VOAL

VOAL

Marrëveshja shqiptaro-serbe nuk mund të kufizohet vetëm në njohjen e Republikës së Kosovës!! – Nga Refik HASANI

August 6, 2017

Komentet

Trumpi dhe Kosova

Valona Tela

Nga sot merr detyrën presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Pas fitores në zgjedhjet e 5 nëntorit, 2024, Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, ku shërbeu edhe në periudhën 2017-2021.

Gjatë mandatit të parë, Trump dëshmoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, më 4 shtator të vitit 2020.

Ndër pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje që gjetën zbatim të plotë, ishte njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit.

Ndonëse shumë pika të tjera mbeten pa u zbatuar dhe palët fajësojnë njëra-tjetrën për këtë, Trump e cilësoi atë si një “përparim të madh” në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Atëkohë, ai tha se është “krenar për dy udhëheqësit” – kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nënshkrimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator, 2020.

Nënshkrimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator, 2020.

Në sigurimin e kësaj marrëveshjeje, rol të rëndësishëm luajti Richard Grenell, që asokohe shërbente si i dërguar i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Për këtë arritje, ai u dekorua edhe me Medaljen e Sigurisë Kombëtare nga Trump, në dhjetor të vitit 2020.

Përveç tij kishte edhe zyrtarë të tjerë të administratës së parë Trump që mbështetën ide për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Njëri prej tyre ishte John Bolton, atëkohë këshilltar për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, i cili nuk i përjashtoi si mundësi korrigjimet territoriale mes dy vendeve.

“Ne nuk do të jemi pengesë dhe nuk mendoj se dikush në Evropë do të qëndrojë në mes, nëse të dyja palët në konflikt arrijnë një marrëveshje të kënaqshme”, tha Bolton në gusht të vitit 2018.

Në administratën e re, Trump zgjodhi republikanin Mike Waltz në pozitën e këshilltarit për siguri kombëtare.

Ndonjë deklaratë e tij për Kosovën nuk është publike, por është i zgjedhuri i Trumpit për sekretar të ri të Shtetit, Marco Rubio, i cili, përgjatë karrierës, e kishte disa herë në fokus rajonin e Ballkanit.

Në vitin 2022, ai iu bashkua një grupi senatorësh, i cili i dërgoi letër presidentit të atëhershëm amerikan, Joe Biden, për ta inkurajuar që ta mbajë Ballkanin në vëmendjen e tij.

“Ballkani është një zonë e cenueshme e Evropës dhe, megjithëse Ukraina duhet ta ketë vëmendjen tonë të menjëhershme, ne nuk mund ta humbasim nga sytë këtë rajon, ku NATO-ja, prej kohësh, ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes”, u tha në atë letër.

Vëzhguesit e zhvillimeve politike janë të rezervuar kur flasin për qasjen që pritet ta ketë Trump ndaj Kosovës gjatë katër vjetëve të ardhshëm.

Kosova, aktualisht, është në mes të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit; marrëdhëniet e tensionuara me Serbinë nuk kanë shënuar ndonjë përparim, e ngjashëm ka ngecur edhe avancimi i Kosovës drejt anëtarësimit në strukturat euroatlantike.

Ish-diplomati amerikan, Cameron Munter, tha në një intervistë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë se rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, do të imponojë patjetër ndryshim të strategjisë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pasi, sipas tij, Trump do marrëveshje.

“Synim i tij nuk është t’i fusë serbët dhe kosovarët në Bashkimin Evropian. Synim i tij është ta bëjë më të mirën për Shtetet e Bashkuara, ta bëjë Amerikën sërish madhështore”, tha Munter, ish-ambasador i SHBA-së në Serbi.

Frank Wisner, ish-emisar i SHBA-së për statusin e Kosovës, tha më herët për Radion Evropa e Lirë se nuk e përjashton mundësinë që Trump ta eksplorojë ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë për konfliktin e saj të vazhdueshëm me Serbinë.

“Nëse ai sheh ndonjë marrëveshje me [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, që i përshtatet, ai nuk do ta presë Kosovën që të bindet. Ai do të jetë transaksional, në kërkim të një marrëveshjeje, në kërkim të një përparimi, në kërkim të diçkaje që e bën të duket mirë. Kosova duhet të jetë e shkathët, të sigurohet se ka mbështetje të fortë nga evropianët, por rrugëtimi i saj mund të jetë i vështirë”, tha Wisner.

Për David Kaninin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, administrata e parë e Trumpit ka qenë proserbe dhe zyrtarët serbë janë ndier të respektuar prej tij.

“Humbësit, si gjithmonë, janë klientët e Amerikës: boshnjakët dhe kosovarët. Por, për këtë nuk duhet të fajësohet vetëm Trump. Ne kemi 30 vjet që i detyrojmë boshnjakët dhe kosovarët të bëjnë lëshime ndaj kundërshtarëve të tyre – qysh nga Marrëveshja e Dejtonit”, tha Kanin, por shtoi se Trump, megjithatë, është i paparashikueshëm.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e uruan Trumpin për fitoren, duke e cilësuar SHBA-në si një aleate, mike dhe partnere të rëndësishme të Kosovës.

Dhjetë ditë para se Trump ta merrte detyrën, Osmani bëri të ditur se Kosova dhe SHBA-ja do të finalizojnë së shpejti një marrëveshje për dialog strategjik, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme. REL

NATO dhe BE përforcojnë kontingjentet në Kosovë para zgjedhjeve të 9 shkurtit

NATO dhe Bashkimi Evropian po dërgojnë burime në Kosovë për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit.

Aleanca ushtarake perëndimore e NATO-s tha se ka dërguar në Kosovë edhe 200 ushtarë shtesë italianë për të forcuar misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, i cili tani ka afër 4.000 trupa nga 50.000 sa kishte më 1999, kur ushtarët e këtij misioni u dislokuan në vend.

KFOR-i tha se po përforcon praninë në Kosovë dhe brigada italiane e këmbësorisë “Sassari” do të kryejë “një sërë aktivitetesh, së bashku me trupat e KFOR-it”.

Kjo forcë “do të dislokohet në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të situatës së sigurisë, përfshirë edhe gjatë periudhës së zgjedhjeve”, tha KFOR-i.

Ditë më parë, shqetësime për periudhën zgjedhore në Kosovë shprehu edhe shefi i NATO-s, Mark Rutte. Ai deklaroi se është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë, që të sigurohet që të mos ketë destabilizim gjatë zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të monitorohen po ashtu nga Bashkimi Evropian, i cili ka njoftuar për një mision prej 100 vëzhguesish.

Nathalie Loiseau, anëtarja franceze e Parlamentit Evropian, do të udhëheqë misionin e bllokut evropian për monitorimin e zgjedhjeve. Ajo ka deklaruar se ky mision vë në pah “mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Kosovën për të forcuar edhe më tej qeverisjen e saj demokratike”.

Ajo tha se votimet e 9 shkurtit do të tregojnë “pluralitetin e peizazhit politik të Kosovës”.

Ky do të jetë misioni i shtatë vëzhgues i BE-së për zgjedhjet në Kosovë.

Fushata zgjedhore, e cila nisi më 11 janar, sipas organizatave joqeveritare në Kosovë që e monitorojnë këtë proces, po karakterizohet me gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes mbi baza politike.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit garojnë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur.

Katër kandidatët për kryeministër – Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – ditët e para të fushatës i kanë përqendruar energjitë te politikat e brendshme dhe te akuzat ndaj njëri-tjetrit.

Këto zgjedhje shihen nga shumë si test për fuqinë e kryeministrit Albin Kurti dhe të partisë së tij, teksa tensionet janë të larta me minoritetin serb dhe me Serbinë fqinje.

Asnjëri nga ta nuk ka përmendur si zotim kryesor normalizimin e raporteve me Serbinë.

Së fundi janë rritur tensionet për shkak të disa veprimeve të ndërmarra nga autoritetet e Kosovës në komunat ku jetojnë serbët. Më 15 janar, u mbyllën institucione serbe në dhjetë komuna të Kosovës, pasi autoritetet në Prishtinë thanë se ato ishin institucione ilegale.

Megjithatë, mbyllja e disa komunave paralele të Serbisë, si dhe zyrave postare e tatimore në dhjetë komuna në jug të Ibrit, u përshkrua me kundërthënie.

Kjo, pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë deklaroi po më 15 janar se nuk kishte autorizuar Policinë e Kosovës për kryerjen e këtij operacioni, pasi nuk kishte ndonjë kërkesë zytare.

Mbyllja e institucioneve të tilla nga autoritetet e Kosovës ka nisur që në fillim të vitit 2024.

Përveç organeve të përkohshme komunale dhe ndërmarrjeve të tyre publike, janë mbyllur edhe Posta e Serbisë në veri, Banka Postare Kursimorë, Thesari i Bankës Kombëtare, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Rrethi Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe të tjera. Kryesisht kanë vazhduar të funksionojnë vetëm institucionet arsimore dhe shëndetësore, të cilat në zonat serbe gjithashtu punojnë në sistemin serb.

Serbët në veriun e Kosovës gëzojnë mbështetjen e Beogradit, i cili ka financuar strukturat paralele atje, por edhe ka mbështetur qytetarët serbë përmes pensioneve apo edhe shtesave të tjera.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kundërshtuar shumë nga veprimet e Prishtinës në veriun e Kosovës, sikurse edhe Bashkimi Evropian, duke i vlerësuar si veprime të paakordinuara.

Blloku evropian u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të normalizojnë raportet në kuadër të dialogut të Brukselit, duke thënë se normalizimi është kusht për avancimin e shteteve drejt integrimeve evropiane. REL

Forcat rezervë shtesë arrijnë në mbështetje të KFOR-it

Sot trupat italiane nga rezervat e KFOR-it përfunduan ardhjen e tyre në mbështetje të misionit të udhëhequr nga NATO, duke përforcuar praninë e tyre në Kosovë.

Në një komunikatë për media të KFOR-it thuhet se vendosja e trupave italiane në Kosovë është e përkohshme.

“Në muajt në vijim, më shumë se 200 ushtarë nga brigada e mekanizuar e këmbësorisë italiane “Sassari” do të kryejnë një sërë aktivitetesh, së bashku me trupat e KFOR-it dhe do të dislokohen në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm në situatën e sigurisë, përfshirë edhe periudhën e zgjedhjeve”.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij duke kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in. /Kosovapress/

Peter Sorensen pritet të jetë pasardhësi i Lajçakut për dialogun Kosovë-Serbi

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, ka vendosur që diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, të jetë përfaqësues i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Këtë post aktualisht e mban Mirosllav Lajçak.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga burime diplomatike në BE se emri i Sorensenit është dërguar për miratim edhe te vendet anëtare të bllokut.

Kandidatura e tij do të jetë në rend dite në takimin e Komitetit politikë dhe të sigurisë së BE-së (PSC) ku janë përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare.

Burimet diplomatike thanë se sipas praktikës nga e kaluara, konfirmimi i Sorensenit nga vendet anëtare do të jetë vetëm procedurë formale, pasi tashmë Kallas e ka zgjedhur atë si të dërguar të posaçëm për dialogun./ REL.

Kandidatja për deputete krahasoi Kurtin me Hitlerin, LDK gjobitet me 20 mijë euro

Lidhja Demokratike e Kosovës është gjobitur me 20 mijë euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pasi një nga kandidatet për deputete të kësaj force politike e ka krahasuar kryeministrin Albin Kurti me liderin nazist të Gjermanisë, Adolf Hitler.

“PZAP ka pranuar një ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës në të cilën thuhet se një kandidate e LDK-së ka shpërndarë një video përmes së cilës ka krahasuar Albin Kurtin me Adolf Hitlerin”, thuhet në njoftim.

Sipas vendimit të publikuar në PZAP, LDK ka 15 ditë afat që ta paguajë gjobën.

Feride Rushiti dhe QKRMT-ja nominohen për Çmimin Nobel për Paqe

Feride Rushiti dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.

Nominimin e ka bërë deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson, i cili në letrën dërguar Komitetit të Institutit norvegjez të Nobelit, ka thënë se këtë vendim e ka ndërmarrë për të njohur “kontributet e jashtëzakonshme” të Rushitit dhe QKRMT-së “në avancimin e të drejtave të njeriut, dinjitetit të të mbijetuarve dhe shërimit të plagëve të luftës të komuniteteve”.

“Çmimi Nobel për Paqe synon të vlerësojë individët, puna e së cilëve nxit paqen, drejtësinë dhe pajtimin. Feride Rushiti dhe QKRM-ja i mishërojnë këto ideale përmes përkushtimit të tyre të përjetshëm për të mbështetur njerëzit më të cenueshëm, duke shëruar plagët e konfliktit dhe duke ndërtuar një bazë për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe përtej”, shkroi ai.

Pas publikimit të letrës nga deputeti suedez, Rushiti tha se është e nderuar dhe shprehu mirënjohje për këtë nominim.

“Ky moment është një arritje e madhe për mua, ekipin e jashtëzakonshëm të QKRMT-së, dhe mbi të gjitha, për të mbijetuarit që kemi privilegjin t’u shërbejmë tash e 25 vjet”, shkroi ajo në Facebook.

Nominimi, tha Rushiti, tha se është frymëzim për përpjekjet kolektive, “duke avokuar globalisht dhe ndarë praktikat e mira të Kosovës, për të trajtuar këtë plagë të rëndë dhe për të kontribuar në parandalimin e dhunës seksuale në konflikt, si dhe në arritjen e drejtësisë për të mbijetuarit”.

Në letrën drejtuar Institutit norvegjez të Nobelit, Jacobsson tha se Rushiti ia ka dedikuar karrierën e saj adresimit të efekteve shkatërruese të torturës, dhunës seksuale dhe mizorive të tjera të luftës.

QKRM-ja, sipas tij, ka ofruar ndihmë kritike mjekësore, psikologjike dhe mbështetje ligjore për mijëra të mbijetuar “duke u siguruar që zërat e tyre të dëgjohen dhe nevojat e tyre të përmbushen”.

“Avokimi novator i Rushitit në njohjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës ka transformuar diskursin kombëtar në Kosovë. Përpjekjet e saj të pareshtura kanë çuar në krijimin e kornizës ligjore në njohjen e këtyre të mbijetuarve si viktima civile të luftës, duke iu mundësuar atyre qasje në reparacione. Kjo arritje historike, e arritur më 2017, ka sjell dinjitet dhe mbështetje financiare për shumë të mbijetuar dhe është shpresë për drejtësinë e pasluftës në mbarë botën”.

Ai po ashtu tha se Rushiti, përveç punës së saj me të mbijetuarit e dhunës seksuale, ka arritje të mëdha edhe në trajtimin e të burgosurve dhe të ndaluarve, duke avancuar standardet ligjore dhe etike në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Më 2018, Rushiti, që udhëheq QKRM-të, ishte nderuar me Çmimin për Guximin e Gruas, të ndarë nga sekretari amerikan i Shtetit. Çmimi iu dha për të nderuar ndikimin e punës së saj në jetën e të mbijetuarve dhe për rolin e saj si udhëheqëse në botë për avokimin për të drejtat e njeriut.

Feride Rushiti ka themeluar QKRM-në më 1999 me misionin për të ofruar trajtim dhe rehabilitim për viktimat e torturës në Kosovë. Kjo qendër po ashtu promovon respektimin e të drejtave të njeriut për të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovë dhe të parandalimit dhe çrrënjosjen e torturës dhe të gjitha formave të keqtrajtimit.

Ndryshe, deputeti suedez Magnus Jacobsson, më 2020 kishte nominuar për Çmimin Nobel për Paqe Kosovën, Serbinë dhe Shtetet e Bashkuara lidhur me përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për paqe mes Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë çmim, më 1996 ishte nominuar edhe presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova. Ndërkaq, më 2013, u nominuan udhëheqësit e Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

Kush mund të bëjë nominime për Çmimin Nobel për Paqe?

Sipas statutit të Fondacionit të Nobelit, nominimin për Çmimin për Paqe mund ta bëjnë anëtarë të parlamenteve dhe qeverive kombëtare të shteteve sovrane dhe presidentët, anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit në Hagë.

Po ashtu, nominime mund të bëjnë edhe anëtarët e institutit Ndërkombëtar de Droit, profesorë universitarë, laureatë të Çmimit Nobel për Paqe, anëtarët aktual të Komitetit norvegjez të Nobelit dhe ish-këshilltarët e këtij Komiteti.

Më pas, Komiteti bënë përzgjedhjen e kandidatëve të kualifikuar dhe zgjedh fituesin.

Ky çmim ndahet çdo vit në muajin dhjetor. REL

SHBA-ja dhe BE-ja kundërshtojnë mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Gjermania e kanë kundërshtuar të mërkurën vendimin e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në vend, duke thënë se ato ndikojnë në synimet e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik.

Disa komuna paralele të Serbisë, ashtu si edhe zyra postare dhe tatimore të saj u mbyllën të mërkurën në dhjetë komuna të Kosovës, në anën jugore të lumit Ibër.

Ambasada amerikane në Prishtinë tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se mbyllja e institucioneve të drejtuara nga Serbia “ndikon drejtpërdrejt dhe negativisht te qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet tjera – dhe mund t’i minojë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik”.

“Këto veprime, në kundërshtim me këshillat tona më të mira, e dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për ta ndihmuar Kosovën që të sigurojë një të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë qytetarët e saj”, sipas një zëdhënës të Ambasadës amerikane në Kosovë.

Në një deklaratë të postuar në ueb-faqen e saj, Ambasada amerikane në Prishtinë i cilësoi veprimet e Kosovës si të pakoordinuara tha se ato “e dobësojnë besimin në marrëdhënie” dhe “e kufizojnë aftësinë tonë për ta ndihmuar Kosovën që të sigurojë të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj”.

Në një reagim, Bashkimi Evropian tha se veprimet e Kosovës përmbylljen e strukturave të mbështetura nga Serbia – në një kohë fushate zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit – janë në kundërshtim me detyrimet e saj në rrugën drejt Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të normalizimit.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, e shpërndau komunikatën e BE-së në X, duke shtuar se pajtohet plotësisht me reagimin e saj ndaj vendimit të autoriteteve kosovare.

“Dhe, më lejoni të jem i qartë: Ne pajtohemi në parim se strukturat e tilla paralele duhet të shuhen. Por, mënyra për ta bërë këtë duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Me veprime sikurse këto sot, ju nuk i fitoni zemrat e njerëzve të prekur nga kjo”, tha Rohde.

BE-ja e përsëriti se çështja e strukturave të mbështetura nga Serbia “parashihet të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.

Kosova dhe Serbia kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele më 2013 në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.

BE-ja gjithashtu i paralajmëroi autoritetet kosovare se vendimi i së mërkurës mund të ndikojë në vendimin e saj për të mos i hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Blloku evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.

“Ndërsa, siç theksohet në konkluzionet e Këshillit për zgjerimin për vitin 2024, BE-ja do t’i heqë gradualisht masat ndaj Kosovës paralelisht me hapat e shtesë të ndërmarrë nga Kosova për t’i ulur tensionet në veri, këto veprime i dëmtojnë këtë qëllim”, tha blloku të mërkurën.

Derisa Prokuroria në Prishtinë tha se nuk e autorizoi aksionin e së mërkurës, Policia e Kosovës tha se operacioni u krye me kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, dhe se qëllimi i tij ishte ndërprerja e “shërbimeve të jashtëligjshme” të Serbisë në Kosovë.

Autoritetet në Kosovë thonë se puna e këtyre institucioneve serbe, që ishin në funksion që nga paslufta më 1999, është “e paligjshme”, dhe nisën mbylljen e tyre qysh në fillim të vitit të kaluar.

Në Serbi, kryeministri Millosh Vuçeviq tha se “zhvillimi i situatës” në Kosovë po ndiqet me kujdes.

“Do t’i ndërmarrim të gjitha masat për ta mbrojtur popullsinë serbe nga sulmet e reja të Albin Kurtit [kryeministër i Kosovës], i cili, mesa duket, fushatën e tij parazgjedhore e ka shndërruar në vazhdim të keqtrajtimit të popullit tonë”, tha Vuçeviq.

Mbyllja e institucioneve serbe në 10 komuna të mërkurën – Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec dhe Skënderaj – vjen disa ditë pasi policia mbylli më 8 janar Administratën Tatimore serbe në Mitrovicën e Veriut dhe kompaninë e sigurimeve nga Serbia “Dunav Osiguranj”.

Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe qysh në janar të vitit 2024, duke ua vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, të cilat gjendeshin në jug të lumit Ibër.

Pastaj u mbyllën organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Ndërkohë u mbyllën edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.

Të gjitha këto institucione me mijëra punëtorë funksiononin në sistemin e Serbisë. REL

Ngrihet aktakuzë për vrasjen e Liridona Ademajt

Konferenca e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Prishtinë, 15 janar 2025.

 

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj në nëntor të vitit 2023, pas përfundimit të hetimeve.

Fillimisht, rasti ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por, dy ditë më vonë, Policia e Kosovës njoftoi se lidhur me rastin ka arrestuar dy persona. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli.

Murseli, me të cilin Liridona jetonte në Suedi dhe kishte dy fëmijë, është në mesin e të akuzuarve për vrasjen e saj. Tre të akuzuarit e tjerë janë Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe një person i katërt, emri i të cilit nuk u bë i ditur gjatë konferencës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, tha se nuk mund të japë shumë detaje rreth aktakuzës, por shtoi se, gjatë kohës që jetonin në Suedi, Liridona dhe Naimi kishin “marrëdhënie të trazuara martesore”, si pasojë e të cilave erdhën edhe problemet pronësore.

“Arsyet e tjera që kishte Naimi për të planifikuar dhe kryer këtë vrasje mund t’i mësoni në gjykatë kur të fillojë seanca kryesore”, tha Përlinçeviq, e cila tha se gjetja e motivit të vrasjes kishte bërë që procesi i ngritjes së aktakuzës të merrte më shumë kohë.

Ndërkohë, në konferencën e mbajtur për këtë rast, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, tha rasti ka qenë jashtëzakonisht i ndjeshëm dhe se janë zhvilluar hetime në shumë dimensione.

“Kjo vepër penale është vepra penale e vrasjes së rëndë e kryer nga anëtari i familjes dhe e kryer në mënyrë dinake, andaj si e tillë presim nga Gjykata një dënim kapital”, tha Gashi.

Pas konferencës, vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, tha se ende nuk e kanë lexuar aktakuzën, por se shpreson që “sa më shpejt drejtësia të vijë në vendin e vet”.

Liridona Ademaj ishte vrarë në moshën 30-vjeçare, më 29 nëntor të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Prokurorja e rastit tha gjatë konferencës së 15 janarit se Naim Murseli ka “planifikuar gjithçka”, ndërsa i quajti Murselin, Kokallën dhe Plavën “ekzekutues të drejtpërdrejtë” të Liridonës.

“Sa i përket ekzekutuesit të katërt, mendoj se nuk është etike të përmendet emri i tij, pasi ai nuk ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në kryerjen e veprës penale. Ai është përfshirë në këtë aktakuzë në një mënyrë të tërthortë dhe jo drejtpërdrejt në kryerjen e veprës penale”, tha Përlinçeviq.

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar disa herë masën e paraburgimit tre të dyshuarve për vrasjen e saj, Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës – për herë të fundit më 27 dhjetor të vitit të kaluar.

Ndërsa, të akuzuarit të katërt në këtë rast, Gjykata Supreme ia kishte ndërprerë masën e paraburgimit, duke ia mundësuar të mbrohet në liri. Ai ishte arrestuar më 9 dhjetor, nën dyshimin se ia kishte shitur armën dorasit.

Familja e Liridonës kishte kërkuar rivarrosjen e trupit të saj në pranë varrezave të prindërve të saj, ndërsa aktivistët për të drejtat e grave kanë kërkuar që Liridona të mos identifikohej më me mbiemrin e bashkëshortit, por me atë të familjes së saj, Ademaj.

Zemërim të madh kishte shkaktur edhe fakti që burri i saj kishte qenë pjesë e ceremonisë së varimit.

Rasti i vrasjes së 30-vjeçares, nënë e dy fëmijëve, është dënuar rëndë në Kosovë dhe liderët politikë të vendit kanë kërkuar drejtësi për rastin e saj.

Nga viti 2010 deri më tani në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët.

Sipas organizatave që merren me të drejtat e grave, mesazhe “trimëruese” dorasëve është duke u dërguar sistemi i drejtësisë në Kosovë me, siç thuhet, “dënimet e lehta”.

Në Kosovë, rastet e dhunës në familje mund të raportohen në numrin 0800 19 999.

Linja telefonike e Mbrojtësve të Viktimave është 0800 11 112.

Numri i Policisë së Kosovës është 192.

REL

Sveçla: Sot u mbyll përfundimisht kapitulli i institucioneve paralele

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe ai i administratës së pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, kanë njoftuar nga fshati Banjë se ditën e sotme janë mbyllur edhe institucionet e fundit paralele të Serbisë në territorin e Kosovës.

“Me aksion të përbashkët mes MPB e PK si dhe MINT e MAPL, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës. Sot janë mbyllur Komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale”, njoftoi Sveçla përmes një postimi në Facebook.

Sveçla nënvizon se siç qeveria Kurti është zotuar në vazhdim “nuk do të lejohet asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal i Serbisë që të cenoje Kushtetutën e ligjshmërinë” e Kosovës.

“Qytetarë të nderuar nga sot kapitulli i institucioneve paralele, ilegale të Serbisë në Republikën e Kosovës mbyllet në Banjë e gjithandej në pjesët e tjerë të Republikës së Kosovës. Objektet komunale, postat, zyrat tatimore, të gjitha mbetjet e institucioneve paralele përfundojnë”, u shpreh Sveçla në videon e postuar në rrjetet sociale.

Ndërkaq, ministri Krasniqi deklaroi: “Nga sot të 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe 5 qarqet e tyre mbyllen përfundimisht. Nga sot këto institucione paralele nuk kanë vend në Republikën e Kosovës”. sn

Kosova mbyll institucione paralele serbe në dhjetë komuna

Ndërtesa e Postës së Serbisë në Graçanicë, më 15 janar 2025.

 

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se në mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur komuna paralele të Serbisë, si dhe posta e zyra tatimore në dhjetë komuna të ndryshme të vendit.

Aksionet policore u ndërmorën në komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt.

“Me aksion të përbashkët, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në postimin e Sveçlës në rrjetet sociale.

Në videon e publikuar nga ai, u pa edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, duke thënë se “nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht”.

Autoritetet në Kosovë thonë se puna e këtyre institucioneve serbe, që ishin në funksion që nga paslufta më 1999, është “e paligjshme”, dhe nisën mbylljen e tyre qysh në fillim të vitit të kaluar.

Lisa Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – paralajmëroi se do të mbajë një mbledhje dhe adresim për mediat gjatë ditës.

Në Serbi, ministri i Jashtëm, Marko Gjuriq, e cilësoi aksionin e fundit të autoriteteve të Kosovës si një “përshkallëzim të rrezikshëm”.

“Këto lëvizje agresive nuk janë vetëm sulm ndaj institucioneve, por edhe përpjekje e hapur për t’i minuar të drejtat kolektive dhe identitetin e serbëve në Kosovë”, shkroi Gjuriq në rrjetet sociale.

Ai tha se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të heshtë, por “t’i mbrojë të drejtat e serbëve në Kosovë”.

Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq – i cili ndodhet në Bruksel për takimin e parë të Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për të pagjeturite cilësoi aksionin si “sulm” dhe tha se “një terror i tillë vë në pikëpyetje vetë dialogun”.

“Është e qartë përse [kryenegociatori i Kosovës, Besnik] Bislimi nuk u paraqit sot në Bruksel. Me delegacionin e Beogradit erdha me qëllim që sot të trajtojmë çështjen e personave të zhdukur, ndërsa [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti dhe Prishtina zgjodhën rrugën e dhunës dhe të veprimeve të njëanshme”, shkroi Petkoviq në rrjetet sociale.

Radio Evropa e Lirë raportoi më herët se Policia e Kosovës ka hyrë në Postën e Serbisë në Graçanicë dhe në komunën paralele të Prishtinës, e cila që nga paslufta funksionon gjithashtu në Graçanicë.

Para ndërtesës së Postës së Serbisë u vendos një shirit i verdhë dhe gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportojnë se, aktualisht, zyrtarë të policisë ndodhen brenda këtyre dy institucioneve, ndërsa punonjësit e tyre janë duke u larguar nga objektet.

Komuna paralele të Prishtinës, e cila që nga paslufta funksionon në Graçanicë.

Komuna paralele të Prishtinës, e cila që nga paslufta funksionon në Graçanicë.

Policia e Kosovës tha se drejtoritë rajonale të Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës dhe Mitrovicës së Jugut janë duke zhvilluar operacione policore, por nuk konfirmoi se për çfarë operacionesh bëhet fjalë.

“Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për REL-in.

Degë të tjera të Postës së Serbisë ishin mbyllur edhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, më 5 gusht të vitit të kaluar.

Ky veprim u kritikua nga BE-ja dhe SHBA-ja, që atëkohë u shprehën “thellësisht të zhgënjyera” dhe e cilësuan aksionin si “të njëanshëm dhe të pakoordinuar”.

Edhe shumë institucione të tjera serbe u mbyllën në aksione të ngjashme të Policisë së Kosovës vitin e kaluar dhe në fillim të këtij viti.

Megjithatë, Radio Evropa e Lirë raportoi së voni se puna e tyre vazhdon, përkundër mbylljes.

Cilat institucione u mbyllën?

Policia e Kosovës mbylli më 8 janar Administratën Tatimore në Mitrovicën e Veriut, e cila funksiononte në kuadër të sistemit të Serbisë, për shkak të, siç u tha, “aktiviteteve të paligjshme”, si dhe kompaninë e sigurimeve nga Serbia “Dunav Osiguranje”, për shkak të dyshimeve se punonte pa licencë.

Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe qysh në janar të vitit 2024, duke ua vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, të cilat gjendeshin në jug të lumit Ibër.

Pastaj u mbyllën organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Ndërkohë u mbyllën edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.

Të gjitha këto institucione me mijëra punëtorë funksiononin në sistemin e Serbisë. REL

EULEX-i përforcon njësitin policor të specializuar në Kosovë

Forcat e EULEX-it në Kosovë

 

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka thënë të martën se është duke e përforcuar Njësinë Policore të Specializuar (NJPS) të tij përmes dislokimit të përkohshëm të pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR) nga Franca, Italia, Lituania dhe Portugalia.

Sipas njoftimit këta policë do të punojnë “krah për krah me NJPS-në e siguruar nga Policia e Polonisë për ta përmbushur mandatin e Misionit në mbështetje të stabilitetit në mbarë Kosovën dhe për të garantuar siguri për të gjitha komunitetet”.

Ky njoftim vie një ditë pasi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca ushtarake perëndimore është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë që të sigurohet që të mos ketë destabilizim në Kosovë gjatë zgjedhjeve parlamentare që mbahen më 9 shkurt.

Rutte e ka quajtur situatën në Bosnje e Hercegovinë dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë si “çështje kyçë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Forcat shtesë të EULEX-it pritet të arrijnë në Kosovë gjatë ditëve në vijim si dhe sipas njoftimit do të kryejnë patrullime të dukshme.

Ky do të jetë dislokimi i pestë i njësitit rezervë së EULEX-it, ndërsa dislokimi i parë është bërë në mars 2022.

EULEX-i shërben si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë në kuadër të mekanizmit me tre nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti, kurse misioni KFOR i udhëhequr nga NATO është i treti.

Kosova do të mbajë zgjedhje të rregullta parlamentare më 9 shkurt.

Mbajtja e votimeve po bëhet në kohën kur në dy vjetët e fundit tensionet kanë qenë të larta në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Në shtator të vitit 2023, në veri të Kosovës një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter.

Gjatë këmbimit të zjarrit që pasoi në Banjskë të Zveçanit, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Ndërkaq, në nëntor të vitit të kaluar ndodhi një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Ky kanal furnizon me ujë disa komuna të Kosovës dhe uji i tij përdoret për ftohjen e termocentraleve.

Për të dy ngjarjet, Kosova e fajësoi Serbinë, e cila mohoi përfshirjen në sulme. REL

Presidenca polake e BE, Kosova kërkon pyetësorin dhe statusin e vendit kandidat

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian ka mbetur në sirtarët e Brukselit. Situata nuk pritet të ndryshojë as të paktën në pjesën e parë të vitit kur Polonia ka presidencën e Këshillit të Europës.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Polonisë pranoi se mundësitë janë të kufizuara për avancimin e statusit të Kosovës duke përmendur si arsye ndër të tjera edhe mungesën e njohjes së pesë vendeve të Bashkimit Europian.

Mungesa e rezultateve në dialogun me Serbinë shihet si arsye për mungesën e progresit.

“Kjo presidencë e Këshillit të BE, Polonia] po më duket më shumë e sinqertë që ia ka bërë me dije Kosovës që në rast se nuk përmbushen kriteret politike, veçanërisht me Serbinë që lidhen praktikisht edhe me kriteret e fqinjësisë së mirë nuk ka progres të mëtejshëm të Kosovës drejt Unionit Europian”, tha Arbnor Sadiku, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës nuk pajtohet që dialogu të jetë pengesë madje thonë se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim është dëshmi se kur BE ka vullnet mund të gjejë konsensusin e nevojshëm për avancimin e rrugëtimit të Kosovës drejt unionit.

“Dialogu nuk mund të jetë pengesë apo kriter për ecjen para të Kosovës në rrugëtimin drejt integrimit evropian, përderisa vendi ynë nuk është pala bllokuese e procesit. Për më tepër, edhe stadi i rrugëtimit të Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së, nuk janë në të njëjtin nivel. Prandaj Kosova nuk mund të bllokohet që në krye të herës”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zv/kryeministrit Besnik Bislimi.

Qeveria thotë se janë gati të pranojnë pyetësorin dhe Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat.

Gjithashtu theksojnë se në vazhdimësi kanë punuar ngushtë dhe se kanë qenë në kontakt me Presidencat e Këshillit të BE-së të dy viteve të fundit, ndërsa njëjtë po veprohet edhe me presidencën polake.

“Vendimmarrja finale nuk varet nga ne, andaj duhet të ekzistojë edhe vullneti nga ana e Bashkimit Evropian që në një proces i cili shpesh theksohet se është i bazuar në meritokraci, pikërisht meritokracia të mbizotërojë, të vihet në shqyrtim e vlerësim serioz aplikimi ynë dhe të mundet Kosova të tregojë e dëshmojë nivelin e saj të përgatitjes dhe meritës për marrjen e statusit të vendit kandidat”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zv/kryeministrit Besnik Bislimi.

Kosova fajëson Serbinë për qasje destruktive në procesin e dialogut dhe për nxitje të vazhdueshme të tensioneve në terren. Mirëpo rezultate konkrete do t’u kërkohen të dyja palëve.

“Nga Kosova dhe Serbia do të kërkojnë rezultate konkrete në dialog dhe përmbushje të hapave të mëtejshëm, jo teori, jo më takime përmes ‘diplomacisë fluturuese’ pa asnjë rezultat konkret vetëm sa për sy e faqe ose për shtrëngim duarsh para kamerave të burrështetasve të Kosovës dhe Serbisë siç ka ndodhur deri më tani”, tha Sadiku.

Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian në dhjetor të vitit 2022, ndërsa është vendi i vetëm në rajon që nuk e ka statusin e vendit kandidat. sn


Send this to a friend