VOAL

VOAL

Mendimet e ekspertëve ndërkombëtarë mbi paketën anti-shpifje

December 16, 2019

Komentet

Informacion, burime, ndikim: Gjurmët e BIA-s në Kosovë

Valona Tela

Në pak më shumë se dy vjet, në Kosovë janë arrestuar disa persona nën dyshimin se kanë spiunuar për Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë, BIA.

Të marra së bashku, rastet tregojnë një gamë të gjerë informacionesh për të cilat, sipas Prokurorisë Speciale, ka pasur interes: nga Policia e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), te zhvillimet politike, zgjedhjet, pjesëtarë të komuniteteve të caktuara dhe individë me ndikim.

Disa prej rasteve janë ende në gjykim. Në disa të tjera tashmë ka dënime.

Ato nuk provojnë vetvetiu ekzistencën e një operacioni të vetëm apo të një rrjeti të koordinuar të BIA-s në Kosovë. Por, ngrenë pyetjen se çfarë kërkon ajo dhe çfarë mund të bëjë me informacionet pasi t’i ketë siguruar.

“Punohet më së shumti në përfitimin e njerëzve. Qoftë për informacione, qoftë për ndikim përmes institucioneve”, thotë Dushan Janjiq, themelues i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, për Radion Evropa e Lirë.

Një prej rasteve më të fundit pritet të nisë të gjykohet më 7 shtator në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Fatmir Sheholli akuzohet për spiunazh dhe shantazh.

Prokuroria Speciale e Kosovës pretendon se ai ishte rekrutuar nga BIA dhe se mblidhte informacione për zhvillimet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Sipas aktakuzës, ai dyshohet se ka marrë pjesë edhe në një plan për komprometimin e zyrtarëve të Kosovës dhe ndërhyrjen në zgjedhjet lokale të vitit 2025.

Në telefonin e tij, sipas Prokurorisë, është gjetur edhe fotografia e një dokumenti të quajtur “Top sekret 2”, përmbajtja e të cilit pretendon ekzistencën e një plani për përdorimin e fesë islame për përçarjen e shqiptarëve dhe ndryshimin e perceptimit të Perëndimit për Kosovën.

Autorësia dhe autenticiteti i dokumentit nuk janë sqaruar publikisht.

Bashkësia Islame e Kosovës i ka mohuar pretendimet që përmban ai dhe ka kërkuar hetimin e origjinës dhe vërtetësisë së tij.

Publikimi i përmbajtjes së dokumentit nxiti reagime dhe përplasje në rrjetet sociale, përfshirë pretendime për lidhje mes BIA-s dhe pjesëtarëve të komunitetit mysliman në Kosovë.

Por, aktakuzat nuk tregojnë se çfarë ndodh më pas me informacionet që, sipas Prokurorisë, mblidhen dhe i përcillen inteligjencës serbe.

Ekspertët e inteligjencës thonë se vetë mbledhja e informacionit është vetëm një pjesë e punës së një shërbimi.

Po aq rëndësi ka se kush e siguron atë, çfarë qasjeje ka burimi dhe për çfarë mund të përdoren më pas informacioni dhe rrjeti i krijuar.

Daniel Lomas, profesor i inteligjencës dhe sigurisë në Universitetin e Nottinghamit në Angli, thotë se faza e parë zakonisht është mbledhja e informacionit.

“Fillimisht përpiqesh të marrësh informacion nga burimet, pra për politikën e një vendi, ekonominë e një vendi, kush është lart, kush është poshtë, thashetheme politike, duke zhvilluar rrjete njerëzish në gjithë shoqërinë”, shpjegon Lomas për Radion Evropa e Lirë.

Por, sipas tij, rrjetet e krijuara mund të fitojnë më vonë një funksion tjetër: të përdoren për ndikim politik.

Çfarë është BIA?

Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit, BIA, është shërbimi civil kombëtar i sigurisë i Serbisë dhe funksionon si organizatë e posaçme e Qeverisë serbe.

Ajo u krijua me ligj në vitin 2002, pas ndarjes së shërbimit civil të sigurisë dhe inteligjencës nga Ministria e Brendshme.

Sipas ligjit serb, detyrat e BIA-s përfshijnë mbrojtjen e sigurisë së Serbisë, zbulimin dhe parandalimin e veprimtarive që synojnë cenimin e rendit kushtetues, si dhe hulumtimin, mbledhjen, përpunimin dhe vlerësimin e të dhënave të inteligjencës me rëndësi për sigurinë e vendit.

Ligji parashikon gjithashtu se BIA mund të bashkëpunojë me shërbime të shteteve të tjera dhe organizata ndërkombëtare, në përputhje me udhëzimet e Qeverisë dhe politikën e sigurisë dhe inteligjencës së Serbisë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar BIA-s për të marrë qëndrimin e saj lidhur me rastet dhe pretendimet për veprimtarinë e saj në Kosovë, por nuk ka marrë përgjigje.

Çfarë informacioni kërkohet?

Aktakuzat e ngritura në Kosovë japin disa të dhëna për llojin e informacioneve që dyshohet se janë kërkuar.

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi akuzohen se kanë mbledhur dhe përcjellë informacione që lidheshin me UÇK-në, Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Sipas aktakuzës, Shabani kishte mbledhur edhe materiale për masakrën e Reçakut, ndërsa Qerimi informacione për dëshmitarë të Gjykatës Speciale.

Të dy janë deklaruar të pafajshëm dhe procesi gjyqësor ndaj tyre vazhdon.

Në një rast tjetër, Fehim Sali dyshohet se gjatë viteve 2024 dhe 2025 ka mbledhur dhe përcjellë informacione dhe dokumente për persona të caktuar në Kosovë, përfshirë persona që Prokuroria i përshkruan si pjesëtarë të qarqeve vehabiste.

Në mesin e personave tashmë të dënuar për spiunazh janë Aleksandar Vllajiq dhe Jellena Gjukanoviq.

Janjiq thotë se interesi i një shërbimi inteligjent nuk kufizohet vetëm te dokumentet apo të dhënat konkrete. Po aq të rëndësishëm janë njerëzit që kanë qasje në to.

Sipas tij, BIA interesohet për burime që mund të sigurojnë informacione, por edhe për persona me ndikim.

“Dihet kush është popullata shumicë në Kosovë – janë shqiptarët – dihet kush ka ndikim në ekonomi”, thotë Janjiq.

Ai shton se synimi është të arrihet te “burime cilësore të informacionit”.

Por, rëndësia e një burimi brenda një institucioni nuk kufizohet domosdoshmërisht tek ajo që mund të nxjerrë prej tij.

Lomas merr si shembull policinë.

“Policia mund të bëjë më shumë sesa mund të bëjë qytetari i zakonshëm. Ajo ka kompetenca të ndryshme të mbikëqyrjes. Mund të ketë qasje në lloje të caktuara informacioni”, thotë ai.

Një person brenda policisë, sipas tij, mund të ndihmojë edhe në identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë objektiv rekrutimi apo të krijojë mundësi për operacione të tjera.

Çfarë ndodh me informacionin?

Janjiq është i kujdesshëm kur pyetet se çfarë ndodh konkretisht me informacionet që arrijnë te BIA.

“Këtë, sinqerisht t’ju them, vetëm mund ta imagjinoj”, thotë ai.

Në parim, sipas tij, informacionet kalojnë në sektorët analitikë, ku “renditen, klasifikohen” dhe më pas përdoren në varësi të vlerësimit, para së gjithash, politik.

Ai përmend shantazhin dhe ndikimin si disa nga mundësitë e përdorimit të tyre.

Lomas e shpjegon procesin nga perspektiva e funksionimit të shërbimeve të inteligjencës në përgjithësi.

Informacioni për politikën, institucionet dhe individët, thotë ai, mund t’i tregojë një shërbimi të huaj se ku ndodhen dobësitë apo përçarjet brenda një qeverie, partie ose shoqërie.

“Inteligjenca të lejon të hapësh çarje brenda qeverive, partive politike, shoqërisë më të gjerë, sepse të jep njohuri të qarta se si ta shfrytëzosh një shoqëri të caktuar”, thotë Lomas.

Hapi tjetër, sipas tij, mund të jetë ajo që në botën e inteligjencës njihet si “veprim i fshehtë”: jo më vetëm mbledhje e informacionit, por ndërmarrje veprimesh mbi bazën e asaj që është mësuar.

“…pra, nuk je më vetëm duke qëndruar mënjanë dhe duke mbledhur informacione, por edhe bën diçka duke u bazuar në to”, thotë ai.

Kjo nuk do të thotë se rastet e zbuluara në Kosovë dëshmojnë ekzistencën e një strategjie të tillë të koordinuar të BIA-s.

Proceset gjyqësore kanë të bëjnë me përgjegjësinë individuale të personave konkretë, ndërsa një pjesë e pretendimeve të Prokurorisë ende nuk janë provuar me aktgjykime përfundimtare.

Radio Evropa e Lirë pyeti Prokurorinë Speciale të Kosovës për numrin e personave nën hetim, aktakuza apo gjykim për spiunazh në favor të Serbisë, për lidhjet dhe metodat e mundshme të përbashkëta mes rasteve, si dhe për dyshimet për përfshirjen e personave brenda institucioneve publike, por nuk mori përgjigje.

Përgjigje nuk dha as Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, të cilën REL-i e pyeti për vlerësimin e saj mbi shtrirjen e mundshme të veprimtarisë së BIA-s dhe rrezikun që ajo mund të paraqesë për institucionet e Kosovës.

A mund ta destabilizojë një vend spiunazhi?

Lomas paralajmëron kundër përfundimit se spiunazhi, vetvetiu, mund të destabilizojë një shtet.

“Mendoj se spiunazhi të çon vetëm deri në një pikë”, thotë ai.

Shërbimet e huaja, sipas tij, nuk kanë nevojë t’i krijojnë vetë ndarjet apo pakënaqësitë brenda një shoqërie. Ato mund t’i identifikojnë dhe t’i shfrytëzojnë ato.

Për ta shpjeguar këtë mekanizëm, Lomas merr Rusinë si shembull.

Ai përmend debatet rreth migracionit në Gjermani, duke theksuar se shqetësimet e një pjese të shoqërisë për këtë çështje nuk janë krijuar nga Rusia. Por, sipas tij, aktorë të jashtëm rusë i kanë amplifikuar pakënaqësitë e tilla, përfshirë përmes rrjeteve sociale.

Ai e krahason këtë edhe me një zjarr: pakënaqësitë ekzistojnë, ndërsa ndërhyrja nga jashtë mund t’i shtojë “karburant zjarrit”, duke i bërë më të mëdha dhe më të rrezikshme.

Lomas nuk thotë se rastet në Kosovë dëshmojnë një model identik.

Por, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ai e sheh këtë edhe në kontekstin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe përplasjes së saj më të gjerë me Perëndimin.

Sipas tij, Rusia mund të ketë interes në hapësira ku tensionet ekzistuese mund të mbahen të hapura dhe ku vëmendja e NATO-s mund të zhvendoset drejt një krize tjetër.

Në Kosovë, debati që shkaktoi dokumenti “Top sekret 2”, autorësia dhe autenticiteti i të cilit mbeten të pasqaruara, tregoi se sa shpejt një çështje e ndjeshme mund të prodhojë polarizim.

Për Janjiqin, rrjedhja e informacionit, infiltrimi në institucione dhe përpjekjet për ndikim nuk mund të shihen krejtësisht të ndara.

Ai e lidh veprimtarinë e inteligjencës edhe me politikën e Serbisë për të mos e njohur Kosovën dhe me interesin për informacione që, sipas tij, mund të përdoren për diskreditimin e saj.

“Kur nuk e njeh Kosovën, atëherë duhet të mbledhësh sa më shumë të dhëna negative për gjendjen atje”, thotë Janjiq.

Si mund të mbrohet Kosova?

Për Lomasin, mbrojtja nuk fillon vetëm me zbulimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.

Një prej mjeteve është edhe ekspozimi publik i mënyrave se si veprojnë shërbimet e huaja të inteligjencës.

Ai përmend përvojën e vendeve të Evropës Perëndimore, ku publikimi i rasteve të spiunazhit është përdorur edhe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut dhe institucioneve për mënyrat e rekrutimit dhe rreziqet që sjellin ato.

“Fakti që i keni pasur këto arrestime dhe se ato janë bërë publike është një mënyrë për t’ua bërë të qartë njerëzve se këto shërbime të huaja të inteligjencës paraqesin kërcënim. Ato janë rrezik. Nuk do të zhduken”, thotë Lomas.

Po aq i rëndësishëm, sipas tij, është kundërzbulimi: identifikimi i njerëzve dhe institucioneve që mund të jenë më të cenueshëm, zbulimi i përpjekjeve për rekrutim dhe shkëmbimi i informacionit me partnerët ndërkombëtarë.

Edhe Janjiq e vë theksin te forcimi i kapaciteteve të inteligjencës dhe sigurisë në Kosovë.

Por, ai thotë se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi institucionet kosovare.

Sipas tij, NATO-ja, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët evropianë kanë rol në ngritjen e standardeve të sigurisë, forcimin e kapaciteteve të institucioneve kosovare dhe krijimin e mekanizmave më të mirë të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit.

Rastet e zbuluara deri tani, megjithatë, nuk japin përgjigje për përmasën e mundshme të veprimtarisë së BIA-s në Kosovë.

Nuk dihet publikisht se sa persona mund të jenë rekrutuar, sa gjatë mund të kenë zgjatur lidhjet me inteligjencën serbe apo sa informacione mund të kenë përfunduar tek ajo.

Për një pjesë të të akuzuarve, edhe vetë pretendimet e Prokurorisë duhet ende të provohen në gjykatë.

“Mos i hëngshi e mos iu pafshi hajrin!” Ornela Çuçi: Historia e Palasës dhe dilema e madhe e pronës në Shqipëri. U zutë për tokën? Shteti ua zgjidh me shpronësim!

Nga Ornela Çuçi

Ka një mallkim të vjetër shqiptar që më vjen ndër mend kur lexoj historinë e fundit të Palasës. “Mos i hëngshi e mos i pafshi hajrit!” Ma do mendja se duhet ta kenë thënë shumë prej atyre fshatarëve të asaj zone që u sorollatën një jetë për një tapi. Për një AMTP. Për një hipotekë. Për njohjen e një prone. Për një leje shfrytëzimi. Për një ndryshim nga kullotë në një tokë për ndërtim. Dhe që, pasi u lodhën duke provuar se toka e gjyshit ishte e tyre, e shitën për dy lekë, me gjithë derametet e saj.

Sot ajo tokë është flori. Dhe sa herë plas një histori pronash në atë bregdet, më duket sikur ky mallkim del përsëri nga dheu. Sepse vetëm shifrat e Palasës janë një histori më vete.

Në dokumentacionin zyrtar, i gjithë fondi bujqësor i Palasës rezulton 135 hektarë, 5 ha arë, 6 ha pemëtore dhe 124 ha ullishte. Por në raportin e auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për Bashkinë Himarë del një shifër që të detyron ta lexosh dy herë:

Për Palasën rezultojnë 137 familje që duhet të trajtoheshin me 135 hektarë, ndërsa 131 familje rezultojnë të trajtuara me 150 hektarë. Pra, 135 hektarë tokë. 150 hektarë të ndarë. Pesëmbëdhjetë hektarë më shumë se fondi bujqësor që figuron për fshatin.

Është në tabelën e KLSH-së dhe vetë ky organ paralajmëron se evidencat e ndarjes së tokës “janë jo të sakta”, se “nuk rezulton të jetë bërë regjistri i saktë i ndarjes së tokës”, se nuk është bërë azhurnimi i tokës bujqësore dhe se mungojnë dokumentet dhe gjurmët e auditimit që do të lejonin të verifikohej saktësia e inventarit.

Dhe ky, për mua, është sfondi real i historisë. Jo emrat e resorteve. As emrat e biznesmenëve. Është historia e një bregdeti ku për dekada qytetari i zakonshëm është përballur me një labirint tapish, AMTP-sh, regjistrimesh, mbivendosjesh, lejesh e ndryshimesh destinacioni; ndërkohë që me rritjen e vlerës së tokës janë rritur edhe interesat mbi të.

Pastaj vjen ngjarja e fundit. Makina. Njerëz të armatosur. Polici. Dy efektivë të Policisë Ushtarake, prania e të cilëve u konfirmua nga Ministri i Mbrojtjes, me sqarimin se ishin jashtë shërbimit dhe më pas u pezulluan. Dhe në fund, ndërhyn Kryeministri.

“Kemi vendosur ta shpronësojmë për interes publik të gjithë zonën e atij konflikti banal dhe brutal…”
Për ta kthyer në një oaz ullinjsh, “territor paqeje”.

Hmmm, tani na u be lëmsh fare, se në Ligjin nr. 8561, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, Neni 2 vendos një kusht themelor: shpronësimi bëhet për një interes publik që nuk mund të realizohet ose mbrohet në mënyrë tjetër, vetëm për shkaqet e përcaktuara në ligj dhe vetëm në masën e domosdoshme për realizimin e qëllimit. Mandej, vjen neni 8, që përcakton shkaqet për të cilat mund të bëhet shpronësimi: ndër të tjera transport, energji, infrastrukturë, mjedis, shëndet, kulturë, arsim, mbrojtje, investime strategjike etj.

Pra, Një projekt publik mjedisor, përfshirë në parim edhe një park, mund të krijojë bazë ligjore për shpronësim nëse plotëson kushtet e ligjit…. Por nuk gjeta askund një kategori që quhet “Pajtimi i dy privatëve që u zunë për tokën.” Kryeministri nuk e shpronëson pronën me deklaratë. Ligji kërkon procedurë. Kërkesë dhe projekt konkret. Shkak ligjor.
Verifikim nga Agjencia Shtetërore për Shpronësimin.
Identifikim të pronave dhe pronarëve. Njoftim. Vlerësim. Shpërblim të drejtë. Propozim sipas procedurës ligjore.

Madje madje, ligji parashikon edhe rastin kur mbi pronën vazhdon një konflikt gjyqësor. Procesi për pronësinë nuk e bllokon domosdoshmërisht shpronësimin; kompensimi mund të mbahet në një llogari të posaçme derisa gjykata të përcaktojë se kush është pronari.

Shteti po deshi e kap lepurin me qerre, e ne të shkretët Nuk e kemi për herë të parë. Në vitin 1945, regjimi komunist nisi Reformën Agrare. Ligji nr. 108, datë 29 gusht 1945, përcaktonte tokat që shpronësoheshin dhe mekanizmin përmes të cilit realizohej reforma. Pastaj erdhi kolektivizimi. Dhe Kushtetuta e vitit 1976 e mbylli fare diskutimin: toka ishte pronë vetëm e shtetit dhe mund t’u jepej qytetarëve vetëm në përdorim. Diktatura ishte të paktën brutalisht e qartë se çfarë sistemi pronësie kishte ndërtuar. Ne kemi 35 vjet që pretendojmë se kemi ndërtuar Republikë kushtetuese. Pronë private. Siguri juridike. Ndarje pushtetesh. Shtet të së drejtës.

Max Weber dallonte autoritetin racional-ligjor, ku pushteti buron nga ligji, rregullat dhe kompetencat impersonale, nga sundimi patrimonial, ku pushteti publik fillon të ushtrohet si zgjatim i autoritetit personal të sundimtarit. “U zutë? Do t’jua shpronësojmë. Do të mbjellim ullinj. Do ta bëjmë territor paqeje.” nuk di më ku dreqin të na klasifikoj. Te komunizmi jo. Pronën private e kemi. Te shteti racional-ligjor i Weberit duhet të presim procedurën dhe VKM-në. Te patrimonializmi më ngjan pak shumë familjare skena. Ose Alla shqiptarçe, Republikën e Pajtimit me Shpronësim.

Mos u zihni, çuna. Republika vjen t’ua paguajë paqen.

Do të ishte për të qeshur, sikur pas gjithë kësaj historie të mos ishin breza të tërë shqiptarësh që kanë kaluar jetën duke pritur një dokument prone, Sepse, problemi ynë nuk ka qenë asnjëherë mungesa e tokës. Problemi ka qenë gjithmonë kush ka fuqinë të vendosë se e kujt është toka.

Ata pleqtë që e shitën tokën me derte dhe ikën duke thënë “mos ia pafshi hajrin”, ndoshta nuk kishin lexuar as Kushtetutën, as ligjin e shpronësimeve, as Max Weberin… po kam frikë se Shqipërinë e kishin kuptuar shumë më mirë se ne.

BIRN: Mbyllja e faqeve të mediave në platformat e Meta-s alarmon gazetarët shqiptarë

TIRANË- Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shprehu të shtunën shqetësim për mbylljen e faqes në Facebook të medias së pavarur Citizens.al, vetëm pak kohë pasi faqja zyrtare e Euronews Albania në Instagram u bë e paaksesueshme.

“Mbyllja e njëpasnjëshme e faqeve të mediave, në një periudhë kur janë raportuar probleme me qindra llogari shqiptare, nuk mund të trajtohet më si një incident i izoluar apo vetëm si një çështje teknike,” tha AGSH nëpërmjet një deklarate për mediat.

“Kufizimi i aksesit të mediave në kanalet kryesore të komunikimit me publikun cenon shpërndarjen e informacionit dhe ngre shqetësime serioze për lirinë e medias,” shtoi Asociacioni.

Citizens.al është një media e cila, ndër të tjera, ka raportuar në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet e protestave të “Revolucionit të Flamingove”.

Sipas AGSH-së, mbyllja e faqes së saj në Facebook, pa një shpjegim publik dhe transparent, “shton dyshimet dhe shqetësimet” për mënyrën se si po zbatohen mekanizmat e moderimit dhe raportimit në platformat e kompanisë Meta.

“Faqja e Citizens.al në Facebook u mbyll pa asnjë njoftim paraprak,” shkroi Lorin Kadiu, drejtuesi i Citizens.al. “Ky nuk është sulmi i parë ndaj nesh, po punojmë për ta rikthyer,” shtoi ai.

Më herët, edhe faqja zyrtare në Instagram e Euronews Albania ishte bërë e paaksesueshme. Gjatë ditëve të fundit janë raportuar disa raste kur llogaritë e aktivistëve dhe politikanëve që mbështesin protestën janë pezulluar në këtë platformë.

Euronews Albania deklaroi se mbyllja e faqes së saj në Instagram kishte ardhur pak orë pas një interviste me eurodeputetin Sandro Gozi, ku ai foli për valën e llogarive shqiptare të mbyllura në rrjetet sociale gjatë ditëve të fundit.

“Platformat digjitale kanë përgjegjësi të garantojnë procese të qarta, transparente dhe të drejta,” tha AGSH. “Kur vendime të tilla prekin mediat dhe aksesin e publikut në informacion, çështja nuk është më vetëm teknike, por prek drejtpërdrejt lirinë e medias dhe të drejtën për informim,” përfundoi organizata e lirisë së medias.

Në mbështetje të Euronews Albania reaguan gjithashtu Asociacioni i Gazetarëve Europianë (AEJ) dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, të cilët shprehën shqetësim për mbylljen e llogarisë së medias në Instagram./Reporter.al

Mbyllet faqja në Instagram e Euronews Albania. Shkak, publikimi i videove nga protesta?

Vetëm mbrëmjen e kaluar, Euronews Albania kishte të ftuar në emisionin “Review” eurodeputetin Sandro Gozi, i cili foli pikërisht për mbylljen e llogarive shqiptare në Instagram dhe kërkoi transparencë nga Meta.

 

TIRANË- Faqja e Euronews Albania në Instagram nuk është më e aksesueshme, duke ngritur edhe më shumë alarmin mbi atë që po ndodh ditët e fundit me llogaritë shqiptare në rrjetet sociale. Pa asnjë njoftim, pa asnjë masë, sot faqja e Euronews Albania u zgjua me njoftimin ‘user not found’.

Vetëm mbrëmjen e kaluar, Euronews Albania kishte të ftuar në emisionin “Review” eurodeputetin Sandro Gozi, i cili foli pikërisht për mbylljen e llogarive shqiptare në Instagram dhe kërkoi transparencë nga Meta. Gozi ngriti pyetjen: çfarë po ndodh dhe përse po mbyllen këto llogari?

Eurodeputeti kërkoi që Meta të japë një përgjigje të qartë nëse kemi të bëjmë me probleme teknike, shkelje të rregullave të platformës apo abuzim të koordinuar me sistemin e raportimeve. Më pak se 24 orë pas kësaj interviste, vetë Euronews Albania nuk e ka më të aksesueshme faqen e saj në Instagram.

Ky fakt nuk provon një lidhje mes intervistës dhe mbylljes së faqes dhe, pa një shpjegim nga Meta, çdo përfundim i tillë do të ishte spekulim. Por rasti e bën edhe më aktuale pikërisht pyetjen e ngritur një natë më parë në studion e Euronews Albania.

Gjatë ditëve të fundit janë raportuar dhjetëra raste të llogarive shqiptare të mbyllura, në Instagram. Meta ka pranuar se disa prej llogarive janë hequr gabimisht, ka nisur rishikimin e masave dhe disa profile janë rikthyer. Megjithatë, kompania nuk ka dhënë ende një shpjegim të plotë mbi atë që ka shkaktuar këtë seri problemesh. Çështja tashmë shkon përtej një profili të vetëm.

Kur një platformë globale mund të ndërpresë papritur aksesin e një individi, organizate apo edhe të një mediaje me logo ndërkombëtare te audienca e saj, pa një shpjegim të menjëhershëm dhe të kuptueshëm, problemi kryesor është transparenca. Meta duhet të sqarojë çfarë po ndodh me llogaritë shqiptare, si funksionon sistemi që çon në mbylljen e tyre, nëse po abuzohet me mekanizmin e raportimeve dhe çfarë garancish ekzistojnë që një llogari të mos zhduket gabimisht.

Sepse sot pyetja që Sandro Gozi ngriti mbrëmë në Euronews Albania i drejtohet edhe vetë rastit të Euronews Albania: Çfarë po ndodh me Instagramin dhe pse po mbyllen këto llogari?/Euronews Albania

POLITIKANËT EVROPIANË ANALFABETË DHE TË LLASTUAR JANË ALEATËT MË TË MIRË TË PUTINIT! – Nga Dragan BURSAQ

 

Sot, Evropa supozohet të mbrohet nga Putini nga një brez politikanësh që u rritën në një botë ku lufta ishte një imazh televiziv dhe kriza më serioze ishte zhdukja e internetit, gazi më i shtrenjtë ose rënia e standardeve. Putini e di këtë. Dhe ai mendon se Evropa e prishur do të humbasë durimin më shpejt sesa Rusia do të humbasë burimet dhe njerëzit e saj.

Politikani evropian i sotëm është kryesisht një burrë i lindur në vitet shtatëdhjetë, i rritur në vitet tetëdhjetë, i pjekur politikisht pas rënies së Murit të Berlinit dhe i cili e kaloi pothuajse të gjithë jetën e tij si i rritur duke besuar se lufta në Evropë ishte vetëm një shënim historik.

Karriera e tij politike u ndërtua gjatë një kohe kur fatkeqësitë më të mëdha ishin ndërprerjet e herëpashershme të internetit, një rënie e standardeve prej disa përqindësh, benzina më e shtrenjtë, anulimet e herëpashershme të fluturimeve dhe Netflix që ndonjëherë nuk funksiononte. Pastaj Vladimir Putin u shfaq para asaj gjenerate, një burrë që nuk pushoi kurrë së shikuari botën përmes territorit, forcës, ushtrisë, perandorisë dhe frikës së Luftës së Ftohtë, dhe Evropa zbuloi se sa e rrezikshme është kur politikanët e trajnuar për të administruar paqen duhet të qeverisin një kontinent përballë mundësisë së luftës.

Mjaft me gënjeshtrat, këto janë breza politikë analfabetë!

Kjo është arsyeja pse deklarata e fundit e analistit ushtarak kroat Robert Barić Mandić se duhet të ndalojmë së mashtruari të rinjtë me historinë se nuk do të ketë luftë është shumë më e rëndësishme sesa një paralajmërim tjetër se Evropa duhet të blejë më shumë tanke, raketa dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Mandić flet për analfabetizmin politik, dhe pas këtij formulimi qëndron një nga tragjeditë më të mëdha evropiane të dekadave të fundit: kontinenti prodhoi një klasë politike të trajnuar për të menaxhuar procedurat, fondet, buxhetet, rregulloret, koalicionet, fushatat zgjedhore dhe krizat që përfundojnë me një konferencë për shtyp, ndërsa aftësia për të menduar për pushtetin, forcën, parandalimin, territorin dhe luftën iu la

teksteve shkollore të historisë.

Aspekti brezor i këtij problemi është veçanërisht interesant. Udhëheqësit e sotëm evropianë i përkasin kryesisht brezave të lindur në vitet gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë të shekullit të kaluar. Këta janë bashkëmoshatarët e mi ose njerëz vetëm pak më të vjetër se unë, një brez për të cilin Lufta e Dytë Botërore ishte historia e gjyshërve të tyre, Lufta e Ftohtë sfondi i fëmijërisë së prindërve të tyre dhe rënia e Murit të Berlinit fillimi i jetës së të rriturve – nëse edhe kaq.

Për një anëtar të Evropës Perëndimore të asaj brezi, lufta mbeti një imazh i largët televiziv nga Sarajeva, Bagdadi, Kabuli, Grozni ose Aleppo. Granata i përkiste gjeografisë së dikujt tjetër. Reduktimi i energjisë elektrike në jetën e dikujt tjetër. Mobilizimi në një vend të huaj. Uria, refugjatët, zhdukja e ujit, shkatërrimi i qytetit dhe mungesa e sigurisë bazë për shumë vite ishin përmbajtja e lajmeve të mbrëmjes, pas të cilave njerëzit shkonin për darkë.

Avantazhi krahasues i Ballkanit dhe infantilizimi evropian i botës

Ne nga Ballkani kemi një “privilegj” të tmerrshëm që një pjesë e madhe e Evropës nuk e ka: E dimë sa pak duhet për ta kthyer qytetërimin në një kujtim. E dimë se midis një jete të rregullt dhe një bidon me ujë në bodrum, ndonjëherë duhen disa javë ose as aq shumë. E dimë se brenda natës qyteti mund të pushojë së qeni një vend kafenesh, kinemash dhe koncertesh dhe të bëhet një hartë e rrugëve të snajperëve. Brezi politik i Evropës Perëndimore kryesisht nuk ka një përvojë të tillë, kështu që për ta lufta ka qenë prej kohësh një abstraksion i tmerrshëm, një kategori teorike morale dhe temë e konferencave të sigurisë, diçka me të cilën vetëm disa gjeneralë të lartë merren profesionalisht, ndërsa politikanët organizojnë një jetë normale.

Infantilizimi politik evropian lindi nga kjo përvojë. Një shoqëri që ka jetuar në paqe për dekada të tëra, natyrshëm fillon ta perceptojë paqen si gjendjen natyrore të botës, megjithëse historikisht, paqja afatgjatë është një anomali evropiane. Breza janë rritur duke pritur që shteti të garantojë disponueshmëri të pandërprerë të gjithçkaje: energji, internet, udhëtime, argëtim, mallra, ngrohje, lëvizshmëri dhe siguri.

Një krizë politike është shndërruar në një rritje të çmimeve të karburantit, një katastrofë teknologjike për disa orë pa internet, një tërmet social dhe një rënie të standardeve të jetesës. Një shoqëri e tillë sot duhet të shpjegohet se mbrojtja kushton para, se siguria kërkon heqje dorë dhe se liria nuk ka një abonim online që rinovohet automatikisht çdo muaj. Putini sapo hyri në atë çarje.

Putini si fëmijë në një dyqan lodrash

Presidenti rus nuk e ka pranuar kurrë përrallën evropiane për fundin e historisë. Ndërsa Evropa po ndërtonte një botë në të cilën tregtia do të zëvendësonte gjeopolitikën, Putini po e kthente tregtinë në gjeopolitikë. Evropa e shihte gazin rus si një burim energjie, levë të Kremlinit. Evropa e shihte komunikimin në rrjetet sociale, Moskën si një hapësirë të luftës hibride.

Evropa i konsideronte zgjedhjet një ritual të brendshëm demokratik, shërbimin rus një mundësi për të ndikuar. Evropa i reduktoi ushtritë e saj, duke besuar se ndërvarësia do ta bënte një luftë të madhe të paarsyeshme, ndërsa Putini e dinte se historia shpesh bëhet nga njerëz të gatshëm të bëjnë atë që kundërshtari e konsideron të paarsyeshme. Me një fjalë, dikush në rrethimin e Putinit po lexonte Lao Ce, ndërsa evropianët po shkruanin manuale për zonjat.

Politika energjetike e Gjermanisë ndaj Rusisë do të mbetet ndoshta monumenti më i shtrenjtë i asaj epoke të naivitetit evropian. Ideja dukej pothuajse e papërmbajtshme: shtetet që punojnë së bashku kanë shumë për të humbur nga lufta. Problemi ishte se llogaritja u bë me një kokë evropiane dhe iu atribua Putinit. Një politikan evropian pyet se sa do ta ulë lufta PBB-në, sa do të kushtojë energjia, si do të reagojnë tregjet dhe çfarë do të tregojnë sondazhet e ardhshme. Regjimi perandorak pyet se sa territor mund të fitojë, sa viktima mund të durojë shoqëria dhe sa gjatë mund t’i rezistojë kundërshtari presionit politik.

Këtu arrijmë në pjesën më të pakëndshme të historisë: shoqëria ruse dhe evropiane nuk kanë të njëjtin perceptim se çfarë do të thotë të “humbasësh normalitetin”.

Qytetari mesatar i Bashkimit Evropian ka pakrahasueshëm më shumë rehati materiale, siguri institucionale, liri lëvizjeje dhe pritje për të ardhmen sesa qytetari mesatar i Rusisë. Pikërisht për këtë arsye Putini mbështetet në asimetrinë e qëndrueshmërisë. Një shoqëri autoritare mund të tolerojë një rënie të standardeve që do ta rrëzonte menjëherë qeverinë në një demokraci evropiane.

Mund të fshehë të vdekurit, të shtypë protestat, të kontrollojë televizionin, të kriminalizojë rezistencën dhe ta paraqesë sakrificën si patriotizëm. Qeveria evropiane duhet t’i shpjegojë votuesit të prishur pse fatura e tij e ngrohjes është më e lartë, pse shteti ndan miliarda për ushtrinë, pse ndihma për Ukrainën zgjat me vite dhe pse ai duhet të paguajë çmimin e një kërcënimi që ai (ende) nuk mund ta shohë përmes dritares së tij.

Fituesi : Ai që vuan më gjatë!

Kjo është arsyeja pse Putini nuk ka pse të jetë më i fortë se Evropa. Mjafton që ai të jetë më i duruar dhe i gatshëm të vuajë, dhe kjo është ndoshta fjalia më e rëndësishme e të gjithë krizës së sigurisë evropiane.

Bashkimi Evropian ka fuqi ekonomike shumë herë më të madhe se Rusia, një bazë të madhe teknologjike, qindra miliona banorë dhe, së bashku me anëtarët evropianë të NATO-s, një potencial ushtarak që Rusia vështirë se mund ta ndjekë në një konkurrencë të gjatë konvencionale. Problemi fillon kur çështja e burimeve shndërrohet në një çështje vullneti. Për sa kohë pranon votuesi evropian të paguajë për sigurinë? Për sa kohë e ka mbështetur Ukrainën? Sa rritje çmimesh pranon ajo? Për sa kohë i beson qeverisë së tij? Sa shpejt mund ta shfrytëzojë politikisht një populist frikën me fjalët: mjaft luftë, mjaft Ukrainë, mjaft sanksione, le të bëjmë një marrëveshje me Moskën?

Këtu tanku rus pushon së qeni arma më e rëndësishme e Putinit. Frika, lodhja, rehatia dhe analfabetizmi politik evropian bëhen shumë më të dobishëm.

Evropa i ka mësuar qytetarët e saj për të drejtat për dekada, por i vlerëson shumë më pak këto të drejta. Ajo i mësoi ata se liria është gjendja normale agregate e shoqërisë, demokracia është diçka që thjesht ekziston, kufiri është një vijë administrative që mund të kalohet pa u ndalur dhe paqja është mjedisi natyror i njeriut evropian. Një qytetërim i tillë prodhon një qytetar që me të drejtë pret një jetë cilësore, por në të njëjtën kohë harron lehtësisht se sa i kushtueshëm është historikisht sistemi që e mundëson atë jetë.

Llogaritja (e pasaktë) e Putinit:

Putini po mbështetet te ky qytetar evropian. Ai mendon se do të lodhet nga Ukraina më shpejt sesa shoqëria ruse do të lodhet nga lufta. Ai mendon se një votues evropian do ta ndëshkojë më shpejt qeverinë e tij për një jetë më të shtrenjtë sesa një votues rus, Kremlinin, për dhjetëra mijëra të vdekur. Ai mendon se demokracia do të prodhojë dobësinë e vet sepse çdo shpenzim për mbrojtjen herët a vonë do të bëhet një çështje zgjedhore. Ai mendon se një njeri i mësuar me rehatinë e vazhdueshme do të kërkojë një kompromis shumë më shpejt sesa një njeri të cilit shteti i ka shpjeguar për dekada se vuajtja, sakrifica dhe armiqtë janë gjendja natyrore e jetës kombëtare.

Kjo është arsyeja pse është e rrezikshme të tallen paralajmërimet për papërgatitjen ushtarake evropiane si histeri militariste. Mbrojtja serioze shërben pikërisht për të parandaluar luftën. Parandalimi funksionon kur kundërshtari beson se kostoja e një sulmi do të jetë e padurueshme, dhe vitet e fundit Putini ka testuar vazhdimisht se sa i besueshëm është ky mesazh evropian. Çdo sabotim, sulm kibernetik, operacion ndikimi, shkelje e hapësirës ajrore, manipulim i ekstremeve politike dhe përpjekje për të sjellë mosmarrëveshje është një matje e pulsit evropian.

Dhe rezultati i kësaj matjeje ndoshta e inkurajon atë ditë pas dite.

Prandaj, problemi më i madh evropian sot nuk është numri i tankeve në depo. Tanku mund të prodhohet. Fabrika mund të hapet. Granata mund të porositet. Buxheti ushtarak mund të rritet. Është shumë më e vështirë në pak vite të prodhosh një kulturë politike që e ke shuar për tridhjetë vjet.

Paqja kushton, zotërinj!

Udhëheqësit evropianë tani duhet t’u shpjegojnë shoqërive të tyre atë që paraardhësit e tyre nuk ua thanë kurrë: paqja nuk është një gjendje natyrore, siguria nuk është e lirë, demokracia nuk ka një siguresë automatike, fuqia ekonomike pa vullnet politik mbetet një statistikë, dhe një njeri që thotë hapur se dëshiron të ndryshojë rendin e sigurisë evropiane me forcë meriton të merret seriozisht.

Këtu kthehemi te teza e Mandić-it mbi analfabetizmin politik evropian. Ka pak të bëjë me diplomat shkollore. Qeveritë evropiane janë plot me doktorantë, juristë, ekonomistë dhe njerëz nga universitetet më prestigjioze. Analfabetizmi i tyre është praktik, historik dhe strategjik. Ata u edukuan për të menaxhuar botën që ekzistonte midis rënies së Murit të Berlinit dhe pushtimit rus të Ukrainës, një epokë në të cilën besohej se tregu do të zbutte perandorinë, tregtia do të mposhtte ambiciet territoriale dhe rehatia evropiane do të bëhej një aspiratë universale njerëzore.

Putini u solli atyre një libër shkollor nga një lëndë që ata nuk e kishin studiuar kurrë. Dhe Evropa tani po e ndjek atë lëndë në mes të një semestri të humbur. Ndoshta rreziku i saj më i madh nuk është Rusia, e cila ka më shumë pushtet se Evropa, sepse nuk është aty. Më e rrezikshme është Rusia, e cila beson se ka më shumë durim, tolerancë më të madhe për sakrificën dhe një kundërshtar aq të mësuar me paqen sa do të fillojë të tregtojë sigurinë e vet për të ruajtur rehatinë.

Për tridhjetë vjet, Evropa trajnoi politikanë për të menaxhuar paqen.

Putini tani po kontrollon nëse ka ndonjë midis tyre të aftë për të mbrojtur atë paqe.

Perktheu: Dan Gashi

Hetim i ri në Itali për Jeffrey Epstein, Prokuroria e Romës kërkesë SHBA së: Duam edhe dosjet e klasifikuara

 

Një dosje e re hetimore, me dyshimin për dhunë seksuale, është hapur nga Prokuroria e Romës në lidhje me Jeffrey Epstein dhe “Epstein Files”.

Nga Capri në Milano, nga Roma në Bregdetin Amalfitan, gjurmët e rrjetit të financierit të akuzuar për abuzime seksuale me të mitur, i arrestuar për trafikim të të miturve dhe i cili u gjet i vdekur në një qeli në Manhattan në vitin 2019, janë shtrirë edhe në Itali.

Këtë e tregojnë dhjetëra mijëra faqet e dokumenteve të deklasifikuara nga administrata e Donald Trump, pas presionit të Kongresit amerikan, ku shfaqen disa referenca për Italinë.

Megjithatë, ajo që ende nuk është e qartë është nëse ndonjë prej sipërmarrësve, politikanëve apo akademikëve italianë që kanë pasur kontakte me Epstein ka marrë pjesë, në çfarëdo forme apo mase, në sistemin e shfrytëzimit të të miturve dhe dhunës seksuale ndaj vajzave të reja.

Të sqarohet nëse persona që ndodhen në territorin italian ose shtetas italianë jashtë vendit janë përfshirë në vepra penale të natyrës seksuale. Ky është, sipas La Repubblica, objektivi i dosjes së re të mbërritur në tryezën e prokurorit të posaçëm Maurizio Arcuri, në Piazzale Clodio.

Prokuroria e Romës nuk është mjaftuar vetëm me nisjen e hetimit, por i është drejtuar edhe autoriteteve amerikane përmes një kërkese zyrtare për ndihmë juridike ndërkombëtare.

Qëllimi është që Departamenti amerikan i Drejtësisë t’i vërë në dispozicion të gjitha dokumentet që disponon në lidhje me krimet dhe veprat e dyshuara penale të kryera nga Jeffrey Epstein dhe bashkëpunëtorët e tij.

Kërkesa përfshin jo vetëm dosjet që janë bërë tashmë publike, por edhe ato dokumente që, për një arsye apo një tjetër, administratat amerikane nuk i kanë bërë publike ndër vite.

Hetimi në Romë dyshohet se nisi pas një kallëzimi të paraqitur më 26 mars nga shoqata “Differenza Donna”, e cila i kërkoi Prokurorisë së Romës të hetonte mbi ekzistencën e mundshme të veprave penale transnacionale të dhunës, trafikimit dhe shfrytëzimit seksual të grave dhe të miturve, të lidhura me Epstein.

Sipas asaj që ka dalë nga dokumentet amerikane, në to ka disa referenca për persona italianë, si edhe të dhëna “të rëndësishme dhe jo episodike” lidhur me qëndrime dhe lëvizje të personave të përfshirë në territorin italian.

Kërkesa drejtuar prokurorëve italianë është që hetimi të shkojë një hap më tej, të verifikohet nëse gjatë këtyre qëndrimeve në Itali, apo në rrethin e miqësive dhe kontakteve të financierit, mund të kenë ndodhur raste abuzimi ndaj vajzave të reja dhe të mitura.

Në këtë mënyrë, hetimi i Prokurorisë së Romës bëhet pjesë e një serie hetimesh të nisura në vende të ndryshme mbi rrjetin e Jeffrey Epstein.

Hetime të ngjashme janë zhvilluar tashmë në Paris, Oslo dhe Varshavë, ndërsa vëmendja është përqendruar edhe në Britaninë e Madhe, ku ish-princi Andrew dhe ish-ambasadori Peter Mandelson janë përballur tashmë me pasoja lidhur me marrëdhëniet e tyre me Epstein.

Zyra e prokurorit të Romës ka hapur zyrtarisht një hetim mbi Dosjet Epstein për sulm të dyshuar seksual. Ditët e fundit, ajo i dërgoi një kërkesë Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara për të marrë dokumentacion në lidhje me rastin, duke përfshirë dokumente që ende nuk janë bërë publike.

Objektivi, shkruan La Repubblica, e cila e raporton historinë në faqen e saj të parë, është të përcaktohet nëse qytetarët italianë jashtë vendit ose individë që kanë vepruar brenda vendit mund të jenë të përfshirë në incidente seksuale që ndiqen penalisht nga zyra e prokurorit të Romës.

Hetimi, i koordinuar nga Zëvendës Prokurori Maurizio Arcuri, rrjedh nga një ankesë e paraqitur më 26 mars nga Differenza Donna. Me atë ankesë, shoqata kërkoi “fillimin e hetimeve për krime të mundshme transnacionale të trafikimit, dhunës seksuale dhe shfrytëzimit seksual të grave, vajzave dhe të miturve në lidhje me dokumentet e bëra publike nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara”. Sipas padisë, këto dokumente tashmë zbulojnë “raste të përsëritura të individëve italianë, referenca domethënëse dhe jo-episodike për qëndrime, udhëtime dhe marrëdhënie në vende italiane – Capri, Bregu i Amalfit, Costa Smeralda, Milano dhe Romë – si dhe kontakte me individë të përfshirë në qarqe ekonomike dhe shoqërore të rëndësishme ndërkombëtarisht që mund të kenë luajtur një rol në rrjetin e shfrytëzimit dhe përdhunimit”.

Differenza Donna: Nisja e hetimit për dosjet Epstein është e rëndësishme

Lajmi për hapjen e hetimit për sulm seksual nga zyra e prokurorit të Romës për Dosjet Epstein “përfaqëson një hap të rëndësishëm”, thekson në një deklaratë Differenza Donna, ankesa e së cilës është baza e hetimit. “Ne e ndiem të nevojshme të kërkojmë që të gjitha hetimet e mundshme të kryhen edhe në Itali”, deklaroi Presidentja Elisa Ercoli. “Nëse ka fakte që shqetësojnë vendin tonë, ato duhet të rindërtohen dhe të verifikohen me rigorozitet, duke u përqendruar te gratë dhe vajzat që mund të jenë të përfshira, por edhe në sistemin e ndikimit ekonomik dhe politik që ai sjell me vete”.

Lapo Elkann: ‘Lidhja e emrit tim me atë të Epstein është e papranueshme’

“Siç e thashë ditët e fundit, pas komenteve të kongresmenit Thomas Massie, ka çështje për të cilat nuk mund dhe nuk duhet të bëjmë kompromis. Të shohësh emrin tënd të lidhur me atë të Jeffrey Epstein, në mungesë të provave për të justifikuar një lidhje të tillë, është e papranueshme”, deklaroi Lapo Elkann. “Unë vë në dyshim nëse përdorimi i emrit tim rrjedh nga një dëshirë për të larguar vëmendjen nga të tjerët, dhe unë do ta mbroj reputacionin tim në çdo forum të përshtatshëm kundër kujtdo që përdor emrin tim në mënyrë të papërshtatshme ose përhap lajme krejtësisht të pabaza”, shtoi ai, duke theksuar se është “në çdo kohë plotësisht i disponueshëm për autoritetet kompetente për të ofruar çdo provë, sqarim ose informacion që ata e konsiderojnë të dobishëm”. Sipërmarrësi specifikon se është takuar me Jeffrey Epstein “dy herë: herën e parë në New York, kur isha asistent i Henry Kissinger, në një mjedis publik ku merrnin pjesë figura nga bota e politikës dhe financave, dhe herën e dytë në Romë në një aktivitet biznesi të lidhur me Brasilinvest. Për më tepër, siç mund të verifikohet lehtësisht në arkivat publike të njohura si ‘Dosjet Epstein’, nuk ka korrespondencë të drejtpërdrejtë midis tij dhe meje”. “Unë jam veçanërisht i ndjeshëm ndaj çështjeve të abuzimit dhe dhunës, edhe për shkak të përvojës sime të trishtueshme personale”, përfundon Elkann. “Kjo është pikërisht një nga arsyet pse, përmes Fondacionit Laps, kam ndërmarrë nisma për vite me radhë që synojnë njerëzit më vulnerabël, me vëmendje të veçantë ndaj grave dhe fëmijëve që janë viktima të dhunës”.

A po trafikohen armë nga Shqipëria? Përgjimi ndërkombëtar për të cilin flet Arben Ahmetaj – 7 shtator ora 20: 45 në ‘Çim Peka Live’

Të hënën e në orën 20:45 në emisionin ‘Çim Peka Live’ do të transmetohet intervista ekskluzive me ish  zv/kryeministrin në ekzil Arben Ahmetaj

Në intervistën e pestë që Ahmetaj do të japë për gazetarin Çim Peka, do të zbulojë një sërë skandalesh që lidhen me qeverisjen Rama.

Kush është Gysi anglishtfolës?

Çfarë përmban përgjimi i janarit 2026?

Kush është izraeliti që flet në emër të Ramës?

Kush është Ermal Raketa?

A po bëhet trafik armësh?

Për herë të parë një përgjim ndërkombëtar për atë që është kriminalizuar Shqipëria

 

Mos e humbisni:
Të hënën, 7 shtatorit në ‘Çim Peka Live’ në Syri TV  ‘Arben Ahmetaj 5’

Zjarri në Levan shkrumboi ullishtat dhe pemët! Rruga nacionale u bllokua për 5 orë

 

Gazetari Xhemil Beharaj raportoi për Syri Tv nga rruga nacional Levan Fier, aty ku një zjarr masiv ka shkaktuar panik dhe ka mbajtur të bllokuar rrugën nacionale për rreth pesë orë.

Për shkak të erës së fortë dhe intensitetit të lartë, flakët kanë kapërcyer rrugën nacionale përmes degëve të djegura, duke e kthyer zonën në një rrezik serioz për jetën dhe pronën.

Gazetari Xhemil Beharaj: Të përshëndes nga qarku i Fierit. Unë ndodhem i pozicionuar në rrugën nacionale Levan-Fier, ku janë pozicionuar automjete, një automjet i zjarrfikëses, autobot me ujë, ambulancë, forcat e policisë, të cilët janë në gatishmëri, ndërkohë që rreth 20 automjete zjarrfikëse janë duke punuar në terren duke shuar vatrat e zjarrit. Sipas burimeve zyrtare nga prefektura e Fierit, mësohet se rreth orës 19:30, dy helikopterë dhe një avion janë larguar nga territori i zjarrit për shkak se është errësirë, ka rënë errësira dhe janë larguar. Në terren kanë mbetur forcat e policisë, forcat zjarrfikëse të bashkisë, të ndërmarrjes pyjore, të cilët po punojnë në vatrat e zjarrit për të mbajtur zjarrin nën kontroll. Po thuajse ka rënë intensiteti i zjarrit, pohojnë burime zyrtare nga prefektura e Fierit.

Në këtë rrugë nacionale, shton gazetari janë djegur të gjitha pemët, ullishtat dhe shkurret.

Ndërkohë që gjithashtu të gjithë edhe banorët e zonës janë duke ndihmuar forcat zjarrfikëse për të shuar vatrat e zjarrit. Ka rënë intensiteti i erës, ka rënë intensiteti i zjarrit, çka do të thotë që është drejt shuarjes vatrat e zjarrit. Megjithatë, të gjithë punonjësit e zjarrfikëseve dhe ata të ardhur nga bashkitë e tjera, apo të Patosit, të Mallakastrës janë në terren dhe do të punojnë përgjatë gjithë natës, do të jenë në vatrat e zjarrit me qëllim për shuarjen e tyre për mos të lënë që ato të kenë mundësi të përhapen.

Të paktën kështu konfirmuan burime zyrtare nga prefektura e qarkut të Fierit. Do të shtoja faktin se rruga nacionale që lidh Fierin me Levanin ka qenë e bllokuar për gati katër-pesë orë, është hapur vetëm 30 minuta më parë dhe kjo për shkak të rrezikut që kishte nga ana e flakëve, se janë djegur të gjithë pyjet, shkurret dhe ullishtet. Disa prej pemëve, shkurreve, pemëve kanë rënë dhe bllokonin qarkullimin, u desh ndërhyrja e automjeteve të rënda, të cilat dhe të forcave të zjarrfikësve që të prisnin trungjet e pemëve dhe të hapnin rrugën për qarkullimin e automjeteve zjarrfikëse apo të autoboteve të ujit, të makinave të policisë, të ambulancave të cilat kanë qenë në gatishmëri.

Por tashmë, intensiteti i zjarrit ka rënë dhe janë arritur të fiken vatrat e zjarrit.

Ishte intensiteti shumë i lartë dhe era shumë e fortë e cila bënte të mundur kalimin e degëve të djegura që vinin në anën tjetër dhe bëheshin burim zjarri për vatrat e tjera. Gjithsesi, u evakuan familjet nëpër godinat që ishin afër vatrave të zjarrit dhe kjo për siguri. Nuk ka patur godina të djegura. Në shumë biznese që ishin përgjatë rrugës nacionale Fier-Levan, sidomos tek pylli i Levanit, tek liqeni i Levanit, në zbritje të qafës së Koshovicës, u larguan klientët nëpër lokale.

Stafi mori masat për të mbrojtur, nxorrën disa orendi që kanë lokale të jashtme, ndërkohë që u vunë në gatishmëri për të shuar vatrat e zjarrit, për të ndihmuar zjarrfikësit edhe për të treguar rrugët për të hyrë sa më shpejt pranë vatrave të zjarrit. Ndërkohë që ka qenë dy helikopterë që kanë ardhur rreth orës 15:30 dhe deri në orën 19:30 që kanë luftuar duke marrë ujë dhe për fat të mirë ka qenë dy rezervuarë pranë vatrave të zjarrit që mbusheshin me ujë dhe arritën që të fiknin vatrat e zjarrit. Siç e thashë dhe pak më sipër, intensiteti i flakëve ka rënë, forcat zjarrfikëse janë në terren, me gjithë forcat e policisë, çka do të rrinë përgjatë gjithë natës në gatishmëri.

El Mundo America: Rama vazhdon me projektin e Kushnerit, por Flamingot nuk bëjnë pas

TIRANË- Pa dashur të ofendojmë ata që sapo janë kthyer nga pushimet, duhet të bëjmë një bilanc dhe të shohim se cilët kanë qenë “mbretërit” e kësaj vere që vjeshta e afërt tashmë i kërcënon me një rënie të lehtë të temperaturave. Duke dalë nga kategoritë e zakonshme, nuk do t’i kushtojmë vëmendje Shakirës dhe “Dai-Dai”-t të saj, himnit të Kupës së Botës të fituar nga Spanja.

Sepse sensacioni i verës në Shqipërinë turistike ka qenë flamingoja e hijshme, e cila ka shfaqur pendët e saj rozë nëpër rrugë për tre muaj në vend në formën e një revolucioni. Protestat kundër projekteve të investimeve të njërit prej dy dhëndurëve të Donald Trump, të famshmit Jared Kushner, sapo kanë mbushur 90 ditë pa ndërprerje, megjithëse kanë humbur disi vrullin. Por as pushimet verore dhe as presionet nga kryeministri Edi Rama nuk kanë arritur t’i ndalin ato.

“Pjesëmarrja ka rënë, por është e mundur që ajo të rritet përsëri kur të mbarojnë pushimet verore dhe të rifillojë aktiviteti institucional”, shpjegon gazetarja Zana Cimili, nga agjencia AP, e cila po mbulon këtë lëvizje.

Kushner, nëpërmjet kompanisë Infinity Partners dhe partnerëve të saj, planifikon të ndërtojë komplekse të mëdha në zona bregdetare me vlerë ekologjike, kryesisht në zonën Nartë-Zvërnec (një zonë kalimi për flamingot simbolike) dhe ishullin e Sazanit.

Ky i fundit, një ish-enklavë e Luftës së Ftohtë që tashmë shijohej nga shqiptarët dhe turistët e tyre, por që Ivanka Trump pretendoi se e kishte zbuluar, “zbathur”, pasi mbërriti me një varkë me bashkëshortin e saj, një pjesëmarrës i rregullt në negociatat e paqes në emër të vjehrrit të saj.

Në një podcast që shkaktoi polemika, vajza më e madhe e presidentit amerikan tha se toka “është tepër e virgjër dhe unike” dhe se ata po punonin “me arkitektët më të shkëlqyer në botë për të mos ndryshuar topografinë, duke respektuar bimësinë vendase dhe duke ruajtur shpirtin e egër të ishullit, teksa ndërtonin vila të integruara në shkëmb”. Ajo që filloi si protestë mjedisore u shndërrua shpejt në një lëvizje socio-politike në Tiranë dhe në një kërkesë për dorëheqjen e Ramës, i cili ka qenë në pushtet për 13 vjet.

“Nuk ka pasur shenja se Qeveria ka ndryshuar qëndrimin e saj. Kryeministri Rama vazhdon ta mbrojë projektin, duke e quajtur atë investimin më të madh të huaj në vend dhe duke argumentuar se ai do të nxisë turizmin dhe ekonominë e Shqipërisë”, shpjegon Zana Cimili.

“Qeveria duket se po vë bast kryesisht për t’i lodhur ata: duke shmangur adresimin e drejtpërdrejtë të kërkesave kryesore politike të protestuesve, duke i mbrojtur projektet si investime legjitime dhe duke besuar se një lëvizje pa udhëheqës përfundimisht do të humbasë forcën. Megjithatë, fakti që protestat kanë zgjatur kaq shumë është domethënës në vetvete”, thekson gazetari Lutfi Dervishi.

Si një fakt kurioz, shumë ditë, amerikani Steve H. Hanke, profesor i Ekonomisë së Aplikuar në Universitetin Johns Hopkins dhe ish-këshilltar i qeverisë shqiptare pas rënies së komunizmit në vitin 1991, shkruan në Twitter një mesazh me të njëjtën përmbajtje: “Për të 90-tën ditë radhazi, protestuesit e REVOLUCIONIT FLAMINGO dolën në rrugët e Tiranës. Shqiptarët vazhdojnë të protestojnë kundër QEVERISË SË KORRUPTUAR të Kryeministrit Rama dhe kundër projektit të kompleksit turistik luksoz të Jared Kushner, dhëndrit të Trump. REVOLUCIONI FLAMINGO ËSHTË I FORTË. ËSHTË KOHA QË KRYEMINISTRI RAMA TË MBLEDHË BAGAZHET E TIJ.”

“Citizens Channel” është një media dixhitale e gazetarisë qytetare që transmeton çdo natë protestat në kanalin e saj në YouTube. Lorin Kadiu është përgjegjës dhe kujton se është demonstrata më e gjatë dhe më intensive që nga ndryshimi i regjimit në vitin 1991. Ai shpjegon se përleshjet me policinë dhe shoqërimet ndaluan kur Parlamenti mbylli aktivitetet e tij në gusht.

“Atmosfera është kryesisht paqësore për sa i përket presionit të drejtpërdrejtë policor ose institucional. Njëkohësisht, një protestë tjetër po zhvillohet në internet, ku aktivistët dhe grupet denoncojnë sulmet e vazhdueshme kibernetike dhe heqjen me forcë të përmbajtjes kritike kundër Qeverisë që mbështet revolucionin e flamingove,” shpjegon ai.

Lidhur me pjesëmarrjen, ai, ashtu si Cimili, pret që shifrat të rriten në shtator: “Ka veprime të përditshme në rrugë, duke përfshirë pikturimin e mesazheve me shkronja gjigante në bulevard dhe marshimin nëpër rrugët e Tiranës që mbahet çdo mbrëmje.”

Dervishi beson se presioni më i menjëhershëm mund të zhvendoset gjithnjë e më shumë nga rrugët në rrugë ligjore dhe institucionale. Tashmë ka hetime (nga SPAK, prokuroria speciale) për blerjet e tokës të lidhura me zhvillimin e Zvërnecit, ndërsa Parlamenti Europian ka bërë thirrje për një moratorium mbi lejet e reja dhe ndërhyrjet urbane në zonat e mbrojtura derisa legjislacioni shqiptar të përafrohet me standardet e BE-së”. Shqipëria, pas Malit të Zi, është favorite për tu bashkuar me BE-në.

“Rasti i Sazanit është i ndryshëm: atje nuk ka mosmarrëveshje pronësie, kështu që çdo rrugë e mundshme ligjore do të përqendrohej më shumë në procedurat mjedisore, lejet dhe pajtueshmërinë me rregulloret mjedisore si nga Shqipëria ashtu edhe nga BE-ja. Pyetja e vërtetë është nëse kontrolli ligjor dhe institucional mund të ndryshojë ndjeshëm projektet që tashmë kanë mbështetje shumë të fortë politike dhe ekonomike”, thekson analisti./ El Mundo America

dosja.al

“Ishte tmerr!”- Zjarri në Himarë, dëshmitë e banorëve: Flakët erdhën brenda 10 minutash, policia na nxori nga banesat! U dogjën banesat

Banorët e zonës së përfshirë nga zjarri masiv në Himarë kanë rrëfyer momentet e frikshme të përjetuara mbrëmjen e djeshme, teksa flakët u përhapën me shpejtësi.

Një prej banoreve tregon se situata u përkeqësua brenda pak minutash, ndërsa ndërhyrja e policisë bëri të mundur nxjerrjen e tyre nga zona.

“Nuk e kuptuam sa shpejt erdhi zjarri, për 5-10 minuta. Më pas erdhi policia dhe na nxorën. U dogj shtëpia e kushëririt të burrit. Janë banesa të banuara, por banorët kishin dalë. Erdhi policia dhe na nxorën. Janë dy shtëpi në këtë zonë”, rrëfeu ajo.

Një tjetër banor, i përlotur, e përshkroi situatën e mbrëmshme duke thënë vetëm: “Ishte tmerr”.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm ka nisur ndërhyrja edhe nga ajri, me helikopterë që po hedhin ujë mbi vatrat aktive të zjarrit.

Në terren vijojnë të jenë të angazhuara Forcat e Armatosura dhe dhjetëra efektivë zjarrfikës, në përpjekje për të izoluar flakët dhe për të shmangur rrezikun për zonat e banuara. Panorama

Zjarri në Himarë në përmasa apokaliptike, nis evakuimi i banorëve dhe i turistëve. Flakët përhapen me shpejtësi (VIDEO)

HIMARË – Situata paraqitet alarmante në Himarë, ku flakët e zjarrit kanë përfshirë kodrat pranë zonave të banuara, duke rrezikuar banesa dhe struktura turistike.

Përhapja e shpejtë e flakëve, e favorizuar edhe nga era, ka rënduar ndjeshëm situatën në terren. Për shkak të rrezikut, ka nisur evakuimi i banorëve, ndërsa po evakuohen edhe turistët që ndodhen në hotelet e zonës. Ndërsa disa banorë të tjerë janë vendosur anës detit, për t’i shpëtuar situatës kaotike, të krijuar nga tymi e flakët në zonë.

 

Në terren vijojnë të jenë të angazhuara forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin e flakëve dhe për mbrojtjen e banesave dhe objekteve që ndodhen pranë vatrave të zjarrit.

Në ndihmë të forcave vendase janë nisur edhe mjete zjarrfikëse nga bashkitë fqinje, ndërsa ndërhyrja po vijon në kushte të vështira për shkak të terrenit dhe përhapjes së shpejtë të flakëve.

Frika më e madhe mbetet përhapja e zjarrit drejt zonave të banuara. Banorët kanë kërkuar ndihmë, ndërsa ekipet e emergjencave vijojnë përpjekjet për të vënë situatën nën kontroll dhe për të garantuar sigurinë e banorëve dhe turistëve. bw

Birn: Gati 100 ditë në shesh, çfarë ndryshoi “Revolucioni i Flamingove”

Bulevardi kryesor i Tiranës u përket çdo mbrëmje “flamingove”.

Janë orët e pasdites së vonë, kur dhjetëra qytetarë me banderola, postera dhe flamuj nisin të mblidhen në sheshin “Skënderbej”. Mes tyre është kthyer në ritual edhe një poster i ri çdo natë, me numrin e ditës së protestës. Të hënën, numri do të jetë 100.

Rreth orës 20:00, protestuesit e parë nisin ecjen në drejtim të Kryeministrisë, ku një podium i improvizuar dhe një mikrofon presin folësit e radhës. Për më shumë se një orë, dhjetëra të tjerë zbresin në shesh. Disa janë aty çdo mbrëmje, të tjerë i bashkohen protestës në mënyrë sporadike.

Prej më shumë se tre muajsh, Tirana jeton me thirrjet “Shqipëria nuk është në shitje”, “Rama, jep dorëheqjen” dhe “Rama n’burg, Berisha n’burg”,  sloganet e ditëve të para të saj.

Por në 100 ditë, repertori i saj është zgjeruar. Çdo mbrëmje lindin thirrje të reja, ndërsa rimat dhe sarkazma ndaj kryeministrit Edi Rama, ministrave dhe mazhorancës janë pjesë e ritualit të protestës.

Në bilancin e këtyre 100 ditëve, aktivistë dhe analistë të politikës e shohin arritjen më të madhe të saj në rikthimin e qytetarit në shesh dhe ekspozimin e një qeverisje autoritare.

Shkrimtari dhe aktivisti Fatos Lubonja, një ish i burgosur politik gjatë regjimin komunist në Shqipëri, e përkufizon protestën si përpjekje të shqiptarëve kundër një regjimi politik autoritar.

“Protesta ka hedhur poshtë narrativën se Shqipëria ka ecur përpara në rrugën drejt BE, siç pretendon klasa politike shqiptare, vetë BE dhe veçanërisht Rama, duke provuar se vendi është nën një regjim autoritar i bazuar ekonomikisht në pastrimin e parave të drogës,” tha Lubonja për BIRN.

“Ajo është një përpjekje e shqiptarëve, të çuar në ekstrem nga abuzimet e këtij regjimi në të gjitha aspektet e jetës së tyre, për ta rrëzuar atë,” theksoi ai.

Për arkitektin dhe aktivistin Andi Tepelena, një prej organizatorëve të protestës, arritja e vërtetë është “thyerja e frikës”.

“Kishim shumë kohë, që pas shembjes së Teatrit Kombëtar që po përpiqeshim të rigjallëronim nervin qytetar, por kjo protestë tregoi që ky nerv ekzistonte dhe Zvërneci sa derdhi kupën,” thotë Tepelena.

“Gjëja më e bukur ishte që u derdh rinia në protestë, një rini e jashtëzakonshme që ka kuptuar që ky sistem ekonomik e politik nuk ecën më,” shtoi ai.

Qytetari si aktor politik

Zemërata nisi në një plazh pothuajse të virgjër në Zvërnec, një fshat i Vlorës, ku një gardh telash me gjemba ndalonte aksesin e publikut dhe fadromat e një kompanie private kishin shkatërruar dunat e rërës për t’i hapur rrugë një projekti masiv turistik që parashikohet të shtrihet në këtë zonë të mbrojtur natyrore, e njohur si Laguana Vjosë-Nartë.

Goditja dhe marrja zvarrë nga rojet e kompanisë private të një protestuesi paqësor nxiti një revoltë më të gjerë qyterare, që u zhvendos në bulevardin e kryeqytetit, duke u shndërruar në një protestë kundër korrupsionit qeverisës, shpopullimit, mungesës së meritokracisë dhe gjithë klasës politike të 35 viteve të fundit.

E organizuar nga aktivistë të shoqërisë civile, protesta arriti të ruante profilin e saj si organizim qytetar gjithpërfshirës pa dallime politike apo kulturore.

Për Adri Nurellarin, analist i politikës, kjo konsiderohet si arritja kryesore e saj.

“Protesta ka arritur diçka që dukej pothuajse e pamundur; ka thyer monopolin e partive mbi pakënaqësinë dhe ka rikthyer qytetarin si aktor politik,” tha Nurellari për BIRN, duke shtuar se që të ajo ka treguar gjithashtu se “frika nuk mposhtet duke pritur të largohet, por duke dalë bashkë në shesh”.

Nurellari konsideron disa rezultate të protestës, të tilla si vendosja në qendër e debatit të mbrojtjes së natyrës, pronës publike dhe vendimmarrjes pa qytetarët, tërheqja e vëmendjes ndërkombëtare, frymëzimi dhe aktivizimi i diasporës, deri tek ndikimi axhendës politike.

“Krijoi një gjuhë, simbolikë dhe identitet të dallueshëm,” thotë ai, duke shtuar se “flamingoja u kthye nga një shpend i kërcënuar në simbol të rezistencës qytetare, gjë që, për komunikimin politik shqiptar, është më shumë krijimtari sesa kanë prodhuar disa seli në tri dekada”.

Pavarësisht se qeveria nuk ka bërë asnjë hap konkret për të plotësuar kërkesat e protestës, për Nurellarin, ajo po reagon e ndikuar prej saj.
Duke krahasuar qëndrimet nga nisja deri tani të qeverisë, ai argumenton se “protesta e ka ndryshuar raportin politik, edhe pa marrë ende gjithçka që kërkon, pra pa marrë ende dorëheqjen”.

Edhe vetë qëndrueshmëria aq e gjatë konsiderohet një arritje politike. Në një vend, ku sipas Nurellarit entuziazmi publik shpesh zgjat sa një cikël lajmesh,  protestuesit kanë treguar një stoicizëm qytetar të rrallë, mu në mes të vapës, lodhjeve, sulmeve, etiketimeve dhe presioneve. “Kjo është për t’iu hequr kapelen,” thekson ai.

Për aktivistin Tepelena, kërkesat e protestës vijojnë të jenë të njëjta; dorëheqje e kryeministrit, shfuqizim i ligjeve klienteliste dhe miratimi i një sistemi të ri zgjedhor që do të krijonte kushtet për përfaqësim më të drejtë politik.

Por ai konsideron se protesta ka pasur disa pika kulmore; që nga mbështja e mediave ndërkombëtare që e kthyen në një ‘brand’ “Revolucionin Flamingo” dhe që tani është një nga revolucionet paqësore më të gjata në botë dhe deri tek zbritja në shesh e eurodeputetëve.

“Por mbi të gjitha, shqiptarët kuptuan që duhet t’i marrin vetë fatet e tyre në dorë pa pritur ndihmë që i vjen nga ndonjë fuqi ndërkombëtare,” thotë Tepelena.

E ardhmja e protestës

Pas gati 100 ditëve në shesh, “Revolucioni i Flamingove” përballet me provën e vjeshtës: si të ruajë mobilizimin qytetar dhe ta kthejë atë në një ndryshim politik.

“Shtatori do të jetë një moment i ri mobilizimi, veçanërisht për të rinjtë, dhe synohet që protesta të përshkallëzohet deri në mosbindje civile, me qëllim dorëheqjen e kryeministrit dhe kalimin në një qeveri kujdestare,” parashikon Tepelena.

Për Lubonjën, megjithatë, suksesi i protestës nuk varet vetëm nga aftësia e saj për të qëndruar në shesh, nëse synon të shndërrohet në një aktor real ndryshimi.

“Si aktor ndryshimi që të ketë sukses, ajo ka nevojë për ndihmën e aktorëve të tjerë të ndryshimit ku do të veçoja drejtësinë dhe qëndrimet e atyre që i quajmë partnerët tanë ndërkombëtarë, që deri më sot i shoh pasivë,” tha ai.

Ndërsa për Adri Nurellarin, sfida e protestës është aftësia për të kaluar nga reagimi qytetar tek ndërtimi i një lëvizje qytetare.

“Protesta është reagim ndaj asaj që ka ndodhur; lëvizja është projekt për atë që duhet të ndodhë,” thotë Nurellari, duke shtuar se që të shndërrohet në një lëvizje, protesta duhet të ofrojë shpresë për të ardhmen.

Ndërsa njerëzit kanë dalë në shesh për arsye të ndryshme, por kjo nuk do të thotë se janë bërë automatikisht pjesë e një organizimi të përbashkët, ndaj dhe pyetja vendimtare sipas Nurellarit është: “nëse kjo do të mbetet një protestë, apo do të shndërrohet në lëvizje?!”/BIRN


Send this to a friend