Parlamenti izraelit, Knesset, zgjodhi të martën Matan Kahanan si kryetar të ri, një zhvillim që mund të shënojë një hap të rëndësishëm drejt zhbërjes së politikave të miratuara nga qeveria e Benjamin Netanyahut.
Kahana mori mbështetjen e 66 deputetëve nga 120 gjithsej, duke mposhtur kandidatin e propozuar nga partia Likud e Netanyahut, Ofir Katz, i cili siguroi 52 vota.
Kryetari i parlamentit ka një rol të rëndësishëm në përcaktimin e axhendës parlamentare, pasi kontrollon kalendarin e seancave dhe mund të përshpejtojë ose vonojë debatet dhe votimet për projektligjet.
Kahana, ish-ushtarak i forcave speciale dhe aleat i ish-shefit të ushtrisë Gadi Eisenkot, pritet të nisë që të mërkurën procedurat për të kundërshtuar një pjesë të rëndësishme të agjendës së Netanyahut.
Zhvillimi vjen në një kohë kur Eisenkot po përpiqet të sigurojë mbështetjen e nevojshme për formimin e një qeverie të re, ndërsa përplasjet politike me Netanyahun vazhdojnë. Asnjëri prej dy kampeve nuk ka arritur të sigurojë shumicën në parlamentin me 120 vende.
Pas zgjedhjes, Kahana deklaroi se do të jetë një kryetar parlamenti për të gjithë qytetarët, pavarësisht racës, fesë apo gjinisë.
Ndër prioritetet e Eisenkotit është anulimi i reformave gjyqësore të ndërmarra nga Netanyahu, të cilat kanë shkaktuar protesta masive në Izrael, si dhe krijimi i një komisioni shtetëror të pavarur për të hetuar dështimet e sigurisë që paraprinë sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023.
Nga ana tjetër, Netanyahu ka kundërshtuar krijimin e një komisioni të pavarur hetimor, duke propozuar një mekanizëm ku anëtarët do të përzgjidheshin nga politikanët.