VOAL

Please Wait...

L’Auto (1933)- Kur Rudolf Gurashi, futbollisti i Sport Klub Tiranës, dëshironte të merrte pjesë në “Tour de France”, garën më të famshme të çiklizmit në botë

By | August 31, 2020

Komentet

Tri letra të panjohura të poetit Manush Peshkëpia – Nga Uran Butka

Pikërisht ditën e 26 shkurtit 2021, të premten, pra, ditën e përvjetorit të 70-të të pushkatimit të poetit Manush Peshkëpia më 26 shkurt 1951, zbulova në Arkivin e Shtetit tri letra të panjohura të tij, që mbajnë datat 30 qershor 1944, 31 korrik 1944 dhe 17 gusht 1944, Fondi 54, dosja 67 dhe që i drejtohen Sotir Kolesë, atdhetarit dhe dijetarit të shquar.
Ishte rastësi, apo një zë i paplotësuar, i paqetë, që nuk rreshti së trokituri tek unë pikërisht atë ditë?
Zërat e pavdirë, që vijnë nga e kaluara dhe që përbëjnë nënkrësën tonë, duhet të jemi të aftë t’i kapim, t’i dëgjojmë dhe t’i ndjejmë, për të kuptuar rrënjët tona.
Zëri i Manush Peshkopisë na vjen sot përmes tri letrave tejet interesante, në të cilat autori shfaqet në fushë të kulturës shqiptare e më gjerë si një hulumtues, njohës dhe kritik i poetikës shqiptare në përgjithësi dhe poetikës së Çajupit në veçanti.
Manushi ishte edhe vetë një poet i ndjerë, përkthyes dhe studiues.
I rritur në një mjedis familjar e shoqëror nacionalist dhe të kulturuar, në mes të librave dhe njerëzve të ditur, Manush Peshkëpia u afirmua si një personalitet fuqishëm atdhetar, por edhe si krijues. Rrugës së krijimtarisë letrare ai i ishte futur aty nga fundi i viteve ’20-të dhe u shqua në vitet ’30-40 për krijimet poetike, por edhe për përkthimet nga frëngjishtja, italishtja dhe anglishtja. Gjithashtu, u bë i njohur sidomos në rubrikën e ndërtuar bashkë me Mid’hat Frashërin “Të huajt për ne, ne për të huajt”.
Bashkëpunimi me Midhat Frashërin ka qenë i frutshëm në fushën e kulturës, por edhe të idealit të përbashkët kombëtar. Po kështu edhe komunikimi me vëllain e vet nacionalist Nexhat Peshkëpinë, Vedat Kokonën, Mitrush Kutelin etj
Në esenë “Poemi i Shëndaumit” të Mitrush Kutelit, transmetuar më 19.04.1944 nga M.Peshkëpia në Radio Tirana, ku drejtonte emisionin letrar, ai tërhoqi vëmendjen e opinionit publik për një “shqiptar të
ri me vlerë dhe intelektual në kuptimin më të gjerë të fjalës”, për talentin e letrave shqipe, Mitrush Kutelin.
Poezitë e M.Peshkopisë shfaqeshin tek revistat me prestizicioze të kohës, sidomos tek “Përpjekja shqiptare “ e Branko Merxhanit, krahas krijuesve te poetëve të viteve tridhjetë, si Nexhat Hakiu, Vedat Kokona, Nonda Bulka, Dhimitër Shuteriqi, Sotir Caci, Arshi Pipa etj.
Me këtë rast po japim per lexuesin poezinë lirike te njëzetvjeçarit Manush Peshkëpia titulluar ”Shpirt’i ri”, botuar në revistën “Përpjekja shqiptare”:
Nëndë muaj n’errësirë
Nëndë muaj krejt i mpirë
E zë mall’ i përvëluar.
shpirt’ i ri posa gatuar
N’errësirë s’duron dot,
Do të vijë në këtë botë
Të shoh’ dritën e kulluar.
Shpirt’ i ri posa gatuar
Lindi, ra në botën t’onë,
Po – i shkreti shpirt’ i njomë
Zu të qaj’, oh, i penduar!
Është shpirti i ri, i sapo gatuar, i Manushit dhe i brezit të ri përparimtar të asaj kohe, që ëndërronin për një botë të re, që digjeshin për një dritë të kulluar, por që ranë një botë të vrazhdë e të trishtë, zhgënjyese. “Revista letrare” shkruante atëbotë: ”Doli nga shtypi libri i M.P., por nuk gjindet asnjë kopje e këtij botimi”. I zhgënjyer autori që s’pa as dritën e botimit!
Manushi spikati më së shumti si poet i vetvetishëm dhe i ndjerë. Atë e ka çmuar veçanërisht albanologu gjerman Maksimilian Lambertz, njohës i mirë i gjuhës, letërsisë historisë shqiptare, i cili në botimin “Antologjia e letërsisë shqiptare” (Albanishes Lesebuch, Leipsig, 1948) e përshiu edhe poetin Manush Peshkëpia, duke botuar edhe dy vjersha të tij “Nënës” dhe “Flokëverdhës”.
Shkrimtari dhe përkthyesi i mirënjohur Vedat Kokona është shprehur kështu për mikun, poetin dhe njeriun Manush Peshkëpia:
“…Shumë nga shokët e mi vdiqën zemërplasur pas dekada vuajtjesh dhe mjerimesh. Një nga këta fatzinj, ishe dhe ti, Manush. Askush nuk të ka njohur sa të kam njohur unë, si vëllai yt, gjashtëdhjetë vjet më parë, atëherë kur ti dhe unë gicilonim muzën dhe këndonim pranë burimit të Hipokrenit. Si duket,
Polimnia s’na deshi shumë dhe na la… Shumë njerëz kam njohur në jetën time, pak kam çmuar, shumë pak kam dashur siç të kam dashur ty. Ti shkruaje vjersha pa e hequr veten poet. Të mos jesh poet , s’është faj. Faj është të mos jesh njeri. Ti, Manush, ishe poet-njeri. Pak poetë kam njohur të tillë. Mund të bësh vjersha patriotike sa të duash pa qenë as poet e as patriot, siç ka shumë, por vështirë tepër ta duash atdheun dhe gjuhën si i doje ti. Ti doje një Shqipëri demokratike, të cilën, për fatin tënd të zi, nuk
pe, sepse re tok me shokët në një varr të përbashkët. Ti doje një Shqipëri demokratike, të cilën ne të tjerët patëm fatin ta shohim. Për të vazhduar udhën që kishe ndërmarrë ti, neve na duhet ajo dashuri që kishe ti për vendin e shumëvuajtur dhe për gjuhën e ëmbël shqipe. Lum ata nga pasardhësit e tu që do të vazhdojnë udhën tënde të ndriçuar nga drita jote.”
*
Tri letrat e pabotuara më parë, që po sjellim për lexuesin, i drejtohen dijetarit Sotir Kolea, njëherësh edhe mikut të familjes Peshkëpia. Në atë kohë Manushi punonte si redaktor në “Radio Tirana” dhe ishte atje një zë i spikatur i kulturës shqiptare. Në kohën që do të jepte nje emision radiofonik për poetin Andon Zako Çajupi, i kërkonte me përgjërim të urtit Sotir Kolea informacion për jetën dhe veprën e Çajupit, sepse po përgatiste edhe një botim (broshurë) per krijimtarinë thuajse të panjohur të Çajupit. Sotir Kolea kishte jetuar disa vjet në Egjipt, ku banonte Çajupi dhe e njihte mirë jetën dhe veprën e tij.
Shfaqet qartësisht prirja e Manushit për hulumtime dhe studime të reja në fushë të letërsisë dhe autorëve të saj.
Ndryshe nga dy letrat e tjera, ku kërkon informacion, në letrën e dytë të datës 31 korrik, Manush Peshkëpia shfaqet si një mendimtar evropian, drejtpeshues paanshëm i letërsisë, gjykues pa komplekse dhe tejet origjinal për poezinë e Çajupit, por edhe të autorëve të tjerë të letërsisë shqiptare edhe të huaj. Madje kapërcen edhe mendimin që i shfaq Sotir Kolea ne letrën-përgjigje të tij lidhur me Çajupin, i cili e kishte stigmatizuar dhe konfliktualizuar publikisht Dr. Adhamidin, këtë personalitet historik si edhe familjen e tij, siç bëri edhe me Midhat Frashërin tek “Klubi I Selanikut”. Ndryshe nga ç’e paraqiste Çajupi tek komedia “Pas vdekjes” si një mjek të paaftë dhe sharlatan, Dr. Adhamidi, doktor në mjekësi i Universitetit të Monpelierit, ishte njëherësh edhe kryetar I shoqërisë “Bashkimi” të Egjiptit, ministër në qeverisjen e Princ Wied-it,, përfaqësues i parë i shtetit shqiptar në Romë, kryetar i Komitetit shqiptar në Gjenevë, që dha një ndihmesë të madhe në mbrojtjen e çështjes shqiptare nëpërmjet shkrimeve dhe përpjekjeve te tij përgjatë Konferencës se Paqes në Paris dhe Lidhjen e Kombeve, si edhe me letrën drejtuar Presidentit Wilson në vitin 1918.
Ja reagimi i Manush Peshkopisë, kur merr përgjigjen e S.Kolesë:
“Nuk përjashtoj se jeta e poetit tonë Çajup s’ka qenë skandaloze, por ngul këmbë se vepra e tij nuk është për t’u hedhur poshtë, apo për t’u fshirë… Episdodi i poetit Çajup me familjen Adhamidi nuk ka qenë i huaj për mua, dikush më kish bërë fjalë për të. Por ky episod, që unë bashke me ju e quaj të turpshëm, nuk ia unj vleftën poezisë së Andon Çakos. Marr lejën që me këtë rast t’ju kujtoj se kam lexuar në vëllimin “Poesia” të Benedetto Groces, kur ky thotë se për të gjykuar një vepër të një poeti, nuk duhet ta nënvleftësojmë këtë me jetën private të autorit… Për të vleftësuar vleftën e një poeti nuk duhet ta konfondojmë këtë me jetën private të autorit, këto janë dy gjëra që nuk lidhen me njëra tjetrën, thekson Manushi.
Siç shihet, poeti dhe studiuesi objektiv Peshkëpia, qysh në atë kohë, përshfaq forminin e tij si një mendimtar dhe kritik modern perëndimor në gjykimin e shkrimtarisë. Këtu ai del në fushën e teorisë së letërsisë dhe i paraprin mendimit më përparimtar shqiptar, ndryshe nga mendimi zyrtar i kohës së tij, por edhe i kohës më pas, diktaturës, kur vlera e një poeti përcaktohej nga ideologjia apo elementet e biografisë së tij së tij, siç ndodh shpesh edhe sot e kësaj dite.
Manushi gjykon me kokë të tij dhe me këmbë në tokë:
“Unë për veten time jam i mendimit, që kur gjykojmë shkrimtarët, e sidomos poetët tanë, duhet të rrojmë brenda atmosferës sonë. S’kemi pse të matemi me shtetet e tjerë, as ballkanas, pa le pastaj evropianë. Dhe duhet të kemi parasysh se gjuha jonë e shkruar letrare s’e ka arritur as shekullin dhe, pra, s’kemi një traditë letrare. Mund të mburremi vetëm me folklorin tonë të pasur, Kështu, pra, që Çajupin mund ta cilësojmë si poet të tonit tonë popullor, ashtu se edhe të tjerë. Por, siç thosha edhe me lart, Çajupi, të paktën ka marrë nga goja e popullit dhe është munduar ta veshë me petkun e poezisë, brenda mundësive te tij dhe në gjuhën tonë të pazhvilluar Dhe të mos harrohet sidomos që ay ka bërë poezi gjysmë shekulli më parë, ahere kur s’kishte një alfabet të caktuar, po sikushdo shkrimtar e trillonte një abece të tijën”
Manushi mendon se çdo poet ka shtatin e vet, ndriçon botën me dritën e vet të vetmjaftueshme, aq sa ka fuqi dhe shpirt. Këtë mendim ka edhe për vetveten. Bukur e përcakton Vedat Kokona: “Ti shkruaje vjersha pa e hequr veten poet. Të mos jesh poet , s’është faj. Faj është të mos jesh njeri. Ti, Manush, ishe poet-njeri”.
Koha e ardhme do të sjellë të tjerë poetë e të tjera vlera më të mëdha, mendon Manushi. “Gjersa të kemi edhe ne një Dante, një Gëte, një Shekspir, ka për të kaluar kohë e gjatë, ndofta mund të nevojiten shekuj me radhë. Nashti për nashti kemi vetëm këta. Midis Fishtës e Shirokës, Naimit dhe Çajupit, Asdrenit dhe Lasgushi, Nexhat Hakiut dhe Vedat Kokonës, ndryshimi është shumë relativ. Një notë më e mirë, një numër më pak. Vleftë absolute nuk kemi. Sikur të marrim n’analizë veprën madhështore edhe të madhështorit Fishta, pikërisht në kryeveprën e tij “Lahuta e Malcis” besoj se edhe atje do të gjejmë vargje dhe jo poezi, dhe ndofta jo tek tuk”.
Manushi ishte gjithnjë në kërkim të vetes dhe të të tjerëve. Ai nuk nginte mite, por edhe as nuk minimizonte kërkënd. Ishte kundër atyre, që disa poetë i ngrinin në qiell, ndërsa të tjerët i ulnin në tone minore. Ai përpiqet t’i afrohet të vërtetës, ndonëse jo gjithnjë ia arrin. Se edhe ai vetë poet është. Ai shkruan: ”Çajupin, një shoku im “dottore in lettere” ma cilësoi si poet të tonit “minor”. Unë e kundërshtova dhe i thashë: Po cilët kemi ne në Shqipëri të tonit “madhor”? Ndoshta Fishtën, sepse rekllama e madhe e ka ngritur në qiell, atje tek nuk qëndron dot. Bile dikush e ka vënë në krah të Homerit, ashtu sikundër, këtu e tre vjet më parë, një i krisur mendsh e vuri Ethem Haxhiademin tonë kundruall Sofokliut. Por këto, i nderuar z. Kolea, janë krahasime qesharake dhe dëftejnë se nuk jemi të gatuar ende. Emrat e Homerit, Sofokliut e të tjerë janë yje që shkëlqejnë prej mijëra vjetësh, dritën e të cilëve s’kanë mundur ta errësojnë as Dantet, Hygotë dhe Shekspirët”
Është me interes të theksohet se anash letrës dërguar S. Kolesë, M. Peshkëpia shënon me shkrim dore: “Si vete puna e fjalorit të gjuhës sonë? A kini edhe shumë për të punuar? Ai ishte i interesuar për punimet shkencore të Sotir Kolesë dhe e punëtorëve të tjerë të shqipes. Dihet se puna më e madhe, më e plotë studimore e Kolesë mbetet hartimi i pesë fjalorëve shqip frëngjisht, shqip greqisht etj, ku më kryesori ishte fjalori i gjuhës shqipe, ende i pabotuar, për të cilin punoi që nga viti 1905 e deri në fund te jetës, duke përdorur metodën e krahasimit për çdo fjalë të shqipes me fjalorët më të mëdhenj të botuar në gjuhët greke e frënge.
Manush Peshkëpia zbuloi se n Bibliotekën Kombëtare ( drejtor i së cilës ishte Sotir Kolea në vitin 1928) ekzistonte një pako e dërguar nga Jani Vreto, me nënshkrimin: “Të hapet në vitin 1945”, pra, pas 15 vjetësh nga koha e dërgimit.. Duke qenë se Çajupi kishte vdekur në vitin 1930, dhe po plotësoheshin 15 vjet nga ajo ditë, Manushi mendonte se plikoja me dorëshkrime do të ishte e A. Z. Çajupit, dërguar në atdheun e tij. Por edhe kjo hamendësi, enigmë apo fakt, u fshi nga koha, sepse viti 1945 ishte viti i fillimit të inkuizicionit në Shqipëri dhe jo i letrave, i poezisë./kujto.al

blank

Publikohet historia e panjohur, kur motrat e Mbretit Zog vizituan Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, u pritën me manifestime të mëdha

Dashnor Kaloçi

Publikohet historia e panjohur e vizitave që bënë motrat e Mbretit, Zog, princeshat, Myzejen, Maxhide dhe Ruhie, në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut, si: Kavajë, Peqin, Qafë-Thanë, Elbasan, Pogradec, Korçë, Progër, Hoçisht, Bilisht, Kolonjë, Leskovik, Përmet, Tepelenë, Kurvelesh, Sarandë, Delvinë, Dropull, Butrint, etj. I gjithë turi i motrave të Mretit Zog me vizitat e tyre në qytete dhe fshatra të Shqipërisë në prillin e vitit 1938, të cilat të shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Musa Juka, u pritën me nderime të mëdha dhe manifestime të shumta kudo ku ato shkuan, vizita të cilat u pasqyruan gjerësisht nga shtypi i kohës, siç ishte dhe revista ‘Diana’, që i kushtoi faqe të tëra atij evenimenti.

Para pak javësh, apo më saktë më 25 dhjetor të vitit të kaluar, u mbushën plot 95 vjet nga rikthimi i Ahmet Zogut në pushtet, apo siç njihet ndryshe si “Triumfi i Legalitetit, kurse në 1 shtator të këtij viti, mbushen plot 93 vjet nga dita e themelimit të Mbretërisë Shqiptare, kur Parlamenti i asaj kohe, me anë të një Asambleja Kushtetuese, e shpalli kryetarin e shtetit shqiptar, Ahmet Zogun, Mbret të Shqiptarëve. Ndryshimi i formës së regjimit në Shqipërinë e asaj kohe, nga Republikë në Monarki Parlamentare, nga shumica e politikanëve të asaj kohe, u pa si një akt, i cili do të konsolidonte më shumë shtetin e ri shqiptar dhe një farë stabiliteti në qeverisjen e vendit, pasi deri në atë kohë, me atë formë regjimi që ishte, qeveritë i’a linin vendin njëra-tjetrës, duke u ndërruar shpesh në disa muaj, madje edhe për punë ditësh apo orësh, siç ishte qeveria e kryesuar nga Qazim Koculi, e cila e pati jetëgjatësinë vetëm një ditë (më 6 dhjetor të vitit 1921), dhe të nesërmen, ajo ndërrua me qeverinë e kryesuar nga Hasan Prishtina.

Lidhur me shpalljen e Mbretërisë Shqiptare, e cila siç thamë, nga shumica e klasës politike të asaj kohe dhe ithtarëve të Lëvizjes së Legalitetit, u cilësua si një akt i domosdoshëm për stabilizimin e shtetit të ri shqiptar dhe qeverisjes së vendit, ka ekzistuar dhe ekziston ende edhe sot, një tjetër këndvështrim, apo si të themi; ‘ana tjetër e medaljes’. Sipas propagandës dhe historiografisë së regjimit komunist të para viteve ’90-të, Ahmet Zogu u vetshpall Mbret i Shqiptarëve për të konsoliduar më shumë pozitat e tij në krye të shtetit shqiptar dhe për të pasur pushtet absolut. Sidoqoftë këtyre dy anëve të vështrimit të asaj ngjarje, pra, të krijimit të Mbretërisë Shqiptare, pothuaj të gjithë në një pikë bien dakord; Ahmet Zogu dhe klasa politike e asaj kohe, me anët pozitive dhe negative të tyre, vunë gurët e themelit në godinën e re të shtetit të porsaformuar shqiptar, duke e njohur atë kudo në botë.

Në këtë kontekst, edhe shpallja e Mbretërisë Shqiptare, më 1 shtator të vitit 1928, më së shumti shikohet si një ngjarje apo eveniment historik, në kuadrin e përpjekjeve për stabilitetin e shtetit shqiptar. Nisur nga kjo gjë, pas pak ditësh, me rastin e 1 shtatorit, i cili përkon me jubileun e 80 vjetorit të Mbretërisë Shqiptare, pritet të mbahen festimet zyrtare. Në këtë kontekst, ashtu si dhe me ngjarje apo data të tjera historike të periudhës së Monarkisë së Zogut, Memorie.al po publikon në këtë shkrim historinë e panjohur të vizitës së motrave të Zogut në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut, në prillin e vitit 1938. Ky shkrim është marrë nga revista “Diana” e asaj kohe, dhe është përgatitur nga gazetari, botuesi dhe publicisti i njohur Medin Kamberi, i cili i shoqëroi vetë princeshat gjatë vizitës së tyre në disa prej qyteteve dhe rretheve kryesore të Shqipërisë së Mesme dhe asaj të Jugut. Këto pasazhe shkrimi po i publikojmë, pa i’u bërë asnjë ndryshim, duke i dhënë në gjuhën e shkruar të atyre viteve, për të sjellë më afër atmosferën e asaj kohe, duke i dhënë edhe me tituj e nëntitujt e revistës në fjalë.

Revista “Diana”; Vizita historike e Princeshave Mbretnore në Jugë

(Kudo pritjet madhështore harrijnë kulmin).

Gazetat lajmonin: “Naltësitë e Tyre, Princeshat Mbretnore, Myzejen, Ruhije, dhe Maxhide, të shoqëruara nga Ministri i P. të Brendshme, Shk. e Tij Musa Juka dhe nga Suita e Tyne, u nisën për një tour të Shqipris së Jugut. NN. TT do të përshkojnë Qarkun e Elbasanit, të Korçës, të Gjinokastrës, të Vlorës dhe të Beratit.

Në Kavajë dhe Peqin

Populli i madh e i vogël pret me lule, brohoritje dhe duartrokitje NN. TT. Princeshat Mbretnore. Kudo shenjë enthuzjazmi të papërshkrueshëm. Autoritetet civile, ushtarake, klerikale të vendit dhe të Komuneve, anëtarët e shoqnis “Gruaja Shqiptare”, nxanësit dhe rinija jashtëshkollore u bajnë homazhet e duhuna. Në Peqin, në një fjalim të bukur, z-sha Ballkis Tela theksoj, midis të tjerave: “Sot, ‘Gruaja Shqiptare’, i dërgon djemt dhe vajzat e veta për t‘i edukuar dhe për t‘i bërë ushtarë të denjë për Mbret e Atdhe, nëna të vlefshme për brezin e ri, tek i cili mbështetet lumnija e Atdheut”. Në mes të duartrokitjeve frenetike, të mbarë popullit, prej ballkonit të Bashkisë, N. S. Princesha Myzejen, përgjigjet me një fjalim të thekshëm, ku mbasi naltëson virtytet e nderit dhe të racës, falenderon nxehtësisht popullin fisnik dhe bujar të Peqinit. Fjalët e fundit të N. S. Princeshës Myzejen, priten me një breshëri duartrokitjesh ku u shpreh gëzimi i pashlyer për Vizitën Auguste.

Në Elbasan

I grumbulluar i madh dhe i vogël, përpara Postës së Bishqemit populli, burra e gra, qytetarë të katundeve të stolisur me kostumet e bukura të vendit, nxanës dhe nxanëse të reshtuara me flamure, afër një harku triumfi të madh ku figuronte e zbukuruar me lule fytyra e N. M. T. Mbretit, pret Personat Auguste të Familjes Mbretërore. NN. TT. afër Tri Urave, zbresin nga automobilët dhe ecin në këmbë në mes të brohoritjeve të pa-reshtura të popullit, deri në Grand-Hotel, ku presin homazhet e të gjithë klasave të popullit: të “Gruas Shqiptare”, të deputetëve, të Kryetarëve të Komuniteteve fetare, të Kryetarëve të zyrave, të Drejtorëvet të Shkollavet, t‘Anëtarëvet të Këshillit Administratës, të Kryetarit të Bashkis me anëtarët e Kuvendit, të Kryetarit të Odës së Tregtis bashke më anëtarët e Odës dhe Parin e vendit dhe të Këshillit të Shoqnis jashtëshkollore. Tri goca dhe një djalë të Shoqnis “Saide”, u ofrojnë NN. TT., kuti të bukura cigaresh të bëra apostafat dhe darovitën në një shumë prej 160 fr. ari. Si mbarohen shfaqet dhe homazhet NN. TT. admirojnë prej ballkonit vallet e bukura koreografike të gocave të shkollës femnore të veshura me kostume artistike. Në fjalimin që mbahet nga NN. TT. midis të tjerave thohet: “Vllahu i Jonë August, sado që nuk ndodhet në mes t‘onë në këtë çast, por Zemra e Tij asht midis jush dhe i shikon nevojat t‘ueja. NN. TT. të mallëngjyera prej ksaj pritje madhështore të vetvetishme e plot me ndjenja fisnike e adhurimit të qytetit të Elbasanit, mbasi lenë 1000 franga ari për të vobektit e qytetit, u hypin automobilave dhe marrin rrugën për Pogradec, duke u duartrokitur dhe duke brohoritë populli gjatë rrugës.

Në Pogradec

I dalur në Qafë të Thanës, populli, pa dallim, i përcjell NN. TT. Princeshat deri në qytet, ku mbërrijnë në mes duartrokitjesh dhe brohoritjesh frenetike për Mbret dhe Dinasti, dhe në mes të një enthuziazmi të pamasë. Populli i grumbulluar para banesës së NN. TT. Mbretnore, vazhdon duke brohoritë frenetikisht. Në këtë kohë, NN. TT. dalin në ballkon dhe me një fjalim të shkurtër të transmetuar prej Ministrit të Mbrendshëm, Shk. Tij Musa Juka, falenderojnë popullin për simpathinë dhe për ndjenjat adhuruese që shfaqi për N. M. Tij, Mbretin dhe për familjen Mbretnore. Fjala e NN. TT. Princeshave Mbretnore enthuziazmuan edhe më tepër popullin, i cili nuk di t‘u vej më kufi brohoritjeve enthuzjastike për Mbret e Dinasti. Krejt qyteti i Pogradecit shëndrohet në një pamje festimi ku shfaqen manifestime gëzimi të papërshkrueshëm.

Në Korçë

Naltësitë e Tyre, të përshëndetura prej Popullit të Pogradecit, nisen për në Korçë. Në Zemblak gjenden përpara fillesës së një apotheze dashurije dhe besnikërije tipike të Popullit krenar të Korçës. Këtu Princeshat Auguste, pritën nga një delegasjon të posaçëm i përbërë prej gjithë elitës së qytetit, duke filluar që prej autoriteteve më të nalta, e deri tek tregtarët e zejtarët e ndryshëm. Pa ekzagjerim mund të thohet se popullsia Korçare që brohorit Vizitoret Auguste, mbrrin më tepër se 20.000 frymë. Pranija e Princeshavet në gjirin e këtij qyteti pati një prekje t‘elektrizuar në shpirtin e kësaj mase e cila u ngrit si një shpirt i vetëm prej një bloku trupash, në një brohoritje aq të naltë, aq thellë, në një Rrofshi që e tundi gjithë Korçën. Në fjalimin e Kryetarit të Bashkis, z. Agathokli Xhitomi, midis të tjerash theksohet: “Si të mos gëzohet Populli Shqiptar, kur e vizitoni Ju Naltësi? Ky popull sheh te Ju, idolin e bashkimit Kombëtar, të njësisë Kombëtare, të fuqisë Kombëtare. “Jini motrat e atij që bëri Fiset Komb dhe Kombin, Shtet”. NN. TT. në mes t‘enthuziazmit spontan të popullit vizituan Zyrat e Prefekturës, të Komandës së Garnizonit, Bibliotekën, Spitalin e Shtetit dhe Shkollën Qytetëse Femnore, të pritura kudo me brohoritje dhe nderime të posaçme. Të shoqëruara prej Shk. Tij Musa Juka, NN. TT. vizituan Vidhkuqin, si dhe Komunën e Uzinën Elektrike.
Rinia, e grumbulluar në Bulevardin “Shëngjergji”, paradon me madhështi, dhe në fjalimet që u mbajtën, N. S. Mbretnore, Princesha Myzejen, në mes të tjerave theksoj: “Na e çmojmë Popullin Korçar si faktorin ma kryesor të rilindjes sonë Kombëtare, si prijës të qytetërimit. Jemi të bindur se ju do të jeni kurdoherë pionerë të këtyre idealeve, shtyllë e shëndoshë e fortesës së pathyeshme të Mbretnisë s‘onë. Përfitojmë prej rasës me i adresue dhe dy fjalë djelmnisë krenare të Korçës, e cila duhet të jetë shumë kryenaltë që Mbreti e ka në Zemër. Për këtë Ay kërkon prej saj si disiplinë, bindje dhe po atë patriotizëm që kanë tregue dhe tregojn sot etnit e tyne zamëdhej, sepse Vëllau i Jonë, N. M. T. Mbreti, për atdhe dhe Shtet, pret shërbimet ma të mëdha prej djalëris, si për kohën e tashme ashtu dhe për atë të ardhme”.

Rinia mbasandaj me bandën muzikale në krye vazhdoj manifestimet përpara pallatit të NN. TT. Princeshavet Mbretnore, duke kënduar këngë patriotike dhe duke mbajtur pankarta me mbishkrimin:

“Djalëria Korçare dëshiron të shohi edhe Mbretin këtu”, “Rroftë Mbreti”. “Princesha të dashtuna, ju adhurojmë si hyjnesha”. “Rroftë Familja Mbretnore”.

Në fytyrat e të gjithëve përshkruhet admirimi për N. M. e Tij Mbretin Zog. I. dhe për Familjen Mbretnore. NN. TT. i afruan një darkë Rinisë Korçare.

Në Bilisht, Kolonjë dhe Leskovik

Populli i gjithë Devollit, kudo që kaluan NN. TT Princeshat, kishte dalë në pritje i enthuziazmuar dhe i dehur nga gëzimi. NN. TT. Princeshat denjuan t‘i falin Komunës së Progrit 300 fr. ari, Nënprefekturës së Bilishtit 800 fr. ar për nxënësit e vobegtë, Manastirit të Shën-Ilis Hoçisht 200 fr. ari dhe për të vobektit 500 fr. ari.
Erseka e stolisur me flamur, dafina dhe lule, pret në mes brohorish frenetike, NN. Tyre princeshat Mbretnore, të cilat pritën vizitat e Kryetarëve të zyrave, të Përfaqësisë së Shoqënis “Gruaja Shqiptare”, dhe të Klerit, të Grave Kolonjare, të përfaqësisë së qytetit dhe të komunave. NN. TT. Princeshat, dhuruan 500 fr. ari për të vobektit e rrethit, Leskoviku gjithashtu, kishte përgatitur manifestime të shkëlqyeshme.

Në Përmet, Tepelenë dhe Kurvelesh

Hyrja e NN. TT. Princeshavet Mbretnore në Përmet qe me të vërtetë triumfale, në mes brohoritjeve të popullit, tingëllimit të kambanave dhe sidomos korit harmonik dhe melodik të djalëris jashtëshkollore, i cili plotësonte çfaqet e perzemërsis dhe i jepte pritjes një karakter veçanërisht madhështor. NN. TT. Princeshat zbritën në Bashki ku komisione të ndryshme dhe gra, të veshura me kostume kombëtare u parashtruan NN. TT homazhet, të cilat Ato i‘u përgjegjën duke çfaqë kënaqësin e tyre për këtë pritje enthuziastike. Gjithashtu edhe popullsia e Peshtanit dhe e Këlcyrës u bëri NN. TT. Pritje madhështore.

Në qytetin e Tepelenës pritja ishte me të vërtetë karakteristike. Vallet labërishte dhe këngët e vendit mahnitnin këdo. Dhe darovia e jataganët historikisht të pamposhtur dhe trashëgim i veteranit Zogist. Z. Vehip Runa, e bërë prej popullit të Kurveleshit. NN. TT. Mbretnore ishte, patetike.

NN. TT. Princeshat dhuruan 500 fr. ari për të vobektit e Kurveleshit, 500 fr. ari për të vobektit e rajonit të Urës së Subashit. 400 për ata të katundeve Sinanaj, Krahës e Buz.

Në Gjinokastrë

Ballkonet e ndërtesave të Sheshit “Çerçiz Topulli”, të mbushura krejtësisht me familje prej nga dëgjoheshin brohoritje frenetike për jetëgjatësinë e Mbretit dhe të Familjes Mbretënore; populli, i radhitur në dy anët e rrugës kryesore; e tillë asht pamja e ditës fatlume kur NN. TT. Princeshat Mbretnore, në mes duartrokitjeve të pareshtura të turmës së pamasë, hynë triumfalisht në qytet. Në mest të një demostrasjoni spontan q‘u zhvillua para banesës së vizitoreve të shquara, prej ballkonit, N. S. Princesha Myzejen, me anë të Shk. Tij, Musa Juka, mbajti një fjalim ku u theksuan në mënyrë të veçantë reformat që N. M. Tij, Mbreti ka caktuar të zhvillojë për Djalërinë Shqiptare.

Në Libohovë dhe Dropull

Të përcjellura nga i gjithë populli i Gjinokastrës, NN. TT. Princeshat, në mes të brohorivet dhe duartrokitjeve frenetike, u nisën për në Libohovë, ku u pritën plot entuzjazëm prej autoriteteve lokale, popullit, nxanësvet e nxanësevet, prej para-ushtarakëvet dhe prej grupeve të grave të ardhur apostafat prej katundeve të rrethit të Libohovës, të veshura me kostume origjinale.

Fjalimeve, demostratavet dhe nderimeve që i’u bënë nga ana e popullit, NN. TT, i’u përgjegjën me anën e Shk. Tij, Musa Juka, i cili theksoj gëzimin që ndiejnë NN. TT, për pritjen dhe adhurimin e treguar nga ana e popullit të Libohovës.

Po e njëjta pritje madhështore u-bë edhe në Dropull, ku NN. TT, shijuan kostumet dhe patën rastin të shihnin dhe të konstatonin afërsisht mallin e madh dhe admirimin që këto popullata ndjejnë për Dinastin dhe për N. M. T. Mbretin. Princeshat Mbretnore lanë për të vobektit e rrethit, 500 fr. ari.

Në Delvinë-Sarandë-Korfuz-Butrint

Një turmë e madhe populli, e ardhur edhe nga rrethet, burra, gra e fëmijë, duallën në pritjet të NN. TT. Princeshavet. Dhe mbarë ajo turmë shpërtheu e përnjëherëshme në brohoritjet enthuziastike duke uruar Mirseardhjen. Zunë jehimet e Hymnit Mbretnor, u mbajtën fjalimet e rastit dhe në emër të NN. TT. u përgjegj Shk. Tij, ministri Musa Juka, i cili theksoj në mënyrë të veçantë kënaqësinë e NN. TT. për pritjen bujare të popullit të Delvinës dhe shtoj se enthuziazmin e pritjes NN. TT. do t‘ja trasmetojnë N.M.T. Mbretit.

Në Sarandë, gjithashtu pritja ka qenë me të vërtetë triumfonte dhe entuziazmi arriti kulmin. Meriton rëndësi të veçantë vizita e NN. TT. Princeshavet në Korfuz dhe në Butrint, ku mbetën të impresionuar dhe të kënaqur mjaft, si nga bukuritë e vendeve, gjithashtu dhe nga pritjet e përzemërta që iu bënë./Memorie.al

“Procesverbalet e gjenocidit” zbulojnë planet e serbëve të Bosnjës për gjenocid gjatë luftës

ADIS KARADZA, KAYAHAN GÜL

“Këtë qytet ia bëjmë dhuratë kombit serb para festës së madhe serbe. Erdhi koha të hakmerremi nga turqit (muslimanët) në këtë vend”, ishin fjalët e gjeneralit serb Ratko Mlladiç, një kriminel i luftës dhe gjenocidit, në Srebrenicë më 11 korrik 1995. Deklaratat e tij paralajmëruan gjithashtu gjenocidin që do të kryhej në Srebrenicë, në zonën e sigurt të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Fjalët e gjeneralit serb dhe vrasja pasuese e më shumë se 8 mijë burrave boshnjakë ishin në fakt realizimi i nismës së përbashkët kriminale të planifikuar dhe të njoftuar gjatë takimeve të Parlamentit të Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë në atë kohë.

Regjistrimet e seancave parlamentare të lartpërmendura, të botuara nga Qendra Përkujtimore e Srebrenicës brenda kornizave të projektit të quajtur “Procesverbalet e gjenocidit”, zbuluan planet dhe metodat e paraqitura nga udhëheqësit dhe deputetët serbë të periudhës me qëllim krijimin e një “shteti serb” në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Këto të dhëna, të cilat më parë ishin përdorur vetëm si prova në gjykimet në lidhje me krimet e luftës, për herë iu paraqitën për përdorim universiteteve, organizatave joqeveritare, studiuesve, gazetarëve dhe individëve të interesuar.

Duke shpërndarë procesverbalet, synohet të kontribuohet në hetimin e hollësishëm të krimeve të luftës dhe gjenocidit, si dhe të nxirren në dritë shumë pika të panjohura të luftës më të përgjakshme në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

“Bosnja dhe Hercegovina ka qenë gjithmonë vend serb”

Një nga themeluesit e Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, Vojo Kupreshanin, në fjalimin e tij në seancën parlamentare më 8 janar 1993, mohoi njerëzimin e boshnjakëve muslimanë dhe mohoi të drejtën e tyre për të ekzistuar.

“A janë muslimanët (boshnjakët në Jugosllavi u quajtën muslimanë) me të vërtetë një popull? Ky popull, i shpikur nga Tito në vitin 1974, ka të paktën pozicionin e grekëve. Kush është Bosnja dhe Hercegovina? Bosnja ka qenë gjithmonë vend serb. Ne dëbuam turqit, austriakët dhe gjermanët nga këtu. Bosnja ende nuk është bërë vend serb, është bërë vendi i një populli inekzistent, i muslimanëve. Na duhet Bosnja. Bosnja është një vend serb”, ishte fjalimi i Kupreshaninit.

“Pale është Jugosllavi”

Fjalimet e shumë deputetëve të tjerë si Kupreshanin demonstruan qartë planet shkatërruese të udhëheqësve politikë dhe ushtarakë serbë të Bosnjës.

Parlamenti i Republikës Serbe më 21 dhjetor 1991 vendosi për të krijuar Republikën Serbe të Bosnjë dhe Hercegovinës si një organ federal brenda Jugosllavisë, ndërsa gjithashtu mori vendimin për njohjen e Republikës së Krajinës Serbe. Në bazë të këtij vendimi, më 9 janar 1992 u shpall Republika Popullore Serbe e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Në fjalën e tij në atë kohë, udhëheqësi serb Radovan Karaxhiç, i cili është fajtor për luftën dhe gjenocidin, deklaroi se “Askush nuk mund ta marrë Bosnjën dhe Hercegovinën e pavarur përtej Urës Kozje (afër Sarajevës) sepse Pale tashmë është Jugosllavi”.

Në seancën në muajin shkurt të vitit 1992, derisa diskutohej kushtetuta, himni kombëtar dhe simbolet e shtetit “të ri” serb, Vojislav Maksimoviç tha:

“Ne këtu jemi duke ndërtuar një shtet serb në territorin serb. Është e drejta jonë të kemi himnin kombëtar serb, flamurin tonë dhe simbolin tonë kryqtar me 4S mbi të.”

“Të pushtojmë tokat tona me forcë”

Nga ana tjetër, tërheq vëmendjen një fjalim i presidentit të atëhershëm i parlamentit serb, Momçillo Krajishnik, i cili do të dënohet për krime kundër popujve joserbë.

“Ne kemi dy rrugë. Njëra është të arrijmë maksimumin tonë duke luftuar politikisht, ose të ndërpresim të gjitha negociatat dhe të bëjmë atë që kemi bërë me shekuj, domethënë të pushtojmë tokat tona me forcë.”, kishte deklaruar Krajishnik.

Parlamenti mori një vendim shumë të rëndësishëm në seancën më 12 maj 1992, vendim që përcaktoi qëllimet strategjike dhe përparësitë me gjashtë pika të popullit serb në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në të njëjtën seancë, gjenerali serb Ratko Mlladiç, i cili më vonë do të dënohej për gjenocidin në Srebrenicë, tha:

“Njerëzit nuk janë çelësa në xhep ose pula që ne t’i vendosim në anën e largët. Kjo është e lehtë për të thënë, por është e vështirë të bëhet. Gjithashtu, ne nuk mund t’i shoshitim njerëzit në mënyrë që vetëm serbët të mbeten dhe të tjerët të zhduken. Z. Krajishnik dhe Z. Karaxhiç si do t’ia shpjegojnë këtë botës? Ky do të ishte një gjenocid”.

Mlladiç do të bënte gjithçka vetëm për të arritur qëllimet e vendosura nga asambleja.

Deklarata e Karadzicit për Srebrenicën

Pas gjenocidit të Srebrenicës në korrik 1995, në seancën e mbajtur në gusht të vitit 1995, Karaxhiç deklaroi:

“Nëse do të kishim hyrë në Srebrenicë derisa Morion (gjeneral francez) ishte aty dhe do ta kishim marrë qytetin, ata do të na kishin bombarduar dhe djegur. Erdhi koha e duhur dhe unë nënshkrova vendimin që parashikonte marrjen e Teoçakut, Srebrenicës, Zepës dhe Gorazdenit”.

Duke theksuar se ai qëndron pas të gjitha vendimeve të tij, Karaxhiç tha: “Gjithçka është regjistruar në komandën e lartë. Shihet se unë kam urdhëruar si verbalisht ashtu edhe me shkrim të ecim drejt Zepës dhe Srebrenicës”.

Në tetor të të njëjtit vit, Karaxhiç u kthye përsëri në çështjen e Srebrenicës, duke pohuar rolin e tij udhëheqës në gjenocidin që ndodhi atje:

“Si Komandant i Përgjithshëm, unë qëndrova pas planit të Srebrenicës dhe Zepës. Nëse do të kishte një Zepa me 90 mijë muslimanë të armatosur, ne do ta kishim humbur luftën. Unë personalisht e shikova planin pa dijeninë e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Unë e këshillova gjeneralin Krstiç, të cilin rastësisht e takova, të shkonte në qytet dhe të deklarojë se Srebrenica kishte rënë. Ne pastaj do të vepronim kundër turqve që shkonin në pyll”.

Burgim i përjetshëm për Karaxhiç dhe Mlladiç

Presidenti i Republikës Serbe Radovan Karaxhiç u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykata ndërkombëtare në Hagë për gjenocid dhe krime të ndryshme lufte në Srebrenicë, ndërsa Gjenerali Mlladiç u dënua gjithashtu me burgim të përjetshëm.

Nënkryetarja e atëhershëm e Republikës Serbe, Biljana Plavshiç, pasi ndjente keqardhje dhe u morr vesh me gjykatën, u dënua me 11 vjet burg për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa politikani serb Radosllav Brdjanin u dënua me 30 vjet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndërkaq, sot, shumica e 77 deputetëve të periudhës janë tërhequr nga politika dhe disa prej tyre kanë humbur jetën.

Lufta e përgjakshme në Bosnjë

Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë e saj pas referendumit të mbajtur më 29 shkurt-1 mars 1992. Menjëherë pas referendumit, ushtria jugosllave e kontrolluar nga serbët dhe njësitë paraushtarake serbe filluan spastrimet etnike kundër boshnjakëve muslimanë.

Në mes të Evropës, masakrat e civilëve, torturat, spastrimet etnike, dëbimet dhe gjenocidi ndodhën gjatë luftës që zgjati më shumë se 3 vjet e gjysmë.

Në korrik të vitit 1995, trupat nën komandantin serb Mlladiç vranë të paktën 8.372 civilë boshnjakë në vetëm disa ditë në lindje të vendit në Srebrenicë dhe rreth saj.

Në shumë qytete të tilla si Prijedor, Foça, Zvornik dhe Visegrad, pothuajse nuk mbeti asnjë boshnjak për shkak të spastrimit etnik.

Ndërkaq, kryeqyteti, Sarajeva, ishte nën rrethimin e serbëve për 44 muaj.

Lufta, në të cilën qindra mijëra njerëz humbën jetën, miliona njerëz u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, gratë u përdhunuan, civilët u torturuan në kampe përqendrimi, përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes së Dayton-it më 21 nëntor 1995.

Gazeta franceze (1939)- Tradhtarët e Tiranës dhe Ciano – Duçja, i tërbuar pas dështimit të skenarit të tij ndaj mbretit Zog, mori këtë vendim

Konti Ciano dhe Mbreti Zog në Tiranë

 

“L’Indépendant des Basses-Pyrénées” ka botuar, të enjten e 27 prillit 1939, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me skenarin e dështuar të Duçes ndaj mbretit Zog, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Skenari i dështuar

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“Sipas disa informacioneve, pushtimi brutal i Shqipërisë nuk është gjë tjetër veçse dështimi i tmerrshëm i një skenari të mirëorganizuar.

Musolini kishte planifikuar të paguante disa udhëheqës dhe figura politike shqiptare në Tiranë për të tradhtuar mbretin Zog.

Tradhtarët, të paguar fare mirë, do të simulonin një sulm kundër mbretit të Shqipërisë. Atëherë, Zogu, i shqetësuar, do të kishte kërkuar mbrojtjen e Italisë, e cila me bujari do t’i ofronte mbrojtjen e saj miqësore.

Por ndërmjetësit italianë, përgjegjës për shpërndarjen e këtyre të hollave, preferuan të mbanin pjesën më të madhe të liretave për vete duke shpërndarë vetëm shuma të pakta, kështu shqiptarët, të mërzitur, nuk pranuan të merrnin pjesë në këtë lojë.

Duçja, i tërbuar nga ky dështim, mori vendimin të zgjidhte një pushtim ushtarak.

Shpirti i këtij komploti të trazuar, njeriu përgjegjës i kësaj melodrame të errët thuhet se është Konti Ciano…”

Konsulli amerikan në Greqinë e 1890-s: Shqiptarët e Greqisë, aborigjenë si “Mohikanët” e Amerikës – Nga Albert Hitoaliaj

Duke shfletuar veprën e një profesori të njohur amerikan, rastësisht lexova mbresat e një takimi të paharrueshëm që ai, tok me një koleg të tijin, kishte pasur me një shqiptar të Athinës. Profesori në fjalë është James Irving Manatt (1845-1915), i specializuar për letërsi dhe histori greke. Lindi në Millersburg, të Ohaios, më 17 shkurt të vitit 1845. Sipas Martha Mitchell (Encyclopedia Brunoniana, Brown University Library, 1993), në rini shërbeu në këmbësori duke iu përgjigjur thirrjes së Linkolnit për angazhim në Luftën Civile. Më pas, kur e gjithë kjo mbaroi, punoi për gazetën “Chicago Evening Post”. Diplomohet më 1869 në “Iowa College” dhe katër vjet më pas mbron doktoraturën në “Yale University”. Studimi i sanskritishtes, greqishtes e latinishtes ishin baza e hulumtimit të doktoratës së tij. Studimet e tij kishin interes parësor grekët dhe Greqinë. Ishte profesor i greqishtes dhe i historisë në “Denison College”, në “Marietta College”, në “Brown University”, në Universitetin e Nebraskës, studiues në Laipsig etj. Njihet jo vetëm si kancelar, por si themelues i Universitetit të Nebraskës.

Në tërë gjerësinë e tij, si njeri e studiues, ishte e mbeti deri në fund të jetës, një filogrek i pandryshuar. I dashuruar me antikitetin, njohës i mirë i grekëve të rinj dhe hulumtues i palodhur, ai konsiderohej një “grek” që i kushtoi punën e jetën, idealeve të lashta e të reja helene. Studimet e tij i pasqyroi në vepra të ndryshme që botoi përgjatë viteve. Vdiq në moshën 70-vjeçare. Por, profesori James Irving Manatt, dha kontribut edhe në politikën e jashtme amerikane. Mbajti detyrën e konsullit të SHBA-së në Greqi në vitet 1889-1893, si pjesë e administratës së presidentit të SHBA-së, Benjamin Harrison. U shndërrua në një udhërrëfyes për të gjithë ata amerikanë e udhëtarë të interesuar për tokën, letërsinë e monumentet e lashta greke. Si mik me emra të tillë të njohur të arkeologjisë së kohës si, dr. Heinrich Schlieman e dr. Wilhelm Dörpfeld, të cilët ishin veprimtarë kryesorë të kërkimeve mbi antikitetin në Greqi, dhe si njohës i mirë i Greqisë, ai pati mundësinë që të bënte botime të ndryshme në periodikë të kohës. Eksperiencat kryesore i botoi në librat “Aegean days” (Ditë egjease) dhe “The Mycenaean Age” (Epoka mikenase).

 Shqiptarët, këta “grekë” më të vjetër se sa helenët

Për shkak të qëndrimit të tij në Greqi dhe nga njohjet që kishte për historinë greke, Manatt e dinte se kush ishte vendi e roli i popullsisë shqiptare në ato vise. Ai flet disa herë për shqiptarët në librat e tij. “Historia greke ofron më shumë se një paralele: si dorët e Eginës në kohërat e lashta, ashtu edhe shqiptarët e Hidrës dhe Specias në ditët tona, i udhëhoqën grekët në sprova mjeshtërore detare, të guximshme e nismëtare; megjithatë, dorët dhe shqiptarët, njëllojshëm, ishin malësorë dhe shumica e të afërmve të tyre mbetën gjithnjë të huaj për detin” (James I. Manatt. The Mycenaean Age: A Study of the Monuments and Culture of Pre-Homeric Greece. Houghton: Mifflin, 1897, f. 354).

Ajo që të bën përshtypje është se lidhja e shqiptarëve me dorët e lashtësisë përmendet rëndom nga shumë autorë të kohës, dhe kjo konsiderohej diçka krejt e natyrshme, brenda suazës historike e traditës popullore; jo më, sot, në kohët hollivudiane të spartanëve dorë. Jo vetëm studiues e udhëtarë, por edhe vetë shqiptarët banues në këto ishuj prej shekujsh që nuk mbaheshin mend, ishin të vetëdijshëm për lashtësinë e tyre kombëtare. Manatt e dëshmon këtë në librin Aegean days, por edhe në të tjerë: “Në radhë të parë, duhet theksuar se banorët e ishullit Andros nuk janë grekë të papërzier. Në fakt, shumica e atyre mes të cilëve kemi jetuar, thonë se një e treta e popullsisë së ishullit, në periferitë e Gavrionit dhe në Arnas, janë me origjinë shqiptare. Si të tillë, në të vërtetë ata pretendojnë prejardhje nga pellazgët, dhe në këtë mënyrë i bie të jenë grekë më të vjetër se sa helenët. Shqiptarët këtu janë të vetmit e kësaj rrënje në arkipelagun Cyclades, dhe duhet të kenë ardhur nga Eubea në periudhën mesjetare. Cilado qoftë origjina e tyre, ata janë kryesisht të helenizuar në gjuhë e zakone. Më shumë janë të dhënë pas punës se sa pas qejfit. Rrethinat jugore, Androsi dhe Korthioni, me dy të tretat e popullsisë, janë grekë me disa përzierje katolikësh [venetikësh] të vjetër” (James I. Manatt. Aegean days. London: J. Murray, 1913, f. 178).

Ditë egjease, histori shqiptare…

Me shqiptarët e Androsit ai pati edhe një episod “të pakëndshëm”, që të kujton kohët e vjetra të nderit e turpit dhe respektin e mikut. Në një ditë të bukur në Andros, profesori Manatt shijonte bukuritë e natyrës në vetmi: “Dremisja në rrënjët e një peme madhështore ulliri, kur një djalosh shqiptar, në pamje të parë i interesuar për të dëgjuar e për të treguar ndonjë të re, por në të vërtetë, thjesht i interesuar për spiunuar shkelësin, vjen e më drejtohet me pyetje homerike për vendin nga vij e për profesionin që bëj. Për fat të mirë kishte shumë pak greqishte në dialektin e tij dhe shumë pak shqipe në timin, për ta bërë bisedën të rrjedhshme. Dhe sakaqherë u lash në shoqërinë e lakmuar të vetmisë së natyrës. Por jo për shumë kohë. Duke u shtyrë më lart, nga joshja e freskët e gjelbërimit të përhershëm, me vjen një thirrje e papritur nga përposh. Dy djelmosha ishullorë, thërrisnin “Zbrit poshtë!” dhe, me maturinë e duhur, ripërshkrova pas hapat që kisha hedhur, për të parë se për se bëhej fjalë. Me mirësjellje, por me ngulm më lëshuan pyetje të tjera homerike. E, për t’i rënë shkurt, e gjeta veten në duart atyre që sjellin thirrjen për gjyq…” (Manatt, Aegean…, f. 5-6).

Çdo gjë u mbyll aty për aty. Një punonjës i administratës, a një bashkiak (“demarchos”), që shoqëronte profesorin, ndërhyn. Pas pak vijnë edhe dy-tre xhandarë. Të rinjve ua heqin brezat me armë e i marrin me vete. Pavarësisht se profesor Manatt bëri thirrje që të harrohej kjo ndodhi e papeshë, shoqëruesi i tij këmbënguli sepse ata kishin vepruar duke e anashkaluar edhe atë, gjë që ishte e rëndë. Mirëpo, ngjarja kishte vijim.

“Pothuajse në perëndim të diellit, një shfaqje mrekullie qiellore kjo, vjen bujtësi im, për të më thënë se miqtë e fajtorëve janë mbledhur te bashkiakët dhe, për të më pyetur nëse unë nuk do t’u dilja sërish në krah atyre. Me kënaqësi, drejtohemi për atje, për të takuar pleqtë poturegjerë të luginës, që rrinin të vendosur varg përgjatë murit të gurtë. Asnjë gjurmë mërie në fytyrat e tyre, vetëm një pamje e thjeshtë e rëndë, aq e atillë, sa që nuk do t’i bënte të pabesueshëm burrat e veprave të Plutarkut apo Homerit. Tani, këto lugina, ashtu si shumica e Androsit verior, janë kryesisht të populluara nga shqiptarët; por shqiptarët pohojnë se kanë dalë nga rrënja e vjetër pellazgjike. Dhe, Ridgeway, tani ka treguar se pellazgët ishin grekët autoktonë të cilët ndërtuan civilizimin mikenas, folën mirë dialektin eolik dhe shpikën vargun gjashtërrokësh [heksametrin], dhe në atë dialekt e rimë, kompozuan Iliadën për pushtuesit e tyre akeas (Manatt, Aegean…, f. 6-7).

Shqiptarët si “grekë” autoktonë, d.m.th. si pasardhës pellazgësh, por që nuk flisnin më greqisht sot? Të lexosh pa nënqeshur këto pjesë është pak e vështirë. Përgjigjen se ç’gjuhë flisnin këta pasardhës “grekë” pellazgësh, Manatt e tha vetë kur bisedoi me djaloshin shqiptar: “. . . kishte shumë pak greqishte në dialektin e tij dhe shumë pak shqipe në timin, për ta bërë bisedën të rrjedhshme”. Konsulli amerikan James I. Manatt deri në fund të jetës së tij mbeti një adhurues i helenizmit. Ndoshta kjo dashuri e zjarrtë nuk i dha mundësi që të kishte atë objektivitet që pati Johann Georg von Hahn (1811-1869). Ky i fundit mbajti detyrën e konsullit të Prusisë (1843-1847) në Athinë dhe me pas atë të zëvendëskonsullit austriak në Janinë. Më 1851, u emërua konsull austriak në ishullin Siros. Mësoi shqipen në Janinë dhe njohu mirë shqiptarët. Udhëtoi edhe në Shqipëri dhe realizoi studime voluminoze për vendasit. Ky diplomat gjerman që punoi (1834-1843) edhe për Ministrinë e Drejtësisë së Mbretërisë së re Greke,  u bë babai i albanologjisë. “Ai [Hani] i shikoi shqiptarët si pasardhës të ilirëve me të cilët afroi epirotët e maqedonasit, duke i lidhur gjithë këta me pellazgët parahistorikë. Për të argumentuar tezën e tij të prejardhjes ilire të shqiptarëve e të gjuhës së tyre, Hani përdori edhe materialet gjuhësore” (Mahir Domi. “Probleme të historisë së formimit të gjuhës shqipe”, në: Konferenca Kombëtare për Formimin e Popullit Shqiptar, të Gjuhës dhe të Kulturës së Tij: Tiranë, 2-5 korrik 1982, red. Aleks Buda. Tiranë: Akademia e Shkencave, 1988, f. 165).

Duke u kthyer sërish te profesori Manatt, nëse ai do të kishte pasur mundësinë që të pasuronte studimet e tija me shqipen, nuk do ishte e jashtëzakonshme që të arrinte të njëjtat rezultate si konsulli gjerman. Asokohe në Greqi gëlonin shqiptarët e shqipja dëgjohej ngado. “Në Markopoulo, një reklamues shitjesh u tregonte makina qepëse një grupi të madh grash shqiptare. . . Ka një portret të mrekullueshëm të bujtëses sonë, me veshjen rrëzëllore shqiptare. . . Në shesh vetëm dy kostume ishin europiane; gjithë pjesa tjetër plotësisht  shqiptare, me zbukurime monedhash sermi në gjoks e mbi krye: gratë kërcenin me prikën e tyre. . . I ramë përqark Athinës dhe në 7.30 u ulëm për të ndjekur koncertin e radhës së të dielës mbrëma, në hotelin Grand Bretagne, mes një shoqërie të shkëlqyer; të sillte ndër mend më shumë Parisin se sa Koropin, me orkestrën e tij rrethore, dhe bukuroshet fshatarka shqiptare në platenë qiellmbuluar.” – shkruante James I. Manatt (The Atlantic monthly. V. 73, I. 439, May 1894). Në vijim, ai rrëfen po në këtë shkrim, vizitën e këndshme te një mësues shqiptar.

Konsulli amerikan, James I. Manett, mik te mësuesi shqiptar

E gjetëm shtëpinë e mësuesit, nga sa dukej më e mira në fshat, të vendosur në një katërkëndësh të madh, me ato lloj muresh të larta të kudogjendura, futur përmes një lloj portali madhështor. Një shkallë e jashtme mermeri çonte në katin e sipërm, i ofruar për mikpritjen tonë: një dhomë e madhe katrore, me ballkon që shikonte nga lindja e diellit dhe deti, dhe prapa saj dy dhoma të tjera të vogla. Dhoma e madhe ishte padyshim “megaron”-i i rezervuar për raste shtetërore, e si rrjedhim, disi e ftohtë dhe e zymtë. Një divan i shkëlqyer dhe një lëkundës, me një tavolinë, disa karrige dhe fotografi të vogla politikanësh grekë, ndihmonin që aty të mos dukej zbrazëti absolute. Por, mobilja e vogël pas saj, me raftet e vjetra të librave të mësuesit dhe një vatër e madhe e hapur, premtonin gjëra më të këndshme. Mbrëmja ishte e ftohtë dhe unë hodha idenë se aroma e zjarrit nuk do të ishte gjë e pakëndshme. Në të njëjtën kohë, vajza e bukur e bujtësit tonë, Helena, bëri tok një krah shkarpash pishe në vatër dhe i shpupuriti. Zjarri i ngrohtë u ndez dhe, në moment, u bëmë të tjerë njerëz; recina [vera] kaloi përqark, me Helenën kupëbartëse, dhe takimi ishte prej atyre që mbahen gjatë ndërmend.

Dy barbarë të hirshëm, të goditur nga dashuria për Greqinë, në pelegrinazh në “deme”-n e Ksenofonit; bujtësi i tyre, mësues prej njëzet e pesë vitesh në vendlindjen e Ksenofonit, pa asnjë kopje të Ksenofonit në shtëpinë e tij! Me Maratonën gati një duzinë miljesh larg, ai kurrë nuk kishte vënë këmbë në fushën e famshme, edhe pse ajo ngjallte aq kureshtje për Botën tonë të Re.

– Pra, jeni amerikanë?

– Po.

– Nga Amerika e Veriut apo e Jugut?

Kjo është gjithnjë pyetja pasuese këtu.

– Amerika e Veriut – Shtetet e Bashkuara.

– Ah, jetoni pranë Panamasë?

Për Panamanë flitet ngado tashmë, madje edhe këtu në Hymetus. Ne i shpjeguam se është shumë më larg Providenca nga Panamaja se sa, nga këtu ku ishim në  Maratonë. Mësuesi na doli i fortë.

– Keni dëgjuar për Përmbytjen?

– Po.

– Përmbytjen e Noes?

– Po.

– Kur u mbyt e gjithë bota nga uji përveç Noes dhe njerëzve të tij në Arkë?

– Po.

– E mbani mend që Noe kishte tre bij: Shem, Ham dhe Jafet?

– Po, e kujtoj.

– Pra, njëri prej tyre u vendos në Azi, njëri në Afrikë dhe tjetri në Europë.

– Kështu kam dëgjuar.

– Atëherë, ajo që dua të di, është se nga rridhni ju amerikanët?

– Thuaji, – tha Sage, duke parë se u vendosa me shpatulla për muri, – se ne kishim një varkë për hesap tonë.

Ashtu bëra, por pa shkaktuar dot asnjë buzëqeshje, dhe aktualisht u pa që mësuesi ishte në të vërtetë duke folur sinqerisht. Ai na kishte përzier me popullsinë aborigjene dhe po përpiqej të dëgjonte mendimin që kishim lidhur me origjinën tonë. I siguruar më së fundi se ishim europianë dhe të aftë të ofronim një rrëfim historik mbi veten, na pyeti më hollësisht për pakicat tona të lëkurëkuqve. Ishte temë thellësisht interesante për mendësinë greke; ndoshta sepse një version bashkëkohës grek i “The Last of the Mohicans” [“I fundit i Mohikanëve”], me gdhendje druri të hatashme, mund të gjendet në çdo qoshk librash jo vetëm të Athinës, por edhe të qyteteve provinciale. Duket se është e njëjta kureshtje e vjetër për ekzotiken, me të cilën u ushqye Eskili te “Persianët” dhe Herodoti te “Historia” e tij. Kur unë i dhashë disa shpjegime për lëkurëkuqtë tanë, ai nxori teorinë e tij të një tërmeti që do kish ndarë kontinentin më dysh, në ngushticën e Beringut, dhe kësisoj do kishte ndarë familjen e Jafetit. Kjo doktrinë sizmike mësohet padyshim në shkollën demotike [popullore] të Spatës, pa një fjalë të vetme për Atlantidën platonike.

Mësuesi nga Spata është dukshëm shembulli më i mirë i sërës së tij, që kemi takuar në Greqinë fshatarake. Një portret i shkëlqyer dhe një fytyrë e fortë, gjeniale, një mendjehapur i pacenuar nga të mësuarit (dyshoj se do lexonte ndonjëherë jashtë shkollës); ai duket si grekët e vjetër origjinalë, të jetës në natyrë, dhe akoma më shumë, sepse, ndryshe nga shumica e sërës së tij, kurrë nuk e ka hedhur tutje veshjen kombëtare. Veshja, në fakt, është shqiptare, ashtu siç është edhe ai vetë, njëlloj si shumica e këtij populli të prapatokës; por ai do t’ju tregojë se shqiptari nuk është gjë tjetër veçse greku i vjetër, pellazgu, sekreti parahistorik i të cilit është fshehur po aq mirë nga pjesa tjetër e botës sa ai i lëkurëkuqit dhe i tumandërtuesit. Nëse Karianët ishin të rrënjës pellazgjike, ashtu siç pretendojnë tani disa të ditur, bujtësi ynë mund të jetë një pasardhës, i largët vetëm nëntëdhjetë breza, nga varrgdhendësit e lashtë të Spartës.

Si shqiptar që është, ka një humor të jashtëzakonshëm helen. Karakteri shqiptar, siç e vinte re edhe Wordsworth-i, është më tepër dorik sesa jonian. . . I veshuri më mirë dhe me shtëpinë më të mirë të qytetit, ai është ndoshta qytetari më i shquar, sepse prodhuesi i pasur i rumit, jeton në Athinë. (James I. Manatt. “Behind Hymettus”, The Atlantic monthly. V. 73, I. 439, May 1894, f. 642-643).

Kjo Greqi optimiste e pavarësisë, e mbushur me shqiptarë që kuvendojnë, gëzojnë, punojnë, qeverisin e ëndërrojnë ngjan e largët dhe e pamendueshme sot. Ku shkoi vallë gjithë ai popull shqiptar i Greqisë? Tradita, kënga, vaji, historia e tyre? Zëra të shuar në kohë që duken po aq mitikë sa pellazgët. Vrik më bie ndër mend, vetëm George Bernard Show, kur flet për historinë: “Ç’do të shkruajë historia? Historia, zotëri, do të gënjejë! Si gjithnjë…”

PO MOS T’ISHTE NJI’KY BURRË, KURR N’ SHQIPNI S’ U NGRIT FLAMUR! – Nga Fritz RADOVANI

Atdhetari i madh i Popullit Shqiptar Luigj Gurakuqi (1879 – 1925), asht vra tradhëtisht në Bari t’ Italisë, me 2 Mars 1925…

Në atë Monumentin e Pavarësisë sonë Kombëtare të vitit 1912, në Vlonë, monument bronxi i ngritun me rastin e 60-vjetorit në vitin 1972, në Sheshin e Flamurit, kush mund t’ishte ma pranë Ismail Qemalit se Luigj Gurakuqi, Don Nikoll Kaçorri, Mustafa Kruja etj…? Po, jo, nuk ban Luigj Gurakuqi katolik Shkodre, Kaçorri ipeshkëv edhe ky katolik, Mustafa Kruja “trathtar” nga Veriu!..Fallsifikimet shkojnë deri aty sa paturpsisht thohet se dorasin, vrasësin Baltion Stamolla e paskan vra komunistët… Kaq “hakmarrës” me kenë “shokët” komunistë për vrasjen e shkodranit Gurakuqi, kur, vetë skilja sllave Ramiz Alia ka urdhnue heqjen e Luigj Gurakuqit nga boceti i Monumentit të Vlonës në vitin 1972, tue i thanë skulptorve: “Ju shikojen edhe vetë me shokët këte që po them, por Luigj Gurakuqi nuk është mirë për të qenë në një vepër kaq madhështore, mbasi ai ka qenë njeriu më i dashur dhe i besuar i klerit katolik!”

Ma shumë se të gjitha fletët që mujshe me mbushë unë me faktet e vrasjes së Luigj Gurakuqit, nga vetë Ahmet Zogu, ju flet një “copë” letër e vogël e dërgueme nga tradhtari Baltion Stambolla, me dy rreshta e tri adresa… të Ahmet Zogut, Ceno Beg Jakovës (Kryezut) dhe Çatin Saraçit, që i pabesi Baltion Stamolla i dërgon “miqve” të vet nga Italia, tue i kërkue shpëtimin me “mbrojtje, të holla, besën dhe ndihmë…”

Ja dhe fotokopjo e letres së vrasësit pabesë B. Stamolla…

Fotokopje e origjinalit të letres së Baltion Stamollës, e ruejtun nga

 Atdhetari Gjon Kamsi, sot në Muzeun e Shtetit në Shkoder. (Foto 2009):

“Kerkoj mbrojtje dergoni të holla ndermjetsoni për pshtim pranë Qeveriës Italjane.

Pyetnij Çatin Saraçin ku asht…? “besa” ndihma!…

Baltjon Stamolla – Carceri Giudiziarie Bari.

 

Shkelqësis Tij Ahmet Zogu Tirana (Albania)

Shkelqësis Tij Ceno Beg Jakova (Gjakovë

                                     Çatin Saraçi Hotel…”

***

Ndër Atdhetarët Shqiptar, Luigj Gurakuqi asht vra tri herë:

  1. Me 2 Mars 1925, nga Ahmet Zogu me veglat e tij vrasës e tradhëtarë…
  2. Në vitin 1972, nga E. Hoxha dhe R. Alia… si “i besuar”i Klerit Katolik.
  3. Në vitin 2005, kur “demokratët” i shembën edhe shtëpinë muze…
  • Dr. Prof. Mentor Quku, studjues i nderuem, e cilëson kështu Atdhetarin Gurakuqi: “Mendimi im dhe i familjes sime është se Luigj Gurakuqi është simbol i bashkimit kombëtar për të gjithë Shqiptarët bashkohës.

Figura si Ai i vinë Kombit shumë rrallë.”(2010)

  • At Gjergj Fishta ka pasë thanë gati para 100 vjetësh:

 “Fatkeqësisht, si në të gjitha punët vazhdohët “me ecë si gaforrja!”

…•Sot, vetem me një ndryshim: “Rilindja vazhdon ecjen majtas…”

Melbourne, 1 Mars 2021.

 

IX – 2021 VITI I AT PJETËR MËSHKALLA S. J. – 120 VJETORI KUR U LÈ N’ SHKODËR I MADHI AT MESHKALLA – Përgatiti për botim Fritz RADOVANI

IX – 2021 VITI I AT PJETËR MËSHKALLA  S. J.

– 120 VJETORI KUR U LÈ N’ SHKODËR I MADHI AT MESHKALLA –

Përgatiti për botim Fritz RADOVANI

“KLERI KATOLIK SHQIPTAR DHE EUROPA…”

Bisedat e At Meshkallës kishin një qëllim kryesisht të mirë

Report Tv, Dosja K – Monsinjor Zef Oroshi, si e vdiqën nën tortura të vëllanë, Ndue (video)

Report Tv, Dosja K – Monsinjor Zef Oroshi, si e vdiqën nën tortura të vëllanë Ndue

Radiocorriere (1936) – Në përvjetorin e parë të vdekjes së Aleksandër Moisiut, aktorja italiane na rrëfen maestron e madh

Wanda Capodaglio-Campo (1889 – 1980)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Shkurt 2021

 

“Radiocorriere” ka botuar, me 6 qershor 1936, në faqen n°42, homazhin ekskluziv të aktores italiane Wanda Capodaglio-Campo për Aleksandër Moisiun, me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes se talentit me origjinë shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : Radiocorriere, 6 qershor 1936, f.42

Aktori i madh Aleksandër Moisi, i cili vdiq në Vjenë vitin e kaluar, u kujtua në radio nga Wanda Capodoglio-Campo, aktorja jonë që ishte në krah të tij në atë që do të ishte faza e fundit e aktivitetit të tij artistik. Ne botojmë përkujtimin pasionant, të cilin aktorja e tha me thjeshtësi të admirueshme, e tradhëtuar nga emocioni i saj intim aq i thellë, meqenëse aktori i madh ishte i shumë i pranishëm në shpirtin e saj.

 

“Në përvjetorin e parë të vdekjes së tij, ata që, si unë, patën fatin të jetonin pranë tij, ta admironin, ta donin për cilësitë e tij të shumta, nuk mund të mos ndiejnë mirënjohje të thellë për Inspektoratin e Teatrit Italian që dëshiroi të nënvizonte këtë datë, duke kujtuar këtë figurë të madhe të zhdukur në mënyrë të parakohshme.

 

Unë e takova në qershor të vitit 1933 në Milano, kur ai erdhi për herë të parë në Itali për të recituar “Legjenda e Secilit (e të gjithëve)”. Dëshira për t’iu afruar këtij aktori të njohur, i cili për vite me radhë kishte mbushur Evropën me lavdinë e tij, më kishte shtyrë të kërkoja një pjesë të misterit të Ugo Hoffmansthal-it. Kur u gjenda në praninë e Moisiut, në skenën e Teatrit Lirik, përshtypja ime e parë ishte e habitshme: e kisha imagjinuar për interpretuesin e shumë klasikëve, për dishepullin e Reinhardt-it, një figurë imponuese, një zë bubullues, diçka heroike në çdo gjest, dhe përkundrazi ai m’u shfaq një krijesë krejt tjetër: flokëverdhë (bjond), i hollë, i përulur, naiv, me një maskë shumë të lëvizshme, dy sy të mëdhenj të qetë dhe depërtues, nga ku shkëlqente mundi (vlimi) i brendshëm.

 

Gjatë provave ai menjëherë zbuloi se ishte një maestro i madh; ai dinte se si të gjithë të ndiheshin mirë, për të gjithë kishte gati fjalën që bindte, sugjerimin që duhej, duke u shprehur me një ndrojtje dhe një ngrohtësi në të njëjtën kohë, që të bindnin. Të gjithë i jemi përkushtuar menjëherë: në mbrëmjen e parë të gjithë kemi qenë entuziastë dhe të lumtur me suksesin që solli interpretimi i tij. Mbrëmje e paharrueshme.

 

Kisha e Sant’Ambrogio-s në Milano, me arkitekturën e saj që arrin lartësitë e bukurisë me një thjeshtësi të mrekullueshme, u identifikua në mënyrë të admirueshme me përfaqësimin e parë të “Legjendës së Secilit” që Aleksandër Moisiu dha në gjuhën e tij amtare italiane. Atë mbrëmje u duk se dridhja e thënies së tij për herë të parë në gjuhën që nuk kishte mundur ta mbyllte (burgoste) brenda tij, u bashkua me madhështinë e zhveshur të oborrit ambrosian, në një harmoni prekëse.

 

Dhe artisti u prek nga ky kthim në të cilin shpirti i tij prej fëmije njohu fjalët e gjuhës së tij. Fjalët e para të thëna në agimin e jetës me lutjet e para. Ndoshta ky ishte tërmeti që dridhej në Pater noster-in e tij, si jehona e dashur e një pastërtie që nuk harrohet.

 

Ai më tha atë mbrëmje: “Nëna ime do të ishte kaq e lumtur. Dëshira e saj e fundit ishte që unë të recitoj në italisht. Ia pata premtuar, dhe sot më në fund munda ta mbaj premtimin”.

 

Nëna e tij ishte italiane, ndërsa babai shqiptar. I lindur në një Trieste të përçarë dhe i rritur në një mjedis me intelektualitet ndërkombëtar, ai nuk mund ta ndiente veten si një qytetar i një toke të vetme. Ai kishte mbetur i tillë gjatë gjithë jetës së tij i lidhur vetëm me atdheun e madh të artit. Derisa Italia e Musolinit, duke rrezatuar mendimin dhe doktrinën e rinisë së tij të re në botë, pushtoi papritmas edhe Aleksandër Moisiun, duke krijuar tek ai nevojën e brendshme për të ardhur mes nesh, e cila iu zbulua atij si emocion i papritur i një riatdhesimi. Dhe e tillë ishte në fakt, sa që ai ndjehej shumë italian dhe me këtë entuziazëm të natyrshëm, pas suksesit të Milanos, ai donte të bënte një turne artistik në të gjithë gadishullin. Kush nuk e mban mend pasazhin e tij triumfal me “Kufomën e gjallë” dhe me “Hamletin”?

 

Sepse arti i Moisiut në thelb kishte karakteristikën krejtësisht moderne të zvogëlimit (reduktimit) të shpirtit të personazheve, madje edhe të mbingarkuar nga sinteza ose të mbuluar nga simboli, në shpirtin e thjeshtë dhe spontan të njeriut.

 

Ishte fytyra intime, e fshehtë dhe, për këtë arsye, e butë, e shkëputur, pothuajse e ngathët e njerëzve që ai ju paraqiste, për të na dhënë të vërtetën më autentike. Moisiu artist dhe njeri ishin identikë në të gjitha aspektet. Personazhet që ai preferonte (luante) mbartnin gjithnjë diçka prej tij. Ai dëgjonte vetëm diktatet e zemrës dhe ndihej i qetë në shpirtrat e shqetësuar dhe të munduar. Ai nuk ishte aspak një borgjez : injoronte urdhërat, gjithçka në të ishte fantazi dhe temperament i egër. Ai urrente pedantrinë, njerëzit e ftohtë, të ndërlikuar, intelektualë, por pa shpirt. Jashtëzakonisht zemërgjerë, mund të thuhet mirë se dora e tij e djathtë injoronte atë që jepte e majta. Ai i përçmonte paratë. Ai ishte i prirur drejt të përulurve dhe të varfërve dhe askush nuk iu drejtua zemrës së tij kot.

 

Ai kishte besim te shpirtrat e mëdhenj, te poetët e mëdhenj: Dante. Shekspiri. Gëte. Mbi të gjithë, ai adhuronte Michelangelo-n. Ai ishte gjithashtu një njohës shumë i mirë i muzikës dhe zëri i tij ishte muzikor, i pagabueshëm, plot melankoli dhe trishtim. Ai e zbukuroi jetën për të gjithë: dhe përjetësisht i dashuruar në fjalët e poetëve, ai kërkoi vargjet me të cilat i bëri të dridheshin zemrat e dëgjuesve. Romeo afroi dhe rrethoi të gjitha Xhulietat me krahët e tij të ndezur (të ngrohtë); Hamleti, melankolik, meditues i thellë, zhvlerësonte njerëzimin; një Hamlet me një ndjeshmëri gati femërore; një Hamlet italian i cili dukej një i burgosur i shqetësuar i atmosferës nordike shekspiriane: Jedermann vdiq si një njeri i cili papritmas shikon kotësinë e jetës vetëm për t’u tërhequr në fund, kur thotë në një mënyrë të paimitueshme Pater noster-in. Ai këndoi, duke folur dhe ajo këngë ishte bërë një formë e shprehjes shumë personale që i dha atij një fytyrë të veçantë.

 

Pasi pushtoi (fitoi) atdheun e tij, ai kishte krijuar një entuziazëm të ri pune: propozoi të kryente një program të gjerë klasik për këtë vit, kishte lidhur një kontratë të rëndësishme me Amerikën e Jugut, ku duhej të shkonte me Kompaninë tonë për një kurs recitimi në italisht.

 

Gjithashtu për këtë turne ai dëshironte që përveç Shkëlqesisë së Tij Luigi Pirandello-s, i cili ia kishte besuar një nga veprat e tij, autorë të tjerë italianë të shkruanin për të. Ai kishte pranuar me gëzim të luante në një film personazhin enigmatik të Lorenzino de Medici. Ai ishte caktuar të luante Savonarola-n e Rino Alessi-t në Maggio Fiorentino.

 

Vdekja shkatërroi gjithë këtë entuziazëm të realizimit; por ai sigurisht u ngushëllua nga lajmet për shtetësinë italiane shumë të dëshiruar dhe të marrë përfundimisht. Fatkeqësisht, ky lajm arriti në Vjenë në prag të katastrofës. Mjekët, për ta ruajtur nga një emocion i dhunshëm (i fortë), këshilluan që pacientit të mos i tregohet menjëherë; por kur e gjithë shpresa humbi, çaste para fundit, gruaja e tij donte t’i thoshte se ëndrra e tij e fundit ishte realizuar. Fytyra e zymtë e Aleksandrit të varfër u shndërrua, një dritë e tërë e pushtoi, ai dukej sikur po qetësohej, pastaj në një psherëtimë ai murmuriti: shumë vonë… shumë vonë!… Ai dremiti, pastaj erdhi deliri gjatë të cilit ai vazhdoi të murmuriste fjalët italiane, pasi që nga fillimi i sëmundjes së tij ai kishte folur vetëm në gjuhën tonë, mbase ndihej ngadalë të rikthehej një fëmijë… dhe fjalët e tij të fundit, para se të vdiste ishin: Venecia, Venecia e bukur… e bukur… kështu në vizionin e atdheut, të rizbuluar dhe kaq shpejt të humbur…, u shua ky shpirt i madh i një artisti shumë të veçantë, i një poeti të skenës, i një njeriu thellësisht të mirë.”

 

WANDA CAPODAGLIO CAMPO

Thoma Katundi, një nga 22 të pushkatuarit për bombën në ambasadën sovjetike – Nga Osmon Kaceli

Kishte lindur në Korçë në vitin 1886 në një familje të mesme qytetare. Ishte i biri i Theodhorit e i Katerines. Në fillimin e shekullit të 20-të shum familje të jugut e sidomos ato korçare emigruan në Amerikë. Ndermjet tyre ishte edhe familja e Thomait. Ndërkohë Thomai kishte mbaruar shkollën qytetse e kur u gjinden në Amerikë kishte filluar punë si marangoz. Mbas një periudhe të gjatë në emigrim, Thomai kishte kryer një veprimtari të veçantë politiko shoqerore dhe fitoi një emër të mirë e u njoft nga masat gjëra të emigracionit. Sipas burimeve të mirinformuara, megjithse ai jetonte që prej fillim viteve 30-të në Shqipëri ai mbante kotespondencë ende për një kohë të gjatë me shumë atdhetarë që jetonin ende si emigrantë atje. (Kurioz është fakti se kur u muar vesh incidenti i Masakrës së 26 shkurtit 1951, lajmi për ekzekutimin e tij e kishin dhanë nëpërmjet shtypit se komunistët e Shqipërisë kishin pushkatú Fisnikun Thoma Katundi). Me rikthimin e tij në Korçë ai ishte marrë me ndertim e kryesisht me prodhimin e portave, dyerve e dritareve. Gjatë L2B duket sikur ai nuk u perzì me asnjë anë, ndërsa mbas saj, kur ai u sistemú me banim në Tiranë ai e kuptoi se Qeveria gjoja Demokratike e Enver Hoxhës e kishte kalú masën. Ai ishte formú si qytetar amerikan dhe e kuptonte se çdo të thonte lirija dhe të drejtat e njeriut. Kështu shpesh herë ra në sy si i pakënaqun prej sistemit, e prej komshinjve njihej si ai amerikani. Ai ndërkohë kishte blerë një shtëpi me dyqane afër shkollës Nana mbretneshë. Në përgjithësi bente një jetë të qetë së bashku me gruan dhe 2 vajzat e tij që vazhdonin shkollën njëra Shpresa dhe Bardhylja, që gezonin respektin e shumë komshinjve. Por nuk vazhdoi gjatë kjo gjendje e qetë. Në natën e zezë të 20 shkurtit 1951, edhe tek shtëpia e njeriut të mirë e fisnik, Thoma Katundi erdhën egërsinat me fytyrë njeriu të Sigurimit të Shtetit. Me arrogancën që tashmë e kemi has thuejse tek të gjithë rastet edhe këtu mbasi kanë trokit me force e me te thirruna derën ato kanë hy me tërbim sapo vajza e madhe Bardhylja ka hap derën e i ka tërheq vëmendjen se mos therritni se është mamaja e sëmurë. Harbutët kanë kërkuar me zë të naltë se duam Thoma Katundin, Ku është Thomai, kuuuu??? Ndërkohë kanë pa burrin e moshu edhe fisnik që ishte ngrejte nga krevati e po vishej. Ato per një moment kishin ndrru taktike dhe gjoja i kanë qetsu të dy vajzat që therrisnin e çirreshin. Do të bëjnë vetëm një kontrroll, e sapo të mbarojmë do të largohemi. Nuk kishte kalú një minutë dhe dukej se në shtëpinë e heroit të tregimit tonë kishte ra një bombë. Agjentët e sigurimit ndërsa kontrrollonin nuk i kushtonin kujdes rregullit. Gjatë kontrollit vajzat njana rreth 13 e tjetra rreth 15 vjeç e nuhatën situatën dhe e rrethuan babain me trupat e tyre. Kur pa pritmas njani nga sigurimsat gjeti nji flamur amerikan në sirtarin e komosë. Me nji herë e me ton triumfatori ai deklaaroi me zà të naltë se ja prova që ti je armik i popullit e bashkpuntore i imperializmit anerikan. Pjesëtarët e familjes u munduen me e justifiku se babai i tyre e kishte ate flamur që kur asht kthy nga emigrimi. Sa hap e mbyll sytë triumfatori i ishte afrú Thomait duke deklaru se ti Thoma Katundi je i arrestu në emër të Popullit. Vajzat natyrisht që ndjenin rrezikun që po i kanosej Babës së tyre, në sekondë u bënë si të marra e filluan të çirreshin e të thërrisnin sa që e mori vesh e gjithë lagjeja. Dikush në dritare një tjetër tek porta, e perveç këtyre edhe vajzat e shkollës Pedagogjike që ishte aty pranë, kishin dalë nga konvikti për të ndihmuar kto dy të reja që kërkonin të pengonin largimin e arrestimin e njeriut të dashun. Por egërsia e forca e sigurimsave kishte dështuar për pak kohe, ndaj dashnisë së 2 vajzave të Thomait për të atin, e përkrahjes së vajzave konviktore të shkollës pedagogjike për shoqet e veta moshatare! Por ndërkohë tre sigurimsat i ndanë detyrat. Ndërsa Thoma Katundin e prangosur e kishin perqafu te dyja Shpresa dhe motra e saj, e se linin ta futnin në xhipsin me motorin e ndez duke therrit e ulurit, sigurimsat përzunë në fillim konviktoret me kërcënime nga ma të ndryshmet e pastaj u kthyen tek Xhipsi e duke largu me force Shpresën dhe motrën e saj Bardhylen, e futën Thomain trupvogël mbrenda, që me vështirësi arriti ti qetësojë sadopak vajzat e tij të dashura, se babai i tyre do të kthehet sapo të sqarojë problemin. Mbasi u futen dhe vetë e u nisën në drejtim të rrugës së Elbasanit e pastaj djathtas e shkuan si duket drejtë Selvisë famkeqe…atje ku ishte selija e Sigurimit të shtetit! Kur vajzat kishin hy në shtëpi, e panë mamanë të shtrirë në divan po thuejse pa ndjenja,. Për një moment e mblodhën mendien, e i dhanë ndihmën e domosdoshme njeriut të tyre të dashur
Akuza me të cilën krimineli Pilo Shanto i vu kryqin jeshil (në dosjen duket vetëm nji pikë e këtij kryqi fatal), që do të thonte dënim me pushkatim për fisnikun Thoma Katundi: “Është propagandist(ik) i tërbuar anti pushtet. Implikohet në një rreth ar/mi/k ku zhvillon aktivitet. Ka grumbulluar material të hedhur nga aeroplanët dhe ja u lexon të tjerëve. Shpërndan lajme të marra nga stacione reaksionare. Dyshohet shumë si agjent i Legatës Franceze dhe si i tillë të zhvillojë aktivitet. Nga K. P. i janë kap letra me përmbajtje informative mbi gjendjen e Shqipërisë të drejtuara një kushuririt të tij në Amerikë, me porosi që ky t’ja drejtojë një Arqipeshkvi”.!
Prokurori Ushtarak Siri Çarçani pregati akuzat me të cilat të 22 MARTIRËT do të dënohedhin për t’ja propozuar gjyqit, ndërmjet tyre :
6. Thoma Katundi, i biri i Theodhorit dhe i Katherines lindur në Korçë e banues në Tiranë, vjeç 65, me profedion msrangoz, me arsim fillor, shtresë e mesme arrestuar në 20 shkurt 1951….. dhe 21 martiret e tjerë :
A K Z O H E N S E
1) Jane vënë në shërbim të spiunszheve të huaja imperialiste duke u bere agjentë të rregullt të atyre. Kanë furnizuar spiunazhet e huaja me informacion sekret ushtarak, politik dhe ekonomik në dëm të Rëndësishme sonë Popullore.
2) Janë bërë antare te një organizate terroriste.
3) Kanë propaganduar për rrëzimin me dhune te Pushtetit Popullor dhe kanë hedhur parulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistaveAmerikano-Anglezë dhe satelitve të tyre.
Fajet e me sipërme parashikohen nga nenet 2 e 3 Nr. 10,7 dhe 8 të ligjës 372 datë 12/12/1946 mbi fajet penale kundër popullit dhe shtetit dhe dënohen nga neni 4 po i kësaj ligje,
Meqenese se ky Proçes ka rendesi të posaçme,
K ë r k o j
Në bazë të nenit 12 të paragrafit të dytë të ligjës së përmendur të gjykohen në gradë të parë dhe të fundit direkt nga Gjykata e lartë Ushtarake dhe mbasi të therriten para gjyqit dhe të provohet fajësia e tyre, të dënohen sipas dispozitave të lartpërmendura.
Tiranë 25 shkurt 1951
Prokurori
Nen/Kolonel
(SIRI ÇARÇANI) d.v.
……
Të hënën me 26 shkurt 1951 të 22 MARTIRËT me denimin kapital i nxorrën nga qelitë e paraburgimit dhe i dërguan në katundin Mënik të Tiranës 800 metra larg ures se Beshirit e ashtu si ishin të lidhur me tela me gjemba i rreshtuan para gropes që kishin hapur 2 ditë më parë Kriminelët vrasës e sadistë me breshëri automatiku i morën jetën 22 MARTIRËVE te pafajshem e midis tyre edhe fisnikun Martir Thoma Katundi si dhe shkencëtaren e parë shqiptare Martiren SABIHA KASIMATI!
………….
Pasi u pushkatuan ditën e hënë më 26 shkurt 1951 të “pandehurit” u gjykuan” të martën më 27 shkurt 1951. Pra ju lutem në se doni të më ndihmoni, me sqaroni në se mund të pranojë pjesërisht fajin një i pushkatuar!?!?..
Gjykimi i Martirit THOMA KATUNDI nga krimineli vrasës Shuaip Panariti :
Merret në “pyetje” POST MORTUM i pandehuri THOMA KATUNDI dhe pasi u pyet në themel të çështjes tha: Akuzën e pranoj pjesërisht. Më ka rënë në dorë material propagandistik nga reksioni i jashtëm dhe u kam lexuar shokëve të mijë duke propaganduar kundër pushtetit dhe pro luftës së tretë nga imperialistët Anglo – Amerikanë. Kam dëgjuar Radiot imperialiste të Amerikano Angleze 9dhe frymën e tyre e kam përhapur në rrethin tim shoqnor., duke komentuar kundër Pushtetit. Jam vënë në shërbim të Legates Franceze, wysh me ardhjen e saj në Shqipëri.. Jam lidhur me Legaten me anën e Agostin Bonatit. Pranoj se u kam dhënë informata me karakter sekret shtetëror. Kam hedhur parulla kundër Pushtetit.
… Mbasi u “pyetën” edhe 21 MARTIRËT, e tjerë (midis tyre edhe im atë, që e kishin masakru dy ditë më parë e pasi e kanë mbyt në tortura e kanë lanë pa frymë., e per të simulu vetëvrasje e kan hedh nga dritarja e katit të dytë të Ministrise së Mbrendshme, në oborrin e mbrapem të saj), krimineli e vrasësi Shuaip Panariti dha vendimin e dënimit numër 64 datë 27 mars 1951!

Letra Tepër Sekret e Enver Hoxhës: Klerikët, me përjashtim të katolikëve, janë injorantë, por do i rrafshojmë nga faqja e dheut…

Dashnor Kaloçi/ Memorie.al publikon një dokument arkivor me siglën “Tepër sekret” që mban datën 27 shkurt 1967, të nxjerrë nga fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, Enver Hoxha i’u ka dërguar një letër të gjatë të gjithë komiteteve të partive të rretheve, ku ai i’u shpjegon masat që duhej të ndërmerreshin në luftën kundër besimeve fetare në Shqipëri, duke dhënë shpjegime të hollësishme dhe të detajuara, se “si duhej punuar konkretisht me masat e popullit për t’ju çrrënjosur nga ndërgjegjja e tyre besimin fetar dhe se si duhej punuar me njerzit për t’i bindur fillimisht ata dhe më pas për prishjen e objekteve të kultit, si kishat, xhamijat, manastiret, teqetë, tyrbet, etj”.

Ndonëse regjimi komunist i Enver Hoxhës e kishte filluar goditjen ndaj institucioneve fetare dhe klerikëve të ndryshëm të tre besimeve që me ardhjen e tij në pushtet në dhjetorin e vitit 1944, kur filloi dhe ekzekutimet, burgosjen e internimet në masë të qindra klerikëve, ndalimin e fesë dhe prishjen e objekteve të ndryshme të kultit, filloi ta zbatonte vetëm në vitin 1965-‘66.

Ndaj vendimit që kishte marrë udhëheqja e lartë të PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxha në atë kohë, për ndalimin e fesë dhe prishjen e të gjitha institucioneve fetare e objekteve të ndryshme të kultit, gjë e cila fillimisht u kamuflua, duke iu atribuar si një iniciative dhe kërkese të disa organizatave të rinisë shkollore të gjimnazve të Tiranës e Durrësit, (shkolla e mesme “Naim Frashëri”) pati mjaft kundërshtime dhe reagime të ashpra, si nga besimtarët, ashtu dhe nga klerikët të tre besimeve fetare, që ushtronin veprimtarinë e tyre religjoze në të gjithë vendin.

Por reagimet e klerikëve dhe besimtarëve të ndryshëm u acaruan akoma dhe më shumë kur direktiva e udhëheqjes së lartë të PPSH-së, për ndalimin e fesë dhe prishjen e objekteve të kultit, po bëhej realitet nga drejtues të lartë të partisë e pushtetit në rrethe të ndryshme të vendit, të cilët filluan sulmet ndaj kishave e xhamive, duke ndërsyer fillimisht ndaj tyre nxënësit e shkollave, repartet ushtarake dhe aktivistët fanatikë të organizatave të rinisë.

Në atë kohë, kur sapo kishte filluar sulmi ndaj fesë dhe prishja e objekteve të ndryshme të kultit, disa nga klerikët e lartë dhe besimtarë të shumtë, kujtonin se ajo ishte vërtet një iniciativë e organizatave të rinisë shkollore! Dhe, për ta parandaluar atë që po ndodhte, ata filluan t’i dërgonin letra të ndryshme Enver Hoxhës, (pjesa më e madhe e tyre kanë nënshkruar e firmosur me emrat e tyre, por edhe shumë letra anonime) ku ata denonconin veprimet që kishin ndërmarrë ndaj objekteve fetare drejtuesit e partisë dhe të pushtetit në rrethe, duke shpresuar se udhëheqësi kryesor do të ndërhynte me autoritetin e tij absolut dhe do ta ndalonte atë.

 

Gjë e cila rezultoi një shpresë e kotë, pasi lufta ndaj besimeve fetare, nuk ishte një “nisiativë e rinisë”, sikundur e paraqiste në atë kohë, (por dhe më pas) udhëheqja e lartë e PPSH-së, por ajo ishte një direktivë e saj, gjë e cila vërtetohet mësimiri edhe nga një letër e gjatë me siglën “Tepër sekret” që Enver Hoxha në emër të Komitetit Qëndror të PPSH-së iu dërgonte të gjithë komiteteve të partive të rretheve, ku ai jepte direktivat përkatëse, duke dhënë shpjegime të hollësishme dhe mjaft të detajuara për luftën dhe goditjen përfundimtare që duhej dhe po ndërmerrej ndaj fesë në Shqipëri.

Letra në fjalë që po e publikojmë në këtë shkrim, është pjesë e një dosje voluminoze që disponon Memorie.al, ku bëhet fjalë vetëm për fushatën e egër që ndërrmoi asokohe udhëheqja e lartë e PPSH-së me të gjithë aparatin shtetëror diktatorial kundër besimeve fetare në Shqipëri, e cila jo vetëm që çoi në prishjen dhe shkatërrimin e qindra objekteve të kultit, si kisha, xhamija, manastire, teqe, turbe etj., por dhe në arrestimin, burgosjen, internimet apo dhe ekzekutimet, e dhjetra klerikëve e besimtarëve të ndryshëm që kundërshtuan atë fushatë dhune të egër që e bëri Shqipërinë “të vetmin vend ateist në botë”.

Letër e KQ të PPSH-së drejtuar Komiteteve të Partisë të rretheve mbi luftën kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare.

 

PARTIA E PUNES SHQIPERISE                                                                                Tepër sekret

 KOMITETIT QENDROR

 Nr. 133 Prot.                                                                                                         Tiarën, më 27.II. 1967

                                           KOMITETEVE TE PARTISE SE RRETHEVE

  27 shkurt 1967

Duke marrë parasysh se kohët e fundit në shumë rrethe është intensifikuar lufta kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare dhe me qëllim që kjo luftë të bëhet sa më drejt, pa gabime dhe më me sukses, u pa e nevojshme t’u jepen orientimet e mëposhtme:

Feja është opiumi i popullit. Duhet të bëjmë çmos që këtë të vërtetë të madhe ta kuptojë çdo njeri, edhe ata që janë të helmatisur (e që nuk janë pak) duhet t’i shërojmë. Kjo nuk është një punë e lehtë, por as edhe e pamundur. Këtë luftë të madhe nuk duhet t’ia lëmë spontanitetit apo të kënaqemi duke thënë se brezat e rinj do ta braktisin këtë opium, ose feja dhe praktikat e saj ekzistojnë vetëm te plakat dhe te pleqtë. Kjo nuk është e saktë; ato mund ta humbasin virulencën e tyre vetëm në rast se i luftojmë e i demaskojmë, por ringjallen, propagandohen e zgjerohen në rast se i nënvleftësojmë.

Sigurisht, feja ka të bëjë me botëkuptimet, me ndërgjegjen, vepron me koncepte të cilat me shekuj klerikët jo vetëm i kanë kthyer në dogma filozofike, por, për t’i rrënjosur këto dogma animiste në ndërgjegjen e njerëzve, i kanë shoqëruar ato edhe me disiplina konkrete, me organizime të veçanta e i kanë lidhur me ngjarjet e jetës së njeriut. Feja çdo gjë është munduar ta lidhë me ndodhitë e jetës së njeriut dhe ka bërë që ky çdo mendim, çdo veprim të tij ta lidhë me fenë, me besimin idealist, mistik etj.

Luftën tonë kundër fesë ne duhet ta drejtojmë si kundër vetë dogmave fetare, pikëpamjeve filozofike idealiste e mistike të saj, ashtu edhe kundër disiplinave fetare, që kanë hyrë deri në zakonet e përditshme të atyre që besojnë, bile edhe të atyre që nuk besojnë, por që ndonjëherë i zbatojnë pa ditur, pa treguar kujdes, shpesh nga forca e zakonit. Populli ynë, në përgjithësi, nuk është fetar në atë kuptim siç janë mjaft popuj të tjerë, por prapëseprapë edhe ai diçka beson.

Klerikët, me përjashtim të katolikëve, aktualisht janë injorantë dhe fenë që predikojnë e mbështetin më shumë në ruajtjen e disiplinave fetare, me anën e një liturgjie arkaike, me psoma dhe duara ose me lutje të mësuara përmendsh, në rastin e hoxhallarëve, pa u kuptuar as brendinë, pa lëre interpretimin e tyre filozofik.

Ne nuk kemi lënë asnjë nga shkollat, qoftë edhe të ulëta, nga dilnin klerikët e rinj, për të interpretuar doktrinën e tyre fetare. Kështu që klerikëk e çdo besimi në vendin tonë kanë shteruar vazhdimisht si kuadro. Kurse për sa i përket botimit të librave e të dogmave të tyre, kjo mundësi ka vdekur me kohë për ta. Myslimanët as kanë, as mund të kenë dhe as mund të lexojnë ndonjë kuran të vjetër, pse ai është në arabisht. Praktikisht ata “rrojnë” me disa syre të Kuranit, që i mësojnë përmendsh, që nuk i kuptojnë dhe i transmetojnë gojarisht. Ortodoksët s’janë as më të pasur në libra fetarë dhe as më të ngritur. Ata kanë vetëm avantazhin që ungjillin e kanë në shqip.

Kurse katolikët, sidomos klerikët e tyre, janë më të pasur në libra, më të ngritur dhe ata, atje ku mundin vazhdojnë ta zhvillojnë fenë katolike si filozofi. Pra, bazën materiale dhe propagandistike për shumëzimin e librave fetarë e kemi zhdukur. Ne kemi zhdukur gjithashtu mundësinë e përgatitjes së kuadrit ri klerik. Tani çështja është te kishat dhe xhamitë që ekzistojnë te ne, si të vetmet mjete kryesore ku klerikët grumbullojnë besimtarët për të mbajtur gjallë besimin, qoftë edhe në forma dekadente. Prishja e kishave, e xhamive, e teqeve dhe e manastireve, natyrisht, paraqet një vështirësi, për arsye se nuk duhet shkuar në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë pjesë të popullit që beson. Prandaj në këtë drejtim duhet pasur kujdes e takt. Por mjaft prej tyre janë prishur me iniciativën e masës pa ngjallur asnjë reaksion, disa të tjera kanë rënë, ka nga ato që janë kthyer në depo ose kanë mbetur pa hoxhë, apo pa prift dhe praktikisht nuk funksionojnë.

Me këto forma duhet të kërkojmë, por ringjallen, propagandohen e zgjerohen në rast se i nënvleftësojmë. Sigurisht, feja ka të bëjë me botëkuptimet, me ndërgjegjen, vepron me koncepte të cilat me shekuj klerikët jo vetëm i kanë kthyer në dogma filozofike, por, për t’i rrënjosur këto dogma animiste në ndërgjegjen e njerëzve, i kanë shoqëruar ato edhe me disiplina konkrete, me organizime të veçanta e i kanë lidhur me ngjarjet e jetës së njeriut.

Feja çdo gjë është munduar ta lidhë me ndodhitë e jetës së njeriut dhe ka bërë që ky çdo mendim, çdo veprim të tij ta lidhë me fenë, me besimin idealist, mistik etj. Luftën tonë kundër fesë ne duhet ta drejtojmë si kundër vetë dogmave fetare, pikëpamjeve filozofike idealiste e mistike të saj, ashtu edhe kundër dogmave fetare, që kanë hyrë deri në zakonet e përditshme të atyre që besojnë, bile edhe të atyre që nuk besojnë, por që ndonjëherë i zbatojnë pa a ditur, pa treguar kujdes, shpesh nga forca e zakonit. Populli ynë, në përgjithësi, nuk është fetar në atë kuptim siç janë mjaft popuj të tferë, por prapëseprapë edhe ai diçka beson.

Ne kemi zhdukur gjithashtu mundësinë e përgatitjes së kuadrit të ri klerik. Tani çështja është te kishat dhe xhamitë që ekzistojnë te ne, si të vetmet mjete kryesore ku klerikët grumbullojnë besimtarët për të mbajtur gjallë besimin, qoftë edhe në forma dekadente. Prishja e kishave, e xhamive, e teqeve dhe e manastireve, natyrisht, paraqet një vështirësi, për arsye se nuk duhet shkuar në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë pjesë të popullit që beson. Prandaj në këtë drejtim duhet pasur kujdes e takt. Por mjaft prej tyre janë prishur me iniciativën e masës pa ngjallur asnjë reaksion, disa të tjera kanë rënë, ka nga ato që janë kthyer në depo ose kanë mbetur pa hoxhë apo pa prift dhe praktikisht nuk funksionojnë.

Me këto forma duhet të vazhdojmë ne derisa t’i rrafshojmë ato nga faqja e dheut. Institucioneve fetare duhet t’u heqim, atje ku u kemi lënë diçka, të gjithë tokën, ndonjë rrënjë ulliri ose të ardhur tjetër që mund të kenë akoma. Është interesant se në fshatin tonë nuk ka rezistencë për këto gjëra. Kjo është rezultat i punës ateiste që ka bërë dhe bën Partia, por edhe i mungesës së hoxhallarëve, të priftërinjve dhe të librave fetarë. Në përgjithësi në fshat çështja e besimit fetar mbahet në zakonet e jetës e në interpretimin pragmatist të tyre, por kjo nuk duhet as të nënvleftësohet e as të neglizhohet, sepse dëmton shumë zhvillimin dhe përparimin e vendit.

Për t’i zhdukur praktikat fetare ne duhet t’i luftojmë ato kryesisht me frymën patriotike dhe revolucionare. Le të marrim çështjet e praktikave fetare myslimane. Gjatë 14 shekujve ato ruajnë karakterin e unitetit arab, të dominimit arab me anën e fesë; Kurani është libri i këtij ligji. Tek ai çdo gjë predikon ruajtjen e kësaj ideje, propagandimin e saj, të pleksur natyrisht me dogma filozofike idealiste, monoteiste, më racionale, si të thuash, se judaizmi ose kristianizmi.

Disiplinat fetare myslimane ruajnë të paprekur çështjen që, kur një person falet, qoftë ky egjiptian, kinez ose shqiptar, duhet ta kthejë fytyrën nga Meka. Kjo do të thotë ruajtje e besimit të unitetit fetar jo vetëm shpirtëror, por edhe temporal. Sipas fesë myslimane për të gjithë qendra është Meka. Disiplina e fesë myslimane kërkon që çdo mysliman, i çdo kombësie që të jetë, duhet të falet në gjuhën arabe, Kuranin ta mësojë dhe ta këndojë vetëm në arabisht. Myslimanët falen kudo njëlloj, numri i të falurave çdo ditë është i njëjtë, marrja avdes bëhet njëlloj.

Gjithashtu njëlloj janë kudo, deri në përcaktimin e datave të tyre: agjërimi, festat e bajrameve, matemi etj. Ne duhet t’i thyejmë këto praktika dhe t’u tregojmë të gjithë atyre që besojnë sa absurde është të ruash dhe të zbatosh zakone të tilla që nuk kanë asnjë lidhje me jetën tonë, jo vetëm me të tashmen, por edhe me të kaluarën. T’u shpjegojmë origjinën dhe qëllimin e tyre, t’u vërtetojmë se si, nën petkun e perëndisë, fshihej ligji i otomanëve, i pushtuesve turq dhe i sherbëtorëve të tyre. Pra, asgjë s’na lidhte dhe as na lidh me fenë, me praktikat e saj, jo vetëm si ateistë, por edhe si patriotë shqiptarë.

A mund të imagjinohet që shqiptari të vazhdojë t’u bindet ligjeve të të huajve, ligjeve të pushtuesve, qofshin këto ligje të veshura me petkun e fesë e të sheriatit? Të vazhdosh t’u bindesh këtyre ligjeve e zakoneve, do të thotë të jesh shpirtërisht me të huajt, me reaksionin më të zi. Nuk është e mundur që nga njëra anë të mendosh dhe të veprosh drejt poltikisht, kurse nga ana tjetër të mendosh shtrembër ideologjikisht. Feja të bën të gabosh rëndë politikisht dhe të frenon të ecesh përpara.

Bota po përparon. Shqipëria po ndërton socializmin, kurse disa njerëz vazhdojnë akoma të besojnë ëndërrimet e një njeriu të shekullit VI që kishte botëkuptimin e tij mbi jetën, qëllimet e tij mbi popullin e vet dhe mbi popujt e tjerë. Ç’lidhje mund të kenë këto ëndërrime të Muhametit me realitetin tonë të shekullit XX? Asnjë lidhje! Prandaj duhen zhdukur përfundimisht dhe pa nishan këto lidhje që e shtrëngojnë njeriun këmbë e duar dhe e poshtërojnë. Këtë anë të shpjegimit historik të praktikave të fesë myslimane ne nuk duhet ta harrojmë, por ta përdorim dhe, tok me të, të ngjallim dhe të vëmë kundër praktikave fetare patriotizmin e madh të masave.

T’u shpjegojmë masave, historikisht dhe materialisht, ç’vuajtje, ç’mjerime, ç’gjakderdhje e ç’shtypje ka pësuar populli ynë, veçanërisht nga feja, se si ajo na përçante e vinte në luftë vëllanë kundër vëllait, duke i shërbyer shtypësve e pushtuesve për të na shtypur më marë, për të na robëruar më lehtë dhe për të na pirë gjakun nën emrin e fesë. Kjo duhet bërë kundër fesë myslimane, ortodokse e asaj katolike, pse të gj’itha kanë të njëjtin karakter të theksuar reaksionar, shtypës, idealist, qoftë në zhvillimin e dogmave e në përmbajtjen e tyre, qoftë në liturgjinë e ngarkuar, të rafinuar dhe pompoze, qoftë në praktikat dhe në disiplinat fetare.

Kur feja myslimane sheh te Muhameti vetëm profetin, domethënë njeriun të cilit, gjoja, zoti i transmetoi urdhrat e tij, që u përmblodhën në Kuran, Krishti për fenë ortodokse dhe për atë katolike është perëndia i bërë njeri, i zbritur mbi tokë etj., etj. Nëse myslimanizmi xhaminë e konsideron si një vend të thjeshtë për t’u falur, kristianizmi i konsideron kishat frone të zotit, ku idealizohet perëndia dhe minimizohet qenia njerëzore, skllavërohen e shtypen shpirti dhe fiziku i njeriut nën një liturgji të tmerrshme e pompoze, nën një luks të shfrenuar të klerit dhe të katedraleve, nën një praktikë të tmerrshme të përditshme që i është qepur besimtarit që kur lind dhe derisa vdes.

Besimtarit, sa është gjallë, kisha jo vetëm i merr pasurinë nëpërmjet një mijë zakoneve grabitëse, praktikës frymëmbytëse dhe skllavërimit brutal, por, nëpërmjet një mijë teorive animiste, ajo përpiqet të ruajë te njerëzit edhe kultin, edhe praktikat “e shpirtit të të vdekurit” të katër deri gjashtë mijë vjetëve më parë, siç janë çuarja në varre e grurit, kuleçëve e zahireve të ndryshme, të cilat, natyrisht, grumbullohen në mbrëmje nga priftërinjtë.

Lufta kundër fesë, veçanërisht në vendin tonë, ku nuk ka mundur të zhvillohet në forma filozofike të stërholluara, për arsye të mungesës së një baze klerikësh të zhvilluar e me kulturë, duhet të bëhet me këmbëngulje, sidomos kundër zakoneve, traditave, mënyrës së jetesës, interpretimit të fenomeneve, pse nëpërmjet kësaj rruge klerikët kanë mundur, për shekuj me radhë, të futin helmin e fesë dhe këtë helm ta përziejnë me gëzimet, me hidhërimet, me ngjarjet e përditshme të jetës së njeriut.

Pra, na vihet detyra që të studiojmë me imtësi ku dhe si shfaqet ky helm, në ç’forma shfaqet, ç’trajta ka marrë gjatë zhvillimit, ç’praktika zbatohen, si zbatohen e si kamuflohen ato. Në jetën e njeriut, që nga lindja e tij deri në vdekje, kanë depërtuar ritet fetare, pagëzimi, vënia e kurorës, synetllëku etj., si krimbi brenda moliës së kuqe. Duke i analiznar e duke i njohur mirë këto, lufta kundër fesë do të bëhet e studiuar e sistematike, ideologjike, politike e organizative, pa pushim e pa pushim. Për të luftuar konceptet fetare ne duhet të përgatitim leksione teorike të bazuara në marksizëm-leninizmin, të thjeshta, reale, t’ua përshtatim vendit, njerëzve, zakoneve dhe nivelit tonë intelektual.

Të mos kopjojmë gjëra që nuk i përshtaten realitetit tonë. Të mos hyjmë në gjëra dhe në mendime që nuk janë të nevojshme për gjendjen tonë. Lufta kundër fesë është mjaft e koklavitur, prandaj kush nuk armatoset mirë në këtë luftë, nuk mund të arrijë rezultatet që dëshiron. Ne i kemi të gjitha mundësitë dhe terreni ynë paraqitet i favorshëm që këtë luftë ta kryejmë me sukses.

Një armë historike kundër fesë dhe klerikëve reaksionarë, është edhe fakti se feja myslimane ka qenë ideologji e pushtuesve turq, feja ortodokse ideologji e shovinistëve grekë, që kanë pushtuar në të kaluarën vendin tonë, dhe feja katolike, me qendër Vatikanin, ka qenë ideologji e pushtuesve italianë, e imperializmit austriak dhe e fashizmit italian. Ndjenjat patriotike të popullit tonë dhe lufta e tij për t’u çliruar nga zgjedha e të huajve, gjatë shekujve janë ndeshur edhe me ideologjinë fetare të pushtuesve dhe të klerikëve reaksionarë të çdo besimi që u shërbenin atyre.

Në këtë fakt historik ne nuk mund të mos shohim edhe një nga arsyet që populli ynë nuk është edhe aq fanatik e i lidh’ur me fenë, sepse kjo, në esencë dhe në fakt, ka qenë në kundërshtim me idenë e çlirimit kombëtar. Gjatë historisë së popullit shqiptar ka pasur klerikë patriotë, që, edhe pa e mohuar besimin e tyre, kanë qenë të lidhur me popullin dhe me idenë e çlirimit kombëtar, por në asnjë kohë feja si fe nuk ka qenë një faktor përparimtar, bile nuk ka dhënë as ndihmën më të vogël në çlirimin kombëtar.

Pra, ky është një argument tjetër me baza historike që ne s’duhet ta lëmë pas dore në luftën tonë kundër fesë. Duke pasur parasysh të gjitha ç’u thanë më lart, ne si komunistë dhe ateistë duhet të jemi edhe realistë. Me gjithë propagandën tonë të organizuar kundër fesë, riteve, dogmave, institucioneve fetare dhe klerikëve profesionistë të kemi vazhdimisht parasysh që të mos futemi në luftë të hapët me njerëzit që besojnë në fenë, sepse në popull do të ketë edhe njerëz të ndershëm, të lidhur me Partinë e patriotë të flaktë, që do të ruajnë në ndërgjegjen e tyre edhe për shumë kohë, mundet edhe derisa të vdesin, besimet e tyre.

Me ta duhet të bëjmë një punë bindëse, të vazhdueshme dhe me durim të madh, por të mos lejojmëqë ajo të kthehet në ofenduese. Me këta njerëz Partia duhet të sillet, si të thuash, si mjeku i mirë që bën të gjitha përpjekjet për ta shëruar të sëmurin, për ta rikthyer atë në gëzimet e jetës. Besimet e kota fetare nuk do t’i gjejmë vetëm te klerikët, të cilët janë njerëz profesionist që propagandojnë e i ruajnë të gjalla, që bëjnë spekulime dhe mashtrime të poshtra. Besimet fetare ekzistojnë edhe popull. Prandaj, pa e ngadalësuar për asnjë çast propagandën kundër fesë, të kemi kurdoherë parasysh se kemi të bëjmë me popullin. Veprimet e pamatura, të ekzaltuara duhet të evitohen, çdo veprimi i duhet përgatitur me kujdes terreni politik.

Të mbyllësh xhamitë dhe kishat me fushatë apo me një urdhër, është punë e lehtë, por është më vështirë të përgatiten besimtarët shpirtërisht dhe ideologjikisht që të kuptojnë kotësinë e ekzistencës së këtyre institucioneve, të zhdukin fenë nga zakonet e jetës, të heqin dorë me bindje nga praktikat e saj. Atëherë për ta s’ka as rëndësinë më të vogël xhamia apo kisha, prifti apo hoxha. Shumë kisha dhe xhami po braktisen dhe po rrënohen. S’ka përse të marrim përsipër meremetimin e tyre kur kemi kaq ndërtime të dobishme për të bërë. Disa mund të kthehen në muze, në qoftë se vlejnë si të tilla, disa të bëhen depo, të mos hezitohet, të merren, por jo me dhunë ose pa marrë aprovimin e popullit, i cili duhet përgatitur shpirtërisht.

Në këto situata revolucionare kemi marrë vesh se kryesia e klerit bektashian dhe ajo e klerit mysliman, u kanë lëshuar një qarkore të gjithë hoxhallarëve e dervishlerëve të heqin çallmat dhe taçet, të heqin xhybet dhe të dorëzojnë teqetë e xhamitë. Këtu nuk ka asnjë shtytje, asnjë presion, qoftë edhe sugjerim nga ana e shtetit.

Kjo është krejtësisht një iniciativë e tyre. Kur e kërkon rasti, të shpjegohet që kjo është iniciativë e vetë klerikëve, sepse elementët armiq mund ta përdorin këtë kundër pushtetit. Meqenëse i njohim këta klerikë, ne mendojmë se, për këtë zell që kanë treguar, nuk janë shtyrë nga ndonjë qëllim i keq, pse ata janë të lidhur me popullin dhe me pushtetin.

Gjesti i tyre, sido që i shpejtuar, prapë i shërben interesit të përgjithshëm. Ai është një gjest patriotik dhe i guximshëm, sepse, pavarësisht se do të vazhdojnë të besojnë në fe, ata thyen një traditë shekullore, gjë që i nderon, sepse në vetvete është një mendim dhe veprim përparimtar. Por do të ishte më politike që klerikët të kuptonin dhe të ndihmonin, duke ndjekur me kujdes strategjinë dhe taktikën e Partisë në luftën kundër fesë. Do të ketë njerëz në popull që nuk do t’i aprovojnë veprimet e këtyre klerikëve. Ne nuk duhet të qëndrojmë sehirxhinj, por t’i mbrojmë ata në qëllimet e tyre të mira, sepse shumica e popullit, e në radhë të parë të rinjtë dhe të rejat, do t’i aprovojnë ato. Kjo ka rëndësi të madhe. Çdo gjë të bëhet me durim, me konsekuencë, në rrugën që shpjeguam më lart.

Për Komitetin Qendror të PPSH
Sekretari i Parë
Enver Hoxha

V – VIRUSI PYET PO KET A E DINI: KUSH E SHEMBI MONUMENTIN KU U KUNORZUE GJERGJI MADH? – Nga Fritz RADOVANI

KISHA E VAUT T’ DEJES 1361

 

Kjo ishte Kisha Monumentale e vitit 1361, në Vaun e Dejës, pranë Shkodres, ku ishte kunorzue Heroi Kombtar i Popullit heroik Shqiptar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe Donika…

Ndoshta edhe sot vazhdon me dridhë toka e Shqipnisë së 1967, kur “anadollakët” e shekullit të XX, u kujtuen se në ata Troje të lavdishme dhe të lame me gjak, duheshin shembë të gjitha Ato Kisha Monumentale shekullore të Shqipnisë Martire!

Mbasi u fundosën në liqenin e hidrocentralit të Vaut të Dejës, mbi 32 Kisha Monumentale, “duhej hjedhë në erë edhe Kisha e Vaut të Dejës…”, dhe per këte veper terroriste u gjet monstra e anadollakut në PPSh e Shkodres nga Ramiz Alia, Fadil Ymeri.

“Askush” në “pseudo-Akademinë Shkencave” të Tiranës, as sot “nuk e di se kush urdhëroi me i shembur Kishat Monumentale në Shqipërinë socialiste të turkoshakut terrorist Ever Hoxha!”

Europa vazhdon me “heshtë”… Shqiptarët heshtin… Heshtja e turpi e kanë mbulue atë vend! “Rilindja” u ka sigurue pa triska “buk’ e marre”, sa po do, madje, dhe me eksportue…Me kusht: “Vetem të shfarosni e shkatrroni Shqipninë e Gjergj Kastriotit –  Skenderbeut dhe Nanë Terezes !” A doni edhe dokumenta?

Edhe dokumentat ja ku i keni:

JA TESTAMENTI I ANADOLLAKUT TIRAN EVER HOXHA:

Tiranë, më 27 SHKURT 1967:

 

Shenim F.Radovani: Falnderoj botuesin e letres së plotë të diktatorit:

http://www.panorama.com.al/zbardhet-letra-sekrete-e-enver-hoxhes-kleriket-me-perjashtim-te-katolikeve-jane-injorante-dine-lutje-permendesh-si-hoxhallaret-por-do-i-rrafshojme-nga-faqja-e-dheut/

Melbourne, 26 Shkurt 2021.


Send this to a friend