VOAL

VOAL

Ministri i jashtëm hungarez flet kundër multikulturalizmit

April 5, 2018

Komentet

Tsikhanouskaya i bën thirrje Perëndimit të jetë i bashkuar kundër Rusisë

liderja opozitare bjelloruse në mërgim, Svyatlana Tsikhanouskaya

 

Liderja në mërgim e Lëvizjes Demokratike të Bjellorusisë, Svyatlana Tsikhanouskaya, u ka bërë thirrje liderëve të Perëndimit të jenë të “bashkuara” dhe të “vendosur” për t’i bërë ballë “synimeve imperialiste të Rusisë”.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë në margjinat e samitit të NATO-s në Uashington, Tsikhanouskaya argumentoi se populli i Ukrainës nuk po lufton vetëm për vendin e vet, por gjithashtu edhe për “vlerat e vendeve demokratike”.

“Më besoni, nëse e lejojmë Ukrainën ta humbë luftën e saj, bota demokratike – Evropa e fuqishme apo SHBA-ja – do të jenë të radhës që do të sulmohen nga diktatura”, tha ajo.

Tsikhanouskaya, 41 vjeçe, është ish-mësimdhënëse e cila garoi për presidente në Bjellorusi më 2020, pasi burrit të saj, Syarhey Tsikhanouski, iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhje dhe u burgos.

Ajo u detyrua të ikë në Lituani gjatë luftës brutale kundër një vale protestash prodekomratike, të cilat shpërthyen pasi liderit Alyaksandr Lukashenka iu dhurua mandati i gjashtë presidencial në zgjedhjet e kontestuara.

“Fatet e Bjellorusisë dhe Ukrainës janë të ndërthurura. Ne i inkurajojmë plotësisht vendet e NATO-s për t’i mbështetur ukrainasit dhe për t’i dhënë Ukrainës gjithçka që ka nevojë për ta fituar këtë luftë. Por, mos e lini anash Bjellorusinë”, theksoi ajo.

Tsikhanouskaya shtoi se “diktatorët” si Lukashenka dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i shohin plogështinë dhe pavendosmërinë e Perëndimit si “dobësi”.

“Dhe ata mendojnë se mund t’i kalojnë vijat e kuqe vazhdimisht”, tha ajo, duke shtuar se ata po e sfidojnë botën Perëndimore për të mësuar se sa larg mund të shkojnë derisa të përballen me një përgjigje.

“Prandaj të gjitha tanket dhe pajisjet e mundshme për Ukrainën është dashur të ishin atje qysh dje. Ne nuk kemi kohë”, nënvizoi ajo.

“Unë po pres unitet dhe vendosmëri nga vendet e NATO-s, sepse këtë po e presin njerëzit të cilët po luftojnë kundër tiranisë, kundër synimeve imperialiste të Rusisë, dhe kundër diktatorëve të botës”, përfundoi Tsikhanouskaya. REL

Norvegjia do t’ia dhurojë Ukrainës gjashtë avionë luftarakë F-16

Dy avionë luftarakë F-16. (Fotografi nga arkivi)

 

Norvegjia do t’ia dhurojë Ukrainës gjashtë avionë luftarakë F-16, për ta ndihmuar të mbrohet kundër sulmeve ajrore ruse, tha Qeveria norvegjeze në një komunikatë të mërkurën.

Ky njoftim vjen në ditën kur liderët e vende anëtare të NATO-s po marrin pjesë në një samit në Uashington. Ata pritet të njoftojnë për ndihmën e re që do t’ia japin Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit nga Rusia, i cili nisi në shkurt 2022.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dëshiron që vendet anëtare t’i dërgojnë Kievit më shumë armë dhe para, si dhe t’i ofrojnë garanci të sigurisë, me shpresë se kjo do ta ndryshojë rrjedhën e luftës.

Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Stoere, tha se dërgimi i avionëve F-16 do të fillojë këtë vit.

“Të kombinuar me sisteme mbrojtëse ajrore, avionët luftarakë do të jenë jetikë për t’ia mundësuar Ukrainës të mbrohet kundër sulmeve ajrore ruse”, tha Stoere në një komunikatë.

Kryeministri për herë të parë njoftoi në gusht të vitit të kaluar se Norvegjia do t’i dërgonte Kievit avionë F-16, por nuk tregoi sasinë asokohe.

Prej atëherë, Oslo i ka dërguar dy avionë F-16 në Danimarkë që ata të përdoren për trajnimin e pilotëve ukrainas.

Ukraina ka kohë të gjatë që dëshiron t’i ketë në dorë avionët luftarakë F-16, për shkak të fuqisë së tyre shkatërruese.

Ndërkohë, Danimarka është zotuar se do t’i dhurojë 19 avionë luftarakë në përgjithësi Ukrainës, ndërsa Holanda ia ka premtuar 24 sosh. Këto dy vende kanë qenë forcë shtytëse e koalicionit ndërkombëtar për furnizimin e Ukrainës me avionët F-16.

Forca Ajrore e Norvegjisë i zëvendësoi avionët e vet F-16 me modelin pasardhës F-35. REL

Le Pen në hetim nga Prokuroria e Parisit, dyshime për financime të paligjshme

Prokuroria në Paris ka nisur një htim paraprak ndaj Marine Le Pen me dyshimin për financim të paligjshëm të fushatës presidenciale në zgjedhjet e vitit 2022.

Prokuroria e Parisit konfirmoi për AP se më 2 korrik nisi një hetim gjyqësor me akuzën e pranimit të një kredie financiare, përvetësimit, mashtrimit dhe falsifikimit, pa dhënë një shpjegim të detajuar.

Le Pen nuk i komentoi akuzat.

Një hetim paraprak u hap në bazë të raportit të vitit 2023 të Komisionit Kombëtar për Financimin Politik, organi përgjegjës për monitorimin e shpenzimeve të kandidatëve.

Në zgjedhjet franceze, kandidatëve u ndalohet të kalojnë një kufi të caktuar shpenzimesh.

Por, 55-vjeçarja që drejton Tubimin Kombëtar në Francë, nuk është kandidatja e vetme në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022, që po hetohet.

(BalkanWeb)

Ukrainasit kryejnë sulm me dronë në Rusi, qëllimi ishin rafineritë e naftës, bazat ajrore dhe stacionet elektrike

Agjensitë ukrainase të inteligjencës kanë kryer një sulm mbi bazat ajrore ruse, stacionet e energjisë elektrike si dhe rafineritë e naftës në tre rajone të ndryshme.

Sulmi është kryer nga inteligjenca ukrainase e njohur si SBU në bashkëpunim me inteligjencën ushtarake HUR, që kishin për qëllim bazën ajrore Akhtubinsk në rajonin e Astrakhanit në Rusi, trafo stacionin në rajonin Rostov si dhe një rafineri nafte në Kalach-na-Don në rajonin e Volgogradit.

Një sulm i ngjashëm mbi bazën ajrore Akhtubinsk ka ndodhur muajin e kaluar, ku i janë dëmtuar rusëve dy aeroplanë luftarakë Su-57.

Ajo gjendet rreth 450 kilometra në lindje të kufirit me Ukrainën, dhe rreth 30 kilometra në perëndim të kufirit Rusi-Kazakistan.

Sulmet i kanë konfirmuar edhe autoritetet ruse, por duke tentuar të minimizojnë dëmet që mund t’u jenë shkaktuar nga sulmet me dronë kamikaz. sn

Emmanuel Macron i kërkon Gabriel Attal të qëndrojë në detyrë

Presidenti francez refuzon dorëheqjen e kryeministrit “për momentin” për të “siguruar stabilitetin e vendit” – Jean-Luc Mélenchon: “Gati për të qeverisur me dekrete”

VOAL- Presidenti francez Emmanuel Macron i kërkoi kryeministrit Gabriel Attal të qëndrojë “për momentin”, për të “siguruar stabilitetin e vendit”. Attal u prit këtë të hënë në mëngjes në Elysee në një vizitë zyrtare për të dorëzuar dorëheqjen e tij, e cila u refuzua.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Bruno Le Maire deklaroi në “X” se ekziston rreziku i një “krize financiare” dhe një “rënie ekonomike të Francës” pas “rendit të ri politik” që u vendos pas zgjedhjeve legjislative. Zgjedhje në të cilat askush nuk ka arritur shumicën absolute.

Sipas Le Maire, Fronti i Ri Popullor (NFP), i cili mori më shumë vende, “do të shkatërronte rezultatet e politikës që kemi zhvilluar për shtatë vjet”. Por edhe midis lëvizjeve NFP nuk ka unanimitet se kush duhet të udhëheqë Ekzekutivin.

“Ne jemi gati të qeverisim edhe me dekrete”, deklaroi lideri i lëvizjes La France Insoumise dhe i Frontit të Ri Popullor që fitoi shumicën relative në Asamblenë Kombëtare Jean-Luc Mélenchon, ndërsa për sekretarin socialist Olivier Faure na duhet një personalitete të aftë për të komunikuar me jashtë, duke përjashtuar kështu Mélenchon-in përçarës.RSI

E majta fituese i bën ofertën e parë Macronit: Jemi gati të bashkëqeverisim

VOA

Një koalicion i së majtës franceze që u bë bashkë papritur për të mposhtur një të djathtë ekstreme në rritje, fitoi shumicën e vendeve në parlament, por jo shumicën, sipas parashikimeve të dala pas zgjedhjeve të së dielës, një rezultat që kërcënon të zhysë vendin në trazira politike dhe ekonomike.

Parashikimet e rendisin aleancën e qendrës të presidentit Emmanuel Macron në vendin e dytë dhe të djathtën ekstreme të tretën.

Pamundësia e sigurimit të një shumice qeverisëse nga cilido bllok politik mund të përballë Francën me pasiguri që mund të tronditë tregjet dhe ekonominë e saj, e dyta më e madhja në Bashkimin Evropian dhe të hedhë një hije paqëndrueshmërie politike në prag të Lojërave Olimpike të Parisit që pritet të hapen në më pak se tre javë.

Rezultatet përfundimtare nuk priten të dalin deri të dielën vonë në mbrëmje ose të hënën herët në mëngjes.

Sipas parashikimeve presidenti thellësisht jopopullor Emmanuel Macron ka humbur kontrollin e parlamentit. Bashkimi Kombëtar i zonjës Marine Le Pen e rriti shumë numrin e vendeve, por nuk i përmbushi shpresat e saj për të siguruar një shumicë absolute, që do t’i jepte Francës qeverinë e saj të parë të ekstremit të djathtë, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Jordan Bardella, i përkëdheluri 28 vjeçar i zonjës Le Pen, i cili shpresonte të bëhej kryeministër, tha se rezultati i votimit “e hedh Francën në krahët e ekstremit të majtë”.

Udhëheqësi kryesor i koalicionit të majtë, Jean-Luc Mélenchon, i kërkoi presidentit Macron të ftojë koalicionin e Frontit të Ri Popullor për të formuar qeverinë. Aleanca, tha ai, “është gati të qeverisë”.

Nëse rezultatet zyrtare konfirmojnë parashikimet, atëherë pritet të zhysin vendin, një shtyllë e Bashkimit Evropian dhe ekonomia e dytë më e madhe në Evropë, në pasiguri e paqartësi intensive se kush mund të jetë partner me presidentin Emmanuel Macron në detyrën e kryeministrit. Rezultatet pritet të ndikojnë tek lufta në Ukrainë, diplomacia globale dhe qëndrueshmëria ekonomike e Evropës.

Kryeministri francez Gabriel Attal, tha se do të jap dorëheqje, por do të qëndrojë përkohësisht në detyrë gjatë Lojërave Olimpike, ose për aq kohë sa nevojitet, duke pasur parasysh se mund të ketë javë negociatash për të zgjedhur një kryeministër të ri.

Në një deklaratë nga zyra e tij, presidenti Macron tha nuk do të nxitohej për të ftuar një kryeministër të mundshëm për të formuar qeverinë. Ai tha se do presë rezultatet dhe Asambleja e re Kombëtare të marr formë, përpara se të sjell “vendimet e nevojshme”, duke respektuar “zgjedhjen sovrane të francezëve”.

Ndryshe nga vendet e tjera në Evropë që janë mësuar më shumë me qeveritë e koalicionit, Franca nuk ka traditë që ligjvënësit nga kampet rivale politike të bashkohen për të formuar një shumicë.

Presidenti Macron habiti vendin dhe shumë në qeverinë e tij, duke shpërndarë dhomën e ulët të parlamentit, Asamblenë Kombëtare, pas një rritje të së djathtës ekstreme në votimet për zgjedhjet evropiane. Ai argumentoi se nxjerrja e votuesve në qendrat e votimit do t’i siguronte Francës “qartësi”.

Ai mendonte se me fatin e Francës në duart e tyre, votuesit mund të largoheshin nga e djathta dhe e majta ekstreme dhe të riktheheshin tek partitë kryesore më pranë qendrës, ku zoti Macron gëzon më shumë mbështetje që i dha atij presidencën në 2017 dhe përsëri në 2022. Ai shpresoi se kjo do ta forconte presidencën e tij për tre vitet e mbetura në detyrë.

Por në vend që të dilnin në mbështetje të tij, miliona votues në të majtë dhe në të djathtë të peizazhit politik gjithnjë e më të polarizuar të Francës, shfrytëzuan vendimin e tij të befasishëm, si një mundësi për të shprehur zemërimin e tyre dhe ndoshta për ta mënjanuar zotin Macron, duke i dhënë atij një parlament që tani mund të jetë përgjithësisht i formuar nga ligjvënës jomiqësorë ndaj tij dhe në veçanti, ndaj politikave të tij pro-biznesit.

Që në raundin e parë të votimit të fundjavës së kaluar, votuesit mbështetën masivisht kandidatët nga Bashkimi Kombëtar i së djathtës ekstreme, në një numër edhe më të madh sesa gjatë votimeve për Parlamentin Evropian. Një koalicion i partive të majta u rendit i dyti dhe aleanca e tij qendrore u radhit e treta, madje me diferencë të madhe.

Polarizimi i mprehtë i politikës franceze – veçanërisht në këtë fushatë të zjarrtë dhe të shpejtë – sigurisht që do të komplikojë çdo përpjekje për ndërtimin e koalicionit. Racizmi dhe antisemitizmi njollosën fushatën elektorale, së bashku me fushatat e dezinformimit rus, ndërsa mbi 50 kandidatë raportuan se ishin sulmuar fizikisht – diçka shumë e pazakontë për Francën. Qeveria tha se dislokoi 30 mijë policë për votimet për balotazhin e së dielës – një tregues i rrezikut të lartë dhe shqetësimeve se një fitore e ekstremit të djathtë, apo pa një fitore të qartë nga një grupim politik, mund të shkaktojë protesta.

Shumica që mund të krijohet nga koalicione paszgjedhore rrezikon të jetë e brishtë, e ekspozuar ndaj mocioneve të mosbesimit që mund të shkaktojnë rënien e saj.

Paqëndrueshmëria e zgjatur mund të shtojë sugjerimet nga kundërshtarët e tij se zoti Macron duhet ta përfundojë më herët mandatin e tij të dytë dhe të fundit. Kushtetuta franceze e pengon atë ta shpërndajë parlamentin përsëri në 12 muajt e ardhshëm, duke e hequr këtë si një mundësi për t’i dhënë Francës një qartësi më të madhe.

Zgjedhjet mbaruan por asnjë nga palët nuk ka numrat për të “qeverisur” Parlamentin, çfarë pritet nga Macron

Francezët janë zgjuar sot në një terren politik të panjohur.

Rezultatet e zgjedhjeve, nuk i kanë krijuar asnjë prej palëve mundësinë që të qeverisin të vetëm, për shkak se mungojnë numrat e nevojshëm.

Shumë njerëz po përgatiteshin për një përparim tronditës për të djathtën ekstreme, por në rast se ishte një koalicion i së majtës që doli përpara si të djathtës ashtu edhe centristëve të Presidentit Emmanuel Macron.

Fronti i Ri Popullor duket i sigurt pasi do të ketë 182 vende në Asamblenë Kombëtare me 577 vende, me 168 për aleancën e Ansamblit të Macron, 143 për Rally Kombëtare të ekstremit të djathtë dhe aleatët e saj dhe 60 për republikanët konservatorë.

Të gjithë sytë do të jenë te Macron, i cili thirri këto zgjedhje të parakohshme dhe duhet ende të japë përgjigjen e tij ndaj realiteteve të reja politike.bw

Airbus nënshkruan marrëveshje miliardëshe me ushtrinë gjermane për menaxhimin e satelitëve me prioritet mbrojtjen

Ushtria gjermane i ka dhënë kompanisë evropiane të hapësirës ajrore, Airbus, një kontratë me vlerë 2.1 miliardë euro për satelitët e komunikimit ushtarak të gjeneratës së ardhshme, SatcomBw 3.

Marrëveshja do të thotë që Airbus do të menaxhojë satelitët gjeostacionarë, infrastrukturën tokësore dhe lëshimet për 15 vitet e ardhshme.

Bëhet e ditur se satelitët gjeostacionarë janë anije kozmike që rrotullohen rreth Tokës me të njëjtën shpejtësi që rrotullohet Toka, që do të thotë se ata qëndrojnë në të njëjtin pozicion relativ.

Këto anije do të vendosen para fundit të dekadës, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

“Në një kohë kur demokracitë perëndimore sfidohen dhe kur ekosistemi hapësinor institucional evropian po lufton, ne jemi të emocionuar dhe mirënjohës për të zhvilluar dhe ndërtuar këtë sistem të avancuar”, tha Michael Schoellhorn, shefi ekzekutiv i Airbus Defense and Space.

“Partneritetet afatgjata janë thelbësore për garantimin e sovranitetit dhe aftësisë thelbësore, dhe mbrojtjen e forcave tona të armatosura në mjedisin gjeo-politik gjithnjë e më të paqëndrueshëm”, shtoi ai.

Siç raportohet, kontrata e re forcon marrëdhëniet ekzistuese midis Airbus dhe ushtrisë gjermane, pasi të dyja palët janë angazhuar në një kontratë të ngjashme satelitore që nga viti 2009.

Gjenerata e ardhshme e satelitëve të Airbus bazohen në platformën Eurostar Neo dhe do të peshojnë rreth 6 tonë metrikë.

Sipas kompanisë, satelitët do të kenë “aftësi për të mbajtur ritmin me ndryshimet e shpejta në dixhitalizim” dhe “vëllimin e kërkuar të transferimit të të dhënave”.

Ndryshe, në prill, Ministri i Financave i Gjermanisë, Christian Lindner, parashikoi se vendi mund të shihte 9 miliardë euro shtesë në shpenzime për mbrojtjen nga viti 2028, me kusht që Gjermania të mund të zvogëlojë borxhin e saj.

“Kjo do të na ndihmojë të arrijmë hapin drejt objektivit të NATO-s në buxhetin federal pas përfundimit të programit të posaçëm për ushtrinë”, tha Lindner.

Sipas parimeve të NATO-s, anëtarët duhet të synojnë të shpenzojnë të paktën 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtje.

Deri në vitin 2024, 23 aleatë pritet të përmbushin ose tejkalojnë këtë objektiv.

Gjermania thotë se i ka dërguar Ukrainës edhe një sistem Patriot

Gjermania tha më 5 korrik se në Ukrainë tashmë është dërguar edhe një sistem i mbrojtjes ajrore, Patriot, teksa Kievi po vazhdon të përballet me pushtimin e nisur nga Rusia.

“Sistemi tretë Patriot nga Gjermania tashmë ka arritur në Ukrainë”, tha ambasadori gjerman në Ukrainë, Martin Jaeger, përmes një postimi në X.

Në prill, Berlini kishte njoftuar se do t’i jepte Kievit këto lloje të sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Ukraina po i bën thirrje mbështetësve të saj perëndimorë që t’i dërgojnë më shumë mbrojtje ajrore, veçmas sisteme Patriot, të prodhimit amerikan. Ky sistem është i aftë të rrëzojë raketa hipersonike të Rusisë.

Më shumë se dy vjet që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, Moska po vazhdon të sulmojë sistemin energjetik të Kievit, duke detyruar Ukrainën që të aplikojë reduktime të energjisë elektrike.

Përveç sistemit Patriot, Berlini i ka dhënë Kievit edhe armë të tjera, duke nisur nga artileria e deri tek autoblindat. Pavarësisht se Gjermania i ka dhënë ndihmë ushtarake Ukrainës në vlerë prej miliarda eurosh, kancelari gjerman, Olaf Scholz, është përballur me kritika muajve të fundit për shkak se nuk po lejon dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi të llojit, Taurus.

Gjermania ka shprehur frikën se këto raketa mund të përdoren për të shënjestruar caqe thellë brenda Rusisë. REL

Ukraina rrëzon 21 dronë rusë

Një ushtar ukrainas ulet pranë sistemit për mbrojtje ajrore kundër dronëve në Herson, Ukrainë, 11 qershor 2024.

 

Ukraina i ka rrëzuar 21 prej 22 dronëve me të cilët Rusia e sulmoi gjatë natës, njoftoi Forca Ajrore të enjten.

Kundërajrorët ukrainas i rrëzuan dronët mbi rajonet e Ukrainës veriore dhe qendrore, thuhet në njoftim.

Guvernatori i rajonit verior Çernihiv tha se njëri prej dronëve e goditi një ndërtesë në rajonin e tij, por nuk dha hollësi të tjera.

Megjithatë, ai njoftoi se mbi 5.000 konsumatorë në këtë rajon kanë mbetur pa furnizim me rrymë, për shkak të sulmeve ruse mbi infrastrukturën energjetike.

Guvernatori i Dnipropetrovskit tha se dy dronë u rrëzuat nga kundërajrorët ukrainas mbi rajonin e tij.

Rusia është duke i vazhduar sulmet me raketa dhe me dronë mbi rajone të ndryshme ukrainase.

Të mërkurën, së paku pesë persona u vranë dhe 34 të tjerë u plagosën nga një sulm i ushtrisë ruse me dronë dhe raketa në qytetin Dnjepër të Ukrainës.

Pas atij sulmi, Volodymyr Zelensky, presidenti i Ukrainës, i cili i bëri thirrje Perëndimit për ndihmë ajrore.

“Vetëm dy gjëra mund ta ndalin këtë terror rus: sistemet moderne të mbrojtjes ajrore dhe armët me rreze të gjata veprimi”, shkroi Zelensky në X.

“Bota mund të mbrojë jetë, për këtë nevojitet vendosmëria e liderëve. Vendosmëria duhet ta bëjë përsëri normë mbrojtjen nga terrori”, shtoi ai.

Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Perëndimi ka ndërmarrë sanksione të ashpra kundër saj, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.

Muajin e kaluar, Bashkimi Evropian ka nisur edhe negociatat për anëtarësimin e Ukrainës në radhët e veta. REL

Orban arrin për vizitë në Kiev

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Kiev, 2 korrik 2024.

 

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, arriti për vizitë në Kiev, për herë të parë prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Zëdhënësi i tij, Zoltan Kovacs, tha se Orban do të diskutojë për “paqen evropiane” me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Bisedimet do të fokusohen në mundësitë për arritjen e paqes, si dhe në çështjet aktuale në marrëdhëniet dypalëshe hungareze-ukrainase”, shkroi Kovacs në X.

Vizita e tij vjen një ditë pasi Hungaria mori presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Orban është një kritik i ndihmave ushtarake të Perëndimit për Ukrainën.

Dhjetorin e kaluar, ai u largua nga një takim i liderëve të Bashkimit Evropian për të shmangur votimin kundër nisjes së bisedimeve për anëtarësimin e Ukrainës në BE.

BE-ja, muajin e kaluar, i nisi këto bisedime me vendin në luftë.

Orban është, po ashtu, një nga udhëheqësit e paktë perëndimorë që është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, prej se ai ka urdhëruar pushtimin e vendit fqinj.

Francë, partitë e majta dhe të qendrës thirrje për aleancë të përbashkët kundër të djathtës ekstreme

VOA/Lisa Bryant

PARIS – E djathta e skajshme në Francë kurrë nuk ka qenë më afër pushtetit pas fitores në raundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme, që u mbajtën të dielën.

Ky rezultat i jashtëzakonshëm mund t’i mundësojë marrjen e pushtetit të djathtës ekstreme si dhe një kryeministri që përfaqëson të njëjtën linjë përpara Lojërave Olimpike që mbahen në Paris, nëse ajo fiton shumicën e votave në raundin e dytë, që mbahet më 7 korrik.

Partitë e majta dhe të qendrës po bëjnë thirrje për një aleancë të përbashkët kundër ekstremizmit në njërin prej shteteve më të rëndësishme të Evropës.

Partia e djathtë Bashkimi Kombëtar dhe drejtuesja e saj Marine Le Pen po festojnë rezultatet e fundit. Ajo ka kaluar vite të tëra duke transformuar imazhin e partisë së saj me agjendë kundër emigracionit nga një lëvizje e dorës së dytë, me prirje raciste, në një alternativë të pranueshme politike.

Puna e saj duket se u shpërblye të dielën – Bashkimi Kombëtar mori një të tretën e votave, duke u radhitur shumë përpara partisë së qendrës së Presidentit Emmanuel Macron dhe aleatëve të saj, të cilët morën pak mbi 20 për qind të votave, duke u radhitur në vendin e tretë.

Aleanca e majtë, Fronti i Ri Popullor, u radhit e dyta, me rreth 28 për qind të votave të fituara.

Dalja në zgjedhje ishte më e larta ndër vite, shenjë për rëndësinë që këto zgjedhje të parakohshme parlamentare bartin për votuesit. Zgjedhjet u thirrën nga Presidenti Macron – tre vjet para afatit kohor – pasi rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian që u mbajtën në qershor fuqizuan partitë e djathta.

Analistët thonë se zoti Macron vuri bast se partia e tij dhe planet e tij për reforma disi do të mbizotërojnë, pas një periudhe ngërçi në dhomën e ulët të Parlamentit të Francës.

Por platforma e së djathtës – e ashpër ndaj krimit dhe emigracionit të jashtëligjshëm dhe e përqendruar në shqetësimet e përditshme – po rezonon me votuesit.

Presidenti i Bashkimit Kombëtar Jordan Bardella – i cili mund të jetë kryeministri i ardhshëm i Francës nëse partia e tij fiton shumicën e vendeve në parlament – u bëri thirrje votuesve të mbështesin kandidaturën e tij në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Jo të gjithë janë bindur. Në një qendër votimi në pjesën verilindore të Parisit, që konsiderohet bastion i të majtës, shumë votues janë të dëshpëruar nga mundësia e fitores së Bashkimit Kombëtar.

“Me qeverinë aktuale tashmë kishim disa politika të djathta, por gjërat vetëm sa do të përkeqësoheshin, sidomos e drejta për të protestuar, të drejtat e minoriteteve dhe të gjitha tjerat,” thotë votuesi nga Parisi, Matthieu Maguet.

Votuesja Emmanuela Konan nuk tregon se për kënd ka votuar – por ajo thotë se një fitore e Bashkimit Kombëtar do të jetë e vështirë për vendin.

Votuesja Christine Pekar votoi për aleancën e Presidentit Macron.

“Mendoj se ai ka treguar guxim politik duke nxitur të gjitha reformat gjatë shtatë viteve të fundit,” thotë ajo.

Në Paris dhe në pjesët tjera të vendit, njerëzit protestuan kundër partive të djathta pas shpalljes së rezultateve të raundit të parë.

Politikanët e majtë po bëjnë thirrje për një aleancë kundër ekstremizmit.

Të njëjtin apel po e bën edhe partia në pushtet në Francë – dhe kryeministri Gabriel Attal. Për t’u dhënë mundësi fitoreje partive kryesore, thotë ai, aleanca e tij do të tërhiqet nga raundi i dytë i zgjedhjeve në pjesët e vendit ku nuk qëndron mirë dhe nuk ka shanse të fitojë.

Por përçarjet ndërmjet zotit Macron dhe të majtës janë të thella. Dhe përkundër përpjekjeve për t’i ngushtuar ato, ekziston mundësia që Bashkimi Kombëtar do të tregohet i pandalshëm.


Send this to a friend