VOAL

VOAL

Maqedonia dhe Greqia të dielën nënshkruajnë marrëveshjen për emrin

June 16, 2018

Komentet

Cilat janë dy kushtet e panjohura të SHBA-së për Dialogun Strategjik me Serbinë?

Nevena Bogdanoviq

Presidenca dhe Qeveria e Serbisë nuk i janë përgjigjur Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL) se cilat kushte ia kanë vënë Shtetet e Bashkuara shtetit për ta nisur Dialogun Strategjik mes dy vendeve.

Dy “kërkesa formale” i ka përmendur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Marko Rubio. Por hollësitë nuk i ka bërë të ditura.

Dihet vetëm se ato do të shqyrtohen në seancën e jashtëzakonshme të Qeverisë më 24 janar.

As Departamenti amerikan i Shtetit, deri në publikimin e tekstit, nuk i është përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me kërkesat drejtuara Beogradit.

Mijat Kostiq, hulumtues në organizatën joqeveritare “Rruga e Re e Tretë” në Beograd, vlerëson se kushtet amerikane mund të “nxirren” nga dokumentet që administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka miratuar muajt e fundit.

“Interesi afatgjatë dhe orientimi i SHBA-së është ta frenojë ndikimin rus dhe atë kinez në Ballkanin Perëndimor dhe në Serbi”, shton ai.

Cilat janë interesat e SHBA-së në Serbi?

Ulja e varësisë energjetike të Ballkanit Perëndimor nga Rusia është përfshirë në mesin e qëllimeve të Aktit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i miratuar në dhjetor.

Industria e Naftës e Serbisë (NIS) u sanksionua muaj më parë nga SHBA-ja, për shkak të pronësisë shumicë ruse.

Autoritetet serbe tani shpresojnë në heqjen e sanksioneve, pasi është arritur pajtueshmëri për shitjen e sanksioneve ruse në NIS kompanisë hungareze MOL.

Megjithatë, Serbia vazhdon të jetë e varur nga importi i gazit nga Rusia, e cila është furnizuesja kryesore në tregun serb.

“SHBA-ja me gjasë do të kërkojë diversifikim afatgjatë, përkatësisht pavarësi afatgjatë nga Rusia, si energjetike ashtu edhe politike”, thekson Mijat Kostiq.

Serbia ka vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Rusinë, pavarësisht thirrjeve për të vendosur sanksione ndaj Kremlinit për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Derisa me Uashingtonin paralajmëron dialog strategjik, Beogradi zhvillon marrëdhënie të ngushta edhe me rivalin amerikan, Kinën, dhe i përshkruan ato si “miqësi të hekurt”.

“Në sektorin minerar operon Zijin, aty është edhe fabrika Linglong, këto kompani kanë shtrirje të madhe në ekonominë serbe. Kërkesa tjetër amerikane mund të jetë ulja e ndikimit të Kinës”, shton Kostiq.

Pikërisht gomat e automobilave nga Linglong, në fund të vitit të kaluar, u vunë në shënjestër të ndalimit të importit në SHBA, për shkak të pretendimeve për punë të detyruar në atë fabrikë në verilindje të Serbisë.

Në sa karrige ulet Serbia?

Fillimi i dialogut, që SHBA-ja zhvillon me dhjetëra shtete të botës për të thelluar bashkëpunimin, ishte paralajmëruar që nga gushti i vitit 2025.

Por ai nuk ka nisur.

Presidenti i Serbisë, nga Davosi, ku mori pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, deklaroi se “beson” që Beogradi do t’i përmbushë kërkesat e Uashingtonit dhe “më në fund do t’i nisë” bisedimet.

Ai shpreson gjithashtu që Serbia të arrijë “pozicion sa më të favorshëm” në mjedisin ndërkombëtar, duke vlerësuar se përçarja mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian do të thellohet.

Ai theksoi gjithashtu se nuk heq dorë nga “miqtë tradicionalë” – Rusia dhe Kina.

“Jam i bindur se një faqe e historisë ka përfunduar dhe se nga nesër ajo do të shkruhet ndryshe”, deklaroi Vuçiq më 21 janar.

Me këtë ai iu referua fjalimit të presidentit amerikan në Davos dhe mosmarrëveshjes mes SHBA-së dhe BE-së rreth kontrollit mbi Grenlandën.

Për Mijat Kostiqin, vlerësimet e Vuçiqit janë “të parakohshme”.

“Sepse fakti është se as Amerika, as BE-ja, nuk dëshirojnë ta ndërpresin plotësisht partneritetin transatlantik, veçanërisht kur bëhet fjalë për NATO-n. As kjo situatë rreth Grenlandës nuk arriti ta shkatërrojë aleancën. Historisë për një përçarje të plotë ndoshta i gëzohen aktorë të tjerë, si Kina dhe Rusia, por është shumë pak e mundshme që kjo të ndodhë”, shton ai.

Përveç takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Vuçiq në Davos u takua edhe me përfaqësues të BE-së.

Komisionarja evropiane për zgjerim, Marta Kos, pas takimit deklaroi se me Vuçiqin ka biseduar për reformat, në mënyrë që Serbia “të mbetet fuqishëm në rrugën e saj evropiane”.

Në rrjetin social X, asaj iu përgjigj i dërguari i presidentit amerikan, Richard Grenell, i cili konsiderohet i afërt me autoritetet në Beograd.

Ai tha se Vuçiqi duhet të ndjekë “rrugën amerikane, e jo evropiane”.

Presidenti i Serbisë pati koment edhe për këtë.

“Kam pasur një bisedë të mirë me Marta Kosin. Nëse imponohen alternativa të reja – ekonomia amerikane është më e shpejtë, rritet më fuqishëm”, deklaroi ai.

Profesori i Universitetit amerikan Johns Hopkins, Daniel Server, vlerëson për REL-in se Vuçiqi “me gjasë mund të vazhdojë” politikën e “uljes në disa karrige”: këtë herë edhe mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

“Bashkimi Evropian duket i paaftë të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj Serbisë”, shton ai.

Kostiq, megjithatë, konsideron se në Ballkanin Perëndimor Brukseli dhe Uashingtoni nuk kanë interesa të kundërta.

Ai kujton se edhe Akti për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i miratuar në përbërjen aktuale të Kongresit, përmend shprehimisht shqetësimin për gjendjen e demokracisë, sundimin e ligjit dhe kushtet zgjedhore në Serbi.

Të gjitha këto janë kritika që Brukseli ua ka drejtuar autoriteteve në Beograd.

“Pavarësisht gjithë retorikës së ashpër të Trumpit ndaj Evropës, ende ekziston një unitet strategjik mes BE-së dhe SHBA-së kur bëhet fjalë për qasjen ndaj Ballkanit Perëndimor”, vlerëson Kostiq.

Pse Serbia nuk është pjesë e Bordit të Paqes në Gazë?

Presidenti i Serbisë nuk ka marrë ftesë nga Trump që, së bashku me liderë të tjerë botërorë në Davos, të jetë pjesë Bordit të Paqes në Gazë.

Presidenca e Serbisë nuk i është përgjigjur REL-it se si reagon Beogradi për mungesën e ftesës.

Vuçiq, megjithatë, nga Davosi deklaroi se “nuk është plotësisht i sigurt” se çfarë nënkupton iniciativa ndërkombëtare e Trumpit dhe se ajo e ka ndarë edhe më shumë Evropën.

Rusia dhe Kina morën ftesë nga Trumpi por nuk i janë përgjigjur asaj.

As shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian nuk e pranuan ftesën e presidentit amerikan.

Por, ftesa u dërgua edhe disa vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.

Të dyja shtetet e pranuan pjesëmarrjen në Bord, ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte në mes e 19 liderëve botërorë që më 22 janar e nënshkruan aktin themelues në Davos.

Se aleanca me Amerikën është “rruga e vetme” e Kosovës, Osmani e deklaroi në rrjetet sociale, së bashku me një fotografi me Trumpin nga Davosi.

Kosova muajt e fundit po përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet me administratën amerikane dhe të mundësojë nisjen e Dialogut Strategjik, i cili ishte pezulluar përkohësisht në vjeshtën e vitit 2025.

Pezullimi ndodhi pasi Uashingtoni shprehu shqetësim për veprimet e Qeverisë së Kosovës – kryesisht për shkak të përpjekjeve për ta shtrirë pushtetin në veriun e banuar me shumicë serbe, pa bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare.

“Për administratën e Trumpit është e rëndësishme që në Ballkan të mos ketë tensione dhe konflikte shtesë, kështu që në thelb kërkesa e tyre do të ishte që dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojë pa momente të paparashikueshme”, konsideron Kostiq.

Kosova si pikë mosmarrëveshjeje mes Beogradit dhe Uashingtonit

Përparimi i menjëhershëm në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës është përcaktuar gjithashtu si një nga synimet e Aktit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, të cilin Trumpi e nënshkroi më 19 dhjetor.

SHBA-ja, siç thuhet, duhet të mbështesë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës, e cila do të bazohet në njohjen e ndërsjellë.

Profesori Daniel Server thekson se pikërisht qëndrimi ndaj Kosovës mund të jetë një nga pengesat për dialogun strategjik mes Beogradit dhe Uashingtonit.

“Vuçiqi kundërshton sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Uashingtoni e njeh Kosovën dhe duhet të presë që partnerët e tij strategjikë të bëjnë të njëjtën gjë”, shton Server.

Ndërkohë, për shkak të tensioneve mes Beogradit dhe Prishtinës, dialogu nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka ngecur në vitet e fundit.

Përpjekja për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës u pa edhe në mandatin e parë të Trumpit përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit. Marrëveshja, e cila kishte në fokus vendosjen e marrëdhënieve ekonomike mes Beogradit dhe Prishtinës, pothuajse nuk u zbatua.

Gjatë vitit të kaluar, pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi ka deklaruar disa herë se ka “parandaluar një luftë” që Serbia po përgatiste kundër Kosovës.

Herën e fundit ai e përmendi këtë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Beogradi zyrtar nuk reagoi ndaj këtyre deklaratave të Trumpit.

Megjithatë, deklaratat e zyrtarëve kosovarë që i konfirmonin pohimet e Trumpit, autoritetet në Serbi i quajtën “akuza të rreme”.

Cilat janë marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së që nga ardhja e Trumpit?

Nëse do të hynte në mosmarrëveshje me administratën e Trumpit, Serbinë, ashtu si edhe shtete të tjera, mund ta prisnin tarifa doganore, kritika dhe izolim, thekson Server.

“Nuk mendoj se SHBA-ja është vërtet shumë e rëndësishme për Vuçiqin, i cili është më i interesuar ta bindë Jared Kushnerin të ndërtojë diçka, sesa për dialog strategjik me qeverinë amerikane. Por, sigurisht, këto dy gjëra mund të jenë të lidhura”, shton ai.

Dhëndri i presidentit amerikan ishte paralajmëruar si investitor i një kompleksi luksoz banesor-biznesor në vendin e ndërtesave të Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit, të dëmtuara rëndë gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Projekti hasi në kundërshtim të një pjese të publikut dhe të profesionistëve, me protesta masive dhe aktakuzë për abuzime kundër zyrtarëve shtetërorë që hoqën mbrojtjen nga Shtabi i Përgjithshëm si monument kulture.

Pas polemikave që e shoqëruan projektin, kompania e Kushnerit njoftoi se po tërhiqet “nga respekti për qytetarët e Serbisë dhe të Beogradit”.

Edhe pse zyrtarët amerikanë që nga vera e vitit 2025 paralajmëronin se Dialogu Strategjik mes Beogradit dhe Uashingtonit do të vendosej “së shpejti”, Departamenti i Shtetit nuk e ka saktësuar kohën.

Ai duhej, siç e përshkruanin përfaqësuesit e autoriteteve të të dyja palëve, të sillte një “epokë të re” në marrëdhënie – të ringjallte lidhjet politike, të zgjeronte bashkëpunimin në biznes dhe në mbrojtje, si dhe bashkëpunimin në fushën e energjetikës dhe teknologjive të komunikimit.

Ndërkohë që paralajmëronin thellimin e marrëdhënieve, në fillim të gushtit hynë në fuqi edhe tarifa të larta doganore, të cilat administrata e Trumpit i vendosi mbi importin e mallrave nga shumë vende.

Tarifat prej 35 për qind, që SHBA-ja vendosi për mallrat nga Serbia, janë të dytat për nga lartësia mes vendeve evropiane, pas Zvicrës.

Përfaqësuesit e autoriteteve në Beograd theksuan, pas vendosjes së tarifave, se ato u krijojnë probleme të mëdha për tërheqjen e investimeve të huaja.

“Mendoni se jeni pasardhës të Platonit dhe Aristotelit!”- Kritikat nga Greqia për replikat me gazetarin, reagon Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kritikave nga Greqia lidhur me replikat mes tij dhe gazetarit greko-amerikan, John Defterios, gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi, ku kreu i qeverisë shqiptare pasi kuptoi që ai kishte grek, i tha “ju mendoni se jeni pasardhës të Platonit dhe Aristotelit, por nuk jeni”.

 

Sipas Ramës, komenti i tij nuk ka qenë me tone tendencioze, por ka qenë humor dhe se fjala e tij është shkëputur totalisht nga konteksti dhe “është kthyer në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh!”.

Ndër të tjera, ai shton se populli grek për të është një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqen një respekt të veçantë.

Rama nuk kurse as ironitë për ata që i cilësoi si “të shqetësuarit dhe të lënduarit” me humorin e tij, duke shtuar që mos t’i kërkojnë në kushdo shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist, t’i duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit.

“Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit!”, shkruan Rama.

 

Rama: Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi!

Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh!

Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian; që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë!

U kuptuam? Shpresoj po.

Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit!

 

REAGIMI I MEDIAVE GREKE

Mediat greke, e kanë cilësuar si një sulm të paprovokuar kundër një gazetari greko-amerikan, komentet e kryeministrit Edi Rama.

“Protothema” shkruan se incidenti filloi kur John Defterios, moderatori greko-amerikan dhe gazetar i CNN-së me përvojë të gjatë, shqiptoi gabim emrat e Edi Ramës dhe kryeministrit malazez Milojko Spajić gjatë prezantimit të tyre.

“Pasi të dy udhëheqësit dolën në skenë për diskutim, kryeministri malazez thjesht e korrigjoi Defteriosin pasi vetë gazetari e kërkoi këtë. Menjëherë pas kësaj, edhe Edi Rama e korrigjoi atë, por u shfaq dukshëm i mërzitur, duke ia hedhur fajin gazetarit për shqiptimet e gabuara greke”, thuhet në artikull.

Më vonë, gjatë diskutimit rreth investimeve në energji në Shqipëri, Rama tha: “Le ta falënderojmë mentorin tonë Sultan Al Jaber” (Ministri i Energjisë i Emirateve të Bashkuara Arabe) dhe e pyeti Defteriosin nëse e njihte. Defteriosi, me shaka, buzëqeshi dhe u përgjigj: “Si mund të mos e njihja?”, duke bërë që audienca të duartrokiste.

Kryeministri shqiptar, me sa duket, duke mos e kuptuar shakanë, e talli gazetarin: “Si grek, duhet ta kishe njohur. Kjo është ajo që bën ti – gjithmonë i nënçmon njerëzit, sepse mendon se ke monopol mbi filozofinë dhe je trashëgimtar i drejtpërdrejtë i Platonit dhe Aristotelit”, duke shtuar menjëherë, “Por nuk je.”

“Sulmet e Ramës ndaj gazetarit dhe trashëgimisë së tij nuk u ndalën me kaq. Drejt fundit të diskutimit të tyre, ai iu drejtua përsëri me agresivitet në lidhje me madhësinë e një investimi në Shqipëri.

Kur gazetari përmendi “një miliard”, Rama e korrigjoi dy herë, duke thënë se ishte më shumë.

Jo, po llogarit përsëri si grek. Kur flet për paratë e tua, mbledh tre zero. Kur flet për paratë e të tjerëve, zbrit tre zero. Kjo është ajo që bën. Kjo është arsyeja pse BE-ja të do kaq shumë.”

Fragment i plotë i dialogut:

John Defterios: Le të mirëpresim Shkëlqësinë e Tij Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë. Më vjen mirë që ju shoh, Edi. Ju lutem uluni. Dhe Shkëlqësinë e Tij Milojko Spajić, Kryeministër i Malit të Zi. Do t’ju lejoj të më korrigjoni tani, vazhdoni.

Milojko Spajiq: Milojko Spajić.

John Defterios: Oh, Spajić, në rregull. Unë kam shqiptim italisht dhe greqisht.

Edi Rama: Është Edi Rama, jo Ramae.

John Defterios: (qesh) Kam bërë një fillim fantastik me ju të dy.

Edi Rama: Je grek, apo jo?

John Defterios: Unë jam grek, po.

Edi Rama: Kjo është arsyeja pse i shqiptove gabim emrat tanë. Këtë bën ti. E di sepse jemi fqinjë dhe e di shumë mirë.

John Defterios: (qesh) Jam i lumtur që ju kam të dyve këtu.

Edi Rama: Mentori ynë, njeriu që mbajti një nga fjalimet më të mira që dëgjova dje. Emri i tij është Dr. Sultan Al Jaber. Nuk e di nëse e njihni.

John Defterios: Vërtet? Nuk jam i sigurt… (qesh dhe duartrokitje)

Edi Rama: Si grek, duhet ta njohësh më mirë.

John Defterios: Nuk e di sa më mirë mund ta njihja.

Edi Rama: Ti gjithmonë i nënçmon njerëzit. Mendon se ke monopol mbi filozofinë dhe se je trashëgimtar i Platonit dhe Aristotelit. Por nuk je.

John Defterios: Me gjithë respektin e duhur…

Edi Rama: Duhet të mbarojmë. Nuk dua t’i marr kohën këtij vendi të madh, Malit të Zi. Mali i Zi është vendi më i madh dhe më i madh në rajonin tonë. Ka 50 milionë qytetarë; ne jemi një vend i vogël. Serbia është më e madhe, por Mali i Zi është numri një. Më falni, por do ta lëmë me pak ëmbëlsi në fund.

John Defterios: Është e mahnitshme—një projekt një miliard dollarësh për t’u zbatuar.

Edi Rama: Është më shumë se një miliard.

John Defterios: Një miliard investim plus tre projekte të tilla.

Edi Rama: Është më shumë se një miliard.

John Defterios: Vazhdo.

Edi Rama: Përsëri, ti llogarit si një grek. Kur flet për paratë e tua, shton tre zero shtesë. Kur flet për paratë e të tjerëve, zbrit tre zero. Kjo është ajo që bën. Kjo është arsyeja pse BE-ja të do kaq shumë.

Panorama

Zgjedhjet në Hungari më 12 prill, Viktor Orban humb pikë në sondazhe! Rrezikon humbjen pas 16 vjetësh në pushtet

Hungaria do të shkojë në zgjedhje parlamentare më 12 prill 2026, ndërsa sondazhet e fundit tregojnë se kryeministri nacionalist Viktor Orban, në pushtet që nga viti 2010, mund të humbasë.

 

Orban ka qeverisur vendin për gati 16 vjet, por sondazhet e pavarura tregojnë rënie për shkak të ngërçit ekonomik, pakënaqësisë ndaj shërbimeve publike dhe skandaleve për mbrojtjen e fëmijëve.

Partia Tisza, udhëhequr nga Péter Magyar, ish-anëtar i Orbanit dhe kritik i ashpër i tij, ka përparësi të qëndrueshme, me rreth 50% mbështetje, krahasuar me 35% të Fidesz, sipas analistit të Institutit Hungarez Iranytu, Sàmbolts Pek.

Presidenti i Hungarisë, Tamás Sólyom, konfirmoi datën e zgjedhjeve përmes Facebook, duke bërë zyrtare një datë që tashmë qarkullonte prej javësh.

Kampanja elektorale ka nisur prej disa muajsh, ku Magyar viziton gjithë vendin, ndërsa Orban ka kryer vizita në Uashington dhe Moskë dhe ka shumëfishuar premtimet e tij.

Sipas sondazheve të fundit, përveç Fidesz dhe Tisza, edhe partia e ekstremit të djathtë “Atdheun Tonë” mund të fitojë vende në parlament, ndërsa partitë e tjera, përfshirë koalicionin qendrore majtas Demokratik, mbeten nën pragun 5% për përfaqësim parlamentar. Panorama

Vuçiçi sërish i akuzon Kosovën, Shqipërinë dhe Kroacinë për aleancë ushtarake “sulmuese”

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pretendon se Tirana, Prishtina dhe Zagrebi kanë themeluar “aleancë ushtarake, sulmuese”.

“Kjo është një aleancë sulmuese. Ka njerëz që ëndërrojnë se kur ka konflikt midis pjesëve të Perëndimit dhe Rusisë, kjo është një mundësi për ish-aleatët rusë, si ne, që të shkatërrohen plotësisht”, tha Vuçiq për TV Informer të mërkurën.

Lideri serb i ka akuzuar vazhdimisht Kroacinë, Shqipërinë dhe Kosovën për themelimin e një aleance ushtarake kundër Serbisë dhe popullit serb në muajt e fundit.

Ministrat e Mbrojtjes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nënshkruan një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje në mars të vitit 2025.

Qeveria kroate i tha më parë Radios Evropa e Lirë se Deklarata nuk synon të krijojë ndonjë aleancë ushtarake, dhe as nuk nevojitet një aleancë e tillë përkrah NATO-s.

Duke iu përgjigjur akuzave të mëparshme të Vuçiqit, ministei i Brendshëm kroat, Davor Bozhinoviq, bëri thirrje për paqe dhe bashkëpunim në rajon.

“Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian dhe çdo gjë që bën në marrëdhëniet ndërkombëtare bëhet në mënyrë transparente”, tha Bozhiniviq më 6 janar.

Kroacia dhe Shqipëria janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh, nuk është anëtare e aleancës.

Vuçiç: Ndërhyrja e SHBA në Venezuelë, shkelje e së drejtës ndërkombëtare! Diçka e tillë mund të ndodhë edhe në Europën Lindore apo Azi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka cilësuar ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në Venezuelë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, duke deklaruar se rendi juridik global dhe Karta e Kombeve të Bashkuara nuk po funksionojnë më.

 

“Qëndrimi i Serbisë është i qartë: ne dëshirojmë marrëdhënie miqësore si me SHBA-në ashtu edhe me të gjitha vendet e botës, por është detyrimi ynë të theksojmë kur ka shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Pas zhvillimeve në Venezuelë, është e qartë se sot në botë sundon ligji i forcës, e drejta e më të fortit, dhe kjo është bërë parimi kryesor i politikës moderne”, deklaroi Vuçiç në një konferencë për shtyp.

Kreu i shtetit serb drejtoi këtë të diel një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Lartë të Mbrojtjes Kombëtare, thirrur për shkak të situatës në Venezuelë.

Vuçiç shprehu shqetësimin e tij për paqen dhe sigurinë globale, duke paralajmëruar se po krijohet një precedent i rrezikshëm.

“Presim që veprime të tilla të vazhdojnë jo vetëm nga SHBA, por edhe nga vende të tjera. Sepse kush do të mund të thotë nesër, nëse diçka e tillë ndodh në Europën Lindore apo në Azi, se është hera e parë dhe se është e paligjshme?”, u shpreh ai.

Presidenti serb njoftoi se Serbia do të vijojë forcimin e kapaciteteve mbrojtëse për të parandaluar çdo kërcënim, duke përfshirë rritjen e personelit të Forcave të Armatosura me rreth 30% dhe përshpejtimin e programeve të armatimit. Ai vlerësoi se kërcënimi kryesor për Serbinë nuk vjen nga SHBA, por nga rajoni, duke përmendur në veçanti armatosjen e Kosovës me ndihmën e Turqisë.

Marrëdhëniet Serbi–Venezuelë

Udhëheqja politike serbe ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me regjimin e Nicolás Maduro-s. Vuçiç ka komunikuar për herë të fundit telefonikisht me Maduro më 21 gusht 2025, duke e quajtur atë “mik të madh” të Serbisë në një postim në Instagram dhe duke theksuar diskutimet për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Në ceremoninë e betimit të Nicolás Maduro-s në janar 2025, Serbia u përfaqësua në nivel të lartë nga kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç.

Dy vendet kanë nënshkruar në vitin 2023 një marrëveshje për heqjen e vizave, ndërsa një nga arsyet kryesore të përmendura nga zyrtarët serbë për afrimin me Venezuelën është fakti se Karakasi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Panorama

Si reagoi Ballkani Perëndimor ndaj sulmit të SHBA-së në Venezuelë?

Radio Evropa e Lirë

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shprehur reagime të përziera për sulmin e Shteteve të Bashkuara në Venezuelë të shtunën, i cili i parapriu kapjes së udhëheqësit venezuelas, Nicolas Maduro, dhe dërgimit të tij në paraburgim në Nju Jork.

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se Shtetet e Bashkuara do ta “qeverisin” Venezuelën deri në “kalimin e duhur të pushtetit” dhe do t’i shfrytëzojnë rezervat e saj të mëdha të naftës, pas rrëzimit të Maduros.

Maduro u dërgua në një qendër paraburgimi në Nju Jork të dielën, dhe pritet të dalë para gjykatës gjatë javës për t’u përballur me akuza për vepra penale të drogës dhe armëve.

Para sulmit, Shtetet e Bashkuara e kishin akuzuar vazhdimisht Maduron se drejton një “narko-shtet” dhe se ka manipuluar procesin zgjedhor.

Më poshtë mund të lexoni reagimet e vendeve nga Ballkani Perëndimor.

Kosova

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkroi në X se Kosova qëndron fuqishëm përkrah Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Trump në mbështetje të veprimeve të tij kundër “regjimit narko-terrorist” të Venezuelës.

“Presidenti Trump qëndroi pranë popullit të Venezuelës dhe iu kundërvu shtetit narko të Maduros, duke mbrojtur Amerikën dhe pjesën tjetër të botës nga kartelët dhe krimi i organizuar”, shkroi Osmani të shtunën.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosovës e mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë.

“Mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie”, shkroi Kurti në Facebook të shtunën.

Shqipëria

Ministrja për Çështje Evropiane e Shqipërisë, Elisa Spiropali, shkroi në X të shtunën se Shqipëria qëndron pa mëdyshje përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Trumpit në veprimet e tyre “vendimtare kundër regjimit narkoterrorist të Venezuelës”.

“Ne mbështesim udhëheqjen e fortë të sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, në përballjen me autoritarizmin, korrupsionin dhe rrjetet kriminale transnacionale. Populli venezuelian ka të drejtë të padiskutueshme për liri, demokraci dhe sundimin e ligjit, dhe komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të mbetet i heshtur përballë shtypjes dhe frikës”, shtoi ajo.

Maqedonia e Veriut

Timco Mucunsk, ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, tha se Shkupi e “mirëpret” njoftimin e Trumpit se Maduro është arrestuar dhe do të përballet me drejtësinë.

“Gjithashtu përgëzoj sekretarin e Shtetit [Marco] Rubio për udhëheqjen e tij në përballjen me rrjetet narkokriminale të regjimit të Maduros. Përgjegjshmëria ka rëndësi. Ne qëndrojmë përkrah Shteteve të Bashkuara dhe popullit venezuelas për liri dhe demokraci”, shkroi Mucunski në X të shtunën.

Serbia

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka kritikuar kapjen e aleatit të tij Maduro, duke thënë se “është e qartë” se rendi juridik ndërkombëtar dhe Karta e OKB-së “nuk funksionojnë”.

Vuçiq tha se Serbia “dëshiron miqësi me SHBA-në, por është detyra jonë të themi kur ka shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

“Në botë sot mbizotëron ligji i forcës, ligji i të fortit. Ky është i vetmi parim i politikës bashkëkohore që ekziston sot në botë”, tha Vuçiq për media të dielën në Beograd, pas mbledhjes së Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë.

Bosnja e Hercegovina

Ministria e Jashtme e Bosnjës u bëri thirrje të dielën “të gjithë aktorëve të veprojnë në mënyrë racionale, me përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm dhe vuajtjeve”.

“Ne shprehim mbështetjen tonë për popullin e Venezuelës dhe për stabilitetin në vend dhe në rajonin më të gjerë”, tha Ministria në X.

“Nicolas Maduro është diktator që ka qeverisur përmes frikës, përdorimit të forcës, ushtrisë dhe policisë, kontrollit të plotë të mediave dhe instrumenteve të tjera represive. Mbajtja e tij në pushtet nuk është bazuar në zgjedhje të lira dhe të ndershme, por në mashtrim dhe manipulim zgjedhor, si dhe në shtypjen sistematike të kundërshtarëve politikë dhe aktivizmit studentor përmes arrestimeve, frikësimit dhe kërcënimeve”.

“Të gjithë diktatorët politikë sillen në mënyrë të ngjashme dhe përdorin të njëjtat metoda represive, përfshirë edhe ata nga realiteti ynë politik në këtë pjesë të botës. Shtetet e Bashkuara janë partneri strategjik dhe miku më i rëndësishëm i Bosnjë dhe Hercegovinës”.

Kroacia

Ministria e Jashtme e Kroacisë tha të shtunën se po ndiqte nga afër gjendjen në Venezuelë në bashkërendim me partnerët në Bashkimin Evropian.

“Do të angazhohemi që lufta kundër aktiviteteve të paligjshme ndërkombëtare të zhvillohet në përputhje me rregullat ndërkombëtare dhe parimet themelore, si dhe me mbrojtjen e popullsisë civile. Ne i kushtojmë vëmendje të veçantë sigurisë dhe mirëqenies së shtetasve kroatë që banojnë në Venezuelë, si edhe emigrantëve kroatë në atë vend”, shkroi ajo.

“Regjimi i Nicolas Maduros ka mungesë legjitimiteti që buron nga zgjedhje të mbajtura në mënyrë demokratike. Ndarjet e thella politike të brendshme, si dhe qasjet e ndryshme të komunitetit ndërkombëtar ndaj autoriteteve në Karakas, e kanë komplikuar edhe më tej situatën tashmë komplekse në vend”.

“Situata në Venezuelë prej shumë vitesh është karakterizuar nga një krizë e thellë politike, ekonomike dhe institucionale, e cila është shfaqur përmes funksionimit rëndë të cenuar të institucioneve shtetërore, rënies ekonomike, shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe një krize të rëndë humanitare që ka nxitur migrime masive të popullsisë”.

Mali i Zi

Mali i Zi nuk ka reaguar deri tani.

Serbia drejt zgjedhjeve të parakohshme në 2026! Vuçiç në konferencën vjetore: Ky mund të jetë fjalimi im i fundit si President i Republikës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë konferencës së tij vjetore deklaroi se ky është me shumë gjasë fjalimi i tij i parafundit dhe ndoshta edhe fjalimi i fundit vjetor në postin e presidentit të republikës.

“Ky është sigurisht fjalimi i tij i parafundit dhe ndoshta fjalimi i fundit vjetor si president i republikës. Është shumë e mundur që të jetë e fundit”, tha Vuçiç, duke lënë të hapur mundësinë e shkuarjes drejt zgjedhjeve të parakohshme në 2026.

Kujtojmë se ai ka plotësuar kërkesën kryesore të opozitës dhe studentëve që protestojnë prej disa muajsh nëpër sheshe, duke njoftuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vitin e ri që po vjen, 2026.

Kjo deklaratë pasoi nismën e studentëve për mbledhjen e nënshkrimeve anembanë Serbisë, ku kërkohej shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Vuçiç tha se bllokuesit e rrugëve donin të krijonin, si në Ukrainë, revolucionin e quajtur “Maidan”, duke e futur vendin në kaos me pushtimin e ndërtesave të Presidencës dhe Asamblesë Kombëtare. Sipas presidentit, ata do të kishin pasur sukses nëse nuk do të kishte pasur rezistencë popullore.

“E kemi pranuar kërkesën e tyre kryesore. Vitin e ardhshëm do të shkojmë në zgjedhje parlamentare, por vetëm se nuk do të jenë aq të lumtur kur t’i numërojnë votat. Do të shkojmë në zgjedhje që t’i mposhtim kundërshtarët tanë politikë, që janë pa program e pa ide në çdo qytet të Serbisë.

U organizuan më shumë se 25,000 tubime të paligjshme. Ata bllokuan trafikun dhe u përpoqën që të kishte viktima. Kjo është arsyeja pse them se ata donin të krijonin një Maidan, duke krijuar kaos. Zgjedhjet nuk fitohen me gënjeshtra, por me punë të vërtetë, duke luftuar për qytetarët e Serbisë, duke luftuar për popullin”, tha ai pak ditë më parë.

“Forcojmë marrëdhëniet diplomatike”! Turqia i dhuron Shqipërisë avion qeveritar Airbus, me vlerë 11.9 milionë dollarë

Marrëveshja pasqyron angazhimin e përbashkët të të dy vendeve për të thelluar partneritetet institucionale në aviacionin civil, logjistikën e mbrojtjes dhe sektorët më të gjerë strategjikë, ndërkohë që shërben gjithashtu si një gjest simbolik i mbështetjes së Turqisë për përpjekjet rajonale të zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë, thuhet në njoftim.

 

TURQI- Kompania ajrore kombëtare e Turkiye-s, Turkish Airlines, do t’ia transferojë qeverisë shqiptare pronësinë e një Airbus A319‑115J, një avion i konfiguruar nga qeveria me vlerë 11.9 milionë dollarë, sipas një marrëveshjeje dypalëshe granti, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar lidhjet diplomatike dhe ekonomike midis dy vendeve.

“Turkiye Today” shkruan se sipas marrëveshjes së publikuar në Gazetën Zyrtare të enjten, avioni, i regjistruar si TC-GVC me numër serial 1002 dhe i prodhuar në shkurt të vitit 2000, mbetet i certifikuar për operacione fluturimi.

Marrëveshja Turqi-Shqipëri synon të përforcojë partneritetin strategjik

Marrëveshja dypalëshe thotë se donacioni synon të përforcojë “marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë” midis Turqisë dhe Shqipërisë, të vendosura fillimisht sipas Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 1992, ku të dyja palët shprehin dëshirën për të forcuar më tej këto lidhje përmes bashkëpunimit të ndërsjellë teknik dhe mbrojtës.

Marrëveshja pasqyron angazhimin e përbashkët të të dy vendeve për të thelluar partneritetet institucionale në aviacionin civil, logjistikën e mbrojtjes dhe sektorët më të gjerë strategjikë, ndërkohë që shërben gjithashtu si një gjest simbolik i mbështetjes së Turqisë për përpjekjet rajonale të zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë, thuhet në njoftim.

Avioni do të dorëzohet pa asnjë detyrim financiar nga ana e marrësit dhe Turqia do të mbulojë kostot e transferimit. Airbus A319-115J është një variant i personalizuar i modelit standard A319-100, i cili është pjesë e familjes A320, një nga seritë më të përdorura në botë të avionëve reaktivë me një korridor.

Avioni ka një peshë maksimale taksi prej 75,900 kilogramësh dhe një peshë bazë bosh prej 44,790 kilogramësh. Ai fuqizohet nga dy motorë CFM56-5B7/P, të dy me mbi 7,000 cikle të mbetura, dhe është i pajisur me një sistem shfaqjesh ajrore AS400, megjithëse nuk janë instaluar sisteme argëtimi ose lidhjeje gjatë fluturimit.

Edhe pse nuk është një klasifikim komercial i përdorur në oraret publike, A319-115J shfaqet shpesh në flotat ushtarake, qeveritare ose diplomatike, duke përfshirë ato të shteteve anëtare të NATO-s dhe qeverive aleate.

Në pronësi të fondit sovran të pasurisë së Turqisë, Turkish Airlines operon një nga flotat më të mëdha ajrore në nivel global, me një total prej 515 avionësh sipas të dhënave më të fundit në dispozicion. Midis tyre, flota përfshin gjashtë avionë Airbus A319-100, të cilët përdoren kryesisht për itinerare me distanca të shkurtra deri të mesme dhe operacione rajonale./Dosja.al

Rikthehen protestat në Serbi, studentët kundërshtojnë presionin që po u bëhet nga universitetet, pas tragjedisë në stacionin hekurudhor

Disa mijëra aktivistë nga e gjithë Serbia iu bashkuan protestave studentore në jugperëndim të vendit të dielën, duke u mbledhur kundër asaj që ata e përshkruajnë si presion qeveritar mbi universitetet shtetërore.

Demonstrata, pjesë e një lëvizjeje më të gjerë kundër ndërhyrjes politike në arsimin e lartë, ishte e para e këtij lloji në Novi Pazar, një qytet me shumicë popullsie myslimane boshnjake.

Është ndër shumë protesta të organizuara pas shembjes së çatisë së një stacioni hekurudhor vitin e kaluar në qytetin verior të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona.

Studentët nga Novi Pazari janë bërë të famshëm në të gjithë vendin pasi ecën për ditë të tëra për t’u bashkuar me protestat masive në Novi Sad për të shënuar përvjetorin e parë të shembjes së çatisë më 1 nëntor.

Tani ata thonë se administrata e universitetit ka revokuar statusin e studentit të rregullt për ata që mungojnë për shkak të protestave dhe ka shkarkuar dhjetëra pedagogë.

“Erdha këtu për të shprehur mbështetje për studentët e Novi Pazarit”, tha Momcilo Zelenbaba, i cili udhëtoi nga qyteti i Jagodinës, 190 km (120 milje) në veri të Novi Pazarit. “Erdha sepse 200 studentë humbën statusin e tyre dhe 30 profesorë humbën vendet e tyre të punës.”

Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e bordit drejtues të universitetit dhe zgjedhjen e një rektori të ri.

“Jemi këtu sot për t’i dërguar një mesazh Serbisë se luftojmë për një menaxhim të përkohshëm dhe mbijetesën e universitetit tonë”, tha Dzenana Ahmetovic, një protestuese. “Kjo na shqetëson të gjithëve, jo vetëm Novi Pazarin.”

Gjatë gjithë protestës njëditore, pjesëmarrësit mbajtën një moment heshtjeje për viktimat e shembjes së çatisë. Ata valëvitën flamuj që përfaqësonin qytetet dhe universitetet e tyre, fishkëllyen dhe brohoritën sloganin e tyre karakteristik: “Ngrini energjinë!”

Lëvizja protestuese – e udhëhequr nga studentë, akademikë dhe figura të opozitës – akuzon presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe partinë e tij populiste nacionaliste për nxitjen e korrupsionit, shërbimeve të dobëta publike, nepotizmit dhe kufizimeve të lirisë së medias. Vuçiç dhe partia e tij i mohojnë akuzat.

Novi Pazari është qyteti më i ri demografik i Serbisë, me 60% të popullsisë shumicë myslimane nën moshën 30 vjeç. Pavarësisht përbërjes së tij të dallueshme etnike, nuk janë raportuar përplasje me fqinjët ortodoksë serbë që nga shpërbërja e Jugosllavisë më shumë se tre dekada më parë.. bw

Nxit reagime vdekja e papritur e Sllavko Aleksiq, dëshmitarit kryesor të “turizmit të snajperëve”

Ka vdekur papritmas dëshmitari kyç në hetimin nëse turistë të pasur kanë paguar mijëra euro për të vrarë civilë të paarmatosur gjatë rrethimit të Sarajevës në të ’90-tat. Çetniku i famshëm Sllavko Aleksiq ishte udhëheqës i njësisë paramilitare serbe të Bosnjës.

Ai vdiq në Trebinë edhe pse raportohet se ishte në gjendje të mirë shëndetësore, sipas “The Times”.

Vdekja e tij e papritur ka ndodhur në kohën kur në Itali nisën hetimet muajin e shkuar për pretendimet se shtetas të huaj kishin paguar anëtarë të forcave serbe të Bosnjës për të qëlluar mbi civilët, në një veprim që disa e quanin si “turizëm snajperësh”.

Aleksiq 69-vjeçar pati marrë kontrollin e varrezave hebraike mbi Sarajevë. Ajo zonë përdorej nga snajperët gjatë rrethimit. E sipas avokatit serb Çedomir Stojkoviq, Aleksiq ka qenë dëshmitar kyç “sepse mund të tregonte se kush qëlloi dhe kush organizoi gjithçka”.

“Është e arsyeshme të dyshohet se vdekja e Aleksiqit është e lidhur me hetimin për safarin dhe se shërbimi inteligjent serb ka qenë i përfshirë”, ka shkruar ky avokat në X.

Muajin e shkuar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u akuzua se ishte i përfshirë në “turizmin e snajperëve” në Sarajevë. Vuçiq ka mohuar pretendimet. Më 24 nëntor, Aleksiq dha një intervistë për një televizion në Serbi duke mohuar se Vuçiqi ka pasur gisht në këtë çështje.

Vdekja e Aleksiqit erdhi pak pas ripublikimit të videos morbide të një veture që i atribuohej atij, e në kapakun e së cilës ishte një kafkë njerëzore, që dyshohet se ishte hequr nga trupi i një viktime boshnjake.

Hetimet për vrasjet në Sarajevë u nisën pas dokumentarit “Sarajevo Safari” të vitit 2022. Filmi pretendon se entuziastë të armëve nga Rusia, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkonin në Sarajevë gjatë fundjavave për të qëlluar mbi civilët për qejf, me çmim më të lartë nëse i kishin për cak fëmijët.

Të mbijetuarit e masakrës së Sarajevës kanë kërkuar dënime të ashpra ndaj turistëve që dyshohet se paguanin për të vrarë civilët.

Më shumë se 10,000 njerëz janë vrarë në Sarajevë nga bombardimet e vazhdueshme dhe sulmet me snajper midis viteve 1992 dhe 1996, në atë që ishte rrethimi më i gjatë në historinë moderne, pasi Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë nga Jugosllavia.

Hetimi filloi nga një ankesë ligjore e paraqitur nga Ezio Gavazzeni, një shkrimtar me bazë në Milano, i cili mblodhi prova mbi akuzat, si dhe një raport të dërguar prokurorëve nga ish-kryetarja e bashkisë së Sarajevës, Benjamina Kariq. Gavazzeni ka thënë se kishte lexuar për herë të parë raportet rreth “turistëve të dyshuar snajperistë” në shtypin italian në vitet ‘90, por vetëm pasi kishte parë “Sarajevo Safari”, një dokumentar i vitit 2022 nga regjisori slloven Miran Zupaniq, filloi të hetonte më tej.

Në dokumentar, një ish-ushtar serb dhe një kontraktor pretenduan se disa grupe perëndimorësh qëllonin popullsinë civile nga kodrat përreth Sarajevës. Pretendimet e tyre janë mohuar me forcë nga veteranët serbë të luftës.

Gavazzeni pretendon se shumë italianë dyshohet se janë të përfshirë, pa dhënë një shifër.

Rrëzimi i dronëve në Detin e Zi, Turqia paralajmëron Rusinë dhe Ukrainën

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare (MSB)në Turqi bëri një deklaratë në lidhje me një dron të rrëzuar në qiellin mbi Ankara dhe deklaroi se kishte paralajmëruar Rusinë dhe Ukrainën.
Tensioni politik vazhdon pasi dy mjete ajrore pa pilot (UAV) që hynë në hapësirën ajrore turke mbi Detin e Zi janë rrëzuar.

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare (MND) bëri një deklaratë në lidhje me një UAV, i cili hyri në hapësirën ajrore nga drejtimi i Detit të Zi dhe u rrëzua në qiellin mbi Ankara më 15 dhjetor, dhe deklaroi se ata paralajmëruan Rusinë dhe Ukrainën.

“Si rezultat i vlerësimeve të bëra, me qëllim ruajtjen e sigurisë së hapësirës ajrore dhe për të mbrojtur sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve tanë, droni, i cili dukej se ishte jashtë kontrollit, u pasua nga avioni ynë F-16 dhe, pas përfundimit të procedurave, u rrëzua me një ndërhyrje të kontrolluar në vendin më të përshtatshëm”, thuhet në deklaratë.

“Për shkak të luftës së vazhdueshme midis Ukrainës dhe Rusisë, bashkëbiseduesve tanë u është paralajmëruar se të dyja palët duhet të jenë më të kujdesshme ndaj negativiteteve të tilla në lidhje me sigurinë e Detit të Zi.”

Nuk u dha asnjë informacion se cilit vend i përkiste droni dhe nëse mbante ndonjë gjë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, droni i shkatërruar u thye në copa shumë të vogla dhe u shpërnda në një zonë të gjerë. Kjo e bën të vështirë zbulimin e mbeturinave. Megjithatë, ministria deklaroi se aktivitetet e kërkim-skanimit dhe hetimit teknik po kryhen me kujdes nga njësitë përkatëse.

Një dron i dytë u rrëzua të shtunën dhe u gjet në një fushë të zbrazët pranë qytetit Balıkesir, rreth tre orë në jugperëndim të Stambollit. Dyshohet se është me origjinë ruse, thonë autoritetet lokale.

Ky është incidenti i tretë i këtij lloji që nga e hëna. bw

Serbia pezullon hetimet kundër ish-policit kosovar Arbnor Spahiu

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë. Fotografi nga arkivi.

 

Radio Evropa e Lirë

Prokuroria e Lartë Publike në Suboticë të Serbisë i ka pezulluar hetimet kundër ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili është dyshuar për kryerjen e “vrasjes së rëndë” në fshatin Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.

Zyra e Prokurorit ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se urdhri për pezullim të hetimeve është lëshuar më 21 nëntor, në mungesë të dëshmive.

Spahiu është arrestuar nga autoritetet serbe më 7 qershor në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë, derisa ai dhe familja e tij kanë qenë duke u kthyer me autobus nga Austria në Kosovë.

Ai ka qëndruar më shumë se pesë muaj në qendër ndalimi në Serbi.

Avokati i tij Arianit Koci ka konfirmuar së voni për Radion Evropa e Lirë se ai është liruar më 21 nëntor dhe është kthyer në Kosovë.

“Spahiu është mbajtur pa nevojë kaq gjatë, sepse siç kam thënë në fillim, nuk ka dëshmi për një akuzë të tillë, sepse ai nuk ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës atë kohë”, ka thënë avokati.

Serbia e ka akuzuar Spahiun për kryerjen e krimit në Banjskë, kur një grup i armatosur serbësh e ka sulmuar Policinë e Kosovës në shtatorin e vitit 2023, duke e vrarë policin kosovar, Afrim Bunjaku.

Policia ka konfirmuar se Spahiu nuk ka qenë pjesëtar i saj në atë kohë.

Millan Radoiçiq – nënkryetar i Listës Serbe në kohën e kryerjes së sulmit – e ka marrë përgjegjësinë për organizim dhe kryerjen e sulmit kundër Policisë së Kosovës në Banjskë.

Pasi është marrë në pyetje në Beograd në tetor të vitit 2023, Radoiçiq është liruar, por me një ndalesë për udhëtim, ndërsa kryeprokurori e ka bërë të ditur vendimin për të ngritur një aktakuzë në fund të vitit 2024.

Pothuajse një vit më vonë, Zyra e Prokurorit në Serbi nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se çfarë e ka bllokuar procesin.

Ndërkohë, gjyqi për tre prej 45 të pandehurve për rastin në Banjskë, po zhvillohet nga autoritetetet në Kosovë.

Ato kërkojnë vazhdimisht dorëzimin e Radoiçiqit për ta gjykuar për kryerjen e sulmit, të cilin Kosova e pati shpallur akt terrorist.


Send this to a friend