Vala e shqiptarëve nga diaspora në protestën qytetare të fundjavës gjatë 20-21 Qershorit, me gjithë sabotimin e imazhit që qeveria kërkoi ta dëmtonte në rrjetet sociale, mediat pranë saj dhe pengesat në pikat e kalimeve kufitare, u bë e pamundur të përballohej me numrin e pjesëmarrësve, rrezatimin e miqësisë dhe paqes, përmbajtjen dhe shprehjen e fjalës së lirë të cilën pushteti nuk mundet ta ndalojë.
Vret mendjen se cilat janë dhe çfarë quan Rama punët e mira në ato detyra që ai u la anëtarëve të GPS në në Sfidat Parlamentare për Shqipërinë 2030. Mes tyre edhe ministrave të cilët nuk dalin dot nga ato që shefi i tyre mendon, bën dhe sillet. Kryetari i PS ju la disa zyrtarëve dhe deputetëve disa detyra që; “qeveria duhej t’i mbante veshët hapur”, “të dëgjonin kritikat dhe vërejtjet nga njerëzit”, “të mos bënin propagandë”, por edhe të flisnin “të flisnin vetëm për punët e mira”. Kështu disa nga deputetët dhe ministrat me fat u gjendën në lidhjet me njerëzit ngado në Shqipëri për të shuar “sirenat e protestës në bulevard përpara ndërtesës së kryeministrisë’.
Ministri EPJ Hoxha sajdisi trupën e përfaqësive diplomatike në qytetet e qarkut të verilindjes Malësi e Madhe, Shkodër, Lezhë. Deputetja Balluku kryesonte “Festën e Grurit” sërish në Apoloni. Ndërsa Ministri i Bujqësisë Salla në disa qytete për çështje të ujitjes, sigurinë ushqimore apo edhe insektet dëmtuese të kulturave bujqësore.
E përsa disa nga këto veprimtari “për punët e mira dhe ndreqjen e imazhit” zhvillohen të sforcuara pjesa tjetër e qeverisë dhe deputetëve me përjashtim të atyre që munguan në takimin eGPS në në “Sfidat Parlamentare për Shqipërinë 2030”, problemin dhe shqetësimet i shohin tek protestuesit dhe ndjekin frymën e kryeministrit për të goditur me statuse në rrjetet sociale të cilat makineria e propagandës i shndërron në lajme. Lajme në të cilat ka pjesëmarrje dhe vijnë me plot interes edhe nga diaspora, sidomos për Festën e Grurit” (?!)
E tillë s’kishte se si mos të ishte edhe dita e Dielë 21 Qershori, Dita e 22 e protestës qytetare në Tiranë.Ka kaluar edhe Dita e 22-të e protestës qytetare dhe qeveria mezi i pret incidentet dhe provokimet dhe mundohet t’i amplifikojë. Ndërsa kur përballet me atë masë paqësore njerëzish që nuk shkulet nga sheshi dhe ka forcë që mund të të paralizojë duke të rrethuar edhe me ditë të tëra, këto përllogaritje e bërë jo mirë nga qeveria dhe Rama që e drejton kthehet në shqetësim tek ai vetë si dhe tek vartësit veprimtarë politikë apo ministra.
Rama, Balla përgjojnë rrjetet sociale dhe u vënë komente jo vetëm aplikacioneve që ndjekin, por edhe mjetet e tyre të propagandës me shpejtësi i botojnë si lajme dhe refreni që ua vret veshin janë thirrjet e qytetarëve protestues në shesh që kërkojnë ‘Dorëheqje!’Në këtë rreng ka rënë edhe Ministri i Brendshëm Lamallari i cili nuk i dëgjon mesazhet nga protesta, por kërkon t’i thumbojë sikurse gjuha nënvleftësuese e kryeministrit për protestuesit. Ai u shet patriotizëm bashkëkombësve shqiptarë qoftë të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut kur shprehet se:-“
Jeni të mirëpritur kurdoherë në Shqipëri, sidomos me këngët patriotike në sfond të automjeteve tuaja luksoze, por ama kursejini vetes refrenin e dobët të “emigrantit të ndershëm me biletë vetëm vajtje'”. Sa për mikpritjen shqiptare njohja e kësaj cilësie nga ana juaj pranohet si mirësjellje dhe komunikim, por kur juve nënvizoni aty se:-“Me targa të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut futen në Republikën e Shqipërisë kinse janë ‘diaspora’ në shpëtim të vendit, me plis në kokë e këngë patriotike në sfond, flamurin kuq e zi apo atë të UÇK-së në njërën dorë dhe timonin në tjetrën, ngjashëm me një skenar filmash ku mungojnë vetëm shpatat, kuajt e heroi legjendar”, ky vlerësim i kalon përmasat e një reagimi të shpejtë në rrjetet sociale pasi ishte data 21 Qershor, janë plot 22 ditë që njerëzit po protestojnë dhe janë në shesh. Nuk mund tua matim dot dashurinë për Kombin Shqiptar atyre që e duan Shqipërinë, qofshin nga trojet ku jetojnë shqiptarë, qoftë edhe nga diaspora ku jetojnë dhe punojnë.
Vret mendjen dhe kërkon ta kuptosh pjesën e kësaj shprehje denigruese të ‘emigrantit të ndershëm me biletë vetëm vajtje’. Sinqerisht mbetesh i pagojë nga shkalla e trajtimit për qytetarët e botës së lirë, që gëzojnë lirinë e lëvizjes pa çka se i duken shtetas të një vendi fqinj dhe që kurrë nuk e kanë mohuar qenien dhe prejardhjen e tyre shqiptare.Janë po ata që venë e vinë në raste të tjera e numërohen si turistë. Janë mbështetës të ekipeve sportive kanë ardhur dhe do të vijnë sa herë që të duan. Paguajnë taksa kur shpenzojnë paratë në ekonominë shqiptare dhe i kanë para nga djersa e punës së tyre. Detyra e ministrisë tuaj është që t’i sigurojë dhe asistojë si në çdo vend të botës demokratike ku ligji dhe rregullat respektohen dhe jo rrallë shumë prej tyre ndalohen nga policë jo të ndërgjegjshëm në detyrë që e plotësojnë rrogën e tyre me gjobat që u vënë bashkëkombësve. Në qoftë se duam t’i trajtojmë këto çështje dhe praktika janë renditur në mediat, faktet do të tregonin shumë. Shumë punë që mbetet për t’u bërë për rendin, për sigurinë në rrugë, për parandalimin e aksidenteve, për infrastrukturën, për plazhet, për fluksin turistik e deri tek shkëmbimi i zjarrit nga grupet rivale të armatosura etj. etj. Ajo që duam të diskutojmë është pikërisht niveli i arrogancës që juve vetë përdorni me etiketimin ‘emigrantit të ndershëm me biletë vetëm vajtje’, këto dëgjohen edhe nga pushtetarët dhe politika si sjelle të përditshme në marrëdhënie me qytetarët në përgjithësi.
Kryeministri fliste për të tjera agjentura dhe vëzhgon apo përqesh “influencerët” në rrjetet sociale sepse nuk mund të merret dot me punët e shtetit ashtu sikurse drejtuesi politik Balla që vazhdimisht ju kujton shqiptarëve se:-“Në demokraci, mënyra se si dëgjohen njerëzit janë zgjedhjet. Mund të dalin në protestë 1 mijë, 5 mijë apo 10 mijë veta por ka miliona të tjerë që përfaqësohen përmes votës. Mandati që marrim është një kontratë me qytetarët dhe në fund të tij rikthehemi sërish për të kërkuar besimin”.
A mund të besohet ky numërim për protestën nga Balla koordinator për diasporën në zgjedhjet e kaluara?
A nuk ishte Balla ai që mblidhte një rreth tavoline me njerëz dhe i shiste për takime me përkrahës?
A nuk i manipuluan tubimet dhe votimet e diasporës duke u shndërruar votën e shqiptarëve të diasporës dhe i nxorën me një rezultat qesharak jashtë realitetit?
Po sot dhe në përditshmëri që nga fillimi i protestës, a janë ata “1 mijë, 5 mijë apo 10 mijë veta”?!
Ju Zoti Lamallari duhet të qartësoheni fort mirë me postin shtetëror që mbani dhe standardet evropiane të rendit dhe të policisë që ju duhet të ushtroni për t’i shërbyer sigurisë, jetës dhe pronës së qytetarëve, shtetasve dhe lëvizjes së lirë të çdo vizitori që e pëlqen Shqipërinë.
Shprehja juaj ‘emigrantit të ndershëm me biletë vetëm vajtje’, merr një përmbajtje të gabuar në mënyrën se si ju i trajtoni emigrantët. Rasti i Nartës i 31 Majit në një nga pikat që ju trajtonit shkruhej se:- (3) “E përshëndes reagimin e shpejtë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për pezullimin e drejtuesve vendorë dhe vënien nën hetim të zinxhirit të komandimit, sepse nuk ishte e papranueshme vetëm sjellja skandaloze e rojeve private, po edhe indiferenca e pajustifikueshme e policisë së pranishme në vend.”
Por a ishte i mjaftueshëm ky komunikim me publikun e gjerë për qëndrimin* tuaj?
Ju mesa duket nuk e keni kuptuar ende thelbin kur pezulloni zinxhirin drejtues të Policisë së Vlorës apo penalizoni punonjësit me uniformë. Çështja e Zvërnecit lidhet me rrethimin e pronës dhe me forcën e ushtruar ndaj një protestuesi, banor dhe pronar me dokumente të pronësisë së tokës në Zvërnec që u dhunua nga forcat e një policie/sigurie private në praninë dhe sytë e policisë së shtetit. Personi në fjalë është nga ata banorë të zonës që e ka dyshtetësinë, por nuk e gëzon dot pronën, dhe fatkeqësisht mban atë etiketën dhe stigmën që juve i vini të gjithë atyre që e kanë lënë Shqipërinë prej vitesh pasi nuk e zhvillojnë dot pronën sepse janë interesat e korrupsionit që i trembin ata nga vendlindja e tyre janë më të fuqishme edhe më shumë se sa ligji, tapia dhe e drejta. Pra më keq pas kaq vitesh ata po cilësohen ‘emigrantit të ndershëm me biletë vetëm vajtje’.
Bëni kujdes me njerëzit.
Lëvizja e lirë si një e drejtë e fituar do t’i mbajë aty në protestë të pandërprerë edhe diasporën edhe emigrantët bashkë me rininë shqiptare që po kërkojnë ndryshim.
Gafa të tilla konfirmojnë arrogancën e shtetit dhe qëndresën se përse protesta qytetare po e kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Edhe kjo një formë bilete e prerë “vetëm vajtje” është.
_______
*ATSH- Besfort Lamallari- “Me targa të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut futen në Republikën e Shqipërisë kinse janë ‘diaspora’ në shpëtim të vendit, me plis në kokë e këngë patriotike në sfond, flamurin kuq e zi apo atë të UÇK-së në njërën dorë dhe timonin në tjetrën, ngjashëm me një skenar filmash ku mungojnë vetëm shpatat, kuajt e heroi legjendar”
*Min Brendshme- 31 maj – Qëndrimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, mbi çështjen e projektit të Zvërnecit dhe pezullimin e zinxhirit drejtues të Policisë së Vlorës