VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

“La Marseillaise” në mbrojtje të shqiptarëve (1880): “Kërkojmë që flota jonë detare, aktualisht në Ulqin, nën komandën e zëvendës-admiralit Lafont, të lërë ujërat e Adriatikut dhe të kthehet në Francë”

By | October 21, 2018

Komentet

Paris-presse (1963)- Kur mbretëresha Geraldinë kërkonte 500.000 franga dëmshpërblim ndaj revistës “L’Histoire pour tous” për shpifjen ndaj mbretit Zog

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Nëntor 2020

 

“Paris-presse” ka botuar, të mërkurën e 18 shtatorit 1963, në faqen n°7, një shkrim në lidhje me procesin gjyqësor të mbretëreshës Geraldinë ndaj revistës franceze “L’Histoire pour tous”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Geraldina e Shqipërisë kërkon këtë shumë nga një revistë e cila akuzon Zogun I se “ka marrë rezervat e arit nga thesari i shtetit” gjatë pushtimit italian

 

500.000 franga për nderin e një mbreti

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Në gjyqin “historik” i cili është thirrur këtë pasdite, përpara dhomës së 17-të korrektuese, avokati Jean-Louis Aujol mbron, sipas traditës së mirë, të venë dhe jetimin.

 

Por kjo e ve dhe ky jetim janë një mbretëreshë dhe një bir mbreti. Geraldina e Shqipërisë ka hedhur në gjyq revistën mujore “L’Histoire pour tous”, të cilën e akuzon se ka shpifur mbi memorjen e burrit të saj, Zogut të Parë.

 

Një artikull i Jo (Joseph) Tranchal-it, i cili u botua në numrin e qershorit 1962, i ka bërë vërejtje ish-mbretit për faktin se, kur ai u dëbua nga froni i tij në 6 Prill 1939, nga pushtimi italian, “lejoi të flijoheshin tre batalione të ushtrisë së tij” dhe “mori me vete rezervat e arit të thesarit të Shtetit”.

 

Guximtar

 

Sovrania kërkon 500,000 franga dëmshpërblim.

 

U prita nga ajo, natën e kaluar, në vendbanimin e saj parisien që ajo ka mbajtur. Ajo po mbërrinte nga Madridi, ku është vendbanimi i saj.

 

Geraldina e Shqipërisë i ngjan legjendës së saj : shumë e gjatë, shumë e bukur, bjonde me sy të mëdhenj gri dhe një buzëqeshje me “gropëzat” në faqe. Ajo është veshur e gjitha me të zeza : u bënë dy vite që kur mbreti Zog vdiq.

 

Burri im, më tha ajo, ishte një burrë trim dhe një njeri me nder. Akuza të tilla janë të pamundura ! Unë thirra si dëshmitar ish-ambasadorin e SHBA-ve në Shqipëri, z. Hugh Grant, burra shteti francezë dhe ish-oficerë të burrit tim.

 

Ne u detyruam të largoheshim sepse Zogu refuzoi të shiste vendin e tij te Musolini. Unë u largova nga Tirana nën bombat italiane, duke mbajtur në krahë djalin tim, Lekën, i cili lindi një ditë më parë, më 5 Prill…”

 

“— Unë i besoj drejtësisë, më tha kundërshtari i mbretëreshës, z. Jean Eldin, drejtori-menaxhues i “L’Histoire pour tous – Historia për të gjithë” : Revista ime boton vetëm artikuj të kontrolluar me burimet më të mira.

 

Emri i drejtorit të saj letrar, Alain Decaux, është garancia më e sigurtë e seriozitetit të kërkimeve tona. Në këtë artikull, ne jemi kufizuar në bërjen e historisë. Avokatët e mi, Gabriel Delattre dhe Jean – Edouard Bloch, do të prodhojnë dokumente të pakundërshtueshme, përfshirë një tekst nga akademiku Jérôme Tharaud.”

 

Jean-Paul LACROIX

Selitë e ambasadës shqiptare në OKB dhe emrat e punonjësve të Sigurimit të Shtetit që kanë shërbyer nën petkun e diplomatit

Publikohen për herë të parë fotot e ndërtesës së selisë së ambasadës së Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e vendosur në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ambasadë, do të shërbente si një nga rezidencat diplomatike më të rëndësishme të Tiranës zyrtare, jo vetëm në kontinentin amerikan, por edhe në mbarë botën. Në vitin 1955 kur ajo u inagurua, dhe deri më 1972, selia diplomatike e Republikës Popullore të Shqipërisë në OKB, do të qëndronte në rrugën 86 të zonës 446 East. Më pas nga viti 1972 dhe deri më 1990, zyrat e saj u transferuan vetëm pak metra më poshtë në rrugën 87, të zonës 250 East, të New Yorkut.

Në vitet 1945 – 1955, si ambjente për atashimin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, do të përdoreshin zyrat e ambasadës jugosllave dhe më pas asaj sovjetike të vendosura në Ëashington DC. Kjo ndërtesë në vitet 1955-1991 do të shërbente njëkohësisht dhe si një nga qëndrat e Drejtorisë së Tretë të Sigurimit të Shtetit (Zbulimit Politik), e cila përveç organizatës ku ishte atashuar, do të mbulonte nga ana e rezidenturës territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë.

Një nga detyrat kryesore prëgjatë 35 viteve të ekzistencës së saj gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë do të ishte, survejimi dhe tentativa për t’u infiltruar në rradhët e emigracionit politik antikomunist shqiptar në SHBA dhe Kanada. Disa nga eksponentët më të njohur të kësaj drejtorie, që do të shërbenin të kamufluar si diplomatë në këtë ambasadë, ishin: Nesti Kopali, Kleanth Andoni, Todi Rizo, Kozma Moja, Sokrat Como, Ilia Zhulati, Mëno Dedaj, Hidai Xhafa, Mark Tusha, Bashkim Spaho, etj./ Memorie.al

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në shtypin austriak më 28 nëntor 1912 – Nga Prof. Refik Kadija

 

Me 28 nëntor 2020 një bijë shkodrane, Artes Butka/Llazani, më dërgoi foton e jashtëzakonshme të shpalljes së Pavarësisë dhe krijimit të qeverisë së përkohëshme të Shqipërisë së pavarur të kryesuar nga Ismail Qemali. Ajo foto e dërguar në celular si urim për Festën tonë të Flamurit u bë pikënisja e këtij shkrimi. Fotoja që paraqet Kryeministrin shqiptar Ismail Qemali duke përshëndetur popullin është realizuar nga fotoreporteri profesionist austriak i dërguar nga revista “DAS INTERESSANTE BLATT” për të pasqyruar ngjarjet historike të Nëntorit 1912. Fotoja u botua në numrin 50 të asaj reviste me datën 12 dhjetor 1912, në  vitin e 31-të të botimit të saj [Nr. 50. Wien, 12. Dezember 1912. XXXI. Jahrg]. Duke arsyetuar se mjetet e komunikimit të asaj kohe ishin shumë më të kufizuara, më të thjeshta e më të ngadalshme se sot, fotoreporterit i duheshin disa ditë për ta përcjellur materialin fotografik në Vienë. Rrjedhimisht ky fakt e përforcon arsyetimin se fotoja është realizuar disa ditë para datës së botimit (më 12 dhjetor), pra pikërisht më 28 nëntor 1912. Kështu kjo foto merr një vlerë të jashtëzakonshme sepse është e para që pasqyroi në kohë reale në publik shpalljen e Pavarësisë kombëtare të Shqipërisë.

Në këtë foto shohim Kryeministrin e parë shqiptar të qeverisë së përkohëshme Ismail Qemal Bej Vlorën, në praninë e përfaqësuesve të dy feve kryesore duke përshëndetur nga ballkoni popullin e Vlorës, të mbledhur nga të gjitha trevat (shihen edhe malësorë të veriut me tirqe e plisa), ndërsa mbi kokën e tij valëvitet flamuri i kuq kombëtar me shqiponjën e zezë në mes. Fotografia zë gjithë ballinën (faqen e parë të revistës). Mbi fotografi është vënë titulli me shkronja të mëdha “Proclamation der Unabhängigkeit Albaniens” (Shpallja e pavarësisë së shqiptarëve) dhe nën titull shkruhet: “Bildung einer provisorischen Regierung in der hasenstadt Balona” (= Krijimi i një qeverie të përkohëshme në qytetin bregdetar të Vlorës).

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në shtypin austriak më 28 nëntor 1912

(Nr. 50. Wien, 12. Dezember 1912. XXXI Jahrg.)

Shumë portale shqiptare e kanë publikuar këtë foto me datën 30 nëntor 2020 për të kremtuar 108 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Por deri tani ende nuk është komentuar burimi i fotos dhe hollësirat e revistës, të cilat mendojmë se kanë rëndësinë e tyre. Ka spekullime e manipulime të kësaj fotografie. Bile diku reklamohet edhe si “kartolina e parë shqiptare kushtuar Aktit të shpalljes së Pavarësisë” duke i ndërruar kahje dhe duke e retushuar fotografinë origjinale të revistës austriake.

“Das Interessante Blatt”është një revistë austriake që dilte një herë në javë nga viti 1882 deri në vitin 1939. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga 1940 deri 1944, dilte një suplement i saj me titull “Wiener Bilder”që u pasua nga gazeta “Wiener Ilustrierte” që kishte 12-24 faqe.

Kjo revistë mbulonte ngjarjet kryesore politike të kohës. Ajo ka pasqyruar me foto e shkrime edhe figura e ngjarje historike të tjera që lidhen me Shqipërinë. Kështu, p.sh. në numrin 48 të saj, të botuar në Vjenë pikërisht me 28 nëntor 1912, në faqen 2 shohim portretin e njohur të Ismail Qermalit me shënimin: “ Konflikti midis Austro-Hungarisë dhe Serbisë: Udhëheqësi shqiptar Ismail Qemal Beu kërkoi që të mblidhej një Asamble e Përgjithshme në Durrës për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë”. Der Konflikt zwischen Osterreich-Ungarn und Serbien: Der albanische Fűhrer Ismail Qemal Beg, der an der Episze einer Versammlung von Rotabeln in Durazzo die Unabhängigkeit Albaniens proclamierte.’ Kurse në faqen 10 të po këtij numri është botuar portreti i shtetarit të shquar Ferid Pashë Vlorës me shënimin: “Der Konflikt wegen Albanien: Der tűrkische Minister Ferid Pasha, ein geborener Albanese, der in Konstantinopel fűr die Autonomie Albaniens energische eintritt (admission, entrance, shpalljen)” (= Konflikti për shkak të Shqipërisë: Ministri turk Ferid Pasha, me prindër shqiptarë, ka kërkuar me këmbëngulje në Stamboll shpalljen e autonomisë së shqiptarëve”).

(Nr. 48. Wien, 28 November, 1912. XXXI Jahrg. 52 faqe. Ismail Qemalinëfaqen 2)

(Nr. 48. Wien, 28 November, 1912. Ferid Pasha nëfaqen 10)

Si përfundim, mendojmë se revista autriake “Das interessante Blatt” që u botua çdo javë për më shumë se gjysëm shekulli (1882-1939) dhe pasqyroi me foto e shkrime ngjarje të rëndësishme të kohës, të cilat përfshijnë edhe Shqipërinë, është me interes për studime albanologjike.

VIRUSI PYET PO KET A E DINI: “PSE NUK I BAHET NUREMBERG GJENOCIDIT KOMUNIST?!” – Nga Fritz RADOVANI

PO KU ME E FILLUE ?!..

30 Nandor 1944… Shqipnia komuniste marrshon… Po kush ishte kjo?

Një mbretni errësine, ku çdo dritë apo shkëndi e saj shuhet me dhunë!

Shkëlqente deri në marramandje vetëm një pallat, “pallati i diktatorit”.

Drita që shpërndante ai, mprehtësija e tij, dija, kultura, elokuenca, madhështia, forca e depërtimit të mendimit dhe e fjalës së tij janë absolute, të pagabueshme, të sakta dhe të pandryshueshme, pra nënkuptohet të padiskutueshme nga askush, “as nga djali i tij”… Ai ishte “dija e pafund”!… Edhe njerzit që kanë pasë rast atij me i dhanë dorën janë ba të dijshëm, të mendshëm, të mprehtë mbasi janë takue me té. Kur fliste ai duhej ndigjue, por duhej nxjerrë edhe mësimi ashtu si e “donte” ai, mbasi kuptimi i shtrembët nga ana e yte mund të kushtonte me kokë…Duhej lexue një fjalim i tij në kolektiv, pra në shkolla, fabrika e kooperativa, minjera e zyra shtetnore, por duhej ripërsëritë në shtëpi, shpesh edhe duhej konspektue tue nxjerrë edhe detyrat për të ardhmen, mbasi vetëm ata ishin “udhërrëfyese” për secilin shqiptar. Fotografia e tij ishte në krye të vendit!.. Kudo, në zyre, rrugë kryesore, sheshe, shkolla e edhe në mjaft shtëpija .., jo vetëm komunistësh por edhe njerzish të thjeshtë…

Bustet e statujat e tij mbizotnonin qytetet e mbarë vendit! Ku nuk ishin ata!?

Komunizmi në Evropë asht kenë në disa “tonacione” të tij, po të flasim me gjuhën e piktorve… Rusia e kishte të kuq në të verdhë, …Italia rozë, Franca pak ma të mbylltë se Italia, Gjermania lindore ma të çiltë se e kuqja e vendëve tjera Lindore, Vendët Baltike e kishin të kuqen mjaftë të fortë…vendët ballkanike edhe ma të fortë se të tjerët… Na në Shqipni e kishim ngjyren e kuqe të gjakut të freskët…të përditshëm ose ma mirë me thanë: “të komunizmit real totalitar stalinjano – enverjan”!…

Na ishim një laborator hermetik ku eksperimentohej çdo “mendsi” e çmendi e kësaj teorije të shëmtueme antinjerzore, ku qenja mbi të cilën bahej prova ishte “një shifer”… por kurr, i quejtun as formalisht “njeri”! Mbas vendimëve të Jaltës, ku Ruzvelti ndau zonat e influencës në Botë me Stalinin dhe “vezhgues” Çiurçillin, komunizmi u nda në Evropë në tre tipare të përaferta, por kurr të barabarta…

Lindja komuniste stalinjane deri në vitin 1953, ka provue terrorin dhe diktaturën stalinjane pa konçesione. Përendimi, Franca, Italia dhe mjaft shtete që na nuk i njohim nga vetëmbyllja e jonë, kaluen në sisteme socialiste por tue u gërshetue me “demokraci” të imponueme nga prania e forcave ushtarake të bloqeve Përendimore, nuk mujtën me aplikue as “Revolucionin socialist”, të cilin e penguen me dashje për mos me u shtri në krejt Evropën, gja e cila do të rrezikonte edhe Amerikën, prandej, mendoj unë se, nga këta shtete së bashku u “sakrifikue” i shkreti populli kinez.., i cili, mbas vitit 1966 – 67 ka provue edhe ai shfarosjen stalinjane të Mao Ce Dunit. Rusia, Kina dhe Shqipnia nuk kanë ndryshue ngjyrë fare njeni nga tjetri, mbasi duhej ruejtë “tansia tokësore” me armë në dorë, për vetë faktin e zhvillimeve të ngjarjeve.

Rusia fatzezë shumëkombesh e besimesh shumë ma kontradiktore se Kina. Kina shumë kontradiktore nga vetë natyra gjeografike e saja… Prej Tibetit dhe Mongolia, Tajvani, Shangai, Hongkong.., si t’ishin instalue nga kontinente të ndryshme në atë vend aq të largët, por me baza kulture mijra vjeçare nën diktatin e shkatrrimit. Shqipnia, me tre besime kontradiktore që u mbështetëshin nga fqinjtë për të sigurue sundimin e tyne.., si Orthodoksët nga sllavët dhe anadollakët lindorë, për të zhdukë çdo element Atdhetar të kulturuem në Perëndim! Pra, përveç kenjes “pakicë” inteligjenca Katolike, ishte përballë një “bishës së përgjumun” anadollake, shumë e egërsueme dhe terroriste që përkonte dhe përputhej me cilësitë komuniste sllave në të gjitha mendimet dhe vëprimet e përbashkëta të tyne, për çkombëtarizimin total. Ajo që përdorej si argument “sulmi” ishte lufta kundër inteligjencës me pikëpamje të shëndoshta evropjano Përendimore, ku perfshihej edhe Kleri Katolik Shqiptar, që i hapi, i formoi dhe i konsolidoi në Shqipni, vetëm me punën e palodhun dhe sakrifica të pashkrueme asnjëherë nga askush shkollat e kulturës evropjane

Nuk duhej prekë interesi sllav që sundonte tokat tona, si Kosoven, Hotin, Gruden e zonat e Tivarit e Ulqinit nga Mali i Zi… A po Vori Epirin e Maqedoninë e Veriut… Bashkimi i Tyne me trojet Shqiptare do të fuqizonte edhe Veriun, gja e cila nuk i ka interesue kurr as Serbisë, as Greqisë as edhe Rusisë.

Për këte arësye unë në librin tem “Një Monument nën dhé” kam shkrue:

“Sigurimi i shtetit  vëpronte kështu se, nën pelerinën e kuqe të komunizmit përmish kishte të ngjeshuna ndjesitë fondamentaliste që instruktoheshin nga shovenistët sllavo – aziatikë. Torturat mizore të tyne nuk ishin tjetër veç shpërthimi i shfrenuem i epshit shtazarak të kafshve të egra, që ndryhej ndër shekuj ndër këto qenje, që për fat të zi edhe këto thirreshin “shqiptarë”, edhe pse nuk kanë një pikë gjak shqiptari!

Për kaun e Sigurimit të shtetit ishte kënaqësia ma e madhe vërsulja mbi veladonin e zhgunin, tue e shkrrye përtokë dhe mandej, qetësohej e zgërdhihej kur duert e ndyta i lante në gjakun e pastër të prehës së tij….” (“Yjet e Kombit” faqe 61.) Kjo asht arësyeja e vërtetë e masakrave të bame që në Janarin e vitit 1945, mbi trupin e Atdhetarit, Klerikut, publiçistit, shkrimtarit, poetit dhe njenit nga të parët Demokrat i Opozitës Shqiptare i vitit 1924, Don Lazër Shantoja!.. E, kjo vazhdoi jo një e dy dekada, por 47 vjet pandërpremje me të gjithë Ata Atdhetarë Shqiptarë që guxuen me thanë se “jam Katolik” ose jam “vëlla me Katolikët” si, Muzafer Pipa, Qemal Draçini, Fahri Rusi, Xhevat Korça, Myfit Q.Bushati, Arshi Pipa, Ragip Meta, Elez Troshani, Sami Repishti etj. Komunizmi asht vetëm një propagandë fund e maje vetëm rrena apo gënjeshtra.

Komunizmi asht kenë e mbetet sistemi i sundimit ma përbindsh i Shekullit XX.

Ndersa në Shekullin XXI, “rilindja e komunizmit” çerdhen e vertetë e ka në selitë e terrorizmit, propagandës mashtruese dhe krimit t’ organizuem nga shteti hajdut mbi popullin e pambrojtun dhe të mbyllun mbrenda “perdes së hekurt” të vorfnisë pashoqe, derisa t’ arrijnë me këthye të gjithë njerëzit në një kope të lidhun kambësh e duersh, me një leckë të kuqe të zhublosun në gojë…

Shqiptarët edhe sot nuk duhet të harrojnë monumentët me një dorë naltë, të gjakosun me thikë të shtërngueme fort e, që asht dora e diktatorit që mbjellë frikë, terror, vrasje, pasiguri dhe kërcnim tue shpërba edhe pamjen e tyne si njerëz…

Kjo farë e keqe zhvillohet në vëndet ma të pazhvillueme, sëpse aty gjenë terrenin e vet me mashtrue me parullen ma të njohtun por, edhe ma të pelqyeme nga turmat, “barazi për të gjithë pa dallim feje, krahine dhe ideje!”, ndërsa, fshatarët analfabet i pat sigurue me hy në vathën e tij. Kështu, pergatitë terrenin me zhdukë me vrasje, burgime, tortura, pushkatime, interrnime dhe gjyqe false të “popullit” krejt kastën shtetnore të ashtuquejtun borgjeze, tue shfarosë krejt aparatin e vjetër shumë të kulturuem dhe përparimtar dhe, tue e zëvendsue ate me kastën e “re” të paditun dhe pa kurrfarë tradite, po vetem për me organizue shtetin socialist.

Duhet theksue se Shqipnia nuk ishte shtet i angazhuem në Luftën Botnore, në asnjë blok, prandej edhe nuk u zharit e shkatrrue prej asnjënës palë, madje mbas Luftës Shqipnia dhe Shqiptarët dolën edhe ma mirë se ishin para saj. Shqipnia që në vitin 1942 ishte ma mirë ekonomikisht se Italia, Jugosllavia dhe Greqia… Ndërsa, mbas vitit 1991 ajo nuk mund të rreshtohet as me vëndet e Botës së katërt.

Sot asht vendi ma i varfën në të gjithë shtetët e Evropës Lindore e Përendimore. Kush e solli Ate këtu përveç, komunizmit dhe “rilindjes” së tij?

Parimi i “barazisë për të gjithë asht vorfnimi i tejskajshëm për të gjithë Popullin!

Nuk duhet harrue edhe shpronsimi dhe shtetizimi i pronave dhe pasunive private, tatimet dhe konfiskimet, të cilat marrin me vedi edhe mijra kilogram ar e monedha të grave shqiptare të ruejtuna, për me i shpenzue kur të vijë dita.., që populli ka me hangër bar “me lugë ari”… Skutat e vrimat diheshin nga shegertat e dyqaneve, sëpse pjesa ma e madhe e tyne tue u vetquejt “proletar” u lidhën me komunistët…

Fillimi i gjyqeve të mëshefta dhe barbarizmat ndër hetuesi, janë mjeti me të cilat shteti arrinë që mijra e mijra njerëz me të njajtat vlera, përfundojnë viktima të Sigurimit… Kështu, në mënyrë të vetdijshme pranojnë humbjen e Lirisë, si një “dhuratë” për këdo që do me jetue.., tue pranue si të ligjëshme edhe dhunimin dhe shkeljen e të drejtave dhe Lirive të njeriut, “të mbrojtuna” vetëm në letra nga shumë institucione ndërkombëtare.

E gjithë kjo “betejë” që ka vetëm një qellim: “Majtjen e Pushtetit me dhunë” dhe qeverisjen e gjithë popullit nga një dorë marksiste – leniniste terroriste, që u realizue në Shqipni me kriminelin anadollak Enver Hoxha, por që ka pasë një mbështetje të fuqishme dhe shumë të organizueme në Sigurimin e Shtetit dhe metastazat e tij në çdo skutë të vendit… Në këte organ të shemtuem grumbullohen të gjithë ata që nuk kanë asnjë tipar të dukshëm ose të mbrendshëm të njeriut. Brajan Capmen thotë: “Thesari ma i çmueshëm i një diktatori janë spijunët dhe informatorët, mbasi me ta mbjellët përçarja në popull, ndërsa me vrasësit ruhet sundimi. Spijunët janë njerëz të stërvitun për vepra të ulta, të rritun mjedis poshtnimit”. Mbasi të rilexoni edhe njëherë këte citat keni me kuptue se, cila kje arësyeja që Enver Hoxha me të gjithë aparatin e tij terrorist qeverisës, vorfnoi popullin, e shpërftyroi njeriun, e mbajti 47 vjet nën diktaturë komuniste, tue aplikue metodat ma të mnershme e djallzore të “luftës së kllasave”, tue privilegjue dhunuesit dhe torturuesit apo edhe organet e “drejtësisë”, që shtonin numurin e këtyne spijunve, të gjithë të lindun, të rritun dhe edukue në kurset e analfabetizmit dhe nga “shkolla e re socialiste” e kudondodhun…

Duheshin sa ma shumë kampe pune dhe shfarosje, të interrnuem dhe ushtarë për të sigurue me punën e tyne të pashpërblyeme fitimet përrallore dhe garancinë e sotme nga ata kapitale ndër të gjitha bankat dhe shtetet Përendimore!

Populli Shqiptar sundohej nga Enver Hoxha nëpërmjet të dhunës që ushtrohej nga institucioni ma i paligjshëm i tij Sigurimi komunist, vetëm mbi një parim friksimi, kërcënimi dhe shtypje të pashoqe.

Kjo ngjante sëpse secili Shqiptar ishte i lidhun “për kafshatën e bukës”, siç ka thanë At Pjetër Mëshkalla, kur u arrestue në “Revolucionin Ideologjik e Kultural” të vitit 1967 në qytetin Martir të Shkodres.

Ja dhe reforma me të cilën krenohën shokët e Partisë komuniste: “Arësimimi i gjerë i masave dhe revolucionarizimi i shkollës sonë…” Qendrat ku Shqiptari humbi tiparët e Tij Shekullore, Burrni, Besë e Bujari. Ja vendi ku u shembë Ideali “Atdhé e Fé”, ja çerdhja ku Shqipja Dykrenare çili zogjët e vet: Malësia tue ikë rrugave të gërbetit dhe tue harrue zakon e traditë mijravjeçare. Ja “shkolla” ku formohej breznia e “re socialiste” pa korajo civile, servile dhe hipokrite, opurtuniste pa pikë burrnije, me parime marksiste – leniniste dhe ateiste, parime të cilat synojnë me shpartallue Atdhetarizmin dhe Familjen Shqiptare. Ja Populli Shqiptar i njohtun në Evropë e në gjithë Botën me Dy nga Simbolët e Paqës dhe të Lirisë së të Drejtave njerzore : Të Madhin Gjergj Kastriotin Skenderbeun dhe Nanë Terezën e Shqipnisë… “në mes të Evropës”… por jashta Saj!..

Nëse, Presidenti Havel foli në vitin 1999 në Tiranë, para Pallatit të Kryeministrisë për komunistët çek të konvertuem, dhe rrezikun që i sjellin ata demokracisë ashtu asht si thotë Ai, por kur bahët fjalë për komunistët shqiptarë, ata nuk do të konvertohën kurr, sëpse “ata janë të konservuem”! Këte e verteton “qeverisja” e sotme!

Në vitin 1946 një Murgeshë që shërbente si infermjere në spitalin e burgut, në podrumet e Spitalit Civil të Shkodres, e quejtun nga të sëmurët e torturuem “Engjulli i birucave” (Gjyzepina Radovani), ka thanë: “Si mbas parimit komunist: Sytë që kanë pa duhën verbue e, duhën shurdhue veshët që kanë ndigjue e, pré gjuhët që mund të flasin e, shkurtue, krenat që mund të mendojnë”…

Ky asht parimi thëmelor i  komunizmit!..

E ky parim do të shkombtarizojë perfundimisht Shqipninë e Kastriotit!

            Melbourne, 30 Nandor 2020.

 

LETËRKËMBIMI MUSTAFA KRUJA – MIFTAR SPAHIJA: Me qëllim  qi lëvizja në dobi të mbretnisë të mbahej e fortë

 

Romë, 9 – 5 – 1954

I dashuni mik Mustafa Kruja,[1]

Kam marrë letrën tuej qi më ka ba qejfin tepër për shprehjen e simpatisë kundrejt

lëvizjes sonë të sapo lindun.

  1. Jemi plotësisht të vetëdijshëm për pamundësinë dhe papërshtatmëninë e nji

shprehje të hapun nga ana e Mbretit për punën tonë, por do të dëshirojshim interesimin e tij, nëse mundet të japë edhe tërthoraz nji shenj në favorin tonë do t’ishte për ne nji ndihmë e madhe.

  1. A nuk besoni ju se do t’ishte e leverdisëshme qi kryetari i lëvizjes të tërhiqej me

qëllim  qi lëvizja në dobi të mbretnisë të mbahej e fortë ? A keni ndigjue ju se Selim Damani n’Itali e Qemal Mesarea në Greqí  flasin se kanë një farë mandati nga ana e Mbretit ? Ne, të lëvizjes sonë të re, në çdo anë të botës ku ka dashamirë të mbretnisë, kemi shumë besim tek ju.

  1. Kam bâ sondazhe për sa i përket ftesës Salih Myftisë, për me i dhanë detyrën e

kryetarit të lëvizjes. Nuk e di nëse juve e njihni mirë Gaqo Gogon ; âsht bâ kryenâltë e i duket vetja i madh ; çfarë fatkeqësie, do të kisha shumë për të folun mbi këtë Gogo.

  1. Sa i përket udhtimeve nuk mundem me thânë asgjâ tashti.
  2. Nëse do të kemi organin tonë të shtypit a mund të llogarisim ndihmesën tuej të

çmueshme ? Do t’u ishim shumë mirënjohës.

Nëse më përgjigjeni për pikën 4 ju lutem të mos zeni në gojë Gaqon tonë.

Asllani dhe un ju përshëndesim me nji përzemërsí të thellë e ju urojmë çdo të mirë.

I jueji

Miftar Spahija (firma)

Tash dëshiroj të na ndihmoni për kërkesat qi mâ poshtë vijojnë :

  1. Kërkojmë qi të na lehtësoni me anën e ndonji nisme kundrejt ndjenjave të Ustait

ndaj inisiativës t’onë dhe cilat janë këto indicjet qi formojnë bindjen e juej mbi sa do të na njoftoni qoftë pro qoftë kundra. Po ashtu dëshirojmë që të na shënoni edhe komentin tuej personal.

  1. A gjykoni ju se âsht momenti oportun qi Z.Kupi të shpërngulet prej skenës politike

dhe tue u mënjanue, të merret nën kujdesin e Ustait dhe të qëndrojë në pritje të shërbimit, për të cilin âsht i cilsuem ?

  1. Damani pretendon se ka nji mandattë lëshuem prej Ustait, i cili e autorizon të

flasë n’emër të tij. A do të jetë e mundun qi të na sqaroni se deri ku korespondon kjo gjâ me të vërtetën. Dëftoj se Z. Damani âsht nji nga përgjegjsat kryesorë të pjesës mâ të madhe të fatkeqësive e përçamjeve të tendencës s’onë.

  1. Kështu si flet Z. Damani n’Itali, po ashtu flet edhe Z. Qemal Mesarea në Greqí. Ky

person nuk gëzon simpati midis emigracionit shqiptar dhe habitemi se si e lejon vehten të flasë me aq autoritet pranë shqiptarvet t’emigruem.

  1. A mund të mbështetemi në kontributin e juej të çmueshëm me anën e shkrimeve

të herë pas herëshme politike, letrare dhe edukative. Dëshirojmë t’a kemi këtë sigurim nga ana e juej, pse evenimentet mund të precipitojnë me ndonji publicitet në nji organ t’onin, prandaj dëshirojmë qi të llogarisim mbi ju.

 

  1. Në lidhje me pikën 2 të letrës suej kuptojmë se nuk mund të tregohet ndonji gjest

i hapun i Ustait, por do t’urojshim të paktën, sikur të gjindej mundësija me anën e së cilës të kallzohesh knaqsija e Tij ndaj inisiativës së marrun.

  1. Përsa i përket pikës 3, mbështetem në bonnes officet e juaja pranë shokëve të

Kanadasë, të cilët, simbas njoftimeve qi kemi, kanë nji stimë të veçantë për ju.

  1. Për pikën 4 fushata e jonë përgatitore âsht bâ me kohë ashtu siç e kallzoni edhe ju,

por që kur Z. Mesarea ka penetrue për me turbullue opinionet e atjeshme, jemi mjaft të shqetësuem.

  1. Në lidhje me pikën 5 janë parashikue disa udhtime ndër Vende që i përmendni edhe

ju  dhe shpresojmë se do t’i a arrijmë qëllimit ndoshta edhe mâ tej. Udhtimet e parashikueme do të bâhen në mbështetjen e nji programi pune edhe të nevojave të ngutëshme qi i paraqiten fazës fillestare të ndërmarrjes s’onë.

  1. Për pikën 6 na, mbas dy trakteve të lshueme kemi fillue me u ndërlidhë me anë të

korrespondencës private me anë të miqve qi i besojmë se janë miq. Edhe në këtë do të kemi kontributin e juej.

  1. Na ka kënaqë së tepërmi nderimi i Salih Myftisë. E dijmë fare mirë gjêndjen në

të cilën ndodhet, dijmë edhe se personi i tij kontribuon mjaft, me keqardhje nuk mundet hë për hë qi t’i sigurohen mjetet, dhe kjo âsht arsyeja qi s’mund të marrim përgjegjsinë e shpërnguljes së tij. Ndonji premtim s’mund të bâjmë, por shpresa për t’ardhmen kemi. Ka disa sot qi kanë marrë aderimin  në rradhët tona edhe të djalit të tij, Fuat Myftija. Megjithë që nuk u arrit në nji përfundim çâshtja e tij në kët kohë, ne do të përpiqemi e do të bâjmë çmos t’a riçelim çâshtjen e tij për nji sistemim.

I dashuni mik, këto janë dezideratat qi ju paraqitëm dhe të cilat kërkohen nga stadi momental i ndërmarrjes s’onë, për të cilat llogarisim mbi ndihmën e juej për t’na lehtësue barrën edhe përgjegjësinë e rândë qi i kemi vȗe vehtes.

[1] Kjo letër është shkruar në gjuhën italiane. Përkthimi nga un (E.M.)

 

 

XXVIII NËNTOR – Nga SOTIR GJIKA

 

 

Shqiptarët shikuan Europën t’i njihte një nga një në Shtete më vehte popujt e siujdhesës Ballkane, e sicilin prej syresh të rëndojë mbi Shqipëriën, nisën të mendohen thellë dhe përnjimênd për shka i tirej Atdheut të Gjergj Kastriotit. U bindën atbotë se tepër fort qênkshin rrêjtur një palë shqiptarësh që rrëke rrëke e patën derdhur gjakun e kulluar të vetin për lirin e Greqiës ; e u bindën edhe se Tyrqia as deshte me vërtet e as kish se qysh me e pritë mynxyrën që me vrap po turrej kaha lagjet e Dheut t’onë. Duheshin masa të rrepta për me e ndalë rrebeshin. Europa qe mbledhur në Kuvênd në Berlin e, me një çinizmë të padëgjuar, pat dekretue të çkëputeshin nga kurm’i Mëmëdheës e t’i u epshin Shtetevet të rinj të Ballkanit ngasra të tëra fjeshtë shqiptare. Shqiptarët u çuan e ngritën krye forra kundër paudhësiës europjane, tuj lidhë Besë. Qênë burra me fletë, i u paçim faën, të Parët tanë t’asokohe. Nga lëvizja e tyre lindi Lidhja e Prizrenit, të tre vjetët punim të gjallë kombëtar të së cilës kanë me pushtue faqen më të bukur të historiës së Përlindjes Shqiptare. Por athue se fuqia e e drejta shqiptare do t’a çvulosnin dot çka së bashku kishin vulosur në Kuvênd të Berlinit përfaqësonjësit e Europës, t’asaj Europe q’ishte Kali me krahë i të trië Perandorivet oligarqike  që patën bërë më të madhin kob kundër qytetërimit, copëtimin ndërmjet të Polloniës ? Jo ! Europa i a shtrëngoi kështu rripat, i a ckërmiti dhëmbët Stambollit pse s’i shtrëngonte Shqiptarët t’i falshin Malit të Zi e kundër qëndresës të papërkulëshme e kreshnike të këtyre të fundit s’u turpërua të dërgojë anijet e saj n’ujërat e Ulqinit e të Tivarit !

Le t’i a lemë tani pakëzë fjalën Poetit q’e këndon me melankonië të trishtimtë por me kryelartësië shqiptari atë ndodhië të zezë :

Po n’a thonë se Malit t’Zi

Pjeterburgu i’a dha fjalën

Me hi mbrenda në Shqyptarí

Turbull Drini kû rreh valën ;

E veç m’kâmbë ushtrín ka çue

Ke Cetina Knjaz Nikolla

Malet t’ona me i pushtue

Kû i bân nâna djelmt sokola.

Shqiptarët i dhanë asisoj lëvizjes së tyre karakter ndërkombëtar e brênda e jashtë Shqipëriës i a filluan punës, ashtu sikundër s’kishin bërë pa ngjarë lufta ruse – tyrke. E pemët e veprimit tyre u dukën kur – tek  kazani po ziente në Ballkan, që më vonë do të pëlciste me luftën ballkane – tyrke e Shtetet ballkanas, të lidhur ndërmjet sa për të coptuar Shqipëriën, e cila i a pati krreur me pushkë  Qeveriës së Stambollit njoftimin e të 14 pikavet të njohura – Austro-Hungaria me Italiën i u duall zot të drejtavet të Kombit shqiptar në Kuvêndin e Londrës (1912-13) dhe prej Kuvêndit krryen ndërtimin e një Shteti shqiptar.

Më 28 Nëntor 1912 shqiptarët, të mbledhur në Vlorë nën kryesië t’Ismail Qemal Beut, ngrinin Flamurin kombëtar e ay shênj i shenjtë që për katërqint e ca vjet e kish shkretuar Vêndin me çdukjen e tija, dijl prap në shesht e, madhështor si qëmoti, fillonte me u tunt n’erë nëpër qytetet, katundet, fushat, malet e kodrat e Arbëriës jetike, tuj përhapë e tuj shtië gazin e shpresën nëpër gjindjet shqiptare. Qe mbushur një mrekullië e historiës. Europa më së fundi bënte, pas aqë kohe, vepër qytetnore.

Por atë çikëzë diell që shkrepi të ngrohë dhe të shkëlzejë lagjet e Shqipëriës, e zuri përnjëherësh reja. Të zeza ditë ka shkuar Vênd’i ynë që kur , pa e gëzuar dot mirë djellin e liriës, nisi të mos i vejë buza më gas. Sido na vate filli, prap flamuri valoi, po valon e do të valojë në Shqipërië.

Dita e 28 Nëntorit âsht e para dit’e Përlindjes s’onë dhe ndër festat t’ona kombëtare âsht pra m’e shënuara. E tillë do të jetë sa të rrojë fara shqiptare.

Ne e pritëm, edhe sivjet, këtë ditë të shënuar, me atë brohorië dhe me atë dalldië që fuqia e shpirtit t’onë âsht e zonja të ndjenjë, të mbajtur gjithënjë, nga shpresa e nga besa, që janë për ne hyll’i karvanit se nuk do t’i mungojnë Atdheut ditë të bardha. Rroftë Shqipëria !

 

KUVȆNDI Romë, e Enjte, 28 nëntor 1918                       SOTIR  GJIKA

LETËRKËMBIM MUSTAFA KRUJA – MIFTAR SPAHIJA: Ndër krizat politike e shoqnore ujnat turbullohen, vërshojnë e qesin në breg llomshtitë

Ramleh, 21. VII. 1953

 

I dashuni mik,

Faleminderës për të dý letrat qi më dërguet. Po flas nji herë për Abetarin. Z.Pustinën e njoh vetëm me emën e i kam ndiem prej gjithkuj zânin e mirë. Megjithë këtë, desha me thânë se sado qi s’njihemi personalisht me tê jam i sigurtë qi në dash pse âsht nji barrë qi i a ngarkoni Ju e në dash për ndjenjat e tij patriotike, ai ka për të bâmë ç’t’i vijë për dore në mâ të mirën mënyrë për të. Un po i a nap udhzimet vetë se si me vepruem porsa të shtij në dorë adresën e tij. Besoj se këtu do t’a ketë ndokush.

Shkresën t’Uej qi më kërkoni, po Ju a dërgoj pa e kopjuem. E kam ruejtun se e kam çmuem si nji dokument për historin’e ksaj mërgatës s’onë politike. E mâ mirë se Ju vetë kush mund t’a ketë atë kujdes ?

Ato pak mendime qi më shkruejshi në letrën e dytë janë me vênd. As un vetë s’kam lânë rasë me kaluem pa folë po n’atë drejtim. E kuptoni sepse nuk mundem me u shprehun haptas e prandej as me Ju shkruem gjatë. Por për njerëz qi rrojnë për nji qëllim të vetëm e qi kanë zgjedhun nji rrugë të vetme për t’i a mbërrîmë atij qëllimi, mjaftojnë edhe pak fjalë për me u marrë vesht. Asnji rasë e volitshme s’do të humbet po të na e paraqesin rrethanat. Këto duken mjaft të mbara sod për sod. Ndoshta s’janë ende të pjekuna si duhet. Por kujdesi, befti, përgjesa, madje punimi për t’i shpejtuem nuk mungojnë, aty tek i kemi pështetun na shpresat t’ona.

Me sa kam mundun me marrë vesht, Ju jeni tue bâmë nji jetë mjaft të vetmueme aty. “Ke hanë e s’t’apin e ke flet e s’të ndëgjojnë mos të qittë Zoti” ka thânë i motshmi. Por s’duhet me u mërzitun. Ndër të gjitha krizat politike e shoqnore ujnat turbullohen, vërshojnë e qesin në bregt gjithë llomshtitë qi, der atëherë flêjshin përfund. Këto llomshtí në jetën politike e shoqnore quhen egoizëm, injorancë, sektarizëm, vanitet, vetpëlqim, hipokrizí e shtoni sa të doni edhe mâ këtij vargu. Por atyne qi e mbajnë veten të lamë prej këtyne veseve u përket me duruem e me punuem ku të munden e si të munden për qëllimin e shênjtë të shpëtimit t’Atdheut me vetmohim.

U gzova fort qi e paskeni vizituem e gjetun mirë Asllanin. A ka shpresë qi të miroset krejt ?

Fjala ndërkryem (trajta e drejtë ndërkryem) âsht e njohun po me atë kuptim qi e paska Luma. Ju falem nderës qi keni kujdes me më bâmë të njohuna fjalë të rralla të gojës së popullit. Ndër letra ndodh nga nji herë qi e teproj me fjalë të hueja për mos me humbun kohë, por ndër shkrimet e mija kushtue për t’u botuem, përpiqem me i rrëgjuem në nji numër minimal të nevojshëm.

Me kaqë e përshëndetjet e mija të përzêmërta.

MKruja (firma)

  1. S. Tue marrë vesht se do t’u niste për Romë Z. Koço Muka, e pata ndalë me i a dhânë atij këtê letër, bashkë me dokumentin për mâ shumë sigurí. Por qe se mjerisht ai u nis dje e un, tue kujtuem se i a kisha dhânë me kohë, e paskam pasë mbuluem në nji sŷth të tryezës s’eme aqë mirë, qi vetëm nji rasë e kotë m’a qiti sod nëpër duer ! Punë qi ndodhin….

31 /VII                                                                                   MK

 

 

 

 

Ramleh, 15.IV.1954

I dashun Profesor,[1]

Jam i sigurtë se qysh në fillim do t’habitesh sepse un po Ju shkruej n’italisht. Por arsyeja âsht. Âsht sepse letër – këmbimet janë objekte të çensurës. Rrallë herë qillon qi janë të hapuna. Por kemi vue orôe se kur janë, e gjithë përmbajtja e tyne në shqip përhapet paturpsisht nga çensorët e kombësisë s’onë. Ndërsa çensorët e kombësive të tjera mjaftohen me krye detyrën e tyne zyrtare.

Ma s’parit due me Ju dhânë nji lajm qi do t’Ju bâjë qejfin : Koloneli ynë më ka sigurue se shkrimi i Juej, i cili besohej si i humbun, âsht ende n’arkivin e tij.

Kam marrë me kohë letrën T’uej me spjegimin e disa fjalëve të dialektit të Lumës qi Ju kisha kërkue. Ju falënderoj.

Këtë herë do të flas për politikën. Kam ndjekun me përpikmëní zhvillimet e riorganizimit të Komitetit për Shqipnin’ e Lirë dhe randimin e krizës së fatzezës Lëvizje e Legalitetit, qi vjen si pasojë. (Kam këndue të tana fjalët qi janë mbajtë aty). Në bazë të gjithë atyne, për hesap t’imin, shpreh gjithë kënaqësinë t’ime për përfundimin e asaj krize me formimin e nji Lëvizjeje të re Politike Mbretnore. Âsht e vajtueshme, sigurisht, qi drejtuesit e së njâjtës politikë kombëtare, qi âsht çlirimi i Atdheut t’onë nga zgjedha e huej dhe i popullit t’onë nga kobi komunist nga nji anë dhe sigurisë së vazhdimësisë (jo rikthim, në të vërtetë) së regjimit mbretnor nga tjetra, të kenë shkaktue ndamjen e Lëvizjes në dy. Por duhet të jeni të sigurtë, ju të degës së re, qi përgjegjësi kryesor i kësaj ndamje njihet mirë. Në vetvete mendoj se, në pikën ku kishin mbërrîmë punët, veprimi i të nantëve të grupit fillestar të Lëvizjes Mbretnore, ishte e vetmja rrugë e mundëshme me u ndjekë. Tashti nuk mbetet veçse me ju urue suksesin mâ të plotë e me ju ndihmue me e mbërrîmë. Nga ana ime duhet të jeni të sigurtë se nuk do të kursej asgjâ për me ju lehtësue detyrën. Mund t’u a thuesh këtë, nëse beson, Feridit dhe Asllanit, të cilët i njoh personalisht e i çmoj. Për të tjerët âsht mâ mirë qi un të punoj në hije. Po filloj tue ju shënue disa ide të mijat themelore, të mbështetuna në përvojën t’ime të gjatë :

  1. Duhet të dini se tashti suksesi i juej nuk âsht vetëm nji çeshtje patriotike, por edhe

nji pikë nderi. Prandej duhet të punoni natë e ditë, me kriter e çdo sakrificë për me i a mbërrîmë.

  1. Ndîej për detyrë me ju thânë se nuk duhet të pritni nji gjest të hapun nga ana e

Mbretit qi të tingëllojë si anim nga njana apo tjetra palë e mbretnorve, s’paku deri në ditën në të cilën, uroj un, pjesa mâ e madhe e monarkistave militantë të rreshtohen nën të njâjtin flamur me juve.

  1. Ju e dini se në Kanada, s’paku simbas të dhanave të mija, ka një Rini Mbretnore qi

me kohë ka shkëputë lidhjet me Legalitetin e âsht formue me këtë emën qi keni pranue edhe ju shumë me vênd.

  1. Nji gjâ e tillë, ndoshta ende në përgatitje, âsht edhe në Greqi.
  2. Do të kishte qênë tepër e dobishme qi nji nga ju, për shumë arsye do t’ishte mâ

mirë Ju, Profesor, të vijshit këtu mâ parë, për me vazhdue mandej për Turqí e Greqí. Nëse kjo do t’ishte krejtësisht e pamundun, drejtoni të gjithë legalistëve nji paraqitje me ftesën e hapun me marrë pjesë në lëvizjen tuej. Në paraqitjen qi do të bâjshit, duhet mos me prekun pikën, në dukje të dobët e shumë të rrahun e të diskutueshme, të statutit të komitetit, për mos me i kthye brinjën kundërshtarit ; flitni vetëm për komitetin. Sa vlen me folë për statutin, nji statut i çoroditun e i marrë qi së fundi nuk ka as gjasën e nji statuti ? Nuk e kupton askush, nuk e kanë kuptue as hartuesit e tij !

  1. Veç shpalljes, shkrueni letra vetiake miqve tuej, tue përdorë gjithmonë shprehje

bindëse e fisnike.

  1. Kam ndigjue, dikush m’a ka thânë në mirëbesim, se keni mêndimin me ftue Salih

Myftinë si kryetar të përkohshëm të lëvizjes. Ideja, nëse asht e vërtetë m’u duk shumë e pjekun. Veçse ai âsht krejtësisht pa mjete udhtimi e gjallese. Duhet mandej të mbani parasŷsh se ai ka nji ndihmë zyrtare e nëse do t’i duhej me lânë Egjyptin, qoftë edhe për do kohë, këtë ndihmë do t’a humbte. Pra duhet me i sigurue mjetet vazhdimisht. Madje, shtoj un, mundësisht edhe djali i tij do t’ishte i dobishëm mes jush.

Ja, i dashun Profesor, çfarë kisha me ju thânë tash për tash. Shëndete të përzêmërta Juve e, nëse do t’i flitni për këtë gjâ edhe Feridit e me çdo mënyrë Asllanit.

I yti

MKruja (firma)

[1] Kjo letër është e shkruar në gjuhën italiane. Përkthimi në shqip mundohet të respektojë deri diku gjuhën e âutorit. (E.M.)

Dosja Thaçi dhe të tjerët, Smith deri më 11 dhjetor të publikohen dëshmitë dhe dëshmitarët

Zyra e Prokurorit të Specializuar që udhëhiqet nga Jack Smith i ka kërkuar Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, francezit, Nicolas Guillou, që të caktojë 11 dhjetorin 2020 si afatin e fundit për kompletimin dhe publikimin e materialeve që ndërlidhen me dosjen Thaçi dhe të tjerët.

Gazeta Express

Deri në këtë periudhë kohore, Smith ka kërkuar bërjen gati të materialit dhe vlerësimin e atij që s’ka nevojë për redaktim dhe e kundërta, në mënyrë që të procedohet më publikim.

“56. Për përcaktimin e afatit të fundit për publikimin e materialit sipas Rregullës 102 (1)(a), gjykatësi i Procedurës Paraprake merr parasysh: (i) dokumentet e dorëzuara nga palët, në veçanti propozimin për të pranuar dëshmi në grupe sa më shpejt që është e mundshme; (ii) kohën e nevojshme për të vendosur rreth kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar për masa mbrojtëse; (iii) kohën e nevojshme për Zyrën e Prokurorit të Specializuar për t’i zbatuar redaktimet, nëse ofrohen, dhe për ta përgatitur materialin për publikim; dhe (iv) kohën që Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon për ta identifikuar dhe përgatitur materialin që nuk kërkon redaktime për publikim të menjëhershëm duke respektuar afatin 30-ditor. Prandaj, është e duhur që të caktohet data 11 dhjetor 2020, e premte, si afat i fundit për kompletimin e publikimit të materialit sipas Rregullës 102 (1)(a).”, thuhet në pikën 56 të dokumentit që mbanë firmën e Jack Smith e i cili është publikuar edhe në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale me emërtimin “ Vendimi kornizë për zbulimin e provave dhe çështjeve të lidhura me to”.

Vendimi Kornizë për Zbulimin e Provave dhe çështjeve të lidhura me to, marrë në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.

Por çfarë parashihet të publikohet sipas Rregullës 102 të Ligjit për Dhomat e Specializaura.

Prorkurori i Prokurorisë Speciale bazuar në Ligj ka të drejtë të bëjë publike: deklaratat e të gjithë dëshmitarëve qe planifikon t’i thërras për të dëshmuar, të gjitha deklaratat e dëshmitarëve të tjerë, raportet e ekspertëve, deponimet ose transkriptimet që Prokurori Special synon të paraqitet në gjyq, deklaratat shtesë të dëshmitarëve të Prokurorit të Specializuar mbi vendimin për të thirrur ata dëshmitarë, dhe ekspozitën që Prokurori Specialist synon të paraqesë në gjykim.

Rregulli 102 në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale janë publikuar edhe dokumente të tjera. Kryeprokurori Smith e ka bërë publike edhe letrën e tij në të cilën ka arsyetuar se pse ish-kreu politik i UÇK’së, Hashim Thaçi, duhet të arrestohet dhe të vendoset në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Siç parashikonte Smith, akuzat e konfirmuara mund të çojnë Thaçin në një burgim të përjetshëm, dhe sipas tij, kjo është arsyeja se pse Thaçi duhet të arrestohet, meqë pretendon se mund të nxitet që të ikë apo kryej krime të tjera në momentin që e merr vesh barrën e akuzave./GazetaExpress/

Më 24 nëntor 1859 u botua për herë të parë vepra “Origjina e specieve” e Darwinit

VOAL – Nëse flasim për vepra të shkëlqyera në biologji, “Origjina e Llojeve” nga Charles Darwin, një natyralist britanik, sigurisht renditet lart. Me titull “Mbi origjinën e specieve me anë të përzgjedhjes natyrore ose ruajtjes së racave të favorizuara në luftën për jetën”, në të Darvini ilustron për herë të parë për publikun e gjerë teorinë e tij në lidhje me procesin e përzgjedhjes natyrore, përmes cilat organizma të së njëjtës specie evoluojnë gradualisht me kalimin e kohës. Prandaj Darvini hedh poshtë teorinë e afirmuar deri në atë kohë, krijimtarinë, e cila i konsideron speciet si të pandryshueshme, pasi ato tashmë janë krijuar të përkryera nga Zoti.


Vepra shoqërohet me prova shteruese shkencore të mbledhura gjatë udhëtimit të anijes britanike HMS Beagle, në të cilën Darvini mori pjesë më 1831. Objektivi kryesor i ekspeditës është të kryejë sondazhe hidrografike të brigjeve jugore të Amerikës së Jugut, për të krijuar skema detare dhe të bëjë vrojtime të kodrave që shihen nga deti, me matje relative lartësimore. Darvini, njëzet e dy vjeç, largohet për në këtë ekspeditë eksploruese nëpër botë dhe bën vëzhgimet natyraliste që e çojnë atë të zhvillojë teorinë e tij, duke mbledhur një sasi të madhe të dhënash.

Ekspedita zgjat pesë vjet: Beagle kalon Oqeanin Atlantik, arrin përgjatë bregdetit të Amerikës së Jugut, arrin në Oqeanin Paqësor, Tahiti dhe Australi dhe më pas përfundon rrethrrotullimin e globit. Gjatë këtij udhëtimi Darvini, përveç se ishte një natyralist ekspert, ai gjithashtu u bë një koleksionist fosilesh; njëzet vitet e ardhshme ai i kushtoi atyre shqyrtimit dhe interpretimit të të dhënave të mbledhura duke i krahasuar me të tjerët të zhvilluar nga burime të tjera.


Traktati “Origjina e specieve”, rezultati i të gjitha vëzhgimeve të tij, i drejtohet gjithashtu një publiku jo-specialist dhe është i destinuar të revolucionarizojë fushën biologjike. Darvini është i vetëdijshëm se vizioni i tij i evolucionit mund të ketë minuar reputacionin e tij si i dënuar për blasfemi, por, i mbështetur nga prova dërrmuese shkencore të mbledhura, në qershor 1842, Darvini shkroi me laps një draft prej 35 faqesh, nga e cila më pas zhvillon punën e tij. “Origjina e specieve” u botua për herë të parë më 24 nëntor 1859.

Teoria e evolucionit e Darvinit gjen një shpjegim për evolucionin e specieve shtazore dhe bimore. Për herë të parë në historinë e biologjisë, një teori e re evolucionare, e mbështetur nga prova të vlefshme të bazuara në ashpërsi shkencore, përmbys besimin se çdo specie është rezultat i krijimit hyjnor. Darvini argumenton se është mjedisi ai që modifikon dhe përshtat speciet e gjalla, pasi që për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme mjedisore, ndodh seleksionimi natyror që vepron mbi karakteristikat e ndryshueshme tipike të secilës specie, duke favorizuar ato me karakteristika të përshtatshme për mbijetesë. Ai pastaj teorizoi prejardhjen e të gjithë primatëve, përfshirë njeriun, nga një paraardhës i përbashkët dhe, për këtë arsye, ekzistencën e një paraardhësi të përbashkët për të gjitha speciet e gjalla.

“Ka diçka madhështore në këtë ide të jetës, me potencialin e saj të pafund, fillimisht të infuzuar nga Krijuesi në shumë pak ose në një formë të vetme; dhe, ndërsa ky planet ka vazhduar të rrotullohet duke ndjekur ligjet e pandryshueshme të gravitetit, nga një fillim kaq i thjeshtë format e pafund, gjithnjë e më të bukura dhe të mrekullueshme, kanë evoluar dhe evoluojnë akoma “(Citim nga Charles Darwin)/Elida Buçpapaj

Nga varreza në Serbi deri te vendi i krimit të luftës në Kosovë

Iva Martinoviq

Gurorja “Kizhevak“ në Komunën e Rashkës, në afërsi të kufirit me Kosovën, është lokacioni i pestë në Serbi, në të cilin janë gjetur mbetjet mortore, siç dyshohet, të civilëve shqiptarë të vrarë gatë luftës në Kosovë, në vitin 1999.

Ende nuk dihet se sa është numri i trupave që janë gjetur në këtë vend, më 16 nëntor. Dy ditë më vonë, Gjykata e Lartë në Beograd ka lëshuar një urdhër për zhvarrosjen e tyre. Se kur do të fillojë zhvarrimi “do të përcaktohet më vonë”, i është thënë Radios Evropa e Lirë nga kjo gjykatë.

Që nga viti 2001 e deri më sot, në territorin e Serbisë, në 4 lokacione janë gjetur varreza masive me 941 trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë.

Sipas të dhënave të Zyrës për pesona të zhdukur të UNMIK-ut, në Batajnicë, në afërsi të Beogradit, në vitin 2001 janë zbuluar 744 trupa. Të njëjtin vit, në Petrovo Selo, në Serbinë Lindore, janë gjetur 61 trupa. Në liqenin Peruqac, në vitin 2001, është zbuluar varrezë masive me 84 trupa.

Për herë të fundit, varrezë masive është zbuluar në vitin 2013, në Rudnicë, në jugperëndim të Serbisë, në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Jarinë. Aty janë gjetur mbetjet mortore të 52 personave.

Infografikë

Vendndodhjet e varrezave masive të identifikuara në Serbi

Ku gjendet lokacioni i ri?

Gurorja “Kizhevak” në Rashkë, në pjesën jugperëndimore të Serbisë, është disa kilometra në veri të Rudnicës dhe vendit, në të cilin para shtatë vjetësh është gjetur varreza masive me trupat e civilëve shqiptarë.

Mbetetjet mortore në lokacionin e ri, më 16 nëntor i kanë gjetur ekspertët e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit të Qeverisë së Serbisë për personat e zhdukur.

Më 20 nëntor, EULEX-i tha që ekspertët e tij kishin gërmuar në Kizhevak që nga viti 2015 dhe se përparimin e kishin bërë falë pamjeve nga ajri.

“Problemi ishte në atë se bëhet fjalë për një gurore të madhe dhe se peizazhi ndryshoi me kalimin e kohës për shkak të faktit se gurorja ishte akoma duke u përdorur përgjatë shumë viteve”, tha Javier Santana, arkeolog mjeko-ligjor në EULEX.

Gurorja “Kizhevak” u privatizua pas vitit 2007. Në maj të vitit 2020, kompania gjeologjike “Tethian” nga Kanadaja, e bleu të drejtën e shfrytëzimit të vendit të dikurshëm të minierave të argjendit, zinkut dhe plumbit, nga kompania serbe “EFPP”.

Nga EULEX-i kanë deklaruar që procesi i përcaktimit të vendndodhjes së saktë ishte shumë i ndërlikuar, sepse në minierë ekzistojnë katër deri pesë nivele, me një lartësi të përafërt prej 13 metrash secila.

Dyshohet për trupa të viktimave nga fshati Rezallë në Kosovë

Pas zbulimit të lokacionit “Kizhevak”, kryetari i Komisionit të Qeverisë së Serbisë për personat e zhdukur, Velko Odalloviq, i tha Radio Televizionit të Serbisë (RTS), më 18 nëntor, se informacionet tregojnë se në atë vend potencialisht gjenden 15 deri 17 trupa.

Ky lokacion përmendet në raportin e progresit për të drejtat e njeriut, të cilin për çdo vit e publikojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në raportin e vitit 2015 thuhet se në këtë vend “dyshohet që forcat serbe kanë varrosur mbetjet e shqiptarëve të Kosovës, të vrarë në fshatin Rezallë në Kosovë, në vitin 1999”.

Trupat e 28 viktimave nga ky fshat janë gjetur në vitin 2013, në varrezan masive në Rudnicë, ndërkaq dy vjet më vonë janë varrosur në Rezallë.

Krimin në Rezallë e vuri në dukje ish-drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, pas zbulimit të lokacionit të ri.

Kjo organizatë joqeveritare, e cila merret me hulumtimin e krimeve të luftës, në vitin 2015 ka publikuar dokumentin me titull “Dosja e Rudnicës”, në të cilin, përveç tjerash, vuri në dukje krimin masiv në Rezallë dhe zhvendosjen e trupave të viktimave.

Fondi për të Drejtën Humanitare ka theksuar që nëntë viktima nga ky fshat edhe më tej evidentohen si të zhdukur në evidencën e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Vrasja e më shumë se 40 civilëve në Rezallë

Spas raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare, pjesëtarët e ish-Ushtrisë së Jugosllavisë dhe policisë, në prill të vitit 1999, kanë vrarë në Rezallë të paktën 42 civilë shqiptarë, prej tyre 39 në ekzekutim masiv.

Në dosjen “Rudnica”, e cila përmban dokumentet e ushtrisë dhe policisë, deklaratat e të mbijetuarve, si dhe dokumentet dhe dëshmitë e oficerëve të Ushtrisë së Jugosllavisë dhe të zyrtarëve të policisë përpara Tribunalit të Hagës, Fondi për të Drejtën Humanitare thekson që pjesëtarët e ushtrisë dhe policisë, më 5 prill, kanë hyrë në këtë fshat, i kanë dëbuar banorët nga shtëpitë e tyre, i kanë çuar në një oborr dhe më pas i kanë pushkatuar.

Mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit. Këto mbetje janë gjetur në një varrezë masive në Rudnicë të Serbisë dhe janë identifikuar 15 vjet pas mbarimit të luftës.

Mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit. Këto mbetje janë gjetur në një varrezë masive në Rudnicë të Serbisë dhe janë identifikuar 15 vjet pas mbarimit të luftës.

“Pjesëtarët e forcave serbe kanë vrarë në vend 39 civilë, ndërkaq dy i kanë mbijetuar pushkatimit, duke u mbuluar me trupat e vdekur të njerëzve që binin mbi ta. Në mesin e civilëve të vrarë ishin 3 djelmosha, ndërkaq viktima më e moshuar ishte 97 vjeç“, shkuan në raportin e Fondit për të Drejtën Humanitare.

Duke vënë në dukje që gjatë konfliktit në Kosovë, fshati Rezallë ishte në zonën e përgjegjësisë së Brigadës së 37 të motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë, Fondi për të Drejtën Humanitare thekson që “analiza e dokumenteve të ushtrisë dhe policisë, deklaratat e dëshmitarëve dhe burimet e tjera, tregojnë fuqishëm që krimin e kanë kryer pjesëtarët e kësaj brigade dhe njësia e policisë, e cila deri më tash është e panjohur”.

Si u zhvendosën trupat nga vendi i krimit?

Në dosjen e Fondit për të Drejtën Humanitare thuhet që “pastrimi i terrenit” gjithashtu ka qenë nën kompetencën e Brigadës së 37 të motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë.

“Trupat e civilëve të pushkatuar mbetën në vendin e krimit. Një ditë më vonë, më 6 prill, ushtarët sërish erdhën në fshat dhe trupat e civilëve të vrarë i mbuluan me dhe”, thuhet në raportin e Fondit për të Drejtën Humanitare.

Në dokument, më tutje thuhet që trupat mbetën në Rezallë deri më 13 prill, kur ushtarët u kthyen në fshat, i zhvarrosën dhe i me kamion i dërguan në drejtim të panjohur.

Për krimin në këtë fshat dhe për heqjen e trupave të vrarë, raportoi edhe organizata ndërkombëtare joqeveritare Human Rights Watch, në vitin 2001.

Human Rights Watch theksoi se “është e mundur që forcat serbe kanë shpresuar që krimin ta paraqesin si rezultat të shkëmbimit të zjarrit ose zjarrit të rastësishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, por që dëshmitë e dy të mbijetuarve “nuk lanë vend për dyshim për shkaktarin e vërtetë të vdekjes së banorëve të Rezallës”.

Kjo organizatë ndërkombëtare shkruan, gjithashtu, që “tmerri në Rezallë nuk përfundoi me vrasje” dhe i transmeton dëshmitë e të mbijetuarve, të cilat tregojnë se trupat u zhvendosën nga varrezat e cekëta.

Kush ishte në krye të brigadës?

Në kohën e krimit në fshatin Rezallë, komandant i Brigadës së 37 të motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë ishte gjenerali, Lubisha Dikoviq.

Dikoviq u pensionua në vitin 2018, por paraprakisht për shtatë vjet ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë.

Pasi që ishte emëruar në këtë detyrë, Fondi për të Drejtën Humanitare, në janar të vitit 2012 kishte publikuar dosjen “Lubisha Dikoviq”, e cila më vonë bashkë me dosjen “Rudnica”, theksojnë që njësia, me të cilën ka komanduar ai, ka kryer krime të luftës mbi civilët shqiptarë në Kosovë.

“Urdhrat që i ka nënshkruar gjenerali Dikoviq për pastrimin e terrenit, tregojnë që Brigada e 37 e motorizuar ishte e obliguar për heqjen e trupave të shqiptarëve të Kosovës në zonën e saj të përgjegjësisë”, thuhet në dosje.

Akuzat kundër Lubisha Dikoviqit u refuzuan

Menjëherë pa publikimit të dosjes, reagoi Prokuroria për krime të luftës e Serbisë, e cila hodhi poshtë pretendimet e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe theksoi që “nuk ekziston kurrfarë baze për dyshim për përgjegjësi penale” të Dikoviqit.

Vet Dikoviq kishte ngritur padi ndaj drejtoreshës së atëhershme të Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq. Në emër të “shkeljes së reputacionit dhe të nderit” për shkak të publikimit të dosjes, më 2013, Dikoviq kërkoi nga Fondi për të Drejtën Humanitare dhe nga Natasha Kandiq që t’i paguanin atij një milion dinarë (rreth 8.5 mijë euro).

Tre vjet më vonë, në prill të vitit 2016, Gjykata e Parë Themelore në Beograd, vendosi në favor të Lubisha Dikoviqit. Fondi për të Drejtën Humanitare u urdhërua t’i paguante atij pak më shumë se gjysmën e shumës së kërkuar “sepse paraqitja e të pavërtetave, atij i shkaktoi dhembje shpirtërore”.

Pas zbulimit të varrezës masive në Rudnicë dhe publikimit të dosjes së re, Fondi për të Drejtën Humanitare, në fund të vitit 2015, ka ngritur padi të re kundër Dikoviqit.

Prokuroria për krime të luftës, më 13 nëntor të atij viti, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se kanë nisur procedurën hetimore, por “kundër personit NN, për vrasjen e civilëve që ishin të varrosur në varrezën masive në Rudnicë”.

Çfarë ka konfirmuar Gjykata e Hagës?

Provat për transferimin e kufomave nga Kosova në Serbi dhe varrosjen e tyre në varreza të fshehta u prezantuan në dy raste para Tribunalit të Hagës.

Gjykata e trajtoi operacionin e fshehjes së trupave si tregues i një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale në gjyqin e ish-zëvendëskryeministrit jugosllav, Nikolla Shainoviq dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të ushtrisë dhe policisë, si dhe në çështjen kundër ish-shefit të resorit të Sigurimit Publik të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Vllastimir Gjorgjeviq.

Në gjykimin e Shainoviqit dhe të tjerëve, në vitin 2007, dëshmoi edhe Lubisha Dikoviq, i cili ka thënë se në rajonin e Kosovës, për të cilin ishte përgjegjës si komandant i Brigadës së 37 të motorizuar, “asnjëherë nuk ka gjetur kurrfarë varrezash masive”.

“Edhe pse njësia e juaj ishte drejtpërdrejtë e angazhuar në atë zonë, askush nga Ushtria e Jugosllavisë nuk ju thirri për përgjegjësi për cilëndo prej këtyre operacioneve ose që të jepnit çfarëdo informate për varrezat masive të gjetura?”, e kishte pyetur Dikoviqin prokurorja April Carter, në dhjetor të vitit 2007.

“Besoni, nuk e di se për cilat varreza masive po flisni. Po e përsëris, nuk kam hasur në kurrfarë varrezash masive në atë rajon”, ishte përgjegjur atëherë Dikoviq.

Ndonëse në çështjen e Shainoviqit dhe të tjerëve, Prokuroria e Tribunalit të Hagës nuk arriti që të vërtetojë veprimin e mëtejmë të Brigadës së 37 të motorizuar me trupat në fshatin Rezallë, gjykata në vendimin e shkallës së parë konkludoi se “nuk ka dyshim që gjatë bombardimeve të NATO-s, në vitin 1999, është kryer operacioni i fshehtë i zhvarrosjes së mbi 700 trupave, të cilët fillimisht ishin varrosur në Kosovë, si dhe bartja e tyre në Serbi”.

Në vendimin e gjykatës gjithashtu theksohet që procesi i zhvarrosjes dhe zhvendosjes së trupave “ishte kryer me qëllim që të mbulohen pasojat e operacionit të përbashkët të ushtrisë dhe policisë”.

“Figurat kryesore të përfshira në organizimin e këtij operacioni të madh ishin ministri i atëherëshëm i Punëve të Brendshme, Vllajko Stojiljkoviq, presidenti i Republikës Federative të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq dhe shefi i resorit të Sigurimit Publik, Vllastimir Gjorgjeviq”, shkruhet në vendimin e shkallës së parë kundër Shainoviqit dhe të tjerëve, në vitin 2009.

Gjorgjeviq, i dënuari i vetëm për lëvizjen e trupave

Dhoma gjyqësore e Tribunalit të Hagës, në aktgjykimin ndaj Vllastimir Gjorgjeviqit, arrit në përfundim që në të gjitha nivelet e policisë dhe ushtrisë “ekzistonte komploti i heshtjes”.

Vendimi gjyqësor ndaj Gjorgjeviqit, me të cilin, më 2001, u dënua me 27 vjet burg për krime lufte në Kosovë, është gjithashtu i vetmi që e përfshin transferimin e trupave të shqiptarëve të vrarë të Kosovës në varre masive. Dënimi i tij, më vonë u zvogëlua në 18 vjet dhe ai po e vuan atë në një burg në Gjermani.

Me këtë vendim gjyqësor, përveç tjerash, është vërtetuar që Gjorgjeviq ka pasur rol udhëheqës “në përpjekjet që Ministria e Punëve të Brendshme të fshehë vrasjet e shqiptarëve të Kosovës”.

“Provat konfirmojnë që në javën e dytë të prillit të vitit 1999, të paktën gjashtë herë në periudhën prej disa javëve, kamionët me kufoma të shqiptarëve të Kosovës, të cilët i vranë forcat serbe në Kosovë, arrinin më 13 maj, para Qendrës së Njësisë speciale atiterroriste në Batajnicë, në afërsi të Beogradit”, thuhet në vendmin e gjykatës.

Gjithashtu shtohet që edhe dy transportime të tjera janë kryer në Qendrën e njësive të veçanta të policisë në Petrovo Selo dhe se edhe trupat e gjetur në liqenin e Peruqacit janë varrosur në varrezë masive jo larg nga aty.

“Dhoma ka konkluduar që transportimi i i trupave nga Kosova, për varrim të fshehtë në varreza masive, është zbatuar në përputhje me operacionin e koordinuar për të larguar provat e krimeve që kanë kryer forcat serbe mbi shqiptarët e Kosovës”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Hagës për Vllastimir Gjorgjeviqin.

Pa përgjegjësi para gjykatave në Serbi

Deri më sot, askush në Serbi nuk është përgjegjur për operacionin për fshehjen e trupave të shqiptarëve të Kosovës në varreza masive.

Për një gjë të tillë ka folur edhe Komiteti për punë të jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, duke reaguar më 18 nëntor, lidhur me gjetjen e trupave në lokacionin e ri “Kizhevak”.

Komiteti ka theksuar që për varrezat masive dhe fshehjen e krimeve askush nuk është përgjigjur në gjykatat në Serbi, ndërkaq që vetëm një zyrtar i Serbisë është përgjigjur para gjykatave ndërkombëtare.

“Ende janë duke u gjetur trupa të varrosur në Serbi, viktima të spastrimit etnik të (Sllobodan) Millosheviqit në Kosovë. Deri më sot, janë gjetur mbi 900 viktima shqiptare të Kosovës”, është shkruar në llogarinë zyrtare në Twitter të Komitetit amerikan, me një ndërlidhje për lajmin për zbulimin e mbetjeve mortore.

Cilët janë hapat e mëtejmë?

Puna në Kizhevak është larg nga përfundimi. Procesi është mjaft kompleks dhe afatgjatë. Që puna të mund të vazhdojë, nevojitet një urdhër i gjykatës, ka thënë më 20 nëntor, koordinatori për gërmime i EULEX-it, Krasimir Nikollov.

Gjykata e Lartë në Beograd, më 18 nëntor, ka sjellë urdhrin, me të cilin përcakton zhvarrosjen e një numri të paspecifikuar të kufomave në këtë lokacion.

Gjykata i ka thënë Radios Evropa e Lirë se policia është urdhëruar që të sigurojë në mënyrë adekuate lokacionin, ndërsa elementët e tjerë të rëndësishëm do të përcaktohen me një urdhër shtesë që do të lëshohet më vonë “duke pasur parasysh kushtet aktuale të motit, periudhën e vitit, si dhe mungesën e të dhënave të hollësishme”.

Pas urdhëresës nga gjykata, hapi i radhës është vazhdimi i gërmimeve dhe i nxjerrjes së mbetjeve mortore.

“Kur mbetjet të nxirren, do të kryhet obduksioni dhe do të merren mostrat e eshtrave për testimin e profileve të ADN-së. Në rastet kur të afërmit e personit të zhdukur kanë dhënë mostra referimi të gjakut dhe raporti i përputhjes së ADN-së është pozitiv, procesi i identifikimit përfundon. Pastaj familjet informohen për identifikimin dhe atyre u dorëzohen eshtrat e personave të zhdukur”, tha zyrtari i EULEX-it, Krasimir Nikollov.

Që nga fillimi i mandat të EULEX-it e deri më 19 nëntor 2020, misioni i BE-së ka kryer 662 operacione në terren për gjetjen e personave të pagjetur, përfshirë këtu 169 gërmime. Janë identifikuar mbetjet mortore të 457 personave, përfshirë 317 të pagjetur.

Më shumë 1.640 njerëz nga Kosova, shumica shqiptarë, ende konsiderohen si të pagjetur.

Vendet e varrezave masive, të pashënuara

Gati se dy dekada pas zbulimit të varrezave masive në Batajnicë, Petrovo Selo dhe te Liqeni i Peruqacit, si dhe shtatë vjet pas zhvarrimeve në Rudnicë, në ato vende nuk ekziston kurrfarë shenjimi, që do të tregonte se ato kanë fshehur krimet e ushtrisë dhe policisë serbe ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë.

Nisma e Fondit për të Drejtën Humanitare, që nga viti 2015, për formimin e Qendrës memoriale kushtuar viktimave të gjetura në varrezat masive në Batajnicë, deri më sot ka ngelur pa përgjigje.

Përgatiti: Bekim Bislimi

VIRUSI PYET PO KET A E DINI: KUSH I APROVONTE ARRESTIMET ? – Nga Fritz RADOVANI

Ishin disa dhoma t’ errta në të gjitha institucionet, shkollat, ndermarrjet e kooperativat bujqësore që nuk hynte kurr drita, madje as sot!..

Mbas vitit 1967 kur “ppsh” u fuqizue mbas fjalimit Everit, partia drejtoi të gjitha “levat e veta”, ku nenkuptohej sigurimi i shtetit e deri te kampet e të burgosunve, edhe gropat e të vdekunve nder burgje ose n’interrnim…

Dominonte një errsinë shumë e frikshme! Njëherë jam thirrë aty nga 1984 në një mbledhje ppsh së fabrikës së Pelhurave, ku sekretaria Lajde Zefi, mu shpif se “kishe hjellë tek kambët në dhomen e punës një foto të Everit…”, gja që nuk ishte e vertetë. Unë nuk e pranova akuzen, edhe pse ajo kambngulte. Në mbrojtjen time kje edhe drejtoresha Liri Ymeri, që tha: “Nuk e besoj se një gja e tillë asht ba nga Fritzi!”… Dhe unë dola nga ajo dhomë ku, rrezikohej jeta e cilitdo që i vente “synin” e saj ppsh…

Aty nga viti 1992, tue ecë tek Dugajt’ e Reja, në Shkoder, ndigjova një za që vinte nga mbrapa o Fritz, o Fritz! Ndalova dhe takova piktorin që ishte  lirue nga Spaçi, Gjovalin Saraçi, vite perpara kishte punue në Pelhura me emulacionin, dhe u dënue 10 vjetë burg… I dhashë doren dhe Ai nuk ma lëshoi, “të ndalova Fritz, me të kerkue të falun, se kur ishe në hetuesi, mu krijue pershtypja se e kam burgosjen prej teje!” Unë u çudita, po pse?!

Ai më shpjegoi: Pak ditë para se me dalë në gjyq, hetuesi më vuni para një leter me shumë firma të piktorëve dhe shkrimtarve të Shkodres, që në një mbledhje të Lidhjes Shkrimtarve dhe Artistave të Shkodres, kishin kerkue dënimin tim maksimal, per pikpamjet e mija fetare… Mungonte aty vetem firma yte! Aty më lindi dyshimi! Pyeta hetuesin: Po Fritzi pse nuk e ka firmen këtu? – Ai më tha: Ai asht monsra yte… Aty kuptova se edhe ti mund të perfundojshe ndonjë ditë atje tek unë… Në kohen kur unë ishe në Spaç, m’u hoq dyshimi, se edhe atje kerkonin me t’ akuzue!..”

E perqafova Gjovalinin dhe u ndame miq! Po, prej Tij mora vesht dhe aty kuptova se “Lidhja e Artistave të Shkodres”, kishte kerkue dënimin e Tij “maksimal”. Me të vertetë, ashtu u dënue me 10 vjetë burg per agjitacion e propagandë, një dënim që nuk perfitonte nga asnjë anmesti… 

 Kur u ktheva në dhomen e punës i tregova piktorit Tefë Palushi… Ai më pyeti: “Si asht e mujtun që këte e paska pa vetem ajo që s’punon këtu, dhe nga pesë vetë që jemi këtu asnjëni nuk e ka diskutue një gja të tillë..?!

Shkruhet e stershkruhet per burgosjet e pushkatimet e sa shkrimtarve e artistave nder të gjitha anët e Shqipnisë, per akuzat fallco dhe shpifjet e bame ndaj tyne… Shkruhet per qendresen ndaj torturave deri në nxjerrje të syve të ballit, tue kenë edhe të “PAFAJSHEM”, po asnjenit që shkruen per rrezikun e zi të fatit Tyne, nuk i shkon dora “as padashje”, me vue një prej atyne akuzuesve dhe shpifësve që Ju kanë marrë jeten, ose t’ pakten kohen ma të bukur të rinisë apo të krijimtarisë së Tyne!!

Të gjithë paperjashtim shka janë dënue mbas vitit 1966, janë dënue me “aprovimin e sekretarit ppsh” dhe firmat e hjelluna nder mbledhjet ku, pa asnjë kundershtim kanë aprovue dënimet e “shokve” të vet, deri në ma të randat akuza, tue kerkue edhe pushkatimin e deri tek varja e Tyne!

Pse kjo gjendje e pajustifikueshme me Dosjet e Sigurimit Shqiptar?

***

Deri kur kështu?

Deri kur shpifsit dhe vrasësit e djeshem dhe të sotshem, tue ba leksione e tue pergatitë fotokopjet e veta, madje edhe në Universitete Perëndimore?  

E vetmja gja e saktë që botohet sot asht: “Numri i fletve të zhdukuna nga Dosjet e Sigurimit të shtetit, per me mbulue krimet e asaj Dosje!”

Po kush i zhdukë ato fletë a dihet?!..

Nuk kam as ma të voglin dyshim:“Ata” që i mbushen edhe po i “shprazin” se, vetem ashtu u jepet mundsia me vazhdue edhe me sternipat e tyne me “mbushë” e “shprazë” jo vetem birucat e sigurimit, po dhe xhepat e tyne!

Ka thanë Rama: Pritni, pritni, …E se shka, duhet me pritë..?,

Ate e di vetem “Rilindja”!?..

            Melbourne, 23 nandor 2020.

LETËRKËMBIMI MUSTAFA KRUJA – MIFTAR SPAHIJA: Mbi rândsin’e punimit për formimin e nji gjuhe kombtare

 

Ramleh, 13.V.1953

I dashuni mik, Miftar Spahija.

Letrën t’uej me 27 të muejit të kaluem e kam marrë. Faleminderës shumë për tê.

Pjesa e parë, gjithë afsh atdhedashunije e drejtmendimi më ka mallëngjyem. S’âsht e para herë qi këndoj shkrime të këtilla prej Jush: nji raport të gjatë qi i keni pasë dërguem dikur prej Greqije Kol. Hysejn Selmanit e ruej un n’arkivën t’eme. Çëmimi qi kam pasun për jue në Shqipní më ka dalë krejt i ligjuem.

Por un, ksi shtegu nemose, këtu due me u marrë vetëm me punën e gjuhës. Qysh’i ri, në gjithë jetën t’eme kam ndiem nji shijë të veçantë në studimin e ksaj. Âsht kjo, gjuh’e jonë, qi më ka shtŷmë me këndue edhe shumë vepra gjuhsije të përgjithëshme e me nxânë gjuhë të hueja, jo aqë nga pikpamja praktike sa nga ajo e gramatikës, me gjithë qi në jetë val meglio la pratica che la grammatica thotë Italiani.

Tue mos pasun nji tribunë për të rrahun probleme shkencore, gjuhe e historije si na përkasin sidomos, ashtu si Juve i kam qênë lutun edhe tjetërkujt qi t’a shqyrtonte me kujdes “Abetarin” t’em e të më kumtonte përfundimet kritike të tija, qi do t’i pritsha me gzim. Deri tash, Ju jeni i pari qi e keni bâmë këtë shërbim, madje më pëlqen me thânë, qi e keni filluem. Kam folë mjaft n’atë vepër të vogël mbi rândsin’e punimit për formimin e nji gjuhe kombtare, e me gjithë këtê më duket sikur s’kam thânë kurrgjâ, aq’e madhe âsht bâmë kjo nevojë në shpirtin t’em. Por s’po e ngjas këtë bisedë, se me Jue s’ka vênd.

Po u përgjigjem nji nga nji gjithë kritikave të jueja. Kudo qi kam me qênë i zoti me Ju a mbushun mênden keni me më ndjekun e me m’u bâmë dishepull propagandist i idesë: ke mos t’ia mbërrîj dot ksaj, kundrështomni edhe nji herë e për të tretën, po s’mundëm me u marrë vesht, po qëndrojmë përkohsisht secili në tezën e vet. Përkohsisht, sepse edhe koha shkon tue bâmë e lânë gjurmat e saj e tjerë edhe kanë me folë ndoshta.

  1. Zvëndsuem. Kjo neologjizëm (qi s’âsht e imja) ka filluem me formën g. zâvêndsuem e t. zëvëndësuar. E kam lodhun mênden me i gjetun motra në gjuhë të popullit (fjalë të përngjituna me veten e parë njâjse të së tashmes së verbit e nji emën) për t’u bindun pikë së pari nëse âsht nji neologjizëm në rregull. Kam gjetun vetëm nji: me bzâmë=bzâjtun (bâj+zâ). Populli, pra, s’ka thânë e nuk thotë bâ(j)-zâj, por bëzâj, bzâj, krejt rregullisht për shkak të theksimit” çdo fjalë shqipe, e thjeshtë ase e përngjitun, ka vetëm nji theksim (gjerm. Betonung, fr. accent tonique); e ndër të përngjitunat theksohet pjes’e dytë, jo e para, e cila e humb theksimin e vet për tjetrën; a-ja e patheksueme kthehet mbandej në ë e kjo në gegnishtet fluturon krejt po pat mundsí fonetike si te bëz– e zëv-. (V. AM, f. 36, pf.37). Sa për kuptimin e rrânjës së z-së, s-së e sh-së si parashtesë, nuk âsht gjithmonë mohues: kr.zverdhun, skuqun, shpërdamë.
  2. Rregull: ë-ja e rrokes së fundit zhduket (e duhet zhdukun pa mëshrirë) kudo qi t’i ngjitet mbrapa nji shtesë (mbrapashtesë) apo nji fjalë tjetër, me përjashtim të disa rasave të rralla për eufoní. Pra fjalvet e jo fjalëvet. Kështu e lyp shqiptim’i popullit të Gegnisë e fonetika racjonale e gegnishtes. Por âsht mirë të shkruejmë, p.sh., Slavëvet ase, në këtë rasë të lakimit, edhe mâ mirë Slavet (si miqet, et.).
  3. “Fund, e jo funt”. S’ka dyshim. Ndër shkrimet e mija s’keni për t’a gjetun kurrë funt atje ku duhet Këndoni AM, f.52, VII. Funt âsht rasa lokative e shqueme, e cila sod, sidomos në shkrim, gati ka humbun krejt ase âsht njimenduem me akuzativen. Funt (në funt) pra âsht për fundt. Këtu d-ja nuk ndihet e un, për t’i a përshtatun fonetikës, e kam shlyem fare, sikur edhe te shums’i fjalës (emnit) prind qi e shkruej print për prindt, kur nuk ndjeki formën tjetër prind-ën, prindnit. Me gjithë këtê, mbasi lokativja e jonë ka marrë teposhten e nji ditë s’ka për të mbetun mâ kurrgjâ prej saj, posë në ndonji proverb e ligjresë arkaike, edhe un jam gati t’a lëshoj doret. Tekembramja as nuk e përdor gjithkund. Sa për nd, t : normalisht âsht t-ja qi bâhet nd për shkak të n-së, mâ të shumtën parazite, qi i ngjitet; po nga nji herë gján edhe e kundërta e në Malsí të Madhe gati rëndom. I njâjti fenomen ndodh edhe për mb, p.
  4. Theksi âsht nji shênj djakritik, i cili ka nj’atë vlerë qi kanë pamë me udhë me i dhânë për gjuhën e tyne kompetentat e çdo populli. Shqipja ka zânore a tinguj të shkurtën, mesatarë e të gjatë. Në fasën ortografike të sodshme vetëm për tingullin e gjatë përdorim nji thekës (´), edhe këtê vetëm në disa rasa ende të pacaktueme përgjithsisht e vetëm na Gegët. N’orthografinë t’eme do t’a gjêni vetëm mbi zânore të gjata mbarimtare te emnat dhe te person’e tretë njâ se e së tashmes si gján, lén, et. Këtu, veç, e bâj sall (soll, coll) për me i ikun nji ngatrrimi me personën III shumse t’aoristit: ata gjanë, lenë, se ndryshe edhe këtu kisha me përdorë në vênd të theksit ë-në. Kjo shkrolë, qi un në veprën t’eme i a hoqa edhe kët’emën qi s’e meriton, dhe e nxora fare prej abecesë s’onë (v.f.31, pg.28), për Gegën s’âsht veçse shênj’i nji zâni të mbytun, i cili hŷn e dán dý bashkzânore qi s’kanë mundsí me u shqiptuem bashkë në nji rroke pa tê (v.f.31-36, pg. 29-36); dhe zyr’e dytë e ksaj shkrole-shênj âsht me zvëndsue theksin e zgjatimit të rrokes së fundit, fonetikisht, tue e bâmë atê të parafundët në shkrim. Vêni ró: ar-i (aar-i), arë, -ra (aar-a). Asnji ndryshim fonetik s’ka ndërmjet këtyne dý fjalve, janë thjesht homonime, të njizâshme. Shkruejmë arë veç për t’a dalluem njânin emën nga tjetri e për të shënuem se ara e ka a-në të gjatë dhe gjininë femnore. (Do t’a them mâ poshtë se pse s’don shênj a-ja e gjatë e arit). E kështu vapë, pemë, bimë, lopë, ksulë, rrymë etj. Në vênd qi me shkruem váp, pém, et.et. Kështu qi, pra, ë-ja s’tregon nji tingull mesatar, por vetëm të gjatë njipërnji si theksi. Dikur ka qênë shkruem edhe Shqipnië et. Luigj Gurakuqi, un edhe tjerë e kemi përdorë kët’ortografí. Por mâ vonë ë-ja mbas nji zânorje na u duk si antiestetike e e zvëndsuem me këtë rasë me theksin qi përdorim sod. Tue qênë pra kjo, vler’e ë-së tek emnat (se për zgjedhimin e verbevet s’po flasim këtu), me shkruem Shqipnís, Shqipnín apo -nisë, -ninë âsht krejt nji. Kështu ka pasë vëndosun edhe Instituti i Studimevet Shqiptare. Po bâj këtu poshtë një lakim të plotë si shêmbull për sa kemi në gojë:

nom.             (nji) kalá                    – kalaja

gjen.  (roj’e nji) kalaje         – kalás-kalasë

dat.   (i bie nji) kalaje         –    ”         “

akus. (marr nji)                   – kalán = kalanë

vok.   (ó) kalá                       – (ó) kalaja (e Shkodrës!)

lok.    (në nji) kalá               – kalá (t) = kala (të)

abl.    (prej nji) kalaje (t)    – kalás = kalasë

bé – beja                                          dhí                  – dhija

beje – bés=besë                              dhije               – dhís=dhisë

“        “          “                                  “                      –     “         “

bé      – bén=benë                            dhí                  – dhín=dhinë

“        – (ó) beja (e madhe!)                       “                      – dhija e …

“        – bé (t) = be(të)                     “                      – dhí(t)=dhi(të)

beje(t)- bés=besë                           dhije(t)           – dhís=dhisë

dró                – droja                        drú                  druja

droje             –  drós=drosë            druje               drús = drusë

“                    –    “           “                  “                     “            “

dró                            –  drón = dronë         drú                  drún = drunë

“                    –  droja e …                   “                   druja e…

“                    –  dró(t) = dro(të)        “                    drú(t) = dru(të)

droje(t)         –  drós – drosë                                              druje(t)           drús = drusë

 

ný      –  nyja

nyje   –  nýs = nysë

“        –    “           “

ný      – nýn = nynë

“        – nyja gordjane!

“        –  ný(t) = ny (të)

nyje(t)-  nýs = nysë

 

Nuk po  zgjatem mâ edhe me shumsin e këtyne shêmbujve, mbasi me kaqë duket fare kthiellët barasij’e theksit të zgjatimit me ë-në në lakimin e mnavet. E qëllim’i ksaj paragrafe ky ishte. Drú don me thânë atê qi djegim në zjarm edhe dajakun, e âsht femnore, druja, si u pa. Shqiptim’i saj âsht me hundë, drû-ja. Por âsht mirë me e shkruem kështu, mbas fonetikës jugore për unjisimin orthografik dhe për t’a dalluem nga drû-ni, mashkulluer qi don me thânë legno e albero.

Tash edhe pak fjalë për me ligjuem përdorimin e ë-së në vênd të theksit në rasën qi u tfillue këtu. Deri në hartimin e Abetarit të të Mërguemit kam përdorë gjithmonë theksin, ashtu si thoni Ju. Por tue shkruem këtë libër e tue pasun para sŷshë qëllimin e naltë të ksaj vepre qi âsht ai i nji gjuhe, pra edhe i nji orthografije, kombtare arsyetova kështu: Toska s’e ka zânin e gjatë, por ka ë-në, qi e shqipton; Gega s’e shqipton ë-në veçse atje ku i a nxier prej goje natyr’e disa bashkzânoreve qi s’mund të shqiptohen bashkë pa tê; por edhe Gega e ka pranuem ë-në për shênj zgjatimi te emnat femnorë qi në shqiptim mbarojnë me bashkzânore (v. mâ nalt lopë et.). atbotë ç’humbas un Gega tue shkruem kalasë sikur shkruej rasë, vrasë, et., fesë sikur shkruej besë, shkresë, et., flisë sikur unjisija orthografike e shqipes fiton shumë.

  1. Der(i). E-ja këtu pa dyshim âsht e gjatë (un ndër të gjatat, për efektet orthografike, shtij edhe mesataret). Por për këtë do të flas në nji tjetër paragrafë. Këtu po kufizohem vetëm në formën e fjalës. Kemi ndër djalekte të ndryshme: der, deri, gjer, gjera, ngjer, njer etj. Un përdor zakonisht deri, por nga nji herë, kur m’a lyp rythmi i frasës e kur fjala qi e ndjek fillon me zânore përdor edhe
  2. Numri nji në Shqipní të Mesme s’lakohet e as ndër krahinat e  tjera jo unjí. Mb’anë tjetër s’kam mundun me e tfilluem arsyen e lakimit. Prandej kam mbajtun formën e djalektit t’em. Ndoshta nji ditë kam me e zbuluem kët’arsye a dikush ka me m’a mbushun mênden apo nji organ kompetent ka për të dhânë nji vëndim për lakim në tri rasat qi thoni.
  3. Kurrkund s’mbretnon nji khaos mâ i madh në morfologjin’e shqipes se te shums’i emnavet. Atê të degës, Shqipnij’e Mesme e bân dega edhe Krist. kështu e ka. I lumtë atij qi do të mundet me e dishiplinuem këtë çeshtje ndër disa rregulla të pështetuna mbi gojën e popullit!
  4. Rregull. Rrokja e mbyllun me r âsht e gjatë, pa asnji përjashtim. Prandej s’ka aspak nevojë qi ajo rroke të shënohet me thekës ase me ë. Burrë qoftë ai qi të mundet me gjetun në shqipet një fjalë të mbarueme me r ku zânorja qi i prîn të jetë e shkurtën[1]. Deri fjalën e huej sheqer Elbasani e ka bâmë sheqee Mbasi na theksit i apim vetëm vlerën e zgjatimit të rrokes, atje ku kjo s’ka nevojë për tê, le të rrijë në shtëpí e mos të vijë me na qitun punë në shkrim. Pra, f.v.:ar-i, ber-i (shëgjeta), ter-i (mëzati qi dëbon lopët), bir-i, etj.
  5. a) Te i pashkollë, i pafat, i pafé, i pazot et.et., pranoni pa frikë thesën t’eme e shkruenji bashkë, se nuk pendoheni. Këtu pa-ja bâhet parashtesë si in-i i latinishtes. Bân nji adjektiv të palakueshëm. b) Kur âsht nji fjalë e me këtë formë të vetme me të gjitha kuptimet qi ka, dhe s’ka kurë e kur shqipja: kr. quando. c) I pashkollë et., si thashë, âsht nji adjektiv i palakueshëm, dmth., për mos me u marrë vesht keq, mban të njâjtën formë në të dý gjinitë: i pafat, e pafat; gjithashtu në të dy numrat: djelm të pafat, vajza të pafat. Adjektivi substantivohet në çdo gjuhë.
  6. pg.8.
  7. Lypet e lypset janë dý verbe a, po deshe, dy verba) me kuptime të ndryshme, ndonse prej nji rrânje. I dyti, qi s’ka formë kalimtare (transitive) âsht synonym me duhet e s’ka tjetër kuptim. Në parathânën e Abetarit kam thânë se fjalët qi i apin gjuhës nji pasuní kuptimesh nuk do të quhen djalektore.
  8. Âsht tepër pak me thânë: “Kaq, aq e jo kaqë, aqë, për arsye zâni. “Për arsye të cilit zâ? Kemi ndër djalektet e ndryshme: aq, aqë, aqe, aqâ, aqi, të vërtetueme edhe prej fjalorve të botuem deri sod (Bardhi, Krist., Mann-i). Të kishim nji shumicë të dukshme për nji a nji tjetër formë prej këtyne do të pranojshim pa fjalë atë. Por këtë s’mund t’a provojë askush, besoj. Prandej un kam zgjedhun për gjuhën letrare nji formë mesatare: aqë, me gjithë qi Shqipnij’e Mesme thotë aqi. Form’e ime âsht ajo qi i afrohet mâ tepër Shqipnisë s’Epër, qi i ka premë e qitun tej të gjithë bishtat, dhe ka me vete edhe të tânë Jugën.
  9. Un, bashkë me gjithë shumicën dërmuese të shkrimtarve të sodshëm, shkruejmë tij, këtij, atij e as Ju mos u dani. Do t’ishte nji gjâ krejt absurde me shkruem tíj: nji pse j-ja në mbarim fonetikisht bân deri diku edhe zyrën e i-së, pra janë, si me thânë dý i-ja. Prap nji absurditet do t’ishte tijë (ti-jë), pse antifonetike dhe pa bazë etymologjike.
  10. Kemi diç, diça, diçaf, diçka, dishka: mâ të drejta dý të parat: diç më tha = më tha diça në vesh. V.pg.12. Kur s’mund të gjêjmë nji shumicë populli për nji formë i sillemi etymologjisë, ase atyne djalekteve qi kanë mâ shumë vepra të shkrueme, me fjalë tjera përdorimit mâ të gjânit të deritashëm.
  11. Personën e tretë njâjse të së tashmes Shqipnij’e Mesme dhe Juga e kanë të shkurtë(n), pra thonë mbyll e jo mbyllë. Me gjithë këtê, t’a mundë njâna tjetrën. Dyshare (doppioni, doublet, dubletten) gjinden deri te gjuhët qi kanë nji jetë letrare shumshekullore.
  12. Keni të drejtë për pa tjetër; por drue se ka hŷmë e âsht përhapun aqë shumë ndër ne intelektualët – deri ke un mâ! – qi drue se s’do të mund e nxjerrim. E pra shqipja e ka të veten: pa fjalë, s’ka fjalë.
  13. Kemi verbe me diftong -ie- e kemi edhe me -je-. Të gjitha ato qi keni cituem Ju si shêmbuj janë me -je- e jo me -ie-. Argument’i Juej me aoristin -o- provon shi këtê e jo diftongun: kr. dredhun, qi ka vetëm e e me gjithë këtê e bân aoristin drodha, ndërsa ndiem e bân ndieva (ndiva, ndjeva). Kujtoj se -je- vjen prej nji rrânje -e-: kr. pjekun me slav- peći, në shqipet mes e mjes (mesditë, mjesditë) dhe e-në e sërbishtes, me -je- në hërvatishtet.
  14. pg.7
  15. a)V.pg.13; b)mal, lis, burg s’do t’i queni të cungueme, por të shkurta. Parola tronca duhet të jetë mâ se njirrokse, me theksim mbi të fundmen.
  16. Fjalët e hueja do t’i marrim me grafinë rrânjore e shqiptimin t’i a përshtasim fonetikës s’onë, siç kanë bâmë edhe gjuhët tjera mâ e shumta. P.sh., sympathí si e ka gjuha nânë, qi âsht greqishtja e vjetër, mbasi shqipja e ka y-në edhe th-në, dhe jo prej italishtes qi s’ka asnjânën e prandej e ka bâmë simpatia. Kështu edhe fasë, krisë, prosë. Por disa, mjerisht, kanë hŷmë të ndryshueme mbas shqiptimit të gjuhës mâ të vonë nga e cila intelektualët t’anë kanë marrë mësimet e tyne.
  17. “Turqët, njerzët, peshqët, pse në shumës të pacaktuem thomi shum turq, shumë njerz, shum peshq e jo shum njerzi, Turqi, peshqi”. Por as Tyrqë, jo; shums’i pashquem âsht Tyrq et. i-ja ase ë-ja qi hŷn ndërmjet âsht thjesht eufonike. Ndër ne i futet i-ja prej gojës së popullit. E Ju a dijni ndonji vênd në Gegní, ku thuhet turqët et? Ndoshta turqt et., po. Rregull: Mbas nji rrokje të shkurtën gegnishtja s’pranon kurrë ë veçse në rasë kakofonije. Këtu po shtoj edhe diça jashta themës. Shqiptarët e nxûnë emnin e Tyrqet prej fqîje të tyne, të cilët asnji s’e kishin tingullin y prandej u thojshin Turq, me u. Ky emën kombtar u bâ mbasandej ndër ne emën fetar. Un pretendoj me kâmbëngulje qi të thomi e të shkruejmë Tyrq siç thonë edhe vetë të zott e emnit dhe gjithë popujt e botës qi kanëzânin y. Fjalën turk, kështu me t të vogël si po e shkrueni Ju, t’i a lâmë popullit me kuptimin fetar, deri qi gjuha letrare, tue përdorë fjalën mysliman, t’a ketë përzânë edhe prej gojës së tij. – Mbë tjetër anë, Shqipnij’e Mesme, Tosknija dhe tymologjija e duen fjalën shumë kështu me formë të gjatë.
  18. Jo, lum miku, kurrë shqiptár me thekës! V. Pg.8. Edhe te shumsi ë-ja mbarimtare âsht thjesht konvencjonale, pa asnji zyrë fonetike.
  19. Fjalët mërg- janë “bastarde” të rrânjës emigr– aqë sa të gjitha fjalët tjera të gjuhës s’onë qi vijnë prej gjuhësh të hueja e qi përbâjnë të tânë thesarin e fjalorit përveç nji përqindjeje fare të vogël!
  20. pg.8
  21. Edhe un deri dje sŷt kam shkruem. Por e kujtova tekembramja qi kam bâmë një gabim fonetik dhe e ndreqa. Shênj’i shumsit të shquem âsht t kur s’i prîn nji zânore e gjatë, e kur i prîn nji zânore e këtilë bâhet –të. Kështu e don fonetika.
  22. pg.8. Nuk e marr vesht se pse Ju shkrueni njêsë. Âsht njâjs ase njêjs. S’e kam krijuem un këtë neologjizëm, por e kam pranuem, me gjithë qi kishte mujtun të gjindej nji fjalë mâ e mirë.
  23. Mirosun âsht shqip gjithë ditën, shqipe e popullit e jo neologjizëm shkrimtarësh si mirsuem (jo mirësuem, të paça; v.pg.2).
  24. Shporrnju, Ju lutem, “bashkatdheas”-it e mbani atê qi tashmâ âsht pranuem prej të gjithve: bashkatdhetar. Asnji fjalë shqip s’ka me -ea-, hiq nji skânj të vogël të Jugës. Atdhetar s’më pëlqen fare, por mund të zvëndsohet me atdhedashës, për kê s’don me përdorë fjalën e huej patrijot. E për patrijotizëm atdhedashuní.
  25. “Fëmí e jo fëmijë‘, thoni Ju. Edhe un po Ju a kthej: fëmijë e jo fëmí. Po kështu bijë, ijë etj. Âsht e vërtetë se Gega i shqipton fëmí, bí, í et. Por nuk mund t’i dënojmë Toskët se pse i kanë ruejtun rrânjët e fjalvet, dmth., trashigimin e të parvet mâ mirë se na. Nji pjesë e Jugës thotë ende sod fëmilë, bilë, ilë et. Por âsht pakicë. Rregull: Kur Juga e Veriu dahen në dý forma të ndryshme të nji fjale, gjuha letrare duhet të përdorë atë qi ka me vete të drejtën etymologjike.
  26. E tashmja e diftimores gjêj, e lidhores (konjunktive) të gjêjë. Kështu e kam përdorë un deri tash e jam tue e përdorë. Mundet qi, mbas nji studimi të thellë e të plotë të zgjedhimit të gjithë klasave të verbeve t’ona, të ndërroj mendim. Për tashti nji herë po qëndroj aty ku jam. Nji studim i tillë s’mund të bâhej në nji abetar si ai qi botova, ku do të keni vûmë ró se as shumsat e emnavet s’i kam shënuem në fjalorthin e tij, për të njâjtin shkak se s’kisha kohë me bâmë një studim të gjatë mbi tê. Siç e kuptoni fare mirë, janë dy kapitujt mâ të koklavitunit të gramatikës s’onë.
  27. pg. 4. Ndër shêmbujt qi keni prûmë në këtë parragrafë, keni vûmë gabimisht edhe shé për femnuer, kurse âsht she-u, mashkulluer. Tjetër gjâ, në qoftë se Luma e ka për emën femnuer.
  28. Skânj edhe un si Bogdani e Kristoforidhi; gjithashtu shênj, shênjt et. Âsht orthografí etymologjike qi vetëm Juga e ka ruejtun. Prandej nuk jam as kundra formavet thjesht gegnishte skâj, shêj, shêjt et. Shkruej zonjë, si e shqipton gjithë Juga, sepse edhe Shqipnij’e Mesme e shqipton hundore zôjë. Argumenti etymologjik i juej mund të jetë i drejtë e, sido qi të jetë, edhe këtu s’jam kundra formës së Veriut. Si po e shihni, diku po e gjetka nji vênd edhe n-ja, e Krist. e vërteton tue e regjistruem vetëm me formën zonjë e Mann-i zonjë e zôjë; Bardhi, Gegë prej Zadrime zonjë.
  29. Sall, soll, coll: âsht nji gegnishte e vjetër, ardhun prej lat. solus dhe e njohun, në mos u gabofsha, ndër të tâna krahinat prej Sh.së Mesme deri në Kosovë. Më vjen keq qi âsht harruem tepër deri sod prej shkrimtarvet gegë. Nëse duhet t’a qërojmë shqipen prej fjalësh latine nuk dij se ç’jet në tê.
  30. pg.8.
  31. pg.2.
  32. Shqiptohet, ndër djalektet e ndryshme, aj,aì,aỳ. Dý të fundit kanë me vete edhe etimologjinë. Theksat, qi s’i përdorim në shqipet, i vûna këtu vetëm për lehtsí spjegimi të shqiptimit. Kr. ai, ki dhe ay, ky.
  33. Njimênd në nëndjalektin e epër të gegnishtes thuhet si për të tashmen ashtu edhe të kaluemen (këtê për veten III njâjs) theri, ndezi etj.; por na të nëndjalektit të mesëm e të poshtër e Toskët mbarë thomi: un ther, ndez etj. e ai theri, ndezi et. (në të kaluemen). Po Ju a përsris edhe nji herë parimin t’em: kur bashkohet nji pjesë e Gegnisë me Toskninë (ase anasjelltas) në nji formë, un përdor (jo përdori) atê.
  34. pg.4. E njoh shumë mirë rândsinë qi ka kuantiteti (quantità, quantité, quantität) jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhsí përgjithsisht e sidomos për metrikën greko-latine.
  35. Keni të drejtë: âsht gjithmonë mâ mirë me përdorë nji fjalë të vjetër, qoftë edhe me rrânjë të huej si shkroja (në Kurbî të Krujës shkrola), prej rrânje latine, se nji qi âsht marrë prej nji gjuhe të re së voni, si gërma qi na vjen prej greqishtes moderne. Por nga nji herë e pohoj se rrëmbehen prej nji ânde të fortë qi kam për me ndërruem sinonyme në shkrim, mos me përsritun gjithmonë po nji fjalë.
  36. Ah, jo! Nuk mund të shkelim rregulla fonetike qi na ka caktuem goj’e popullit t’onë unjí, pa dallim djalektesh as nëndjalektesh. V.am, f.36, pg.37, madje edhe ff.34-35, pgg. 34-36. Ju lumtë për krijimin e fjalës shfisnuem qi kam nisun t’a përdorë menjiherë.
  37. Krejt e vërtetë. Por s’keni shënuem se në lidhje me ça po m’a përmêndni këtë rregull t’a-së eufonike te fjalët e përngjituna.
  38. Mbassi âsht gabim, sepse fonetika shqipe s’qas bashkazânore të dymsta. Duhet pra mbasi a mbas si a mbas qi (ka, mjerisht, edhe asish qi thonë mbasi qi). Të tâna fjalët e përngjituna qi keni sjellë për shêmbuj në këtë paragrafë mund të shkojnë -e të shumtën ashtu i shkruej edhe un – përveç njije: nëqoftëse. Këtê mos e bâni.
  39. Etimologjij’e Drînit te ndrŷj (prej emnit drŷ-ni) âsht fantazí.
  40. Përkundrazi, hiq rhotaqizmën (këmbimin e n-së me r) dhe ndërrimin e â-së me ê, tosknishtja i ka ruejtun format e vjetra shumë mâ mirë se gegnishtja. Për t’a besuem, mjafton me kënduem tekstet mâ të vjetrat të gegnishtes. “Gegë e Toskë duhet t’afrohen kah Elbasani për me gjetë nji gjuhë t’âmbël e të përbashkët” thoni. Ju lumtë. Edhe un n’atë rrugë mundohem me i shërbyem gjuhës s’onë kombtare. Por në shumë rasa të këtyne kritikave t’Ueja Ju jeni në kundërshtim shi me këtë parim. Gabim i madh, pa dyshim, qi qeverija komuniste e Tiranës po kërkon t’u imponojë dý të tretave të popullit shqiptar djalektin e nji të trete. Sikurse gjithashtu gabim kanë bâmë arsimtarët shqiptarë të Jugoslavisë tue vëndosun në kuvêndin gjuhsuer të vjetshëm në Prishtinë me e ignoruem kryekëput tosknishten.
  41. Jo, “mâ rrafsh e mâ âmbël” âsht me shkruem gjuh’e Shqiptarvet, lum’i Mates (jo Matit) et. sikurse i ka bâmë vetë goj’e popullit. Un tash vonë e kam nisun këtë formë t’apostrofueme. Mbaj formën e plotë vetëm kur më rrëshqet dora për shkak zakoni të vjetër dhe kur due me i dhânë shprehjes nji tingull emfatik. Me gjithë këtê, kurrë nuk them se âsht gabim me shkruem pa apostrof a shlyes, si e kam quejtun n’Abetarin t’em.
  42. Keni të drejtë për báj. Por un, kur s’më shkakton keqkuptim a ngatrrim me ndonji fjalë tjetër, mundohem me e kursyem theksin, sidomos te fjalët njirrokse. Theksi më duket antiestetik në shkrim.
  43. pg.2.
  44. I a dha na i tregon të dy premnat veçveç për bukurí, por âsht antifonetike, ndërsa ja dha âsht krejt ashtu si shqiptohet. Prandej në këndimet e Abetarit, qi do t’i këndojnë njomet, m’u duk mâ drejt me përdorë këtë formën e dytë qi atyne va ndien veshi pajadamë, kurse ndryshe përdor gjithmonë të parën. Të dyja i quej të drejta.
  45. pg.7.
  46. Edhe në Krujë dhântí. Por prej fjalorvet (Bardhi, Krist., Meyer, Bashkimi, Busetti, Mann) duket se forma dhuntí (kujtoj nga lat. donatio) âsht mâ e drejtë. Ndoshta trajta dhântí ka me qênë nji prodhim i nj’asaj përfytyrese (imagjinate) të pakujtueshme (incosciente) të popullit qi gjuhsija e quen etymologjí popullore, për shkak t’afrisë semantike me fjalën dhânë, mû nj’ashtu si keni kujtuem edhe Ju.
  47. Këmbyem e gënjyem janë për faqe të bardhë, të dyja fjalë shqipe, e para nga lat. e mesme cambiare dhe e dyta nga lat.e vonë gannare.
  48. Prendverë, sepse kështu e thotë populli e jo pranverë e aqë mâ pak pranëverë siç u pëlqen etimologjistavet diletanta të Shqiptarisë. Përbâhet prej dý fjalvet prend e verë dhe rrjedh nga lat. primus dhe ver. Ju kujtoj se edhe emni veçuer Primus (it. Primo) ndër katholiqt t’anë âsht bâmë Prend.
  49. Zêmër, zëmrak, zëmrohem; vênd, vëndoj a vëndos; kuvênd, kuvëndoj et. Shkaku i këtij ndryshimi âsht theksimi (accento tonico, betonung) qi ndërron vênd.
  50. pg.1.
  51. E Ju me se kishi me e dhânë kuptimin e verbit it. compilare mbasi s’Ju pëlqyeka përpiluem. S’âsht e imja kjo neologjizëm, por âsht mjaft e moçme e e përdoun; edhe un e kam pëlqyem dhe përdorë e s’e kam lodhun mênden me gjetun nji mâ të mirë. Farkuesit të saj sigurisht do t’i ketë votun mêndja te pila e ndoshta ka kujtuem se kjo fjalë e jonë ka ndonji farë lidhnije me verbin e latinishtes Do të kishte bâmë sigurisht mâ mirë sikur të kishte përkthyem shqip edhe parashtesën com- (con, cum) me bashk- e jo me për-.

Shënim 1: Te pg.49 flitni mbi fjalën lumjane tedel. Me këtë fjalë të re për mue qi s’e kam njohun deri tash, po m’epni rasë me e lodhun pak mênden rreth fjalës së huej origjinë qi kam përdorë gati gjithmonë, ashtu pa menduem, per legge d’inerzia. Origjina ka kuptime të ndryshme, e, tue marrë shkak prej nxitjes s’Uej, po më thotë mêndja qi për secilin mundemi me gjetun nji fjalë shqip. Po provohem pra. Fjalë të vjetra nji herë: tedelit po i shtojmë sinonymet gurrë, âmë (populli këtê e ka bâmë edhe tâmë sikur ka bâmë atën tatë), filli, fillim, fillesë, nga  verbi bunoj, bunesë, bunim (zvëndsuem shpesh herë prej t.burim). Profesorët t’anë na kanë shpifun edhe të përngjitunën zânafill. Tash po çelim nji Larousse e po këndojmë kuptimet e fjalës originë. “principe, commencement”, shqip: krye (disa duen me thânë se në krye bota ishte nji lâmsh i zjartë); fill (si zûni fill bota?); fillesë (emnat verborë me –im kanë mâ tepër kuptim veprimi, si me thânë: fillimi = të filluemit, bunimi = të bunuemit) (fillesa qe e vogël, por fjalë në fjalë puna erdhi tue u rritun deri qi mbaroi me gjak); “etymologie”, shqip etymologjí (si fjalë shkencore), por edhe rrânjë; “extraction d’une personne, d’un nation”, shqip farë, skotë, rrânjë, derë (nga sl. rod e nga tyrq. soj) me shkallzime kuptimesh qi s’po zgjatem me i tfilluem; “provenance”, shqip tedel. Të kapim tashti Larousse-in e sinonymevet. Ky i vên afër fjalës s’onë edhe “source”, shqip gurrë, âmë, bunesë, tedel; “germe”, shqip bërthamë; “racine”, shqip rrânjë; “naissance”, shqip lemë (kr.bîmë, nga verbi me lemë, lemëz, nga nji trajtë mâ e vjetër lehmë-z, prej verbit me lehun): neologjizëm qi po krijoj un tash për t’a shpëtuem gjuhën nga nji artikull mâ tepër te fjala të lemë me gjiní asnjanse qi ka marrë kamot udhën e dekës; “début’, shqip fillim, fillesë, krye. Edhe te Palazzi gjêjmë këto synonyme tjera: “capo”, krye; “derivazione’, rrjedhë, tedel; “discendenza” (v.mâ nalt extraction…); “fondamento”, themel; “genesi”, lemë (harrova të shtoj mâ nalt për të lemë se ky emën asnjanës, si të gjithë vllaznit e tij, ka kuptim veprimuer); “stirpe, ceppo”, (v. extraction…).

Shënim 2. Un s’po i bâj kritika shkrimit t’Uej. Mjafton lând’e Abetarit për send bisedimesh gjuhsore ndërmjet nesh. S’po rrij, veç, pa Ju bâmë nji vró të vogël për nji fjalë: kemi eysh=si e qyshë (shqiptuem qyysh) me kuptimin it. da, fr. de, depuis¸ gjerm. von, angl. from, since: qysh prej…, qyshë në… (për kohë). Këtê të dytën, kam pamë se Ju e shkrueni të shkurtën si të parën. Trajt’e ksaj fjale ka evolvuem ndër djalekte të ndryshme: qy, që, çy, çë, ç’.

Me Zin Ago Agaj, qi po Ju sjell këtë letër, jam tue Ju dhânë nji mërzí. Prej këtij dheu të çuditshëm s’qe e mundun me dërguem Abetarët e mij n’Amerikë. Gjeta këtë rasë me i qitun nja 100 copë aty e prej andej, me banga postare me i hjedhun në USA. (Në Krujë, pacco âsht bâmë bangë, thonë nji bangë duhan gjeth). Këtë barrë po Ju a ngarkoj Juve. Më falni për këtë trazim. E Ju lutem me i lidhun bangat mirë, qi mos të dâmtohen librat. I kam dhânë Zit Agaj edhe 3 L.E. për shpenzimet postare. Në mêfshin i a merrni prap atij, se un rregullohem mbandej me tê këtu.

Më ka ardhun shumë keq për Asllanin. Por letra e Juej më gzoi tue më siguruem se gjindet jashta rrezikut. Kur t’i shkrueni falnju me shëndet fort e fort prej meje.

Me shumë të fala miqsore.

[1]  Un kam hasun deri sod vetëm në nji përjashtim të çuditshëm te djalekti shkodrân” atje thonë nji gur (guur), shumë gur (gur)! E …thonë edhe buk për bukë!


Send this to a friend