VOAL

VOAL

Kurti: Dy identifikime të eshtrave të zhvarrosura në Kizhevak

April 5, 2021

Komentet

Më shumë se një verdikt për Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin

Nga e majta: Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi. Mbi ta rëndojnë akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat vetë ata i kanë mohuar.

 

Valona Tela

Për vite me radhë, lufta e Kosovës është rrëfyer përmes historisë, politikës dhe kujtesës kolektive. Së shpejti, asaj do t’i shtohet edhe një kapitull gjyqësor.

Dhomat e Specializuara në Hagë – të njohura si Gjykata Speciale – pritet të shpallin aktgjykimin për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që pretendohet se janë kryer gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë.

Fillimisht, Trupi Gjykues kishte afat deri më 19 maj për të shpallur vendimin. Por, duke u thirrur në kompleksitetin e rastit, ai vendosi ta shtyjë këtë afat deri më 20 korrik 2026.

Kjo datë, po ashtu, mund të mos jetë përfundimtare.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Dhomat e Specializuara thanë se mund të ketë ende ndryshime në afatet e parashikuara.

“Gjyqtarët mund të vendosin për një shtyrje tjetër, nëse ajo konsiderohet absolutisht e nevojshme. Sapo paneli të caktojë një datë për shpalljen e vendimit, ne do ta bëjmë të ditur”, thuhet në përgjigje.

Thaçi dhe të bashkëpandehurit e tij – të gjithë figura të larta të UÇK-së gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 – ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u bë publike aktakuza kundër tyre.

Në atë dosje, ata përshkruhen si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, që synonte marrjen dhe ushtrimin e kontrollit përmes frikësimit, keqtrajtimit dhe largimit të kundërshtarëve.

Sipas aktakuzës, viktimat e tyre përfshinin serbë, romë dhe shqiptarë që nuk mbështesnin UÇK-në. Së paku 102 persona dyshohet se u vranë, ndërsa më shumë se 20 mbeten të zhdukur.

Prokuroria pretendon gjithashtu se të akuzuarit, për shkak të pozitave të tyre drejtuese, mbajnë përgjegjësi edhe për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Sot, mbi tre vjet pas nisjes së gjykimit, trupi gjykues ka dëgjuar dhjetëra dëshmitarë dhe ka shqyrtuar qindra prova të paraqitura nga prokuroria dhe mbrojtja.

Në përfundim të procesit, prokuroria kërkoi dënim me nga 45 vjet burg për secilin prej katër të akuzuarve.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar vendim dënimi për të dhjetë pikat e aktakuzës dhe vendosjen e një vendimi të vetëm prej 45 vjetësh, bazuar në kontributet individuale në krime…”, tha prokurorja e specializuar, Kimberly West, më 9 shkurt 2026.

Të katërtit i kanë mohuar akuzat.

Thaçi, i cili gjatë viteve ka mbajtur postet e kryeministrit dhe presidentit të Kosovës, i ka cilësuar ato si “krejtësisht të pavërteta, absurde dhe thellësisht fyese”.

“Është e vërtetë e dhimbshme që kjo prokurori përpiqet t’i hedhë poshtë dëshmitë e zyrtarëve të lartë të NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe OKB-së në këtë gjykatë – të atyre dhe njerëzve të tyre që ishin tërë kohën bashkë me ne në terren”, ka thënë Thaçi duke iu drejtuar gjykatës më 18 shkurt 2026.

Në mbështetje të mbrojtjes kanë dëshmuar disa prej figurave më të njohura të diplomacisë dhe sigurisë perëndimore të kohës së luftës, përfshirë ish-zëdhënësin e Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-komandantin e NATO-s për Evropën, Wesley Clark.

Ata kanë deklaruar se UÇK-ja nuk funksiononte si një strukturë e centralizuar dhe se të akuzuarit kishin më pak ndikim dhe kontroll sesa pretendohet në aktakuzë.

Ky është një qëndrim që ndan edhe një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Kosovës, të cilët vazhdojnë t’i shohin Thaçin dhe bashkëluftëtarët e tij si figura të luftës çlirimtare.

Në disa raste, ata kanë protestuar kundër gjyqit, duke e konsideruar atë të padrejtë dhe të njëanshëm.

Për një pjesë të tyre, përfshirë edhe përfaqësues politikë, përqendrimi i Gjykatës vetëm te krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së krijon perceptimin e barazimit të luftës së Kosovës me krimet e kryera nga Serbia, e cila ishte shteti agresor gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Sytë tani janë te gjyqtarët – cili do të jetë verdikti?

Përgjigjja nuk është e njëjtë as mes juristëve dhe studiuesve që e kanë ndjekur nga afër procesin. Disa presin aktgjykim lirues, të tjerë shmangin çdo parashikim, ndërsa ka edhe nga ata që shohin disa skenarë të mundshëm.

Për avokatin e licencuar në Dhomat e Specializuara, Artan Qerkini, Prokuroria nuk ka arritur të provojë dy shtyllat kryesore mbi të cilat mbështetet aktakuza: ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale dhe përgjegjësinë komanduese të të akuzuarve. Për këtë arsye, ai pret që të katërtit të shpallen të pafajshëm.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një ushtri vullnetare dhe nuk ka pasur hierarki strikte. Pjesëtarët e saj i janë bashkuar me vullnetin e tyre, nuk kanë qenë ushtarë profesionistë dhe nuk kanë pasur detyrime që t’i qëndronin luftës deri në fund. Në rrethana të tilla, nuk mund të thuhet se ka ekzistuar kontroll efektiv në terren, që është një nga bazat për përcaktimin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, thotë Qerkini për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Megjithatë, jo të gjithë janë të gatshëm të nxjerrin përfundime për rezultatin.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin Middlesex të Londrës, William Schabas, thotë se procese të kësaj natyre shpesh vendosen nga detaje të caktuara të provave, të cilat nuk janë gjithmonë të dukshme për publikun.

“Gjyqtarët që po e shqyrtojnë këtë rast, nuk janë nga Kosova. Ata nuk janë të shkëputur nga realiteti politik i Kosovës, sepse ai është pjesë e çështjes që po gjykohet. Por, ata janë të pavarur dhe të paanshëm. Mendoj se shqetësimet apo ndjeshmëritë që mund të shkaktojë vendimi i tyre, nuk ndikojnë në punën e tyre – ata do të vendosin mbi bazën e fakteve dhe provave që kanë para vetes”, thotë Schabas për Exposenë.

Si hulumtuese prej vitesh e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë dhe vëzhguese e afërt e procesit ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Nevenka Tromp nuk e përjashton asnjë mundësi.

Sipas saj, ekzistojnë tre skenarë: shpallja e pafajësisë për të katërtit, dënimi i të katërtve, ose një rezultat i përzier, ku disa mund të dënohen e disa të lirohen.

Pikërisht të tretin ajo e sheh si më të mundshmin.

“Kjo gjykatë do të duhet të ruajë një lloj ekuilibri mes pritjeve të palës serbe dhe asaj kosovare. Për këtë arsye, ka gjasa që disa të akuzuar të shpallen të pafajshëm dhe disa të dënohen. Mbetet të shihet nëse do të lirohet një apo do të dënohet një… apo ndonjë kombinim tjetër. Por, do të ketë kompromis”, thotë Tromp për Exposenë.

Vëmendja e Trompit nuk ndalet vetëm te rezultati. Ajo argumenton se gjatë zhvillimit të procesit, ka pasur shqetësime serioze lidhur me standardet procedurale, përfshirë kohëzgjatjen e paraburgimit dhe mënyrën e zbatimit të prezumimit të pafajësisë. Ajo vëren se kritika të ngjashme janë ngritur edhe nga Këshilli i Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit.

Raporti paraprak i këtij mekanizmi, i publikuar më 11 maj, ngriti shqetësime për kohëzgjatjen e paraburgimit, kufizimet në lirimin e përkohshëm, pranimin e provave dhe barazinë mes prokurorisë dhe mbrojtjes gjatë procesit gjyqësor.

Se si do të ndikojnë këto kritika në perceptimin e aktgjykimit mbetet për t’u parë. Sepse, për një pjesë të ekspertëve, verdikti është vetëm një pjesë e historisë. Pjesa tjetër fillon pasi ai të shpallet, në mënyrën se si do të lexohet dhe interpretohet në Kosovë dhe më gjerë.

Këtu e vendos fokusin edhe sociologu dhe profesori në Universitetin e Londrës, Eric Gordy.

Sipas tij, një nga dobësitë më të mëdha të Dhomave të Specializuara ka qenë komunikimi me publikun. Në vend që qytetarëve t’u shpjegohej më shumë se procesi kishte të bënte me përgjegjësinë individuale, hapësira publike u mbush me interpretime politike, ku gjykimi u paraqit si një përballje mes palëve ndërluftuese dhe jo si proces penal ndaj individëve.

“Kush nuk do të donte të arrinte drejtësi historike? Por, unë do të doja që gjyqtarët të përqendroheshin më shumë te drejtësia juridike, ndërsa historianët dhe filozofët të merreshin me drejtësinë historike”, thotë Gordy për Exposenë.

Gordy nuk pret që aktgjykimi të sjellë një narrativ të përbashkët për luftën në Kosovë. Përkundrazi – interpretimet, sipas tij, do të vazhdojnë të ndryshojnë, sepse ato ndërtohen mbi përvoja, kujtesë kolektive dhe këndvështrime të ndryshme politike e shoqërore.

Për këtë arsye, ai e sheh dialogun mes vetë shoqërive si rrugën më të besueshme për t’u përballur me të kaluarën.

“Duhet ta ndajmë historinë nga politika dhe të nxisim një dialog, ku njerëzit në secilin shtet flasin edhe për përgjegjësitë e atyre që i kanë përfaqësuar. Ndarja e njerëzve në heronj dhe armiq nuk i shërben askujt”, sipas Gordyt.

Profesori Schabas është gjithashtu skeptik se një vendim gjyqësor mund të prodhojë pajtim.

Duke iu referuar përvojës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ai thotë se edhe pas dhjetëra aktgjykimeve dhe më shumë se dy dekadash punë, ndikimi i tij në afrimin e shoqërive të rajonit mbetet i kufizuar.

Sipas Schabasit, një skenar i ngjashëm mund të përsëritet edhe pas vendimit të Dhomave të Specializuara.

“Nëse aktgjykimi është kundër tyre, do të ketë njerëz që nuk do ta pranojnë lehtë. Thjesht, për shkak të besnikërisë dhe bindjeve të tyre, jo për shkak të një vlerësimi të ftohtë e të paanshëm të ligjit”, thotë ai.

Për Qerkinin, një aktgjykim dënues do të kishte peshë përtej përgjegjësisë individuale. Ai thotë se fakti që Gjykata ka trajtuar vetëm krimet e pretenduara të UÇK-së, ka ushqyer perceptimin e një drejtësie selektive, me pasoja të mundshme edhe për mënyrën se si do të perceptohet lufta e Kosovës.

“Mund të ndikojë negativisht në perceptimin për UÇK-në, ngase të akuzuar janë krerët e UÇK-së. Pra, UÇK-ja nuk është përbërë nga armatimi dhe logjistika, por nga njerëzit. Dhe, këta njerëz të akuzuar kanë qenë krerët e UÇK-së dhe, domosdo, mund të kriminalizohet e gjithë UÇK-ja”, thotë Qerkini.

Tromp shkon edhe më larg – perceptimi për UÇK-në nuk është i vetmi në lojë.

Ajo argumenton se një aktgjykim dënues mund të ndikojë edhe në mënyrën se si do të rrëfehet shtetësia e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke i dhënë Serbisë dhe vendeve skeptike më shumë hapësirë për të sfiduar legjitimitetin moral të luftës së saj çlirimtare.

Kjo, sipas saj, mund ta vendosë Kosovën në një pozitë më të vështirë në betejat diplomatike për njohje, si dhe në raportet me partnerët ndërkombëtarë.

“Shoqëria e Kosovës dëshiron të pranohet në kontekstin politik evropian. Ajo dëshiron të ecë përpara dhe të ndërtojë të ardhmen e saj. Por, ky proces rrezikon ta mbajë të lidhur me të kaluarën dhe të vërë në dyshim qëllimet e mira dhe rezultatin që synon të arrijë kjo gjykatë”, thotë Tromp.

E themeluar nga Kuvendi i Kosovës, Gjykata Speciale është pjesë e sistemit gjyqësor të vendit, por vepron në Hagë me gjyqtarë ndërkombëtarë.

Ajo pasoi raportin e ish-senatorit zviceran, Dick Marty, të vitit 2010, i cili ngriti pretendime për krime të rënda të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, përfshirë trafikimin e organeve.

Meqë këto të fundit nuk u vërtetuan dhe nuk janë pjesë e aktakuzës aktuale kundër Thaçit dhe të tjerëve, Qerkini thotë se Kosova është “mashtruar”.

KQZ-ja shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të qershorit, hap rrugën për certifikimin e tyre

Radio Evropa e Lirë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor, duke hapur rrugën për certifikimin e tyre zyrtar dhe nisjen e procesit të themelimit të institucioneve të reja për t’i dhënë krizës pothuajse dyvjeçare politike.

Rezultatet përfundimtare u shpallën të shtunën në një mbledhje të KQZ-së në Prishtinë.

Certifikimi i tyre pritet të bëhet të hënën, kur përfundon një periudhë ankesash prej 48 orësh, tha kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, gjatë mbledhjes së komisionit.

Sipas rezultateve përfundimtare, partia në pushtet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), i ka fituar 47.13% të votave, apo 53 vende në Kuvendin me 120 sosh.

Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka fituar 19.44%, apo 22 ulëse; Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 16.69% , apo 18 ulëse; dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 6.74%, apo shtatë ulëse.

Çfarë tani?

Tani që u shpallën rezultatet përfundimtare, komisioni zgjedhor do të presë deri të hënën në mesditë për ndonjë ankesë të mundshme dhe, nëse nuk ka të tilla, do t’i certifikojë këto rezultate.

Certifikimi nënkupton se mund të fillojë procesi për bërjen e Kuvendit të ri dhe formimit të Qeverisë së re.

Duke parë numrin e ulëse të fituara, partia në pushtet nuk pritet ta ketë telash formimin e Qeverisë, për çka nevojiten 61 vota në Kuvendin me 120 ulëse.

Por, ajo nuk do t’i ketë votat për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, një çështje që ka shkaktuar krizë politike këtë vit.

Nevojitet prania e 2/3 të deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Dështimi i partive për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit çoi në shpërndarjen e Kuvendit në fund të prillit – më pak se tre muaj pas konstituimit të tij – dhe në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 7 qershor.

Deri tani partitë politike nuk kanë mbajtur bisedime për një marrëveshje të mundshme për presidentin.

Një dështim i radhës për të arritur pajtueshmëri për këtë post kryesisht ceremonial, mund të çojë në një palë zgjedhjesh të tjera të parakohshme – që do të ishin të katërta brenda dy vjetësh.

Kërkoj nga palët të të respektojnë organet e partisë dhe të ballafaqohen në forumet e LDK-së Nga Fazli Hajdaraj, Zyrtar dhe veprimtar i LDK-së që nga themelim i saj

REAGIM PUBLIK

Rikthimi i Vjosa Osmanit kërkonte debat të hapur dhe vendimmarrje institucionale, jo imponime apo kalkulime të ngushta politike.

Si veprimtar dhe zyrtar i vjetër i LDK-së, që kam ushtruar funksione të ndryshme ndër vite dhe kam kontribuar në kohë të vështira e vendimtare për partinë, ndjej obligim moral dhe politik të reagoj ndaj gjëndjes së krijuar së fundmi në LDK.

Është e papranueshme që çështje kaq të ndjeshme dhe me pasoja për të ardhmen e partisë të trajtohen me improvizime, deklarata emocionale dhe luftëra në rrjetet sociale. Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK është një temë për të cilën, sipas shumë zërave brenda partisë, nuk ka pasur pajtim të gjerë dhe është e qartë se një pjesë e konsiderueshme e anëtarësisë nuk e ka mbështetur një qasje të tillë. Kjo kërkonte debat të hapur dhe vendimmarrje institucionale, jo imponime apo kalkulime të ngushta politike.

Nga ana tjetër, po aq të papranueshme janë kërkesat e degëve të Pejës, Lipjanit dhe Degës së Dytë në Prishtinë për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku përmes rrjeteve sociale dhe deklarimeve publike. Nëse ekzistojnë pakënaqësi reale, LDK ka organe, statut dhe mekanizma të qartë për trajtimin e tyre. Nuk mund të kërkohet përgjegjësi institucionale duke shkelur vetë parimet institucionale.

LDK nuk mund të shndërrohet në arenë për hesapet personale të askujt. Ata që marrin vendime pa konsultim të gjerë gabojnë rëndë, por po aq gabojnë edhe ata që kërkojnë rrëzimin e lidershipit përmes Facebook-ut e mediave, duke dëmtuar imazhin e partisë para qytetarëve. Të dyja palët po kontribuojnë në dobësimin e LDK-së dhe po largojnë vëmendjen nga problemet reale me të cilat përballet Kosova.

Sot, më shumë se kurrë, LDK ka nevojë për maturi, përgjegjësi dhe respekt për institucionet e saj. Kushdo që mendon se mund ta marrë peng partinë për interesa personale apo grupore duhet ta kuptojë se LDK është më e madhe se çdo individ, qoftë ai kryetar, ish-funksionar apo drejtues dege.

Prandaj, kërkoj nga të gjitha palët të ndalin menjëherë luftën publike, të respektojnë organet e partisë dhe të ballafaqohen me argumente aty ku e kanë vendin – në forumet e LDK-së. Çdo veprim tjetër është papërgjegjësi politike dhe tradhti ndaj besimit që anëtarësia dhe elektorati i kanë dhënë ndër vite kësaj force politike.

LDK nuk ka nevojë për spektakle, por për përgjegjësi. Nuk ka nevojë për luftëra klanore, por për unitet. Dhe mbi të gjitha, nuk ka nevojë për njerëz që e përdorin partinë për interesat e tyre, por për njerëz që i shërbejnë asaj me dinjitet dhe ndershmëri.

Fazli Hajdaraj

Zyrtar dhe veprimtar i LDK-së që nga themelim i saj.

24 Qershor 2026.

Degët e LDK po kërkojnë që Lidhja Demokratike e Kosovës duhet t’i hyjë procesit të përgjithshëm zgjedhor, nga nëndegët deri te Kryetari Nga Skënder Zogaj, Veteran i LDK-së

LDK-ja DUHET T’I KTHEHET ANËTARËSISË

Partia historike e Kosovës, arritja më e sinqertë dhe vlera më e kristaltë e fatit politik të popullit shqiptar në Kosovë dhe në të gjitha trevat shqiptare, Lidhja Demokratike e Kosovës, tash e më shumë se një dekadë po përjeton një krizë të rëndë, të panevojshme dhe të turpshme. Përgjegjësia bie mbi udhëheqjen e saj më të lartë, e cila, pa meritë politike e morale, ka uzurpuar drejtimin e partisë dhe po e rrënon, dita-ditës, bërthamën demokratike të LDK-së, njëherësh edhe shtyllën më të fortë të demokracisë shqiptare në Kosovë.

Kurora e kësaj krize u pa qartë në zgjedhjet e fundit komunale dhe republikane. LDK-ja jo vetëm që ra në pozitën e tretë, por humbi në mënyrë të mjerueshme substancën e saj elektorale, duke pësuar goditjen më të rëndë në historinë e saj politike.

Kjo është gjendja reale e LDK-së. Pikërisht për këtë arsye reagimet e shumta të anëtarësisë dhe të strukturave partiake janë të drejta, legjitime dhe të domosdoshme. Situata mund të bëhet fatale nëse përgjegjësit, në të gjitha hallkat e organizimit partiak, vazhdojnë të bëjnë sikur nuk e kuptojnë se janë bartësit kryesorë të përgjegjësisë për humbjen e zgjedhjeve të 7 qershorit 2026. Ata duhet të marrin përgjegjësi politike e morale dhe t’i hapin rrugë një procesi të ri zgjedhor, nga kryetari Lumir Abdixhiku e deri te aktivet më të vogla lokale.

Nuk ka rrugë tjetër. Zgjidhja është vetëm një: zgjedhje të reja të brendshme, me votën e lirë të anëtarësisë, sipas parimit demokratik “Një anëtar – një votë.”

Prandaj nuk është rastësi që degët e LDK-së, këto ditë, njëra pas tjetrës, po ngrihen në mbrojtje të demokracisë së brendshme dhe po kërkojnë hapjen e menjëhershme të procesit zgjedhor.

Kërkesa e tyre është e prerë:

“Me unanimitet të anëtarëve të Kryesisë së Degës u vendos që Lidhja Demokratike e Kosovës duhet t’i hyjë procesit të përgjithshëm zgjedhor, nga nëndegët deri te Kryetari.”

Kjo është një kërkesë plotësisht legjitime dhe e parefuzueshme. Kryesia Qendrore e LDK-së duhet ta miratojë menjëherë, pa asnjë vonesë. Data 15 gusht duhet të shpallet dita e nisjes së procesit zgjedhor në të gjitha strukturat e partisë, ndërsa nga 30 gushti deri më 15 tetor të zhvillohen zgjedhjet në degë. Më së largu deri në fund të tetorit duhet të konstituohet Këshilli i Përgjithshëm dhe të zgjidhet Kryesia e re Qendrore e LDK-së.

Reagimet dhe kërkesat e degëve duhet t’i pranojë dhe t’i mbështesë personalisht kryetari Lumir Abdixhiku, pa u fshehur pas debateve e polemikave mediatike. Ai e mori drejtimin e LDK-së duke premtuar reformë të thellë partiake, rikthim te demokracia e brendshme dhe zbatim të vullnetit rugovian të anëtarësisë. Prandaj nuk ka të drejtë morale ta nxjerrë LDK-në nga autostrada politike e Ibrahim Rugovës për ta futur në rrugica të improvizuara, pa orientim e pa perspektivë, që nuk shpijnë askund.

Koha e arsyetimeve ka përfunduar. Ka ardhur koha e përgjegjësisë. Nëse LDK-ja dëshiron të mbijetojë si parti historike dhe si shpresë politike e shqiptarëve, ajo duhet t’i kthehet menjëherë pronarit të saj të vetëm: anëtarësisë.

Skënder Zogaj

Veteran i LDK-së dhe themelues e kryetar i parë i Degës së parë të LDK-së në Fushë Kosovë.

Agim Veliu: Kërkesat për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut janë plotësisht legjitime dhe të drejta

Agim Veliu, ish-nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i përshkroi kërkesat e disa degëve lokale për dorëheqjen e kryetarit të partisë Lumir Abdixhiku si legjitime dhe të justifikuara. Në një postim në Facebook, Veliu deklaroi se Abdixhiku duhet të marrë përgjegjësinë për dështimet zgjedhore. Nën udhëheqjen e Abdixhikut, LDK mori afërsisht 17 përqind të votave më 7 qershor, duke e lënë atë partinë e tretë. Në të tre rastet gjatë mandatit të tij si kryetar i partisë, LDK mbeti forca e tretë.

Ja reagimi:

“Kërkesat për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut janë plotësisht legjitime dhe të drejta. Ato burojnë nga fakti se ai mori përsipër meritat për çdo sukses të pretenduar, prandaj duhet të marrë përsipër edhe përgjegjësinë për dështimin.

Nën drejtimin e tij, LDK-ja mbeti e ngujuar në vendin e tretë, pa arritur të rikthehet si alternativë serioze për pushtet, pavarësisht premtimeve të mëdha dhe kontrollit të plotë mbi partinë.

Pas disa cikleve zgjedhore pa rezultatet e premtuara, qëndrimi në krye të partisë pa reflektim politik shihet si mungesë përgjegjësie dhe pengesë për reformimin e LDK-së.

Edhe më shqetësues ishte reagimi arrogant i Abdixhikut ndaj kryetarëve të Lipjanit, Pejës dhe një dege të kryeqytetit, të cilët kërkuan dorëheqjen e tij.

Në vend se të reflektonte mbi kritikat, ai reagoi duke kërkuar dorëheqjen e dy kryetarëve të degëve që kanë fituar vazhdimisht zgjedhjet në komunat e tyre, ndërsa vetë refuzon të japë llogari për rezultatet e partisë në nivel qendror.

Duke u sjellë si pronar partie e jo si kryetar i zgjedhur, Abdixhiku po dërgon mesazhin se në LDK ndëshkohen ata që kërkojnë llogaridhënie, jo ata që dështojnë.

Kur një lider kërkon të heshtë kritikët, të ndëshkojë fituesit dhe të mbrojë veten nga përgjegjësia politike, problemi nuk është më vetëm rezultati zgjedhor. Problemi është mënyra se si ai e kupton demokracinë, debatin e brendshëm dhe vetë funksionimin e partisë.”

Rizvanolli thotë se Kosova s’është kundër gazit amerikan, por nuk tregon nëse do ta pranojë atë

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli (djathtas) dhe e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, marrin pjesë në një konferencë në Prishtinë, qershor 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka ngulur këmbë se Kosova nuk është kundër gazit të lëngëzuar amerikan (LNG), por nuk sqaroi nëse do t’i bashkohet përfundimisht apo jo projektit të aleatit të vet më të madh për furnizim me LNG.

Në një video të postuar mëngjes e së premtes në llogarinë e vet në Facebook, Rizvanolli tha se dëshiron ta sqarojë çështjen e gazit amerikan, duke qenë se Qeveria në detyrë e kryeministrit Albin Kurti po përballet me kritika dhe trysni pasi është shfaqur e rezervuar për projektin.

Qeveria në detyrë është përballur me thirrje të vazhdueshme, nga Ambasada amerikane në Prishtinë e deri tek odat ekonomike në vend dhe opozita, për të hyrë në projektet e gazit amerikan.

Rizvanolli tha se “nuk është e vërtetë që Qeveria e Kosovës është kundër gazit të lëngëzuar nga SHBA-ja, siç po thuhet”.

Ajo tha se Kosova nuk e ka as përvojën dhe as infrastrukturën për t’u furnizuar me LNG, prandaj çështja e diskutimit të gazit amerikan “është përtej politikave ditore”.

“Si gjithmonë ne do ta trajtojmë edhe këtë çështje me seriozitetin e përgjegjësinë më të lartë bashkë me ekspertët e të gjitha institucionet relevante dhe duke marrë parasysh të gjitha konsideratat ekonomike e politike”, tha ajo.

Në Kosovë 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet ende nga qymyri, dhe vetëm rreth 10 për qind vjen nga burime të ripërtëritshme si uji, era dhe dielli. Por, vendi varet nga importi gjithashtu, posaçërisht në kohët e pikut të dimrit dhe verës.

“Ne kemi zgjedhur thëngjillin, burimet e ripërtërimit të energjisë si era e dielli, kogjenerimin për ngrohje qendrore dhe efiçencën e energjisë. Ky kombinim mbështetet në burime vendore dhe është më i liri për qytetarët e bizneset tona”, tha ajo.

Rizvanolli e bëri të qartë se Qeveria në detyrë e sheh gazin amerikan si burim shtesë, duke e përsëritur gjithashtu se ajo e vlerëson gazifikimi i thëngjillit si mundësi më të mirë se furnizimin me LNG-në amerikane.

Sipas saj, përmes gazifikimit të thëngjillit Kosova do të shtonte kapacitete të reja “që janë me teknologji më të avancuar e më pak ndotje”.

Ajo përmend një memorandum bashkëpunimi mes Kosovës e Shqipërisë në vitin 2022, me synim bashkëpunimi në termocentralin e Vlorës me LNG.

Edhe vetë kryeministri Kurti e ka përmendur gazifikimin e thëngjillit si zgjedhje më të parapëlqyer sesa LNG-ja amerikane.

“Këtë e kemi konsideruar zgjidhje më të mirë, më praktike, më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme. Nga analizat që kemi bërë del se mënyra më e shpejtë, e dobishme dhe ekonomikisht e favorshme për inkuadrimin potencial të LNG-së në miksin tonë energjetik është përmes termocentralit në Vlorë”, tha ajo.

Ministrja në detyrë argumentoi se Kosova nuk varet nga gazi për shkak të rezervave të thëngjillit që gëzon.

“Përballueshmëria e çmimeve është konsideratë kyçe në politikën tonë energjetike”, shtoi ajo.

Rizvanolli gjithashtu tentoi t’i zbusë shqetësimet se Kosova mund të përballet me përkeqësim marrëdhëniesh me SHBA-në, nëse nuk i bashkohet projektit.

Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës paralajmëruan ditë më parë se refuzimi i projekteve rajonale të LNG-së rrezikon të kenë ndikim negativ në partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara.

“Pavarësisht këtyre diskutimeve nuk ka asnjë dilemë që Kosova dhe Qeveria e saj kanë qenë dhe mbeten të bashkërenduara me politikën e jashtme të SHBA-ve në mënyrë konsistente dhe parimore”, nguli këmbë Rizvanolli.

Njohësit e zhvillimeve që ndërlidhen me energjetikën në Kosovë vlerësojnë se SHBA-ja po bën përpjekje që t’i mos i lërë vendet e Ballkanit Perëndimor të cenueshme përballë ndikimit rus dhe ndikimeve tjera në sektorin e energjisë.

Disa shtete të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshje me kompani amerikane dhe SHBA-në për të zgjeruar rrjetin e gazit.

Në mesin e tyre Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina. Rishtazi është nënshkruar një projekt i madh për ndërtimin e një tubacioni gazi që synon ta shkëpusë Sarajevën nga furnizimet ruse.

Rizvanolli pretendoi se Kosova nuk po zgjedh mes SHBA-së dhe Rusisë, pasi, për dallim nga disa vende të tjera të rajonit, ajo nuk varet nga gazi rus.

Ajo shtoi se “sigurisht që Kosova e çmon dhe përkrah përpjekjen e SHBA-së për të eliminuar ndikimin që Rusia ka në rajonin tonë përmes furnizimit me gaz”.

“Mirëpo, në rastin e Kosovës, shfrytëzimi i temës së gazit për të vendosur etiketime si antiamerikan ose për të shtruar pyetjen me Rusinë a me Amerikën është jo vetëm fals, por edhe komplet i palogjikshëm, sepse Kosova nuk importon asnjë metër kub gaz rus”, shtoi ajo.

Gazifikimi i thëngjillit apo LNG-ja amerikane: Ç’është më mirë për Kosovën?

Një punonjës duke kaluar përmes tubave të nxehtë të ujit në një terminal për LNG në jug të Anglisë.

 

Kosova përdor djegien e qymyrit për të prodhuar rreth 90 për qind të rrymës që i duhet. Por, së voni, janë paraqitur dy opsione për diversifikimin e sektorit të energjisë: gazifikimi i thëngjillit, që përkrahet nga Qeveria në detyrë e Kosovës, dhe përfshirja në nismat rajonale të gazit të lëngshëm natyror, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara. Por, cili nga opsionet është më real, sipas ekspertëve të fushës?

Kosova duket se është para dy zgjidhjeve për të siguruar stabilitet afatgjatë në sektorin e energjisë: të nisë gazifikimin e thëngjillit, apo të përfshihet në nismat rajonale të gazit të lëngshëm natyror (LNG).

Me gjithë apelin e Qeverisë në detyrë të Kosovës për mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për opsionin e gazifikimit, Uashingtoni thotë qartazi se do që Prishtina të bëhet pjesë e nismave të LNG-së.

“SHBA-ja është e gatshme të punojë me industrinë amerikane të energjisë dhe Qeverinë e Kosovës për të siguruar të ardhme energjetike për Kosovën përmes diversifikimit të furnizimit me energji, përfshirë LNG-në e SHBA-së”, thanë për Radion Evropa e Lirë nga Ambasada amerikane në Prishtinë, duke theksuar se eksportet e energjisë amerikane janë shtylla e bashkëpunimit ekonomik me partnerët evropianë.

Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ndërkaq, tha para gazetarëve në Prishtinë se sa i përket gazit amerikan, duhet të ketë diskutime serioze me institucionet dhe ekspertët për përfitimet dhe kostot nga ky projekt.

Përparësia e LNG-së

Për eksperten e energjisë, Laura Kryeziu, përfshirja në rrjetin rajonal të LNG-së “është opsioni më realist dhe më i arritshëm për dekadën e ardhshme”, qoftë në aspektin teknik, financiar, mjedisor dhe strategjik.

LNG është gaz natyror, kryesisht metan, që nxirret nëpër fusha gazi, ftohet në temperatura në rreth -162 gradë Celsius, dhe transportohet në formë të lëngshme me anije cisterna. Kur arrin në terminale, ai kthehet në gjendje gazi dhe futet në rrjet.

Kryeziu thotë se mundësi konkrete për Kosovën është interkonjeksioni me Maqedoninë e Veriut, që do ta lidhte vendin me një terminal të LNG-së në Greqi, puna e të cilit nisi dy vjet më parë.

“Bëhet fjalë për rreth 86 kilometra gazsjellës, me një kosto të vlerësuar rreth 100 milionë euro”, sqaron për Radion Evropa e Lirë ish-koordinatorja në projektin e Korporatës të Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për gazifikim dhe diversifikim të energjisë në Kosovë.

Kryeziu thotë se Kosova ka shpenzuar në pesë vjetët e fundit afro 1 miliard euro për import të energjisë, ndërsa vetëm gjatë dy muajve të parë të 2026-tës rreth 60 milionë euro, “pothuajse sa kushton vetë interkonjeksioni me Maqedoninë e Veriut”.

Sipas saj, projekti për gazin nga Maqedonia e Veriut ka pasur mbështetje ndërkombëtare, dhe MCC-ja ka bërë një studim fizibiliteti për të, ndërsa për gazifikimin e linjitit s’ka studim të detajuar e as model të qartë financimi.

“Projekte të tilla kërkojnë investime që mund të arrijnë në qindra miliona apo miliarda euro, teknologji shumë të avancuar dhe një nivel të lartë risku financiar”, thotë Kryeziu.

Një anije cisternë duke lundruar në afërsi të Kanalit të Panamasë.

Një anije cisternë duke lundruar në afërsi të Kanalit të Panamasë.

Minuset e dy opsioneve

Por, këshilltarja për energji për Evropën Juglindore në rrjetin Bankwatch, Pippa Gallop, vlerëson se të dy opsionet janë shumë “joreale” për Kosovën në terma afatshkurtër, si dhe të shtrenjta dhe të dëmshme në aspektin klimatik.

Më të pafavorshëm, ajo e sheh gazifikimin e qymyrit, i cili bëhet duke përdorur reaktor me nxehtësi të lartë, ku ka presion të madh dhe sasi të kufizuar oksigjeni, në mënyrë të që prodhohet gaz sintetik.

“Përdor sasi të mëdha uji që Kosova nuk i ka, dhe mund të ndotë ujërat nëntokësore. Po ashtu, rezulton me emetime të mëdha të gazrave serrë, që bie ndesh me zotimet e Kosovës sa i përket klimës”, thotë Gallop për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, ajo thekson se përfshirja në rrjetet rajonale të LNG-së “mund të marrë dekada kohë, në një kohë kur Kosova duhet të heqë dorë nga të gjitha lëndët fosile, përfshirë gazin”.

“Nuk shoh asnjë përfitim real krahasuar me energjinë e ripërtërishme, pasi do të rriste varësinë e shtetit ndaj gazit të kushtueshëm që do të importohej”, thotë Gallop.

Duke përmendur objektivat e dekarbonizimit të Bashkimit Evropian – ku Kosova synon të anëtarësohet – si Gallop, ashtu edhe Kryeziu, thonë se ndotja nga gazifikimi dhe LNG-ja nuk përkojnë me synimet e bllokut që të ketë neutralitet klimatik deri më 2050.

 

Cili duhet të jetë prioriteti i Kosovës?

Sipas Kryeziut, Kosova duhet ta ndërtojë një sistem modern dhe të diversifikuar të energjisë, që nënkupton investime në energji të ripërtërishme, në kapacitete të ruajtjes së energjisë, modernizim të rrjetit, dhe lidhje me rrjetin rajonal të gazit, si zgjidhje tranzitore.

“Gazifikimi i linjitit nuk duhet të jetë prioriteti i vendit në këtë moment”, thotë ajo.

Gallop konsideron se “Kosova nuk duhet të shpërqendrohet nga gazi”.

“Duhet të përqendrohet në bateri dhe energji të ripërtërishme, si dhe në rinovimin e shtëpive për efiçiencë energjetike dhe mbështetjen për pompat e nxehtësisë, që mund të ulin përdorimin e energjisë elektrike nga familjet për ngrohje”, thekson ajo.

Për ekspertët, gazi amerikan është investim për sigurinë e Kosovës.

Për ekspertët, gazi amerikan është investim për sigurinë e Kosovës.

Aspekti strategjik

Megjithatë, Gallop dhe Kryeziu shohin një aspekt strategjik në përfshirjen eventuale të Kosovës në nismat e LNG-së, që mbështeten nga SHBA-ja.

Gallop thotë se është e kuptueshme që Kosova synon të mbajë raporte të mira me SHBA-në, por ajo thotë se duhet të gjendet një mënyrë që kjo të arrihet pa një “çmim të lartë”.

Për Kryeziun, gazi amerikan është investim në sigurinë dhe pozicionimin afatgjatë të vendit.

Se Kosova s’e ka luksin të shënojë “autogol” në rrafshin e ekonomisë, sigurisë dhe strategjisë, paralajmëroi javën e kaluar Adrian Shtuni, ekspert për politikë të jashtme dhe siguri, që vepron në Uashington.

Kriza në LDK ngre pikëpyetje të reja për formimin e institucioneve

Shtatorja e Ibrahim Rugovës, presidentit të parë të Kosovës, që gjendet përballë institucioneve qendrore të Kosovës: Qeverisë, Kuvendit dhe Presidencës.

Bekim Bislimi

Teksa Kosova vazhdon të mbetet pa institucione të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, një tjetër zhvillim po e ndërlikon edhe më tej skenën politike.

Përplasjet e hapura brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës – partisë që shihet si partnerja më e mundshme e Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një shumice qeverisëse – kanë ngritur pikëpyetje jo vetëm për të ardhmen e saj politike, por edhe për ndikimin që mund të kenë në procesin e formimit të institucioneve.

Kërkesat publike për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, të shoqëruara me replika mes figurave drejtuese të partisë, kanë nxjerrë në pah ndasitë e brendshme që pasuan rezultatin zgjedhor.

Në këtë klimë, analistët vlerësojnë se mënyra se si do të menaxhohet kjo krizë, mund të ndikojë në kapacitetin e LDK-së për të negociuar një marrëveshje politike, edhe pse nuk besojnë se vetëm zhvillimet brenda saj do ta përcaktojnë fatin e institucioneve të reja.

Çfarë ndodhi në LDK?

LDK-ja u rendit e treta në zgjedhjet e 7 qershorit, pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, duke mos arritur të ndryshojë pozicionin që ka mbajtur edhe në dy palë zgjedhjet paraprake – më 9 shkurt 2025 dhe më 28 dhjetor 2025.

Ky rezultat riktheu debatet e brendshme mbi drejtimin e partisë.

Këtë javë, së paku dy kryetarë komunash dhe disa drejtues degësh kërkuan publikisht dorëheqjen e Abdixhikut, duke argumentuar se ai duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor dhe për mungesën e një rritjeje të ndjeshme elektorale.

Abdixhiku iu përgjigj kritikëve me kundërkërkesë, duke u bërë thirrje atyre që të japin dorëheqje.

Përplasjet u reflektuan shpejt edhe në diskursin politik mes partive.

Nga koalicioni fitues u tha se mbetet e paqartë se me cilën “rrymë” brenda LDK-së duhet të zhvillohen negociatat për krijimin e institucioneve, ndërsa nga vetë LDK-ja u përgjigjën se partia ka vetëm një adresë për vendimmarrje: kryetarin Lumir Abdixhiku.

Përçarjet që e bëjnë më të vështirë vendimmarrjen

Donika Emini, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë, thotë se debatet e fundit nuk përbëjnë një zhvillim të papritur për LDK-në.

Sipas saj, sa herë që në këtë parti është hapur çështja e lidershipit, procesi është shoqëruar me përçarje, fraksione dhe largim të figurave të rëndësishme politike.

Emini vlerëson se deklaratat për paqartësitë se me kë duhet negociuar për formimin e institucioneve të reja, janë pjesërisht politike, por njëkohësisht pasqyrojnë edhe realitetin e brendshëm të LDK-së.

“Edhe pse adresa formale për negociata është kryetari i partisë, LDK-ja karakterizohet nga fraksione të ndryshme, të cilat kanë preferenca të ndara për partneritetet politike. Një pjesë favorizon bashkëpunimin me LVV-në, ndërsa një pjesë tjetër preferon vazhdimin e bashkëpunimit me PDK-në, siç ndodh aktualisht në Prishtinë, ku të dyja partitë bashkëqeverisin në nivel lokal”, thotë Emini për Radion Evropa e Lirë.

Mendim të ngjashëm ndan edhe analisti dhe ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Artan Muhaxhiri.

Ai thotë se, nëse përplasjet vazhdojnë, LDK-ja rrezikon të humbasë jo vetëm stabilitetin e saj të brendshëm, por edhe besueshmërinë si partnere në procesin e krijimit të institucioneve.

“Pa gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të gjitha fraksionet, nuk mund të kalohet në fazat e tjera. Fillimisht duhet adresuar pakënaqësitë e strukturave, në mënyrë që më pas të mund të ndërtohet një qëndrim i unifikuar ndaj ofertave eventuale të LVV-së”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

LDK: Vendimet i merr kryetari, por negociatat ende nuk kanë nisur

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i minimizon debatet e fundit, duke i cilësuar ato si pjesë të funksionimit demokratik të partisë dhe jo si shenjë të një krize të pazakontë.

Sipas tij, diskutime të ngjashme kanë shoqëruar edhe periudha kur LDK-ja drejtohej nga Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa, sidomos pas proceseve zgjedhore që nuk kanë prodhuar rezultatet e pritshme.

“Kjo është normale për LDK-në. Po të mos kishte reagime, do të duhej të pyeteshim se çka po ndodh”, thotë Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Ai konfirmon se, deri më tani, partia nuk ka marrë asnjë ftesë për negociata, por thekson se çdo komunikim eventual duhet t’i drejtohet kryetarit të LDK-së, Abdixhiku, për t’u shqyrtuar më pas në organet drejtuese të partisë.

Deklarata e Hazirit erdhi pasi Donika Gërvalla, nga partia Guxo, e cila në zgjedhjet e 7 qershorit garoi në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, tha për televizionin KTV se brenda LDK-së ekzistojnë “disa rryma të ndryshme”, të cilat e bëjnë të paqartë se me kë duhet të zhvillohen bisedimet për një marrëveshje të mundshme.

Se kontaktet politike ende nuk kanë nisur e konfirmon edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexha.

Ai thotë se bisedimet pritet të fillojnë vetëm pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i certifikojë rezultatet përfundimtare.

“Qytetari e ka thënë fjalën e vet dhe mendoj se pushteti, por edhe presidenti duhet të zgjidhen mbi bazën e kësaj premise”, thotë Rexha për Radion Evropa e Lirë.

A mund ta pengojë kriza në LDK krijimin e institucioneve?

Pavarësisht zhvillimeve të fundit në LDK, njohësit e çështjeve politike nuk besojnë se procesi i krijimit të institucioneve të reja varet vetëm nga kjo parti.

Dështimi i partive për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit çoi në shpërndarjen e Kuvendit në fund të prillit – më pak se tre muaj pas konstituimit të tij – dhe në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 7 qershor.

Për këtë arsye, posti i presidentit mbetet edhe tani një nga temat më të ndjeshme të negociatave të mundshme.

LDK-ja e ka bërë të qartë se ai është një nga kushtet kryesore për një marrëveshje eventuale me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja.

Emini vlerëson se, aktualisht, sfidat shkojnë përtej krizës së brendshme në LDK.

Sipas saj, edhe pse përçarjet e bëjnë më të vështirë ndërtimin e një qëndrimi unik për negociata, pengesa kryesore mbeten mungesa e besimit ndërmjet partive politike dhe kalkulimet elektorale që vazhdojnë të dominojnë skenën politike.

“Sa i përket çështjes së presidentit, as kjo nuk është një zgjidhje automatike. Nuk është e sigurt që posti i presidentit do t’i ofrohej LDK-së. Por, edhe nëse kjo ndodh, mbetet e hapur çështja e emrit që do të mbështetej. Kjo lidhet edhe me raportet komplekse të Lumir Abdixhikut me Vjosa Osmanin dhe me mënyrën se si do të menaxhoheshin këta ekuilibra brenda dhe jashtë partisë”, thotë Emini.

Në listën e LDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit, Abdixhiku ishte kandidat për kryeministër, ndërsa Osmani kandidate për presidente.

Emini shton se, nëse partitë arrijnë konfigurime të tjera parlamentare, qeveria mund të formohet edhe pa një LDK plotësisht të konsoliduar.

“… në atë rast, pasojat e përçarjeve do të mbeteshin kryesisht brenda LDK-së”, thotë ajo.

Muhaxhiri, vlerëson se, pavarësisht formulës së ardhshme të bashkëqeverisjes, LDK-ja duhet të sigurojë rol të qartë në vendimmarrje dhe përfitime politike që do t’i shërbenin edhe perspektivës së saj elektorale.

“Në asnjë mënyrë nuk duhet të hyjë në dialog me një qasje të personalizuar. Nuk ka më sens që LDK-ja të sillet pa urgjencë vepruese dhe me indiferencë komode ndaj pozitës së saj në spektrin politik kosovar”, thotë Muhaxhiri.

Megjithatë, ai mbetet skeptik për mundësinë e një marrëveshjeje të shpejtë, duke vlerësuar se, pavarësisht deklaratave për gatishmëri për bashkëpunim, ende nuk ka shenja se partitë po afrohen drejt një kompromisi.

“Identifikimi i një personaliteti përbashkues për postin e presidentit sërish mund të shndërrohet në një përpjekje sizifiane, me rrokullisje kolektive mbrapa”, përfundon Muhaxhiri, duke iu referuar mundësisë që Kosova të përballet sërish me bllokada politike… dhe sërish me zgjedhje.

 

 

Haziri: Abdixhiku ose unë mund t’i unifikojmë votat e LDK-së për president

Selia qendrore e LDK-së në Prishtinë

 

Bekim Bislimi

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, në rast se Lëvizjen Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, i ofron postin e presidentit të vendit në një marrëveshje eventuale.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Sipas tij, votat e LDK-së mund të unifikohen në rast se emri i presidentit del nga radhët e LDK-së dhe jo përtej kësaj partie.

“Në rast se ky emër është Lumiri [Abdixhiku, kryetar i partisë] ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh [brenda LDK-së] kam unë”, theksoi Haziri.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja garoi me emrat e Vjosa Osmanit si kandidate për presidente dhe të Lumir Abdixhikut si kandidat për kryeministër.

Kjo parti siguroi 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës, por sipas Hazirit, për emrin e Osmanit, LDK-ja nuk do të mund të sigurojë mbështetjen e të gjithë deputetëve të saj.

“Mund të jetë sikur herën e kaluar, pra, dy-tri vota, mund të ndahen, por në rastin e Lumirit ose rastin tim, mund të unifikohemi”, sqaroi Haziri.

Osmani më herët ka deklaruar se emri i saj “nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve”.

Haziri theksoi se LDK-ja aktualisht “ka vetëm një adresë kryesore”, të cilës mund t’i drejtohet Lëvizjen Vetëvendosje, për ndonjë marrëveshje eventuale.

“Vetëm me Lumir Abdixhikun. Ai është kryetar. Ne nuk kemi mbledhur Kuvendin [e LDK-së]. Nëse mblidhet Kuvendi ose ka akt të dorëheqjes, atëherë kemi situatë të re. Deri atëherë është vetëm një adresë dhe nuk ka adresë të dytë”, tha Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Kjo është përgjigja e tij ndaj deklaratave të Donika Gërvallës, ministre në detyrë e Drejtësisë në Qeverinë e Albin Kurtit, kryetarit të LVV-së.

Pas publikimit të këtij lajmi, Haziri shkroi në Facebook se “asgjë s’ka ndryshuar” dhe se nominimi i Vjosa Osmanit për presidente “mbetet i vetmi emër nga radhët e LDK-së”. Ai tha se, “në kuadër të debatit paszgjedhor”, në emër të LDK-së ka paraqitur parime gjithëpërfshirëse dhe modalitete për bashkëpunim të mundshëm, me qëllim “krijimin e stabilitetit politik dhe institucional”.*

Lidhur me këtë çështje, Radio Evropa e Lirë i është drejtuar ekipit të Osmanit për koment, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndryshe, Gërvalla në një intervistë për televizionin vendor KTV, duke komentuar zhvillimet brenda LDK-së, tha se brenda saj “janë disa rryma të ndryshme”.

Sipas saj, LVV-ja e ka problem të flasë me LDK-në, sepse “nuk e dimë me cilën rrymë je duke folur”, për ndonjë marrëveshje eventuale për konsolidimin e institucioneve të vendit, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

“Unë po kërkoj që ai që potencialisht ulet për të negociuar me ne, të jetë edhe personi që e përfaqëson këtë parti. Ne nuk mund të ulemi me pesë veta të ndryshëm në LDK. Sepse nëse LDK-ja dëshiron të jetë faktor në zgjedhjen e presidentit, atëherë ata duhet të garantojnë edhe votat e grupit të vetë parlamentar”, theksoi Gërvalla.

Në anën tjetër, nënkryetari i LDK-së, Haziri shpjegoi se deri më tash në adresë të LDK-së “nuk ka ardhur nga LVV-ja ndonjë ftesë” për të biseduar për ndonjë marrëveshje eventuale.

Sipas tij, në rast se një ftesë e tillë arrin në adresë të partisë, atë do ta shqyrtojnë organet e LDK-së dhe vendimmarrja do të jetë e brendshme varësisht se cila do të jetë oferta e LVV-së.

Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit u mbajtën pasi legjislatura paraprake dështoi të votonte një president të ri brenda afatit kushtetues, pasi Vjosa Osmanit i skadoi mandati pesëvjeçar në prill.

Nga LVV-ja kanë thënë se janë të gatshëm të bisedojnë për çështjen e krijimit të institucioneve të reja, pasi të certifikohet rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit.

Sipas Kushtetutës, për themelimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë kërkohet vota e së paku 61 deputetëve.

Fituesja e zgjedhjeve, LVV-ja e Kurtit pritet të ketë 53 mandate në Kuvendin prej 120 vendesh dhe ajo mund t’i bëjë numrat, së bashku me pakicat joserbe, për Kuvendin dhe Qeverinë.

Por, për çështjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota – apo dy e treta e deputetëve – në dy rundet e para, dhe presidenti i ri do të mund të zgjidhej me 61 vota në rundin e tretë.

*Ky lajm është përditësuar me postimin në Facebook të nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri.

 

E ardhmja e LDK-së – Hykmete N. Bajrami: Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, të sillemi me dinjitet, sepse pozitat nuk janë të përhershme

E kam thënë edhe në janar se në LDK përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se pas një rezultati të rëndë zgjedhor, duhet të ketë reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme.

Atëherë kam kërkuar dorëheqjen e kryetarit dhe kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares, sepse besoja dhe vazhdoj të besoj se standardet duhet të vlejnë për të gjithë.

Parimi që kush humb merr përgjegjësinë dhe lëshon rrugë duhet të zbatohet pa përjashtim.

Më pas, LDK-ja mbajti Kuvendin e partisë, ku kryetari e vendosi mandatin e tij në votim. Aty, rreth 45% e delegatëve u deklaruan në favor të dorëheqjes së tij. Ky ishte një tregues i qartë se partia kishte nevojë për reflektim të thellë dhe për ndryshime të domosdoshme.

Por kryetari vendosi të vazhdojë, madje me kompetenca të zgjeruara nga po ai Kuvend.

Sot, pas një rezultati tjetër zgjedhor që e la LDK-në përsëri në vendin e tretë dhe pas kërkesave publike të disa degëve për përgjegjësi politike, bëhet edhe më e qartë se problemet që i kishim identifikuar në janar nuk janë adresuar asnjëherë.

Qëndrimi im nuk ka ndryshuar.

LDK-ja ka nevojë për reflektim të sinqertë, përgjegjësi politike dhe hapje të një kapitulli të ri që rikthen besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve.

LDK-ja është shumë më e madhe se secili prej nesh!

Donika Gërvalla: Çdo ditë e gjithmonë në anën e së vërtetës, dinjitetit dhe drejtësisë

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale si Armë Lufte, bashkë me U.D. të Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, takuam znj. Vasfije Krasniqi Goodman, z. Ramadan Nishori dhe përfaqësueset e Medica Kosova, Medica Gjakova, KRCT-së dhe Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas.
Në një moment të tillë, në shenjë respekti për ata që, për vite me radhë, kanë qëndruar pranë të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, duke u ofruar mbështetje, duke dokumentuar të vërtetën dhe duke mbrojtur të drejtën e tyre për drejtësi e dinjitet. Në kohë kur shumëkush heshti, ata zgjodhën të dëgjojnë. Në kohë kur stigma rëndonte mbi viktimat, ata zgjodhën t’u qëndrojnë pranë.
Vasfije Krasniqi Goodman dhe Ramadan Nishori, me guximin e tyre të jashtëzakonshëm, i dhanë zë një dhimbjeje që për shumë vite ishte mbajtur në heshtje. Falë tyre dhe falë punës së palodhshme të organizatave që i mbështetën, shoqëria jonë ka bërë hapa të rëndësishëm drejt njohjes së së vërtetës dhe respektimit të dinjitetit të të mbijetuarve.
Gjatë takimit folëm për veprimet konkrete që institucionet duhet t’i ndërmarrin për ta bërë më të qasshme dhe më dinjitoze rrugën drejt njohjes së statusit dhe realizimit të të drejtave të tyre, përfshirë rishikimin e afateve për aplikim, lirimin nga taksat gjyqësore, sigurimin e kushteve më të përshtatshme për funksionimin e Komisionit të Verifikimit dhe garantimin e një procesi që në çdo fazë respekton dinjitetin e të mbijetuarve.
Drejtësia për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës nuk është vetëm detyrim institucional. Është përgjegjësi shtetërore, morale dhe njerëzore. Republika e Kosovës ka për detyrë të vazhdojë të qëndrojë në anën e tyre, me respekt, me mbështetje dhe me përkushtim të palëkundur për të vërtetën, dinjitetin dhe drejtësinë.

Për dështimin e radhës, përgjegjësia politike bie mbi Lumir Abdixhikun e Vjosa Osmanin, arkitektët e këtij projekti politik Nga Agim Veliu

Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, përfundimisht, nuk mund të maskohet me interpretime kreative apo të paraqitet si sukses.

Qytetarët folën qartë, ndërsa LDK-ja mbeti e betonuar në vendin e tretë, larg pritjeve që vetë lidershipi krijoi gjatë fushatës zgjedhore dhe para saj.

Për dështimin e radhës, përgjegjësia politike bie para së gjithash mbi Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin, të cilët ishin arkitektët kryesorë të këtij projekti politik, i nisur në fillim me hile.

Prandaj, kur kërkohen meritat për çdo sukses, duhet të merret edhe përgjegjësia për dështimet.

U shpërfillën paralajmërimet e veprimtarëve, aktivistëve dhe figurave të shumta të LDK-së për centralizimin e partisë, margjinalizimin e mendimit ndryshe, largimin nga baza elektorale dhe së fundmi përzgjedhjen e kandidatëve sipas shijes dhe interesave personale e grupore.

Rezultati zgjedhor dëshmoi se ato shqetësime nuk ishin të pabaza.

Lidershipi aktual duhet ta pranojë dështimin e projektit të tyre për transformimin dhe përvetësimin e partisë sepse e morën përgjigjen nga elektorati.

LDK-ja ka nevojë për më shumë se reflektim formal.

Ka nevojë për përgjegjësi konkrete.

Prandaj, është momenti i fundit të niset një proces zgjedhor i rregullt dhe transparent, duke hapur rrugë për figura politike që janë të dëshmuara, që gëzojnë mbështetje të gjerë dhe që interesin e partisë e vendosin mbi interesat personale apo grupore.

Një parti serioze nuk ringrihet duke festuar humbjet si fitore morale.

Ajo ringrihet duke analizuar gabimet, duke rikthyer demokracinë e brendshme dhe duke vendosur standarde të qarta të llogaridhënies.

Nëse LDK-ja dëshiron të rikthejë besimin e humbur, ndryshimi duhet të fillojë nga maja e saj. Sepse partitë nuk dobësohen nga humbjet zgjedhore, por nga refuzimi për të nxjerrë mësime prej tyre.

LDK duhet t’i kthehet LDK-së dhe LDK-istëve të saj.

Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!

 


Send this to a friend