VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Më 15 nëntor 1952 lindi Elez Biberaj, Drejtor në Detyrë i Zërit të Amerikës

By | November 15, 2020
blank

Komentet

blank

VOA: Ja pse po nxiton PS me nismën për shkarkimin e Ilir Metës

Në Shqipëri, Komisioni i Ligjeve nisi sot shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh socialistë për shkarkimin e presidentit Ilir Meta . Socialistët, siç u shprehën dhe sot në Komision, janë të mendimit se Kreu i Shtetit ka shkelur rëndë Kushtetutën para dhe gjatë procesit zgjedhor, “duke u bërë palë me opozitën apo duke nxitur gjuhën e urrejtjes dhe të dhunës”.

Sipas deputetes socialiste Vasilika Hysi, e cila prezantoi nismën para anëtarëve të Komisionit “presidenti i Republikës në rolin e Kreut të Shtetit shqiptar, i cili duhet të garantojë Kushtetutën dhe të përfaqësojë unitetin kombëtar, nuk e ka ushtruar funksionin e përfaqësuesit të unitetit kombëtar, pra nuk ka qenë mbi palët, nuk e ka mbrojtur këtë unitet, madje e ka dëmtuar atë”, tha zonja Hysi sipas së cilës, presidenti Meta “para dhe pas fushatës, madje dhe ditën e heshtjes zgjedhore, ka bërë deklarata të rënda publike, me gjuhë urrejtje, që nxisnin konfliktin dhe ka kryer haptazi aktivitet partiak”.

Komisioni i kishte dërguar një shkresë Kreut të Shtetit ku e njoftonte për mbledhjen e sotme. Por në përgjigjen e saj, Presidenca vëren se njoftimi, “nuk jep asnjë sqarim mbi arsyet se pse dërgohet, apo çfarë kërkohet prej Presidentit të Republikës, qoftë dhe referuar kërkesave proceduriale të detyrueshme për respektim nga ana e Komisionit të Ligjeve sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë”.

Në përgjigjen e tij, Kreu i Shtetit thekson se “e gjithë veprimtaria parlamentare e Kuvendit, prej më shumë se dy vitesh tashmë, përpiqet të godasë veprimtarinë dhe aktivitetin kushtetues të Presidentit të Republikës, që për një kohë të gjatë ka qënë dhe mbetet i vetmi institucion kushtetues legjitim dhe i pa kapur nga partia në pushtet”. Duke folur për “përpjekje të dëshpëruara të këtij Kuvendi ilegjitim”, zoti Meta shprehet se ky institucion “ka vijuar të përfshihet nëpër procese fiktive, të pambështetura në Kushtetutë dhe ligje, por vetëm të orientuara verbërisht politikisht. Kjo përpjekje e rradhës, që bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin, nuk synon asgjë tjetër, veçse shmangien e vëmendjes nga problematikat reale që po evidentohen dita ditës mbi këtë proces zgjedhor, të shoqëruara me konsumimin ekzemplar masiv të krimeve zgjedhore, të frymëzuara, dirigjuara dhe ekzekutuara nga partia në pushtet, për interesat e saj. Kjo nismë e Kuvendit njëpartiak – vijon më tej presidenti Meta duke e rënduar dozën e akuzave – është keqpërdorim i veprimtarisë ligjvënëse, si një vegël e rradhës e partisë shtet, për të zbehur vëmendjen nga kërkesat e Presidentit të Republikës, opozitës,dhe organizatave ndërkombëtare me integritet, për zbardhjen e veprimeve kriminale të kryera nga partia shtet për manipulimin e procesit zgjedhor të zhvilluar në 25 prill”.

Socialistët janë në garë me kohën, pasi ngritja e Komisionit hetimor që do të vlerësojë kërkesën për shkarkim, duhet të miratohet në seancë brenda datës 9 maj, që përkon dhe me fillimin e katërmujorëshit të fundit të parlamentit, kohë në të cilën nuk mund të ngrihen komisione hetimore. Kjo shpjegon dhe ngutin me të cilin ata po veprojnë. Dy vjet më parë, një tjetër nismë e ngjashme u mbyll me tërheqjen e tyre, pasi Komisioni i Venecias vlerësoi se “sjellja e Presidentit, nuk duket se justifikon shkarkimin e tij”.

Nga ana tjetër socialistët janë të detyruar të respektojnë rigorozisht procedurat, duke qenë se fjala e fundit i takon Gjykatës Kushtetuese, e cila do të vlerësojë edhe hapat e procesit të ndjekur. Për këtë arsye ata vendosën të thërrasin në seancë dhe Kreun e Shtetit, duke i lënë megjithatë atij, një afat tejet të shkurtër kohor, prej vetëm 24 orësh./VOA

blank

Kreu i Institutit Demokratik Kombëtar në SHBA: Pretendimet për shkelje në zgjedhje të shqyrtohen me shpejtësi dhe transparencë

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Drejtori për Evropën Qendrore dhe Lindore në Institutin Demokratik Kombëtar në Shtetet e Bashkuara, Robert Benjamin tha se pretendimet dhe kontestimet duhet të analizohen plotësisht, që votuesit të jenë të sigurt se zëri i tyre u dëgjua. Në një bisedë me kolegen Keida Kostreci, zoti Benjamin tha se Shqipëria ka një shans për të krijuar një konsensus të gjerë për zgjidhjen e problemeve të vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti Benjamin, cili është mendimi juaj për procesin e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri?
Robert Benjamin: Është e rëndësishme të theksohet që në fillim se procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende. Kështu, ndërsa ka përfundime paraprake deri sot, një vlerësim i plotë i procesit zgjedhor do të mund të bëhet vetëm kur procesi të ketë përfunduar. Megjithatë, disa nga deklaratat paraprake që kanë dalë nga ODIHR dhe KRIIK, një organizëm i pavarur shqiptar për vëzhgimin e zgjedhjeve, kanë bërë disa vlerësime pozitive në lidhje me procesin, veçanërisht për administrimin e zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pavarësisht nga koha e shkurtër në dispozicion pas ndryshimeve në procedurën e zgjedhjeve. Por njëkohësisht kemi parë dhe vëzhguesit kanë raportuar dhe nënvizuar probleme duke folur për shkelje të ngjashme me ato të cikleve të mëparshme zgjedhore. U referohem pretendimeve për blerje votash, frikësim votuesish dhe fatkeqësisht episode lokale të dhunës partiake, mbulim të pabalancuar nga mediat dhe përdorim të diskutueshëm në mos të paligjshëm të burimeve publike për qëllime partiake fushate. Është me të vërtetë e rëndësishme që rastet e pretendimeve për shkelje të hetohen plotësisht dhe kur ka prova të besueshme, ato duhet të ndiqen penalisht.

Si dikush që ka ndjekur edhe zgjedhjet e kaluara, si do ta vlerësonit këtë proces në krahasim me zgjedhjet e kaluara në Shqipëri?
Mund të themi që ciklet e fundit të zgjedhjeve në Shqipëri janë shoqëruar nga një shkallë tensioni politik apo partiak mjaft të dukshëm.
Unë mendoj se kjo fushatë elektorale pa dyshim u shoqërua me një tension të madh partiak. Do të thoja që ishte e ashpër në retorikë, por pa shumë substancë.
Është e rëndësishme që partitë politike t’u drejtohen jo vetëm mbështetësve të partisë së tyre, por gjithashtu të zgjerojnë apelin e tyre tek një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare që nuk i takon domosdoshmërisht një partie, por sheh se cila është oferta më e mirë për sa i përket programit të partisë politike që plotëson interesat e tyre.

Partia Demokratike nuk e ka njohur shprehimisht rezultatin e zgjedhjeve dhe kryetari i saj Lulzim Basha po flet për një “masakër elektorale” dhe deformim të rezultatit për shkak të praktikave të qeverisë dhe Partisë Socialiste. Si e shihni këtë pozicion të partisë kryesore të opozitës?
Mendoj se duhet të shihet në kontekstin e faktit që ende nuk ka mbaruar procesi zgjedhor. Nëse partitë kanë kundërshtime për mënyrën se si është kryer procesi i votimit, se si ka funksionuar llogaritja e votave, tani është koha të mbledhin prova dhe t’i paraqesin ato dhe të përdorin mekanizmat ligjorë të cilat duhet të japin vendimin për këto çështje. Këto mekanizma ligjorë duhet të punojnë me transparencë për t’u siguruar që ankesat dhe mosmarrëveshjet të zgjidhen në përputhje me ligjin dhe në përputhje me interest e votuesve. Është shumë e qartë që partitë politike si Partia Demokratike janë të interesuara që të ndjekin procesin e zgjidhjes së kontestimeve në mënyrë të plotë dhe unë besoj se zoti Basha e ka bërë të qartë synimin e tij për të ndjekur ato mekanizma ligjorë.

Dhe përsëris që kjo duhet të bëhet me shpejtësi dhe transparencë.
Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme që udhëheqësit politikë ta përdorin zërin e tyre në mënyrë konstruktive dhe të shmangin atë lloj retorike që mund të entuziazmojë përkrahësit e vet, por që mban të ngritur tensionin që duhet të zbutet pas zgjedhjeve.

Është hera e parë që pas rënies së komunizmit që një parti në Shqipëri fiton një mandat të tretë. Nga ana tjetër, janë shprehur vazhdimisht shqetësime në raportet ndërkombëtare për korrupsionin, reformat, hapat prapa në proceset demokratike, probleme me mediat. Si mendoni se mund të përmirësohet gjendja për këto probleme që kanë penguar deri tani integrimin e Shqipërisë?
Këto probleme kanë qenë në qendër të vëmendjes gjatë gjithë tranzicionit të demokracisë së Shqipërisë. Ne e dimë që Bashkimi Evropian po e sheh nga afër zhvillimin e këtyre zgjedhjeve si një sinjal lidhur me përparimin e Shqipërisë drejt demokracisë dhe do ta përdorë këtë vlerësim për të përcaktuar se si dhe kur të merren hapat e mëtejshëm për negociatat zyrtare për anëtarësim.

Mendoj se ky është një shans pikërisht për qeverinë dhe shoqërinë civile dhe sektorin privat për të vendosur ura, për të krijuar dialog dhe për të arritur konsensus mbi politikën publike si për shembull për sistemin e financave publike, për prokurimin publik, për qasjen e drejtë në media, qasje dhe trajtim të drejtë nga sistemi i gjykatave dhe agjencitë e tjera të pavarura. Kthimi në parlament i të gjitha partive të mëdha do t’i shërbejë jashtëzakonisht këtij procesi.

Si përfaqësues i NDI, çfarë mesazhi do t’i dërgonit kryeministrit dhe partisë së tij, dhe Partisë Demokratike dhe udhëheqësit të saj?
Do të thosha se është koha për të qeverisur. Është një kohë për t’u bashkuar në institucionet e përbashkëta të qeverisjes si parlamenti, për të qenë aktivë dhe për të punuar intensivisht për popullin e Shqipërisë për të zgjidhur këto çështje. Do të doja që është me të vërtetë e rëndësishme të përfshihen partnerë të shoqërisë civile dhe më në fund të përqendrohen në politikat publike dhe mënyrat për të zgjidhur problemet me të cilat përballen njerëzit e Shqipërisë. Unë e di që të dy udhëheqësit në të dyja partitë e dinë këtë, dhe e di se duan të fillojnë të punojnë për këtë. Dhe ne, NDI, nga ana jonë, jemi shumë të kënaqur që mund të përkrahim partitë politike, parlamentin dhe shoqërinë civile. Dhe jemi shumë optimistë për të ardhmen.

blank

Klodiana Lala: Tri vrasjet e bujshme që dëshmuan se krimi vë balancat politike! Zheji: Basha, i guximshëm dhe serioz!

TIRANË

Në emisionin e sotëm “Pikat mbi i”, në News24, ishte sërish temë diskutimi 25 prilli, ku PS fitoi me 74 mandate, ndërsa PD siguroi 59 mandate, duke mbetur sërish në opozitë.

Analisti Artur Zheji analizoi qëndrimet e Lulzim Bashës pas humbjes, duke thënë se i mbështet ato, por sipas tij, opozita nuk duhet të dalë sërish nga Parlamenti.

Nga ana tjetër, gazetarja Klodiana Lala bëri një deklaratë të fortë, teksa tha se për fat të keq në vendin tonë balancat politike i vendos krimi i organizuar.

Sipas gazetares Lala, një gjë të tillë e kanë dëshmuar tri vrasje të bujshme, që ndodhën në vend para dhe gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit, si ajo e Edmond Çekiçit në Durrës, e Bardhok Pllanajt në Shkodër dhe e Pjerin Xhuvanit në Elbasan.

Pjesë nga diskutimet:
Artur Zheji: Situata nuk është e mirë për një arsye kryesore, ne do vazhdojmë të qeverisemi nga një mazhorancë, e cila nuk përfaqëson më shumicën e vullnetit të qytetarëve. Nëse marrim parasysh pjesën e shqiptarëve që nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje, votat e pavlefshme, kontestimet e mëdha të opozitës, nga të cilat lëvizin 5-6 deputete, na përforcohet bindja se do të qeverisemi nga një pakicë. Kemi një lloj paqartësie shumë të madhe. Rregullat dhe pikësimet, apo semaforët, e demokracisë në këtë vend duket se janë jo shumë funksionalë. Duket se opozita ka prova të qarta sa i përket mosrespektimit të rregullave të lojës. Pra, këtu problemi është se kush është shumica. Mendoj që patjetër që rruga e Bashës për protesta është e duhura. Dy gjëra duhet të bëjë PD, duhet të mbajë institucionet fort, jo të dalë nga institucioni i Parlamentit, sepse populli e besoi dhe e ndoqi, i dha 59 mandate, që nuk janë pak. U pa që cdo betejë jashtë institucionale shton humbjen.

Klod Lala: Nuk mund të bëj dot një analizë politike. Zyrtarisht janë depozituar në SPAK 91 kallëzime apo denoncime nga subjekte të ndryshme politike, kryesisht nga PD, që nga momenti i nisjes së fushatës deri më 25 prill. SPAK ka regjistruar 33 kallëzime penale nën dyshimet për korrupsion. SPAK duhet të jetë e vëmendshme të hetojë me seriozitet, pasi është në interes që krimet zgjedhore të zbardhen. Çështje tjetër është edhe ajo e patronazhistëve, nxjerrja e të dhënave personale. Ka dhe një padi të PD për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë, që sipas kësaj force politike, zyrtarët i kanë shpërndarë këto të dhëna për 25 prillin. SPAK zyrtarisht ka nisur hetimet për këtë çështje.

Zheji: Unë nuk besoj te SPAK. Kë ka marrë të pyesë për çështjen e patronazhimit, që ta dimë.

Lala: SPAK ka shqyrtuar dy dosjet e shit-blerjes së votave, atë 339 dhe 184, por që deri më tani nuk kemi asnjë zyrtar të hetuar. Por unë nuk mund ta paragjykoj punën e SPAK, që mund të kenë në duar prova e fakte që më rrëzojnë diskutimin. Rasti i Elbasanit dëshmon që eksponentë të caktuar kanë depërtuar në fushatë. Deputeti Ndrazhi është votuar sërish në parlamentin e ri, edhe pse ka qenë mes emrave që dilte në përgjimet e mëparshme. Unë jam duke e pritur Prokurorinë. Unë pretendoj që SPAK, një institucion ku janë investuar miliona, të na japë përgjigje nëse ka pasur shit-blerje të votës, nëse eksponentë të krimit të organizuar janë përfshirë në fushatë. Edhe unë jam skeptike në momente të caktuara, por mendoj që SPAK, për shkak të presionit nga media, eksponentë politikë dhe partnerët ndërkombëtarë, do jenë të detyruar të japin përgjigje. Ka pasur raste të tentativës për shit-blerje votash, ka pasur denoncime për dhënie legalizimesh, etj, por që unë duhet të pres të flasë SPAK, për të parë deri në ç’nivel është ndërhyrë në zgjedhjet e 25 prillit. A duhet të krijojë edhe PD bandat e veta, që të fitojë zgjedhjet?

Zheji: Basha tani është një kryetar partie më i guximshëm dhe më serioz, që po denoncon me emra. Këta personazhe i sigurojnë PS atë diferencën e votave, që i duhet për të ardhur në pushtet. Nëse edhe PD merr banda, do të vriten ca, do ketë një luftë guerrile, vjen në pushtet, shihet pastaj kush ka bandat më të forta. Kjo është dramë. Ne jemi një popull i lodhur në prag të pushimeve, njerëzit thonë më mirë një fund i tmerrshëm, se një tmerr pa fund. Shumica e shqiptarëve nuk e duan më këtë luftën për jetë a vdekje politike. Për fat të keq, ka një dorëzim të njerëzve.

Lala: Ish-ministri Fatmir Xhafaj tha se në Shqipëri janë 41 banda kriminale dhe 4 familje mafioze. Por unë nuk kam parë që nga koha e z. Xhafaj që të jetë goditur ndonjë grup kriminal. Fushatës elektorale apo zgjedhjeve të 25 prillit iu paraprijnë tri ngjarje të rënda kriminale. E para, në Durrës, vrasja e Edmond Çekiçi, ishte ngjarja e Shkodrës, ku u ekzekutua Bardhok Pllanaj, dhe ngjarja e tretë edhe më e rëndë, ajo e Elbasanit, ku u vra Pjerin Xhuvani. Nisur nga këto tre ngjarje kuptohet se balancat politike i vendos për fat të keq krimi i organizuar. Ky është fakt, se e ka thënë vetë ish-ministri i Brendshëm, që sot ka thyer herësin.
Unë dua të di si erdhi në pushtet djali i Aqif Rakipit, që iku nga Parlamenti nga ligji i dekriminalizimit. Cili është kontributi i një djali që thyen herësin dhe lë jashtë emra të njohur dhe me kontribut? Të tre ngjarjet që përmenda do duhet të kenë përgjigje nga Prokuroria. Krimi i organizuar nuhat pushtetin dhe është i predispozuar të lidhet me të, sepse aty është “torta” më e madhe.

Zheji: Krimi i organizuar është GDP e Shqipërisë, sepse sjellin pallate luksoze, zhvillim, janë shumë para të investuar, që ne po i shohim.

blank

Dita e Dëshmorëve të Atdheut: Konjufca: Themelet e lirisë dhe shtetit tonë qëndrojnë mbi sakrificën e dëshmorëve

Sot, me rastin e 5 Majit  Ditës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Glauk Konjufca, vizitoi disa vatra të rezistencës çlirimtare në Kosovë dhe nderoi dëshmorët e martirët e rënë për lirinë e vendit tonë.

Kështu, ditën e sotme kryekuvendari Konjufca e filloi me nderime në Prekaz, te varri i Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, për të vazhduar më pas në Kompleksin Memorial në Morinë.

Pasi vendosi lule dhe nderoi të rënët, kryetari i Kuvendit vazhdoi për në Gllogjan, për të bërë homazhe në Kompleksin “Dëshmorët e Kombit”.

Nderimin për heronjtë, kryekuvendari Konjufca e përmbylli në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan, duke vendosur lule pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti.

“Sakrifica sublime e dëshmorëve të kombit qëndron e shenjtë në themelet e lirisë. Pa luftën e tyre për liri, ne nuk do ta kishim shtetin tonë e as pavarësinë. Është obligim institucional t’i nderojmë e t’i kujtojmë të rënët për liri. Ata kanë rënë në të kaluarën por nuk janë pjesë e së shkuarës, por janë shumë aktualë”, theksoi me këtë rast kryekuvendari Konjufca.​

blank

Zbardhet takimi me komisionerin Varhelyi, Basha: PD e vendosur për ta vazhduar betejën për ndryshim dhe demokraci në Shqipëri

TIRANË

Kryetari i PD Lulzim Basha zhvilloi një takim me Komisionerin e BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Kreu i PD e falenderoi zotin Varhelyi dhe Komisionin Europian për sasinë e vaksinave që BE i ka dhënë Shqipërisë si dhe për mbështetjen financiare për të lehtësuar pasojat ekonomike dhe shëndetësore.
Ne qendër të takimit ishte procesi i zgjedhjeve të 25 prillit.

Në njoftimin shpërndarë mediave nga zyra e PD, thuhet se Basha e njohu komisionierin me manipulimet masive që i janë bërë procesit zgjedhor, sipas tij përmes shitblerjes së votës, përdorimit të personave me precedentë kriminal, përdorimit të paligjshëm të administratës, vjedhjes dhe përdorimit kriminal të të dhënave personale të shtetasve nga PS, përdorimit të paligjshëm, masiv dhe sistematik të parave të buxhetit të shtetit për tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve si dhe përdorimin e legalizimeve për vota.

“Fushata e tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve u drejtua nga kupola drejtuese qeveritare në bashkepunim nga persona qe jane nen hetim per bashkëpunim me krimin e organizuar, dhe personave në listën e zezë të SHBA, fëmijë dhe të afërm të personave që u nxorrën jashtë nga ligji i dekriminalizimit janë tashmë pjesë e listës së deputetëve të PS.

PD dhe kandidatëet saj” – bëri të ditur zoti Basha – kanë depozituar në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve rreth 180 kallëzime për të cilat nuk ka patur asnjë veprim ndalues apo parandalues edhe pse ato janë depozituar muaj para datës së zgjedhjeve.

“Policia e shtetit në shume raste është përfshirë në mbrojtjen kontigjenteve të blerjes së votës si dhe ka fshehur, tjetërsuar dhe manipuluar fakte flagrante ku persona me precedent janë përfshirë në operacionin kriminal të blerjes së votave dhe shantazhimit të votuesve.” tha Basha, i cili ndër të tjera shprehu vendosmërinë e tij dhe të Partisë Demokratike për të vazhduar betejën për ndryshim dhe për të kthyer demokracinë në Shqipëri. bw

blank

Albin Kurti i del në mbrojtje Donika Gërvallës: Ajo e mbron luftën tonë çlirimtare dhe UÇK-në

Kryeministri Albin Kurti i ka dalë në mbrojtje zëvendëses së tij dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës, pasi në drejtim të saj pati shumë kritika lidhur me një deklaratë të mëparshme ku ajo i quante kriminelë Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin, raporton Express.

Kurti ka thënë se Gërvalla e mbron dhe e afirmon luftën çlirimtare dhe UÇK-në. Sipas tij, kritikat drejtuar saj pas vizitës në Bruksel, nuk janë të rastësishme.

“Dje, duket që filloi një fushatë kundër zëvendëses sime dhe ministres së MPJD, znj. Donika Gërvalla, me tezën se ajo nuk e respekton UÇK-në. Është interesante qysh kjo fushatë nuk nisi kur znj. Gërvalla erdhi në listën tonë zgjedhore e as kur u emërua ministre, por tash që u kthye nga vizita e suksesshme në Bruksel. Znj. Gërvalla e mbron dhe e afirmon luftën tonë çlirimtare dhe UÇK-në. Në takimet me ndërkombëtarë, ajo e shpjegon agresionin dhe krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë si pakkush tjetër”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Në drejtim të kryediplomates së Kosovës ditëve të fundit ka pasur shumë reagime. Gërvalla disa vite më parë kishte thënë se sapo të formohej Gjykata Speciale, do ta ndihmonte me materiale kundër, siç thoshte ajo, “kokave të organizatës kriminale: Hashim Thacit dhe Kadri Veselit”.

“Brenda mundësive që kam patjetër që do të kërkoj materiale në Speciale. Po kam material. Kemi kryetar të parlamentit që unë e quaj më të turpshme se sa Thaci që është president. Gjithë bota e di kush është Kadri Veseli dhe gjithë bota e di kush është Hashim Thaci. Kadri Veseli ka qenë koka e organizatës që ka bërë krime ndaj kundërshtarëve politikë”, kishte thënë Gërvalla në Dukagjin.

Vitin e kaluar, epitetin e kriminelit ia kishte vënë edhe atë kohë shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimit.

blank

Mesazhi prekës i djalit të Guljelm Radojës: Pushofsh në paqe bab! Do të ndrijnë akoma sytë e tu

Djali i Guljelm Radojës, Red Radoja ka dhënë një mesazh në shqip dhe frëngjisht për babain e tij i cili u nda nga jeta ditën e sotme prej COVID-19.

Red Radoja shkruan për të atin aktor se sytë e tij do të ndrijnë akoma mbi ballin e vajzës, djalit, mbesave e nipit.

‘’Pushofsh në paqe bab’’- shkruan i biri. Aktori i mirënjohur shqiptar, Guljelm Radoja u nda nga jeta sot në moshën 75-vjeçare nga COVID-19, pasi ishte intubuar, madje ditët e fundit i kaloi tek spitali ”Shefqet Ndroqi”.

 

STATUSI NGA RED RADOJA

Pushofsh në paqe bab!

Do ndrijnë akoma sytë e tu mbi ballin e vajzës, djalit, mbesave dhe nipit të vogël …

Repose en paix papa …

Tes yeux continuent à briller sur le front de tes enfants et petits-enfants.

blank

Humb betejën me koronavirusin aktori i njohur Guljelm Radoja, ishte i intubuar te “Shefqet Ndroqi”

TIRANË

Ka ndërruar jetë te spitali Covid-2 “Shefqet Ndroqi” aktori i njohur, Guljelm Radoja. Aktori ka humbur betejën me virusin e rrezikshëm Covid-19 në moshën 75-vjeçare.

Ai ishte prekur nga koronavirusi disa javë më parë, por gjendja e tij shëndetësore ishte tejet e rënduar. Pas disa javësh i shtruar në Spitalin e Durrësit, Radoja ishte sjellë te “Shefqet Ndroqi”, pak ditë më parë, ku ndodhej në intubim.

Guljelm Radoja ka lindur më 2 korrik të vitit 1945 në qytetin e Shkodrës.

Ndër interpretimet e tij në teatër përmendet për rolet në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bellit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit e tjera.

Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970.

Ai më pas ka luajtur edhe një varg rolesh tjera si ai i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, e tjera.

Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.

 

blank

Donika Gërvalla i përgjigjet akuzave: Do të kërkoj drejtësi për të gjitha viktimat e Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se asnjëherë nuk do të ndalojë së kërkuari drejtësi për gjithë viktimat në Kosovë, shkruan Gazeta Express.

Këtë deklaratë ajo e dha pas reagimeve ku thuhet se Gërvalla ka thënë se do të dërgojë materiale në Speciale sapo të formohet kjo gjykatë.

Në një postim në ‘Facebook”, ajo tha se heshtja nuk e nderon askënd, teksa tha se vetëm me guxim dhe me punë, Kosovës mund t’i kthehet faqja e bardhë.

“Asnjeherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit.

Kjo është më e pakta që mund të bëjmë jo vetëm për viktimat, por edhe për gjeneratat që vijnë. Heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin prej nesh”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë:

Dje, sot por edhe nesër!

Asnjeherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit.

Kjo është më e pakta që mund të bëjmë jo vetëm për viktimat, por edhe për gjeneratat që vijnë. Heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin prej nesh.

Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka thënë qartë fjalën e tij. Si ministre e qeverisë së zgjedhur me votën më të fuqishme qytetare i përulem çdo vendimi të Kuvendit.

Sot po dëgjoj si po bërtasin fort pikërisht ata që me heshtjen dhe me veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje të turpshme. Vetëm me guxim dhe shumë punë do të mund t‘ia kthejmë Kosovës faqen e bardhë, jo me heshtje dhe mashtrim.

Shumë punë na presin, vërtet.

blank

blank

Në gjendje të rëndë shëndetësore nga Covid-19, aktori Guljelm Radoja sillet i intubuar te “Shefqet Ndroqi”

Është rënduar gjendja shëndetësore e aktorit të njohur të skenës shqiptare, Guljelm Radoja, i cili po përballet prej javësh me virusin e rrezikshëm Covid-19.

Pas më shumë se tre javësh i shtruar në Spitalin e Durrësit, aktori Radoja është sjellë në gjendje të rëndë te spitali Covid-2 “Shefqet Ndroqi”.

Mësohet se aktori është sjellë nga Durrësi i intubuar dhe në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. bw

blank

“Dosja e zezë“, detaje nga grupi i punës në PD, juristë dhe ekspertë teknologjie për të faktuar problemet në zgjedhjet e 25 prillit

Detaje të reja zbulohet nga grupi i punës së PD për problematikat në zgjedhjet e 25 prillit. Gazetari Osman Stafa për BalkanWeb raporton se një grup juristësh dhe ekspertë teknologjie po punojnë për të faktuar e dokumentuar të gjitha problemet që do të përmblidhen më pas në një ‘’dosje të zezë’’.

Grupi i punës ka përfshirë që periudhën 4 muaj para zgjedhjeve për të parë aktivitetin e institucioneve shtetërore dhe për të faktuar ndikimin e tyre tek qytetarët, pretendimet gjatë fushatës, ditën e votimit më 25 prill si dhe më pas gjatë numërimit.

Basha dje u komunikoi krerëve të degëve të PD se zgjedhjet e 25 prillit nuk do të njihen, por u ka lënë porosi të grumbullojnë të gjitha faktet e problematikave në zgjedhje.

blank

Basha flet me emra: Beteja do të vijojë në të gjitha frontet, mënyrat e mundësitë, përfundimi do të jetë rrëzimi i regjimit

Kreu i PD, Lulzim Basha ka konfirmuar se beteja e tij për zgjedhjet e 25 prillit do të vijojë. Ai ka folur me emra këtë herë duke akuzuar një sërë deputetësh e politikanësh, me në krye Edi Ramën, pasuar nga Tom Doshi e Aqif Rakipi.

Basha thotë se viktimat e ‘masakrës elektorale’ të 25 prillit nuk janë PD dhe kandidatët e saj, por qytetarët shqiptarë.

Saktësisht Basha akuzon Edi Ramë, Tom Doshin bashkë me 3 deputetët e PSD, Aqif Rakipin dhe djalin e dhëndrin e tij që dolën deputetë, Vangjush Dakon bashkë me 3 deputetët e Durrësit, Ilir Ndraxhin, Jurgiis Çyrbjen dhe Rrahman Rrajën, si dhe Aurora Marën.

Ai garanton se përfundimi i betejës që ka nisur PD tashmë do të jetë në të gjitha frontet për të sjellë në fund ‘rrëzimin e regjimit’.

FJALA NGA LULZIM BASHA
Së dyti, 25 prilli është një masakër elektorale viktima e të cilës nuk është Partia Demokratike dhe deputetët tanë se rezultati ynë flet qartë, besimi, shpresa që zgjuam dhe bashkuam pavarësisht prej rolit të pa precedentë të krimit të organizuar parave të pista të krimit dhe siç tha edhe raporti paraprak i OSBE-ODHIR-it, shkrirjes së vijave ndarëse midis partisë dhe shtetit nuk ja doli dot të zvogëlonte apo të ulte përmasat e një bashkimi të jashtëzakonshëm të shqiptarëve ndaj dhe detyrimi ynë i parë është para të gjithë shqiptarëve, jo thjesht dhe vetëm para kandidatëve për deputetë apo para militantëve, mbështetësve të Partisë Demokratike që kanë bërë një betejë historike duke pasur gjithçka kundër dhe ja kanë dalë në këtë betejë bashkë me të gjithë shqiptarët të rikthejnë shpresën dhe besimin se ky vend mund dhe do të ndryshojë. Thënë kjo një gjë është e sigurt ndërsa ne vazhdojmë mbledhjen dhe faktimin e manipulimit të masakrës zgjedhore të 25 prillit. Të gjithë kamerat dhe mikrofonët e meidas së lirë do të drejtojnë pyetjet legjitime tek autori i kësaj masakre, te dyshja apo më mirë të themi treshja Rama-Doshi-Rakipi. Si i morën votat tre deputetët e Tom Doshit të listës së zezë të Departamentit të Shtetit? Si i mori votat Vangjush Dako i listës së zezë të Departamentit të Shtetit bashkë me tre përfaqësuesit e krimit në Durrës Jurgis Çyrben e kokainës dhe Plarent Dervishit, me Rrahamn Rrajën e kokainës dhe familjes së tij dhe klanit të tij kriminal dhe Ilir Ndraxhi i Avdylajve. Si i morën votat djali i Aqif Rakipit dhe dhëndri i Aqif Rakipit, një nga familjet e njohura kriminale të Peqinit? Si i mori votat Aurora Mara e Gent Marës person në kërkim ndërkombëtar për trafik droge? A mund të pranojë Shqipëria që nga njëra anë sot mban me krenari trashëgiminë e anëtarësimit në NATO gjatë kohës që qeveriste Partia Demokratike në  këtë ushtrim të pa precedentë ushtarak, mban, pra, me krenari këtë peshë, këtë përgjegjësi që nga ana tjetër shkatërron themelet e demokracisë, viktimat e masakrës elektorale janë qytetarët shqiptarë. Detyra jonë është të qëndrojmë fort dhe të luftojmë fort për rikthimin e  demokracisë në vend i cili është një nga kushtet kryesore që bëri të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe është një kusht i patejkalueshëm për të avancuar drejt asaj që kemi premtuar dhe do të bëjmë realitet me gjithë shqiptarët anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo betejë do të bëhet në të gjitha frontet mënyrat dhe mundësitë që ekzistojnë dhe përfundimi i saj do të jetë i qartë, rrëzimi i regjimit Rama-Doshi-Rakipi dhe kthimi i Shqipërisë, shqiptarëve. Faleminderit!


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend