Harta e re gjyqësore e tre viteve më parë ka përkeqësuar situatën në disa gjykata të vendit, të cilat e kryejnë funksionin në godina të amortizuara dhe të përmbytura nga dosjet gjyqësore, ndërkohë që kërkesat për zgjidhje bien në vesh të shurdhër.
Një punonjëse e Gjykatës së Apelit mes stokut të dosjeve
Mëngjesin e së hënës, holli i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë është i tejmbushur me njerëz në pritje të proceseve gjyqësore. Të pandehur, familjarë dhe avokatë kalojnë fillimisht përmes kontrollit, për t’u paketuar më pas në sallën e pritjes prej nga njoftohet fillimi i seancave.
E ndërtuar në vitin 1957 për të qenë një rajon policie, godina e vjetër trekatëshe e Gjykatës së Apelit e ka shtrirë juridiksionin e saj në të gjithë Shqipërinë pas miratimit të hartës së re gjyqësore të vitit 2023.
Por në vend që t’u jepte zgjidhje çështjeve të prapambetura, situata në Gjykatën e Apelit është sot në kufijtë e së pamundurës për shkak të mungesës së ambienteve për stafin e dyfishuar dhe dosjet e grumbulluara nga i gjithë vendi.
Korridoret e ngushta të kësaj gjykate janë shndërruar tashmë në labirinthe të mbushura me dosje, të cilat i gjen të stivosura në dollapë, rafte dhe karrige. Në ajër kutërbon aroma e mykut dhe e lagështirës.
Për arsye të mungesës së hapësirave, të gjitha dhomat e këshillimit ku gjyqtarët tërhiqen për të diskutuar dhe marrë vendime janë kthyer në ‘arkiva të përkohshme’ për çështjet në pritje të gjykimit. Gjatë tre viteve të fundit, stoku i dosjeve është rritur nga 33 mijë në 48 mijë.
Nevoja për hapësira e ka detyruar administratën që të gjejë zgjidhje rrethanore; si për shembull ndarjen me kartonxhes të një salle gjykimi, për të krijuar një hapësirë pa dritare si dhomë këshillimi. Por tashmë është krijuar një problem i ri.
“Kur futemi në dhomë këshillimi, i nxjerrim jashtë sallës palët që të mos dëgjojnë çfarë diskutojmë,” thotë një gjyqtare në kushtet e anonimatit.
“Nuk ka asnjë masë sigurie. Sado gjyqtar i mirë të jesh, këtu nuk punohet. Duhet të rrinë këtu me ne që ta kuptojnë,” shtoi ajo.
Mungesa e hapësira dhe degradimi i godinave nuk është një problem i izoluar vetëm për Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Sipas të dhënave që BIRN siguroi përmes kërkesave për të drejtë informimi dhe bisedave me drejtues të disa gjykatave, mungesa e ambjenteve është kthyer në pengesë për ushtrimin e funksionit edhe në gjykata të tjera në gjithë vendin.
Sipas tyre, ky nuk është vetëm një problem infrastrukture, por një çështje e administrimit të drejtësisë, rritjes së cilësisë së shërbimeve gjyqësore dhe respektimit të standardeve të një sistemi efikas, të sigurt dhe në shërbim të qytetarëve.
Përballë kësaj situate emergjente, qeveria ofron si zgjidhje premtimet.
Kryeministri Edi Rama prezantoi më 12 shkurt një program për konkursin ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë – një kompleks për sistemin e drejtësisë, që edhe sipas parashikimeve më optimiste pritet të përfundojë në vitin 2031.
KLGJ dhe Ministria e Drejtësisë nuk iu përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi pyetjeve të BIRN.