VOAL

VOAL

‘Lidhja ruse’ në tërheqjen e njohjeve të Kosovës

July 25, 2019
blank

Komentet

blank

Krejt çfarë dihet për vrasjen e Liridonës

Protestë e mbajtur në Prishtinë kundër vrasjes së grave. Dhjetor 2022.

Krenare Cubolli

Liridona Murseli, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.

Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave: dorasin G.P dhe N.M, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Mediat lokale në Kosovë e kanë identifikuar bashkëshortin si Naim Murseli.

Pak orë më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se në mesin e të arrestuarve për këtë rast, si i dyshuar, është edhe K.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se seanca e parë për tre të dyshuarit është caktuar për 3 dhjetor, në orën 9:30.

“Murseli e ka porositur vrasjen”

Betimi për Drejtësi – medium i specializuar në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë – ka raportuar, bazuar në burime se, i dyshuari Naim Murseli e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen për bashkëshorten e tij.

“Burime të ‘Betimi për Drejtësi’ bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës”, është thënë në raportimin e këtij mediumi.

Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.

Policia e Kosovës ka thënë se ka kryer bastisje në Gjakovë dhe ka arritur të sekuestrojë armën, me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.

“Do ta zhvarrosim trupin”

Rasti i vrasjes së 30-vjeçares është dënuar rëndë në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur vrasjen si “krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar”.

“Ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale”, ka thënë ajo përmes një postimi në Facebook.

“Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka kërkuar që rasti të trajtohet me urgjencë.

Mllef, posaçërisht, ka nxitur fakti se Naim Murseli është parë duke marrë pjesë në varrimin e bashkëshortes.

Mediat lokale në Kosovë kanë raportuar se familjarë të Liridonës, synojnë ta zhvarrosin trupin e së ndjerës nga Gjakova, ku është varrosur, pas dyshimeve se bashkëshorti ka dorë në vrasjen e saj.

Liridona Ademaj, jo Murseli

Në reagime e sipër në rrjete sociale, disa kanë kërkuar që Liridona të njihet me mbiemrin e vajzërisë, Ademaj, dhe jo Murseli, të familjes së burrit.

blank

Disa janë shprehur të alarmuar me dhunën kundër grave, disa i kanë vënë fajin mendësisë patriarkale për raportimet sistematike për dhunë, dhe kanë kërkuar më shumë siguri për gratë.

Në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, më 3 dhjetor është thirrur një protestë pas vrasjes së Liridonës.

Në orën 11:30 është planifikuar të mbahet një marsh drejt Ambasadës së Kosovës në Tiranë, me thirrjet ndal femicidit.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Gratë, UN Women, femicidi përkufizohet si vrasje e qëllimshme që lidhet me gjininë, që mund të jetë e nxitur nga rolet e stereotipizuara gjinore, diskriminimi ndaj grave dhe vajzave, raportet e pabarabarta të pushtetit midis grave dhe burrave, apo normave të dëmshme shoqërore.

Në periudhën janar-nëntor, në Kosovë janë raportuar rreth 2.000 raste të dhunës në familje. Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, 90 për qind e viktimave të kësaj dhune kanë qenë gratë dhe vajzat.

Në Kosovë, më 25 nëntor ka nisur fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me baza gjinore”.

Në aktivitetin e mbajtur më 27 nëntor, të titulluar “Ato janë ne”, Haxhiu tha se dhuna në familje është shndërruar në fenomen në Kosovë.

Vetëm në vitin 2022 në Kosovë janë vrarë tri gra – për të tria rastet, fajtorë ose të dyshuar kanë qenë bashkëshortët e tyre.

Në periudhën 2010-2022 në këtë shtet janë vrarë 50 gra.

Në Kosovë, rastet e dhunës në familje mund të raportohen në numrin 0800 19 999.

Linja telefonike e Mbrojtësve të Viktimave është 0800 11 112.

blank

VIDEO- Dreshaj: Shqipëria duhet të ngrihet në këmbë përpara se historia të na fshijë

Përshëndetje të gjithëve, unë jam Xhuljana Dreshaj, anëtare e Departamentit Brain Gain në Partinë Demokratike. Vitet e fundit jeta ime ka qenë e ndarë mes Greqisë ku kam lindur, rritur e studiuar dhe Shqipërisë, ku jam munduar gjithmonë ta mbaj fort lidhjen. Nje lidhje që vjen si thirrje e tokës amë për fëmijët e saj. Ajo ndjenja që ti i përket kësaj toke.

Sot në vendin tim nuk gjej me asnjë nga miqtë e fëmirisë, sepse të gjithë kanë ikur. Jeta i është bërë e pamujtur për shkak të padrejtesive dhe mungesës së meritokracisë. Diku janë tretur për të gjetur qetësinë që të jep një shtet serioz, ku sundon drejtesia e ku padrejtesitë nuk prekin deri shportën dhe jetën e perditshme. Truri shqiptar shndrit në katër anët e botês duke boshatis nje vend që Zoti e ka bekuar.

Po ikin te rinjtë dhe sipas sondazheve të fundit rreth 80% e saj dëshirojmë dhe planifikojnë të largohen.

Shqipëria po vdes!

Ikja e trurit të Shaipërisë nuk është një largim i zakonshëm sië shprehet qeveria, është më e larta në rajon dhe në të gjithë Europën.

Çfarë është zgjidhja jonë si parti politike për të kthyer këto njërëz të cilët janë lënë jetime në rrugët e botëve, pa shtet, pa atdhe?

Shumë e vështirë është t’i bindim shqiptarët kundër një propagandë të strukturuar dhe të paguar nga arka e shtetit. Mijëra rrogëtarë të administratë punojnë për të dekurajuar shqiptarët dhe për ti shtyrë ata të largohen.

Demokracia nuk është një e mirë që e merr një herë dhe e ke përherë. Kur demokracine e marrin peng, ka vetëm nje rrugë: AKSION!

Kur vendi boshatiset ka vetëm një zgjidhje: TË REAGOJMË.

Kur varfëria estreme dhe padrejësia rritet ka vetëm nje detyrë: TË NGRIHEMI!

Sot nuk zgjedhin ne shqiptarët, por bandat vendosin kryetarët e tyre të Bashkive. Ata emërojnë edhe drejtuesit e policisë e pse jo edhe ministra.

Sot shqiptarët votojnë e nuk zgjedhin sepse opozitës i mohohet çdo e drejtë kushtetuese. I vidhet emri, sigla, drejtuesi e megjithatë 600 mijë patriotë ja dolen ti numërohejj vota me 14 maj, pavarsisht të gjithave.

Imagjinoni sikur te numërohej çdo votë.

Sot brutaliteti i sulmeve ndaj opozitës janë unike për një vend që pretendon që është akoma demokratik. Demokratet janë lodhur keta 10 vite por gjithmonë kanë treguar, që janë në lartesinë që historia i ngarkon.

Hapat më të mëdhenj që janë bërë keto tre dekada, që nga rrezimi i regjimit kriminal, janë hedhur nga qeveritë demokrate.

Gjithmonë kanë qëndruar në këmbë perballeë çdo tiranie dhe persekutimi në emër të interesit kombëtar. Këtë duhet ta themi dhe te jemi krenar.

Vendi jonë ka nevojë te zgjohet nga giumi, ka nevojë për aksion.

Rinia, më moshuarit, diaspora duan aksion dhe Partia Demokratike duhet ti thërrasë në AKSION e saj për permbysien e ketii regimi ge nuk lodhet me as te fshehë natyrën e tij.

Shqipëria duhet të ngrihet në këmbë në emër të të tashmes, në emër të të ardhmes. Është detyrë që historia na ka ngarkuar e duhet t’i përgjigjemi para se historia te na fshijë.

blank

Sonja Biserko: Perëndimi e ka toleruar Beogradin! Rusia po shkakton tensione në rajon

Presidentja e Komitetit të Helsnikit në Serbi, Sonja Biserko, ishte e ftuara e Amela Ferkos në edicionin e lajmeve të mbrëmjes në SYRI TV.

Ajo tha se Perëndimi e ka toleruar shumë Beogradin dhe ngjarjet në Banjskë ishin një sinjal se ka potencial për destabilitet në rajon.

“Ngjarja në Banjskë ishte një sinjal se ka potencial për të shkaktuar destabilitet në rajon. Grupi serb nuk e pranon realitetin dhe nuk e ka mbyllur këtë çështje. Veriu i Kosovës dhe jo vetëm, duket se është në një problematikë. Ajo që ndodhi ishte një sinjal alarmi për Perëndimin, sepse duket se e ka toleruar shumë Beogradin, duke mos i kushtuar vëmendjen e duhur zhvillimeve në terren, sidomos armatosjes së Serbisë,” tha Biserko.

Sipas saj, Beogradi në vend që të pranonte situatën dhe të merrte masa, nuk ka ndërmarrë veprimet e duhura. “Kjo tregon mungesën e dëshirës së Beogradit për të trajtuar këtë çështje,” tha ajo.

“Pas situatës në Ukrainë, Rusia duket se ka një tendencë për të nxitur aktorët, sidomos Serbinë, për të shkaktuar tensione dhe konflikte, në mënyrë që vëmendja të shkojë në Ballkan dhe të largohet nga Ukraina. Kjo është situata aktuale”, theksoi Biserko.

Sipas saj, Serbia nuk është gati për procesin e integrimit evropian, pasi nuk ka bërë progresin e nevojshëm për t’u reformuar.

Biserko tha se duket se Beogradi po ashtu nuk është gati të vërë në zbatim ndonjë pikë të Marrëveshjes së Ohrit dhe se dialogu që po zhvillohet vjen vetëm për shkak të presionit dhe jo sepse Serbia është gati të pranojë realitetin.

“Për mendimin është në interesin e nacionalistëve të Beogradit që të përshkallëzojë tensionet në rajon. Po ashtu është edhe në interes të Rusisë. Reagimi i Beogradit me mbështetjen e Rusisë është që të marrë një shpagim për atë që ndodhi në vitet ’90,” tha Biserko.

Ajo foli për një transformim rus të Serbisë. “Rusia perceptohet si mbrojtësi kryesor dhe kjo është e pavërtetë dhe as nuk përputhet me faktet historike,” shtoi Biserko.

blank

Çfarë parasheh draft-statuti për Asociacionin?

Sandra Cvetkoviq

Radio Evropa e Lirë siguroi qasje në draft-statutin për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili u hartua nga zyrtarët evropianë.

Në Qeverinë e Kosovës nuk deshën ta komentojnë atë, ndërsa burime të REL-it në Bruksel konfirmuan se është njëri nga draftet e fundit, i cili, megjithatë, mund të pësojë disa ndryshime të vogla.

Ky dokument për themelimin e Asociacionit duhet t’i ofrojë një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit komunitetit serb në Kosovë.

Mes tjerash, ai parasheh qartë mundësinë e mbështetjes financiare të Asociacionit nga ana e Serbisë, si dhe “një kanal efikas dhe të drejtpërdrejtë të komunikimit ndërmjet komunitetit serb të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale”.

Kompetencat e tij janë arsyet përse autoritetet në Kosovë kanë refuzuar, deri tash, ta formojnë Asociacionin.

Për të, Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshje në Bruksel, në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në Kosovë thonë se, si i tillë, Asociacioni mund ta kërcënojë funksionalitetin e brendshëm të shtetit, ashtu siç është rasti i Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se disa nga parimet e Marrëveshjes për Asociacionin nuk janë në vijë me Kushtetutën e vendit, por theksoi se ato mund të harmonizohen në përputhje me të.

Pas shumë vitesh të përpjekjeve të pasuksesshme të bashkësisë ndërkombëtare që Prishtina dhe Beogradi t’i harmonizojnë qëndrimet e tyre për këtë çështje, BE-ja njoftoi në fund të tetorit se atyre u është dorëzuar një “draft-statut modern” për formimin e Asociacionit.

Vendet e tjera perëndimore – SHBA-ja, Gjermania, Franca dhe Italia – e mbështetën atë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha për herë të parë se draft-statuti për formimin e Asociacionit është “i pranueshëm”, sepse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Dokumenti u pranua edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Autoritetet serbe thanë publikisht se ai është në përputhje edhe me Kushtetutën e Serbisë dhe me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut me Kosovën.

Kompetencat dhe marrëdhëniet me autoritetet qendrore

Pjesa e draft-statutit të Asociacionit që u referohet kompetencave të tij, specifikon se ky organ ka të drejtë të miratojë vendime, rregullore, udhëzime dhe deklarata.

Gjithashtu ka kompetenca të plota mbi nivelin lokal, përkatësisht në fushat e zhvillimit ekonomik, planifikimit hapësinor, shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes së identitetit kulturor dhe fetar.

Në pjesën për marrëdhëniet me pushtetin qendror thuhet se Asociacioni nuk do t’i cenojë apo anashkalojë autoritetet kushtetuese dhe ligjore dhe kompetencat e tyre, si dhe nuk do t’i cenojë në asnjë mënyrë marrëdhëniet kushtetuese dhe juridike ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal, gjatë përmbushjes së qëllimeve të tij.

Shtohet se marrëdhëniet me autoritetet qendrore do të bazohen në bashkëpunimin e ndërsjellë dhe shkëmbimin e informacioneve në frymën e promovimit të demokracisë, multietnicitetit dhe shoqërisë së integruar, në përputhje me ligjet aktuale të Kosovës.

Po ashtu, Asociacioni ka të drejtë të iniciojë apo të jetë palë në procedurat para gjykatave, përfshirë Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, nëse vendimet apo veprimet e ndonjë institucioni ndikojnë në ushtrimin e kompetencave të tij në përputhje me statutin.

Struktura organizative dhe buxheti

Në bazë të draft-statutit, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, përveç simboleve të tij, do të ketë edhe kuvendin, kryetarin dhe nënkryetarin, mekanizmin këshillëdhënës, administratën dhe zyrën për ankesa.

Organi kryesor i Asociacionit duhet të jetë kuvendi, i cili miraton propozime për ndryshime ose amendamente të statutit, miraton rregullore, vendime ose deklarata.

Gjithashtu, kuvendi i Asociacionit do të jetë ai që emëron dhe shkarkon kryetarin dhe nënkryetarin.

Përveç kryetarit, kuvendi duhet të ketë së paku dy nënkryetarë. Anëtarët e kuvendit zgjidhen nga anëtarët e kuvendeve komunale, të cilat janë anëtare të Asociacionit.

Selia e Asociacionit duhet të jetë në Mitrovicën e Veriut – njëra prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Sa i përket financimit, parashikohet që Asociacioni ta ketë buxhetin e tij, të cilin do ta menaxhojë “me përgjegjësi dhe në mënyrë transparente”.

Specifikohet, po ashtu, se Asociacioni duhet të ketë një llogari në një bankë të licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës.

Asociacioni mund të financohet nga buxheti i tij, kontributet nga anëtarët e tij, institucionet qendrore, donacionet, si dhe nga mbështetja financiare e institucioneve të tjera vendase ose ndërkombëtare, përfshirë Serbinë.

Buxheti dhe shpenzimet duhet të jenë nën mbikëqyrjen e BE-së për një periudhë pesëvjeçare.

Asociacioni duhet të përbëhet nga komunat me shumicë serbe në Kosovë, të cilat aktualisht janë dhjetë: Graçanica, Shtërpca, Parteshi, Ranillugu, Kllokoti, Novobërda, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku.

Megjithatë, çdo komunë tjetër në Kosovë mund t’i bashkohet atij nëse ajo dëshiron.

Çfarë është e re?

Përveçse thuhet se Asociacioni nuk do të jetë ndonjë nivel i tretë i qeverisjes, theksi vihet edhe te çështja e menaxhimit të institucioneve arsimore dhe shëndetësore në Kosovë.

Këto institucione janë pothuajse të vetmet që nuk janë integruar asnjëherë në sistemin e Kosovës.

Të gjitha institucionet arsimore në komunitetet serbe në Kosovë veprojnë nën Ministrinë e Arsimit të Qeverisë së Serbisë.

Këtu bëjnë pjesë: institucionet parashkollore, shkollat fillore dhe të mesme, si dhe universiteti me seli në Mitrovicën e Veriut.

Ndërkaq, për institucionet shëndetësore në komunitetet serbe në Kosovë, përgjegjëse është Ministria e Shëndetësisë e Qeverisë së Serbisë.

Përveç shtëpive të shëndetit apo ambulancave lokale, ekziston edhe një qendër klinike spitalore në Graçanicë – afër Prishtinës – dhe në Mitrovicë të Veriut, si dhe një qendër shëndetësore në Partesh.

Draft-statuti parashikon që këto institucione të bëhen private, nën ombrellën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe që Serbia të japë “kontribut financiar”.

Sektori privat i arsimit dhe shëndetësisë

Specifikohet se institucionet arsimore dhe shëndetësore në Kosovë do ta kishin “statusin e institucioneve të huaja private” dhe se do të merrnin leje, përkatësisht licenca pune, në përputhje me ligjin aktual të Kosovës.

“Kurrikula është e rregulluar në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në draft-statut.

Megjithatë, nuk është ende e qartë se si do të ishte plan-programi arsimor në këtë rast, marrë parasysh se Kosova dhe Serbia kanë pikëpamje krejtësisht të ndryshme sa i përket historisë apo gjeografisë.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008, dhe vazhdon ta konsiderojë atë si pjesë të territorit të saj.

Në draft-statut thuhet se institucionet arsimore dhe shëndetësore mund t’i shfrytëzojnë objektet që i ka financuar Serbia, por se kjo nuk do ta pengojë sistemin ekzistues arsimor dhe shëndetësor të Kosovës.

Thuhet, po ashtu, se Asociacioni do të ketë kompetenca të plota në lidhje me arsimin, që nënkupton bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve, prezantimin e politikave arsimore para autoriteteve qendrore, ofrimin e mbështetjes ligjore dhe financiare për anëtarët e tij, këshillimin e autoriteteve qendrore në lidhje me kurrikulat e Serbisë, ofrimin e këshillave për ndryshime dhe plotësime në ligjin për arsim, e kështu me radhë.

Diplomat do të lëshoheshin dy herë, si në sistemin e Kosovës ashtu edhe në atë serb, dhe do të njiheshin nga të dyja vendet.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe do t’i ketë pothuajse të njëjtat kompetenca edhe në fushën e kujdesit shëndetësor, përkatësisht do ta lehtësojë bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve në lidhje me përmirësimin e kujdesit shëndetësor parësor dhe dytësor, do ta prezantojë politikën shëndetësore dhe sociale para autoriteteve qendrore, do të financojë projekte të infrastrukturës, pajisjeve dhe materialeve të tjera mjekësore, do të financojë ose mbledhë fonde për asistencë sociale etj.

Kultura, zhvillimi ekonomik, planifikimi hapësinor, kthimi…

Sipas draft-statutit, Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet t’i promovojë dhe mbrojë të drejtat e anëtarëve të tij në fushën e kulturës, gjuhës dhe fesë.

Kjo nënkupton, mes tjerash, financimin e projekteve që lidhen me trashëgiminë kulturore brenda “kufijve administrativë” të Asociacionit, si dhe mirëmbajtjen, rehabilitimin apo ndërtimin e trashëgimisë kulturore.

Asociacioni, gjithashtu, duhet të ketë kompetenca të plota në nivel lokal kur bëhet fjalë për zhvillimin ekonomik dhe duhet të ofrojë ndihmë financiare në këtë fushë.

Kompetenca të plota në nivelin lokal janë paraparë edhe për planifikimin hapësinor – urban dhe rural.

Draft-statuti përmend edhe kthimin në Kosovë në përputhje me Rregulloren për Kthimin e Personave të Zhvendosur, të vitit 2018, dhe ligjet aktuale.

Kjo rregullore është miratuar nga Qeveria e Ramush Haradinajt dhe ka të bëjë me krijimin e kushteve të nevojshme për arritjen e zgjidhjeve të përhershme për personat e zhvendosur brenda Kosovës dhe në rajon, në periudhën prej 28 shkurtit 1998 deri më 31 mars 2004.

Rregullorja parashikon ndërtimin e banesave për të kthyerit dhe për personat e zhvendosur brendapërbrenda, prona e të cilëve vlerësohet se ka dëme të konsiderueshme ose është dëmtuar plotësisht. Ata në kategorinë e rëndë marrin materiale ndërtimi dhe ndihmë punësimi, ndërsa atyre të kategorisë së mesme u ofrohen materiale ndërtimi ose paketa të pjesshme ndihme, varësisht numrit të anëtarëve.

Përgatiti: Valona Tela
blank

Prokuroria në Hagë: Thaçi, Vesli, Selimi kanë zbuluar identitetin e disa dëshmitarëve të mbrojtur gjatë vizitave që kanë pasur në qendrën e paraburgimit

Gentiana Kadrija

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është duke hetuar çështjet që ndërlidhen me kufizimin e komunikimeve për të akuzuarit pranë Gjykatës Speciale në Hagë. Në një përgjigje të shkurtër për Radion Evropa e Lirë, mbrojtja e Thaçit tha se do të dorëzojë vërejtjet relevante pas përfundimit të të gjitha hetimeve.

Nevenka Tromp, ligjëruese në Universitetin e Amsterdamit, thotë për Radion Evropa e Lirë se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë, do të rikthejë në diskutim narrativën se “të gjitha gjykimet kundër shqiptarëve të Kosovës dështojnë për shkak të frikësimit të dëshmitarëve”.

Çfarë ndodhi?

Më 23 nëntor, trupi gjykues urdhëroi kufizimin e përkohshëm të kontakteve për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, duke ndaluar çdo vizitë nga njerëz jo të privilegjuar. Aktualisht, vizitat lejohen vetëm për ekipin e mbrojtjes.

Vendimi pasoi kërkesën e Prokurorisë që t’i kufizojë vizitat për shkak të “përpjekjeve për të penguar procesin gjyqësor”.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi kanë shkelur urdhrat e Trupit Gjykues duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose duke shpërndarë përmbajtjen e dëshmive konfidenciale personave që i vizitojnë ata në Qendrën e Paraburgimit”, tha kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, në parashtrimin drejtuar trupit gjykues.

“Regjistrimet tregojnë se Thaçi ka abuzuar vazhdimisht me vizita jo të privilegjuara, ka dhënë udhëzime se si dëshmitarët duhet të dëshmojnë dhe i ka udhëzuar vizitorët të kontaktojnë me dëshmitarët në emër të tij”, shtohet në parashtrimin e prokurorisë.

West kërkoi pezullim të komunikimeve jo të privilegjuara, përfshirë vizitat [personalisht apo me zoom], telefonatat, komunikimet me shkrim, si dhe kërkoi monitorim aktiv të të gjitha komunikimeve që mund t’i bëjnë të akuzuarit.

Sipas prokurorisë, tre të akuzuarit kanë zbuluar identitetin e disa dëshmitarëve të mbrojtur gjatë vizitave që kanë pasur në qendrën e paraburgimit.

Në dokumentin e prokurorisë thuhet në disa raste, të akuzuarit u kanë thënë vizitorëve që t’i udhëzojnë dëshmitarët e mundshëm se çfarë të thonë kur të dëshmojnë në sallën e gjyqit.

Çfarë tha Gjykata?

Gjykata Speciale, apo Dhomat e Specializuara, ka pranuar pjesërisht kërkesën e prokurorisë, duke ndaluar çdo vizitë nga njerëz jo të privilegjuar.

Sipas vendimit të trupit gjykues, informacioni i vendosur para panelit sugjeron se ekziston rrezik real që informacionet konfidenciale të zbulohen nga individë që nuk kanë të drejtë t’i marrin ato.

“Zbulimi i paligjshëm i një informacioni të tillë mund të ndikojë negativisht në mbrojtjen efektive të viktimave dhe dëshmitarëve dhe integritetin e procedurave”, tha trupi gjykues në vendimin e përkohshëm.

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, gjatë një takimi të mërkurën me shoqërinë civile dhe mediat në Prishtinë, tha se ky vendim nuk është marrë “pa arsye”.

“Gjykatësit janë duke i marrë shumë seriozisht përgjegjësitë e tyre. Unë nuk jam këtu që t’i mbroj ata, por, më duhet të them se nëse do të isha në vendin e tyre, do të veproja njësoj”, tha Trendafilova.

Ajo bëri të ditur se vendimi përfundimtar lidhur me kërkesën urgjente të ZPS-së për kufizim të komunikimit, do të merret pasi të dëgjohen të gjitha palët.

Sipas saj, vendimi i përkohshëm për kufizim të komunikimeve nuk përfshinë avokatët dhe disa nga familjarët tyre.

“Gjyqtarët do të vendosin se kush nga familjarët e afërt mund t’i vizitojë”, tha Trendafilova duke shtuar se “takimet e tyre [akuzuarve] me avokatët e tyre nuk mund të limitohen apo monitorohen”.

Selia e Gjykatës Speciale u vendos në Hagë në mënyrë specifike për shkak të drojës nga frikësimi i dëshmitarëve, “marrë parasysh që bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për shkak se të dyshuarit e mundshëm, nga pjesë të caktuara të shoqërisë së Kosovës mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, kishte deklaruar Qeveria e Holandës qysh në vitin 2016, kur mori vendimin e saj për ta vendosur këtë gjykatë në këtë shtet.

“Prokuroria do të përfitojë nga përgjimi i bisedave”

Nevenka Tromp, e cila për më shumë se një dekadë ka qenë hulumtuese në Tribunalin e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, vlerëson se ekipet mbrojtëse të të tre të akuzuarve duhet t’i përgjigjen parashtresës dhe “të reagojnë ndaj të gjitha fakteve relevante dhe kërkesave të prokurorit”.

“Në parashtresën e ZPS-së është kërkuar gjithashtu që të pandehurit të ndahen nga njëri-tjetri në mënyrë që të mos ndajnë me njëri-tjetrin vizitorët dhe të mos diskutojnë mes tyre për dëshmitarët dhe provat. Ajo që kërkon ZPS-ja mund të kundërshtohet me alternativa nga avokatët mbrojtës, për shembull një minimizim më i mirë i vizitorëve – moslejimi i askujt që figuron në listën si dëshmitar i mbrojtur i ZPS-së të vizitojë; të shtohet në formularin për vizitorët nëse një vizitor do të kundërshtonte regjistrimin e vizitës së tij”, thotë Tromp.

Sipas saj, ZPS-ja do të përfitojë nga zbulimi i bisedave në qendrën e paraburgimit duke rikthyer kështu në diskutim narrativën se “të gjitha gjykimet kundër shqiptarëve të Kosovës dështojnë për shkak të frikësimit”.

“ZPS-ja ka shumë për të përfituar me zbulimin e numrit të përzgjedhur të bisedave të përgjuara: justifikon për botën e jashtme pse ZPS-ja refuzoi lirimin e përkohshëm të të pandehurit derisa pritej fillimi i gjykimit; rikthen diskutimin për narrativën se të gjitha gjykimet kundër shqiptarëve të Kosovës dështojnë për shkak të frikësimit dhe kërcënimit të dëshmitarëve; të përgatisë terrenin për çdo lirim të mundshëm – duke e justifikuar me vështirësinë për të gjetur dhe mbajtur dëshmitarët”.

“ZPS-ja ka, gjithashtu, një arsye legjitime për të mbrojtur integritetin e procesit ligjor dhe dëshmitarët që ndërhyjnë në të dyja palët duhet të sigurohen se pjesëmarrja e tyre në proces potencialisht nuk do të rrezikojë sigurinë e tyre apo të familjes së tyre. Do të jetë shumë interesante të lexohet se si ekipet e Mbrojtjes do t’i përgjigjen parashtrimit të ZPS-së”, thotë Tromp.

Autorja e librit “Gjykimi i papërfunduar i Millosheviqit”, thekson rëndësinë që palët të kenë parasysh respektimin e konfidencialitetit të procedurave.

“Është e një rëndësie të madhe që avokatët e mbrojtjes të shpjegojnë dhe mbrojnë linjat e tyre nga çdo shkelje aksidentale e konfidencialitetit në të ardhmen. Është krejt e pamundur të kuptohet përse u lejuan fare dëshmitarët e Mbrojtjes apo të Prokurorisë të vizitonin të pandehurit në qendrën e paraburgimit. Kjo situatë është dashur të parandalohet institucionalisht – nga sekretaria që koordinon vizitat, por edhe nga avokatët mbrojtës të cilët duhet t’i këshillojnë të pandehurit për çështjet që kanë të bëjnë me vizitorët”, thotë Tromp.

Më shumë se dy vjet në paraburgim

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi si dhe Jakup Krasniqi, ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

 

Gjykimi ndaj tyre ka filluar në prill të këtij viti dhe deri tani kanë dëshmuar 37 dëshmitarë të prokurorisë, ndërsa në total, ZPS-ja ka paralajmëruar mbi 300 dëshmitarë në këtë proces gjyqësor.

Prokuroria i akuzon ish-krerët e UÇK-së për vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë ndërsa të gjithë i kanë mohuar akuzat.

Gjykata në Hagë u krijua pas një raporti të Këshillit të Evropës të vitit 2011, i cili përmbante akuza për trafikim organesh.

Themelimi i këtij institucioni u bë më pas nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015, ndërsa aktakuzat e para u konfirmuan në pjesën e dytë të vitit 2020.

Në aktakuzën kundër ish-krerëve të UÇK-së nuk përfshihen akuzat për trafikim organesh.

Përveç gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve, aktualisht në Dhomat e Specializuara në Hagë po zhvillohet procesi kundër Pjetër Shalës, i akuzuar për krime të pretenduara të luftës.

Për krime të luftës deri tani Gjykata Speciale ka shpallur një aktgjykim të shkallës së parë kundër Salih Mustafës, i dënuar me 26 vjet burgim. Lidhur me këtë vendim, Apeli do të vendosë në mesin e dhjetorit të këtij viti.

Në këtë gjykatë po zhvillohen edhe procese kundër administrimit të drejtësisë, për çka deri tani janë shpallur dy vendime fajësie.

Gjatë këtij viti, Specialja ka kryer bastisje në Kosovë, disa prej tyre në pronat e ish-këshilltarëve të Thaçit. ZPS-ja ka bërë të ditur se operacionet janë zhvilluar në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Operacionet, për të cilët nuk është dhënë detaje, janë autorizuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe mbështetur nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Gjithashtu gjatë këtij viti, Specialja ka intervistuar disa persona në Prishtinë, të cilëve u kishte konfiskuar telefonat, në mesin e tyre edhe ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i cili kishte punuar si këshilltar i Thaçit.

Gjykata Speciale është kundërshtuar nga organizatat e dala nga lufta në Kosovë dhe individë të tjerë me kritikën se kjo gjykatë nuk po i ndjek krimet serbe.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë 13 mijë njerëz, shumica prej tyre shqiptarë, kurse rreth një milion shqiptarë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre. Sipas të dhënave, më shumë se 1.600 persona konsiderohen ende të pagjetur.

Fushata bombarduese e NATO-s kundër caqeve të forcave serbe, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.

Shteti i Kosovës ende nuk njihet nga Serbia, vend me të cilin, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është në negociata për normalizim të marrëdhënieve që prej vitit 2011.

blank

Që Djalli i pushtetit të mos i afrohet kurrë më, temjanit të zgjedhjeve – Nga Ndriçim Kulla

“Marr guximin të të shkruaj, tjetër ç’do veç shpirtit tim?” – Janë dy vargjet e famshme të poemës së Pushkinit që ai ia dërgon Tatianës së tij. Në shekullin e romantizmit, edhe Foskolo me Jakopo Ortisin, edhe Gëte me djaloshin Verter, kanë shkruar romane të tipit epistolar, ku shprehen vuajtjet shpirtërore të njeriut për dashurinë e tij fatkeqe.

Rreth  shtatë vite më parë  kur kishte filluar lëvizja protestuese e Çadrës në një ambient të ndezur politik, në një raport të degraduar midis pozitës dhe opozitës  prej muajsh me radhë, megjithëse nuk kishin kuptim, Kryeministri i qeverisjes shkatërrimtare me shumë hipokrizi në kundërshtim me sjelljen e tij politike ose i ka shkruar publikisht, ose i ka kërkuar dialog, opozitës, kundërshtarëve të tij politikë.

Pikërisht në ato kohëra fragmentare ai iu drejtohej kundërshtarëve politikë: “Çfarë doni ju të dashur?! Derisa unë të arrij t’iu vras prapa krahëve, ju mos më sulmoni anglisht nëpër tribunat politike apo kancelaritë e botës perëndimore!”

Ndryshe nga poetët dhe filozofët e mëdhenj fisnikë, ai kishte strukturuar në mendje në Shqipëri, kulturën politike të urrejtjes dhe të pabesisë, duke u shfaqur i dhembshur  në sytë e botës për kundërshtarët e tij.  Duke pasur si referencë, sjelljen e tij tipike intolerante si politikan, që e ka problem opozitën, kemi të drejtë edhe sot të pyesim:

Pse vallë mund t’i ketë shkruar ose drejtuar  kështu, kundërshtarit, njëi tillë?

Pse në këtë mënyrë, kur ai në thelb është tjetër politikan dhe njeri hakmarrës, vërtet i paadministrueshëm?

Mos në nënvetëdijen e tij është edhe kjo një lloj shprehje dashurie romantike për demokracinë apo një tmerr për pushtetin që mund lerë?

Janë të shumta kundërthëniet e këtij epistolari emblematik të Kryeministrit për pakuptueshmërinë e qëllimit të tij të vërtetë.

Por edhe për njerëzit e thjeshtë, opakësia e këtij veprimi  të Kryeministrit ka lënë shumë hije dyshimi.

Mos vallë në këtë mënyrë flitet me kode midis rreshtave?

Apo e gjitha kjo ka qenë një lojë rebusesh që ne nuk i dinim, se koka e opozitës ishte zënë rob prej tij në një betejë spiunësh, por që fshehtas, prapa skenës ai vazhdoi që të luante diçka të përsëritur, diçka së cilës demokratët iu trembeshin dhe socialistët e uronin?

Edhe sot, Kryeministri i kthyer në një diktator të vërtetë mbas gati dymbëdhjetë vjetësh, flet si për inerci për të njëjtën taktikë të zgjedhur kundrejt opozitës, si në rastin e Çadrës shumë vite më parë.

Ndoshta këtu ka të drejtë, të gjitha demonstrimet e opozitës tashti po  ngjajnë me një Çadër gjigante të lëvizshme, që rritet e gufohet prej zemërimit popullor, muaj pas muaji.

E pikërisht si atëherë, mazhoranca shfaqet mospërfillëse, herë e frikësuar, herë përbuzëse e herë trimërore.

Do t’iu shtypë përsëri diktatori, disa ditë më parë i lebetitur nga akuzat e pakundërshtueshme që i bëri kryetari i opozitës në kuadrin e Gjyqit Publik të korrupsionit të tij.

Edhe atëherë Tryeza e Dialogut qe zgjidhja që ofrohej e që në fakt nuk ndodhi dhe nuk u bë realitet.

Ka mbetur  diçka  ireale në mendësinë e tij për forcën e pakufizuar që mendon se ka. Për këtë arsye ndoshta socialistët urojnë që të ketë të njëjtin fund.

Po a jemi vallë në të njëjtat kushte si atëherë?

Megjithëse faktorët politikë kanë ndryshuar  dhe janë kthyer përmbys, Kryeministri vazhdon të sillet si  në realitetin e pengut me mendësinë e diktatorit.

Por sot, mazhoranca  ama është bërë vërtet 7 vjet më e egër në korrupsionin dhe lidhjet e veta me krimin, por opozita shumë vjet më e vërshueshme për të nisur me rrugën pa kthim, në besim e në shpresë tek qytetarët, duke lënë pas ngatërresat e kurdisura të kohës së pengut të madh.

Kryeministri 20 vjet më i rrënuar në dredhitë e tij gjoja për zgjedhje të lira e të ndershme, kurse opozita e ribashkuar nga përçarjet e planit të errët makbethian Rama – Mcgonigal, përjetësisht  më syçelët dhe më e kthjellët në mos rënien edhe njëherë në grackën që i ka krijuar ish-drejtuesi saj, Pengu i deklaruar deri në neveri Luzim Basha.

Pikëpyetja e parë sot  është, se sa e qëndrueshme do të jetë  mazhoranca në këmbënguljen ose kokëfortësinë e padrejtësive 11-vjeçare të saj?

Por po njëlloj, a do të ndryshojë ndonjë gjë më thelbësore në strategjinë  e opozitës?

Ajo nuk duhet të ndihet aspak e kompleksuar nga krahasimi me Çadrën, përkundrazi, ligjërimi i saj në ditët e Çadrës ka qenë një majë për t’u përshëndetur e pse jo edhe për t’u përsëritur.

Të gjithë sot presim që dyshimet të davariten, që gabimet të bëhen plotësisht mësim dhe pësimet një strategji më e mirë.

Vetëm kështu njerëzit do të besojnë dhe shpresojnë se qëndresa e sotme e opozitës, është e vërtetë, e sinqertë, është synim për nisje të një epoke të re. Por thellësia e veprimeve duhet të shkojë edhe më tej.

Mjaft nga idetë e hedhura së fundmi mbi demokracinë brenda partive, mbi mënyrën transparente të zgjedhjes së kandidatëve më të mirë, mbi mënyrën e e përmirësimit kulturor dhe intelektual të përfaqësimit parlamentar, mbi përmbysjen e katapultuar të drejtësisë së re sorosiane, mbi taksat e ulëta dhe rritje rrogash e pensionesh etj.etj.

Duhet të bëhen pjesë e rëndësishme e një plani  të fortë që të buçasë, që opozita duhet ta shpallë dita ditës në protestën e madhe kombëtare që nuk duhet të ketë kthim, por që nuk duhet nënvleftësuar gjithashtu  se duhet prezantuar me shumë novatorizëm dhe gjallëri. Pasi rritja e besimit në qëndresë, në moslëshim si herën e shkuar të kauzës së lirisë, duhet të rrisë fort shpresën se kësaj here djalli i oligarkisë dhe pushtetit nuk do t’i afrohet më temjanit të zgjedhjeve për t’i manipuluar.

Aktualisht gjuha e letrave dhe e komunikimit  të dikurshme e kryeministrore po ngurtësohet, ndryshe nga kohët kur me Pengun e fshehur në xhep kërkonte me demek dialog.

Pse kështu?!

Ku shkoi delikatesa dhe përulja e ditëve mbasi vidhte zgjedhjet e radhës dhe fillonte pseudo-qeverisjen  me këto pushtete të grabitura?

Ku shkoi “dashuria” për opozitën” si në kohën e “kolerës” kur kishte neutralizuar me marifetet më të errëta, drejtuesin e opozitës?

A po venitet vallë nga heshtja e saj ulëritëse për ndryshim?

Mos vallë qëndresa kumbuese është zëri më i mirë i përgjigjes së mazhorancës së heshtur të shqiptarëve?

Askush nuk mund ta llogarisë veten të flasë në emër të popullit, edhe sikur të ketë fituar dy vjet më parë, pa lëre më që t’i ketë masakruar zgjedhjet si edhe ka ndodhur, pasi gjërat kanë ndryshuar, gjithçka nuk është si më parë, populli nuk është si më parë, por i etur për të dalë burrërisht dhe kokëfortësisht rrugëve.

Në këtë kuptim, nuk mund të flasësh në kohë të shkuar për një gjë që ka evoluar.

Në emër të parapëlqimit të popullit nuk mund të flitet si para disa vitesh, por duhet të flasësh sot, dhe sot populli po kërkon njëzëri, qoftë në rrugë, qoftë në shtëpi, qoftë duke bërtitur e qoftë në heshtje, vetëm një gjë: T’i jepet fund njëherë e mirë tranzicionit, rikthimit të demokracisë, ndalimit të pluralizmit dhe grabitjes së zgjedhjeve.

Nuk është as koha e as durimi ajo që rëndon mbi opozitën, por precedenti i një situate që nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Ky është  shpirti që trazon  Kryeministrin, që guxon dhe kërcënon opozitën si diktator, që e ndalon dhe e privon atë nga e drejta kushtetuese në parlament e kudo.

Ndoshta do të tentojë të bëjë edhe një dekalog  tjetër moral të mashtrimit dhe vetë-mashtrimit në kohët e ardhshme, siç bëri herët e shkuara,  që ta ketë në të ardhmen si doracak për dalje nga krizat. Ndoshta edhe një ungjill lutës për shpëtim siç bëri në kohën e Çadrës kur dikush  përtej oqeanit i   bëri dhuratë  atë, Mcgonigalin, kryeagjentin e fuqisë më të madhe botërore, për ta bllokuar rrugën e lirisë së opozitës në Shqipëri.

Në po të njëjtën mënyrë dikur Kryeministri iu drejtua kundërshtarëve të tij politikë, që “të mos e shajmë njeri- tjetrin anglisht” dhe  nga ana tjetër, si në tragjedinë Makbeth, përgatiste në skutat e një bote  të erret krimi dhe korrupsioni, vrasjen e një kundërshtari politik.

Në po të njëjtën mënyrë u lutej dikur studentëve, Kryeministri, dhe po njëlloj ata i përgjigjeshin se “nuk kemi përse të flasim”, ai duhej vetëm të bënte detyrat e shtëpisë së qeverisë, që atyre nuk u ishin realizuar.  Edhe fundin ne e dimë në të gjitha rastet. I kemi kësisoj precedentët.

Tashti  pa lutje, pa Tryeza Dialogu, vetëm me përballje, pasi demokracia nuk ka përse dialogohet. Ajo është esenca, partitë janë vetëm të rrjedhura prej saj. Po ashtu edhe qeveritë, edhe kryeministri.

Kjo është beteja që duhet të kryejmë. Duhet të luftojmë për thelbin, jo për format e varura prej saj.

E thelbi ynë si demokraci janë zgjedhjet. Për këto ia vlen edhe të shuhesh si parti, pasi fryma e esencës, e thelbit, pra vetë demokracia do të dijë si ta ringjallë përsëri si feniksi nga hiri i vet.

Këtë mësim të pashlyeshëm nga historia opozita duhet ta ketë parasysh në çdo ditë që e afron me zgjedhjet parlamentare të 2025-s.

Qëndresa është durim, është pritje, është domosdoshmëri dhe shpresë.

blank

Jepet lamtumira e fundit për Liridonën- Lama: Skenari i vrasjes pas plaçkitjes, më i pabesueshmi

I jepet sot lamtumira e fundit Liridona Murselit, gruas që dyshohet se u vra nga grabitësit në Prishtinë.

30-vjeçarja, gruaja e ish-këshilltarit të Behgjet Pacollit, e cila dyshohet se u vra nga grabitësit me 29 nëntor, do të varroset në varrezat e fshatit Cërmjan të Gjakovës.

Policia e Kosovës kishte konfirmuar se më 29 nëntor, rreth orës 20:00 ka pasur të shtëna me armë zjarri, ku një grua ka mbetur e vrarë, në sy të burrit dhe të fëmijëve të mitur.

Ndërkohë një deklaratë e fortë vjen nga ish-deputetja e LDK-së, Alma Lama, në lidhje me vrasjen e Liridona Murselit, gruan e ish-këshilltarit të Behgjet Pacollit, Naim Murseli.

Në një postim në Facebook, ajo thotë se skenari i plaçkitjes është i pabesueshëm. Madje sipas saj, policia duhetë të hetojë për vrasje me paramendim.

“Skenari i vrasjes pas plaçkitjes, më i pabesueshmi. Policia duhet të hetoje për vrasje të qëllimshme, me paramendim”, tha ajo.

Kurse avokati i njohur, Arbër Jashari, përmes një postimi në Facebook shkruan se vrasja e Liridona Murselit ngjan si një ngjarje e planifikuar mirë duke ngritur dyshime për ngjarjen që tronditi Kosovën.

Sipas asaj që dihet deri tani, Liridona Murseli u ndalua nga një grabitës teksa ishte duke udhëtuar me makinë me bashkëshortin dhe fëmijët. Ai u rrëmbeu portofolat dhe telefonat, dhe më pas qëlloi me armë zjarri drejt makinës, ku plumbi kapi Liridona Murselin duke i shkaktuar vdekjen në vend.

Avokati Jashari thotë se grabitësit nuk targetojnë qytetarë që udhëtojnë me makinë, por institucione si banka apo argjendari. Ai thotë se grabitësit gjithashtu nuk qëllojnë, vetëm në raste kur ndihen të rrezikuar, por sipas tij është pak e besueshme që grabitësi të jetë ndjerë i rrezikuar nga një grua.

blank

Kissinger – burrështetasi që vuri në dyshim qëllimet e SHBA-së në Kosovë

Valona Tela

Ishte tetori i vitit 1998 kur Henry Kissinger, atëkohë ish-sekretar i Shtetit amerikan, tha se do ta mbështeste ndërhyrjen ndërkombëtare për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Kosovë, por se është e paqartë për të se çfarë do të mund të arrihej “në një konflikt etnik në skaje të Ballkanit”.

Kissinger, i cili vdiq në moshën 100-vjeçare, i bëri këto komente në Forumin 2000 në Pragë – njërin prej disa forumeve të iniciuara nga presidenti i atëhershëm i Republikës Çeke, Vaclav Havel.

Asokohe, Kosova po përballej me dhunë në rritje nga regjimi serb.

Kissinger tha se Perëndimi po shkon drejt veprimit ushtarak në Kosovë me mjetet e nevojshme ushtarake, por pa qëllime të qarta.

Për sulmet e serbëve në Kosovë, tha ai, disa do të donin ta fajësonin presidentin jugosllav, Sllobodan Millosheviq, të cilin e quajti “kriminel lufte”. Por shtoi se “për krizën etnike në Ballkan nuk mund të fajësohet askush”.

“Është një krizë e ndërveprimit midis Islamit dhe Krishterimit në skaje të Ballkanit, e cila ka vazhduar për qindra vjet”, tha Kissinger, fitues i Çmimit Nobel për Paqe, më 12 tetor të vitit 1998.

Ai, po ashtu, tha se “mbështet fuqishëm veprimet për t’iu dhënë fund vrasjeve direkte” të shqiptarëve të Kosovës, por theksoi se ekziston rreziku që çdo zgjidhje e përkohshme e një problemi në Kosovë, “të ndezë konflikte të reja etnike”.

Ai tha se shpreson se Perëndimi do ta shqyrtojë rregullimin e konflikteve në Ballkan në atë mënyrë që shmang fillimin e konflikteve të reja etnike duke shtypur një të tillë.

Kissinger, i cili kishte shërbyer si kryediplomat dhe këshilltar i sigurisë kombëtare gjatë administratave Nixon dhe Ford, tha se shumica e udhëheqësve në Kosovë – si shqiptarë, ashtu edhe serbë – e mbështesin konfliktin. Çka nevojitet atje, tha ai, është një propozim i detajuar se si do të qeveriset Kosova kur të përfundojnë armiqësitë dhe “një diskutim nga fshati në fshat se si funksionon autonomia”.

“Asnjë forcë tokësore e SHBA-së për Kosovën”

Katër muaj më vonë, në shkurt të vitit 1999, Kissinger doli me një opinion në gazetën amerikane Washington Post, ku kundërshtoi dislokimin e trupave amerikane në Kosovë.

Atë muaj, presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, tha se trupat amerikane janë gati për forcën paqeruajtëse të Kosovës.

Rreth 4.000 ushtarë amerikanë, sipas tij, do të përbënin rreth 15 për qind të një force paqeruajtëse të NATO-s, që do të kujdesej për çdo armëpushim të arritur mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Është gjithnjë e më e qartë se kjo përpjekje mund të ketë sukses vetëm nëse përfshin një forcë paqësore, të udhëhequr nga NATO-ja, që u jep të dyja palëve besim për t’i ulur armët”, tha në atë kohë Clinton.

Kissinger – i cili u tërhoq nga detyrat në mesin e viteve 1970, por u konsultua gjatë nga udhëheqësit e ardhshëm – tha se përpara se të bëhet ndonjë dislokim i trupave amerikane në Kosovë, duhet t’iu jepet përgjigje disa pyetjeve: “Çfarë pasojash po përpiqemi të parandalojmë? Çfarë synimesh po përpiqemi të arrijmë? Si i shërbejnë ato interesit kombëtar?”

“Presidenti Clinton e ka justifikuar dislokimin e trupave amerikane në Kosovë duke thënë se konflikti etnik në Jugosllavi kërcënon ‘qëndrueshmërinë dhe të ardhmen e Evropës’. Zëdhënës të tjerë të administratës e kanë krahasuar sfidën me atë të kërcënimit të Hitlerit ndaj sigurisë evropiane. Asnjëra nga këto deklarata nuk i provon realitetet në Ballkan”, shkroi Kissinger në Washington Post.

Sipas tij, dislokimi i propozuar në Kosovë “nuk ka të bëjë me ndonjë kërcënim për sigurinë amerikane, siç është konceptuar tradicionalisht”.

Deklaratat e presidentit se “ne mund të bëjmë një ndryshim” dhe se “Amerika simbolizon shpresën dhe vendosmërinë”, sipas Kissingerit, “janë nxitje”.

“A nënkuptojnë ato se fuqia ushtarake e Amerikës është e disponueshme për t’i mundësuar çdo grupi etnik ose fetar ta arrijë vetëvendosjen? A do të bëhet NATO-ja artileri për konflikte etnike? Nëse Kosova, pse jo Afrika Lindore apo Azia Qendrore?”, pyeti Kissinger.

Në mars të vitit 1999, Kissinger përsëriti po të njëjtin qëndrim – se nuk e favorizon vendosjen e trupave amerikane në Kosovë.

Ai foli në Kongresin amerikan, me ftesë të udhëheqësve republikanë, të cilët, po ashtu, kundërshtonin dërgimin e trupave amerikane në Kosovë.

Më 24 të atij muaji, Clinton iu drejtua kombit amerikan, për të njoftuar nisjen e sulmeve të NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe, me qëllimin e vetëm: ndaljen e dhunës në Kosovë.

*Video nga arkivi – Clinton: Kosova, nderi i jetës sime

Në korrik të ’99-ës, kur ushtria serbe u tërhoq nga Kosova, mijëra ushtarë amerikanë iu bashkuan forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Afro 600 trupa amerikane mbeten edhe sot në Kosovë.

Roli i Kissingerit në çështjet botërore

Në disa media perëndimore, Kissinger u përshkrua si diplomat përçarës, që formësoi çështjet botërore.

Një praktikues i përkushtuar i “realizmit” në marrëdhëniet me jashtë, ai u nderua me Çmimin Nobel për Paqe, por u cilësua edhe si “kriminel lufte”, shkroi BBC.

Sipas mediumit britanik, diplomacia e tij fluturuese ndihmoi në përfundimin e konfliktit arabo-izraelit më 1973, ndërsa negociatat për Marrëveshjet e Parisit për Paqe e nxorën Amerikën nga makthi i gjatë në Vietnam.

Por, Kissinger u akuzua për mbështetje të heshtur për grushtshtetin e përgjakshëm që përmbysi Qeverinë e majtë në Kili dhe për mbylljen e syve ndaj “luftës së pistë” të ushtrisë argjentinase kundër popullit të saj.

Derisa shumë e vlerësuan Kisingerin për “shkëlqimin dhe përvojën e tij të gjatë”, të tjerë e cilësuan si “kriminel lufte” për “mbështetjen e diktaturave antikomuniste, veçanërisht në Amerikën Latine”, shkroi Reuters.

Sipas gazetës Washington Post, Kissinger arriti pushtet, famë dhe pasuri përtej ëndrrave të shumicës së njerëzve në jetën publike, por dekadat e fundit i kaloi duke mbrojtur veten dhe pozitën e tij në histori.

“Gatishmëria e tij për ta vendosur interesin strategjik përpara vlerave të larta, u demonstrua në korrik të vitit 1975, kur e bindi Fordin që të mos e takojë autorin e mërguar rus, Alexander Solzhenitsyn, në Shtëpinë e Bardhë. Solzhenitsyn ishte simbol i gjallë i rezistencës së guximshme kundër shtypjes sovjetike, por Kissinger kishte frikë nga ndikimi negativ në politikën e tij të zbutjes me Moskën”, shkroi Washington Post.

Në janar të këtij viti, Kissinger tha se lufta e Rusisë në Ukrainë tregon se nuk ka më kuptim që Kievi të mbahet jashtë NATO-s.

“Ideja e një Ukraine neutrale në këto kushte nuk ka më kuptim”, tha ai.

Kissinger lindi në një familje hebraike të klasës së mesme në Bavari, më 27 maj 1923.

Familja i iku persekutimit nazist dhe iu bashkua komunitetit gjermano-hebre në Nju Jork, në vitin 1938.

Kissinger vdiq të mërkurën në shtëpinë e tij në Konektikat, njoftoi kompania e tij konsulente.

Ai la pas gruan e tij prej gati 50 vjetësh, Nancy Maginnes Kissinger, si dhe dy fëmijë, Elizabeth dhe David, nga një martesë e mëparshme.

blank

Historiani: Kissinger ishte inteligjent dhe jashtëzakonisht realist

Ish-sekretari amerikan i shtetit në kujtim të Ennio Caretto, mes anekdotave, sukseseve dhe përgjegjësive

“E kam takuar Henry Kissinger disa herë. Kam udhëtuar me të, kam mbajtur kontakte me të pas largimit nga politika aktive dhe duhet të them se ishte një njeri me kulturë të jashtëzakonshme dhe inteligjencë të jashtëzakonshme nga njëra anë, por edhe me realizëm të jashtëzakonshëm, me prakticitet të jashtëzakonshëm nga ana tjetër”. Kujtimi është i Ennio Caretto, historiani bashkëpunëtor i RSI nga Uashingtoni. Kissinger, pohon Caretto, “ishte një njeri që kishte një koncept global të politikës së jashtme dhe që kishte meritën e ndryshimit të kursit në të cilin kishin nisur Shtetet e Bashkuara, si ndaj Rusisë, ashtu edhe ndaj Kinës në vitet më të vështira se Lufta e Ftohtë. “

Sukseset e diplomacisë së tij ishin edhe për shkak të vëmendjes ndaj detajeve dhe njohurive të njerëzve, si në rastin e liderit sovjetik Leonid Brezhnev…

“Në vitin 1973 Brezhnev erdhi në Shtetet e Bashkuara për një samit me Nixon. Kissinger e dinte se Brezhnev ishte një fanatik, fjalë për fjalë, i perëndimorëve. Ai e bëri atë të takonte aktorin që luajti në shfaqjen televizive “He Rifleman” Chuck Connors ishte një gjigant. Brezhnjevi mbërriti në heliport, ku ishim të gjithë bashkë me Kisingerin, Niksonin etj. Ai doli nga helikopteri, pa Chuck Connors dhe vrapoi drejt Connors i pari. Ai e përqafoi. Chuck Connors e ngriti atë në ajër dhe e rrotulloi nën duartrokitjet dhe të qeshurat e të gjithë publikut. Dhe cila ishte arsyeja? Ishte se Kissingeri donte që Brezhnev të ishte i qetë dhe i gatshëm për të udhëhequr proceset me Nixonin duke filluar nga ajo kohë.”

Aftësitë e Kisingerit u njohën edhe pas lamtumirës së tij në jetën politike. Ai ka qenë një këshilltar praktik i çdo presidenti amerikan nga vitet 1970 e deri sot. Vitin e kaluar ai u prit me nderime të mëdha në Kinë.

“Kissinger pati një ndikim të dukshëm në politikën e jashtme amerikane për pjesën tjetër të jetës së tij të gjatë dhe nuk kam dyshim se ai kontribuoi në suksesin, megjithëse të moderuar, të samitit midis Biden dhe Xi. Kohët e fundit, besoj se ai ka hedhur themelet e një zgjidhjeje të konfliktit ukrainas jo afatshkurtër por afatgjatë, sigurisht duke mbështetur tezën që më pas i përgjigjet realizmit dhe cinizmit të tij themelor, se vija ndarëse duhet të jetë Krimea tek rusët me një pjesë shumë të vogël të Donbasit. Një nga direktivat themelore të Kisingerit ishte “shkëputja”, domethënë ndarja e Rusisë prej Kinës. Kissinger kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij duke menduar se si t’i mbante të ndarë këta dy gjigantë komunistë gjatë Luftës së Ftohtë dhe më tej, për të lejuar Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të dominojnë politikën e jashtme botërore. I ashtuquajturi trekëndësh”.

Kissinger sigurisht që shënoi shekullin e 20-të me sukseset e tij diplomatike, por politika amerikane e atyre viteve karakterizohej gjithashtu nga një qasje “e paskrupullt”. Realizmi dhe pragmatizmi i tij u shfaqën, për shembull, në mbështetjen e tij për diktaturat ushtarake në Amerikën Latine, Kili dhe Argjentinë para së gjithash.

“Kissinger, i cili u nderua me Çmimin Nobel për Paqe pas Luftës së Vietnamit, në fakt mbante një përgjegjësi të rëndë për atë që ndodhi, veçanërisht në Kili. Kissinger ishte një konservator, ai nuk donte që komunizmi të arrinte vërtet në oborrin e shtëpisë së Shteteve të Bashkuara.”

Roli i tij në zgjidhjen e konfliktit arabo-izraelit të vitit 1973 të Luftës së Yom Kipur ishte gjithashtu vendimtar. Në dritën e asaj që po ndodh në Gaza? Sa e dobishme do të ishte një figurë si e tija.

“Nëse do të kishte një diplomat tjetër të pozitës dhe autoritetit të tij, luftimet ndoshta do të pezulloheshin dhe dialogu që filloi në Oslo në fillim të viteve 1990 do të rifillonte. Kissinger ishte një hebre gjerman i cili iku, shpëtoi nga Shoah në moshën 15-vjeçare duke shkuar në Shtetet e Bashkuara dhe më vonë u bë profesor në Harvard. Dhe ai gjithmonë ka rrëfyer se e ka gjetur veten në vështirësi në përpjekjen për të zgjidhur problemin palestinez pikërisht për shkak të kësaj historie të tij personale. Por ai është gjithashtu në thelb njeriu që tregoi se bashkëjetesa paqësore mes dy shteteve është e vetmja rrugëdalje”. rsi-Elida Buçpapaj

blank

‘A ka Rusia kampe stërvitore në Bosnjë?’- DW: Forcat speciale në tre hotele

A ka vërtet kampe trajnimi për forcat speciale ruse dhe paraxhematin e islamit radikal në Bosnjë-Hercegovinë? Kutinë e Pandorës e hapi ministri i Mbrojtjes.

‘148 forca speciale ruse dhe oficerë të inteligjencës kanë ardhur në territorin e Republikës Srpska, RS, në Bosnjë-Hercegovinë. Forcat speciale janë të vendosura në tre hotele në zonën e Laktashit, ndërsa një pjesë e forcave speciale ruse është vendosur në Qendrën e Trajnimit të Forcave Policore të MPB-së së Republikës Srpska në Pale’. Kështu shkruanin disa media vendase.

‘Konfirmimi nga disa burime’ për këtë informacion u mohua më pas nga Policia Kufitare, e cila konfirmoi se 144 shtetas rusë kanë hyrë në Bosnjë-Hercegovinë, ‘por kanë plotësuar kushtet e nevojshme për të hyrë në B-H, nuk kanë veshur uniforma dhe shenja ushtarake, e në mesin e tyre ka gra dhe burra të moshave të ndryshme’.

Bëhej fjalë në fakt për ‘Don Kozakët’, anëtarë të shoqërisë kulturore artistike, e jo siç u spekulua, për forcat speciale ruse dhe spiunë.

Presidenca e BiH po kërkon informacion

Historia e forcave speciale ruse është rihapur në Bosnjë-Hercegovinë dhe është iniciuar nga ministri i Mbrojtjes, Zukan Helez. Kjo është arsyeja pse agjenda e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës përfshin informacione rreth kampeve të mundshme në territorin e RS, si dhe grupeve paraushtarake dhe celulave terroriste.

‘Është gjithmonë informacion i mbrojtur. Për to nuk flitet publikisht, sepse kushedi se çfarë lloj veprimesh po ndodhin’, tha kryetari i Presidencës së B-H, Zheljko Komshiq, pasi njeriu i parë i mbrojtjes Helez bëri pretendime për ekzistencën e kampeve stërvitore në territorin e RS, të cilat kontrollohen nga rusët.

Presidenca do t’i diskutojë këto çështje, si për këto kampe stërvitore në RS, ashtu edhe për këtë histori për terroristët që gjoja veprojnë dhe jetojnë në Bosnjë-Hercegovinë dhe ne nuk i shohim ata,’ tha Komshiq, duke theksuar se do të kërkojë zyrtarisht një informacion nga agjencitë e sigurisë së inteligjencës në Bosnjë-Hercegovinës.

Kampet stërvitore ruse në RS ose forcat paralele të vendeve të tjera që veprojnë në Bosnjë Hercegovinë janë pohime nga ministri i Mbrojtjes Helez, në një paraqitje në televizionin N1.

‘Ne kemi të dhëna se ku zhvillohet trajnimi në territorin e Republikës Srpska’, tha Helez, duke përmendur përveç njerëzve nga Rusia edhe strukturat paralele ushtarake që do të ndihmojnë Bosnjë-Hercegovinën.

Nga policia e RS, ata hedhin poshtë pretendimet se ka kampe të paligjshme stërvitore në territorin e saj. Deklarata të tilla, paralajmëron Policia e RS, dëmtojnë seriozisht situatën e sigurisë.

‘Politika të tilla ekstreme, radikale, të dhunshme, çojnë në terrorizëm. Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj Kushtetutës dhe sigurisë së Bosnjë-Hercegovinës’, thotë ministri i Punëve të Brendshme të RS, Sinisha Karan.

E gjithë kjo, përveç reagimeve politike, ka alarmuar edhe Prokurorinë e Shtetit, e cila ka hapur një rast të veçantë. ‘Në kuadër të rastit, ministri do të ftohet të dëshmojë dhe të paraqesë të gjitha informacionet, provat dhe faktet që disponon. Kujtojmë se të gjitha institucionet, bartësit e funksioneve, si dhe qytetarët kanë detyrim ligjor që të raportojnë në institucionet kompetente të gjitha informacionet për veprat e kryera kriminale, si dhe për autorët’, njofton Prokuroria.

Kohët e fundit, disa politikanë nga Republika Srpska u shkruan kongresmenëve amerikanë, ndër të tjera për situatën e sigurisë në Bosnjë-Hercegovinë. Ata deklaruan se B-H ‘është një strehë për islamistët radikalë dhe është shtëpia e shumë qelizave të Al-Kaedës dhe ISIL’.

Reagimet që erdhën më pas nga përfaqësuesit politikë në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës, sipas analistëve, mund të vihen në kontekstin e ‘kthimit të topit’ ndaj pretendimeve për ekzistencën e kampeve stërvitore në territorin e RS-së. Ky sfond është deklarata e ministrit të Jashtëm të Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq.

‘Pashë deklaratën e kolegut Helez. Sinqerisht, i besoj shumë më tepër vlerësimit të tij sesa letrës së përfaqësuesit të RS drejtuar Kongresit Amerikan se në Bosnjë-Hercegovinë ka degë muxhahedinësh. Unë ftoj institucionet që patjetër t’i kontrollojnë këto akuza, gjithçka duhet të kontrollohet profesionalisht dhe të ketë ekspertizë’, tha Konakoviq.

Tashmë janë kryer kontrolle. Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnjë-Hercegovinës (OBA), ka informuar tashmë Këshillin e Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës me gjendjen. ‘U dërgua një përgjigje se nuk ka kampe apo formacione paraushtarake’, tha agjencia.

Njeriu i parë i Rogaticës, Milorad Jagodiq, siguron se në këtë territor nuk ka kampe. ‘Gjithçka është e sajuar, është një gënjeshtër e pastër. Nga një nivel i tillë, si ministri i Mbrojtjes, është e tepërt të paraqesë informacione të tilla të pa verifikuara. Rogaticës dhe marrëdhënieve ndëretnike i është bërë shumë dëm’, thotë Jagodiq.

Nuk është mirë që ministri i Mbrojtjes të dalë publikisht me informacione të pakonfirmuara, thotë analisti për çështje ushtarake, Gjuro Kozar. Sa i përket kampeve, Kozar thotë se në RS ka forma të ‘stërvitjes së njësive të xhandarmërisë’. Por, shton ai, stërvitjet që janë zhvilluar kanë ngritur pyetje, pse janë mbajtur në ato vende.

‘Tani i takon ministrit Helez të paraqesë informacionet shtesë, nëse ka, dhe të shpjegojë pretendimet e tij. Por jam shumë i sigurt se OBA nuk ka të dhëna se kush dhe si janë trajnuar në Rogaticë dhe Magliq dhe më gjerë’, thotë Kozar.

Këtë javë duhet të jetë në seancë edhe Komiteti për Sigurinë e Asamblesë Kombëtare të RS, i cili gjithashtu do të kërkojë informacione për ekzistencën e këtyre kampeve si dhe informacione për sigurinë e përgjithshme. Deri atëherë përfaqësuesit serbë në Këshillin e Ministrave do të kërkojnë dorëheqjen e Helezit./Deutsche Welle

blank

“ÇLIRIMI” QË PUSHKATOI KORIFEJTË E PAVARËSISË!- Nga BESIM NDREGJONI

 

Sot mbushen 79 vite kur kombit tonë të dashur ju instalua me forcën e armëve “guberna komuniste” e diktatorit Enver Hoxha e cila për 45 vite u bë diktatura më kriminale e pashembullt për gjysëm shekulli që pasoi. Ne sot i kujtojmë shoqërisë se çfar solli kjo ditë e zezë për shqiptarët, bilancin e krimit komunist, dhe këtë bilanc nuk e kishim ne në arkivat tona, por e kishin ata që muarën pushtetin me 29 nëndor 1944. Se ne nuk kishim arkiva, shtetin e kishin marrë kriminelët të cilët krenoheshin me krimet e tyre ndaj nesh. Bilanci që solli data 29 nëndor 1944 është e publikuar nga shteti shqiptar, ku mbi 6000 veta u pushkatuan dhe sot atyre ju jan zhdukur kufomat.

29 nëndor 1944erdhi me reprezalje të pa imgjueshme për popullin shqiptar. “Çlirimi”i 29,tës, pushkatoi korifenjtë e pamvarsisë 1. Bedri Pejanin 1946, 2.  Lef Nosi, 1946

dënuan me burgim politikë 1. Qazim Kokoshi 1947.  2. Shefqet Daiu 1946 

3. Zihni Abas Kanina Hamzaraj. 1957. 4. Ferit Vokopola 1967.  Vdiqën jashtë Shqipërisë të degtisur nga diktatura e 29 nëndorit 1. Mithat Frashëri 1949,  2. Mustafa Kruja Merlika1958, 3. Rexhep Mitrovica 1960, 4. Dhimitër Berati 1970.

Xhelatët komunistë vranë mbi 109 shqiptar në Tiranë ku në mes tyre ishin dhe 39 intelektualë të fushave të ndryshme që i shërbenin administrimit të shtetit shqiptar. Partizanët komunistë hodhën në erë varrin e pinjolles, fisnikes  së njohur Tiranase, Nënës Mbretëreshë Sadie Toptani. Përdhunimet e varreve kishin filluar që në Berat kur u instalue Qeveria e sadistit Enver Hoxha , kur partizanët komunistë nxorën eshtrat e Kryeministrit Vrioni dhe  i hodhën në lumin Osum. Vazhduan me hedhjen e eshtrave të Homerit Shqiptar At Gjergj Fishtës në lumin Drin. Vazhduan me pushkatimin e elitës së Kombit, ku etrit e pamvarsisë i pushkatuan dhe sot në 111 vjetorin e mëvetësisë së kombit tonë shumica e këtyre korifenjve që i dhanë pamvarsinë Shqipërisë ndodhen pa një varr në tokën e tyre. 29 nëndori 1944 pushkatoi 28 nëndorin e Skenderbeut , e të Ismail Qemalit . Vazhduan me pushkatimin e deputeteve që kishin bashkëpunuar me to në vitet e luftës së dytë botrore. Mbi 36  mijë shqiptarë burgosën politikishtë, dhe u torturuan në mënyrë çnjerzore, vetëm se nuk deshën “gubernën” e krimit, mbi 50.000 familje u internuar që nga mosha 1 vjeç e deri në moshën 90 vjecare. Shkatrimi total i shoqërisë me formimin ideologjik të “njeriut të ri “ duke e xhveshur nga cdo lloj mentali moral e shoqëror. Sot atdheu im Shqipëria mbas 79 vitesh ndodhet e ndarë, se nuk u dënua krimi i 29 nëndorit 1944 .

29 nëndor 2023,  mbas 79 vitesh në pushtet është një mazhoranca politike që evokon “betejat e lavdishme” të epopesë së luftës kaçaçke nën drejtimin e “komandantit legjendar” sajesa të fantazive të poetëve dhe historianëve të regjimit, që kuroruzohet me një shifër imagjinar të 28.000 dëshmorëve, lista e të cilëve nuk pa kurrë dritën në historigrafinë 79 vjecare, si për të dëshmuar faktin se ishte gjetje e bukur e imagjinatës se ndonjërit që vendosi ti jap cdo km katror të truallit shqiptar një martir imagjinar të luftës për komunizëm.

Data 29 nëndor 1944 i bëri shqiptarët komunist vrasës të vëllezëve të tyre dhe spiun të tyre. Diktatura komuniste në Shqipëri para 79 viteve, u lind nga gënjeshtra, u rrit me dhunë të organizueme, u mbajt me arbitraritet e çizme ushtarake dhe u mbështet nga antishqiptarët armiq shekullor të ekzistencës së kombit tonë .
Sot pushteti politik i udhëhequr nga trashgimtarët e xhelatëve të komunizmit e quajnë këtë datë “nata e bardhë” e quajnë nderim dhe sakrificë luftën” imagjinare” të komunistëve.

Ne familjet antikomuniste, perulemi ndaj viktimave se ata u vranë pa faj. Çdo jetë shqiptari që është flijuar me besim në mbrotje të kombit kundra pushtuesve duhet të nderohet, ne çmojmë dhe nderojmë Borovën dhe përulemi me nderim ndaj jetëve të tyre.. por nuk mund të nderojmë veprimet kriminale të njësive guerile që vrisnin ata shqiptarë që s’pranonin të ishin komunistë. Dhe ata të vrarë shqiptarë janë trefishi i pushtuesve që u vranë gjatë luftës së dytë botërore në vendin tonë , ne nderojmë ata të rinj shqiptarë që u vranë për idealet e lirisë pamvarsisht se ishin me bindje komuniste, ashtu siç nderojme luftëtaret antifashistë Abas Kupin, Mujo Ulqinakun dëshmorin e pare antifashit në europë, Hamit Matjanin, Hysni Lepenicën, Muharrem Bajraktarin e Gani Beg KryeziunSafet Butkëne Llan Destan Ndregjoni. Homazhe në varreza që pushteti diktatorial i pat vendosur, dhe në atë varrezë nuk ke asnje dëshmorë që është vrarë kundra fashizmit nazizmit vetem se ata nuk njiheshin dëshmorë nga regjimi që ndërtoi atë parcelë. Është ky kaos moral e shoqëror është kjo zbrazëti shpirtëror qe lejoi kaosin politik që kemi jetuar e jetojmë për afër 33 vite tranzicion. Dhe është ky kaos politik që lejon sot daljen në skenë të partive politike në mbrotje të terrorit varfërisë , çnjerzore, që na imponuan satrapi aziatik shqiptar dhe këlyshtë e tij. Me pompozitetet dhe delirin e diktatorit Hoxha mazhoranca aktuale përpara atyre që i quan veteran, dhe janë pjesmarrës direk në vrasjet e kundërshtarve të komunizmit në 29 nëndor, etikoi tradhëtar mijëra shqiptar që i vrau kjo datë. Po ju trashgimtarë të xhelatëve të 29 nëndorit, a jeni tradhëtar të sistemit ku jemi që përbuzni shqiptarët që u vranë nga data 29 nëndorë,. Nënat motrat, djemtë kërkojnë eshtrat të ju bëjnë një varr dhe at mundësi nuk e kan se ju heshtni ndaj të drejtës njerzore të tyre. Juve, nuk ju dhimbsen as dëshmorët komunistë po mos të jetë data 29 nëndori i Enver Hoxhës. 
Pesha e luftës së djeshme para degradimit moral ku kishin ra komunistët shqiptare dhe sot trashgimtarët e tyre nuk mund të njihet e të jetë pjesë e historisë kombëtare. Cila mendje normale , cila ndërgjegje njerzore , cila gojë që shqipton fjalën dashuni gjen sot guximin e marrzishëm dhe shtazarak me rikujtue tmerret e së kalueme komuniste, dhe me një far krenarie neveritse. Ata që rikujtojnë datat simbol të diktaturës ata janë turpi i kombit. Sot diktatori e ka një varr dhe shtëpinë të ngritur në këmbë. Lëreni të pushoi në gjumin e vdekjes pa ringjallje. Por , çfarë të themi për mijëra qytetarë të ekzekutuar në errsirat e burgjeve të natës pa hënë që sot akoma janë pa varr. Çfarë të themi mijëra familje me shtëpi të prishura dhe sot pa një vatër familjare ku të mblidhensëbashku.

6000 familje presin eshtrat dhe një MUR memorizimi të cilën kjo mazhorancë politike  sunduese heshtdhe nuk denjon ta japi. Pse kjo nostalgji këmgulse për diktaturën dhe mos denimin e një sistemi shkatrimtar të denuar nga e gjithë bota e qytetëruar ? Para një gjendje kaq dëshprurese që pasqyron nostalgjinë për terror, varfëri e izolim nga bota e jashtme, mijëra viktima shqiptare të dates 29 nëndor përsërisim , sëbashku me poetin:
“Na lini, në ëmbëlsi, jetën të rijetojmë.
Mos na tregoni përsëri qen që kafshojnë” (Nellie Saks) 29 nëndori i 1944 është data e vendosjes së diktaturës komuniste, dhe ska asnjë lidhje me çlirimin e vendit.

Fatkeqësishtë Shqipëria u pushtuan në 1939 nga fashizmi, në 1943 nga Nazizmi, dhe në 1944 nga diktatura komuniste.
Ne, çdo datë 29 nëndor do të kujtojmë krimet që solli kjo datëdiktatoriale. Dhe do ti kujtojmë Ata, e do të reflektojmë mbi krimet komuniste që mos ti rivrasim përsëri.               

Ne , të mbijetuarit e diktaturës komuniste përfaqësojmë Paqen, pushteti politikë urrejtjen dhe krimin që fillon me 29 nëndor.
Paqja jonë do të fitoi mbi urrejtjen, dhe urrejtsit që krenohen me krimet. Paqja mbi urrejten do të jetë triumfatore e lirisë dhe dashurisë njerzore. Përbuzja dhe heshtja u përket kriminelëve dhe trashgimtarve të tyre. Kjo është e vërteta e “Çlirimit” 29 nëndor 1944!

Çdo datë që ka sjell diktaturë, nuk është çlirim por pushtim.

Ne, na përket nderimi si detyrim, për mos i rivrarë si data 29 nëndor korifenjtë e pamvarsisë shqiptare!

Besim NDREGJONI

blank

PËR FLAMURIN KOMBËTAR SHQIPTAR- Nga Bledi FILIPI

 

Në FESh I 2009, gjejmë këtë shpjegim:

Simbol i kombit dhe i shtetit shqiptar, i luftërave shekullore të Shqiptarëve për liri e pavarësi, për ruajtjen e identitetit kombëtar kundër çdo përpjekjeje për nënshtrim dhe asimilim. Historia dëshmon se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu kishte një flamur të kuq me shqiponjën e zezë me dy krerë. Shqiponja dykrenore ndeshet si simbol në kulturën tonë popullore dhe është pjesë e stemave të familjeve të mëdha feudale mesjetare edhe në variantin me një kokë. Pas pushtimit osman flamuri i Skënderbeut u ruajt edhe tek arbëreshët e mërguar. U përdor gjatë Rilindjes Kombëtare si simbol kombëtar dhe u mbajt gjatë kryengritjeve për pavarësi nga çetat atdhetare gjatë viteve 19091912. Ngritja e flamurit në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, ishte shprehja simbolike e Shpalljes së Pavarësisë. Flamuri kombëtar u bë edhe simbol i shtetit të pavarur shqiptar. Flamuri shqiptar është i kuq me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes (Neni 14/2 i Kushtetutës së RSH). Format, përmasat dhe rregullat e përdorimit të flamurit kombëtar janë përcaktuar në Ligjin nr. 8926, dt. 22.07.2002, Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre.

Po ç’thotë ligji për Flamurin Kombëtar?

Flamuri Kombëtar është i shqenjtë për çdo shqiptar kudo që ndodhet. Format dhe përmasat e Tij janë paracaktuar në Ligjin 8926/2002 të mbështetur në nenet 14, 78, 81 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë:

Ligjin 8926/2002 me disa ndryshime në dt. 8 gusht 2022, PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR. 8926, DATË 22.7.2002, “PËR FORMËN DHEPËRMASAT E FLAMURIT KOMBËTAR, PËRMBAJTJEN E HIMNIT KOMBËTAR,FORMËN DHE PËRMASAT E STEMËS SË REPUBLIKËS TË SHQIPËRISË DHE MËNYRËN E PËRDORIMIT TË TYRE”

Neni 3

Format dhe përmasat e flamurit kombëtar

1. Flamuri kombëtar paraqet një fushe me ngjyre te kuqe gjaku, me një shqiponje te zezë dykrenore në mes, me krahë të hapur anash. Secili nga krahët e shqiponjës ka nëntë pendë, ndërsa bishti ka shtate pende.

2. Përmasat e flamurit kombëtar përcaktohen ne raportin 1 me 1,4 njësi. 3. Pamja e flamurit kombëtar, fortësia e ngjyrave te tij dhe raportet janë ato te përcaktuara në shtojcën nr .1, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjese përbërëse e tij.

Një vështrim historik për Flamurin Kombëtar

Flamuri i Shqipërisë është flamuri kombëtar shqiptar, një flamur me fushë të kuqe dhe një shqiponjë dykrenare të zezë në mes. Flamuri shqiptar e ka prejardhjen nga një vulë e heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili i udhëhoqi shqiptarët në një kryengritje të përbashkët në shekullin XV kundër Perandorisë Osmane duke i sjellë trojeve shqiptare pavarësinë për një kohë të shkurtër (1443-1478). Shqiponja ishte pjesë e emblemës së familjes Kastrioti e cila e ka zanafillën në perandorinë bizantine.

Mendime mbi origjinën

Shqiponja ka qenë dikur, në periudhën e Romës antike, simbol i këtij shteti. Edhe sot të dy klubet e njohura të futbollit në Romë si Roma dhe Lacio mbajnë përkatësisht simbole antike, nga ku i pari kokën e ulkonjës së kapitalit dhe i dyti shqiponjën me krahë të hapur. Si simbol i Romës, shqiponja u përdor edhe nga strategët e saj si Kaj Mari, Luç Serg Katilina, Pompeu i madh, Çezari, etj. Ky i fundit përdorte si simbol të tij shqiponjën e artë të vendosur në një fushë të kuqe. Po kështu veproi me stemën e Çezarit edhe i nipi Oktavian Augusti, i cili u pasua më vonë edhe nga Kostandini i Madh. Me ndarjen e Perandorisë Romake në vitin 395 shqiponja u transformua me dy koka, duke simbolizuar njëra Perandorinë e Perëndimit me qendër Romën dhe tjetra Perandorinë e Lindjes me qendër Kostandinopojën (Bizantin). Ndërkohë Perëndimi u pushtua nga barbarët në vitin 476 duke humbur traditat më të vyera të antikitetit, e bashkë me to edhe simbolin e tij. Ndërsa Lindja (Bizanti) vazhdoi të jetojë edhe për dhjetë shekuj të tjerë duke ruajtur këtë simbol që vinte prej “qytetit të përjetshëm” (Romës). (Histori e Popullit Shqiptar. Tiranë 2002, fq.294)

Formën dhe ngjyrat e tij, flamuri bizantin i mori gjatë sundimit të Justinianit (527-562) që kishte origjinë ilire. Dukej se atij i pëlqente që dy kokat e shqiponjës ti identifikonte me vetveten dhe të shoqen, Perandoreshën Teodora. Më vonë me kalimin e kohës me anë të martesave dhe dhënies së privilegjeve, Bizanti ia dhuroi simbolin perandorak fisnikërisë së kombeve, që ishin integruar në këtë Perandori shumëkombëshe si princat rumunë, bullgarë, gjermanë, rusë, serbë, grekë, shqiptarë, etj. Kjo eshtë arsyeja që këtë simbol sot e përdorin një dyzinë popujsh e shtetesh, të cilat dikur kanë patur kontakte të ngushta ekonomike e kulturore me Bizantin. Ndërkohë që ai shfaqet si simbol i Kishës Ortodokse, pasardhëse e drejtpërdrejtë Perandorisë së Lindjes. Flamuri origjinal bizantin ruhet sot në një nga manastiret e malit të Shenjtë (Athos) në Greqi, në ngjyrat e tij fillestare me shqiponjën e zezë me dy koka, të vendosur në një fushë të artë.(Historia e Popullit Shqiptar, fq.433)

Deri sot shumica e shqiptarëve mendojnë se flamuri i tyre është flamuri i Skënderbeut, pa e ditur origjinën e tij. Edhe sot ne nuk e dimë me saktësi se kur Skënderbeu përdori si simbol të shtetit të tij shqiponjën dykrenore. Njihet fakti se këtë simbol ai e huazoi nga Muzakajt, duke e zëvendësuar stemën që kishte trashëguar nga i ati Gjoni. Ky i fundit përdorte si stemë figurën e një princi (burri) me flokë të gjatë dhe togë (Gjin Varfi, Heraldika shqiptare, Tirane 2000, fq. 27).

Shqiponjën dykrenore e kanë përdorur si simbol të tillë edhe Arianitët, Cernojeviçët e Zetës, Lek Dukagjini, etj. Për herë të parë në histori emblema e Gjergj Kastriotit me shqiponjën dykrenore shfaqet në vitin 1451. Ajo paraqitet në një libër uratash që ju dhurua Skënderbeut nga Alfonsi i V, Mbreti i Napolit, me rastin e nënshkrimit të traktatit të Gaetës më 26 Mars 1451. Ai ju dorëzua ambasadorëve të Skënderbeut që nënshkruan këtë traktat, Peshkopit Stefan të Krujës dhe at Nikola Bergucit nga Protonoteri i Alfonsit Arnaldo Fonoleda. Simboli përfaqësues i shtetit të Skënderbeut del përsëri në një katalog venecian stemash në vitin 1463, kur Gjon Kastrioti i biri i heroit mori titullin “Fisnik i Republikës”. (ASh, HPSh, f. 434). Po kështu ky simbol ruhet i gdhendur në varrin monumental të Kostandin Kastriotit, ndërtuar në vitin 1500 nga gjyshja e tij Donika, në kishën e Shën Marisë së Ëngjëjve në Napoli (Itali).

Njëlloj si në flamur Skënderbeu e përdori shqiponjën dykrenore me krahë të ulur dhe yllin me gjashtë cepa sipër, edhe në vulën e tij të madhe, të cilën e përdorte në dokumentat zyrtare. Ndërkohë kur Kastriotët u larguan në Itali pas vdekjes së Skënderbeut, ata jo vetëm e ruajtën simbolin e tyre por e përdorën gjerësisht atë si stemë të heraldikës së tyre.

Dy Nëntorët

Në mënyrë faktike, vetë data, simbolizohet nga një sërë rrethanash të paracaktuara ose jo, mbi çaste kyçe të një kombi të tërë.

Gjithçka, filloi më 28 nëntor 1443.

Ishte viti shumë i largët 1443, kur në këtë ditë të shënuar, heroi kombëtar i Shqipërisë, Gjergj Kastrioti, ngriti flamurin e shqiponjës dykrenare mbi kalanë e Krujës, duke e çliruar atë nga pushtimi osman.

Në mënyrë faktike, vetë data, simbolizohet nga një sërë rrethanash të paracaktuara ose jo, mbi çaste kyçe të një kombi të tërë.

Plot çerek shekulli, me një ushtri të përbërë nga 10 mijë ushtarë, ai qëndroi i palëkundur ndaj forcave osmane. Kështu, duke u bërë një qëndrestar i vërtetë, i cili e mbajti larg Evropës pushtuesin Osman, deri në çastin kur vdiq, më 17 janar 1468.

Do të duhet të kalonin 469 vite, për ta riparë Shqipërinë sërish larg zgjedhës osmane – të lirë.

 

Nëntori i dytë

Nëntori më i rëndësishëm për shqiptarët mbetet pa diskutim ai i vitit 1912 – edhe pse i dytë.

Nën gjurmët e historisë, duke ndjekur Skënderbeun, Ismail Qemali, nisi rrugëtimin e tij drejt qytetit bregdetar të Vlorës, ku dhe nga ballkoni i shtëpisë së tij, ngriti flamurin – sërish me shqiponjën dykrenare, të qëndisur nga Marigoja – dhe e shpalli Shqipërinë të pavarur nga perandoria osmane.

Kuvendi Kombëtar i Vlorës, ishte organi i cili e shpalli mëvehtësinë. Ky akt shpalljeje, përbën një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Kjo ditë, përkujtohet si fryti i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar.

 

Dalja nga zgjedhja pesëshekullore e osmanëve, ishte një aspekt. Por aspekti tjetër – edhe më i rëndësishëm – ishte ai i krijimit të një Shqipërie me zhvillim ekonomik. Kjo, si thirrje për daljen nga prapambetja e pushtimit.

Me pushkë dhe me penë, Shqipëria ishte e pavarur dhe historia moderne e saj, do të merrte jetë.

Rreth etimologjisë së fjalëve flamur dhe shqipe

Në këtë shkrim nuk mund të rrija pa dhënë edhe etimologjinë shkencore të fjalëve flamur dhe shqiponjë. Dhe

FLÁMUR (FLAMUR) m. “copë pëlhure që shërben si simbol i një shteti”. Fjalë e mbarë gjuhës, që e kanë edhe ligjërimet e diasporës. Huazim nga gr. e re φλάμουρον, φλαμού- ρι me burim prej lat. flamma “flakë”. Dy pozicionet e theksit (flámur e flamúr) e kanë burimin në format e ndryshme të gjuhës dhënëse. Nuk e ka Buzuku, që përdor bandjerë (nga it. bandiera), por del te Budi: e flamuri ende munë baretë (RR). Rrjedhoja: flamurtar, flamuras “një lojë që luhet me flamur”. Ka depërtuar në toponimi: Mal’e Flamurit në Margëllëç të Çamërisë. Përdoret si antroponim.

(Bibl.: Camarda II 165, Miklosich AF II 27, Meyer EW 107, Weigand Wört. 20, Rrota Fj. 16, Uhlisch NL 130, Çabej SE IV 199).

SHQIPE f. “shqiponjë; lat. Aquila melanaetus”. Fjalë e mbarë gjuhës. Për burimin e saj duhet pasur parasysh se shqipja është një shpend grabitqar me sqep të fuqishëm, me të cilin rrëmben qenie të gjalla, prandaj është emërtuar prej sqepit të saj. Përmban parashtesën sh- me kuptim intensiv, rrënjën qep “sqep” dhe formantin -e të emrave femërorë, që e ka kthyer zanoren e njëjtë të rrënjës në -i- me anë të disimilimit (khs, shteg shtigje). Dëshmohet së pari te Buzuku: aty të embeli- dhenë edhe shqypetë “congregabuntur et aqui- lae”. Prej emrit shqipe, rrjedhoja shqiponjë me prapashtesë mocioni. Të dy këta emra përdoren si antroponime për gjininë femërore. I fundit edhe si patronim (Gramsh). Ka depërtuar në toponimi: Mali i Shkypes në Blinisht të Pukës, Guri i Shqipes në Korçë, Librazhd, Mirditë e Bulqizë, Bregu i Shqipes në Çamëri.

(Bibl.: Stier nr. 74, Camarda II 152, Meyer EW 276, Jokl LKU 307, Xhuvani-Çabej BSS 4, 1956, 96, Taglia- vini Strat. 141, Hetzer BA N. F. 7, 1982, 130, Landi SLA 14, 1989, 120, Orel AED 434, Topalli Sist, zan. 187).


Send this to a friend