VOAL

VOAL

LIVE NGA PARISI/ Kryeprokurori i Parisit: Të paktën 120 të vdekur, 5 terroristë të vrarë

November 14, 2015

Komentet

Presidenti Biden nënshkruan ndihmën prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin

VOA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden miratoi të mërkurën projekt-ligjin që parashikon 95 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.

Ai tha se ligji për ndihmën do ta bëjë Shtetet e Bashkuara dhe botën më të sigurt dhe se dërgimi i paisjeve ushtarake për Ukrainën do të fillojë brenda disa orëve.

Presidenti Biden tha se me miratimin e kësaj ndihme Shtetet e Bashkuara rikonfirmojnë rolin udhëheqës të Amerikës në botë.

“Ajo i jep mbështetje jetike partnerëve të Amerikës që mënyrë që ata të mund të mbrohen përballë kërcënimeve ndaj sovranitetit të tyre, jetës dhe lirisë së qytetarëve të tyre. Dhe është një investim në sigurinë tonë, sepse kur aleatët tanë janë më të fortë, ne jemi më të fortë”, tha presidenti Biden.

Ai falenderoi anëtarët e Kongresit dhe udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve, si demokratë edhe republikanë për miratimin e ndihmës.

Nënshkrimi nga presidenti u bë pasi Senati votoi me shumicë dërrmuese të martën në mbrëmje në favor projekt-ligjit.

Pas votimit me 79 pro dhe 18 kundër, udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer tha se Amerika po i dërgon një mesazh mbarë botës.

“Sot, pas më shumë se gjashtë muajsh pune të palodhur, shumë vështirësish dhe pengesash, Amerika i dërgon një mesazh mbarë botës: Ne nuk do t’ju kthejmë shpinën. Ne u themi aleatëve tanë se jemi me ju. Ne u themi kundërshtarëve tanë, mos u ngatërroni me ne. I themi botës se do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur demokracinë dhe mënyrën tonë të jetesës. Ky projektligj i sigurisë kombëtare është një nga masat më të rëndësishme që ka miratuar Kongresi për të mbrojtur sigurinë e Amerikës dhe sigurinë e demokracisë perëndimore”, tha zoti Schumer.

Miratimi i pjesës së ndihmës prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën vjen ndërsa Kievi ka nevojë të jashtëzakonshme për furnizime të reja ushtarake dhe presidenti rus Vladimir Putin ka intensifikuar ofensivën.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy falënderoi Presidentin Biden, udhëheqësin e shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer dhe udhëheqësin e pakicës, Mitch McConnell pas miratimit të projekt-ligjit nga Senati, duke thënë se votimi “përforcon rolin e Amerikës si një model i demokracisë dhe udhëheqëse e botës së lirë”.

Zyrtarët amerikanë thonë se Pentagoni është gati të dërgojë 1 miliard dollarë ndihmë të re ushtarake në Ukrainë, pjesa më e madhe pas javëve të ardhshme.

Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi ndihmën të shtunën.

Ligji parashikon gjithashtu 26 miliardë dollarë ndihmë për Izraelin, si edhe ndihmë humanitare për qytetarët e Gazës, si edhe 8 miliardë dollarë për përforcuar mbrojtjen ndaj Kinës në Tajvan dhe Indo-Paqësor.

Më herët të martën, presidenti i sapozgjedhur i Tajvanit Lai Ching-te vlerësoi veprimin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA.

Lai Ching-te, Zëvendëspresident dhe president i zgjedhur i Tajvanit

“Ky veprim jo vetëm që do të forcojë qëndrimin kundër autoritarizmit mes aleatëve të Perëndimit dhe Paqësorit, por gjithashtu do të ndihmojë në sigurimin e paqes dhe stabilitetit përgjatë ngushticës së Tajvanit, si edhe do të rrisë besimin në rajon lidhur me vendosmërinë e SHBA-së për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë në rajon. Pra dëshiroj të shpreh edhe një herë mirënjohjen time të sinqertë për Kongresin amerikan për miratimin e këtij legjislacioni, për të përmbushur angazhimin e tij ndaj sigurisë së Tajvanit.”

Zoti Lai i bëri komentet në një takim me një delegacion nga SHBA.

Transparency International nxin Ramën – Qeveria kontrollon mediat. Lidhje mes zyrtarëve dhe grupeve kriminale, blerje votash në zgjedhje

VOA

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) publikoi sot në Tiranë Raportin e Vlerësimit të Sistemit Kombëtar të Integritetit për Shqipërinë, mbi efektivitetin e mekanizmave kombëtarë kundër korrupsionit.

Raporti, një bashkëpunim me Organizatën Transparency International, me mbështetjen e Bashkimit Europian, vëren një rënie në sektorin publik sa u takon mekanizmave kundër korrupsionit, një stanjacion në media dhe shoqërinë civile, ndërsa veçon si përparimin më të rëndësishëm atë në sistemin gjyqësor dhe në prokurori.

“Kuadri legjislativ i Shqipërisë mbetet i fragmentuar dhe efektiviteti i reformave është i kufizuar; shumë institucioneve publike u mungojnë kapacitetet, burimet dhe stafi i nevojshëm për detyrat e tyre”, thuhet në raport.

Lidija Prokic, këshilltare rajonale e organizatës Transparency International për Europën Lindore dhe Juglindore, tha për Zërin e Amerikës se reformat anti-korrupsion në Shqipëri duhet të vazhdojnë, se reforma në sistemin gjyqësor po kryhet me sukses, por edhe se ky Raport zbuloi se disa sektorë janë ende të brishta përballë korrupsionit.

“Një nga gjetjet më të spikatura nga Raporti është dobësia e rolit mbikëqyrës të parlamentit, prej nga rezulton që në disa fusha korrupsioni lehohet të vazhdojë. Nevojitet më shumë ndërveprim midis shoqërisë civile dhe institucioneve qeveritare në krijimin e një legjislacioni të vërtetë e funksional, që ta mbrojë shoqërinë nga korrupsioni. Kjo është e vetmja rrugë ku Shqipëria dhe vende të tjera në rajon mund të përparojnë drejt integrimeve europiane”, tha zonja Prokic për Zërin e Amerikës.

Në Raportin e Vlerësimit të Sistemit Kombëtar të Integritetit, një instrument i organizatës Transparency International, analizohen mirëqeverisja, transparenca dhe llogaridhënia tek Kuvendi, qeveria, partitë politike, gjyqësori, media, institucionet e pavarura, organizatat e shoqërisë civile si biznesi privat.

“Sektori publik i Shqipërisë është shtylla me pikët më të ulëta, sepse vuan nga standarte të paqarta profesionale, nga rreziku i korrupsionit dhe nga ndikimi politik”, thuhet në raport.

Sipas tij, përpjekjet për reforma dështojnë në krijimin e një sektori publik profesional dhe të përgjegjshëm, ku shkarkimet e padrejta mbeten një shqetësim me rëndësi.

IDM thekson në raport se në Shqipëri janë të pranishme forma të ndryshme korrupsioni, nga korrupsioni i vogël dhe nepotizmi deri te pastrimi i parave dhe kapja e shtetit, të cilat kanë marrë një rritje të konsiderueshme.

“Korrupsioni i madh dhe kapja e shtetit janë rritur ndjeshëm në dekadën e fundit, pasi Shqipëria ka rritur rreziqe të tilla nëpërmjet privatizimit, koncesioneve dhe partneriteteve publik-privat PPP. Këto mënyra të transferimit të parave publike dhe kapitalit në duar të privatit kanë qenë të prirura ndaj korrupsionit dhe pretendohet se kanë kontribuar në pasurimin personal të zyrtarëve qeveritarë”, thekson raporti.

Sektorët ekonomikë më të prekur nga korrupsioni i madh, sipas këtij raporti, kanë qenë energjia, transporti, ndërtimi, shëndetësia dhe turizmi.

“Pastrimi i parave dhe marrëveshjet e fshehta ndërmjet partive politike, zyrtarëve të qeverisë dhe grupeve të organizuara kriminale janë shqetësuese dhe janë përkeqësuar”, thuhet në raport.

Kuadri legjislativ kundër korrupsionit vlerësohet se është mjaft gjithëpërfshirës, por jo mjaftueshëm i qartë në përcaktimin e përgjegjësive institucionale për ta zbatuar atë.

“Mungesa e transparencës lehtëson vendimmarrjen e korruptuar dhe kapjen e shtetit”, thekson raporti.

Pavarësisht Ligjit për të Drejtën e Informimit dhe Ligjit për Njoftimin dhe Konsultimin Publik, institucionet publike, sipas raportit, ende nuk arrijnë të zbulojnë të dhënat përkatëse buxhetore dhe të prokurimit, ndërkohë që proceset e konsultimit publik priren të jenë formale.

Në të theksohet se “ndikimi i qeverisë mbi Kuvendin është i rëndësishëm dhe institucionet e pavarura si KLSH, ILDKPKI dhe Avokati i Popullit ushtrojnë presion të kufizuar thelbësor mbi ekzekutivin për të hartuar politika efektive kundër korrupsionit”.

Pavarësisht një ligji të ri për prokurimin publik, raporti thekson se “procedurat e prokurimit publik në sektorin shëndetësor dhe në infrastrukturë vuajnë nga një sërë çështjesh që variojnë nga ofertat fiktive deri te mungesa e mbikëqyrjes efektive”, ndërsa “nuk bëhen të ditura detajet në lidhje me zbatimin dhe ekzekutimin e kontratave të koncesionit/partneritetit publik-privat (PPP)”.

Në këtë raport theksohet se zbatimi në praktikë i ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit dhe për mbrojtjen e sinjalizuesve mbetet i dobët.

Mjedisi i biznesit në Shqipëri vlerësohet se ka mbetur i prirur ndaj korrupsionit për shkak të sfidave si informaliteti, administrata publike joefektive dhe besimi i ulët në sistemin e drejtësisë. “Rastet e zyrtarëve publikë që marrin pagesa nga sektori privat janë të përhapura, megjithëse ka pasur iniciativa për të reduktuar kontaktet mes bizneseve dhe zyrtarëve publikë”, thuhet në raport.

Në të theksohet se shoqëria civile, mediat dhe partitë politike kanë shënuar rezultate të dobëta.

“Besimi tek partitë politike është shumë i ulët, sepse partitë politike kanë përqafuar klientelizmin, duke ofruar përfitime në këmbim të mbështetjes elektorale dhe financiare, duke shtuar dyshimet për përfshirjen e grupeve kriminale në këtë marrëdhënie”, thuhet në raport.

Në raport thuhet po ashtu se Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ende i mungojnë burimet e mjaftueshme për të monitoruar financimin e partive politike dhe të ndëshkojë shkeljet e ligjit nga partitë politike, ndërsa “ka akuza për ndërhyrje të partive politike në burimet dhe dhënat shtetërore”, por “mekanizmat për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve publike gjatë fushatave politike janë joefektive”.

Zonja Prokic, përfaqësuese e Transparency International, tha për Zërin e Amerikës se shoqëria civile ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në luftën ndaj korrupsionit, dhe ajo po kurajohet nga TI, që të jetë më bashkëpunuese dhe më aktive në përpjekjet për të mbajtur nën kontroll korrupsionin.

“Qëllimi ynë është bashkëpunimi me qeverinë që ajo të marrë masa konkrete në kontrollin e korrupsionit së pari në sektorin publik, por Raporti vëzhgon korrupsionin edhe në sektorin e biznesit, i cili është po ashtu i lidhur me rolin e parlamentit, qeverisë, dhe drejtësisë. Secili ka një rol të madh për të luajtur, dhe nuk mund të shihen të shkëputura”, tha zonja Prokic.

Në të theksohet se organizatat e shoqërisë civile monitorojnë llogaridhënien e qeverisë me metoda të ndryshme, por ndikimi i tyre është i kufizuar, ndërsa përballen me vëmendje të kufizuar, me frikësime të vazhdueshme, ngacmime dhe sulme.

Sa i takon gazetarisë, në raport thuhet se materialet e përgatitura nga qeveria dhe reklamat e fshehura vënë në dyshim integritetin gazetaresk dhe rolin publik të medias.

“Pavarësia editoriale kushtëzohet nga interesat e pronarëve dhe vlerësohet se mediat promovojnë axhendat e qeverisë, biznesit dhe grupeve kriminale për përfitime personale në tregje fitimprurëse”, theksohet në raport, i cili veçon si problem kufizimet mbi informacionin për gazetarët investigativë, shoqërinë civile dhe profesionistët e medias.

“Krijimi i Agjencisë për Media dhe Informim në vitin 2021 ka centralizuar më tej kontrollin e përmbajtjes së informacionit që bëhet publike nga institucionet qeveritare”, thuhet në raport.

Ai thekson se “liria e medias në Shqipëri është përkeqësuar”, ndërsa “media priret të politizohet ndjeshëm dhe marrëdhënia midis qeverisë dhe pronarëve të medias duket se lidhet me një përfitim reciprok: mbulim pozitiv për qeverinë në këmbim të aksesit në fondet publike dhe lehtësimit të procedurave administrative”.

Në raport theksohet se linjat editoriale të mediave diktohen nga interesi vetjak ekonomik; fakti që pronarët e kompanive më të mëdha mediatike janë aktivë edhe në sektorë si ndërtimi, shëndetësia ose financa.

“Këto marrëdhënie zhvillohen më tej në rrjete klientele të plota thelbësore për korrupsionin e madh dhe mundësinë për të përfituar nga kontratat publike”, thekson raporti i IDM-së për vitin 2023, i cili vjen pas atij të fundit në vitin 2016.

Raporti vlerëson reformën në drejtësi, procesin e vetingut, si dhe ngritjen e një prokurorie të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por thekson se ende gjendja e qeverisjes demokratike është përkeqësuar, ndërsa gjendja e shtetit të së drejtës ka ardhur ngadalë në rënie.

Po ashtu regjistrohet përkeqësim edhe sa i takon mbrojtjes së drejtave njerëzore dhe qytetare, ku janë dokumentuar shkelje të së drejtës për tubim të lirë, ndalime të paligjshme dhe shkelje të së drejtës për strehim nëpërmjet dëbimeve me forcë dhe prishjes së pronës për t’i krijuar hapësirë projekteve të infrastrukturës në kryeqytet.

Von Cramon: Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginë duhet të ndalet menjëherë

Deputetja e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon, i ka bërë thirrje Qeverisë së Serbisë ta ndalë menjëherë pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë.

Von Cramon të mërkurën ka njoftuar për takimin që ka pasur me përfaqësuesit shqiptarë në Luginë, duke i bërë thirrje Qeverisë serbe ta ndalë diskriminimin sistematik ndaj tyre.

“Takimi i rëndësishëm me përfaqësuesit politikë të minoritetit shqiptar nga jugu i Serbisë. Diskriminimi sistematik ndaj tyre, duke përfshirë ‘pasivizimin’ e adresave, nga Qeveria e Serbisë është e papranueshme dhe duhet ndalur menjëherë!”, ka shkruar ajo në “X”. sn

Senati amerikan miratoi paketën prej 61 miliardë dollarësh, Zelensky: SHBA është fener i demokracisë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi pas miratimit nga Senati i SHBA-së të një pakete ndihme prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën, si provë e rolit të Uashingtonit si një “fener i demokracisë”.

Në një deklaratë në aplikacionin Telegram, ai tha se është mirënjohës për ndihmën jetike për Ukrainën.

“Ky votim përforcon rolin e Amerikës si një fener i demokracisë dhe udhëheqës i botës së lirë”, shtoi ai.bw

Shumica e vendeve të BE-së, pro heqjes së masave ndaj Kosovës

Bashkimi Evropian i është afruar heqjes së masave kufizuese ndaj Kosovës, të vendosura para një viti nga ana e Komisionit Evropian, si pasojë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës.

Masat përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.

Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).

Por, pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.

Radio Evropa e Lirë nga disa burime diplomatike në BE mëson se shumica e madhe e vendeve anëtare janë në favor të heqjes së të gjitha masave, ndërsa një numër më i vogël i shteteve do që heqja e tyre të bëhet në mënyrë graduale.

Kundër heqjes së masave, sipas këtyre burimeve, nuk është shprehur asnjë vend anëtarë i BE-së. Kjo përshtypje është vërejtur në diskutimin e fundit që është zhvilluar në BE të martën mbrëma për situatën aktuale në Kosovë. Diskutimi është bërë në Komitetin për politikë edhe siguri të BE-së (PSC) ku janë ambasadorët e 27 vendeve anëtare.

“Shumica e vendeve anëtare duan që të hiqen të gjitha masat ndaj Kosovës, por janë disa vende, në mesin e tyre edhe tri vendet e QUINT-it (Gjermania, Franca dhe Italia) që duan heqjen graduale të masave ndaj Kosovës”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një burim diplomatikë i BE-së.

Të njëjtat burime kanë thënë se edhe Shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) është në favor të heqjes së masave ndaj Kosovës, por hezitim deri tash ka pasur më shumë nga Komisioni Evropian, ku ndikim të madh ka komisionari për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi.

Gjatë diskutimeve të fundit është folur për hapat që ka ndërmarrë Kosova për të përmbushur kushtet për heqjen e masave, por edhe për hapat që, sipas raportuesve që kanë folur, akoma nuk janë përmbushur në tërësi. Për situatën aktuale në Kosovë para përfaqësuesve të vendeve anëtare kanë folur dy të dërguar të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, si i dërguar i posaçëm për dialog dhe Tomas Sonyong, i cili është i dërguar i posaçëm për Kosovë dhe shef i zyrës së BE-së në Kosovë.

Ata kanë thënë se situata ende është e tensionuar dhe problemet e shkaktuara në veri nuk janë tejkaluar as pas mundësisë ofruar serbëve në katër komuna në veri për të votuar për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave.

Që të dy, sipas burimeve diplomatike, u janë shmangur pyetjeve direkte se a po e shkel Serbia Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Vetëm kanë konstatuar se Serbia është angazhuar në përpjekje për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Gjatë diskutimit, sipas burimeve diplomatike, ka pasur thirrje që të hiqen të gjitha masat ndaj Kosovës sa më shpejt, sepse ato kanë krijuar përshtypjen se BE nuk ka qasje të balancuar ndaj Serbisë dhe ndaj Kosovës.

Më të zëshmet në kërkesat për heqjen e masave ndaj Kosovës kanë qenë Finlanda, vendet Baltike, Kroacia, Polonia, Sllovenia dhe disa vende të tjera. Ndërsa Franca, Italia dhe Gjermania kanë dashur të lënë përshtypjen se vendet e QUINT-it kanë qëndrim të përbashkët dhe kanë preferuar heqjen graduale të masave.

Hungaria, e cila deri vonë ka qenë kundër, tash nuk është shprehur kundër.
Vendet anëtare kanë bërë thirrje që përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, sa më parë që të jetë e mundur të raportoj para Këshillit të BE-së për përmbushjen e kushteve nga ana e Kosovës për heqjen e masave. Ky raport është i nevojshëm në mënyrë që masat të hiqen, në tërësi apo pjesërisht.

Burimet e BE-së kanë thënë se edhe konkluzionet nga takimi i ministrave të BE-së nga 12 dhjetori i vitit 2023 përmendin “heqjen e masave” e jo heqjen graduale siç kërkojnë disa vende.

“Këshilli rikujton se BE-ja është e gatshme për heqjen e masave në rast se arrihet progres i mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave. Këshilli do të përcjellë çështjen dhe do t’i kthehet në bazë të raportit të përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen e këtyre kërkesave”, shkruan në konkluzionet e Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së nga dhjetori i vitit të kaluar.

Ka një paqartësi brenda BE-së edhe rreth nevojës që vendet anëtare të pajtohen për heqjen e masave. Kjo, sepse kur ishin vendosur masat, ishte thënë se “kjo është kompetencë e Komisionit Evropian“. Tash kërkohet që për heqjen e tyre të ketë pajtim nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Burimet e BE-së pas debatit të fundit ku u pa gatishmëria e vendeve anëtare thonë se “BE-ja po afrohet drejt heqjes së masave ndaj Kosovës, porse ende nuk është punë e kryer“.

Pse i janë vendosur Kosovës masa ndëshkuese?

Që pothuajse një vit, Kosova ka qenë nën disa masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian. Këto masa ishin vënë pasi BE-ja thoshte se Kosova nuk kishte bërë mjaftueshëm për ta shtensionuar situatën në veriun e banuar me shumicë serbe.

Në maj të vitit 2023, tensionet në atë pjesë të Kosovës kulmuan pas hyrjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale. Ata dolën nga zgjedhjet që popullsia shumicë serbe në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok i bojkotoi.

Përfaqësues të shteteve perëndimore kanë kërkuar nga Kosova që, përmes zgjedhjeve të parakohshme, të mundësonte largimin e atyre kryetarëve, për të cilët thoshte se nuk përfaqësonjnë vullnetin e banorëve.

Të dielën, Kosova mbajti procesin e votimit që mund të çonte në shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave, por sërish pati bojkot, pas thirrjes që bëri partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe.

Pasi që nuk u siguruan votat e mjaftueshme, procesi dështoi. Por, pas mbajtjes së procesit, Qeveria e Kosovës dhe liderë si kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani kërkuan që masat ndëshkuese të BE-së të hiqen.

Radio Evropa e Lirë e pyeti edhe Qeverinë e Kosovës lidhur me efektet që kanë pasur masat ndëshkuese, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli. As BE-ja s’deshi t’i komentojë efektet specifike të këtyre masave.

Hapat drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës

Marrëveshja ndërmjet BE-së dhe Kosovës për zbatimin e deklaratës së 3 qershorit 2023 të 27 vendeve të BE-së

10 korrik 2023

Hapi Veprimi Koha
1 Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. Java e parë
2 Policia e Kosovës kryen vlerësime të rregullta të sigurisë bashkë me EULEX-in, dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. Nga java e parë, në vazhdimësi
3 Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat nveriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve. Nga java e parë, zbatimi sa më parë të jetë e mundur
4 BE-ja do t’i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel, për finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt rrugës për normalizimin e marrëdhënieve, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes. Java e dytë
Burimi: Qeveria e Kosovës

Radio Evropa e Lirë

Vjosa Osmani: Serbia do të tentojë sërish që të destabilizojë Kosovën

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia do të tentojë sërish të destabilizojë Kosovën.

Sipas saj, përpjekjet e Serbisë për të destabilizuar situatën e sigurisë në Kosovë janë të vazhdueshme.

“Një gjë e tillë do të tentohet sërish nga Serbia, sepse vazhdimisht bëhen planifikime të tilla, por jam e bindur me të gjitha përgatitjet që po i bën policia e Kosovës, në partneritet me prezencën ndërkombëtare, në veçanti me EULEX-in dhe NATO-n, si përgjegjës të dytë dhe të tretë për sigurinë në Kosovë, që ne do të parandalojmë çdo sulm”, ka thënë Osmani për Zërin e Amerikës.

Osmani ndër tjera ka përmendur edhe bojkotimin e procesit të votimit në veri, duke thënë se u bë me presion direkt nga ana e Beogradit. Sipas saj, një situatë e tillë është shqetësuese dhe mund të ndryshohet vetëm me presion serioz ndërkombëtar mbi Serbinë.

“Natyrisht që na shqetëson, sepse vërtet Kosova vazhdimisht ka treguar gatishmëri të plotë që t’i ofrojë qytetarëve të saj jo vetëm mbrojtje kushtetuese, por edhe instrumente të reja në qoftë se dëshirojnë t’i ndryshojnë kryetarët e komunave”.

Por shqetësimi kryesor sipas Osmanit, është presioni i vazhdueshëm që bëhet mbi qytetarët nëpërmjet strukturave ilegale e kriminale, të cilat financohen, nxiten dhe politikisht emërohen nga ana e Vuçiçit.

“Kjo tregon nga njëra anë interferim ilegal në zgjedhjet e një shteti tjetër nga ana e Serbisë dhe e dyta që Serbia mbetet po e njëjta dhe si qëllim parësor ka pengimin e integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës, pavarësisht dialogut që ka zgjatur prej 12 vitesh dhe pavarësisht obligimit të tyre ndërkombëtar me po marrëveshjen e 2013, të cilën po e kërkojnë, ku kërkohet që serbët të integrohen në institucionet e Kosovës dhe të zhbëhen të gjitha strukturat ilegale. Pra është situatë shqetësuese të cilën e ka krijuar Serbia dhe që mund të ndryshohet vetëm me presion serioz ndërkombëtar mbi Serbinë”, ka thënë Osmani. sn

Të djelën që vjen prapë RAI3 do të sjellë të reja – Zbulohet letra e Agaçit: Po, jam i përfshirë në marrëveshjen për emigrantet

Edi Rama po ankohet me të madhe se RAI3 nuk publikoi përgjigjet e sekretarit të përgjithshëm të këshillit të ministrave, Engjëll Agaçi për emisionin ‘Report’. Në të gjitha reagimet e tij ai e konsideroi këtë ‘një shkelje skandaloze të etikës gazetareske’. Këtyre akuzave iu përgjigj drejtuesi i emisionit ‘Report’, Sigfrido Ranuçi.

Ai tha se të dielën e ardhshme do të ketë sërish vëmendje për Shqipërinë dhe se në këtë puntatë do të transmetohen edhe përgjigjet e Agaçit që sipas tij konfirmojnë se ka qenë avokat i narkotrafikantëve. Megjithatë, ndoshta duke parë presionin në rritje, RAI e ka publikuar letrën e Agaçit që mban datën 5 prill.

Dy janë çështjet kryesore në të. E para lidhet me rolin e Agaçit në dhurimin e një sipërfaqeje prej 30 mijë metrash katrorë në bregdetin e Vlorës nga narkotrafikanti Artur Shehu për gjeneralin në pension të Interpolit, Fabrizio Lisi. Ky i fundit pranoi në emisionin ‘Report’ se ishte Agaçi që ia prezantoi Shehun dhe se ai nuk kishte dijeni për të shkuarën e tij.

‘Nuk e njihja këtë person. Rastin ma solli Ëngjëll Agaçi. Unë e besoja Agaçin, pasi ai ishte njeri i besuar i kryeministrit shqiptar, Edi Rama’-u shpreh Lisi.

PËRGJIGJJA E PLOTË E ENGJËLL AGAÇIT

Në vëmendje të personelit redaktues të ‘Report’.

Po lexoj se objekti i investigimit tuaj gazetaresk ka të bëjë me Protokollin për emigrantët, të përcaktuar midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, i miratuar më pas me ligj nga parlamentet përkatëse dhe i kaluar në testin e kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

Të them të drejtën, nuk e gjej lidhjen e sa më sipër me aktivitetin tim të mëparshëm profesional si avokat në Itali, i cili përfundimisht ka përfunduar pak para datës 15.09.2013, ditë në të cilën pata nderin të merrja detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë Shqiptare, post që e mbaj edhe sot.

Në lidhje me hetimin tuaj, sinqerisht nuk shoh ndonjë interes publik për të hetuar veprimtarinë time personale dhe profesionale në të kaluarën, e cila është krejtësisht e palidhur dhe e parëndësishme me atë aktuale. Mbi të gjitha, nga thelbi i pyetjeve tuaja vërej se nuk është bërë një verifikim i kujdesshëm i burimeve tuaja. Sigurisht që këto janë vëzhgime që do të vlerësohen me kujdes nga redaksia e sjellshme siç tregohet më sipër. Në çdo rast, për shkak të funksionit që mbaj dhe për transparencë dhe vërtetësi më të madhe, ofroj disponueshmërinë time për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve tuaja.

Pyetje:

-Është e vërtetë që keni luajtur rolin e ndërmjetësit në negociatat për shitjen e 30 mijë hektarëve tokë nga Artur Shehu te fondacioni Eftimiadi, që u zhvilluan më 28 shkurt 2015?

Përgjigje:

Më datë 31.03.2012, si Jurist, mora përsipër një detyrë formale nga Gjykata e Triestes, në emër të Kuratorit të atëhershëm, për të ndjekur ngjarjet dokumentare dhe materiale të Amanetit të Vërtetë të të ndjerit Z. Salvatore Eftimiadi. E kam ndërprerë veprimtarinë në fjalë pasi kam marrë funksionin institucional të sipërpërmendur dhe ia kam komunikuar kuratorit fillimisht verbalisht dhe më pas komunikuar zyrtarisht edhe nga Studio Juridike, pjesë e së cilës kam qenë.

Pyetje:

-A është e vërtetë që në ushtrimin e profesionit tuaj si avokat në Itali keni kryer funksione asistence ligjore dhe/ose konsulence në favor të shumë shtetasve shqiptarë të përfshirë në procedimet penale për trafik droge në gjykatat italiane?

Përgjigje:

Në veprimtarinë time të gjatë profesionale si avokat në Itali kam asistuar shumë shtetas italianë, padyshim edhe shqiptarë dhe komunitete të tjera të huaja në Itali. Në disa nga procedurat kam ndihmuar ish-klientët e mi të përfshirë në krimet e parashikuara me Dekretin Presidencial 309/90 (Ligji për Narkotikët).

Pyetje:

-Konkretisht, a keni dhënë ndihmë ligjore dhe/ose këshilla për Renardo Nallbanin, Alxi Nallbanin, Dritan Nikollin dhe Artur Shehun?

Përgjigje:

Ju sjell në vëmendje se legjislacioni italian dhe ai europian për mbrojtjen e të dhënave personale më pengon të zbuloj emrat e ish-klientëve të mi, përveç me pëlqimin e tyre. Në çdo rast, është e drejta dhe e drejta juaj të keni akses në dosjet e gjykatave vendore për kontrollet e nevojshme. Por, mund të përjashtoj absolutisht që mbiemri i fundit të ketë qenë një ish-klient i imi.

Pyetje:

-Keni pasur një rol konsulence apo ndonjë rol tjetër në hartimin e Protokollit midis Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët?

Përgjigje:

Është pjesë e detyrave të mia aktuale të shikoj të gjitha dokumentet që i paraqiten Këshillit të Ministrave. Pra, edhe sikur të mos isha pjesë e grupit të negociatorëve për hartimin e Protokollit ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, sigurisht që kam dhënë kontributin tim modest.

Përzemërsisht,

Tiranë, 5 Prill 2024.

Intervista- Presidentja Osmani: Kosova nuk po kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta

VOA/Garentina Kraja

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani tha se Kosova nuk kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta, por kërkon një marrëveshje të detyrueshme si për Kosovën dhe Serbinë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës nga Nju Jorku, ku Presidentja Osmani u përballë dje me Presidentin e Serbisë në takimin e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, ajo tha se Kosova do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për statutin e Asociacionit pasi të jetë arritur më parë një marrëveshje se si do të zbatohen aktet që dalin nga Marrëveshja e nënshkruar në Ohër nga Kosova dhe Serbia vitin e kaluar.

Zëri i Amerikës: Presidente Osmani, zyrtarë të lartë amerikanë – Ndihmës-sekretari i Shtetit O’Brien para dy ditësh në Beograd dhe përfaqësuesi amerikan sot në OKB, kërkuan nga Kosova krijimin e Asociacionit. Si do t’i përgjigjeni kësaj thirrjeje?

Vjosa Osmani: Kosova ka treguar vazhdimisht vullnet që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel në shkurt të vitit të kaluar dhe aneksin e marsit të vitit të kaluar në tërësi dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Por si në çdo marrëveshje tjetër, zbatimi ka planin e implementimit, apo planin e sekuencimit, i cili ende është duke u negociuar në Bruksel dhe parasheh që të dyja palët, në mënyrë paralele, të zbatojnë marrëveshjen, apo pjesët e veta të marrëveshjes.

Në këtë kontekst, marrëveshja nuk ka vetëm nenin e Asociacionit; ka edhe nenet e tjera, të cilat, ndër të tjera, kërkojnë nga Serbia që të njohë sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial, që mos të përdorë dhunën si mjet, apo forcën si mjet për raporte ndërshtetërore dhe kërkon në Nenin 4 që të mos krijojë pengesa, apo mos të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Pra, e vetmja që Kosova po kërkon është që marrëveshja të zbatohet në tërësi e jo vetëm nga njëra palë të kërkohet zbatim i plotë, kurse nga ana tjetër mos të kërkohet zbatimi i asnjërës prej dispozitave. Natyrisht ne e dimë që ky është detyrim ndërkombëtar i Kosovës, por janë disa parime të cilat i kemi parasysh dhe i kemi si vija të kuqe në zbatimin e Asociacionit. Ndër to është Kushtetuta e Kosovës, është vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015, është fakti që nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive, ashtu siç është shkruar edhe në letrën e [ish Përfaqësueses për Politikë të Jashtme dhe Siguri] Mogherinit në atë kohë dhe po ashtu të jetë në përputhje me qëndrimin amerikan të publikuar në ‘op-edin’ Cholet/Escobar.

Pra Kosova nuk po kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta. Thjesht po kërkojmë që marrëveshja të jetë marrëveshje dhe të krijojë detyrime për të dyja palët, se përndryshe e humbet kuptimin edhe marrëveshja edhe dialogu.

Zëri i Amerikës: Po meqë partnerët ndërkombëtarë të vendit tuaj po kërkojnë nga Kosova zbatimin e Asociacionit, a ka Kosova një plan për hapat e ardhshëm?

Vjosa Osmani: Plani natyrisht është i qartë. Duhet të përfundojë marrëveshja e sekuencimit, që përcakton cili hap i zbatimit duhet i pari, cili i dyti dhe kështu me radhë. Sapo të përfundojë plani i sekuencimit, natyrisht që Kosova, ashtu siç parashihet edhe në vet vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, duhet të dërgojë draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese. Pastaj i takon Gjykatës Kushtetuese të vendosë nëse drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Si Presidente e vendit unë kam një sërë shqetësimesh lidhur me draftin, por kam besimin e plotë se Gjykata Kushtetuese do të sigurohet që gjithçka të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e vitit 2015, sepse përndryshe mendoj që shumë gjëra mund të keqpërdoren në praktikë gjatë interpretimit të statutit dhe mund të shkaktohen probleme të mëdha, të cilat pastaj do të jetë vështirë që të menaxhohen pa u krijuar tensione. Kështu që edhe për shkak të sigurisë, e cila është e domosdoshme për shkak të stabilitetit, i cili është parakusht për paqe, por mbi të gjitha për shkak se duhet ta ruajmë funksionalitetin e shtetit tonë, duhet të jemi të sigurt që gjithçka të jetë në përputhje me Kushtetutën para se të ndërmerren hapa për zbatimin e plotë të Asociacionit.

Zëri i Amerikës: A pritet që statuti që bashkësia ndërkombëtare i ka dhënë Kosovës për Asociacionin të shkojë së shpejti në Gjykatën Kushtetuese?

Vjosa Osmani: Unë nuk mund të përcaktojë afate. Sipas statutit por edhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, kjo është detyrë e qeverisë së Kosovës. Pra mund të jetë ministria përkatëse apo një vendim i qeverisë, mirëpo kjo varet shumë edhe nga rrjedha e dialogut. Siç e përmenda, duhet të kemi plan sekuencimi, i cili parasheh qartë se cili hap nga Kosova ndërmerret i pari, cili hap nga Serbia ndërmerret po ashtu paralelisht, në mënyrë që të dyja palët të zbatojnë në paralel dhe të dyja palët të përfitojnë.

Por nuk mundemi ne të kërkojmë nga Kosova zbatim të pjesës kryesore të marrëveshjes, kurse nga Serbia, ta zënë, të mos kërkojmë që të votojë pro në Këshillin e Evropës. Në qoftë se kërkohet zbatim, duhet të kërkohet nga të dyja, siç e thashë, ndryshe krejt kredibiliteti i dialogut dhe parimi i trajtimit të barabartë të palëve nuk kanë më asnjë kuptim. Sepse në njëfarë mënyre, po mbetet vetëm njëra palë në proces, pasi tjetra tashmë është tërhequr formalisht duke dërguar letër në BE që nuk do ta zbatojë marrëveshjen. Dhe njësoj e tha edhe Vuçiçi sot në Këshillin e Sigurimit, që ata e duan Asociacionin, por pa ndërmarrë asnjë hap drejt njohjes reciproke, qoftë de facto apo de jure në raport me Kosovën. Marrëveshja, në fakt, i ka të gjithë elementët e njohjes de facto, që nga njohja e sovranitetit e integritetit territorial e deri tek parimet tjera të Kartës së OKB-së, të cilat vlejnë vetëm mes shteteve. Por ata po e thonë qartë që nuk do ta zbatojnë.

Në njëfarë mënyre në këtë marrëveshje ka mbetur vetëm një palë.

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, nëse Serbia vazhdon të mos i përmbushë pjesët tjera të marrëveshjes, a do të thotë kjo që ju nuk do të lëvizni? Që qeveria e Kosovës, që autoritetet e Kosovës, nuk do të lëvizin përpara me zbatimin e Asociacionit?

Vjosa Osmani: Qëndrimi im, si Presidente e Republikës, është që meqenëse ne e dimë shumë qartë historinë e Serbisë dhe ajo vazhdimisht i shkel marrëveshjet që i nënshkruan dhe nuk i zbaton në terren, ne duhet t’i kthehemi një lloj qasjeje që e kemi pasur rreth kohës kur është shpallur Kosova e pavarur, kur Kosova ka bërë një sërë koncesionesh, të cilat nuk e kanë bërë shtet jofunksional, por kanë qenë koncesione të vështira. Por në anën tjetër, Serbia nuk ka pranuar të zbatojë pakon e Ahtisaarit. Por çka kemi fituar ne në shkëmbim, ka qenë pavarësia e Kosovës, njohja e Kosovës dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare.

Kështu që, në qoftë se ne bashkë me partnerët ndërkombëtarë, do ta shohim që po dështon ky parimi i dy palëve në proces atëherë ne duhet të ulemi në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me shtetet e Bashkimit Evropian që e kanë njohur Kosovën dhe duhet të bëjmë një plan të qartë. Në qoftë se Kosova i zbaton të gjitha këto koncesione, atëherë cilat janë masat që do t’i ndërmarrë komuniteti ndërkombëtar për ta përkrahur Kosovën? Ta zëmë, a është NATO-ja në tavolinë? A është statusi i kandidatit dhe pastaj ecja shpejt drejt BE-së, bazuar edhe në reformat që i kemi bërë, në tavolinë? Pra, një lloj marrëveshje mes nesh dhe partnerëve tanë është një çështje që unë e kam trajtuar që një kohë të gjatë me partnerët, në veçanti me SHBA-të, gjithnjë duke e ditur që ne do të vijmë në këtë pikë dhe Serbia sërish nuk do të zbatojë asgjë.

Pra, ne duhet të shohim se çfarë mund të nxjerrim në qoftë se ne zbatojmë, por çfarë mund të nxjerrim nga partnerët tanë si lloj përkrahje për konsolidimin e fuqishëm në arenën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, si shtet i barabartë me të tjerët. Natyrisht Kombet e Bashkuara përderisa Rusia ka të drejtën e vetos, është vështirë. Por, çdo organizatë tjetër ku Rusia nuk ka veto, besoj që është brenda suazave të veprimeve që mund t’i bëjnë miqtë tanë dhe ta shtyjnë Kosovën përpara që të jemi edhe në NATO, edhe në Këshillin e Evropës edhe në organizata të tjera që na bëjnë edhe më të sigurt edhe më të zhvilluar.

Zëri i Amerikës: T’i kthehemi edhe një herë pyetjes së statutit dhe Gjykatës Kushtetuese. Nëse Qeveria nuk e dërgon këtë statut që ju e keni në duart tuaja, a ka Presidentja hapësirë për ta dërguar atë në Gjykatë Kushtetuese? A po e konsideroni një hap të tillë?

Vjosa Osmani: Në vitin 2017-2018 dhe në vitin 2021, ka aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese të cilat e kanë kufizuar mandatin e Presidentes për të ngritur çështje kushtetuese, ose për të bërë pyetje kushtetuese në qoftë se një dokument është në përputhje me Kushtetutën. Pra, pa u miratuar fillimisht ky dokument nga qeveria, ose pa u nxjerr ndonjë akt i qeverisë, si Presidente nuk mund ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese, sipas nenit 113.

Pra, në të kaluarën ka ekzistuar kjo e drejtë. Siç e dini, në vitin 2015 është shfrytëzuar, në kohën 2008-2010 është shfrytëzuar disa herë. Mirëpo që nga viti 2018 e tutje, nëpërmjet aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, është kufizuar kjo e drejtë e Presidentes. Pra, patjetër duhet të ketë akt paraprak të qeverisë, i cili jo domosdoshmërish duhet të pajtohet me përmbajtjen e statutit, por të gjendet një mënyrë që të përcillet tutje.

Ta ndërlidhi këtë me atë që e thashë më herët. Natyrshëm që një hap i tillë duhet të bëhej në qoftë se ka plan sekuencimi dhe në qoftë se edhe Serbia zbaton në të njëjtën kohë dhe si alternativë në qoftë se bashkësia ndërkombëtare i ofron Kosovës anëtarësim në organizata të cilat janë të domosdoshme për ecjen euro-atlantike të vendit tonë dhe për sigurinë e vendit tonë, sepse në fakt sfida më e madhe me të cilën ne përballemi është sfida e sigurisë, të cilën e krijon Serbia dhe pastaj kjo sfidë krijon shumë të tjera, qoftë në aspektin ekonomik apo të investimeve të jashtme dhe shumë të tjera.

Zëri i Amerikës: Sot gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit ju përmendët përkeqësimin e situatës së sigurisë dhe akuzuat Serbinë për veprime destabilizuese. A jeni të shqetësuar për përshkallëzim në Kosovë?

Vjosa Osmani: Një gjë e tillë do të tentohet sërish nga Serbia, sepse vazhdimisht bëhen planifikime të tilla, por jam e bindur me të gjitha përgatitjet që po i bën policia e Kosovës, në partneritet me prezencën ndërkombëtare, në veçanti me EULEX-in dhe NATO-n, si përgjegjës të dytë dhe të tretë për sigurinë në Kosovë, që ne do të parandalojmë çdo sulm.

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, e keni quajtur dje fatkeqësi bojkotimin e procesit të votimit dhe dështimin e tij në katër komunat në veri. A keni një plan për më tej dhe cili është ai?

Vjosa Osmani: Siç u përmend edhe sot nga përfaqësuesi i përhershëm i Shteteve të Bashkuara tani kryetarët aktualë mbesin në zyrë, sepse kjo ka qenë zgjedhja e serbëve që jetojnë në këto katër komuna të veriut për shkak të, fatkeqësisht, presionit të vazhdueshëm që ua bën Serbia. Tani këta kryetarë kanë edhe një kohë mandat.

Kosova ka ofruar gjithçka çka ofrohet nëpërmjet legjislacionit të saj. Kemi bërë përgatitje jashtëzakonisht të shumta, kemi miratuar udhëzime të reja administrative. Kemi ndarë buxhet të madh, pra gjithçka që ofrohet në vende demokratike, ne e kemi ofruar. Ne nuk mund t’i nxjerrim qytetarët me zor që të votojnë. Ata kanë vendosur ashtu, edhe pse po e them për shkak të ndërhyrjes të paligjshme të Serbisë. Megjithatë, ky është një realitet për të cilin Kosova ka bërë gjithçka që ta ndryshojë. Mirëpo zgjedhjet janë e drejtë demokratike e qytetarëve. Në qoftë se ata nuk marrin pjesë, nuk ka çfarë mund të bëjmë ne.

Natyrisht ne duhet të ndërmarrim sa më shumë iniciativa shtesë për integrimin e serbëve, t’i mbrojmë ata nga strukturat ilegale të cilat po i kërcënojnë, t’u japim mundësi që të prosperojnë, të realizojnë potencialin e tyre ekonomik, të ndihen sa më të sigurt, njëjtë si të gjithë të tjerët në Kosovë, mirëpo e drejta e votës është individuale. Nuk mundet shteti të detyrojë askënd të votojë, është e drejtë e lirë.

Zëri i Amerikës: A ju shqetëson ky bojkotim dhe cilat do të jenë pasojat e tij për të ardhmen e Kosovës?

Vjosa Osmani: Natyrisht që na shqetëson, sepse vërtet Kosova vazhdimisht ka treguar gatishmëri të plotë që t’i ofrojë qytetarëve të saj jo vetëm mbrojtje kushtetuese, por edhe instrumente të reja në qoftë se dëshirojnë t’i ndryshojnë kryetarët e komunave.

Por shqetësimi kryesor është presioni i vazhdueshëm që bëhet mbi qytetarët nëpërmjet strukturave ilegale e kriminale, të cilat financohen, nxiten dhe politikisht emërohen nga ana e Vuçiçit. Kjo tregon nga njëra anë interferim ilegal në zgjedhjet e një shteti tjetër nga ana e Serbisë dhe e dyta që Serbia mbetet po e njëjta dhe si qëllim parësor ka pengimin e integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës, pavarësisht dialogut që ka zgjatur prej 12 vitesh dhe pavarësisht obligimit të tyre ndërkombëtar me po marrëveshjen e 2013, të cilën po e kërkojnë, ku kërkohet që serbët të integrohen në institucionet e Kosovës dhe të zhbëhen të gjitha strukturat ilegale.

Pra është situatë shqetësuese të cilën e ka krijuar Serbia dhe që mund të ndryshohet vetëm me presion serioz ndërkombëtar mbi Serbinë.

“Dokumentari i RAI3 ”, Lubonja: Shteti është ndërtuar si organizatë kriminale, po iu del boja dhe tek të huajt

Analisti Fatos Lubonja, në një intervistë me Skype në rubrikën Opinion në News24 ka komentuar dokumentarin e RAI 3, që kritikonte ashpër qeverinë e kryeministrit Edi Rama dhe shigjetonte disa nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt.

Lubonja thekson se dokumentari i RAI3 shfaqi mbretin lakuriq. Ai shton se shteti është ndërtuar si një organizatë kriminale. Sipas Lubonjës, fakti që RAI3 flet për korrupsionin e qeverisë Rama tregon se qeverisjes së tij i ka dalë boja edhe tek ndërkombëtarët.

“Ne shpesh i dimë gjërat më herët nga se e thonë të huajt. Artikulli i RAI3 ishte skandaloz. Këtu shteti vetë është ndërtuar si organizatë kriminale. Këtu funksionon vetëm propaganda. RAI3 e nxorri edhe reformën në drejtësi sesi funksionon. Presioni mbi politikën bëhet nga ata që janë në pushtet, jo nga ata që janë të arrestuar. Presion është që të mos arrestosh Veliajn, edhe kur e di se çfarë ka bërë. As mos ta thërrasësh fare madje. Edhe kur nuk heton as Edi Ramën dhe as nuk e thërret. Presioni ndonjëherë është i dukshëm dhe i padukshëm. Rama ka njerëz të tijtë në SPAK, që ndoshta bëjnë presione mbi prokurorët. Dashët nuk janë kapur nga brirët, por nga pas.

Arben Ahmetaj dhe të tjerët janë bishtat e dashit. Jetojmë në një vend, ku krimi i organizuar merr shtetin, shkon lart dhe merr paratë. Qeveria jonë dyshohet se ka lidhje me krimin e organizuar dhe kjo gjë duhet hetuar, duhet hetuar edhe korruptimi i të huajve. Mbreti ka dalë lakuriq nga skandalet. Tani po iu del boja edhe nga të huajt. Rama mendoi se do marrë mbështetje nga Georgia Meloni, por harroi se në Itali ka opozitë dhe ka media të guximshme. Mediat italiane po shohin se ky nuk qenka ai i majti që promovohej. Atë investigim që bënë italianët nuk e bënë për ne, e bëjnë për vete. Sistemi që ka ngritur Rama është kriminal. Në një vend demokratik, kjo qeveri do të binte me kohë. Me kapjen e shtetit, edhe drejtësia është e kapur”, tha Lubonja.

Më tej, Lubonja komentoi edhe deklaratat e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në drejtim të kreut të SPAK, Altin Dumani. Lubonja deklaroi se Meta tha disa të vërteta, por se të vërtetat duhen thënë më qetë.

“Disa thonë se është çmendur Meta. Ilir Meta mund të thoshte gjëra që qëndrojnë, si prsh kapja e drejtësisë. Mund të thoshte se drejtësia është e kapur. Mund të jetë që ka humbur ekuilibrin nga tensioni. Sharjet janë të panevojshme kur do të thuash diçka të vërtetë”, u shpreh Lubonja.

 

 

(Balkanweb)

 

 

UGSHPD: ANIJA SPAK DUHET TË HEDHË SPIRANCËN NË SHESHIN SKËNDERBEJ

 
Në qoftë se duhet gjuajtur si kurrë ndonjëherë ky oktapod i politikës, i propagandës dhe i mediave që përmes korrupsionit të paparë po i grabit, po i shfaros dhe po pasurohet duke i varfëruar shqiptarët, Bashkia e Tiranës është fatkeqësisht vendi ku drejtësia dhe anija e posaçme SPAK e saj duhet të ankorohet, në Sheshin Skënderbej.
Po bëhet gati një muaj nga një arrestim i bujshëm i 9 zyrtarëve të këtij institucioni të dyshuar për përvetësim, shpërdorim detyre (sikurse ende nuk përmendet influencë e blerjes së votës, pra krim elektoral), dhe gjithçka që është shtjelluar e diskutuar, ku janë ngritur qytetarët në protesta, ku kanë ndodhur arrestime dhe shpërthime flakësh sikurse janë mbajtur qëndrime qortuese dhe leksione demokracie nga vendas dhe ndërkombëtarë, Tirana është edhe ai realitet asgjë nuk po ndodh dhe krimi mbrohet. Askush nuk jep llogari, askush nuk dorë hiqet nga skandalet sepse e vetmja rrugë për t’i shpëtuar ndëshkimit të drejtësisë, është blerja kohë për zhdukjen e fakteve dhe rritja e kaosit përpara se ky oktapod të ngecë në rrjetën apo grepin e drejtësisë.
Për Bashkinë e kryeqytetit tentakulat dhe koka e oktapodit janë aty në atë ndërtesë historikisht gjatë viteve të tranzicionit sepse interesat e pushtetit u qindfishuan jo për të zhvilluar jetën e tiranasve dhe popullsisë në lëvizjen e lirë, por u gjet dhe u zhvillua mbi të gjitha një treg informal. Ende shifrat e Census-it që nuk janë bërë transparente po përdoren shpesh kohët e fundit vetëm nga burimet e qeverisë nga kryetari në detyrë Erion Veliaj ku shprehet me mburrje se Tirana është kryeqyteti më kozmopolitan i rajonit i cili është pesëfishuar dhe i ka arritur apo tejkaluar me 1 milion banorë. Mbi të gjitha Veliaj e shet Tiranën si;  “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, “Kryeqyteti Europian i Sportit”, “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut” dhe ku rikonstruksioni ndërtimor vazhdon me rrugët, parqet shkollat, spitalet sheshin Skënderbej, Pazarin e Ri, Parkun e Liqenit, Bulevardin e Ri, duke krijuar një reputacion të jashtëzakonshëm për Tiranën me boom-in turistik”. Të mos harrojmë se disa tregues si rreth 50 mijë apartamente të pa jetuara nga njerëz vetëm në kryeqytet sot po marrin një prirje të re të reklamës së Rilindjes Socialiste për tregun e lirë të banesave nën sloganin “të huajt të interesuar për blerje në real-estate”. Këtë e provoi Lezha me shitjen e 300 apartamenteve, këtë e ka provuar mbarë bregdeti shqiptar me klientë dhe investitorë strategjik, por Tirana mbetet nyja e tregut informal dhe një skemë e piramidë betonizimi që po largon banorët e vet dhe nuk gjen më gjurmë tradite dhe identiteti.
Por se çfarë kanë përfituar banorët e tij veç taksave më të larta, mungesës ujë dhe energji 24/7, ajri i ndotur dhe plehrat si detyrat bazë të bashkisë etj. kjo është gjithnjë pjesë e fushatës së ardhme për të mashtruar dhe qëndruar në pushtet.
Për korrupsionin dhe krimin në zyrat e shtetit shqiptar të cilët gjithnjë e më shumë po cilësohen si veprimtaritë e një organizate mafioze ose grupi të strukturuar kriminal, çka do të thotë se ky konstatim është një realitet që tregon se mes bashkëpunëtorësh  vjedhjet e arka e  shtetit, përgjegjësia politike zbutet në shpërdorim detyre. Kështu politikanët, analistët dhe mediat po e amplifikojnë Oktapodin dhe tentakulat duke e krahasuar atë me “La Piovra” serialin televiziv italian të viteve të mafies gjatë 1980-ës dhe ky rrëfim është tentohet t’i largohet thelbit, marrjes së përgjegjësive, vlerave morale dhe daljen përpara drejtësisë.
Tek sa për lexuesin media sjell dhe figura emocionale si serialet me “La Piovra”, apo dhe kur shtypi dhe TV ndërkombëtar përforcon shqetësimin e shtetit shqiptar të kapur nga korrupsioni, disa cilësi elementare të Oktapodit (si gjallesë e ujit e klasës së cefalopodëve) ende nuk janë kuptuar. Edhe i mbyllur në një enë me kapak shtrënguar, kjo gjallesë me kokë, membranë në formë ombrelle dhe me zgjatime këmbësh plot tentakula gjen mënyrën dhe del. Çdo e çarë dhe krisje (e ligjit) shfrytëzohet për të shpëtuar nga kapja. Mbi të gjitha në rast rreziku qeska e bojës (lexo gjendra mediatike), i shërben turbullimit të ujit për të humbur çdo gjurmë.
Publiku dhe banorët e Tiranës të gjitha këto i dinë dhe i kanë kuptuar, revolta e tyre duhet shumëfishuar me qytetari duke ftuar drejtësinë dhe SPAK-un që ta ankorojnë anijen e tyre pranë kësaj godine ku është oktapodi i krimit. Në asnjë rast protesta nuk duhet të lëshojë “flakë molotovësh” sepse shkëndijat shndërrohen në shkaqe për fshehjen e gjurmëve të vërteta të dhunës dhe të krimit. Një shtet i kapur i vendosur para drejtësisë ka dy rrugë për t’i shpëtuar zemërimit qytetar, të djegë çdo provë dhe t’ia mbathë në arrati.
 

23 Prill, 2024

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Profesori amerikan: Surpriza e KS-së ishte se Kosova dhe Rusia u pajtuan për rëndësinë e fushatës ajrore të NATO-s, Putin e ka hedhur Serbinë nën autobus

Profesori i Universitetit, Johns Hopkins në SHBA, Edward Joseph ka komentuar rreth debatit të djeshëm mes presidentes Vjosa Osmani dhe presidentit Aleksandar Vuçiq në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Joseph ka shkruar se Vuçiqi bombastik u mund nga Osmani me një përgatitje dinjitoze dhe se sipas tij kjo ishte e pritshme.

“Surpriza më e madhe nga përballja e sotme e KS të OKB-së mes Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq: Vuçiqi bombastik u mund nga Osmani e cila ishte e përgatitur tërësisht? Jo, kjo ishte e pritshme”.

Joseph ka shkruar se surpriza e vërtetë ishte se Kosova dhe Rusia ranë dakord për rëndësinë e fushatës ajrore të NATO-s të vitit 1999.

“Osmani: “Ndërhyrja e NATO-s … shënoi një … moment historik vendimtar në historinë e njerëzimit.” Përfaqësuesi rus: “Agresioni i NATO-s kundër ish-Jugosllavisë u bë një pikë uji në historinë globale””, ka shkruar profesori i Universitetit, Johns Hopkins.

Ai më tej ka shkruar se Putin tashmë e ka hedhur Serbinë nën autobus.

“Zbulimi – i njohur për serbët e gatshëm të përballen me të vërtetën: Kosova është thjesht një mjet për Moskën që ta përdorë kundër Ukrainës. Putin tashmë e ka hedhur Serbinë nën autobus, duke thirrur ndërhyrjen krejtësisht të ndryshme të NATO-s në rastin e Kosovës për të legjitimuar agresionin rus kundër Ukrainës.

Jo, Putin: nuk do të ketë ‘marrëveshje paralele’ për Kosovën dhe Ukrainën në Këshill të Sigurimit. Nuk do të ketë ndarje të asnjërit shtet. Versioni i Osmanit për ndërhyrjen e NATO-s mbizotëron”, ka shkruar Joseph.

Pse e shkarkoi Qeveria serbe kryetarin e Preshevës, Shqiprim Arifi?

Nevena Bogdanoviq, Branko Vuçkoviq

Një krizë politike shpërtheu sërish në një komunë në jug të Serbisë të banuar me shumicë shqiptare.

Deri në zgjedhjet lokale, Presheva do të menaxhohet nga Autoriteti i Përkohshëm i emëruar nga Qeveria e Serbisë, pasi e shpërndau Kuvendin lokal.

Me shpërndarjen e Kuvendit i ka përfunduar mandati edhe kryetarit të komunës dhe anëtarëve të tjerë të pushtetit lokal.

Kryetari i fundit i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka akuzuar autoritetet në Beograd për largim “të dhunshëm” dhe diskriminim të shqiptarëve.

“Mënyra e zgjedhjes së Autoritetit të Përkohshëm është krejtësisht e paligjshme dhe antikushtetuese”, thuhet në përgjigjen me shkrim të kabinetit të Shqiprim Arifit për Radion Evropa e Lirë (REL).

Partia Alternativa për Ndryshim, nga e cila vjen Arifi, kishte shumicën në Kuvendin komunal të Preshevës, i cili ka gjithsej 38 delegatë.

Nga ana tjetër, Ragmi Mustafa, i cili është emëruar nga Qeveria e Serbisë për kryetar të Autoritetit të Përkohshëm, thotë se Kuvendi vendor nuk është mbledhur që nga korriku i vitit 2023 dhe se kjo ka qenë arsyeja e shpërbërjes së tij.

“Koalicioni i mëparshëm i mbledhur rreth Alternativës për Ndryshim të Shqiprim Arifit e humbi shumicën në Kuvend dhe për nëntë muaj nuk mund të thërrasë asnjë seancë”, tha Ragmi Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

Ai është kreu i Partisë Demokratike të Shqiptarëve (PDSH), e cila ishte e dyta më e madhe në Kuvendin lokal.

Kjo është hera e tretë që Qeveria e Serbisë emëron Autoritetin e Përkohshëm për të udhëhequr Preshevën në shtatë vjetët e fundit.

Gjatë këtyre shtatë vjetëve këto do të jenë zgjedhjet e katërta lokale.
Votimi duhet të mbahet më 2 qershor, kur përveç Beogradit, duhet të votohet në më shumë se 80 qytete dhe komuna.

Komuna e Preshevës ka më shumë se 33.000 banorë dhe në të jetojnë gjysma e 61.000 shqiptarëve të regjistruar sipas regjistrimit të fundit në Serbi.

Ata janë të përfaqësuar edhe në Bujanoc dhe Medvegjë, dy komuna në jug që janë pjesë e asaj që njihet si Lugina e Preshevës.

Në vitet e fundit, Alternativa për Ndryshim e Shqiprim Arifit dhe Partia për Veprim Demokratik e Shaip Kamberit, aktualisht përfaqësuesi i vetëm shqiptar në parlamentin republikan, kanë qenë në pushtet në Preshevë.

Çfarë vendosi Qeveria e Serbisë?

Në vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Preshevës, të miratuar më 18 prill, Qeveria e Serbisë iu referua nenit të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, ku thuhet se kuvendi lokal mund të shpërndahet nëse nuk mblidhet më shumë se tre muaj.

Me vendim të Qeverisë janë emëruar pesë anëtarë të Autoritetit të Përkohshëm, ndërsa ligji urdhëron që përfaqësuesit e partive të përfaqësuara në Kuvendin e shpërndarë të zgjidhen “duke pasur parasysh përbërjen politike dhe kombëtare”.

Përveç kryetarit Ragmi Mustafa, në atë trup janë edhe Tefik Bajrami nga PDSH-ja, kryetari i Lëvizjes për Reforma Sami Salihu, Shkëmbim Veliu nga Partia për Veprim Demokratik dhe Branko Trajkoviq nga Partia Progresive Serbe (SNS).

Në Kuvendin e shpërbërë të Preshevës, 36 delegatë ishin nga partitë shqiptare dhe dy nga koalicioni i udhëhequr nga Partia Progresive Serbe.

Zyra e ish-kryetarit të komunës, Shqiprim Arifi, ka akuzuar këshilltarët nga Partia Progresive se nuk janë paraqitur në seancën e fundit të Kuvendit të paraparë në muajin tetor “pa kurrfarë njoftimi apo shpjegimi”, pas së cilës Alternativa për Ndryshim e ka humbur shumicën.

Branko Trajkoviq nga SNS-ja nuk ishte i qasshëm për koment për REL-in deri në publikimin e këtij tekstit – pra, pse nuk e përkrahën pushtetin e kaluar në Preshevë?

Ragmi Mustafa thekson se pyetja për Beogradin zyrtar është pse nuk është formuar më herët Autoriteti i Përkohshëm.

“Nuk kemi mundur të ndikojmë më shumë se sa t’u tregojmë ambasadave dhe ministrit të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale se nevojitet shpallja e zgjedhjeve dhe shpërndarja e Kuvendit”, shton ai.

Pse u shpërnda Kuvendi tani?

Qeveria e Serbisë, Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale dhe Trupi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk iu përgjigjën akuzave të Shqiprim Arifit për “largimin e paligjshëm dhe të dhunshëm” nga pozita e kreut të Preshevës dhe diskriminimin ndaj shqiptarëve.

Pyetja se pse u prit formimi i Autoritetit të Përkohshëm është gjithashtu pa përgjigje.

“Do të ishte e vështirë të thuash se ajo komunë është jashtë syve të Beogradit, nëse tashmë ekziston një Trup Koordinues qeveritar për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ai organ fillimisht duhet të ngrejë alarmin se gjërat nuk janë në rregull dhe se qeverisja nuk është duke funksionuar” , thotë Aleksandar Popov nga Qendra për Rajonalizëm.

Trupi koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është themeluar më shumë se 20 vjet më parë, pas konfliktit të policisë dhe ushtrisë me Ushtrinë Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇMB).

Konfliktet shpërthyen pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës në qershor të vitit 1999, e cila i dha fund luftës në Kosovë. Përleshjet e armatosura në jug të Serbisë zgjatën deri në maj të vitit 2001.

Trupi koordinues është dashur të ndihmojë në qetësimin e tensioneve ndëretnike dhe normalizimin e jetës në Luginën e Preshevës.

Akti themelues parashikon që shteti të fokusohet në fuqizimin e përshpejtuar ekonomik dhe integrimin politik dhe social në të tri komunat.

Mosmarrëveshjet mes partive shqiptare

Për shkarkimin e tij, përveç autoriteteve në Beograd, Shqiprim Arifi fajësoi edhe disa përfaqësues politikë shqiptarë në Luginën e Preshevës.

Në një postim në Facebook të datës 20 prill, ai i akuzoi ata se u bënë “një vegël e lehtë për (presidentin serb Aleksandar) Vuçiqin dhe Serbinë për të realizuar agjendën e tij antishqiptare”.

Ragmi Mustafa i quan “demagogji dhe trillime” akuzat e Arifit ndaj përfaqësuesve politikë shqiptarë.

“Kur emërohet nga pushteti në Beograd është krejt normale dhe kur nuk emërohet, bën akuza dhe goditje absolutisht të ulëta ndaj politikanëve të tjerë”, thotë Mustafa.

Qeveria e Serbisë kishte emëruar Autoritetin e Përkohshëm në Preshevë në vitin 2017 dhe 2020 dhe më pas në krye të tij u emërua Shqiprim Arifi.

Partitë që përbëjnë Kuvendin Komunal kanë të drejtë t’i propozojnë Qeverisë kandidatët e tyre për Autoritetin e Përkohshëm.

Alternativa për Ndryshim e Arifit, siç thuhet në përgjigjen për REL-in, këtë herë ka refuzuar.

“Për shkak se asgjë nuk po kalonte në rrugë zyrtare, emrat (e kandidatëve) janë kërkuar përmes Viberit në mënyrë urgjente. Ministria kompetente nuk ka marrë pjesë fare, ndryshe nga hera e fundit kur janë drejtuar me shkrim dhe kanë dhënë afat ligjor që secila palë të propozojë një emër për Autoritetin e Përkohshëm”, shton kjo parti.

Për shkak të mosmarrëveshjeve mes partive politike shqiptare, pushteti lokal në Preshevë ka disa vite që është i paqëndrueshëm, kujton Aleksandar Popov nga Qendra për Rajonalizëm.

“Konflikti mes Shqiprim Arifit dhe politikanëve të tjerë shqiptarë ka kohë që po vazhdon. Arifi konsiderohej një politikan që ka marrëdhënie të mira me Beogradin. Natyrisht, tani ka pasur një përmbysje”, shtoi ai.

Popov, gjithashtu, thekson se “politika e vjetër” e Beogradit është të krijojë mosmarrëveshje midis përfaqësuesve politikë të një komuniteti.

“Nuk do të habitesha sikur të kishte nga ato lojëra, të futej grimca e sherrit në mesin e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve, të përkeqësohej gjendja në atë vetëqeverisje lokale (Preshevë), nëse nuk kishte harmoni dhe performancë të përbashkët të përfaqësuesve të shqiptarëve në jug”, thekson Popov.

“Kërcënimet e Vuçiqit”

Shqiprim Arifi në një postim në Facebook më 20 prill ka thënë se shkarkimi i tij ka ardhur pas “kërcënimit të fundit publik të Vuçiqit”.

Më 14 prill, presidenti i Serbisë njoftoi se kushdo që shkel rendin kushtetues të vendit do të “arrestohet dhe do të ndiqet penalisht”.

“Të gjithë ju që e shkelni rendin kushtetues të Serbisë, të gjithë ju që merrni pjesë në të në çfarëdo mënyre, me protesta, demonstrata, në çfarëdo mënyre – do të përgjigjeni për të, do të përgjigjen të gjithë shqiptarët që marrin pjesë në të “, tha Vuçiq.

Tri ditë më vonë, më 17 prill, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës Dejan Jankoviq dhe katër policë të Kosovës u ndaluan në pikat kufitare me Serbinë.

Policia serbe ka bërë të ditur se ata janë dërguar në mbajtje për “kontroll sigurie”.

Jankoviq u ndalua deri në 48 orë, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Jankoviq ishte në paraburgim nën “akuzat për përmbysje të rendit kushtetues të Serbisë”.

Më 17 prill, sipas autoriteteve të Kosovës, Serbia ka mbajtur mbi 1400 shtetas të Kosovës në pikat kufitare për më shumë se 20 orë.

Qeveria e Kosovës i cilësoi këto veprime si hakmarrje të Serbisë për mbështetjen që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dha për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Serbia i mohoi këto akuza, duke thënë se vonesat në kufi janë shkaktuar nga masat shtesë të sigurisë dhe se lëvizja e qytetarëve të Kosovës “nuk është e kufizuar”.

Bashkimi Evropian dhe Departamenti Amerikan i Shtetit reaguan ndaj arrestimeve.

Departamenti i Shtetit i bëri thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara dhe të respektojë plotësisht marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Ndëshkimi për vendosjen e flamurit shqiptar

Shqiprim Arifi e lidhi shkarkimin e tij me vendimin e gjykatës në Vranjë, e cila e urdhëroi atë dhe partinë Alternativa për Ndryshim të paguajnë një gjobë prej 470 eurosh për vendosjen e flamurit shqiptar në objektin e partisë në Bujanoc më 27 nëntor 2022, një ditë para përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Në vendim thuhej se ai dhe partia e tij janë shpallur fajtorë pasi më 27 nëntor 2022 “kanë shfaqur flamurin e një shteti të huaj, Shqipërisë, dhe nuk e kanë shfaqur flamurin e Serbisë”.

Me këtë, tha gjykata, Arifi dhe partia e tij kanë shkelur ligjin që rregullon përdorimin e flamurit dhe simboleve të tjera kombëtare të Serbisë.

Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj as pyetjeve të REL-it për akuzat e Arifit.
Nuk është hera e parë që përfaqësues politikë të shqiptarëve dënohen për vendosjen e flamurit shqiptar.

“Neglizhimi i Beogradit”

Autoritetet serbe kanë nënshkruar tri marrëveshje për integrimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në institucionet shtetërore të Serbisë në vitin 2001, 2009 dhe 2013.

Ato lidhen kryesisht me ushtrimin e të drejtave kolektive dhe integrimin e vazhdueshëm në institucione si policia, gjyqësori dhe arsimi.

Mirëpo, shqiptarët nga jugu shpesh e kanë akuzuar Beogradin zyrtar për shkelje të të drejtave të tyre – për shembull, për mungesën e teksteve në gjuhën shqipe ose për pasivimin e adresave, pra fshirjen e qytetarëve nga adresa ku ishin regjistruar.

“Ka kohë që ka pakënaqësi me qëndrimin e autoriteteve në Beograd ndaj shqiptarëve, se mbretëron pakujdesia, se zhvillimi nuk merret parasysh”, shton Popov.

Në zgjedhjet të Republikës të dhjetorit 2023, shqiptarët u shfaqën në dy kolona.

Partia për Veprim Demokratik e udhëhequr nga Shaip Kamberi ka kaluar pragun zgjedhor dhe ka fituar një mandat, ndërsa lista e udhëhequr nga Shqiprim Arifi ka mbetur pa përfaqësues në Kuvendin e Serbisë.

Asnjë pakice kombëtare nuk i garantohet mandati parlamentar, por ata kanë një prag përqindjeje më të ulët në zgjedhje, gjë që i lejon ata të hyjnë më lehtë në Kuvend.

Sipas të dhënave të regjistrimit, shqiptarët janë pakica e katërt sipas madhësisë në Serbi. Radio Evropa e Lirë


Send this to a friend