njohura në Zvicrën e brendshme sesa kështjellat. Pra, kjo është e mundur, por nuk do të thotë se ka mosinteresim”.

Megjithatë, qëllimi nuk është aq shumë për të tërhequr më shumë njerëz, por për të ofruar një përvojë të paharrueshme edhe përmes mjeteve të reja. USI po mendon për këtë, në bashkëpunim me shoqatën World Heritage Experience. “Ne po diskutojmë me ta për të eksploruar, për shembull, rrugën e të ashtuquajturit gamification,” vazhdon Cantoni, “domethënë të propozojmë trashëgiminë zvicerane përmes metodave lozonjare të ngjashme me ato të lojërave elektronike. Pra, njerëzit mund t’i qasen asaj në një mënyrë tjetër, por edhe në një mënyrë që rrit shanset për të kujtuar atë që kemi vizituar dhe që ne kemi në një farë mënyre të drejtën e trashëgimisë. Dhe kjo është ndjenja e trashëgimisë.”

Gjithnjë e më shumë vende, tradita dhe ndërtesa kërkojnë dhe marrin etiketën e UNESCO-s. Dikush mund të pyesë nëse shumimi i aseteve të njohura si trashëgimi botërore mund të ulë vlerën që njerëzit u japin këtyre aseteve. Për drejtorin e katedrës së UNESCO-s në USI nuk është kështu. “Konventa Botërore e Trashëgimisë Natyrore dhe Kulturore të vitit 1972 ka pasur një zhvillim shumë, shumë të gjerë. Fillimisht nuk kishte asnjë objektiv turistik. Ishte një objektiv ruajtjeje dhe konservimi, ndoshta komunikimi i trashëgimisë. Gjatë rrugës, paralelisht me zhvillimin e të ashtuquajturit turizëm masiv, ky emërtim nënkuptonte edhe sjelljen në vëmendje të udhëtarëve vende që ndoshta ishin më pak të njohura. Pra, jo, nuk më duket se të kesh shumë prej tyre është një rrezik real sot. Është e vërtetë, megjithatë, se ato po rriten dhe se logjika e regjistrimeve po ndryshon pak, me synimin që sot të ketë më shumë regjistrime nga zona që më parë kishin më pak ose edhe aspak”. (RSI)

Dy milionë votues në Zvicër për zgjedhjet evropiane

 

Zvicra ka më shumë votues se disa nga vendet anëtare të BE-së, megjithëse nuk është aq e lehtë të kesh një numërim të saktë

 

VOAL- Në një studim të thelluar të Matthias Strasser për RSI, thuhet se delegacioni i Bashkimit Evropian në Zvicër, bazuar në të dhënat e Entit Federal të Statistikave, vlerëson se në total ka 2.3 milionë mbajtës të pasaportës evropiane në vend, rreth një e katërta e popullsisë dhe e krahasueshme me atë të Sllovenisë. Nga këta, 1.9 milionë realisht kanë të drejtë vote.

Në studim theksohet se rregullat për votim ndryshojnë në varësi të shtetit anëtar. Në disa vende (si Gjermania dhe Austria) mund të votohet nga mosha 16 vjeç, në shumicën e vendeve vetëm nga mosha 18 vjeç. Disa shtete anëtare kufizojnë votimin nga vendet e treta. Italia ndalon votimin nga vendet jashtë BE-së: për të votuar duhet shkuar në bashkinë italiane ku jeni regjistruar. Gjermanët mund të votojnë vetëm nëse janë larguar nga Gjermania jo më shumë se 25 vjet më parë. Në disa vende, qytetarët që jetojnë jashtë duhet të regjistrohen për të votuar dhe afatet tashmë kanë skaduar. Kështu bëhet e ditur, ndër të tjera, në studimin e thelluar të Matthias Strasser për RSI.

 

Më 27 maj 1965 u nda nga jeta piktori i shquar italo-zviceran Antonio Ligabue

VOAL- Antonio Laccabue (i njohur nga të gjithë si Ligabue) lindi më 18 dhjetor 1899 në Zyrih, Zvicër, i biri i Elisabetta Costa, një grua me origjinë nga Belluno, dhe Bonfiglio Laccabue, një burrë me origjinë Emiliane (por identiteti i babait nuk është konstatuar me siguri). I besuar, në shtator 1900, një çifti zviceran, Elise Hanselmann dhe Johannes Valentin Goebel, ai humbi nënën e tij Elisabetta më 1913, kur helmimi nga ushqimi vrau gjithashtu tre nga vëllezërit e tij (Antonio, megjithatë, e konsideroi babain e tij përgjegjës për vdekjen e Elisabetta, deri në ndryshimin e mbiemrit në Ligabue pikërisht për shkak të urrejtjes që ndjente ndaj prindit të tij).

Familja Goebel jeton në një situatë të vështirë ekonomike, e cila ndikon negativisht tek i riu Antonio: i prekur që në fëmijëri nga mungesa e vitaminave dhe rakitizmi, duhet të përballet me zhvillimin fizik të bllokuar, i cili manifestohet në pamjen e pahijshme që do ta shoqërojë edhe si i rritur. Nga ana tjetër, edhe nga pikëpamja emocionale dhe intelektuale, djali shfaq disa vështirësi: nuk i pëlqen të jetë me moshatarët e tij, duke preferuar afërsinë e kafshëve dhe në shkollë është në vështirësi të mëdha.

I vendosur në një klasë diferenciale në shkollën fillore, ai iu besua në vitin 1912 një instituti për fëmijë të mangët, përpara se të transferohej, vitin e ardhshëm, në Marbach, në një institut të drejtuar nga një prift ungjillor, i cili e përkufizoi sjelljen e tij si “të pamoralshme” për shkak të zakonit të tij për të sharë dhe tallur. Në Marbach, gjithsesi, Antonio mëson të lexojë me një shpejtësi të caktuar dhe, pavarësisht se është i dobët në matematikë dhe drejtshkrim, gjen lehtësim të vazhdueshëm në vizatim, gjë që shpesh e lejon të qetësohet pas krizave nervore që e godasin.

I përjashtuar gjithashtu nga ky institut për imoralitet dhe sjellje të këqija, pasi filloi të punojë si punëtor bujqësor i rastësishëm, ai bën një jetë mjaft endacake dhe pranohet në një klinikë psikiatrike pas një debati të dhunshëm me Elisen, nënën e tij kujdestare, e cila në vitin 1919 u ankua. I dëbuar nga Zvicra, Antonio u dërgua nga Chiasso në Gualtieri, qyteti i origjinës së babait të tij birësues (më 1955 ai i kushtoi një pikturë episodit, të titulluar “Ligabue i arrestuar”, duke portretizuar veten në pranga, pranë dy karabinierëve në një karrocë) , por tenton te arratiset menjehere edhe sepse nuk njeh gjuhen italiane.

Përpjekja e tij për t’u arratisur në Zvicër, megjithatë, dështon dhe i riu kthehet në vend dhe pranohet në shtëpinë e mjekimit Carri. Në vitin 1920 iu kërkua të punonte në brigjet e Po: ku punonte me karrocë dore, ai ndihmoi në ndërtimin e një rruge që lidhte Gualtierin me lumin. Në të njëjtën periudhë iu përkushtua për herë të parë pikturës.

Takimi që ndryshoi jetën e tij ndodhi në vitin 1928, kur Renato Marino Mazzacurati, një nga themeluesit e shkollës romane, ndjeu talentin e fshehur në artin e tij të mirëfilltë dhe e mësoi të përdorte ngjyrat e vajit. Në vitin 1932, Ligabue u mirëprit nga Licinio Ferretti, një flautist i njohur ndërkombëtarisht dhe koleksionist i pikturave të artit bashkëkohor. Tani i drejtuar drejt një valorizimi të pjekur dhe të plotë të talentit të tij, Antonio vendos t’i përkushtohet me trup dhe shpirt pikturës, duke vazhduar udhëtimet e tij pa qëllim përgjatë Po.

Ai i kushtohet pikturave dhe vizatimeve, të cilat përfaqësojnë botë të veçanta: megjithëse subjektet janë të njëjta, vizatimet nuk janë kurrë studime përgatitore ose skica të kanavacave, por ushtrime autonome të karakterizuara nga tipare nervore (pika e thatë është e pëlqyeshme për të), ndonjëherë të gjurmuara, shpesh karakterizohet nga shenja që nuk janë të pastra, por qartësisht ekspresive dhe strukturore, shpesh me rezultate plastike. Nga ana tjetër, veprat e tij figurative paraqiten si kumbues, madje të dhunshëm e nostalgjikë, të kalitur me detaje të sakta dhe shpesh të vendosura në skenarë të jetës rurale, me imagjinatë dhe memorie që përzihen në varësi të peizazhit të përfaqësuar. Dhe kështu Ligabue, i cili tashmë ia del të mbajë veten falë pikturës, ndërkohë i përkushtohet edhe skulpturës me terrakote.

I pranuar në një spital psikiatrik në 1937 në Reggio Emilia për akte vetëlëndimi, ai arriti të dilte jashtë vetëm katër vjet më vonë falë ndërhyrjes së skulptorit Andrea Mozzali, i cili e mirëpriti në Guastalla, në shtëpinë e tij, pranë Reggio Emilia. Ardhja e luftës e lejoi atë të përdorej si përkthyes për trupat gjermane, por më 1945 Ligabue u internua përsëri në një spital psikiatrik, fajtor se kishte goditur një ushtar gjerman me një shishe: ai mbeti i mbyllur edhe për tre vjet të tjerë. Gjatë qëndrimit në spital, Antonio vazhdon aktivitetin e tij si piktor, si dhe vizitohet nga Romolo Valli, gazetar dhe aktor i ardhshëm.

Pasi u lirua, ai rifilloi aktivitetin e tij si piktor me intensitet më të madh, falë vëmendjes në rritje që kritikët, gazetarët dhe tregtarët e artit i kushtuan veprave të tij. Pasi e braktisi skulpturën rreth vitit 1954, ai e rezervoi të gjithë kohën e tij për krijimin e pikturave, shpesh me përmasa imponuese, në të cilat shprehte konceptin e tij të ekzistencës si një luftë e përhershme, një betejë pa pushim, e shoqëruar vetëm rrallë nga momente të vogla qetësie. Janë autoportretet, në veçanti, ato që zbulojnë këtë ide të jetës.

I përqendruar në gravurë, në vitin 1955 Ligabue ngriti ekspozitën e tij të parë personale me rastin e Fiera Millenaria që u zhvillua në Gonzaga, jo shumë larg Mantuas, ndërsa një vit më pas mori pjesë në “Premio Suzzara”. Në vitin 1957 ai ishte protagonist i një reportazhi (shumë i njohur edhe sot) i botuar në “Resto del Carlino”, të firmosur nga Severo Boschi dhe fotoreporteri Aldo Ferrari, i cili e përjetësoi në Gualtieri. Katër vjet më vonë, Ligabue pati mundësinë të shihte një ekspozitë personale të ngritur në Romë, në Galerinë “La Barcaccia”: pak kohë më pas, megjithatë, një aksident me motor (vitet e fundit të jetës së tij e lejuan të shpëtonte nga ekonomia dhe të përkushtohej vetë ndaj pasioneve të tij, duke përfshirë atë të motoçikletave) ngadalëson aktivitetin e tij, i penalizuar më tej nga një parezë që e godet menjëherë pas kësaj: një hemiparezë për shkak të vaskulopatisë cerebrale që e prek atë si mendërisht ashtu edhe fizikisht.

Pasi u pagëzua dhe u konfirmua, Antonio Ligabue i njohur si “Al Tedesch” (“Gjermani”) ose “Al Matt” (“I çmenduri”) vdiq më 27 maj 1965 dhe u varros në varrezat Gualtieri. Menjëherë më pas, Kuadrenalja IX në Romë i kushtoi një retrospektivë./Elida Buçpapaj

PËRMASAT ZVICERANE TË MARSEJËS- Nga Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj

Cité radieuse, vepër e arkitektit zviceran Charles-Édouard Jeanneret-Gris, më i njohur me pseudonimin Le Corbusier (1887-1965)- wikipedia

 

Marseja, themeluar në vitin 600 para Krishtit, është qyteti më i lashtë i Francës, (krahas Béziers), qyteti kryesor francez buzë Mesdheut, nga Shekulli XX është i dyti për numrin e banorëve pas Parisit. Ndërkohë është porti më i madh francez, porti i dytë mesdhetar dhe porti i pestë evropian.

Është qyteti që ia dha emrin, “La Marseillaise”, himnit kombëtar të Francës. Siç dihet, kënga u shkrua më 1792 nga Claude Joseph Rouget de Lisle në Strasburg pas shpalljes së luftës nga Franca kundër Austrisë, dhe fillimisht titullohej “Chant de guerre pour l’Armée du Rhin” (“Kënga e luftës për ushtrinë e Rhine”). Konventa Kombëtare Franceze e miratoi atë si himnin e Republikës së Parë më 1795. Kënga mori emërtimin e saj Marsejezë pasi të parët e kënduan në Paris vullnetarët nga Marseja që marshonin drejt kryeqytetit. Marsejeza frymëzoi revolucionet kombëtare, frymëzoi këngë kushtruese për çlirim në vende të ndryshme të Evropës.

JANË DISA PËRMASAT ZVICERANE TË MARSEJËS

Dalja në portin e Mesdheut e ka bërë që nga gjeneza një nga qytetet më kozmopolite në Francë. Që nga Shekulli i XVII, konsiderohet “Porta e Orientit”. Burimet enciklopedike tregojnë se këtu, prej atëherë, jetojnë popullsi nga njëzet e sa vende të Evropës dhe të botës.

Ndër të përkëdhelurit e fatit, për të jetuar në këtë qytet, është edhe bashkësia zvicerane, më e madhja jashtë Zvicrës. Sot rreth 5 000 zviceranë e zvicerane marrin shërbime nga konsullata zvicerane në këtë qytet. Por vlerësohet se numri i tyre në Marsejë është tri herë më i madh.

Në faqen e internetit të Departamentit të Punëve të Jashtme të Zvicrës (EDA) lexojmë se në vitin 2022, mbi 200 000 shtetas zviceranë u regjistruan në Ambasadën dhe Konsullatat e Përgjithshme të Zvicrës në Francë. Është komuniteti më i madh zviceran jashtë vendit. Nga anja tjetër, shënohet se ka rreth 185 000 njerëz me nënshtetësi franceze që banojnë përgjithmonë në Zvicër.

Një tjetër e dhënë me shumë domethënie për marrëdhëniet midis Zvicrës dhe Francës është se, më 1798, Zvicra përuroi përfaqësinë e saj të parë jashtë vendit në Paris, së cilës së shpejti iu shtua edhe konsullata në Bordo. Ndërkohë, shënohet në faqen e DEA-s, në fund të shekullit të 19 Franca ishte i vetmi vend që kishte një përfaqësi në Zvicër, në Bernë.

Në një reportazh të shkruar me rastin e Kongresit të përvitshëm të 64-t të shoqatave zvicerane në Francë, zhvilluar më 26 dhe 27 prill në Marsejë, nga Emilie Ridiard për swissinfo.ch, theksohet se takimi është parë si rast për të kujtuar historinë e gjatë, nga fundi i Shekullit XVI deri sot, që e lidh Konfederatën me qytetin francez.

Ndryshe nga grupet e tjera të të huajve, kryesisht punëtorë krahu, zviceranët vinin si tregtarë. Ishin 171 veta me shtetësi helvete, 157 prej tyre protestantë, nga një tërësi prej 489 tregtarësh të qytetit. Më 1685 mbreti Luigji XIV e ndaloi fenë protestane në Francë, por tregtarët helvetë kishin aq rëndësi të madhe ekonomike, saqë ai i toleroi. Pati nga ata që i ndërruan emrat për të mos u vënë re, por shumica nuk ndërroi kurrë kombësi dhe mbetën zviceranë brez pas brezi.

Për shkak të rëndësisë së bashkësisë zvicerane, Konfederata hapi konsullatën në Marsejë më 1799, pak pasi e hapi në Bordo.

Diaspora zvicerane në këtë qytet la gjurmë në historinë e këtij qyteti. Një nga figurat e mëdha të Rezistencës së Marsejës është me origjinë zvicerane. Berthe Albrecht Wilde, (Marseille, 15 shkurt 1893 – Fresnes, 1943) zvicerane nga lindja, aktiviste franceze, anëtare e Rezistencës Franceze gjatë pushtimit nazist të Francës në Luftën e Dytë Botërore, është një nga gjashtë gratë e quajtura Compagnon de la Libération (Shoqëruesja e Çlirimit). Ordre de la Libération u krijua nga gjenerali de Gaulle në vitin 1940 për të shpërblyer individët ose kolektivët ushtarakë dhe civilë që u dalluan për çlirimin e Francës.

Berthe Albrecht Wilde, wikipedia

Një nga gjurmët e fundit zvicerane në historinë e Marsejës është Cité radieuse, prototipi i një habitati të ri shoqëror të imagjinuar nga arkitekti zviceran Charles-Édouard Jeanneret-Gris, më i njohur me pseudonimin Le Corbusier (1887-1965). Një nga ndërtimet më të diskutueshme në qytet, ajo është bërë gjithashtu një nga më emblematiket. I regjistruar si një qendër e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Cité radieuse u ndërtua midis viteve 1947 dhe 1952. Ai përmban 337 apartamente të 23 llojeve të ndryshme.

JEAN-ABRAM NOVERRAZ, ZVICERANI MË I FAMSHËM I MARSEJËS

Mathieu van Berchem ia kushton shkrimin e tij në swissinfo.ch zviceranit më të famshëm të Marsejës.

 

Jean-Abram Noverraz, wikipedia

Më 5 maj 1821, shkruan Van Berchem, Napoleon Bonaparte vdiq në burgun Longwood në ishullin e Shën Helenës. Pranë shtratit të vdekjes, gjatë javëve të gjata të sëmundjes, ishte amvisi i tij besnik, Jean-Abram Noverraz nga Vaud. Perandori la trashëgim në testament shumën prej 100 000 frangash për Jean-Abram Noverraz, në mënyrë që ai të mos kishte më nevojë t’i shërbente një zotërie tjetër. Një ditë pas vdekjes së tij, guvernatori anglez Hudson Lowe, marrëdhëniet e të cilit me Napoleonin ishin të tmerrshme, i detyroi banorët e ishullit të vogël të parakalonin para trupit të pajetë të ish-perandorit, në mënyrë që të mos kishte dyshim për vdekjen e tij.

Historiani Thierry Lentz, vijohet më tej në swissinfo.ch, tregon skenën në librin e tij Bonaparte n’est plus! Ndërsa vetë Noverraz në ditarin e tij Kthimi i hirit të Napoleonit, botuar në të famshmen Revue des Deux Mondes tregon se ishte amvis, korrier, gjahtar dhe madje truproje: gjatë udhëtimit për në ishullin Elba, ai përdori shpatën për të mbrojtur zotërinë e tij. Napoleoni e quajti zviceranin “Ariu Helvet”. Noverraz, pasi kthehet në Zvicër, bëhet një personazh i rëndësishëm, duke iu kushtuar legjendës së Bonapartit dhe duke i lënë trashëgimi relikte të tij kantonit të Vaud (Vo).

Në biografitë e Noverraz thuhet se nga reliktet janë tri shalë kuajsh të stilit francez në kadife të kuqërremtë, tre frerë të zbukuruar me argjend dhe katër pushkë gjuetie. Këto objekte duhej t’i jepeshin djalit të tij, mbretit të Romës. Duke qenë se nuk ishte në gjendje të përmbushte dëshirën e shprehur nga Perandori në testamentin e tij, Noverraz i vendosi këto relike të çmuara në duart e Këshillit të Shtetit të kantonit Vaud. Ato janë ekspozuar në Muzeun Kantonal të Arkeologjisë dhe Historisë të Lozanës, me objekte të tjera të ruajtura në koleksione nga Noverrazi dhe pasardhësit e tij.

Në Marsejë, shkruan në reportazhin e tij Mathieu van Berchem, në kohën e Jean-Abram Noverrazit, 300-400 zviceranë shërbenin në shtëpitë borgjeze dhe në anijet e kompanive të mëdha. “Një numër i madh i amvisëve shtëpiakë të të dy gjinive vijnë zakonisht nga Zvicra,” bënte të ditur ekonomisti Alban de Villeneuve-Bargemon në atë kohë. Ata kanë një reputacion të tillë për saktësinë dhe korrektësinë, saqë shumica e shtëpive të Marsejës i kërkojnë drejtpërdrejt në Zvicër,” shton vikonti, i cituar nga historiani Renée Lopez-Théry. Përpikërisë, korrektësisë, ndër pikat e forta që dekretuan suksesin e zviceranëve, padyshim iu shtohet edhe njohja e gjuhës gjermane, e cila ishte shumë e përhapur në Francë në atë kohë.

Vdekja e Napoleonit, në telajo me teknikë vaji nga Charles de Steuben, krijuar më 1829. Për ta realizuar tablonë e tij për vdekjen e Napoleonit, Charles de Steuben i mori në studio për të pozuar protagonistët realë, midis të cilëve edhe zvicerani i famshëm Jean-Abram Noverraz, ulur në të djathtë të ish perandorit. wikipedia

Anglishtja flitet gjithnjë e më shumë në qytetet zvicerane

Kreuzlingen në një foto arkivore: është qyteti me përqindjen më të lartë të të huajve

Vendi i italishtes në podium është tashmë në rrezik – Në 170 qendrat e marra në konsideratë në vjetorin e fundit, mosha mesatare, të huajt dhe personat pa fe po rriten.

VOAL- Anglishtja kërcënon italishten ndër gjuhët më të folura, shtimi i popullsisë së huaj dhe atyre që nuk identifikohen me asnjë emërtim: këto janë tendencat kryesore që gjenden në botimin e vitit 2024 (i 85-ti) i statisticienëve të Vjetarit të qyteteve zvicerane. Informacioni mbi përkatësinë fetare dhe gjuhët paraqitet në detaje për herë të parë dhe ndryshon përkufizimin se çfarë përbën një qytet. Për Zyrën Federale të Statistikave – bazuar në dendësinë e popullsisë, vendeve të punës dhe gjithashtu turistëve – janë 162, por studimi ka marrë në konsideratë edhe tetë vendndodhje të tjera, si Morat dhe Arosa.

Gjysma e popullsisë zvicerane jeton në këto 170 qendra, një përqindje që rritet në tre të katërtat nëse marrim parasysh aglomeracionet në tërësi. Shifra – me përjashtim të një pauze në vitet 1980 – është vazhdimisht në rritje, në vitet 1940 vetëm 7.5% e banorëve të Konfederatës ishin urbanë. Në qytete, të huajt përfaqësojnë 32% të popullsisë, krahasuar me një mesatare kombëtare prej 26%. Mbi të gjitha, qytetet frëngjishtfolëse janë më lart, edhe nëse rekordi shkon në Kreuzlingen, pikërisht në kufirin me Gjermaninë, me 56.3%.

Për sa u përket gjuhëve të folura, gjuhët kombëtare vazhdojnë të humbasin rëndësinë. Gjermanishtja është gjuha kryesore për 59,5% të banorëve të qytetit, frëngjishtja për 22,8% dhe italishtja për 8,7%. Jashtë vendndodhjeve të Ticino-s të marra në konsideratë (Chiasso, Mendrisio që është më italisht-folësi nga të gjithë, Lugano, Locarno, Bellinzona), Sankt Moritz ka përqindjen më të lartë (30.5%). Megjithatë, anglishtja – e cila po rritet – tani kërcënon shumë ngushtë gjuhën e Dantes dhe me 8.1% është afër podiumit. Majat më të larta gjenden në dhe rreth Gjenevës dhe Zyrihut. Romansh nuk e kalon kurrë 6.4% të regjistruar në Chur. Pothuajse një në katër persona (23.1% për të qenë të saktë) flet një gjuhë të ndryshme nga ajo kombëtare dhe anglishtja.

Laicizimi i popullsisë ka qenë një fenomen konstant që nga viti 2000 dhe po haset gjithnjë e më shumë në zonat urbane. Një në tre nuk e njeh veten në asnjë komunitet fetar, tendenca në rënie është veçanërisht në dëm të ungjillorëve të reformuar. Në të njëjtën kohë, myslimanët po rriten, mesatarisht 7%, por 21.9% në Spreitenbach në Aargau.

Një fakt i fundit në lidhje me moshën: plakja – dhe për rrjedhojë përqindja gjithnjë e më e reduktuar e të rinjve – është një fenomen që prek të gjithë vendin. Fëmijët e moshës deri në 19 vjeç në qytete – 19.1% – tani janë pothuajse brenda mesatares zvicerane (19.9%) pasi kanë qenë shumë poshtë saj për shumë vite. Më sipër janë qendrat e mëdha në aglomeracionet e Gjenevës, Zyrihut, Bazelit dhe Bernës, me Versoix në vendin e parë (25.8%). Përkundrazi, të gjitha qytetet e Ticino janë ndër ato me përqindjen më të lartë të pensionistëve, mbi 20%. Chiasso, me 27.7%, është në vendin e dytë në Zvicër pas vetëm Arlesheim.


Send this to a friend