Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar zvarritjen e çështjes “Balluku”, në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka marrë nën shqyrtimin ankimimin e kryeministrit Rama ndaj vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut.

Lala ka ngritur akuza të forta ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar mosmarrjen e vendimit për çështjen “Balluku” si një tregues të qartë se Gjykata Kushtetuese është e frikësuar dhe e nënshtruar ndaj presioneve politike
Lala: Lajmi sot nuk do të ishte dhënia e vendimit, lajmi i madh sot është mosdhënia e vendimit. Sepse kjo na tregoi se institucionet në këtë vend kanë rënë. Unë kam parë sot një Gjykatë Kushtetuese të frikësuar, që i është nënshtruar presioneve politike, dhe një Gjykatë Kushtetuese që, në rastin më të mirë, është e paaftë dhe, në rastin më të keq, e ndikuar dhe nën thundrën e kryeministrit të vendit.
Çështja Balluku është çështja me interesin më të lartë publik për momentin dhe Gjykata Kushtetuese ka detyrimin, sipas ligjit dhe Kushtetutës, ta fusë me urgjencë në rendin e ditës dhe ta shqyrtojë këtë çështje. Jo për faktin se bëhet fjalë për Belinda Ballukun, por sepse bëhet fjalë për një grua e cila ka mbajtur poste shumë të rëndësishme në qeverinë shqiptare, si zëvendëskryeministre, dhe që ende i mban ato për shkak të një vendimi të ndërmjetëm të Gjykatës Kushtetuese, ndonëse ndoshta nuk do t’i mbante nëse do të ishte ndjekur rruga normale e vendimit të GJKKO-së, e cila e pezulloi nga detyra.
Po ashtu, jo vetëm zëvendëskryeministre, por edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në këtë kontekst, Gjykata Kushtetuese duhet t’i jepte përgjigje pyetjes: A ka vepruar GJKKO në përputhje me Kushtetutën në momentin që e pezulloi atë nga ushtrimi i funksioneve? Kjo është një pyetje krejtësisht e thjeshtë dhe përgjigjja mund të jepej nëse ata gjyqtarë do të kishin vullnetin të uleshin në tavolinën e tyre të punës, në dhomën e këshillimit, dhe ta shqyrtonin këtë çështje.
Gjykata Kushtetuese nuk është më ajo gjykatë që duhet të vendosë balancat dhe të shohë konfliktin e kompetencave mes institucioneve. Unë e shoh si një institucion jashtë sistemit të drejtësisë, sepse është gjykata më e lartë, mbi palët, që duhet të shohë nëse ka konflikt kompetencash. Në fakt, çfarë po bën? Po del në mbrojtje të një gruaje, një zyrtareje shumë të lartë brenda PS-së, e cila prezumohet e pafajshme, por është e dyshuar për vepra shumë të rënda. gsh