VOAL

VOAL

Kurti, telefonatë me Blinken: Ka nevojë për intensifikimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes me Serbinë

October 11, 2022

Komentet

“Krim kundër njerëzimit”- William Walker kthehet për homazhe në Reçak, 26 vite pas masakrës

Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, që pati cilësuar Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit, sot 26 vjet pas asaj dite ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak.

Ambasadori Wiliam Walker në homazhe është shoqëruar nga anëtarët e Listës për Familjen.

Walker, i cili vjen për homazhe në pothuajse në çdo përvjetor ka thënë se dikur ishte kryesisht një shërbim përkujtimor, por tani sipas tij ka njerëz nga e gjithë Kosova, dhe “supozoj se ka edhe nga e gjithë bota”.

“Çdo vit, mbetem i mahnitur nga numri i njerëzve që janë këtu nga i gjithë vendi. Dikur ishte kryesisht një shërbim përkujtimor, por tani ka njerëz nga e gjithë Kosova, dhe supozoj se ka edhe nga e gjithë bota. Pra, ju falënderoj që po e pasqyroni këtë, ju uroj të gjithëve një ditë shumë të lumtur dhe i uroj gjithë popullit të Kosovës një Vit të Ri të lumtur”, ka thënë Walker, raporton Ekonomia Online.

Eman Rrahmani nga Lista për Familjen tha se ishte ambasadori Wiliam Walker, ai që shpërfaqi fytyrën e vërtet të gjenocidit të Serbisë.

“Jemi sot këtu me ambasadori Wiliam Walker figurë e cila i shpërfaqi fytyrën e vërtet të gjenocidit të Serbisë, një ambasador i cili ka bërë shumë për çështjen e Kosovës. Jemi në përkujtim të masakrës dhe gjenocidit që ka kryer Serbia këtu në Reçak në familjet shqiptare. Neve na mbete që të angazhohemi që të jemi çdo herë pranë atyre që kanë ndihmuar dhe kanë vepruar për mbrojtjen e familjes, mbrojtjen e vendit dhe tokave shqiptare”, tha Rrahmani. bw

26 vite nga Masakra e Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë

Kosova përkujton sot 26 vjetorin e masakrës së Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin.

Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.
Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të jetë në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë, shkruan KosovaPress.

Reçaku atëbotë kishte zënë vend në mediat dhe kancelaritë e shteteve më me ndikim në botë. Ish sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se ç’do t’i sillnin orët në vijim Kosovës.

Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së, William Walker kishte shkuar në vendin e krimit shumë shpejt dhe kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës duke e përcaktuar krimin me tri fjalë: krim kundër njerëzimit.

Pas masakrës së Reçakut, rifilluan luftimet 48 orësh mes UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave. Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi. Bota e pa krimin.

Me rastin e shënimit të ditës së përkujtimit dhe nderimit të viktimave të masakrës së Reçakut, dita e nesërme (e mërkurë), më 15 janar 2025 shpallet ditë pushimi në Komunën e Shtimes.

Në orën 08:30 do të mbahen homazhe nga niveli komunal në varrezat e Dëshmorëve në Shtime, Molloplc dhe Reçak.

Ndërsa, në orën 10:00 do të ketë homazhe nga krerët e shtetit në Kompleksin Memorial në Reçak.
Ndërkaq, Akademia Përkujtimore në orën 11:00, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.

Po ashtu në këtë ditë për shënimin e 26 vjetorit të masakrës së Reçakut, do të mbahet finalja e turnirit memorial “Ditët e Reçakut”, si dhe në orën 17:00, do të mbahet ekspozita tradicionale “Çmimi William Walker”, në Shtëpinë e Kulturës./Kosovapress

Bylykbashi: Asambleja e EPP miratoi amendamentin e PD: Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, detyrim për Shqipërinë!

Nënkryetari i PD, deputeti Oerd Bylykbashi, Albana Vokshi, Jorida Tabaku dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ndodhen në Parlamentin Evropian në Bruksel, si pjesë e një aktiviteti dy ditor të organizuar nga EPP dhe ECR.

Bylykbashi shkruan në një postim në rrjetet sociale se, Asambleja Politike e EPP e miratoi me unanimitet amendamentin e PD-së.

Gjatë takimeve me kryetarin e Partive Popullore Manfred Weber dhe deputetë të partive popullore grupi më i madh në Parlamentin Europian, deputetët e PD dhe Mediu i kanë shpjeguar situatën në Shqipëri dhe sipas tij pamundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në takim është diskutuar se, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe vend i cili kërkon të bëhet anëtar i BE.

Postimi i Bylykbashit:

Në Asamblenë Politike të EPP, paraqitëm amendamentin e PD-së në rezolutën e EPP për Mbrojtjen e Demokracisë dhe Forcimin e Qëndrueshmërisë Zgjedhore në Europë.

Amendamenti thekson se keqinformimi dhe propaganda nga vende si Rusia, Kina apo Irani që synojnë minimin e sistemeve demokratike, përforcohen në vendet që synojnë antarësimin në BE nga mungesa e zgjedhjeve demokratike, një shtet i së drejtës i dobët dhe përqendrimi pushtetit në një dorë në dëm të ndarjes së pushtetit.

Gjithashtu amendamenti thekson se korrupsioni i përhapur dhe lidhjet me krimin e organizuar i sigurojnë këtyre aktorëve malinjë korridore të fshehta për të penetruar në institucionet demokratike përmes të zyrtarëve të zgjedhur apo të emëruar, duke përçuar qëndrime që minojnë demokracinë.

Asambleja Politike e EPP e miratoi me unanimitet amendamentin e PD-së

Rezoluta e nëntorit 2024 për Shqipërinë thekson pikërisht mungesën e zgjedhjeve demokratike, kapjen e shtetit nga Kryeministri dhe korrupsionin endemik sidhe lidhjen e elitës së partisë në pushtet me krimin e organizuar. Shqipëria është shembull i rreziqeve që një demokraci e dobët antare e NATO-s dhe kandidate për antare të BE-së, ku krimi dhe korrupsini janë shtruar këmbëkryq, i sjell BE-së dhe NATO-s.

Më 11 maj 2025 është radha jonë, e opozitës bashkë me shqiptarët, të bëjmë ndryshimin. sn

Protestë simbolike nga shqiptarët në Preshevë kundër diskriminimit serb

Shqiptarët në Luginë të Preshevës kanë zhvilluar një aksion simbolik të martën para stacionit policor në Bujanoc dhe para Gjykatës Themelore.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, ka njoftuar se aksioni u zhvillua kundër diskriminimit të shqiptarëve, që sipas tij, një shqiptar u dënua me gjobë për një koment në Facebook, e një zyrtare policore serbe s’u dënua “pasi na quajti minj”.

“Shqiptarët i shihni me lupë ndërsa për serbët i mbyllni sytë! Sot realizuam aksione simbolike para stacionit policor në Bujanoc dhe para Gjykatës Themelore në Bujanoc. Për një koment në Facebook një shqiptar nga Bujanoci u dënua me qindra mijëra dinarë dhe me një muaj paraburgim, ndërsa ky standard nuk vlejti kur një serb kërkoj zola për ta bombarduar ndërtesën e KKSH. Shqiptari u dënua me pretekstin e Intolerancës kombëtare, ndërsa ky standard nuk vlejti për zyrtaren policore  nga Medvegja e cila na quajti minj. Prandaj, Alo Policia, Alo Prokuroria ishte thirrja jonë sot!”, ka shkruar Lutfiu.

Shqiptarët në Luginë të Preshevës i kanë zhvilluar disa protesta kundër diskriminimit që autoritetet serbe po ua bëjnë atyre. sn

Image

Ukrainasit pajisin dronët me pushkë për të rrëzuar dronët e rusëve – pamjet bëhen virale

Ukrainasit kanë pajisur dronët e tyre me pushkë, me qëllim që të mund të rrëzojnë dronët rusë.

Një video e filmuar nga droni, shfaq momentin kur një fluturake pa pilot e ukrainasve qellon mbi dronët rusë, kurse pamjet janë bërë virale.

Ky moment është filmuar në afërsi të Snkivka dhe Petropavlivka të rajonit Kharkiv, ku shihet droni ukrainas duke rrëzuar tre dronë rusë të tipit Mavics, dhe që më pas shtie me ushtarët rusë që u hedhë gjithashtu edhe granata dore.

Kjo metodë është dëshmuar si tejet efikase në rrëzimin e dronëve rusë që kishin vazhdimisht në shënjestër ushtarët ukrainas.

Me këtë kreativitet ukrainasit edhe një herë po e dëshmojnë se nuk e kanë ndërmend t’i dorëzohen ushtarëve të Vladimir Putinit, të cilët çdo ditë e më shumë po regjistrojnë humbje të mëdha në fushëbetejë.  sn

Pistorius: Aleatët e mëdhej europianë do të zbatojnë me shpejtësi objektivat e reja të NATO-s

Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius duke folur gjatë një konference për shtypin pas një takimi të ministrave të Mbrojtjes të pesë vendeve të NATO-s për të diskutuar koordinimin e planeve të mbrojtjes dhe mbështetjen për Ukrainën. Helenow, Poloni, 13 janar 2025.

 

VOA

Gjermania, Polonia, Britania, Franca dhe Italia do të zbatojnë sa më shpejt që të jetë e mundur objektivat e reja të NATO-s lidhur me armët dhe numrin e trupave, për të cilat Aleanca pritet të bjerë dakord, u zotua të hënën ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius.

Kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Rob Bauer , i tha më herët agjencisë së lajmeve Reuters NATO synon të marrë një vendim mbi objektivat e reja për armët dhe numrin e trupave këtë verë.

Aleanca ushtarake dhe politike perëndimore ka qenë nën trysni jo vetëm pas sulmit rus në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në vitin 2022, por edhe së brendshmi, mes thirrjeve të Presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të rritur nivelin e shpenzimeve ushtarake nga vendet anëtare.

Ministrat e mbrojtjes të NATO-s do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje për objektivat e aftësive të reja disa javë përpara se udhëheqësit e tyre të takohen në Hagë më 24-26 qershor, tha për Reuters admirali holandez Rob Bauer.

Në takimin e nivelit të lartë në Hagë do të diskutohet gjithashtu për rritjen e objektivit ekzistues të shpenzimeve ushtarake të NATO-s prej 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, në 3 për qind, I paraqitur nga disa ekspertë si një objektiv i ri i mundshëm. Zoti Trump, i cili kthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, kohët e fundit kërkoi një objektiv të ri shpenzimesh të mbrojtjes në nivel prej 5 për qind.

Duke folur pas një takimi me 4 homologët e tij në qytezën polake Nowa Wies, zoti Pistorius mirëpriti vendimin e NATO-s për të arritur një marrëveshje për objektivat e reja të aftësive të Aleancës në qershor, dhe jo në tetor, sikurse ishte parashkuar, një lëvizje që siç tha ai ishte nxitur nga Gjermania. “Në këtë mënyrë fitojmë kohë dhe ne mund të fillojmë shumë më herët zbatimin e objektivit,” u tha zoti Pistorius gazetarëve.

Në të njëjtën kohë, ai hodhi poshtë përpjekjet e zotit Trump që vendet anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke argumentuar se kjo do të ishte e barabartë me më shumë se 40 për qind të buxhetit total të Gjermanisë.

“Pyetja thelbësore për mua është: Sa shpejt arrijmë ne … çdo aleat, të përmbushim objektivat e reja të NATO-s? … Sa shpejt jemi plotësisht në gjendje të mbrohemi kur është e nevojshme?” tha zoti Pistorius.

Ministri i Mbrojtjes së Francës, Sebastien Lecornu, tha se buxhetet ushtarake do të vazhdojnë të rriten, por nuk dha një shifër për një objektiv të ri të NATO-s. “Gjendja është më e keqe se sa gjatë Luftës së Ftohtë… Ne mund të mposhtemi pa u pushtuar”, tha ai, duke iu referuar sulmeve kibernetike.

Ministri polak i Mbrojtjes Wladyslaw Kosiniak-Kamysz tha se në takimin e ardhshëm të Grupit të Pesë Vendeve në Paris do të diskutohet mbi financimin e Aleancës dhe zhvillimin e industrisë së armëve në Evropë.

Nga jugu në veri, Shqipëria nën ‘pushtetin’ e borës dhe shiut! Rruga e Arbrit e bllokuar, ja si paraqitet situata në të gjitha akset

Prej dy ditësh e gjitha Shqipëria është nën pushtetin e borës dhe shiut duke sjellë edhe bllokime në disa akse rrugore.

 

Sipas raportimeve nga strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, situata deri në këto momente paraqitet problematike ne disa zona.

 Akset rrugore

– Në qarkun e Dibrës rruga e “Arbrit” është e pakalueshme në Qafë Murriz, pasi ka reshje bore të dendura. Firmat kontraktore po punojnë për hapjen e këtij aksi.

– Në bashkinë Dibër janë bllokuar disa qendra administrative me akset kryesore si; Lurë, Selishtë, Luzni, Kala e Dodës dhe Zall Dardhë.

– Në bashkinë Bulqizë janë të bllokuara njësitë administrative Ostren, Trebisht.

– Në bashkinë Klos janë bllokuar rrugët dytësore të fshatrave që lidhen me qendrat administrative Suç, Gurë dhe Xibër.

– Në bashkinë Mat janë bllokuar disa rrugë të fshatrave që lidhen me qendrat administrative Macukull, Lis, Derjan dhe Komsi.

– Aksi rrugor Peshkopi-Ulëz, në vendi e quajtur Qafë Ulëz ka qenë e bllokuar për shkak të pranisë së dëborës, akullit dhe mjeteve që lëvizin pa goma dimërore. Ditën e sotme qarkullimi kryhet normalisht.

– Rrugët rurale që lidhin bashkinë Fushë-Arrëz me njësinë administrative Iballë dhe fshatrat e saj janë të bllokuara.

– Në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, në vendin e quajtur kthesat e “Murrashit: ka patur  prezencë inertesh në rrugë. Në Qafë Thanë pati reshje dëbore të cilat kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve të rënda. Gjatë natës dhe në orët e mëngjesit të ditës së sotme po vijon puna për pastrimin dhe kriposjen e rrugës ne aksin Qafë Thane – Pogradec. Qarkullimi kryhet me goma dimri.

– Në aksin rrugor Tiranë-Elbasan në dalje të tunelit, pati probleme me qarkullimin pasi terreni ishte shumë i lagësht dhe me ngrica. Qarkullimi u krye vetëm në një sens lëvizje. Gjatë natës dhe ditën e sotme është bërë shpërndarja e kripës dhe qarkullimi behet me goma dimri.

– Në bashkinë Krujë, aksi rrugor Cudhi Kamp-Qafështamë është i bllokuar nga reshjet e dëborës.

– Në aksin rrugor Vuno – Himarë, në vendin e quajtur ura e Vishës ka rënë një masiv shkëmbor. Rruga është e kalueshme në një sens lëvizje dhe po punohet për hapjen e krahut tjetër.

– Rruga për në Shëngjergj, bashkia Tiranë është e vështirë për tu kaluar nga sasia e reshjeve të dëborës.

– Në Lanabregas si pasojë e bllokimit të kolektorit ka patur prezencë të ujit duke rrezikuar përmbytjen e një banese.

– Në segmentin Fresku – Trau Dajt, në km 5 pati rrëshqitje të skarpatës duke bllokuar njërën prej korsive. Po punohet për pastrimin e rrugës.

– Në bashkinë Vlorë, situata është e qetë. Nuk ka prezencë uji në qytet.

Gjatë ditës së sotme po punohet me borëpastrueset për të mbajtur të hapura rrugët e qarkullueshme dhe për të hapur rrugët e bllokuara nga dëbora.

Ekipet e OSSHE janë duke punuarpër rikthimin sa më parë të energjisë elektrike në disa zona të thella.

Lumenjtë dhe rezervuarët

Nga raportimet e strukturave të sistemit të mbrojtjes civile në nivel vendor, të gjithë lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave të tyre normale dhe nuk paraqesin asnjë rrezik, përveç se në fshatin Murqinë, njësia administrative Bubq, bashkia Krujë, ku lumi Ishëm ka dalë nga shtrati duke përmbytur një sipërfaqe prej 20 Ha tokë bujqësore.

Në Qafën e Murrizit (Rruga e Arbrit) u bllokua nga dëbora një automjet me 3 persona. Sot në orët e para të mëngjesit është nisur një automjet tip “Buldozer” dhe një autoambulancë. Ekipet e emergjencës po përpiqen të ndihmojnë qytetarët e bllokuar.

Parashikimi motit në vijim

Moti parashikohet me alternime vranësirash mesatare dhe të dendura, megjithatë nuk do të mungojnë intervale të herëpasherëshme afatshkurtra me kthjellime kryesisht përgjatë  Ultësirës Perëndimore. Reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit, dhe lokalisht shtrëngata afatshkurtra të izoluara deri në mesditë. Pas orëve të mesditës gradualisht ulje të intensitetit të reshjeve të shiut. Në relievet malore verilindje-lindje-jug në lartësitë mbi 400-600 metër reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar. Në mënyrë të izoluar, në periudha afatshkurtra në Alpe dhe relievet e larta malore reshjet e dëborës parashikohen në formën e stuhive të dëborës. Mjegull e dendur/mjegullinë për shkak të reshjeve të dëborës dhe shiut. Ngrica të forta përgjatë akseve rrugore, kryesisht në relievet malore.

Era do të fryjë me drejtim Verilindje-Lindje me shpejtësi mesatare 4-14 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi 16-26 m/s.

Temperaturat ekstreme, pritet të luhaten:

Në vendet malore: temperaturat minimale do të zbresin deri në -6°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në -2°C.

Në vendet e ulëta: temperaturat minimale do të zbresin deri në -2°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 7°C.

Në bregdet: temperaturat minimale do të zbresin deri në 4°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 7°C.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është duke ndjekur nga afër situatën në veri dhe Vlorë si dhe është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile për çdo situatë emergjente që mund të krijohet si pasojë e kushteve atmosferike. Panorama

Ukraina godet me dronë një nga rafineritë moderne ruse

Rusët, por edhe burime ukrainase kanë konfirmuar për një sulm me dronë ndaj rafinerisë të naftës Taneko në Tatarstan.

Lajmin e ka bërë me dije agjencia e lajmeve ruse Astra dhe Andrii Kovalenko, drejtues i Qendrës për Luftën Kundër Dezinformatave pranë Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës.

Astra tha se punëtorët e rafinerisë së naftës në Nizhnekamsk, Tatarstan, janë evakuuar për shkak të kërcënimeve nga sulmi me dronë. Kanalet lokale në Telegram kanë shpërndarë pamje të tymit që ngrihet mbi rafinerinë Taneko, ndërsa evakuimi është duke vazhduar.

Siç shikohet edhe në pamje, zjarri ka pushtuar një ndërtesë të tërë. bw

“Putini duhet të ndjejë koston e luftës” Zelensky zbardh detaje nga biseda me Bidenin

VOA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy diskutuan të premten mbi mbështetjen e Uashingtonit për Kievin, sanksionet e reja të SHBA- së kundër Rusisë dhe forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, tha zoti Zelenskiy.

Në një postim në mediat sociale, Presidenti ukrainas falenderoi homologun Biden për mbështetjen e Uashingtonit në luftën gati trevjeçare të Ukrainës përballë Rusisë dhe për “rolin jetik që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur në bashkimin e komunitetit ndërkombëtar”.

Zoti Zelenskiy tha se presidentët diskutuan gjithashtu mbi sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara kundër industrisë ruse të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm “që ndihmon Putinin të financojë luftën”.

“Ai duhet të ndiejë koston e luftës”, shkroi presidenti ukrainas.

Zoti Zelenskiy tha se ai dhe Presidenti Biden diskutuan nevojën për të vazhduar forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës “për të mbrojtur ukrinasit nga nga terrori rus – sulmet e përditshme me raketa dhe dronë”.

Sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, të furnizuara nga SHBA-të “kanë dëshmuar efektivitetin e tyre dhe ne duhet të vazhdojmë ta përmirësojmë këtë kapacitet”, theksoi zoti Zelenskiy.

UGSHPD: KUSH KA MBETUR PA E PARË RASHOMON-in?

 
 
(Rama:-“…dëshmitarë në të njëjtën ngjarje, tregojnë katër ngjarje të ndryshme”)
 
Shumë kujt kur i sjell ndërmend muajin Shkurt 2022 mbi 40 dësgjesat e dëshmitarëve në Komisionin hetimor për impiantet e trajtimit të mbetjeve urbane”lidhur me qytetet Fier, Elbasan dhe Tiranë do t’i freskohej pozita më e pa këndshme e kryeministrit Rama. Ajo pikë kthese që ai nuk ja ka lejuar vetes që t’i rikthehet viteve më pas në politikë duke ndërtuar një ndarje të përgjegjësive nga vetja dhe formimin e një figure autoritare që synon t’i kapë të gjitha pushtetet.
Pikërisht deformimin para të vërtetës kërkon të paraqesë arti në skicën e LD NY24 me diçiturën “Rashomon II”.
Si mund të kuptohet përmbajta e frazës së Ramës:“… katër dëshmitarë në të njëjtën ngjarje, tregojnë katër ngjarje të ndryshme”?
A mund të ketë ndopak interes profesional nga personalitetet e drejtësisë të vlerësojnë një tjetër pistë nga dëshmitë e dhëna nën betim para Komisionit hetimor për impiantet e trajtimit të mbetjeve urbane”?
A ju kujtohen katër dëshmitarët e fundit dhe ku ndodhen tani ata?
1-Arben Ahmetaj- zv. kryeministër tani në azil.
2- Engjëll Agaçi- Sekretar i Përgjithshëm i KM, në detyrë.
3- Erion Veliaj- Kryetar i Bashkisë Tiranë, nën hetim paraprak, me prova të grumbulluara dhe vepra penale sipas nenit 260 të Kodit Penal.
4-Edvin Rama – kryeministër që sot mbron tezën se ai është arkitekti i drejtësisë së re.
Le ta freskojmë dialogun e skicës:
Rama:-“Zonja Tabaku. Unë jam shumë i dhënë pas kinemasë dhe një nga 5 filmat e mi të preferuar të historisë së kinemasë është Rashomon-i i Akira Kurosawa-s (ja sugjeroj të gjithëve ta shohin)… ku katër persona që janë dëshmitarë në të njëjtën ngjarje, tregojnë katër ngjarje të ndryshme. Shofin katër filma të ndryshëm”.“Pra të shohim gjëra të ndryshme për të njëjtat dokumenta. Kjo nuk shkon sepse analfabetizmi juridik i ushqyer nga qëllimi politik nuk na ndihmon të merremi vesh se për çfarë flasim”. *
Është një rastësi e dhuruar shprehja se, “ku katër persona që janë dëshmitarë në të njëjtën ngjarje, tregojnë katër ngjarje të ndryshme”. 
Ky dialog është pjesë nga dhjetëra orë regjistrime dhe procesverbale të mundshme për t’u parë dhe dëgjuar jo vetëm nga publiku, veç artikujve në media apo edhe qëndrimeve nga profesionistë të fushës të së drejtës.
Thelbi drejt të së vërtetës zbulon përgjegjësitë që dalin nga përgjegjësitë dhe detyrimet publike kur dëshmia bëhet nën vlerën e betimit. Dhe kjo formulë;“Betohem se do të them të vërtetën, të gjithë të vërtetën dhe të mos them asgjë që nuk është e vërtetë” e ku më pas kur dëshmitari deklaron: “betohem” e tregon gjeneralitetet e tij*, mbetet rezultati i dëgjesave të muajit Shkurt 2022 të një historie të filluar në vitin 2017 ku pa lënë gjurmë nuk dihet fati i 430 milion €.
Ca më e rëndë është edhe shprehja se si figurat autoritare diktojnë forcën politike me votën e kartonit në bllok, kur ky komision u hodh poshtë nga mazhoranca në Kuvendin e Shqipërisë duke vërtetuar Ramën se është ai që e ushtron në Rilindjen Socialiste “analfabetizmin juridik të ushqyer nga qëllimi politik”, madje duke e çuar atë deri në dëshirat më të errëta që ta sundojë drejtësinë dhe ta përdorë atë si armë ndaj çdo kundërshtari.
“Rashomon II”, (së shpejti në ekranet tuaja si një rimasterizim nga Rama dhe elita e Rilindjes Socialiste), është skica që të bën të mendosh jo vetëm për ata karaktere që e mbrojnë veten për t’u treguar të pastër përmes gënjeshtrës, por edhe mënyrën se si kodi i heshtjes i organizon mashtruesit deri sa e vërteta të dalë sheshit.
Megjithëse për dikë mund të duket e komplikuar, kjo skicë aq sa sugjeron një pistë emocionale hetimi po aq sa edhe e ndihmon publikun që të kuptojë se në politikën e korruptuar të eturit për pushtet premtimet i kanë të barasvlershme me gënjeshtrën edhe përse betohen se do të tregojnë vetëm të vërtetën, të gjithë të vërtetën dhe të mos thonë asgjë që nuk është e vërtetë”.
_______________
* Kodi i Procedurës Penale RSH. Neni 360  Paraqitja dhe betimi i dëshmitarit
* Rama më 23 Shkurt, 2022 në Komisionin hetimor për impiantet e trajtimit të mbetjeve urbane.
 
10 Janar, 2025

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Osmani thotë se Kosova dhe SHBA do të finalizojnë marrëveshje për “dialog strategjik”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhim dhe Burime i SHBA-së, Richard R. Verma, në Prishtinë, 10 janar.

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara do ta finalizojnë “së shpejti” një marrëveshje për “dialog strategjik” mes dy vendeve.

Në një shkrim në Facebook pas një takimi në Prishtinë me zëvendëssekretarin e Shtetit për Menaxhim dhe Burime i SHBA-së, Richard R. Verma, Osmani tha se zyrtari amerikan ia konfirmoi asaj se, pas kërkesës së saj nga viti 2021, Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti “dialogun strategjik”.

“Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate”, tha Osmani.

Ajo shtoi se ekipet e dy vendeve do të takohen “së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”.

Osmani nuk dha më shumë hollësi.

Osmani kishte biseduar për nevojën e dialogut strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së edhe në tetor të vitit 2024 me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, gjatë vizitës së tij në Kosovë.

“Në takimin me Kasanof, presidentja Osmani diskutoi edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, siç është fusha e mbrojtjes dhe sigurisë”, tha asokohe zyra e Osmanit.

Verma po e viziton Kosovën si pjesë turit që është duke e zhvilluar në Ballkanin Perëndimor, ku të enjten qëndroi në Shqipëri, ndërsa të shtunën do ta përfundojë atë me një ndalesë në Serbi, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.

Vizita e tij po zhvillohet dhjetë ditë para se administrata Biden ta përfundojë mandatin dhe presidenti i zgjedhur, Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Ditë më parë, DASH-i tha në një njoftim se në Kosovë, Verma do të diskutonte për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog, nën ndërmjetësimin e BE-së, për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011. Dialogu mbështetet edhe nga SHBA-ja.

Ato arritën Marrëveshjen për normalizim marrëdhëniesh në shkurt të 2023-ës në Bruksel, dhe më u pajtuan për një aneks për zbatimin e saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut atë vit.

Megjithatë, asnjëra palë nuk ka bërë hapa për zbatimin e saj dhe SHBA-ja vazhdimisht u ka kërkuar si Kosovës, ashtu edhe Serbisë, ta zbatojnë marrëveshjen.

Sipas njoftimit, Verma gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme ndaj Ukrainës dhe ndihmën e dhënë afganëve në nevojë.

Kosova pranoi afro 2.000 afganë pasi talibanët morën pushtetin në vendin e tyre, në verë të vitit 2021.

Atëkohë, zhvendosja e tyre u bë me kërkesë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre është larguar tashmë nga Kosova, Ministria e Brendshme e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë në tetor se “një numër i vogël i tyre” vazhdon të mbetet në Kosovë, por nuk tregoi sa.

Po ashtu, Kosova strehoi edhe gazetarë ukrainas pasi Rusia e nisi pushtimin e paprovokuar të shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022, si dhe e ka ndjekur politikën e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian duke vendosur sanksione ndaj Moskës.

Në këtë vizitë, Verma gjithashtu synon të riafirmojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt integrimit euroatlantik dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal, thuhet në njoftim. REL

Monitor: Shqiptarët, më të shqetësuarit në rajon për kostot shëndetësore, rreth 1/4 nuk përballojnë dot as shpenzimet për kontrollet rutinë

Shqiptaret janë më të shqetësuarit në Rajon për kostot e larta të shërbimeve shëndetësore sipas anketës së fundit të “Security Metër” të zhvilluar në 6 vendet e Rajonit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Rezultatet treguan se 24 për qind e shqiptarëve ishin shumë të shqetësuar pasi nuk ishin në gjendje të përballonin kostot financiare për kujdes mjekësor rutinë dhe mjekim. Ky shqetësim ishte i pranishëm ne një përqindje më të ulët ndër qytetarët e Bosnjës 16%, Kosovës 9%, Maqedonia e Veriut 16%, Mali i 20% dhe Serbia 20%.

Përgjithësisht qytetarët në Rajon kanë nivele të lartë të pasigurisë financiare për shpenzimet shëndetësore, ku me shumë se gjysma e tyre 53% janë të shqetësuar.

Nivelet e larta të shqetësimit tek qytetarët shqiptarë lidhen me të ardhurat e ulëta dhe nga ana tjetër me nivelet e ulëta të shpenzimeve publike për rimbursimin e medikamenteve. Të sëmurët kronikë në vend dhe ato më sëmundje të rralla paguajnë nga xhepi terapitë pasi ato mungojnë në listat e rimbursimit.

Teksa nevojat për shërbime spitalore po rriten nga plakja e popullsisë dhe rritja e nivelit të sëmundjeve kronike në popullatë, buxheti i shëndetësie në vend që të rritet shkurtohet.

Në ndryshimet e fundit që ju bënë buxhetit të shtetit në dhjetor 2024 fondi i Ministrisë së Shëndetësisë u shkurtua me 2.3 miliardë lekë ose me 3%.

Në vitin 2024 shpenzimet për shëndetësinë sipas ndryshimeve të fundit arritën në 75,9 miliardë lekë nga 77,9 miliardë lekë në aktin e dytë normativ. Vit pas viti buxheti për shëndetësinë po rritet me ritme më të ulëta se shpenzimet e përgjithshme buxhetore, edhe pse vendi po përballet me nevoja më të mëdha për trajtime mjekësore.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave shpenzimet buxhetore me 2025 arrijnë në 822 miliardë lekë rreth 8,2 miliardë euro, ndërsa buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë është projektuar 80,7 miliardë lekë ose sa 9.8 për qind e shpenzimeve të përgjithshme.

Në 2024 buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë ishte sa 10.1 për qind e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Në vitin 2021 shpenzimet për shëndetësinë zinin 10.7 % të shpenzimeve totale.

Në vitin 2025 shpenzimet totale nga buxheti do të rriten me 6.7 % ndërsa shpenzimet për shëndetësinë me 3.6 %.

Pavijonet në qendrat spitalore të vendit aktualisht trajtojnë më së shumti simptomat e lehta të gripit dhe temperaturës, teksa qindra mijëra të tjerë që vuajnë nga sëmundje autoimune dhe neoplazmat orientohen të kurohen jashtë vendit.

Çdo vit miliona euro dalin jashtë vendit për trajtuar sëmundjet e rralla duke i kushtuar ekonomisë dhe mbi të gjitha shëndetit të popullatës

. Prej 10 vitesh fondet në shëndetësi po orientohen shpesh në investime jo-eficiente, teksa rimbursimi i barnave mbetet në vendnumëro dhe investimet në pajisje mbeten të pakta. Spitalet publike ende nuk kanë “Pet skaner” që indentifikon sëmundjet në faza fillestare, teksa edhe Qendra Universitare e Prishtinës në Kosovë e ka një tillë./ Monitor


Send this to a friend