VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Ligjvënësi Nadler paralajmëron “pasoja serioze” për ish-këshilltarin ligjor të Shtëpisë së Bardhë

By | May 21, 2019

Komentet

Drejtori i FBI-së: Rusia nuk heq dorë nga ndërhyrja në zgjedhje

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray paralajmëroi ligjvënësit se Rusia nuk po heq dorë nga përpjekjet për të ndikuar tek rezultati i zgjedhjeve të nëntorit, duke u munduar të dëmtojë shanset e fushatës së kandidatit demokrat, ish-nënpresidentit Joe Biden, një përfundim që duket se nuk po i shkon për shtat Presidentit Donald Trump.

Zoti Wray, duke dëshmuar para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë Kombëtare i përshkroi operacionet e Kremlinit për ndikim si “shumë, shumë aktive” në mediat sociale, në mediat shtetërore dhe organe të tjera të lidhura me të.

Ai tha se synimi i këtyre operacioneve është “kryesisht të denigrojnë ish-nënpresidentin Biden dhe atë që rusët e shohin si strukturë anti-ruse”.

Ishte hera e parë që zoti Wray paralajmëronte publikisht për intensifikimin e operacioneve ruse, që kur fushata presidenciale hyri në fazën e saj të fundit. Paralajmërimi i tij përputhej gjithashtu me vlerësimin e zyrtarit më të lartë amerikan të kundërzbulimit, William Evanina në gusht.

Zoti Evanina, kishte paralajmëruar gjithashtu se aktorë të lidhur me Rusinë, po “përpiqeshin të rrisnin shanset” për kandidaturën e zotit Trump, diçka që zoti Wray nuk e pohoi, kur u pyet për ndërhyrjen ruse.

Presidenti Trump reagoi të enjten duke iu drejtuar drejtorit të FBI-së me emër.

“Por Chris nuk po sheh aktivitet nga Kina, megjithëse është rrezik SHUMË më i madh sesa Rusia, Rusia, Rusia. Të dyja ato, plus të tjerë do të jenë në gjendje të ndërhyjnë në zgjedhjet e 2020-ës, me votimin tonë të ekspozuar me manipulimin e fletëve të votimit”, shkruante ai në Twitter.

Megjithë akuzat e presidentit për problemet e votimit me postë, që ai i ka përsëritur shpesh, drejtori i FBI-së u tha ligjvënësve se shqetësime të tilla ishin pa bazë.

“Nuk kemi parë ndonjëherë deri tani në zgjedhje kombëtare një përpjekje të koordinuar për mashtrim me votimin”, tha zoti Wray, duke u bërë jehonë garancive të dhëna nga zyrtarë të lartë amerikanë të rendit dhe zbulimit, të cilët folën me gazetarët muajin e kaluar.

Drejtori i FBI-së tha se është më i shqetësuar për valën e keqinformimeve nga Rusia dhe të tjerë, që kanë në shënjestër votuesit amerikanë.

“Shqetësimi im më i madh është breshëria e keqinformimit dhe amplifikimi i ndërhyrjeve më të vogla kibernetike. Druhem se me kalimin e kohës këto do të kontribuojnë tek gërryerja e besimit e votuesve amerikanë”, tha zoti Wray.

“Një përshtypje e tillë do të ishte perceptim, jo realitet. Mendoj se amerikanët mundet dhe duhet të kenë besim tek sistemi ynë i zgjedhjeve dhe tek demokracia jonë”, shtoi ai. zëri i amerikës

SHBA: E pakuptueshme zvarritja e gjykimit për rastin e djegies së ambasadës në Beograd

Djegia e ambasadës amerikane në Beograd më 2018.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë (RFE) se është “vështirë për Shtetet e Bashkuara të kuptojnë pse nuk është vendosur ende drejtësia” për rastin e djegies së ambasadës gjatë trazirave të muajit shkurt të vitit 2008 në Beograd.

“Është e rëndësishme të theksojmë faktin se disa individë nuk kanë përmbushur detyrat e tyre ligjore. Kjo vlen edhe për policinë serbe që u tërhoqën nga pozicionet e tyre pranë ndërtesës së ambasadës pak para sulmit. Është gjithashtu jetike të zbulohet se cilat autoritete mund të jenë përfshirë në këtë akt të paligjshëm me pasoja kaq tragjike”, tha ambasada amerikane në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

Gjyqi ndaj pesë drejtuesve të policisë, para Gjykatës së Lartë në Beograd, të akuzuar për dështim në ofrimin e sigurisë për Ambasadën e SHBA-së, u anulua më 17 shtator, për shkak të detyrimeve zyrtare të gjyqtarit të përkohshëm.

Gjyqi do të vazhdojë të premten më 18 shtator.

Radio Evropa e Lirë e ka parë aktakuzën, ndaj pesë oficerëve të lartë të policisë.

Ata akuzohen për veprim serioz kundër sigurisë publike. Sidoqoftë, aktakuza nuk shqyrton përgjegjësinë e mundshme politike për trazirat që ndodhën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Gjyqi i oficerëve të policisë është shoqëruar me disa shtyrje të seancave dhe ndryshime në aktakuzë. Gjyqi filloi pas seancave përgatitore në qershor të këtij viti.

“Tani që gjyqi për zjarrvënien në Ambasadën e SHBA-së është riaktivizuar, pas kaq shumë vitesh vonesash të pakuptueshme, Shtetet e Bashkuara theksojnë rëndësinë e sjelljes para drejtësisë të atyre, veprimet ose mosveprimet e të cilëve, kishin pasoja kaq të tmerrshme, përfshirë vdekjen tragjike të një shtetasi serb, si dhe dëmin e madh që zjarri i shkaktoi ambasadës sonë”, thuhet në deklaratë.

Rasti i djegies së ambasadës, së bashku me çështjen ende të pazgjidhur të vrasjes së vëllezërve Bytyqi, shtetasve amerikanë me origjinë shqiptare, konsiderohet si një pengesë serioze për përmirësimin dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Agron, Mehmet dhe Yll Bytyqi, shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova, janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët serbë, kalimit të paligjshëm të kufirit.

Ata janë liruar nga burgu pasi janë dënuar dhe më pas janë vrarë. Trupat e tyre janë gjetur në një varr masiv, pranë Petrovo Sellos në lindje të Serbisë, në vitin 2001.

Akuzë ndaj një shqiptaro amerikani për mbështetje të ISIS-it

Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se të mërkurën në gjykatën federale të Qarkut të Kolumbisë është hapur akuza ndaj Lirim Sylejmanit, shtetas i natyralizuar amerikan i lindur në Kosovë, për komplot për t’i ofruar mbështetje Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë (ISIS), një organizatë e huaj terroriste dhe trajnim nga kjo organizatë.

Sylejmani ishte arrestuar nga Forcat Demokratike të Sirisë (SFD) dhe së voni i është dorëzuar Byrosë Federale të Hetimeve (FBI). Sylejmani bëri paraqitjen e tij fillestare në Gjykatën e Qarkut të në Uashington.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbajtur përgjegjës ata që janë larguar nga ky vend për t’u bashkuar me ISIS-in”, tha ndihmës Prokurori i Përgjithshëm John C. Demers. “Dua të falënderoj agjentët, analistët dhe prokurorët e përfshirë për përpjekjen e tyre për ta vënë të pandehurin para përgjegjësisë për veprimet e tij”, tha ai

“I pandehuri është një qytetar amerikan i cili braktisi vendin që e mirëpriti për t’u bashkuar me ISIS-in në Siri” deklaroi Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Shteteve të Bashkuara, Michael Sherëin. “Ai tani do të jap llogari për veprimet e tij në një gjykatë amerikane. Prokurorët dhe partnerët tanë të zbatimit të ligjit, do të vazhdojnë të na sigurojnë që ata që kërcënojnë vendin tonë të ndiqen penalisht me forcën e plotë të ligjit”, tha ai.

“Luftimi i terrorizmit mbetet përparësia kryesore e FBI-së dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë amerikanë dhe të huaj në të gjithë botën në këtë mision”, tha Jill Sanborn, Ndihmës Drejtor i Divizionit Kundër Terrorizmit të FBI-së. “Njoftimi i sotëm duhet të shërbejë si një paralajmërim për ata që kanë udhëtuar ose kanë provuar të udhëtojnë, për t’u bashkuar me ISIS-in që FBI-ja mbetet e palëkundur në synimin që ata të përballen me drejtësinë”, tha ai.

“Njoftimi i sotëm nënvizon angazhimin e FBI-së për të luftuar terrorizmin në gjithë botën. Sylejmani dyshohet se ka udhëtuar në Siri me synimin për t’u bashkuar, stërvitur dhe luftuar në emër të ISIS-it”, tha Matthew R. Alcoke, Agjent Special i Përgjegjshëm i Divizionit Kundër Terrorizmit të FBI-së në Washington.

Sipas pretendimeve të aktakuzës, nga nëntori i vitit 2015 deri në shkurt të vitit 2019, Sylejmani komplotoi për të siguruar dhe siguroi mbështetje materiale dhe burime, përfshirë personel dhe shërbime për ISIS-in në Siri dhe u trajnua ushtarakisht nga organizata terroriste. I pandehuri u kap nga SDF-ja në vitin 2019 dhe ka folur me një numër mediesh për kohën e tij të kaluar në ISIS, thuhet në njoftim në të cilin theksohet se pretendimet janë thjeshtë akuza dhe i pandehuri është i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij. zëri i amerikës

Meliza Haradinaj: Vuçiç shkeli marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Presidenti Trump

Ministrja e Jashtme e Kosovës Meliza Haradinaj ka lajmëruar me një tweet shqetësimin e qendrimit destruktiv të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Zonja Haradinaj shkruan në Tweet: “Kosova ndjek me shqetësime të mëdha veprime destruktive të presidentit serb Aleksandër Vuçiç për shkeljen e pikës të 15-të  të marrëveshjes të nënshkruar me ndërmjetësimin e Presidentit Donald Trump.

Vuçiç falenderoi falënderoi Ambasadorin e Palestinës Mohamed Nabhan  për qëndrimin “parimor për mosnjohjen e Kosovës.”

Fatkeqësisht, Serbia mbetet një partner jo i besueshëm!”

Pas takimit me Presidentin Serb Aleksandar Vuçiq me Ambasadorin e Palestinës në Beograd, Mohamed Nabhan më 15 shtator, presidenca serbe lëshoi një komunikatë ku midis të tjerave thuhet: “Presidenti Vuçiq e falënderoi udhëheqjen palestineze për mbështetjen e saj politike për sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë dhe për qëndrimin e saj parimor ndaj mosnjohjes së pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës”.

SHBA, nënshkruhen marrëveshjet e normalizimit të marrëdhënieve Izrael-Emirate-Bahrein

Presidenti Donald Trump udhëhoqi ceremonitë e nënshkrimit të marrëveshjeve historike diplomatike mes Izraelit dhe dy vendeve arabe të Gjirit që mund të paralajmërojnë një ndryshim dramatik në dinamikat e Lindjes së Mesme dhe t’i japin atij një shtysë përpara për zgjedhjet e nëntorit. Në një ceremoni të martën në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump priti më shumë se 700 mysafirë të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjeve mes Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit. Presidenti Trump dhe aleatët e tij shpresojnë se ky rast do të theksojë aftësitë e zotit Trump si paqebërës në kulmin e fushatës së tij për rizgjedhje.

Marrëveshjet janë quajtur “Marrëveshjet e Abrahamit” për nder të patriarkut të tre feve kryesore monoteiste të botës. Presidenti Trump pritet të nënshkruajë si dëshmitar. Marrëveshjet nuk u japin fund luftërave aktive, por zyrtarizojnë normalizimin e marrëdhënieve tashmë të ngrohta të shtetit hebre me të dy vendet. Ndërsa nuk trajtojnë konfliktin e gjatë izraelo-palestinez, ato mund t’i hapin rrugën një afrimi më të gjerë arabo-izraelit pas dekadash armiqësie.

Skeptikët, përfshirë shumë vëzhgues të Lindjes së Mesme, mes tyre analistë, ekspertë dhe ish-zyrtarë, kanë shprehur dyshime në lidhje me ndikimin e marrëveshjeve. Ata thonë se marrëveshjet injorojnë palestinezët, të cilët i kanë refuzuar ato, duke i cilësuar si një thikë pas shpinë nga vendet e tyre partnere arabe.

Ish-Nënpresidenti Joe Biden, rivali demokrat i Presidentit Trump, tha se ai mbështet qëndrimet që më shumë vende të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin si përgjigje ndaj një pyetje të bërë se fundmi nga Zëri i Amerikës, por ai shtoi se beson se “Izraeli duhet të jetë i përgatitur të punojë drejt një zgjidhje të sinqertë, me dy shtete” me palestinezët.

SHBA, gjykata rrëzon udhëzimin e ri të Presidentit mbi censusin

Marrë nga Reuters

Një trupë gjykuese shpalli të enjten si të paligjshëm një udhëzim të Presidentit Donald Trump për të përjashtuar ata persona që ndodhen në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara nga përfaqësimi në Kongres me nisjen e procesit të ndarjes së vendeve për organin legjislativ. Vendimi i tre gjyqtarëve, i cili mund të apelohet në Gjykatën e Lartë, është një fitore për 38 shtete, qytete e ndarje më të vogla administrative, përfshirë disa organizata jofitimprurëse për të drejtat e emigrantëve, të cilat ankimuan udhëzimin më 21 korrik.

Paditësit kryesisht me prirje demokrate, të udhëhequr nga shteti i Nju Jorkut, akuzuan Presidentin republikan se kishte një qëllim “ksenofobik” sic e quajtën ata me nxjerrjen e një direktive antikushtetuese që sipas tyre reflektonte “frymë diskriminuese” ndaj komunitetit hispanik dhe komuniteteve të tjera emigrante. Ata thanë se direktiva mund të linte me miliona njerëz të panumëruar e të zhvendoste disa vende të Dhomës së Përfaqësuesve duke dëmtuar potencialisht shtete si Kalifornia, Teksasi dhe Nju Xhersi.

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Tregtisë, i cili mbikëqyr regjistrimin, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për komente.

Në vendimin e tij prej 86 faqesh, grupi i gjykatësve tha se zoti Trump e tejkaloi autoritetin e tij ligjor me urdhëzimin e dhënë. Aty thuhej se ligji federal kërkon përdorimin e një grupi të dhënash për të numëruar popullsinë për qëllime regjistrimi dhe ndarjeje të numrit të vendeve në Kongres dhe se për sa kohë që ata (migrantët) banonin në Shtetet e Bashkuara “të huajt e paligjshëm kualifikohen si persona brenda shtetit”, të cilët duhet të numërohen.

Presidenti duhet të veprojë në përputhje dhe brenda kufijve të autoritetit që i ka dhënë Kongresi“, thuhej në vendimin e gjykatësve. “Ne kemi dalë në përfundimin se presidenti nuk e ka bërë një gjë të tillë“.

Vendimi i së enjtes është një pengesë e re ligjore lidhur me regjistrimin popullsisë për zotin Trump, i cili e ka kthyer çështjen e frenimit të imigracionit në qendër të presidencës së tij dhe fushatës për t’u rizgjedhur.

Udhëzimi vjen një vit pasi Gjykata e Lartë bllokoi përpjekjen e tij për të shtuar një pyetje mbi shtetësinë në formularin e regjistrimit të popullsisë.

Përpjekjet e përsëritura të Presidentit Trump për të penguar, dëmtuar dhe paragjykuar një regjistrim të saktë dhe ndarjen që pason (për vendet në Kongres) dështuan edhe një herë“, tha në një deklaratë Prokurorja e Përgjithshme e Nju York-ut Letitia James.

Në mbrojtje të udhëzimit, avokatët qeveritarë thanë se presidenti Trump gëzonte mundësi të gjera për të vendosur se kush do të numërohej dhe se ishte spekulativ çdo pohim se ai po përpiqej të krijonte ndonjë dëm.

Por paditësit thanë se direktiva do të shkaktonte një dëm të pariparueshëm duke shkurajuar familjet e migrantëve të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit dhe do të zvogëlonte fuqinë politike. Të dhënat e regjistrimit përdoren gjithashtu për shpërndarjen e miliarda dollarëve në fonde federale.

Ligji është i qartë, çdo person duhet të numërohet“, tha avokati i Bashkimit Amerikan për Liritë Civile Dale Ho, i cili përfaqësoi organizatat jofitimprurëse. Trupa gjykuese përbëhej nga gjyqtarët e qarkut Richard Wesley dhe Peter Hall, të dy të emëruar nga Presidenti republikan George W. Bush dhe gjykatësi i rrethit Jesse Furman, emëruar nga Presidenti demokrat Barack Obama. zëri i amerikës

Mbi gjysmë milioni njerëz ikin nga zjarret “e papara” në Oregon të SHBA-së

Më shumë se gjysmë milioni njerëz në Oregon të Shteteve të Bashkuara janë duke u larguar nga zjarret vdekjeprurëse që kanë përfshirë Paqësorin Veriperëndimor, thanë autoritetet.

Zjarret po ndiqen edhe nga erëra të forta dhe thatësira.

Guvernatorja e shtetit, Kate Brown, tha se numri i saktë i viktimave nuk dihet ende, ndonëse janë konfirmuar katër.

Ato përfshijnë një djalë 12 vjeç dhe gjyshen e tij.

“Ne nuk kemi parë kurrë këtë sasi zjarresh në shtet. Kjo nuk do të jetë një ngjarje e njëhershme. Për fat të keq, është zile e së ardhmes. Ne jemi duke ndjerë ndikimet akute të ndryshmeve të klimës”, tha Brown.

Një nga zjarret më shkatërruese, Almeda, i cili filloi në Ashland, afër kufirit me Kaliforninë, është duke u trajtuar nga policia si i dyshimtë.

Më shumë se 100 zjarre aktualisht janë duke djegur 12 shtete perëndimore të SHBA-së.

Më të goditurat janë Oregoni, Kalifornia dhe Uashingtoni. rel

SHBA shënon 19-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit

Nju Jork, 11 shtator, 2001.

Shtetet e Bashkuara shënojnë sot përvjetorin e 19-të të sulmeve të 11 shtatorit me disa homazhe.

Presidenti Donald Trump dhe sfiduesi i tij demokrat, Joe Biden, planifikojnë të vizitojnë Memorialin Kombëtar të Fluturimit 93 në Pensilvani, edhe pse jo në të njëjtën kohë.

Për shkak të koronavirusit, Memoriali dhe Muzeu Kombëtar i 11 Shtatorit në Nju Jork e anuluan traditën e tubimit të të afërmve të viktimave, që lexojnë me zë emrat e të vdekurve.

Në vend të kësaj, familjarët do të ofrojnë zërat e tyre të incizuar.

Sulmet e 11 shtatorit, 2001, kanë lënë të vrarë afro 3,000 njerëz.

Rrëmbyesit e aeroplanëve kanë goditur Qendrën Tregtare Botërore në Nju Jork, Pentagonin dhe një hapësirë në Pensilvani.

Këto kanë qenë sulmet më vdekjeprurëse në tokën amerikane.

SHBA-ja më pas ka pushtuar Afganistanin dhe më vonë Irakun. rel

Përkujtimi i sulmeve të 11 shtatorit në kohë pandemie

Memoriali i ndërtuar në Nju Jork për nder të viktimave të 11 shtatorit të vitit 2001.

Qyteti i Nju Jorkut do të zhvillojë ceremoninë vjetore të përkujtimit të gati 3 000 personave, që kanë vdekur si pasojë e sulmit më të madh terrorist në historinë amerikane, përmes një minuti heshtjeje në kohën e saktë kur xhihadistët e Al-Kaidës kanë sulmuar me dy aeroplanë, kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë.

Nju Jork, Shtetet e Bashkuara:

Ndërkohë që krimi po rritet, dyqanet dhe apartamentet po zbrazen dhe njerëzit e pastrehë shihen rrugëve, Nju Jorku të premten do të shënojë 19-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, ndërkohë që përballet me pandeminë me koronavirus dhe me mospajtime me Shtëpinë e Bardhë.

Në vend të mbajtjes së fjalimeve për të vdekurit, familjet e viktimave kanë incizuar veten paraprakisht. Thirrjet e tyre do të prezantohen në “nivelin zero” të memorialit.

Muzeu që nderon viktimat do të hapet për herë të parë prej kur koronavirusi ka bllokuar qytetin në muajin mars.

Pothuajse dy dekada pas sulmeve, 11 shtatori vazhdon të mbetet sinonim i heroizmit dhe qëndrueshmërisë së Nju Jorkut.

Liderët e qytetit kanë vënë në pah këtë të fundit edhe në muajt e kaluar, pasi shkalla e infektimit me koronavirus – që ka lënë të vdekur 23,000 persona në këtë qytet, njëherësh epiqendrën e hershme të këtij virusi në Shtetet e Bashkuara – është ulur në gati nën 1 për qind.

Guvernatori i shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo ka thënë të martën se qëndrueshmëria e banorëve të Nju Jorkut pritet të testohet sërish nga efektet sociale dhe ekonomike të pandemisë me koronavirus.

Zyra bosh deri më 2021?

Gale Brewer, presidente e rrethit të Mentahtën, ka thënë se ishulli i njohur për energjinë e tij, tani përballet me një varg problemesh.

Disa prej tyre janë drejtpërdrejt të lidhura me pandeminë: pothuajse të gjithë punëtorët me këmisha të bardha, sikurse punëtorët e bankave, tregtarët dhe punëtorët e sigurimeve shëndetësore, kanë punuar nga shtëpitë prej muajit mars. Kjo gjë ka ndikuar në zbrazje të Menhatënit, duke lënë mijëra dyqane dhe restorante të vogla pa konsumatorë.

Boris Tulchinskiy, inxhiner, 26-vjeçar, ka thënë se i mungon Menhatën, mirëpo beson se “do të vazhdojë të punojë nga shtëpia”, në Nju Xhersi, deri në korrik të vitit 2021.

Nëse më shumë se 60 milionë turistë, që kanë vizituar Nju Jorkun çdo vit, kanë ikur, njëjtë ka ndodhur edhe me vetë banorët e Nju Jorkut, mijëra prej të cilëve kanë lënë qytetin.

Të paktën 35,000 persona janë larguar nga Mentahtën, bazuar në kërkesat për votim përmes postës në zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor, ka thënë Brewer.

Shumë biznese tani janë mbyllur: në mes të vitit 2017 deri më 2020, numri i hapësirave të lira komerciale pothuajse është dyfishuar, mbi 78 për qind, ka thënë ajo.

Personat e pastrehë tani janë më të dukshëm për shkak të mbylljes së shumë strehimoreve për shkaqe shëndetësore, dhe transferimit të gati 31,000 personave në hotele të zbrazëta të Menhatënit.

Rritja e dhunës në familje dhe e të shtënave me armë zjarri – mbi 47 për qind dhe 166 për qind në muajin gusht, në krahasim me vitin paraprak – është një prej aspekte kyçe të krizës me të cilën po përballet ky qytet.

E përditshmja amerikane, New York Times ka raportuar që edhe pse shifrat e dhunës janë shumë më të vogla sesa ato të viteve 1970/80, Nju Jorku, që dikur është krenuar se është një prej qyteteve më të sigurta, tani është kthyer në nivelet e vitit 2012 sa i përket krimit.

Trump synon “të vrasë Nju Jorkun”

“Nuk mund t’ju tregoj se sa telefonata pranoj nga njerëzit, sidomos për qytetin e Nju Jorkut, të cilët janë tejet të shqetësuar për degradimin e këtij qyteti”, ka thënë guvernatori Cuomo, transmeton agjencia e lajmeve AFP.

Rrugët e Nju Jorkut gjatë muajit mars.

Rrugët e Nju Jorkut gjatë muajit mars.

Edhe pse ky qytet tregon shenja të ringjalljes – që përfshijnë hapjen e muzeve në fund të muajit gusht, dhe hapjen e restoranteve në ambiente të jashtme –normalizimi i plotë mund të marrë tre vjet, ka thënë Brewer, duke cituar shifrat e agjentëve të shitjes.

Në të njëjtën kohë, dhe më pak se dy muaj nga gara zyrtare për president të SHBA-së, kriza është kthyer në fokus të mospajtimeve me presidentin republikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, që ka lindur në Nju Jork, dhe ka bërë emër me kompanitë e tij atje, insiston se rritja e krimit në bastionin e demokratëve ka të bëjë me mungesën e kompetencës së liderëve në këtë vend.

Të martën ai ka akuzuar sërish kryetarin dhe guvernatorin e këtij shteti për “shkatërrim” të qytetit.

Zyrtarët e Nju Jorkut në anën tjetër janë kritikuar Trumpin që ka refuzuar të miratojë dhënien e fondeve federale për t’i ndihmuar qytetit në ditët më të rënda.

“Trump është duke tentuar ta vrasë qytetin e Nju Jorkut. Është personale. Mendoj se është psikologjike”, ka thënë Cuomo.

“Ai po tenton të vrasë qytetin e Nju Jorkut”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

 

SHBA: Kongresi, thirrje Presidentit Trump të hetojë helmimin e Navalnit

Në SHBA, drejtuesit kryesorë demokratë dhe republikanë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve i bënë thirrje Presidentit Donald Trump të hetojë helmimin e udhëheqësit rus të opozitës Aleksej Navalni.

Në një letër dërguar Presidentiit Trump, demokrati Eliot Engel, kryetar i komisionit dhe republikani Michael McCaul, numri dy i komisionit, i kërkojnë administratës të nisë një hetim mbi sulmin ndaj zotit Navalni, duke thënë se mund të jetë e nevojshme që ndaj Moskës të ndërmerren sanksione.

Aleksej Navalni, një kritik i njohur i Presidentit Vladimir Putin, u sëmur më 20 gusht gjatë një fluturimi me avion brenda Rusisë dhe më pas u transferua në Gjermani për mjekim.

Qeveria gjermane tha më 2 shtator se rezultatet e toksikologjisë tregojnë se 44-vjeçari ishte helmuar me agjentin nervor Novichok të stilit sovjetik.

Kremlini ka mohuar çdo përfshirje në helmim dhe ka hedhur poshtë çdo akuzë për krim.

Të martën, përfaqësuesit e G-7s dënuan “helmimin e konfirmuar” të Navalnit, sipas një deklarate të lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit. zëri i amerikës

SHBA paralajmëron hapjen e zyrës në Beograd për nisje të “projekteve kyçe të normalizimit ekonomik”

Adam Boehler, udhëheqës i Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar ka thënë se më 22 shtator të këtij viti do të dërgojë në Beograd një delegacion të nivelit të lartë për të hapur zyrën e këtij trupi atje.

Ai ka thënë se ka marrë këtë vendim pas marrëveshjes së arritur më 4 shtator në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.

Boehler ka thënë se menjëherë do të fillojë puna për projektet kyçe të normalizimit ekonomik.

Në mesin e pikave të marrëveshjes është arritur pajtueshmëri që Kosova (Prishtina) dhe Serbia (Beogradi) do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar këto:

-Autostradën e paqes

-Lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare

-Lidhjen hekurdhore Nish-Prishtinë

-Sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

-Projekte shtesë dypalëshe

-Prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, Serbi, e Korporatës Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik.

Me këtë marreveshje, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në bazë të marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në marrëveshje gjithashtu përmendet edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Po ashtu, aty parashihet që Kosova dhe Serbia të përshpejtojnë përpjekjet për të lokalizuar dhe identifikuar mbetet e personave të humbur. rel

Kaliforni, 8 000 kilometra katrore të përfshira nga zjarret, një rekord që prej 1987

Zjarret kanë shkatërruar më shumë se 8 000 kilometra katrore në Kaliforni, rreth 80 herë sa sipërfaqja e Parisit, duke detyruar shumë banorë të largohen si pasojë e këtyre zjarreve që kanë arritur përmasa të pazakonta që prej vitit 1987, theksuan zjarrfikësit.

“Është hera e parë në 33 vjet që janë tejkaluar dy milionë hektarë, rreth 8 000 kilometra katrore”, deklaroi Lynne Tolmachoff, zëdhënëse e zjarrfikësve.

“Është thjesht një rekord dhe ne jemi ende larg fundit të sezonit të zjarreve”, shtoi ajo.

Në të gjithë pjesën jugore të Kalifornisë është dhënë urdhri për evakuimin e popullsisë nga vendbanimet e tyre.

Në veri të Kalifornisë, më shumë se 200 persona janë evakuar me helikopter nga ushtria për t’i shpëtuar një zjarri që po përhapej me shpejtësi.


Send this to a friend