Me moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur protestën në Prishtinë, ku ka ftuar mbështetësit e saj dhe qytetarët në përgjithësi, që t’i kundërshtojnë politikat e presidentit Hashim Thaçi në dialogun me Serbinë dhe angazhimet e proklamuara për ndryshimin e kufijve.
Live: Protesta e Lëvizjes Vetëvendosje
Masa është tubuar para Bibliotekës Kombëtare, për të vazhduar drejt qendrës së Prishtinës.
Turmës i priu lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti i shoqëruar edhe nga deputetët e këtij subjekti politik si dhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani dhe Haxhi Avdyli.
“Kjo është protesta e popullit të Kosovës kundër aventurave, akrobacioneve e lojërave të rrezikshme të këtij presidenti”, tha Kurti, ndërsa po i printe turmës.
Ai tha se presidenti Thaçi po bën gjeste e inskenime, të cilat sipas Kurtit mund të jenë komike, por me pasoja tragjike.
Pasi që turma prej disa mijëra vetash ka marshuar nga Biblioteka Kombëtare në qendër të Prishtinës, fillimisht është intonuar himni kombëtar shqiptar.
Aty, fillimisht ka folur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci. Pasi që ka rrëfyer për të kaluarën e saj dhe humbjen e 16 anëtarëve të familjes gjatë luftës së fundit, Bogujevci tha se angazhohet që qytetarët e Kosovës të trajtohen me dinjitet.
“Është derdhur shumë gjak për të ardhmen e Kosovës dhe sot nuk duhet të lejojmë që një njeri të vendosë për të ardhmen e këtij vendi”, tha ajo, duke iu referuar presidentit Thaçi.
Bogujevci tha se e kundërshton idenë e Thaçit për, siç tha ajo, “shkëmbim të territoreve”, duke potencuar se Kosova nuk i ka borxh asgjë Serbisë.
Fjalimet në binën e improvizuar, u ndërprenë shpesh me brohoritjet, “Poshtë Hashim Thaçi”, “E duam Luginën sa Prishtinën”, “Trepça është e jona”, “S’duam ndarje”, e brohoritje tjera.
Me brohoritje të shumta e duartrokitje është pritur fjalimi i liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti. Ai iu drejtua masës duke thënë se “ne jemi të zëmëruar si rrallë herë më parë, por edhe të bashkuar si rrallë herë më parë”.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë fjalimit para protestuesve
“Pavarësia është dashur të jetë liri për qytetarët në shtet të zhvillimit, e jo liri për pushtetarët në uzurpimin e shtetit”, theksoi Kurti.
Qeveria po rritet, e shteti po na zvogëlohet, tha Kurti, duke ftuar qytetarët që të kundërshtojnë këtë fenomen.
“Kosova është shtet i kapur. Çlirimi nga okupatori i huaj, na u zëvendësua me zaptimin prej uzurpatorit tonë, i cili po bashkëpunon ngushtë e pa ndërmjetësues me atë okupatorin e huaj”, tha Kurti.
Ai kritikoi edhe politikat financiare, arsimore dhe ato në fushat e shëndetësisë, duke tërhequr vëmendjen se një gjendje e tillë po sjell si dukuri vullnetin e të rinjve dhe kuadrove kosovare për të lëshuar Kosovën.
“Me hajna nuk ka shtet”, tha Kurti, duke potencuar se shumica e popullatës sot ose është e varfër ose e papunë.
Me gjithë këtë gjendje të rëndë, Kurti tha se presidenti tash doli edhe me idenë e tij për kompromisin e dhimbshëm me Serbinë.
“Nëse kufijtë korrigjohen me dhimbje, ky nuk është korrigjim, por dhimbje e humbje për neve”, theksoi ai.
“Kosova nuk ndahet, pavarësinë nuk e negociojmë”, tha ai, duke iu referuar dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, që po zhvillohet në nivelin e presidentëve të dy shteteve.
Sipas tij, presidenti Thaçi duke thënë se Kosova i ka kufijtë e gabuar dhe nevojitet një korrigjim, ia mundësoi presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq që të vijë në veri të Kosovës për të promovuar jo vetëm ndarjen e Kosovës, por edhe politikën e Sllobodan Millosheviqit.
Duke iu referuar idesë për korrigjim të kufirit, Kurti foli në praktikë për idenë, sipas tij të Thaçit dhe Vuçiqit.
“Ne nuk pranojmë që për katër fshatra të Bujanocit dhe shtatë fshatra të Preshevës, që së bashku bëjnë 85 kilometra katrorë, të japim mbi 1000 kilometra katror në veri të Ibrit, ku i kemi Trepçën, Ujmanin e Majën e Pançiqit”, tha lideri i Vetëvendosjes.
“Shumë mbështetës e qytetarë sot kanë ardhur nga Tirana dhe qytete të ndryshme të Republikës së Shqipërisë në përkrahje të kauzës së kësaj proteste”, theksohet në njoftimin e këtij subjekti politik.
Protestuesit kanë mbajtur në duar flamuj kombëtar shqiptarë dhe kanë brohoritur parulla kundër ndarjes së Kosovës.
“Kosova nuk e meriton këtë president”, ka deklaruar lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke bërë thirrje për largimin e tij.
Të premten, presidenti Hashim Thaçi kishte deklaruar se kjo protestë nuk është kundër tij, por, siç ka deklaruar ai, “kundër Luginës së Preshevës” dhe vullnetit të qytetarëve të tjeshëm për bashkim me Kosovën.
Paraprakisht, Vetëvendosje ka informuar edhe autoritetet e rendit për mbajtjen e protestës së sotme, duke bërë thirrje që gjithçka të shkojë qetë dhe pa incidente.
Protesta ka përfunduar e qetë dhe pa incidente të raportuara.
(Procesi i Zgjerimit Evropian dhe zvogëlimi i kryeministrit shqiptar)
Është interesante që nga Euronews në‘Enlargement Talks‘ të së Martës 3 Nëntor, 2026 në ‘EU Enlargement Summit’* nuk i bënë disa pyetje kryeministrit të Shqipërisë për votën në Kuvendin e Shqipërisë mbi Imunitetin e Guvernatorit të BSH, as për Buxhetin e 2027 që pritet të diskutohet po ashtu në Kuvendin e Shqipërisë sikurse edhe përpyetjen tjetër interesante se përse Lek–u- mbetet ende i fortë në raport me euron(?),… dollarin, pounding britanik si dhe me të tjera monedha në tregun e këmbimit që e kanë peshën e tyre në këto vite krize dhe luftërash rajonale.
Ndoshta në mbi 30 minuta Maria Tadeo gazetarja e Euronews nuk mundi t’i bënte atë që ATSH-ja e hodhi menjëherë me propagandën zyrtare në tregun mediatik vendas ku titujt kryesorë të ditës i anashkalonin protestat, nuk flasin më për protestues të lënduar nga dhuna policore, por theksojnë zbatimin e gjobave të “Paketën kundër dhunës dhe anarkisë urbane” që ka përgatitur qeveria. Flasin vetëm për suksese të rrugëtimit drejt BE-së si:
“Kryeministri Rama, vizitë në Bruksel”,
“Rama: Me Listën Studentore ‘muzika‘ në Beograd nuk do të ndryshojë për çështjen e Kosovës”,
“Rama: Negociatat me BE-në do t’i përmbyllim sipas kalendarit të përcaktuar”,
“Rama: Marrëveshja me Italinë për emigrantët, në fuqi për aq kohë sa të jetë e nevojshme”,
“Rama: Mediet sociale po sfidojnë realitetin tonë të përbashkët, policia pala më e dëmtuar nga protestat”,
“Rama takohet sot me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte” (*),
etj. sa e tejkalojnë vetëm me pak orë fshehjen e kryeministrit gjatë dy-tre javëve i cili po përpiqet me çdo kusht dhe po investon për të shtypur lëvizjen studentore.
Duke zgjedhur mbrojtjen dhe përdorur intimidimin e mbuluar me humor vulgar shpesh ndaj gazetares, kryeministri nuk paraqiti interesa pë Shqipërinë, por u kujdes për imazhin e vetes dhe shprehu në mënyrë shembullore injorancën autokratike (mori edhe duartrokitje në mbyllje), kundrejt gjuhës diplomatike dhe qytetare që shumë nga drejtues shtetesh dhe të ftuar që me kënaqësi mund t’i dëgjoje për të mësuar të reja rreth procesit të zgjerimit evropian. Kryeministri i Shqipërisë me mburrje dallohej të bënte edhe “filozofime” dhe rrotullime frazash pikërisht për t’i shpëtuar pikërisht asaj që shqiptarët kanë vërtetuar se përse është i pamundur dialogu me të.
Në një rast kryeministri mes tensionit u shpreh se:-“Unë jam dikush që, e dini, gjithmonë më pëlqen të debatoj, të përballem me njerëzit, të sfidohem dhe të sfidoj të tjerët“. Pra toni i përballjes që kuptohet se është kundërvënia, janë dallimi më i qartë i vështirësisë së kryeministrit kur vetëmbrohet me treguesin tjetër të konceptit të përsëritur të tij dhe përmend se:-“Liria e dikujt mbaron atje ku fillon liria e tjetrit”.
Pra pa shkuar tek mendimtarët që e kanë argumentuar dhe e kanë trajtuar këtë kuotë duke dhënë një mendimin të një rëndësie të veçantë kur çështja diskutohet mbiliritë civile, e drejta për të protestuar.
Narrativa se shteti e ka nën kontroll, e ka thyer apo është filtruar për të përçarë protestën, kjo gjendje do të jetë e përkohshme sepse koncepti i lirisë (fjalën e lirë, të drejtën e grumbullimit dhe protestën) janë dhunuar. Pikërisht tani nuk qëndron më ajo ndarje e artë të gjuhës së qetë e të qytetëruar kur ndërgjegjësimi përpara ligjit është se:-“E drejta juaj mbaron aty ku fillon hunda tjetrit“* e njohur në argumentimin juridik si (Your rights end where his nose begins) .
Ky kufi tashmë është tejkaluar mes policisë dhe protestuesve ndaj edhe dialogu është refuzuar.
Drejtësia duhet të ushtrojë veprimin e vet për çdo rast.
Pretendimet e kryeministrit se numri i policëve të plagosur është disa herë më i madh se sa ai i protestuesve të plagosur, të lënduar, apo të shoqëruar dhe ndaluar afatgjatë në komisariate, vetëm duke u krahasuar me pamjet e transmetuara live nga mediat vendase dhe ndërkombëtare janë treguesi i masave administrative, gjobave dhe censurës si mjete të vetme të “buta” që pushteti ka ushtruar dhe po ushtron pandërprerë deri në krijimin e një zemërimi të ri të qytetarëve.
Kur flitet për zgjerimin e Evropës një nga influencat që të bie në sy veç tregtisë dhe lëvizjes së lirë është monedha euro.
Të gjitha vendet që e duan afrimin sikurse edhe të tjerë shtete që e kanë përgëzuar prej kohësh BE-në e kanë bërë diçka fare të vogël vlerësuar tregtinë, lëvizjen e lirë, turizmin me kontinentin e vjetër duke e respektuar dhe duke bërë një fushatë njohjeje me monedhën euro.
Nuk po e sjellim thjeshtë këtë krahasim.
Leku dhe politika e keqe ose keq qeverisja janë shkaktarë të korrupsionit dhe varfërimit të qytetarëve.
Juve ndoshta e keni ndeshur si kuriozitet, por jo një të ngjashëm me këtë përmbajte kur shtrojmë pyetjen:- Si nuk i ka shkuar në mendje Rilindësve Socialistë, kaq të lidhur dhe largpamës me ëndrrën Evropiane që të përqafonin simbolikisht qoftë edhe kartëmonedhën me vlerë ‘Zero Euro’*?
Ose:- A e dini se 77 vende të botës e përdorin kartëmonedhën ‘Zero Euro’, për të promovuar vendet e tyre, turizmin, natyrën, tipiken dalluese, njerëz të shquar dhe histori nga vendet e tyre?
… mesa duket kjo nuk është thjeshtë një risi për ata që lekun dhe kartëmonedhat e vendeve në përdorim të fituara përmes korrupsionit dhe trafiqeve e kanë më të lehtë t’i fshehin, groposin deri sa të gjenden të mykura nga hetimet e rastësishme të prokurorëve.
Shqipëria dhe disa vende fqinjë si Mali i Zi, Serbia, Bosnje-Hezegovina, Maqedonia e Veriut çuditërisht janë ndër vendet që aspirojnë BE-në, por nuk e promovojnë një nisimë të lindur në Francë në vitin 2015 me përjashtim të Republikës së Kosovës.
Tek sa i kthehemi Shqipërisë, muajve të vrullshme të zhvillimeve shoqërore të saj, marrëdhënia e pushtetit me paranë u pa qartë me atë që regjimi kundërshtoi dhunshëm protestën duke paguar forcat policore me dhe pa identifikim, por “të frontit të parë” sipas kryeministrit me një shumë 2500 euro, përgjigja krijuese e rinisë ishte prerja e re e kartëmonedhës që personifikonte kryeministrin, dhe përleshjen e një të riu me disa policë të pajisur e të mbrojtur gjer në dhëmbë.
Ky krahasim në formën e një meme-je që personifikon mercenarizmin dhe dhunën zuri vend që në ditët e para kur ky vendim u shpall nga kryeministri.
Ajo kartëmonedhë zuri vend krah pamjeve live që i bënë mediat vendase dhe ndërkombëtare, protestave të dhunshme, jo proporcionalitetin e forcave policore në goditjen e protestuesve si dhe përndjekjen dhe arrestimet ndaj tyre duke u justifikuar me identifikimin e personave të maskuar përmes teknologjisë, por pa harruar miliona investime për pajisje dhe automjete që të mundësojnë në të ardhmen ndërhyrjet dhe goditjen e protestës.
_________
*EU Enlargement Summit- Samiti i Zgjerimit, 3 Nëntor, 2026 Bruksel
*tituj nga ATSH dhe propaganda 3 Nëntor, 2026
* “E drejta juaj mbaron aty ku fillon hunda tjetrit“.
3 Nëntor, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
Një video e publikuar në rrjetet sociale tregon momentin kur kryeministri Edi Rama është përballur me protesta edhe në Bruksel, ku ndodhej sot.
Protestuesit thërrasin drejt tij “Rama në burg” disa herë, ndërsa kreu i qeverisë shqiptare kthen kokën, por pa reaguar.
Kjo nuk është hera e parë që Rama përballet me protesta ndaj tij edhe gjatë vizitave zyrtare jashtë Shqipërisë, me shqiptarët që kanë protestuar ndaj tij në disa vende evropiane, si edhe në SHBA. bw
Në ditën e 22 të bojkotit të universiteteve, studentë dhe pedagogë kanë vijuar rezistencën e tyre për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
I pyetur nga gazetarja e Syri Tv, Fjona Çela, një pedagog ka theksuar se bojkoti vijon dhe se ata nuk do të reshtin së kërkuari dorëheqjen e kryeministrit, sepse kjo është një diktaturë shumë më e sofistikuar se ato të shkuarat. Ai u ka bërë thirrje studentëve të rezistojnë, mediave që të lëshojnë këtë pushtet të korruptuar dhe të kthejnë kamerat nga ajo çfarë po ndodh për të mirën e të gjithë shqiptarëve.
“Ne vazhdojmë bojkotin për aq kohë sa shumë çështje nuk janë zgjidhur, sidomos çështja kryesore, dorëheqja e kryeministrit Rama. Nuk do të reshtim së kërkuari këtë lloj të drejte. Në këtë pikë ku ka vajtur e gjitha po tregon edhe më qartë një lloj diktature që po vendoset. Ne e qasim me diktaturat e vjetra, por kjo është shumë herë më e sofistikuar. Kështu që mendoj se kjo protestë i ka nxjerrë në pah të gjitha këto gjëra. I bëj thirrje të gjithë studentëve që të rezistojnë në këtë gjë që kanë nisur. I bëj thirrje gjithë pedagogëve t’i mbështesin studentët. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të hapin sytë dhe të shohin se çfarë po ndodh dhe të ndërgjegjësohen për këtë gjë. I bëj thirrje mediave se është koha që të lëshojnë pushtetin e kalbur, të korruptuar dhe të marrin një tjetër lloj ndërgjegjeje brenda tyre dhe të jenë më transparentë dhe të kthejnë kamerat nga ajo që po ndodh. Është koha të bashkohemi të gjithë”,- tha ai.
Studentët kanë ironizuar kryeministrin Edi Rama në lidhje me kërkesën e tij për dialog, ndërsa ata i kërkojnë dorëheqjen.
Mbi disa karrige tek Universiteti Politeknik, studentët kanë vendosur disa fotografi të dhunës policore ndaj të rinjve, krahas së cilave kanë vendosur edhe disa letra në të cilat është shkruar: ”Diktator”.
Kujtojmë që edhe sot kryeministri bëri thirrje për dialog, por të rinjtë janë shprehur të vendosur se kërkesa e tyre për dorëheqje mbetet e panegiueshme. Panorama
Studentët kanë nisur këtë mëngjes marshimin në universitetet e kryeqytetit, duke vijuar protestën kundër qeverisë dhe duke kërkuar bojkotimin e procesit mësimor.
Pas Politeknikut, marshimi ka nisur drejt Universitetit të Arteve, ndërsa më pas të rinjtë pritet të vijojnë në fakultetet e tjera të Tiranës, ku do t’u bëjnë thirrje studentëve që t’u bashkohen protestave dhe të braktisin auditorët.
“Protestë deri në dorëheqjen e Ramës”, është mesazhi që shoqëron lëvizjen e tyre, ndërsa studentët theksojnë se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave.
Ata bëjnë me dije se kanë zhvilluar diskutime dhe kanë vendosur bashkëpunim me grupe studentësh në universitete të ndryshme, përfshirë edhe studentët e Mjekësisë, me synimin për të zgjeruar bojkotin dhe për të bashkuar zërat e të rinjve.
Marshimi vjen në ditën e 22-të të protestës, e cila tashmë po shtrihet edhe në ambientet universitare, përmes thirrjeve për bojkot të mësimit dhe mobilizim të studentëve. bw
Studentët vijojnë protestën e tyre, ndërsa përmes pankartave kanë përcjellë mesazhe të forta kundër akuzave për ndikime të huaja dhe largimit të të rinjve nga vendi.
“Nuk na solli Rusia, nuk na solli Greqia, nuk na solli Veliaj, nuk na solli Partia, na thirri Shqipëria”, shkruhet në një prej pankartave të mbajtura nga protestuesit.
Me këtë mesazh, të rinjtë kundërshtojnë pretendimet se lëvizja e tyre nxitet nga faktorë të jashtëm apo interesa politike, duke theksuar se protesta buron nga shqetësimet dhe kërkesat e tyre.
Një tjetër pankartë përcjell shqetësimin për emigrimin e të rinjve: “Diploma nuk është biletë emigrimi”, ndërsa studentët vijojnë t’u bëjnë thirrje kolegëve të tyre të bojkotojnë mësimin dhe t’i bashkohen protestës.
Përmes këtyre mesazheve, studentët kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet dhe që e ardhmja e të rinjve të mos lidhet me largimin nga Shqipëria. bw
Protesta ditën e sotme ka nisur në dyert dhe sallat e universiteteve.
Studentë të Politeknikut janë mbledhur dhe kanë marshuar fillimisht tek Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, ku janë futur brenda me thirrjet “bojkotoni mësimin”.
Ata kanë kaluar në çdo sallë, duke hyrë dhe duke bërë thirrje për t’iu bashkuar.
Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe tek fakultetin e Ekonomisë dhe Gjuhëve të Huaja, teksa së fundmi po drejtohen tek Juridiku.
Ndërkohë, raportohet se Universiteti i Mjekësisë po kryen rregullisht mësim.
Pas marshimit ata u rikthyen në Universitetin e Mjekësisë./balkanweb
Studentët kanë nisur protestën e 21-të kundër kryeministrit Edi Rama. Ata hynë në ambientet e Universitetit të Arteve, duke bërë thirrje që t’u bashkohen atyre në revoltë.
Me thirrjet “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, ata dolën nga Universiteti i Arteve dhe janë nisur drejt Drejtësisë.
Ata hynë në ambientet e Fakultetit të Drejtësisë, me të cilët u bashkuan edhe studentët që studiojnë në këtë institucion
Të rinjtë kanë refuzuar dialogun me kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se kërkesa e tyre për dorëheqje mbetet e panegociueshme. Panorama
Demokratët Europianë kanë reaguar lidhur me protestën e zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, duke shprehur shqetësimin për pretendimet e organizatave kundër torturës mbi përdorimin e tepruar të forcës, keqtrajtimin dhe ndalimet arbitrare të protestuesve.
Në reagimin e tyre, ata dënojnë dhunën ndaj efektivëve të policisë dhe grave, por theksojnë se shteti nuk mund t’i përgjigjet dhunës me abuzim apo torturë.
Demokratët Europianë i kanë kërkuar qeverisë së Edi Ramës të garantojë hetime të pavarura për pretendimet e ngritura, të vendosë para përgjegjësisë personat përgjegjës për shkeljet dhe të sigurojë që policia të përdorë forcë proporcionale gjatë menaxhimit të protestave.
Në mesazhin e tyre, ata theksojnë se respektimi i të drejtave të njeriut dhe ndalimi i torturës janë parime që nuk mund të shkelen në asnjë rrethanë.
“Tortura nuk ka vend në Europë”, përfundon reagimi i Demokratëve Europianë.
Reagimi i plotë:
“Dje në Shqipëri, organizatat kundër torturës ngritën akuza serioze për përdorim të tepruar të forcës, keqtrajtim dhe ndalime arbitrare gjatë protestave.
Dhuna ndaj efektivëve të policisë dhe grave duhet të dënohet me vendosmëri dhe pa asnjë ekuivok. Por asnjë shtet nuk mund t’i përgjigjet dhunës me abuzim apo torturë.
Qeveria e Edi Ramës duhet të garantojë hetime të pavarura, vënie para përgjegjësisë dhe përdorim proporcional të forcës nga policia.
Protesta e 19-të e studentëve në Tiranë u shndërrua të shtunën në një përballje të fortë me policinë, me kosha mbeturinash në flakë, gurë e bomba molotov, gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Qëndresa nisi në mesditë përpara Ministrisë së Arsimit, vijoi me marshimin drejt Kryeministrisë dhe përfundoi me shpërndarjen e protestuesve në rrugët e kryeqytetit, ku pati përplasje të tjera me forcat e rendit.
Të rinjtë u mblodhën për të 19-ën ditë radhazi, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe duke përsëritur thirrjet kundër qeverisë. Mes sloganeve që u dëgjuan në bulevard ishin “Rama, dorëhiqu!” dhe “Pa rini nuk ka Shqipëri!”. Tubimi nisi në mënyrë paqësore, por situata u tensionua pas djegies së disa koshave të mbeturinave dhe hedhjes së gurëve në drejtim të efektivëve të policisë.
Refuzimi i PD-së dhe thirrjet kundër të dyja palëve politike
Një tjetër zhvillim i protestës ishte qëndrimi i studentëve ndaj përpjekjes së Partisë Demokratike për t’iu bashkuar tubimit. Demokratët nisën marshimin nga Kryeministria drejt Ministrisë së Arsimit, por deputetët e PD-së nuk u mirëpritën nga protestuesit, të cilët kërkuan që lëvizja të ruante karakterin e saj të pavarur.
Të rinjtë artikuluan thirrjen “Opozita jemi ne!”, ndërsa në bulevard u dëgjuan edhe slogane kundër të dyja forcave kryesore politike: “Rama në burg, Berisha në burg!”. Studentët u shprehën se nuk duan që protesta të përvetësohet nga partitë dhe se kërkesa e tyre për ndryshim nuk drejtohet vetëm kundër qeverisë, por edhe kundër klasës politike.
Gurë, molotovë dhe autobotët e ujit në veprim
Përplasjet e para u shënuan pranë Ministrisë së Arsimit. Disa protestues hodhën gurë, sende të forta dhe bomba molotov në drejtim të policisë dhe autobotit të ujit. Disa prej molotovëve përfunduan pranë mjetit të ujëhedhjes, duke shkaktuar shpërthime dhe flakë.
Policia reagoi me ujë me presion dhe gaz lotsjellës, ndërsa në terren ishin dislokuar forca të shumta të FNSH-së, Shqiponjave dhe efektivë të tjerë. Për mbarëvajtjen e protestës ishin angazhuar mbi 2 mijë punonjës policie, ndërsa në gatishmëri ishin vendosur edhe autobotë të shumtë.
Pavarësisht ndërhyrjes së policisë dhe reshjeve të dendura të shiut, protestuesit nuk u tërhoqën. Ata marshuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kaluar edhe pranë selisë së Partisë Socialiste, ku policia kishte vendosur efektivë për të garantuar sigurinë e godinës, dhe vijuan drejt Kryeministrisë.
Droni lëshon gaz nga ajri, policia ndërhyn me forca të shumta
Tensionet u përshkallëzuan edhe më tej përpara godinës së Kryeministrisë. Policia përdori autobotë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Një nga zhvillimet më të pazakonta ishte përdorimi i një droni të Policisë së Shtetit, i cili dyshohet se lëshonte gaz lotsjellës nga ajri. Gjatë ndërhyrjes, droni u rrëzua mbi protestuesit, ndërsa efektivët u afruan menjëherë në zonë.
Në bulevard u panë autoblinda dhe mjete të shumta policie, përfshirë autobotë të rinj ujëhedhës. Forcat e rendit ndërhynë për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit u larguan nga zona e Kryeministrisë drejt rrugëve dhe rrugicave përreth. Edhe në këto zona u raportuan përplasje të tjera, ndërsa policia vijoi ndjekjen e grupeve të protestuesve.
Kështu, dita e 19-të e revoltës studentore u mbyll me një tjetër përshkallëzim të situatës në kryeqytet. Pas gati tri javësh protestash, studentët vijojnë të kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa qëndrimi i tyre kundër përfshirjes së partive politike mbeti një nga mesazhet kryesore të tubimit. bw
Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar protestat e zhvilluara në Shqipëri, duke shprehur habi për përpjekjet për të lidhur partinë që ai drejton me protestat dhe përplasjet e dhunshme.
Gjatë mbledhjes së 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti deklaroi se partia e tij tashmë është forcë qeverisëse dhe jo protestuese, duke theksuar se nuk pranon të instrumentalizohet nga askush.
“Kam parë me habi se si zëra të ndryshëm janë përpjekur t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta, por ne sot jemi forcë qeverisëse dhe jo forcë protestuese. Edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave u kemi dalë në ballë vetë dhe kurrë nuk kemi ndenjur anonimë”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se zhvillimet në Shqipëri ndiqen me shqetësim dhe përgjegjësi, duke e cilësuar përparimin demokratik të vendit si një përgjegjësi historike kombëtare.
Sa i përket përplasjeve gjatë protestave, kreu i qeverisë së Kosovës dënoi dhunën dhe lëndimet ndaj qytetarëve, ndërsa nënvizoi se krahas përgjegjësive penale duhet të analizohen edhe shkaqet që çojnë në përshkallëzimin e situatave.
“Rendi publik dhe liria e protestës duhet të mbrohen njëkohësisht”, deklaroi ai.
Kurti u ndal edhe te marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar se dy vendet nuk janë dhe nuk do të jenë rivale. Ai shprehu mbështetjen për avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe për thellimin e bashkëpunimit në fusha si ekonomia, infrastruktura, arsimi dhe siguria.
“Shqipërinë e duam gjithmonë dhe pavarësisht rrethanave. Ajo është pjesë e pandashme e qenies sonë kombëtare. Prandaj, zhvillimet atje i përcjellim me shqetësim, kujdes, përgjegjësi dhe dashuri. Përparimi demokratik i Shqipërisë është edhe përgjegjësi historike kombëtare. Është e rëndësisë jetike që ne shqiptarët t’ia dëshmojmë vetes se dimë të ndërtojmë demokraci që i qëndron trysnisë së kapitalizmit dhe qeverisje që nuk i përkulen oligarkisë. Ne nuk kemi patur rastin të flasim për to, të zënë siç kemi qenë me fushatën dhe zgjedhjet e qershorit e më pas me tensionin pothuaj dramatik që na shoqëroi deri te zgjedhja e presidentes. Kam parë me habi se si zëra të ndryshëm janë përpjekur t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta, por ne sot jemi forcë qeverisëse dhe jo forcë protestuese, e edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave u kemi dalë në ballë vetë dhe kurrë nuk kemi ndenjur anonimë. Nuk e kemi vlerësuar kurrë si të denjë taktikën e ‘hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës’ dhe i kemi ndenjur larg instrumentalizimeve, as nuk kemi pranuar të na instrumentalizojë kush, as nuk kemi instrumentalizuar të tjerët. Ne jemi në krye të Qeverisë Republikës së Kosovës, e Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë rivale e motrës së saj. Ne gëzohemi për avancimet e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, apo për arritjet e ekonomisë dhe turizmit të Shqipërisë. Ne me gjithë zemër duam dhe dëshirojmë që këto arritje të Qeverisë së Shqipërisë e të popullit shqiptar të konsolidohen dhe të zgjerohen edhe me projekte të përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë, infrastrukturore, ekonomike, arsimore, ushtarake e jo vetëm”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. bw
Mijëra studentë e qytetarë janë bërë bashkë në protestë te Ministria e Arsimit.
Thirrjet “Rama në burg”, “Belinda në burg”, “ju erdhi fundi”, dëgjohen në protestën e studentëve.
Forca policia janë vendosur gardh para Ministrisë së Arsimit. Protesta e studentëve vijon prej 19 ditësh dhe kërkojnë largimin e qeverisë Rama.
Gjithashtu te Kryeministria u mbajt protesta e organizuar nga PD në mbështetje të studentëve.
Pas protestës para Kryeministrisë, demokratët iu bashkohen studentëve që po protestojnë para Ministrisë së Arsimit.
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka përcjellë një mesazh të fortë për kryeministrin Edi Rama nga protesta e opozitës para Kryeministrisë, e thirrur në mbështetje të studentëve.
Noka kërkoi largimin e Ramës nga pushteti, ndërsa deklaroi se PD do të mbështesë kërkesat e studentëve dhe se protesta e opozitës do të vijojë në krah të tyre.
“Edi Rama, largohu! Nuk e mban dot pushtetin. Askush nuk të mbështet më. Me dhunë policore e kanë tentuar edhe diktatorë të tjerë, por ti e di se si u vjen fundi. Kërkesat e tyre duhet të respektohen. Zëri i tyre duhet të dëgjohet. PD do të mbështesë kërkesat e studentëve. Ne u mblodhëm këtu për të filluar protestën, tashmë protesta jonë do të vijojë te studentët.
Çaushesku tentoi që të mbijetonte me masa represive, por ky popull e theu murin e egër të diktaturës në vitin 1990. Nuk e ndal njeri vrullin e shqiptarëve. Shqiptarët kërkojnë sot shtet!”, deklaroi Flamur Noka. bw
Komentet