Në vitin 1972, performanca e saj ishte e paparë në një skenë ku ishin dëgjuar më shumë këngë për “partishmërinë proletare”. Festivali i 11-të në Radio Televizion do të ishte ndryshe, “Kafe Flora” e kënduar prej saj gjithashtu do të ishte krejt ndryshe.
Nuk ishte më shumë se 17 vjeçe dhe, të ngjitej deri në skenën e Teatrit të Operas, ku fundviteve zhvillohej dhe evenimenti më i madh i këngës së lehtë, nuk ishte fare e lehtë. Megjithatë, talenti i saj do të triumfonte mbi gjithçka. Që prej asaj kohe, edhe pse festivali në fjalë pati një fat të trishtë, qëllimi i tij ishte të ndryshonte gjëra në sistem, ishte pararojë e mendimit të ri. Suksesi i tij në fakt qe një shpërthim i madh, i cili shënjoi një vlagë që do ta ndjekë këngëtaren Theodhori derisa të jetë gjallë…
Po ndërkaq, “Kafe Flora” nuk do të harrohej. Lindita Sota, solistja e re që e këndoi, gjithashtu do të përbënte një imazh të pashlyer për të gjithë. Prej asaj kohe kanë kaluar më shumë se 40 vjet. Ujërat kanë rrjedhur. Lindita ka mbetur e njëjtë. E bukur bio. E dashuruar me këngën, pasionante dhe krejt trendi. Por, gjithsesi, në Londrën e largët ku ajo jeton prej vitesh, më së shumti i është dedikuar familjes së saj, bashkëshortit dhe dy djemve.
Në këtë rrëfim për rrugëtimin në profesion dhe jo vetëm, e mirënjohura Lindita Theodhori ndan me ne çaste ekskluzive të pashlyeshme në jetën e saj. Një intervistë e mençur dhe me emocionet që vazhdon t’i dhurojë muzika, kënga e lehtë, ajo popullore dhe gjallëria e motivi që i burojnë nga kështjella e saj e shenjtë, familja. Theodhori është një nga vlerat kombëtare, vlerësuar me çmimin “Artiste e Merituar” e “Mjeshtre e Madhe e Skenës”, dorëzuar në 2012 nga presidenti Bamir Topi.
Në këtë rrëfim ekskluziv për gazetën “Panorama” këngëtarja Lindita Theodhori tregon rrugëtimin në profesion dhe jo vetëm. Ajo flet për ditët jo të qeta dhe tronditjet, siç thotë që i shkaktuan deklaratat skandaloze të Gjergj Lekës.
Keni përjetuar ditë jo pak të qeta këtë periudhë pas një interviste të kantautorit Gjergj Leka, ku përmendet dhe emri juaj?
Mua kjo gjë më ka tronditur nga themelet. Si merr përsipër një njeri të tentojë të cenojë në mënyrë skandaloze figurat e një kombi?! A i vë dot një emër? Unë do ta quaja një skandal të paprecedentë. Në asnjë vend të botës nuk ndodh kështu.
E gjithë kjo ngarkesë psikologjike, cili do të jetë reagimi juaj?
Më duket se është bërë normalitet ky lloj gjykimi karshi gjinisë femërore. Një shoqëri maskiliste kundrejt një figure kaq delikate, elegante dhe madhështore siç është gruaja. E tronditur familjarisht i jam drejtuar drejtësisë për t’u njohur kundrejt një qëndrimi që mund të mbajë ajo karshi një skandali të tillë. Them se duhet proceduar penalisht, por a e dini se çfarë do të ndodhë? Do të dënohet me 2 milionë lekë gjobë. E çfarë do të ndryshojë tek ai kjo gjë, do t’i ndryshojë qëndrimin ndaj mentalitetit, karshi vajzave dhe grave? Absolutisht jo! Kur ke parasysh që e gjithë Shqipëria është ngritur kundër këtij personi me këto shfaqje negative dhe kur familja e tij, shumë e tronditur, kërkon përulësisht falje, unë do të thosha shumë seriozisht që këtu duhet të ngrihen e të thonë fjalën e tyre institucionet, se tashmë kjo nuk është thjesht personale. Kjo ka marrë një nuancë kombëtare.
Si mendoni, pse ka reaguar kështu?
Nuk e gjej dot, nuk kam një përgjigje. Është një gjë që nuk ka kufij. Absolutisht që nuk kam pasur asgjë me të. Kam një jetë që nuk e kam takuar. Madje, e vetmja herë ka qenë te “Këngët e Shekullit”. Aty më tha: “Kam marrë vesh se ke bërë një koncert live. Bravo të qoftë për suksesin dhe aparencën, se dukesh shumë e re”. Ne kemi patur njohje të tjera, familjare dhe nuk ma merrte mendja se mund të shprehej në atë mënyrë.
Po familja juaj si e priti?
Unë jam rrethuar gjithmonë nga njerëz që më kanë dashur dhe respektuar, prandaj ndihem e shokuar dhe e befasuar sot, sepse kam ditur të krijoj rreth meje atë kështjellë, e cila është shumë e rëndësishme. Njeriu vërtet shikon nga pragu e brenda, t’i ketë punët shumë mirë në familje, me shëndetin në radhë të parë dhe korrekt në mënyrë sociale. Pastaj, nuk kalohet vetja e mbyllur mes katër mureve të shtëpisë, por dëshiron të krijosh kështjellën tënde. E kam emëruar kështu, sepse ajo duhet të jetë e fortë dhe jo e butë, që ta rrënosh kollaj. Falë burrit tim, inxhinier ndërtimi dhe dy djemve diva që kam në shtëpi, kam krijuar vërtet një kështjellë të fortë, të pathyeshme. Për këtë jam shumë e lumtur. Këtë e vërtetova edhe këto kohë, pas kaq e kaq vitesh karrierë artistike të lodhshme, të mundimshme, por shumë e shumë të suksesshme e që vazhdon ende.
Fal Lindita, çfarë vlere ka ajo te ju?
Gjatë gjithë jetës sime jam treguar shumë, po shumë tolerante. Me tri, pesë, dhjetë milionë herë do ta thosha këtë. Kur nuk mund ta ndreqësh dot një gjë, është gjynah të mos e falësh. Se edhe në rastin konkret, unë nuk do të përfitoja asgjë nga dënimi i tij.
Mendoni se shoqëria është ajo që e dënon një ngjarje të papëlqyeshme?
Patjetër që shoqëria është një tregues i drejtë karshi çfarëdolloj ngjarjeje dhe unë e vlerësoj këtë. Edhe pse nuk jam aktive në rrjetet sociale, këto kohë kam marrë një mbështetje të paparë dhe, dashur pa dashur, jam bërë aktive. Që atë mëngjes kur u botua shkrimi në gazetë, kutia ime postare kishte mbi 5000 mesazhe mbështetëse. Jam ndier mjaft mirë dhe mërzinë e këtyre ditëve e kam kaluar me familjen e madhe të fansave të mi. Dua të vlerësoj dhe qëndrimin e autores së mirënjohur të dhjetëra e dhjetëra teksteve fituese të festivaleve, znj. Zhuliana Jorganxhi, e cila është tezja e të intervistuarit. Më vjen keq, pasi dashur pa dashur është prekur edhe ajo nga ky skandal. Menjëherë më shkroi edhe në emër të së motrës, mamasë së Gjergjit, duke treguar përulje dhe respekt për mua si ikonë e muzikës dhe për familjen time. Është shumë prekëse dhe domethënëse kjo gjë për mua.
Ndërkaq, në vijimësi të shkrimeve në gazetë ka patur edhe reagime të personaliteteve që njeh vendi ynë në muzikë e jo vetëm.
Më lejoni që të mos jap asnjë konsideratë, sepse këtu ka shumë “kritikë”. Më përpara ata ishin të ashpër sa i takon muzikës dhe ndonjë shkrim në gazetë i kishte shumë të kursyera vlerësimet që mund të bëheshin. Më tepër ishin tregues. Dy gjëra më bëjnë përshtypje dhe që janë shumë të rrezikshme. Bëjnë të njëjtën gjë, pavarësisht nga sensi i kundërt. Nëse ti merr përsipër të flasësh shumë keq për një person, si në rastin e skandalit në fjalë, që është një degradim moral shumë i dënueshëm, unë mendoj se çuditërisht shqiptarët këtë rast e kanë dënuar dhe kanë krijuar një solidaritet shumë të jashtëzakonshëm, duke e injoruar në heshtje.
Komentet