Dimër, 2022
1.
Pastorja shpirtmirë Christina Patrick viziton shpesh një shtëpi të gurtë në Berlinin verior.
Në ditët rinore kishte vajtur deri në Amerikën e largët për të studijuar aktrimin dhe këndimin. Një pasion i hershëm e nguctar. Por gjithë kohës, një zë, një vrull i brendshëm i thoshte se filmi e kënga s’do mbeteshin veçse dëshirim i bukur vajzërie.
Vokacioni tjetër që vrujonte, ishte i drojshëm pak, por ngulmëtar. E shtynte afër dhimbjes. Afër lotëve, pavarsisht currilëve a motivit të tyre.
Ndaj, do ndiqte një urdhër tjetër. Gati qiellor. Me të mbaruar, kthehet në Europë dhe, në vend se të muzikonte, zuri të priftëronte në Kishën Evangjelike.
Dhe tash sa mote dëgjon e ndjen vuajtje, psherëtima, indiferencë a pendesë në burgun verior.
E pra, përballë ka shpesh dhe autorë krimesh ordinarë që qajnë. Jo për reflektim të vonë, por tek marrin ndonjë lajm mortor nga familja e vet…
Galeri e tillë, si do rrëfente, bën, rëndom, njëlloj tabelimi të së drejtës së pikëllimit. Kishin vrarë pa imagjinuar dhimbjen e tjetrit, e tani qajnë vdekjen e qetë natyrale…
Historia e emocioneve (për të cilën ka dhe një libër) është, ndaj, e thellë dhe, shpesh, e errët si nata e syve ku loti banon…
2.
Në Romën antike të Cezarëve qanin dhe perandorët. Sa e pabesueshme: lot perandori kur e gjithë bota gjendet nën sundin e tij absolut!
Mirëpo, ja që ndër instrumentë të pafund pushteti, lotët paskëshin qenë sipër, në kierarkinë e lartë.
Lotnaja përcyste ose fshehte agjendë politike: të virtytshme shpesh, po dhe dinake me thikë a helm në darkë…
Vaji, në fakt, është pjesë e kulturës. Madje, vetë kultura e një regjimi, visi, kombi, gjinie (gratë qajnë më lehtë se burrat) e feje, tutje botës.
Por më i epërmi mbi qytetní të tjera është padyshim vajtimi shqiptar. Mbanë një lidhje hyjnore me perënditë. Është perëndi (“Ku-ku”) më vete që sipëron të gjithë.
Në skuta bote ka një ndryshmëri lotnaje. Japonezët, fjala vjen, përloten më së paku ndër popuj e raca të njerëzisë. Nga kjo arsye, të akulluar përherë, organizojnë kurse të veçanta ku mësojnë mrekullinë e çlirimit të kadiftë: mësojnë për të qarë.!
Ndërkaq, në regjime tiranike lotnía tjerret nga studime e zhbirime të holla!
Pse derdhet loti, do pyes diktatori, i trembur hijesh gjithmonë? Është terri që sëmbon keq me pyetjen gjumëprishëse.
Dhe, sipas yshtjes së parathënë, shtrëngohen t’a dinë këtë specialistët e vajit, që mbushin dosjetë lot e shpjegime të vyera për fatet e shtetit. Dhe, sidomos, kur prijësi ose një afrimtar i tij sëmuret a vdes, analizohen vëmendshëm në laboratorin e dyshimit sasia e lotëve, intensiteti i tyre, pamja e ftyrës, flokët e lëshuar apo dhe shenjat e gërrithjes…
Natyrisht, loti mund të jetë i fismë: një pritje, një gëzim, një humbje e përkorë…
Po dhe humbja, lotní e saj, sado deshpëruese, ka ndonjëherë potencialin dhe ngjyrën atdhetare. Një foto, si dëshmi eprore, tashmë ka bërë histori. Ka mbijetuar e transmigron kohëve, tash 80 vjet.
Një qytetar i thjeshtë francez, Jerome Barzetti, viti 1941, qante me dënesje evakuimin e ushtrisë së popullit të vet drejt Algjerisë. Shihte të gjallë gurvarrin e Republikës së lavdishme dhe derdhte lotë. Do t’a ketë ndjerë, mbase, atë shkretínë Sartërit tek shkruante: më shumë se armësh gjermane, trishtem nga vdekja në shpirt e njeriut tim frencez!
3.
Po përse, athua, qan kryekrimineli, ende i lirë, serbi Vuçiq?
Më erdhi të qaja kur vështroja serbët e mi që, të vetmuar plotësisht, dhe pa frikë fare, zbatonin udhëzimet e shtetit të tyre.
Në Babiloninë e lashtë, po dhe në Europën e fillimkohës së re, loti kishte në kronikën e kulturës një status nderi…
Ç’kulture a kulti zymtor i përkasin, vallë, lotët ose një sprovë e shpifur vaji e serbit Vuçiq?
Natyrisht, nuk arrijnë dot statusin e thellëkohshëm babilonik!
Tani, ndaj, krejt ndryshe dhe nga frëngu Jeromé, lotët e tij, regjia e tyre, nuk ishin të lirshëm. Madje, as të natyrshëm. Kishin agjendë të kulluar politike.
Ndërsa, pra, frëngu qante poshtërimin e atdheut, serbi Vuçiq desh të qante për disfatën e luftës dhe, poaq, pse s’mund të poshtëronte akoma e përherë kombin tjetër fqinj, kombin rrënjëparë shqiptar.
Ndryshe do shfaqej dhe nga vrasësi i rrëfimeve të Christinës berlineze. Burgëtari i saj qante heshtur në intimën e tij. Qante disi privatisht. Kurse, në anën tjetër të përmasës, Gebëlsi serb qan ose bëhej sikur qante, hapur, deklarativisht dhe në emër të shtetit që trashëgon apologjinë e Holokaustit.
Dhe kë do vajtonte vallë? Një grusht hajdutësh, mbetje koloniale e të gjitha Serbive në tokën e huaj…
Rob i urrejtjes dhe ideologjisë së krimit, ai qëndron larg të dy frëngjëve: frëngut të vogël Jeromé dhe frëngut të madh De Gol.
I vogli ngashërehej për humbjen e lirisë që përtokej në vargorët e ariozofisë, ndërkohë që krimineli Vuçiq bie në trans për të kundërtën: pse nuk mund të ripushtojë hapsirën jetike shqiptare.
Pastaj, ndërsa i madhi frëng, gjente fuqinë racionale për të tërhequr Francën e tij nga Algjeria, ky serbi që ndjekë doktrinat e vjetra, vuan një tjetër makth.
S’do t’i kenë mjaftuar etnocidi, çelekullat me trupa fëmijësh shqiptarë në Batajnicë, gjerdanët me gishta vajzash, gropat me jetë të prera gjithandej Serbisë, familje të shuara, të dëbuarit biblikë gjysma e të cilëve s’u kthyen kurrë më në Kosovë.
Jo jo, aspak! Dytësi i Sllobodanit sheh zgjuar ëndrrën fantazmike: të kthehet sërish tek vendi i krimit. Është një shtysë e njohur e vrastarëve. Dhe ai nuk del dot nga kodi i tyre…
Që këtej dhe qan. Me lot ose sytharë. Qan nga një mall përvëlues. I egër si gjeni i tij. Qan për të vrarë. Prapë e sërish. Sepse, thjeshtë, krimi është Ai vetë.
Veçse, koha e vetmisë së madhe ka ikur. Dhe heronjtë dhe armët janë prapë aty. Në shéjtnínë e bedenave të Republikës së lirë!
R.
Komentet