Ish-gazetarja hulumtuese finlandeze, Jessikka Aro.
Ish-gazetarja hulumtuese finlandeze, Jessikka Aro, paralajmëron se dezinformimi i organizuar nga Rusia është shndërruar në një kërcënim global pa kufij – me të cilin përballet edhe Kosova, sipas kryediplomatit Glauk Konjufca. Përballë një hapësire të pakontrollueshme, si interneti, përgjigjja më efektive mbetet edukimi medial dhe rritja e rezistencës së qytetarëve ndaj dezinformatave, mendon eksperti Markku Mantila.
Ndonëse e lindur dhe e rritur në Finlandë, interesi i Jessikka Aros për shtetin fqinj, Rusinë, nisi që në fëmijëri të hershme, nga rrëfimet e gjysheve të saj për luftën e ish-Bashkimit Sovjetik në vendin nordik:
“Doja të njihesha me Rusinë. Doja të dija nëse ajo përbënte ende një lloj kërcënimi apo rreziku për Finlandën, sepse ne ndajmë 1.300 kilometra kufi me Rusinë”.
Kjo kureshtje e shtyu autoren finlandeze që të shkonte të studionte dhe të punonte në Rusi, përvojë që thotë se i dha qasje të brendshme në kulturën dhe sistemin mediatik rus.
“Ndjeva se kishte diçka vërtet anormale në ekosistemin mediatik rus, dhe në atë që përhapet nëpërmjet tij”, shprehet ish-gazetarja hulumtuese, e specializuar në dezinformimin e organizuar rus, në një bisedë me Shërbimin e Kosovës të Radios Evropa e Lirë (REL).
Ajo rrëfen se ndryshimi i madh erdhi me ngjarjet e vitit 2014, aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe fillimin e luftës në Ukrainë, kur, siç thotë ajo, “u bë e vështirë të dallohej realiteti nga gënjeshtra edhe në mediat jashtë Rusisë”.
Në atë kohë, disa gazetarë rusë kishin filluar të zbulonin atë që quhej “fabrika e trollëve”, që nënkuptonte njerëz të organizuar dhe të paguar, që shpërndanin informata të rreme dhe komente të orkestruara me një agjendë pro-Kremlinit.
Aro dëshironte të dinte nëse ndikimi i këtyre dezinformatave depërtonte përtej Rusisë, më saktësisht në Finlandë. Kështu, ajo e bëri të hapur për publikun hulumtimin që po niste, dhe kërkoi nga ai ndihmë për ta vërtetuar këtë ndikim.
“Më dërgonin materiale. Materiale ruse në finlandisht. Më tregonin shembuj dhe pamje të ekranit, dhe fotografi të materialeve dezinformuese që qarkullonin në ekosistemin finlandez”, rrëfen Aro.
Hulumtimi saj vazhdoi edhe në terren, ku ajo vizitoi edhe objektin fizik në qytetin e Shën Petersburgut, në Rusi, dhe kontaktoi edhe punëtorë të kësaj fabrike, e cila ishte maskuar me emrin e një kompanie private, që quhej “Agjencia për Hulumtime në Internet”, dhe që pretendonte se nuk kishte të bënte asgjë me strukturat shtetërore ruse.
Hulumtimi i Aros pati reagim të menjëhershëm.
“Ndoshta ishte mes 24 deri në 36 orë. Atëherë u bëra shënjestër. Fillova të merrja telefonata, njerëz shumë të zemëruar nga Rusia dhe vende të tjera të botës rusishtfolëse. Merrja mesazhe dhe emaila, ku më quanin ‘shpifëse’, dhe më kërkonin të shkoja në burg sepse gjoja isha ‘kriminele’”, tregon ajo.
Siç rrëfen Aro, fushatat shpifëse e paraqitën si “agjente të huaj”. U publikuan të dhënat e saj të kontaktit, dhe u organizuan grupe urrejtjeje, që u shndërruan edhe në presion fizik në jetën e përditshme të saj.
Aro më vonë paraqiti kallëzime penale, dhe disa prej të dyshuarve u dënuan për përndjekje dhe shpifje. Pas tronditjes që kishte marrë nga kjo fushatë, ajo mori një pushim dyvjeçar nga puna, dhe u përqendrua në shkrimin e librit të saj “Trollët e Putinit”.
Por, fabrikat e dezinformimit nuk u ndalën. Ato, sipas Aros, u sofistikuan, dhe tani po përdoren si modele edhe jashtë Rusisë.
“Ishte shumë specifike, dhe ishte diçka e re në vitin 2014. Atëherë nuk e dinim të paktën që vendet e tjera do të kishin fabrika të tilla trollësh, që në fakt punësonin njerëz, për të pretenduar se ishin njerëz të vërtetë, me fakte dhe opinione të vërteta”, thotë ajo.
Aro beson se “shumë udhëheqës autoritarë e kanë ndjekur këtë shembull”.
Sa është e rrezikuar Kosova nga “fabrikat e gënjeshtrave”?
Për Aron, hapësira e internetit është e përkryer për shpërndarjen e dezinformatave, dhe tejkalon çfarëdo kufij në gjeopolitikë:
“Pra, askush nuk është i sigurt, në esencë. Shumë nga këto materiale dezinformuese ruse thjesht janë lokalizuar në gjuhë [të ndryshme] lokale”.
Në përvojën e saj, edhe njerëz të miredukuar kanë rënë pre e këtyre manipulimeve.
“Do të doja të theksoja se pjesërisht ajo që trollët ishin në gjendje të bënin, mënyra se si ishin në gjendje të ndikonin te njerëzit e vërtetë në Finlandë, ishte të mbillnin frikë, sepse këta trollë në fakt do të sulmonin qytetarët individualë që thjesht komentonin”, shton ajo.
Aro erdhi në kryeqendrën kosovare, Prishtinë, këtë javë, për të marrë pjesë në një konferencë në lidhje me dezinformimin, të organizuar nga Ambasada e Finlandës në Kosovë.
Në këtë konferencë, të mbajtur më 15 prill, Ministri kosovar i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, vuri në dukje pasojat konkrete për Kosovën dhe nevojën për një përgjigje të koordinuar:
“Për Kosovën, kjo nuk është brengë e largët. Vazhdojmë të ballafaqohemi me fushata dezinformimi që vijnë kryesisht nga Rusia dhe Serbia, të cilat përpiqen ta cenojnë shtetësinë tonë, ta keqpërfaqësojnë realitetin tonë, dhe perceptimin vendor e ndërkombëtar”.
Ai, megjithatë, argumentoi se si reagim ndaj kësaj, “asnjë institucion i vetëm nuk mund të ofrojë përgjigje të plotë”.
Sipas Konjufcës, “ndërtimi i aftësisë përballuese kërkon një përpjekje gjithëpërfshirëse e të mbështetur, që bën bashkë institucionet publike, mediat e pavarura, shoqërinë civile dhe qytetarët. Në këtë drejtim, përvoja e vendeve nordike ofron udhëzime të rëndësishme në gjithë rajonin”.
Hulumtime të Radios Evropa e Lirë kanë gjetur në disa raste shpërndarje të narrativit të Kremlinit, të ndërlidhur me ngjarjet në Kosovë, sidomos përmes grupeve në platforma si Telegram-i.
Po ashtu, në raportet mujore në lidhje me dezinformimin, që i publikon organizata kosovare Hibrid.info, Rusia shpesh është protagoniste, si një ndër burimet e këtyre dezinformatave.
“Gjatë marsit është vërejtur edhe qarkullimi i narrativëve serbë dhe rusë, që synojnë rishkrimin e ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999”, thuhet në raportin e marsin të sivjetmë.
“Gjithçka është më e lehtë tani me inteligjencë artificiale”
Sipas ekspertit të komunikimeve strategjike, gazetarit dhe autorit finlandez, Markku Mantila, përpjekjet për përgënjeshtrimin e secilit lajm të rremë janë jofektive në botën e sotme:
“Besoj që është e domosdoshme të kuptohet që: Në hapësirën e pakufishme të internetit, askush nuk mund të kontrollojë informacionin, e në këtë rast as dezinformatat”.
Në një fjalim që ai mbajti në konferencën e 15 prillit në Prishtinë, Mantila ngulmoi se edukimi medial është i domosdoshëm për të përballuar veçanërisht periudhën e përhapjes së inteligjencës artificiale.
“Është gjë e lehtë, gjë e lirë, dhe çdokush mund t’i përdorë këto vegla. Asnjëherë nuk kanë qenë më të pajisur se sot”, tha ai.
Aro, po ashtu, mendon se “gjithçka është më e lehtë tani me inteligjencë artificiale”.
Autorja finlandeze konsideron se hulumtuesit në të gjithë botën duhen të përgatiten se angazhimet në këtë fushë “thuajse në çdo rast mund t’i bëjnë shënjestër të fushatave të gënjeshtrave”.
“Duhet të pranosh që kjo ndodh… Është puna jote që të bën shënjestër të profesionistëve që janë trajnuar për të të heshtur. Pra, ka të bëjë me rezistencën personale dhe ndërtimin e saj”, thotë ajo për REL-in.

Aro, megjithatë, ka disa këshilla praktike për të minimizuar dëmet nga këto sulme:
“Ajo që dikush mund të bëjë për të mbrojtur veten është ta bëjë çdo gjë private, çdo gjë sekrete, si informacionin e adresës ose informacionin familjar, të mos ndajë shumë gjëra rreth anëtarëve të familjes në internet”.
Sipas Aros, është mirë që gazetarët të konsultohen edhe me “zyrtarë dhe ekspertë të sigurisë”.
“Dhe, gjithashtu, është një ide e mirë të negocioni me punëdhënësin se sa larg do të shkojnë për t’ju mbrojtur”, përfundon ajo.



Komentet