PËLLUMB VREKA
1977. Në Marinëz shpërthen një pus naftë si kurrë më parë. Me lartësi disa dhjetëra metra e me një fuqi flakë të fuqishme. Por ne do të ndalemi pak më poshtë për këtë çështje unike në historinë e puseve të naftës, duke i dhënë mundësi lexuesit të shuaj kuriozitetin me historikun e pusit të parë në Shqipëri. Në vitin 1918, në Drashovicë të Vlorës, fshatarët kishin vërejtur bulëzime të vogla nafte të cilat pak nga pak krijonin pellgje goxha të dukshme. Në ato vite, Vlora përjetonte një zhvillim të vrullshëm tregtar si një port shumë i afërt me Brindisin. Ndërmjet tregtarëve e zejtarëve në Vlorë pa dyshim që kishte edhe turistë italianë. Njëri prej tyre Leo Madalena, në kafene dëgjonte bisedat e fshatarëve të fshatrave përreth, ku disa syresh shpreheshin të habitur se si në fshatin Drashovicë bulëzonte toka duke shfryrë naftë. Leo si gjeolog profesion u bë kurioz dhe u shtrua në muhabet me fshatarët. Doli që bulëzimet, sipas eksperiencës së tij, ato të tregonin se nën to, në thellësi të tokës padyshim që kish…. Naftë.
Menjëherë shkoi në fshat dhe pasi bëri verifikimin, niset për Itali, ku kontakton me mikun e tij, inxhinierin gjeolog Edoardo Amoreti. Pasi e diskutuan me njëritjetrin, grumbulluan pajisjet e shpimit dhe së bashku me gjeneratorë të fuqishëm e mbajtën frymën në fshatin e Drashovicës. Fshatarët ngaqë nuk e kishin haberin se përse bëhej fjalë u treguan indiferent për atë çka po ndodhte. Italianët ngritën kampingun dhe së bashku me fshatarët e punësuar i hynë punës për shpimin e tokës atje ku ajo bulëzonte. Pas disa muajsh punë intensive, rezultati ishte mbresëlënës duke nxjerrë… Naftë. Meqenëse zona ishte pak e veçuar nga fshati dhe se nxjerrja e naftës ishte diçka e paparë, fshatarët nuk u thelluan shumë për të ditur se ku flinte lepuri. Ku ishte shpimi i parë në historinë e Shqipërisë.
Italianët nxorën për disa ditë gati nga tremijë litra në ditë e ambalazhonin në fuçi dyqind litërshe dhe nëpërmjet Vlorës e nisnin për në Itali. Mirëpo kishte një problem tepër madhor, po afronte Lufta e vitit 1920 dhe puna kurrsesi nuk mund të vazhdonte më. Kështu mblodhën “plaçkat” dhe u larguan për Itali, duke mbajtur sekret gjithçka kishte ndodhur në Drashovicë. Pas mbarimit të Luftës diku nga viti 1924 italianët u kthyen përsëri tek vendi i “Arit të Zi”. Tashmë oreksi ishte më i madh, ata zgjeruan zonat e kërkimit për naftë pasi ishin inxhinierë të mirëfilltë. Kërkimet i çuan në zonën e Marinzës. Sipas ligjit ndërkombëtar, e drejta e posedimit i takon atij që e zbulon i pari, kur toka është pa zot, siç ishte Shqipëria në vitin 1918-1920. Pa kontroll territorial. Kjo i ngjan historisë së rumunit Dragan Monesku i cili si bari dhensh në Sardenjë, zbulon një pus gazi dhe u bë pronar i saj. Në vitin 1996 kur e kam takuar personalisht, zotëronte gjigandin Italian “Butan Gaz”. Ato ditë unë e çova Draganin tek ish-kryeministri A. Meksi i cili e joshi duke i mbushur mendjen të hapte pranë ndërmarrjes së lëndës djegëse në Tiranë, një filial të “Butan Gas Tirana”, kot fare, pa pikë rezultati.
KËRKIMET E TË HUAJVE
Italianët erdhën, por kësaj here ishin së bashku me gjigandin AIPA të naftës e gazit. Me fillimin e punës me zell të madh pronarët e AIPAS po fitonin pa hesap dhe reklamën e bënin të madhe. Kjo ngjalli xhelozi tek kompani Simotra të Aipas, të cilat ishin APOC e Anglisë, apo kompania SFA e Francës. Mall pa zot, kush të donte shponte, merrte dhe dërgonte jashtë. Konkurrenca ishte e madhe, prandaj të dy kompanitë e tjera Angleze e Franceze pas vitesh pune u larguan duke lënë kështu të gjithë pasurinë nëntokësore në dorë të AIPA-s.
Në vitin 1929, AIPA, nxirrte gati shtatë mijë ton naftë bruto dhe nga viti 1934 nxjerrja arriti në nëntë mijë ton Naftë. Në vitin 1946 qeveria Shqiptare shtetëzoi të gjitha kompanitë e huaja që operonin në Shqipëri si në naftë ashtu edhe në sektorët e tjerë të ekonomisë. Më vonë kjo iu besua fillimisht Sovjetikëve e më vonë akoma, Kinezëve. Petrokimia e Ballshit tashmë e vjetruar përpunonte naftën, me parametrat e asaj kohe, megjithëse nafta jonë bruto përmban, sipas specialistëve, squfur tip “ULSD”. Për këtë në paradat që zhvillonte herë pas here byroja Politike, për makineritë e mjetet e blinduara po ashtu edhe për avionët, (për këta në çdo kohë), importonte naftë e vajguri avionësh nga Rumania.
Në fusha të ndryshme pranë objekteve strategjike ndodheshin të sistemuara në çdo kohë rezerva në fuçi dyqind litërshe me naftë e vajguri si….Sardelet në kuti. Bile në një rast në Kinostudio midis fuçive shpërtheu (nuk u mor vesh kurrë), një zjarr aq i fuqishëm sa që disa fuçi dyqind litroshe fluturonin në… Ajër. Nejse, rafineria, grupet e inxhinierëve dhe e teknikëve punonin me kapacitet të plotë pasi qeveria, kryesisht Byroja Politike, e shikonte naftën si një burim të pashteruar të ardhurash neto. Por si në shumë sektorë të tjerë, kur kishte dështime në kërkim-shpimi, sipas Byrosë Politike, e personalisht të Enver Hoxhës, përgjegjësia binte direkt tek ata që udhëhiqnin punën. Më konkretisht, u dënuan si sabotatorë, Lipe Lashi, Koço Theodhosi, Abdyl Këllezi etj., të cilët u eliminuan me vdekje. Në petrokiminë e Ballshit prodhohej naftë e benzinë për makineritë, Mazu, për furrat e djegies, ndërsa në Selenicë Bitumi ishte (edhe sot) me sasi të jashtëzakonshme si elementi bazë për asfaltim të rrugëve. Duhet pranuar fakti që sasi të mëdha nafte, Bitumi, e Benzinë shkonin drejt Kinës si klering për makineritë e pajisjet që dërgonte Kina në kuadër të tregtisë midis dy vendeve. Kina është një vend me mangësi karburantesh prandaj nevojat e saj i plotëson me importe, për këtë është vënë ballë për ballë me SHBA-në për zona influence si në Panama, Venezuelë e së fundmi në Iran. Në vitin 1974 Shqipëria prodhonte afro dy milion e katërqind mijë ton Naftë. Një prodhim goxha i madh krahasuar me kushtet tona, kur edhe specialistët e inxhinierët kinezë tashmë ishin larguar nga vendi ynë. Thellësia maksimale e shpimit të një pusi në vendin tonë arriti gati gjashtëmijë metra.
PUSI NË MARINËZ
Në vitin 1977 u shpua në Marinëz një pus për nxjerrjen e naftës, i cili ishte disi i veçantë. Shpërthimi jo vetëm ishte tepër i fuqishëm, por edhe shumë lartë, disa dhjetëra metra duke u ndezur nga gazi i cili i paraprin gjithmonë naftës. Gjatë daljes pusi ishte i thellë afro tremijë e dyqind metro i thellë. Deri këtu çdo gjë shkoi mirë, tani vinte “Thela mbi bisht”, thotë populli, fikja e pusit i cili gulçonte duke u shfryrë në atmosferë me një flakë të shndritshme, që dallohej me kilometra të tëra! Euforia e qeverisë Shqiptare ishte e menjëhershme, propaganda në gazetën e partisë, “Zëri i Popullit” nuk reshte së shkruari, thuhej se në takimin e pasditeve tek shtëpia e partisë, ku mblidheshin anëtarët e kandidatët e Byrosë Politike, Mehmet Shehu, aso kohe kryeministër i Shqipërisë, në një moment ekstaze kish deklaruar se: “Tani me këtë pus, populli do hajë me lugë floriri”! Faktikisht, fuqia e shpërthimit dhe lartësia e naftës që del në atmosferë gjithmonë tregon që rezerva nën tokë është shumë e madhe.
Inxhinierët e teknikët, organet drejtuese në sektorin e naftës morën menjëherë urdhër që të mbyllnin menjëherë pusin. Një fjalë goje e lëshuar nga zyra. Baza poshtë e shikonte me frikë këtë iniciativë e detyrë e vënë nga partia për shkak të rrezikshmërisë e të vështirësisë që paraqiste mbyllja e pusit.
Në vendin tonë praktikohej gjithmonë hedhja e një sasie të madhe të dheut në grykë të pusit duke i “Zënë frymën”, kjo zakonisht në puset me shfryrje normale bëhej me buldozer. Por, në këtë pus, buldozeri nuk bënte punë, temperatura rreth pusit ishte shumë e lartë, as veshjet e naftëtarëve prej askesti (Amianti) nuk bënin efekt. Mbetej vetëm variant i hedhjes me kamion vetëshkarkues të disa toneve Argjil.
Argjili, është material Monolit, bllok dhe kur bie, bie njësh si një material taposës. Deri këtu eci puna, tani problemi tjetër i radhës ishte, “Thembra e Akilit” kush do drejtonte kamionin me ngarkesë sepse në shumë raste, pas shkarkimit, vala goditëse gjatë taposjes kishte fuqi të madhe duke e flakur tej kamionin si një lodër.
Flaka kërkonte një bllokim të menjëhershëm të flakës së pusit, identike me një bombol gazi e cila ka marrë zjarr duke çuar flakën përpara disa dhjetëra metra, kjo pasi presioni i gazit në brendësi të bombolës është gjashtë Atmosferë. Në pamundësi të mbylljes së rubinetit duhet me patjetër një batanije e lagur e cila duke e hedhur mbi bombol i zë frymën flakës dhe kështu mund të mbyllet rubineti. (Gazin për herë të parë në Shqipëri e kam futur unë, duke e importuar nga “Petrogazi” i Greqisë). Pra, praktika e fikjes së pusit është tampon me emrin Argjil.
Diskutimet në shtëpinë e partisë ishin të shumta, ndërkohë meqenëse ngjarja mori dhenë edhe për shkak të propagandës në shtyp si çështje e ditës, qeveria Italiane i ofroi qeverisë Shqiptare ndihmë me mjete e specialistë për fikjen e pusit. Edhe Sadam Hyseini në Irak, gjatë Luftës së Gjirit u vuri zjarrin pothuajse të gjithë puseve të naftës, por, ishin inxhinierët mjeshtra të Kuvajtit, të cilët i fikën të gjithë pa përjashtim. Edhe Italia kish specialistë (Italia e Franca punonin me Libinë për eksperiencë pusesh). Mirëpo, kujt ia ofronte ndihmën qeveria e Italisë, qeverisë Shqiptare, ndihmë nga një vend kapitalist, mos o Zot, po ne ishim të vetmit në Botë që deklaronim se “Ndërtojmë Socializmin duke u mbështetur tërësisht në forcat….tona”!
DISKUTIMET E BYROISTËVE
Diskutimet mes anëtarëve të Byrosë, (sipas bisedës me ishanëtarin e Byrosë Politike, Haki Toska, gjatë kafesë së radhës), vazhdonin, por tek e fundit, ishte Enveri ai që do vendoste çdo bëhej më tej, ndërkohë ditët kalonin dhe pusi nuk ndalonte së djeguri. Edhe në diskutimet e ndërmarrjes së naftës në Fier, nuk pati ndonjë vullnetar të kryente atë punë të vështirë me rrezik jete. Djegia me ditë të tëra tregonte se sasi të mëdha nafte po shkonin dëm, dhe përse, për faj të partisë e cila nuk pranonte ndihmën e shtetit Italian. Pasi kishin kaluar afro 15 ditë që pusi digjej, njëri nga anëtarët e Byrosë Politike, konkretisht Pali Miska, propozon që ai të shkojë në bazë dmth., në ndërmarrje e t’i japë drejtim këtij ngërçi, të pakuptimtë.
Enveri e miratoi propozimin e Palit. Të nesërmen, ‘Benzi’ i zi, i Pali i Miskës mbërriti në oborrin e ndërmarrjes së naftës në Fier. Kolektivi ishte dyndur në sallën e mbledhjeve ku do fliste Pali Miska. Tavolina ishte e mbuluar me beze të kuqe, një kanë me një gotë pranë rrinin në heshtje. Në sfond ishte parulla: “Ndërtojmë Socializmin duke u mbështetur tërësisht në forcat tona” dhe poshtë saj, i zakonshmi, busti i Enver Hoxhës prej allçie që shikonte nga salla. Hyri Pali, salla shpërtheu në duartrokitje frenetike që vazhduan dy a tre minuta, dërisa Pali, bëri me shenjë: Uluni dhe u ul edhe vet. Pasi u fashitën duartrokitjet dhe u vendos qetësi absolute, kua as “Miza nuk pipëtinte”, e mori fjalën Pali, i cili e filloi me kujdesin e Partisë ndaj naftëtarëve, sakrificave të tyre në terren të vështirë tek puset, ujë, baltë e naftë. Si dhe kujdesin që ushtronte partia ndaj tyre, kaloi në temën e ditës: Si të fikim flakët e këtij pusi kapriçoz?! Diskutimet ishin të shumta, secili jepte një version apo variante si e gjykonte ai. Pati edhe propozime për të kërkuar ndihmën e ndonjë shteti neutral si Libia, ku herë pas here qeveria dërgonte delegacione për eksperiencë apo bazë materiale.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, ashtu si dhe në shumë shtete të tjera, (Kinë, BRSS, Austri etj.), pati edhe dënime si rasti i inxhinierit të talentuar në naftë, Enriko Veizi i cili u dënua vetëm se piu një kafe me një inxhinier nafte Libian, në pushim të diskutimeve. Pasi mbaruan diskutimet, Pali doli në shteg për të cilën kishte ardhur në Fier: – Kush nga ju pranon të ngasë kamionin vetëshkarkues për në grykën e pusit. Qetësia ra si në fillim të fjalës së tij. Shoferët nuk ndiheshin pasi e dinin mirë rrezikun me jetë të atij aksioni. Pali foli e foli për shërbimin ndaj popullit e partisë. Vetëm sa nuk përmendi edhe sloganin: “Edhe jetën japim, për partinë”. Pas 4 orësh, u ngrit një shofer, R. Osmani, i absolute cili kërkoi t’i jepej fjala. Salla ngriu. Tamam si Oliver Tuisti, kur mes të dhjetëra fëmijëve, pasi i kish marrë racionin e supës, kërkoi edhe një racion tjetër. Veçse këtu salla ngriu sepse R. Osmani ishte i rritur dhe kërkonte fjalën. Pali u çel, duket që erdhi lepuri në shteg.
– Urdhëro e fol, – vazhdoi Pali. Ke diçka konkrete ti?
– Po, tha shoferi. Unë dal vullnetar të ngas kamionin vetë shkarkues për në grykë të pusit. Kaq ishte. Shoferi u gjet. Misioni i Palit u krye me sukses. Pali doli i kënaqur nga misioni dhe mezi priste t’i jepte lajmin Enver Hoxhës për zgjidhjen e ngërçit. Pas shtatëmbëdhjetë ditësh djegieje në hava, të nesërmen u përcaktua kamioni, u kontrollua edhe një herë gjendja e tij teknike dhe iu dorëzua shoferit iniciator, për të mos i ngrenë hakun, u tregua trim, duke marrë me sy edhe mundësinë e humbjes së jetës.
Në orën X, kamioni i ngarkuar me disa tonë Argjil u nis drejt pusit, ku më parë në një perimetër sigurie e prisnin punonjësit e ndërmarrjes dhe populli i zonës. Kërshëria, kurioziteti si dhe çudia se çdo të ndodhte i mbante të gjithë me sytë drejtuar nga kamioni, i cili filloi të shkonte drejt pusit me indietro. Shoferi ecte ngadalë nga dalë dhe kur u afrua disa metra para grykës së pusit, si veteran i zanatit të tij, i dha gaz makinës por, njëkohësisht ngriti karrocerinë dhe frenoi në sekond te pusi. Ngarkesa ra direkt tek gryka e pusit, Argjila bllokoi daljen e flakëve por, goditja e valës nuk mungoi, kamioni u shty para disa metra jo vetëm sepse ishte në afolio, por, edhe për fat që vala goditëse erdhi vetëm nga pas, shtyrja ishte e fortë, duke e ngritur kamionin në ajër mbështetur në dy gomat e para. Operacioni doli me sukses. Të gjithë, populli, punonjësit, drejtuesit e ndërmarrjes, të partisë dhe vetë Pali Miska shpërthyen në duartrokitje të forta.
Disa punonjës, kolegë të shoferit, vrapuan duke e nxjerrë atë nga makina e duke e marrë në krahë. Gëzimi ishte i papërshkrueshëm, përqafime e urime të shumta. Pali u afrua dhe personalisht përgëzoi shoferin duke i rrahur shpatullat. Pastaj u kthye nga Drejtori i Përgjithshëm dhe e porositi, që nesër në të njëjtën sallë të ishin gati për mbledhje se do vinte vetë.
Të nesërmen në ora 12:00, Pali zbriti nga ‘Benz’-i dhe u drejtua për nga salla. Duartrokitjet nuk munguan, brohoritjet, “Parti-Enver” nuk reshtnin përderisa Pali bëri me shenjë të uleshin. U vendos qetësia. Diskutime nuk do kish më, fjala do ishte vetëm e Palit, por, se çdo thoshte, një zot e dinte. Pasi foli për heroizmin e shoferit, protagonist i asaj “Aventure”, me rrezik jete, për, kujdesin e partisë ndaj tyre. Për marrjen shembull të të tjerëve nga shoferi në fjalë, u shpreh:
– Partia duke vlerësuar aktin heroik të shoferit të ditës, partia propozon që ai të shpërblehet duke u transferuar nga Parku i Shoferëve të Ndërmarrjes së Naftës, në Parkun e Transportit “TIR”.
“TIR”, ishte ndërmarrje kamionësh për “Transport Internacional”, ku shoferët zgjidheshin jo vetëm si specialistë por edhe me biografi të mirë, dmth., pa cen. Pra, ishte një privilegj. Në pamje të parë sot, nga shofer nafte në shofer transporti duket si diçka e rëndomtë. Por, jo, atëherë shoferi i kamionit “TIR”, Futbollisti, Marinari, Ansamblet, ishin sektorë ku dilje jashtë shtetit.
Shikoje botën me sy. Blije çdo gjë që e shikoje të nevojshme sidomos TV me ngjyra, magnetofonë, hekur për hekurosje, rroba të veçanta, shkurt ato që nuk ndodheshin në Shqipëri. Më e pakta një pako çamçakëz, një palë letra, një stilolaps. Mos e pyet. Dilje nga pylli i errët, për pak kohë, në fushën me lule!! Faktikisht shoferit sipas (Haki Toskës, gjatë bisedës, i ishin propozuar nga Sekretari i Partisë së ndërmarrjes dy variantet:
– Ose të pranonte një shpërblim monetar shoqëruar me një autorizim për TV me ngjyra, ose të pranonte “TIR”-in. sigurisht shoferi kush zgjedhur këtë të dytën, pasi ia dinte mirë vlerën atij sektori. “TIR”-i kryente transport të prodhimeve të fushës Fruta-Perime, por edhe transport të prodhimeve artistike për në panairet ndërkombëtare. Kështu ai filloi punë pranë “TIR”.
Këtu përfundon edhe historia e veçantë e pusit Kryeneç. Ama populli nuk hëngri dot me lugë floriri. Ekonomia pas vitit 1976 kur u prishën marrëdhëniet me motrën e madhe, Kinën, kishte marrë të tatëpjetën. Ballshi tashmë, me teknologji të vjetruar nuk mund të siguronte as pjesë ndërrimi pas marrëdhëniet me Kinën në sektorin e industrisë kishin kohë që ishin në kuotën Zero!
/Gazeta Panorama



O zotri nuk kam nevoje te lexoj budallalleqet tuaja ketu,ne qofte se atehere ndodhnin nje rast ne nje qind, tani ndodh 95 ne 100 dhe jo vetem ne shqiperi po ne te gjithe boten kapitaliste,qe nga nje vend i qelbur pune deri tek institucionet me te larta shteterore kerkohen favore seksuale,prandaj mos beni propaganda te kota se nuk i ha njeri keto
Ndersa,po qe se ka thene per te derguaren e zotit ,merjemen (Marien) ato fjale ,te jesh i bindur se nuk e le i madhi zot pa e ndershkuar.