VOAL

VOAL

L’Echo de Paris (1913)- Intervista ekskluzive me Isa Boletinin ne Londer, perfaqesuesin e Kosoves dhe delegatin e qeverise se Vlores

March 27, 2020

Komentet

DEMONSTRATAT E ’68-ës, LËKUNDËN  THEMELET E JUGOSLLAVISË HIBRIDE- Nga REXHEP FERIZI, ish-oranizator i demonstratave 1968

 

Rexhep Ferizi, foto: 1968
Lëkundjet e para nisën në Prizrenin historik, aty te vendi ku ndodhi historia e themelimit të shtetit shqiptar, 1878. Aty ku para 90 vjetësh u formua Lidhja Shqiptare e Prizrenit; aty ku burrat atdhetarë të Toskërisë dhe burrat atdhetarë të Gegërisë, nisën Kuvendin dhe lëshuan kushtrimin për luftën e shenjtë, për çlirimin e tokave shqiptare të pushtuara nga invazioni serbo-malazezo-bullgar me miratimin e Evropës.
Brezi i ’68-ës i Lëvizjes studentore në Kosovë, me qendrat në Prizren, e çoi përpara procesin politik për Kosovën Republikë dhe vetëvendosje. Demonstratën e organizoi dhe e realizoi Grupi i studentëve atdhetarë të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prizren. Ky grup, në krye me studentin Meriman Braha, ishte bërthama e organizimit në Rrafshin e Dukagjinit, në Prizren, me 6 tetor, në Therandë (Suharekë) me 8 tetor, përgjegjës Haxhi Bajraktari, dhe në Pejë, me 19 tetor, përgjegjës Zymer Neziri.
Për demonstratat e vitit 1968 është folur dhe shkruar jo pak. Me rastin e 50 -vjetorit, në Pejë, është organizuar Akademi Përkujtimore, me pjesëmarrje në nivel Kosove.
Ngjarjet historike të vitit 1968 sinjalizuan një epokë të re, për shqiptarët e Kosovës dhe gjithandej trojeve shqiptare të Maqedonisë, Luginës së Preshevës, më sakt, Kosovës Lindore, Pazarit të Ri dhe Malit të Zi e më gjerë.
Demonstratat e tetorit dhe nëntorit 1968 në Kosovë arritën kthesën e madhe historike. Ato erdhën në momentin dhe kohën më qenësore që gjallëruan fatin, ëndrrat e aspiratat e kamotshme, për themelimin e Republikës së Kosovës. Ato erdhën si rrjedhojë e vuajtjeve dhe pakënaqësive të grumbulluara ndër vite e dekada. Në to reflektoi shpirti i entuziazmuar i shqiptarëve të Kosovës dhe gjithandej shqiptarëve të Federatës Jugosllave.
Demonstratat e vjeshtës së vitit 1968 lëkundën themelet e Federatës Jugosllave. Ato bënë bujë në Jugosllavinë e Titos dhe gjithandej Evropës e përtej, deri në Amerikën e largët. Ato sollën ndryshime dhe përfitime të shpejta, “favorizuan fatin tonë politikë, ato quan Kosovën në proces të avancimit, deri te ndërrimi i Kushtetutës dhe Kosova u bë element konstituiv i Federatës Jugosllave”, e jo vetëm kaq, Kosova u bë me Universitet, me Akademi të Shkencave dhe Arteve, u hapen shkolla të mesme të të gjitha profileve, u lejua përdorimi i flamurit kombëtar, u zyrtarizua përdorimi i gjuhës së unisuar kombëtare shqiptare në Kosovë dhe në të gjitha trevat shqiptare në shtetin Jugosllav. Çdo gjë nisi për së mbari, si në ndërtimin e infrastrukturës dhe hapjen e vendeve të punës, u hoq perdja e hekurt mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nga Shqipëria erdhën kuadro profesorësh, ekspertë të fushave të ndryshme, të cilët i mungonin shkollimit superior të Kosovës.
Mjetet e informimit, “Radio Prishtina”, si dhe revistat: “Rilindja”, “Jeta e re”, “Zani i Rinisë” etj., thyen tabunë e censurës, filluan të botohen shkrime historike, përfshirë edhe ato të historianëve nga Shqipëria. Ndërsa gazeta “Rilindja” në fokus kishte shkrimet mbi veprën dhe jetën e kryetrimit tonë shqiptar Skënderbeut, për rilindasit, shkrimtarët dhe figurat e shquara të historisë shqiptare.
         Kontributi i Shkollës Normale “Ali Kelmendi”, demonstratat e 19 tetorit 1968 në Pejë 
 Pas rënies së ministrit të brendshëm, kriminelit, Aleksandër  Rankoviç dhe klikës së tij, në verën e vitit 1966, u krijuan mundësitë për reformimin e arsimit dhe hapjen e shkollave të reja shqipe në tërë territorin e Kosovës. Si rezultat i kësaj, në vjeshtën e vitit 1966, u pavarësua Shkolla Normale, që deri atëherë zhvillohej në kuadër të Gjimnazit “11 Maji” në Pejë dhe u zhvendos në Kompleksin e Tokës Bujqësore në Vitomiricë të Pejës. Dhe si sihariq, mori emrin e heroit kombëtar Ali Kelmendi (1900-1939). Në këtë vatër të arsimit u punësuan kuadro adekuate, profesorë që lanë gjurmë në ngritjen e vetëdijes profesionale e kombëtare, si: magjistër Riza Brada, Bajram Ahmetgjekaj, vëllezërit Sadri e Avdi Kelmendi, Mehdi Bajri, Negihane Basha, Gëzim Basha, Muhamet Berisha, etj. Mes tyre u punësuan edhe tre kolos të ndërgjegjes kombëtare, si i madhi Rexhep Podrimaj, Ali Hasku, Avni Lama si dhe juristi sekretari i shkollës, Avni Gjakova, pas kalimit të tyre nëpër vuajtje e persekutime të njëpasnjëshme në burgje e kazamate serbo-komuniste.
Atëbotë, Shkolla Normale ”Ali Kelmendi” në Vitomiricë të Pejës, u shndërrua në tempull të arsimimit dhe edukimit e të vetëdijes kombëtare. Ata ishin rilindas të vërtetë. Ata do të kujtohen për vlerat e tyre të jashtëzakonshme atdhetare. Ata ishin shtytës, frymëzues në ngritjen e vetëdijes kombëtare, deri në flijim, ishin mendjendritur në rrugën tonë, që na shpiu drejt revoltës dhe prosperitetit. Ata ngritën zërin kundër dramës tragjike që përjetonte populli shqiptar, kundër të gjitha atyre padrejtësive që bënte regjimi i egër serb në Kosovë e gjithandej trojeve shqiptare në ish Jugosllavi.
Shkolla Normale “Ali Kelmendi” në Vitomiricë të Pejës, me punën e vet shumë vjeçare edukativo-arsimore, hapi rrugën e dritës e të diturisë për Pejën me rrethinë, si vatër e arsimimit. Gjenerata të tëra dolën nga ky tempull i dijës, të cilat u shpërndanë anë e kënd Kosovës, nga Peja në rrafshin e Dukagjinit, deri në Dragash, si dhe nga Peja në rrafshin e Kosovës, në Mitrovicë e deri në Kaçanik. Nga ky tempull i dijës një mori nxënësish, vazhduan studimet në Universitetin e Prishtinës dhe dolën kuadro të profileve të ndryshme: mjek, inxhinier, jurist, ekonomist, profesor e doktor shkencash nga lëmi të ndryshme, që lanë gjurmë me punën e tyre anë e kënd Kosovës e më gjerë.
 
           Kontributi i qytetarëve të Pejës me rrethinë në demonstratat e 68-ës në Pejë
Nuk harrohet kontributi i madh i qytetarëve anë e kënd Pejës me rrethinë. Isa Demaj, që veproi edhe në themelimin e grupit të Pejës. Zejtarët: Rexhep Berisha e Ali Azem Lajçi, me nxënësen Emine Neziri, kanë përgatitur tërë natën shenja identifikuese, kuq e zi, kurse Murat Gorani e pranoi detyrën dhe e solli në Pejë, flamurin nga Prizreni. S’duhet harruar kontributin e studentit, Riza Smaka.

Ndihmë të madhe dha brezi: Remzi Baloku, Ramadan Shala, Ymer Neziri, Nezir Gashi, Murteza Nura, si dhe brezi para tyre: Mulla Zekë Bërdynaj, Haxhi Zekë Biberi, Sami Peja, etj.

Brezi i 68-ës i demonstratave shënoi fillimin e shpërbërjes së Federatës Jugosllave dhe njëherit viti 1968 dallohet si viti i ngritjes të vetëdijes kombëtare për çlirim. Dhe, me plot të drejtë quhet hallkë historike e bashkimit të kombit të ndarë shqiptar.
Sot ende më kujtohen ato ngjarje dhe zgjojnë në mua ndjenjën e krenarisë, që edhe unë pata fatin të jem pjesë e këtyre ngjarjeve, të cilat nuk harrohen kurrë, të jem pjesë e një historie, që shënon fillimin e fundit të një Jugosllavie hibride. Ato vite ishin të zjarrta që mu ngjizën në shpirt e mendje, ku dufi rinor ia thoshte këngës, nën tingujt e mandolinave dhe kitarave, ku buçiste zëri i ëmbël i Avni Hasajt, Binak Goçit, që të dy lanë gjurmë në Radio Televizionin e Prishtinës e më gjerë.
          Si lindi ideja për organizimin e demonstratave të 19 tetorit në Pejë?
Ideja për organizimin e demonstratave të 19 tetorit 1968 në Pejë erdhi nga tre ish nxënësit e Shkollës Normale, më vonë “Ali Kelmendi”:  Zymer Nezirit, Xhamail
Gashit dhe Ramadan Blakajt, atëbotë studentë të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prizren.
Me 17 tetor, ditë e enjte, sa kishte përfunduar ora e gjashtë mësimore e ndërrimit të parë, me të dalë nga klasa V-6, në korridor u takova me tre shokët që ishim edhe miq të mirë me njëri tjetrin: Miftar Tishukun, Demë Mulliqin dhe Sadik Binakajn. Pasi u përshëndetëm, Miftari mu drejtua, “Rexhep, ne, të katërtit kemi një punë me rëndësi, dha shenjë të futemi në kl.V-3. Koha nuk na premtonte, në dispozicion kishim pesëmbëdhjetë minuta. Pa humbur kohë, Miftari shpalosi qëllimin e takimit: “Unë para pak çasteve u ndava me tre ish nxënësit e shkollës sonë: Zymer Nezirin, Xhemail Gashin dhe Ramadan Blakajn, që janë të njohur edhe për ju.
Ata ma shprehen dëshirën që do të ishte mirë të organizohen demonstratat edhe në Pejë, pas atyre që u mbajtën në Prizren dhe Suharekë. “Unë jam plotësisht me propozimin e tyre, andaj erdha të diskutojmë se si t’ia bëjmë”. Ne u dakorduam pa hezitim me Miftarin dhe propozimin e tre djemve të lartpërmendur, meqë e dinim se ata ishin pa fije dyshimi djem të fjalës dhe të guximshëm. Me kaq përfunduam atë ditë. E lamë që të takohemi të nesërmen pas orëve të mësimit. Para se të ndaheshim, vendosëm që për të gjitha çka biseduam të mbetën mes nesh.
Të nesërmen me 18 tetor, në ditën e premte, u dakorduam me hartimin e planit të rrjedhjes të demonstratave. U njoftuam me obligimet dhe detyrat. Zymer Neziri kishte për detyrë të angazhohet me nxënësit e Gjimnazit “11 Maji”. Xhemail Gashi ishte i angazhuar të punonte me Shkollën Normale “Ali Kelmendi”. Ndërsa Ramadan Blakaj ishte i angazhuar të punonte me nxënësit e Shkollës Ekonomike. Ndërsa tekstin e hartuar nga Zymer Neziri vendosëm ta lexonte Sylë Kuçi, nxënës i klasës së V-të. Syla ishte djalë i zgjuar dhe i guximshëm, dhe që atëherë në shpirt e kishte talentin e aktorit. Edhe ne, organizatorët e brendshëm u angazhuam me detyrat tona, i caktuam kujdestarët në numër goxha të madh, për ta mbajtur rendin gjatë marshimit. I caktuam vëzhguesit që të jenë vigjilentë, që ta përcjellin situatën, që mos rastësisht të futet ndonjë element i porositur në turmën e demonstruesve, për t’i dhënë një kahje krejtësisht tjetër. Ne ishim të bindur se gjithsesi do të na arrestojnë njerëzit e Sigurimit Shtetëror. Unanimisht u betuam që ideatorët e organizimit të demonstratave të mbeten të panjohur për ne, që ishin: Zymeri, Xhamajli dhe Ramadani.
           Ne ishim këmbëngulës në rrugën tonë, si lumi në rrjedhën e vet
 Tetor 1968, ditë e shtunë, ora e paradites po shkonte në tetë e dyzetë, oborri i Shkollës Normale “Ali Kelmendi” ishte mbushur me nxënës si asnjëherë më parë. Nxënësve të shkollës sonë iu bashkëngjitën nxënësit e Shkollës Bujqësore, që kishim një oborr të përbashkët. Në ato çaste prisnim momentin e nisjes drejt qytetit të Pejës. Ishte ditë me diell si të ishte kohë vere. Ne filluam të këndonim këngë, që më së shpeshti dëgjoheshin në atë kohë, këngë së cilave ia thoshim të gjithë, e më së shumti dëgjohej zëri i Avni Hasajt dhe Binak Goçit. Ndërkohë që kënga jonë vazhdonte të jehonte në oborr, zilja na ftonte të hynim brenda. Por atë ditë mësimi nuk ishte në agjendën tonë.
 Ne prisnim të shfaqej para nesh drama madhështore e flamurit tonë kombëtar. Nuk vonoi shumë erdhi çasti kur Demë Mulliqi u shfaq para nesh me flamur në dorë. Turma filloi me brohoritje të fuqishme që morën dhenë gjithandej Vitomiricës e lagjeve në lindje të Pejës. Në oborrin e shkollës qëndronte nxënësja e vitit të katërtë, Myzaqete Gocka, e veshur kuq e zi. Të gjithë tok, me flamur në ballë, të rreshtuar për pesë, me simbole kuq e zi në gjoks, me dinjitet e krenari, me brohoritje, slogane e këngë që nuk ndalonin për asnjë çast, vajtëm në oborrin e Gjimnazit “11 Maji” të Pejës, me qëllim që të na bashkoheshin nxënësit e kësaj shkolle. Aty ndodhi diçka që s`e prisnim. Në oborr nuk ishte as edhe një nxënës. Si dukej drejtoria e Gjimnazit ishte urdhëruar t’i mbyllte nxënësit brenda. Por, megjithatë dhjetëra nxënës u hodhën nga kati i dytë dhe na u bashkëngjitën.
 Në ndërkohë ia bëhën disa njerëz të strukturave politike komunale, mes tyre kishte edhe punëtorë të sigurimit shtetëror. Mes tyre dhe grupit organizativ plasi sherri. Ata insistonin që të shpërndaheshim. Ne ishim të pathyeshëm në qëndrimet tona. Ata u tërhoqën, ndërsa ne vazhduam drejt qendrës së qytetit, ku kishim planifikuar t’i paraqisnim kërkesat tona. Gjatë rrugës për në shesh, turma gjithnjë shtohej me qytetarë, atdhedashës të Pejës. Sheshi u stërmbushë me të rinj e të reja, me qytetarë e tregtarë. Dëgjoheshin brohoritje për flamurin kombëtar, për Kosovën Republikë, për Kushtetutë e vetëvendosje, për Universitetin e Prishtinës, për lirinë që se kishim, e shumë e shumë parulla tjera.
Përballë komunës, ngjitur me të ishte një kioskë e gazetës “Borba” të Beogradit, së pari, sipër saj ngjitëm Sadik Blakajn, pastaj Demë Mulliqin me flamur dhe Sylë Kuqin që e kishte marrë për obligim ta lexonte tekstin e hartuar nga Zymer Neziri. Gjatë kohës sa po lexonte kërkesat Sylë Kuqi, për një çast mbretëroi heshtja e të pranishmëve në shesh. Heshtja thyhej herë pas here kur shpërthente uragani i mijëra njerëzve në shesh, Syla ndalonte, prapë vazhdonte, emocionet ishin të zjarrta. Afër meje, poshtë kioskut kishte njerëz të moshuar, në sytë e tyre nuk ndalonin lotët. Ato momente më kanë ngelur në kujtesë që s’i ka mjegulluar kurrë koha ndër vite e dekada.
Pas leximit të kërkesave në shesh, u acarua situata, Xhemail Gashi mu drejtua: “Ti, Rexhep, merre flamurin, nuk guxojmë t’i lejojmë të na marrin ata të Sigurimit”. Me flamur në dorë, të ngritur lartë, vijuam marshutën poshtë qytetit, nëpër Shatërvan, Qarshi të Gjatë, Qarshi Xhamia, kah Sekretariati i Punëve të Brendshme, drejt tregut të gjelbër, te stacioni i trenit, ku turma filloi të shpërndahej. Dhe, aty flamurin ia dorëzova Xhemail Gashit.
Për mbarëvajtjen e marshimit të demonstratës ishin caktuar kujdestarë: Skender Tafaj, Hasan Islami, Mustafë Vishaj, Arif Rizaj, Hajrije Ahmetxhekaj, vëllezërit Binak e Rexhep Avdimetaj, Shefqet Nitaj, Jashar Vishaj e tjerë.
Në mbrojtje të flamurit ishin: Zymer Neziri, Xhemajl Gashi, vëllezërit Ramadan e Sadik Blakaj, Miftar Tishuku, Demë Mulliqi, Rexhep Ferizi, Sadik Binakaj, Sylë Kuqi, Selim Nikçi, Ukë Kelmendi, Rexhep Kastrati, Ukë Sylaj, Avdyl Alaj, Hysni Sylaj. Kujdestarët vëzhgues ishin: Hasan Maksutaj, Demë Osmani, Nurije Dashi, Bajram Binakaj, Ibrahim Shoshi, Muharrem Likaj e tjerë.
             Arrestimet e demonstruesve  
Më 21 tetor 1968, ditën e hënë, mësimi u zhvillua normalisht në shkollën tonë. Atë ditë u përhap lajmi për arrestimin e tre organizatorëve të jashtëm të demonstratave të 19 tetorit ’68 në Pejë. Sipas të dhënave, arrestimet kishin filluar në pasditen e së shtunës, më 19 tetor, me arrestimin e Ramadan Blakajt, i cili u dënua me 15 ditë burg. Të nesërmen, më 20 tetor, paradite ishin arrestuar: Zymer Neziri dhe Xhemail Gashi, të cilët u dënuan me nga 30 ditë burg. Që të tre studentë të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prizren.  Njëkohësisht, ditën e hënë, u hap lajmi, se një numër i madh nxënësish të shkollës sonë u thirrën në biseda informative, nga organet e Sigurimit të Punëve të Brendshme në Pejë.
Më 21 tetor, pas përfundimit të orës të gjashtë, edukatë fizike, u ktheva në lokalet e shkollës. Në katin e parë e takova, Ajete Hasajn, nxënëse e klasës së IV/4. Ajo më njoftoi se dy agjentë të Sigurimit, më kishin kërkuar. Pa humbur kohë u ngjita në katin e dytë, e njoftova Sadik Binakun, bashkë me të nxituam në drejtim të Deçanit.
Në mbrëmjen e 21 tetorit u arrestuam, unë e Sadik Binakaj. Ajo natë e errët, jeton ende në kujtesën time!
Në rrugë e sipër për në SPB të Pejës, mbretëronte heshtja. Diku në mes të rrugës, heshtjen e theu inspektori që ishte ulur në ulësen e parë, përballë me policin vozitës: “Ju djema duhet ta dini një gjë, shokët e juaj kanë pranuar çdo gjë, andaj, ju duhet të jeni të vetëdijshëm, mos e mundoni vetën, përndryshe do të përdoren mekanizma të tjerë, që do të jenë të sikletshme për ju”. Këtë sugjerim dhe kërcënim e shprehi në gjuhën shqipe. Ne na la përshtypjen, se ai ishte shqiptar, por më vonë, mësuam se ai ishte malazez dhe emrin e kishte Angjelko.Po sa arritëm në lokalet e SPB-së, ne na ndanë. Mua më shoqëroi një polic deri te dhoma e inspektorit hetues.
            Përballja me inspektorin hetues
Procedura fillimisht nisi me pyetje dhe përgjigje të njëpasnjëshme, që kishin të bënin me organizimin e demonstratave, si dhe kush ishin organizatorët e jashtëm të demonstratave të 19 tetorit ’68 në Pejë. Qëllimi thelbësor i inspektorit hetues ishte, kush ishin organizatorët e jashtëm. Kjo punë nuk ngeli me kaq. Pas një pauze dy orësh, inspektori u kthye në dhomë, tani me një strategji tjetër. M’i lëshoi përpara dy fletë të bardha dhe më rekomandoi të shkruaj deklaratë me shkrim, për ecurinë e demonstratave, si dhe kush ishin organizatorët e jashtëm dhe me nxitim doli jashtë, për një kohë mjaft të gjatë. Po sa u kthye e lexoi deklaratën dhe me një nervozizëm më tha: “Ti djalosh duhesh të jesh më konkret, duhesh t’i shkruash organizatorët e jashtëm, e jo emrat e shokëve të tu. Me nxitim m’i lëshoi edhe dy fletë përpara dhe më rekomandoi t’i shkruaj emrat e organizatorëve të jashtëm. Unë deklaratën e dytë e shkrova identike me të parën. Në ndërkohë, derën e hapi një serb, me rrapëllimë, më tha: “Jel si ovde” (A je këtu), unë nuk fola asgjë. Dihet qartë se me çfarë prapavije e bëri këtë!
Inspektori, pas një kohe të gjatë erdhi në dhomë, po sa e lexoi deklaratën, me një nervozë të madhe, mu kthye: “Merri këto fletë e shkruaje të vërtetën e t’i japim fund kësaj pune”. Në atë rast, unë u përfshiva në një gjendje të trazuar, e cila u reflektua dukshëm në çastin e fundit të asaj procedure. I thashë, nëse tenton të shkruaj emrat e x, y, më dikto emrat e tyre. Unë do t’i shkruaj por ta dish se unë do të deklaroj botërisht se kam qenë i detyruar nga ti, ta bëjë këtë gjë. Refuzimet e mia bënë që ai të tërhiqet, doli jashtë e nuk u kthye më.
Kjo procedurë zgjati me orë të tëra, nisi diku në ora shtatë të mbrëmjes së 21 tetorit dhe zgjati deri në ora dy e gjysmë para mëngjesit të 22 tetorit 1968.
Në ndërkohë erdhi një polic dhe më nxori nga aty dhe më dërgoi në një sallë ku ishin shokët e mi: Miftar Tishuku, Demë Mulliqi, Sadik Binakaj dhe Sylë Kuçi.
Pas ca çastesh erdhi Muhamet Shoshi, atëherë Sekretar Krahinor i Punëve të Brendshme, po e priste një grup i punëtorëve të Sigurimit. Ai na u drejtua: “Djema,  a keni gabuar, apo jo, këtë do ta vërtetoi koha. Ju duhet ta vazhdoni shkollën, duhet të mësoni me përkushtim. Nëse ndonjë nga ju e braktis shkollën, do të ketë punë me mua”. Në fund iu drejtua Mehmet Haskut: “Mehmet, secilin nxënës dërgoje me makinë deri në shtëpinë e vet”. Mehmet Hasku na barti me makinë të tipit “Vollga” në shtëpitë tona.
Prej datës 22 tetor, te porta e hyrjes së shkollës sonë, që çonte rruga në perëndim drejt Pejës dhe në lindje drejt Mitrovicës, bënte roje me muaj patrulla e policisë ushtarake.
            Peja dhe Kosova e kujtojnë me krenari demonstratën e ’68-ës
Peja, lulja e Dukagjinit, ka një histori të bujshme shekullore, të ngjeshur me përplot ngjarje e përjetime trishtuese, dramatike e krenare. Krenari kombëtare ishin edhe demonstratat e 19 tetorit 1968. Ngjarjet e demonstratave të 19 tetorit m’i rikujtojnë shumë momente e detaje, që kanë ngelur të përjetshme në kujtesën time, edhe pse kanë kaluar 56 vite nga ajo ditë e bekuar e demonstratave historike, kur për herë të parë, pas 21 vjetësh, shfaqet flamuri shqiptar me shqiponjën dykrenëshe, në oborrin e Shkollës Normale “Ali Kelmendi”.
Misionarëve të arsimimit kombëtar pejanë, pedagogë që do të kujtohen ndër breza. Ata ishin personalitete të shquara me cilësi të larta që sakrifikuan çdo gjë, për shkollimin dhe emancipimin e të rinjve e të rejave pejanë shqiptarë, të dashur për nxënës, përkrahës dhe mbështetës të tyre. Ndikimi i tyre ka qenë thelbësorë në ngritjen e frymës kombëtare, në përpjekjet për liri dhe bashkim kombëtar, andaj i falënderojmë deri në përjetësi.
Ata nuk ishin pak, me sa vijon: Rexhep Podrimaj, Ali Hasku, Jahja Sapunxhiu, Fetah Çavdarbasha, Bajram Januzaj, Gëzim Basha, Nimon Lokaj, Ajmane Krasniqi, Hajrullah Gruda, Riza Brada, Avni Lama, Mehdi Bajri, Bajram Ahmetgjekaj, Sadri Kelmendi, Negihane Basha, Muhamet Berisha, Avni Gjakova, etj.
Falënderim dhe përkujtim i përjetshëm atyre që nuk jetojnë më, profesorëve, ideatorëve dhe organizatorëve të demonstratave në Pejë, të cilët dhanë kontribut të veçantë: Rexhep Podrimaj, Bajram Januzaj, Ali Hasku, Riza Brada, Sadri Kelmendi, Avni Lama, Gëzim Basha, Mehdi Bajri, Isa Demaj, Riza Smaka, Ali Azem Lajçi, Xhemajl Gashi, Miftar Tishuku, Hasan Maksuti, Hajrije Ahmetgjekaj, Sylë Kuçi dhe Demë Mulliqi.
Lavdi dhe nderim i përjetshëm!

“Shqipëria e Re” në dokumentet arkivore gjermane! Strategjia naziste në Ballkan, interesat e Rajhut më 1939–1943 dhe rekrutimi i elitave shqiptare

XHEZAIR ZAGANJORI

PJESA E PARË

Në artikujt e mëparshëm, bazuar kryesisht në dokumentacionin arkivor të Ministrisë së Jashtme gjermane (Auswärtiges Amt), dokumentacion që në atë kohë konsiderohej “tepër sekret”, kemi parë se në prill 1939, Rajhu gjerman ishte krejt indiferent ndaj pushtimit italian të Shqipërisë. Drejtori i përgjithshëm politik i kësaj ministrie, Ernst Woermann, që kishte pritur po atë ditë ambasadorin shqiptar në Berlin, diplomatin e shquar Rauf Fico, u shkruante më 5 prill 1939 shefave të tij se i thashë ambasadorit që “…ai duhej ta dinte se marrëdhëniet gjermano–italiane janë tepër të ngushta…” dhe se “Gjermania nuk ka interesa të drejtpërdrejta në Adriatik…”, pasi aty do të jetë prezente Italia… Po ashtu, ambasadori gjerman në Tiranë Pannwitz udhëzohej nga zëvendësministri i Jashtëm i tij, Ernst von Weizswcker që “… të mos bënte asnjë veprim që do të vinte në dyshim pëlqimin tonë të pakufizuar për veprimet e italianëve në Shqipëri…”. Jo vetëm kaq, por me 15 prill 1939, numri dy i Rajhut gjerman Hermann Göring, do t’i niste një telegram Musolinit në emër të Hitlerit, përmes të cilit i dërgonte “…. Urimet më të përzemërta për rregullimin e problemit shqiptar (albanische Angelegenheit)”.

Kjo indiferencë e Hitlerit në Ballkan do të ndryshonte rrënjësisht dy vjet më vonë. Nxitur fillimisht nga dështimet e operacionit ushtarak italian kundër Greqisë dhe më pas nga zhvillimet politike në Jugosllavi, ku më 27 mars 1941, ushtarakë jugosllave të mbështetur nga Britania detyruan Princin Regjent Pavël që kishte nënshkruar dy ditë më parë (25 mars) një Pakt Bashkëpunimi me Fuqitë e Boshtit, ta lëshonte Fronin Mbretëror jugosllav, për t’ia kaluar atë Princit Pjetri i II, me argumentin se tashmë ai kishte mbushur moshën madhore 18 vjeç. Natyrisht që Princi i ri ishte i orientuar nga bashkëpunimi me Forcat Aleate. Këtë veprim Hitleri e konsideroi si grusht shteti, ndaj duke shtyrë edhe sulmin kundër ish-Bashkimit Sovjetik, urdhëroi përgatitjen për të ndërmarrë pas rreth 10 ditësh, më 6 prill 1941, operacionin ushtarak Fushata Ballkanike (Balkanfelzug), përmes të cilit u pushtuan Jugosllavia dhe Greqia. Në këtë operacion, forcat gjermane u mbështetën edhe nga trupa të disa prej aleatëve të tjerë në koalicionin e Boshtit Qendror, konkretisht, Italia, Bullgaria e Hungaria.

Përveç sa më sipër, interesi gjerman në Ballkan, e veçanërisht ndaj Shqipërisë, do të shtohej dukshëm në periudhën në vijim. Faktor vendimtar ishte suksesi i Forcave Aleate në Afrikën e Veriut si dhe zbarkimi i forcave anglo – amerikane në Sicili (10 korrik – 17 gusht 1943) përmes Operacionit Husky. Në këtë situatë, Hitleri krijoi bindjen se pas kapitullimit të shpejtë të Italisë, duke shfrytëzuar pozicionin gjeografik të Shqipërisë pranë Kanalit të Otrantos, si dhe boshllëkun që do krijohej nga largimi trupave italiane, Forcat Aleate do të zbarkonin në bregdetin shqiptar për të ndërmarrë nga aty veprime ushtarake kundër Wehrmacht-it. Për këto arsye, Rajhu gjerman mendon të marrë masa urgjente për të vënë nën kontroll sa më të plotë vijën bregdetare shqiptare, në një kohë që situata në Shqipëri nuk njihej mire. Për arritjen e këtij qëllimi, në ndryshim nga Italia që në periudhën prill 1939-shtator 1943 e ktheu Shqipërinë thjeshtë në koloni, fillimisht nën petkun e protektoratit e më pas në atë të Bashkimit Personal nën Kurorën e Viktor Emanuelit III-të, Gjermania planifikoi e zbatonte një strategji të tillë që formalisht bazohej në rishpalljen, rikrijimin e garantimin e një shteti të pavarur shqiptar, i cili duhej të drejtohej nga një qeveri që do të ishte “bashkëpunuese e miqësore” me Rajhun, pra duhej të ishte një qeveri kukull apo kuislinge, ashtu siç ishte vepruar edhe në disa prej territoreve europiane të pushtuara nga Wehrmachti.

Sigurisht që qeveria hitleriane në asnjë rast nuk mund të bashkëvepronte për këtë qëllim me forcat komuniste, të cilat Hitleri i luftonte kudo pa hezitim, ndaj objektivi kryesor i “gjuetisë apo joshjes” së saj për bashkëpunim do të ishin kryesisht shtresat intelektuale e forcat nacionaliste, të cilat ishin të prirura apo më të ekspozuara të ëndërronin me idealizëm bashkimin kombëtar. Në këtë grup duhej të bënin pjesë veçanërisht intelektualët e nacionalistët e shumtë që kishin kundërshtuar me forcë që në fillim pushtimin italian, e që pikërisht për këtë arsye ishin lënë pa punë, përndjekur e internuar nga Qeveria e Musolinit. Nga ana tjetër, duket qartë se në rastin e Shqipërisë, përveç forcave nacionaliste brenda kufijve të përcaktuara nga Konferenca e Londrës me 1913 (Shqipëria e Vjetër), do të kërkohej bashkëpunim i veçantë sidomos me forcat nacionaliste të trojeve shqiptare të lëna jashtë shtetit amë nga kjo Konferencë, të cilat me ndihmën e Gjermanisë duhej t’i bashkoheshin Shqipërisë, duke krijuar kështu në vitin 1943, me emrin joshës, të ashtuquajturën Shqipëri e Re. Duhej “punuar” që banorët e këtyre trojeve t’i shihnin gjermanët si çlirimtarë të vërtetë. Vetëm në këtë mënyrë mund të tentohej të garantohej edhe besnikëria e shtresave intelektuale dhe forcave nacionaliste shqiptare brenda e jashtë vendit.

FUQITË ALEATE

Nxitimi i udhëheqjes naziste në këtë drejtim imponohej edhe nga rritja e vazhdueshme e simpatisë së shqiptarëve ndaj Forcave Aleate, të cilat sigurisht që kishin shumë interes të kishin një mbështetje sa më të gjerë morale e praktike në luftën kundër Boshtit Qendror. Kjo konstatohet edhe në deklaratat e rëndësishme që tri Fuqitë Aleate kryesore bënë për Shqipërinë në dhjetor 1942, kohë kur realisht, pas fitoreve në frontin sovjetik dhe zbarkimit të parë të suksesshëm anglo-amerikan në Afrikën e Veriut (8 nëntor 1942), fillon furishëm kundërofensiva e tyre ndaj Boshtit.

Kështu, më 10 dhjetor 1942, Sekretari amerikan i Shtetit Cordel Hull do të bënte një deklaratë, në të cilën thuhet se, “Qeveria e SHBA nuk është e pavëmendshme ndaj rezistencës së vazhdueshme të popullit shqiptar kundër pushtuesve italianë. Përpjekjet e forcave të ndryshme guerile që veprojnë ndaj armikut të përbashkët në Shqipëri janë për t’u admiruar e vlerësuar shumë. Qeveria dhe populli amerikan mezi presin të vijë dita që t’u japin ndihmë ushtarake efektive këtyre burrave trima, që duan ta përzënë pushtuesin nga vendi i tyre….”. Më 17 dhjetor, Sekretari i Shtetit të Britanisë, Anthony Iden, bëri gjithashtu një deklaratë të përafërt në Dhomën e Komuneve, duke theksuar se, “Qeveria e Madhërisë së Tij shpreh simpatinë e thellë për shqiptarët, një popull që ka qenë ndër viktimat e para të agresionit fashist. Prandaj ne dëshirojmë që Shqipëria të çlirohet nga zgjedha italiane dhe të rishpallë pavarësinë…”. Më 19 dhjetor 1942 bëri një deklaratë edhe Qeveria sovjetike, ku thuhej se “Bashkimi Sovjetik solidarizohet plotësisht me luftën kurajoze për liri të patriotëve shqiptarë kundër pushtuesve italianë dhe nuk njeh asnjë pretendim të imperialistëve italianë ndaj Shqipërisë… Qeveria Sovjetike është e sigurt se lufta për pavarësi e popullit shqiptar do të bashkohet me luftën e popujve të tjerë të Ballkanit ndaj pushtuesve italo–gjermanë”. Pavarësisht nuancave, duket qartë se në thelb, në të tria deklaratat e Fuqive Aleate synohet që edhe në Shqipëri të zgjerohej më tej simpatia e mbështetja sa më e gjerë popullore kundër Fuqive të Boshtit Qendror, e veçanërisht kundër Italisë Fashiste e Gjermanisë Naziste. Kjo vëmendje e shtuar e Forcave Aleate ndaj Shqipërisë do të kishte impakt edhe në territoret shqiptare. Jo me kot, Mëkëmbësi i Viktor Emanuelit në Shqipëri, Françesko Jakomoni, do t’i thoshte në fillim të shkurtit 1943 Konsullit gjerman në Tiranë se kohët e fundit është rritur së tepërmi “armiqësia e shqiptarëve kundër Italisë, sepse besimi i tyre në fitoren e Boshtit ka humbur gjithnjë e më shumë terren. Tashmë në Shqipëri në modë është dëgjimi i Radio Londrës…”.

Por siç theksuam, në korrik-gusht 1943, Hitleri ishte i detyruar të zbatonte strategjinë e re për Shqipërinë, me fokus kryesor ndalimin e zbarkimit të Forcave Aleate në bregdetin shqiptar. Në zbatim të këtyre ideve është edhe telegrami sekret që ministri i Jashtëm Joachim Ribbentrop, një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Hitlerit, i dërgon Ambasadës gjermane në Romë më 21 gusht 1943 (pra 4 ditë pas zbarkimit Aleat në Sicili), me porosinë që ai (telegrami) t’i jepej Konsullit të Përgjithshëm gjerman në Tiranë Martin Schliep. Ndër të tjera, Ribbentrop i kërkonte Konsullit Schliep t’i raportojë me hollësi lidhur me: a) Situatën politike në Shqipëri, duke dhënë mendim se kush mund ta drejtonte në një të ardhme të afërt qeverinë e re shqiptare, e cila “duhet të ketë objektiva të qarta”; b) Si paraqitet gjendja për realizimin e misionit kryesor të ardhjes së trupave gjermane, që është kontrolli dhe siguria e bregdetit shqiptar; c) Shqiptarët të qetësohen politikisht me argumentin se misioni i ushtarëve gjermanë është kalimtar; d) Të jepej mendimi se si do të organizohej deklarimi i pavarësisë së Shqipërisë së Re dhe i qeverisë së saj, e cila “duhet të ishte pozitive” ndaj Rajhut. Për këtë qëllim duhej gjetur ndonjë personalitet shqiptar, që me mbështetjen politike e ushtarake gjermane, të merrte në dorë drejtimin e vendit; e të tjerë.

“BASHKËPUNIMI AKTIV”

Dy ditë më vonë, në përgjigje të telegramit të mësipërm, konsulli Schliep do të shprehej skeptik lidhur me “bashkëpunimin aktiv” me shqiptarët në këtë fazë, ndaj propozon që fillimisht të dërgohej sa më shpejt për këtë qëllim në Kosovë bashkëpunëtori i tij në Konsullatë, Franz von Scheiger, i ardhur vetëm një muaj më parë në Tiranë. Ai shton se Scheiger e njihte mjaft mirë terrenin gjeografik dhe situatën politike e ekonomike në hapësirën shqiptare, veçanërisht në Kosovë. Kishte qenë në këto troje si oficer i ushtrisë austro–hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore dhe kishte qëndruar aty edhe me mbarimin e kësaj lufte, duke u marrë me studimin e historisë, gjuhës e kulturës shqiptare. Fliste shumë mirë shqip dhe kishte kontakte me personalitete të jetës politike, shkencore e kulturore shqiptare. Në vitin 1923 kishte punuar edhe si atashe tregtar në ambasadën e parë gjermane në Tiranë. Mbi bazën e këtij propozimi, që në fund të gushtit 1943 Scheiger do të shkonte menjëherë me mision të veçantë në Kosovë, me detyrën që përmes premtimeve të ndihmës gjermane për realizimin e pavarësisë dhe bashkimit kombëtare, të rekrutonte sa më shumë figura të jetës politike e shoqërore të Shqipërisë së Re. Ai do të lëvizte kryesisht në këmbë, me uniformë ushtarake, aparat marrës– dhënës (Funkgerate) dhe sipas disa autorëve gjermanë, kishte me vete edhe rreth gjashtë kilogramë monedha ari.

ÇËSHTJA SHQIPTARE

Paralelisht me këto masa, në fund të gushtit 1943, në Shtabin Qendror të Hitlerit në Berlin do të bëheshin disa ndryshime mjaft të rëndësishme të karakterit organizativ. Ndër të tjera, ambasadori Karl Ritter, i afërt me Ribbentropin dhe drejtues i rëndësishëm i Ministrisë së Jashtme gjermane (kishte marrë pjesë në përgatitjen e Anschlussit me Austrinë në mars 1938; Marrëveshjen famëkeqe të Mynihut të 30 shtatorit 1938 për t’i dorëzuar Hitlerit krahinën e Sudeteve; Marrëveshjen Molotov – Ribbentrop të 24 gushtit 1939 për ndarjen e Polonisë dhe të territoreve të tjera në Europën Veriore, e të tjerë), duhej të ndiqte me përparësi çështjen shqiptare gjatë diskutimit të saj në Shtabin Qendror. Po kështu, në këtë Shtab do të paraqitej për çështjen shqiptare edhe diplomati e oficeri i lartë gjerman Franz von Sonnleithner (një vit më vonë, më 20 gusht 1944, ky oficer i lartë do të ishte i pranishëm, por pa u dëmtuar, në atentatin me shpërthimin e bombës me kurdisje që iu bë Hitlerit në Berlin, në një dhomë ku ai dhe disa anëtarë të Shtabit të tij po diskutonin planet e Wehrmachtit). Përveç sa më sipër, më 24 gusht 1943, Hitleri do të emëronte austriakun dhe diplomatin nazist Hermann Neubacher si të Dërguar të Veçantë të Rajhut për Europën Juglindore, me zyrë qendrore në Beograd, por që duhej të ndiqte me përparësi çështjen shqiptare.

Me këtë cilësi Neubacher do të mbërrinte në Beograd më 8 shtator 1943 dhe të nesërmen, më 9 shtator, do t’u përgjigjej me një telegram sekret disa çështjeve të ngritura një ditë më parë nga Ribbentrop, të cilat i ishin përcjellë nga Berlini, përmes ambasadorit Karl Ritter. Në këtë përgjigje, ndër të tjera Neubacher thekson: “1)Nesër do nisem nga Beogradi në Tiranë, pasi aeroporti është tashmë në dorën tonë, pavarësisht hezitimit të Kryekomandantit të trupave italiane për të dorëzuar armët. Megjithatë, për siguri ka shkuar aty sot edhe një kompani parashutistësh. Parashutistë të tjerë do të jenë aty nesër. Kam rënë dakord me Gjeneralin von Weich për të qenë në çdo moment i gatshëm për të na mbështetur në rast nevoje…. 2)Sot bisedova me disa shqiptarë të besueshëm mbi situatën politike në vend. Ata ishin entuziastë dhe e vlerësonin ardhjen tonë si moment historik për kombin e tyre. Gjithashtu mbështesnin… deklaratën time se suksesi i kombit shqiptar mund të garantohet vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë e të sinqertë me NE …. 3)Për shkak të deklaratës së bërë nga Komandanti i Forcave gjermane në Ballkan që menjëherë pas pushtimi edhe në Shqipëri e Malin e Zi, i gjithë pushteti ekzekutiv të merret në dorë nga ushtria gjermane, pasi diskutova edhe me Gjeneralin von Weichs.., unë rekomandoj që këto dy raste duhen trajtuar në mënyra të ndryshme. Në Shqipëri duhet të heqim dorë nga krijimi i mjaft mekanizmave ushtarakë, duke ua lënë shumicën e tyre pushtetit vendas. Parulla politike ‘Shqipëria e Pavarur’ nuk duhet të cenohet nga skema politike e zakonshme e krijimit të administratës sonë ushtarake..”; 4)Për arsye politike jam kundër idesë që për sigurinë, trupat gjermane të bashkëpunojnë me forcat bullgare (bëhet fjalë për zonën e Mitrovicës e Podujevës – shënimi ynë). Kam vënë në dukje se ky bashkëpunim duhet të bëhet me forcat shqiptare… dhe 5) Von Scheiger ka mbërritur sot nga Kosova në Beograd. Nesër do më shoqërojë mua me avion për në Tiranë”.

Ndërkaq, në Itali ishin bërë mjaft ndryshime. Vetëm pas 5 ditëve nga fillimi i zbarkimit Aleat në Sicili, më 15 korrik 1943, Këshilli Fashist italian do të shkarkonte Musolinin, i cili do të izolohej (internohej) më pas me urdhër të Viktor Emanuelit. Kryeministër i Qeverisë Fashiste do të bëhej Marshalli Pietro Badoglio, i cili do të hynte menjëherë në bisedime për armëpushim me Forcat Aleate (anglo-amerikane), fillimisht në rrugë diplomatike në Lisbonë të Portugalisë e më pas në nivel ushtarak, në fshatin apo qytezën siciliane Cassibile, në jug të Sirakuzes. Në këtë qytezë do të nënshkruhej më 3 shtator 1943 edhe Marrëveshja e Armëpushimit e Cassibiles (Waffenstillstand von Cassibile). Fillimisht u vendos që kjo të mbahej e fshehtë. Megjithatë, ajo do bëhej e njohur zyrtarisht vetëm 5 ditë më vonë, më 8 shtator 1943, përmes një deklarate të bërë në orën 18.00 në Radio ‘Algier’ nga Kryekomandanti i Forcave Aleate, Gjenerali amerikan Dweit Eisenhower dhe pak më vonë, më 19:42, edhe nga Kryeministri Badoglio. Përveç armëpushimit, marrëveshja parashikonte edhe daljen e Italisë nga Koalicioni i Boshtit Qendror. Për këto arsye, shpesh 8 shtatori 1943 konsiderohet si dita e kapitullimit të Italisë Fashiste. Hitleri do të reagonte menjëherë. Pasi pushtoi që të nesërmen më 9 shtator Shqipërinë, një ditë më vonë, më 10 shtator 1943, me operacionin e koduar “Çështja e Boshtit” (Unternehmen Achse) pushtoi Romën dhe Italinë Veriore, nën drejtimin e Divizionit Elitë të Komanduar nga Gjenerali i njohur gjerman Erwin Rommel. Po ashtu, më 12 shtator 1943, ai urdhëroi zhvillimin e “Operacionit Eiche”, për të liruar nga izolimi Musolinin. Ai do të takonte menjëherë Hitlerin dhe nën “regjinë” e tij, më 23 shtator do të formonte qeverinë e re kukull, të “Republikës Sociale Italiane”. Kjo qeveri do të binte formalisht me 25 prill 1944. Tri ditë më vonë, më 28 prill, Musolini dhe e dashura e tij, Claretta Petacci, do të kapeshin të maskuar në afërsi të kufirit, duke ikur me kamion ushtarak drejt Gjermanisë. Të dy u ekzekutuan menjëherë nga partizanet italiane.

Ashtu si në Itali, edhe në Shqipëri situata ishte kaotike. Menjëherë pas kapitullimit të Italisë, që në darkën e 8 shtatorit, Shefi i Shtabit Koordinues të Wehrmachtit në Ballkan, Gjenerali Hans Bessek, nxitoi t’i kërkonte komandantit të trupave italiane në vendin tonë, Gjeneralit Ezio Rosi, dorëzimin dhe mbajtjen nën mbikëqyrje të të gjithë ushtarëve dhe oficerëve italianë që ndodheshin në Shqipëri. Gjenerali italian do të hezitonte në fillim, por më pas u detyrua të jepte pëlqimin dhe kështu, më 9 shtator 1943, trupa të shumtë gjermane nga Jugosllavia e Greqia marshuan drejtë Shqipërisë, duke vënë menjëherë nën kontroll të posaçëm bregdetin dhe aeroportet shqiptare. Fati i ushtarëve italianë do të ishte mjaft dëshpërues. Pjesa më e madhe e tyre do të dorëzonin armët dhe do të izoloheshin nga forcat gjermane. Një pjesë tjetër e konsiderueshme do t’i drejtohej Sarandës, me shpresën se do ta kishin më të lehtë për të kaluar në Itali. Shumica e tyre do të dorëzonin edhe armët te forcat partizane, me mendimin se do të ndihmoheshin prej tyre për të kaluar në anën tjetër të Otrantos. Me urdhër të Hitlerit u dha porosia që raste të tilla të identifikoheshin sa më shpejt dhe personat përgjegjës të pushkatoheshin. Kjo tragjedi e ushtarëve italianë do të përbënte më vonë edhe një prej akuzave me të cilat u ballafaquan në Procesin e Nyrenbergut disa nga drejtuesit nazistë (Procesi për masakrat në Europën Juglindore). Së fundi, një pjesë e vogël e trupave italiane do t’u bashkoheshin partizaneve, duke krijuar Batalion “Antonio Gramshi”.

*Autori, ish-ambasador i Shqipërisë në Gjermani

/Gazeta Panorama

AT GJERGJ FISHTA ofm KA DATAT E DALTUEME N’ GUR- Permbledhje nga Fritz RADOVANI: IV

                                             (Grafikë nga F.Radovani 1991).

”DORA E AT GJERGJ FISHTES SIPER ALFABETIT GJUHES SHQIPE, SOLLI PERJETSINë E TIJ N’ ZEMREN DHE MENDJEN E POPULLIT SHQIPTAR !”

MUEJ  DHETOR  I  PERKET  KUJTIMEVE  T’ AT FISHTES!  E PA AT GJERGJIN S’KA AS SHQIPNI !

                                               

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

                                        AT GJERGJ FISHTA O.F.M. (1871 – 1940)                                                                                   

*At Gjergj Fishta OFM.(1871 – 1940)

Asht le në fshatin Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Ishte i biri i Ndokë Simon Ndocit e i Prendes të Lazer Kaçit prej Kotrri me emnin Zekë.

*Asht pagëzue nga italo-arbneshi At Leonardo de Martino, famullitar në Troshan.

*Shkolla e Fretënve (Etënve Françeskaj) ishte hapë qysh më 1861 në Shkodër.

*Në vitin 1880 në Troshan afër vendlindjes së Fishtës, françeskanët në kuvendin e tyne hapin Kolegjen ku Zefi vijon sërish mësimet në Troshan, Eprorët vendosin që t’a dërgojnë për studime të mandejshme në filozofi e teologji në Bosnje.

*Bosnja në këtë kohë sapo kishte fitue pavarësinë nga Turqia dhe katolikët studionin tek Urdhni françeskan. Në Bosnje françeskanët kishin një histori të mirë tradicionale të tyne me kisha, famulli, kuvende, kolegje e seminare.

*Mbas 5 vitesh studime në Troshan, Zefi u nis vetë i shtati më 1886 së bashku me At Ejëll (Sebastjan) Paliq, At Severin Lushaj, At Pjetër (Simon) Gjadri, At Loro Mitroviç (Pashko Mazreku), At Bona Gjeçaj dhe At Pashko Bardhin (Anton Nënshati me emrin e pagëzimit, Martin; Jozef Blinishti, me emrin Mhill).

*Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Lexonte klasikët grekë e latinë si dhe Dante Alighieri (1265-1321),*Sikurse dëshmon biografi i parë i jetës së Fishtës, njikohësisht edhe koleg i tij At Pashko Bardhi. Fishta dallohej në provat e hartimeve në punimet filozofike, teologjike e letrare vjetore në gjuhët latine, italiane dhe kroate.

*Fishta ideoi krijimin e një shoqnie të vogël letrare-artistike, e cila do të mund zhvillonte e të ruente traditat dhe vlerat ma të mira të kulturës shqiptare. Në një letër, e cila mban datën 2 shtator 1892, ndër 10 nënshkruesit ishte edhe emni i fra Gjergjit. Ruejti emnin Gjergj, emën me anë të të cilit ne sot e njohim poetin kombëtar. Emni i fundit Gjergj, në aspektin fetar, personifikim i Shën Gjergjit, martir, shek. V, dhe në anën kombëtare, emri i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti. Fishta shpenzonte pak kohë në përgatitjen e mësimeve, mbasi mjaftonte një lexim i vetëm që ai t’i riprodhonte gati krejt përmendësh.

*Në vitin 1893 kandidati për meshtar kthehet në Shqipni, tashma i formuem edhe me kulturë gjuhësore në disa gjuhë (latinisht, italisht, kroatisht, frangjisht e gjermanisht), me njohuni mbi muzikën, artet figurative e letersinë).

*Të dielën më 25 shkurt 1894 në moshën 23 vjeçare, tha Meshën e parë në Troshan.

*At Fishta caktohet famullitar i përkohshëm në famullinë e Gomsiqes.

*Detyra e famullitarit i jepte mundësinë që të ishte vazhdimisht në kontakt me grigjën e tij shpirtnore dhe në këtë mënyrë të prekte me dorë e të kundronte për së afërmi cilësitë morale e shpirtnore të banorëve të këtyre maleve, doket, gjuhën shpesh enigmatike, bujarinë, nderen, besnikëninë, trimëninë, urtësinë, krenarinë, drejtësinë, vorfnninë ekonomike, mungesën e shkollimit, hakmarrjen, dëshirën për të kenë të lirë.

*At Gjergj Fishta do të grumbullonte visarin gjuhësor, i cili do të ishte brumi me të cilin do të gatuente ma vonë veprën e tij letrare.

*Në Gomsiqe; “…At Fishta do të njohë deri edhe skutat ma të thella, njerëzit që u bindeshin normave juridike të Kanunit, Kodit Zakonor të Shqiptarve ku asht pasqyrue shpirti i vërtetë i rracës.” “Në Gomsiqe, ishte koloriti i gjuhës së Zadrimës,”

*Më 1899, At Gjergj Fishta shkruen me alfabetin latin të françeskanëve.

Pra më 1899, falë miqësisë dhe admirimit që krijoi tek Abati Imz. Prengë Doçi, një nga personalitetet intelektuale ma të kulturueme të kohës, ky i fundit e ftoi At Gjergj Fishten si bashkëthemelues të shoqërisë «Bashkimi» me Dom Ndoc Nikajn e me At Pashk Bardhin, At Ambroz Marlaskajn, etj.

*Më 1899 themeloi Shoqëninë Letrare “Bashkimi” sëbashku me abatin të Mirditës, Imzot Preng Doçi. At Gjergj Fishta i zotnonte të gjitha nivelet e komunikimit në gjuhën shqipe

*Po at vit i vritet vëllai për gjakmarrje, që u ba shkak që ai të shfryhet mbi këtë fenomen në poezinë Gjaksorëve. Me gjith këta, ky e fali mejherë gjaksin e pashpirt, e bâni çmos deri sa i detyroi të vetët jo vetëm me e falë, por edhe me u miqasue ato dy shpi”.

Kjo ishte madheshtia e Tij shpirtnore!

*1989 Shënon fillimin e krijimtarisë letrare të Fishtës, e cila nis e publikohet së pari në revistën Albania të Faik Konicës, por gati e gjitha me pseudonime. Po ashtu do të botojnë edhe në të perkohshmen Elcija (mâ vonë: Lajmtari) i Zemres së Krishtit.

*Në 1902 emnohet sekretar i Komisariatit të Misionit Françeskan si dhe drejtor i shkollës Françeskane në Shkodër. Si i pari drejtor shqiptar i kësaj shkolle, At Fishta vendos në programin mësimor në vend të gjuhës italiane, gjuhën shqipe në të gjitha landët.

*Më 1911 u festue 50-vjetori i hapjes së saj, dhe me këtë rast u ba nji aktivitet kulturor, në të cilin nuk munguen me pjesëmarrjen e tyne autoritetet zyrtare, fetare, shërbimi diplomatik, (i konsullatës austro-hungareze), dhe shumë antarë të bashkësive të tjera fetare myslimane dhe ortodokse.

*Me 24 mars 1912, programi i këtij aktiviteti ishte përgatitë prej vetë At Fishtës. E thirrun prej të gjithëve në Shkodër si shkollë kombëtare.

*Në verën e vitit 1902, gjatë pushimeve të verës At Fishta shkonte në Rrapshë të Hotit për të zëvendësue famullitarin e atij fshati, Át Leonard Gojanin, e aty frati do të njihej e të lidhte miqësi me plakun Marash Uci, të cilin do ta përjetësonte ma vonë në vargje.
“Kënaqej poeti, tue veshtrue kallximet e kreshnikut të maleve mbi lufta, në të cilat ai vetë kishte pasë marrë pjesë si i ri. Përleshja te Ura e Rrzhanicës iu ngul At Fishtës në tru dhe, pa u largue nga ambienti i ushtarëve me çakçirë e kapuç të bardhë në krye, u vu ta përshkruej, ashtu si e kishte ndigjue nga luftari.”

*Në vitin 1904 Át Pashk Bardhi, ndërsa nepte mësimin e gjuhës shqipe në Borgo Erizzo (Zara, Dalmaci) (Kroaci) dhe ishte kthye në Shkodër për pushime, merr prej At Fishtës për të lexue dorëshkrimin e disa kangëve dhe mbasi dha pëlqimin për to, vendosi m’i botue. Do t’ishte Faik Konica, botuesi i revistës Albania dhe njikohësisht miku i tyne, si dhe ndihma financiare e Ministrisë së Jashtme Austro-Hungareze, të cilët do të kontribuonin në botimin me titullin: Lahuta e Malsis – Kangë Popullore I – Marash Utsi. Do t’ishte kjo sprova nismëtare, që do t’i nepte edhe famën At Gjergj Fishtës. Edhe pse u botuen pa emën, At Fishta muer urime e lavde nga shumë miqë, intelektualë shqiptarë mbrenda dhe jashtë Shqipnisë, si dhe nga albanologë të huej.

*Në 1906 Luigj Gurakuqi do t’ia kushtonte At Fishtës veprën e vet Vargnimin n’ gjuhë Shcype, e cila asht metrika e parë në gjuhën shqipe.

*Dy vjet ma vonë, 15 shkurt 1907, sëbashku me At Shtjefën Gjeçovin, themeloi të parën bibliotekë shkollore në Shqipni.

Po këtë vit pranë shkollës çon nji trupë teatrale amatore, në të cilën së pari do të vêntë në skenë pjesët e veta dramatike, si dhe përshtatjet nga gjuhët e hueja, tue vû kështu nji tjetër gur themeltar në kulturën kombëtare.

 

*Po këtë vit Ai arriti me botue pjesën e dytë të “Lahutës” me titullin Vranina, në të cilën protagonisti ishte sivëllai i Marash Utsit, Oso Kuka.

*Në vjeshtën e atij dimni At Fishta hapë kurset e natës për të rritunit, për të mësue shkrim e këndim dhe ma vonë krijon nji shoqni bamirse për fëmijët e vorfën, për të cilët siguron ndihma të ndryshme ushqimore dhe veshmbathje. Ky do t’ishte nji nga shembujt e dashnisë së krishtenë per të vorfnit e Shën Françeskut në mision.

*Këtë vit arrinë me botue në Sarajevë përmbledhjen satirike Anzat e Parrnasit, të cilën At Fishta ua kushton “mikrobeve të Kombit” asaj frotës së shqiptarëve të shitun, pa ndërgjegje e moral mbi të cilët At Fisha lëshon pa mëshirë ironinë dhe sarkazmen e tij.

*Në nandor 1908 mblidhet Kongresi i Manastirit. At Fishta sëbashku me Luigj Gurakuqin merr pjesë atje si përfaqësues i Shoqnisë Bashkimi, ku dhe mbajti ligjëratën “Për alfabetin latin”, që i dha udhëzgjidhje marrëveshjes për alfabetin.

*Karshi Dom Ndre Mjedës, Mati Logorecit, Hilë Mosit dhe Luigj Gurakuqit si përfaqësues nga Shkodra. Aty “Fjala plot kuptim, logjika dhe oratoria e françeskanit të Shkodrës, që e bante At Fishtën të dallohej ndër të tjerë, ku bani që nga 52 anëtarë të Kongresit të fitonte përvedi 49 zâje posi kryetar komisioni, të ngarkuem për studim të alfabetit. Ishte një triumf për fratin e përvuejtë”. Simbas Karl Gurakuqit: “kongresi e pau t’udhës të caktonte poetin kombëtar At Gjergj Fishtën ma fort në shenj nderimi dhe çmimi për veprat poetike”. Për Prof. T. Osmanin përveç kësaj ai u zgjodh edhe për: “erudicionin e thellë, kulturën e gjanë, forcën e fjalës, mendjen e mprehtë dhe logjikën e fortë”.

*Ditën e dytë të Kongresit të Manastirit At Gjergj Fishta mbajti nji fjalim të zjarrtë për vetitë e mira të shqiptarëve dhe për nevojat e tyne. Fjala e At Fishtës në Kongres simbas shtypit të kohës bani për vedi të gjithë delegatët, mjafton me sjellë këtu nji letër të At Pashk Bardhit dërgue At Shtjefën Gjeçovit, në të cilën i shkruen se fjalimi i At Fishtës “kishte ba me kja shumë kongresista dhe mbas fjalimit nji hoxhë toskë e ka marrë ngrykë me lot për faqe”. At Fishta tashma ishte ba një personalitet publik i veçantë në jetët e qytetit të Shkodrës, por edhe të gjithë Shqipnisë, përmes njohjes dhe bashkëpunimit me intelektualët ma të njohun, predikimeve, konferencave, fjalimeve publike etj. Jeta publike kishte ba që ai të merret e të trajtojnë edhe çashtje politike.

*Në të gjitha qeveritë shqiptare prej vitit 1912 e deri sa vdiq, Ai kje përfaqësuesi i vërtetë i shqiptarit dhe i etnisë, kampion i mbrojtjes së të drejtave të popullit të vet. Françeskanizmi shqiptar falë kontributit të At Fishtës do t’ishte ai që njihet. Ai ishte ndër patriarkët e riorganizimit të Provincës. Në cilindo pozicion pune, famullitar, drejtor shkolle, bibliotekar, botues, sekretar province, guardian, definitor, kustod, e Ministër Provincial Ai ishte shembulli i njeriut të përkushtuem, “. Një avokat i përbetuem i integrimit të Shqipnisë në kulturën Perëndimore të krishtenë.” Thotë Át Anton Harapi, nji prej kulturologëve ma të shkëlqyem shqiptar, n’artikullin ”Shqiptari i Madh”, në rastin e nji botimi përkujtimor mbi jetën dhe veprën e At Fishtës, më 1943: ”Kam ndollë vetë aty, kur njiditë, nji shqyptar i këthefit të vjetër, tue ankue për do shpërdorime të nierëzve të Shtetit me At Gjergjin, donte disi me përfundue, se nuk ka Shqypni. Fishta don t’ia spjegojë punën, se njerzt e Shtetit nuk janë Shqypnija, edhe plaku, per me i diftue se kishte mbetë i bindun, i thotë: Po na s’e kemi dijtë, more zotni…veç prej jush e kemi xanë shka asht Shqypnija!”.

*Po këtë vit ai nisë me lexue e njikohësisht tuj studjue me kujdes e vëmendje veprat e Shekspirit e Molierit. Vitin pararendës ai kishte ngritë një teatër të vogël, i cili vijonte ashtu si me nismën e De Martinos. Kështu ai ven në skenë: Gjokë Tarçuku ase mjek përdhuni, I ligu për mend, Dredhitë e Patukut.

*At Fishta pati bashkëpunim me motrat Stigmatine, të cilat kishin ardhë në Shqipni në 1879. Ato mbasi kishin hapë në Shkodër shkollën e tyne për vajza (1876). 1925 e kthejnë me emnin Normalja e Stigmatineve,

*Gjithashtu në 1908-1909 shkruen melodramat Sh’ Françesku i Asizit, e cila u shfaq me rastin e 700-vjetorit të Urdhnit Françeskan (1209-1909), e që u botue në 1912, Odisea, Ifigenija n’Aulli dhe Kryepremja e Shën Gjonit.

*Po në 1909 boton në Zara Pika voeset, Shtypshkroja Vitalini, nji përmbledhje lirikash fetare, vepër së cilës ma vonë do t’ia ndryshojnë titullin në Vallja e Parrizit, por që kështu në botimin e parë ia kushton Luigj Gurakuqit.

*Në 1911, më 19 dhetor, me rastin e 50 vjetorit të hapjes së shkollës françeskane nisë me shkrue dramën Juda Makabe, të cilën e përfundon vetëm mbas tre vjetësh, por këtu në këtë përvjetor u shfaq melodrama Shqyptari i qytetnuem, prej së cilës delte mesazhi i Shqipnisë së lirë, çka shkaktoi entuziazëm e brohoritje tek të ftuemit. At Justin Rrota kujton se “N’atë rasë, nepër dritën e llampave, prej korit së kangtorìs pàshë, ke burra me mustakë e pleqë me thìja, të përmalluem, kjajshin si fëmija”.

*Po këtë vit falë autoritetit që kishte dërgohet nga qeveria turke në Podgoricë së bashku me Imzot Jak Serreqin dhe Dom Luigj Bumçin (1872-1945) si ndërmjetës për arritjen e marrëveshjes së paqes midis Portës së Lartë të Stambollit dhe Malcorëve kryengritës të Malsisë së Madhe dhe të Mbishkodrës që u çuen kundër xhonturqve.

*Më këtë rast nji vit ma vonë dekorohet nga Sulltani me dekoratën Mearif për shërbime paqe dhe humaniteti. Më 28 janar 1912, Klubi “Gjuha Shqype” në pallatin ipeshkvnor në praninë e Imzot Jak Serreqit, përmes kryetarit të saj Ndoc Çobës, i cili më këtë rast mbajti edhe nji ligjëratë mbi veprimtarinë e tij, i dhuroi At Fishtës nji kunorë argjendi për merita në krijimtarinë letrare dhe po këtë vit ai dekorohet dhe nga Mbretnia Austro-Hungareze me medaljen Ritterkreuz (1912), për kontributin kulturor në Shqipni, sikurse e përmendëm nga Turqia u dekorue me dekoratën Mearif (1912), qyteti i Beratit i dërgoi nji pupël ari (pendë) (1913), Piu XI Medaglia di Benemerenza (1925), Urdhni françeskan Lector Jubilatus (1929), Greqia Phoenix (1931); qeveria italiane e bani anëtar të saj, Academico d’Italia më 1939. Miqtë e tij të ngushtë do të ishin Imzot Prengë Doçi, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, At Pashk Bardhi, At Anton Zanoni S.J, At Pal Dodaj etj.

*Nga tetori 1912 deri në fund të prillit 1913, kohë kur Shqipnia gjindej në prehën të pavarësisë së saj, dhe kur Imzot Nikoll Kaçorri dhe Luigj Gurakuqi mbanin në kontakt gjithë zhvillimin e ngjarjeve, për rreth shtatë muej Shkodra u rrethue nga ushtria malazeze ndersa At Fishta me Imzot Jak Serreqin ishin n’ Arqipeshkvinë e Shkodrës,

*Më 12 qershor At Fishta ngriti Flamurin kombëtar në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, që dishmon se edhe Shkodra u bashkue me Shqipninë mbas muejve të gjatë të rrethimit malazez.

*Në tetor të 1913 në prag të përvjetorit të parë të Pavarësisë, At Fishta themelon të përkohshmen Hylli i Dritës, nji nga revistat ma të mira në historinë e shtypit shqiptar. Qè si shkruhej në editorialin e parë të saj “Perlimi ase programi i së përkohshmjes sonë, s’âsht tjetër veç t’orvatunit për lulzim t’Fesë e t’Atdheut, për t’marë t’Familjes e të zhdrivillimit t’Dijes në Shqypni, shka âsht njà për njà si me thânë për gjytetni e përparim të vërtetë t’komit Shqyptar”. Këtu tek kjo revistë At Fishta do të tregojnë nji tjetër cilësi të formimit të tij kulturor: publicistikën e tij. Do të jenë me dheta artikujt letrarë, politikë, pedagogjikë e polemikë që do t’i napin nji tjetër përmasë personalitetit të tij. Tek Hylli i Dritës mbas numrit të saj të dhetë, At Fishta botoi artikullin e famshëm “Nji komedi e pandershme e XX-ës qindvjetë”, në korrik 1914, që u ndërpre nga autoritetet ndërkombëtare (Komisioni i Kontrollit) sepse At Fishta, e dënoncoi hapun për pandershmëni dhe pabesi hipokrizinë dhe intrigat diplomatike që baheshin në kurriz të shqiptarëve.

*Për pasojë drejtori i saj u padit në Romë prej qeverisë ndërkombëtare si njeri i rrezikshëm për qetësinë e vendit dhe u dënue nga koloneli anglez G. Philipps me 20 muaj burgim në Maltë. At Fishta iku mshehtas në Gomsiqe, tek Át Shtjefën Gjeçovi, mandej në Vig, ku ishte Át Pashk Bardhi e ma në fund në Troshan, ku shërbente Át Pal Dodaj, sepse vetëm atje mund t’ishte jashtë juridiksionit të ndërkombëtarëve, të cilët administronin vetëm Shkodrën.

*Për fatin e At Fishtës shpërtheu Lufta I Botnore dhe Ai doli jashtë vëmendjes.

*Më 28 Nandor 1913 u kremtue festa kombëtare, natë në të cilën u lidhën simbolikisht me drita kandilash, minarja e xhamisë së Fushë-Çelës me kumbanoren e kishës së Gjuhadolit.

 

*Gjatë kësaj kohe u desh ndërmjetësia e Imzot Serreqit, Imzot Bumçit e Imzot Kolecit që internimi të pezullohej. Filloi edhe Lufta e Parë Botnore dhe çeshtja e At Fishtës sikur u harrue, sepse ndërkombëtarëve ju desht të merreshin me të tjera gjana ma të rëndësishme.

*Janari i vitit 1916 e gjen Shkodrën sërish të pushtueme, kësaj here nga austro-hungarezët, tashma jo për ndonji përfitim territorial, por ma tepër për justifikim strategjik.

*Ky vit do të shënojnë tri ngjarje të randësishme për At Fishtën: Themelimin e revistës Posta e Shqypniës (5.12.1916 – 11.1918), instalimin e shtypshkronjës françeskane, si dhe krijimin e “Komisisë letrare” me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral (1859-1918). Më 3 gusht 1916 e themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, Rajko Nachtigall, Dom Ndre Mjedën, Mati Logorecin, Gjergj Pekmezin, Át Ambroz Marlaskajn, Át Shtjefën Gjeçovin, Sotir Pecin, etj. Komisia Letrare e Shkodrës hjedhi bazat e drejtshkrimit bazue mbi të dy dialektet e shqipes, si dhe punoi për nji terminologji të re për administratën shqiptare. Mbas disa diskutimeve Komisia vendosi të përdorej “dialekti i Elbasanit” si një kompromis asnjanës për gjuhën letrare, më 1923 me nismën e Sotir Pecit. Ky vendim binte mjaft në kundërshtim me dëshirat e At Gjergj Fishtës, për të cilin dialekti i Shkodrës ishte ma i përshtatshmi. At Fishta shpresonte se koineja shqiptare e Veriut së shpejti do të shërbente si normë letrare për të gjithë vendin, ashtusi gjuha e Dantes kishte shërbye si udhërrëfyese për italishten letrare.

*Po këtë vit më 5 dhjetor 1916 del numri i parë i gazetës “Posta e Shqypniës” shqip – gjermanisht e subvencionueme nga Austro-Hungaria në kuadrin e Kultusprotektorat-it, me gjithë që forcat pushtuese nuk parakishin besim te At Fishta për shkak të aspiratave të tij kombëtare. Doli dy herë në javë për dy vjet me radhë deri më 23 nëntor 1918 (gjithsejt 89 numra), dhe punën e drejtorit për pjesën shqipe e kreu Át Gjergji, i cili botoi aty afro 37 artikuj. Gazeta simbas At Fishtës ishte ”themelue për Kombin Shqyptar; veç po, artikuj kanë me u botue edhe gjermanisht, qi edhe dheu i jashtëm të dijë do punë tona, për të cilat Kombi mundet me pasë interesë…”.

*1916 At Fishta sjell në Shkodër shtypshkronjën, e cila do të marrë emnin Shtypshkroja Françeskane, pra françeskanët tash e mbrapa do të kenë shtëpinë e tyne botuese. Kujtojmë këtu se botimet e deritashme u banë në shtypshkronjën “Nikaj”. Bashkë me Át Harapin, e Gurakuqin bajnë bashkë malcorët e Hotit e Grudës me ra në Shkodër në shenjë proteste për lanjen e ktyne tokave Malit Zi. Më 1917 Kryeipeshkvi i Shkodrës e merr At Fishtën së bashku me Imzot Bumçin si pjestar të grupit negociator mes qeverisë dhe malësorëve. Me përfundimin e Luftës së Parë Botnore, ushtria austro-hungareze tërhiqet nga Shqipnia dhe del në pah çashtja e kufijve territorial. Kryetari i qeverisë së Durrësit Turhan Pashë Përmeti kryeson delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në prill të vitit 1919,

në përbamje të të cilit janë edhe Imzot Luigj Bumçi, Luigj Gurakuqi, Mehdi Bej Frashëri, Dhimitër Berati, Mehmet Konica, Mustafa Kruja dhe Dr. Turtulli.

* Turhan Pasha emnoi Imz.Bumçin në krye të Delegatës, që të ndryshonte pamjen e huej të Shqipnisë si “Turqi e vogël”, tue kenë se ai kishte kenë ambasador i Perandorisë Osmane në Shën Pjetërburg. Mbas nënshkrimit të marrëveshjes më 29 korrik 1919, në mes Tittonit të Italisë dhe Venezelos së Greqisë, për ndamjen e Shqipnisë, simbas Konferencës së fshehtë të Londrës së vitit 1915, delegacionet shqiptare ishin të vendosuna të bashkëpunonin me delegacionin e kryesuem nga Imz. Luigj Bumçi, i cili zgjodhi sekretar të delegacionit At Gjergj Fishtën. Materialin, “Të drejtat e Shqipnisë etnike”, në konferencë të mbajtun në Universitetin e Parisit të shkrueme në frengjisht nga At Fishta e lexoi Imzot Bumçi. Bie në sy në këtë studim përgatitja e gjithanshme historike, kulturore, etnografike, ndërtimi stilistikor në pikëpamje letrare gja që mbetet ende edhe sot nji model i ndërtimit të nji eseje apo shembull oratorie.

*Në letrën e Át Fishtës, datë 13 shkurt 1920, shkrue nga Parisi, provincialit Át Vinçens Prennushit, ndër të tjera thuhej: “Mos tjeter, prej fletoreve do të keni marr vesht, se çë rrezik i zi i kercenohet Atdheut t`onë. Me 20 të Kallndorit Konferenca u ka parashtrue Jugosllavëve nji projekt, mbas të cilit Greqija merr Shqipniën jugore me Korçë e Argjirokaster; Italia Vlonen me hinterland e mandat mbi Shqypniën e mesme; Jugosllavija pershtrihet deri në Dri ose, ndoshta der n`Mat”. Tue kenë se situata ishte ndërlikue së tepërmi, në lidhje me shqiptarët dhe tue mos gjetë mbështetje nga Konferenca, delegacioni shqiptar, simbas letrës së At Fishtës, dërgon në Romë Imzot Bumçin, së bashku me Mehdi Frashërin, ditën e dytë të Krishtlindjeve, tek Papa Benedikti XV. Papa, tue kenë nga takimi i maparshëm i mirinformuem rreth problemit shqiptar, ndigjoi me kujdes të madh shqetësimet e delegacionit tonë. Në fund të bisedës, tue kenë i bindun se rreth çështjes në fjalë, do gjejë mbështetje në partinë katolike në Parlamentin italian, në diplomacinë angleze dhe amerikane, me të cilat Vatikanit kishte marrëdhënie të mira, Papa pat deklarue se do bante çmos për ta shpëtue Shqipninë nga moscopëtimi i mandejshëm i saj. Tok me Imz. Bumçin më 5 shkurt, 1920, zhvilluen takimin e radhës me kardinalin në zâ të Brukselit, Disidre Mercier, primat i Belgjikës që me ndërkombtarizue ma ndej çashtjen kombëtare, i cili muer përsipër t’i shkruente në favorin tonë kardinalit të Londrës dhe të Burnit, ekselencës së tij Balfuorit, mandej, mareshalit Fosh, Dechanelit, Milerandit etj. Mundi dhe djersa e At Fishtës dhe e të gjithë tjerëve, që u kunorëzue me pranimin e shtetit tonë më 30 gusht 1919 nga Brukseli.

* Më 19 dhjetor 1920, në Lidhjen e Kombeve, me këtë rast Shqipnia së fundi siguroi tanësinë e saj, në kufijtë e Konferencës së Londrës të vitit 1913. Kështu Papa Benedikti XV, më 12 nëntor 1920, emnon Imz.Ernesto Cozzi-n Delegat Apostolik për Shqipninë, 35 ditë përpara se Lidhja e Kombeve ta njihte Shqipninë si shtet sovran, që do të thotë se Vatikani realizoi i pari njohen diplomatike de facto të vendit tonë. Mbasi pranon se edhe ai vetë, sa herë ka marrë pjesë në bisedimet me delegacionet e huaja:”Të them të verteten se m’âsht dasht t’skuqesha për inferioritetin t’em. Âsht e kotë të gënjehemi. N’se përjashtohet Gurakuqi qi vetëm ai ka nji kulturë të përshtatshme, ka nji atdhetari të shëndoshë dhe nji njohuni të gjânë për njerëzit dhe për sendet e Shqypnisë, asnji nga anëtarët e qeverisë, kjoftë të saj së maparshmes, kjoftë të së tashmes, nuk mund të thotë se e paraqet denjësisht Shqypninë dhe të mbrojë si duhet interesat e saj”.

 

*Më 1921 ridel mbas 7 vitesh revista Hylli i Dritës në rrugën e ndërpreme, ndërkohë që aktivitetin e tij botues, At Fishta e zhvillon në revistën “Zani i Shna Ndout”.

*Ndërkohë shkolla publike ishte nji projekt i ri që At Fishta me shokë e kishin gjithnjë në mendje. Niveli i deritashëm nuk ishte i mjaftueshëm prandaj duhej nji gjimnaz klasik.

*Duheshin sigurue ndërtesa, orenditë, paisjet dhe mjetet didaktike shkollore, personeli i duhun, leja prej autoriteteve kishtare e zyrtare. At Fishta së bashku me Provinçialin e ri, At Pal Doden, shkojnë në Romë dhe takojnë Kryetarin e Urdhnit dhe priten për të dytën herë në audiencë nga Papa Benedikti XV, i cili u dha nji shumë prej 100 000 liretash, ndërsa Kuria Gjenerale u nep nji hua me lehtësi shlyemjeje, ndihma të cilat i ndihmuen për hapjen e shkollës publike me emnin tashma të njohun “Illyricum” me nxanës të tre besimeve, katolikë, myslimanë dhe ortodoksë. Ndërtesa e bleme u bekue ditën e Shën Françeskut më 4 tetor dhe mësimin e filloi më 10 tetor të vitit 1921. Në 64 vitet të jetës së saj fillestare, ndër të cilat 22 vite si gjimnaz, tue i hjekë periudhën 3 vjeçare 1933-1936 të pezullimit, kjo shkollë i ka dhanë Kishës 4 ipeshvij, 110 meshtarë, 10 provincialë, 125 fretën.

*Më 6 qershor 1921 në zgjedhjet e para demokratike Shkodrën e përfaqësojnë në Parlamentin e parë shqiptarë si deputetë Don Ndre Mjedja, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi e Hilë Mosi. At Fishta në fillim zgjidhet antar e më vonë kryetar i komisionit të buxhetit, anëtar i komisionit të arsimit dhe në gusht të atij viti zgjidhet nënkryetar i Parlamentit.

Kur dëtyrohet m’e lanë propozon At Ambroz Marlaskajn.

*Mbasi niset në shkurt 1922 nga Liverpuli, në letrën e tij datë 8.5.1922, dërgue provincialit, At Pal Dodajt, nga Uashingtoni thekson se, mbas dymbëdhetë ditëve udhëtimi me vaporr nga Anglia, ma në fund kishte merritë në Amerikë. Viziten e përshkruen mjaft bukur në nji letër dërgue At Justin Rrotes, që daton 11 mars 1922. Pa humbë shumë kohë, kishte fillue me bâ lobing rreth çashtjes së Shqipnisë. *Mbas takimit që pati me françeskanin me ndikim të madh në qarqet diplomatike të Uashingtonit, At Godfried Shilling, At Fishta takoi dhe senatorin katolik, Henri Cabot Lodge, i Partisë Republikane, njeri me autoritet të madh dhe i nji mendimi me Presidentin Wilson për të drejtat e barabarta të popujve.

*Në letrën e naltcitueme, At Fishta do shprehej: “… Asht mirë qi Qeveria e Tiranes, t’i drejtojë nji shkresë nënsekretarit të Ministrisë së Jashtme të Amerikës, tue kerkue zyrtarisht këtë njohje…” Në fund të letrës, shkruen At Fishta: “Ndërkaq vizita eme në Washington ka pasë si përfundim njohjen e Shqypnisë prej anës së Shteteve të Bashkueme të Amerikës. Të gjitha përpjekjet e maparshme të Qeverisë sonë, si ato të “Vatrës”, s’kanë pasë sukses… Kjenë Senatorët katolikë, të cilëve ua paçë paraqitë çashtjen sidomos në pikëpamje fetare, ata qi me ndërhymje të veta xuerën njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija amerikane”.

*At Fishta, takimet në Uashington nuk i kishte ba në rolin e nji deputeti të Shqipnisë, edhe pse ishte mandatar nga populli në dy legjislacione, por si intelektual që kishte marrë famë kombëtare dhe ndërkombëtare. Faik Konica në përgjegje të nji letre që At Fishta i kishte dërgue, i shkruen nga Bostoni këtij të fundit:

“Ju falem nderit për letrën e bukur që më dërguet. Kini lënë ndër Shqipëtarët e këtushëm nji kujtim lartësie dhe drite, që kà shue gjithë moskuptimet e shkueme”.

*Ndërkaq tue u kthye nga Amerika, At Fishta i shkruen Át Pal Dodës se asht tue shkrue nji poemë satirike. Asht fjala për poemën “Gomari i Babatasit”, vepër e cila u botue në dhetor 1923, me të cilën shënoi pjekuninë e tij të plotë artistike.

*Po këtë vit del gazeta “Ora e Maleve”, që u ba shkolla e gazetarisë shqiptare, në të cilën kontribuen oratoria e Dom Lazër Shantojës, mençuria e Luigj Gurakuqit, penda ledhatuese dhe e ambël e Imz. Vinçenc Prennushit, studimet e holla të At Anton Harapit, Nush Topalli, Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, At Bernardin Palaj etj.

*Për këtë gazetë Ernest Koliqi shkruen: “Dihet se Ora e Maleve, e nisun ma s’forti me qellime kulturore, pat menjiherë nji zgjanim të papritun politik edhe u ba organi i nji grupi qi përfshinte në gjiun e vet fuqit fetare, shoqnore dhe ekonomike të Shkodrës unji dhe krejt krahinës së saj. Grupin e kryesonte Luigj Gurakuqi. Shkodra nuk njofti kurr stinë ma të lulzueshme me mugullime qellimesh e vullnetesh për nji përparim të njimendtë qytetnuer. Shkodranët pa dallim besimesh, klasash shoqnore, kulturash, me lagje të qytetit e me katunde e me male kreshnike.., mblidheshin tok rreth Gurakuqit,- Bashkqytetarit zemër-madh e mende-ndritun, qi dinte me pajtue në shkrime në sjellje e në veprimtari ndertuese tharme jetike të traditave të shëndoshta me nevojat e kohës moderne. Ai kalonte udhës i përcjellun gjithkund nga nji tubë djelmoshash e gratë nga dyert e oborreve me fëmij në krah e reshëshin me nji breshën bekimesh.

*Kalonte si profet i rrethuem nga nderimi i dashtun i mbarë nji populli.” dhe vijon: “Prej frymzuesavet qi ishin Imzot Mjedja, Gurakuqi, At Gjergji, prej bashkëpuntorvet të shquem si At Antoni, Shuk Gurakuqi, Kolë Kamsi, At Bernardin Palaj, prej redaktuesavet të rendomtë qi ishim Dom Lazri dhe unë e deri te shtypshkruesat me Gjon Shqipninë ne krye e Tom Laca, shpërdas e shitës i fletores, kjo njehej si nji gja qi ishte pjesë e sejcilit prej nesh, pjesë e shpirtit dhe e jetës s’onë.”

Në votimet për Kuvendin Kushtetues në dhetor të vitit 1923, At Fishta së bashku me Imz Fan Nolin dhe Luigj Gurakuqin përfaqëson Opozitën, por nuk kje e thanë sepse qeveria nuk zgjati as nji vit, për shkak se Ahmet Zogu përmes Partisë Popullore vjen në pushtet më 24 dhetor 1924. Burgosen klerikët: Ndre Mjedja, Lazër Shantoja, Anton Harapi, Bernardin Palaj, Klement Miraj; Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi detyrohen të largohen nga Shqipnia edhe At Fishta për të njajtat arsye largohet gjithashtu në Itali më 1925-26, ku qëndron pranë Urdhnit Françeskan, ku mbas kurimit me kujdes t’ekspozimit në pavionin shqiptar në Romë më 1925, u dekorue nga Papa Piu XII, e jo sikurse asht shkrue në ndonji rast për shërbime klerikale. Hylli i Dritës preu frymën përdhuni edhe njiherë tjetër mbas ndalimit të vitit 1914. Por, penda e poetit nuk heshti. Më 1924 botohet për së dyti “Mrizi i Zanave” dhe në vitin 1925 “Vallja e Parrizit” (botimi i dytë), “Ifigjinia n’Aulli”, “Sh. Luigj Gonzaga” (1927), “Shqyptarja e gjytetnueme”, e cila u shfaq në vitin 1929, dhe, në revistën “Leka”, “Mojs Golemi i Dibrës” e “Deli Cena”.

*Në janar 1930 (këtu incidenti me Portland Cementi (142, 159, 164, 165), nis sërish mbas një ndërprerje prej pesë vjetësh,

Hylli i Dritës, drejtimin e së cilës At Fishta ua besoi sivëllazënve të tij. Po më 1930 emnohet nga Urdhni Françeskan “Lector Iubilatus honoris causa”.

*Në vitet 1930 At Fishta përfaqëson Shqipninë në Konferencat Ballkanike në Athinë, (1930), në Stamboll, (1931), ku ai asht anëtar i delegacionit së bashku me Mehmet Konicën dhe më 1932 në Bukuresht.

*Më 1930 ftohet dhe pranohet anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve në Nju Jork, në të cilin merrnin pjesë shkrimtarë nga rreth 60 shtete të ndryshme të botës. Qeveria shqiptare, për me mbrojtë interesat e vendit, muer pjesë në disa konferenca ballkanike në 1930-1933, nën kujdesin e Francës, ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të Lidhjes së Kombeve. Në këto takime ndërkombëtare, flitej për krijimin e zonës së paqes në Ballkan si dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave në këto vende. Në 1930, konferenca kje mbajtë n’ Athinë, Shqipnia kje përfaqësue nga At Fishta dhe Mehmet Konica.

*At Fishta në letrën e tij, datë 11 tetor 1930, nga Athina drejtue provincialit Át Vinçenc Prennushit, ndër të tjera, thotë se Konferenca nuk kishte sjellë diçka të re, edhe pse Mehmet Konica me referatin e tij, në krahasim më të tjerët, kishte kenë shumë në naltësinë e duhun. At Fishta, në këtë Konferencë kje përqendrue në zhvillimet kulturore në Shqipni. *Konferenca e dytë që mbajtë në Stamboll, në vitin 1931, ku të dërguemit e Shqipnisë, rishtas kjenë At Fishta dhe Konica. Kjo Konferencë, simbas At Fishtës, kje e organizueme shumë ma mirë se ajo e Athinës. Konferenca u hap nga Presidenti i Turqisë, Hasan Begu, fjalën e kishte mbajtë dhe Kryeministri i Turqisë, Ismet Pasha.

*At Fishta, në letrën e tij nga Stambolli të datës 20.10.1931, drejtue provincialit, At Pal Dodaj, tue ba nji përmbledhje të Konferencës, shprehet: “Sod, me 21, kemi pasë luftë më Jugosllav në Komisionin Politik, Mehmet Konica âsht sha keqas me Kryetarin e dergatës Jugosllave me nji farë Topaloviç. Joviç, Kryetari e Dergates Jugosllave i paska thânë Konitzes se âsht i shtímë prej dikúj tjetër me prishë Konferencen.

*At Fishta, thekson se, për shkak të kësaj ngatërrese, në mes këtyne dy delegacioneve, Konferenca kje rrezikue të mbyllej para kohe, por, nga ana e jugosllavëve ishin tërheqë fyemjet e bame ndaj delegacionit shqiptar.

*Derisa grekët, rumunët dhe Turqia kishin kambëngulë që të nënshkruhej në këtë Konferencë pakti për pakicat, nga ana tjetër bullgarët kërkuen që kjo çashtje të shtyhet për nji konferencë tjetër, e cila do mbahej në vitin e ardhshëm. Në vitin 1932 u organizue Konferenca e tretë Ndërballkanike, në Sofje të Bulgarisë, ku morën pjesë të njajtët aktorë dhe pati të njajtën tematikë.

*Át Fishta, posë rolit të delegatit, tashti kishte dhe rolin e provincialit, që përfaqësonte Etnit françeskanë të Shqipnisë. Mbas këtyne Konferencave maratonë Ndërballkanike, gjaja ma e mirë, që ambëlsoi shpirtin e trazuem të poetit, ishte pranimi i tij si anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar i Poetëve, organizatë kjo e themelueme në Nju Jork.

*Ky bashkimi ndërkombëtar i poetëve, ku merrni pjesë rreth 60 kombe të ndryshme, ishte mënyra ma e gjetun për krijimin e urave të reja të bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit në mes diplomacive të shumta botnore.

*Këto vite, ma të frytshmet e jetës së tij, at Fishta i kaloi në qetësinë e kuvendit françeskan të Gjuhadolit në Shkodër, por pa u shkëputë kurrë nga problemet e mëdha qytetase, kombëtare e botnore.

*Të kësaj kohe janë edhe pjesa ma e madhe e dramave lirike, tragjedive etj.

*Më 1931 del nga botimi pjesa e tretë e Lahutës me titullin Lidhja e Prizrendit, e cila ishte botue periodikisht në revistën Hylli i Dritës në vitin (1921-1922).

*Nji vit mandej, pra më 1932 boton në revistën Leka fragmentin në vijim mbas botimit në “Kalendarin e veprës Pijore”, të poemës Mojs Golemi, e cila u la në mes.

*Antiklerikalizmi çuditnisht do të kërkonte të përballej me françeskanët përmes dy ministrave t’arsimit, të cilët ishin katolikë. Ivanaj kërkoj polemikën mbështetë në ligjin e datës 23 prill 1933, i cili i mbyllte tashma shkollat private, e që komunistët do ta zbatonin besnikërisht 13 vjet ma vonë më 1946. Ka ngelë proverbiale thanja e At Fishtës në praní të nxanësve në oborrin e gjimnazit “Rrnoftë Shqipnia pa ne! (Këtu janë françeskanët)”. Gjimnazi u mbyll më 25 prill 1933, mbas 12 vitesh si gjimnaz dhe 72 vitesh si shkollë fillore. Po këtë vit At Fishta do të dishmojë edhe nji tjetër anë të personalitetit të tij kulturor, estetin. Në revistën Hylli i Dritës ai do të publikojë traktatin estetik: “Shenime estetike, mbi natyrë t’artit”, të lavduem edhe nga profesora t’universiteteve britanike tue pa tek At Fishta jo vetëm nismëtarin e atij zhandrri në Shqipni por nji estet të përmasave europiane e botnore që do çonte në nji stad të ri t’estetikës. Gjithashtu me randësi asht reçensioni që shërbeu si parathanje, e bame për librin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, mbledhun nga At Shtjefën Gjeçovi dhe botue mbas vdekjes së këtij të fundit, në të cilën ai shfaqi mendimet e tij vlerësuese për krijimtarinë gojore. *At Fishta në tetor 1934 do të shkruente nji tjetër artikull magjistral si përgjegje ndaj broshurës së Ismet Totos “Grindje me klerin” që ky i fundit kishte shkrue si përgjegje ndaj polemikës që kishte me At Anton Harapin. Mandej At Fishta i mërzitun nga mënyra se si ishin tue shkue gjanat, sikurse edhe në vitet 1924-25, shkon në Itali.

*Në qershor 1935 zgjidhet Proviçial. Po këtë vit rihapet gjimnazi françeskan mbas seancave gjyqsore që kishte fitue në Hagë kundër politikave të shtetëzimit e laicizimit t’arsimit t’aplikueme nga Mosi e Ivanaj. Viti 1937 shënon 25 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë me ç’rast ban edhe botimin përfundimtar të “Lahutës së Malcisë”, e cila i kishte kushtue ma shumë se 30 vjet punë.

*Në prill t’atij viti shkon me mision në Çekosllovaki me detyrë prej Urdhnit.*Pushtimi italian i Shqipnisë më 7 prill 1939 solli pështjellim në jetën politike, sociale e kulturore të vendit. Më 3 qershor 1939 Fishta emnohet Akademik i Italisë, çfarë do të sjellin edhe mjaft polemika dashakeqe në Shqipninë e periudhës 1945-1990. Duhet skjarue se pranimi i këtij vlerësimi nga ana e At Fishtës nuk asht ba prej kurrëfarë hipokrizie politike, aq ma keq kur Shqipnia sa ishte pushtue nga Italia dhe dihen publikisht qëndrimet e At Fishtës.

*Akademia e Shkencave e Italisë, ishte institucion shkencor mbipolitik, dhe si i tillë e propozoi dhe e pranoi unanimisht anëtar efektiv të saj At Fishtën, për nji motiv të vetëm; personaliteti kulturor, letrar dhe pse jo edhe politik që i bante nder asaj akademie.

*Aty nga fundi i vitit 1940 kërkon të shkojnë në Troshan, aty ku kishte nisë së pari jetën rregulltare, e pse jo edhe atë letrare, aty ku kishte mbathë sandalet dhe kishte vu rreth brezit litarin e Shën Françeskut. Sëmuret me 10 dhetor dhe kërkoi pranë vetes mikun dhe Proviçialin At Pal Dodaj dhe sekretarin e tij Át Viktor Volaj, komentuesin e veprës së tij poetike ”Lirikat”. Më 14 dhetor e sjellin në Shkodër, ku e shtrojnë në spital.

*Më 22 dhetor, shikon nga dritaria borën e skllotën që kishte mbulue qytetin, At Fishta e kundron nga dritarja e kuvendit. Më 22 ra një borë e madhe dhe At Fishta mori një polmonit që e rëndoi shndetin e tij. Me 27 dhetor mjekët humbasin shpresat dhe At Fishta bjen në kllapi. Fjalët e thanuna sivëllazënve që i ndejne afër:”Po des kondend (i kënaqun) përse kam punue për Fe, Atdhe, e për Provincën tonë.”,- Me këto fjalë e mbylli testamentin sipas Át Marin Sirdanit.

*Më 30 dhetor 1940 Át Gjergj Fishta nep Shpirt. Arkivoli me trupin e tij u vendos në Kishën e Gjuhadolit prej nga u përcjell në banesën e fundit nga pothuej i gjithë qyteti si dhe autoritetet ma të nalta të kohës. Meshën e përmotshme e mbajti Imzot Gaspër Thaçi Arqipeshkëvi Metropolit i Shkodrës. Telegrame të shumta ngushëllimi muer Provinçiali At Çiprian Nika OFM. Ndersa fratel Sala i mori masken prej dylli.Më 31 janar 1941 Akademia Mbretnore e Italisë mbajti nji Meshë Drite në kishën artistike të saj të Shën Lukës dhe Shën Martinës, meshë të cilën e udhëhoqi Gjenerali i Urdhnit Françeskan At Leonard M. Bello, këndue nga Schola Cantorum e Vatikanit, ndërsa pjesën muzikore të saj e drejtoi muzikanti i njohun Akademik Don Lorenzzo Perosi. Ndërsa nji tjetër ceremoni përkujtimore u mbajt Reale Accademia d’Italia me 9 mars 1941. Përmbledhim këtu me vlerësimin e bamë nga Ernest Koliqi: ”Tek Fishta u shkrinë në nji, tana cilsitë e Tij prej meshtari, oratori, edukatori e politikani, ndërthurun në mënyrë të shkëlqyeme në përkushtimin e lindun ndaj poezisë.”

Për At Gjergj Fishtën, gjuha shqipe asht një pasaportë e gjallë, që provon identitetin e të kenit shqiptar:

”Nper gjuhë shqype bota mbârë

ka me ju njoftë se ç’fis ju kini,

me ju njoftë për shqyptarë,

trima n’zâ, sikurse jini…”

At Gjergj FISHTA O.F.M.

Tituj të veprave:

1*Lahuta e Malcísë” – poemë (Zarë, 1925)

2*Anzat e Parnasit”- satirë (Sarajevë, 1907)

3*Pika voese”, ma vonë ribotue si Vallja e Parrizit (Zarë, 1909)

4*Shqyptari i gjytetnuem” – melodramë (1911)

5*Shqyptarja e gjytetnueme” – melodrama

6*Vllaznia apo Shën Françesku i Assisi-t” (1912)

7*Hylli i Dritës” – Revistë (1913)

8*Juda Makabé” – Tragjedi (1914)

9*Gomari i Babatasit” (Shkodër, 1923)

10*Mrizi i Zânavet” (Shkodër, 1924)

11*Sh. Luigji Gonzaga” (Shkodër 1927)

12*Lahuta e Malcís” – botimi komplet (1937)

13*Jerina ase mbretnesha e luleve”, (Shkodër, 1941)

*Prof. Aurel Plasari ka thanë:

““Duke rikthyer Gjergj Fishtën në historinë e letërsisë shqipe, nuk i japim atij vendin që i takon, por i kthejmë histories së letërsisë atë çka i mungon”.

*At Zef Valentini:

Fishta asht një Homer Shqiptar. Ai nuk asht vetëm një poet i madh kombëtar. Ai asht nga më të mëdhajtë në Botë.

E randësishme asht që Ai të njihet prej saj”. 

*At Gj Fishta nga Lambertz:Albanologu i shquem, përkthyesi virtuoz i “Lahutës Malcisë”në gjermanisht, Dr. i Filozofisë Klasike Maximilian Lambertz (1882-1963 ), shkruen më 1922:“At Fishta asht poeti ma gjenial që deri më sot ka dhanë Shqipnia. Ai asht Epiku ma i madh i shekullit, Homeri Shqiptar dhe Lahuta Malcisë asht Iljada Shqiptare”. (At Gjergj Fishta: “Laute des Hochlandes” Leipzig 1948.

”At Gjergj FISHTA mbas vitit 1990 në Trojet tona, asht matësi ma i sakti i ’zhhvillimit parimeve të demokracisë’ së Popullit Shqiptar!”

 

*Fritz RADOVANI:

Një pyetje: Kush e solli Letersinë Shqipe në Letersi BOTNORE?..

“DATAT E AT GJERGJ FISHTES OFM, JANË TË DALTUEME N’ GUR !”

          Melbourne, 14 Dhetor 2025.

Il Piccolo di Trieste (1914) Intervista ekskluzive me Prenk Bib Dodën në Durrës rreth “aksionit të tij ushtarak” për të shpëtuar Princ Vidin

Prenk Bib Doda (1860 – 1919)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Dhjetor 2025

 

Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të premten e 10 korrikut 1914, në ballinë, intervistën ekskluzive asokohe me Prenk Bib Dodën në Durrës rreth “aksionit të tij ushtarak” për të shpëtuar Princ Vidin, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Aksioni ushtarak i Bib Dodës

Thirrja e Esad Pashës do të kishte ndodhur

(Nga i dërguari ynë special)

Burimi: Il Piccolo di Trieste, e premte, 10 korrik 1914, Ballinë

Durrës, 6 korrik

 

Ministri i Luftës…

 

I madh, i shëndoshë, flokëkuqërremtë, Prenk Pasha vjen të më takojë në pragun e shtëpisë së Nogës, ku është i strehuar, dhe më fton të hyj me një bollëk gjestesh dhe fjalësh. Më kërkon ndjesë që nuk ka mundur të më presë deri sot :

 

— Duke kaluar nga një këshill ministrash në një këshill kurore, nuk kam pasur asnjë çast pushimi gjatë këtyre dy ditëve që jam në Durrës; ju jeni i vetmi gazetar që ka arritur të më kapë; por…

 

Troket dera. Mirditori që është roje në paradhomë fut dy zotërinj të rinj. Ata prezantohen në frëngjisht :

 

— Ne jemi krerët e vullnetarëve austriakë, Prenk Pashë, dhe kemi ardhur t’ju kërkojmë leje që të marrim dhe të përdorim për kuzhinën e kompanisë sonë një kazan të madh që ndodhet pas doganës…

 

Bib Doda mendon një çast.

 

— Po mirë. Por vini te unë? Drejtojuni… nuk e di… ministrit…

 

— … ministrit të luftës? — pyesin me ndrojtje dy të rinjtë.

 

— Po, ministrit të luftës.

 

— A na bëni nder, na thoni kush është ministri i luftës?

 

— Eh…

 

Bib Doda mbetet një çast i hutuar, sikur është kapur në faj, pastaj me një gjest të gjerë të krahëve të tij të fuqishëm, më drejtohet mua :

 

— Kush është ministri i luftës?

 

— Ministri i luftës? Nuk do ta dija… Ndoshta askush…

 

Dhe Bib Doda :

 

— Pikërisht. Kush mund të jetë ministër i luftës? Askush…

 

Pastaj duke iu drejtuar dy zotërinjve të rinj :

 

— Duhet të shkoni te ndonjë ministër tjetër : ai i luftës nuk ekziston.

 

Situata bëhet jashtëzakonisht gazmore. Dhe ndërsa dy vullnetarët kërkojnë emrin e ndonjë ministri tjetër, unë sugjeroj duke qeshur :

 

— Noga…

 

Bib Doda nuk e kupton ironinë; ose ndoshta, për t’u hequr qafe atë “hije” të kazanit, e miraton seriozisht. Dhe i shoqëron dy vullnetarët te dera ngjitur, që të çon në zyrën e Shkëlqesisë së Tij, ministrit të financave…

 

Kurrë si sot, nuk e kam admiruar atë gazetar nga Nju Jorku, i cili, pasi kishte mbërritur në Shqipëri nga bota e re dhe u pyet nga një koleg italian nëse në Amerikë interesoheshin shumë për çështjet shqiptare, u përgjigj :

 

— Aspak, fare; por më duket se argëtimi ia vlen udhëtimin tim… “sepse është qesharake lindja e një shteti…”

 

Është si një dramë e vogël komike e jetës së përditshme të një familjeje fshatare që papritur ngjitet në shkallën e familjes borgjeze : Shqipëria është ende një fshatare e mirë; por një borgjeze e keqe, një borgjeze qesharake…

 

Një film pothuajse për të qeshur nga fillimi në fund

 

Bib Doda :

 

— Pra, doni të dini diçka për fushatën time? Do të bënit mirë të mos më pyesnit. Ah, më kanë turpëruar! Malësorët, e dini! Jo mirditorët e mi! Por unë i kisha dyshuar që në fillim se nuk ishin njerëz të besueshëm: nuk bënin gjë tjetër veçse vidhnin ditë e natë dhe nuk donin të bindeshin; edhe njerëzit e mi vidhnin, por vetëm natën; ndërsa ditën, të gjorët, qëndronin me mua, besnikë…

 

— Do të doja të dija si u zhvilluan ngjarjet…

 

— Ngjarje? Jemi nisur nga Lezha tetë a dhjetë ditë më parë dhe nuk kemi takuar kurrë ndonjë kryengritës; vetëm dele, dhi, lopë… dhe malësorët… — dhe bën një gjest shumë domethënës me dorë, duke e theksuar fjalën dhe gjestin me një vështrim plot dinakëri fshatare.

 

— Po a s’patët kurrë ndonjë betejë?

 

— Kurrë. Njerëzit e mi, kur shpërndaheshin shumë në grabitje, hasnin ndonjë rezistencë nga fshatarët pronarë të bagëtive; por dy të shtëna pushke, katër, tetë… dhe gjithçka mbaronte.

 

— Dhe pse u shkatërrua Ishmi?

 

— Ah! Në fund malësorët u bënë të egër: fanatizëm i krishterë si reagim ndaj fanatizmit mysliman të armiqve: po të vazhdonte kështu, do të ishte bërë keq…

 

— Por thuhet gjithashtu se njerëzit tuaj kanë djegur të gjallë disa kryengritës…

 

— Ndoshta. Mua nuk më kanë thënë gjë, prandaj nuk di me siguri. Por mund të jetë: ju përsëris se ishin bërë të egër.

 

— Po ju vetë, nuk mund t’u kundërviheshit këtyre teprimeve të barbarisë?

 

— “A mundeshit…” : besoja se mundesha, por nuk donin të më dëgjonin më. Pasi u furnizuan mirë me plaçkë, nuk më bindeshin më, kërkuan të largoheshin. Më kot përpiqesha t’u shpjegoja pse kishin ardhur për të luftuar, më kot u flisja për mbretin. Më përgjigjeshin se kishin ardhur në luftë për të bërë plaçkë. — Atëherë u thashë — dërgojeni plaçkën në shtëpitë tuaja dhe qëndroni të luftoni, kështu, të paktën, do të mund të bëni edhe më shumë. Por (në thelb, jo njerëz të këqij…) nuk deshën të ishin të pangopur, dhe këmbëngulën vendosmërisht të largoheshin; madje u larguan fare. Dhe unë mbeta vetëm me katërqind mirditorët e mi dhe me pesëdhjetë njerëzit e Bajram Currit. Çfarë mund të bëja tjetër veçse atë që bëra, u tërhoqa me ta në Slinë, pastaj më lart, dhe erdha në Durrës për të folur me mbretin dhe për të inkurajuar këtë mijë besnikësh që kisha dërguar këtu. Këta janë vërtet trima… Madje, nëse doni të bëjmë disa hapa, të shkojmë t’i shohim tani në kazermë.

 

— Me kënaqësi.

 

Bib Doda ngrihet, vë plisin (qeleshen) dhe më thotë :

 

— Shikoni: e thosha dje me shaka disa miqve këtu: “Ju deshët, sapo ra Turqia, ta flaknit plisin (qeleshen) dhe të merrnit një mbulesë tjetër koke, takijen; unë nuk u nxitova: ju jam dukur konservator; por ja që tani jam më përpara se ju…”

 

Dolëm jashtë. Një oborr i vogël mirditorësh që rrinë pa punë në paradhomë dhe në holl ngrihet dhe na ndjek; dhe rrugës, të gjithë mirditorët që hasim, pasi përshëndesin me nderim të thellë zotërinë e tyre, fillojnë të na ndjekin: është një kortezh i çuditshëm njerëzish që shtohet hap pas hapi; kur arrijmë në kazermë, janë më shumë se njëqind mirditorë që na ndjekin. Dhe brenda, në oborrin e kazermës, sapo shihet Prenk Pasha, të gjithë mirditorët vrapojnë te pushkët dhe rreshtohen me një çrregullim piktoresk që megjithatë nuk është më pak i respektueshëm.

 

Bib Doda buzëqesh, teksa më bën të kaloj atë lloj parade : është i kënaqur me “blufin” e tij koreografik. S’ka ç’të thuash; filmi është i përsosur: duket pothuajse si jeta reale.

 

Gjërat më serioze

 

— Dëgjoni, Prenk Pasha, cili është motivi i ardhjes suaj në Durrës?

 

— Kam ardhur për të riorganizuar mirditorët që ndodheshin këtu dhe që dukej se kishin humbur çdo shenjë disipline.

 

— Vetëm kaq? Në politikë kjo është një përgjigje shumë pak e mjaftueshme. Çfarë ka të vërtetë në zërat për një propozim tuajin për formimin e një ushtrie të dytë?

 

— Propozimi, nuk ka rëndësi nëse ka qenë nga unë apo jo, është bërë. Dhe më duket se është e vetmja zgjidhje për të shpëtuar situatën pothuajse të dëshpëruar të tanishme.

 

— Nuk mendoni se do të përsëritej një përvojë e keqe?

 

— Jo! Këtë herë do të kërkojmë njerëz të besuar, njerëz të aftë të mos vjedhin…

 

— …duke i paguar mirë, fort mirë…

 

Bib Doda nuk e kupton ironinë dhe e vërteton :

 

— Sigurisht, sigurisht. Njerëzit duhet t’i paguash mirë që të jenë besnikë.

 

— Pra besoni se është e mundur të shpëtohet situata dhe të shpëtohet mbreti?

 

— Nuk kam asnjë dyshim. Dhe për ne, sot, ta shpëtosh mbretin do të thotë të shpëtosh Shqipërinë. Ja pse ne e mbështesim atë me këmbënguljen e dëshpërimit. Ditën që Vilhelm Vidi të largohej, Shqipëria do të ndahej (copëtohej) nga të huajt.

 

— Dhe si mendoni se mund të shpëtohet mbreti?

 

— Me ndërhyrjen e armatosur të Europës, më mirë se çdo mënyrë tjetër.

 

— …apo me kthimin e Esadit?

 

Bib Doda buzëqesh.

 

E pyes :

 

— A është e vërtetë që pashai i Tiranës është thirrur vërtet?

 

— E dini, ishte një ide personale e imja ajo që situata mund të shpëtohej nga bashkimi im me Ismailin dhe me Esadin.

 

— …triumvirati… Dhe a e thirrët?

 

Prenk Pasha nuk përgjigjet drejtpërdrejt :

 

— Por mos mendoni se ka qenë një nismë e imja personale; qeveria nuk ka lidhje me këtë…

 

— …siç nuk kishte lidhje as në bisedimet me kryengritësit, derisa ato të kishin ecur mirë, apo jo?

 

Bib Doda buzëqesh dhe hesht. E pyes :

 

— Pra, çfarë mendimi keni për Esadin?

 

— Ja: do t’ju tregoj një episod. Më pak se pesë muaj më parë e takova në Hotel Continental në Romë, kur po përgatitej me komisionin shqiptar të shkonte t’i ofronte kurorën Vidit. Atëherë e qortova: “A nuk ke pendesë që po sakrifikon kështu një njeri? Që po shkoni ta merrni atë princ të mjerë dhe ta sillni në këtë vend që (ashtu siç ia keni fshehur me siguri) nuk ka pasur kurrë një ide të vërtetë qeverisjeje dhe sovraniteti?” Esadi atëherë ngriti supet dhe buzëqeshi. Ah, ka vepruar shumë keq…

 

— Po pastaj? Mërgimi?

 

— Pastaj u sollën shumë keq me të. Edhe sikur të kishte bërë diçka, nuk ishte ajo mënyra dhe as koha për ta trajtuar kështu.

 

— Ndoshta nuk duhet treguar shumë delikatesë në zgjedhjen e politikanëve shqiptarë?…

 

— Kjo kuptohet!

 

— I keni lexuar gazetat, Prenk? Çfarë mendimi keni për titujt lavdërues me të cilët ju nderojnë këto ditë?

 

Ai buzëqesh dhe, me një goditje humori :

 

— Në fund të fundit… besoni vallë se unë kam një mendim tjetër për veten time?

 

— Është e vërtetë… Përndryshe nuk do të kishit mundur, herën e parë që e takuat Vilhelm Vidin, t’i jepnit atë këshillë të shkëlqyer : “Nëse doni paqe në Shqipëri, Madhëri, nëse doni të mbretëroni në qetësi, duhet të bëni një gjë : të prisni kokat e Ismailit, Esadit dhe timen…

 

Bib Doda shpërthen në një të qeshur të fortë dhe të sinqertë :

 

— Si e mësuat këtë?…

 

Bruno Astori

Il Piccolo di Trieste (1913) Intervista ekskluzive me Prenk Bib Dodën, princin e Mirditës, mbi dorëzimin e Shkodrës dhe fatin e ardhshëm të Shqipërisë

 

Prenk Bib Doda (1860 – 1919)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Dhjetor 2025

 

Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të mërkurën e 30 prillit 1913, në ballinë, intervistën ekskluzive asokohe me Prenk Bib Dodën në Trieste rreth dorëzimit të Shkodrës dhe fatit të ardhshëm të Shqipërisë, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 

Një intervistë me Bib Dodën, princin e Mirditës

Burimi : Il Piccolo di Trieste, e mërkurë, 30 prill 1913, Ballinë

Prenk Bib Dodë Pashai, princ i Mirditës, ndodhet përkohësisht në Trieste. Pas një qëndrimi të gjatë në Itali, ku ka jetuar pothuajse në heshtje, duket se ka ndërmend të kthehet në Mirditën e tij malore, të cilën prej gati një viti nuk e ka parë.

 

Ai është një figurë madhështore shqiptari, me përmasa atleti dhe me një vështrim të gjallë inteligjence e dinakërie. Flet disa gjuhë; në italisht shprehet me qartësi të rrjedhshme dhe korrektësi. Një energji krenare i lexohet në fytyrë; dhe me të vërtetë, ai është prijësi i 50.000 mirditorëve dhe i rreth 150.000 shqiptarëve të tjerë që jetojnë në fise të shpërndara në kufi me Mirditën dhe që e njohin atë si krye të tyre shpirtëror. Njeri veprimi, ai ka qenë shumë i frikshëm për Abdul Hamidin, i cili për njëzet e tre vjet e mbajti në mërgim, larg atdheut. Megjithatë nuk ka mbajtur mllef ndaj sulltanit të vjetër gjakatar, i cili, ndonëse e internoi, e kishte emëruar pashë civil dhe ushtarak; përkundrazi, edhe sot ai vlerëson mendjen e ndritur dhe vullnetin e prerë të tij. Madje, në shpërthimin e revolucionit xhonturk, e kishte nxitur sulltanin të rezistonte me çdo kusht, por më kot, sepse Abdul Hamidi nuk kishte ditur tu qëndronte presioneve të shqiptarit inteligjent, i cili në ardhjen në pushtet të xhonturqve shihte anarkinë dhe shkatërrimin e Perandorisë Osmane.

 

Bib Doda më priti në dhomën që zinte në hotelin “Excelsior” të sheshit, ku shumë anëtarë të kolonisë shqiptare të Triestes kishin ardhur për ti bërë nderime. Duke pasur parasysh peshën e personalitetit të tij dhe momentin e rëndë politik, kisha frikë se princi do të kishte ndonjë hezitim për të dhënë një intervistë. Përkundrazi, sapo i ishte dorëzuar kartëvizita ime, më priti me përzemërsi dhe me një familjaritet shumë të sjellshëm.

 

Natyrisht, sipas zakonit të mirë shqiptar, ende pa hapur gojën për të formuluar pyetjen e parë, Bib Doda më ofroi një cigare. Pastaj, pa pritur që ta pyesja, filloi të fliste :

 

— E marr me mend tashmë qëllimin e vizitës suaj. Rënia e Shkodrës është një fakt që më ka hidhëruar thellësisht mua, ashtu si çdo shqiptar tjetër. Sidomos kushtet në të cilat ndodhi kjo rënie e kanë komplikuar edhe më tepër çështjen tashmë të ndërlikuar shqiptare, në një mënyrë vërtet të papritur. Megjithatë do të gënjeja po të thosha se nuk e kisha parashikuar tashmë dy javë më parë, duke biseduar pikërisht me disa shqiptarë të Triestes, goditjen — po ta quajmë kështu — të Esad Pashës.

 

— Shkëlqesia Juaj mendon se bëhet fjalë për një marrëveshje të mirëfilltë midis Esadit dhe Malit të Zi?

 

— Jo vetëm kaq mendoj, por shtoj se në organizimin e këtij mashtrimi ndaj Fuqive të Mëdha shoh dorën e Rusisë dhe pëlqimin e plotë të Turqisë. Esad Pasha ka vepruar me siguri nën trysninë e ardhur nga Stambolli dhe ka gjetur Malin e Zi të gatshëm ta ndihmojë lojën e tij.

 

— Si e shpjegoni dorëzimin e Shkodrës nga ana e gjeneralit, pasi e kishte mbrojtur kaq me ngulm dhe për kaq kohë?

 

— Esadi është mysliman dhe e gjithë forca e tij qëndron në ndikimin e madh që gëzon mbi elementin shqiptar mysliman, sidomos në Shqipërinë e Mesme. Pikërisht aty ai zotëron prona të mëdha feudale dhe aty dëshiron të krijojë bërthamën e mbretërisë së tij, e cila, për tu varur nga sovraniteti i Portës së Lartë, duhet patjetër të jetë një mbretëri thelbësisht myslimane. Shkodra katolike, përkundrazi, nuk përbën për të, as për synimet e tij, atë interes që mund të mendohej. Prandaj sakrifica që ai bën duke e dorëzuar — gjithnjë nëse versionet e dhëna deri tani nga shtypi janë të sakta — Malit të Zi, nuk është aq e rëndë.

 

— Shkëlqesia Juaj beson në suksesin e kësaj ndërmarrjeje të guximshme?

 

— Nuk është kurrë e mençur të bëhen parashikime në çështje kaq delikate: e keni parë sa befasi mund të ndodhin! Por nuk besoj se gaboj po të them se, nëse Xhavit Pasha i bashkon vërtet forcat e tij me ato të Esadit, pozita e mbrojtësit të Shkodrës në Shqipërinë e Mesme do të forcohet aq shumë, sa do tu shkaktojë jo pak shqetësime atyre që dje mendonin se, në rast të një pushtimi ushtarak, do të ndeshnin vetëm fise të varfra malësorësh të paarmatosur. Pas provës që ka dhënë në Shkodër, nuk ka nevojë të shpjegohen më tej cilësitë e tij si ushtar.

 

— Pra, më shumë se një “bluf”, Shkëlqesia Juaj mendon se bëhet fjalë për diçka serioze?

 

— Pikërisht kështu besoj.

 

Biseda u kthye më pas te qëndrimi i Fuqive të Mëdha ndaj Malit të Zi.

 

Prenk Bib Doda e njeh shumë mirë mbretin Nikollë.

 

— A do të tërhiqet mbreti i vjetër?

 

— Jo, — u përgjigj princi. — E njoh shumë nga afër karakterin e mbretit malazez për të supozuar se ai do të heqë dorë nga Shkodra. Tani që është aty, do të bëjë gjithçka për të qëndruar.

 

— Cila zgjidhje i duket sot Shkëlqesisë Suaj më e dobishmja për Shqipërinë e re?

 

— Ka vetëm një zgjidhje, — u përgjigj Bib Doda pa hezitim. — Ndërhyrja evropiane, qoftë e Austrisë e vetme, e Austrisë së bashku me Italinë, apo kolektive e të gjitha Fuqive të Mëdha, është krejtësisht pa rëndësi. Ajo që ka rëndësi është që ndërhyrja të ndodhë, dhe të jetë energjike, sa më shpejt të jetë e mundur.

 

— Ndërhyrje diplomatike?

 

— Jo, ushtarake! Përndryshe, lamtumirë Shqipëri. Shqipëria ende nuk është e pjekur; pa një pushtim të përkohshëm të huaj, ne do ta shohim të copëtuar nga luftëra të brendshme ndërmjet fisesh e fisesh, ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve. Vetëm një sundim i jashtëm mund të baraspeshojë energjitë ende të egra që gjenden në vend. Çështja e sovranit duhet të kalojë në plan të dytë: më parë duhet të krijohet “shteti” dhe pastaj mund të mendohet për një mbret.

 

Dhe duke shqiptuar këto fjalë me theks të një bindjeje të sinqertë, Bib Doda Pashai ma shtrëngoi fort dorën në shenjë lamtumire.

 

Mario Nordio

“Fatmir Ismail Duro, u vra për kalim të paligjshëm të kufirit, kurse shoku i tij…”- Si u shua ëndrra australiane e dy të rinjve korçarë më ’90

Nga Kastriot Dervishi

Mbrëmjen e datave 9-10 qershor 1990, dy shokë nga Orman Pojani i Korçës, përkatësisht 25 dhe 27 vjeç, u orvatën të arratisen nëpërmjet Postës Kufitare të Shelegurit të Rrethit të Kolonjës. Të rinjtë kishin dëgjuar se kalimi i kufirit nuk quhej më “tradhti ndaj atdheut”.

Fatmir Duro synonte të largohej sepse kishte njerëz në Australi, ndërsa shoku i tij që martohej pas disa ditësh, synonte të mëkëmbej ekonomikisht. Pikërisht në orët e para të datës 10 qershor 1990 (ora e vrasjes është kontradiktore me synim manipulimi), ushtarët e kufirit i pikasën. Ata vranë 27-vjeçarin Fatmir Duro. Gjithë posta me në krye komandantin është ngritur në këmbë.

Nuk e kanë fshehur kënaqësinë se “e vranë njërin”. I ndjeri Fatmir shihet në foto i masakruar me një prej plagëve më të çuditshme që mund të sjellë një vrasje. Personi tjetër mundi të largohej nga vendi i krimit, por u arrestua nga një polic në Barmash. U dënua me 3 vjet e gjysmë burg, për orvatje të kalimit të kufirit në mënyrë të paligjshme.

Më datën 10.6.1990 u ndalua Irfan Sali Liçi, vjeç 27 banues në Orman Pojan të Korçës, kooperativist, për arsye se karakteristikat e tij të jashtme janë të njëshme me shkelësin e kufirit që u largua drejtim të paditur në përpjekje me njësitin kufitar të postës kufitare Shelegur. Në përpjekjen e orës 8.00, 10.6.1990, u vra për tentim të paligjshëm kufirit Fatmir Ismail Duro, banues në Orman – Pojan të Korçës.                                 

Në datën 9.6.1990, në pikën kufitare Shelegur në Ersekë tentuan të kalojnë kufirin për në Greqi, Fatmir Smail Duro vjeç 25 dhe Irfan Sali Liçi vjeç 27, të dy banues në fshatin Orman të rrethit të Korçës.

Hetuesia e rrethit filloi çështjen penale për kalim të paligjshëm të kufirit. Në datën 9.6.1990 rreth orës 24.00 Irfani në bashkëpunim me Fatmirin tentuan për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Të dy këta persona afërsi të kufirit në sektorin e postës kufitare të fshatit Shelegur u ndeshën me njësitin kufitar. Ju është bërë thirrje për t’u dorëzuar, por ata nuk kanë ndaluar.

Njësiti i kufirit ka shtirë me armë duke vrarë Fatmir Duron. Kufoma e tij iu dërgua familjarëve. Irfani ka mundur të largohet përkohësisht, por u kap pas disa orësh dhe u arrestua. Më 17.6.1990 u dërgua në gjykatë.

Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme.

Dëshmitë e hetimit, Irfan Lici, nga dasma, në kufi dhe në burg

Trupi i Fatmir Duros ka qenë i masakruar nga plumbat e shumtë që e kanë përshkruar atë. Në mes të gjoksit madje këqyrej një plagë shumë e madhe. I shpëtuari nga atentati, shoku i tij Irfan Lici u arrestua dhe iu dha gjyqit. Në muajin korrik ai kishte ditën e martesës. Në fillim ai nuk tregon të vërtetën, pastaj në rrëfimin e dytë tregon historinë e ngjarjes në kufi.

Irfan Lici: Mbasi u bënë ndryshime të ligjit nga Kuvendi Popullor (të majit 1990 — shënim), mua më kapte vazhdimisht dhe më bënte muhabet Fatmir Duro. Me të kisha muhabet si me fshatarët e tjerë. Pas ndryshimit të ligjit ai më rrinte afër. Ai më kishte thënë se kishte njerëz në Australi, gjë që unë e dija, pasi ai kishte marrë vazhdimisht dhurata. Ai më tha se kushëriri i tij në Australi kishte vdekur dhe pasurinë e tij do ta trashëgonte Fatmiri.

Në këtë kohë ka ardhur në shtëpi Fatmir Duro. Ai nuk hyri brenda, por vërshëllente nga jashtë. Ka ardhur dy herë në mbrëmje e pastaj ka ardhur në mëngjes. Mëngjesin e 9 qershorit 1990 unë kam marrë në një valixhe nga shtëpia rreth 1.000 lekë. I kam thënë babait se do shkoj të blej rroba dhe ushqime për dasmën time që ishte caktuar më 29 korrik 1990. Fatmiri me tha të gjeja një biçikletë e të nisesha, se na vajti vonë. Nga Luboniku në Korçë erdhëm me autobus urban. Mendimi i Fatmirit se do të mund të iknim e do i sillnim para familjes, ma prishi mendjen. Unë nuk kisha ardhur asnjëherë në Rrethin e Kolonjës, ndërsa Fatmiri kishte ardhur disa herë, kishte parë vendin e piramidën që dukej nga rruga.

Meqenëse më datën 9 qershor 1990 me Fatmir Duron do kaloja kufirin, u kam thënë njerëzve të shtëpisë se do therja cjapin që kisha blerë e do thërrisja vjehrrin tim Nizam Berberi dhe të fejuarën Ardiana. Në darkë erdhi edhe vëllai që është ndarë nga ne, Nazmiu. Atë natë hëngrëm dhe pimë në shtëpinë time. Unë nuk iu kisha thënë gjë njerëzve të shtëpisë, që do kaloja kufirin. Deri në orën 17.30 kemi qëndruar vërdallë në Ersekë. Më pas i kemi hipur autobusit të Lekovikut. Nga autobusi kemi zbritur në fshatin Radanjë.

Kemi zbritur deri te vendi ku dukej piramida. Fatmiri më tha se do prisnim deri sa të errej mirë. Jemi nisur nëpër pyll. Rreth orës 23.30 kemi dëgjuar një të shtënë arme. Me të dëgjuar këtë nuk kemi ecur më, por kemi qëndruar në një vend të fshehtë. Unë aty ku qëndruam, kam fjetur dhe gjumë. Fatmiri nuk fjeti, se mërdhinte. Ai ishte veshur hollë, ndërsa unë trashë. Ai më tha të iknim, pasi nuk e dëgjonte më zhurmën, por dëgjoheshin vetëm disa të lehura qeni. Rreth orës 2.00 te datës 10 qershor 1990 u nisëm përsëri, pasi ikëm ca në drejtim të kufirit ku dukej piramida.

Aty kemi qëndruar derisa zbardhi drita. Me t’u gdhirë Fatmiri më tha të vazhdonim rrugën. Kemi kaluar në një vend me tela që bënin zhurmë. Dëgjuam zëra ushtarësh dhe u kthyem para. Qëndruam të tërhequr, derisa nuk u dëgjuan më zhurma. Ora ishte 7.00. Kemi ikur në krahun e djathtë për t’iu shmangur ushtarëve. Pamë një arkë aty, por Fatmiri më tha të mos e shkelja, se jepte sinjal. Kemi kaluar në brezin e butë duke kaluar mbi gurë, qe të mos linim sinjal. Aty ishte një gardh me shkurre. Fatmiri më mbajti në krah, se jam me nerv shiatik.

Pastaj kemi kaluar një tel të hollë, që ishte i lidhur me disa hunj. Sa u ngjitëm në majë të malit, Fatmiri më tha se këtu duhej të ishte kufiri, por duhej bëre kujdes se ishte vend i zhveshur. Në kohën që ne filluam të ikim me vrap, na kanë qëlluar ushtarët. Unë kam ikur me vrap, Fatmirin nuk e pashë nga iku. Kam dalë në një arë me dru, ku një fshatar po korrte bar. I kërkova drejtimin e Leskovikut. Pastaj kam ikur rrugës për të ardhur në Ersekë. Kam ecur ne këmbë. Në Barmash një polic më pyeti se kush isha. Më kërkoi letërnjoftimin. Ia tregova dhe e gënjeva, por ai më çoi në Degën e Punëve të Brendshme, Ersekë.Memorie.al

“Turistët snajperistë” dhe “çetnikët e fundjavës”: Kush ishin të huajt në rrethimin e Sarajevës?

Xhenana Halimoviq, Meliha Keshmer

Në vendin ku si dhjetvjeçar u godit nga snajperi, në tetor të vitit 1992, Elvedin Suliq sot qëndron i qetë, duke menduar për fytyrën e panjohur të personit që qëlloi mbi të dhe mbi qindra fëmijë të tjerë gjatë rrethimit të Sarajevës.

Shkëmbinjtë e mprehtë ishin një nga bazat e snajperistëve të Ushtrisë së Republikës Sërpska në atë kohë.

Prej aty, snajperistët kishin pamje të qartë mbi rrugën ku banonte Elvedini në lagjen e vjetër Sedrenik.

Elvedin Suliq në vendin prej ku u plagos nga një snajper.

Elvedin Suliq në vendin prej ku u plagos nga një snajper.

“Isha kështu, me shpinën kthyer, duke luajtur me fëmijët. Dëgjova një breshëri të shtënash. Të gjithë fëmijët ikën, të shpërndarë, por unë u qëllova”, kujton Elvedini plagosjen e tij në vitin 1992.

Ai thotë se snajperisti nuk u ndal pas goditjes së parë: “Përpiqej të më eliminonte, të më vriste qëllimisht”.

Hasan Jusoviq, fqinj i Elvedinit dhe shofer taksie, kujton gjithashtu se snajperisti ishte këmbëngulës në planin e tij për ta vrarë fëmijën.

“E tëra çfarë dëgjoja, ishte një rënkim. Thanë, një fëmijë i plagosur”.

Hasani kishte makinë dhe donte ta çonte Elvedinin në spital.

“Të shtënat filluan përsëri, u ktheva, fëmija ishte në ulësen e pasme, i shtrirë, i përgjakur… Gjak kishte në të gjithë ulësen. Nisa makinën me shpejtësi të plotë drejt spitalit. Fëmija ulërinte, por ishte i vetëdijshëm. Xhami i pasmë shpërtheu, më goditi…”, kujton Hasani.

Hasani dhe Elvedini - më shumë se 30 vjet pasi plumbi i një snajperi i lidhi përgjithmonë.

Hasani dhe Elvedini – më shumë se 30 vjet pasi plumbi i një snajperi i lidhi përgjithmonë.

Gjatë pothuajse katër vjetëve të rrethimit të Sarajevës nga Ushtria e Republikës Sërpska, çdo i dhjeti fëmijë nga mbi 1.600 që u vranë në qytet, u godit nga snajperi, sipas të dhënave të shoqatave të viktimave dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare. Mbi 14.000 fëmijë u plagosën.

Elvedini nuk e mori vesh kurrë se kush ishte njeriu që e plagosi.

Asnjë snajperist i Ushtrisë së Republikës Sërpska nuk është ndjekur penalisht, edhe pse, sipas vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, fushata e snajperëve kishte për qëllim terrorizimin e civilëve në Sarajevë, ku u vranë mbi 11.000 njerëz.

Më shumë se tridhjetë vjet më vonë, mediat në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në mbarë botën shkruajnë sërish për vrasjet e qytetarëve të Sarajevës nga snajperët.

Këtë herë, terrori ka marrë edhe një dimension të ri, pas nisjes së hetimeve nga prokuroria në Milano për të ashtuquajturit “turistë snajperistë” dhe “safarët me snajper”.

Hetimi nis para publikimit të librit

Në fillim të nëntorit, mediat italiane raportuan se prokuroria e Milanos kishte hapur një hetim për “snajperistët e fundjavës”, të cilët, sipas denoncimit të shkrimtarit dhe gazetarit Ezio Gavazzeni, paguanin shuma të mëdha për të shkuar në pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska rreth Sarajevës dhe për të vrarë civilë me snajperë, kryesisht “për kënaqësinë” e tyre.

Gavazzeni, pas disa përpjekjeve të Radios Evropa e Lirë për ta intervistuar, bëri të ditur se nuk dëshiron të flasë.

Ndërkohë, ai mbajti një konferencë për shtyp në Milano, ku njoftoi se në shkurt do të publikojë një libër mbi “safarët me snajper”.

Ai tregoi se për herë të parë kishte lexuar për shkuarjen e të huajve në luftë në vitin 1995, në një artikull në gazetën “Corriere della Sera”, dhe kishte filluar të shkruante mbi këtë temë.

Megjithatë, ai ndaloi pasi kuptoi se informacioni ishte shumë i pakët.

Situata ndryshoi vetëm në vitin 2022 me dokumentarin “Sarajevo Safari” të regjisorit slloven, Miran Zhupaniç.

Si në film, ashtu dhe në padinë e këtij viti, figurë qendrore është Edib Subashiq – oficer në pension i Ushtrisë së Bosnje dhe Hercegovinës.

Ai shpjegon se shërbimet e inteligjencës së Ushtrisë së Bosnje dhe Hercegovinës morën informacione rreth ardhjeve nga Italia pas arrestimit në vitin 1993 të një vullnetari serb nga qyteti Paraqin, në lagjen Hrasno Bërdo të Sarajevës.

“Atëherë kuptuam se ekzistonte një ‘safari’… që do të thotë se njerëzit paguanin për të qëlluar mbi njerëzit, ndryshe nga mercenarët e zakonshëm. Ne i njoftuam shërbimet e inteligjencës italiane, që ishin pjesë e UNPROFOR-it në Sarajevë në atë kohë. Ua dhamë të dhënat dhe kërkuam hetime. Shumë shpejt, rreth fillimit të vitit 1994, morëm përgjigje se ishte gjetur vendi në Itali nga ku organizohej gjithçka dhe se autoritetet italiane e kishin ndalur këtë aktivitet”, përsëriti Subashiq disa herë për mediat, në nëntor dhe dhjetor, pas nisjes së hetimeve.

Banorë të Sarajevës duke u fshehur nga zjarri i snajperëve në qendër të Sarajevës, 1993.

Banorë të Sarajevës duke u fshehur nga zjarri i snajperëve në qendër të Sarajevës, 1993.

Ajo që askush nuk e thotë është përse Italia, menjëherë pas këtyre zbulimeve, nuk nisi hetime dhe nuk i ndëshkoi organizatorët dhe pjesëmarrësit.

Radio Evropa e Lirë kërkoi përgjigje nga agjencitë italiane të inteligjencës, prokuroria në Milano, si dhe nga Ambasada e Italisë në Sarajevë dhe përmes konsullit të përgjithshëm të Bosnje dhe Hercegovinës në Milano, por askush nuk dha koment.

Sipas Gavazzenit, pjesëmarrësit takoheshin në Trieste, përpara se të udhëtonin në Beograd dhe më pas në Sarajevë, drejt pozicioneve të snajperëve, nga ku mund të qëllonin mbi qytetarët.

Nga Aeroporti i Triestes thanë për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë të dhëna për fluturimet e viteve ’90.

Edhe nëse ka pasur të tilla, ato janë ruajtur vetëm për dy vjet.

“Gjithçka që lidhet me fluturimet e mbi tridhjetë vjetëve më parë, nuk ekziston më, as në kujtesë. Edhe statistikat e trafikut nga ato vite, që ruhen sot, janë të përgjithshme”, thanë nga Aeroporti i Triestes në përgjigje të pyetjes mbi të dhënat ose dëshmitë për udhëtimet e “turistëve snajperistë”.

Ajo që Gavazzeni nuk e thotë, është nëse dihet identiteti i ndonjërit prej atyre personave që po hetohen nga prokuroria nën dyshimet për “vrasje me qëllim të paramenduar” dhe “motive të ulëta”.

“Safari” para Tribunalit në Hagë

Fjala “safari”, e përdorur për të përshkruar të huajt që qëllonin mbi qytetin e rrethuar për “argëtim”, u përmend për herë të parë në vitin 2003 në Tribunalin e Hagës, gjatë dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur C-017, në gjyqin kundër Sllobodan Millosheviqit, president i atëhershëm i Serbisë, i akuzuar për krime lufte.

Dëshmitari identifikoi Nicholas Ribiqin, i njohur si “Kanada”, pasi vinte nga Kanadaja, dhe tha se ai kishte ardhur për një “safari, për të gjuajtur njerëz”.

Se kur dhe si mbërriti Ribiq në Sarajevë nuk dihet, por dihet se ishte me origjinë nga Bosnje dhe Hercegovina.

Më vonë, ai iu bashkua Njësisë Speciale të Ushtrisë së Republikës Sërpska “Beli Vukovi” (Ujqërit e Bardhë), e formuar në vitin 1993.

“Ndoshta e tërhoqi origjina e tij dhe për këtë iu bashkua ushtrisë serbe… Ai ishte me origjinë nga Bosnje dhe Hercegovina”, thotë Janko Sheshllija, ish-pjesëtar i kësaj njësie, i cili e mohon ekzistencën e turistëve që qëllonin mbi banorët e Sarajevës për para.

Megjithatë, kishte vullnetarë të huaj. Sheshllija thotë se ata kishin ardhur për arsye ideologjike për të luftuar.

“Kishte vullnetarë nga Rusia, Ukraina dhe nga vendet e Lindjes. Madje, ishte edhe një francez, nëse doni shembull konkret, një francez i vërtetë, jo me origjinë serbe”, thotë ai.

Fakti që Ribiq qëndroi më shumë se një fundjavë në Sarajevë, konfirmohet edhe nga pamjet e kapjes së pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të OKB-së si pengje në Pale, si dhe nga një proces gjyqësor që u zhvillua më vonë në Kanada.

Për shkak të lidhjes së paqeruajtësve me shtyllat elektrike, për të parandaluar sulmet e planifikuara të NATO-s mbi pozicionet serbe, Ribiq u dënua në Kanada me tre vjet burg.

Nicholas Ribiq me helmetë, ndërsa anëtarët e Ushtrisë së Republikës Sërpska marrin peng pjesëtarë të OKB-së në fund të majit 1995, në Pale, pranë Sarajevës. Video: YT / Lidhja Patriotike e BeH.

Nicholas Ribiq me helmetë, ndërsa anëtarët e Ushtrisë së Republikës Sërpska marrin peng pjesëtarë të OKB-së në fund të majit 1995, në Pale, pranë Sarajevës. Video: YT / Lidhja Patriotike e BeH.

Por, nuk ishte vetëm Ribiq me pasaportë kanadeze që ishte në pozicionet serbe mbi Sarajevë.

Emir Ramiq, drejtor i Institutit për Kërkime Gjenocidi në Kanada, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka informacione se disa persona ishin të përfshirë.

“Kemi informacione se bëhej fjalë për fundjava, që do të thotë të premten, të shtunën, të dielën… Gjithashtu, kemi informacione se qytetarë kanadezë që aktualisht nuk jetojnë në Kanada, që janë diku tjetër, kanë marrë pjesë në këtë”, thotë Ramiq.

Ai shton se ka informacione se edhe gjyqësori kanadez do të fillojë veprime përgatitore hetimore, në lidhje me këto udhëtime.

Serbë vendas dhe të huaj në Gërbavica

Personi i vetëm i përmendur në kontekstin e “safarit”, Nicholas Ribiq, njihet nga Sllavko Alleksiq, një “vojvodë çetnik” dhe figurë qendrore gjatë luftës në lagjen e okupuar të Sarajevës, Gërbavica, mbi të cilën ndodhej një nga bazat snajperike në Varrezat Hebraike.

Alleksiq drejtonte një njësit paraushtarak të quajtur “Njësiti Çetnik i Sarajevës së Re”, i cili më vonë u integrua në Ushtrinë e Republikës Sërpska.

Kontradiktor edhe pas luftës, ai u dënua për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, për përçarje dhe për jotolerancë.

Alleksiq thotë për Radion Evropa e Lirë se njësia e tij përfshinte të huaj, por jo ata që përmenden sot.

“Kishim rusë, rreth pesëdhjetë… Ata ishin vullnetarë, jo vrasës. Sa u përket këtyre burrave të pasur që vinin… ne nuk pamë askënd, dhe askush nuk kontaktoi komandën tonë ose mua personalisht”, thotë ai.

Sllavko Alleksiq (rreshti i parë, i dyti nga e djathta) me vullnetarë rusë në pozicion mbi Sarajevë. Data e fotografisë nuk dihet.

Sllavko Alleksiq (rreshti i parë, i dyti nga e djathta) me vullnetarë rusë në pozicion mbi Sarajevë. Data e fotografisë nuk dihet.

Ndryshe nga Alleksiqi, në Hagë më 2007 foli John Jordan, një zjarrfikës amerikan, i cili gjatë luftës vizitonte pozicionet e forcave serbe mbi Sarajevë.

Ai tha se aty kishte parë “vrasës safari” të huaj dhe kishte dëgjuar se fëmijët dhe gratë e bukura ishin trofetë më të kërkuar.

Edhe pse nuk e kishte parë asnjërin prej tyre duke qëlluar, ai kishte vëzhguar se si trajtoheshin dhe lëviznin rreth pozicioneve të njohura snajperike.

“Ishte krejt e qartë se personi që udhëhiqej nga njerëzit që e njihnin terrenin, ishte plotësisht i panjohur me vendin, dhe mënyra se si ishte i veshur dhe armët që mbante, më bënë të mendoj se bëhej fjalë për ‘turist gjahu’. Ky është një term që e dëgjova për herë të parë në Bejrut, ku pamë se e njëjta gjë ndodhte rreth linjës së gjelbër”, tha Jordan atëkohë.

Ish-zëdhënësja e Tribunalit të Hagës, Florence Hartmann, thotë për Radion Evropa e Lirë se ata dinin për këtë fenomen, por jo për mënyrën se si organizohej.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të fillojë një hetim gjyqësor dhe të zbulohet se kush ishin organizatorët”, thotë ajo.

Vuçiq në fushën e betejës rreth Sarajevës?

Në nëntor, gazetari kroat, Domagoj Margetiq, i përcolli prokurorisë në Milano – e cila po kryen hetime për “snajperistët e fundjavës” – informacione se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka marrë pjesë ose ndihmuar në “turizmin e snajperistëve”.

Margetiq publikoi fotografi, në të cilat Vuçiq ishte i pranishëm në një nga pozicionet serbe në Sarajevë, prej ku, sipas dëshmitarëve, shtetas të huaj dhe forcat serbe qëllonin dhe vrisnin civilë.

Vuçiq i hodhi poshtë akuzat dhe paralajmëroi padi kundër medias që i publikoi këto informacione.

Duke folur për Televizionin Informer, Vuçiq tha se nuk kishte dëgjuar kurrë për një “safari” të tillë.

“… por kjo nuk është e rëndësishme. Unë nuk kisha pushkë. Madje, edhe kur shkova aty dhe pyeta nëse mund të qëndroja me ta, më thanë ‘vogëlush, kthehu, na duhet një gazetar që di anglisht’”, tha Vuçiq.

“A do të qëlloj dikë dhe ta xhirosh?”

Gazetarët dhe fotoreporterët e huaj, gjatë pothuajse gjithë kohës së luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, nga viti 1992 deri në fund të vitit 1995, kishin mundësi të qëndronin herë pas here në pozicionet e forcave serbe rreth Sarajevës.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi disa prej tyre, por askush nuk dëshmoi se kishte parë ndonjë të huaj që kishte paguar për të shkuar në Sarajevë dhe për të qëlluar.

Peter Kullmann shkoi për herë të parë në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1992 si fotograf i agjencisë Reuters.

Ai kujton se në dimrin e atij viti, diku rreth Krishtlindjeve, ishte vetë shënjestër e një snajperisti, teksa bashkë me gazetarin e Reutersit, Kurt Schork, po përpiqeshin të largoheshin nga baza e OKB-së në Sarajevë.

“Po ecnim nëpër një parking, kur plumbi i snajperit kaloi mes meje dhe Kurtit, mes kokave tona. Ishte i destinuar për njërin prej nesh, por patëm fat”, kujton ai për Radion Evropa e Lirë.

Më vonë, bashkë me gazetarin e gazetës New York Times, John Burns, Kullmann vizitoi për herë të parë një nga pozicionet snajperike të forcave serbe në Varrezat Hebraike.

Aty, krejt papritur, dëgjoi gjermanishten e tij amtare. Ishin njerëz me prejardhje nga Ballkani, që jetonin dhe punonin në qytete të Gjermanisë.

Ai kujton sidomos ata që vinin nga Shtutgarti – vendlindja e tij – të cilët pas përfundimit të punës të premten, niseshin drejt rrethimit të Sarajevës.

“Vinin në grupe, direkt pas punës. Autobusi i sillte gjatë natës në Sarajevë. Qëndronin dy ditë në vijën e frontit dhe pastaj ktheheshin natën, për të qenë në vendet e punës të hënën në mëngjes. Njiheshin si çetnikët e fundjavës”, thotë Kullmann për Radion Evropa e Lirë.

Ai kujton se ata mbanin armë dhe ishin të gatshëm të qëllonin.

“Ndodhte që dikush prej tyre më pyeste nëse doja të qëllonte, dhe nëse mund të xhiroja me pajisjet e mia. Sigurisht, u thosha jo, mos e bëni… Nuk duhej t’i zemëroje ata njerëz, por duhej të shpikje gjithmonë një arsye pse nuk duhej ta bënin”, kujton Kullmann.

Snajperist i Ushtrisë së Republikës Sërpska në Varrezat Hebraike në Sarajevë. Autori i fotografisë, Peter Kullmann, ia siguroi atë Radios Evropa e Lirë ekskluzivisht për qëllimet e artikullit në lidhje me aktivitetin e snajperistëve në Sarajevë.

Snajperist i Ushtrisë së Republikës Sërpska në Varrezat Hebraike në Sarajevë. Autori i fotografisë, Peter Kullmann, ia siguroi atë Radios Evropa e Lirë ekskluzivisht për qëllimet e artikullit në lidhje me aktivitetin e snajperistëve në Sarajevë.

Kullmann thotë për Radion Evropa e Lirë se ndaj tij dhe Burnsit qëlluan kur zbritën nga Varrezat Hebraike dhe hynë në Sarajevë.

Kur u kthyen më vonë, pyetën përse automjeti i tyre, i shënuar qartë me “New York Times”, ishte qëlluar menjëherë pas largimit nga pozicionet e snajperistëve.

Ata u përgjigjën: “Qëlluam sepse na dukej argëtuese”.

Fotografi italian, Mario Boccia, që ka vizituar pothuajse të gjitha zonat e luftës në ish-Jugosllavi, përfshirë Bosnje dhe Hercegovinën, tregon se nuk ka hasur turistë lufte nga Italia, sepse do t’i kishte raportuar menjëherë. Por, ka takuar të huaj të tjerë në Bosnje.

“Në Grbavicë kam takuar dhe fotografuar një grek dhe një person që ka thënë se vjen nga SHBA-ja. Të dy ishin të motivuar ideologjikisht dhe nuk e kishin problem të prezantoheshin si luftëtarë të huaj. Amerikani tha se ishte nip i çetnikëve që ishin larguar nga Jugosllavia pas Luftës së Dytë Botërore. Greku e quante veten ‘nazist’ dhe thoshte se luftonte kundër myslimanëve dhe hebrenjve”, thotë Boccia.

Sllavko Alleksiq (majtas) me vullnetarë serbë; i pari në të djathtë një vullnetar nga Greqia, pranë tij një vullnetar nga SHBA-ja me origjinë serbe. Fotografia iu dha Radios Evropa e Lirë nga autori Mario Boccia - ekskluzivisht për qëllimet e këtij artikulli.

Sllavko Alleksiq (majtas) me vullnetarë serbë; i pari në të djathtë një vullnetar nga Greqia, pranë tij një vullnetar nga SHBA-ja me origjinë serbe. Fotografia iu dha Radios Evropa e Lirë nga autori Mario Boccia – ekskluzivisht për qëllimet e këtij artikulli.

“Çfarë lloj njerëzish janë këta?”

“Çfarë lloj njeriu është ai që qëlloi vajzën time 3-vjeçare?”, pyeste më 7 maj, 1992, Rifat Bajroviq, babai i Senidës, e cila u plagos nga një snajper në lagjen Hrasno-Bërdo të Sarajevës, ku një vit më vonë u arrestua një vullnetar serb nga Paraqini.

Sipas deklaratës së tij, “të huajt vinin në Sarajevë për të vrarë njerëz”.

Sikurse Rifati atëkohë, edhe Elvedini sot vazhdon të përballet me pyetje dhe pasojat e këtij akti monstruoz.

“Vij thjesht për ta kuptuar atë ndjenjë që ai e kishte në atë moment. Më së shumti do të doja ta shihja këtu. Do ta pyesja se çfarë po mendonte ndërsa po qëllonte drejt meje… Nuk e di a i vjen keq apo është i kënaqur që unë mbeta gjallë, që shpëtova”.

Elvedin Suliq, viktimë e sulmit me snajper gjatë rrethimit të Sarajevës, në vendin nga i cili u qëllua në vitin 1992.

Elvedin Suliq, viktimë e sulmit me snajper gjatë rrethimit të Sarajevës, në vendin nga i cili u qëllua në vitin 1992.

Prokuroria në Milano pritet të njoftojë publikun për rezultatet e hetimit në mars të vitit 2026. Nëse ngre aktakuzë dhe vërteton fajësinë, kjo do të ishte hera e parë në Evropë që dikush gjykohet për vrasjet e civilëve me snajperë në Sarajevë.

Ndërkohë, drejtësia në Bosnje e Hercegovinë është duke verifikuar pretendimet, por, deri më tani, asnjë snajperist nuk është gjykuar për vrasjet e civilëve, veçanërisht të fëmijëve në Sarajevë.

Rrethimi i Sarajevës zgjati 1.425 ditë. Sulmet ndaj civilëve nga pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska ndodhnin kudo dhe në çdo kohë të ditës apo natës, sipas vendimeve të Gjykatës në Hagë.

Stanisllav Galliq, ish-komandant i Korpusit Sarajevë-Romanija, u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa kolegu i tij, Dragomir Millosheviq, mori 29 vjet burg për rolet e tyre në rrethimin e qytetit për 44 muaj.

Dënimet me burgim të përjetshëm të Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mlladiqit lidhen gjithashtu me terrorizimin e civilëve të Sarajevës gjatë luftës.

Në drejtësinë vendase, deri tani janë gjykuar disa persona për krime të kryera në zonat e rrethuara të qytetit.

Përgatiti: Valona Tela

Si Pjetër Bogdani u zhvarros nga osmanët dhe trupi i tij u hodh si ushqim qensh në mes të sheshit të Prishtinës

Prishtina shtrihet në mes të përroit të vegjël Prishtinës, Vellushës dhe Matiqanit, që rrjedhin nga kodrinat xehetarie në anën perëndimore të malësisë së Galabit. Në anën jugore dhe perëndimore Prishtina kufizohet me toka pjellore të fushës së Kosovës. Lartësia mbidetare sillet prej 585 m , 640, 670 dhe rreth 700 m lartësi në disa lagje të qytetit. Studimet shkencore për etimologjinë e emrit Prishtina ende nuk e kanë dhënë një përfundim të qëndrueshëm, por shumë studiues emrin e Prishtinës (Pristina castra) e shpjegojnë nga gjuhët e lashta indoevropiane, që ka kuptimin i lashtë, i fazës fillestare, diçka e vjetër.

 

Territori i qytetit të Prishtinës ishte i banuar që para 7000 viteve. Gjatë punimeve të rastit në qytet janë hasur gjurmë të qytetërimit që nga kultura e neolitit të vjetër: Kompleksi i spitalit të Prishtinës, Glladnica te Graçanica. Kultura e neolitit të ri: te tjerrtorja, Bërrnica, Matiqani. Kultura materiale e bronzit: Fusha e Badocit, Bërrnica e Poshtme, Kolovica, Grashtica, Keqekolla. Periudha e hekurit: Badoc, Matiçan, Tauk-Bahçe, Shkolla normale. Periudha romake: Ulpiana, Grashtica, Siqeva, Keqekolla, Periudha Bizantine- mesjeta e hershme: Matiqani.

Nëpër qytetin e Prishtinës kanë kaluar shumë rrugë të rëndësishme, rrugët që vinin nga Bosna, rruga Naissus-Lissus, nga Scupi etj. Sipas Tabula Peutingeriana, stacioni rrugor Viciano i rrugës Naissus-Lissus ka qenë ndërmjet fshatrave Uglar dhe Çakllavicë në afërsi të Prishtinës. Diku rreth 7 km. në jug-lindje të Prishtinës, gjendet qyteti i madh antik Ulpiana. Si duket Ulpiana e rrënuar dhe e plaçkitur në mesjetën e hershme, ia lëshon rëndësinë Prishtinës si lokalitet në afërsi të saj. Tokat pjellore në Fushën e Kosovës dhe trevat minerare në malësinë e Gallapit, ndikuan në përparimin dhe zhvillimin e këtij vendbanimi.

Shkrimet e para deri me tani të publikuara për Prishtinën si toponim janë nga një dokument të kinezit kroat Mutimirit të vitit 892, ku thuhet se me pallat ka qenë edhe Prishtina si shpatë-mbajtës. Nga literatura dhe dokumentet tjera arkivore, Prishtina përmendet nga kontaktet e para raguzane me Prishtinën që i gjejmë të shënuara në fund të viteve të shtatëdhjeta të shekullit XIII. Në këtë kohë bujari raguzan me origjinë shqiptare, Gregorius Marini de Petrana (1253-1280), emërohet konsull në Bërskovë. Për të arritur në Bërskovë Gregorius M. De Petrana, kalon ndër vende tjera edhe nëpër Prishtinë.

Në një dokument të lëshuar nga Prishtina në vitin 1325, ju kërkohet targa e Shën Mitrit dubrovnikasve. Për Prishtinës ka shkruar edhe perandori bizantin Johan Kontaguzeni në vitin 1342, i cili një atë kohë ka dhënë disa të dhëna të rëndësishme për lokalitetin. Sipas shkrimeve të Johan Kontakuzenit thuhet se në Prishtinë ka pasur pallat me oda të mëdha, për tubime shtetërore, për procese gjyqësore, për solemnitete dhe gostitje. Prishtina e kishte edhe kalanë, të cilën e kishte rrënuar Sulltan Mutati I gjatë rrethimit të qytetit në vitin 1389. Këtë e pohon edhe Evlija Çelebiu në vitin 1662, kur shkruan se kalanë e Prishtinës të ndërtuar nga mbreti Millutin, e rrënoi Sulltan Murati I-rë pas hyrjes në Prishtinë. Sipas burimeve serbe, pallatin e ka ndërtuar mbreti Millutini në mes të sahat kullës së sotme dhe xhamisë së çarshisë.

Një qytetar gjatë bartjes së dheut pas hapjes së një themeli afër entit të statistikës dhe xhamisë së gurit (Çarshisë), nga ky vend kishte bartur edhe disa gurë të mermertë. Gurët kanë plastikë gurore dhe të rrethuara me kanelyra dhe sipas ekspertëve janë të punuar në periudhën antike. Se a janë bartur nga Ulpiana apo ndonjë lokalitet tjetër, mundë të vërtetohet vetëm pas vëzhgimit të gërmimeve për ndërtime në atë hapësirë. Bazuar nga të dhënat e cekura më lartë për vendin e ekzistimit të kalasë ndërmjet sahat kullës dhe xhamisë së çarshisë, mundë të pohojmë se këto të dhëna janë të vonshme pas ndërtimit të xhamisë dhe sahat kullës. Këtu kur bëhet fjalë për xhaminë e çarshisë duhet pasur parasysh Xhamin e Llukaqit që ishte e ndërtuar te teatri, afër çarshisë së mbuluar të Prishtinës.

Sido që të jetë për vendin ku thuhet se ka ekzistuar kështjella e qytetit dëshmojnë edhe këta gurë të zbuluar që lënë të kuptohet se Prishtina e kishte kështjellën e saj që nga periudha romake apo bizantine e hershme. Kjo mbetet të vërtetohet vetëm pas gërmimeve arkeologjike në këtë lokalitet. Po ashtu gjatë bartjes së dheut nga ndërtimet në Prishtinë gjatë vitit 1997, është gjetur një bazament shtylle në të cilin janë të skalitura pranë njëri tjetrit simboli i kultit të diellit dhe kryqi. Vërehet se ky guri i punuar me llaç gëlqeror dhe i përzier edhe me qeramikë të bluar është ka edhe shenja të djegies çka lenë të kuptohet se kemi të bëjmë me një shtyllë të ndonjë objekti të kultit që përveç kryqit ka edhe simbole astrale të periudhës së paganizmit e i cili edhe është djegur.

Vend gjetja e këtij guri nuk dihet por është gjetur i hedhur në greminën e hapur nga fabrika e tjegullave në Prishtinë. Gjetje e këtij guri është edhe një dëshmi tjetër për të besuar se Prishtina ishte vendbanim para mesjetar. Prishtina gjatë mesjetës u bë seli e rëndësishme. Para betejës së Kosovës Prishtina ishte bërë kryeqytet i provincës dhe si i tillë mbeti edhe shumë kohë pas kësaj beteje. Përveç ndërtimeve në Prishtinë në afërsi ndërtohet mbi themele të një kishe më të hershme, manastiri i Graçanicës, si monument i kulturës me rëndësi të veçantë. Shihet se Prishtina me rrethinë në atë kohë kishte shumë monumente, dhe prania e këtyre monumenteve të kulturës siç është manastiri i Graçanicës, për nga vlerat artistike hynë në krijimtarinë më të përsosur të Evropës dhe Botës.

Për zhvillimin e Prishtinës flasin edhe faktet e vendosjes së tregtarëve të huaj edhe nga Dubrovniku në vitin 1387. Po këtë vit qytetari nga Dubrovniku, Marko Zvizdic, i cili jetonte në Artanë, me vullnetin e tij me 9 nëntor 1387, ka dhënë 5 dukatë për mirëmbajtjen e kishës së Shën Marisë në Prishtinë. Kjo tregon se Prishtina ishte qendër e zhvilluar tregtare edhe para betejës së Kosovës. Përveç kishës së Zojës Mëri, në vitin 1421 në regjistra të këshillit të vogël raguzan, përmendet edhe një kishë tjetër pa emër.

Në Prishtinë në vitin 1426 e kishte edhe konsullatën dubrovnikase. Në Prishtinë, në shekujt XIV-të dhe XV-të, vepronin një numër i madh i tregtarëve dubrovnikas, të cilët bënin tregti me qytetet më të zhvilluara në rajon. Tregtarët dubrovnukas, gjenovas, hebrejë etj., kryesisht merreshim me metale fisnike si ari argjend dhe gllamë. Pas pushtimit osman, në Prishtinë u ndërtuan disa objekte sakrale dhe profane të stilit oriental si xhami, hamame, teqe, tyrbe, shtëpi qytetare etj. Sipas regjistrimit të sanxhakut të Vushtrrisë nga viti 1477, Prishtina në këtë kohë i kishte 9 mëhallë, të cilat sipas emrave tregojnë se kishte vetëm popullsi të krishterë.

Gjatë shekullit XV-të në kazanë e Prishtinës përfshiheshin disa xeherore të njohura për kohën. Në këtë kohë nga Prishtina kanë dalë edhe dijetar të shquar si Mesihi Prishtina i cili me veprat tij “Mesihi-Divani” edhe pse e shkruar me vjersha në gjuhën turke ka vlera të mëdha letrare dhe historike. Mesehi Prishtina vdes në Bosnje në vitin 1512. Në shekullin e XV-të Prishtina i kishte gjithsejtë 20 lagje. Sipas Shtjëfën Gasprit (1671), relator shqiptar, Prishtina ishte një ndër qytetet kryesore të Kosovës. Në Prishtinë ishte qendra administrative e xehetarisë së Kosovës dhe e krahinës xehetarë të Artanës (Novobërdës).

Gjatë mesjetës së vonë, në Prishtinë, kanë qëndruar dhe kanë shkruar shumë personalitete të njohura të kohës si; Jovan Kontaguzeni, Mbreti hungarez Vlladisllavi II-të, Pjetër Bogdani, Haxhi Kallfa, Evlija Çelebiu etj. Pjetër Bogdani me origjinë shqiptare, kryeipeshkvi i Shkupit dhe Sofjes i raporton Vatikanit që Prishtina kishte 3000 shtëpi. Evlija Çelebiu shkruante në atë kohë për 2600 shtëpi të mëdha dhe të bukura duke veçuar sarajin e Allaj Begut dhe Pallatin e Gjyqit, dy hamamet e mëdha, mikpritjen dhe kulturën qytetare. Në Prishtinë ka 11 hane, ndër të cilët më me i njohuri në atë kohë ishte hani i Haxhi Beut.

Bazuar në të dhënat në vitin 1689, që i jep Coronelli në “Iliricum” dhe në “Corso delli fiumi Drino e Boiana nella Dalmatia”, në vitin 1689 Prishtina i kishte 4000 shtëpi. Në këtë kohë Prishtina i kishte 360 fshatra dhe një numër i tyre ishte djegur. Qyteti ka dy banja, njëra është banja e Fatihut në treg, e tjetra është banja e vjetër. Në një qoshe të banjës së Fatihut ekziston një shenjë, për këtë arsye kjo banjë quhet si e shenjtë dhe vizitohet shumë. Në Prishtinë ka 3000 dyqane që janë pak për këtë qytet, këtu ka rrush dhe dardha shumë të mira shkruajnë udhëpërshkruesit që e vizituan Prishtinën në shekullin e XVII.

Në vitin 1690 me ardhjen e osmanëve dhe tatarëve, pësoi rëndë krejt vendi, veçanërisht ai i rrethit të Prishtinës. Atje shumë katunde mbetën shkretë, shumicën e tyre i dogjën dhe i zhdukën turqit dhe tatarët. Prishtina u dobësua gjatë luftës Austro-turke, kur Prishtina ishte bërë qendër e shtabit të gjeneralit austriak Pikolominit. Në mbarim të luftës austro-turke 1689-1690 trupat osmane dhe tatare hynë në Prishtinë dhe e bënë një hakmarrje të madhe ndaj shqiptarëve. Siç ka shkruar më vonë Gjergj Bogdani nipi i Argjipeshkvit Pjetër Bogdani, edhe pse Pjetër Bogdani kishte vdekur dhe ishte varrosur, ai u zhvarros nga osmanët dhe u hodh si ushqim qenesh në mes të sheshit të Prishtinës. Prishtinën gjatë shekujve XVIII dhe XIX e kanë sunduar Gjinollët.

Pas vrasjes së Maliq Pash Gjinollit më 1809, njëra nga odat e tij u bë muze. Muzeu i familjes feudale Gjinolli me origjinë shqiptare, ishte institucion kulturor mjaftë interesant dhe i ngjashëm me ato të oborreve feudale nëpër shtetet e Evropës, i cili është shkatërruar në kohën e luftërave Ballkanike me 1912. Koleksioni muzeor i familjes Gjinolli, ka pasur një numër të konsiderueshëm të eksponateve me rëndësi historike dhe etnografike në mesin e tyre ka qenë edhe gijotina e Jashar Pashës. Prishtinën e përmend edhe Feliks De Bozhur, sipas të cilit me 1812, Prishtina kishte dy panaire, të vjeshtës dhe të pranverës, ku merrnin pjesë shumë tregtarë nga lindja dhe perëndimi. Në vitin 1822 rreth 3000 shqiptarë nga Kosova bënë përpjekje që të shkojnë në Stamboll për të kërkuar dorëheqjen e Maliq pashë Gjinollit i cili në atë kohë njihej si tiranik dhe e sundonte Prishtinën.

Në Prishtinë ishin të zhvilluara shumë zeje të lashta e ndër to ishte edhe zeja e hasrave. Përveç këtyre zejeve ishin të njohura edhe zejet e lëkur punuesve, kazangjijëve, punimi i enëve shtëpiake nga argjila dhe metalet, orë ndreqës, shportagji, qadragji, Farkatar, këpucëtar, jograngji punimet e veshjeve tradicionale etj. Prishtinës sot i mungon muzeu i qytetit, gjatë ndërtimeve në qytet nuk janë përcjellë gërmimet për hapjen e themeleve nga institucionet kompetente, andaj si rezultat i kësaj gjendje shumë eksponate të lëvizshme janë hidhur në gremina dhe janë mbuluar me dhe e mbeturina. Në vitin 1997 në greminën e fabrikës së tjegullave ku hidhej dheu gjatë gërmimeve në qytet janë gjetur edhe enë të emaluara me argentius-gllama.

Reformat në Perandorinë Osmane filluan në vitin 1892 dhe komisioni i ri i reformave përbëhej nga persona të njohur dhe të respektuar me përkatësi shqiptare. Nga Prishtina ishte Danish Beu i cili më vonë u bë ministër i punëve të brendshme të Perandorisë. Në gjysmës e parë të korrikut të vitit 1844, ushtria turke në krye me serasqerin valiun e Rumelisë dhe Omer Pashën hynë në Prishtinë për ta shuar kryengritjen e shqiptarëve. Selia e serasqerit u bë Prishtina. Kryengritësit u tërhoqën në malet e Prishtinës. Omer Pasha i kishte deklaruar konsullit anglez se 7000 shqiptar kryengritës ishin tërhequr në malet afër Prishtinës. Osmanët bënin regjistrimin e myslimanëve të Prishtinës të cilët refuzonin të jepnin rekrut për nizam.

Më 8 mars 1845 konsulli anglez në Selanik njoftoi se shqiptarët e rrethinës së Prishtinës nuk do të japin rekrut pa forcë. Nga plaçka që bënë ushtarët osman gjatë shuarjes së kësaj kryengritje u pasuruan shumë. Konsulli austriak shkruan se kryengritësit shqiptar e pushtuan Prishtinën në Pranverën e vitit 1844. Prishtina ra në duar të kryengritësve në mars të vitit 1844, kur Abdyrrahman Pasha i Prishtinës u largua në Prizren te miku i vet Izet Mehmet Pasha. Izet Pasha i kishte dhënë 6000 njerëz për ta kthyer Andyrrahman Pashën në Prishtinë, por kryengritësit e ndalën këtë sulm dhe e mbanin në kontroll Prishtinën.

Në Prishtinë, në qershor e gusht të vitit 1837 çdo ditë vdisnin nga mortaja 80-140 persona. Në vitin 1846 Maliq beu vendosi që të gjithë kryetarët e familjeve shqiptare katolike ti dërgoi në një vend të rrethuar në Prishtinë. Të gjithë të burgosurit i futen në pranga të rënda në duar dhe në këmbë, me një zinxhirë të rëndë për mjedisi dhe të lidhur për një këmbe. Kjo ishte një peshë prej 40 okësh turke, përafërsisht 5o kg. Jashar Pasha i Prishtinës këta të burgosur i mbylli në një burg edhe më të rëndë dhe urdhëroi që në burg të lëshohet edhe uji. Këta të burgosur nga Prishtina u transferuan në Shkup dhe përmes Selanikut u dërguan në Azi të vogël.

Në Prishtinë janë kultivuar, lojëra fisnike në fushën e quajtur Poteçishtë. Këto gara janë organizuar çdo vit të ngjashme me hallkën e Sinjit-vetëm me një dallim në vend të hallkës është përdorur dorëza, të cilën kalorësit e kanë pasur për detyrë ta qëllojnë me shpatë, shigjetë ose topuz. Në Prishtinë janë mbajtur edhe bejlege (dyluftime) të ndryshme. Prishtinën e kapluan dy zjarre të mëdha më 1859 dhe 1863. Sipas banorit Gamer, Prishtina është qyteti më i madh që gjendet mes Selanikut dhe Sarajevës. Në vitin 1874 selia e Vilajetit të Kosovës kalon në Prishtinë dhe 3 vite më vonë filloi të botohet revista në gjuhën turke “Kosova”.

Në Prishtinë në vitin 1887 u hap konsullata serbe, dhe në vitin 1890 u vra konsulli serb Lluka Marinkoviq.[34] Sipas Cvijiqit, Prishtina në fillim të shekullit XX-të kishte 4000 shtëpi. Përgjatë shekullit XIX-të, në qytetin e Prishtinës, ishin përhapur disa epidemi, dhe në burimet e shkruara janë dokumentuar epidemitë e Lisë, Lules, Tifos dhe shumë tjera, si epidemitë nga më të rrezikshme të kohës, të cilat ju morën jetën e shumë qytetarëve. Ne vitin 1890 ne burgun e Prishtinës për shkak te epidemisë një repart i burgut ishte shndërruar në spital, ku trajtoheshin të infektuarit. Nga Prishtina në 1896, u kërkuan vaksina kundër infektimit me sëmundjen e Lisë. Në vitin 1903, me kërkesën e ndihmës Prokurorit te Përgjithshëm ne spitalin e Prishtinës ishte dërguar aparati avullues për trajtimin e Lisë.

Për epidemitë në Prishtinë ka shkruar edhe Branisllav Nushiqi, që ishte konsull serbë në fund të shekullit XIX-të në Prishtinë. Ndër tjera ai shkruan se pas dëbimit të hebrenjve nga Rusia, nga të cilët50 shtëpi erdhën në Prishtinë, dhe për çudi brenda dy viteve të gjithë vdiqën nga epidemitë. Në Prishtinë në atë kohë jetonin 305 hebrenj. Shekulli XX-të e gjeti Prishtinën të varfër dhe pa ndonjë ekonomi të qëndrueshme, sidomos gjendja u vështirësua kur forcat e ushtrisë serbe, hynë në Prishtinë, në luftërat ballkanike. Ushtria serbe prej kufirit e deri në Prishtinë, lanë rreth 5000 shqiptar të vrarë. Prishtina pësoj shumë ndryshime edhe pas Luftës së Dytë Botërore, objektet më të rëndësishme në bërthamën e qytetit të vjetër u rrënuan. / Memorie.al  Nga Dr. Qazim Namani

Shqipërinë donin ta zhduknin dhe amerikanët nuk lejuan! E shpëtoi Wilson apo Crane? E vërteta e cila nuk u tregua kurrë! Shqiptarët e ruajtën me armë, cili është diplomati dhe takimi me Nolin

RAFAEL FLOQI/ Fillimi i shekullit të njëzetë shënoi shkatërrimin e perandorive, përmbysjen e kufijve dhe lindjen e shteteve të reja. Mes këtij riorganizimi global u shfaq parimi i vetëvendosjes së popujve, i cili u konsolidua në “Katërmbëdhjetë Pikat” e Presidentit Woodrow Wilson. Ndër figurat më pak të njohura që ndihmuan në formësimin e kësaj vizioni ishte Charles Richard Crane (1858–1939) — industrialist, filantrop dhe këshilltar politik. Ndërsa roli i Crane në Rusinë revolucionare, Lindjen e Mesme dhe Kinën ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme akademike, përfshirja e tij me Ballkanin, dhe veçanërisht me Shqipërinë, mbetet e pak e njohur. Megjithatë, simpatia e tij për çështjen shqiptare dhe ndikimi i tij brenda rrethit intelektual dhe diplomatik tek Wilson-it zbulojnë shumë rreth bazave morale të ndërkombëtarizmit amerikan të hershëm.

 

Marrëdhënia e Charles R. Crane me Shqipërinë në dritën e bashkëpunimit të tij me Presidentin Wilson, duhet nxjerrë në pah se si idetë, diplomacia personale dhe avokatia për vetëvendosje e Crane kontribuuan në formësimin e qëndrimeve amerikane ndaj çështjes shqiptare gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore. Duke e vendosur përfshirjen e Crane në kornizën më të gjerë të diplomacisë Wilsoniane, kjo studim nxjerr në pah mënyrat në të cilat vlerat humanitare dhe vizionet strategjike bashkoheshin për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë në një moment historik vendimtar.

CHARLES R. CRANE: NGA INDUSTRIALISTI TEK IDEALISTI NDËRKOMBËTAR

I lindur në një familje të pasur në Çikago, Charles R. Crane trashëgoi si pasuri ashtu edhe një frymë reformuese. Babai i tij, Richard T. Crane, themeloi Crane Company, një ndërmarrje industriale e rëndësishme, gjë që i lejoi të birit të ndiqte interesa intelektuale dhe filantropike në vend të një karriere biznesi klasike. Që në moshë të re, Crane zhvilloi një fascinim për kulturat sllave dhe lindore, i cili e çoi në udhëtime të shpeshta në Rusi dhe Ballkan. Ai krijoi lidhje të ngushta me reformatorë rusë, intelektualë arabë dhe avokatë të ringjalljes kombëtare në Evropën Lindore. Pikëpamja e Crane u formësua thellësisht nga besimi i tij në diplomacinë morale — idenë se kombet, si individët, kishin përgjegjësi etike ndaj të tjerëve. Shumë para presidencës së Wilson-it, Crane kundërshtoi imperializmin dhe shfrytëzimin kolonial si të papajtueshëm me parimet kristiane dhe demokratike. Ky sentiment anti-imperialist formoi urën filozofike që më vonë do ta lidhte ngushtë me vizionin e jashtëm të Wilson-it (Leclair, 2017). Deri në momentin që Wilson mori detyrën në Shtëpinë e Bardhë në 1913, Crane kishte fituar tashmë reputacionin e një reformatori kozmopolit dhe donatori bujar për institucione arsimore e kulturore. Pjesëmarrja e tij në Bordet Amerikane të Misioneve të Jashtme, mbështetja financiare për universitete në Lindjen e Afërt dhe sponsorizimi i studimeve ndërkulturore reflektonin një interes të qëndrueshëm për zgjuarsinë politike të kombeve më të vogla (Saul, 2012).

LIDHJA WILSON–CRANE: DIPLOMACI MORALE DHE VETËVENDOSJE

Partneriteti mes Presidentit Wilson dhe Charles R. Craneit bazohej në bindje morale dhe politike të përbashkëta. Të dy burrat kishin vizion për një rend ndërkombëtar të bazuar jo në pushtim apo ekuilibrin e fuqisë, por në drejtësi, demokraci dhe të drejtën e popujve për vetëqeverisje. Për Wilson-in, ky vizion u institucionalizua në ‘Katërmbëdhjetë Pikat’ e janarit 1918, të cilat artikuluan parimin e vetëvendosjes si gur themeli i paqes pasluftës. Për Crane, i cili kishte kaluar vite duke vëzhguar përpjekjet e kombeve të vogla nën dominimin perandorak, kjo nuk ishte thjesht një politikë, por një imperativ moral. Afërsimi i Crane me Wilson-in shtrihej përtej nivelit këshillues. Ai kontribuoi në ambientin intelektual që formësoi politikën e jashtme të Wilson-it, duke ndihmuar në formulimin e një vokabulari humanitar që lidhte etikën protestante me reformizmin ndërkombëtar. Roli i Crane në misione hetimi, si Komisioni King–Crane i vitit 1919, dëshmon besimin që Wilson i ngarkoi në gjykimin dhe diskriminimin moral të tij. Megjithëse Komisioni trajtoi kryesisht çështje të Lindjes së Mesme, metodologjia e tij — theksimi në konsultimin lokal dhe shprehjen kombëtare — reflektonte ideale që Crane dhe Wilson i ndanin të dy.

Brenda kësaj kornize më të gjerë, interesi i Crane për Ballkanin — dhe veçanërisht për Shqipërinë — përputhej natyrshëm me doktrinën e Wilson-it. Për të dy, fragmentimi i Perandorisë Osmane ofronte një mundësi për të aplikuar diplomacinë morale në rajone prej kohësh të neglizhuara nga fuqitë evropiane. Empatia e Crane për Shqipërinë pra nuk përfaqësonte një shqetësim të izoluar, por një pjesë integrale të përpjekjes Wilsoniane për të ridefinuar legjitimitetin global sipas parimeve etike.

ÇËSHTJA SHQIPTARE NË EPOKËN WILSONIANE

Çështja shqiptare u shfaq si një ndër problemet më të ndërlikuara të Evropës pas-osmane. Pas Luftërave Ballkanike (1912–13) dhe Konferencës së Londrës së vitit 1913, Shqipëria u njoh si një principatë e pavarur, megjithëse kufijtë e saj mbetën të paqartë dhe të kundërshtuar. Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore destabilizoi më tej rajonin. Kërkesa konkurruese nga Italia, Serbia dhe Greqia rrezikonin ta fshinin Shqipërinë nga harta krejtësisht. Në vitin 1918, ndërsa fitorja aleate po vinte në horizont, Shqipëria u përball me përkujdesje të re. Traktati Sekret i Londrës (1915), negociuar pa pjesëmarrjen shqiptare, kishte premtuar pjesë të territorit shqiptar Italisë dhe aleatëve të tjerë si kompensim lufte. Për shqiptarët, Konferenca e Paqes në Paris (1919) përfaqësonte si shpresën e njohjes ndërkombëtare ashtu edhe rrezikun e ndarjes nën presionin e fuqive të mëdha (Encyclopaedia, n.d.). Në këtë kontekst të paqëndrueshëm, Charles R. Crane doli si një avokat informal, por influent i çështjes shqiptare brenda rrethit të Wilson-it. Njohuria e tij paraprake për politikat ballkanike, lidhjet personale me reformatorë rajonalë dhe opozita morale ndaj kompromisit territorial perandorak e bënin atë ndërmjetës të besueshëm midis delegatëve shqiptarë dhe delegacionit amerikan në Paris. Korrespondenca dhe memorandat e Craneit, edhe pse jo dokumente zyrtare politike, shprehin bindjen e thellë të tij se vetëvendosja e popullit shqiptar duhej të mbrohej si rast provë për parimet e Wilson-it. Ai paralajmëroi kundër lejuarit të fuqi-ve evropiane, veçanërisht Italisë, të subvertojnë pavarësinë shqiptare nën petkun e misionit ose mandati. Për Crane-in, tradhtimi i Shqipërisë ishte tradhti e boshtit moral të diplomacisë Wilsoniane vetë.

CHARLES RICHARD CRANE DHE SHQIPTARËT

Por si u bë Charles Richard Crane (1858–1939), djali i një industrialisti amerikan në Chicago, i cili ndihmoi në zgjedhjen e Presidentit Wilson në fushatën e vitit 1912 mik me shqiptarët. Por si dhe nën çfarë rrethanash u krijua kjo lidhje midis këtyre amerikanëve të shquar dhe shqiptarëve? Në pranverën e vitit 1911, kur Kryengritja e Malësisë së Madhe ishte ende duke vazhduar, Charles Richard Crane kishte bërë një udhëtim në qendër të Perandorisë Osmane. Ministria e Jashtme e Perandorisë, e shqetësuar për jetën e milionerit amerikan, i këshilloi të mos bënte atë udhëtim të rrezikshëm në provincat shqiptare, por kur pa këmbënguljen e amerikanit, e shoqëroi atë me një grup ushtarësh turq. Kur grupi hyri në territoret shqiptare, shqiptarë të armatosur, anëtarë të çetave patriotike, iu dolën në rrugë. Ata ndaluan karvanin dhe urdhëruan ushtarët turq të ktheheshin. Ishte një situatë e vështirë që mund të kishte përfunduar me luftime. Milioneri amerikan nuk deshi të kthehej mbrapsht, kështu që shqiptarët morën përsipër ta shoqëronin atë në të gjithë tokat shqiptare nën besimin dhe mbrojtjen e tyre. Charles Richard Crane iu besoi atyre dhe jo vetëm kaq, por shpejt u bë mik i këtyre burrave të guximshëm që e ruanin dhe ishin të gatshëm të bënin sakrificën më të madhe për ta mbrojtur. Kështu udhëtoi paqësisht nga Shqipëria Jugore në Shqipërinë Veriore, duke kaluar në territoret ku po zhvilloheshin luftime, në Malësinë e Madhe dhe deri në Podgoricë. Ishte një udhëtim që mund të konsiderohej me fat. Ai kurrë nuk do t’i harronte këta shqiptarë me cilësi të larta, guxim të pashoq dhe bujari. Në Podgoricë në atë kohë kishte mbi 20 mijë malësorë shqiptarë që kishin ikur nga shtëpitë e tyre nga ekspedita e egër e Shefqet Turgut Pashës. Është e qartë se interesi i amerikanëve për atë që po ndodhte në Shqipëri ishte i madh.

“New York Times” publikoi raportime mbi luftën e kryengritësve shqiptarë kundër zgjedhës osmane. Ai aty u takua me Edit Durham. Ishte fat për shqiptarët që ky vizitor, të cilin e strehuan dhe me të cilin u miqësuan, ishte anëtar dhe figurë e rëndësishme e delegacionit amerikan në Konferencën e Paqes në Paris. Ai njihte problemet e shqiptarëve dhe ambiciet ballkanike për shpërbërjen e shtetit shqiptar. Pa dyshim, ai dha një kontribut të madh në bindjen e Presidentit Wilson që Shqipëria duhej mbrojtur me çdo kusht. Charles Richard Crane, që njihte patriotët shqiptarë, kishte edhe miq me ta, si Kristo Dako dhe Fan Noli dhe patriotë të tjerë. Duhet të kujtohet se më 4 korrik 1918, kur bota ishte ende në Luftën e Parë Botërore, e cila kishte filluar më 28 korrik 1914, Fan Noli, në cilësinë e kryetarit të “Vatrës”, arriti të takohej me Presidentin Wilson në Mount Vernon. Ja si e kujton Noli këtë moment në një letër që i dërgoi Vatrës: “Udhëtimi im këtu ishte triumfues. Bisedova dy herë me Presidentin Wilson, i cili më dha shpresa të mëdha…” dhe më tej: “Gjatë kthimit iu afrova atij si një lutës i përulur dhe i thashë të shpëtonte këtë racë heroike dhe të dëshpëruar dhe t’u kthente bukën e jetës, lirinë. Dhe përgjigja e tij fisnike ishte: “Do të kem një zë në Konferencën e ardhshme të Paqes dhe do ta përdor për të mirën e Shqipërisë”. Studiuesi Peter R. Prifti ka shkruar: “I prekur thellë nga idealizmi i Wilsonit, Noli u bë mbështetës i zjarrtë i demokracisë Wilsoniane. Drejtësia ndërkombëtare, vëllazëria njerëzore, dhembshuria për të dobëtit”.

POLITIKA E WILSON-IT NDAJ SHQIPËRISË, DIMENSIONI MORAL

Mbështetja e presidentit Wilson për sovranitetin e Shqipërisë gjatë Konferencës së Paqes përfaqësonte një nga rastet e rralla ku diplomacia morale amerikane ndikoi drejtpërdrejt në rezultatet territoriale evropiane. Kur negociatorët evropianë propozuan ndarjen e Shqipërisë midis fqinjëve të saj, Wilson ndërhyri vendosmërisht, duke deklaruar se Shqipëria duhej të mbetej e paprekur dhe sovrane (Encyclopaedia, n.d.). Historianët shpesh kanë atribuuar këtë qëndrim të Wilson-it në përkushtimin e tij të përgjithshëm ndaj vetëvendosjes. Megjithatë, përforcimi intelektual dhe moral që ofruan figura si Charles R. Crane ishte po aq vendimtar. Avokatia e Crane ndihmoi të forcohej perceptimi që Shqipëria simbolizonte vuajtjet e kombeve të vegjël që luftonin për njohje mes politikës së fuqive të mëdha. Përmes diskutimeve dhe kanaleve këshilluese, Crane i bëri të kuptohet Wilson-it se shqiptarët, edhe pse politikisht të fragmentuar, përfaqësonin një komunitet kombëtar të veçantë që meritoi pavarësi.

Kundërshtimi i Wilson-it ndaj kërkesave italiane për Vlorën dhe propozimit të protektoratit nuk rrjedh nga kalkulime strategjike, por nga një përputhje morale që pasqyronte logjikën e Craneit. Të dy burrat e panë rendin pas-luftës si një mundësi për të treguar se drejtësia mund të triumfonte mbi imperializmin. Në këtë kuptim, Shqipëria u bë një mikrokosmos moral i vizionit më të gjerë të Wilson-it për një rend ndërkombëtar të ri. Megjithëse Shtetet e Bashkuara në fund të fundit u tërhoqën nga pjesëmarrja aktive në Lidhjen e Kombeve, precedentët moralë të vendosur në Paris — mbrojtja e kombeve të vegjël si Shqipëria — rezatuan ndër dekada. Për Shqipërinë, mbështetja e Wilson-it, e përforcuar nga këshilla e Crane-it, siguroi legjitimitet diplomatik kryesor që ndihmoi në njohjen nga Lidhja e Kombeve në 1920. Deri sot, Wilson mbetet një ndër pak presidentët amerikanë që nderohet me monumente dhe rrugë emëruar në Shqipëri, dëshmi e asaj solidariteti historik.

NDIKIMI MË I GJERË I CRANE-IT: DIPLOMACIA KULTURORE DHE BALLKANI

Përtej diplomacisë, përfshirja e Crane-it me Shqipërinë pasqyronte përkushtimin e tij më të gjerë ndaj shkëmbimeve kulturore dhe arsimore si instrumente të diplomacisë morale. Ai financonte universitete, ekspedita arkeologjike dhe studime gjuhësore në Evropën Lindore dhe në Lindjen e Afërt, i bindur se mirëkuptimi i ndërsjellë ishte thelbësor për paqe. Në Ballkan, Crane mbështeti iniciativa që synonin modernizimin e arsimit dhe promovimin e vetëdijes kombëtare midis popujve të vegjël që dilnin nga sundimi osman. Admirimi i Craneit për Shqipërinë rridhte pjesërisht nga ajo që ai e perceptonte si guxim dhe rezistencë e një populli prej kohësh pa agjenci politike. Letra e tij zbulon si një fascinim romantik ashtu edhe respekt pragmatik. Ndryshe nga shumë vëzhgues evropianë që shikonin Ballkanin nëpër prizmin orientalist, Crane e pranoi Shqipërinë si një shoqëri e aftë për modernizim pa dominim të jashtëm. Besimi i tij në të drejtën e shqiptarëve për të përcaktuar fatin e tyre pa domino të huaj pasqyronte simpatitë e tij të mëparshme për sllavët dhe arabët, duke e pozicionuar atë si një nga avokatët më të hershëm amerikanë të vetëqeverisjes indigjene. Përmes rrjetit të tij filantropik, Crane inkurajoi gjithashtu kërkimin akademik mbi Ballkanin në institucionet amerikane, duke ndihmuar në mënyrë indirekte një kuptim më të nuancuar të Evropës juglindore në qarqet intelektuale të SHBA-së. Përpjekjet e tij paraprinë atë që më vonë do të bëhej fusha e “studimeve rajonale”, duke lidhur diplomacinë morale me prodhimin e njohurive.

TRASHËGIMIA CRANE–WILSON DHE RËNDËSIA E SAJ

Partneriteti mes Wilson-it dhe Crane-it ilustron bashkimin e idealizmit moral dhe diplomacisë pragmatike, që karakterizoi politikën e jashtme amerikane të fillim-shekullit të njëzetë. Ndërsa Wilson shpesh është kritikuar për mungesë koherence në zbatimin e vetëvendosjes — veçanërisht në kontekste koloniale — ndikimi i këshilltarëve si Crane tregon se Wilsonianizmi përmbante impulse morale të vërteta, të bazuara në bindje individuale dhe jo vetëm në kalkulime gjeopolitike (Leclair, 2017). Mbrojtja e Crane-it për Shqipërinë, një komb me pak vlerë strategjike për Shtetet e Bashkuara, përfaqëson këtë idealizëm në praktikë. Avokatia e tij riafirmoi idenë se dinjiteti i kombeve të vogla nuk ishte një zbukurim retorik, por një provë morale për rendin ndërkombëtar në krijim. Megjithatë, kufijtë e diplomacisë morale u bënë gjithashtu të qartë. Refuzimi i Senatit amerikan për të ratifikuar Traktatin e Versajës dhe për t’u bashkuar me Lidhjen e Kombeve kufizoi aftësinë e Amerikës për të mbajtur udhëheqje morale. Për Shqipërinë, tërheqja e angazhimit amerikan do të thoshte se mbijetesa e saj si shtet i pavarur varej kryesisht nga politika e fuqive evropiane dhe rezistenca e brendshme. Megjithatë, mbështetja simbolike dhe morale e Wilson-it dhe Crane-it kishte lënë tashmë gjurmë të qëndrueshme.

Historiografia moderne shqiptare vazhdon të konsiderojë Wilson-in si “mik i Shqipërisë”, por pak e njohin që ndikuese në formësimin e asaj miqësie ishte Charles R. Crane. Përmes bindjes personale, ndikimit intelektual dhe diplomacisë joformale, Crane ndihmoi në përkthimin e idealeve Wilsoniane në një politikë konkrete që ruajti integritetin kombëtar të Shqipërisë. Charles R. Crane zë një vend unik në peizazhin intelektual dhe diplomatik të epokës Wilsoniane. Avokatia e tij për Shqipërinë exemplifikon ndërthurjen e bindjes personale morale, filozofisë humanitare dhe diplomacisë së lartë. Duke mbrojtur çështjen shqiptare, Crane jo vetëm mbrojti të drejtën e një kombi të vogël për t’u bërë, por gjithashtu mbajti themelin etik të vizionit të Wilson-it për një rend ndërkombëtar të drejtë. Ndërsa kontributet e Crane janë shpesh anashkaluar nga bashkëkohësit e tij, roli i tij në ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë zbulon dimensionin njerëzor të diplomacisë Wilsoniane — një diplomaci e bazuar jo në fuqi, por në parim. Aleanca mes Wilson-it dhe Crane-it mbetet një dëshmi e përhershme se udhëheqja morale, edhe kur kufizohet nga realitetet politike, mund të formësojë fatin e kombeve. Në rastin e Shqipërisë, ajo bëri më shumë sesa kaq: siguroi që mes rrënojave të perandorive, një komb i vogël të gjenin jo vetëm sovranitetin e vet, por edhe një mik përtej Atlantikut që besonte, ashtu si Crane, se drejtësia dhe liria ishin të drejta universale, jo privilegje të të mëdhenjve.

BIBLIOGRAFI

Crane, Charles Richard. Memoirs of Charles R. Crane. Typescript. Box 3, Folder/ X, Bakhmeteff Archive, Rare Book and Manuscript Library, Columbia University. Finding Aids

Leclair, Zacharie. Charles/ R./ Crane and Wilsonian Progressivism. Washington College Studies in Religion, Politics, and Culture/ 10. New/ York: Peter/ Lang, 2017. Peter Lang

Saul, Norman/ E. The Life and Times of Charles/ R./ Crane, 1858 1939: American Businessman, Philanthropist, and a Founder of Russian Studies in America. Lanham, MD: Lexington Books, 2012. Nomos eLibrary+1

Smith, John (ed.). Wilson and the New Diplomacy: Ideals, Realities, and the Emerging World Order 1914 1924. Cambridge: Cambridge University Press, 2014.

United States Department of State. Papers Relating to the Foreign Relations of the United States, The Paris Peace Conference, 1919. Ëashington, DC: Government Printing Office, 1926.

“Charles/ R./ Crane Papers 4077437.” Finding Aid. Rare Book and Manuscript Library, Columbia University. Açessed [Date].

Finding Aids Huntington Wilson, Francis/ Mairs. “Report on Charles/ R./ Crane, April 8, 1910.” (Typeëritten memo). In the Myrin Library Special Collections Department, Ursinus College. Digital Commons

/Gazeta Panorama

“Babanë e vranë pas shpine shokët e tij partizanë, po ashtu edhe vëllanë tim ushtarak”- Dëshmia e rrallë e Limoz Dizdarit: E detyruan të vriste një deputet që do arratisej më ’63…

Ngrënia e “kokave” brenda llojit, filloi që nga Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare e, deri ditët e sotme, në pushtetin dhe qeverisjen e Partisë Komuniste Shqiptare. Rruga drejt pushtetit mesa duket, për këtë forcë politike që qeverisi 50 vjet këtu në Shqipëri , 70 vjet në gjysmën e botës dhe vijon edhe sot në disa shtete, udhëton përmes krimit. U vranë e u shpallën tradhtar bashkëluftëtarët e tyre, u burgos dhe u internua një pjesë e madhe e njerëzimit pa asnjë faj, u shpronësuan të pasur dhe të varfër. U zhdukën edhe pa varre dhe ende të afërmit rropaten për të gjetur eshtrat e tyre.

 

Një rast i tillë është edhe ai i Hulësi Dizdarit, babait të artistit e kompozitorit të njohur, Limoz Dizdari. Emri i Hulësiut, më 5 maj 2020, pas shumë vitesh heshtjeje nëpër labirinte enigmash, u rreshtua në listën e “Dëshmorëve të Atdheut”, ndonëse propozimi ishte bërë vite më parë nga vet Sulo Gradeci, si ish-partizan i Brigadës së Shtatë Sulmuese, përsëri u vonua shpallja e tij “Dëshmor i Atdheut”.

Po çfarë ndodhi me Hulësiun dhe djalin e tij, të dy partizanë?

Atij me të vërtetë i takojnë vargjet e këngës: “Ç’është kështu dëshmorë me ju/ Vitet tutje e ju tëhu”. Sepse, sado vite që kaluan nuk e zbehën dhe as e fshehën dot të vërtetën ndaj Hulësi Dizdarit. Në moshën 43 vjeçare doli partizan së bashku me djalin e tij, Basharin, duke u rreshtuar në Brigadën e VII-të partizane, duke lënë nga pas gruan, Myzejenin 35 vjeçare, me pesë fëmijë. Për ta mbrojtur familjen e tij nga persekucionet e pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, e strehoi tek miku i tij në Fushë-Bardhë, në familjen Çarçani.

Myzejen Dizdari ishte rrobaqepëse dhe u aktivizua duke qepur rroba për partizanët e Zonës së Parë Operative, kështu që rreshtohet si aktiviste e LANÇ-it. Data fatkeqe e Hulësiut do vinte më 15 korrik 1944, në luftimet e Therpelit të Skraparit. Dokumentet dhe dëshmitarët e kohës si dhe vet i biri, Limozi, thonë dhe flasin me ashpërsi, se; “e vranë shokët prapa krahëve në pabesi”. Ndaj vite më vonë deri në 5 maj 2020, ai u mbulua me heshtje. Limozi dhe miqtë bashkëkohës kanë sjellë një shembull si fakt për të argumentuar vrasjen e pabesë të Hulësiut.

Ata thonë se para se të vritej Hulësiu, shtabi i brigadës e transferon djalin e tij Basharin, për në Brigadën e 19 Sulmuese. Ndoshta ka qenë pjesë e skenarit për të mos parë vrasjen e të atit. Bashari nuk deshi të ikte dhe qëndroi i fshehur nga partizanët, në kundërshtim të urdhrit të firmosur nga zv/ komandant i Shtabit të Brigadës. Qëndroi dhe pa babain të vrarë në rrethana të dyshimta, ashtu si koha në vitet më pas do të vërtetonte këto dyshime të vrasjes së pabesë dhe pas krahëve.

Por një fat akoma më i keq e ndoqi Basharin, të birin e Hulësiut dhe vëllain e artistit, Limoz Dizdari, ndonëse ai kish dalë partizan që 15 vjeç. Çlirimi i Shqipërisë e gjeti 16 vjeçar. Në 1945 u hap shkolla “ Pionierët e Luftës”, e kadetëve dhe më pas u quajt shkolla “Skënderbej”. Kërkoi të shkonte të studionte në këtë shkollë, por nuk e çuan. Këtu fillon dhe kalavari i madh dhe fati që do t’i nënshtrohej pabesisë si i ati. Në vitin 1964 arrin të realizojë ëndrrën e tij, për t’u arsimuar si ushtarak.

Futet në shkollën ushtarake ku diplomohet me nota të shkëlqyera. E emërojnë në Shkodër. Por çuditërisht aty e lanë për pak kohë dhe në mënyrë qesharake, e emërojnë n/drejtor të shkollës Pyjore. E mori si tallje, por nuk e dha veten. Çfarë i duhej shkollës Pyjore një oficer i lartë? Diskriminim. Dhe më 19 janar 1970, pas kthimit nga Tirana ku qe dërguar të merrte mjete mësimore për shkollën, si makete armësh me kallama bambu, shoferi gaboi dhe ndërroi rrugë, makina del nga rruga dhe përmbyset në Bunë. Shoferi ja doli mbanë, ndërsa Bashari humbi pa gjurmë e, nuk u gjet kurrë më!

Artisti Limoz Dizdari na thotë se: “për neve dhe vet logjikën, vëllain na i vranë”. As për ngushëllim nuk na erdhi njeri. “Vajta vet, – vijon Limozi, – në Ministri të Mbrojtjes. Takova Dilaver Poçin. I thashë pse kjo heshtje nga Ministria dhe komanda. Pse nuk bien as pagën e tij tek familja, as edhe një gjë a send të tija, që ka lënë këtu”. Përgjigja e Dilaver Poçit qe e thatë dhe plot enigma. – ‘Ka një rregull, – më tha, – që për ushtarakët që nuk u gjendet trupi, nuk lejohen ceremoni’. Me kaq u ndamë. Por dua të shtoj edhe një fakt tjetër.

Dikur në vitin 1963-1964, ka qenë një n/kolonel i Ministrisë së Brendshme, Haxhi Hajdari. Ky qe edhe deputet i Malësisë së Madhe. U ngujua në një shpellë dhe nuk e kapnin dot. U detyruan ta qëllojnë me top. U caktua Bashari si artiljer i zoti dhe i besuar i partisë, si anëtar i saj, që 15 vjeç”.

Kjo është e gjitha historia e Hulusi dhe Bashar Dizdarit mes enigmave dhe pluhurit të heshtjes. Kohë më parë ai i është drejtuar kryeministrit Rama të mbrojë vlerat kombëtar se edhe Qendra Kulturore “DEA” e Ksamilit është e tillë dhe nga mbi 140 të tilla që u trashëguan nga sistemi socialist, sot vetëm kjo ekziston me një funksion të tillë.

Artisti Limoz Dizdari, me rastin e shpalljes së babait të tij dëshmor, ka marrë shumë urime dhe vlerësime. Ai mes një letre publike, u jep falënderimet atyre që mbi emrin e babait të tij, vunë kurorën e lavdisë dhe lulet e krenarisë mes fjalëve si nderim.

LETRA  E LIMOZ DIZDARIT, PAS SHPALLJES “DËSHMOR I ATDHEUT” TË ATIT, QË U VRA NGA SHOKËT E TIJ PARTIZANË TË BRIGADËS VII

 “Dje në FB të bashkëshortes sime, Adrianës, lexova mirëkuptimet shpirtërore të një grupimi të shumtë njerëzish që me fjalë të zgjedhura shpirti, me rastin e 5 majit më uronin për vlerësimin e Hulësi Dizdarit, babait tim, si ‘Dëshmor i Atdheut’, i vrarë në LANÇ nga vet shokët e tij të Brig. 7-të Sulmuese. Ishte me të vërtetë shumë emociononte për mua ky gjest spontan i Adrianës që mori një vlerësim të posaçëm të një rrethi të gjerë njerëzish, që matanë brengës që na ka shoqëruar, të gjej frazën dhe fjalën e duhur t’u falënderoj të gjithëve për gjestin tuaj fisnik që flet shumë e më shumë nga sa thotë…! I mësuar me urdhrin të mos flisja e as të komentoja, ju të dashur miq e njerëz të mirë, me të cilët bashkudhëtoj, u bëtë në këtë 5 maj shumë të zhurmshëm, me dritë dhe me emocion.

Një jetë kam heshtur e kam buzëqeshur. Nëna ishte zmadhuar. Ishte baba, ishte dhe nënë. Ishte nënë e butë, por duhej të ishte dhe e fortë. Ajo që më ka habitur më shumë në gjithçka tek ajo grua, ka qenë përgjigja e pyetjes se, si ka përballuar tërë atë trysni të ushtruar nga e liga: Nga familja e saj prej 6 personash, nga të cilët tre veta dolën në mal për të qenë zot në vendin e tyre; ajo vet, burri i saj dhe djali i madh, Bashari, burrin ja vranë, djalin ja zhdukën, atë vet e mbuluan me heshtje. E sikur të mos mjaftonin këto, në ditët e fundit të luftës i vranë edhe djalin e xhaxhait, Nebil Çikën, ku është rritur si e mbetur jetime që i dha emrin Myzejen dhe emri i përkushtohet “Pou-pai” e që të gjithë kështu i flisnin Pepe-kukull.

Edhe kur u rrita i flisja kështu nënës dhe nuk mendoja se sa ironik kish qenë fati i jetës së saj me të, por lumturohesha se xhaxhai i saj i mirë, Nuredini, e trajtonte mbesën e tij të dhimbsur si kukull, pa menduar se jeta e saj më shumë do t’i ngjante në fatin e jetimit e pothuaj asfare me atë të ëndërrimtares që dhe pse i flisnim Pou-pai—Pepe—kukull, ajo e jetoi jetën si jetime. Çdo fjalë falënderimi për ju, o njerëz të mirë, është e vobektë të shprehë respektin tim që kam. Ju jam mirënjohës…!  Ju me siguri e thatë me këtë rast nderimin dhe respektin, dhe unë do ju dua më shumë kur lexoj shpirtin e atyre që vlerësuan këtë akt shumë të vonuar dhe zunë një hapësirë të gjerë përfaqësimi shoqëror. Ju falënderoj shumë e plot brengë të gjithë juve kolegë kompozitor, artist, nga do që vini me urimet tuaja nga vendet e shumta e të ndryshme të botës.

Me kënaqësi të falënderoj, o mikja ime Hebraike e mençur, e talentuar dhe plot virtyte me bollëk. Falënderoj të gjithë ju ushtarakë që fati na afron shumë me njëri-tjetrin e që na imponojnë të bëjmë vazhdimisht pyetjen “…Po nesër…”??? Ju faleminderit shumë juve të nderuar diplomat, politikanë e njerëz të thjeshtë, të qartë e të kthjellët që më uroni me shpirt për këtë vlerësim të vonuar…të vonuar shumë nga shteti im apo juaji, që edhe pse i tillë, vrastar, i papërgjegjshëm, i heshtur e pa zë e të kuq në fytyrë, u mundova të këndoja, jo pa sukses…nuk isha i vetëm, kishte shumë të tjerë hallexhinj, por ngushëllohem se dhe bylbylat që këndojnë në zabelet e këtij vendi e të këtij populli, janë bashkë.

Me siguri, të gjithë ju që po ju kthej falënderimin, bëni të njëjtën pyetje: “Po nesër…”? Ju pyesni se do të jetë nesër ai njeri që do të respektojë datën e respektimit të të rënëve të gjeneratës së re? A do të jetë i ndërgjegjshëm e i virtytshëm, patriot si Ismail Qemali, apo oligark e i pasur, i shitur apo i importuar, i veshur me kostume të kushtueshme e me makina jashtë serie? Sidoqoftë, 5 maji, kjo ditë me dritë e me dhimbje njerëzore, është një pikë referimi e popujve, por jo e qeverive antikombëtare. Dita e Dëshmorëve as nuk mësohet e as nuk diktohet, ajo është vetëm pjesë e një ndërgjegje të madhe kombëtare.

Unë e di mirë dhe dua t’u bëj me dije se vlerësimi i Hulësiut është vetëm një akt administrativ që pothuaj nuk ka asnjë vlerë sa kohë që fakti i së vërtetës vazhdon të dergjet nën dhe’ duke mbajtur peshën e baltës më të rëndë të kohës dhe vlerën e njeriut si jo ndonjëherë. Përsëri, sidoqoftë, 5 maji si Dita e Dëshmorëve dhe afrimi i njerëzve rreth kësaj date, pavarësisht shkakut, është një vijë kufiri ndarës midis së mirës dhe së keqes, midis atyre që e duan vendin dhe shkojnë me qejf në luftë për të mbrojtur familjen dhe atdheun dhe atyre që shesin lehtësisht interesat e vendit në këmbim të sigurimit të një vendi diku poshtë instinktit të një lope a të një kali të përkëdhelur përditë nga parfumet që përdoron ajo zonë e vendqëndrimit të tyre…”! / Memorie.alNga Agron MEMA

Me respekt

Limoz Dizdari

Ksamil, maj 2020

“Ju lutem merrni masa që të lejohem të shkoj në Turqi te njerëzit e mi…- Zbulohet letra e rrallë e mbesës së Hasan Prishtinës, për Enver Hoxhën: Këtu nuk mund të jetoj

Një dokument i rrallë i vitit 1949, rikthen në vëmendje historinë tronditëse të Elma Prishtinës, mbesës së personalitetit të njohur, ish-kryeministrit të Shqipërisë, patriotit të njohur, Hasan Prishtina. E bllokuar në Shqipëri pa familje, pa pasuri dhe pa të drejtë largimi, Elma i shkroi personalisht kryeministrit Enver Hoxha, një letër të gjatë dhe të dhimbshme, duke kërkuar vetëm një gjë: të largohej nga vendi ku nuk kishte asnjë njeri dhe ku nuk mund të mbijetonte.

 

Historia e saj nis më 1939, kur babai, Ymer Prishtina — vëllai i Hasan Prishtinës — e solli në Shqipëri pak para shpërthimit të luftës italo-greke. Me origjinë nga Selaniku dhe me shtetësi greke, ai u detyrua të merrte shtetësinë shqiptare gjatë luftës. Por vdiq në fund të vitit 1942, duke e lënë Elman vetëm, të pambrojtur dhe pa asnjë të afërm në vend.

Pas ardhjes së komunistëve në pushtet në fundin e vitit 1944, Elma mbeti në Shqipëri si shtetase e huaj me dokumente të rregullta. Ndërsa familjarët e thërrisnin nga Turqia, ajo mori një leje-kalimi, shiti gjithçka kishte, dhe u përgatit të largohej. Por rruga iu mbyll në minutën e fundit: konsullata jugosllave nuk i dha vizën e transitit.

E bllokuar dhe pa asnjë mjet jetese, ajo iu drejtua vetë Enver Hoxhës në shtator të vitit 1949, duke i lutur që t’i shtynte afatin e lejes dhe t’i mundësonte ikjen përmes Italisë. Kërkesa nuk u aprovua kurrë. Fati i Elma Prishtinës u bashkua me qindra të tjerë, që regjimi komunist në fuqi nuk i lejoi të largoheshin nga vendi.

Më poshtë, letra e saj origjinale, një prej dëshmive më të rralla të asaj kohe — një zë i brishtë i mbetur në duart e një regjimi të pamëshirshëm.

LETRA E MBESËS SË HASAN PRISHTINËS, DËRGUAR ENVER HOXHËS

Gjeneral kolonel Enver Hoxhës

Tiranë

E nënshkruara Elma Prishtina shtëpiake dhe banuese në “Lagjen Misto Mame”, “Rruga Bajram Curri” Nr. 419, marr nderin me ju parashtrua sa më poshtë:

Baba jem i ndjeri Ymer Prishtina, vëllai i të ndjerit Hasan Prishtina, mbas ikjes së Zogut nga Shqipnija në muajin Gusht të vitit 1939, më mori dhe mua vajzën e tij të vetme dhe ardhëm këtu për një vizitë, mbas shumë vjet mërgimi; dhe mbasi filloj lufta kundër Greqisë, baba i jem, i cili kishte shtetësi greke, mbase jetonim në Selanik ku kemi edhe pasurinë tonë, u shtrëngua të marrë shtetësinë shqiptare, porse në fund të vitit 1942 vdiq, e kështu unë mbeta vetëm dhe nuk pata mundësi që të shkonj, mbasi ra Greqia, sepse isha një vajzë e re pa njeri të afërm t’imin.

Kur hyri Partia këtu unë vazhdova që të qëndroj si shtetase e huaj, siç rezulton edhe nga leje-qëndrimi për të huaj që kam në dorë.

Mbasi pra në këto kohët e fundit njerëzit e minj që kam në Turqi më kanë kërkuar që të shkonj atje kërkova rregullisht një leje – kalimi, e cila dhe m’u dha porse nuk munda që të shkonj, sepse Konsullata Jugosllave nuk më mbante vizën që të kaloja nëpër Jugosllavi.

Në këtë ndërkohë unë, tue shpresue se do të shkonja shita të gjitha plaçkat e mia dhe sot kam mbet pa asnjë gjë. Me qenë pra se jam një copë vajzë, që nuk di as gjuhën shqipe, mbasi kam le në Selanik. Dhe me qenë se tash kam mundësi që të shkonj në Turqi më anë të Italisë.

Prandaj marr nderin t’ju lutem të kini mirësinë të merrni masat e duhuna që të më shtohet leja e lejekalimit dhe të më vizitohet e kështu të mundem të shkonj sa pa zënë dimni e, të vetë pranë njerëzve të minj e të shpëtonj jetën, mbasi këtu nuk kam kurrsesi mundësi që të jetoj./ Memorie.al

                                 Tiranë, më 5.XI.1949

                                      Me nderime

                                     Elma Prishtina

“Trego ku je takuar me diversantët!”, arrestimi i Ndue Gjinajt më 1979 pasi u arratis i vëllai! Si u mbajt shtëpia për 40 vjet nën vëzhgimin e Sigurimit!

NDUE DEDAJ

Familja e mirënjohur Gjinaj e Fushë-Arrësit mori rrokullimën në vitin 1952, kur Prenushi, djali i madh i Mark Pjetër Gjinajt, u arratis nga Shqipëria për në Jugosllavi bashkë me të shoqen Lizën, ku pasi qëndroi disa vite në Kosovë, u vendos me familje në Bruksel dhe ndërroi jetë në vitin 1973. Por “fantazma” e tij nuk iu hoq asnjëherë nga sytë Sigurimit të Shtetit, që i persekutonte familjen këtu, duke iu kërkuar vazhdimisht vëllezërve, sidomos Ndoit, të tregonin lidhjet që mbanin me të arratisurin e bujshëm të fillimviteve ‘50, krahas nacionalistëve të tjerë në zë: Pjetër Çup Qafa, Gjon Gjinaj, Mark Cara etj. Mbas arratisjes së Prenushit familja e tij u internua e gjitha në Tepelenë, i zoti i shtëpisë, plaku i urtë Mark Pjetri bashkë me të bijtë Nduen dhe Pjetrin, ku Ndoi ka ndenjur 7 vjet në internim dhe ka qenë i dënuar në burgun e Spaçit. Shtëpia që nga ajo kohë ka qenë gjithmonë nën vëzhgim e survejim, se mos aty hynin dhe dilnin të arratisurit. Disa herë është dyshuar se Prenushi ishte hedhur me parashutë si diversant, për rrëzimin e pushtetit popullor. Njerëzit e Sigurimit përgjonin në arë me orë të tëra, ndonjëherë dhe gjithë natën, kush hynte dilte nga shtëpia në Tuç, që ishte në mes të pyllit. “Ne nuk kishim se çfarë t’u banim, tregon e moshuara 90-vjeçare Nanë Dila, por u lëshonim qentë, që ishin të fortë me farue tokën. Të nesërmen spiunët e zonës donin me na e përhumbë mendjen, tue thanë, “nuk kanë qenë njerëz, por bishat e egra të malit, arushat…” Por nuk ishte ashtu, pasi aty ku kishin qëndruar kishte gjurmë njerëzish, bishta cigaresh e të tjerë. Kur familja Gjinaj ndërtoi shtëpinë e re në Tuç, më 1965, njerëzit e Sigurimit iu ishin hakërryer: “E keni bërë shtëpinë për “Ambasadë Jugosllave”, që të vijnë diversantët nga Jugosllavia dhe të strehohen këtu mes pyllit të dendur…”.

DOSJA E NDUE PJETRIT

Shfletojmë dosjen e Ndue Mark Pjetrit, marrë nga familjarët në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit. “I pandehuri Ndue Mark Gjinaj, duke qenë një element me prejardhje dhe qëndrim të keq politik, i karakterizuar nga ndjenja pakënaqësie e armiqësore kundër pushtetit popullor, i zhytur me dashje në veprimtarinë e tij, në mënyrë të vazhdueshme është munduar me format më të stërholluara për t’iu kundërvënë politikës parimore të partisë sonë, masave me karakter revolucionar që janë marrë për vazhdimin e revolucionit dhe ndërtimin e plotë të shoqërisë socialiste në Shqipëri. Të gjitha transformimet që janë bërë në vendin tonë, si në fushën ekonomike, ideologjike e politike, ky i pandehur i ka parë e interpretuar me syrin e një armiku të klasës, ku konkretisht, i karakterizuar nga ndjenjat armiqësore, ua ka komentuar në mënyrë të shtrembër personave të ndryshëm, për të bërë sa më shumë për vete njerëz të pakënaqur e për t’i hedhur ata në rrugën e armiqësisë ndaj pushtetit popullor…”. Asnjë krim kundër shtetit. Propagandë e pastër! Një llomotitje politike që të zë frymën. Ja dhe “argumentet” mjerane. I pandehuri Ndue Gjinaj, në bisedë me dëshmitarin X, në muajin shtator të vitit 1967, në shtëpinë e tij, ndër të tjera i thotë: “Tani në fshat nuk jetohet, tokat na i kanë marrë, jetesa është bërë shumë e vështirë, sepse punon gjithë ditën e ditës në kooperativë bujqësore dhe kur vjen fundi nuk marrim gjë, ato pak lekë që marrim nuk na dalin për të ushqyer fëmijët. Me sa duket, kjo qeveri do të rrëzohet e ky sistem do të ndryshojë”. Po në vazhdim të bisedës, me këtë dëshmitar, kur ra fjala për vëllain që është i arratisur jashtë shtetit, Ndueja, ndër të tjera, i thotë: “Vëllai im Prenushi që është jashtë shtetit jeton shumë mirë, sepse jashtë shtetit gjithë populli jeton me pasuri të mëdha e jo si këtu tek ne që populli po vuan”. I pandehuri Ndue Gjinaj, duke mos hequr dorë për asnjë çast nga rruga e nisur, në muajin korrik të vitit 1979, pasi takohet me dëshmitarin Y ndër të tjera i thotë: “Kjo qeveri që është sot në fuqi tek ne, i ka prishur marrëdhëniet me të gjitha shtetet, tani dhe me Kinën, dhe kështu ka mbetur e vetme e pa përkrahjen e asnjë shteti; kësaj qeverie i ka ardhur fundi e së shpejti do të rrëzohet”. Gjithashtu ky i pandehur, në pranverën e vitit 1974, pasi është takuar tek qendra e fshatit Tuç me një tjetër dëshmitar, ndërmjet të tjerave i thotë: “Tani jetesa në kooperativë bujqësorë është bërë shumë e vështirë, populli tek ne po vuan, ndërsa përpara kemi pasur tokat tona dhe kemi jetuar mirë. Jashtë shtetit, si në Jugosllavi, populli atje jeton mirë dhe ka të ardhura të shumta, sepse e ka tokën të tij, bagëtinë të tij e jetesën e bën të mirë e jo si këtu tek ne që po vuajmë për bukën e gojës”. Më tej aktakuza vazhdon me formulime të përgjithshme stereotipa që hasen dhe në të tjera të ngjashme, se “vepra e kryer paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore”, ashtu siç “paraqet rrezikshmëri të theksuar dhe vetë i pandehuri për krimin që ka kryer”; se “fajësia e tij provohet plotësisht”, “akuzohet se me dashje ka kryer krimin e agjitacionit dhe propagandës kundra pushtetit popullor, vepër e parashikuar nga neni 55/1 i Kodit Penal. Kjo aktakuzë së bashku me materialet e tjera të dosjes penale nr. 41 i kalon drejtpërsëdrejti gjykatës popullore të rrethit Pukë për gjykim”. Kujton i afërmi i tij Zef Pemati. “E sillnin Nduen me “Xing-Fu”-në e Degës së Punëve të Brendshme Pukë dhe e qitnin në malin e Poravit, duke i kërkue me kambëngulje: “Fol, ku je takuar me Prenushin, kur ai është hedhur me parashutë si diversant! Te cila shpellë? Te cili gur? Te cila pishë? Ne e dimë që ai ka ardhur nga matanë kufirit dhe ti e ke takuar. Fol, me kë ishte? Çfarë të tha?”. Ndoi ishte i habitur me ato që i dëgjonin veshët. Ata e provokonin pareshtur, por ai nuk e kishte takue të vëllanë qysh atëherë që ishte arratisun. Për ma tepër ai nuk e dinte që Prenushi kishte ndërrue jetë pak kohë ma parë në Belgjikë….”

RRËFIMI I BIRIT PËR TË ATIN

Është folur e shkruar jo pak për Spaçin brenda telave, por thuajse nuk është thënë asgjë për “Spaçin” jashtë telave, njerëzit që merrnin përditë rrugët e gjata gjithë pluhur për tek të afërmit e tyre të burgosur në Burrel, Spaç, Qafë-Bari dhe kamp-burgjet e tjera politike të vendit. Një kalvar më vete i qindra njerëzve, sidomos gra e fëmijë, që u kishte rënë kjo barrë, për t’ua lehtësuar sadopak dhimbjen të dashurve të tyre të ngujuar me vite e vite në galeritë e bakrit etj.. Mark Gjinaj, është biri i Lenës së Marka Dod Alisë dhe Ndue Mark Pjetrit. Në një intervistë të pabotuar rreth jetës së tij, sjell një dëshmi të dhimbshme nga fëmijëria e tij, që lidhet po me Spaçin, ku qëndroi si i burgosur politik i ati, Ndue Mark Pjetri. “Mbasi arrestuan babën, herën e parë, ditën e nesërme kur shkova në shkollë, pas një ore ecje në këmbë, në klasë gjykimet ishin të ashpra. Mësuesja ime ishte anëtare Partie. Shkolla, në atë kohë, përbëhej nga 4 klasa plot e përplot me nxënës, por asnjë fëmijë nuk më fliste. Asnjë nuk rrinte me mua. Ishte një përjetim i papërshkrueshëm. Megjithatë, ditët kalonin dhe unë u mësova me këtë fakt. Herën e dytë babën arrestojnë në vitin 1979 dhe u dënua me 8 vite burg për ‘agjitacion e propagandë’, ku qëndroi në burgun e Spaçit rreth tre vjet. Nëna ime Lena dhe unë udhëtonim me orë të tëra për ta takuar, shpesh në temperatura të akullta. Unë isha 13 vjeç. Niseshim nga Poravi i Tuçit në orën 4 të mëngjesit për të arritur në Spaç. Nëna ecte ngadalë, pasi kishte mbi shpinë plot 20 kg me ushqime për t’i dërguar babait. Na linin në pritje edhe 1 – 2 orë të tjera, e më pas e takonim. Ajo ishte një dhomë e ngushtë, e vogël, mezi shiheshim, veç t’i dëgjonim zërin dhe t’i preknim duart. Më pas ktheheshim në mesnatë. Unë shkoja një herë në 15 ditë. Sa herë që shkonte një person nga familja, unë gjithmonë shkoja me të deri në ditën që u lirua nga burgu. Spaçi, plot me ngrica, njerëz që punonin nëntokë, grevat që bëheshin, ishte një tmerr i vërtetë. Nuk flas dot më shumë, pasi të gjithë tashmë e dinë çfarë ndodhte aty…”

ISH-BASHKËVUAJTËSI

Nikoll Zef Prenga (Tuci), 90-vjeçar, me banim në Belgjikë, tregon: Sapo erdha nga burgu i Burrelit në Spaç, gjatë apelit, kur po lexoheshin emrat, Ndue Mark Pjetri ndigjoi emnin tim dhe erdhi e më takoi, ai e dinte se unë isha kushëri i së kunatës, edhe pse nuk ishim takue deri atëherë, pasi unë kisha hy i ri në burg. Ndoit i vinin në takim nga shtëpia rregullisht. Në një rast organizuem një drekë në burg, duke i hapun ushqimet mbi një çarçaf. Aty u bamë ma të afërt. Vështirësitë të miqësojnë dhe ma tepër. E kanë thirrë Nduen ata të Komandës dhe e kanë pyet rreth marrëdhanieve tona, i kanë thënë ti e ke mik Nikollë Zef Prengën (Tuci) dhe duem që të na dalësh dëshmitar, se ai flet kundër pushtetit, ban agjitacion e propagandë dhe këtu. Ndoi ua kthen: “Keni ba gabim që më keni thirrë mue për këtë gja, jam moshë e kalueme për kësi punësh. (Ishte rreth të 70-ve). E kam mik shtëpie Nikollën, nuk kam gja për të thanë për të, dmth., kundra tij…”

GRUAJA E FORTË E FUSHË-ARRËSIT

Lena pati fatin të ishte e para nxënëse që u ul në bankat e shkollës në rrethin e Pukës, në vitin 1934. Në një fotografi të rrallë të atij viti, Lena e vogël ka dalë bashkë me të atin Mark Dod Alia, mësuesin shkodran Filip Lacuku dhe një bashkëfshatar. Shkrimtari Bashkim Hoxha, në librin “Aliajt e Kryeziut”, shkruan: “Migjeni, kur ishte kryemësues në Pukë, mori regjistrat e shkollave në fund të vitit shkollor dhe i bën përshtypje emri i një nxënëseje, Lena Marka Dod Alija. Bashkë me kolegun e tij, mësuesin shkodran Abdulla Çanga, nisën nga Puka për në Kryezi për t’u njohur me vajzën dhe prindërit e saj. Migjeni impresionohet nga mikpritja, respekti, biseda, rregulli në familje dhe pastërtia shembullore, ushqimet e gatuara me shije etj.”. Lena rritet në një mjedis të tillë plot virtyte dhe tradita. Jeta e bëri atë një personazh të veçantë në familjen prindërore dhe atë ku u martua. Në vitin 2014 Këshilli i Bashkisë së Fushë– Arrësit, i ka akorduar të moshuarës Lena Mark Gjinaj, titullin “Qytetar Nderi” e Fushë-Arrësit me motivacionin: “Veprimtare e spikatur dhe e guximshme në përkrahje të arsimimit dhe emancipimit të femrës malësore, duke sfiduar paragjykimet e kohës”. Një nënë fisnike me shumë fëmijë që përcolli në breza vlerat dhe virtytet e kësaj krahine duke qëndruar e paepur në përballimin me dinjitet të pasojave të persekutimit të sistemit komunist. Qytetarë të Fushë-Arrësit, historianë e studiues në ceremoninë e dhënies së këtij titulli evidentuan vlerat dhe kontributin e Lena Mark Gjinaj si një nënë fisnike e bujare, patriote e arsimdashëse që vjen nga një derë e njohur e familjes me tradita të shkëlqyera, atdhetare të Marka Dodë Alisë. Familja Gjinaj i ka mbijetuar represionit të regjimit falë harmonisë familjare, unitetit vëllazëror dhe qëndrimit me dinjitet në shoqëri, pa u keqpërdorur nga njerëzit e “pushtetit popullor”. Ky ka qenë një tipar i shtëpive të para, familjeve në zë, mos me e shkelë kurrë besën dhe traditën e të parëve. Kjo ishte masa me të cilën “mateshin” malësorët në votrën e tyre, si burrat, ashtu dhe gratë, të cilat sakrifikonin shumë për familjen ku kishin shkuar nuse. Ndoi dhe e shoqja Lena, në njëzet e një vjet, lindën 10 fëmijë, të cilët i edukuan me traditat më të mira familjare dhe kombëtare. Familja ishte gjëja më e shenjtë për familjen dhe fisin Gjinaj, e cila ruhej me shumë mundim nga familjarët.

MARK DOD ALIJA, NË BURG 80-VJEÇAR

Fati sa e kishte lumturue Lenën, duke u bërë nënë e dhjetë fëmijëve, aq dhe e kishte ndëshkue në rrafshin politik, pasi dy motrat e saj të martuara në Iballe në familjen e njohur të Pematëve, Mrika dhe Shukja kishin qenë në internim, burri në burg politik, por dhe ati, Mark Dod Alia, për më tepër kur ishte në moshën 82-vjeçare. Ka qenë personi më i moshuar në Shqipëri mbi duart e të cilit kanë rënë prangat e regjimit komunist. Më 17 janar 1978 është bërë gjyqi i tij në Pukë, ku është dënuar me 6 vjet burg politik dhe 5 vjet të tjera “pa të drejta civile”, që nënkuptonte mos të zgjidhej në organet e pushtetit dhe mos të ushtronte veprimtari publike. Ky kishte qenë “krimi” i tij, ndikimi i fortë publik që e kishte çuar pas hekurave, pasi i dëgjohej fjala prej një gjysmë shekulli në Pukë dhe Mirditë e më gjerë në Veri. Sipas burimeve arkivore, burri i shquar i Kryeziut, Mark Dod Alia ka qenë ndër përfaqësuesit e Dheut të Spaçit në kuvendin e parisë së Mirditës në Shpal më 29 maj 1928. Lena, e bija, nuk dinte ku të shkonte më parë, kishte mbetur dyerve të burgjeve politike, nga Spaçi në Ballsh, stoike dhe sojnike, një zonjë e vërtetë. Dy vëllezërit Ndue dhe Mark Dod Alija i kishin ndarë rolet, i pari kishte “punët e brendshme” të familjes, mbarëvajtjes së ekonomisë, frekuentimit të miqësisë, kurse i dytë ishte më shumë për “punët e jashtme”, ato të kuvendeve të krerëve dhe parisë, luftës dhe paqes, ndaj dhe do të goditej disa herë, vetëm e vetëm që të bëhej i parrezikshëm për bashkësinë ku rronte. Mirëpo kjo kishte dhe efektin e kundërt, qëndrestarë të tillë si Elez Hoxha i Pukës, Mark Dod Alija, Pashk Curri, Pal Qafa e të tjerë të mbajtur gjatë në burg apo jashtë tij, por nën kontroll të rreptë politik, në popull kishin adhurim të heshtur.

RUAJTJA E VARRIT TË NACIONALISTIT

Mark Gjinaj (i riu) na ka rrëfyer me emocion se si familja e tij në Tuç kishte ruajtur për 40 vjet kujtimin e një varri, që asokohe nuk e dinte askush veç atyre. Ndaj ne menduam të takonim familjarët e Gjetës, djalit që ishte varrosur atje, në rrethana aspak të zakonshme, siç kishte qenë e tillë dhe vdekja e tij. Gjeta kishte qenë i biri i nacionalistit të njohur, Pjetër Llesh Gjoni nga Gjegjani. Ungj e nip, Zef dhe Gjon Lleshi, banues në Lezhë, na rrëfejnë historinë tragjike.

..Ishte viti 1946. Grupet e rezistencës antikomuniste ishin në male. Me to përveç Pjetër Lleshit ishte bashkuar dhe i biri, Gjeta, por jo në të njëjtin grup me të atin. Grupi ku ishte Gjeta bie në pritë në fshatin Shkozë dhe në përballje me Forcat e Ndjekjes plagoset rëndë në këmbë. E kanë marrë shokët e vet dhe e kanë strehue në pyll, që të vinin e ta merrnin natën. Ishte një jetë mundimesh të jashtëzakonshme. Nga plagët mbas një jave Gjeta ndërroi jetë në malin e Poravit. Nuk ishte i lehtë as varrimi, pasi ku të kërkoje ndihmë. Si shtëpi besnike në Tuç ishte ajo e Mark Pjetër Gjinit, të cilës i janë drejtue dhe kanë marrë veglat e punës, kazma, lopata etj.. Vendi ku do të varrosej Gjeta ishte tre kilometra prej fshatit. Atë e dinte bariu i shtëpisë së Mark Gjinajt, që kishte ndihmuar. Varri është hapur në një vend me shenj, që të gjendej lehtë, nëse do të vinte puna të zhvarrosej, pasi askush nuk e besonte se i ndjeri do të mbetej atje në vetmi për gati një gjysmë shekulli. Mbas 1990-ës, një i afërt i Gjinajve, që ishte në Amerikë, ka shprehur dëshirën me i vu në dijeni njerëzit e familjes së Pjetër Lleshit, se ku ishte varri i Gjetës në Porav, në malin e Munellës. Ka ardhë ai dhe kanë shkue bashkë me Frrok Pjetër Lleshin, djalin e Pjetrit dhe vëllain e Gjetës dhe e kanë kërkue varrin në Porav dhe e kanë gjetur sipas shenjave që mbaheshin mend nga ajo kohë e largët… Pavarësisht qëndrimit të ashpër të shtetit ndaj familjeve të të vrarëve, arratisurve dhe persekutuarve, në popull ruhej një mirësi që nuk shqiptohej me fjalë, por tregohej me sjellje, çka e tregon dhe rasti i mëposhtëm.

HISTORIA E NËNËS SË FRANIT

Persekutimi komunist në Veri nuk ka qenë vetëm në disa familje, por përderë, si i thonë fjalës. Ka histori nga më të pabesueshmet. Ish-i dënuari politik, Shkëlqim Abazi, ka sjellë me pak radhë një histori të pazakontë të një nëne pukjane: “Gjithë të dënuarit e viteve…70 – 73 e kujtojnë nanën e Franit, atë grua kreshnike, tepër të vobektë, që nisej në këmbë nga thellësitë e Pukës për të mbërritur në Spaç pas tri ditë-netësh. Si mbushte torbën me fruta pylli, si arra, lajthi, mollçinka, gështenja apo ç’t’i ofronte natyra, mësynte derën e burgut me rregullsi ciklike dy mujore dhe nuk largohej pa u takuar me të birin. Ne ishim mësuar me rregullsinë e asaj nëne fisnike, sa kur mbushej dymuajshi, dilnin mbi tarracë dhe vrojtonim drejt portës. Dhe ajo s’na zhgënjeu ndonjëherë, do vinte në ditën fikse, sillte frutat e pyllit me porosi që i biri të na i ndante secilit nga një kokërr. Por kaluan disa dymujorë dhe nana s’po dukej, u merakosëm. Ç’ti kish ndodhur vallë? Kur nëpërmjet ca të lirëve vendas mësuam se plakën e gjorë e kishin gjetur të ngrirë mes maleve të Pukës dhe Spaçit, me strajcën e pandashme në dorë, na pllakosi zia. Humbjen e saj e përjetuam me dhimbje, si ta kishim njeriun tonë të afërm”.

/Gazeta Panorama 


Send this to a friend