Nuk ma mësove këtë ikje
Unë frymoj me buzëqeshjet e tua
Kur vjen koridoreve të kujtesës.
Këndell mendimin me dritën e syve të tu.
E shoh veten me vështrimin tënd
Etjen e mungesës e ndez me praninë tënde
E i godas malet kur më thonë ke ikur.
Mësoj për ditë se si ta kuptoj jetën
me sy të lagur humnerave të netëve
Eh, kur vuajtja rrëmon, për toke më zvarrit,
arratisem me krahët e dashurisë tënde.
Sa herë në ëndrra më vjen plot gaz dhe e lumtur
Mi hap portat e botës, më bën nënë më të mirë, nënë,më të fortë.
Me emrin tënd, bijë, fitoj, gjithçka pata humbur.
Liria, akti mizor i ikjes
Pas zgjimit,koha numëron hapat pas,me premtimet plot pëllëmbë xhama të thyer.
Idhuj të rremë, paskam shpikur,
në emër të lirisë mi vjedhin ëndrrat
Liria qenka akti mizor i ikjes!
Ecim spirales së Arkimedit,
gjithnjë më larg nga gjërat, që i patëm të shenjta ,
të pangopurit i ngrohin duart
kur baltosim njëri tjetrin me balte.
E përrallat?
Nuk ekzistojnë më, as nëpër përralla!
Zemrat e vrara përpëliten nëpër kalendarët e vjetra.
Nëpër parada krenarie, luftëtari mbledh thërmi buke
Plumbi për mizorinë ,paska shumë etje.
Pas zgjimit, vetëm të pavdekshmit shohin dritë,
gjersa trupi tyre, ushqen tokën, që i tradhton çdo ditë
Pas zgjimit,pangopësia ,motivi që e admirojmë.