VOAL

VOAL

Maloku: Vilat e politikanëve dhe biznesmenëve, të sekuestruara në Brezovicë

October 11, 2022

Komentet

Haxhiu: Serbia po organizon arratisjen e të burgosurve nga Kosova, kërkon hetim ndërkombëtar

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje të shtunën për nisjen e një hetimi vendor dhe ndërkombëtar për, siç ka thënë ajo, nxitjen dhe organizimin e arratisjeve të të burgosurve nga burgjet e Kosovës për në territorin e Serbisë.

Sipas saj, shteti i Serbisë po cyt dhe organizon arritisjen e të burgosurve, paraburgosurve dhe të kërkuarve nga drejtësia e Kosovës, në këmbim të një “ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës”.

“Një mbështetje e tillë është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu, pa ofruar ndonjë dëshmi për këto pretendime.

Ajo e ka bërë këtë postim në rrjetin social Facebook, një ditë pasi i arratisuri nga burgu i Smrekonicës në Kosovë, Faton Hajrizi, është raportuar të jetë vrarë nga autoritetet në Serbi.

Hajrizi ka qenë në kërkim nga autoritetet serbe, pasi më 18 korrik është raportuar se e ka vrarë një zyrtar policor serb dhe e ka plagosur një tjetër, gjatë një kontrolli rutinor në Lloznicë të Serbisë, qytezë në afërsi me Bosnje-Hercegovinën.

Autoritetet e Serbisë e kanë konsideruar sulmin si terrorist dhe kanë nisur operacion të madh kërkimi.

Përveç Hajrizit – i cili ka pasur një histori të arratisjeve nga burgjet e Kosovës – në ditët e fundit në Kosovë është arratisur edhe një i burgosur tjetër, Ujkan Metaj.

Ministrja Haxhiu ka thënë se nuk dihet me siguri nëse Hajrizi është vrarë dhe nëse apo, a ka ndodhur akti në Serbi, apo në Republikën Sërpska të Bosnje-Hercegovinës.

“Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti”, ka thënë ajo.

Haxhiu, gjithashtu, e ka dënuar përdorimin e etnisë nga ana e Qeverisë së Serbisë në rastin e vrasjes së policit serb.

“Kjo retorikë e Qeverisë në Beograd është paralajmërim për ngjarje të ardhshme të gatuara në Beograd e që kanë një perspektivë të qartë shoviniste dhe etno-politike”.

Thirrje për mospolitizim të rastit ka bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. REL

Serbia thotë se e ka vrarë dorasin e policit, Kosova kërkon konfirmimin e identitetit të tij

Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme Ivica Daçiq, ka thënë të premten se është vrarë personi që në orët e para të së enjtes vrau një polic në Serbi.

Identiteti i personit të vrarë nuk është përmendur në komunikatën e lëshuar nga autoritetet serbe në pasditen e 19 korrikut.

Daçiq më herët gjatë së premtes tha se autoritetet ishin në kërkim të Faton Hajrizit, i dyshuar për vrasjen e policit, dhe plagosjen e një tjetri në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Diasporës e Kosovës, i kërkoi Serbisë që të konfirmojë identitetin e personit të vrarë.

Më vonë gjatë të premtes, Daçiq deklaroi dorasi i dyshuar i policit është vrarë në vendin e quajtur Banja Kovilaça.

Duke mos e përmendur identitetin e të vrarit, Daçiq iu është referua atij si “terrorist shqiptar”.

Megjithatë, Daçiq, teksa vizitoi vendin ku u vra dorasi i dyshuar, tha se autoritetet serbe do të kërkojnë nga Gjermania ekstradimin e vëllait të tij sepse “ai ka thënë se ia ka vjedhë pasaportën, që është gënjeshtër”. Sipas ministrit serb, Artan Hajrizi dyshohet për terrorizëm, duke shtuar se është bashkëpunëtor.

“Na ndihmoi që publikuam foton. Një vendas në lajmëroi që ka kërkuar ujë nga një banor lokal”, tha Daçiq.

Daçiq shtoi se ai po fshihej buzë lumit, duke kërkuar një mënyrë për ta kaluar atë.

“Kur ka ardhur policia, ai ka qëlluar dy herë automjetin e policisë. Policia ka reaguar dhe një plumb e ka goditur. Më pas, ai ka nisur të ikë, por është kapur nga policë të tjerë. Gjithsej, ai ka shtënë nëntë herë. Policia e ka vrarë. Ai nuk e kishte ndërmend të dorëzohej”, tha ai.

Autoritetet serbe, sipas Daçiqit po vazhdojnë hetimet e tyre për “të gjithë ata”, që sipas tij kanë marrë pjesë në këtë organizim. Daçiq tha po ashtu se një shtetas i Sllovenisë, me prejardhje serbe, është arrestuar.

Vrasja e policit Nikolla Kërsmanoviq ka ndodhur në orët e para të së enjtes kur policia e ka ndalur veturën në të cilën ka qenë i dyshuari, për një kontroll rutinor.

Që nga 6 korriku, Faton Hajrizi, shtetas i Kosovës, kishte qenë në kërkim nga autoritetet e Kosovës, pasi ishte arratisur nga burgu i Smerkonicës.

Hajrizi dyshohet se kishte udhëtuar nëpër Serbi me dokumentet e vëllait të tij, Artanit, të cilat janë gjetur në vendngjarje pas vrasjes së policit serb. Ndërkohë, Artani është paraqitur para autoriteteve në Gjermani – ku dhe jeton- dhe ka thënë se i vëllai, Fatoni ia kishte vjedhur pasaportën gjatë kësaj jave në Gjermani. Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse Fatoni ka qenë në Gjermani.

Ministria e Brendshme e Serbisë, më herët gjatë së premtes po ashtu publikoi fotografinë e Faton Hajrizit dhe u bëri thirrje qytetarëve për bashkëpunim.

Autoritetet kryen kontrollet në dy anët e lumit Drina, që gjendet në kufi me Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinës, pasi dyshonin se personi që kreu vrasjen mund të ishte nisur në atë drejtim, raportoi Radio Televizioni i Serbisë (RTS) më 19 korrik.

Sipas ndihmësdrejtorit të policisë Dragan Vasileviq, helikopterët dhe dronët u përfshin në kërkim.

Autoritetet serbe e kanë konsideruar sulmin si terrorist.

“Zyra e Prokurorisë për Krimin e Organizuar do ta konsiderojë rastin si një akt terrorist, sepse është një sulm ndaj zyrtarëve”, ka thënë të enjten ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq.

Kush janë Artan dhe Faton Hajrizi?

Artan Hajrizi, një profil që u bë publik nga autoritetet e Serbisë si i dyshuar për vrasjen e një zyrtari policor në Serbi, është vëllai i Faton Hajrizit, i arratisur nga burgu në Kosovë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime brenda familjes.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajzirit (sipas autoriteteve të Serbisë), i lindur më 1991, dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.

Radio Evropa e Lirë ka analizuar disa nga profilet e shumta të Artan Hajrizit, në rrjetet sociale që konfirmojnë lidhjen e tij me Faton Hajrizin. REL-i po ashtu ka biseduar edhe me burime brenda familjes që kanë konfirmuar se Artani dhe Fatoni janë vëllezër.

Një prej profileve të Artan Hajrizit në rrjetin social Facebook.

Një prej profileve të Artan Hajrizit në rrjetin social Facebook.

Ky burim pretendon se “Artani gjendet në Gjermani dhe se sot ka njoftuar se dokumentet e tij nuk janë në banesë”.

“Artani nuk ka njohuri dhe as nuk ka qenë në rast. Atij i ka humbur pasaporta”.

Kontakti me Artanin nga REL-i nuk ka qenë i mundshëm deri në publikimin e këtij teksti.

Artan Hajrizi foli publikisht të enjten për portalin Insajderi përmes një videolidhjeje.

Artani, i cili pretendoi që gjendej në polici në Gjermani, tha se vëllai i tij e kishte vizituar për disa orë dhe se ia ka vjedhur dokumentet e tij identifikuese.

“Ai ka shkuar para dy ditësh. Unë dokumentet i kam lajmëruar të humbura. Unë nuk jam fajtor për këtë punë”, tha Artani në këtë incizim.

Ai tha se nuk ka pasur kontakt me vëllain e tij që nga ajo kohë.

Gjatë ditës, mediat vendore kanë raportuar po ashtu se kanë biseduar me babanë e Artanit, Mustafë Hajrizi, i cili citohet të ketë thënë se “Fatoni ia ka vjedhur pasaportën Artanit”.

Asnjë nga këto pretendime nuk janë konfirmuar ende nga autoritetet e Kosovës.

Faton Hajrizi, i dënuar për disa vepra penale në Kosovë, ishte arratisur ditë më parë nga Burgu i Smrekonicës në Kosovë.

Ai ka histori të arratisjeve të shpeshta nga burgjet kosovare.

Hajrizi fillimisht është dënuar në janar të vitit 2000 për vrasjen e një ushtari rus në qendër të Skenderajt, kur ishte vetëm 15-vjeçar. Për këtë vrasje është dënuar me 6 vjet burgim.

Sipas Daçiqit një person është arrestuar lidhur me këtë rast në Bijeljina të Bosnje e Hercegovinës.

Ai ka thënë se i arrestuari dyshohet se ka “transportuar vrasësin nga Presheva në Lloznicë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që të mos politizohet ky rast. Radio Evropa e Lirë

Një person dënohet me 12 vjet burgim për krime lufte ndaj civilëve në Kosovë

Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar me 12 vjet burgim Ekrem Bajroviqin, për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas Gjykatës, që e ka identifikuar të dënuarin vetëm me inicialet e emrin të tij, ai është shpallur fajtor për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile shqiptare në fshatrat Staradran, Zallc, Gurrakoc dhe fshtartat tjera përreth të Komunës së Istogut. Ai gjatë luftës kishte qenë polic i Serbisë në stacionin policor të Gurrakocit.

Sipas njoftimit, më 7 dhe 8 maj të vitit 1999, gjatë një aksioni të forcave ushtarake, paramilitare dhe policore kundër popullatës civile shqiptare në këto fshatra, civilët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe u urdhëruan të niseshin drejt Shqipërisë.

I akuzuari, sipas Gjykatës, ndau burrat dhe gratë nga kolona e nisur drejt Shqipërisë, duke i plaçkitur dhe më pas forcat serbe i dërguan në një shtëpi në Staradran, duke i “pushkatuar të paktën 16 civilë të nacionalitetit shqiptarë”.

Gjykata Themelore tha po ashtu se më 7 maj të 1999, Bajroviq kishte marrë pjesë në “arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve të nacionalitetit shqiptar, ashtu që fillimisht të dëmtuarit [burrat] i ndajnë nga kolona tjetër e civilëve, u marrin të gjitha paratë dhe sendet e tjera me vlerë e pastaj që të gjithë i dërgojnë në Gurrakoc në lokalin e Sh.S, ku i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore”.

Ndërsa më 8 maj 1999, sipas njoftimit, të ndaluarit i kishin dërguar në stacionin policor në Gurrakoc, “ku kolonës i printe i akuzuari E.B”.

Bajroviqit, në kuadër të dënimit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, pra nga 19 tetori i vitit 2022. Ai ka të drejtë të apelojë vendimin.

Për vendimin e Gjykatës Themelore ka reaguar anëtari i Frontit Demokratik pro-rus, Millan Knezheviq, i cili kërkoi që Parlamenti i Malit të Zi të dërgojë një notë proteste kundër vendimit.

“Jo vetëm për t’u dërguar notë proteste institucioneve të përkohshme të Kosovës, por për t’i dërguar një sinjal të qartë familjes Bajroviq dhe të gjithë qytetarëve malazezë se do t’u ofrojmë mbështetje institucionale për të vërtetuar një aktakuzë farsë”, tha ai.

Partia e tij nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Knezheviq po ashtu tha se aktakuza ndaj Bajroviqit ishte e “fabrikuar”.

Kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, – një nga liderët e Frontit Demokratik – tha se Mali i Zi e ka për obligim të kujdeset për qytetarët e tij “të cilët gjenden në një situatë kaq të vështirë”.

Ndryshe, që nga përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë. REL

Kosovë, komisioni për mbikëqyrjen e AKI-së: Kërcënimi nga Serbia mbetet i lartë

VOA/Leonat Shehu

Përfaqësues të Komisionit për mbikëqyrjen e Agjencisë së Zbulimit në parlamentin e Kosovës, thanë të mërkurën se kërcënimi nga Serbia dhe organizatave që strehohen dhe trajnohen në Serbi për tensionim të situatës së sigurisë në Kosovë vlerësohet të jetë i lartë.

Këto deklarata u bënë pas takimit që përfaqësues të këtij komisioni patën me shefin e Agjencisë për Intelegjencë të Kosovës, Petrit Ajeti.

“Situata në katër komunat në veri është e qëndrueshme dhe pse ndërhyrjet dhe përpjekjet e Serbisë për tensionim të situatës së sigurisë janë të vazhdueshme. Kërcënimi nga Serbia dhe organizata paramilitare dhe terroriste anëtarë të të cilave po strehohen dhe trajnohen në Serbi vlerësohet si shumë i lartë. Bazuar në të dhënat inteligjente grupi terrorist është duke kryer ushtrime në disa lokacione në rrethinën e Novi Pazarit, Kopaonikut dhe të Kralevës”, tha Ganimete Musliu, kryetare e Komisionit.

Me 24 shtator të vitit të kaluar një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit duke vrarë një oficer dhe plagosur dy të tjerë. Milan Radoiçiç, ish nënkryetar Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi, mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur.

Zonja Musliu tha se grupi udhëhequr nga Milan Radoiçiç vazhdon të jetë i strukturuar, ka mjete të mjaftueshme financiare dhe mbështetje nga Beogradi zyrtar.

“Në vazhdimësi janë duke planifikuar, diskutuar mundësitë për sulme. Udhëheqësi i grupit Milan Radoiçiç vazhdon bashkëpunimin e afërt me strukturat e sigurisë së Serbisë me zyrtar të lartë shtetërorë si dhe është duke mbajtur kontakte me disa grupe organizata radikale dhe kriminale me shtrirje rajonale”, tha zonja Musliu.

Forcat paqerujatëse të NATO-s në Kosovë nuk ju përgjigjen interesimit të Zërit të Amerikës për të komentuar pohimet e institucioneve të Kosovës.

Por përgjatë punimeve të takimit të lartë të NATO-s javën e kaluar në Uashington, një zyrtar i lartë i aleancës tha se forcat paqeruajtëse janë të shqetësuara për situatën e sigurisë dhe mundësitë e përkeqësimit të saj”, ndërsa u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbië të angazhohen në dialog për gjetjen e një zgjidhjeje politike.

Pas sulmit në Banjskë diplomatët perëndimorë u vunë në përpjekje të reja për të përshpejtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon

Nga Qeveria e Kosovës kërkohet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Qeverisë së Serbisë të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës.

Dy takimet e fundit në Bruksel ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë dhe në nivel kryenegociatorësh të të dyja palëve që synonin zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes, përfunduan pa ndonjë rezultat.

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë pritet që deri të enjten t’u dërgojnë ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian komentet e tyre rreth rrugës së zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve për të cilën palët ranë dakord vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Bashkimi Evropian pret që mbi komentet e palëve të hartojë një propozim të ri mbi këtë proces.

Musliu: Grupi terrorist serb po stërvitet në Novi-Pazar, Kopaonik e Kralevë

Ka përfunduar raportimi i drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Kryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu ka deklaruar se gjendja e sigurisë në vend është stabile, por që kërcënimi nga Serbia vlerësohet të jetë shumë i lartë. Ajo ka thënë se ka informacione se grupi terrorist serb po stërvitet në tri lokacione.

“Ne patëm në raportim drejtorin e AKI-së për të na raportuar për situatën e sigurisë në vend. Mund të themi pas këtij takimi se gjendja e sigurisë në vend është stabileSituata në katër komunat në veri është e qëndrueshme edhe pse përpjekjet e Serbisë për tensionim të situatës së sigurisë janë të vazhdueshme, kërcënimi nga Serbia dhe organizatat paramilitare dhe terroriste, anëtarët e së cilave po trajnohen dhe strehohen në Serbi, vlerësohet si shumë i lartë. Bazuar në të dhënat inteligjente, së fundmi grupi terrorist është duke kryer ushtrime në disa lokacione në rrethinën e Novi-Pazarit, Kopaunikut dhe Kralevës”, është shprehur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës për media.

Në konferencë për media ajo theksoi se grupi paramilitar dhe terrorist i udhëhequr nga Milan Radojiçiq vazhdon të jetë i strukturuar, “ka mjete të mjaftueshme financiare dhe se ka armë e mbështetje nga Beogradi zyrtar”.

“Në vazhdimësi janë duke planifikuar, diskutuar mundësitë për sulme. Udhëheqësi i grupit Milan Radoiçiq vazhdon bashkëpunimin e afërt me strukturat e sigurisë së Serbisë, me zyrtarët e lartë shtetëror, si dhe është duke mbajtur kontakte me disa grupe, organizata radikale dhe kriminale me shtrirje rajonale”, ka shtuar Musliu./Ksp

Maqedonci: Sinjalet për sulme shtrojnë nevojën për traktat të Paqes me Serbinë

Paralajmërimet e institucioneve shtetërore të Kosovës për sulme të reja në veri të vendit nga Serbi kanë shtruar nevojën për një traktat paqeje midis Kosovës dhe Serbisë.

Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqendonci për RTV21 tha se një ide e tillë do të duhej të ishte pika kyçe në proces të dialogut në Bruksel.

‘’Një ndër kërkesat kyçe të kryeministrit të Kosovës që para se të hyhet në proces të dialogut dhe bisedime të bëhet një traktat i paqes, pra mos sulmimit mes dy vendeve dhe kjo do të duhej të shërbente si bazamenti bazamaneti i dialogut. Vlerësoj se kjo duhet të mbetet një ndër pikat që duhet të diskutohet para se të fillohet të vendoset për cështje të tjera në kuadër të dialogut”, tha Maqedonci.

Në Qershor të vitit  2021, kryeministri Albin Kurti paraqiti katër propozime për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë  përfshirë edhe idenë e një traktati paqeje përmes të cilës palët do të zotoheshin se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Por, anëtari i Komisionit për Siguri nga radhët e PDK-së, Rashit Qalaj, kundërshton këtë ide të qeveritarëve duke thënë se një ide e tillë është e dëmshme për Kosovën. Sipas tij, një marrëveshje me njohje reciproke do të ishte zgjidhja e duhur.

‘’Definitivisht kjo qeveri e ka humbur kompasin. Me kë do të bëjë traktat paqeje, me ata që i kanë vrarë edhe fëmijët në djep, me ata që kanë dhunuar edhe vajzat e mitura, me ata që përveç që i kanë vrarë edhe i kanë djeg kufomat, me ata që ende sot i kanë zhduk trupat e të vdekurve. Ky është një veprim i dëmshëm, i papranushëm dhe që duhet të gjykohet shumë nga të gjithë”, tha Qalaj.

Profesori i Studimeve për Paqe në Universitetin e Qytetit të Dublinit, Gëzim Visoka, tha se ideja e një traktati të paqes midis Kosovës dhe Serbisë është e vetmja mënyrë për ta mbyllur konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, kjo ide duhet të marrë mbështjetje nga të gjithë.

‘’Është e vetmja mënyrë për të përmbyllur konfliktin midis Kosovës dhe Serbise është përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të paqes që mund të quhet edhe traktat i paqes e cila do të përfshinte të gjitha elementet si cështje të hapura midis dy shteteve. Është e vetmja platformë që ofron stabilitet. Çdo marrëveshje e pjesshme edhe tranzitore dhe e kthyeshme”, tha Visoka.

Sipas vlerësimit të tij është e vështirë të arrihet një marrëveshje e paqes Kosovë-Serbi në rrethanat aktuale, meqë sipas tij palët e përfshira në dialog kanë pasur edhe të kaluarën mos zbatim të marrëveshjeve dhe është rritur skepticizmi i tyre.

‘’Skenari i parë është që në rrethanat aktuale nuk ka vullnet prej anës serbe ose prej presioneve ndërkombëtare që të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ose një traktat.  Nëse ka ndryshim në zhvillimet politike pas zgjedhjeve evropiane mund të hapet ajo mundësi si një aspiratë për të ecur tutje. Por në rrethanat aktuale nuk duket që ka një vullnet evropian apo amerikan për një gjë të tillë”, shtoi Visoka.

Krerët e institucioneve të Kosovës së fundmi kanë shfaqur shqetësim se grupet e armatosura serbe për rreth kufirit me Kosovën po bëjnë përgatitje për sulme të rena në veri. Qeveria ka kërkuar nga Serbia dorëzimin tek organet e drejtësisë së Kosovës organizatorin e sulmit terrorist Milan Radojiciq.

Ambasadori Hargreaves: Britania e Madhe i kërkon vazhdimisht Serbisë përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit

Ambasadori i ri i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se shteti i tij vazhdimisht i kërkon Serbisë përgjegjësi për sulmuesit në Banjskë.

Ai ka thënë se pas këtij sulmi, Britania ka parë të arsyeshme që të shtojë numrin e trupave të KFOR-it në Kosovë. Megjithatë, ambasadori thotë se ende mbetet e paqartë se çka saktësisht dhe cili ishte qëllimi i sulmit të 24 shtatorit.

“Ende nuk kemi parë dëshmi përfundimtare se çfarë saktësisht po ndodhte në atë sulm dhe çfarë ka qenë plani dhe qëllimi”, ka thënë Heargreaves.

Ai shtoi se pret që Serbia të ndërmarrë veprime lidhur me sulmin në Banjskë.

“Kemi qenë shumë të qartë me autoritetet serbe për atë se ne presim që t’i mbajnë para përgjegjësisë, ata që e bënë këtë incident kriminal”, deklaroi Hargreaves.

Kur është pyetur se si përgjegjësi për sulmin në Banjskë, Milan Radoiçiç, endet i lirë në Serbi, ai ka theksuar se autoritet serbe i kanë siguruar se po merren me këtë. sn

Sveçla: Presidenti serb i përfshirë në trajnimin e grupit terrorist në Banjskë

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, është shprehur se autoritetet në Prishtinë kanë prova se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka qenë drejtpërdrejtë i përfshirë në trajnimin e grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë të Zveçanit.

Ministri Sveçla në një intervistë në Euronews Albania, ka deklaruar se Kosova i ka të gjithë skenarët dhe përgatitjet e duhura për t’iu përgjigjur agresionit të mundshëm serb.

Ai ka theksuar se gjatë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, është punuar që situata në veri të Kosovës t’i kthehet normalitetit.

“Kishim fatin të mblidhnim shumë dëshmi lidhur me grupin terrorist. Tani e dimë se para sulmit në Banjskë, ky grup është trajnuar në një poligon zyrtar ushtarak të Serbisë. Së fundi Vuçiq vizitoi këtë poligon, ku ushtria e rregullt serbe pati një trajnim ushtarak. Kemi incizimet, kemi pranim dorëzimet e armatimit nga magazinat e ushtrisë për këtë grup terrorist. Kemi informata inteligjente, dëshmi gojore, që tregojnë se Vuçiç ishte drejtpërdrejtë i përfshirë në trajnimin e këtij grupi. Kemi të gjitha dëshmitë. Është tjetër nëse dëshirojmë t’i injorojmë apo minimizojmë. Ne për këto arsye kemi pasur edhe takime të Këshillit të Sigurisë. Ne kemi skenarët, përgatitjet dhe mobilizimin e kapaciteteve tona për t’iu përgjigjur çdo lloj agresioni të grupeve terroriste të financuara nga Serbia”, ka theksuar ai.

Sipas tij, po punohet që 17 % e territorit të Kosovës t’i kthehet normalitetit.

“Të gjithë e dimë se për 22-23 vite situata në veri të Kosovës, në 4 komunat veriore nuk ka qenë normale. Ka qenë një agresion i hapur i Serbisë përmes instrumenteve të saj, që është shpërfaqur herë shumë agresive, duke shtypur popullin shqiptar atje, si në vitin 2000 kur u shpërngulën nga Mitrovica e Veriut 11 mijë shqiptarë e u vranë 11 persona”, ka theksuar Sveçla.

Tajlanda heq vizat për shtetasit e Kosovës

Plazhi në Tajlandë.

Tajlanda ka hequr vizat për shtetasit e Kosovës, ka bërë të ditur ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se “kjo arritje reflekton përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të zgjeruar mundësitë ndërkombëtare dhe për të forcuar lidhjet diplomatike me shtetet anembanë botës”.

Vendimi për vizat është fuqizuar menjëherë.

Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme është thënë se qytetarët e Kosovës do të mund të qëndrojnë pa viza në Tajlandë deri në 60 ditë brenda vitit, për qëllime turizmi apo biznesi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas përhapjes së lajmit, duke thënë se pasaporta e Kosovës po vazhdon të forcohet secilën herë e më shumë.

Deri tani, kosovarët kanë mundur të udhëtojnë pa viza në 50 shtete të botës, ndërsa mund të pajisen me viza sapo të mbërrijnë në 39 vende tjera.

Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burgim për krime lufte

Pjetër Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është dënuar të martën me 18 vjet burgim për krime lufte nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale.

Ai është shpallur fajtor për ndalim arbitrar dhe torturë kundër së paku 18 personave dhe në pikën e vrasjes së paligjshme kundër një personi, më ose rreth datës 5 qershor 1999, në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.

Gjykata ka thënë se akuza e trajtimit mizor është mbuluar tërësisht nga ajo e torturës dhe nuk është shqyrtuar më tej nga Gjykata.

Sipas Gjykatës, viktimat kanë qenë kryesisht shqiptarë të Kosovës, të cilat kanë pësuar dëme nga shqiptarë tjerë të Kosovës.

“Dëshmitë e tyre kanë të gjalla, të hollësishme dhe bindëse”, është thënë në vendim.

Prokuroria ka kërkuar dënim prej 28 vjetësh për Shalën.

Pjetër Shala, shtetas belg, i njohur me nofkën “Ujku”, është deklaruar më parë i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Gjykata Speciale funksionon sipas ligjeve të Kosovës dhe aktualisht heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Çfarë tha Gjykata?

Gjykatësja e Gjykatës Speciale, Mappie Veldt-Foglia, ka thënë se fabrika e dikurshme e metalit në Kukës është përdorur prej UÇK-së – në periudhën maj 1998 deri në qershor 1999 – për rekrutim dhe logjistikë, mes tjerash.

Ajo ka thënë se Gjykata ka marrë dëshmi të besueshme se ky objekt është përdorur për të ndaluar, marrë në pyetje dhe keqtrajtim të njerëzve që dyshohej se bashkëpunonin apo simpatizonin autoritetet serbe, apo nuk përkrahnin mjaftueshëm përpjekjet e UÇK-së.

“Shala ka marrë pjesë në transferimin nën rojë të njërit prej të ndaluarve në fabrikë, ka marrë pjesë në marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve, së bashku me anëtarë tjerë të UÇK-së. Shala ka qenë i pari që ka goditur disa të ndaluar. Njëri prej të ndaluarve tha se Shala e ka goditur me shkop bejsbolli dhe e ka akuzuar se ishte spiun”.

Gjykatësja e Gjykatës Speciale, Mappie Veldt-Foglia

Gjykatësja e Gjykatës Speciale, Mappie Veldt-Foglia

Sipas Gjykatës, Shala kishte synim për të kryer vrasje.

Numri i të ndaluarve nuk dihet, por vlerësohet të ketë qenë rreth 40 persona, përfshirë tri gra, ka thënë gjykatësja.

“Trupi gjykues i ka identifikuar 18 persona… ka dëgjuar dëshmi të dorës së parë për ngjarjet traumatike të përjetuara gjatë ndalimit të tyre në këtë fabrikë dhe ndikimin që kanë pasur këto ngjarje në jetën e tyre dhe të familjeve të tyre”, ka thënë mes tjerash Veldt-Foglia.

Trupi gjykues ka thënë se të ndalurit janë mbajtur në rrethana çnjerëzore.

“Atyre nuk u është dhënë ushqim dhe ujë. Një dëshmitar kujtoi se nganjëherë dy të ndaluar ndanin një vezë të zier. Të ndaluarve nuk u lejohej të pastroheshin. U duhej të kërkonin leje të përdornin banjon, që ishin në gjendje të keqe. Dëshmitarët kanë thënë se në atë gjendje ‘as kafshët nuk do të jetonin’”.

Veldt-Foglia ka thënë se të ndaluarit janë rrahuar dhe janë detyruar të rrahin njëri-tjetrin, u janë thyer dhëmbët dhe gjymtyrët, dhe se kanë jetuar në frikë të vazhdueshme.

“Ata janë ngacmuar dhe kërcënuar me dhunë deri në vdekje”.

Shala është arrestuar më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe është transferuar në objektin e Gjykatës Speciale, në Hagë të Holandës, më 15 prill 2021.

Në dënim do të përfshihet edhe periudha e paraburgimit.

Gjyqi ndaj Shalës ka nisur në shkurt të vitit 2023.

Ky është aktgjykimi i dytë i kësaj Gjykate lidhur me hetimet për krime lufte.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar në dhjetor të vitit 2022 me 26 vjet burgim për krime lufte.

Më vonë, Apeli ia ka ulur dënimin në 22 vjet burgim.

Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë, por më pas janë liruar me kusht.

Përveç Mustafës dhe Shalës, të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi.

Gjyqi ndaj tyre është duke vazhduar. Radio Evropa e Lirë

Wesley Clark emërohet anëtar nderi i Odës Amerikane dhe i Bordit të Guvernatorëve

Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, është emëruar anëtar nderi i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovë dhe anëtar nderi i Bordit të Guvernatorëve të saj.

Bordi i Guvernatorëve e ka miratuar propozimin e Drejtorit Ekzekutiv, Arian Zekës, që Clarku të nderohet nga kjo odë, njofton Klankosova.tv.

“Ndihemi jashtëzakonisht të nderuar dhe të privilegjuar që një personalitet i shquar si gjenerali Clark, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën, e ka pranuar këtë rol në përvjetorin e njëzetë të organizatës sonë”, u tha nga OEAK.

Ky vendim pritet të forcojë marrëdhëniet ekonomike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, si dhe të promovojë investimet në të dyja vendet.

“Jemi të bindur se ky vendim do të ndihmojë Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë të forcojë më tej marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, si dhe të promovojë mundësitë për investime në të dyja vendet. Kjo do të kontribuojë ndjeshëm në përmbushjen e misionit të organizatës sonë”, theksojnë më tej nga Oda Amerikane.

Gjithashtu, kjo do të kontribuojë ndjeshëm në përmbushjen e misionit të Odës Ekonomike Amerikane.

Ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark e kishte udhëhequr fushatën ajrore kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999.

Hovenier: Mbështesim popullin e Kosovës – kemi mospajtime me qeverinë

VOA

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha të hënën se disa nga zgjidhjet politike të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, e kanë bërë më të vështirë përmbushjen e synimeve të përbashkëta.

Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në komunën e Gjakovës në perëndim të vendit, i pyetur nga gazetarët rreth marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Kosovën.

“Siç e kam thënë shpesh, ne kemi qenë me popullin e Kosovës, jemi dhe do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që ne do të pajtohemi me çdo zgjidhje nga çdo qeveri e Kosovës. Qeveria amerikane dhe të gjithë partnerët tanë si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Bashkimi Evropian, kanë vlerësuar se disa nga zgjidhjet politike të qeverisë së kryeministrit Kurti e kanë bërë më të vështirë përmbushjen e gjërave që ne synojmë së bashku”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kritikuar disa herë Kosovën për mungesë të bashkërendimit në veprimet që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe trajtimin e problemeve në veriun e Kosovës, duke theksuar se kjo ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet tyre.

Qeveria e Kosovës mohon të ketë rënie të shkallës së partneritetit.

Ambasadori Hovenier, theksoi sot se ligjet e Kosovës duhet të përputhen me standardin evropian, duke iu referuar miratimit të ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, javën e kaluar nga parlamenti i Kosovës, mes kundërshtimeve të opozitës, Bashkimit Evropian, shoqatave të gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile.

“Këshilla e qeverisë amerikane për qeverinë e Kosovës është që të sigurohet se kur miraton ligje të përputhet me standardet evropiane sepse do ta lehtësojë atë proces që ne të gjithë duam ta shohim të ndodhë – Kosovën që përparon drejt Bashkimit Evropian. Këndvështrimi ynë është shumë i qartë, Kosova duhet të jetë një ditë anëtare e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe organizatave të tjera evropiane prandaj nuk është e mençur të ecet përpara me ligje që pikërisht ato institucione evropiane si Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian, OSBE-ja kanë vlerësuar se mund të mos përputhen tërësisht me standardin evropian”, tha ambasadori Hovenier.

Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave mes tjerash, parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre nga KPM-ja dhe dënime me gjoba të rënda për mediat që kryejnë shkelje ligjore.

Projektligji i ishte nënshtruar një vlerësimi të Bashkimit Evropian i cili kërkoi mes tjerash qartësimin e kërkesave për licencimin dhe regjistrimin e mediave në përputhje me standardet evropiane dhe qartësimin e sanksioneve dhe gjobave ndaj tyre.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë shprehën shqetësimin për mospërfshirjen rekomandimeve ndërkombëtare.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e vlerësoi atë si goditje ndaj lirisë së medias dhe tentim për disiplinim e kontrollimin e tyre.

Qeveria e Kosovës tha ndërkaq se ligji “sjell barazi dhe konkurrencë të shëndoshë në treg sepse në plotni përcjell direktivën për Shërbimet e Mediave Audiovizuele të Bashkimit Evropian” duke theksuar se gjobat e parapara janë harmonizuar me ligjin në fuqi për kundërvajtjet.

Për të hyrë në fuqi, pas miratimit në parlament projektligji duhet të nënshkruhet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Por, partitë opozitare në vend kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë atë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Media online në Kosovë aktualisht vet rregullohet nëpërmjet Këshillit të Mediave të Shkruara duke u mbështetur në Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës.


Send this to a friend