Personat në foto janë Alma, Karlo, Ines, Enco dhe Franko, të identifikuar nga emisioni investigativ italian “Le Iene” si mashtruesit e “Call Center”-it që operonte në një prej kullave të Tiranës.
Hetimet e deritanishme të SPAK dhe BKH-së kanë treguar se truri i aktivitetit mashtrues ishin tre vëllezërit Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj, të cilët janë shpallur në kërkim.
“Le Iene” publikoi investigimin ku zbërthehet se si funksiononte skema mashtruese, ku qytetarëve europianë iu kërkohej të investonin shuma të mëdha. “Le Iene” arriti të infiltronte një person në grupin “Call Center”, i cili më pas zbërtheu edhe mekanizmin si funksiononte skema.
Sipas skemës, operatorët u premtonin qytetarëve të BE-së fitime të shpejta nga investime online, duke kërkuar fillimisht 250 euro. Mandej viktimave u shfaqej një bilanc fiktiv prej rreth 50 mijë eurosh si fitim i supozuar. Por deri në momentin e pagesës kërkoheshin investime të reja, duke rritur vazhdimisht shumën e humbur, derisa qytetarët kuptonin se kishin rënë pre e një mashtrimi.
Të infiltruarit që erdhi nga Italia në Shqipëri iu ofrua rrogë mujore, 3 muaj bazë me 2000 euro, plus përqindjet, akomodim, bileta për të ardhur në Shqipëri, si dhe strehim.
Nga hetimet e “Le Iene” ka dalë se një shoqëri nga Napoli, Flamel, e drejtuar nga Armando Iandolo, do të kishte marrë nga organizata kriminale detyrën për të identifikuar Call Center-at të cilëve t’u besoheshin telefonatat mashtruese. Dy prej tyre, Eurotel i Torinos dhe Arriva e Palermos, do të kishin vënë në dispozicion, me shumë gjasë në mënyrë të vetëdijshme, stafin e tyre për të bindur viktimat të derdhnin para.
Nga tabela e komisioneve që i dërgon në WhatsApp, kuptohet që konsulentët fitojnë shuma të jashtëzakonshme. Më të mirët marrin 21% të milionit që i sjellin kompanisë, rreth 200 mijë euro. Të tjerët, edhe pse më pak të suksesshëm, arrijnë gjithsesi nga 15 deri në 50 mijë euro.
Në kuadër të këtij operacioni, janë arrestuar: Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi. Ndërkohë vijojnë kërkimet për kapjen e tre vëllezërve Prekaj.
“Shikoni këto foto. Alma, Karlo, Ines, Enco dhe Franko. Ata janë disa nga kriminelët që bëjnë pjesë në një nga bandat mafioze shqiptare që prej vitesh veprojnë nga Tirana, duke zbrazur llogaritë bankare të mijëra personave përmes investimeve të rreme në trading online. Prej më shumë se një muaji po tregojmë këtë sistem mashtrimi dhe sot, pas një pune të gjatë hetimore, kemi arritur të hyjmë në zemër të mekanizmit mashtrues, duke infiltruar një nga njerëzit tanë brenda organizatës kriminale”.
Gjithçka nis me një telefonatë. Një operatore prezantohet me një identitet të rremë:
“Po telefonoj nga shërbimi i cilësisë së investimeve Finvest”.
Më pas ju fton të investoni para.
“Me një depozitë minimale prej 250 eurosh aktivizohet roboti ynë këshilltar”, – vazhdon operatorja – “një robot që, duke përdorur inteligjencën artificiale, do të blejë dhe shesë aksione të kompanive të mëdha në vendin tuaj, duke ju premtuar fitime të lehta dhe të sigurta”.
Nëse pranoni, mashtruesit ju dërgojnë kredencialet për të hyrë në faqen e tyre, ku kapitali që keni investuar duket se po rritet. Në realitet, grafikat dhe shifrat fryhen manualisht nga mashtruesit. Në këtë pikë hyn në skenë konsulenti, i cili, i mbështetur në fitimet e rreme, ju shtyn të derdhni gjithnjë e më shumë para.
Në fund, kur kërkoni të tërhiqni paratë që mendoni se keni fituar, ata zhduken – dhe bashkë me ta edhe kursimet tuaja. Fundi i mashtrimit”.