Përkundër fetarëve, që gjejnë një xhami ku falen, apo një dhomë të fshehtë ku rrëfehen, kriminelët hesap tjetër me “pentitot”, shkrimtarët dhe artistët zgjedhin t`u hapin zemrën të dashurave, gruas apo lexuesit. Po zgjedh disa prej tyre, jo pa qëllim. Ja si i ankohet Hygoi së dashurës: “Nuk di se ç`demon i prapë më shtyu t`i hyj kësaj kariere, ku ndesh në çdo hap një armiqësi të fshehtë ose një rivalitet meskin, smirëzi.” Keq armiqësia e fshehur, por më për dreq kjo e rivalitetit meskin dhe smirëzi. Dhe më tej: “Mua do më pëlqente të të frymëzoja ty respekt për profesionin e madh dhe fisnik të shkrimtarit, por më duhet të pranoj me hidhërim se ky profesion është tepër shpesh një fushë ku autori duhet të studiojë të gjitha poshtërsitë njerëzore.” Aq shumë po na sheh syri, sa dhe të dashurat s`i gjen më si të kohës tënde, Hygo! Këtij rrëfimi s`mund të mos i bashkohej dhe Mitrush Kuteli, në letrën lënë së shoqes, sikurse e kam cituar hera-herës nga halli: “Profesionizmi në letërsi, në vendin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët, se u bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi.” Ky vrasës pa pagesë vazhdon të endet gjithandej, i bërë njësh me Tartufin, madje, duke luajtur dhe rolin e viktimës. Në kohën e armëve me selinciatorë e të profileve fallco, ai të vret e s`të qan kush, madje i rrahin shpatullat: Mirë ia bëre halesë!
Për analogji me Hygon, Kadare, i rrëfehet lexuesit: “Kur unë botova vjershën e parë, babai e pa gazetën me ftohtësi dhe nuk tha asnjë fjalë…Më 31 dhjetor 1975, kur ai iku nga kjo botë i penduar që nuk më kishte ndaluar atëherë kur e kishte në dorë të më ndalonte këtë pasion të mallkuar: letërsinë.” Shihni se ç`shkruan kundër shkrimtarit tonë të madh, një doktor anestezie, që e gënjen mendja të shkalurin se mund të vërë në gjumë ndërgjegjien e lexuesit: “Interesant është fakti që kategoria e ish-spiunëve dhe ish bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit kanë 30 vjet që mitizojnë këtë figurë (Ismail Kadarenë) sikur duan të kenë përsëri mbi veten e tyre një person që kishte ngjashmëri me diktatorin.” M`u kujtua broshura e P. Kolovicës “Autobiografia e Kadaresë në vargje”, se na ndihmon për të gjetur një mitizues të Kadaresë, duke i afruar dhe seks. “Në Berat e internuara e vërtetë ka qenë Dhora Leka”, e cila na paska shkruar poezinë: “Ballafaqim me poetin”. Njihuni me ballafaqimin për të kuptuar se sa poshtë bjenë disa njerëz, që na i kanë servirur si model ndershmërie. Ja dhe poezia e Dhora Lekës, sipas Kolovicës:
Poet,
kur prehesh në kolltuk
e televizionin kundron,
kur vargjet “lavdi” thur
e “të paqënat” mburr,
Të shkon ndërmend vallë,
pse këtë rehatllëk
ta kanë dhënë?
Poet qeshë dhe unë,
poet që këndoj dhe në furtunë,
Por as baltë,
as llucë
as kryqin mbi emrin tim
me rehatllëkun tënd s`e ndërroj.
Vargu im i baltosur
(Kur ti beniamin i partisë)
Kur unë
(më i vogli këngëtar i vegjëlisë.)
Internim Seman 1968.
Nuk munguan zëra të thoshin se Kadare e ka denoncuar Dhora Lekën. Meqë po flasim për letra lexojeni dhe në fund shiheni se kush e ka shkruar: “Shoku Enver! Kur më 7 mars ardha në Tiranë për t’ju dorëzuar operën time “Vjeshtë me Stuhi”, sipas romanit të Ali Abdihoxhës, të cilën ua kisha dedikuar personalisht Juve si mësonjësit dhe udhëheqsit të urtë të Partisë dhe popullit tonë.” Opera e saj dhe romani i A. Abdihoxhës a përfshihen në vepra të realizmit socialist?! “Në fillim të dhjetorit 1966 në një takim që pata me kryetarin e degës së Punëve të Brendëshme në Berat, me të cilin qeshë e autorizuar të mbaja lidhje me Ismail Kadarenë, i cili kishte ardhur në Berat prej disa muajsh. Unë, që më parë i kisha kërkuar të më ndihmonte në redaktimin e libretit të operas, por ay kishte refuzuar, se ishte shumë i zënë me punë. Shoku Siri më tha se vështirë se të vjen në takim. Unë i thashë po filloj me të korrespondencë me emrin Lindita.” Dhora Leka pranon kurthin, që i ka ngritur shkrimtarit, duke i shkruar letra me emrin e rremë në bashkëpunim me kryetarin e degës. Por, kurthi u dështoi. “Më thirri shoku Siri. Ay më komunikoi se unë shkarkohesha nga detyra e bashkëpunëtorit të organeve të sigurimit, se veprimi me Ismail Kadarenë ishte i palejueshëm…Unë i thashë jo për fajin tim ngjau. Ay më tha të firmosja deklaratën e shkarkimit nga detyra, unë rezistova e i thashë se nuk e firmos. Por shoku Siri më tha: “-Pse nuk pranon të firmosësh dhe don të qëndrosh bashkëpunëtore e organeve të sigurimit apo që të vazhdosh të bësh provokacione dhe të ngrehësh kurthe?” Këta që ta bëjnë bukën e hidhur, që të ngrenë kurthe, krenarë që kanë qenë fuksa, që të hanë pas shpine, vazhdojnë të na bëjnë moral? “Nëse në botë nuk ekzistojnë shumë faje duhet t`i sajojmë. Në qoftë se do t`i thoshim një njeriu që është mëkat të shikojë lulet, aq sa ai të besojë, ne mund të bëjmë ç`të duam. Por, na ruajt zoti nga ai që jeton sipas parimeve të veta. Na ruajt zoti nga njeriu me ndërgjegjie të pastër, sepse ka për të qenë njeriu që do të na mposhtë.”-shkruan shkrimtaria ruso-amerikanë Ayn Rand në romanin “Revolta e Atlasit”. Sigurisht që në Shqipëri gjen gomerë, që hanë lule, sikurse hajvanë që kanë frikë se mos mëkatojnë duke i parë lulet dhe se me të tillët: dallkaukët, manipulatorët, matrapazët e lirisë së fjalës mund të bëjnë ç`të duan, por ai që do ju mposhtë: i rruani bishtin! E kam edhe për ty skuth.
Fatbardh Amursi