VOAL

VOAL

Lubonja: Basha mund të jetë njeriu më i mirë për të sjellë ndryshim në vend

May 13, 2017
1 Comments
  • author avatar
    Blerina 7 years ago Reply

    Përderisa e thotë ky i shkarë duhet të jetë e vërtetë. Turp që e trajtojnë si analist.

Komentet

VOA: Shqipëri, trafiku i paligjshëm drejt SHBA-ve, pagesa deri në 45 mijë dollarë

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme zbuloi sot skemën e përdorur nga grupi i goditur një ditë më parë, nën dyshimet se organizonte kalimin e paligjshëm të shtetasve shqiptarë drejt Shteteve të Bashkuara, kundrejt pagesave disa dhjetra mijë dollarëshe. Hetimet për këtë rast, që çuan në arrestimin e 5 personaveve, mes të cilëve dhe dy punonjës të pikës kufitare të Hanit të Hotit, me Malin e zi, janë zhvilluar në bashkëpunim dhe me Shërbimin e Sigurisë Diplomatike, Zyrën e Hetimeve Kriminale jashtë SHBA-ve, me prezencë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, veprimtaria e grupit “dyshohet të jetë e mirë organizuar edhe në nivel transnacional, pasi kalimi i paligjshëm drejt SHBA-ve, rezulton të jetë kryer përmes shteteve Shqipëri-Itali- Spanjë-Meksikë-SHBA”. Hetimet kanë zbuluar deri tani se në qendër të këtij aktiviteti ishte një 56 vjeçar nga Malësia e Madhe, L.M., i cili krijonte kontaktet me personat e interesuar për të shkuar ilegalisht në Shtetet e Bashkuara. Në bashkëpunim me persona të tjerë, ai merrej “me prodhimin në kohë të shpejtë të dokumenteve të identifikimit të falsifikuar, prerjen e biletave të udhëtimit, apo dhe pajisjen me aparate celularë të rinj dhe numra telefoni sipas shteteve ku kryhet udhëtimi”.

Emigrantët e paligjshëm, rezulton se “kalonin kufirin shqiptar me pasaportën e tyre shqiptare dhe në aeroportet e Spanjës nga ku kryhej tranziti drejt Meksikës dhe me tej SHBA-ve, priteshin nga shtetas të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, të cilët i pajisin me dokumentin e identifikimit të falsifikuar. E gjitha kjo veprimtari kryhej për jo më shumë se 15-20 ditë dhe çdo person paguante një shumë nga 20 000 USD deri në 45 000 USD”.

Hetimet për këtë rast çuan në zbulimin dhe të përfshirjes së dy punonjësve të kufirit me Malin e Zi, një kontrollori dhe një përgjegjësi turni, në një tjetër aktivitet të paligjshëm, i cili, siç shpjegon Prokuroria e Posaçme “konsistonte në mos-regjistrimin në sistemet e Pikave të kalimit kufitar, të shtetasve shqiptarë, të cilët për arsye të ndryshme si, tejkalimi i afatit të qëndrimit në shtetet e BE-së; ndalimi i hyrjes në shtete të ndryshme për shkak të penaliteteve; ose në rastet kur shtetasit janë azilkërkues në vende të ndryshme, kërkonin të shmangin në mënyrë të paligjshme regjistrimin e kalimit në kufi”.

Të dy punonjësit e kufirit janë lënë me arrest shtëpie nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Për 56 vjeçarin nga Malësia e Madhe, i lënë në arrest me burg, dyshimet janë për disa vepra penale, që nga “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, te “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave dhe i vizave” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Ndërsa dy personat e tjerë po nga Malësia e Madhe, dyshohen për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Osmani: Heqja e vizave për mbajtësit e pasaportave ilegale serbe ka ndikim negativ

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian për t’ua hequr vizat qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta ilegale serbe, “ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në të gjithë Kosovën”.

Ky vendim, sipas saj, atakon edhe përpjekjet për integrimin e komunitetit serb në Kosovë.

Osmani tha se i bëri këto komente në një takim të martën me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Sipas njoftimit, në takim u diskutua edhe për tema të tjera, përfshirë: pjesëmarrjen e presidentes në aktivitetet në kuadër të Samitit të NATO-s dhe një sërë nismash ligjore që po trajtohen nga institucionet e Kosovës.

Më 22 korrik, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian morën vendimin për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi ditën e 20-të pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE-së.

Serbët e Kosovës, që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë, janë aktualisht të vetmit qytetarë të Ballkanit Perëndimor që u duhen viza për të udhëtuar në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

Kosova nuk i njeh pasaportat e këtij mekanizmi që funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme serbe në Beograd, dhe mbajtësit e tyre nuk mund të fluturojnë me to nga Aeroporti i Prishtinës.

Vendimin e BE-së e kritikoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar si “të padrejtë dhe të dëmshëm”.

Autoritetet në Kosovë i inkurajojnë qytetarët serbë që të pajisen me pasaporta të Kosovës.

Qytetarët me pasaporta biometrike të Kosovës gëzojnë liberalizimin e vizave nga 1 janari i këtij viti. REL

Cens 2023: Qytetet e veriut me rritjen më të madhe të vdekjeve për mijë banorë

Popullsia e re që doli nga të dhënat e cens 2023 tregoi se, qytetet e mëdha të Veriut të vendit, Shkodra dhe Kukësi kishin rritjen më të madhe të vdekjeve për mijë banorë. Sipas të dhënave të INSTAT në të gjithë vendin më 2023 kanë humbur jetën 21,286 përsosna ose 9 vdekje për mijë banorë me të dhënat e popullsisë 2,4 mln banorë nga cens.

Të dhënat tregojnë se në vitin 2023, vdekjet më të larta për mijë banorë i kishin Gjirokastra dhe Korça përkatësisht me 12.2 dhe 11.9, por rritjen më të madhe te vdekshmërisë gjatë periudhës 2011 dhe 2023 e kishin Kukësi, Shkodra dhe Elbasani.

Në vitin 2023, Kukësi kishte 8.4 vdekje për një mijë banorë me të dhënat e cens 2023, me një rritje të treguesit me 3 pikë për qind që nga viti 2011. Në Shkodër humbën jetën 1726 persona më 2023 ose 11.5 persona për 1 mijë banorë me rritje 2.5 pikë për qind në krahasim me vitin 2011.

Pas Shkodrës, rritjen më të madhe të mortalitetit e kishte Elbasani. Në vitin 2023 në Elbasan kishte gjithsej 2050 jetë të humbura teksa popullsia e qarkut me të dhënat e cens 2023 ishte 232,580 banorë. Në Elbasan kishte 8.8 vdekje për një mijë banorë me rritje 2.3 pikë për qind në raport me vitin 2011.


Vetëm në qarkun e Beratit vdekjet për mijë banorë kanë pësuar ulje me -0.3% në periudhën ndërmjet dy censeve.

Në vitin 2023, në Qarkun e Tiranës kanë humbur jetën 5345 persona. Me të dhënat e popullsisë së cens vdekjet për 1000 banorë në kryqet ishin 7 me rritje 0.6 pikë për qind nga censi 2011.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se qarqet e Shkodrës dhe Kukësit kishin rënien më të madhe të popullsisë në përqindje ndërmjet dy censeve 2011 dhe 2023, teksa kanë gjithashtu edhe rritjen më të madhe të mortalitetit në dekadën e fundit./B.Hoxha

Burimi: INSTAT, përpunime të Monitor

/Monitor

Nënpresidentja Harris: Vota e 5 nëntorit është “një zgjedhje mes lirisë ose kaosit”

Nënpresidentja Kamala Harris në takimin zgjedhor në Miluoki, në Viskonsin, 23 korrik, 2024.

 

VOA dhe AP

Nënpresidentja Kamala Harris mbajti të martën tubimin e parë zgjedhor në Miluoki, në Viskonsin, njërin nga shtetet me peshë për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Ajo kritikoi kandidatin republikan, ish presidentin Donald Trump, duke thënë se votimi i 5 nëntorit është një “zgjedhje mes lirisë ose kaosit”.

“A duam të jetojmë në vendin e lirisë, dhembshurisë dhe shtetit të së drejtës apo në vendin e kaosit, frikës dhe urrejtjes”, pyeti ajo.

Zonja Harris mbajti tubimin pasi arriti të sigurojë përkrahjen e një numri të mjaftueshëm delegatësh demokratë për t’u emëruar kandidatja e Partisë Demokrate për presidente.

Takimi ishte i pari që prej së dielës, kur ajo nisi fushatën për garën e nëntorit, pasi Presidenti Biden i dha mbështetjen e tij. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, Nënpresidentja Kamala Harris ka grumbulluar më shumë se 100 milionë dollarë që prej pasdites së të dielës.

Drejtuesit e lartë të Partisë Demokrate në Kongres mbështesin Kamala Harrisin

Dy drejtuesit më të lartë të Partisë Demokrate në Kongres dhanë mbështetjen e tyre që Nënpresidentja Kamala Harris të emërohet kandidate për presidente.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Chuck Schumer dhe drejtuesi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries duke folur në Kapitol, në Uashington. 23 korrik, 2024.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Chuck Schumer dhe drejtuesi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries duke folur në Kapitol, në Uashington. 23 korrik, 2024.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Chuck Schumer dhe drejtuesi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries i dhanë fund pikëpyetjeve nëse do t’i bashkoheshin demokratëve që po mbështesin zonjën Harris që të sigurojë emërimin e partisë për zgjedhjet e 5 nëntorit.

Kamala Harris siguron përkrahjen e delegatëve demokratë për t’u emëruar kandidate për presidente

Nënpresidentja Kamala Harris siguroi përkrahjen e një numri të mjaftueshëm delegatësh demokratë për t’u emëruar kandidatja e Partisë Demokratike për presidente kundër rivalit republikan Donald Trump.

Sipas njoftimeve, zonja Harris tani ka mbështetjen e 1,976 delegatëve që i duhen për të fituar që në raundin e parë të votimit brenda partisë së saj, duke konsoliduar pozitat si kandidatja më e mundshme demokrate për të zëvendësuar Presidentin Biden.

Në fjalimin e saj të parë si kandidate e pritshme, zonja Harris, një ish prokurore, premtoi se do ta bashkojë partinë dhe vendin dhe do ta sigurojë fitoren e demokratëve, duke bërë një dallim të thellë mes saj dhe zotit Trump.

Nënpresidentja Kamala Harris gjatë vizitës në selinë e fushatës në Uillmington, Daleuer më 22 korrik, 2024/NYT via AP

Nënpresidentja Kamala Harris gjatë vizitës në selinë e fushatës në Uillmington, Daleuer më 22 korrik, 2024/NYT via AP

Me vetëm 105 ditë deri në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe Partia Demokrate është në garë me kohën, që shpjegon edhe këtë bashkim të shpejtë rreth kandidates Kamala Harris si përpjekje e partisë për të tejkaluar zhvillimet dramatike që çuan në tërheqjen e Presidentit Biden, por edhe nevojës së votuesve demokratë për t’u mobilizuar.

Fushata e zonjës Harris grumbulloi brenda 24 orëve një shumë prej 81 milionë dollarësh, duke vendosur një rekord të ri. Delegacionet e demokratëve vazhduan të bashkërendohen dhe një numër i madh vullnetarësh u regjistruan për të ndihmuar fushatën e saj. Analistët e shohin këtë si një shenjë të entuziazmit për kandidaturën e saj.

Delegatët e Partisë Demokrate pritet të zhvillojnë një votim virtual para kuvendit të partisë më 19 gusht, që kandidati i partisë për president të përcaktohet që më parë dhe kuvendi të jetë një kuvend bashkimi.

Zonja Harris ndërkohë nuk po humbet kohë. Ajo mbajti tubimin e parë zgjedhor në Uiskonsin, njërin nga shtetet e diskutueshme. Dje ajo u takua me ekipin elektoral që deri dje mbante emrin Biden-Harris, dhe në fjalimin e saj të parë shpalosi çështjet kryesore mbi të cilat do ta ndërtojë fushatën kundër zotit Trump, duke vendosur një theks të veçantë në dallimin ndërmjet saj, si ish prokurore dhe kandidatit republikan, të shpallur fajtor për vepra penale.

“Në ditët dhe në javët në vijim, së bashku me ju, do të bëj çdo gjë në fuqinë time për ta bashkuar Partinë Demokratike, për ta bashkuar kombin tonë dhe për t’i fituar këto zgjedhje. Siç e dini, para se të zgjidhesha Nënpresidente, para se të zgjidhesha senatore e Shteteve të Bashkuara, isha zgjedhur prokurore e përgjithshme e Kalifornisë dhe para asaj kam punuar si prokurore. Në këto detyra, kam goditur autorë të të gjitha krimeve. Abuzues të grave. Mashtrues që vodhën konsumatorët dhe që shkelin rregullat për të përfituar vetë. Prandaj më besoni kur ju them që i njoh tipat si Donald Trumpi,” deklaroi ajo.

Zonja Harris i bëri këto komente nga selia e fushatës së Partisë Demokrate në Dellauer, ku ajo foli edhe për të drejtat riprodhuese, një nga çështjet kryesore në zgjedhjet e këtij viti.

“Në këtë fushatë, me krenari do ta krahasoj të kaluarën time me të kaluarën e tij. Ky ekip do të ndihmojë që në nëntor të zgjedhim shumicën e ligjvënësve të Kongresit amerikan, të cilët pajtohen se qeveria nuk duhet t’u tregojë grave se çfarë duhet të bëjnë me trupin e tyre. Pasi Kongresi të kalojë ligjin për të rikthyer liritë riprodhuese, si Presidente e Shteteve të Bashkuara do ta miratoj ligjin,” theksoi zonja Harris.

Ajo po ashtu tha se në këto zgjedhje presidenciale, votuesit amerikanë janë para një dileme me peshë të madhe.

“Në këto zgjedhje, secili prej nesh përballet me një pyetje. Në çfarë vendi duam të jetojmë? Në një shtet të lirë, me dhimbshuri dhe sundim të ligjit, apo në një shtet kaotik, ku mbizotëron frika dhe urrejtja?”, shtoi ajo.

Nëse emërohet kandidate demokrate për presidente dhe fiton ndaj kundërshtarit republikan Trump, ajo do të bëhej gruaja e parë presidente e Shteteve të Bashkuara.

Por sipas profesores së historisë nga Universiteti i Virxhinias, Barbara Perry, në këtë rrugëtim zonjën Harris e presin sfida.

“Në këtë vend, ajo do të përballet më shumë me sfida gjinore se sa me sfida rreth përkatësisë racore… Ne kemi patur vetëm presidentë meshkuj prandaj kemi vetëm modelin e burrit si president. Shpresoj që Shtetet e Bashkuara mund ta kapërcejnë këtë dukuri dhe ta zgjerojmë rrethin e njerëzve që janë kandidatë të përshtatshëm dhe që mund të fitojnë zgjedhjet presidenciale. Është pozitë shumë e rëndësishme, për të përjashtuar gjysmën e popullsisë,” thotë profesorja Perry.

Edhe si Nënpresidente, por edhe si kandidate për këtë post në vitin 2020, zonja Harris ishte objekt sulmesh nga ana e republikanëve si e paaftë. Tani që ajo qëndron më mirë në anketa kundër zotit Trump se sa Presidenti Biden, sipas analistëve, pritet që ajo të vazhdojë të jetë në shënjestër të republikanëve.

Ajo është akuzuar se është ngritur në pozitë me favore dhe në bazë të kuotave gjinore e racore dhe jo në bazë të meritës — një kritikë jo e pazakontë kundër grave që mbajnë pozita të larta pushteti dhe po ashtu një prirje më e gjerë që synon të sulmojë në baza gjinore gratë e suksesshme.

I emëruari kandidat për Nënpresident nga radhët e republikanëve, JD Vance tha se zonja Harris “do të jetë një milion herë më e keqe” se Presidenti Biden, të cilin ai e quajti presidentin më i keq në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Sulmet ndaj saj së fundmi janë përqendruar në portretizimin e zonjës Harris si përgjegjëse për situatën në kufirin me Meksikën dhe emigracionin e jashtëligjshëm, që është edhe njëra prej çështjeve kryesore në fushatën e zotit Trump.

UGSHPD: PROPAGANDA E PANDALUR TURISTIKE E RILINDJES SOCIALISTE

Në krye lajmet e ATSH-s veç rasteve kur krerët e Rilindjes Socialiste shfaqen si të ishin qendra e vëmendjes për zhvillimet vendore, rajonale dhe ndërkombëtare, reklamat e ofertës së turizmit nga ana e qeverisë nuk kanë të ndalur e për pasojë jeta plot probleme e qytetareve me kërkesat më jetike është harruar. Ndër pesë, tre prej lajmeve të paktën janë “jehona” të mediave ndërkombëtare për pikat tërheqëse të peizazhit natyror shqiptar të cilat thuajse janë të padëgjuara më parë. Me keqardhje, por edhe e vetmja “e mirë” që vjen prej tyre është se tek brezi i moshës shkollore “shtohen” dijet që na mësojnë politikanët dhe elita e Rilindjes Socialiste sa sa e pa zbuluar është gjeografia e Shqipërisë, ku ndodhen burimet ekonomike, por edhe se ku ndodhet kufiri i varfërisë përmes çmimeve. Sa të shtrenjtë e ka bërë korrupsioni Shqipërinë dhe se shqiptarët mes këtyre mrekullive nuk e kanë “luksin” për ta vizituar, shijuar dhe jetuar. Vendasit shijojnë, shohin dhe hanë këto tre mandate propagandën që fsheh qartas mashtrimin dhe korrupsionin e përditshëm.

Realitetin e dukshëm të tatëpjetës kryeministri shqiptar Rama po e quan edhe shtrembërim dashakeqës, punë armiqësore agjenturash dhe etje e të paaftëve për t’ia marrë pushtetin nga duart.

Por le të ndalemi tek turizmi dhe propaganda të cilat janë kthyer në shprehjen më kontrastuese të Shqipërisë. Ka humbur çdo arsyetim logjik për të shëndoshur ekonominë. Sundon morali shtetëror për të trajtuar klientelën duke varfëruar dhe përçmuar shtetasit. Shtretërit dhe çadrat bosh në plazhe dhe hotele janë pasqyra e favorizimit të oligarkëve dhe e pastrimit të parasë ashtu siç ndodh me mijëra apartamentet bosh të kullave në kryeqytet dhe qytetet ku ka mbetur pak popullsi shqiptare. Pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk ka fuqi financiare për të siguruar një ditë pushimi me bukë dhe çadër me vete sepse plazhet publike janë zaptuar për t’u përdorur dhe për t’u pronësuar nga më të fortët që u jep leje-liçencë qeveria me dy kërkesa të vogla bashkëngjitur. Ortakëri dhe vota kur t’i duhet. Çmimet e larta të sezonit janë reklama e përzënies dhe e nëpërkëmbjes së dinjitetit të vendasve. Këtë shkallë zhgënjimi e ka sjellë çdo ditë propaganda qeveritare si dhe mediat pranë saj të cilat në edicionet e lajmeve dhe emisionet televizive nuk shohin problemet, por lustrojnë realitetin. Shtetasit shqiptarë, qytetarë dhe fshatarë që digjen nga temperaturat e vapës, protestojnë për padrejtësi dhe kushte më të mira jetese, pune dhe mirëqenieje duke dalë në sheshe dhe rrugë nacionale. Ata përvëlohen nga çmimet, por edhe janë ngjitur pranë ekranit të Tv-ve për të pritur shpresën se diçka do të ndryshojë. Por e vetmja shpresë nuk vjen as nga politika dhe qeverisja, por nga parashikimi i motit si për t’u ngushëlluar dhe për kalitur durimin se kur kjo vapë dhe çmenduri ata do t’i lëshojë. Pra ato mendje të qarta dhe të ftohta që duhet ta marrin në dorë ndryshimin e gjendjes së vendit, të mund t’ju japin shpresën për të siguruar minimumet mbi varfërinë, vendet e punës, shkollat dhe spitalet, shërbimet që të kenë pak ujë më shumë, pak rrymë elektrike që të vihen në rrotullim freskoret sepse shteti ashtu siç e ka shtyrë deri tani me gënjeshtra do ta mbyllë administratën pasi e gjitha do të turret drejt lejeve të zakonshme dhe pushimeve të verës.

Kjo është jo vetëm një shkallë zhgënjimi që shoqëron gjendjen e jashtëzakoëshme të administratës me leje të zakonëshme, por është edhe një mendësi e mbrapshtë dhe e qëllimshme drejtimi qeverisës në mënyrën se si i orienton shtetasit e saj.

Jemi në harkun e një viti 2023-2024 ku Shqipëria thuhet se rriti turizmin nga 10 milion në 14 milion vizitorë ditorë, por ku shtrenjtësia e çmimeve e cila është disafishuar po tregon njollat e boshllëkut njerëzor në plazhe. Kjo po tregon atë që vendi nuk ka as politika, as strategji zhvillimi afatgjatë dhe qëndrueshmëri për ekonominë dhe turizmin si një pjesë e saj.

Kjo qeveri sheh dhe shpreh vetëm propagandën duke krahasuar nga sa keq në keq dhe mos më keq.

A vlen të përcjellësh gjestin e një pushuesi italian që braktis turizmin për shkak se çadra e tij kushtoi 300 euro?

A ja vlen të flasësh për promovimin taleban të turizmit i cili u rrit nga vetëm 691 në 2021 në më shumë se 7 000 vitin e kaluar?

Apo ja vlen të flasim seriozisht për cilësinë e vizitorëve ditorë dhe tranzitues të turizmit shqiptar që të largon nga mungesa e shërbimeve, shtrenjtësia e çmimeve dhe ndotja e kërcënimi i natyrës dhe gjallesës?

Qeveria Rama nuk do ndalet së numëruar pikë kalimet kufitare për të shpallur 2024 një vit tjetër të ri rekord në turizëm. Atij i ka ardhur koha ta shohë veten në pasqyrë sikurse edhe një vit më parë gazeta italiane “Libero” e pyeste:

A ju pëlqeu filmi “Lamerica”? A e njihnit Gianni Amelion? E vlerësoni atë?

Ky film u prit keq në Shqipëri, sepse ishte hera e parë që kishim para syve pasqyrën e atij që ishte vendi ynë dhe vetë ne në atë periudhë dramatike! Nuk ishim të bukur dhe të lumtur, si në pasqyrën e propagandës së regjimit, por të shëmtuar dhe të egër, siç na kishte lënë regjimi. Të shikoheshe në atë pasqyrë të pamëshirshme nuk ishte një përvojë e këndshme! Mua filmi më pëlqeu shumë dhe jam sherruar me miq që thoshin se filmi ishte poshtërues. Nuk ishte Amelio që na kishte poshtëruar, po ata që na kishin mbajtur për dekada në bunkerin me drita të rreme të regjimit më brutal komunist në Europë.

Dritat e rreme janë me po kaq vend edhe sot për korrupsionin e narkoshtetit më shqetësues në Evropë që promovohet prej turizmit dhe ku në të cilin do të ndodhë zbatica e popullsisë dhe e vizitorëve.

23 Korrik, 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

 

Kurti kritikon BE-në për heqjen e vizave për poseduesit e pasaportave serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi si “të padrejtë dhe të dëmshëm” vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

Ky vendim, sipas tij, është “edhe dekurajues për integrimin e serbëve të Kosovës”.

Por, shtoi Kurti, “ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë në vendimet e Brukselit”.

Kurti i bëri këto komente për gazetarët, gjatë përurimit të disa hapësirave të rinovuara në Klinikën e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian e morën vendimin e lartpërmendur më 22 korrik.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi ditën e 20-të pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE-së.

Serbët e Kosovës, që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë, janë aktualisht të vetmit qytetarë të Ballkanit Perëndimor që u duhen viza për të udhëtuar në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

Komisioni Evropian propozoi heqjen e vizave për ta qysh në nëntor të vitit të kaluar.

Kosova nuk i njeh pasaportat e Drejtorisë Koordinuese të Serbisë, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme serbe në Beograd, dhe mbajtësit e tyre nuk mund të fluturojnë me to nga Aeroporti i Prishtinës.

Autoritetet në Kosovë i inkurajojnë qytetarët serbë që të pajisen me pasaporta të Kosovës.

Qytetarët me pasaporta biometrike të Kosovës gëzojnë liberalizimin e vizave nga 1 janari i këtij viti. REL

Serwer: ja çfarë mund të presë Prishtina nëse Kamala Harris zgjidhet presidente e SHBA

Eksperti amerikan për çështje të Ballkanit, Daniel Serwer, është shprehur se ardhja e mundshme e Kamala Harrisit në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), do të mund të kishte ndikim edhe në politikën në Ballkan.

Sipas tij, ajo është e ashpër ndaj Kinës, ashtu si presidenti Joe Biden dhe ish-presidenti Donald Trump, por që është shprehur se “Kosova asaj mund t’i duket si Tajvani dhe Ukraina”, në aspektin e konflikteve territoriale.

“Harris është gjithashtu e ashpër ndaj Kinës, si Bideni ashtu edhe Trumpi. Kosova mund t’i duket si Tajvani dhe Ukraina. Kjo do të thotë se Kosova duhet të ruhet dhe mbrohet nga pretendimet territoriale të një shteti që është shpërbërë. Ajo s’ka gjasa të ketë simpati ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe apo autonomisë së Republika Sërpskas. Dikush duhet ta këshillojë herët dhe shpesh se të dyja janë të këqija”, ka shkruar Serwer në blogun e tij në internet.

Analisti politik është shprehur se administrata e presidentit Biden ka paraqitur një politikë të qetë ndaj Serbisë, por sipas tij, kjo nuk ka pse të vazhdojë nga Harris.

“Presidenti Vuçiq e ka orientuar Beogradin drejt Lindjes, duke u rreshtuar me Kinën, Rusinë dhe autokracitë e tjera, përfshirë Azerbajxhanin dhe Hungarinë. Furnizimet serbe me armatim për Ukrainë vlejnë, por ka mundësi që rrjedhin për çështje ekonomike…”, ka thënë ai.

Për luftën në Ukrainë, Serwer ka thënë se Harris do që Kievi të fitojë dhe Moska të humbasë, por “ajo nuk do të pajtohet lehtë për ndarjen e territorit”.

“Ky qëndrim mund të bartet në Ballkan. Nuk do të doja të isha ai që do t’i thoshte një presidenteje grua, me ngjyrë, se njerëzit e etnive të ndryshme nuk mund të jetojnë së bashku”, ka shtuar Serwer, derisa “risi” e ka cilësuar marrjen e detyrës së zëvendësndihmës sekretarit për Ballkanin Perëndimor nga Alexander Kasanof. bw

​14 vjet nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare pro pavarësisë së Kosovës

Sot mbushen 14 vjet kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Me 10 vota pro dhe 4 kundër anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës kishin vendosur në favor të Kosovës, duke refuzuar kështu kërkesën e Serbisë për shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Vendimi ishte lexuar nga Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në atë kohë, Hiasashio Ovada.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. sn

David Philips: Vetëm një ndërmjetës amerikan e ndryshon dinamikën e dialogut Kosovë-Serbi

Eksperti amerikan, David Philips në një përgjigje për GazetaBlic thotë se, dinamikën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë e ndryshon vetëm një ndërmjetës amerikan.

Philips thotë se, Amerika duhet të përfshihet më shumë në dialog, në mënyrë që të kalohet ngërçi aktual.

“Një bashkë-kryetar amerikan do të ndryshonte dinamikën. Le të kthehemi te struktura e jashtme dhe të përfshijmë më shumë SHBA-në. Kjo është mënyra më e mirë për të kaluar nga një ngërç në një proces ndërmjetësimi më dinamik”, tha Philips për GazetaBlic.

Presidenti Joe Biden tërhiqet nga gara presidenciale

VOA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden u tërhoq të dielën nga gara presidenciale. Ai e njoftoi vendimin, pas thirrjeve të shumta në partinë e tij demokrate për të dalë nga gara pasi kishin humbur besimin tek aftësia e tij për të fituar ndaj rivalit republikan Donald Trump.

 

Shqipëri- Ethet e turizmit a rrezikohet të kthehen në një bumerang

“Maldivet e Europës” (Ksamili) që u bënë fytyra turistike pozitive e Shqipërisë në media dhe rrjete sociale tri vitet e fundit, po bëhen edhe destinacioni më i kritikuar. Promovimi “falas” duket se mund të kthehet në bumerang për imazhin e përgjithshëm turistik, nëse nuk merret nën kontroll. Suksesi i papritur turistik i vendit në tre vitet e fundit duhet të kishte nxitur qeverinë që të kishte zgjidhur ngërçet me infrastrukturën, trafikun dhe plotësimin e ofertës turistike me Shqipërinë në të gjitha dimensionet e saj. Operatorët turistikë pranojnë se Shqipëria ofron sot raportin më të mirë cilësi/çmim, por ritmi i ngadaltë në zgjidhjen e problematikave dhe krijimi i modeleve negative (edhe pse të izoluara) mund të vërë në pikëpyetje qëndrueshmërinë afatgjatë. Të huajt që hynë në Shqipëri deri në fund të qershorit ishin 4.5 milionë. Në raport me 6-mujorin e një viti më parë, ky numër është rritur me 34 për qind, duke konfirmuar edhe një herë rritjen e dukshme në turizëm të Shqipërisë si destinacion.

Vendi ynë vijon të mbetet trend në rrjete sociale, ku duhet thënë se shumica e përshtypjeve janë pozitive, por nuk po mungojnë as ato që Shqipërinë nuk e shohin si destinacionin që prisnin. I marketuar fort si një vend me çmime të lira, duket se udhëtarët me buxhet të ulët e kanë gjetur sidomos pjesën më jugore të vendit “të shtrenjtë”.

Në këtë miks përshtypjesh mbetet e paqartë se në cilin kah do të anojë peshorja në fund të këtij sezoni dhe a do të vijojë të njohë kulme të reja dhe të njëjtin ritëm rritjeje numri i turistëve.

Operatorë turistikë në vend nuk mendojnë se efekti i çmimeve që po bëjnë xhiron në rrjete sociale mund të kthehet në bumerang të menjëhershëm.

Shqipëria, sipas tyre, vijon të jetë oferta më e mirë në raportin çmim/cilësi krahasuar me të gjitha vendet e rajonit.

Frika reale për sektorin lidhet me zhvillimin kuturu që ka sektori, me pamundësinë për t’ju përgjigjur me infrastrukturë flukseve turistike, trafikut, një promovimi bazë që është lënë në dorën e rrjeteve sociale dhe që nuk përçon te turisti ofertën reale të Shqipërisë.

Një zhvillim i tillë kaotik e ka edhe qëndrueshmërinë në pikëpyetje në afatgjatë, ndaj për këtë kërkohet reagim i shpejtë.

Ksamili, shembulli më i mirë i një modeli që po zhvillohet keq

Për të tretin vit radhazi, Ksamili është epiqendra turistike e vendit. Por teksa në dy vitet e shkuara, përshtypjet kanë qenë më pozitive, por gjithmonë me tendencë përkeqësimi, duket se këtë vit pakënaqësia është më e theksuar.

Vlerësimi për destinacionin në TripAdvisor ka rënë në 2.5 nga 5 që është maksimumi dhe duhet thënë se vlerësimet e këtij viti janë kryesisht negative. Turistët janë të mahnitur me natyrën dhe detin, por të shokuar me çmimet dhe dendësinë e shezloneve në bregdet.

Bizneset, të nxitura nga fluksi i turistëve, kanë nxituar të investojnë në struktura cilësore teksa edhe kërkesa në vetvete ka ndikuar te çmimet. “Maldivet e Europës”, që u bënë “fytyra” turistike e Shqipërisë, duket se janë në një pikë kthese e cila kërkon reflektim.

“Ksamili që është shembulli më i mirë që mund të japësh për modelin më të keq për mënyrën sesi po ndikon turizmi masiv.

Mund të bëjë bujë dhe ka sjellë numra të mëdhenj turistësh, por nuk e ka të sigurt qëndrueshmërinë”, – shprehet Roland Palushi, administrator i “EcoTour”, një agjenci që ka aktivitet në gjithë Shqipërinë me turistë të huaj.

Sipas tij, ecuria e mirë e shifrave tregon se ka interes për Shqipërinë, por duhet të jemi të kujdesshëm pasi destinacioni po shkon gradualisht në çmimet e konkurrentëve të fortë duke na vënë në disavantazh. “Personalisht më duket se nga ekonomike dhe e imazhit është mirë për momentin dhe na ka sjellë fluks.

Por ideja është që me çmimet për të cilat thuhet se mbetemi poshtë mesatares së rajonit, mendoj se po i afrohen Greqisë. Kjo e fundit në nivelin e destinacionit turistik është e fortë.

Shërbimi është shumë i mirë sepse ka traditë të gjatë shërbimi dhe shqetësimi im është që ky turizmi i masës dhe bregdetit do na kthehet në bumerang, sepse paraja e shpejtë të denatyron dhe nuk je më vetvetja. Do të humbë mikpritja dhe buzëqeshja që kemi tipar, duke shtuar këtu rritjen e çmimeve”, – pohon ai.

Nga trafiku tek infrastruktura dhe informacioni, çfarë e dëmton turizmin

Thuajse çdo vit para sezoni, akse të reja rrugore apo rikonstruksione arnash në rrugë ekzistuese zënë vend në fjalimet e përfaqësuesve të qeverisë dhe sërish çdo vit, radhët e trafikut nuk mungojnë në segmente të ndryshme.

Ngërçi që vendi ka me infrastrukturën ka bërë që shpesh destinacione turistike të mos hyjnë me kontrata garancie, për shkak të trafikut që krijohet siç është Shëngjini, teksa zona e Golemit, Ksamili dhe Saranda mbyten nga trafiku në mes të vapës.

Zhvillimi i një turizmi që kërkon të dalë nga zona “ekonomike” drejt një stadi më të lartë dhe që paguhet më shtrenjtë, kërkon si fillim lehtësimin e aksesit, diçka që pavarësisht viteve dhe investimeve, Shqipëria nuk po arrin dot ta zgjidhë.

“Shqetësimet më të mëdha, Shqipëria sot gjatë sezonit veror në plazh i ka me trafikun. Duhet parë si do të ndikojnë akset e reja Thumanë-Kashar dhe Llogoraja.

Ne duam turizmin e kroçerave, por një kroçerë që mund të vijë në Sarandë ka 3 mijë turistë dhe me trafikun që krijohet, si do t’i çosh në Butrint.

Do bllokosh jetën e qytetit dhe do t’i shoqërosh me polici? Flitet për zgjerim të rrugës së Ksamilit, por as ajo nuk zgjidh gjë. Duhet të organizohet transporti publik.

Duhet të nxitet përdorimi i mjeteve me kapacitet të lartë dhe të vendosen orare kufizuese, sepse në të kundërt është e pamundur”, – nënvizon Besnik Vathi, operator turistik i “ATHS”.

Nga ana tjetër, problem sipas tij mbetet promovimi i paorientuar që i bëhet vendit, duke e lënë atë në gjendje të lirë. Një marketim i tillë nuk ka objektiva të qarta e për rrjedhojë, edhe efektet nuk i ka të plota.

“Ne nuk duhet të biem pre e promovimit falas. Duhet të marrim në kontroll dhe të orientojmë turistët ku duam ne. Shoh Ministrinë e Turizmit dhe Agjencinë Kombëtare të Turizmit që marrin ‘reels’ të italianëve dhe i shpërndajnë.

Në një kohë kur ti si ministri dhe agjenci i ke kapacitetet dhe mundësitë të prodhosh produktin tënd të promovimit në rrjete sociale për atë lloj turizmi dhe destinacioni që ti do. Pra, të promovosh histori, kulturë, kulinarinë në të gjitha format, që përqafohen nga turistët dhe të mos biesh pre e promovimit falas.

Kjo ishte një fazë e parë kur Shqipëria kishte nevojë të konfirmohej si destinacion, por sot që e ke këtë, je në një moment tjetër”, – thekson Vathi. Një tjetër element është edhe informacioni i paorganizuar që orienton turistin.

Shqipëria, paketë më të plotë për të ruajtur qëndrueshmërinë

Shqipëria po vizitohet nga Veriu në Jug për natyrën, kulturën, kulinarinë, por sidomos në verë për rërën dhe detin. Turizmi masiv që po vërshon në shifra, është një model që nuk ka qëndrueshmëri afatgjatë nëse nuk e pasuron ofertën tënde me elemente shtesë.

Kjo për rrjedhojë mund të sjellë më shumë të ardhura të shpenzuara për turist, por edhe shtrirje gjithëvjetore të turizmit. Roland Palushi shprehet se deti dhe rëra janë padyshim një ofertë joshëse, që kanë zgjuar interesin, por turizmi i qëndrueshëm është te kombinimi i kësaj oferte me turizmin e aventurës dhe zonave rurale.

Njëra kompenson tjetrën në ditë të këqija, ose forcojnë ofertën si destinacion në total, ndaj në këtë këndvështrim ai shprehet se qeveria duhet ta shohë seriozisht promovimin e Shqipërisë tjetër edhe si një formë për të ndalur braktisjen e zonave rurale, që është kthyer në problem real.

“Mendoj se duhet të nisin sa më shpejt projektet për zonat malore. E para të mos boshatisen se po ikin të gjithë, por edhe për të krijuar një ekuilibër midis një imazhi që mund të prishet dhe një imazhi më të konsoliduar.

Turistët tanë e vënë re diferencën kur kalon nga zonat malore, që është me energji dhe ndjesi pozitive në një zonë në bregdet, ku kjo ka humbur dhe je thjesht në një marrëdhënie biznesi”, – shprehet z.Palushi.

Sipas Besnik Vathit, Shqipëria duket se ka hequr dorë nga pjesëmarrja në panaire, duke u mjaftuar me suksesin që po përjeton aktualisht.

Ky angazhim i ulët për të tërhequr tregje të reja që paguajnë përtej detit dhe rërës dhe që shtrijnë efektin në ekonomi nuk është rruga e duhur për të pasur një turizëm të qëndrueshëm.

“Dikur kemi marrë pjesë në 30-40 panaire, tani vetë, në 2-3 të tillë. Pse? Apo s’kemi nevojë? Jo, kemi nevojë, sepse duhet të promovosh vendin, të promovosh turizmin në gjithë gjerësinë e tij.

Është e nevojshme të tërheqim dhe vende të reja që për nga numri dhe cilësia janë gjeneruesit më të mëdhenj të turizmit në botë.

Ne nuk promovojmë për të tërhequr vende gjeneruese të turizmit në botë, nuk promovojmë në vendet jashtë Europës, ku nuk të sjellin thjesht turistë por vizitorë që paguajnë dhe konsumojnë kulturën, pra që janë përtej detit dhe kjo e shpërndan efektin në ekonomi”, – nënvizon ai. /Monitor/

UNESCO: Shqipëria të shmangë me çdo kusht menaxhimin e fragmentuar të Butrintit

Butrinti
VOA/Raimond Kola

UNESCO nuk pritet ta listojë këtë vit Butrintin në Trashëgiminë Kulturore në Rrezik por u kërkon autoriteteve shqiptare të shmangin me çdo kusht menaxhimin e fragmentuar dhe të sqarojnë me urgjencë kufijtë e pronës.

Projektvendimi që do të shqyrtohet në asamblenë e UNESCO-s që mbahet në Indi u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë një hartë të kufijve të pronës së Butrintit, të cilët janë ndryshuar dy vjet më parë nga qeveria shqiptare pa miratimin e UNESCO-s.

Një analizë e thelluar e Qendrës së Trashëgimisë Botërore dhe një projktvendim i Komitetit të UNESCOS që do të mblidhet në Indi këtë muaj nuk parashikojnë që të listojnë këtë vit Butrintin në Trashëgiminë në Rrezik, por u kërkohet autoriteteve shqiptare” të shmangin me çdo kusht menaxhimin e fragmentuar dhe të sqarojnë me urgjencë kufijtë e pronës”.

UNESCO thotë në analizën e zhvillimeve të fundit lidhur me Butrintin se Plani i Menaxhimit përfshin themelimin e Fondacionit për menaxhimin e ardhshëm të zonës A3, që njihet si qyteti antik për një periudhë kalimtare.

“ Është për të ardhur keq thuhet në analizën e UNESCOS , që ky proces mund të rezultojë në një mjedis menaxhimi të fragmentuar, pasi seksionet A3 nuk mbulojnë të gjithë pronën. Kjo duhet të shmanget me çdo kusht”, vlerëson UNESCO.

UNESCO thotë se duke marrë parasysh që Plani i Menaxhimit të Butrintit është miratuar nga qeveria shqiptare në vitin 2020 dhe se periudha e tranzicionit ka përfunduar, Komiteti mund të ftojë Shqipërinë të ndërmarrë një rishikim afatmesëm të zbatimit të tij bazuar në kuadrin monitorues”.

Një tjetër qëndrim në analizën e fundit të UNESCO-s shprehet ndaj kufijve të Butrintit ku kërkohen sqarime urgjente.

“Kërkohen sqarime urgjente sesi do të menaxhohen seksionet e pronës që nuk mbulohen nga përcaktimi A3 dhe administrohen nga Fondacioni Menaxhimit të Butrintit dhe se si do të sigurohet ruajta në këto zona”, thuhet në analizën e UNESCO-s.

“Kjo është veçanërisht urgjente në kontekstin aktual, duke qenë se misioni UNESCO-s konfirmoi se në janar 2022, rreth 600 ha u tërhoqën nga Parku Kombëtar pranë Ksamilit, ku në atë kohë ishte në ndërtim e sipër një kompleks rezidencial turistik.Kjo sipërfaqe shtrihet brenda zonës tampon të pronës siç është miratuar në 2007 nga UNESCO dhe një pjesë e vogël e pronës gjithashtu mund të jetë shkelur nga ndryshimi kufijve , thotë UNESCO.

“Është për të ardhur keq që është ende në pritje sqarimi i kufijve të pronës dhe zonës së saj tampon, që pritet që prej datës 15 shkurt 2023″, thotë UNESCO në analizën për Butrintin.

Edhe projekt- vendimi që do ti paraqitet Komitetit të Trashëgimisë Botërore në sesionin e 46 që mbahet në Indi këtë muaj bazohet mbi analizën e Qendrës Botërore të Trashëgimisë.

Në projekt vendim thuhet se “po punohet për të siguruar që Ministria e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës të ketë mbikëqyrjen e të gjithë pronës së Trashëgimisë Botërore pasi menaxhimi i Zonës A3, t’i transferohet Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit deri në tetor 2024”.

Në projekt vendim UNESCO thotë se “ mirëpret punën e vazhdueshme për të siguruar që Ministria e sapo krijuar e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të mbajë mbikëqyrjen e të gjithë Pronës së Trashëgimisë Botërore”.

Projekt vendimi thekson “se për të arritur një menaxhim dhe llogaridhënie efektive, prona e Trashëgimisë Botërore dhe zona e saj tampon duhet të menaxhohen në mënyrë të koordinuar dhe në tërësi.”

UNESCO në projekt vendimin e saj thotë se “kërkon për më tepër që Shqipëria të japë sqarime për Qendrën e Trashëgimisë Botërore mbi rregulloret aktuale mbrojtëse dhe përdorimet e përcaktuara për të gjitha zonat e Parkut Kombëtar në lidhje me mbrojtjen e pronës së Trashëgimisë Botërore dhe funksionin e zonës tampon, dhe mbi mënyrën se si regjimet e ndryshme të menaxhimit do të harmonizohen për të shmangur fragmentimin”.

Në projekt vendim Komiteti i Trashëgimisë Botërore “shpreh keqardhje që qartësimi i kufijve të pronës dhe zonës së saj tampon është ende në pritje dhe i kërkon Shqipërisë që të paraqesë, si çështje prioritare, një hartë të qartë dhe të saktë që tregon kufirin e pronës së Trashëgimisë Botërore dhe kufirin e zonës tampon që Qendra e Trashëgimisë Botërore ta marrë në shqyrtim”.

Lidhur me dokumentet e UNESCO-s, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit tha përmes një deklarate se e gjen projekt-vendimin dhe raportin analitik si shumë objektiv dhe tërësisht korrekt.

Por MEK nuk dha sqarime përse autoritete shqiptare nuk po e dorëzojnë hartën e kufijve të rinj të Butrintit në UNESCO dhe si do të arrihet ligjërisht autoriteti i kësaj Ministrie në gjithë Parkun Kombëtar të Butritnit, kur një pjesë e tij që njihet si qyteti antik do të jetë nën administrim të një organizate joftimprurëse për dhjetë vite.

Autoritetet qeveritare shqiptare ndërmorën kohët e fundit takime intensive me drejtues të Unescos të cilat shihen nga analistët e pavarur si një përpjekje për të zbutur qëndrimet e ashpra të UNESCO-s që u refletuan në një raport të një misioni monitorimi tetorin e vitit të shkuar lidhur me Butrintin.

Raporti u bë publik nga Zëri i Amerikës pasi autoritetet shqiptare nuk dhanë miratimin që UNESCO ta publikonte raportin në faqen zyrtare.

Gjykata Kushtetuese vendosi në prill me një rezultat të ngushtë 5 me 4 të anëtarëve të saj për rrëzimin e kërkesës së një grupi deputetësh të opozitës që kërkonin shfuqizimin e marrëveshjes për administrimin në Parkun Kombëtar të Butrintit.

Sipas marrëveshjes zona A3 e Parkut Kombëtar të Butrintit që njihet si qyteti antik do të administrohet për dhjetë vite nga një organizatë jofitimprurëse në formë Fondacioni krijuar nga ministria shqiptare e Kulturës dhe Fondacioni shqiptaro-amerikan për Zhvillimin (AADF).


Send this to a friend