Udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në Berlin.
Iva Martinoviq, Sërgjan Jankoviq, Lejla Sariq
Nuk ka gjasa që marrëveshjet e nënshkruara në Berlin nga liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat do të lehtësonin udhëtimin, studimin dhe punën për qytetarët, të vihen në jetë së shpejti.
Marrëveshjet për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, u nënshkruan nga krerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, më 3 nëntor, në samitin në kuadër të Procesit të Berlinit. Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova u pajtuan paraprakisht për marrëveshjet, në tetor, pas disa javësh negociatash të udhëhequra nga Gjermania.
Që të fillojë zbatimi i asaj që u nënshkrua, është e domosdoshme që dokumentet të ratifikohen nga parlamentet e secilit prej vendeve, brenda 18 muajve, gjë që nga ana tjetër është shumë e pasigurt për shkak të procedurave, problemeve të brendshme dhe bllokimeve politike, si dhe marrëdhënieve ndërmjet disa prej këtyre vendeve. Nga ana tjetër, disa prej shteteve tashmë kanë marrëveshje të ngjashme me të tjerat dhe në praktikë dokumentet e Berlinit nuk do të sjellin shumë ndryshime.
Marrëveshja e parë në Berlin parashikon që për udhëtime ndërmjet vendeve të rajonit, në të ardhmen, do të nevojiten letërnjoftimet. Kjo është më e rëndësishmja për qytetarët e Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, të cilët ende kanë nevojë për viza për të udhëtuar në këto dy shtete. Këtë mundësi tashmë e kanë qytetarët e shteteve të tjera për shkak të marrëveshjeve të mëhershme.
Marrëveshja do të duhet gjithashtu të përmirësojë lirinë e lëvizjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ajo u nënshkrua nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërkaq, gjatë samitit, flamuri i Kosovës është ekspozuar në mesin e flamujve të pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Beogradi thotë se tashmë ekziston ‘Ballkani i Hapur’
Që marrëveshjet e nënshkruara në Berlin nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, të procedohen para deputetëve, ato duhet të shqyrtohen edhe nga Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Serbisë, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (REL) Elvira Kovaç, anëtare e atij komisioni.
Marrëveshjet nga Berlini, megjithatë, ende nuk kanë arritur në Kuvendin e Serbisë. Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se kur do të dërgohen dokumentet në Kuvend dhe as për atë se kur presin që marrëveshja të zbatohet.
Bozhoviq: Hezitimi i Serbisë nuk do të ishte befasues
Balsha Bozhoviq nga Akademia joqeveritare për Zhvillimin e Demokracisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se “nuk do të habitej nëse Serbia do të nisë të hezitojë”.
Balsha Bozhoviq
“Ata që i kanë nënshkruar marrëveshjet me mirëbesim, do t’i ratifikojnë ato me procedurë të shpejtë. Ata që nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë dhe që duan të krijojnë kriza të reja në Ballkanin Perëndimor – mendoj se regjimi në Serbi njihet si njëri nga ata që po thellojnë krizën -do të përpiqen që edhe me këtë të shantazhojnë partnerët ndërkombëtarë”, thotë Bozhoviq.
Ai vlerëson se procesi i Berlinit tregoi supremacinë në raport me “Ballkanin e Hapur”. Ai konsideron se Aleksandar Vuçiq, si president i Serbisë është shumë i pakënaqur që “Ballkani i Hapur” nuk është përmendur në asnjë fjali në Samitin e Berlinit dhe se kjo është një nga arsyet kryesore pse Vuçiq nuk ishte në Berlin.
“Ai ia la Ana Bërnabiqit të nënshkruajë marrëveshjet që Serbia do të duhet t’i miratojë shumë shpejt, nëse dëshiron të vazhdojë rrugën e saj drejt BE-së.
Kancelari gjerman (Olaf Scholz) deklaroi se vendi tij qëndron pas Ballkanit Perëndimor.
Ky është një impuls shumë domethënës dhe mendoj se në njëfarë mënyre ia prishi planet regjimit në Beograd, i cili mbase konsideron se më nuk do të jetë ai që do ta ketë fjalën kryesore në rajon”, thotë Bozhoviq.
Më 3 nëntor, pas nënshkrimit të marrëveshjeve, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se ato janë të rëndësishme mbi të gjitha për të rinjtë në rajon, por edhe se “nuk di se për çfarë të duartrokasë”.
“Çfarë po nënshkruajmë këtu dhe kush do t’i zbatojë? Si mendoni se do të sillet [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti ndaj atyre marrëveshjeve? Ashtu siç dëshiron. Asnjë marrëveshje nuk e ka zbatuar deri më tash dhe askush nuk i ka thënë asgjë”, tha Bërnabiq.
Megjithatë, ajo nuk u deklarua lidhur me atë se a do t’i zbatojë Beogradi marrëveshjet që ka nënshkruar, por tha se “është veçanërisht e rëndësishme që këto marrëveshje të mos devijojnë nga ajo për të cilën jemi marrë vesh ose po merremi vesh në kuadër të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës”.
Kosova dhe Serbia, në fund të gushtit, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, arritën një marrëveshje për heqjen e dokumenteve për hyrje/dalje, të cilat deri atëherë kishin zëvendësuar letërnjoftimin.
Premtimi i Kosovës për ‘fillimin e procedurave’
Qeveria e Kosovës, e pyetur nga REL-i lidhur me ratifikimin e marrëveshjes së Berlinit, ka dhënë përgjigje të shkurtër se shteti “do të fillojë procedurat e nevojshme në kohën më të shkurtër të mundshme, bazuar në Ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare”.
Qytetarët e Kosovës udhëtojnë me letërnjoftim kudo në rajon, duke përjashtuar Bosnje e Hercegovinën, me të cilën ka regjim të vizave. Me letërnjoftim ata mund të udhëtojnë në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri.
Përveç Serbisë, Bosnje dhe Hercegovina është gjithashtu i vetmi vend në rajon që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por e njeh pasaportën e saj si dokument të vlefshëm.
*Video: Lidhjet familjare pa viza
Deri më tani, për të hyrë në Bosnje dhe Hercegovinë, qytetarët e Kosovës e kanë pasur të domosdoshme të kenë vizë. Ndërkaq, që nga viti 2014 e njëjta gjë vlen edhe për qytetarët e Bosnje e Hercegovinës që duan të udhëtojnë për në Kosovë, sepse asokohe u vendos masa reciproke për regjimin e vizave.
Deri më tani, madje edhe ata që jetojnë në Kosovë dhe kanë familje në Bosnje e Hercegovinë dhe anasjelltas, përballeshin me probleme për marrjen e vizës.
Labirinti boshnjak deri në miratim
Për ministren e Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës, Bisera Turkoviq, nënshkrimi i marrëveshjes është një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe hapjes së dyerve për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës.
Ajo tha për REL-in se procesi i Berlinit është konfirmim për atë se është e mundur të zgjidhen edhe çështjet më të vështira politike. Ajo është e bindur se marrëveshjet nga Berlini “do të kalojnë të gjitha procedurat e nevojshme në kohën e duhur dhe do të hyjnë në fuqi, në interes të të gjithë qytetarëve të Bosnje e Hercegovinës dhe të gjithë rajonit”.
Nga kabineti i kryetarit të Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, i cili ka nënshkruar marrëveshjet, kanë thënë shkurt për REL-in se ato do të dërgohen për t’i futur në procedurë të miratimit dhe ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ata nuk specifikuan se kur do të ndodhë kjo.
Procedura në Bosnje e Hercegovinë, për kontrata të tilla, parashikon që marrëveshja origjinale i shkon fillimisht Ministrisë që drejton Bisera Turkoviq, pastaj Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës dhe më pas Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, e cila është përgjegjëse për politikën e jashtme dhe ratifikim. Gjithashtu, paraprakisht, Parlamenti duhet të japë miratimin për ratifikim.
Megjithatë, është pak e besueshme që tre anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës të pajtohen për ratifikim, duke pasur parasysh se pas zgjedhjeve të tetorit në Bosnjë e Hercegovinë, në përbërjen e re të kësaj presidence është Zhelka Cvijanoviq.
Si bashkëpunëtore e afërt, ajo vazhdon politikën e Millorad Dodikut, i cili në atë pozitë në përbërjen e kaluar, ishte vazhdimisht kundër njohjes së Kosovës, ashtu sikurse edhe të gjitha partitë serbe në institucionet shtetërore në entitetin Republika Sërpska. Formimi i pushtetit, pas zgjedhjeve, ende nuk është bërë.
Për Malin e Zi, vetëm konfirmim i përfitimeve ekzistuese
Nënshkrimi i marrëveshjes është një përparim i madh, veçanërisht për shtetet e rajonit, si Bosnje e Hercegovina dhe Kosova, “të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën dhe qytetarët e të cilave udhëtojnë me pasaporta me regjim vizash”, konsideron Gjorgje Raduloviq, këshilltar për politikë të jashtme i kryeministrit të Malit të Zi.
Sa i përket Malit të Zi, ai tashmë ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe me të gjitha shtetet për udhëtime me letërnjoftime, thotë Raduloviq, i cili është edhe koordinator nacional për Procesin e Berlinit. Ai vlerëson se marrëveshjet e nënshkruara vetëm sa e konfirmojnë edhe më tej mobilitetin e lëvizjes për qytetarët malazezë.
Përveç udhëtimit vetëm me letërnjoftime brenda rajonit, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar edhe marrëveshje për njohjen e diplomave të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të doktorëve të mjekësisë, doktorëve të stomatologjisë dhe arkitektëve.
Kryeministrja e Serbisë tha se marrëveshje të tilla “nuk janë diçka tepër e re” për Beogradin, sepse një gjë e tillë tashmë është bërë “në shkallë më të gjerë, si pjesë e nismës së Ballkanit të Hapur” me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që ka nisur në vitin 2019. Kësaj nisme nuk i janë bashkuar Kosova, Bosnje e Heregovina dhe Mali i Zi.
Këshilltari i kryeministrit malazez, Gjorgje Raduloviq, thotë se është veçanërisht e rëndësishme që me marrëveshjet nga Berlini të njihen marrëveshjet e mëparshme bilaterale dhe marrëveshjet ndërmjet vendeve. Po ashtu, nëse ato marrëveshje janë më të favorshme për qytetarët sesa ato të Berlinit, zbatimi i tyre nuk vihet në dyshim, konsideron Raduloviq.
Kur bëhet fjalë për marrëveshjet për njohjen e diplomave dhe kualifikimeve profesionale, Ministria e Arsimit e Malit të Zi thotë se vendet nënshkruese, në 18 muajt e ardhshëm, do të vendosin rregulla dhe procedura të përbashkëta për njohjen e tyre.
Kryetarja e Kuvendit, Danijela Gjuroviq, në një bisedë me përfaqësuesen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Susanne Schutz, ka premtuar se të gjitha marrëveshjet do të ratifikohen në parlament, sa më shpejt që të jetë e mundur.
Maqedonasit e shohin të gjithën si trampolinë për tregun e BE-së
Qeveria e Maqedonisë së Veriut thotë se, në fakt, synimi është që përmes marrëveshjeve dypalëshe të modelit të Berlinit, të tejkalohet problemi i Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, të cilat janë të vetmet vende që nuk kanë regjim udhëtimi me letërnjoftime.
Ka vite që qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të udhëtojnë në cilindo nga vendet e Ballkanit Perëndimor vetëm me letërnjoftim, pa pasaportë. Tash e dhjetë vjet, qytetarët mund të udhëtojnë me letërnjoftim në Serbi, Shqipëri dhe Mal të Zi, tash e gjashtë vjet në Kosovën, ndërkaq mundësinë për të udhëtuar në Bosnje e Hercegovinë, qytetarët e kanë që nga viti 2018.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, megjithatë, këto tri marrëveshje i konsideron të rëndësishme dhe si “trampolinë drejt tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian”.
Marrëveshja e arritur më 3 nëntor, parashikon që mjekët, stomatologët dhe arkitektët nuk do të kenë barriera administrative, pra nuk do të kenë nevojë për certifikim diplome dhe paraqitje të kërkesave në institucione të panumërta.
“Kjo marrëveshje ofron përfitime të shumëfishta, sepse jo vetëm që do të zbatohen kritere të përpikta të BE-së në lëvizshmërinë e tregut të përbashkët, por edhe vendet kanë detyrim që për këto tri profesione t’i harmonizojnë kurrikulat dhe programet me kërkesat e BE-së”, u përgjigj Qeveria.
Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, qytetarët do të lirohen nga procedurat komplekse për njohjen e kualifikimeve. Kjo do t’ua lehtësojë punësimin në ndonjërën nga vendet e Ballkanit Perëndimor, studimin, shkëmbimin e mësimdhënësve dhe hulumtuesve.
Marrëveshjet do të duhej të ratifikoheshin në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, por puna e Kuvendit është e bllokuar nga partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE dhe për këtë arsye shumë ligje nuk janë miratuar.
Mes tyre janë edhe marrëveshjet nga nisma e Ballkanit të Hapur, të cilat Parlamenti nuk i ka ratifikuar ende.
Si pjesë e kësaj nisme, tashmë janë nënshkruar marrëveshjet për qasje të lirë në tregun e punës, sipas të cilave qytetarët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të mund të punojnë në cilindo nga këto shtete, si dhe është paraparë edhe lehtësimi i njohjes së diplomave të arritura në ato vende.
Procesi i Berlinit
Procesi i Berlinit u vendos në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, me qëllim të lidhjes dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.
Procesi i Berlinit shërben si një platformë për bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të nivelit të lartë të së ashtuquajturës Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, e cila përbëhet nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Procesi përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon.
Samiti i nëntorit në Berlin përfaqëson, gjithashtu, ringjalljen e procesit, që kur kancelari Olaf Scholz drejton Qeverinë në Berlin. Sipas njoftimit, samiti i ardhshëm do të organizohet në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.
Të ardhurat potenciale për shtetin grek nga shfrytëzimi komercial i bllokut 2 në Detin Jon gjatë një periudhe 20-vjeçare pritet të arrijnë në 10 miliardë euro, pa kërkuar pjesëmarrje të drejtpërdrejtë financiare nga shteti grek nga burimet shtetërore.
Kjo u deklarua gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratës midis konsorciumit ExxonMobil, Energean, Helleniq Energy dhe Stena Drilling, i cili do të ndërmarrë programin 60-ditor të shpimit, nga Mathios Rigas, Drejtor Ekzekutiv i Energean.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ambasadorët e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, dhe të Suedisë, Håkan Emsgårdn.
Kreu i kompanisë greke, e cila është edhe operatori i bllokut 2, deklaroi se deri më 15 qershor, studimi mjedisor i projektit do të jetë paraqitur në Ministrinë e Mjedisit dhe Energjisë, me qëllim që të miratohet deri në mesin e nëntorit, gjë që do të lejojë që programi i shpimit të fillojë në shkurt 2027.
“Në të njëjtën kohë, investimi total – i vlerësuar në mbi 5 miliardë euro – pritet të veprojë si një levë rritjeje për ekonominë greke. Krijimi i 180 vendeve të reja të punës, si gjatë fazës së ndërtimit ashtu edhe gjatë funksionimit të projekteve, do të forcojë komunitetet lokale dhe do të kontribuojë në uljen e papunësisë”, informon “Protothema”.
Siç u përmend nga Rigas, kompania tani po synon një strukturë të gjerë gjeologjike, të cilën ai e karakterizon si veçanërisht premtuese. Vlerësimet flasin për rezerva që mund të arrijnë në 270 miliardë metra kub gaz natyror. Për krahasim, konsumi vjetor i Greqisë është afërsisht 6 miliardë metra kub, gjë që thekson rëndësinë potenciale të zbulimit.
Siç u tha, probabiliteti i suksesit të shpimit është 16%, një përqindje që konsiderohet e zakonshme për projekte të këtij lloji. Rreziku i investimit, megjithatë, merret përsipër tërësisht nga kompania.
Shpimi i planifikuar do të zhvillohet në një thellësi prej afërsisht 4,600 metrash, në një zonë detare me një thellësi uji prej 840 metrash, duke e bërë projektin teknikisht të vështirë.
Sipas të dhënave të paraqitura, vitet e fundit Energean ka investuar mbi 4 miliardë euro në Mesdheun Lindor për zhvillimin e depozitave të naftës dhe gazit.
Në të njëjtën kohë, janë kryer më shumë se 10 shpime në ujëra të thella, gjë që tregon nivelin e lartë të ekspertizës dhe përvojës. gsh
Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, është një kriminel ndërkombëtar dhe nuk duhet të jetë në Hungari, tha lideri i ri hungarez Peter Magyar pas fitores bindëse të partisë së tij Tisza ndaj Fidesz të Viktor Orban.
Magyar kritikoi ashpër vendimin e qeverisë Orban për t’u dhënë azil politikanëve polakë Zbigniew Ziobro dhe Marcin Romanowski, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. Ai bëri një paralele të drejtpërdrejtë me rastin e Gruevskit, i cili gjithashtu mori mbrojtje në Hungari nga Orban.
Magyar tha se Hungaria nuk duhet të bëhet strehë për kriminelët ndërkombëtarë dhe theksoi se kjo vlen jo vetëm për politikanët polakë, por edhe për Gruevskin, të cilin ai e përshkroi si një kriminel të dënuar. Ai shtoi se vendet e tjera evropiane duhet të ekstradojnë gjithashtu çdo kriminel politik hungarez që përpiqet të largohet jashtë vendit, në frymën e bashkëpunimit evropian.
Në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit, Fidesz i Orbanit pësoi një humbje dërrmuese. Në parlamentin e ri me 199 vende, formacioni i Peter Magyar do të ketë 138 vende, Fidesz 55 dhe Mi Hazank pro-rus gjashtë.
Gruevski, i cili shërbeu si kryeministër nga gushti 2006 deri në mesin e janarit 2016, u dënua në shtator 2018 me dy vjet burg. Disa ditë para arrestimit të tij, më 12 nëntor 2018, ai u largua ilegalisht nga Maqedonia e Veriut, duke udhëtuar nëpër Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi. Orban i dha atij azil po atë nëntor sipas një procedure të përshpejtuar. bw
Qeveria në të cilën Tiszaa do të ketë shumicën do të hetojë përpjekjen e supozuar për të sulmuar gazsjellësin pranë Kanjizhës, tha fituesi i zgjedhjeve të djeshme në Hungari dhe udhëheqësi i Tisza-s, Peter Magyar.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga mediat serbe, ai tha se është e rëndësishme për të që marrëdhëniet midis Serbisë dhe Hungarisë të mbeten të mira, kryesisht për shkak të hungarezëve në Vojvodinë, megjithëse supozoi se kush janë “kumbarët” e miqësisë së madhe midis Aleksandar Vuçiq dhe Viktor Orban, por edhe Robert Fico.
Ai shtoi se nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e brendshme të Serbisë, por se mund t’i thotë popullit serb të “nxjerrë forcë nga zgjedhjet e djeshme në Hungari”, transmeton Telegrafi.
Gjatë fushatës zgjedhore, ndodhi një veprim që i ngjante një të ashtuquajturi operacioni “flamur i rremë”, të dielën e Pashkëve, kur ishte planifikuar një përpjekje e supozuar për të sulmuar gazsjellësin, për të cilin kryeministri Viktor Orban kishte folur tashmë një javë më parë, duke njoftuar se diçka e tillë do të ndodhte, kujtoi Peter Magyar.
“Pra, mund të them se u bë mjaft ngadalë dhe ishte e qartë se organizatorët u tërhoqën prej saj dhe nuk shkuan aq larg sa prisnin eprorët e tyre në Rusi dhe Viktor Orban. Mendoj se ata bënë gjënë e duhur, sepse qeveria e Tiszës do të hetojë se çfarë ndodhi saktësisht, nëse kishte një rrezik të vërtetë – sepse është e mundur që të kishte. Por nëse kishte një rrezik të vërtetë, atëherë kryeministri duhet të drejtojë vendin dhe jo të luajë një rol në një shfaqje si Viktor Orban të dielën e Pashkëve, i cili fluturoi me helikopter dhe mblodhi të gjithë propagandën hungareze me helmeta dhe uniforma për t’u ‘frikësuar’ së bashku”, tha ai.
Në një situatë të tillë, kryeministri duhet të garantojë sigurinë e vendit, shtoi hungarezi.
“Qytetarët e Hungarisë, si qytetarët e Serbisë, me të drejtë presin që udhëheqja e tyre të sigurojë siguri, zhvillim dhe paqe. Nën qeverinë e Tiszës, do të ketë rend, paqe, siguri dhe zhvillim në Hungari – kjo është ajo që mund të them”, tha ai.
Ai do të ishte shumë i lumtur të takohej me udhëheqjen serbe, shtoi Peter Magyar.
“Unë e di saktësisht se çfarë po ndodh në Serbi dhe e di se çfarë lloj lidhjesh ka pasur, ka dhe mund të ketë midis qeverisë së Orbanit dhe Serbisë së udhëhequr nga (Aleksandar) Vuçiq, ashtu siç e di se çfarë lloj lidhjesh ka midis Sllovakisë së Robert Ficos dhe Viktor Orbanit dhe e di përafërsisht se kush qëndron pas këtyre marrëdhënieve, kush është ‘kumbari’ i këtyre miqësive të mëdha”, shtoi ai.
Megjithatë, për hir të hungarezëve që jetojnë në Serbi, është shumë e rëndësishme për Budapestin që marrëdhëniet midis Serbisë dhe Hungarisë, të cilat aktualisht mund të konsiderohen të mira, të mbeten të tilla dhe të mos varen nga individët, tha Magyar.
“Unë besoj se kjo është në interesin si të udhëheqjes aktuale serbe ashtu edhe të hungarezëve që jetojnë në Serbi, si dhe të interesit tonë. Jam i hapur për bashkëpunim, pavarësisht faktit se ne ndoshta mendojmë ndryshe për botën në shumë mënyra sesa presidenti Vuçiq ose udhëheqja serbe. Megjithatë, miqësia e popujve tanë dhe marrëdhëniet e mira ekzistuese janë shumë të rëndësishme për ne. Mund të them se nuk do të ndërhyjmë në punët e brendshme të vendeve të tjera. E shoh vetë se si janë protestat dhe si i trajtojnë autoritetet ato”, tha ai.
Ai vuri në dukje se, siç tha ai, “ngjashëm me Hungarinë, mediat e pavarura në Serbi janë në një situatë shumë të vështirë”.
“Ajo që mund t’i them popullit serb, pa ndërhyrë në punët e tyre të brendshme, është se ata duhet të nxjerrin forcë nga zgjedhjet e djeshme në Hungari. Këtë ua them edhe shumë vendeve të tjera ku njerëzit janë në një situatë të vështirë, ku ekziston një regjim i ashtuquajtur hibrid, domethënë ku nuk ka sundim të plotë të ligjit: është e mundur, është vërtet e mundur nëse njerëzit bashkohen. Ne hungarezët e kemi përjetuar këtë shumë herë gjatë historisë. Nëse bashkohemi, mund të përparojmë edhe në rrethanat më të vështira dhe të arrijmë sukses. Dje ishte pikërisht kjo – treguam se pavarësisht të gjitha pengesave dhe mbështetjes ndërkombëtare që kishte Viktor Orbán, nga praktikisht e gjithë elita politike globale – presidenti rus, presidenti amerikan, presidenti kinez, presidenti turk, kryeministri izraelit, si dhe shumë udhëheqës të tjerë si Vuçiq dhe Robert Fico – populli hungarez tha se historia e Hungarisë është shkruar nga hungarezët në Hungari dhe populli hungarez fitoi”, tha hungarezi.
Pavarësisht të gjithave, thotë ai, është i lumtur të takohet dhe të flasë, të jetë i pranishëm dhe të bashkëpunojë, shtoi ai.
“Dhe do të bëj të njëjtën gjë me Aleancën e Hungarezëve të Vojvodinës, pavarësisht faktit se ata e mbështetën plotësisht fushatën e Viktor Orbanit, në kundërshtim me pikëpamjet e shumë hungarezëve të Vojvodinës të cilët thanë se donin të vendosnin vetë se për kë të votonin. I falënderojmë të gjithë hungarezët e Vojvodinës që votuan për ne, por mund t’u them të gjithë hungarezëve, përfshirë ata jashtë vendit, se mund të mbështeten te qeveria Tisza. Ata do të marrin të njëjtën mbështetje si më parë, do të ruajnë shtetësinë e dyfishtë dhe të drejtën e votës, por paratë që morën nuk do të përvetësohen më kryesisht nga njerëz të afërt me Viktor Orbanin, por në fakt do të arrijnë te hungarezët – qoftë në Vojvodinë, Transilvani apo Rumani”, i tha ai diasporës. /Telegrafi/
Fituesi i zgjedhjeve hungareze, Peter Magyar, u zotua të hënën se do të ndryshojë kushtetutën në një përpjekje për të rivendosur standardet demokratike, pas një fitoreje dërrmuese që ai tha se tregoi se Hungaria dëshironte të ishte plotësisht e ankoruar në Evropë pas vitesh luftimesh me Brukselin.
Shumica super prej dy të tretash që partia hungareze e qendrës së djathtë Tisza siguroi në zgjedhjet e së dielës do të thotë se ajo do të ketë dorë të lirë për të forcuar sundimin e ligjit dhe potencialisht për të zhbllokuar miliarda dollarë nga fondet e Bashkimit Evropian, por analistët thonë se do të duhet të zbatojë vërtet reforma për të përfituar.
Kryeministri nacionalist në largim Viktor Orban , në pushtet për 16 vjet, e kishte larguar Hungarinë nga rrjedha kryesore e BE-së, ndërkohë që mbante lidhje të ngrohta me Rusinë pavarësisht luftës në Ukrainë . Ai u përplas vazhdimisht me Brukselin për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, duke rezultuar në ngrirjen e miliarda eurove në fonde.
Magyar tha në një konferencë për shtyp se qeveria e tij do të ketë shumë detyra urgjente, përfshirë ndryshimin e kushtetutës për të kufizuar numrin e mandateve që dikush mund të shërbejë si kryeministër në dy.
“Ne do të bëjmë gjithçka për të rivendosur sundimin e ligjit, demokracinë pluraliste dhe sistemin e kontrolleve dhe balancave”, tha ai.
Magyar tha se amendamenti kushtetues do të zbatohej për Orbanin, që do të thotë se ai nuk mund të bëhet përsëri kryeministër.
“Ai pati një mundësi të shkëlqyer për të bërë gjëra të mëdha në interesin kombëtar për të siguruar që Hungaria të bëhej një vend evropian në zhvillim… Ai nuk e shfrytëzoi këtë shans, por e abuzoi atë”, tha ai.
Kritikët e Orbanit thonë se koha e tij në detyrë pati stanjacion ekonomik, izolim ndërkombëtar dhe oligarkë që grumbulluan pasuri. Mbështetësit e tij thonë se Orbani – i cili siguroi mbështetje publike nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, Rusia dhe udhëheqësit e ekstremit të djathtë në Evropë – mbrojti sovranitetin dhe vlerat tradicionale të Hungarisë.
Magyar tha se rezultati i zgjedhjeve tregoi se Hungaria kishte vendosur të “ndryshonte regjimin” dhe të zgjidhte një rrugë pro-evropiane.
“Populli hungarez dje, saktësisht 23 vjet pas referendumit për anëtarësimin tonë në BE, konfirmoi vendin e Hungarisë në Evropë”, tha ai.
Udhëheqësi i Tiszës i bëri thirrje Presidentit Tamas Sulyok, i cili mbështetet nga partia Fidesz e Orbanit, që të sigurojë që transferimi i pushtetit të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur. Ai gjithashtu përsëriti kërkesën e tij që Sulyok të japë dorëheqjen.
Presidenti i Hungarisë, një figurë kryesisht ceremoniale, duhet të mbledhë një parlament të ri brenda 30 ditëve nga zgjedhjet. Ligjvënësit më pas zgjedhin një kryeministër të ri. bw
Lideri i Tiszës theksoi se partia e tij është në rrugën e duhur për një shumicë prej dy të tretash në parlament, duke vënë në dukje se kjo është përqindja më e madhe e fitores në historinë e Hungarisë demokratike.
HUNGARI– Udhëheqësi i partisë, Tisza, Peter Magyar, i cili fitoi zgjedhjet parlamentare në Hungari, mbajti një fjalim pas fitores. Ai deklaroi se partia e tij kishte marrë një mbështetje të madhe nga votuesit, ndërkohë foli edhe për kthimin e Hungarisë në rrugën e saj evropiane.
Lideri i Tiszës theksoi se partia e tij është në rrugën e duhur për një shumicë prej dy të tretash në parlament, duke vënë në dukje se kjo është përqindja më e madhe e fitores në historinë e Hungarisë demokratike. Magyar falënderoi 3.3 milionë qytetarët që mbështetën partinë e tij, duke premtuar se do punojë fortë.
“Ne ia dolëm. Ne e rimorëm vendin tonë. Ne fituam një mandat të paprecedentë. Hungaria dëshiron të jetë përsëri një vend evropian”, tha ai.tha ai pas fitores.
Në të njëjtën kohë, pjesa më e madhe e turmës brohoriti “Rusë, largohuni”, duke shprehur kundërshtimin ndaj lidhjeve të ngushta të qeverisë së mëparshme me Moskën. Viktor Orbán kishte mbajtur lidhje të ngushta politike me Rusinë dhe kundërshtoi përpjekjet e Bashkimit Evropian për të forcuar Ukrainën pas pushtimit rus, duke shkaktuar tensione me Brukselin. Në fjalimin e tij, Magyar pohoi se partia e tij kishte kapërcyer pengesat që, siç tha ai, ishin organizuar nga shteti në favor të qeverisë Fidesz.
“Ne kemi kapërcyer një tirani. Ata i thanë jo frikës, i thanë jo tradhtisë, i thanë jo apostazisë. Ne filluam me disa njerëz, ishim Davidi kundër Goliathit dhe në fund, me fuqinë e dashurisë, arritëm një fitore historike,” tha ai.
Në të njëjtën kohë, ai u drejtoi gjithashtu një thirrje qytetarëve që nuk votuan për të, duke kërkuar një frymë “uniteti kombëtar” për ditën që do të vinte. Me 95% të votave të numëruara, Tisza është në rrugën e duhur për të fituar 138 vende nga 199 gjithsej në parlament./Dosja.al
Udhëheqësi i partisë, Tisza, Peter Magyar, ka fituar zgjedhjet parlamentare në Hungari, teksa kryeministri aktual, Viktor Orban, e ka uruar për fitoren në votimet e së dielës.
Orban ka udhëhequr me Hungarinë për 16 vjet dhe në zgjedhjet e 12 prillit garoi për mandatin e gjashtë radhazi.
Në një prononcim për media, Orban tha se rezultati i zgjedhjeve “është i qartë” dhe “i dhimbshëm” për partinë e tij, por u zotua se do t’i shërbejë Hungarisë nga opozita.
Ndërkaq, Magyar në një postim në Facebook falënderoi hungarezët për besimin e dhënë.
Kush është Peter Magyar, fituesi i zgjedhjeve në Hungari?
Kur Magyar ishte fëmijë, ai kishte të vendosur në dhomën e tij fotografinë e Orbanit, atëbotë një antikomunist i flaktë.
Dekada më vonë, ai e rrëzoi Orbanin nga pushteti.
I lindur më 1981 në një familje avokatësh, Magyar po ashtu studioi për drejtësi. Ai iu bashkua trupit diplomatik të Hungarisë dhe punoi në legjislacionin e Bashkimit Evropian në Bruksel. Pasi u kthye në Hungari, punoi në bankën shtetërore dhe më pas udhëhoqi një agjenci për kredi për studentët.
Magyar, mbiemri i të cilit në shqip përkthehet në “hungarez”, hyri në skenën politike të Hungarisë dy vjet më parë.
Kjo ndodhi pasi ish-bashkëshortja e tij, njëherësh ish-ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Orbanit, u tërhoq nga të gjitha rolet politike pasi falja që i bëri një të burgosuri të dënuar për abuzim seksual nxiti zemërim në publik.
Magyar u distancua menjëherë nga partia qeverisëse në shkurt të vitit 2024, duke e akuzuar atë për korrupsion.
Më pas, ai mori udhëheqjen e partisë së qendrës së djathtë, pro Bashkimit Evropian, Tisza, që në zgjedhjet evropiane të qershorit të vitit 2024 fitoi 30 për qind të votave, duke dalë e dyta pas Fideszit të Orbanit.
Rezultatet paraprake
Teksa Orban ka pranuar humbjen, autoritetet zgjedhore hungareze po vazhdojnë publikimin e rezultatave paraprake.
Me 81.49 për qind të votave të numëruara, partia Tisza e Magyar pritet të fitojë 137 vende në Parlamentin prej 199 deputetësh. Koalicioni i kryeministrit aktual, Viktor Orban, Fidesz dhe KDNP, sipas rezultateve të deritanishme pritet të fitojë 55 deputetë.
Hungarezët duke shikuar rezultatet paraprake zgjedhore në Budapest të Hungarisë.
Hungaria ka një sistem të përzier zgjedhor. Votuesit hungarezë në votime kishin të drejtë të zgjidhin një parti dhe një kandidat lokal.
Vota për partinë përcakton 93 ulëse në mënyrë proporcionale, ndërkaq 106 vende në parlament vijnë nga qarqet individuale dhe rëndomë ato janë vendimtare.
Po ashtu, pas përfundimit të votimeve, u publikuan disa sondazhe, dy nga të cilat parashikuan fitoren e Magyarit, ndërkaq një atë të Orbanit.
Qendrat e votimit u mbyllën në orën 19:00 dhe dalja ishte 77.8 për qind, gjysmë ore para përfundimit të procesit. Kjo shifër shënon rekord të ri, pasi dalja më e lartë më herët ishte regjistruar më 2002 kur kishin votuar 70.5 për qind e votuesve.
Zgjedhjet hungareze janë vëzhguar me kujdes nga Kievi dhe Moska, si dhe nga Bashkimi Evropian, teksa presidenti amerikan, Donald Trump, kishte ofruar mbështetje për Orbanin, i cili ka mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë, edhe pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 2022.
Të dyja kampet kanë bërë akuza për ndërhyrje të jashtme gjatë fushatës në Hungari, që ka 9.5 milionë banorë.
Në garë morën pjesë vetëm pesë parti – më së paku parti pjesëmarrëse në zgjedhje që nga demokratizimi i Hungarisë më 1990 – pasi disa parti u tërhoqën nga gara për të rritur shanset e fitores të partisë Tisza.
Orban, 62 vjeç, synonte mandatin e gjashtë radhazi. Si anëtar i BE-së, ai ka arritur të bllokojë apo zbusë shumë vendime të BE-së për sanksionet ndaj Rusisë, pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022. Po ashtu ka penguar disa vendime për mbështetjen e BE-së për Ukrainën.
Magyar, 45 vjeç, hyri në skenën politike dy vjet më parë, duke fituar mbështetje në mes të stagnimit ekonomik.
Udhëheqësi i partisë Tisza, Peter Magyar, gjatë fushatës zgjedhore u kishte bërë thirrje hungarezëve “që të rimarrin atdheun” për të konfirmuar vendin e Hungarisë në BE si dhe ka premtuar se do të luftojë korrupsionin dhe do të ofrojë shërbime më të mira për qytetarët.
Orban në tubimet zgjedhore kishte paralajmëruar “që të mos vihet gjithçka në rrezik”, duke bërë thirrje që të “mbrohet ajo çfarë kemi arritur.
Kryeministri hungarez e kishte bërë Ukrainën temë kyç të fushatës së tij, duke e paraqitur këtë shtet fqinj, që po lufton kundër pushtimit të nisur nga Rusia, si shtet “armiqësor” ndaj Hungarisë.
Ai po ashtu ishte zotuar se do të vazhdojë shtypjen ndaj “organizata të rreme të shoqërisë civile, gazetarëve të blerë, gjykatësve dhe politikanëve”.
Sipas organizatës Amnesty Iternational, Hungaria, së bashku me Bullgarinë, janë shtetet më të korruptuara të BE-së.
Sipas një marrëveshjeje ndërqeveritare të vitit 2012, për Qendrën humanitare serbo-ruse në Nish përgjegjëse janë Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Ministria ruse për Mbrojtjen Civile dhe Situata Emergjente.
Nevena Bogdanoviq
Qendrës humanitare serbo-ruse i janë ndarë pothuajse 2.3 milionë euro nga buxheti i Serbisë gjatë dhjetë vjetëve të fundit, tregon një hulumtim i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Autoritetet në Beograd dhe Moskë prej vitesh nuk u përgjigjen pyetjeve për punën dhe financimin e kësaj qendre të përbashkët, që gjendet në Nish, në jug të Serbisë, dhe është themeluar për ndihma në situata emergjente.
REL-i, përmes një kërkese për qasje në informata me interes publik, ka siguruar të dhënat e para për ndarjet vjetore të Serbisë për këtë qendër.
Që nga viti 2014, qendra ka një llogari të posaçme që përdoret për transferimin e mjeteve nga buxheti.
Përgjigjja e Drejtorisë së Thesarit pranë Ministrisë së Financave të Serbisë tregon se në këtë llogari janë derdhur më shumë se 268 milionë dinarë, apo 2.29 milionë euro.
Deri në publikimin e këtij artikulli, Qendra, Ambasada e Rusisë, Qeveria e Serbisë dhe ministritë e saj nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it lidhur me rolin dhe financat e saj.
Qendra serbo-ruse është themeluar para 14 vjetësh me marrëveshje ndërmjet dy shteteve.
Moska e përshkruan atë si “më të rëndësishmen në Ballkan” për reagim ndaj situatave emergjente dhe fatkeqësive natyrore.
Pajisjet për shuarjen e zjarrit, automjetet dhe poligonet e trajnimit ndodhen pranë aeroportit të dytë më të madh në Serbi.
Sipas rregullit, Qendra reagon me thirrje të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Serbisë.
Megjithatë, shtetet perëndimore kanë shprehur dyshime se bëhet fjalë për përpjekje për krijimin e një baze të inteligjencës dhe ushtarake, duke vënë në dukje edhe afërsinë e Qendrës me bazën ushtarake të NATO-s në Kosovë.
Si u pagua Qendra?
Në përgjigjen e Departamentit të Thesarit thuhet se Qendrës serbo-ruse iu paguan para nga buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Edhe pse llogaria e Qendrës ka qenë aktive që nga viti 2014, raportet e dorëzuara nuk tregojnë pagesa për dy vjetët e parë.
Të dhënat e para janë për vitin 2016.
Shumat vjetore ndryshojnë dhe ato u rritën në mënyrë drastike në vitin 2024, kur Qendrës iu paguan rreth 55 milionë dinarë, apo 470 mijë euro, nga buxheti i Serbisë.
Vitin pasues, më 2025, ajo mori 48 milionë dinarë, apo 410.000 euro.
Si qëllime për pagesat janë shënuar “tregtia e mallrave dhe shërbimeve”, “grantet tjera kapitale për organizatat ndërkombëtare” ose “transaksionet tjera”.
Por, nuk ka sqarime më të detajuara – për shembull, a shpenzohet ky fond shtetëror për paga, blerje pajisjesh, aktivitete të Qendrës apo për diçka tjetër?
Nuk ka as raporte publike për punën e saj.
Regjistri i Bankës Qendrore të Serbisë, ku shihet llogaria e Qendrës humanitare serbo-ruse në Administratën e Thesarit të Ministrisë së Financave, që përdoret për transferimin e fondeve buxhetore.
“Niveli kaq i lartë i mungesës së transparencës në lidhje me financimin, menaxhimin dhe statusin e institucionit që përdor fonde publike, ngre pyetje për legjitimitetin, përgjegjësinë dhe mbikëqyrjen e duhur të veprimtarisë së tij”, thotë për Radion Evropa e Lirë Maja Bjellosh, nga Qendra për Politika të Sigurisë në Beograd.
Kush e financon Qendrën serbo-ruse?
Sipas marrëveshjes ndërqeveritare të vitit 2012, për Qendrën janë përgjegjëse Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Ministria ruse për Mbrojtje Civile dhe Situata Emergjente.
Ajo do të duhej të regjistrohej si organizatë humanitare ndërqeveritare pa qëllime fitimi.
Por, bazat publike të të dhënave në Serbi nuk tregojnë nëse një gjë e tillë është bërë realisht.
Qendra ka numrin e vet unik dhe tatimor, por nuk figuron në bazën e Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve të Serbisë.
Këtu mund të shihej nëse Qendra ka me të vërtetë statusin e një organizate ndërqeveritare.
Një pjesë e listës së përfituesve të buxhetit në Serbi për vitin 2025, ku gjendet edhe Qendra humanitare serbo-ruse.
Në marrëveshjen me të cilën Beogradi dhe Moska themeluan Qendrën, thuhet se puna e saj mund të financohet nga buxhetet shtetërore, grantet dhe donacionet, ose nga të ardhurat që Qendra gjeneron duke ofruar shërbime, siç janë trajnimet.
Përveç llogarisë pranë Zyrës së Thesarit, e cila përdoret për transferimin e parave shtetërore, Qendra serbo-ruse ka edhe 16 llogari bankare.
Ato janë hapur në të njëjtën ditë, më 15 shkurt 2023, në bankën private Aik.
Nga kontrolli në regjistrin e Bankës Qendrore të Serbisë, REL-i konfirmoi se të gjitha janë aktive.
Një pjesë e listës së llogarive aktive të Qendrës humanitare serbo-ruse në bazën e të dhënave të Bankës Qendrore të Serbisë.
Nuk dihet nëse këto llogari shërbejnë për financimin shtesë të Qendrës, kush i dërgon paratë dhe për çfarë arsyesh – edhe pse REL-i kërkoi sqarime nga Qendra.
Më herët, REL-i ka konstatuar se Serbia ka financuar kompleksin pranë aeroportit të Nishit me 1.8 milion dollarë, ku ndodhet Qendra.
Qendra humanitare serbo-ruse ka deklaruar atëkohë se pala ruse ka investuar 41 milionë dollarë.
Por, se si paguhen sot punonjësit, pajisjet dhe shpenzimet e tjera, REL-i nuk ka marrë përgjigje as nga Qendra, as nga autoritetet e Serbisë dhe Rusisë.
Po ashtu, nuk ka të dhëna zyrtare se sa punonjës ka Qendra.
Në faqen e saj janë të disponueshëm vetëm emrat e drejtorit dhe zëvendësit të tij, nga pala serbe dhe ajo ruse.
Për emërimet e tyre nuk ka vendime zyrtare.
Kush trajnohet në Qendrën serbo-ruse?
Qëllimi zyrtar i Qendrës humanitare serbo-ruse është të ofrojë mbështetje në situata emergjente, si aksidente dhe katastrofa natyrore.
Sipas komunikatave dhe postimeve në rrjetet sociale, fokusin e ka në trajnimin e zjarrfikësve dhe shpëtimtarëve nga Serbia, studentëve dhe nxënësve, vullnetarëve dhe alpinistëve.
Sipas raportit të Qendrës për vitin 2025, rreth 1.300 persona kanë marrë pjesë në këto trajnime.
Instruktorët, shumë prej të cilëve vijnë nga Akademia e Ministrisë së Mbrojtjes Civile të Rusisë, i kanë trajnuar për parandalimin, reagimin dhe menaxhimin e situatave emergjente.
Mes pjesëmarrësve ka pasur kryesisht anëtarë të Sektorit për Situata Emergjente të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Po ashtu, në Qendër janë trajnuar edhe njësitë e zjarrfikësve të Industrisë së Naftës së Serbisë, e cila që nga janari i vitit 2025 është nën sanksionet amerikane, për shkak të pronësisë kryesisht ruse.
Në trajnim kanë marrë pjesë edhe anëtarë të Administratës Republikane të Mbrojtjes Civile të entitetit Republika Sërpska në Bosnje e Hercegovinë.
“Për shkak të mungesës së transparencës lidhur me aktivitetet dhe rezultatet, është e vështirë të vlerësohet me siguri madhësia reale dhe kontributi i Qendrës në mbrojtjen civile”, vlerëson Bjellosh.
Gjatë vitit 2025, Qendra vuri në funksion një poligon të ri trajnimi për zjarrfikësit dhe shpëtimtarët.
Se sa ka kushtuar dhe kush e ka paguar, REL-i nuk ka siguruar përgjigje.
Qendrën humanitare serbo-ruse e kanë vizituar delegacione nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Ministria ruse për Situata Emergjente, të udhëhequra nga zyrtarë të lartë rusë.
Gjatë dy vjetëve të fundit, anëtarët e Qendrës kanë marrë pjesë edhe në stërvitje në Rusi dhe në Bjellorusi.
Kush kërkon përgjigje për punën e Qendrës?
Se çfarë bën Qendra humanitare serbo-ruse, e ka pyetur edhe Bashkimi Evropian Serbinë.
Në një përgjigje për REL-in, Brukseli kujton se që nga viti 2023 ka kërkuar që Serbia të japë informacione për aktivitetet e Qendrës në Nish.
“Është e rëndësishme të sigurohet që aktivitetet e Qendrës të jenë plotësisht në përputhje me Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së, ku Serbia është anëtare, si dhe me detyrimet më të gjera të Serbisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.
Qendra si ajo në Nish, bazuar në marrëveshjen ndërqeveritare me Rusinë, nuk ekzistojnë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Ndërsa Serbia, si anëtare e Mekanizmit evropian të Mbrojtjes Civile, ka përdorur ndihmën e BE-së disa herë – për shembull gjatë pandemisë së koronavirusit, ose për shkak të përmbytjeve shkatërruese të majit 2014.
Sektori serb i mbrojtjes civile ka marrë deri tani nga Brukseli më shumë se 250 milionë euro ndihmë, tregojnë të dhënat e delegacionit të BE-së në Serbi.
Bashkimi Evropian, në përgjigjen e tij për REL-in, thekson se dëshiron të llogarisë te Serbia si një partnere e besueshme.
“Siç kemi theksuar disa herë, marrëdhëniet me Rusinë dhe regjimin e Vladimir Putinit nuk mund të jenë ‘të zakonshme’, derisa Rusia bën një luftë agresive, të pabazuar dhe të paarsyeshme në tokën evropiane të Ukrainës”, sipas BE-së.
Pavarësisht thirrjeve të Brukselit, Serbia refuzon që nga shkurti i vitit 2022 të vendosë sanksione kundër Kremlinit.
Marrëdhëniet e ngushta mes zyrtarëve të Beogradit dhe Moskës nuk janë ndërprerë.
Gjatë viteve të kaluara, vëmendje të veçantë ka tërhequr kërkesa e Rusisë që Beogradi t’i japë status diplomatik stafit të Qendrës serbo-ruse.
Bëhet fjalë për një status të veçantë, që sjell privilegje të caktuara, si liri lëvizjeje jo vetëm në Serbi, por edhe në rajon, si dhe imunitet në rast të kryerjes së ndonjë vepre penale në territorin e Serbisë.
Deri tani, autoritetet në Serbi nuk e kanë miratuar një status të tillë për Qendrën, por nuk kanë dhënë përgjigje për REL-in se çfarë po ndodh me atë kërkesë.
Ish-diplomati serb, Sreqko Gjukiq, kujton se Perëndimi ka qenë kategorikisht kundër që Qendra të merrte status diplomatik, për shkak të dyshimeve se roli i saj shkon përtej mandatit humanitar.
“Mendojnë se është një fole inteligjence e Federatës Ruse në Ballkan, një qendër e shërbimeve informative. Kështu e trajtojnë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Këto akuza janë mohuar ndër vite si nga Qendra, ashtu edhe nga autoritetet në Serbi.
Mbylljen e Qendrës në Nish e ka kërkuar edhe një pjesë e opozitës në Serbi, duke bërë thirrje për shfuqizimin e marrëveshjes ndërqeveritare, mbi bazën e së cilës është themeluar.
Gjukiq nuk sheh gatishmëri tek autoritetet serbe për një hap të tillë.
“Ato nuk janë as të afta, as të guximshme për ta shfuqizuar. Qendra nuk i pengon, madje mund t’u shërbejë si mbështetje, sepse lidhjet e autoriteteve me Rusinë kanë të bëjnë me çështje jashtëzakonisht të ndjeshme, si marrëdhëniet me Kosovën dhe sektori i energjisë – nafta dhe gazi”, thotë Gjukiq.
Stërvitje në Qendrën humanitare serbo-ruse në Nish, 14 shkurt 2020.
Ai vlerëson se ekzistenca e Qendrës është e rëndësishme edhe për Moskën, veçanërisht në kohën e konfrontimit me Perëndimin, pas pushtimit të Ukrainës.
“Për Rusinë është shumë e rëndësishme që Qendra të mbetet, nga aspekti politik dhe i sigurisë. Sepse, sipas përkufizimit, Qendra bën pjesë në sektorin e sigurisë, i cili është mjaft i ndjeshëm, fleksibël dhe mund të shfrytëzohet në situata të ndryshme”, thotë Gjukiq.
Qendra të ngjashme për emergjenca ekzistojnë edhe në shtete të tjera me të cilat Moska ka marrëdhënie të mira politike, si disa ish-republika sovjetike.
Armenia është ndër vendet ku Moska ka një qendër tash e dhjetë vjet, e cila bashkëpunon me atë në Serbi.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dënoi sulmin terrorist ndaj konsullatës izraelite në Stamboll, duke e quajtur atë një akt frikacak dhe të neveritshëm.
Ai theksoi se tre terroristët u neutralizuan ndërsa dy oficerët e policisë u plagosën lehtë. Në të njëjtën kohë, ai vuri në dukje se Prokuroria, policia dhe shërbimet e inteligjencës kanë nisur hetimet e nevojshme për ngjarjen.
Ai u uroi shërim të shpejtë oficerëve të plagosur të policisë ndërsa theksoi se Turqia do të vazhdojë “me vendosmëri luftën kundër të gjitha formave të terrorizmit” dhe nuk do të lejojë që “klima e sigurisë të preket” nga “provokime të liga dhe të paramenduara” si rasti i sotëm.
“Dua të bëj të ditur se e dënojmë sulmin frikacak që ndodhi sot në Besiktas të Stambollit. Në këtë akt të shëmtuar terrorist, 3 terroristë u neutralizuan, ndërsa 2 nga oficerët tanë heroikë të policisë u plagosën lehtë. Prokuroria, policia dhe shërbimet e inteligjencës kanë filluar hetimet e nevojshme.
I lutem Zotit për shërim të shpejtë të oficerëve tanë të policisë të plagosur dhe shpreh ngushëllimet e mia Drejtorisë së Policisë së Stambollit dhe popullit të Stambollit. Ne do ta vazhdojmë luftën tonë kundër të gjitha formave të terrorizmit me vendosmëri dhe nuk do të lejojmë që klima e sigurisë në Turqi të ndikohet nga provokime të tilla të liga dhe të paramenduara si sot.“, tha ai. Panorama
Donald Trump Junior në Banjallukë më 7 prill 2026.
Radio Evropa e Lirë
Donald Trump Jr., djali më i madh i presidentit amerikan, Donald Trump, mbërriti më 7 prill në Banjallukë, ku sipas njoftimeve të mëhershme pritet të takohet me biznesmenë nga entiteti i Republikës Sërpska, me të cilët do të diskutojë për mundësitë e bashkëpunimit dhe investimeve.
Aktualisht nuk dihen detaje të tjera rreth vizitës së tij në Banjallukë të Bosnje e Hercegovinës.
Nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje dhe Hercegovinë thanë për Radion Evropa e Lirë se Donald Trump Jr. po viziton Banjallukën në kapacitet “privat”.
Lidhur me vizitën e tij, Igor Dodik, funksionar i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD dhe djali i udhëheqësit të kësaj partie, Millorad Dodik, deklaroi për agjencinë e lajmeve Srna se Trump Jr. po shkon në Bosnje “me ftesën e tij personale” dhe ftesa i është dërguar në “baza miqësore”.
Ministria e Punëve të Brendshme e RS-së njoftoi më herët se, për shkak të këtij aktiviteti, masat e sigurisë në Banjallukë do të ngrihen në një nivel më të lartë, ndërsa një numër i madh rrugësh në qytet do të jenë nën regjim më të rreptë të trafikut.
Kush është Donald Trump Jr.?
Donald Trump Jr. është nënkryetar ekzekutiv i kompanisë së familjes Trump, Trump Organization dhe një nga promovuesit më të zëshëm të politikave të babait të tij, Donald Trump.
Megjithëse nuk ka një funksion zyrtar në administratën amerikane, ai ka qenë aktiv në fushatat presidenciale të Trumpit në të dy mandatet, përmes paraqitjeve publike, tubimeve zgjedhore dhe aktiviteteve mediatike.
Trump Jr. nuk ka rol zyrtar në vendimmarrjen e administratës së SHBA-së, përfshirë çështjet e politikës së jashtme dhe konfliktet aktuale në Lindjen e Mesme, ndër të cilat është edhe marrëdhënia e SHBA-së me Iranin.
Roli i tij është i kufizuar në mbështetje politike dhe veprimtari publike.
Përveç angazhimit politik, Donald Trump Jr., si nënkryetar ekzekutiv i Trump Organization, drejton një kompani që menaxhon hotele, komplekse biznesi dhe banimi, fusha golfi dhe licenca markash në mbarë botën.
Në këtë rol, ai shpesh merr pjesë në bisedime për investime dhe projekte biznesi, përfshirë kontakte në Evropë.
Ai ka qëndruar disa herë më parë në Beograd, fillimisht në shtator 2024, kur u takua me biznesmenë në kryeqytetin e Serbisë.
Më pas, në mars 2025, ai zhvilloi bisedime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa në fund të prillit të po atij viti qëndroi sërish në Beograd për takime me përfaqësues të komunitetit të biznesit.
Po punohet për ta gjetur një vendndodhje tjetër për mbajtjen e samitit të Bërdo-Brionit, i tha Radios Evropa e Lirë zyra e presidentit të Sllovenisë të martën.
Takimi i sivjetshëm i kësaj nisme 13-vjeçare u anulua nga presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq.
Millanoviq tha në arsyetimin e tij se nuk ka kushte që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, të vijë në Kroaci për këtë samit, duke shtuar se deklaratat e liderit serb e prishin paqen dhe stabilitetin.
Vuçiq u përgjigj se në vend që ta anulonte takimin, Millanoviq mund të kishte ftuar “miqtë e tij nga Prishtina dhe Tirana”.
Gjatë vitit të kaluar, presidenti serb e ka akuzuar Kroacinë për ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë, por nuk dhënë asnjë provë për këtë.
Bashkimi Evropian reagoi gjithashtu ndaj anulimit të samitit, duke shprehur keqardhje.
“Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë në thelb të procesit të integrimit evropian dhe pjesë thelbësore e rrugës së Serbisë drejt BE-së”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.
Kroacia dhe Sllovenia, si anëtarë të BE-së, iniciuan procesin e Bërdo-Brionit, me qëllim për të nxitur bashkëpunim dhe përshpejtim të integrimit të rajonit në BE.
Përveç presidentëve të Kroacisë, Sllovenisë dhe Serbisë, në procesin e Bërdo-Brionit marrin pjesë edhe liderët e Malit të Zi, Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Millanoviq, si bashkëkryetar i procesit të Bërdo-Brionit, i njoftoi krerët e shteteve pjesëmarrëse se kishte vendosur ta anulonte takimin e planifikuar të mbahej në maj në Kroaci.
Zyra e presidentes sllovene Natasha Pirc Musar, siç mori vesh Radio Evropa e Lirë, u njoftua menjëherë për vendimin e Millanoviqit.
“Ky është një vendim i brendshëm politik i Presidentes së Kroacisë, në të cilin ne nuk mund të ndërhyjmë dhe për këtë arsye nuk e komentojmë”, thuhet në përgjigje.
Presidenca sllovene shtoi se këshilltarët e politikës së jashtme të presidentit të Sllovenisë dhe të presidentit të Kroacisë mbeten në kontakt të rregullt me qëllim që të sigurohet që samiti i procesit të Bërdo-Brionit në vitin 2026 të mbahet në një vend alternativ.
Nga Zagrebi u njoftua se takimi i ardhshëm i krerëve të shteteve të Bërdo-Brionit do të mbahet kur të jenë kushtet e duhura dhe pas konsultimeve midis bashkëkryetarëve, Millanoviq dhe Pirc Musar.
Serbia po zhytet në vetizolim
Anulimi i samitit të Bërdo-Brionit, për Jelica Miniq nga Lëvizja Evropiane joqeveritare në Serbi, është një lajm i keq për Serbinë dhe rajonin.
“Serbia po zhytet në vetizolim dhe marrëdhëniet e saj me fqinjët, me përjashtim të Hungarisë, nuk kanë qenë kurrë më të këqija që nga konflikti i fundit në Kosovë”, i tha ajo Radios Evropa e Lirë.
Ajo shton se Serbia, deri në fillim të kësaj dekade, luajti rol të rëndësishëm dhe përfitoi kryesisht nga bashkëpunimi në të cilin ishte e përfshirë.
“Dhe tani ajo e ka përjashtuar veten dhe anulimi i këtij samiti mund të shkaktojë një ortek sanksionesh kundër politikës së jashtme jokonsistente, të pasinqertë dhe konfuze të Serbisë”, tha ajo.
Presidenti kroat Millanoviq vlerësoi se deklaratat dhe veprimet e homologut serb në ditët dhe javët e fundit janë plotësisht në kundërshtim me qëllimin e procesit të Bërdo-Brionit.
Ai deklaroi se ato prishin marrëdhëniet ndërshtetërore dhe kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore.
Për këtë, Vuçiq u përgjigj se Millanoviqi kishte të drejtë dhe se ai nuk kishte vend në Kroaci.
Por, ai shtoi se presidenti kroat nuk kishte pse ta anulonte takimin për shkak të tij, por se mund t’i kishte ftuar “miqtë e tij nga Prishtina dhe Tirana”.
Në muajt e fundit, Vuçiq i ka akuzuar Kroacinë, Shqipërinë dhe Kosovën se marrëveshja e tyre për bashkëpunim në mbrojtje do të thotë aleancë ushtarake kundër Serbisë, gjë që është mohuar vazhdimisht nga këto vende.
Analisti politik kroat, Jaroslav Pecnik, i tha Radios Evropa e Lirë se qëndrimet e Serbisë dhe Kroacisë janë aq të ngulitura në këtë pikë sa një takim nuk do të kontribuonte në mirëkuptim të ndërsjellë.
“Në fakt, kjo do të kontribuonte në intensifikimin e mëtejshëm të konflikteve të ndërsjella. Por, fakti është se nuk mund të ndalemi këtu”, tha ai.
Megjithatë, ai vlerëson se anulimi i samitit nuk është goditje ndaj stabilitetit rajonal sepse Millanoviq nuk ka ndikim të madh në politikën rajonale.
“Por, fakti është se duhet të gjenden mënyra të përbashkëta dhe Kroacia duhet të marrë rolin e trenit që ngadalë e tërheq Serbinë drejt BE-së”, tha ai.
Ai shtoi gjithashtu se lëvizja e Millanoviqit nuk e ka habitur sepse, siç vlerëson ai, presidenti kroate kohët e fundit “ka luajtur me populizmin”.
“Ishte e pritshme që diçka e tillë të ndodhte, ndoshta jo aq drastike, por që diçka e tillë do të ndodhte”, shtoi ai.
Për çfarë e akuzon Vuçiqi Kroacinë?
Për më shumë se një vit, Vuçiq e ka akuzuar Kroacinë dhe shërbimet e saj për ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë, pa dhënë asnjë provë.
Para vendimit të Millanoviqit për të anuluar samitin, Vuçiq deklaroi se do të “kontrollonte raportet nga agjencitë e sigurisë në lidhje me ndikimin e mundshëm nga vendet e huaja” në zgjedhjet lokale në Serbi, duke përmendur “mbështetjen logjistike nga një vend fqinj”.
“Në Kula (një komunë në veri të Serbisë), kishe më shumë targa të Zagrebit sesa në komunat përreth. Dhe nuk po flas vetëm për logjistikën e transportit, por mbi të gjitha për logjistikën e medias”, tha Vuçiq.
Zgjedhjet lokale u mbajtën më 29 mars në 10 komuna në Serbi, dhe rezultatet e Partisë Progresive Serbe në pushtet u shpallën nga Vuçiq si president i vendit.
Pas shpërthimit të protestave antiqeveritare për shkak të vdekjes së 16 personave në Novi Sad në fund të vitit 2024, autoritetet serbe akuzuan vazhdimisht shërbimet sekrete kroate për organizimin e demonstratave, gjë që zyrtarët në Zagreb e mohuan fuqimisht.
Jaroslav Pecnik thotë se akuza të tilla nuk kanë bazë.
“Kjo është në përputhje me politikën e Vuçiqit për forcimin e brendshëm dhe shpikjen e armiqve nga jashtë, të cilët nuk bëjnë gjë tjetër veçse mendojnë se si të merren me kokën e Serbisë”, vlerësoi ai.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë e ka përfshirë gjithashtu Kroacinë në listën e vendeve që duhen vizituar vetëm “në raste të nevojës ekstreme”.
Arsyet për këtë vendim u përmendën si “incidente, tensione dhe rrethana të pafavorshme sigurie gjithnjë e më të shpeshta”, pa specifikuar se për cilat ngjarje bëhej fjalë.
Jelica Miniq tha se politika e jashtme e Serbisë nuk është e fokusuar në mbrojtjen e qytetarëve të saj dhe në përdorimin e burimeve duke krijuar marrëdhënie partneriteti të qëndrueshme dhe afatgjata me mjedisin e saj të afërt dhe më të gjerë.
“Serbia përbën rrezik për stabilitetin rajonal dhe, nga një aktor konstruktiv në bashkëpunimin rajonal në dekadën e parë të këtij shekulli, është shndërruar në një faktor përçarës”, vlerësoi ajo.
Por, ajo shtoi se fakti që Serbia është kryesisht e rrethuar nga anëtarë të BE-së dhe NATO-s kufizon kapacitetin e saj destabilizues.
“Por, Rusia është ende larg dhe shërbimet e saj sekrete dhe dezinformimi shoqërues kanë një efekt të kufizuar, megjithëse shumë të rrezikshëm, në Serbi dhe në rajon”, deklaroi ajo.
Dhe ishte presidenti rus, Vladimir Putin, ai që u njoftua nga Vuçiq, siç raportoi vetë ai, për aleancën midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Vuçiq foli me Putinin në telefon më 30 mars në lidhje me zgjatjen e kontratës për furnizimin me gaz rus, nga i cili Serbia mbetet kryesisht e varur.
Kryeministri sllovak, Robert Fico (majtas), duke biseduar me homologun e tij hungarez, Viktor Orban, në një samit të BE-së në Bruksel, më herët këtë vit.
Rikard Jozwiak
Bashkimi Evropian (BE) ka hyrë në një periudhë qetësie këtë javë, pasi afrimi i festës së Pashkëve nënkupton se do të ketë pak takime të rëndësishme në Bruksel. Por, kjo qetësi nuk lidhet vetëm me festat; shumica e njerëzve janë në pritje të ndoshta zgjedhjeve më me pasoja në Evropë këtë vit, atyre në Hungari më 12 prill.
Me kaq shumë politika të BE-së, veçanërisht ato që lidhen me mbështetjen për Ukrainën, duke u bërë pjesë e fushatës zgjedhore hungareze, në kryeqytetin e BE-së është një ndjenjë se gjërat do të fillojnë të lëvizin vetëm pasi të përfundojnë zgjedhjet, pavarësisht nëse Viktor Orban dhe Fidesz arrijnë ta zgjasin sundimin e tyre 16-vjeçar, apo nëse rivali i tyre, Peter Magyar, dhe partia e tij Tisza, fitojnë.
Ky optimizëm buron nga fakti se, ndonëse Orban ka bërë shumë deklarata të ashpra për Ukrainën dhe presidentin Volodymyr Zelensky, veçanërisht muajt e fundit, pritet që ai “të zbutet disi”, siç u shpreh një burim për Radion Evropa e Lirë (REL), nëse fiton dhe lejon që disa nga vetot e tij të hiqen.
Pothuajse të gjithë zyrtarët me të cilët ka folur REL-i, si nga institucionet e BE-së ashtu edhe nga shtetet anëtare, e pranojnë hapur se do ta parapëlqenin një fitore të Tiszas. Por, ata paralajmërojnë se, ndonëse marrëdhëniet BE-Ukrainë ka gjasa të përmirësohen me Magyarin në pushtet, ata prapëseprapë presin që ai të jetë i ashpër ndaj Kievit dhe jo patjetër të zhbllokojë gjithçka menjëherë.
Pra, cilat çështje të bllokuara nga Budapesti mund të zhbllokohen pas zgjedhjeve, pavarësisht se kush zgjidhet kryeministër?
Së pari, në Bruksel pritet që kredia prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën – e pranuar fillimisht nga Orbani në dhjetor, por e bllokuar më pas për shkak të mungesës së furnizimeve me naftë ruse përmes tubacionit Druzhba – do të aprovohet në prill.
Një ekip ekspertësh i Komisionit Evropian ndodhet aktualisht në Ukrainë, dhe megjithëse ende nuk kanë pasur qasje në tubacionin e dëmtuar, në BE ka shpresë se infrastruktura do të riparohet së shpejti, nafta do të fillojë të rrjedhë drejt Evropës Qendrore dhe kredia më pas do të miratohet — edhe pse manovrat politike si në Budapest ashtu edhe në Kiev pengojnë çdo lëvizje para 12 prillit.
Paketa e 20-të e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, e cila fillimisht ishte menduar të miratohej rreth përvjetorit të katërt të pushtimit të plotë të Ukrainës më 22 shkurt, pritet gjithashtu të aprovohet pas zgjedhjeve.
Propozimi fillestar, i cili përfshinte ndalimin e shërbimeve detare të lidhura me produktet e naftës ruse, që do të ndalonte kompanitë e BE-së të ofronin shërbime për çdo anije që transporton këto produkte nga portet ruse, ka gjasa të zbutet ose të hiqet plotësisht për shkak të rritjes së kostove të energjisë pas konfliktit me Iranin.
Megjithatë, nëse fiton Tisza, në Bruksel do të ketë një dëshirë për të testuar disa nga propozimet e mëparshme të sanksioneve që Hungaria i ka refuzuar deri tani. Këto përfshijnë sanksione ndaj energjisë bërthamore ruse, të cilat vendet e tjera të BE-së, që ende bashkëpunojnë me Rosatomin rus, ka të ngjarë t’i bllokojnë.
Një qeveri e mundshme e Magyarit mund të jetë më e prirë të miratojë sanksione individuale ndaj Patriarkut rus Kirill, ose ndaj drejtuesve të organizatave dhe federatave të ndryshme sportive ruse, pasi Qeveria e tanishme e Orbanit ka të bllokuar çdo përfshirje në listë të zezë të individëve fetarë dhe sportivë.
Përpjekjet e reja për të vendosur sanksione ndaj kolonëve të dhunshëm izraelitë në Bregun Perëndimor, të bllokuara nga Budapesti që nga viti 2024, si dhe një përpjekje nga viti 2025 për të futur në listë të zezë figura kryesore të partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, e cila gjithashtu u bllokua nga Hungaria, mund të rikthehen nëse Tisza merr pushtetin, edhe pse shtete të tjera anëtare si Çekia dhe Sllovakia mund ta përdorin veton, të paktën sa i përket Tbilisit.
Meqenëse të gjitha vendimet për sanksione kërkojnë njëzëshmëri, përfshirë edhe ripërtëritjet, Brukseli do të jetë i interesuar të shohë nëse një qeveri e re hungareze do të heqë individë nga lista para çdo periudhe rinovimi.
Qeveria e tanishme e Fideszit është e njohur për përdorimin e miratimit të saj për zgjatje si levë për të hequr nga lista oligarkë rusë, si për shembull Moshe Kantor. Megjithatë, duket se Sllovakia është bërë po aq e aftë në këtë lojë, megjithëse mbetet për t’u parë nëse Bratisllava do ta bëjë këtë pa mbështetjen e Budapestit.
Pastaj janë disa çështje që lidhen me Ukrainën dhe që janë më të vështira për t’u zgjidhur, nëse Fidesz mbetet në pushtet. Së pari, Orbani e ka bërë të qartë se nuk e sheh Ukrainën si anëtare të ardhshme të BE-së dhe ka bllokuar fillimin e negociatave të anëtarësimit të Kievit që nga viti 2024.
Derisa ai mund të bindet në një moment të japë të paktën miratimin për hapjen e disa kapitujve të negociatave në të ardhmen, kjo mbetet shumë e pasigurt.
Në të njëjtën kohë, Magyar nuk është mbështetës i anëtarësimit të shpejtë të Ukrainës në BE. Ai ka përsëritur qëndrimin e vendeve të BE-së që nuk besojnë në anëtarësim të përshpejtuar të Ukrainës: se procesi duhet të bazohet në meritë dhe për rrjedhojë të marrë kohë.
Ai me shumë gjasë do të ishte dakord për hapjen e bisedimeve me Ukrainën (dhe Moldavinë, e cila është e lidhur me Kievin) së shpejti, por nuk përjashtohet mundësia që ai ta zvarrisë këtë çështje.
Qeveria e Fideszit e ka bërë pikë qendrore mosmbështetjen ushtarake të Ukrainës në asnjë mënyrë. Kjo ka përfshirë veto ndaj 6.6 miliardë eurove ndihme vdekjeprurëse nga Instrumenti Evropian për Paqe (EPF) të planifikuar për Kievin, mundësinë e ndarjes së imazheve satelitore me Ukrainën nga Qendra Satelitore e BE-së (SatCen), si dhe rishikimin e mandateve të dy misioneve të BE-së në Ukrainë, EUAM dhe EUMAM, për t’i përfshirë ato në garancitë e ardhshme evropiane të sigurisë për Kievin.
Në Bruksel ka shpresë, megjithëse pa premtime konkrete, se këto tri veto do të hiqen nëse në Hungari vjen në pushtet një qeveri e re.
Së fundi, dhe më shumë në aspekt simbolik, ekziston gjithashtu pritshmëria në Bruksel që më shumë deklarata të politikës së jashtme të miratohen nga të 27 shtetet anëtare të BE-së në të ardhmen.
Për bezdi dhe turp të diplomatëve evropianë, vitet e fundit BE-ja është detyruar të publikojë deklarata vetëm në emër të shefit të politikës së jashtme të BE-së, pasi Hungaria ka bllokuar tekste të përbashkëta që, për shembull, dënonin zgjedhjet presidenciale të manipuluara në Bjellorusi në vitin 2025, mirëpritnin fletarrestimin e GJPN-së për Vladimir Putinin dhe përkujtonin përvjetorin e vdekjes së liderit opozitar rus, Alexey Navalny.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç ka anuluar samitin e shefave të shteteve të Ballkanit Perëndimor me Kroacinë dhe Slloveninë. Ky Samit ishte njoftuar se do të organizohej në muajin maj në ishullin kroat Brijoni.
Presidenti Milanoviç si arsyetim për anulimin e samitin e ka përmendur mosekzistimin e kushteve që në atë takim të ftohet edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për shkak të deklaratave të tij kohëve të fundit.
“Prononcimet politike dhe veprimet e ditëve dhe javëve fundit të presidentit të Serbisë Aleksandçr Vuçiç janë në kundërshtim të plotë me qëllimet e Procesit Brdo-Brijoni, ato i dëmtojnë raportet ndërshtetërore dhe rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore. Presidenti Milanoviç është i mendimit se në rrethanat e tilla nuk ekzistojnë kushtet dhe nuk është e mundshme ardhja e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Kroaci”, citon “Jutarnji list” njoftimin nga zyra e Presidentit të Republikës së Kroacisë.
Samiti i fundit Brdo-Brijon ishte zhvilluar në vjeshtë të vitit të kaluar në Tiranë, ku kishin marrë pjesë të gjithë presidentët e vendeve të rajonit, përfshirë edhe presidentin e Serbisë Vuçiç. bw
Komentet