« I paloi krahët zog i kaltër /Te koka vuri gurin e vet
Nuk u zgjua as e pamë më /Gjumi i tokës e kishte zënë
Tek mbyllej në pikë të zezë universi”
*
(Këto janë vargje të Ali Podrimjes, me të cilat, poeti frëng Marc Delouse, e mbyll poemën “Requiem: Iku Aliu“, shkruar katër ditë mbasi Aliu ishte gjetur pa shenja jete, rrëzë një pylli në periferi të qytetit Lodeve të Francës, më 21 korrik 2012, ku po merrte pjesë në Festivalin Poetik “Zërat e Mesdheut”
1.
Ali Podrimja, njëri ndër poetët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë, në mos më i madhi, iku papritmas nga kjo botë, në kulmin e krijimtarisë së tij letrare, duke lënë një vend bosh në mjedisin kulturor shqiptar. Me artin e vet poetik Aliu arriti të kapërcente kufijtë kombëtarë, duke zënë një vend nderi në rradhët e krijuesve të poezisë së sotme në botë.
Ali Podrimja arriti të ‘bëhej’ një Poet i Madh, përveç tjerash, në saje të një dhuntie, – nëse mund të thuhet, – natyrore për Poezinë. Si rrallëkush tjetër, ai arriti të skalisë një ‘vargmal poetik’ me mjetin e artit letrar – Fjalën, duke e përdorur atë me karar, pa e lënduar hyjninë e saj. Aliu i shndërronte si me magji fjalët në metafora, të cilat, si të tilla, duket se rrezatojnë fuqishëm vetëm në vargun e tij, duke i dhënë poezisë një vulë të veçantë stilistike, do të mund të thuhej – podrimjane.
Ali Podrimja çmohet me të drejtë si një poet gjithënacional, poet i ‘gjeografisë shqiptare’. Ky epitet i atribuohet Aliut, për shkak se ai arriti ta rikrijonte poetikisht Atdheun e copëtuar – në një Atdhe të plotē, të përbashkët, simbas projektit të pararëndësve të tij, arkitektëve të Rilindjes sonë, i cili, për fat të keq nuk u realizua për shkak se historia, padrejtësisht, nuk qe në anën e shqiptarëve.
Ali Podrimja ka qenë dhe mbetet një poet i vetmisë, i dhimbjes dhe i krenarisë kombëtare. Ai e njohu, e vuajti thellë dhe e “qau me bote”, – siç do të thoshin himariotët, – dhimbjen shqiptare. Përmes vargjeve të Aliu kjo dhimbje nisej brigjeve të Jonit, ngjitej gjithandej brigjeve të Adriatikut, Kalonte Alpet Shqiptare dhe shtrihej poshtë në Rrafshin e Dukagjinit, aty ku e kishte Kullën e Fjalës Poeti i Madh.
2.
Ali Podrimja, i njohur si një njeri që s’i zihej vendi vend, duke nxituar për të qenë “i kudondodhur” në të njëjtën kohë, – në jetën kultutore e letrare, – nuk pati nge, më sa dihet, të na e linte një autobiografi të shkruar. Megjithatë, disa miq të tij të fëmijërisë e të djalërisë, na ofruan këto ditë ca të dhëna biografike për Aliun. Sado të shkurtëra, ato prapëseprapë mbesin kujtime të ngrohta për figurën e Aliut, duke përmbushur, poashtu, kurreshtjen e lexuesve të zhanrit të biografive.
Miqtë e tij më të afërt e përshkruajnë Aliun si një çun thatim, të shkathtë e simpatik, të cilin, siç thonë ata, “nuk e kishte përkëdhelur gjithaq jeta“. Aliu, fundi i fundit, këtë mungesë e ndante me moshatarët e tij që kishin lindur në kohë të pakohē, në “Zezonën e Kosovës”. E mbajnë mend si një çun të urtë, herë të tërhequr e herë “rebel“, por gjithnjë të dashur e zemërmirë; pastaj si një çapkën, të cilin, pas dashuriçkave të moshës djaloshare, e kishte zënë papritmas një Dashuri e Madhe – Poezia!
Aliu, mbase nuk do ta ketë besuar as vetë, se kjo e Fundit, pra Poezia, s’do ta lëshonte kurrë dhe se Ai do të bëhej Princi i Saj i përjetshëm.
Miqtë e tij bashkëmoshatarë e mbajnë mend Aliun, në rininë e tij të parë, si një kampion të shumëfishtë në kërcimet nga Ura e Shenjtë në lumin Erenik të Gjakovës, ku Ali ‘Taliani’ dilte gjithnjë i Pari; pastaj si një nxënës mesatar në mësime, me prirje për artet, të cilën fillimisht ia njihnin të tjerët, por jo ai vetëvetes. (Aliu thotë se nuk kishte dashur të bëhej poet, – paçka se më vonë ndërron mendjen, – atëherë kur filloi ta shijonte “famën” në mesin e bashkëmoshatarëve të tij).
Rexhep Ferri, një piktor i shquar yni dhe mik i Aliut, më i vjetër se ai nga mosha, i cili e mbajti përjetësisht miqësinë me të, thotë se njëherë Aliu kishte dashur ta kalonte kufirin e të shkonte në “Shqipërinë e Enver Hoxhës“ (!). Një profesor i tij i dashur, Besim Bokshi, – thotë Rexhepi – kur Aliu i kishte folur në besë për “planin e tij”, – e kishte këshilluar të hiqte dorë nga kjo punë, sepse “atje nuk do të mund të shkruante si këtu”. Aliu e kishte përfillë këshillën prindore të Profesor Bokshit.
Shumë nga miqtë e Aliut, të cilët tashmë i la, “e duronin” t’ua prishte edhe gjumin e natës, kur përmes telefonit ua lexonte poezitë, të cilave s’u ishte tharë akoma boja në letër, duke e ndarë gëzimin krijues bashkë me ta, thotë Prof. Ferri.
3.
Aliu e përjetoi “madhështinë“ e të qenit poet, pas botimit të poezisë programatike, tashmë antologjike, “Kosova – gjaku im që nuk falet”. Ai ka treguar vetë se kjo poezi, e botuar në Revistën Letrare “Jeta e Re“, i ka shkaktuar aq shumë telashe politike, sapo e kishte parë dritën, saqë, po të mos e kishte shpëtuar “Ëngjëlli i tij Mbrojtës”, – siç e quan ai Esad Mekulin, – ajo do të mund të ishte poezia e tij e fundit. Si kryeredaktor i kësaj Reviste, përmes një “mjeshtërie“ që ia kishte mësuar jeta, doajeni i Poezisë shqipe në Kosovë, e kishte shpëtuar Poetin, Revistën, si dhe vetën e tij.
Më vonë Aliu e ka shpalosur edhe më mirë ‘misionin’ e vet poetik:
“Mos u bën poet /nëse nuk vdes për secilin varg /për secilën fjalë”
Ali Podrimja e shfaqi hapur rebelizmin e tij krijues në vitin 1971. Ai ishte autor i Traktatit Letrar me titull “Vox Clamantis in Deserto”, (Zëri i të Vetmuarit në Shkretëtirë) botuar në shtypin e kohës. Ky Traktat pat shkaktuar një tronditje në skenën politike e kulturore të Kosovës. Mirëpo qe fashitur, si rezultat i reagimit të fuqishëm të krijuesve të tjerë të rinj të arteve, që iu bashkuan Podrimjes. Krijuesit e rinj kosovarë po i kundërviheshin Realizmit Socialist, shkollës dogmatike artistike, qe po e ‘vriste’ letërsinë dhe artet e tjera. Në saje të këtij akti të guximshëm zunë të viheshin themele të reja të artit modern në Kosovë, në frymën e lirisë Perëndimore dhe të Shkollës së Shkrimit të Lirë.
Një klimë e zbutur politike bëri që Aliu t’i shpëtonte “ndëshkimt” për herezinë në Kosovë, aty ku e kishte shfaqur “rebelimin”. Sado paradoksalisht, ai e pagoi këtë “faturë” atje ku kishte dashur të arratisej kur ishte Çun. Aliut nuk i botoheshin veprat në Tiranë. Në fakt, të rrallë ishin autorët kosovarë që botoheshin asokohe në “Shqipërinë e Enver Hoxhës” (!), ndërsa Aliu – hiç. Aliu, thonë të gjithë, – e ka thënë edhe ai vetë, – e ndjente thellë këtë dhimbje. Ishte e rëndë për të, sepse Ai e ka dashur haptas, shumë, më shumë se shumëkush tjetër – Shqipërinë, ose – sa Dardaninë, siç kishte qejf ta quante shpeshherë Kosovën.
Vetëm pas rënies së diktaturës staliniste, veprat e Aliut janë botuar e ribotuar në Tiranë. Ato janë çmuar e nderuar njësoj si në Prishtinë.
Dhe, Aliu i gëzohej pa masë kësaj njohjeje.
Rrugën e artit poetik të Ali Podrimjes e kanë ndjekur në Kosovë një plejadë krijuesish, bashkëmoshatarë dhe më të rinj se ai. Vargu i poetëve të rinj ështe i gjatë dhe ata i janë mirënjohës Ali Podrimjes për mbështetjen që u ka dhënë, në cilësinë e redaktorit shumëvjeçar në Shtëpinë (e Madhe) Botuese “Rilindja”.
Poashtu, një plejadë e tërë shkrimtarësh të rinj, tashmë jo dhe aq të rinj, në Shqipëri, secili më i mirë se tjetri, i qëndrojnë përkrah poetit Ali Podrimja, duke e ndjekur shkollën e tij stilistike.
4.
Ali Podrimja ka lëvruar me sukses disa gjini letrare. Ka shkruar ese e recensione, tregime, trajtesa e kumtesa, si dhe vëzhgime kulturore e shoqërore. Por, Ëmblema e tij mbetet Poezia.
Në një hark kohor 50 vjeçar krijimtarie, Ali Podrimja ka botuar e ribotuar mbi 40 vepra poetike, ose mbi 60, bashkë me ato të përkthyera në shumë gjuhë të botës.
Kritika letrare shqiptare e konsideron kryevepër jetësore të Podrimjes vëllimin poetik “Lum Lumi”, të cilin ia kushton të birit, Lumit të vogël, i cili vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Aliu bëri të pamundurën, duke kërkuar derman për voglushin deri në Paris, por vdekja qe e pamëshirshme. Ia rrëmbeu Lumin, sadoqë Prindi Ali “s’mund ta nēnshkruante vdekjen e tij” në spital.
Aliu e përjetoi dramatikisht këtë gjëmë, por e përjetësoi estetikisht, duke e ndarë dhimbjen bashkë me lexuesit e tij. Përmes dhe përtej kësaj tragjedie personale, Aliu, si një poet i persiatjes së thellë, arrin ta projektojë dramën individuale në rrafshin kolektiv shqiptar, duke e shtrirë artistikisht nocionin e Dhimbjes vetiake në përmasat e Dhimbjes universale.
“Lum Lumi” është një libër me vargje jo të shkruara, por të shkrira, është një kurorë monumentale vargjesh elegjiake podrimjane.
Në fakt, motivi i dhimbjes e përshkon pjesën më të madhe të krijimtarisë poetike të Ali Podrimjes. Spikat dhimbja për Kosovën e pushtuar, për Çamërinë e martirizuar, për arvanitët e Moresë, për arbëreshët e De Radës, për muhaxherët e Sanxhakut të Nishit, të katandisur nëpër shkretëtirat e Anadollit dhe gjithandej në Lindjen e Mesme, në Siri e në vende të tjera përrreth. … (Aliu i ka ‘shkelur këmbë’ vetë këto vende, fshatra e qytete, duke shkruar poezi dhe duke vënë në fund të tyre vendin dhe datën e shkrimit, si një shenjë mbi gur varri).
5.
Këto ditë Aliun e kanë përkujtuar me pietet miq të tij të shumtë, lexues të pasionuar të veprës së tij, krijues, gazetarë, piktorë, artistë, botues, studiues të letërsisë dhe të arteve, kolegë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, kudo në trojet shqiptare, si dhe në diasporë. E kanë përkujtuar, poashtu, miq shkrimtarë të huaj, nga të katër anët e botës, duke e quajtur ikjen e tij një humbje të madhe për letërsinë tonë, por edhe për artin poetik botëror.
Mirëpo, edhe Ali Podrimja ka ditur të nderojë personalitete e miq, si pakkush tjetër, me përkushtime poetike, si Martin Camajn, Nënë Terezën, Ibrahim Rugovën, Gjelosh Gjokajn, Ismail Kadarenë, Adem Demaçin, Robert Elsin, e shumë të tjerë.
6.
Aliu u ‘arratis’ nga kjo botë. Ai nuk pati nevojë më për ne, sadoqë ne kishim nevojë për të. Ai do të na mungojë shumë.
Dhimbja që pllakosi vendin për humbjen e Aliut, respekti që iu bë e po i bëhet këto ditë në trojet shqiptare, si dhe në Diasporë, është një shenjë e mirë, një shenjë se shoqëria shqiptare ka filluar ta marrë paksa vetën. Sadoqë, nderimi ‘post mortum’ i Krijuesit është vetëm një kthim i “borxhit të pashlyer” ndaj Tij, në të gjallë të Tij.
Kriza morale që ka mbërthyer botën shqiptare mbas Çlirimit, në të dy shtetet tona, mund të jetë ndoshta, pasojë e një “jete të kaluar qençe“, (siç thotë Aliu në një poezi të tij), pasojë e një vuajtjeje të gjatë nën pushtim. Ndaj, ‘mos o Zotynë’, siç do të thoshte Aliu, të pamësuar me lirinë, po e “refuzojmë” me kaq ashpërsi Atë?
Atdheun po e ngulfasin mujsharët, ata që pandehin se na kanë “çliruar” dhe na e kanë sjellë Lirinë, dhe si rrjedhojë – vetëm ata duhet ta gëzojnë atë.
Hë për hë, nuk ka mbetur rrugë tjetër përveç se t’i lutemi Zotit të mos bëhemi për të na qarë ndonjë Ali i Ri. Tanimë, jo për zullumin e “Ujkut” të rrezikshëm alegorik të Ali Podrimjes, por të një Ujku tjetër, të ri.
Pas ngordhjes së Ujkut të Vjetër, asaj kafshe të egër e mizore, që na e nxiu jetën, kemi nevojë për pak më shumë ngrohtësi e butësi, që të mos shndërrohemi, “aman, o Trima”, (shprehje e Aliut) në një grigjë, – tash jo metaforike, – se s’ka kush të na qajë më.
Ne, si vdektarë që jemi, Zoti e di, mund të mos jetojmë as sa Poeti Ali.
Dhe, ngaqë s’mund të bëhemi të gjithë poetë, – jo që jo si Aliu, – nuk kemi mundësi as të arratisemi, siç u “arratis” Ai nga kjo botë.
Aliu e jetoi Jetën e Tij siç deshi vetë. Lumë si Ai!
New York,
8 nëntor 2012
——————
*) Fjalë e mbajtur në Orën Përkujtimore kushtuar Ali Podrimjes, në Fordham University, në New York, më 8 Nëntor 2012, botuar te Gazeta Shqiptare – Amerikane ILLYRA dhe Gazeta DIELLI, organ i Federatës VATRA.
——
PS:
Ora Përkujtimore kushtuar poetit Ali Podrimja qe mbajtur asokohe me nisiativën e ish-gazetarit të Zëtit të Amerikës dhe Botuesit ‘Gjonlekaj Publishing’ CO, në New York, Gjekë Gjonlekaj; Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe TV Kultura Shqiptare, drejtor – Adem Belliu.
Folës: Prof. Paolo Palombo, Sinan Kamberaj, Raimonda Moisiu, Eleonora Gjoka. Moderatore: Lidia Ujkaj nga kanali televiziv 5 – Fox dhe Gjekë Gjonlekaj. (Foto: Beqir Sina)
Komentet