E kaluara dhe e tashmja rrëshqasin në një shteg të shpirtit, si një rrjedhje e kristaltë burimi, ku reflekset e dritës shpërbëhen mbi të, në një ylber ujor valvitës dhe shpalosin kujtime e emocione mbresëlënëse. Nuk e kisha menduar se do ti jetoja këto vitet e fundit, pranë dhe larg mjekësisë e do të endesha në fletët e ditarit të kujtimeve dhe shumë prej tyre ti kisha marr me vete, si variete të një ujëvari magjepës. Ku një pasion nga një tjetër jetë, që diku aty fshihej, me dëshirën për ti rrëfyer, bëhej gati sundimtar dhe më çonte në një tjetër dimension, po aq njerëzor, nga njeriu për njeriun…
Kënaqësinë që të afron suksesi i një operacioni, në atë ditë të bukur vere, të vitit 1988, e zbeu zëri i shqetësuar në receptorin e telefonit, i Dr.Vllasit, nga ambulanca e uzinës të sodës kaustike. Ai më informoi për djegjen aksidentale të syve, nga shëllira e sodës kaustike me presion, mbas çarjes të tubit komunikues, tek një vajze e re dhe transportimin e saj për në spital, që më shtangën. I rekomandova larje me ujë të bollshëm të syve dhe gjatë rrugës për në spital. Njëkohësisht porosita infermjeren e sallës, të pregatiste sallën e operacionit dhe medikamentet e duhura. E kisha të qartë se, agresiviteti alkalin i sodës kaustike si një lavë vullkanike, shkaktonte dëmtime të shpejta e penetruese në strukturat e syrit, thuajse të pandalshme, që shoqërohen me nekrozë dhe destruksion të indeve, me një fund fatal. Pas pak minutash e aksidentuara mbërriti në spital dhe me karrocë e sollën në pavion. Ishte një vajzë e re, brune e hijshme, me një fytyrë të kuqërremtë nga djegja, ku piklat e djersës, përziheshin me lotët e dhimbjes. Me sytë e kaltërt, të enjtur e gati të mbyllur, mes rrënkimit të zgjatur, thërriste e irrituar…“Ju lutem më ndihmoni, po digjem, është djegje përvëluese e padurueshme, si gjilpëra të nxehta, që të ngulen pa pushim nëpër sy dhe të çpojnë zemrën, po më shuhet drita… A do të mund të shikoj nënën, shoqet, detin”… Skenë që nuk linte asnjë jashtë emocioneve. U deshën pak sekonda të një pakujdesije, gjatë procesit të punës, që të çlironin këtë dramë pa mbarim.
E trasportuam në sallën e operacionit dhe mbas anestezisë lokale dhe qetësuesve, filluam lavazhin intensiv të syve e të kanalit të lotëve, pastrimin nga copëzat e shëllirës të sodës kaustike, largimin e pjesëve nekrotike, peritominë e konjuktivës dhe paracentezën. Qysh në ekzaminimin e parë mikroskopik konstatuam dëmtime të rënda nekrotike në syrin e djathtë, i cili ishte transformuar në një masë opake, në ngjyrë të bardhë porcelani, ndërsa syri i majtë kishte një turbullim të shprehur në qendër të kornesë, me edemë përreth, por me të cilin ajo mund të orientohej. Ishte një mjekim intensiv, që zgjati orë të tëra dhe unë i kalova mbi kokën e Silvanës, kështu e quanin. E cila mbarte veç kësaj drame dhe një histori të dhimbshme familjare…
Duke vëzhguar portretin e saj, mu ndërthurën në mënyrë intuitive, tipare nga prima donna soprano Anna Netrebko, me ato të artistes së shquar ruse Tatjana Samaillova. Por ajo kishte muzg në mendim dhe rrënim shpirtëror, i ishte shuar buzëqeshja, drita e syrit për të ishte frymëmarrje. Vazhduam me mjekim dhe mikro ndërhyrje kirurgjikale ta frenonim atë cikël patologjik, për afro një muaj. Por shuarja e flakës nuk do të thoshte shuarja e zjarrit, syri herë qetësohej herë acarohej. Ishin kapriciot tinzare të lëndës alkaline të depërtuar. Së fundi ruajtëm dritën në syrin e majtë, pasi në syrin tjetër ajo tashmë ishte shuar. Ky ishte akti i parë i dramës, do të duheshin në vazhdim disa ndërhyrje, që drita të çlirohej nga mjegulla dhe të ndriçonte syrin dhe buzëqeshjen e Silvanës.
Foto pa koment
Mbas kontrolleve periodike dhe mjekimit ambulator gjendja po stabilizohej. Ajo tashmë ishte me raport në shtëpi, por kohën nuk e kalonte kot lexonte, mësonte anglisht, luante mandolin dhe flaut, të cilat i kishte mësuar në shkollën pedagogjike. Por mësuesinë nuk e ushtroi, pasi u emërua në një fshat të largët, gjë që e refuzoi dhe përfundoi puntore në uzinën e sodës.
Në shëtitjet e saj e shoqëronte nëna, e vetmja mbështetje që kishte mbetur, pasi i jati kishte ndërruar jetë në qeli, ku ishte izoluar për idetë e tij politike.
…E prita gjatë muajve të verës të vitit 1990, të vinte për kontroll mjekësor, por ajo mungonte. E kuptoja se ndijesia emocionale e thellë e mundonte, e vriste çdo ditë dhe ajo kërkonte rrugëdalje.
Ndaj përkulej para objektivit të saj, duke i ofruar çdo sakrificë.
Një ditë duke dalë nga poliklinika, më ndaloi nëna e saj,…Doktor, isha për vizitë tek kardiologu, pasi kam disa shqetësime në zemër, më tha me zërin e dridhur dhe shpërtheu në lotë,…“Silva iku, është futur me një shoqen e saj Erin, në ambasadën italiane për të emigruar. Kërkonte mundësinë për të fituar shikimin diku jashtë, në një klinikë të specializuar. Ajo traumë e transformoi si njeri, jetonte një makth pa fund, duke paguar me pafajësinë e saj, fajësinë e dikujt tjetër. Çka bëri dalëngadalë të tërhiqej dhe të mbyllej në guackën e vetmisë”. Mbeta pa fjalë, e mbështeta në gjoks dhe i emocionuar shqiptova: “Mos u mërzit, kurajo, Silvana do ta gjej rrugën me çdo çmim, për ta realizuar qëllimin. Çuditërisht njeriu është si deti, misterioz dhe enigmatik. Fati i errësoi gjithçka, por ajo po përpiqej ta kthente drejtimin e dritës, mbi të dhe brenda saj”…
Ato ditë lajmet televizive ishin vetëm me kronika tronditëse, diçka po ziente. Në reportazhet nga ambasadat kërkoja me sy Silvanën, po ku mund ta gjeje në atë mori njerëzish, në një turmë të revoltuar, me shprehje dhimbjeje, në ecejaket kaotike. Mbrëmjen e 12 Korrikut, të izoluarit i transportuan me kamiona për në port, ku u imbarkuan në traget, për në Itali.
Pas disa muajsh i detyruar nga kushtet, unë u largova për kualifikim në Greqi dhe atje mbeta. Kështu filli i komunikimit me Silvanën u pre, veç njoftimit verbal të një shoqes së saj, gjatë një vizite mjekësore, se Silvana ishte vendosur në Bari, ku u gjënd nën përkujdesjen e kishës katolike.
…Në majin e vitit 1997 u ndodha në Vjenë, për të marr pjesë në simpoziumin e glaukomës. Në mbrëmje mbasi mbaroi seanca e parë, lamë mbrapa VIECON-in( Vienna Congress Center) dhe me flladin e Danubit pranë, mbas 15 min. me metro, u drejtuam për në qendër, në Katedralen e Shën. Stefanit (Stephansdom). Mua dhe një kolegut tim, na tërhoqi vëmendjen një grumbull njerëzish, që ndiqnin me kureshtje performancën në flaut, të një murgeshe me maskë veneciane të tipit colombina. Interpretonte me pasion “sonatën për flaut të Mozartit” dhe sharmi melodik dialogonte në një sugjestion shpirtëror. Here pas here ngrinte kokën drejt qiellit dhe një tufëz flokësh i mbulonte syrin e djathtë. Për një çast më nguli shikimin dhe vazhdoi kokëulur interpretimin. Spektatorët hidhnin vazhdimisht të hollat në kasetinën e flautit dhe duartrokisnin. Një forcë instiktive me shtyti drejt saj, futa dorën në xhep dhe sa monedha euro kisha, i hodha në kasetinë. Ajo ndaloi për një moment interpretimin dhe një “faleminderit, doktor”, nga një zë i ëmbël, i zhytur në emocione, më shtangu. Rrezet e dritës i shkëlqenin mbi fytyrë. Nën maskë njojta sytë, njojta shikimin. E kaluara në pasazh, ishte rikthyer dhe prekte nën të padukshmen.
Murgesha me maskë veneciane
U ktheva tek vendi im i heshtur, në meditim, ishte ëndërr apo obsesion vizual. Ndërsa ajo vazhdonte të interpretonte, unë mes tingujve të melodisë, skicoja në fantazinë time portretin e menduar. Buzët e saj në vibrim përqafues mbi flaut, improvizonin meloditë e shpirtit, duke përkëdhelur lehtësisht ëndrrat. Ndërkaq kryqi i madh i florinjtë në gjoks, lëkundej si lavjerrës apo metronom, sikur diktonte ritmin gjatë performancës.
Mbas pak minutash recitali përfundoi. Në mirëkuptim, u ndava nga shoku im, i mbetur i vetëm atje, palëvizur, në ngrirje. Ajo rrëmbeu çantën e shpinës, vendosi në të flautin “piccolo” të veshur
në ergjënd dhe rendi drejt meje. Hoqi maskën veneciane, vuri syzet fotokromatike e më përqafoi, jam Silvana, tha dhe u bashkua mes lotësh. Të them të drejtën ishte një e vërtetë, në një surprizë, që e kisha jo të lehtë ta perceptoja. Ndejtëm ashtu mes emocionesh pa folur, duke parë njeri tjetrin, mandej Silvana vazhdoi, “Doktor, të kam një borxh dhe sonte dua ta laj…
Në Restaurantin “Sole”
Jo larg prej këtej rreth 5 min. në këmbë është një restaurant i dëgjuar, me guzhinë italiane ,“Sole” quhet, e një pronari shqiptar, maqedonas. Dëshiroj të darkojmë sëbashku atje”.
U ulëm në një tavolinë jashtë restaurantit, në atë zonë që e emërtojnë “verandë në vitrinë”. Nuk e besonim atë takim surprize.
Kuptova, doktor që muzika të fliste në shpirt, shqiptoi Silva. Eshtë pjesë e preferuar e galaktikës time kulturore, pohova.
Darka e këndshme dhe vera rosé na çliroi nga emocionet. Silva filloi të shpalosi odisenë e rrugëtimit të saj:“ Më detyruan kushtet të largohem e të ndahem nga nëna. Ditët në ambasadë nuk dua ti kujtoj, ishin tepër të ngarkuara me rivers emocionesh. Nata e udhëtimit me anije dhe e largimit nga vendi, ishte e mbushur me nostalgji dhe dhimbje. Ishim shpërndarë grupe grupe mbi kuvertën e anijes, të dërmuar, në udhëtim drejt enigmës dhe me ikonën romantike të perëndimit të diellit këndonim. Dëgjoheshin copëza këngësh, vlonjate, korçare, shkodrane por dhe këngë italiane. Të dukej sikur dëgjohej një radio, në frekuenca të ndryshme valësh. Ishte prekëse, kur një vajzë në polifoni labe, ja mori këngës së mërgimit…“mora rrugën e mërgimit, qaj moj nënë e shkretë qaj”… të gjithë heshtën, dëgjohej vetëm vaji i zgjatur i lotëve, mes psherëtimës. Mbasandej ra nata, të kapitur duke vështruar hënën ëndërronim. Dallgët e detit nuk harronin të na përkundnin. Qetësinë e prishte vetëm zëri i ngjirur i një mesoburri, që ishte liruar nga burgu, i cili përsëriste here pas here, si në një ritual mosbesimi fjalët,“benedetto, maledetto,..la liberta e un’illusione”.
Por ato që më frymëzuan atë natë ishin xixëllonjat, me shfaqjen romantike të papritur, mbi kuvertën e anijes. Me atë dritë të brëndshme e të ftohtë, që ngrohte optimizmin, ndriçonin natën dhe vrisnin errësirën, me zjarrin fluturues. Agimi i mëngjezit na gjeti në Bari. Atje një dramë tjetër, në një kamp izolimi…
Tingujtë e një violine i prenë fillin e rrëfimit. Viena vetëm mes melodish klasike jetonte. Kur ajo pa një mikun e saj Febusin, që luante në violinë. Ai ju afrua “Ou, Nonne (murgeshë) Hesperus (Venus), e veçantë prania juaj këtu”. Kënaqësi takimi me ty, maestro, Febus, perëndi helene e dritës së diellit, poezisë dhe muzikës, ju përgjigj Silva. Mandej i ofroj atij, një gotë verë. Kur Febusi po largohej bashkë me tingujtë melodioz, ajo me spjegoi se ai ishte violinist në kishën e Shën Petros (Peterskirche), ku ajo shërbente dhe emri Hesperus ju bë pseudonim. Febusi e kishte “pagëzuar” Silvën me emrin Hesperus (Venus), pasi i shëmbëllente me skulpturën helene të Praksitelit. Por ai kishte një anomali ishte pigmalionist, kishte pasionin erotik, të prekte dhe të përkëdhelte skulpturat pareshtur.
…Mandej Silva vazhdoi “konfesionin”, mesa duket udhëtimi mbi kuvertën e anijes më shkaktoi shqetësime në sy, skuqje, lotim dhe mjegullim të shikimit në syrin e mbetur, kështu kërkova disa herë vizitë mjekësore tek okulisti. Më çuan me makinë të shoqëruar nga una donna poliziotto. Doktori pasi më vizitoi, më dha recetën dhe më këshilloi për operacion, i cili do të ishte i komplikuar. Kur ikëm nga doktori, i thashë e prekur zonjës…Mund të mbahem tek krahu juaj. Patjetër, më tha duke buzëqeshur, mandej mori recetën dhe u futëm në një farmaci aty pranë. Kur më dha ilaçet, më tha: “Më vjen keq. Ti nuk je për në kamp”.
Me petkun e murgeshës
Shkruajti diçka shpejt në një letër. I hipëm makinës dhe më la jashtë tek hyrja e katedrales të San Nicola-s, duke me spjeguar se çfarë do të bëja. “Bashkë me ilaçet, ajo zonjë më fali lirinë, aq të dëshiruar, aq të ëndërruar”.
Kështu u ndava dhe me Erin, shoqen time të ngushtë, mbeta vetëm. Në katedrale me pritën me dashuri e ngrohtësi, aty rilinda, për mua filloi një tjetër jetë. Perfeksionova gjuhën italiane dhe muzikën, merrja pjesë në liturgji, në recitalet kishtare të muzikës , mësova sjelljen xhentile dhe ekonominë kolektive, ishte një shkollë për mua. Sa here mbetesha me orë të tëra, duke u lutur në bazilikën e San Nikolas, mes admirimit të afreskeve murale, me relievet e praruara të stilit Barok dhe skulpturave magjepëse.
Bashkë me madren superoire, që ishte krye murgesha ndihmonim emigrantët, gjithashtu përkujdeseshim për fëmijët ipovedenti, me shikim të ulët dhe con autismo, në Istituto di ragazzi. Atje njojta një fëmijë jetim, me origjinë arbëreshe, me shikim të ulët, por tepër i zgjuar, Antonion, të cilin e ndihmoja në edukimin e tij, më dukej si pjesa ime. Mbas tre muajsh më propozuan të bëhem murgeshë, unë e pranova, jo vetëm si të vetmen rrugëdalje. Propozimi u bë nga shoqja ime me përvojë, motra Paola, e cila më kishte në kujdes. Më pajisën me permesso di soggiorno, kështu që mund të qarkulloja e lirë. Me kursimet e mia i dërgova një pako, ëngjëllit tim në tokë, nënës time të dashur, ku futa dhe një kasetë të Ch.Aznavurit me këngën rrënqethëse “La mamma” dhe një ndihmë të vogël monetare,…Këtu ajo bëri një pauzë dhe u përlot!
Gradualisht shikimi në të vetmin sy mu pakësua mjaft, aq sa më duhej të lëvizja e shoqëruar. Kështu që mendoja për operacionin në sy, nga një doktor i aftë dhe me shpirt. Ky ishte dhe objekivi im jetësor, jetën në emigracion unë nuk e pashë si format të një turizmi erotik. Një mbrëmje dimri, me rekomandimin e kryemurgeshës dhe e shoqëruar nga Paola, lashë Barin dhe me trenin e linjës internacionale udhëtuam për në Vjenë. Kontrollin në kufi e menaxhoi me zgjuarësi Paola dhe ne e kaluam pa problem, pasi unë nuk kisha vizë dhe emri albanese mbeti në hije. Në Vjenë na priste motra Olivia, me makinën e saj, që do të na çonte në Klosterneuburg Monastery, i cili ndodhej në një luginë pranë Danubit, 12km larg nga Viena. Aty njojta një mentalitet tjetër, respekt e mirësjellje thjesht tipike. Mbas disa ditësh më shoqëruan për vizitë oftalmologjike tek Prof.Günther G., mjek i dëgjuar jo vetëm në Austri…Dr.Günther G. është dishepulli i Prof.Graeve, eminencë e shquar botërore, plotësova unë. Përfundimisht ai kreu me sukses tek mua, një operacion të komplikuar, për glaukomën, largimin e kataraktit me implantim të lentes dhe keratoplastikë, me humanizëm e nivel shkencor.
Unë nuk u përmbajta, dëgjo Silva “Pa imgjinatën, iluminimin, krijimin, përparimi i shkencës nuk do të ishte i mundur, por ato hynë në shkencë vetëm fshehurazi”,…kështu citon filozofi shekullor francez Edgar Morin, gjë që e përjashton komentin.
…Por ajo nuk mund të ndalte, ishte si një katarakt, që rridhte nga portat e hapura të shpirtit dhe të spërkat me dhimbje e lot.
Doktori më këshilloi që të paktën për një vit, duhet të isha pranë tij, në kontroll të vazhdueshëm, vazhdoi Silva. Kështu që kisha katolike më transferoi në Peterskirche, rrethuar nga lule bore, tulipanë, trëndafila, rreth 5 minuta larg prej këtej. Doktor, nuk mund ta përshkruaj momentin kur pashë dritë, pashë imazhe, ajo dritë më ndriçoi jo vetëm syrin, por dhe shpirtin. Gjatë telefonatës me mamanë pas operacionit, fjalët tona i mbytën lotët dhe emocionet e gëzimit…
Për një çast ju këput ritmi i rrëfimit, mbeti në meditim dhe mandej vazhdoi, unë nuk e konsiderova jetën time si tragjedi, megjithë notat tragjike që kishte, por i dhashë sa munda pasion dhe lirizëm poetik, që ta shuanin dhimbjen. Mbase ishin të bukur sytë e mi, por unë nuk dija ku të shikoja, gradualisht kuptova filozofinë e jetës, duke sakrifikuar rininë time dhe gjeta një mbështetje. Tani doktor, më duhet të bëjë dhe diçka tjetër suplementare, për ti siguruar anën financiare mamasë, pasi ajo do ti nënshtrohet një operacioni të rëndë. Ndërkaq mua më duhet të sakrifikoj kohën e lirë, megjithëse e lodhur, të jap recital muzikor në rrugë, duke ndarë përditshmërinë time. Nëse flauti është gravitacion i fuqishëm për mua, nëna ime është burim oksigjeni,…bëri një pauzë dhe uli kokën. Nuk është kollaj të divorcohesh nga e kaluara, si në metalitet dhe në vizion.
Kisha mbetur i befasuar, nga rrëfimi i saj. I shtrëngova dorën dhe i thashë: “Ti jep një mësim për të gjithë… Në botën e sotme që vazhdimisht tkurret, këto eksperienca kthehen në leksione. Në këtë moment mendova, se nuk mund të largohem nga Vjena pa të vizituar. Dhe mundësia më komode është që nesër në mëngjez në orën 9, të jesh në VIECON, në pallatin e kongresit, rreth 10 min. me metro. Besoj se ndonjë kompani në ekspozitën e aparaturave, do të ma japi këtë mundësi”. Mbasi shprehu kënaqësinë, më përqafoi. U larguam në heshtje, ajo për në Peterskirche aty pranë, ndërsa unë për në hotel “Mozart”, rreth 3 km prej këtej, ku ishim akomoduar.
Të nesërmen e vizitova me një aparaturë moderne, në hollin e kogresit. Mu mbush zemra me kënaqësi, kur konstatova rezultatin e operacionit të trefishtë, aq të kompikuar. Normalizimi i tensionit të syrit, transparenca e transplantit dhe mungesa e dëmtimeve në strukturat e thella, aktualisht siguronin një shikim cilësor, por mvarej nga rezistenca e transplantit në dinamikë. Veç më bëri përshtypje, kujdesi që kishte treguar kolegu dhe për syrin tjetër, pa funksion, me tatuazhin korneal estetik, që të mos stononte. I dhashë Silvës këshillat e duhura dhe u ktheva në sallën e kongresit…
Në mbasdite papritmas tingëlloi melodia e celularit, ku zëri i Silvës, më ftonte të shkoja në Peterskirche, pasi kryemurgesha kishte shfaqur dëshirën, për tu takuar me të.
Shkova, kur u futa në katederale u befasova nga arti në perfeksion, që mëshirohej mbi afresket, skulpturat dhe pikturat relizhioze. Aty të ulura bashkë, Silva dhe madre superiore më prisnin. Biseduam ndamë mendime dhe opinione, në ndarje ju luta kryemurgeshës të tregonte kujdes për Silvën, pasi veç nënës, vetëm Madonnë-n kishte. Ajo më shihte vëmendshëm, mandej duke më kryqëzuar në ballë, më dhuroi një kuti me kryq floriri në të. Kështu mes emocioneve u ndamë me Silvën…
Silva vazhdoi të jetonte intensivisht një “tjetër” jetë, me detyrimet fetare, me recitalet e muzikës, ndërkaq mori dhe patentën për drejtim makine. Më vonë me kursimet e saj, bleu një veturë të përdorur Volkswagen mini, në ngjyrë të bardhë, me të cilën shkonte në monastir dhe kryente gjithë detyrimet e ditës.
…Pranvera e mbushi me optimizëm dhe dëshira e malli për të takuar nënën, ju kthye në vendim. Por donte udhëtimin ta bënte me makinën e vet. Bisedoi me kryemurgeshën, e cila e këshilloi të mos udhëtonte me makinën e saj, veçanërisht në Alpet. Kur pa insistimin e Silvës, i propozoi ta bënte tranzit, por me intervale pushimi. Kështu një ditë të premte, herët në mëngjez u nis me makinën e vet nga Viena dhe mbas 5 orësh mbriti në qytetin e vogël Villach, ku nuk pushoi por vazhdoi udhëtimin rreth 2 orësh, për në Alpet Julian, në Sloveni. Mbas kontrollit doganar, vazhdoi rrugën, në qafën përreth vargmalit të Karawanksit, që mes magjepsjes fshihnin dhe enigmën. Shtoi shpejtësinë, pasi e pushtoi ndjenja e padurimit, për të takuar nënën. Duke soditur atë imazh piktoresk, dy pejsazhe në një tablo, majat e maleve me dëborën e bardhë e të shndritshme ngarkuar, me livadhet përreth plot lule zbukuruar. Ndërsa në një moment ndodhej para imazhit madhështor të dimrit, në vazhdim skena papritmas ndryshohej dhe ajo befasohej me romantikën poetike të pranverës.
Kur po kalonte në Vrsic Pass, në lartësi 1600 m, mes kthesave të forta, hasi mjegullirë të dendur dhe autostradën e lagur. me trafik të pa parashikuar…
Mbingarkesa ndijore, ankthi dhe paniku e pushtuan. Pas pak makina rrëshqiti dhe ajo tentoi të frenojë. Në një kthesë të fortë, makina përsëri nuk ju bind dhe nga shpati i pjerrët shkëmbor, befas doli nga rruga dhe fluturoi në greminë. U dëgjua një zhurmë metalike e vazhdueshme, në përplasje intonacionesh. Si kombinim i kimbal dram, me ksilofonin në një orkestër, që predikonte kulmin e momentit dramatik dhe fundin e një ballade.
Skena e tragjedisë
Silva fluturoi papritur në krahët e mortit, sfida e fundit e përmasave epike, e mori me vete…
Emegjenca slovene MRSS (mountain rescue), me helikopter dhe makinat e mëdha zjarrfikëse, mes sirenave të alarmit, filluan shpejt kërkimet. U vu në funksion dhe “gondola ski”, e cila me kabllin e saj ulej deri poshtë. Ndërkaq në thellësi të greminës, tymosnin të shpërndara copat e makinës, ngjyra e bardhë e Volkswagenit kishte humbur. Kërkonin me orë të tëra të gjenin Silvën, por më kot, ajo nuk u gjend. Pranë luleve plot ngjyra që qëndronin si kurorë dhe xhameve të thërmuara të makinës, si kristale diamantesh, shkëlqente vetëm kryqi i artë dhe çanta e zezë dermatini. Në të kishte axhendën personale, një zarf me lekët për operacionin e nënës, mbuluar nga një foto bardhë e zi, ku ajo qëndronte e buzëqeshur pranë nënës, në bregdetin e Vlorës dhe dhurata e nënës, shamiza e qëndisur me inicialet SA.
Dy jetë dhe një brengë në një çantë, mes një ëndrre të mbetur përgjysëm…Dëshirën e madhe të Silvës, e mposhtën mungesa e përvojës dhe kushtet e terrenit, që e kthyen atë, në një tragjedi me fund fatal.
… ajo çka mbeti
…Atë ditë ishte 8 Marsi, festa e gruas dhe unë me një karafil të kuq në dorë, i urova sime shoqe festën. Qeshnim dhe bënim shaka, kur tingëlloi zilja e celularit tim. Dëgjova një zë të dridhur, në tinguj të trishtë, ishte krye murgesha e cila më njoftonte mbi fundin tragjik e makabër të Silvës, në kilometrin e fundit të jetës…
Karafili më ra nga dora, u mbështeta në kanape i befasuar dhe nuk i mbajta lotët. Impakti emocional dhe psikologjik nuk u shuan. Ajo më informoi gjithashtu, se do të udhëtonin për tek nëna e Silvës, që ti dorëzonin “amanetin” e saj, pasi Silva mungonte. …Ajo si fluturë e qëndisur në mendje dhe në zemër, fluturonte në qiej, duke koncertuar me flaut mes ëngjëjve.
