VOAL

VOAL

KUSH E TRADHTOI VASIL SHANTON..? – Nga FRITZ RADOVANI

February 3, 2016
1 Comments
  • author avatar
    Evelin Dsni 8 years ago Reply

    Pershendetje nga USA… Une qe po te shkruaj jam nje daje i ri nga Dibra qe aktualishte jetoj ne USA. E lexova artikullin qe ke shkruar edhe duke ju referuar ca gjerave fakteve qe ke dhene len te kuptohet nje e vertet e madhe, ndonese nuk ndryshon nje gje te madhe perseri per mua ka nje rendesi te jashtezakonshme.Me dite te verteten pas kaq shume vitesh eshte nje heqje barre shume e madhe per familjaret e atyre heronjve qe u ben martire per nje enderr te paralizushme.Ate nate te ftohte bashke me Vasilin ka ren deshmore edhe babai i gjyshit tim Z.Rifat Manjani.Do te doja te te falenderoja pa mase per kete informacion te dhen kaq shume te rendesishem.
    Te uroj gjithe te mirat. Emrin ma knojne Evelin Dani.,nuk se di se ku jeton por nese do te takoja naj her do ishte kenaqesi per mua.

Komentet

115  VJET O, DED  GJO’ LULI- Pergatiti Fritz RADOVANI: Pjesa II

 

 

 

DED  GJO’  LULI  (1840 – 1915)

PO  EMNI  I  YT  ASHT
I   PERJETSHEM!

115 vjet ma parë,.. Në vitin 1911 Kryengritësit Malësorë do të arrijnë me armët e tyne dhe me gjakun e Martirëve të Lirisë me shkrue fletën ma të lavdishme të Historisë mijëvjeçare të përpjekjeve për Liri, dhe mbi vorret e Atyne Martirëve me ngritë, mu në qendren e Ballkanit të salvuem nga osmanllijtë, Flamurin e Gjergj Kastriotit në Trojet tona Shqiptare, në Ata Troje ku Liria, Atdheu dhe Feja janë visaret ma të çmueshme dhe ma të dashtuna për Ata, që kur lindin pagëzohen me Atë Emen që ndër shekuj mburojë ju bane Shqipnisë, e thirren Shqiptarë!

 

FLAMURI 1911.

 

Ishte vetë prijsi i tyne Dedë Gjo’ Luli i pari që mori shpellat!

Janë 13 shtëpi, që mbas gjurmëve të Tij, u veshen Bjeshkëve të Triepshit e, mos harroni se janë 13 kulla që flakrojnë nën rrezet e diellit dhe të hanës e që shkelqejnë ndër tingujt e kangëve të Lahutës, tue mos dijtë me pasë kurrë mort! Po kujt t’i ruhej ma parë Burri ynë, a turkut apo shkjaut, kur hasmi na kishte rrethue në të katër anët? Malazezët arrijnë me e kapë dhe me e interrnue për gjashtë muej Dedën…Nuk dihet prej askujt se shka i patën dhanë me “pi” Atij Burri që kur u pat kthye prej andej, si dikur, ndër legjenda, Malësorët që e rrethonin ndër kuvende e beteja kanë tregue se damarët e kuq të gjakut iu patën ndërthurë rreth e qark trupit përbri shiritave të zez të çakçirëve, sa kush pat fat me e pa atë ditë të 24 Marsit të 1911, kur Ai u versul mbi anmikun, dukej bash si një Flamur Kuq e Zi, që valvitej prej eret e murrlanit, i lëshuem turr si stuhija me shkye me duert e veta kulshedren turke, apo anadollake siç e thirrte populli, poaq të tërbueme, që në disprim po merrte ikjen dikund nga ujnat e ngrohta të Azisë plakë. Ishte lëshue e nuk mbahej Dedë Gjo’ Luli. Hija e Tij u dukej e zhdukej ndër pallatet e Stambollit edhe vetë sulltanëve, që filluen me folë përçartë. Po si menduen ata se mund të kondendohej e të binte në paqë trupi i çuem peshë i Dedës me disa “lëshime” që mendoi me i ba për me mujtë me e zbutë Malësinë atëherë Turqija dhelpnake?

U bashkuen rreth Tij edhe 30 shtëpi, e jo vetëm nuk u pajtuen me mendimin e turqëve, por i patën fjalët e pakta dhe të kjarta si drita që ndriçonte ato maje: “Duem Liri të plotë për të gjithë Shqiptarët!”.

Bash si një thikë u pat ngulë fjala e Tyne në zemrën e kalbun të Sulltanit, që villte vner si gjysëmhana e flamurit tij kur ajo rroposte kombe e popuj…

U pat mundue me lypë “gajret e derman” ndër haremet e veta, tue ua zhgulë prej fytit gjerdanat e diamantët e çmueshme lavirave të Bosforit, për me mujtë me “thye” Burrin e Traboinit, por nuk i banë “fajde”…Ishte kot, se as me i mbledhë të gjitha plaçkitjet që u kishte ba të gjithë popujve bashkë, nuk i delnin me thye Ate që tashma ishte çue në kambë e nuk ulej as ndër shiltet e tija me kuvendue. Nuk i bante syni vek as për pare, as për pasuni, a thue se Ky Burrë kishte le mu në pallatet e tyne i rrethuem në fildish…Nuk ia thente synin as refleksi i rubinit e as i diamantit të unazave të tyne, mësa i shponte zemrën fjala e tyne e dalun prej barkut, përzi në dishprim me helm, e shkrryeme ndër shilte…

Të gjitha iknin e zhdukeshin me tymin e llullës së Malësorit tonë sikur të ishte tue ndigjue përralla pallatesh të kohës së “Nuhit”…

Asgja nuk e këthente Dedë Gjo’ Lulin nga rruga e Herojve!

Edhe konsulli i Turkisë në Podgoricë, i shtymë nga Bedri Pasha i Turkisë, i pat premtue një rrogë mujore prej 2500 lira turke Dedës, dhe me i sigurue një punë të mirë të birit, po as prej tij nuk u thye… Asnjë Shqiptar nuk besoj se di me marrë me mend sesi një Malësor pa plang e pa shtëpi, fukara që nuk kishte as bukën e gojës, arrin me u përgjegjë pa pikë frike dhe me plot gojë, e madje tue ngritë naltë edhe zanin e Tij:

“M’i thoni Pashës e Mbretit se nuk jam mish që shitet në krraba të kasapit. Ta dijë Mbreti se s’ ka aq pare sa me më thye!”

Kishte mjaft nga ata që dukeshin trima edhe para e mbas Dedës, po “trimnia” e tyne mbështetej nga siguria e karrigave e kolltukëve të tyne prej një forcës tjetër që mëshefej mbas tij…Ndersa Dedë Gjo’ Luli, jo vetem nuk kishte kolltuk as stol ku me u ulë, e as kurrnjëfarë sigurie mbas shkambit ku mbështetej me ba një sy gjum, por kur u pat ndodhë në duert e malazezëve, Krajl Nikolla i pat thanë: “Vend ma në Mal të Zi nuk ke”, e kuptohet se Krajli kishte mendue me ua lëshue në dorë turqëve, ashtu si kanë veprue me shumë Shqiptarë kur ia lypte interesi i vet, që i lidhte ma të fortit kur kishin në mes tyne një Shqiptar…

Po Deda çka u tha? A thue u frigue se nuk po gjente vend?

Ai u pergjegjë sikur të kishte përballë një turk:

– “Po shpellat a m’i pret?” Heu Zot na ruej…Pa u tutë atje shkoi dhe bashkë me trimat që e shoqnonin atje jetoi, mbasi Koka e Tij flinte ma e qetë e mbështetun mbi cung të lisit, se ndër jastekë puplash…

E ndoqën malazezët hap mbas hapi derisa e zunë dhe e patën çue në Danilograd, ku e mbajtën dy muej. Provuen me e lodhë dhe me shumë djallëzi u përpoqën me e ba për vete. Arritën deri aty sa vet Krajli i pat kërkue, mbasi vrejti se Deda nuk thehet, “Të lutem, nëmos djalin ma fal!”, sigurisht, ky ishte premtim por edhe peng! Deda, me një squtsi të madhe, arrijti me i dhanë përgjegje ate çka Krajlit as nuk i shkoi nëpër mend:

Djalin s’ia kam falë Mbretit as nuk kam me t’ a falë ty! Jemi të Shqipnisë unë dhe ai.” E jo larg kësaj ditë, me 29 Gusht, kur krahina festonte Festen e Bajrakut, në Fushen e Tuzit, Dedës i vritet djali i vogël 22 vjeç, tue luftue si Burrat me armë në dorë.

Tue shfletue fletët e historisë së asaj kohë lufta e përgjakshme e Malësisë së Mbishkodres filloi në Marsin e vitit 1911 dhe vazhdoi në të gjitha ato krahina të pathyeshme shekullore deri në fundin e Gushtit të vitit 1912, ku nuk duhen lanë pa u zanë në gojë edhe klerikët katolikë që morën rrugët ndër male bashkë me Malësorët e vet besnikë, tue fillue nga Famullitari i Kastratit At Mati Prennushi, Famullitari i Bajzës së Kastratit At Lorenc Mitroviq, Famullitari i Grudës At Buonaventur (Buon) Gjeçaj, Famullitari i Vuksanlekaj At Karlo Prennushi, Famullitari i Traboinit At Luigj Bushati e Famullitari i Rrapshës At Sebastjan Hila, të gjithë bajtës të Nderuem të zhgunit të Shen Françeskut t’Asizit. Këta fretën asnjë ditë nuk pranuen me jetue në mëshiren e malazezëvet, por iu drejtuen Argjipeshkvit të Shkodres Imz. Jak Serreqit, i cili pat qendrue dorjashtë për disa kohë, e ma vonë, me ndikimn e Imz. Luigj Bumçit dhe Don Ndre Mjedjes, Famullitar në Kukël, vunë në dijeni Vatikanin, njëkohsisht edhe me konsullin Austriak në Shkodër, u lidhën në Austri me Arqiduken Franc Ferdinandi, tue i vue në dukje prirjen politike të Kryengritjes së madhe të Malësorëve të Mbishkodrës.

Kleri Katolik Shqiptar që ishte ndër ato Malësi kishte arrijtë deri aty sa me deklarue se: “Në kjoftë se turqit përpiqeshin me depertue ndër rrethet kishtare malore, ata do të kryesonin rezistencën me Kryq në dorë.” (The Times, Wednesday, May 10, 1911.)

Tue u ndodhë para një vendimi të pathyeshëm, Imz. Serreqi kje nisë në Cetinë bashkë me At Gjergj Fishten, Luigj Gurakuqin dhe Don Ndre Planin, me marrë njoftimet e duhuna nga Legata Perandorake.

Vendimet e Qeverisë Turke nuk u përfillën fare nga Malësorët, kështu gjendja u acarue edhe ma shumë, mbasi burrnisht nga ata u pat vazhdue pandërpremje lufta për Liri të plotë të Tokave Shqiptare.

Trimat e Malësisë nuk kanë kurrë djelm tepër, për mos me thanë se dhjetë me pasë krye vitit, e prap kanë mangut. Atyne u duhen ashtu si Zoti shpesh ua ka falë pambarim…

Melbourne, 22 Janar 2026. Vazhdon Pjesa III

 

 

FLAMURI I GJERGJ KASTRIOTIT U NGRIT…

 

Kishin kalue jo vite, po shekuj kur Flamuri i Gjergj Kastriotit kishte ra nga Kështjella e Krujës Heroike dhe bashkë me Heroin tonë Kombëtar ishin vorrosë për me u kalbë. Shtërgata e robnisë turke kishte mbulue me brraka uji gjithë Trojet tona, ku shuhej çdo ditë çdo virtyt dhe shpresë e Shqiptarëve. Ishin përdhosë kështjella e kulla ku dikur ndër ato hatlla varej me madhshti Lahuta, martina e huta; tashma ishin ba vetem vende të shkreta ku këndonte qyqja e kulumrija…Ishin thye e ra përtokë deri ndër vorret e të parëvet Kryqat e drunit të lisit e të çamit. Deri poshtë ku derdhej gryka e lumit ishin shue shenjat e pushimit, vue nga dalta ndër shkambij. Shqiptarët, rrugë pa rrugë, përditë e ma shumë zhyteshin në humnerën e mjerimit e të padijes. Dhuna kishte shpërba edhe gurin e kthye në ranë, thonë disa, po vende-vende edhe në pluhun e baltë të kuqe nga gjaku me të cilin mbruhej e njeshej për thundra të kuajve të robnuesit, i cili krenohej ngallnjimtar mbi eshtnat e nxjerruna nga vorret e shpuplueme, të shkapërndame e të tretuna në të katër anët. Mbi kumbonaret e Kishave të vjetra monumentale ngrihej nalt një copë zhele robnije, që tregonte se mbi këte “minare” nuk do të ketë kurrma Kryqa, dhe se Shqiptarët nuk do të dijnë “asnjëherë” çka u pat mësue dikur Imzot Pal Engjulli i Drishtit, rrenuem e ba rrafsh me tokë. Ishte shue jo vetëm rrezja e dritës së shpresës për Liri, po edhe dielli ishte zanë nga një tymnajë e vransinë që njillte kob. Vetullat e burrave ishin bashkue e ba hulli si t’u kishte shkrepë rrufeja në votër e shkimë me farë e fis gjithshka që u kishte falë i Madhi Zot brez mbas brezi. Vetëm kelkaza aty-këtu çilte ndonjë lule e vyshkej nën ferrat e morrizat e pafarë që e patën mbulue këte Dhé të bekuem dikur,..ku, tashma as dallëndyshat nuk vinin në stinën e tyne, se as pranverë nuk kishte ma! Zhegu aziatik i kishte përvlue e zharitë si mos ma keq fusha e male e kthye në shkretinë, ku ndonjë gomar fatzi kryente sherbimet e deves për pushtuesin barbar. Edhe qentë e fshatit nuk lehnin ma, se portarja ishte thye natën kur ndër shtëpija kishte msy e mëshef pabesia e shnderimi i robnuesit përbindsh. Burri nuk mbante ma as gurin unur të trashiguem ndër shekuj me llullën e vet prej druni ku ishte ma i forti, daltue nga çobajt fatzez që rritnin desht për me ua shtrue sofrat rrumbullake “felëshuesëve”, të cilët shoqnonin ferlikun e rakinë me vallet turke e kangët mortore të tymosuna nga flaka e zbehtë e drunit të pishës, derisa dikur fillonte me dalë drita, e atëherë kujtoheshin për ndonjë pusi që kishin vue ditën ma parë, e në të zbardhun të dritës, edhe pse ishin të përgjumun, delnin ndër prita e ashtu në kllapi, kishin ndigjue kushtrimin e ndonjë Malësori që kishte lajmërue se kishte lé një Djalë në oxhakun  e vjeter të Gjo’ Lulit…

E Baba i pat vue emnin Dedë, si ta kishte ditë se Ai Emen do të vinte dita e ka me u daltue me shkronja t’ arta!

Emen që u pat kallë mneren turqve e shkjeve, e besa, ma fort se askujt tradhëtarëve të Atdheut e të Fesë së Gjergj Kastriotit tonë.

Mbërrijti lajmi edhe ndër shtëpijat e vjetra të Shkodrës se Dedë Gjo’ Luli asht rritë e ba Burrë e madje edhe i fortë…Kishte ba konak e votra e Tij mbushë prej Zotit me djelm, me djelm të pashem e vigaj mali si Baba i Tyne, tashma në të shtatdhetat vjetë…E brezi i tyne vetëm vezullonte nga dorcat e armëve që rrethonin belin e drangojve. Sytë ua kishte dhurue Shqipja dykrenare! Mustaku i shndriste si thupra e sermit që dredhej mbi kronin ku buronte fjala e Burrit… Mbi sy binte vetem qeleshja e bardhë bilur si bora e majeve të Alpeve tona ku sundonte ende vetëm Shqipja e kurrkush tjeter nën çatinë e vume nga dora e Krijuesit!

Qielli hapej e mbyllej nga vetëtimat e asaj pranvere, që ç’mos kurrë, dishka donin me njellë e lajmërue n’ ato ana…Edhe dielli, që deri atëditë nuk kishte mujtë me shkri as boren mbi majet e atyne maleve, filloi me vezullue e me ra edhe mbi çatijat e shtëpijave, që kishin mbetë pa u shembë. Fyelli i barijve ndigjohej deri larg ndër pyjet ku strofullat e arijve kishin fillue me u shprazë, se edhe vetë bishat kishin marrë iken… Po, po, kishin fillue me marrë iken, se ndër male ku ishin shue fiset e dalë faret Burrat e Atdheut, armët e tyne ishin rreth brezit xhubletës e kishin zanë vendin e postavës e të sermit, që dikur diftonin nusninë e tyne që edhe ajo vyshkej sa djali shkonte ushtar i dhunuesit pashpirtë. Ata tashti ishin perkrah Burrave ndër male. Duert e tyne ishin ato që kishin rrokë dikur ata filiza, që tashti ishin ba Burra e marrë malet, e tash në krah të Atyne Burrave kishin rrokë armët e Lirisë së Atdheut! Ishte dikund andej Nora e Tringa, ishte Kupe Danja e ishte Shota, ishte mbarë vajznia e granija, ishin po lulet e zambakët e bardhë si bora, që kishin çelë edhe ata ndër gur’ e shkambij bashkë me vjollcat e pranverës së 1911…

Ishin Malësorët Shqiptarë, që i drejtonte një Dedë Gjo’ Lul!

Ishin, po, Ata Burra që kishin shpalosë e nxjerrë nga dheu një Flamur të balsamosun me gjakun e Heronjve e të ruejtun mbrendë thellë në vorrin e Gjergj Kastriotit, në atë Vorr që asht edhe sot, i ruejtun nga Ata besnikë të përjetshëm, që me duertë e tyne të Shugurueme tashti edhe Ata kishin rrokë Armën e Lirisë, Kryqin, e Arma e Lirisë në duert e Shugurueme me Bagmin Shejtë nuk përdhoset kurrma,.. kurrma!

Plasi Toka Arbnore e mbi një Shkamb me emnin Deçiq u vue një Flamur i harruem ndër shekuj. Vërtetë i harruem gati sa mos me u njohë, por i ruejtun dhe i mbrujtun me Gjak të freskët Herojsh, që me një guxim të pashoq, e nxorën nga Vorri i Shejtë, ku dhunuesi turk mendoi se aty e ka vendin, ku Ai do të kalbet e do të shuhet përgjithmonë.

 

100 vjet ma parë, me 6 Prill 1911…Me Dedë Gjo’ Lulin…

Mbarë Malësia me armë në dorë u rreshtue me e mbajtë nalt!

I madh e vogël pa kursye as jeten e vet u banë mburojë!

Atdheun filloi me e rrah flladi i freskët i Lirisë!

Fitorja e shpërblyeme me gjak ndër shekuj erdhi!

Urata, lutja, kanga e falnderimi ndaj të Madhit Zot s’ pushonin!

Secili, sa kishte forcën, me një kurban i rrinte pranë shtizës…

Pikë lotit nuk shihej n’ Atë vend, veç gaz e hare në sytë e Atyne Burrneshave që këndonin e shkrepshin armët…

Edhe gratë me të zeza e gjetën një “shenjë” me u gazmue!

Aty pranë në trungun e një gështenje gjuhej në shej një kapicë…

Sa andej këndej kriste bataria e Malësorëve e zanet ma  të forta e të fuqishme thenin heshtjen shekullore me ushtimën e tyne ndër ato maje malesh, tue jehue e tue u derdhë me jone hyjnore drejt Qiellit paster me një Kushtrim të pafund, që zbriti ndër ato lugina të prarueme e u bashkue me valët e dallgët e harrlisuna të Adriatikut…tue zgjue mbarë një Europë:

Oooo… Burra bre… çonju se Flamuri i Gjergj Kastriotit u ngrit edhe njëherë në Tokën Arbnore!…

Ai u ngrit për mos me zdrypë kurrma,..kurrma!

“Enver Hoxha vdiq më 11 prill ‘85, një muaj pas ardhjes së Gorbaçovit në pushtet, zia në Shqipëri zgjati 9 ditë”- Shkrimi i panjohur e gazetarit rus: Përveç Castros, Çausheskut dhe Kim Il Sung, ngushëllimet…

Në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, ndodhet një shtet i vogël – Shqipëria. Për një turist, vendi do të jetë interesant kryesisht, jo për pamjet e tij natyrore dhe arkitekturore, të cilat praktikisht ekzistojnë me tepri këtu, por për historinë e tij. Fakt është se pas Luftës së Dytë Botërore, qeveria në atë kohë, me në krye Enver Hoxhën, filloi gradualisht procesin e izolimit të Shqipërisë nga bota e jashtme. Dhe problemi është se; diktatori Hoxha, u tmerrua nga një sulm imagjinar dhe si Don Kishoti, luftoi me mullinjtë e erës. Le të mësojmë më shumë për këtë histori…!

Shepilov, mori pjesë në këtë kongres dhe mbajti një fjalim nga tribuna e tij Në vitet 1948-1951, në të gjithë vendin si dhe organizatat e partisë, u nis një fushatë “për të luftuar armiqtë e popullit dhe agjentët e Titos”. Sipas Kodit Penal shqiptar (1948), afati maksimal i internimit ose i burgimit, ishte 30 vjet.

Kongresi i Dytë i Partisë së Punës së Shqipërisë që u mbajt në vitin 1952, shpalli planet e projektet për rindërtimin e vendit dhe zhvillimin e planifikuar të tij. Plani i parë 5-vjeçar, për Shqipërinë, u zhvillua nga specialistët sovjetikë. Stalini dhe Hoxha, bënë një sërë rregullimesh në këtë plan, pas së cilës ai u dërgua në Shqipëri, ku po shpalosej kolektivizimi i bujqësisë, ndërtimi i termocentraleve dhe ndërmarrjeve që përpunonin lëndë të para të ndryshme shqiptare.

Lidhjet e Shqipërisë me Kinën, Vietnamin, Republikën Demokratike Gjermane dhe vendet e tjera të Demokracive Popullore të Evropës Lindore, filluan të zhvillohen. Në fillim të viteve 1950-të, u ndërtuan disa fabrika për mirëmbajtjen e automjeteve prodhim sovjetik “ZIS” dhe “ZIM” në Tiranë dhe Durrës, një dhuratë nga Stalini për Shqipërinë. Po ashtu, e ndihmën e BRSS-së (Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike), u ndërtuan hekurudha dhe shkolla, qytete e qyteza të reja dhe u pajis ushtria shqiptare me të gjitha armatimet dhe logjistikën e nevojshme.

Në një fjalim në Kongresin XIX-të të Partisë Komuniste Sovjetike, Hoxha foli për rolin pozitiv të Stalinit, sukseset e BRSS-së, kritikoi SHBA-në, Perëndimin dhe Titon. Ndërsa ishte ende në Moskë, Hoxha miratoi një tjetër “spastrim” në Shqipëri, i cili zgjati deri në vitin 1955. Pas kthimit në Tiranë në janar 1953, pak më vonë, ai mësoi vdekjen e Stalinit. Ai u bë më i kujdesshëm ndaj udhëheqësve të rinj në Moskë dhe më i ngurtë në vendin e tij. Më 5 mars 1953, Hoxha nuk shkoi në funeralin e Stalinit, duke u justifikuar me një sëmundje të papritur. Nuk ishte i pranishëm ato ditë në Moskë, as dhe Mao Ce Duni. Si Hoxha ashtu edhe Mao, dyshonin se pasardhësit e Stalinit, po komplotonin kundër tyre.

Politikë e jashtme e Shqipërisë së Enver Hoxhës

Nga pamja e jashtme asgjë nuk ka ndryshuar: Enver Hoxha, si më parë, në shtypin sovjetik, quhej mik dhe aleat, kurse Shqipëria u quajt si vend vëlla. Por kontradiktat e fshehta u rritën më pas, pasi Hoxha nuk ishte dakord me politikën e Hrushovit, për liberalizimin e jetës së BRSS-së. Në Kongresin XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, kur Hrushovi mbajti një raport sekret për “kultin e personalitetit” të Stalinit, Hoxha dhe Çu En Lai, u larguan nga kongresi në shenjë proteste, pa pritur mbylljen e tij.

Pak kohë më pas (në vitin 1956) në Shqipëri u mbajt Kongresi III i PPSH-së (1956), në të cilin shumë delegatë, nën ndikimin e raportit të Hrushovit në Moskë, kritikuan ashpër Hoxhën dhe Mehmet Shehun. Besohet se ky aksion, është përgatitur me ndihmën e Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik të udhëhequr e ndikuar prej Nikita Hrushovit.

Mirëpo, në të njëjtin vit, në Shqipëri filloi një fushatë e re kundër “rivendosjeve të kapitalizmit”, gjatë së cilës u arrestuan dhe u dënuan me qindra kundërshtarë të Hoxhës dhe familjet e tyre. Udhëheqja e Shqipërisë (së bashku me krerët e Partisë Komuniste) nuk pranoi të bënë politikat e destalinizimit në jetën e vendit dhe të hiqte gjithashtu emrin e tij me të cilin ishin pagëzuar qytete, ndërmarrje, fabrika, kombinate, rrugë etj., në mbarë vendin.

Madje, në prag të 80-vjetorit të Stalinit, Enver Hoxha vendosi në hierarkinë e medaljeve dhe dekoratave, edhe “Urdhrin e Stalinit”. Marrëdhëniet sovjeto-shqiptare u përkeqësuan dhe pas disa vitesh, (në 1961) u ndërprenë për fare. Prishja me Shqipërinë, e privoi BRSS-në nga një bazë ushtarake detare shumë e rëndësishme në Ballkan (Baza e Pashalimanit në Vlorë) dhe ajo gjë kontribuoi në rënien e autoritetit të Hrushovit. Në të njëjtën kohë, udhëheqja komuniste shqiptare, u afruan më shumë me Kinën. Udhëheqja e Partisë Komuniste Kineze, në vitin 1957, i siguroi Hoxhës, mbështetje politike dhe ekonomike.

Në verën e vitit 1959, Hrushovi erdhi në Shqipëri, me shpresën se do t’i detyronte udhëheqësit e saj, të ndryshonin politikat e tyre dhe kërcënoi se do të ndërpriste ndihmën për Tiranën. Por mosmarrëveshjet, nuk mund të zgjidheshin. Në vitin 1962, Shqipëria u tërhoq nga KNER-i (Komiteti i Ndihmës Ekonomike e Reciproke), dhe në vitin 1963, njoftoi se nuk kishte ndërmend të paguante borxhet e BRSS-së dhe aleatëve të saj.

Enver Hoxha u ri fokusua te Kina dhe “e mbylli” vendin me pjesën tjetër të botës. Në vitet 1960-’70-të, Shqipëria bashkëpunoi me Kinën dhe kishte nevojë për ndihmën e saj ekonomike e teknike. Me një shumëllojshmëri burimesh natyrore, vendi kishte nevojë të madhe për industri përpunuese, komunikime, investime dhe personel të kualifikuar. Potenciali mbrojtës i Shqipërisë në ato vite u mbështet edhe nga importet. Prandaj, Hoxha, me gjithë “papajtueshmërinë” ideologjike me maoistët, kontribuoi në çdo mënyrë në bashkëpunimin shqiptaro-kinez.

Nga viti 1962 deri në vitin 1972, Shqipëria përfaqësonte interesat e Partisë Komuniste Kineze në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe që nga viti 1972, kinezët dhe shqiptarët në OKB, kritikuan së bashku udhëheqjen e BRSS-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke u kërkuar vendeve në zhvillim, të bashkohen në luftën kundër superfuqive. Për Partinë Komuniste Kineze, Shqipëria për një kohë të gjatë, mbeti e vetmja aleate politike në Evropë dhe botë, një “zëdhënës” në OKB dhe një partner i rëndësishëm propagandistik i saj.

Në fund të viteve 1960, Partia Komuniste Kineze, ra dakord të pajtohej me Perëndimin dhe si rezultat, marrëdhëniet shqiptaro-kineze u përkeqësuan ndjeshëm. Në vitin 1968, Hoxha njoftoi tërheqjen e tij nga Traktati i Varshavës, menjëherë pas hyrjes së trupave sovjetike në Çekosllovaki. I vetmi vend i “Bllokut të Varshavës”, me të cilin ruanin marrëdhëniet shqiptarët, ishte Rumania, lideri i së cilës, Çaushesku, dënoi pushtimin e Çekosllovakisë. Enver Hoxha vazhdoi të ofrojë ndihmë (ideologjike) për Indokinën, vendet arabe, viktimat e “agresionit izraelit” (si dhe Republikën Arabe të Egjiptit, e shpallur në 1967 dhe duke luftuar ndërhyrjen marokene) dhe intensifikoi marrëdhëniet me Kubën.

Për shkak të reduktimit të kontakteve ekonomike me Kinën, Shqipëria rifilloi tregtinë me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, me përjashtim të BRSS-së. Duke vazhduar të kritikonte Titon, Hoxha autorizoi shkëmbime tregtare edhe me Jugosllavinë. Por Shqipëria, ende refuzoi me vendosmëri të bashkëpunonte apo të hapej me Perëndimin.

Enver Hoxha e respektonte De Golin, i cili nga ana e tij simpatizonte Hoxhën dhe Shqipërinë e pavarur nga SHBA-ja dhe BRSS-ja. Kjo kontribuoi në zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro-franceze, madje thuhet se përfshirë edhe në fushën ushtarake. Për shumë çështje (Palestina, Indokina, Afrika e Jugut, armët bërthamore, etj.), De Gaulle dhe Hoxha, kishin qëndrime të ngjashme. Kongresi VIII-të i Partisë së Punës së Shqipërisë (në nëntor 1981) shpalli fitoren e socializmit dhe fillimin e ndërtimit të komunizmit në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, Hoxha filloi përpjekjet për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike me jashtë.

Arsyet ekonomike e detyruan Shqipërinë të rriste tregtinë me Jugosllavinë, vendet skandinave, me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore (përveç BRSS-së), Iranin etj., dhe të rifillonte tregtinë me Kinën në vitin 1984. Hoxha nuk u pajtua me udhëheqjen e BRSS-së dhe udhëheqja sovjetike, nuk i është përgjigjur kritikave dhe sulmeve ndaj Tiranës, që nga viti 1965.  Shqipëria u mbyll me botën e jashtme edhe në mjetet e informimit masiv (Shtypi e Radio-Televizioni) dhe propaganda sovjetike, heshti për zhvillimin e Shqipërisë. Në vitet 1978 dhe 1983, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, i ofroi Tiranës, normalizimin e marrëdhënieve, por në këmbim mori kritika dhe ultimatume, të cilat u shpërfillën nga krerët sovjetikë.

Politika e brendshme

Politika e brendshme e Enver Hoxhës, korrespondonte me “modelin stalinist”, të cilin ai e konsideronte si më të pranueshëm dhe kulti i personalitetit të Hoxhës në Shqipëri, i ngjante kultit të personalitetit të Stalinit, të cilin ai e konsideronte një lider model. Në veçanti, uniformat dhe shenjat ushtarake në Shqipëri, u kopjuan nga dizajnët sovjetike të epokës staliniste. Brenda vendit, policia sekrete shqiptare (Sigurimi i Shtetit) përdori metoda represive të huazuara nga KGB-ja dhe Ministria e Sigurimit të Shtetit të Gjermanisë Lindore. Për të zhdukur veprimtarinë e opozitës së brendshme, autoritetet i’u drejtuan “spastrimeve” sistematike – kundërshtarët e regjimit u pushuan nga puna, u dërguan në punë të rënda, u internuan, dhe madje disa u ekzekutuan.

Deri në fund të viteve 1980-të, kulti i Stalinit u ruajt i paprekur në Shqipëri, qyteti modern i Kuçovës mori emrin e tij, veprat e Stalinit u ribotuan (përfshirë në rusisht), ditëlindjet dhe vdekjet e Stalinit, u festuan zyrtarisht gjerësisht (si dhe Ditët e Leninit dhe përvjetori i “Revolucionit të Tetorit”). Tashmë pas vdekjes së Hoxhës, në vitin 1985, me rastin e vdekjes së V. M. Molotovit, në Shqipëri u shpall zi kombëtare. Armiqtë ideologjikë të regjimit komunist në Shqipëri, etiketoheshin “hrushovianë” dhe “titistë”; atyre iu bënë akuza sikur kishin lidhje komunikimi të fshehta me autoritetet e BRSS-së dhe Jugosllavisë, që kufizohesh me Shqipërinë. Përdorimi i këtyre akuzave, ishte i ngjashëm me “trockistët” në BRSS-ën në vitet 1930.

Në kushtet e përballjes me vendet e tjera socialiste të Europës Lindore, Hoxha bëri thirrje për “të jetuar, punuar dhe luftuar si në rrethim”, bazuar në tezën e “ndërtimit të komunizmit të rrethuar nga revizionistët dhe imperialistët”. U adoptuan parullat dhe metodat sovjetike të viteve tridhjetë dhe dyzetë. Në Shqipëri gjithçka iu nënshtrua jetës kolektive. U bënë fushata “anti-revizioniste”, “spastrime” të aparatit shtetëror partiak. Shkëmbimi i produkteve (kleringu) u fut me shpejtësi në vend, duke zëvendësuar marrëdhëniet mall-para. Qytetarëve u ndalohej të kishin makinë, një vilë, të dëgjonin muzikë rock, xhaz, të mbanin xhinse, të përdornin kozmetikë të vendeve “armike”, etj.

Në vitin 1967, pas dy dekadash persekutimi gjithnjë e më të ashpër të Kishës Katolike dhe Ortodokse, si dhe klerit mysliman e bektashinjve, Hoxha e shpalli solemnisht vendin e tij, si shtetin e parë ateist në histori. I frymëzuar nga Revolucioni Kulturor Kinez, ai konfiskoi pronat dhe ndërtesat e xhamive, kishave, manastireve dhe objekteve të tjera të kultit. Shumë nga këto ndërtesa u çmontuan apo u shkatërruan, ndërsa të tjera u kthyen në punishte, magazina, stalla dhe kinema.

Prindërve u ndalohej t’u vendosnin emra fetarë fëmijëve të tyre. Edhe respektimi i fshehtë i riteve fetare, ndalohej me ligj dhe persekutohej. Dihet një rast i ekzekutimit në Krujë, të një prifti katolik (nga fshati Gurëz i Kurbinit), që pagëzoi një fëmijë në shtëpi. Një brez i tërë u rrit në Shqipëri, pa shkuar në kisha dhe xhami. Enver Hoxha tha: “Shqiptarët nuk kanë idhuj dhe perëndi, por ka ideale – ky është emri dhe vepra e Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit”.

Hoxha besonte se nëse politikanët dhe aq më tepër komunistët kanë privilegje, atëherë partia nuk mund të konsiderohet komuniste dhe vendi nuk mund të konsiderohet socialist. Që nga mesi i viteve tetëdhjetë, me udhëzimet e tij, punonjësve në aparatin partiak dhe shtetëror, u janë ulur pagat. Kjo bëri të mundur kursimin e parave për rritjen e pensioneve dhe përfitimeve, pagat në bujqësi dhe rritjen e pagave të punëtorëve dhe punonjësve. Në vitin 1960 u hoq tatimi mbi të ardhurat dhe në 1985, u hoq taksa për beqarët dhe familjet e vogla. Nga mesi i viteve shtatëdhjetë, deri në vitin 1990, çmimet me pakicë për shumë mallra dhe shërbime, u ulën çdo vit në vend.

Prishja me Kinën, izolim i plotë

Pas Kongresit të 7-të të PPSH-së (1976), në Shqipëri u miratua një ligj, që ndalonte kreditë dhe huat e huaja. Në atë kohë, në vend funksiononte një mekanizëm social-ekonomik, i cili ishte një kopje e saktë e mekanizmit që funksiononte në 1946-1953, në BRSS. Shqipëria kaloi drejt vetë-mjaftueshmërisë së plotë në ushqime, ilaçe, pajisje industriale dhe energjetike, filloi të eksportonte shumë mallra të përpunuara, duke reduktuar eksportin e lëndëve të para.

Hoxha që nga ajo kohë, mund të përballonte grindjet me Kinën, duke forcuar më tej centralizimin e të gjitha burimeve të Shqipërisë dhe izolimin e saj në politikën e jashtme. Megjithatë, disa nga kolegët e Hoxhës (Beqir Balluku, Abdyl Këllezi, Todi Lubonja), u përpoqën të ndikonin tek ai, që të intensifikojë lidhjet me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, si dhe me Jugosllavinë dhe të mos shkojë në një shkëputje “në shkallë të gjerë”, me Partinë Komuniste të Kinës.

Por ai shpalli ata si “armiqtë të popullit dhe të partisë”. Në vend filloi sërish “spastrimi” i personelit në të gjitha nivelet, i cili vazhdoi deri në vdekjen e Enverit. Kina në vitin 1978, ndërpreu të gjitha marrëdhëniet me Shqipërinë dhe Hoxha deklaroi se: ish -“miqtë”, janë kthyer në një “bandë oportunistësh dhe mercenarësh të Perëndimit”. Pas një sherri me Kinën, Shqipëria u mbyll edhe më shumë se pas prishjes me BRSS-në. Fushatat neo-staliniste në vend, tashmë ishin të përvitshme. Në të njëjtën kohë, Hoxha akuzoi Moskën dhe Pekinin, për revizionizëm.

Në vitin 1981, Hoxha kreu një spastrim të ri, duke ekzekutuar disa zyrtarë partiakë dhe qeveritarë, me në krye Mehmet Shehun (kryeministër që nga viti 1953) e Kadri Hazbiun. Në vitet 1983-1985, shëndeti i Hoxhës u përkeqësua ndjeshëm, ai pësoi infarkt, goditje në tru dhe iu përkeqësua diabeti. Pas kësaj, ai nuk kontrollonte dot asgjë në drejtimin e vendit, duke ia dorëzuar shumicën e kompetencave dhe detyrave, Ramiz Alisë. Në mars 1985, mjekët i sugjeruan Hoxhës, një pushim të gjatë, për shkak të rritjes së problemeve të funksionimit të zemrës.

Vdekja e Hoxhës

Natën e 11 prillit 1985, pas një hemorragjie në tru, Enver Hoxha vdiq në moshën 76-vjeçare, pikërisht një muaj pas ardhjes së Gorbaçovit në pushtet në BRSS. Zia në Shqipëri, zgjati 9 ditë. Nga jashtë, vetëm liderët e “partive të vërteta marksiste-leniniste” dhe emisarët nga Republika Demokratike Popullore e Koresë së Veriut, Vietnami, Kuba, Rumania, Laosi, Kamboxhia, Nikaragua, Irani dhe Iraku, u lejuan në Tiranë. Telegramet e ngushëllimeve të dërguara nga vende të huaja, përfshirë BRSS-ën, Kinën dhe Jugosllavinë, u kthyen nga shqiptarët, përveç ngushëllimeve të Fidel Castro, Nikolae Çausheskut dhe Kim Il Sung. Lamtumira e Hoxhës u bë në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, fare pranë monumentit të Stalinit dhe Leninit.

Rezultatet e udhëheqjes shqiptare!

Enver Hoxha u përpoq të ndërtonte një shtet socialist, sipas modelit sovjetik të periudhës së Stalinit. Ai e udhëhoqi vendin në kushtet e izolimit pothuajse të plotë ndërkombëtar. Propaganda zyrtare shqiptare, pretendonte se Shqipëria komuniste kishte siguruar plotësisht nevojat e saj ushqimore, kishte zhvilluar industrinë, kishte elektrifikuar shumicën e zonave rurale dhe kishte zhdukur analfabetizmin dhe sëmundjet. Me rënien e regjimit komunist, perdja e hekurt u hoq. Shqipëria nuk ishte aspak vendi i industrializuar, i përparuar, siç pretendonte propaganda komuniste. Në fakt, ishte një vend i prapambetur për standarde jo vetëm të vendeve kapitaliste Perëndimore, por edhe të vendeve të Bllokut Lindor, si Bullgaria dhe Rumania.

Industria shqiptare ishte e vjetruar në zhvillim, bujqësia ishte tejet e prapambetur dhe komunikimet telefonike, të përdorura prej kohësh në vendet fqinje, mbetën të paarritshme për të gjithë shqiptarët, me përjashtim të zyrtarëve të lartë të Partisë së Punës. Pagat e punëtorëve dhe standardi i jetesës, ishin shumë të ulëta në krahasim me standardet e çdo vendi europian, gjë që solli emigrimin masiv të punëtorëve shqiptarë drejt Greqisë dhe Italisë fqinje, ku standardi i jetesës edhe tek emigrantët e paligjshëm, ishte më i lartë se në Shqipëri. Memorie.al

“Julian Amery në kujtimet e tij ka shkruar; kur Mbretërit e tjerë të mërguar nuk u ndaheshin klubeve të natës në Londër, Zogu rrallë dilte në publik, pasi…”/ Historia e panjohur e Mbretit Zog në Angli

Nga Ermira Isufaj

Ndoshta në fillim gjithçka lindi si kërshëri. Nuk të qëllon shpesh të kesh gjiton një mbret dhe një mbretëreshë. Neil Rees, një shkrimtar amator i apasionuar pas historisë së Shqipërisë, qëlloi të kish pranë kështjellën e famshme të lordit Parmur, të cilën Mbreti Zog e bleu gjatë viteve të qëndrimit në Angli. Janë ecejaket e gjithë familjes mbretërore, nga dasma e organizuar sipas Kodit Civil shqiptar dhe e zgjedhur pikërisht në ditën që përkonte me përvjetorin e martesës së Skënderbeut me Donikën (Marina Andronika), më 27 prill 1938. Ndërsa, vetëm një vit më pas u mor vesh shtatzënia e Mbretëreshës Geraldinë, e cila pati një lindje tejet të vështirë, ndërsa fëmija vetëm pesë javësh, i pagëzuar me emrin Leka, po humbte peshë dita-ditës, çka e shqetësoi jo pak nënën e re.

Zhvendosja me eskortë drejt Greqisë dhe një ambulancë e staf mjekësor që shoqëronte Mbretëreshën, e cila vetëm dy ditë më parë kish sjellë në jetë një fëmijë. Udhëtimi i princeshave, motrave të Mbretit Zog në Boston, për të siguruar kështu pajtimin mes Peshkopit Fan Noli, i cili kishte qenë kundërshtar politik i Mbretit prej ditës së parë që ai ishte ngjitur në fron. Vendqëndrimi i parë pas Greqisë do të ishte Franca, aty ku pikërisht Mbreti do të shqetësohej më së shumti, pasi mësoi se e motra Ruhija ishte me kancer.

Ai i vuri në dispozicion një infermiere, që i bënte shërbim të përditshëm, në kushte të rënduara fizike. Më pas, ishte Londra dhe qëndrimi disaditor në banjat e hotelit Ritz, e mandej blerja e kështjellës nga ana e Mbretit. Kujdesi për pulat, për dhitë, për kafshët shtëpiake e portretizimi i princeshë Adiles, motrës së Zogut, si nëna e familjes, për shkak se ishte personi që merrej kryesisht me anën guvernante. Shpresat e vakëta për kthimin në atdhe, me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, dhe urrejtja për diktatorin Hoxha, për të cilin Mbretëresha Geraldinë thotë se ishte Zogu ai që i kishte ofruar një bursë studimore për në universitet…!

Data

Martesa e Mbretit Zog me konteshën Geraldina Aponi u caktua më 27 prill 1938. Mbreti Zog e zgjodhi këtë datë, sepse ishte përvjetori i dasmës së Skënderbeut me Marina Andronikën më 27 prill 1454.

Miqtë austriakë dhe hungarezë

Farefisi i afërt i Geraldinës erdhi në mes të prillit dhe qëndruan me të. Pjesa kryesore e krushqve hungarezë erdhën më 25 prill dhe u vendosën në Hotelin Internacional. Mbretëresha Geraldinë kujton: “Përpara ceremonisë, e cila u zhvillua sipas Kodit Civil shqiptar, unë u nisa me makinë nga vila në pallat, ku më priste mamaja për të më vënë vellon në kokë dhe pastaj hyra në paradhomë për t’u takuar me Mbretin dhe princeshat. Trumbetierët i ranë një fanfare dhe unë hyra në krahun e burrit tim të ardhshëm, e veshur me një fustan të bardhë mëndafshi me bisht të gjatë dy metra, që e mbanin… nipërit e mbretit”.

Një angleze me emrin Ruth Mitchell e paraqiti kështu dasmën për revistën e ilustruar të Londrës: “Në shkurt kisha në plan një udhëtim rreth botës për të studiuar çështjen e rinisë, për të cilën kisha pasur kurdoherë interesimin më të madh, kur më ofruan një pagesë të mirë që të shkoja në Shqipëri për të fotografuar martesën e Mbretit Zog. Vajta pa ndonjë qejf të madh. Vajta te martesa e Mbretit Zog me nusen e tij të vogël hungareze, konteshën Geraldina Aponi…!

Është Italia që e ka të plotë nën thundrën e saj atë vend të vogël dhe po i merr frymën…! Por, qe më të vërtetë madhështore hordhia e farefisit hungarez të nuses, që kishte zbritur mbi atë vend të vogël…! Veshjet e tyre, sidomos të burrave, ishin nga trashëgimia familjare e vjetër, shkëlqenin nga koka te këmbët me gurë të çmuar, kadife dhe ar. Ishin me të vërtetë gjëja më e hijshme që kisha parë ndonjëherë në Europë për pasurinë. Fisnikët e vjetër, që qëndronin drejt, krenarë dhe të patundur, sikur kishin dalë drejt e nga një libër përrallash”.

5 prill 1939, Princ Leka

Geraldina: “Në vjeshtë e mora vesh se do të lindja një fëmijë. Natyrisht, Mbreti mezi e priste një trashëgimtar…”. Mbreti Zog po ndërtonte një pallat për vete, ndërkohë Mbretëresha Geraldinë banonte në shtëpinë e princeshës Sanie në Tiranë. Geraldina: “Në orën tre e gjysmë, të mërkurën në mëngjes, përpara Pashkëve, në 5 prill 1939, e linda në pallat fëmijën, që do të kurorëzohej princi Leka…”. E quajtën Leka, që është trajta shqipe e emrit Aleksandër.

Gjysmë-motra e Mbretëreshës Geraldinë, Sylviane Muselier, kujton: “Foshnja mbretërore bënte përshtypje, kur e pamë pasi na çuan te dhoma e fëmijëve. Motra ime, Geraldina, dukej e rraskapitur dhe nuk po e merrte veten nga një lindje e vështirë. Njëkohësisht lufta na kishte ardhur te pragu i derës! …Brenda dy ditësh, familjes mbretërore iu desh të largohej menjëherë dhe të kalonte në Greqi duke e marrë Mbretëreshën me një ambulancë, ndërsa ne u detyruam të ktheheshim në Francë nga veriu”.

Shkurt-mars 1938, udhëtimi i “Zogeshave” në SHBA-ës

Pas fejesës së Mbretit Zog më 1938-n dhe përpara dasmës së tij, tri motrat më të vogla të Mbretit Zog, bënë një udhëtim të vullnetit të mirë në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe u kthyen nëpër Angli, Francë dhe Itali. Ato u nisën nga Napoli në Itali më 20 shkurt 1938 me anijen italiane “Konte di Savoia” dhe arritën në Nju-Jork më 28 shkurt. I priti Faik Konica, ministri shqiptar në SHBA-ës, që u bë përkthyesi i tyre.

Vendi i qëndrimit të tyre në SHBA-ës, ishte suita mbretërore në hotelin Ritz-Carlton në Nju-Jork dhe kudo udhëtuan me tren. Qëllimi i udhëtimit ishte të siguronin pajtimin politik me Peshkopin Fan Noli, të garantonin investime amerikane në Shqipëri dhe ta ngrinin reputacionin e Shqipërisë në SHBA-ës. Interesi publik i amerikanëve për Mbretin Zog, qe ngjallur për shkak të fejesës së tij me konteshën gjysmë-amerikane, Geraldina Aponi. Për pasojë, mediat amerikane e mbuluan me interes udhëtimin dhe u vunë motrave të Zogut nofkën “Zogeshat”.

Boston

Me tren ato udhëtuan nga Nju-Jorku në Boston, ku u pritën nga 6 mijë shqiptarë. Më 12 mars u bëri vizitë Peshkopi Fan Noli, kreu i Kishës Orthodokse shqiptare. Noli ishte kundërshtar politik i Mbretit Zog, që kur Zogu mori pushtetin më 1924. Ato morën pjesë në një shërbesë të mëngjesit në Katedralen e Shën Gjergjit, në rrugën “Emerald”, ku Fan Noli për herë të parë bëri lutje për Mbretin Zog. Kjo bëri aq përshtypje, saqë dëgjuesit bënë një gjë të pazakontë: duartrokitën. Pajtimi mori trajtë simbolike, kur Fan Noli publikisht zbriti nga navata, u shtrëngoi duart motrave të Zogut dhe u lut për to. Ato u larguan nga Bostoni më 19 mars.

7-8 prill 1939, largimi nga Shqipëria

Familja mbretërore mori me ngut pasaporta të reja diplomatike më 6 prill 1939. Kur u nis me karvanin e makinave, Mbretëresha Geraldinë nuk e kishte marrë veten nga lindja e djalit, dy ditë më parë. Mbreti Zog mbeti pas dhe u bashkua me të më vonë. Mbretëresha Geraldinë u nis me truprojën Zejnel Shehu. Foshnja dhe dadoja vinin pas me truprojën Muharrem Gjoka, në një makinë tjetër. Rrugës Mbretëreshës i hipën ethet dhe nuk mund t’i jepte më gji foshnjës.

Geraldina: “Më shtrinë për së gjati në një dyshek të makinës ‘Chrysler’, pranë kisha një mjek dhe brenda pak minutash u nisëm. Nuk pata kohë as t’i thosha lamtumirë tim shoqi. Foshnja ishte në një makinë tjetër, me njërën nga motrat e Zogut, me dadot dhe një mami që më kishte pritur fëmijën…! Rrugët ishin rrëshqitëse për shkak të shiut dhe baltës në fushë, ndërsa ishin të rrezikshme me një shtresë ngrice e akulli nëpër male…! Ishte një udhëtim i tmerrshëm dhe ende sot e kujtoj me tmerr.

Lindja e fëmijës qe e vështirë dhe e ngadaltë, mua më kishin mbushur me ilaçe dhe isha gjysmë e pavetëdijshme. Ndërsa po largoheshim nga Tirana, ku rrugët ishin të mbushura me njerëz të shqetësuar, më bëri përshtypje qetësia e fshatrave dhe e qyteteve. Shumica e tyre nuk kishin radio dhe as mjete të tjera për të marrë vesh se çfarë po ndodhte në bregdet dhe se tashmë kishim humbur lirinë. Karvani ynë çuditërisht nuk ngjallte asnjë farë interesi. Hymë në Korçë aty nga mesdita dhe ndaluam për një drekë me ngut.

Vëllai im më i vogël, Gyula, djalosh 14 vjeç, mësonte në Liceun Francez atje. Dikush vrapoi ta gjente duke e kërkuar klasë më klasë, derisa u plas në një dhomë me fëmijë të vegjël që mësonin aritmetikë, dhe u shtangën. Pa i thënë asnjë fjalë mësuesit, ai rrëmbeu Gyula-n dhe u nis me vrap te makinat, ndërsa librat e shkollës ende i kishte në dorë. Më në fund, iu afruam kufirit në të ngrysur, pas një udhëtimi të ankthshëm prej më se 14 orësh. Makinat na ishin bërë të kuqe prej baltës dhe fytyrat na ishin spërkatur e ishin hequr nga mundimet. Pika e kalimit kufitar nuk përdorej shumë dhe prandaj kishte vetëm një ushtar grek në krye të detyrës… një nga ushtarët e ngriti trarin e kufirit dhe ne kaluam në tokën greke”.

Mërgimi Prill-shtator 1939, kërkesa për të shkuar në Angli

Në maj 1939, Mbreti Zog u lidh me Ministrinë e Jashtme britanike nga Legata Shqiptare në Ankara dhe kërkoi strehim në Angli për vete dhe shpurën e tij, që atëherë ishte 32 veta. Pasi u sigurua që ai kishte shtatë arka me ar dhe para në disa llogari bankare, u pranua strehimi i tij më 15 qershor. Kushtet e pranimit ishin që ai do të vetëfinancohej dhe se nuk do të merrej me veprimtari politike.

Largimi nga Turqia

Shumica e shpurës së Mbretit Zog, ndër ta edhe i vëllai, princi Xhelal me familjen e vet, vendosën të qëndronin në Stamboll. Më 30 qershor, një grup prej 19 vetash, duke përfshirë edhe tri motrat më të vogla të Mbretit Zog, u larguan nga Stambolli për në Rumani. Ata morën rrugën për Francë nëpër Europën Lindore dhe Skandinavi, ndërsa qëndruan rreth një javë në secilin shtet. Udhëtimi u bë me një karvan të madh makinash, që udhëtuan nëpër tokë dhe me traget. Mbretëresha Geraldinë dhe shumica e familjes mbretërore udhëtuan me tren.

Francë

Më 8 gusht 1939, Mbreti Zog dhe grupi i tij arriti me një karvan makinash në “Chateau de la Maye” në Versajë. Kur mbërritën aty, u pritën nga familjet e princeshës Adile dhe të princeshës Nafije, si edhe nga gjyshja e Mbretëreshës Geraldinë, Virginia de Strale d’Eckna dhe i vëllai Gyula Apponyi, që tashmë banonin në Paris. Kur mbaroi qiraja për kështjellën, ata kaluan në hotelin “Trianon” në Versajë. Aty qëndruan derisa shpërtheu lufta në shtator 1939. Kur Mbreti Zog u kthye nga Londra, e lëvizi grupin nga Versaja në Brittany, për t’iu shmangur bombardimeve të mundshme.

Pastaj banuan në vende të ndryshme në veri të Francës. Mbreti Zog punësoi një infermiere zvicerane, zonjushën Elizabeth Aegerter, që të kujdesej për motrën e tij, Ruhijen, e cila kishte dalë me kancer. Më 13 qershor, Mbreti Zog dhe grupi prej 35 vetash e la Parisin, me një karvan prej nëntë makinash. Ata u arratisën drejt jugut për Bordo, që t’u shmangeshin gjermanëve. Të nesërmen, gjermanët pushtuan Parisin. Mbretëresha Geraldina kujton: “Nganjëherë, francezë të sjellshëm na i hapnin shtëpitë. Më kujtohet se si në një shtëpi të tillë, nusja e re e shtëpisë po priste fëmijën e vet të parë. Fëmija lindi pas nja dy ditësh më vonë, ishte një vajzë dhe si kujtim të vizitës sonë, ia vunë emrin Geraldine”.

Londër: Ritz nën sulmet e Blitz

Mikesha e Mbretëreshës Geraldinë, Rozmaria, mban mend që i kishte bërë vizita shpurës së Mbretit Zog, e cila jetonte në katin e sipërm të hotelit, ndërsa shpesh flinin në banjat e grave në qilarët, të cilët ishin kthyer në strehim kundër bombardimeve. Mbretëresha Geraldinë kujton: “Jeta jonë në Londër, në Hotelin ‘Ritz’ pas pak kohësh u bë diçka e zakonshme”. Teri Cooper mban mend se truprojat shkaktonin shqetësim netëve duke patrulluar nëpër korridoret dhe shkallët e hotelit. Ata e kishin zakon të mblidheshin te Lyon’s Tea Rooms, ku dy prej tyre zunë dashnore angleze, ndërsa Muharrem Gjoka gjeti partneren e vet, Mary Ward.

Vajtja në kishë

Familja e Mbretit Zog ishte myslimanë, por Mbretëresha Geraldinë ishte katolike e patundur. Veç kësaj, shumica e shërbëtoreve austriake e zvicerane, gratë franceze e belgjiane të zyrtarëve të Mbretit Zog dhe disa prej shqiptarëve gjithashtu ishin katolikë, ndër ta edhe dama shoqëruese e Mbretëreshës Geraldinë, Selma Zavalani. Të dielave, Mbretëresha Geraldinë dhe katolikët e tjerë shkonin të dëgjonin meshën në kishën katolike, aty afër në Farm Street, Mayfair, Londër Ë1. Kjo kishë jezuite pranonte rrëfimet në shumë gjuhë europiane për mërgatën në Londër.

Kur po ktheheshin nga mesha me gjyshen amerikane më 3 shtator 1940, ato dëgjuan të parën sirenë të alarmit ajror. Kur ra një bombë në Pikadilli, që hapi një krater të madh afër hotelit “Ritz”, shumica e familjes mbretërore iku në Chelsea, por Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldina qëndruan aty. Julian Amery ka shkruar: “Në një kohë kur mbretërit e tjerë të mërguar nuk u ndaheshin restoranteve dhe klubeve të natës në Londër, Zogu rrallë dilte në publik…! Ai e quante të papërshtatshme të dukej në vende të argëtimit publik, ndërkohë që atdheu i tij ishte nën pushtimin e armikut”. Më 28 nëntor 1940, përvjetori i 28-të i pavarësisë së Shqipërisë u festua me bashkësinë shqiptare.

Ikja nga Londra

Mbretëresha Geraldinë ka shkruar: “Në maj 1941, sulmet ajrore u bënë më të rënda. Unë zakonisht rrija shtrirë, duke mbrojtur Lekën me trupin tim dhe, ndonëse ai ishte dy vjeç, më thoshte: “Mos ki frikë mami, mos ki frikë”. Epo, ndonëse ai nuk kishte frikë, unë kisha dhe që nga ajo kohë asnjëherë nuk më ka dalë frika nga bombardimet, prandaj iu luta bashkëshortit të na lejonte të iknim nga ai vend. Deri atëherë, Mbreti Zog nuk kishte pranuar të ikte nga Londra. Ai thoshte se tashmë kishim shpenzuar shumë kohë, duke marrë arratinë. Por më në fund ai pranoi se unë mund të merrja me qira një shtëpi në Askot. Dhe ashtu bëmë”.

Më 10 maj 1940, Mbretëresha Geraldinë, shoqëruesja e saj Selma Zavalani, Princi Leka, dadoja e tij dhe disa nga shpura ikën nga Londra dhe u vendosën në Sunninghill, në Berkshire. Aty zunë vend në hotelin Berystede në rrugën Bagshot, ndërsa prisnin të gjenin një shtëpi më të lirë. Mbreti Zog erdhi të nesërmen me motrat e veta dhe pjesën tjetër të grupit. Me grupin ishte edhe një kamerier i mëparshëm nga hoteli “Ritz”, z. Jim Evans, i cili punonte si kryeshërbëtor, së bashku me gruan e vet zvicerane, Katy, e cila punonte si shërbëtore vetjake e Mbretëreshës.

Mbajtja e shtëpisë Parmur

Mikesha e Mbretëreshës Geraldinë, Rosemary Trasenster, e mban mend që princesha Adile bënte pjesën më të madhe të gatimit, ndërsa Mbretëresha Geraldinë punonte më shumë në kopsht. Përdornin kopshtin e kuzhinës të Lord Parmurit dhe mbanin pula për vezë e, lopë për qumësht. Kishin gjithashtu një dhi, dy qen, dhe një mëz për kaloshinin. Teri Cooper-i mban mend që princesha Adile shpesh i merrte në Londër për t’i çuar te një ushqimore italiane në Soho, për të blerë vaj ulliri dhe makarona, të cilat nuk ishin me racion. Nganjëherë gjithashtu i shoqëronte Mbretëresha Geraldinë. Po ashtu shkëmbenin mish derri dhe racionet e pulës, me banorët vendas.

Phyllis Gordon- Spenceri, kujton që princesha Adile “ishte një zonjë e madhe shtëpie, por ndërsa motrat e tjera të Mbretëreshës dhe të Zogut ishin shkolluar në Francë dhe në Angli, e mbanin veshje luksi të Parisit, ajo gjithnjë mbante një fustan pëlhure të thurur ngjyrë të zezë, ndërsa flokët i lidhte fort prapa si një xhufkë mbi kokë. Por, njeriu nuk mbetej aspak në dyshim se çfarë ndikimi kishte ajo mbi familjen, ndërsa e bënte vet gjithë pazarin dhe gatimin. Ishte si një copë e vërtetë nga jeta ballkanike, që kishte ardhur në Çilterns”! Shumë veta në Frith, kujtonin se ajo ishte e ëma e Zogut! / Memorie.al

“Taraboshin nuk e lëviz era”, deklarata e Ramiz Alisë pas demonstratës së 14 janarit 1990 në Shkodër! Dosjet e Sigurimit

Më 14 janar të vitit 1990 u bë demonstrata e parë antikomuniste në Shqipëri. Mijëra qytetarë të Shkodrës u mblodhën në qendër të qytetit duke protestuar në heshtje.

 

Qëllimi i tyre ishte rrëzimi i bustit të Stalinit, por kjo përpjekje ishte sinjal i veprimeve të tjera antikomuniste që do të pasonin. Ngjarja u përcoll edhe në mediat e huaja si BBC “World Service”, RAI, VOA – Zëri i Amerikës. Ky tubim kishte ditë që planifikohej. Nismëtarët kishin njoftuar shumë qytetarë në mënyrë që t’i bashkëngjiteshin protestës dhe përmasat e saj të ishin të mëdha.

Lëvizjet e organizatorëve nuk i kishin shpëtuar Sigurimit të Shtetit, i cili ishte në dijeni të një tubimi të tillë, duke i konsideruar ata “elementë armiq të frymëzuar nga ngjarjet në vendet e Evropës Lindore”. Sipas Autoritetit të Dosjeve, përmes dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dëshmohen përgatitjet, mbikëqyrja dhe arrestimet që paraprinë demonstratës së 14 janarit 1990. Dokumentet hedhin dritë mbi mënyrën se si pushteti reagonte ndaj çdo shenje kundërshtimi qytetar. Kjo protestë nuk i përmbushi pritshmëritë e organizatorëve, pasi strukturat e Sigurimit të Shtetit arrestuan, në datat 13 dhe 14 janar, drejtuesit kryesorë të saj.

Një pjesë e tyre u dënuan me disa vite burg me akuzën e agjitacion e propagandë, diversion apo moskallëzim krimi. Sipas tij qindra qytetarë të arrestuar, një pjesë e madhe pësoi tortura, dhjetë ndër kryesorët; Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rin Monajka, Kolec Hublina, Flamur Elbasani, Nikolin Margjini, Tonin Dema, Nikolin Thana, Klaudio Daka, Aldo Perizi u dënuan me shumë vite burg, gjashtë të tjerë; Gjovalin Rolba, Gjovalin Zefi, Ndoc Leqejza, Pjerin Veli, Paulin Shtjefni, Viktor Martini u shtruan në psikiatri dhe shumë familje u internuan. Një prej të burgosurve, i ndjeri Rin Monajka, me ardhjen e demokracisë doli nga burgu në gjendje invaliditeti ekstrem. Torturat shtazarake e kishin bërë efektin makabër

PARULLAT ANTIKOMUNISTE

Studiuesi Kastriot Dervishi ka rrëfyer për masat që kishte marrë Sigurimi i Shtetit dhe orët që paraprinë këtë demonstratë. Të shtunën në darkë, regjimi kishte marrë masat të parandaluar demonstratën e nesërme, e diel 14 janar 1990. Dega e Punëve të Brendshme dhe Komiteti i PPSH-së kishin dërguar njerëzit e vet të ishin të pranishëm këtu. I gjithë grumbullimi do filmohej në mënyrë të fshehtë, material i cili nuk dihet ku ka përfunduar. DPB Shkodër hapi dosjen nr.126, ndërsa Hetuesia e Përgjithshme atë nr.113. Hetuesia i vlerësonte pjesëmarrësit në rreth 2000 veta. Rolin kryesor në tubimin e 14 janarit e kishte Rini Monajka. Intensiteti kryesor i veprimeve shihet në datat 13-16 janar 1990. Ndërsa vijonin veprimet për “zbërthimin” e atyre që ishin arrestuar (Dedë Kasneci ishte në pozita të forta mohuese në hetuesi), veprimi kryesor mbeti vëzhgimi i afërt i atyre që do i afroheshin bustit të Stalinit. U vendos që elementët më aktivë, që ishin filmuar në datën 14 afër bustit, “disa përpunime me të dhëna të mprehta, të goditeshin”.

Nga 21 personat e arrestuar, 7 prej tyre pranuan qëllimin e pjesëmarrjes, ndërsa shumica jo. Në datat 13-16 pati rritje të fletushkave e parullave antikomuniste, ndërsa më 15 u hodh pas Komitetit të Partisë një dinamit i përgatitur, i cili nuk realizoi plasjen “për vigjilencë të lartë të policit të shërbimit”. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi relatonte se qëllimi i demonstratës kishte qenë rrëzimi i bustit të Stalinit dhe më pas takimi me sekretarin e parë të Komitetit të PPSH-së, Xhemal Dymylja, të cilit protestuesit do i kërkonin liri shtypi, fjale, demokraci, etj.. Në të gjitha shënimet vihet re se frymëzim kryesor kishin qenë zhvillimet në Lindjen komuniste. Hetuesia e përqendroi çështjen e saj te personat pjesëmarrës në demonstratë, si dhe ata që kishin shkruar parullat e këtyre ditëve.

ARRESTIMET DHE TORTURAT

Qytetarët e Shkodrës u ngritën në mënyrë spontane në protestë kundër regjimit komunist. Atë ditë historike, me mijëra shkodranë kishin dalë në qendër të qytetit dhe u përpoqën të hidhnin bustin e Stalinit, por policia dhe ushtria komuniste arrijnë të shpërndajnë turmën. Zemërimi i regjimit në grahmat e fundit ra mbi dhjetëra protestues, të cilët u arrestuan dhe u dhunuan barbarisht në burgje. Në fund të prillit 1990 grupi i Shkodrës që kishte organizuar demonstratën për rrëzimin e bustit të Stalinit doli para trupit gjykues të kryesuar prej Shefqet Muçit në Gjykatën e Lartë.

Gjykimi në atë shkallë u hiqte atyre të drejtën e apelimit dhe de facto e kthente dënimin në formën e prerë. Akuza mbështetej tek nenet 55/1+13 e 57 e të Kodit Penal të RPSSH, për krijimin e një organizate kundërrevolucionare me karakter antisocialist, për kryerjen e krimeve në bashkëpunim kundër shtetit dhe përmbysjen e pushtetit popullor me dhunë. Dënimet për këto nene mund të shkonin deri në pushkatim, por kohët kishin ndryshuar. Gjatë hetuesisë e cila u drejtua prej një grupi hetuesish të udhëhequr prej vetë zv.ministrit Zylyftar Ramizi, u përdor dhunë çnjerëzore, në veçanti kundër Rini Monajkës, i cili siç rrëfen vetë në ditarin e mbajtur disa muaj më vonë në burgun e Burrelit, gjatë spostimit me makinë nga Dega e Punëve të Brendshme në Shkodër për në Tiranë u rrah shtazërisht prej sambistave, të cilët i shkaktuan një frakturë prej shtatë centimetrash në kafkë. Por regjimi përpiqej që krahas dhunës të tregonte edhe një farë qetësie.

Ramiz Alia gjatë një vizite në Uzinën Traktori u shpreh se “Taraboshin nuk e lëviz era”. Por “Era e Lindjes” që po frynte nga Berlini në Pragë e në Timishoara kishte mbërritur edhe në Shkodër, duke sjellë jehonën e ngjarjeve epokale që po shënonin rënien e diktaturave dhe përmbysjen e ideologjisë komuniste. Batarja që pak javë ma parë kishte shtri përdhe çiftin Çaushesku ishte tepër afër për mos me u ndie në Tiranë dhe e gjithë makineria e dhunës iu sul tetë organizatorëve të demonstratës e në veçanti Rini Monajkës. Kjo ngjarje, për vetë rëndësinë dhe kohën në të cilën u zhvillua, me të drejtë u konsiderua si demonstrata e parë antikomuniste në Shqipëri. Pati jehonë brenda e jashtë Shqipërisë, u analizua dhe komentua nga mediat ndërkombëtare sepse hapi rrugën më pas edhe zhvillimeve të tjera demokratike në mbarë Shqipërinë, e frytet e saj demokratike nuk u vonuan. Lek Kurti, pjesëmarrës në këtë demonstratë bashkë me gruan dhe fëmijën vetëm 2-vjeçar në krah ka rrëfyer vite më parë se lëvizja u nxit nga ndryshimet në Evropën Lindore.

Në një intervistë për mediat në Shkodër ai kujton se një natë para protestës sigurimi i shtetit bëri terror nëpër lagjet ku mendohej se kishte elementë që po organizonin këtë reagim qytetar duke arrestuar të paktën 4 vetë gjatë natës, por përsëri nuk arritën ta pengonin mbajtjen e saj. Ndërsa Filip Guraziu në një shkrim të disa viteve më parë shprehet se “nuk mund të konsiderohet rastësi organizimi i demonstratës se parë antikomuniste të 14 janarit pikërisht në Shkodër”. “Populli i Shkodrës dhe i malësive për rreth edhe më parë kishin demonstruar se komunizmi ishte i huaj për to. Ky popull që mbart në gene lirinë e njerëzve të maleve, i ndodhur historikisht në kontakt me kulturën perëndimore nëpërmjet shkëmbimeve tregtare dhe influencës së Kishës Katolike nuk mundi ta pranojë kurrë diktaturën dhe dogmën komuniste. Kujtojmë rezistencën e armatosur deri në vetëmohim të malësorëve Kelmendas në janar te 1945 dhe kryengritjen e përgjakshme të Postribës në vitin 1946. Shembuj unikë në Shqipëri dhe jo vetëm.

Terrori politik që pasoi 14 janarin 1990 nuk arriti të mposhtë shpirtin demokratik të shkodranëve, përkundrazi vala e protestave si një ortek u rrit dhe u bë më e ashpër për të qenë shembull frymëzimi për të gjithë shqiptarët. Historia e demokracisë shqiptare kujton me respekt revoltat e shkodranëve; 16 qershorin 1990, 11 nëntorin 1990, 13 dhjetorin 1990 dhe 2 prillin 1991. Duke u përkulur me respekt dhe me mirënjohje ndaj të gjithë atyre qe u sakrifikuan në përpjekjet kundër komunizmit dhe fitoren e demokracisë, gjej rastin të ju rikujtoj historianëve faktin, çuditërisht të lënë në harresë, se historia e demokracisë post komuniste shqiptare fillon me 14 janar 1990 dhe kjo duhet të shkruhet dhe të përkujtohet jo vetëm në Shkodër! Shkodranët ndërtuan themelet e demokracisë shqiptare dhe guri i parë, kryesor i hemelit, ishte demonstrata e 14 janarit 1990”, – është shprehur Guraziu.

/Gazeta Panorama 

“Kur Mbretërit e tjerë të mërguar nuk u ndaheshin klubeve të natës në Londër, Zogu rrallë dilte në publik, pasi…”- Historia e panjohur e Mbretit Zog në Angli

Ndoshta në fillim gjithçka lindi si kërshëri. Nuk të qëllon shpesh të kesh gjiton një mbret dhe një mbretëreshë. Neil Rees, një shkrimtar amator i apasionuar pas historisë së Shqipërisë, qëlloi të kish pranë kështjellën e famshme të lordit Parmur, të cilën Mbreti Zog e bleu gjatë viteve të qëndrimit në Angli.

 

Janë ecejaket e gjithë familjes mbretërore, nga dasma e organizuar sipas Kodit Civil shqiptar dhe e zgjedhur pikërisht në ditën që përkonte me përvjetorin e martesës së Skënderbeut me Donikën (Marina Andronika), më 27 prill 1938. Ndërsa, vetëm një vit më pas u mor vesh shtatzënia e Mbretëreshës Geraldinë, e cila pati një lindje tejet të vështirë, ndërsa fëmija vetëm pesë javësh, i pagëzuar me emrin Leka, po humbte peshë dita-ditës, çka e shqetësoi jo pak nënën e re.

Zhvendosja me eskortë drejt Greqisë dhe një ambulancë e staf mjekësor që shoqëronte Mbretëreshën, e cila vetëm dy ditë më parë kish sjellë në jetë një fëmijë. Udhëtimi i princeshave, motrave të Mbretit Zog në Boston, për të siguruar kështu pajtimin mes Peshkopit Fan Noli, i cili kishte qenë kundërshtar politik i Mbretit prej ditës së parë që ai ishte ngjitur në fron. Vendqëndrimi i parë pas Greqisë do të ishte Franca, aty ku pikërisht Mbreti do të shqetësohej më së shumti, pasi mësoi se e motra Ruhija ishte me kancer.

Ai i vuri në dispozicion një infermiere, që i bënte shërbim të përditshëm, në kushte të rënduara fizike. Më pas, ishte Londra dhe qëndrimi disaditor në banjat e hotelit Ritz, e mandej blerja e kështjellës nga ana e Mbretit. Kujdesi për pulat, për dhitë, për kafshët shtëpiake e portretizimi i princeshë Adiles, motrës së Zogut, si nëna e familjes, për shkak se ishte personi që merrej kryesisht me anën guvernante. Shpresat e vakëta për kthimin në atdhe, me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, dhe urrejtja për diktatorin Hoxha, për të cilin Mbretëresha Geraldinë thotë se ishte Zogu ai që i kishte ofruar një bursë studimore për në universitet…!

Data

Martesa e Mbretit Zog me konteshën Geraldina Aponi u caktua më 27 prill 1938. Mbreti Zog e zgjodhi këtë datë, sepse ishte përvjetori i dasmës së Skënderbeut me Marina Andronikën më 27 prill 1454.

Miqtë austriakë dhe hungarezë

Farefisi i afërt i Geraldinës erdhi në mes të prillit dhe qëndruan me të. Pjesa kryesore e krushqve hungarezë erdhën më 25 prill dhe u vendosën në Hotelin Internacional. Mbretëresha Geraldinë kujton: “Përpara ceremonisë, e cila u zhvillua sipas Kodit Civil shqiptar, unë u nisa me makinë nga vila në pallat, ku më priste mamaja për të më vënë vellon në kokë dhe pastaj hyra në paradhomë për t’u takuar me Mbretin dhe princeshat. Trumbetierët i ranë një fanfare dhe unë hyra në krahun e burrit tim të ardhshëm, e veshur me një fustan të bardhë mëndafshi me bisht të gjatë dy metra, që e mbanin… nipërit e mbretit”.

Një angleze me emrin Ruth Mitchell e paraqiti kështu dasmën për revistën e ilustruar të Londrës: “Në shkurt kisha në plan një udhëtim rreth botës për të studiuar çështjen e rinisë, për të cilën kisha pasur kurdoherë interesimin më të madh, kur më ofruan një pagesë të mirë që të shkoja në Shqipëri për të fotografuar martesën e Mbretit Zog. Vajta pa ndonjë qejf të madh. Vajta te martesa e Mbretit Zog me nusen e tij të vogël hungareze, konteshën Geraldina Aponi…!

Është Italia që e ka të plotë nën thundrën e saj atë vend të vogël dhe po i merr frymën…! Por, qe më të vërtetë madhështore hordhia e farefisit hungarez të nuses, që kishte zbritur mbi atë vend të vogël…! Veshjet e tyre, sidomos të burrave, ishin nga trashëgimia familjare e vjetër, shkëlqenin nga koka te këmbët me gurë të çmuar, kadife dhe ar. Ishin me të vërtetë gjëja më e hijshme që kisha parë ndonjëherë në Europë për pasurinë. Fisnikët e vjetër, që qëndronin drejt, krenarë dhe të patundur, sikur kishin dalë drejt e nga një libër përrallash”.

5 prill 1939Princ Leka

Geraldina: “Në vjeshtë e mora vesh se do të lindja një fëmijë. Natyrisht, Mbreti mezi e priste një trashëgimtar…”. Mbreti Zog po ndërtonte një pallat për vete, ndërkohë Mbretëresha Geraldinë banonte në shtëpinë e princeshës Sanie në Tiranë. Geraldina: “Në orën tre e gjysmë, të mërkurën në mëngjes, përpara Pashkëve, në 5 prill 1939, e linda në pallat fëmijën, që do të kurorëzohej princi Leka…”. E quajtën Leka, që është trajta shqipe e emrit Aleksandër.

Gjysmë-motra e Mbretëreshës Geraldinë, Sylviane Muselier, kujton: “Foshnja mbretërore bënte përshtypje, kur e pamë pasi na çuan te dhoma e fëmijëve. Motra ime, Geraldina, dukej e rraskapitur dhe nuk po e merrte veten nga një lindje e vështirë. Njëkohësisht lufta na kishte ardhur te pragu i derës! …Brenda dy ditësh, familjes mbretërore iu desh të largohej menjëherë dhe të kalonte në Greqi duke e marrë Mbretëreshën me një ambulancë, ndërsa ne u detyruam të ktheheshim në Francë nga veriu”.

Shkurt-mars 1938, udhëtimi i “Zogeshave” në SHBA-ës

Pas fejesës së Mbretit Zog më 1938-n dhe përpara dasmës së tij, tri motrat më të vogla të Mbretit Zog, bënë një udhëtim të vullnetit të mirë në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe u kthyen nëpër Angli, Francë dhe Itali. Ato u nisën nga Napoli në Itali më 20 shkurt 1938 me anijen italiane “Konte di Savoia” dhe arritën në Nju-Jork më 28 shkurt. I priti Faik Konica, ministri shqiptar në SHBA-ës, që u bë përkthyesi i tyre.

Vendi i qëndrimit të tyre në SHBA-ës, ishte suita mbretërore në hotelin Ritz-Carlton në Nju-Jork dhe kudo udhëtuan me tren. Qëllimi i udhëtimit ishte të siguronin pajtimin politik me Peshkopin Fan Noli, të garantonin investime amerikane në Shqipëri dhe ta ngrinin reputacionin e Shqipërisë në SHBA-ës. Interesi publik i amerikanëve për Mbretin Zog, qe ngjallur për shkak të fejesës së tij me konteshën gjysmë-amerikane, Geraldina Aponi. Për pasojë, mediat amerikane e mbuluan me interes udhëtimin dhe u vunë motrave të Zogut nofkën “Zogeshat”.

Boston

Me tren ato udhëtuan nga Nju-Jorku në Boston, ku u pritën nga 6 mijë shqiptarë. Më 12 mars u bëri vizitë Peshkopi Fan Noli, kreu i Kishës Orthodokse shqiptare. Noli ishte kundërshtar politik i Mbretit Zog, që kur Zogu mori pushtetin më 1924. Ato morën pjesë në një shërbesë të mëngjesit në Katedralen e Shën Gjergjit, në rrugën “Emerald”, ku Fan Noli për herë të parë bëri lutje për Mbretin Zog. Kjo bëri aq përshtypje, saqë dëgjuesit bënë një gjë të pazakontë: duartrokitën. Pajtimi mori trajtë simbolike, kur Fan Noli publikisht zbriti nga navata, u shtrëngoi duart motrave të Zogut dhe u lut për to. Ato u larguan nga Bostoni më 19 mars.

7-8 prill 1939largimi nga Shqipëria

Familja mbretërore mori me ngut pasaporta të reja diplomatike më 6 prill 1939. Kur u nis me karvanin e makinave, Mbretëresha Geraldinë nuk e kishte marrë veten nga lindja e djalit, dy ditë më parë. Mbreti Zog mbeti pas dhe u bashkua me të më vonë. Mbretëresha Geraldinë u nis me truprojën Zejnel Shehu. Foshnja dhe dadoja vinin pas me truprojën Muharrem Gjoka, në një makinë tjetër. Rrugës Mbretëreshës i hipën ethet dhe nuk mund t’i jepte më gji foshnjës.

Geraldina: “Më shtrinë për së gjati në një dyshek të makinës ‘Chrysler’, pranë kisha një mjek dhe brenda pak minutash u nisëm. Nuk pata kohë as t’i thosha lamtumirë tim shoqi. Foshnja ishte në një makinë tjetër, me njërën nga motrat e Zogut, me dadot dhe një mami që më kishte pritur fëmijën…! Rrugët ishin rrëshqitëse për shkak të shiut dhe baltës në fushë, ndërsa ishin të rrezikshme me një shtresë ngrice e akulli nëpër male…! Ishte një udhëtim i tmerrshëm dhe ende sot e kujtoj me tmerr.

Lindja e fëmijës qe e vështirë dhe e ngadaltë, mua më kishin mbushur me ilaçe dhe isha gjysmë e pavetëdijshme. Ndërsa po largoheshim nga Tirana, ku rrugët ishin të mbushura me njerëz të shqetësuar, më bëri përshtypje qetësia e fshatrave dhe e qyteteve. Shumica e tyre nuk kishin radio dhe as mjete të tjera për të marrë vesh se çfarë po ndodhte në bregdet dhe se tashmë kishim humbur lirinë. Karvani ynë çuditërisht nuk ngjallte asnjë farë interesi. Hymë në Korçë aty nga mesdita dhe ndaluam për një drekë me ngut.

Vëllai im më i vogël, Gyula, djalosh 14 vjeç, mësonte në Liceun Francez atje. Dikush vrapoi ta gjente duke e kërkuar klasë më klasë, derisa u plas në një dhomë me fëmijë të vegjël që mësonin aritmetikë, dhe u shtangën. Pa i thënë asnjë fjalë mësuesit, ai rrëmbeu Gyula-n dhe u nis me vrap te makinat, ndërsa librat e shkollës ende i kishte në dorë. Më në fund, iu afruam kufirit në të ngrysur, pas një udhëtimi të ankthshëm prej më se 14 orësh. Makinat na ishin bërë të kuqe prej baltës dhe fytyrat na ishin spërkatur e ishin hequr nga mundimet. Pika e kalimit kufitar nuk përdorej shumë dhe prandaj kishte vetëm një ushtar grek në krye të detyrës… një nga ushtarët e ngriti trarin e kufirit dhe ne kaluam në tokën greke”.

Mërgimi Prill-shtator 1939kërkesa për të shkuar në Angli

Në maj 1939, Mbreti Zog u lidh me Ministrinë e Jashtme britanike nga Legata Shqiptare në Ankara dhe kërkoi strehim në Angli për vete dhe shpurën e tij, që atëherë ishte 32 veta. Pasi u sigurua që ai kishte shtatë arka me ar dhe para në disa llogari bankare, u pranua strehimi i tij më 15 qershor. Kushtet e pranimit ishin që ai do të vetëfinancohej dhe se nuk do të merrej me veprimtari politike.

Largimi nga Turqia

Shumica e shpurës së Mbretit Zog, ndër ta edhe i vëllai, princi Xhelal me familjen e vet, vendosën të qëndronin në Stamboll. Më 30 qershor, një grup prej 19 vetash, duke përfshirë edhe tri motrat më të vogla të Mbretit Zog, u larguan nga Stambolli për në Rumani. Ata morën rrugën për Francë nëpër Europën Lindore dhe Skandinavi, ndërsa qëndruan rreth një javë në secilin shtet. Udhëtimi u bë me një karvan të madh makinash, që udhëtuan nëpër tokë dhe me traget. Mbretëresha Geraldinë dhe shumica e familjes mbretërore udhëtuan me tren.

Francë

Më 8 gusht 1939, Mbreti Zog dhe grupi i tij arriti me një karvan makinash në “Chateau de la Maye” në Versajë. Kur mbërritën aty, u pritën nga familjet e princeshës Adile dhe të princeshës Nafije, si edhe nga gjyshja e Mbretëreshës Geraldinë, Virginia de Strale d’Eckna dhe i vëllai Gyula Apponyi, që tashmë banonin në Paris. Kur mbaroi qiraja për kështjellën, ata kaluan në hotelin “Trianon” në Versajë. Aty qëndruan derisa shpërtheu lufta në shtator 1939. Kur Mbreti Zog u kthye nga Londra, e lëvizi grupin nga Versaja në Brittany, për t’iu shmangur bombardimeve të mundshme.

Pastaj banuan në vende të ndryshme në veri të Francës. Mbreti Zog punësoi një infermiere zvicerane, zonjushën Elizabeth Aegerter, që të kujdesej për motrën e tij, Ruhijen, e cila kishte dalë me kancer. Më 13 qershor, Mbreti Zog dhe grupi prej 35 vetash e la Parisin, me një karvan prej nëntë makinash. Ata u arratisën drejt jugut për Bordo, që t’u shmangeshin gjermanëve. Të nesërmen, gjermanët pushtuan Parisin. Mbretëresha Geraldina kujton: “Nganjëherë, francezë të sjellshëm na i hapnin shtëpitë. Më kujtohet se si në një shtëpi të tillë, nusja e re e shtëpisë po priste fëmijën e vet të parë. Fëmija lindi pas nja dy ditësh më vonë, ishte një vajzë dhe si kujtim të vizitës sonë, ia vunë emrin Geraldine”.

Londër: Ritz nën sulmet e Blitz

Mikesha e Mbretëreshës Geraldinë, Rozmaria, mban mend që i kishte bërë vizita shpurës së Mbretit Zog, e cila jetonte në katin e sipërm të hotelit, ndërsa shpesh flinin në banjat e grave në qilarët, të cilët ishin kthyer në strehim kundër bombardimeve. Mbretëresha Geraldinë kujton: “Jeta jonë në Londër, në Hotelin ‘Ritz’ pas pak kohësh u bë diçka e zakonshme”. Teri Cooper mban mend se truprojat shkaktonin shqetësim netëve duke patrulluar nëpër korridoret dhe shkallët e hotelit. Ata e kishin zakon të mblidheshin te Lyon’s Tea Rooms, ku dy prej tyre zunë dashnore angleze, ndërsa Muharrem Gjoka gjeti partneren e vet, Mary Ward.

Vajtja në kishë

Familja e Mbretit Zog ishte myslimanë, por Mbretëresha Geraldinë ishte katolike e patundur. Veç kësaj, shumica e shërbëtoreve austriake e zvicerane, gratë franceze e belgjiane të zyrtarëve të Mbretit Zog dhe disa prej shqiptarëve gjithashtu ishin katolikë, ndër ta edhe dama shoqëruese e Mbretëreshës Geraldinë, Selma Zavalani. Të dielave, Mbretëresha Geraldinë dhe katolikët e tjerë shkonin të dëgjonin meshën në kishën katolike, aty afër në Farm Street, Mayfair, Londër Ë1. Kjo kishë jezuite pranonte rrëfimet në shumë gjuhë europiane për mërgatën në Londër.

Kur po ktheheshin nga mesha me gjyshen amerikane më 3 shtator 1940, ato dëgjuan të parën sirenë të alarmit ajror. Kur ra një bombë në Pikadilli, që hapi një krater të madh afër hotelit “Ritz”, shumica e familjes mbretërore iku në Chelsea, por Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldina qëndruan aty. Julian Amery ka shkruar: “Në një kohë kur mbretërit e tjerë të mërguar nuk u ndaheshin restoranteve dhe klubeve të natës në Londër, Zogu rrallë dilte në publik…! Ai e quante të papërshtatshme të dukej në vende të argëtimit publik, ndërkohë që atdheu i tij ishte nën pushtimin e armikut”. Më 28 nëntor 1940, përvjetori i 28-të i pavarësisë së Shqipërisë u festua me bashkësinë shqiptare.

Ikja nga Londra

Mbretëresha Geraldinë ka shkruar: “Në maj 1941, sulmet ajrore u bënë më të rënda. Unë zakonisht rrija shtrirë, duke mbrojtur Lekën me trupin tim dhe, ndonëse ai ishte dy vjeç, më thoshte: “Mos ki frikë mami, mos ki frikë”. Epo, ndonëse ai nuk kishte frikë, unë kisha dhe që nga ajo kohë asnjëherë nuk më ka dalë frika nga bombardimet, prandaj iu luta bashkëshortit të na lejonte të iknim nga ai vend. Deri atëherë, Mbreti Zog nuk kishte pranuar të ikte nga Londra. Ai thoshte se tashmë kishim shpenzuar shumë kohë, duke marrë arratinë. Por më në fund ai pranoi se unë mund të merrja me qira një shtëpi në Askot. Dhe ashtu bëmë”.

Më 10 maj 1940, Mbretëresha Geraldinë, shoqëruesja e saj Selma Zavalani, Princi Leka, dadoja e tij dhe disa nga shpura ikën nga Londra dhe u vendosën në Sunninghill, në Berkshire. Aty zunë vend në hotelin Berystede në rrugën Bagshot, ndërsa prisnin të gjenin një shtëpi më të lirë. Mbreti Zog erdhi të nesërmen me motrat e veta dhe pjesën tjetër të grupit. Me grupin ishte edhe një kamerier i mëparshëm nga hoteli “Ritz”, z. Jim Evans, i cili punonte si kryeshërbëtor, së bashku me gruan e vet zvicerane, Katy, e cila punonte si shërbëtore vetjake e Mbretëreshës.

Mbajtja e shtëpisë Parmur

Mikesha e Mbretëreshës Geraldinë, Rosemary Trasenster, e mban mend që princesha Adile bënte pjesën më të madhe të gatimit, ndërsa Mbretëresha Geraldinë punonte më shumë në kopsht. Përdornin kopshtin e kuzhinës të Lord Parmurit dhe mbanin pula për vezë e, lopë për qumësht. Kishin gjithashtu një dhi, dy qen, dhe një mëz për kaloshinin. Teri Cooper-i mban mend që princesha Adile shpesh i merrte në Londër për t’i çuar te një ushqimore italiane në Soho, për të blerë vaj ulliri dhe makarona, të cilat nuk ishin me racion. Nganjëherë gjithashtu i shoqëronte Mbretëresha Geraldinë. Po ashtu shkëmbenin mish derri dhe racionet e pulës, me banorët vendas.

Phyllis Gordon- Spenceri, kujton që princesha Adile “ishte një zonjë e madhe shtëpie, por ndërsa motrat e tjera të Mbretëreshës dhe të Zogut ishin shkolluar në Francë dhe në Angli, e mbanin veshje luksi të Parisit, ajo gjithnjë mbante një fustan pëlhure të thurur ngjyrë të zezë, ndërsa flokët i lidhte fort prapa si një xhufkë mbi kokë. Por, njeriu nuk mbetej aspak në dyshim se çfarë ndikimi kishte ajo mbi familjen, ndërsa e bënte vet gjithë pazarin dhe gatimin. Ishte si një copë e vërtetë nga jeta ballkanike, që kishte ardhur në Çilterns”! Shumë veta në Frith, kujtonin se ajo ishte e ëma e Zogut! Memorie.al

Nga Ermira Isufaj

Arratisja më 1946-n dhe refuzimi i nënshtetësisë italiane, jeta në mërgim e gjeneralit Prenk Pervizi! Si e ndihmoi Zogun më 1939

Fisi i vjetër i Pervizit të Skurajve në Kurbini ka një histori të thellë. Me besim katolik dhe traditë të fortë luftarake, rrënjët e tij shtrihen që në kohën e qëndresës heroike kundër pushtuesit turk, gjatë periudhës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

 

Përkrahja e palëkundur ndaj udhëheqësit shqiptar bëri që fisi të persekutohej nga pushtuesit, duke detyruar disa familje të shpërndaheshin përtej detit, në Venedik apo Pulje të Italisë. Vite më vonë, fisi rifitoi fuqinë dhe u bashkua me lëvizjen e Rilindjes Kombëtare. Gjin Pjetër Mark Pervizi u dallua si udhëheqës në luftën antiosmane të Kurbinit dhe Krujës, duke mbajtur qëndresë të armatosur deri në shpalljen e Pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912, ai ngriti Flamurin Kombëtar në Milot me rreth 300 luftëtarë, pranë nipit të tij 15- vjeçar, Prenk Perviz, që do të bëhej pasardhësi i denjë i fisit. Prenk Pervizi lindi më 4 maj 1897, kreu shkollën e mesme në Shkodër më 1914 dhe Akademinë Ushtarake në Vjenë më 1918 dhe hyri në shërbim të Ushtrisë shqiptare si komandant operacionesh për dëbimin e serbëve dhe qetësimin e vendit nga bandat grabitëse dhe rebelizmi politik. Dallohet në të gjitha detyrat e ngarkuara.

Përkrahu Zogun, me të cilin kishte lidhë miqësi qysh në Vjenë dhe i qëndroi pranë që nga fillimi deri në fund të Mbretërisë, duke ia zgjidhur të gjithë situatat kritike që rrezikonin atë vetë dhe shtetin e ri shqiptar. Më 1929- 1934, vijoi e kreu Shkollën e Luftës në Torino, shkolla më e lartë ushtarake, e u gradua kolonel. U ngarkua me misione përfaqësimi ndërkombëtar në Luftën e Abisinisë (1935-1936) e në Manovra ushtarake në Itali e gjetkë. Me ngjarjet e 7 prillit 1939, kur sulmoi Italia fashiste, i pa njoftuar nga askush veç nga radiot e huaja, vendosi të organizojë luftën popullore. Por i doli detyrë të mbrojë e të përcjellë mbretin në Greqi, e me urdhër të të cilit u rikthye në Shqipëri. Në kohën e pushtimit qëndroi në dispozicion.

Kur Ushtria shqiptare u përfshi në luftën italo-greke, mori qëndrim dhe urdhëroi braktisjen e frontit nga Ushtria shqiptare, veprim prej të cilit italianët pësuan një disfatë të madhe dhe më pas, nga frika e incidenteve të tjera më të rrezikshme, e hoqën Ushtrinë shqiptare nga fronti, kurse Prenk Pervizin e izoluan në Pukë. U gradua gjeneral me qëllim të zbutjes së acarimit për shkak të frontit grek, gradim formal pa rol komandues. Aprovoi vendimet e Mbledhjes së Mukjes. Më 8 shtator 1943, kur kapitulloi Italia, mori dorëzimin e komandës italiane nga gjenerali Dalmazzo dhe më shtator 1943, u emërua ministër i Mbrojtjes me gradën Gjeneral Divizioni. Nuk e njohu Lëvizjen e ashtuquajtur Nacional-Çlirimtare, duke e ditur se udhëhiqej nga komunistë të lidhur me politikën jugosllave e ruse. U përpoq të organizojë ushtrinë kombëtare shqiptare, por gjeti kundërshtim nga gjermanët. Iu kushtua përforcimit të frontit të luftës antiserbe në Kosovë, ku shkoi vetë disa herë, për organizim, me qëllim që mbarimi i luftës ta gjente Kosovën të bashkuar me Shqipërinë.

Me kundërvënien e Prenk Pervizit ndaj gjermanëve, këta nuk mundën të krijonin trupa SS në Shqipëri, por nuk lejuan që të krijohej Ushtria efektive shqiptare nën komandën e gjeneral Prenk Pervizit. Kundërshtar i vendosur i komunizmit, qëndroi dy vjet në mal, me shpresën të organizonte një qëndresë të armatosur, në bashkëpunim me nipin e tij Mark Gjomarkun, e me të arratisurit e tjerë. Kështu, në shtator 1946, u arratis në Greqi, me një aksion të guximshëm personal që mori përmasa legjendare, për strategjinë dhe guximin që u krye. Kaloi në Itali ku i propozuan t’ia njohin gradat dhe t’i japin detyra të larta në Ushtri, me kusht që të merrte nënshtetësinë italiane, gjë që ai nuk e pranoi. U largua për në Belgjikë ku u bashkua me miqtë e tij të vjetër, Muharrem Bajraktarin e të tjerë patriotë.

U sëmur befasisht dhe vdiq më 6 shtator 1977. Gjithë mërgata shqiptare e Belgjikës dhe Francës e përcollën duke e nderuar dhe e varrosën në parcelën e heronjve. Jeta e tij shpreh dramën dhe tragjizmin e një jete që iu kushtua krejtësisht çështjes kombëtare, nga fillimi deri në fund. Për këtë përkushtim ndaj çështjes kombëtare, regjimi komunist dënoi dhe persekutoi përjetësisht familjen dhe të gjithë rrethin e tij familjar, fisnor e miqësor. Mosrikthimi i pronave dhe mosnjohja e shkatërrimeve që shkaktoi qeveria komuniste, mosshpërblimi i viteve të dënimeve të familjarëve që e kaluan gjithë jetën në kushte skëterre, ky ishte shpërblimi ndaj një figure madhore të historisë së Shqipërisë dhe përfaqësues i një familjeje të madhe, të përmendur e të nderuar. Të gjitha familjet e tjera të mëdha që kishin dhënë kontributin e tyre gjatë shekujve në mbrojtjen e atdheut dhe në fitoren e Pavarësisë pësuan të njëjtin fat nga diktatura sllavo-komuniste, që sundoi në Shqipëri një gjysmëshekulli sa për 500 vjet të pushtimit turk, por edhe më e egër e antikombëtare.

LEKË PERVIZI

Piktor, përkthyes, publicist, botues, i biri i gjeneral Prenk Pervizit. Lindi më 26 qershor të vitit 1929, në fshatin Skuraj të Kurbinit. Shkollën fillore dhe një të mesme trevjeçare i kreu në Institutin “Santa Maria”, në Romë. U kthye në Shqipëri më 1944. Nën diktaturën komuniste, familja Pervizi u persekutua për shkak të Gjeneral Prenk Pervizit, në burgje e kampe internimi; ai shpëtoi pranë librarisë së familjes Pepo në Tiranë. Më 1949 arriti të fillojë Liceun Artistik në Tiranë, por në maj të vitit 1950 u arrestua bashkë me të vëllanë, Valentin Pervizin. U internua në Porto Palermo. Një vit më vonë u transferua në kampin e Tepelenës, ku u takua me të ëmën (gjyshja ndërkaq kishte vdekur). Aty arriti të vizatojë skena e portrete nga jeta e kampit, si dhe të krijojë disa poezi, një pjesë e të cilave shpëtuan dhe u botuan pas rënies së diktaturës.

Pas mbylljes së kampit më 1954, u transferua në Plug të Lushnjës. Një vit më vonë, u dërgua në Shtyllas të Fierit e prej këtu në Kuç të Kurveleshit. Më 1958 u kthye në Plug (deri më 1990). Pas rënies së komunizmit, u vendos familjarisht në Belgjikë, ku jeton edhe sot. Atje merret me shkrime dhe boton e drejton revistën “Kuq e Zi”. Veprat e tij janë: “Në vorbullën e Skëterrës”, Bruksel 2014; “Në rrathët e Ferrit” (album), ISKK, Tiranë 2014; “Tingëllime të vona”, Bruksel 2016; Lek Pervizi, “Odiseja e pafajësisë”, Bruksel 2017; Gjenerali, “Gjergj Fishta”, Lezhë 2017. Përkthime: Dhimitër Frangu, “Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, “Arbëria”, Tiranë 2005. U kthye në Shqipëri më 1944. Nën diktaturën komuniste, familja Pervizi u persekutua për shkak të Gjeneral Prenk Pervizit, në burgje e kampe internimi.

Ai shpëtoi pranë librarisë së familjes Pepo në Tiranë. Më 1949 arriti të fillojë Liceun Artistik në Tiranë, por në maj të vitit 1950 u arrestua bashkë me të vëllanë, Valentin Pervizin. U internua në Porto Palermo. Një vit më vonë u transferua në kampin e Tepelenës, ku u takua me të ëmën (gjyshja ndërkaq kishte vdekur). Aty arriti të vizatojë skena e portrete nga jeta e kampit, si dhe të krijojë disa poezi, një pjesë e të cilave shpëtuan dhe u botuan pas rënies së diktaturës. Pas mbylljes së kampit më 1954, u transferua në Plug të Lushnjës. Një vit më vonë, u dërgua në Shtyllas të Fierit e prej këtu në Kuç të Kurveleshit. Më 1958 u kthye në Plug (deri më 1990). Pas rënies së komunizmit, u vendos familjarisht në Belgjikë, ku jeton edhe sot. Atje merret me shkrime dhe boton e drejton revistën “Kuq e Zi”.

“Në Gjyqin Special, kur Koçi Xoxe e akuzoi për mos organizimin e rezistencës, në 7 prill ‘39, Koço Kotta i tha…” Historia e trishtë e ish-kryeministrit shqiptar që vdiq në tortura në burgun e Burrelit

Kostaq Kota ose Koço, siç i pëlqente ta quanin, lindi më 14 mars 1888 në Korçë, qytet shqiptar i dalluar për lëvizjet e mëdha patriotike, për lirinë e mëmëdheut, për kulturë dhe arsimimin në gjuhën shqipe, procese në të cilat ishin përfshirë historikisht edhe kontribuon intensivisht familjet Kota. Origjina e tyre është nga Kalaja e qytetit të Beratit. Koço ishte djali i dytë i Nuçit, i cili kishte edhe dy djem të tjerë, Kristaqin dhe Ilian, si dhe një vajzë Leonorën. I ati ishte njeri shumë praktik, tregtar dhe merrej me tregti lëkurësh. Koço lindi. u rrit dhe u formua në një mjedis familjar të lidhur ngushtësisht me fatet e atdheut dhe të kombit, për interesin e të cilëve ishin të angazhuar pandërprerë.

Më 5 shtator 1928, Dr. Koço Kotta u zgjodh kryeministër dhe Ministër i Punëve të Brendshme. Ahmet Zogu i kurorëzuar Mbret, nxiti reformat legjislative në marrëdhëniet civile, tregtare dhe agrare. Kryeministri u angazhua tërësisht, për ndarjen e fesë nga shteti, për reformën arsimore, për krijimin e shkollës kombëtare e laike dhe për herë të parë u projektuar një program pesëvjeçar zhvillimi.

Gjatë mandatit të tij, u ndërtuan ministritë, bulevardi i madh, disa spitale, burgu i Burrelit dhe disa burgje të tjera. Më 4 mars 1930, kryeministri Kotta, duke mos dashur të bëjë hapa prapa, dha dorëheqjen. Në letrën drejtuar Mbretit Zog, kryeministri Kotta theksonte, se shkak i dorëheqjes së tij “ishte mungesa e harmonisë midis qeverisë dhe Parlamentit, gjë që pengonte zhvillimet e veprave të rëndësishme”.

Në vitin 1930, Koço Kotta u zgjodh deputet i Korçës në parlamentin shqiptar, i cili në mbledhjen e parë të tij, zgjodhi Dr. Koço Kotta-n Kryetar Parlamenti. Gjatë ushtrimit të mandatit, shqyrtoi në seancë parlamentare dy ligje: më 13 prill 1930, Ligjin “Mbi Reformën Agrare”, i cili u miratua po atë ditë dhe ligjin për “Reformën Legjislative dhe Kodin Civil”.

Në vitin 1932, Dr. Koço Kotta, mandatohet përsëri deputet i Korçës në Parlamentin shqiptar, ku zgjidhet përsëri kryetar Parlamenti. Diskutimet e deputetëve në legjislaturat parlamentare, përqendroheshin mbi problemet e arsimit e luftës kundër dukurive dhe shfaqjeve që nuk i përkisnin kulturës dhe traditave të popullit shqiptar. U dekretuan tre ligje: modifikimin e ligjeve 197, 206 e 207, për shtetëzimin e shkollave, “Mbi ndalimin e Mbulesës së Fytyrës dhe Mbulesën e Kresë të grave; Mbi ndalimin e martesës së nëpunësve, me gra të huaja”.

Mbreti Zog më 9 nëntor 1936, dekretoi Dr. Koço Kotta-n kryeministër dhe Ministër i Punëve Botore dhe i Ekonomisë Kombëtare (Bujqësisë), për ta pasur në kontroll dhe për të ndjekur nga afër investimet në sektorët e industrisë e bujqësisë. Më 31 janar 1937, Parlamenti i dha votëbesimin qeverisë së Koço Kottës.

Në detyrën e kryeministrit, Koço Kotta u kujdes për organizimin e xhandarmërisë, duke marrë masa drastike për të vendosur rendin në Shqipëri dhe për të goditur çdo ideologji e qëndrim kundër Monarkisë.

Edhe administrimi i bashkësive fetare, bëhej sipas ligjit të hartuar nga Koço Kotta dhe dekretuar nga Mbreti Zog-I-rë, më 16 korrik 1929. Sipas këtij ligji, klerikët nuk kishin të drejtë votimi e nuk mund të kishin asnjë detyrë publike. Bashkësitë nuk duhej të merrnin asnjë ndihmë e subvencion nga jashtë. Ata kishin për detyrë të mbanin qëndrim patriotik.

Beteja për kishën shqiptare, e nisur nga patrioti dhe rilindësi i madh Fan S. Noli, qysh në vitin 1909, i cili themeloi Kishën Autoqefale Shqiptare në Amerikë, u përfundua në prill të vitit 1937, nga Ahmet Zogu dhe Koço Kotta.

Më 23 prill 1937, qeveria shpalli një dekret-ligj për fajet kundër rendit shoqëror dhe ekonomik, sipas të cilit ndalohej formimi i shoqatave që kishin për qëllim “vendosjen e diktaturës së një klase mbi një tjetër”, përmbysjen me forcë të rendit shoqëror-ekonomik në fuqi dhe përhapjen e ideve komuniste.

Në 15 maj 1937, shpërtheu në Delvinë një lëvizje antiqeveritare e organizuar nga Et’hem Toto, ish ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e kryesuar nga Mehdi Frashëri, e cila u shtyp me lehtësi. Për uljen e tensioneve politike me emigracionin, Ahmet Zogu dërgoi Koço Kottën në Paris, për të biseduar me ta, të arrinte kompromise dhe t’u mbushte mendjen që të ktheheshin në Shqipëri, por misioni dështoi. Pasi qeveria jugosllave i ndërpreu ndihmat financiare, emigrantët antizogist, pas shumë dilemave, vendosën kthimin në Shqipëri.

Në gusht të vitit 1938, Koço Kotta vajti për një kurim në Paris. Për të realizuar qëllimin e tyre, anëtarët e komitetit drejtues, shfrytëzuan ardhjen e kryeministrit, u takuan me të e i paraqitën kërkesën e kthimit në Shqipëri. Mbreti e dëgjoi me vëmendje kryeministrin e i tha: – “Tashmë është tepër vonë për kundërshtarët e mi”.

Më 1 shtator 1938, u festua me pompozitet të madh dhjetë vjetori i Monarkisë Shqiptare. Në shtator 1938, Koço Kota, në kontakt të vazhdueshëm me Mustafa Krujën, u informua për një “Lëvizje italiane” në ndihmë të patriotizmës shqiptare, për largimin e Zogut, me kushtin që në vendin e tij “shqiptarët të pranojnë një princ Italian”.

Në shtator 1938, Koço Kotta, Mustafa Kruja, Qazim Koculi, Angjelin Suma, Kol Tromara, Rrexhep Mitrovica e Sejfi Vllamasi, firmosën një marrëveshje lidhur me aprovimin e “lëvizjes italiane”, me kushtin e mospranimit të një princi italian për Shqipërinë. “Marrëveshja e Parisit” quhej e shfuqizuar, në rastin e një pushtimi italian të Shqipërisë dhe vënien e sajë nën Kurorën perandorake të Savojës.

Më 11 janar 1939, Konsullata italiane në Tiranë, e njofton Legatën italiane, për pregatitjen e një “Lëvizje për largimin e Koço Kottës nga Qeveria”. Më 7 prill 1939, nisi agresioni ushtarak fashist italian në brigjet shqiptare. Mbreti sapo kapërceu Kapshticën, e shpërndau qeverinë dhe kaloi në mërgim si Sovran i arratisur. Shqipëria mbeti pa një qeveri antifashiste, në mërgim. Më 7 prill 1939, Koço Kotta i zhveshur nga funksioni i kryeministrit, u shkëput nga Oborri Mbretëror dhe u sistemua në Selanik.

Në periudhën pas 7 prillit 1939 deri në dhjetor 1944, ish- kryeministri Koço Kotta, i palëkundur në qëndrimin e tij atdhetar, nuk u përfshi në asnjë Qeveri Kuislinge të formuar gjatë pushtimit Italian të Shqipërisë dhe në asnjë nga Qeveritë e Regjencës, të ngritura nga Ushtria Gjermane.

Në pranverë të vitit 1944, për të ndalur marshimin sllavo-komunist në Ballkan, Mit’hat Frashëri ideoi një dokument lidhur me një aleancë të forcave të djathta shqiptare dhe greke, si dhe krijimin e një shteti dualist greko-shqiptar, federatë apo konfederatë. Sipas Mit’hat Frashërit, delegacioni i të djathtës shqiptare do të përbëhej nga Dhimitër Fallo – përfaqësues i Ballit Kombëtar dhe Koço Kotta – përfaqësues i Legalitetit. Projekti shqiptar pranonte si kufij jugorë të Shqipërisë, ato të vitit 1939, ndërsa kërkonte mbështetjen greke, për përfshirjen e Kosovës e tokave shqiptare në zonën e Dibrës, në shtetin shqiptar të pasluftës.

Kushti i palës greke, që pala shqiptare të pranonte dorëzimin e Vorio-Epirit, ishte toleruar nga Balli, por u quajt i papranueshëm nga Legaliteti. Dr. Koço Kotta i kërkoi z. Dhimitër Fallo, një shtesë në materialin e ideuar nga z. Frashëri, si më poshtë: “Përfaqësia shqiptare kishte kujtuar gjithashtu se të dyja shtetet janë nën të njëjtin pushtim dhe që të ketë sukses bashkimi, duhet të ndërmarrin aksione të përbashkëta kundër gjermanëve”.

Projekt-idea e fundit, e paraqitur nga Fallo-Kota, pra një front greko-shqiptaro-turk, kundër nazistëve dhe rrezikut sllavo-komunist, ishte krejtësisht e papranueshme nga qeveritë kuislingë shqiptare dhe greke. Operacioni diplomatik e njëkohësisht politik i Mit’hat Frashërit, falimentoi në muajt prill-maj 1944.

Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri

Një rruge në kryeqytetin e Shqipërisë në Tiranë, të cilës në vitet ‘30-të i qe vënë emri Rruga “Koço Kotta”, pas pushtimit fashist, italianët asaj rruge ia hoqën emrin “Koço Kota” dhe i vunë emrin “Rruga Galeaco Çiano”, kurse pas vendosjes së regjimit komunist, po asaj rruge, iu hoq emri “Galeaco Ciano” dhe iu vu emri “Rruga Qemal Stafa”.

Më 1945, Koço Kota u rrëmbye në Selanik nga një oficer i zbulimit sovjetik, së bashku me oficerin shqiptar Andon Sheti, të ndihmuar nga EAM-i grek dhe u soll në Shqipëri. Në Gjyqin Special, Koxi Xoxe e akuzoi Koço Kotta-n ndër të tjera, edhe për dy çështje.

Lidhur me mos organizimin e rezistencës, kundër pushtimit fashist të 7 prillit 1939. Koço Kotta ka thënë: “Më 7 prill 1939, qeveria jonë jo vetëm nuk u frikësua, por organizoi edhe rezistencë të armatosur….! Unë i kam sugjeruar Mbretit Zog për këtë rezistencë….! Unë pjesën time si qeveri e bëra. Në rast se ka patur ndonjë neglizhencë, kjo u takon Forcave të Armatosura.

Lidhur me marrëveshjen greko-shqiptare, për krijimin e një shteti dualist greko-shqiptar, Koço Kotta deklaroi: “Nuk kam qenë kryetar i delegacionit shqiptar, nuk kam përfaqësuar Partinë e Legalitetit, por kam qenë pjesëmarrës në bisedime si person privat”. Pavarësisht nga mospërfshirja e tij në organizimet e kundërshtarëve të regjimit komunist, Dr. Koço Kotta u gjykua nga gjyqi farës, i drejtuar prej shërbëtorit të serbëve, Koxi Xoxe.

Ish- kryeministri Koço Kotta, u dënua me burg të përjetshëm nga Gjyqi Special komunist shqiptar dhe vdiq në vitin 1949, në burgun e Burrelit. Me vdekjen e Koço Kottës, segmentet sllavo-komuniste, realizuan eliminimin fizik dhe moral të njërit prej kundërshtarëve të tyre më të vendosur, atdhetarit të paepur e të pa kompromentuar, i cili jetën e tij ja kushtoi vetëm atdheut dhe kombit shqiptar.

Pas vendosjes së sistemit demokratik pluralist

Më 24 nëntor 2014, Dr. Koço Kotta u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, me medaljen “Nderi Kombit”, pas vdekjes, me motivacionin: “Për veprimtarinë e çmuar atdhetare dhe përkushtimin e paepur në shërbim dhe mbështetje të çështjes kombëtare, shumica e të cilëve u martirizua nga diktatura çnjerëzore komuniste”.

Historia e jetës dhe e veprimtarisë politike kombëtare e patriotit Koço Kotta, dhe kontributet e tij plot devocion në interes të atdheut e të kombit, nuk i harroj populli shqiptar, por i regjistroi në analet dhe në kujtesën historike kombëtare, si pjesë e ndërgjegjes së tij, duke e vendosur figurën e tij në panteonin e patriotizmit shqiptar. Populli nuk i harron bijtë dhe bijat e tij, që i kanë shërbyer me ideal kombëtar, me shqiptarizëm dhe me përkushtim kanë bërë e dhënë gjithçka që kanë mundur për interesat e popullit, të Atdheut e të Kombit, siç veproi edhe Dr. Koço Kotta./ Memorie.al

Mbreti Zog (1933): “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, një dëshirë e madhe për të cilën nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për ta realizuar…”

Mbreti Zog I (1895 – 1961)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 janar 2026

Gazeta zvicerane “La Tribune de Genève” ka botuar, me 21 dhjetor 1933, në faqen n°12, qëllimin e Mbretit Zog për Kosovën shprehur asokohe gjatë një fjalimi me rastin e Pavarësisë së Shqipërisë, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Synimet shqiptare ndaj Kosovës

Burimi : La Tribune de Genève, 21 dhjetor 1933, f. 12
Burimi : La Tribune de Genève, 21 dhjetor 1933, f. 12

Romë, 20. — “Giornale d’Italia” mëson nga Tirana se mbreti Zog ka mbajtur së fundmi një fjalim me rastin e festës së pavarësisë shqiptare, në prani të përfaqësuesve të Kosovës dhe të rajoneve të tjera të nënshtruara ndaj Jugosllavisë, të cilët dëshironin të dëshmonin edhe një herë lidhjen e tyre me mëmëdheun.

Mbreti kujtoi se, duke pranuar kurorën e Skënderbeut, do të kishte dashur të merrte titullin mbret i shqiptarëve dhe jo atë të mbretit të Shqipërisë, duke dashur kështu të pohonte se ndihej babai i të gjithë shqiptarëve që jetojnë brenda dhe përtej kufirit. Ai i inkurajoi irredentistët të kenë besim në fatet e atdheut, duke shtuar se ai vetë, qeveria dhe të gjithë patriotët shqiptarë nuk do të kursejnë asnjë përpjekje për të realizuar dëshirën e madhe të Shqipërisë : aneksimin e Kosovës, pa të cilën Shqipëria nuk është veçse një trup i gjymtuar, një trup pa krahë.

1939- Audrey Shah: Ju rrëfej takimin me mbretin Zog në Hotel Ritz (Londër)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 janar 2026

Gazeta australiane “Bundaberg Daily News and Mail” ka botuar, të mërkurën e 27 dhjetorit 1939, në faqen n°6, rrëfimin e gazetares Audrey Shah rreth takimit të saj me mbretin Zog asokohe në Hotel Ritz (Londër), të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Histori e trishtë shqiptare

Takimi me ish-Mbretin Zog

Audrey Shah, në një nga artikujt e saj të këndshëm, thotë :

Babai im më çoi te Ritz për të takuar ish-Mbretin Zog të Shqipërisë. Një burrë i gjatë qëndronte pranë derës së suitës së ish-sundimtarit, i veshur me rroba gri angleze, me krahun e vendosur mbi gjoks, duke prekur zemrën në përshëndetjen shqiptare.

Duke folur përmes një përkthyesi, Mbreti me sy blu na ftoi të uleshim, mori vetë një karrige, na mirëpriti dhe tha se i vinte keq që Mbretëresha Geraldinë nuk e kishte shoqëruar : ndoshta “herën tjetër”, shtoi ai.

Unë pyeta një ministër të shoqërisë se si po shkonte bebi i vogël — dhe sytë e mikut tim mbretëror u ndriçuan. “Oh, ai është një fëmijë i mrekullueshëm; tani ka mbushur katër muaj e gjysmë” — buzëqeshi ai, dhe papritur u ndjeva e trishtuar — i varfëri “Princ” — si do ta trajtonte jeta në vitet që do të vinin? “Ishte një — si të them — mrekulli?” Ministri foli me habi, duke nënkuptuar shpëtimin e fëmijës dhe të nënës së tij.

Zogu flet butë dhe me melodi, në gjuhën shqipe — një gjuhë e veçantë; përkthyesi vendas përkthen shpejt.

Ish-Mbreti e mbylli audiencën duke thënë se shpresonte të na shihte të gjithëve në Shqipëri kur të kthehej. Secili prej nesh u përkul lehtë mbi dorën e tij për një çast përpara se të largohej.

Një i ri nga grupi ynë, i etur të shprehte nderimin për këtë hero të veçantë të ëndrrave të tij rinore, u përpoq t’ia puthte me respekt dorën e zbehtë, të stolisur me unazë ari. Por Zogu ia tërhoqi dorën me vendosmëri dhe, në vend të kësaj, i shtrëngoi dorën me ngrohtësi.

Teksa dilnim mbrapsht nga dhoma, përmes derës ku roja e gjatë ende qëndronte në përshëndetje, pashë ish-Mbretin duke qëndruar aty dhe duke përcjellë mysafirët e tij. Qëndrimi i tij i qetë të kujtonte më shumë paradhomën e pallatit të Tiranës sesa një dhomë mërgimi. Edhe një herë, një valë ndjenje më pushtoi.

Mendova për gjithë ngjyrat e jetës së atij njeriu të vetëm — i jashtëligjshëm, mbret dhe tani mërgimtar. Pyeta veten nëse ai po mendonte, ashtu si unë, për Shqipërinë e bukur, dhe më erdhën në mend vargjet e Bajronit nga Udhëtimet e Çajld Haroldit :

Tokë e Shqipërisë! Le t’i përkul sytë e mi

Mbi ty, o mëmë e ashpër e burrave të egër!

Kryqi zbret, minaret e tua ngrihen,

Dhe gjysmëhëna e zbehtë shndrit në luginë,

Përmes shumë korijeve me selvi, në çdo qytet të dukshëm.

Por në gazetë, një mbrëmje tjetër, nuk kishte asnjë histori madhështore për mbretërimin dhe arratisjen e tij, vetëm disa rreshta :

Ish-Mbreti Zog i Shqipërisë mbërriti në Londër të dielën dhe u largua sot.

Ah, si kanë rënë të mëdhenjtë!

1962- Rrëfimi i Edward Behr, korrespondentit të “TIME” në Paris, rreth vizitës së tij në Shqipëri

Berhr përpara ambasadës sovjetike të papërfunduar në Tiranë — Burimi : TIME Magazine, 10 gusht 1962, faqe n°7

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 janar 2026

 

Revista “TIME” ka botuar, me 10 gusht 1962, në faqet n°7, 19 dhe 20, rrëfimin e korrespondetit të saj Edward Behr, rreth vizitës së tij asokohe në Shqipëri, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar: 

 

Shqipëria : Komb në terr

Burimi : TIME Magazine, 10 gusht 1962, faqe n°19–20

Shqipëria është vendi më i mjerë në Evropë. Pothuajse askush nuk dëshiron të hyjë, dhe shumica e njerëzve të saj, po t’u jepej një mundësi e vogël, do të dëshironin të dilnin.

 

Megjithatë, për të fituar valutë të huaj aq të nevojshme, drejtuesit komunistë të vendit mbajnë një shërbim zyrtar turistik, Albtourist, i cili mburret me “plazhet e pakrahasueshme të Adriatikut” (të gjitha të ruajtura nga anije policie që patrullojnë) dhe me “rrënojat shumë-shekullore”. Biznesi për Albtourist është bërë i dobët në vendet e tjera satelite që prej prishjes me Hrushovin. Agjencia ka dërguar me shpresë broshurat e saj edhe në një agjenci të vogël udhëtimesh në Këln të Gjermanisë Perëndimore. Korrespondenti i TIME, Edward Behr, vendosi të aplikonte si turist. Ai priti gjashtë javë për vizë dhe më në fund hyri në Shqipëri me një fluturim hungarez që niset vetëm një herë në javë nga Budapesti — për të parë nga afër vendin që vetë Nikita Sergejeviç Hrushovi e kishte përshkruar si “më të përgjakshëm e më reaksionar se sa carët.”

 

Numërimi i çorapeve

 

I ndarë nga miku i vetëm në botë, Kina e Kuqe, me 3,000 milje largësi, Shqipëria jeton në një izolim njëherësh sfidues dhe të trishtueshëm. Më shumë se 70% e 1,700,000 banorëve të saj nxjerrin bukën e gojës nga toka e kolektivizuar; shumica e fshatrave dhe qyteteve malore kanë mbetur pothuajse si në shekullin e kaluar. Plehrat rrjedhin nëpër një kanal të hapur në mes të rrugëve të ngushta; burra me hundë shqiponje pinë kafe turke në kafene të errëta, ndërsa gratë e tyre mbajnë mbi supe dru ose fuçi me ujë të rrallë. Përkrah varfërisë tradicionale shfaqen posterët komunistë që shpallin parullën e diktatorit Enver Hoxha : “Ndërto socializmin në njërën dorë me kazmë dhe në tjetrën me pushkë.

 

Edhe përpara prishjes me Hrushovin, siguria e brendshme ishte ndër më të rreptat në botë; që atëherë është kthyer në mani. Vizitorët e huaj duhet të plotësojnë formularë ku përshkruajnë përmbajtjen e bagazhit deri në numrin e këmishave, shamive dhe çorapeve që sjellin. Batanijet e mira janë aq të rralla, sa duhen regjistruar veçmas si “objekte me vlerë.” Shqiptarët, të shkëputur nga bota, besojnë se kufizime të tilla janë diçka krejt normale kudo.

 

Në mbërritje në Tiranë, korrespondenti Behr u mor nën kujdes të rreptë nga një udhërrëfyes shtetëror i Albtourist, i cili e shoqëronte kudo, madje përpiqej ta çonte nëpër “ekskursione” me autobusë të mbyllur me çelës. Ai bënte sikur dërgonte kërkesa për intervista me zyrtarë, aktorë apo gazetarë vendas — por gjithmonë përgjigjja ishte e njëjtë: “janë të sëmurë, me pushime ose në zi për ndonjë të afërm të ndjerë papritur.

 

Meqë asnjë i huaj nuk mund të marrë taksi, guida ishte e domosdoshme. Ndihmë më të madhe i dha një gazetar japonez që udhëtonte me të dhe që shqiptarët e përshëndetnin rregullisht, duke e ngatërruar për kinez. Të dy gazetarët, duke qenë më shumë se një përfaqësues i Albtourist, ndonjëherë ndaheshin me qëllim për t’u “humbur” dhe për të shijuar disa minuta lirie — por këto arratisje nuk zgjatnin shumë, falë policisë sekrete “Sigurimi” dhe trupave të shumta (një e katërta e burrave të rritur janë nën armë). Zyrtarët madje i paralajmëruan se, nëse nuk silleshin siç duhej, mund të mos merrnin vizë daljeje — kërcënim shumë i efektshëm në Shqipëri.

 

Plazhi me mur

 

Një repart i armatosur me mitraloza në Tiranë patrullon zonën që diplomatët e pakët të huaj e quajnë “Blloku”: lagjen e rehatshme ku krerët komunistë kanë vilat e tyre. Edhe në plazhin e Durrësit, 25 milje në perëndim të kryeqytetit, një mur ndahet nëpër rërë e zbret deri në det për të ndarë zonën e privilegjuar nga ajo e punëtorëve, familjet e të cilëve banojnë në baraka prej teneqeje në anën tjetër të murit.

 

Notuesit proletarë nuk mund të kalojnë vijën e bojave rreth 30 metra nga bregu; nëse e bëjnë, një anije policie i urdhëron të kthehen, për të shmangur ndonjë arratisje drejt një anijeje greke apo italiane që mund të ndalojë në port. Kur një anije gjermane mbërriti me grurë kanadez të paguar nga Pekini, asaj nuk iu lejua të hynte në port — ngarkesa u shkarkua me varka. Edhe pse Shqipëria ka 250 milje vijë bregdetare në Adriatik, peshku është i rrallë, pasi vetëm disa peshkatarë “politikisht të besueshëm” lejohen të dalin në det, nga frika se mos ikin në Itali, vetëm 50 milje larg.

 

Megjithatë, shqiptarët nuk janë në uri dhe përfitojnë nga arsimimi, mjekimi dhe shërbimet e tjera falas. Behr nuk pa shenja rebelimi — dhe edhe po të kishte, pasardhësi i Hoxhës s’do të ishte më i mirë, pasi krerët kryesorë të partisë janë pothuajse të gjithë të afërm me Hoxhën ose me kryeministrin Mehmet Shehu.

 

Simbolet e statusit

 

Në Tiranë burokracia shtetërore është e ndërlikuar në mënyrë të pabesueshme; për të blerë çdo gjë, nga ilaçet deri te vaktet në hotele, kërkohet leje zyrtare. Së paku këmbësorët nuk e kanë të vështirë: në gjithë vendin ka vetëm rreth 400 makina (të vjetra ruse dhe çeke, përveç një flote “Mercedesësh” të ambasadës kineze). Megjithatë, në çdo kryqëzim të madh rrinë deri në tre policë me shkopinj të zinj e të bardhë.

 

Si qendër tregtare, Tirana ngjan më shumë me një pazar të improvizuar. Në dyqanet pothuajse tërësisht të shtetëzuara, një kostum i keq kushton 7,000 lekë — rreth 140 dollarë me kursin zyrtar — pothuajse dy paga mujore të një punëtori. Përpjekjet për industrializim morën fund kur Moska braktisi ambasadën e saj gjysmë të ndërtuar dhe tërhoqi mijëra ekspertët sovjetikë. Fabrika e vetme e madhe e pambukut qëndroi e mbyllur për tre muaj; planet për fabrika të reja mbetën në letër. Nga 22 avionët MIG sovjetikë që kishte Shqipëria, vetëm pesë mund të fluturojnë. Kina, Koreja e Veriut dhe Vietnami i Veriut dërguan rreth 500 teknikë, shumica bujq që mësojnë kultivimin e orizit dhe organizojnë punishte në modelin e Pekinit.

 

Kinezët jashtë orarit rrinë të izoluar. Hanë në një sallë më vete në hotelin italian Dajti, dhe jetojnë në një kompleks ambasadorësh të rrethuar vazhdimisht nga roje. Simbolet më të fundit të statusit në Tiranë — të veshura nga zyrtarët shqiptarë që kanë vizituar Kinën — janë një kapelë e thjeshtë prej pëlhure bezhë, si ajo që preferon Mao Ce Duni, dhe syze dielli të errëta të stilit aviator, po aq të modës në Pekin.

 

Varfëria e zymtë, shtypja politike dhe dyshimi maniak ndaj të huajve nuk e bëjnë udhëtimin në Shqipëri as të këndshëm, as tërheqës. Kur erdhi koha për t’u larguar, avioni i Behr u vonua një orë — dhe madje edhe udhërrëfyesi i Albtourist e kuptoi sa të lumtur ishin vizitorët që po iknin.

 

Gjërat e mira vijnë ngadalë,” tha me një ngritje supesh, dhe me përshëndetje me dorë u dha lamtumirën.

 

Një Letër nga Botuesi

10 gusht 1962

TIME

Burimi : TIME Magazine, 10 gusht 1962, faqe n°7

Korrespondenti i TIME, Edward Behr, 36 vjeç, ka shërbyer në ushtrinë britanike në Indi, ka punuar si gazetar për Reuters në Londër dhe Paris, dhe si pjesë e redaksisë sonë në Paris ka udhëtuar në shumicën e vendeve të Evropës. Për katër vjet ai mbuloi luftën në Algjeri dhe vitin e kaluar botoi një libër për të.

 

Me pak fjalë, Behr ka qenë në mjaft vende të njohura dhe të largëta për ta ditur se nuk duhet t’u besohet broshurave turistike. Por gjatë një turneu 13-ditor në Shqipërinë komuniste — për të cilin ai raporton këtë javë — Behr zbuloi se hendeku midis realitetit dhe fantazisë së paraqitur ishte edhe më i madh se sa kishte menduar.

 

Vizita në Shqipëri,” tha ai, “është si të kthehesh pas në kohë dhe të zgjohesh në Ballkanin e shekullit të 16-të, me disa tela telefoni, armë moderne dhe pak automjete shtesë.

 

Behr e kuptoi prapambetjen e Shqipërisë që në fillim të qëndrimit të tij. Duke u nisur për të zëvendësuar briskun e rrojës (kishte humbur valixhen në Budapest), ai zbuloi se i vetmi brisk i disponueshëm ishte vendas — dhe vdekjeprurës. Ai funksiononte vetëm duke hequr edhe copa të mëdha lëkure. Behr ia përmendi këtë rastësisht udhërrëfyesit të tij shqiptar, i cili u përgjigj thjesht: “Gjithmonë kemi ndonjë problem me briskun tonë.

 

Megjithatë, ky udhëtim për pazar pati një përfitim: Behr arriti të fliste për pak minuta i vetëm me një shqiptar vendas — një farmacist që kishte qenë në Paris vite më parë dhe që e pyeti me mall : “A është ende njësoj Bregu i Majtë?

 

Udhërrëfyesi i Behr-it ishte plotësisht i vetëdijshëm se ai nuk ishte turist i zakonshëm, por vendosi se ta dëbonte nga vendi do të ishte e kotë. Nga ana tjetër, Behr e dinte se shoferi i makinës së tyre turistike ishte anëtar i policisë sekrete. Për të shpërqendruar vëmendjen e udhërrëfyesit ndërsa fotografi bënte disa foto, Behr (duke folur në gjermanishte të çalë) përpiqej ta mbante të zënë me biseda.

 

Njëherë, kur udhërrëfyesi përmendi se kishte përkthyer në shqip dramën e Bertolt Brecht-it Nëna Kurajo, Behr e shpërqendroi duke i treguar gjatë për një takim që kishte pasur me Brecht në Paris në vitin 1953. Behr e gjeti udhërrëfyesin — i cili nuk kishte dalë kurrë jashtë Shqipërisë — pothuajse tragjikisht kureshtar për botën e jashtme. Dhe për ata që, nga ana e tyre, janë kureshtarë për Shqipërinë — vendin më të vështirë për të mbijetuar në gjithë Evropën — lexoni raportin e Behr në rubrikën “THE WORLD”.

“Koço Kota mori pjesë në Kongresin e Lushnjës si delegat i Korçës, ku midis 50 përfaqësuesve…” Historia e trishtë e ish-kryeministrit, që vdiq në burgun e Burrelit

Kostaq Kota ose Koço, siç i pëlqente ta quanin, lindi më 14 mars 1888 në Korçë, qytet shqiptar i dalluar për lëvizjet e mëdha patriotike, për lirinë e mëmëdheut, për kulturë dhe arsimimin në gjuhën shqipe, procese në të cilat ishin përfshirë historikisht edhe kontribuon intensivisht familjet Kota. Origjina e tyre është nga Kalaja e qytetit të Beratit. Koço ishte djali i dytë i Nuçit, i cili kishte edhe dy djem të tjerë, Kristaqin dhe Ilian, si dhe një vajzë Leonorën. I ati ishte njeri shumë praktik, tregëtar dhe merrej me tregëti lëkurësh. Koço lindi. u rrit dhe u formua në një mjedis familjar të lidhur ngushtësisht me fatet e atdheut dhe të kombit, për interesin e të cilëve ishin të angazhuar pandërprerë.

Ky mjedis ndikoi fuqishëm në formimin e karakterit të Koços dhe e bëri atë vazhdues të paepur të traditës familjare, idealit kombëtar dhe ndjenjave patriotike e atdhetare të saj. Koço e kreu arsimin fillor në Korçë, arsimin e mesëm në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, arsimin e lartë në Universitetin e Athinës, ku u diplomua në Shkencat Politike.

Arsimi i lartë i dha mundësinë të njihet me figura të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe shpejt u lidh dhe nisi bashkëpunimin me ta, duke u bërë një nga më aktivët e të dalluarit e saj. Në udhën e jetës së tij pati fatin të takonte, të punonte, madje shpesh herë të bashkëpunonte ngushtësisht me tre nga figurat qendrore të kombit shqiptar gjatë katër dekadave të para të shekullit XX,me Fan.S.Nolin me Ismail Qemalin, dhe Ahmet Zogun.

Koço Kota pasi përfundoi studimet e larta dhe mbrojti diplomën, në qershor të vitit 1911, u largua nga Athina dhe u vendos në qytetin e Vlorës nga ku, pas pak kohe, emigroi në Amerikë. Në SHBA-ës, u anëtarësua në shoqërinë e emigrantëve shqiptarë, “Përlindja” ose “Malli i Mëmëdheut” dhe u zgjodh kryetar i saj. Mbështeti Fan Nolin në veprimtaritë e tij atdhetare, lidhur me çështjen kombëtare shqiptare, kishën ortodokse autoqefale, bashkimin e shoqërive të emigrantëve shqiptar në Amerikë etj.

Në saj të veprimtarisë patriotike Koço Kota shpejt u bë i njohur në radhët e emigrantëve shqiptarë dhe midis drejtuesve dhe organizatorëve të tyre. Atje, ai ishte një nga pesë anëtarët e Komisionit nismëtar që shqyrtoi, diskutoi dhe vendosi për themelimin e Federatës “VATRA” shoqëri patriotike e emigrantëve shqiptarë në SHBA, e cila siç dihet u themelua në Boston (SHBA) më 28 prill 1912. “Vatra” ishte nga më të mëdhatë, më të rëndësishmet, dhe më jetëgjata në Diasporën Shqiptare.

Më 1912 Federata “Vatra” e zgjodhi Koço Kota-n si një nga përfaqësuesit e tij delegat në Kuvendin Kombëtar të Vlorës i cili më 28 nëntor 1912, shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, drejtuesit e Kuvendit e ngarkuan Koço Kotan me detyrat e shkruesit (sekretarit). Me formimin e qeverisë shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemali, e emëruan në detyrën e inspektorit të përgjithshëm në ministrinë e Arsimit të drejtuar nga Luigj Gurakuqi.

Mbështeti fuqishëm Ismail Qemalin dhe programin e tij qeverisës, lidhur me reformat: administrative, arsimore dhe agrare, të cilat u sabotuan nga elementi turkoshak dhe nga pronarët e mëdhenj të tokave. Në fillim të marsit 1914 Koço Kota bashkë me figura dhe personalitete patriotike të njohur të lëvizjes kombëtare shqiptare, themeluan në Durrës organizatën politike “Krahu Kombëtar” e cila u përpoq të organizonte dhe drejtonte lëvizjen kombëtare për mbrojtjen e stabilizimin e shtetit shqiptar.

Në datën 20 mars 1914, Koço Kota-n e emëruan në Ministrinë e Arsimit, e cila drejtohej nga Dr. Turtulli Ministër Arsimi në qeverinë e Turhan Pashës. Meqenëse shkolla shqipe thuajse nuk funksionoi, ai u largua nga Durrësi dhe u vendos në Berat, ku punoi në profesionin e tij të juristit -Avokat.

Më 4 shtator 1914, shkoi në Shkodër, së bashku me patriotët shqiptar të “Krahut Kombëtar”. Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, komanda ushtarake e ushtrisë malazeze që pushtoi Shkodrën, e arrestoi Koço Kota-n bashkë me patriotët e tjerë dhe i internoi në Mal të Zi. Pasi doli nga burgjet malazeze u largua dhe shkoi përsëri në Amerikë. Më 27 janar 1916, u rikthye në Shqipëri pas largimit të Esad Pashës dhe ardhjes së austro-hungarezëve.

Në fund të shkurtit 1916, Koço u caktua anëtar i Gjykatës së Apelit në Prefekturën e Beratit. Në fillim të gushtit 1916, u largua nga Berati dhe shkoi në Shkodër, ku e caktuan inspektor arsimi në Drejtorinë Arsimore, të drejtuar nga Luigj Gurakuqi. Qëndroi në këtë detyrë deri më 30 tetor 1918, kur ushtritë austro-hungareze u larguan nga Shqipëria dhe në territorin shqiptar u vendos ushtria italiane.

Luigj Gurakuqi, ministri i Arsimit në qeverinë e Turhan Përmetit më 30 dhjetor 1918, e emëroi Koço Kota-n “Inspektor Arsimi” pranë Prefekturës Berat. Në shkurt të vitit 1919 shkoi në Korçë për të krijuar lidhjet e Komitetit të Shpëtimit Kombëtar të Beratit me Shoqëritë Atdhetare të Korçës drejtuar nga Sotir Kotta dhe të Aleksandrisë në Egjipt drejtuar nga Llambi N. Kotta. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, nisi në Paris Konferenca e Paqes, e cila u hap më 18 janar 1919. Në atë Konferencë, morën pjesë edhe delegacioni shqiptar.

Më 30 prill 1919, Kostaq (Koço) Kota Inspektori i Arsimit, bashkë me një grup patriotësh përfaqësues të popullit të Beratit, (Hekuran be Vrioni Kryepari i Katundariës, Zarif Aga Haznatari-Kryetar i klubit “Bashkim”, Fevzi Ruli – Advokat, Themistokli Kassapi -Notablë i krishter, Salih Gjuka – direktori Arsimit, Adem Shehu -sekretari i Arsimit, Islam be Vrioni – Notabël muhamedan, Melek be Frashëri – Kapitanë, Xhevdet Meqemea – Advokat, Zejnel be Prodani–Notabël, Teki be Selenica – Notabël, Zoj Tonçi –Tregtar, Todi Naska

– Nëpunës drejtësie, Bektash H. Berberi-Zanatli, Gaqe papa Zaharia – direktori i Kancelarisë së Prefekturës, Emrullah Psarizi-Sekretari i Perlimentares, Hajredin Kuçi – Notabël, Andon Capo – Tregtar, Hysni aga Kafasi -Këshilltari i Perlimtares, Nuri Osman Smundja -Sekretari i Drejtësisë), bëhet nismëtar për hartimin e një “Memorandumi” në favor të çështjes shqiptare, drejtuar Komandës Franceze në Shkodër, Konsullit amerikan në Shqipëri e “Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, ku ndër të tjera kërkohej: “Nëse, shteti shqiptar duhet të mbetet nën mandate të nji Guvernes së madhe, atëherë na dëshirojmë mandatin amerikan, qi kështu të mundim të sigurojmë e t’i apim nji frymë kombëtare zhvillimit e lulëzimit të vendit tonë”.

Më 6 shtator 1919, së bashku me patriotët dhe vullnetarë beratas Koço Kota ishte ndër drejtuesit më aktiv në komisionin “Mbrojtja e Korçës”, në organizimin e forcave vullnetare e mbledhjen e ndihmave materiale për mbrojtjen e krahinës dhe qytetit të Korçës nga agresioni dhe sulmet e andartëve grek. Më 21 dhjetor 1919 shkoi në Korçë, për të mobilizuar dhe organizuar patriotët dhe vullnetarët korçare dhe përkrahësit e tyre, në luftën vendimtare kundër synime aneksioniste greke dhe për krijimin e kushteve që edhe Korça ti bashkëngjitej Shqipërisë. Ai u shpreh hapur publikisht kundër marrëveshjes italo-greke dhe ishte i bindur e besimplotë tek amerikanët.

Më 21-31 janar 1920, Koço Kota mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Lushnjës si delegat dhe përfaqësues i Korçës, midis 50 përfaqësuesve të gjithë krahinave të përfshira më 1913 në kufijtë e shtetit shqiptar. Sikurse dihet Kongresi Kombëtar i Lushnjes ishte ngjarje me rëndësi të veçantë, mori vendime për rimëkëmbjen e shtetit Shqiptar, për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të tij.

Drejtuesit e Kongresit e caktuan Koço Kota-n Sekretar të Kongresit. Në fund të punimeve Kongresi i Lushnjes e zgjodhi Koço Kota-n anëtar të Këshillit Kombëtar, përfaqësues të krahinës së Korçës në atë organ me 37 anëtar që kryente funksionet e parlamentit shqiptar, organ i krijuar për here të pare në Historinë e Popullit Shqiptar dhe që shënoi fillimin e parlamentarizmit dhe të demokracisë parlamentare.

Në këtë mënyrë, vendimet e Kongresit Kombëtar të Lushnjes në të cilin mori pjesë mjaft aktive edhe Koço Kota, shënuan një moment kthese në Historinë e Shqiptarëve, shënuan fillimin e një periudhe të re. Përmbajtjen e procesit të ri historik, Koço Kota jo vetëm e kuptoi qartësisht dhe plotësisht, por me ndërgjegje e bindje të patundur i kushtoi angazhimin pakushte dhe devocionin e paepur mbi 20 vjet të jetës së tij.

Dokumentet arkivore të kohës, dëshmojnë se Koço Kota gjatë vitit 1920, sipas kërkesës së ministrisë së Arësimit, hartoi tekstin e parë të matematikës në gjuhën shqipe, për tre klasat e para të shkollës fillore. Më 21 qershor 1920, Qeveria e Sulejman Delvinës e emëroi Koço Kota-n Prefekt të Korçës. Përballja me pronarë të mëdhenj tokash dhe me pushtetarë turko man, e detyruan Koçon t’i shprehte Ahmet Zogut, Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Sulejman Delvinës, indinjatën e të krishterëve shqiptar ndaj ligjeve osmane në fuqi dhe praktikave diskriminuese turko-mane.

Paralajmëroi strukturat shtetërore, për rrezikun e madh që i vinte shtetit Shqiptar nga vazhdimi i zbatimit të legjislacionit otoman, parimet dhe praktikat e të cilit ishin në kundërshtim me parimet e Rilindjes Kombëtare dhe me vendimet e mara në Kongresin Kombëtar të Lushnjes. Qysh në fillimin e fushatës së zgjedhjeve të para parlamentare pluraliste në Shqipëri në janar të vitit 1921, Koço Kota konstatoi dhe kundërshtoi parregullsitë në hartimin e listave të kandidatëve për deputet, në dëm të përfaqësuesve të popullsisë ortodokse.

Për t’i bërë presion qeverisë, që të merrte masa për mënjanimin e parregullsive, i inkurajuar edhe nga mbështetësit e tij, u tërhoq nga kandidimi. Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare, Koço Kota me një grup intelektualësh korçarë, më 13 shkurt 1921 i paraqitën qeverisë Vrioni një “Memorandum”, ku kërkonin që në Shqipërinë Juglindore të ngrihej një “Administratë Autonome” me parlament dhe legjislacion të vetin, me qendër në Korçë por e varur plotësisht nga pushteti qendror i shtetit Shqiptar.

Në Memorandumin drejtuar Qeverisë Shqiptare, Koço Kota e personalitetet që e mbështetën, i paraqitën edhe argumentet që shpjegonin dhe justifikonin parashtresën e tyre. Ata analizonin shkaqet dhe arsyet politike, sociale, fetare, kulturore, legjislative (juridike) specifike dhe të veçanta të krahinave të Juglindjes së shtetit Shqiptar, shkaqe të cilët diktonin, sipas hartuesve të memorandumit, nevojën dhe domosdoshmërinë e krijimit të saj si njësi e posaçme territoriale-administrative autonome, por të varur plotësisht nga pushteti dhe administrata qendrore e Shtetit Shqiptar. Madje në Memorandum i sillnin në vështrim Qeverisë Shqiptare edhe organizime të tilla shtetërore të suksesshme në shtete të ndryshme të Europës.

Kur qarqet drejtuese shtetërore Greke u përpoqën ta shfrytëzonin këtë çështje në favor të tyre Koço Kota e tërhoqi Memorandumin dhe me një telegram dërguar Lidhjes së Kombeve, deklaroi: “Të huajt nuk kanë të drejtë të flasin për çështje krejt të brendshme të shtetit Shqiptar”. Në korrik të vitit 1921, qeveria e Iliaz Vrionit e caktoi Dr. Koço Kota-n Prefekt të Beratit, detyrë të cilën e kreu deri në fund të vitit 1923. Në ushtrim të detyrës së prefektit, u njoh me situatat social ekonomike të popullsisë krahinore dhe ju përvesh punës për çeljen e fondeve dhe fillimin e punimeve botore.

Gjatë viteve 1921-1923, periudhë gjatë të cilës Koço Kota ishte Prefekt i Beratit, u hapën 19 shkolla të reja; në Sinjë, Sadovicë, Pobrat, Drobonik, Tomorr dhe Kapinovë, duke e çuar numrin e tyre në 61 shkolla fillore. Më 14 tetor 1921, ai u përfshi në hartimin e një plani konkret veprimi lidhur me shkëputjen e familjeve ortodokse të Toskërisë nga Patriarkana dhe lidhjen e tyre me Kishën Katolike. Nga 10-19 shtator 1922, me përkrahjen e Koço Kota-s që ishte Prefekt i Beratit dhe mbështetjen e kryeministrit Xhafer Ypi, ministrit të Punëve të  Brendshme Ahmet Zogu, në Berat (në sallën e Shkollës së “Mangalemit”) u mbajt Kongresi Themeltar i Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare (KOASH)..

Më 27 dhjetorit 1923, Dr. Koç Kota u zgjodh deputet i Korçës për Asamblenë Kushtetuese, e cila u mblodh në janar 1924. Më 30 mars 1924 Koço Kota u emërua ministër i Punëve Botore dhe i Bujqësisë, në qeverinë Vërlaci. Më 27 maj të vitit 1924, në qeverinë Vrioni mbajti të njëjtin portofol. Më 16 qershor 1924, Noli u zgjodh kryeministër i Shtetit Shqiptar, por më 24 dhjetor 1924, Zogu u kthye nga Jugosllavia dhe erdhi në Tiranë. Qeveria demokratike e Fan Nolit u rrëzua. Më 6 janar 1925, Ahmet Zogu zgjidhet President i Shqipërisë, njëkohësisht Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Brendshme.

Më 6 janar 1925, Kostaq Kotta në qeverinë e Ahmet Zogut, caktohet me dy detyra tepër të rëndësishme: Ministër i P. Botore dhe zv. Ministër i P. Brendshme. Më 21 janar 1925, Shqipëria shpallet Republikë. President u rizgjodh Ahmet Zogu. Më 2 mars 1925, u miratua kushtetuta e parë e shtetit shqiptar. Më 17 maj 1925, Dr. Koço Kota u zgjodh deputet i popullit të Korçës, në zgjedhjet parlamentare të organizuara nga Presidenti Ahmet Zogu.
Më 18 korrik 1925, Asambleja Legjislative e Republikës së Shqipërisë e përbërë nga Senati dhe Dhoma e Deputetëve, vendosi për ndërrimin e kufijve të vijës Vermosh e Shën Naum në favor të Jugosllavisë.

Më 23 shtator 1925 Dr. Koço Kota u caktua me detyrën e Ministrit të Bujqësisë dhe më 28 shtator 1925 u zgjodh Kryetar i Dhomës së Deputetëve Më 11 maj 1928, kryeministri Ahmet Zogu e emëroi Koço Kota-n Ministër të P. të Brendshme. Më 17 gusht 1928, Ahmet Zogu në cilësinë e Presidentit të Republikës, shpërndau Asamblenë dhe shpalli zgjedhjet e reja. Më 1 shtator 1928 u mblodh Asambleja Kushtetuese, e cila në mbledhjen historike të saj procedoi me një zë: “Shqipëria është Mbretëri Demokratike Parlamentare Trashëguar” dhe e shpalli Ahmet Zogun, Mbret të Shqiptarëve./ Memorie.al

Nga Harallamb Kota

“Haxhi Shaban Sula, pasi iu afrua rojës i maskuar, e goditi atë dhe e rrëzoi në kanal, i mori mitrolozin me municion dhe…” Zbulohen dokument e Sigurimit, për tetë arratisjet e bujshme nga burgjet komuniste

Nga DASHNOR KALOÇI

Ngjarja e para disa ditëve e ndodhur në qytetin e Durrësit, kur i paraburgosuri Altin Ndoci u arratis nga spitali rajonal i atij qyteti, kur ishte dërguar “për vizitë dhe analiza mjekësore” nga ana e autoriteteve të Burgut të Durrësit, ku mbahej i izoluar pas disa akuzave të rënda nga ana e SPAK-ut, nuk është një ngjarje e panjohur dhe e paprecedentë, jo vetëm në këto 35 vite të pluralizmit, por edhe gjatë gjithë periudhës 45 vjeçare së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Edhe pse konsiderohet si një nga regjimet më diktatoriale të Europës Lindore, ndonëse sporadike, arratisjet nga kampet dhe burgjet komuniste nuk kanë munguar, por ato kanë qenë me pasoja të rënda, pasi shumë nga të dënuarit e kanë paguar me jetën e tyre atë “aventurë”!

Arratisjet e para nga kampet e burgjet komuniste e kanë zanafillën që nga viti 1945, por me ndonjë individ të veçantë dhe jo të organizuara në grupe. Arratisja e parë e bujshme në grup, është ajo e prillit të vitit 1947, kur 20 të burgosur që vuanin dënimin në kampin e Beratit, mundën që të kalonin rrethimin me tela me gjemba e të “merrnin malet”! Një ngjarje pak e shumë e tillë u përsërit edhe në dhjetorin e po atij viti, kur nga kampi i Llakatundit të rrethit të Vlorës, ku vuanin dënimin rreth 60 të burgosur politikë, nëntë prej tyre (të dënuar si “armiq të popullit”, nga 10 deri në 20 vjet heqje lirie), mundën të arratisen nga kampi, pasi kishin “korruptuar” me raki, zogj të skuqur dhe duhan, rreshter Brahim Hoxhën nga Vlora, i cili ishte dhe anëtar partie.

Që nga ajo kohë e më pas, për gati 45 vite të regjimit komunist, arratisjet nuk kanë qenë të pakta dhe ato kanë ndodhur në të gjitha kampet e burgjet e Shqipërisë, duke filluar nga Tirana, Maliqi (Kampi i tharjes së Kënetës), Rinasi (Kampi i ndërtimit të Aeroportit), Burreli, Spaçi, Repsi, Rubiku, (Kampi i Uzinës së Shkrirjes së Bakrit), Vlora (Kampi i Sodës Kaustike), Laçi (Kampi i Uzinës së Superfosfatit), Elbasani (Kampi i Fabrikës së Çimentos), Fushë-Kruja (Kampi i Fabrikës së Çimentos), Ballshi, Zejmeni, Borshi dhe Shën- Vasia e Sarandës, Qafë-Barit etj., ku pjesa më e madhe e të dënuarëve që kanë tentuar arratisjen nga kampe burgjet, mbetën në telat me gjemba të “sharruar” nga plumbat e ushtarëve që ruanin ata. Për ironi të fatit, njeri prej tyre ishte dhe Sazan Hadaeri, (djali i motrës së Shefqet Peçit, një nga udhëheqësit emblematik të Shqipërisë komuniste), i cili u vra nga rojet e burgut të Burrelit, më 2 gusht 1967, pasi kishte kaluar rrethimet e atij burgu dhe ishte fshehur diku në vreshtat e fermës bujqësore!

Sa më sipër, pothuaj pjesa më e madhe e këtyre ngjarjeve me tentative dhe arratisje nga kampet e burgjet e regjimit komunist, tashmë janë shumë të njohura, si nga dëshmitë dhe rrëfimet e protagonistëve të tyre apo dokumentet arkivore, në këtë shkrim po publikojmë tetë histori arratisjesh, duke dhënë vetëm komunikatat operative ditore sekrete të Ministrisë së Brendshme, në të cilat ato ngjarje raportohen thjesht si lajme. Në këto ngjarje që kemi përzgjedhur për botim në këtë shkrim, e para i përket 1 nëntorit të vitit 1953, kur katër të burgosur që vuanin dënimin në kampin e Rinasit, mundën që të arratisen duke u larguar nga kanali i nevojtoreve e, të kalonin kufirin shtetëror duke dalë në Jugosllavi! Ndërsa e fundit, i përket prillit të vitit 1991, kur forcat e policisë së Degës së Brendshme të rrethit të Mirditës, vranë të dënuarin Pëllumb Dermani, që ishte arratisur nga kampi i Spaçit, ngjarje e cila shënoi dhe epilogun e atij regjimi diktatorial. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë të cilat janë nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme dhe publikohen për herë të parë (me faksimilet përkatëse) nga Memorie.al

RAPORT – INFORMACIONI I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, PËR ARRATISJEN E KATËR TË DËNUARVE POLITIK NGA KAMPI I RINASIT, MË 31 TETOR TË VITIT 1953, NGA KANALI I NEVOJTOREVE

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Tepër Sekret

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Nr. 127

“Sekretariati” Tiranë, më 1 nëntor 1953

KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 190

Arratisje të burgosurish politik nga Kampi Nr. 4

Njofton se në datën 31 tetor 1963, në orën 03.00, kanë ikur nga Kampi Nr. 4, të burgosurit e poshtëshënuar.

Shefqet Nexhip Islami, lindur në vitin 1920 në fshatin Kardhiq të Gjirokastrës dhe banues në Fier, arrestuar më 1.XII.1948, dënuar me 20 vjet privim lirie, për fajin se ka bërë pjesë në një organizatë tradhtare.
Ago Çelo Mitaj, lindur në vitin 1925 në katundin Bolenë të Qarkut Vlorë, arrestuar më 29.VIII.1950, i dënuar me 20 vjet privim lirie, për fajin se ka propaganduar dhe se ka dashur që të arratisej në Greqi.
Abaz Vesel Korçari, lindur në vitin 1925 në katundin Vërseshtë të rrethit të Skraparit, arrestuar më 16.VIII.1946, i dënuar me burgim të përjetshëm (zbritur në 20 vjet), për fajin se ka bërë pjesë në një grup kundër Pushtetit.
Nexhip Sherif Dauti, lindur në vitin 1924 në katundin Palevli të rrethit Sarandë, arrestuar më 20.X.1950, i dënuar me 20 vjet privim lirie, për fajin se ka qenë anëtar i një grupi reaksionar dhe më pas ka bashkëpunuar me diversantë për të formuar një grupo dhe Komitete për rrëzimin e Pushtetit Popullor.
Të përmendurit kanë mundur të dalin nëpërmjet kanalit të nevojtoreve të kampit. Në ndjekje të tyre kanë shkuar forca të Policisë, gjurmët kanë ndjekur deri afër Rrugës Durrës- Tiranë. Janë lajmëruar qarqet përkatëse dhe forcat e Policisë.

Drejtoria e qarkut për këtë çështje do të njoftojë me relacion të veçantë.

SHEFI I SEKRETARIATIT

Major

Rasim Dedja

Ministrit të Punëve të Brendshme
Gjeneral-major Kadri Hazbiut
Gjeneral-major Mihallaq Ziçishtit
Kolonel Delo Balilit
Në dosje
RAPORT – INFORMACIONI I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, PËR TENTATIVËN E ARRATISJES SË 20 TË DËNUARVE POLITIK NGA KAMPI I “PALLATEVE AGIMI”, MË 24 QERSHOR TË VITIT 1954

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Tepër Sekret

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

“Sekretarjati” Tiranë, më 25 qershor 1954

KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 175

TIRANË

Tentim arratisje i një grupi të burgosurish

Njofton se me datën 24 Qershor 1954, në kapin nr, 4 në Tiranë, një grup të burgosurish prej 20 vetash, të cilët kishin përgatitur një kanal prej 8 m. gjatësi për të dalë nga kampi, me qëllim arratisje. Të sipërmit kanë qenë të dënuar rëndë. Elementët kryesorë u zbuluan dhe në marrëveshje me Gjeneral-major Kadri Hazbiun, filloi marrja e tyre në hetuesi. Do t’i jepen gjyqit për tentativë arratisje dhe kalim në Jugosllavi

SHEFI I SEKRETARIATIT

Major

Rasim Dedja

RAPORT – INFORMACIONI SEKRET I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, PËR ARRATISJEN E TRE TË DËNUARËVE POLITIK NGA BURGU I BURRELIT, MË 2 GUSHT 1967, KU NJERI I VRA NGA ROJET

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm

DREJTORIA E ADMIN. DHE STUDIMEVE Tiranë, më 3.8.1967

KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 179

BURRELI

Njofton se me datën 2.8.1967, në ora 19-30, në kohën që oficeri i rojës së burgut, Ymer Lena dhe roja Hamit Laçi, po bënin si zakonisht apelin për kontroll në dhomën Nr. 7, në të cilën ishin gjithsej 18 veta, të dënuarit për krime kundër shtetit me nga 25 vjet, Adem Isuf Allçi, nga Tropoja, Sazan Hajdar Hajdari, nga Gjirokastra dhe Dhori Rafail Deshnica, nga Korça, të tre nën moshën 30 vjeçe, goditën me grusht oficerin dhe rojën, duke i rrëzuar në tokë pa ndjenja, iu morën çelësat e dyerve të brendshme, dolën në oborrin e rrethuar, duke hipur në shpinën e njërit prej tyre, kaluan nga porta e burgut, në tarracë, dhe u hodhën nga ana e mbrapme e burgut, në një lartësi 4 m.

Roja i diktoi dhe ju thirri për t’u ndaluar, por mbasi nuk iu bindën, ai qëlloi dhe goditi duke lënë të vdekur Sazan Hajdarin, plagosi Dhori Dishnicën, por ky mundi të dalë jashtë telave, por nga plagët e marra, i kishte mbetur fuqia dhe ishte fshehur te vreshtin në fermës. Ndërsa Adem Isuf Allçi u largua dhe nga masat e marra, u kap në Fishën e Tosumit nga A.G.B.V. Fitim Hoxholli dhe nga një polic i Degës, të cilët ishin në ndjekje të tij. Refaili është plagosur në këmbë dhe në kurriz, u dërgua për mjekime në infermierinë e burgut. Oficeri i rojës dhe roja kanë pësuar vetëm goditje në fytyrë dhe janë në gjendje normale.

KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME

GANI GOXHI

RAPORT – INFORMACIONI SEKRET I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, PËR ARRATISJEN E KATËR TË DËNUARVE POLITIK NGA KAMPI I BALLSHIT, MË 12 MAJ 1975

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm

DREJTORIA E ADMIN. DHE STUDIMEVE Tiranë, më 12.5.1975

KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 109

FIERI

Më 12.5.1975, ora 04.00, në repartin 309 Ballsh., janë larguar nga kampi të dënuarit; 1) Pëllumb Isuf Kasa, vjeç 37, lindur në Lushnje dhe banues në Tiranë, i dënuar me 8 vjet heqje lirie; 2) Bardhyl Haxhi Zaimi, vjeç 25, lindur dhe banues në Kavajë, i dënuar me 6 vjet heqje lirie; 3) Hate Lirim Demo, vjeç 29, lindur dhe banues në fshatin Gorisht Vlorë, i dënuar me 26 vjet heqje lirie; 4) Piro Vangjel Mëngjesi, vjeç 28, lindur në Fier dhe banues në Shtyllas, i dënuar me 20 vjet heqje lirie. Janë marrë masa për kërkimin e tyre, brenda dhe jashtë rrethit.

DREJTORI

PILO SHANTO

RAPORT – INFORMACIONI SEKRET I MINISTRISË SË BRENDSHME, PËR ARRATISJEN NGA KAMPI I BORSHIT TË SARANDËS, I TË DËNUARIT POLITIK HAXHI SHABAN SULA, MË 11 QERSHOR 1976

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm

DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 11.6.1976

KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 138

SARANDA

Më 10.6.1976, ora 7.30, në Repartin e Riedukimit Borsh, i dënuari me 7 vjet heqje lirie për sjellje të padenjë në shoqëri dhe për goditje të përfaqësuesit të pushtetit, Haxhi Shaban Sula, vjeç 26, nga Tirana, i dënuar katër herë, u largua nga vendi i punës dhe pasi iua afrua në mënyrë të maskuar rojës, ushtar Fiqiri Serjiut, e goditi atë befasisht dhe e rrëzoi në kanal.

Pas kësaj i mori mitralozin me gjithë municion dhe iku në drejtim të Ndërmarrjes Bujqësore. Në këtë kohë ushtari qëlloi me pistoletë në drejtim të tij, por pa pasoja. Në afërsi të NB-së ai gjeti një makinë të asaj ndërmarrje, që drejtohej nga shoferi Pilo Vrana, e cila kishte ndaluar dhe tre katër punëtorë.

Këta të fundit, kur panë Haxhiun me mitraloz, ikën nga frika, ndërsa shoferin e urdhëroi të niste makinën dhe vetë hipi në karroceri. Shoferin e porositi të ecte në drejtim të Sarandës, se ndryshe do ta vriste. Pasi u vu në dijeni komanda e repartit dhe ajo u vu në ndjekje të tij, ai qëlloi me mitraloz në drejtim të tyre, deri sa arriti në fshatin Nivicë.

Atje zbriti nga makina, vuri përpara shoferin, duke e urdhëruar që të ecte në drejtim të fshatit Bajkaj – Vergoj. Kur mbërritën në Qafën e Breshërit, ra në përpjekje me forcat e Degës së Punëve të Brendshme, të cilat e plagosën rëndë dhe e kapën të gjallë.

KRYETARI

PILO SHANTO

RAPORT – INFORMACIONI SEKRET I MINISTRISË SË BRENDSHME, PËR ARRATISJEN NGA KAMPI I SPAÇIT I DY TË DËNUARVE POLITIK, STAVRI GUXA DHE MANOIL QIRICI, MË 10 DHJETOR 1977

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm

DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 10.12.1977

KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 290

RRËSHENI

Më 9.12.1977, u arratisën nga kampi i Spaçit, dy të dënuar; Stavri Thoma Guxa, vjeç 27, lindur në Derviçan – Gjirokastër, i dënuar me 18 vjet heqje lirie për tradhti të lartë ndaj atdheut dhe Manol Aleks Qirici, vjeç 35, lindur në Mbrezhdan – Përmet, i dënuar me 10 vjet heqje lirie, për agjitacion e propagandë. Ngjarja ka ndodhur në orën 18.00, kur kanë dalë nga turni i punës. Rrethimi është çarë midis truprojës së parë dhe të dytë. Janë marrë masa për kapjen e tyre.

KRYETARI

PILO SHANTO

RAPORT – INFORMACIONI SEKRET I MINISTRISË SË BRENDSHME, PËR TENTATIVËN E ARRATISJES NGA KAMPI I SPAÇIT I TË DËNUARIT POLITIK, REFIK ZENEL BEQO, MË 12 MAJ 1979, QË U VRA NGA ROJA

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm

DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 12.6.1979

KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 137

MIRDITA

Më 11.6.1979, ora 23.15, në Repartin 303 Spaç, u konstatua largimi nga vendi i punës i të dënuarit me 12 vjet heqje lirie, Refik Zenel Beqo, nga fshati Rrajcë Librazhd. U morën masa për kapjen e tij dhe në orën 00.50, të datës 12.6.1979, u diktua midis vend-rojeve Nr. 15 dhe 16, pasi kishte kaluar rrethimin e parë dhe ishte duke kaluar pengesën retikulatë, për tek rrethimi i dytë.

Pasi u paralajmërua, u vra nga oficeri Rruzhdi H…. dhe ushtarët Zaim D…. dhe Gjergj M….të vend-rojeve të sipërme. Kanë hapur zjarr dhe ushtarët e vend-rojeve Nr. 13 dhe 14. Në vend, veç grupit operativ të Degës, ka shkuar dhe kryetari i Degës së Zbatimit të Veprave Penale.

KRYETARI

PILO SHANTO

RAPORT – INFORMACIONI SEKRET I MINISTRISË SË BRENDSHME, PËR ARRATISJEN NGA KAMPI I SPAÇIT I TË DËNUARIT, PËLLUMB DERMANI, I CILI U VRA NGA FORCAT E POLICISË, ME 1 PRILL 1991

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm

DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 3.4.1991

KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 78

MIRDITA

Me datën 1.4.1991, nga kërkimi i forcave tona, u asgjësua i burgosuri Pëllumb Dermani, që ishte arratisur nga burgu./ Memorie.al


>
Send this to a friend