Edi Rama po tregohet i palodhur për të bindur qytetarët se Teatri Kombëtar duhet prishur, duke risjellë nëpër media deklarime dhe argumente pro shembjes së tij, të lëshuara njëherë e një kohë nga persona të njohur publikë, qofshin këta të gjallë, qofshin edhe të vdekur. Kjo sprovë e tij nuk mund të mos më çonte në disa kujtime të njëherë e një kohe kur Edi Rama fliste ndryshe.
Po përdor fjalën “fliste” dhe jo “argumentonte” apo “mendonte”, pasi sot, që e njoh më mirë, them se ato që mund të quhen mendime të Ramës, kanë qenë dhe janë thjesht ide të huazuara sipas interesave të rastit mbi parimin “përdor dhe hidh”. Mendova, megjithatë, t’i risjell në kujtesë, jo për të shtyrë Edi Ramën të rimendojë, pasi mekanizmi i mashtrimit dhe vetëmashtrimit është instaluar tashmë në mënyrë të pakthyeshme në psikikën e tij, por për t’iu drejtuar atyre që ai u drejtohet sot, nëpërmjet vetë Edi Ramës kur pozonte si intelektual që kërkonte të vërtetën dhe përçmonte politikanët, të cilët kërkonin votën dhe intelektualët shërbëtorë të regjimit të vjetër e të ri. Për këtë do të sjell disa nga kujtimet e mia të atyre viteve me Edi Ramën, që lidhen me urbanistikën dhe arkitekturën e Tiranës.
Një ndër kujtimet e para është kur biznesmeni shqiptar me origjinë nga Maqedonia, Vehbi Velia, kërkoi të ndërtonte një kullë në qendër të Tiranës, në sheshin prapa monumentit të diktatorit Hoxha, midis Bankës dhe Muzeut Kombëtar. Ai e kishte blerë asokohe atë truall dhe filloi lobimin për ta ndërtuar kullën e tij. Në një moment të caktuar, mua dhe Edi Ramës na u kërkua nga njerëzit e tij të firmosnim një tip peticioni, të cilin, na u tha, e kishin firmosur shumë intelektualë të shquar, me në krye Ismail Kadarenë e Dritëro Agollin, me të cilët synonte t’i bindte autoritetet se ngritja e saj do të ishte një hap i madh përpara i Tiranës drejt modernizimit. Më kujtohet se e diskutuam firmosjen e këtij peticioni me Edi Ramën dhe argumenti ynë kryesor kundër, nga pikëpamja urbanistike – arkitektonike, ishte shprehja e habisë sesi mund të mendohet të ngrihet një kullë e tillë, që do të pengonte shikimin e malit të Dajtit e krejt kurorës së Tiranës. Sipas nesh, ndërtesat e larta do duhej të ngriheshin në periferi për të ruajtur edhe qendrën historike, edhe pamjen e kurorës. Kujtoj gjithashtu, se kemi folur me qesëndi për delirin e Vehbiut, i cili donte të përçudnonte qendrën, duke parashikuar madje edhe zhvendosjen nga pozicioni të Skënderbeut, si dhe për firmosësit e atij peticioni.
Një tjetër kujtim që dua të sjell është një bisedë që kam bërë me Edi Ramën, në kohën kur ky u bë ministër i Kulturës. Ishim në një sallë të katit të katërt të selisë së atëhershme (ishKomiteti Qendror), që shihte nga veriu. Nga dritaret e saj dukeshin dy kullat, e quajtura asokohe “të arabit”, kundër të cilave kishte folur e shkruar aq shumë Maks Velo, me argumentin se kishin masakruar perspektivën e bulevardit. Nuk më kujtohet nëse ishin mbaruar apo qenë në mbarim e sipër, por më kujtohet se Edi Rama më tha, duke bërë edhe gjestin me dorë, se ato duhet të priteshin, d.m.th. të mos kalonin lartësinë e ndërtesës së ish-Komitetit Qendror.
Jemi në kohën kur Rama emëroi si kryetar të Institutit të Monumenteve të Kulurës Artan Shkrelin, i cili kishte punuar e ishte specializuar në Itali për restaurim të monumenteve të kulturës. Në kohën kur ishim të tre miq e intelektualë pa pushtet, ky kishte botuar në revistën “Përpjekja” (anëtar i bordit të së cilës ishte edhe Edi Rama), një artikull të shkëlqyer, me bashkautor arkitektin Daniel Gjoni (edhe ky i thirrur më vonë nga Rama si bashkëpunëtor i tij i afërt në bashki), të titulluar “Tirana – ferri urban i fundshekullit XX”. Aty sintetizoheshin krejt kritikat që ndanim asokohe ndaj politikave të deriatëhershme urbane – arkitektonike që po sillnin shkatërrimin e Tiranës historike, të hapësirave publike etj. Mes të tjerave, Shkreli së bashku me Gjonin, shpreheshin edhe kundër ekspansionit horizontal dhe vertikal të Tiranës. Citonin edhe historianin, kritikun e arkitekturës e planifikimit urban, filozofin që është marrë me efektet e teknologjisë në jetën njerëzore, Lewis Mumford. Citimi i zgjedhur kishte të bënte, pikërisht me ekspansionin vertikal: “… fillimisht, ky ekspansion ndodhi në qytetet më të mëdha, por gabimet radikale që u bënë në periudhën e ideimit të gradaçielave, tani janë përhapur në të gjithë universin, pak nga përgjumja e organeve të kontrollit, dikur shumë të rrepta, pak nga kërkesat komerciale, pak nga dëshira për të ndjekur modën e pak nga dëshira e arkitektit për të përdorur teknologjitë e reja”.
Shkreli dhe Gjoni shkruanin asokohe: “Kombinimi i ekspansionit horizontal me atë vertikal po prodhon përfitimet maksimale në kurriz të një mjedisi të pafuqishëm për të rezistuar pa u degraduar, sikurse po ndodh realisht në Tiranë dhe qytetet e tjera shqiptare, dhe për më tepër do tentojë të ndodhë akoma më tragjikisht në të ardhmen”. (“Përpjekja” 10, maj-gusht 1997).
Aq radikal ishte Shkreli në bisedat tona për sa i përket ruajtjes së trashëgimisë dhe identitetit, sa ankohej me të madhe se pse hotel “Rogneri” (që, gjithsesi, u projektua me kujdesin që të mos kalonte lartësinë e ndërtesave të Kryeministrisë dhe ishKQ) u ndërtua me material të dobët (parafabrikate e suvatim), çka e bënte të mos rrinte mirë krahas ndërtesa përbri të ndërtuara me material shumë më të çmuar. E pra, mbi këto ide e lançoi Rama veten e tij si ministër Kulture e më pas si kryetar bashkie. Premtimit të tij urbanistik – arkitektonik ia vuri emrin “kthim në identitet”, që e filloi me restaurimin e ministrive, me kthimin e aksit të bulevardit dhe ndërtesave rreth e pranë tij (përfshirë edhe Teatrin) në monument kulture si dhe pastrimin e kioskave.
Mirëpo, s’kaloi shumë dhe Edi Rama ndërroi lëkurë. Një ditë të bukur na u paraqit me një projektide për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin atje të një kulle, që do të mbante brenda edhe një teatër. E kishte harruar fare se kullat në qendër pengonin shikimin e kurorës së Tiranës dhe se Tirana historike duhej kthyer në identitet. Asokohe, në një debat të organizuar në sallën e Teatrit, i pati thuajse të gjithë kundër. Me sa kujtoj, bënte përjashtim drejtori apo ish-drejtori Xh. Ferri dhe dy ndërtues të interesuar për kullën që qëndruan në fund të sallës, por që kujtoj se u bënë shumë agresivë ndaj meje, kur u mbyll debati. Për ironi, nga sharjet e kërcënimet e dhunshme të këtyre miqve të rinj të Ramës, më larguan asokohe Artan Shkreli dhe Artan Lame, të cilët me hipën në makinën e tyre.
Vazhdimin e dinë të gjithë. Sot, malin e Dajtit dhe kurorën e Tiranës që donte të mbronte Rama intelektual, mund ta shohin vetëm pronarët e kullave që ka ngritur Rama politikan nga katet e tyre të larta. Ndërtesat historike, një listë të gjatë të të cilave e bëri Shkreli dhe Lame asokohe me synimin për t’u shpallur të mbrojtura, janë gllabëruar ose zhvleftësuar nga monstrat njerëzore dhe arkitektonike të Ramës.
Shkreli dhe Gjoni dolën profetikë me artikullin e tyre ku paralajmëronin se ekspansioni horizontal dhe vertikal do të zhvillohej edhe “më tragjikisht në të ardhmen”, por jo dhe aq për rolin e tyre në këtë tragjedi. Ndoshta, në atë kohë nuk e kanë menduar se do të bëheshin vetë protagonistë të parë të kësaj tragjedie, por më shumë gjasa ka që, ashtu si kapua i tyre, idetë e “Tirana – ferri urban i fundshekullit XX” t’i kishin edhe ata të huazuara sipas parimit “përdor dhe hidh”. Sot, së bashku me Ramën e asaj kohe, edhe Shkreli e Gjoni i asaj kohe kanë vdekur, por meqenëse Rama i sotëm po na sjell edhe argumente të të vdekurve, vlen që edhe argumentet e këtyre të vdekurve të publikohen sot si kundërpeshë ndaj të vdekurve që Rama po na i ringjall si mbështetës të shembjes së Teatrit.
Artan Shkreli/ Daniel Gjoni
SHKRELI E GJONI, 22 VJET MË PARË/
Në funksion të analizës së tij, analisti Fatos Lubonja ka nxjerrë nga arkivi pjesët kryesore të një shkrimi të 22 vjetëve më parë, shkruar nga dy arkitektë: Daniel Gjoni dhe Artan Shkreli. Është viti 1997, Tirana dhe e gjithë Shqipëria është kioskëzuar dhe ndërtesat kanë filluar t’i marrin frymën çdo hapësire publike. Cili është qëndrimi i arkitektëve asokohe?
ARTAN SHKRELI & DANIEL GJONI
Politika urbane në Shqipëri përgjithësisht nuk u udhëhoq nga parime urbanistike. Nuk arriti të përvijohej ndonjë politikë ripërcaktimi territorial si në Çekosllovaki, një teori e zgjerimit të qyteteve ekzistuese pa asgjësuar bërthamat historike si në Rumani, një politikë planesh në nivel rrethi si në Bullgari apo ajo e krijimit të zonave rezidenciale me shtëpi të tipit vila private si në Hungari.
Ndonëse të ideologjizuara, këto politika patën në bazë të tyre edhe parime urbane të shkollave perëndimore.
[…] Në Shqipëri nuk ndodhi kështu, ato u ndoqën me një fanatizëm primitiv. Arketipi urban i qytetit shqiptar rezultonte pa karakteristika kulturore, gjeografike e historike (për shkak të eliminimit të kuartiereve të “vjetra”, që u zhdukën në emër të “së resë” dhe “luftës kundër mbeturinave të së kaluarës”) pa ngarkesa emocionale (për shkak të atrofizimit programatik të shpirtit krijues) e, mungesës së profesionalizmit në këtë fushë). Qytetet, në pjesën më të madhe të tyre, ishin të trishtuara, por, sidoqoftë, të rregullta, të pastra dhe pak a shumë në përputhje me normativat urbane të përcaktuara nga ligji.
Bashkia e vjetër e Tiranës, shembur në vitin 1980
Askush nuk imagjinoi atëherë se e keqja më e madhe për qytetet tona akoma nuk kishte ardhur.
Ndryshimet politike dhe për rrjedhojë eliminimi i faktorëve të sipërpërmendur, zgjoi shpresat për hartimin e një legjislacioni apo kodi urbanistik të detajuar, që duhej krijuar nga një bashkëpunim ekspertësh të huaj me eksperiencë në sektor dhe specialistësh tanë të fushave të arkitekturës, mjekësisë, sociologjisë, gjeografisë, agronomisë, policisë etj., mbi bazën e principeve të një qytetarie demokratike.
[…] Si rezultat kemi humbjen e kontrollit mbi territorin, e cila çon në degradim territorial. Te ne është ushqyer kryesisht nga dy faktorë bazë:
1. Mungesa e një Plani të Përgjithshëm Rregullues, të shoqëruar nga një legjislacion dhe një kod urban të përshtatshëm,
2. Permisivizëm ilegjitim e abuziv, si shprehje e impotencës së një organizimi të caktuar shoqëror për të frenuar korrupsionin në instancat e ndryshme të burokracisë shtetërore;
Këto mund të konsiderohen ndër simptomat më evidente të dekadencës së një shteti dhe shkallës së ulët të organizimit të një shoqërie. Kjo gjë vihet re fare qartë në mungesën apo mospreokupimin për një politikë të përcaktuar urbane në pothuajse të gjitha programet e grupimeve politike shqiptare, gjë që domosdoshmërisht do të shpjerë në krijimin e ekzekutivëve të paaftë për t’u përballuar edhe me problemet më klasike urbane si strehimi, trafiku, higjiena, infrastruktura, shërbimet etj.
Mosthellimi në këto problematika solli tragjedinë urbane, aktor i së cilës është çdo kryeqytetas e çdo shqiptar. TIRANA ËSHTË FERRI URBAN I FUNDSHEKULLIT XX, një shembull manuali “par excellence”, objekt interesant studimi nga ana e urbanologëve, politikanëve dhe legjislatorëve.
Sheshi në vitet ‘40
* * *
[…] Shkaqet janë të shumta e të njohura, por mungesa e respektimit të së drejtës në raport me komunitetin (qytet apo kuartier) ose me individin sjell pashmangësish përdorimin jokorrekt të territorit. Ky përdorim jokorrekt çon në humbjen e kontrollit mbi këtë territor, duke vënë në dyshim jo vetëm efikasitetin e politikave urbane, por edhe ekzistencën e vetë shtetit, parë në kuadrin ligjor. Anarkia është produkti më i natyrshëm dhe lehtësisht i vërejtshëm në shoqërinë e sotme shqiptare, ku rregulli konsiderohet si një përjashtim.
* * *
Te ne, bonum commune nuk është përcaktuar nga një politikë që ka në bazë të saj kulturën urbane, por nga një politikë që konsideron si parësore dhe të vetme vetëm vlerat materiale në kuptimin negativ të shprehjes. Kjo gjë bëri që njerëzve t’u lindin (e t’u nxiten) ide të gabuara mbi të drejtën, demokracinë, lirinë dhe tregun. Ideja se mund të blihet dhe të shitet çdo gjë gjeti shprehjen ideale në zgjerimin intensiv (si fazë e parë, e cila akoma nuk ka përfunduar) dhe atë ekstensiv (gjë që ka filluar të vihet në zbatim, sidomos nga investitorët e fuqishëm e që akoma nuk është bërë karakteristike) të qytetit.
“Kapitalizmi” i 3-4 viteve të fundit “u mësua ta konsiderojë” parcelën e vogël, bllokun hapësinor të banimit, parqet, rrugicat dhe bulevardet si njësi abstrakte që blihen dhe shiten pa marrë parasysh traditat historike, kushtet topografike, nivelin e urbanizimit apo nevojat shoqërore. Dhe jo vetëm kjo, por ideja se toka është e imja dhe me të bëj ç’të dua, mposhti çdo rezistencë institucionale dhe u rrënjos si diçka normale (gati-gati ligjore) edhe në mentalitetin e shtresës drejtuese shqiptare. Natyrisht që kjo nuk ndodh vetëm për paaftësi, por kryesisht për shkak të një kompromisi të heshtur njerëzish (publikë e privatë) të lidhur me fushën në fjalë, që për t’i hequr kalit të ngordhur patkonjtë, hoqën dorë nga planet e vjetra rregulluese (e duke zvarritur përpilimin e PPR të ri) nën alibinë e paaplikueshmërisë së planeve socialiste rregulluese dhe mosadaptueshmërinë e tyre për kushtet e reja.
Kështu, në pjesën më të madhe të ndërhyrjeve urbanistike apo ndërtimeve, nuk merren parasysh nevojat dhe aktivitetet njerëzore, por vëmendja përqendrohet vetëm në ato njësi apo pjesë, të cilat mund të blihen ose shiten. Njësia bazë tani nuk është më blloku ose lagjja e banimit, por sipërfaqja e veçantë e ndërtimit, vlera e së cilës mund të çmohet në bazë të metrave katrore dhe numrit të apartamenteve që shiten e që, për efekt të shfrytëzimit maksimal, shpeshherë kompozohen në projekt me sasira minimale ajri dhe drite.
Sheshi Skenderbej sot
Për shkak të këtij kompromisi të heshtur, nuk gjendet askush që të protestojë pasi të gjithë ndodhen në të njëjtin pozicion përfitimi: qoftë arkitektët e inxhinierët që bëjnë projektin, qoftë spekulatorët që shesin, qoftë noterët apo avokatët që përpilojnë aktet, qoftë ndërmarrjet e ndërtimit, qoftë imobiliarët që kontraktojnë e deri te funksionarët e shtetit që korruptohen për shkak se shesin fuqinë e tyre mbi lejet e shesheve apo ndërtimeve (kjo në rastin më të mirë kur këto bëhen me leje – në rast të kundërt e njëjta gjë vlen dhe për organet administrative te kontrollit dhe ato të policisë ndërtimore).
Vetëm kështu, territori urban mund të shndërrohej në një mall, vlera e të cilit përcaktohet jo vetëm nga tregu, por dhe nga shkalla e korrupsionit. Tani po asistohet në fenomenin e trajtimit të terreneve vetëm nga pikëpamja e fitimit, pa u marrë në konsideratë elemente të rëndësishme profesionalr si trafiku, orientimi, drejtimi i erërave, peizazhi urban, dendësia e popullsisë etj.
* * *
Qyteti i viteve ‘90, jo vetëm që nuk arriti të prodhojë të paktën ndonjë kuartier rezidencial të privilegjuar, por shkatërroi dhe të vetmin ekzistues në Shqipëri: ish-bllokun, që tani po transformohet në një kuartier popullor.
Justifikimet morale “de facto” të këtij shkatërrimi janë të shumta, por një ndër më të rëndësishmet konsiderohet bumi demografik që godet pa mëshirë Tiranën e viteve ‘90. Ardhja e pakontrolluar e mijëra dhe mijëra familjeve brenda një harku të shkurtër kohor nuk është shoqëruar kurrë me masa shtetërore për të zbutur dhe kontrolluar sa më tepër këtë impakt që po rezulton shkatërrues.
* * *
Kuartieret që sot po lindin jashtë kontrollit e po dendësohen jashtë një plani logjik urbanistik, do të jenë problemi i së nesërmes për një sërë patologjish urbane që njihen mirë nga eksperienca botërore, por dhe lehtësisht të imagjinueshme duke parë se ç’po ndodh në Tiranë. Do të ndodhë që nuk do të gjendet hapësirë që qyteti të ndërtojë godinat e tija publike, pasi nuk mund të bëhet kjo gjë pa blerë dhe ruajtur terrene shumë kohë më parë se të paraqitet nevoja; do të ndodhë që nuk do të gjenden më hapësira për parkim dhe qarkullim; do të ndodhë që higjiena do të mbesë e komprometuar edhe pas ndërhyrjesh serioze që dikur edhe mund të ndërmerren; do të ndodhë që kriminaliteti të mos kontrollohet në kuadrin e normalitetit. Zonat urbane që po lindin jashtë kontrollit dhe kuadrit ligjor do të jenë problemet e së nesërmes. Që tani është bërë i pakontrollueshëm degradimi i jetës sociale dhe rritja e krimit në kuartieret e tronditura nga urbanizimi i paplanifikuar.
Pamje nga Tirana
* * *
Përdorimi i ashensorit po rrit edhe vertikalisht qytetin (ekspansion vertikal). Lewis Mumford për këtë thotë se “… fillimisht, ky ekspansion ndodhi në qytetet më të mëdha, por gabimet radikale që u bënë në periudhën e ideimit të gradaçielave, tani janë përhapur në të gjithë universin, pak nga përgjumja e organeve të kontrollit dikur shumë të rrepta, pak nga kërkesat komerciale, pak nga dëshira për të ndjekur modën e pak nga dëshira e arkitektit për të përdorur teknologjitë e reja”.
Kështu, kombinimi i ekspansionit horizontal me atë vertikal po prodhon përfitimet maksimale në kurriz të një mjedisi të pafuqishëm për të rezistuar pa u degraduar sikurse po ndodh realisht në Tiranë dhe qytetet e tjera shqiptare dhe për më tepër do tentojë të ndodhë akoma më tragjikisht në të ardhmen. Trafiku kaotik është i pranishëm nën dritaret e secilës shtëpi, pasi numri i automobilave nuk varet më vetëm nga sipërfaqja që zënë godinat, por dhe nga lartësia e tyre. Në këtë mënyrë, mungesa e hapësirës së lëvizjes ka bërë atë që zona gjithnjë e më të mëdha të qytetit të shndërrohen në rrugëza, në sheshe të ndyra parkimi, rrugë kalimi makinash, garazhe apo varreza automjetesh.
Tirana sot
Të parat që u nënshtrohen modifikimeve masakruese janë ato zona historike (me dendësi të ulët ndërtimesh), që kanë mbetur gjysmë të rrënuara nga e kaluara. Pas një procesi asgjësimi me natyrë ideologjike që pësuan këto kuartiere gjatë viteve të diktaturës, tani po i nënshtrohen një tjetër procesi që asgjëson dhe memorien e tyre (amnezi urbane) e që ka natyrë komerciale. Kujtesa historike e lagjeve, parqeve të lojërave, atyre të gjelbëruar, pikave të takimit të njerëzve po humbasin me një shpejtësi tronditëse. Gati askush nuk i gjen më kopshtet e fëmijërisë, shkollat, parqet ku ka shëtitur në mbrëmjet e dashurive rinore, fushat e sportit ku ka luajtur, shtëpitë e vjetra të gjyshërve etj. Përmasat e kësaj katastrofe shpirtërore janë akoma të pallogaritshme. Bile, as godinat, rrugët, lagjet apo qytetet “e ruajtura” nga shteti nuk i kursehen kësaj shfarosjeje të grimcave të fundit të kujtesës dhe kulturës sonë materiale.
Duket se të gjithë janë çmendur dhe se askush nuk shqetësohet për faktin elementar se e ardhmja përcaktohet në një masë të madhe nga e kaluara.
Në zona të tëra po eliminohen parqet dhe sheshet rekreative – dhe ky është një skandal; po priten pemë të vjetra e dekorative – dhe ky është një tjetër skandal, po prishen godina që transmetojnë një kujtesë të çmuar të së kaluarës – dhe ky është një skandal; po komprometohet gati në mënyrë të parikuperueshme peizazhi urban – dhe ky është një nga skandalet e skandaleve. Dhe të gjitha këto nuk janë vepër e privatëve zotërinj, të gjitha këto janë vepër ekskluzive e shtetit shqiptar, e politikanëve shqiptarë, e profesionistëve shqiptarë të fushës.
Gafat janë të panumërta: kioskëzimi neveritës që arrin kulmin në parkun “Rinia”; mbyllja përfundimtare e kompleksit të lojërave për fëmijë në hyrje të Rrugës së Elbasanit (madje, kjo duhet konsideruar vepër penale dhe krim kundër fëmijëve); zhdukja e ndërtesave të Tiranës së viteve ‘20–‘30, mjaft interesante nga pikëpamja kulturore e artistike, shembull tipik i një stili eklektik (si në rastin e ish-jetimores në Rrugën e Kavajës); për të arritur në nivele të pakonceptueshme, si ngritja e një megagodine për Bankën e Kursimeve të Degës së Tiranës, gjë që solli “coup de grace” së pari për Hotel Internacionalin – dëshmitar i jetës politike të periudhës së Mbretit Zog dhe hotel që me imazhin dhe historinë e tij të “Belle Epoque” shqiptare meritonte një restaurim shkencor dhe një rikuperim “alla francaise” të sheshit përpara tij deri në trotuarin e rrugës së Kavajës, së dyti, nxjerrjen krejt jashtë loje të godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, shembulli më i shkëlqyer i neoklasicizmit në Shqipëri. Mund të renditen këtu me dhjetëra e dhjetëra shembuj të shëmtuar që nuk i lejon hapësira e këtij shkrimi, por nuk mund të lihet pa përmendur krimi që po bëhet në kurriz të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga një godinë shumëkatëshe që pret për t’u ndërtuar pak a shumë përballë Kryeministrisë, godinë që me lartësinë e saj do të “thyejë” vazhdimësinë e qetë të bulevardit dhe do dëmtoje rëndë perspektivën e tij duke krijuar një pikë frakture që vizualisht shkurton distancën. Ç’gabim i rëndë ky qoftë edhe për profesionistët më pak largpamës. Do të ishte njësoj si të ndërtoje një gradacielë në mes të Champs Elysee-se në Paris_.
Ç’është më e keqja, me ç’shihet, ky është vetëm fillimi. Nëse vazhdohet me këtë politikë urbane, Tirana nuk do të ketë më parqe lojërash për fëmijët e saj për shkak të çmimeve të larta të terrenit të tokës e, si rrjedhim, rrugët gjithnjë e më tepër do të fitojnë një rëndësi që nuk duhet ta kenë. Ato tani do të shndërrohen padrejtësisht në “parqe”, në “vende shëtitjeje” dhe “fusha loje”, por fatkeqësisht do të jenë parqe të zvjerdhura, vende shëtitjeje plot baltë ose pluhur dhe fusha lojërash të rrezikshme.
Pakkush, ose askush, preokupohet për faktin elementar se një qytet nuk mund të kontrollojë zhvillimin e ekspansionit të tij nëse nuk kontrollon ndryshimet dhe zhvillimin e territorit të tij. Nga sa shihet, gjithkush ka të drejtë të mendojë se qyteti shqiptar me politikën dritëshkurtër e sharlatane të klasës drejtuese ka pushuar tashmë së konsideruari si një institucion publik, por përkundrazi, po funksionon si një ndërmarrje tregtare private, që preokupohet të garantojë vetëm përfitimet më të mëdha pa përjashtime apo skrupuj.
Spekulimi i shfrenuar dhe i pakontrolluar po varfëron deri në pika kritike nivelin higjenik të mjedisit. Higjiena urbane kërkon domosdoshmërisht madje me urgjence, hapësirat ligjore të saj, pajisje bashkiake dhe rezerva të tjera që janë neglizhuar.
Në asnjë vend të botës, furnizimi me ujë, heqja e plehrave dhe mbeturinave, si dhe pastrimi i gropave të zeza nuk i është lënë në dorë iniciativës private për arsyen e thjeshtë se aktivitete të tilla nuk mund të sigurojnë fitime që ta tërheqin privatin. Kjo gjë vlen akoma më shumë për kushtet aktuale ekstreme, në të cilat ndodhet higjiena urbane e kryeqytetit shqiptar.
* * *
Ajri rezulton akoma më i pashëndetshëm. Monoksidi i karbonit helmon përditë mushkëritë e njerëzve në çdo pikë të qytetit. Askush nuk e di se sa është sasia e tij në ajër sepse nuk ekzistojnë pajisje që ta matin atë, por dihet me siguri që në distancë kohore ai bashkë me mishelën e pluhurave dhe pezullive që qelbin ajrin e Tiranës, do të shkaktojnë shumë më tepër viktima sesa plumbat e gjithë kalashnikovëve të marrë së bashku. Specialistët e sektorit janë të bindur për këtë.
Niveli i smogut që ka arritur Tirana nuk i skandalizon njerëzit, sepse askush nuk u ka bërë të ditur atyre për rrezikshmërinë e tij, por kjo është njësoj si të jesh i sëmurë me kancer dhe të rrish i qetë sepse nuk e di një gjë të tillë. Pa njohje të problemit nuk mund të ketë terapi të tij. Dhe pa një impenjim human, politik dhe ekonomik nuk mund të njihen e të zgjidhen probleme të tilla të një rëndësie kapitale për një shoqëri civile.
Situata rëndohet më tej dhe bëhet skizofrenike nëse kemi parasysh dhe nivelin e zhurmave në akset kryesore të qytetit. Bëhet fjalë për një helmim të vërtetë akustik pasi është provuar se zhurmat provokojnë ndryshime të mëdha fiziologjike dhe disa sëmundje si ulcera gastrike dhe hipertensioni arterial të cilat mund të rëndohen në një mjedis të mitraluar nga zhurmat e burive dhe motorëve të makinave. As për këtë nuk ekzistojnë impiante apo indikatorë që të matin nivelin akustik të zhurmave në pika të ndryshme të qytetit. Pajisjet për këtë nuk janë të shtrenjta (sikurse ato për ta shëndoshur këtë situatë), por mungon preokupacioni i administratave dhe sensibilizimi i opinionit publik që e lejon këtë gjendje të shkojë përpara.
Zhvillimi kaotik nuk merr parasysh as minimalisht transportet*, duke prodhuar pashmangësish parregullsi të mëdha urbane. Sot nuk ekziston praktikisht diferencë ndërmjet rrugëve kryesore dhe jokryesore dhe aq i pazgjidhur është sot trafiku saqë praktikisht Tirana është në gjendje kolapsi. Shpesh rezulton më i shpejtë spostimi në këmbë nga unaza në qendër sesa me makinë (sidomos në orët e mëngjesit), pasi të gjitha flukset e hyrjes së makinave në qytet përplasen në dy-tri akse që nuk janë në gjendje t’i përballojnë ato dhe për më tepër nuk janë projektuar për një gjë të tillë. […]
* * *
Kurrsesi nuk duhet menduar se privatët janë shkaktarët e një gjendjeje të tillë. Ata duhet të kërkohen në politikat e mbrapshta që e spostojnë shoqërinë shqiptare si lavjerrësin e Foucault-së nga një komunizëm paranojak në një individualizëm të shfrenuar. Pas 45 vjetësh të një ekonomie të centralizuar dhe planifikuar, liberizmi u pa si liri për të bërë gjithçka dhe ishte pikërisht ky liberizëm dhe ky permisivizëm që e bëri Tiranën një Las Vegas në mizerje; ku në vend të krenarisë për gjelbërimin e qytetit, për Universitetin dhe institucionet publike i dha turpin e shndërrimit të Pallatit të Kulturës në bingo. Asgjë nuk mund ta dëmtonte më tepër imazhin e iniciativës private, që duhet të lindte se sa mungesa dhe preokupacioni i politikanëve për t’u marrë ca më seriozisht me problemet urbane dhe e profesionistëve të fushës që të protestonin ca më tepër për një politikë urbane në shërbim të të gjithëve. Politika, më tepër se luftë ndërmjet kundërshtarësh, duhet parë edhe si një analizë për zgjidhjen e problemeve individuale dhe të grupeve.
Dëshpëruese është se fëmijët e kryeqytetit rriten me urrejtjen dhe repulsionin për këtë mjedis, për Tiranën për Shqipërinë dhe nihilizmin për çdo gjë që bie era Shqipëri. Urbanistika është parë nga iluministët gjithnjë me prioritet dhe është trajtuar si një diskutim i hapur mbi edukatën. Kioskëzimi apo jo i Place de la Concorde ka të njëjtën peshë me edukimin ose jo të fëmijëve se nuk është mirë të vjedhin. Dhe kjo është e natyrshme pasi në bazën e urbis qëndron dhe duhet të qëndrojë koncepti i bonus commune. Humbja e vlerave në një mënyrë apo një tjetër është e lidhur edhe me degradimin e mjedisit urban dhe për rrjedhojë uljen e nivelit të konceptimit politik për të ardhmen. Dhe kjo përkthehet në atë që qytetet dhe periferitë e tyre paraqesin një degradim kaq bombardues këto vite saqë banorët e Tiranës kanë humbur ndjeshmërinë ndaj kësaj mynxyre dhe jo vetëm ata, por edhe profesionistët dhe njerëzit e kulturës, të cilët ndoshta mund të ndikonin diçka në këtë drejtim – deri sot shpesh i kanë pranuar këto skandale me indiferencë.
Ky është një rreth vicioz i vështirë për t’u krijuar dhe akoma më i vështirë për t’u prishur. Në Shqipëri, ky rreth në një masë të madhe është krijuar. I takon klasës udhëheqëse që ta konsiderojë qytetin më së fundi si problem të theksuar politik. I takon politikanëve të programojnë një PPR, t’i rijapin qytetit gjelbërimin e humbur, diellin e humbur, qiellin e pastër, ajrin, ujërat, të marrin nën mbrojtje çka mund të mbrohet akoma, të sigurojnë urbanizime në toka të shëndetshme për kuartieret e reja të banimit, për të cilat njerëzit kanë aq nevojë, të zgjidhë sistemin e transporteve, të përmirësojë shërbimet në qytet: shkollat, ambulancat, urbanin, telefoninë, ujin, elektrikun, ngrohjen; të ruajë kurorën e gjelbëruar nga prerjet dhe ndërtimet; të pengojë me çdo kusht betonizimin e kodrave të Tiranës si një pasuri kombëtare dhe individuale; t’i verë fre abuzivizmit në ndërtim dhe të ndëshkojë ashpër, pa dallim e këdo që nuk e konsideron qytetin si institucion publik Nëse nuk do të shpresonim për një gjë të tillë, nuk do t’i shkruanim këto rreshta.
Prokuroria e Posaçme dërgoi të martën në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për të lejuar arrestimin e zv. kryeministres Belinda Balluku, nën akuzë për manipulimin e një sërë tenderash të Unazës së re me vlerë dhjetëra miliona euro.
Kërkesa e SPAK vjen si përshkallëzim i vendimit të mëparshëm për pezullimin nga detyra të Ballukut, i cili u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pas një përballje me kryeministrin Edi Rama.
Përveç dy hetimeve të mëparshme për tunelin e Llogarasë dhe një lot të Unazës së Madhe, SPAK njoftoi të martën se Balluku ka marrë cilësinë e personit në hetim për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesmarrësve në tendera edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi lidhur me ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.
Tenderat e rinj janë: “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”; “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”; “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”; “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”. Të gjithë këta tendera u zhvilluan në të njëjtën kohë në shtator 2021.
Sipas një analize të mëparshme të BIRN, nga shtatë tenderat e Unazës së Madhe, gjashtë u fituan me shuma që shkonin nga 94.5% deri në 96.1% të fondit limit. Nga 48 kompani që morën pjesë në garë, 35 operatorë – ose 73% – u skualifikuan. Në disa raste, kompani të mëdha u nxorën jashtë gare për mungesë dokumentacioni bazik, si mosparaqitja e listës së stafit; ndërsa në raste të tjera për kritere teknike të pazakonta, si mungesa e një licence specifike për zhurmat. Kompani të tjera morë pjesë në garë fiktivisht. Ekspertët thonë se këto janë zakonisht të dhëna për tendera me probleme.
Menjëherë pas bërjes publike të kërkesës për heqjen e imunitetit të Ballukut, kryeministri Edi Rama reagoi duke akuzuar sërish prokurorinë për arreste pa gjyq, duke lënë të kuptohet se do të vijojë të mbrojë numrin 2 të qeverisë së tij. Përmes një mesazhi në platformën X, Rama tha se kërkesa e prokurorit special nuk do të paragjykohej, por veçoi gjithashtu Ballukun nga rastet e tjera.
“Ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi,” shkroi Rama.
Balluku dhe ish-drejtues të ARRSH-së, Evis Berberi, Gjyli, Elezi e vartës të tjerë të saj, u akuzuan fillimisht se kanë manipuluar dy tenderat për Tunelin e Llogarasë dhe të lotit 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me vlerë totale 210 milionë euro, duke favorizuar kompanitë fituese. Për këtë akuzë GJKKO caktoi pezullimin e saj nga detyra më 20 nëntor të këtij viti.
Kryeministri Edi Rama e kundërshtoi vendimin publikisht edhe ligjërisht, duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese pezullimin e efekteve të vendimit deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese dhe interpretimin e nenit kushtetues që parashikon se “anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale që i njeh jo vetëm Kushtetuta, por edhe legjislacioni procedural penal”. Gjykata Kushtetuese caktoi pezullimin e vendimit të GJKKO dhe njoftoi se do vendoste për themelin në Janar./Birn
Prokuroria e Posaçme akuzon Ergys Agasin dhe Ermal Beqirajn se krijuan një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, edhe përmes dhunës dhe pengmarrjes. Agasi dhe Beqiraj i shpëtuan arrestimit, ndërsa drejtoresha dhe zv.drejtoresha e AKSHI ndodhen në “arrest shtëpie”.
Një operacion i gjerë i Prokurorisë së Posaçme, SPAK, dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, goditi të martën një grup të dyshuar kriminal, i cili akuzohet se manipulonte tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, përmes pengmarrjes apo dhunës.
Bazuar në kërkesën e SPAK, Gjykata e Posaçme caktoi masa sigurimi për tetë persona, përfshi drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj dhe zv. drejtoreshën Hava Delibashi të cilat u vendosën në “arrest shtëpie”.
Prokuroria e Posaçme akuzon gjithashtu Ergys Agasin – një personazh kontrovers i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe biznesmenin Ermal Beqiraj për veprat penale të konkurrencës së paligjshme përmes dhunës, heqjes së paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, grup i struktuaruar kriminal dhe pastrim i produkteve të veprës penale.
Agasi dhe Beqiraj i shpëtuan operacionit të policisë dhe masat e tyre të arrestit me burg mbeten të paekzekutuara.
“Në kuadër të veprimtarisë së “Grupit të strukturuar kriminal”, shtetasit e dyshuar kanë konsumuar veprën penale, “Konkurrencë e paligjshme përmes dhunës” dhe kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, kësisoj, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve,” thuhet në njoftimin e SPAK.
I përfshirë në skemë dyshohet edhe Erion Ismaili, zv.drejtor për hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, ndaj të cilit gjykata ka vendosur “pezullim nga detyra” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”. Po ashtu të akuzuar janë dhe Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta, tre biznesmenë ndaj të cilëve është vendosur masë sigurimi “ndalim për të dalë jashtë vendit”. Të tre akuzohen se morën pjesë në skemën e manipulimit duek lëshuar fatura fiktive apo marrë pjesë fiktivisht në garat e zhvilluara.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, është një prej institucioneve më sensitive në vend, pasi menaxhon thuajse të gjithë sistemin e qeverisjes digjitale përmes E-Albania, përfshi dhe ministren me Inteligjencë Artificiale, ndërsa kryer rolin e ndërmjetësit mes qytetarëve dhe institucioneve të ndryshme në lëshimin e qindra dokumenteve.
Agjencia ka qenë herë pas herë nën kritika për mënyrën e menaxhimit dhe tenderat sekretë, të justifikuar me siguri kombëtare, por skema e hetuar nga SPAK zbulon se kjo agjenci dhe informacionet kritike që ajo përpunon iu vunë në dispozicion një grupi kriminal, i cili përdor ndër të tjera pengmarrjen e rivalëve për të siguruar tenderat dhe para publike. Ndërsa zbulojnë një skemë abuzime me paratë publike hetimet e SPAK po ashtu ngrenë pikëpyetje mbi cënimin e sigurisë kombëtare.
Personat e përfshirë në këtë skemë nuk janë të panjohur. Ergys Agasi, njihet gjërësisht si biznesmen i duhanit dhe po ashtu kontrollon aksione ne një ekip futbolli në vend, por ai është akuzuar nga opozita si një figurë e errët nën kontrollin e kryeministrit Rama. Ish-zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj akuzoi Agasin në një intervistë televizive se vepronte si ndërmjetës mes grupeve kriminale dhe Ramës. Agasi i ka mohuar më parë akuzat.
Beqiraj po ashtu është një figurë e njohur, i përfshirë më shumë se njëherë në intrigat politike në vend. Ai ishte një nga ekspertët që “ndihmoi” në pavlefshmërinë e provave ndaj ish-Presidentit Ilir Meta në kohën kur ky u shfaq në një video, përmbajtja e së cilës aludonte për akte korruptive. Beqiraj po ashtu u bë personazh edhe në atë që u pretendua si fshirje apo kopjim i sistemit të tatimeve në vitin 2015. Sipas të dhënave nga Open Spending Albania, kompanitë e tij kanë marrë 2.1 miliardë lekë nga AKSHI.
E pyetur nga BIRN mbi operacionin e SPAK, kryeministria nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi.
Sipas gazetares Klodiana Lala, biznesmeni Gerond Meçe u mor peng për t’u tërhequr nga gara për tendera në AKSHI.
Klodiana Lala: Pengmarrje, dhunë dhe shantazh, tërheqje nga tenderat. Ky është skandali që SPAK ka zbuluar në AKSHI-n, ku drejtuesja e këtij institucioni Mirlinda Karçanaj është dërguar nën masën e arrestit në shtëpi zv.drejtoresha e AKSHI-t, Hava Delibashi. Ndërkohë është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg për biznesmenin Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, ndërkohë masa ndaluese edhe për biznesmenët Andis Papa dhe Gëzim Hoxha.
Është vendosur pezullimi nga detyra për zv.drejtorin e policisë së Tiranës, Erjon Ismaili.
Nga hetimet e SPAK, rezulton se Ergys Agasi në bashkëpunim me Ermail Beqirin kanë marrë peng shtetasin Gerond Meçe, një prej biznesmenëve që fitonte më së shumti tendera në AKSH dhe pas shantazheve për disa orë me radhë e kanë detyruar të heqë dorë nga gara. Rezulton se ai më pas është tërhequr nga të gjitha tenderat në AKSH, të dhënat janë siguruar jo vetëm përmes celularëve por edhe të dhënave të marra në mënyrë indirekte e direkte nga SPAK.
Ka rezultuar se drejtoresha e AKSHI-t dhe zv.drejtoresha kanë favorizuar kompanitë e Ermal Beqirit, duke i kaluar dhjetëra tendera me vlera të konsiderueshme.
Ndaj Ergys Agasit dhe Ermal Beqirajt rëndojnë akuzat e konkurrencës së paligjshme nëpërmjet dhunës, grupit të strukturuar kriminal, heqje paligjshme e lirisë, kryerje e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, pastrim parash por edhe akuza të tjera.
Ndërkohë ndaj drejtoreshës së AKSHI-t dhe zv drejtoreshës, rezulton se rëndojnë akuzat e shkeljes së barazisë në tendera kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë janë ushtruar dhjetëra kontrolle në banesa, e baza t ndryshme me qëllim sigurim të provave të mëtejshme. Është ushtruar kontroll edhe në ambientet e biznesit të Klajdi Merkaj, i cili është arrestuar më herët në kuadër të organizatës kriminale të Franc dhe Hajdar Çopjas, që drejtohet nga dy vëllezërit. Ka dyshime të forta sipas hetuesve se përmes bizneseve të Klajdi Merkajt janë pastruar milionat e marra nga AKSHI.”
Sipas burimeve, tenderat nën hetim nga SPAK kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e thesarit të shtetit dhe me administrimin e dosjeve gjyqësore
Klodiana Lala:“Së pari është tenderi për mirëmbajtjen e thesarit të shtetit, ka dyshime të forta se grupi i strukturuar kriminal, ku bëjnë pjesë biznesmenët Agasi dhe Beqiri, kishin në dorë të gjitha të dhënat, transaksionet brenda dhe jashtë vendit për të gjitha të dhënat për shtetas shqiptarë e të huaj, kompanitë, por edhe njerëz të ekspozuar politikisht,
Dhe së dyti, tenderi që lidhet me administrimin e dosjeve gjyqësore konkretisht ky grup i strukturuar kriminal, sipas SPAK, dyshohet se kishte në dorë të gjitha të dhënat që lidheshin me dosjet gjyqësore, caktimin e gjyqtarëve, por ecurinë e seancave”.
Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me aksionin e Prokurorisë së Posaçme.
Sipas hetimeve të SPAK rezulton se biznesmeni Gerond Meçe është marrë peng nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri në bashkëpunim me zyrtarë të Policisë së Shtetit duke e detyruar që të dorëhiqet nga tenderat në lidhje me AKSHI.
Pas disa orësh shantazh ai është detyruar që të heqë dorë edhe nga ankimimet në lidhje me tenderat, që më vonë i janë dhënë biznesmenit Ermal Beqiri.
“Pengmarrje dhunë, shantazh dhe tërheqje nga tenderat. Ky është skandali që SPAK ka zbuluar në Agjencinë Kombëtare të shoqërisë së informacionit. Në masën “arrest në shtëpi” është dërguar Mirlina Karçani dhe zv.drejtoresha e AKSHIT Hava Delibashi. Masa ndaluese ka edhe për biznesmenët Andi Papas dhe Gëzim Hoxha. Nga hetimet e SPAK rezulton se Ergys Agasi në bashkëpunim me Ermal Beqirin dhe zyrtarë të Policisë së Shtetit kanë marrë peng shtetasin Geron Meçe, një prej biznesmenëve që fitonte më shumë tendera në AKSH dhe pas shantazheve e kanë detyruar të heqë dorë nga gara dhe më pas është tërhequr nga të gjitha tenderat në AKSH”, raportoi gazetarja Klodiana Lala.
Kishin në dorë transaksionet e shqiptarëve dhe të dhëna nga dosje hetimore! Detaje nga operacioni i SPAK, dy tenderat më problematikë. Agasi dhe Karçanaj…
Dhjetëra kontrolle janë ushtruar në banesa dhe baza të ndryshme në kuadër të operacionit të SPAK, mëngjesin e kësaj të marte.
Aksioni ka nisur në orët e para të mëngjesit teksa mësohet se kontrolle janë ushtruar edhe në biznesin e Klajdi Merkja, i arrestuar më parë në kuadër të organizatës famëkeqe të Çopjave.
Gazetarja Klodiana Lala tha se ka dyshime se përmes bizneseve të Merkaj janë pastruar miliona të marra nga AKSHI. Gjithashtu janë kqyrur kamera të sigurisë dhe telefonë, ku rezulton se Meçe është detyruar të shkojë pranë komisionit dhe tërheqë edhe ankimimet në lidhje me tenderat.
Dy janë tenderët më problematik që janë hetuar, bëhet fjalë për tenderin për mirëmbajtjen e Thesarit të Shtetit pasi ka dyshime të forta se grupi kriminal kishte në dorë transaksionet brenda e jashtë vendit për persona shqiptarë dhe të huaj dhe biznesmenë. E dyta është për administrimin e dosjeve hetimore.
Mësohet se Mirlinda Karcanaj ka favorizuar kompanitë e Ermal Beqiri. Një jaht është blere në emër të një shtetase rumune 4-vjeçare që kishte lidhje me shtetasin Ermal Beqiri.
“Përveçse janë mbledhur kamera të sigurisë rezulton se pas dhunës dhe shantazhit për orë me radhë biznesmeni Mece është detyruar të shkojë pranë komisionit dhe tërheqë edhe ankimimet që kishte bërë për tendera të caktuar. Dy janë tenderët më problematik që ka hetuar Prokuroria e Posaçme, është tenderi për mirëmbajtjen e serverit të Thesarit të Shtetit, pasi dyshohet se grupi i strukturuar kriminal ku dyshohet se bën pjesë Agasi dhe Beqiri kishin në dorë dhe të dhënat, të gjitha transaksionet brenda dhe jashtë vendit, për të gjithë shtetasit shqiptarë apo të huaj, kompani apo edhe njerëz të ekspozuar politikisht. Dhe së dyti tenderi që lidhet me administrimin e dosjeve gjyqësore dhe dyshohet se ky grup kishte të dhënat që lidheshin me dosje gjyqësor apo caktimin e gjyqtarëve”, raporton gazetarja Lala.
Në janar ’98 plas një skandal në SHBA. Presidenti rrezikon të shkarkohet. Jo se ka patur marrëdhënie me një vajzë, por se nuk ka thënë të vërtetën. E theksoj: NUK KA THËNË TË VËRTETËN!!
Rasti 2 – Pas vitit 1992 ish anëtarët e Byrosë Politike komuniste në Shqipëri u nxorrën në gjyq. Një proçes që mori emrin shpotitës “GJYQI I KAFEVE”.
Në rastin e parë kemi një sistem normal politik, me pushtete të drejtpeshuara, për të cilin shkelja e ligjit është krim i rëndë. Madje edhe mosthënia e së vërtetës.
Në rastin e dytë kemi një sistem të korruptuar me ideologji kriminale, antinjeri, antiZot, antiliri, ku e keqja është imponuar me ligj dhe për këtë arsye asnjë shkelje ( veç ndërtimit të sistemit ) nuk kanë mbi supe autorët.
Ndaj dhe ata që erdhën pas ( shumë më pranë rasti 2 sesa 1, që në lindje ) s’i linin dot pa dënuar, për të vazhduar ekzistencën e tyre, por s’kishin bythë të dënonin sistemin, meqë ishin pjellë dhe vazhdim i tij.
Edi Rama sot përfaqëson 100% rastin e dytë. Atë të ngritjes dhe konsolidimit të një sistemi të korrupsionit absolut. Pra, ti thuash Ramës “hajdut” dhe të thërrasësh popullin në protesta me heq hajdutin s’është hiç më pak e hiç më shumë sesa gjyqi i Nexhmijes për kafe.
Ndërsa në një sistem demokratik perëndimor, me rregulla e parime, institucione dhe opinion të fuqishëm publik, një akuzë për vjedhje, për korrupsion a për mashtrim do ngrinte gjithë popullin në këmbë. Madje vështirë se do mbërrinte gjer aty puna, se fatziu do të ikte vetë.
Ky është problemi im me protestat e sotme dhe derisotme. Nëse Ramës i kemi thënë “Maduro” do të thotë se i kemi thënë diktator dhe sistemit të instaluar – diktaturë. Nëse e quajmë “narkoshtet” duam të themi se mafia e drogës udhëheq diktaturën në vend. Nëse akuzojmë kryeministrin se vjedh votat, për këtë arsye nuk ka zgjedhje me të atëhere kemi thënë se Edi Rama ka vrarë lirinë dhe demokracinë.
A mundet pra, në këto kushte, të dalim në të ftohtë për të hequr “hajdutin”?
Në dhjetor ’90 Ramiz Alisë apo Enver Hoxhës s’i tha njeri “hajdut”. Ramizi në Byro turfullonte prej slloganeve ” Enver – Hitler”, “Hekuran – Sllobodan”. Tmerri i tyre qe fakti se populli u kish vënë emrin e saktë: Diktaturë, diktatorë, vrasës në masë, antishqiptarë. Dhe me këtë diagnozë erdhi përmbysja.
Unë vazhdoj ta përsëris se, nëse nuk thërrasim popullin në luftë me pushtuesin, me atë që na ka marrë lirinë, ka grabitur demokracinë, ka shpopulluar vendin, ka grabitur pronat dhe pasuritë e vendit, ka inkriminuar sistemin, rezultati s’ka për të qenë tjetër veç zgjatje lëngate dhe pushteti të Edi Ramës.
Ka një tezë, sipas së cilës populli preket më drejtpërdrejtë kur i thua “Rama hajdut” sesa “Rama diktator”. Sepse për shumicën e atyre që merren me politikë të madhe, populli është i trashë e nuk mendon kaq larg, i do gjërat më të prekshme.
Me këtë tezë janë shumica e atyre që luftojnë për sa më shumë kokë protestuesish në shesh. Por përvoja na mëson se, siç vijnë – ikin turmat. Edhe nëse s’mendojnë hollë, ndjejnë saktë.
Nga ana tjetër, në një luftë për përmbysjen e kësaj oligarkie, forcat dhe udhëheqësit seriozë nuk do të kishin synuar turmat por individët. Kur njerëzit me mend, shkollë dhe integritet do ta brendësonin konceptin e oligarkisë që na sundon, korrupsionin absolut të sistemit dhe imperativin “ja vdekje ja liri” atëhere ATA do të ndriçonin dhe afronin edhe masat. Harroje të vijnë njerëz me mend dhe integritet në tallje të tipit “do heqim hajdutin” apo “do mbrojmë drejtësinë”. Kjo s’është asgjë më shumë sesa pluralizmi që propozoi Ramiz Alia që “opozita” të qenë Bashkimet Profesionale, Bashkimi i Grave Socialiste, Organizata e veteranëve të Luftës e të tjerë si këta.
Këto janë arsyet përse unë, jo vetëm nuk i përkrah, por i denoncoj si oksigjen për oligarkinë shqiptare foltore a çadrore që nuk artikulojnë thelbin e të keqes por devijojnë zemërimin dhe shfryjnë energjinë opozitare.
Këto protesta kërkojnë të përmirësojnë regjimin , apo “narkoshtetin” dhe jo ta rrëzojnë atë për të vendosur sistemin demokratik, sistemin e lirive, ekonomisë liberale të tregut, shtetin e së drejtës dhe standarteve perënimore të jetesës.
Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhërarrest për Ergys Agasin.
Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.
Ndërkohë është vendosur arrest me burg për biznesmenin Ermal Beqiri dhe Mirlinda Karçanaj.
Kujtojmë se banesa dhe zyrat e biznesit të Ergys Agasit janë kontrolluar me urdhër të SPAK në muajin qershor. Dy skuadra me agjentë të BKH-së, shoqëruar dhe nga patrulla të policisë së Shtetit, zbarkuan në ambientet në pronësi te biznesmenit mëngjesin e sotëm. Bëhet fjalë për kontrollin e 4 vendeve, banesave në Durrës e Tiranë, si dhe bizneset që zotërohen Ergys Agasi.
Hetim 1-vjeçar për 12 tendera/ SPAK masë ‘arresti shtëpie’ për Drejtoreshën e AKSH-it, Mirlinda Karçanaj. Akuzat për biznesmenin Ermal Beqiri (Detajet)
SPAK la lëshuar masën e ‘arrestit të shtëpisë’, për drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj. Kjo e fundit u paraqit disa ditë më parë në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të hetimeve për dyshime mbi abuzime me tenderat e zhvilluar nga institucioni që ajo drejton.
Kujtojmë se më 3 dhjetor, Karccanaj qëndroi më shumë se tre orë në ambientet e SPAK, ndërsa doli prej aty pa dhënë asnjë koment për mediat, duke shmangur pyetjet e gazetarëve. SPAK po heton 12 procedura tenderuese që dyshohet se janë paracaktuar, me vlera të larta që lidhen kryesisht me mirëmbajtjen e serverave të institucioneve të rëndësishme shtetërore. Hetimet kanë zbuluar se kriteret e tenderave dyshohet të jenë diktuar nga kompanitë pjesëmarrëse, duke krijuar terren për fitime të garantuara me miliona euro.
Një nga biznesmenët nën hetim ishte dhe Ermal Beqiri, pronar i kompanisë “Soft & Solution”, ndaj të cilit SPAK ka caktuar masën ‘arrest me burg’. Sipas SPAK, dyshohet se Beqiri ka përfituar shuma të konsiderueshme nga procedurat e kontestuara. Ditët e fundit, hetuesit kanë thirrur dhe pyetur rreth 25 zyrtarë të AKSHI-t, kryesisht anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave.
PD ka denoncuar më herët një procedurë prokurimi të kryer nga AKSHI. Sipas PD, objekti i prokurimit ishte ‘Përmirësimi i Sistemit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile’ me fond limit 3.8 milionë euro e cila u anulua me arsyetimin se nuk u paraqit asnjë ofertë e përshtatshme. Sipas PD, në Tetor 2024 shpallet fituesi SOFT & Solution shpk në pronësi të Ermal Beqiraj me vlerë të ofertës 3.1 mil euro, ndërsa u skualifikuan dy kompani te tjera.
Detaje nga operacioni te Kodra e Diellit/ Karçanaj dhe Beqiri abuzuan me tenderat e AKSHI-t, kontrolle edhe në banesën e Ergys Agasit! Miliona euro dëm buxhetit të shtetit
16 Dhjetor, 2025 09:24
Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje të reja në lidhje me operacionin e SPAK te Kodra e Diellit.
Bëhet me dije se urdhër arrestet janë lëshuar pas një hetimi 1-vjeçar në lidhje me abuzime me tenderat e AKSHI.
Drejtoresha e AKSHI Mirlinda Karçanja ka dyshime se ka favorizuar kompani për tendera miliona euroshe, tendera që kanë të bëjnë me mirëmbajtje severash të institucioneve të ndryshme.
Ndërkohë Ergys Agasi, ende nuk ka informacione nëse është arrestuar por në banesën e tij po ushtrohen kontrolle.
Sa i përket biznesmenit Erman Beqiri, i njohur si nga ekspertët e Meta- Prifti, kompanitë e tij kishin fituar tendera pranë AKSHI me vlerë miliona euro.
SPAK ka hetuar në lidhje me 12 procedura tenderuese dhe ka arritur në konkluzionin se është shkaktuar dëm i madh buxhetit të shtetit.
Është ushtruar hetim edhe në lidhje me pasurinë e këtyre personave.
Nga shkelja e barazisë në tendera, te pastrimi i parave, ja akuzat për Ergys Agasin dhe drejtoreshën e AKSH-it. Masa sigurie për disa zyrtarë
Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me aksionin e SPAK, sa i takon hetimeve të procedurave të tenderimit pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Gazetarja Klodiana Lala, duke iu referuar burimeve pranë BKH-së, raportoi në një lidhje live se ka GJKKO ka dhënë disa masa sigurie, përveç Ergys Agasit, për të cilin është dhënë masa ‘arrest me burg’, për kreun e AKSH-it, Mirlinda Karçanaj ‘arrest shtëpie’ dhe ‘arrest me burg’ për biznesmenin Ermal Beqiri. Sipas Lalës, masat e GJKKO janë dhënë për zyrtarë të KVO-ve në AKSH dhe për disa anëtarë të shqyrtimit të Ankesa.
Prej gati 1 viti SPAK po hetonte procedurat e 12 tenderave, që dyshohet se janë bërë në shkelje. Ndërkohë personat e sipërcituar, por dhe zyrtarë të tjerë, për të cilët është dhënë masa, por që ende nuk dihen emrat e tyre, akuzohen për shkelje barazisë në tendera, korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.
Ngjarjet e kësaj jave nuk janë thjesht një episod i radhës në kronikën e krizave politike shqiptare. Ato përbëjnë një moment alarmi strategjik për interesat kombëtare, për raportin mes pushteteve dhe për pozicionimin gjeopolitik të Shqipërisë.
Kryeministri, në podkastin e tij javor, të shtunën e kaluar, deklaroi me një lloj mburrjeje se kishte çarmatosur në hyrje të kryeministrisë disa “trimosha”, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët kishin refuzuar të dorëzonin “patllaken”. Menjëherë, BKH ka reaguar ndaj kësaj deklarate duke thënë se çështja në fjalë kishte të bënte vetëm me verifikimin nga ana e agjentëve të saj të vendit të depozitimit të armëve përpara se të hynin në këtë institucion. Megjithatë, ajo që bie në sy në deklaratën e Kryeministrit janë dy shprehje – “trimosha”dhe “patllake”. I njohur për përzgjedhjen e fjalëve dhe konteksteve që mbartin ato, duket se KM edhe kësaj rradhe përzgjodhi me kujdes pikërisht nënkuptimin arkaik, duke i përshkruar agjentët e BKH-së si të rinj të vrullshëm në këtë zanat dhe papërvojë përballë gardës së vjetër dhe se mjete e tyre të vjetëruara, “patllaket”, nuk mund të krahasohen me sofistikimin që ai posedon. Megjithatë, nënkuptimi i fjalëve të përdorura mbetet në nivel interpretimi.
Ajo që është konkrete, nga të gjitha argumentet ligjore apo institucionale që mund të artikuloheshin për SPAK-un, Kryeministri zgjodhi të theksojë çarmatimin e agjentëve të BKH-së. Kjo nuk është e rastësishme. Ky nënvizim dhe formë e komunikimit përbën një sinjal jashtëzakonisht të rrezikshëm, jo për faktin teknik të çarmatimit – që mund të diskutohet në nivel rregulloresh – por për zgjedhjen politike të mesazhit. BKH dhe SPAK janë investim i drejtpërdrejtë strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian: financiarisht, teknikisht, politikisht dhe diplomatikisht. Mbështetja amerikane ndaj SPAK dhe BKH është e vazhdueshme, e pandërprerë, e dukshme dhe e strukturuar, ku përfshihet prania e vazhdueshme e ekspertëve amerikanë nga agjenci të ndryshme federale me tre shkronja.
Në këtë kontekst, theksimi publik i “çarmatimit” të tyre nuk është thjesht retorikë e brendshme. Është sinjal. Është mesazh. Dhe sinjalet në fushën e sigurisë nuk janë kurrë neutrale.
Përpjekja e ngritjes së alibisë europianiste
Ky episod nuk është rast i izoluar. Prej më shumë se 6 muajsh, pas një fushate intensive lobimi për të krijuar lidhje me administratën Trump, mesa duket Kryeministri i Shqipërisë ka hequr dorë dhe tashmë ka kaluar në anë tjetër: tashmë ai nuk humbet asnjë rast pa ndjekur një linjë të qëndrueshme distancimi nga ShBA. Kjo linjë shpesh është kristalizuar në mënyrën më të shëmtuar që mund të bëjë një burrë shteti: tallje publike, në dy raste, me Presidentin Trump përpara palëve të treta jo-dashamirëse ndaj ShBA-së për ngatërrimin e Armenisë me Shqipërinë; dhe deklarata në median austriake se “vetëm BE di të ndërtojë shtet, ndërsa Amerika i rregullon gjërat me bomba dhe pastaj me predikime”.
Ai e di shumë mirë që SPAK dhe BKH janë sa produkt i amerikanëve aq edhe i europianëve. Por KM po ndjek taktikën e përçarjes në nivel retorike për të gjetur një strehim tek acarimi aktual mes BE-së dhe ShBA-së, acarim i cili nuk ka lidhje fare as politike e as organike me atë që KM shqiptar përfaqëson sot. Nga ana e tij, kjo është një zgjedhje politike e vetëdijshme për të arritur objektivin që i ka caktuar vetes – të shpëtojë nga përgjegjësia penale e mëkateve të tij shqiptare duke bërë sikur është me evropianët.
Sot, në një moment kur marrëdhëniet BE-ShBA janë realisht të tensionuara për çështje strategjike madhore – nga Ukraina, te siguria energjetike, te kriza e brendshme politike europiane – KM shqiptar nuk ka luksin të luajë lojëra flamurtarësh ideologjikë në emër të kombit. Sidomos një vend i vogël si i yni, me institucione të brishta dhe histori të dhimbshme varësie strategjike. Përplasja me SPAK-un dhe simbolika e sulmit ndaj BKH-së krijojnë një alibi të rrezikshme: pretendimin se çdo goditje penale ndaj Kryeministrit apo rrethit të tij është produkt i një “lufte gjeopolitike”, ku ai paska zgjedhur “krahun europian” kundër atij amerikan. Kjo narrativë e njohur dhe lojë jashtëzakonisht e dëmshme dhe e rrezikshme në Ballkan, është stërpërdorur disa herë nga udhëheqësit e saj dhe fundi i tyre është i ditur tashmë.
Bashkimi Europian ka problemet e tij me korrupsionin, siç tregojnë edhe skandalet e fundit, duke përfshirë figura të nivelit të lartë, si Kaili dhe Mogherini. Por korrupsioni institucional nuk ka qenë kurrë filozofi shtetndërtuese e perëndimit. SPAK-u nuk është projekt kundër Europës, siç po përpiqet ta shesë Kryeministri, por instrument për të rikthyer minimumin e besimit tek institucionet shtetërore ku shqiptarët paguajnë taksat e tyre. Fatkeqësisht e gjithë kjo që po ndodh për shqiptarët do të thotë dobësim i institucioneve shtetërore, aq të dëshiruara nga ne. Do të thotë cënim i marrëdhënies strategjike me aleatët tanë kryesor dhe rrezik afatgjatë për sovranitetin dhe stabilitetin. Nga ana tjetër, historia na e ka mësuar qartë: Europa, pa ombrellën amerikane, nuk ka qenë kurrë garanci e mjaftueshme për sigurinë e shqiptarëve.
Kur interesi personal i përkohshëm vendoset mbi interesin kombëtar të përhershëm, kemi jo një, por dy herë tradhti: ndaj kombit dhe ndaj historisë. Megjithëse historia e thotë gjithmonë të vërtetën, ne shqiptarëve zakonisht historia na e thotë të vërtetën kur është tepër vonë për ta korrigjuar atë.
Marrëdhënia me ShBA-në nuk është emocionale; është ekzistenciale. Çdo devijim nga kjo linjë nuk dobëson vetëm një qeveri: dobëson Shqipërinë dhe shqiptarët nuk e kanë më këtë luks në këto kohë të vështira.
Lokacioni në Beograd, ku kishte planifikuar të investonte Kushner.
Radio Evropa e Lirë
Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga projekti për ndërtimin e një hoteli në Beograd, raportoi gazeta Wall Street Journal më 15 dhjetor.
Projekti ishte parashikuar në vendin e ish-godinës së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, e cila u shkatërrua gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.
Kompania e Kushnerit “Affinity Partners” kishte planifikuar të ndërtonte aty një hotel luksoz.
Lajmi erdhi në ditën kur Prokuroria Publike për Krim të Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë ndaj ministrit aktual të Kulturës, Nikolla Sellakoviq, për shkelje gjatë heqjes së statusit të pronësisë së objekteve kulturore ndaj ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm, në qendër të Beogradit.
Sellakoviq akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.
“Për shkak se projektet e mëdha duhet të bashkojnë, jo të ndajnë, dhe nga respekti për qytetarët e Serbisë dhe Beogradit, ne tërhiqemi nga aplikimi ynë dhe këtë herë qëndrojmë mënjanë”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë private investuese të Kushnerit, “Affinity Partners”, sipas Wall Street Journal.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua kompanisë “Affinity Partners” për konfirmim dhe koment dhe është në pritje të përgjigjes.
REL-i kontaktoi edhe Presidencën e Serbisë, por ende pa përgjigje.
Prokuroria për Krim të Organizuar po kryen hetime që nga maji për falsifikimin e dyshuar të dokumenteve, të cilat shërbyen si bazë që Qeveria e Serbisë t’i hiqte statusin e pronësisë kulturore ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.
Sipas akuzave të mëparshme nga Zyra e Prokurorit, drejtori i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Goran Vasiq, pranoi falsifikimin e dokumenteve.
Bazuar në atë dokumentacion, Ministrisë së Kulturës, e cila udhëhiqet nga Sellakoviq nga radhët e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet, i është dorëzuar një iniciativë për miratimin e vendimit për heqjen e statusit të pronësisë kulturore ndaj ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm.
Sellakoviq u mor në pyetje më 4 dhjetor dhe, pasi dha dëshminë e tij, ai nuk foli për procedurat, por bëri akuza dhe fyerje kundër Prokurorisë për Krimin e Organizuar.
Pa ofruar ndonjë provë, ai e akuzoi atë se vepron sipas urdhrave të disa qendrave të pushtetit, të cilat nuk i emëroi, por tha se synojnë rrëzimin e Qeverisë në Serbi dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Më 11 dhjetor, Vuçiq tha se, në rast se ngrihet aktakuzë për rastin e ish-godinës së Shtabit të Përgjithshëm, ai do t’i falë të gjithë ata që “dyshohet se kanë marrë pjesë në mashtrime”.
“Nuk do t’ua jap mundësinë t’i ndjekin penalisht ata që nuk kanë faj. Unë jam fajtori. Unë jam ai që dëshiroja modernizimin e Serbisë. Unë jam ai që dëshiroja të sjell një investitor të madh”, tha Vuçiq.
Më 7 nëntor, Kuvendi i Serbisë miratoi një ligj të veçantë që i hoqi ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm statusin e pasurisë kulturore, duke i hapur rrugë ndërtimit të një kompleksi luksoz.
Ky projekt nxiti kundërshtime nga demonstrues antiqeveritarë, opozita dhe ekspertët që kërkojnë ruajtjen dhe restaurimin e ndërtesës së shekullit 20.
Kushner, përndryshe, ka plane për një projekt edhe në bregdetin Adriatik të Shqipërisë.
Projekti parashikon shndërrimin e Ishullit të Sazanit – të mbushur me bunkerë dhe tunele të braktisura nga epoka komuniste – në një vendpushim luksoz.
Projekti prej 45 hektarësh, i miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike më 30 dhjetor 2024, vlen 1.4 miliard euro dhe pritet të krijojë rreth 1.000 vende pune në Shqipëri.
Megjithatë, nuk ka ende informacione publike nëse kontratat janë nënshkruar, nëse lejet mjedisore janë lëshuar, nëse studimet e fizibilitetit kanë përfunduar apo planet e ndërtimit janë miratuar.
Gentian Çala, mjek psikiatër, foli nga foltorja e opozitës duke denoncuar atë që e quajti një regjim që prodhon padrejtësi dhe mbron të korruptuarit. Ai theksoi se në Shqipëri dënohesh për shkelje të vogla, ndërsa abuzimet e mëdha me ndërtime, energji, drogë dhe buxhet mbeten të pandëshkuara.
Çala:
Mirëmbrëma i nderuar profesor doktor Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike. Mirëmbrëma presidenti i Partisë së Lirisë, zoti Ilir Meta. Regjimi i këtyre këtu mbas kurrizit tim dhe të gjitha regjimet kudo që janë, prodhojnë padrejtësi.
Ne sot jetojmë në vendin ku dënohesh për kasollën, por nuk dënohesh për kullat shumëkatëshe. Jetojmë në vendin ku dënohesh se nuk ke të paguash energjinë, po ku një pakicë e lidhur me qeveritarë, e në disa raste me para të pista, të merr tokat dhe ujin për të ndërtuar prodhues energjie. Jetojmë në vendin ku dënohesh për 10 gram drogë, po nuk dënohesh nëse ti mund të shesësh drogë në të gjithë Evropën. Jetojmë në vendin ku milionat e buxhetit ikin lumë dhe të merr lumi nëse ke një hall shëndetësor.
Jetojmë në vendin e reformës në drejtësi, ku qytetarëve tanë, neve, na duhen dekada që të marrim vendime në një gjykatë. Jetojmë në vendin ku qeveria mbron të korruptuarit e saj dhe burgos viktimat e tij. Si unë, besoj që mendojnë shumë prej jush, në këtë shesh edhe kudo. Por ka nga ata që kanë vendosur të heshtin, megjithëse janë të vjedhur, të shtypur, me të drejtat të nëpërkëmbura dhe me liri të vjedhura.
Ka nga ata që frika i ka bërë të bashkëjetojnë me të keqen. Unë besoj që në vend të bashkëjetesës me të keqen duhet të zgjedhim përballjen dhe luftën ndaj saj. Në qeveri, në parlament, në institucione, në rrugë, në sheshe, kudo. Mua më vjen keq edhe këtu shikoj që opozita është e ndarë.
Dikush në një cep dhe ca të tjerë këtu. Në fakt opozita nuk mund të jetë me llogaritje. Opozita është çështje e zemres dhe besimit dhe ata që duan duhet të jenë në një shesh të gjithë bashkë. I bëj thirrje intelektualëve dhe qytetarëve të lirë të këtij vendi që të reagojnë, të flasin, të protestojnë, jo për mua, as për ju nëse doni, po për familjet e tyre, për vendin.
Ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe nuk mund të heshtim nëse vendi shuhet përditë e shpopullohet. Andej nga vij unë, qytetet janë bosh. Ne nuk mund të heshtim nëse vidhet pa skrupuj, nëse trajtohet gjithçka si pronë e si plaçkë. Ne nuk mundet, nuk duhet të rrimë duarkryq duke thënë, çfarë më duhet mua. Shihni popujt e tjerë në Ballkan, në Greqi, në Rumani, në Bullgari, se si protestojnë për subvencionet bujqësore, për buxhetin, për investimet e korruptuara që marrin jetë, apo për drejtësinë e korruptuar. A janë më të mirë se ne? Sigurisht që jo. Po ata mund të jenë dhe më pak të vjedhur e të shtypur sesa ne, por protestojnë.
Procedimi pasuror ndaj të dënuarit në Itali për trafik droge, Arben Isufaj, zbuloi interesat e tij në fushën e ndërtimit në Fier dhe Tiranë, por kompania i shpëtoi konfiskimit me argumentin se investimet ishin mbuluar nga parapagimet e blerësve të apartamenteve.
Në dhjetor të vitit 2004, policia italiane arrestoi tre persona me 3.5 kilogramë kokainë të importuar nga Holanda në qytezën Melegnano, rreth 16 kilometra në juglindje të Milanos. Sipas drejtësisë italiane, grupi kishte një bashkëpunëtor të katërt të quajtur Arben Isufaj, por ai i shpëtoi arrestimit.
Thuajse në të njëjtën periudhë në Shqipëri, një kompani ndërtimi e quajtur “Isufaj – 2004” u themelua me seli në lagjen Sheq i Madh i Fierit dhe punoi e patrazuar për më shumë se një dekadë.
“Isufaj- 2004” ndërtoi tre pallate në Fier dhe e zgjeroi biznesin e ndërtimeve edhe në Tiranë, përpara se të zbulohej se pronësia e saj ishte e lidhur me Arben Isufajn – një subjekt i ligjit “Antimafia”.
Isufaj, 56 vjeç, i njohur gjithashtu si Ben Qimja, u dënua nga drejtësia italiane në vitin 2014 për trafikimin e kokainës nga Holanda drejt Italisë dhe episode të tjera të trafikut të drogës mes viteve 2004-2005. Isufaj i shpëtoi ekstradimit në Itali falë një vendimi kontrovers të Gjykatës së Fierit, por pronat e tij në vendin e origjinës u bënë objekt hetimesh pasurore.
Në maj të vitit 2021, Prokuroria e Posaçme regjistroi një procedim pasuror në ngarkim të tij, duke sekuestruar një sërë pasurish të dyshuara, përfshi edhe kompaninë e ndërtimit “Isufaj-2004”. Por vetëm dy vjet më vonë, masa e sekuestrimit u revokua me pretendimin se Isufaj e kishte financuar biznesin e tij të ndërtimit me parapagimet e klientëve të tij.
Sektori i ndërtimit në Shqipëri është veçanërisht i ekspozuar nga fluksi i parave kriminale që depërtojnë në ekonominë e varfër të vendit. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit të Parave, ndërtimi dhe tregu i pasurive të paluajtshme mbeten instrumentet dominuese ku injektohen paratë e krimit në ekonomi.
Megjithatë, goditja e fenomenit të pastrimit të parave në ndërtim mbetet në kufijtë minimalë.
Pas një hetimi 2-vjeçar për burimin e pasurive të sekuestruara të Arben Isufajt dhe rrethit të tij familjar, avokatët mbrojtës kërkuan revokimin e masave të sekuestros me pretendimin se pasuritë ishin krijuar përpara vendimit të drejtësisë italiane ose ishin financuar nga burime të ligjshme.
Këto pretendime u legjitimuan nga Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme në rastin e kompanisë “Isufaj -2004”, duke u bazuar mbi një akt-ekspertimi që tregonte se biznesi i ndërtimit nuk u financua nga ortaku, por nga parapagimet e blerësve të apartamenteve.
Perandoria e biznesit
Arben Isufaj ka një të kaluar kriminale në shtetin Italian, pasi është dënuar nga Gjykata e Torinos për trafik lëndësh narkotike. I shpallur në kërkim nga Interpoli që prej vitit 2010, Isufaj u arrestua për qëllime ekstradimi në mars të vitit 2014, por kërkesa e autoriteteve italiane u hodh poshtë nga një vendim i shumëdiskutuar i Gjykatës së Fierit.
Prej shkurtit të këtij viti, Isufaj ndodhet sërish në kërkim, pasi akuzohet se kërcënoi një gjyqtar në qytetin e Fierit.
Dokumentet gjyqësore tregojnë Isufaj iu nënshtrua fillimisht hetimit pasuror në mesin e viteve 2010 nga Prokuroria e Fierit dhe në vitin 2021 nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Procedimi i fundit u bazua në një referim të vitit 2017 të Drejtorisë së Policisë së Fierit, ku ngriheshin dyshime se Arben Isufaj ia kishte dalë të ndërtonte një perandori biznesi në emër të familjarëve të tij dhe rrethit shoqëror.
Sipas këtij referimi, Arben Isufaj kishte kryer transaksione të shumta dhe në vlera të konsiderueshme me krushkun e tij, Agim Çako dhe rrethin e të afërmve të tij, të cilat dyshohej se rridhnin nga aktivitete të paligjshme.
Përveç këtyre transaksioneve, Policia e Fierit kishte identifikuar investime të shumta në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme si dhe një rrjet kompanish tregtare në emër të këtyre personave, të cilat vepronin kryesisht në fushën e ndërtimit dhe atë të hidrokarbureve.
Gjatë hetimit pasuror për rrethin e personave të lidhur me Isufajn, prokurorët Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili identifikuan një listë të gjatë pasurish, mes të cilave tre pallate të ndërtuara nga kompania Isufaj-2004 në Fier, dy hotele në aksin Vlorë- Orikum, sipërfaqe të konsiderueshme tokash dhe trojesh si dhe rreth 200 dyqane të dhëna me qira në tregun ambulant të Fierit, i cili menaxhohej nga Çako.
Hetimi identifikoi gjithashtu kompaninë e ndërtimit Isufaj-2004 të regjistruar në pronësi të xhaxhait të Ben Qimes, Ymer Isufaj si dhe kompaninë “Mateo Konstruksion” me aktivitet në Tiranë në pronësi të Çakos.
Sipas dokumenteve gjyqësore, kjo kompani kishte fituar në vitin 2010 një tender në Albpetrol për blerjen e 60,000 ton lëndë djegëse kundrejt një pagese prej 7 milionë eurosh. Kjo pagesë ishte depozituar nga Isufaj dhe lidhje shoqërore të tij.
Pavarësisht listës së gjatë të bizneseve dhe kompanive të identifikuara, Prokuroria shkoi në Gjykatë me një kërkesë minimale për sekuestrim, duke u bazuar në një akt-ekspertim kontabël, i cili sipas prokurorëve tregonte se këto pasuri nuk justifikoheshin me burime të ligjshme.
Gjykata vendosi sekuestrimin e një pularie të regjistruar në emrin e kompanisë “Isufaj 2001”; 33% të kuotave të kompanisë Akili Alb sh.p.k; një sipërfaqe trualli prej 3289 m2 në Fier; kompaninë e ndërtimit Isufaj 2004, tre sipërfaqe toke në pronësinë e Agim Çakos si dhe gjashtë automjete.
Pasuritë e mësipërme u sekuestruan në vitin 2021, por në procesin e konfiskimit, kompania Isufaj-2004 iu rikthye të zotit.
Revokimi i sekuestrimit
Në vendimin e Gjykatës së Posaçme të datës 30 janar 2023 me gjyqtar Erion Banin evidentohet se pas sekuestrimit të pasurive bazuar në ligjin “Antimafia”, personat e lidhur u ankuan në Apel, por kërkesa e tyre nuk u pranua.
Në janar të vitit 2022, Isufaj nëpërmjet mbrojtësve të tij paraqiti një memo në SPAK, duke kërkuar administrimin e një akt-ekspertimi kontabël të vitit 2018, të realizuar në kuadër të një procedimi penal për pastrim parash, të regjistruar nga Prokuroria e Fierit në vitin 2012.
Në këtë akt ekspertimi citohet ndër të tjera se shoqëria “ISUFAJ-2004” me ortak Ymer Isufajn, është financuar totalisht nga klientët që kanë prenotuar apartamentet. Po ashtu, pretendohet se financimi i shoqërisë nga prenotuesit deri në vitin 2007 është në shumën 8.6 milionë eurove.
Gjatë procesit, personat e lidhur kërkuan një ekspertizë të dytë për të llogaritur të ardhurat e realizuara në raport me shpenzimet. Gjithashtu, avokatët depozituan në gjykatë kontrata shitblerje të apartamenteve, që u pranuan si prova nga gjykata në kuadër të një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm.
Në kushtet kur gjatë shqyrtimit u konstatuan dy ekspertime të kundërta; njëri nga Prokuroria dhe tjetri nga avokatët, gjyqtari Bani me anë të një vendimi të ndërmjetëm ka vendosur kryerjen e një akti ekspertimi kontabël të ri me grup ekspertësh.
Gjykata ka vlerësuar se qëllimi i kryerjes së këtij akti ekspertimi ka qenë evidentimi i faktit, nëse shoqëria “ISUFAJ-2004” sh.p.k, nga momenti i themelit të saj e deri në momentin e dërgimit të kërkesës për sekuestrim, ka pasur ose jo burime të ligjshme për krijimin e aseteve në emër të saj.
Në aktin e ekspertimit të realizuar gjatë gjykimit të fundit, ekspertët kanë arritur në konkluzionin se kompania ishte financuar nga prenotuesit e apartamenteve në vitin 2005 në vlerën totale të 105 milionë lekëve.
Ndërkohë, ekspertët kanë shprehur rezerva nëse arkëtimet e premtuara në kontratat noteriale janë realizuar ose jo, pasi mungonin mandat -pagesat e arkës, por avokatët dorëzuan me kërkesë të gjykatës të gjitha mandatet e arkëtimeve.
Sipas gjykatës, nga konkluzioni i aktit të ekspertimit rezulton se financimet në shoqërinë “ISUFAJ-2004” shpk, nuk janë kryer nga burime të ortakut, por nga pagesat e realizuara nga prenotuesit.
Mbështetur në këto fakte, SPAK ka kërkuar në diskutimet përfundimtare revokimin e sekuestros për shoqërinë “ISUFAJ-2004” shpk. Ndërkohë, sipas vendimit të gjykatës, prokurorët i kanë qëndruar kërkimit për konfiskimin e pasurive të tjera.
Gjykata në përfundim, ka gjetur të drejtë kërkesën për revokimin e sekuestros ndaj shoqërisë ndërtimore “ISUFAJ-2004”.
“Gjykata çmon se mbi bazën e provave të administruara gjatë gjykimit, duke i parë në unitet me provat e tjera, nuk provohet që kjo shoqëri në fillimet e veta të jetë financuar nga ortaku. Pra, nuk provohet qe të jetë financuar me burime të paligjshme,” arsyeton gjyqtari Erion Bani.
Po ashtu, gjyqtari Bani ka vlerësuar se një pasuri e paluajtshme e llojit “arë” me sipërfaqe 5600 m2 në lagjen Sheq i Madh në Fier, është përfituar nga shtetasi Agim Çako mbi bazën e ligjit 7501, duke e hequr edhe atë nga lista e konfiskimeve.
Në përfundim, gjykata ka vendosur të pranojë pjesërisht kërkesën e prokurorisë, duke konfiskuar vetëm 7 prej 12 pronave të paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të Isufajt dhe personave të tij të lidhur.
Vendimi mori formë të prerë më 13 prill të vitit 2023, pasi nuk u ankimua nga ana e prokurorëve të SPAK dhe as nga avokatët.
Berisha: Qytetarët do t’i japin përgjigjen e merituar Ramës që s’lejoi hetimin e parave që ka vjedhur Balluku
Kreydemokrati Sali Berisha ka deklaruar se me vendimin e Kushtetueses për rikthimin në detyrë të Belinda Ballukut, si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës, u shpreh se mbyllet çdo mundësi e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të hetuar ministra. “Kjo i dha zemër Edi Ramës. Shikoni pse foli dje ai. Ai foli dje sepse pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mbyllet absolutisht çdo mundësi e institucionit të hetimit të hetojë ministra”, u shpreh ai.
Por Berisha theksoi se qytetarët do t’i japin përgjigjen kryeministrit Edi Rama më 22 Dhjetor, datë kur është thirrur protesta e PD-së.
“Unë kam bindjen më të thellë se qytetarët shqiptarë me datën 22 dhjetor do të mblidhen në Tiranë për t’i dhënë përgjigjen më të merituar vendimit të Edi Ramës për të mos lejuar hetimin e parave që ka vjedhur me Belinda Ballukun”, deklaroi ai.
Sali Berisha: Kjo i dha zemër Edi Ramës. Shikoni pse foli dje ai.
Ai foli dje sepse pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mbyllet absolutisht çdo mundësi e institucionit të hetimit të hetojë ministra.
Ai mori garanci të plotë për këtë, sepse në rast se nuk ka pezullim, imunitetin dhe arrestimin ai nuk e lejon kurrë, siç nuk e lejoi në rastin e Saimir Tahirit.
Pra, ajo masë e vetme që u kishte ngelur në duar institucionit të prokurorisë, ishte pezullimi. Dhe këtë, pasi pariti Gjykatën Kushtetuese gjer në tjegulla, e bllokoi një masë të tillë. Një akt si ky nuk ka ndodhur kurrë.
Por unë kam bindjen më të thellë se qytetarët shqiptarë me datën 22 dhjetor do të mblidhen në Tiranë për t’i dhënë përgjigjen më të merituar vendimit të Edi Ramës për të mos lejuar hetimin e parave që ka vjedhur me Belinda Ballukun.
Një brez i ri nacionalistësh serbë po radikalizohet dhe po përgatitet për një konflikt të mundshëm në Bosnje-Hercegovinë, raporton The Telegraph.
Qindra militantë serbë, përfshirë veteranë të luftërave të viteve ’90, kanë shkuar të luftojnë në Ukrainë përkrah forcave ruse, të motivuar nga besimi se Rusia do t’i mbështesë në rikthimin e territoreve të humbura, si Kosova.
Këta persona përdorin rrjetet sociale për të rekrutuar të rinj, duke ofruar pagesa të larta dhe duke glorifikuar luftën. Autoritetet druhen se kthimi i tyre në Bosnje mund të nxisë konflikte paramilitare, 30 vjet pas përfundimit të luftës së Bosnjes.
Një rast i tillë është Dario Ristiç, i cili u kthye nga Ukraina, u arrestua për pjesëmarrje në një njësi të huaj paramilitare dhe tani ndodhet në arrest shtëpie, por vazhdon të ketë ndikim të madh online.
Një tjetër veteran me ndikim mbi është edhe Davor Savicic, i njohur si “ujku” nga ndjekësit e tij në internet. Me këtë të fundit është fotografuar edhe Milorad Dodik, ish-presidenti i Republikës Srpska, i cili ende ushtron pushtet efektiv. Ai u fotografua me Savicic përpara një takimi me Vladimir Putinin në Moskë në fillim të këtij viti.
Analistët thonë se numri i ekstremistëve është i vogël, por ndikimi i tyre mund të jetë destabilizues. Po ashtu ngrihen shqetësime për lidhje të ngushta me shërbimet ruse të inteligjencës, përfshirë trajnime dhe struktura mbështetëse në Republika Srpska, si dhe për implikime të mundshme në sigurinë evropiane dhe britanike.
Ndërkohë, komunitetet boshnjake myslimane shprehin frikë nga ringjallja e traumave të së kaluarës, pavarësisht përpjekjeve për pajtim.Panorama
Komentet