Me nderim kujtojmë vëllezërit ortodoksë Gjerasim Qiriazi, Gjergj Qiriazi, Kristo Qiriazi, si dhe motrat Sevasti Qiriazi dhe Parashqevi Qiriazi, sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, figura të shquara të Rilindjes Kombëtare dhe frymëzim jo vetëm për komunitetin ortodoks shqiptar, duke përballuar me vendosmëri problematikat specifike të këtij komuniteti, por për mbarë kombin.
Këta rilindas të shquar themeluan shkollën e tyre të vashave “Qiriazi” në Korçë, duke u mbështetur mbi parimet e edukimit të krishterë ortodoks, dashurinë për gjuhën amtare dhe harmoninë ndërfetare. Siç shprehej Asdreni, vajzat e shkollës Qiriazi në Korçë ishin po aq të formuara në besimin ortodoks sa edhe ato që nuk e frekuentonin atë shkollë, duke rrëzuar çdo pretendim dashakeq ndaj tyre, çka tregon qartë frymën përfshirëse dhe arsimuese të institucionit që ata themeluan.
Përtej arsimit, familja Qiriazi kontribuoi edhe në jetën fetare të komunitetit, duke krijuar kishën familjare në Korçë, të parën kishë ortodokse në gjuhën shqipe. Ata ndoqën traditën e kishës familjare të besimit ortodoks, por jo më ritin grek, duke u bazuar në mbështetjen dhe subvencionimin e miqve, veçanërisht të atyre myslimanë, që i ndihmuan fuqimisht në çdo aspekt të veprimtarisë së tyre patriotike. Në këtë mënyrë, ata u bënë krah i fortë në procesin e qëndresës së shqiptarëve ortodoks, të cilëve u mohohej përdorimi i gjuhës shqipe në shkolla dhe në liturgji nga Kisha Ortodokse Greke, duke treguar se identiteti kombëtar mund të ruhet përmes bashkëpunimit ndërfetar dhe përkushtimit qytetar.
Nderimi ynë u takon veçanërisht edhe rilindasve të shquar si Petro Nini Luarasi, mik i afërt dhe bashkëmendimtar i Gjerasim Qiriazi dhe i familjes Qiriazi, të cilët, krah për krah me patriotin Mihal Grameno dhe veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare si Pandeli Sotiri, Nuçi Naçi, Papa Kristo Negovani, At Stath Melani, Koto Hoxhi e shumë të tjerë, zhvilluan beteja të pandalshme për mbrojtjen dhe lartësimin e gjuhës shqipe.
Shumë prej tyre e paguan me jetën këtë përkushtim, duke përshkuar një udhëtim të mundimshëm e të mbushur me sakrifica për afirmimin e identitetit kombëtar shqiptar, përballë persekutimeve të ashpra dhe ndalimeve të rrepta që i bëheshin përdorimit të gjuhës shqipe në shkolla dhe në kisha.
Pikërisht, nëpërmjet veprës “Mallkimi i shkronjave shqipe’’ që u botua në të njëjtin vit 1911, kur Petro Nini Luarasi edhe u helmua, kuptojmë qartë kontekstin e kohës ku ortodokset shqiptarë shkrishëroheshin, mallkoheshin e asimiloheshin nëpërmjet fesë me forcë. Siç shprehet patrioti Petro Nini Luarasi:
“Priftëria patriarkike bëri vegël të qëllim të saj fenë, të cilën e tund si këmborë friksonjëse kundër cilitdo shqiptari që dashuron shkronjat e tij, dhe që ta rrëmbejë më tepër në rrjetat e aforizmit e çkishërimit, duke i lënë vetëm një rrugëz shpëtimi: pendimin dmth të mohuarit të gjuhës amtare shqipe dhe të kthyerit e tij në helenizëm. C’të keqe kemi bërë që na pengon neve nga udha që caktoi Perëndia për tërë njerëzinë? Përse ndaloni shkrimin e këndimin e gjuhës sonë, kur tërë gjuhët e popujve janë pëlqyer prej Perëndisë dhe të vlefshme për të përhapur me ato predikimin e ungjillit? Meqënëse fryma e shenjtë u dhurua prej Jezu Krishtit, jo për kryezotërim as për mundim tiranik mbi njerëzit, por për të shquar të mirën prej së keqes, andaj dhe mbikqyrësi duhet të jetë jo gojë vrazhdët, jo zemërak, as pijanec, jo rrahës, jo turpfitonjës, por huaj dashës, mik i së mirës, i urtë, i përmbajtur dhe gjatë predikimit të frymëzohet prej fjalës së vërtetë. Në është se Jezu Krishti, në një hop afro dy mijëvjetësh, bëri nxënës vetëm grekët, atëherë nga do të dëftehet hyjësia e tij në botë? Apo nga të tre milionë grekët? Ne shqiptarët dashurojmë jo vetëm vëllezërit tanë grekë, por edhe të gjithë vëllezërit e botës, por dëshirojmë dhe lutemi që të na dashurojnë edhe ata të tjerët neve’.”
Ky citat tregon qartë se kontributi i familjes Qiriazi dhe i rilindasve të tjerë ishte vendimtar për mbijetesën e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar, duke reflektuar jo vetëm sakrificën personale, por edhe bashkëpunimin ndërfetar dhe përkushtimin e brezave të tërë rilindasish. Sot, jo vetëm që i kujtojmë me nderim të gjithë ata që kontribuan për ta mbajtur gjallë dhe për ta zhvilluar gjuhën shqipe, por edhe ripërtërijmë përgjegjësinë tonë për ta ruajtur, pasuruar dhe përcjellë atë me dinjitet tek brezat që vijnë.
Robert Dako-nipi i Sevasti Qiriazit e Kristo Dakos
