VOAL

VOAL

Ku ishte Uskana- Nga Ramazan Kica

December 30, 2022
blank

Komentet

blank

Shkodra drejt 29 nëntorit 1944 dhe në javët pas largimit gradual të trupave gjermane drejt Podgoricës dhe Bosnjës- Nga ROMEO GURAKUQI

(nje perpjekje per rindertim te ngjarjeve, disa konkluzione dhe fotot e para te Shkodres së pas 29 nentorit 1944 te realizuara nga oficeret britanike te SOE)

Pas çlirimit të Tiranës me 17 nëntor 1944, teatri i operacioneve ushtarake u drejtua nga qyteti më i madh i Shqipërisë, Shkodra dhe rrugëve të komunikimit me Malin e Zi. Reparti i parë i mbërritur në Shkodër nga Tirana me datën 18 nëntor nën drejtimin e Divisionpharrer Dott. Beck, solli me vete edhe vlerat monetare të Selisë Qendrore të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, me pretekstin për t’i dorëzuar në degën e Shkodrës të së njëjtës bankë, por në fakt për t’i grabitur me vetëdije. Një kontigjent i madh i trupave gjermane gjithashtu nga Kavaja përmes Vorës u drejtua për në Shkodër ku mbërritën me datën 23 nëntor. Prapavijat e këtyre reparteve hodhën në erë urat, ndërkohë që asnjë ushtri e madhe nuk po i ndiqte ato ditë. Maska e respektit ndaj popullit shqiptar, pavarësisë e neutralitetit të shtetit të tyre, tanimë kishte rënë plotësisht përballë dëshpërimit dhe frikës për ditët e panjohura që i prisnin përpara repartet e degraduara të Rajhut. Edhe kolona që vinte nga Prizreni në drejtim të Shkodrës bëri të njëjtin veprim damtuer me datën 20 nëntor. Me 21 nëntor ato hodhën në erë edhe Urën e Vaut të Dejës. Me datën 24 nëntor, delegati Apostolik Nigris i drejtoi Gjeneralit gjerman von Leyser lutjen që 3 urat që qarkonin Shkodrën mbi lumejtë Kir, Drinasë dhe Bunë të mos prekeshin.

E njëjta lutje iu drejtua nga Nigris, Arqipeshkvi i Shkodrës dhe një përfaqësi e qytetit me datën 27 nëntor, Komandantit Vendor, Kolonelit Schuster. U premtua që urat nuk do të prekeshin me kusht që komunistët të mos sulmonin gjermanët në nisje.

U ra dakord edhe me partizanët që gjermanët të mos sulmoheshin dhe pakti u respektua edhe nga ata. Mirëpo gjermanët nuk e mbajtën fjalën e dhënë. Me gjakftohtësinë më të madhe, dy orë para largimit të tyre nga Shkodra, saktësisht në orën 02.10 të natës duke gdhirë 29 nëntori 1944, gjermanët hodhën në erë 3 urat që lidhin Shkodrën me pjesën tjetër të vendit.

Shumë nga qytetarët e Shkodrës i kishin larguar familjet jashtë qytetit. Familjet e Shkodres te strehuara në Shirokë, lagjen piktoreske rrëzë Taraboshit, kane percjellur ne kujtese rrefimin mbi gjëmimin e tmerrshëm asaj nate, kur bota përreth Malit të Taraboshit u duk se u përmbys në pak sekonda. Nuk kanë kuptuar asgjë derisa të nesërmen, nje kortezh me lundra kishte mbërritur në Shirokë për të përcjellur viktimën e fundit të pafajshme (nga nje familje e Shirokës me banim ne Shkoder, vrarë nga gjermanët në ikje prej qytetit) të një luftë që nuk kishte të bënte me shkodranët dhe shqiptaret.

Të gjithë këto ngjarje zhvilloheshin në Shkodër, ndërkohë që pak kilometra nga qyteti partizanët prisnin evakuimin e trupave gjermane. Përreth Shkodrës operonin Brigada VII e UNÇSH, e cila e kishte të vendosur shtabin e vet, pas evakuimit të shtabit gjerman, në Laç të Vaut të Dejës, ndërsa në zonën verilindore të Shkodrës, në Drisht, ishte vendosur shtabi i Brigadës XXII.
Krahas trupave partizane, në krahinë vepronin edhe patrullat britanike të LRDG.

Ishte parashikuar që me datë 17 nëntor 1944, në zonën ndërmjet Lezhës dhe Shkodrës, të dërgohej Kapiteni Dickinson. Misioni i tij do të ishte shqyrtimi i mundësisë së dorëzimit të gjermanëve në krahinën e fundit të Shqipërisë, e cila kishte mbetur nën kontrollin ushtarak të fuqisë së Boshtit të dërrmuar fashist.

Raporti i Dickinson është i rëndësishëm, mbasi na jep disa informacione të vlefshme rreth situatës në Shkodër dhe zonave rreth saj:
Së pari, nga raporti i tij kuptohet, se trupat gjermane të Regjimentit 522 ishin të gatshme të dorëzoheshin pranë trupave britanike të LRDG, por ato refuzonin kategorikisht të dorëzoheshin pranë partizanëve shqiptarë, për shkak se deri tani, përvoja kishte treguar se, UNÇSH kishte thyer ligjet e luftës dhe kishte ekzekutuar robërit, duke kryer në këtë mënyrë një krim të paramenduar lufte.
Së dyti, Dickinson raportonte, se brigadat partizane rreth qytetit të Shkodrës qëndronin në pritje të fillimit të evakuimit të gjermanëve, pa zhvilluar me këtë rast ndonjë betejë;
së treti, partizanët e konsideronin në total, a priori, popullsinë e Shkodrës një popullsi kolaboracioniste dhe kjo ishte përgatitja psikologjike armiqësore, që ata kanë pasur kur kanë hyrë më vonë në qytet, gjë që shpjegon edhe sjelljen tipike pushtuese të partizanëve ndaj popullsisë qytetare dhe krahinore shkodrane. Raprezaljet e filluara, që nga dita e parë e çlirimit nga pushtuesi, që për popullin duhej të ishte dita e lirisë, u shoqëruan me një pushtim bolshevik dhe vendosjen e një diktature të ushtrisë së kuqe shqiptare, nëpërmjet hyrjes armiqësore të partizanëve në kryeqendren kulturore të Gegnisë.
Së katërti, partizanët u përpoqën të izolojnë ushtarakët britanikë që orvateshin të merrnin informacion nga robërit gjermanë të luftës. Po ashtu, partizanët e ndaluan Dickinson-in, për marrjen e drejtpërdrejt të informacioneve në qytetin e Shkodrës, tashmë i evakuar nga gjermanët dhe i uzurpuar pa luftë, me invadim nga kodrat drejt pjesës qendrore, prej UNÇSH.

Në mëngjesin e datës 27 nëntor 1944, ditën e hënë, Dickinson kërkoi të kontaktonte me shtabin e Brigadës VII në Laç të Vaut të Dejës, me objektiv pyetjen e robërve gjermanë të luftës. Mirëpo ndërkohë, që ai shkoi t’i kontaktonte, i gjeti ata duke lëvizur drejt qytetit. Urat, njëra mbi Lumin Drin dhe tjetra mbi Lumin Buna, që mundësonin kalimin brenda qytetit, ishin hedhur në erë nga gjermanët dhe kështu ishte e pamundur për të kaluar lumin me mushka dhe me pajisjet që kishin në dispozicion. Për këtë arsye, Dickinson la patrullën e LRDG në Laç dhe shkoi tek partizanët në vendin e quajtur Ndërfushtë. Aty ai u takua me një përfaqësues të shtabit të Brigadës XXII partizane, i cili i shpjegoi për ndeshjen me gjermanët një natë më parë dhe për kapjen e katër robërve gjermanë. Ditën e martë, me datë, 28 nëntor 1944, Dickinson lëvizi drejt Drishtit, por ushtaraku britanik nuk arriti të vihej në kontakt me robërit gjermanë, të cilët donte t’i pyeste rreth situatës ushtarake të forcave të Regjimentit 522, Korpusit 21 Malor dhe fatit të pilotit britanik të rrëzuar në atë zonë. Ishte e qartë, se partizanët shqiptarë ndiqnin politikën e vrasjes së robërve gjermanë të luftës. Po ashtu, në shtabin e Brigadës XXII iu tha, se nuk kishte asnjë plan për 24 orët e ardhshme në lidhje me Shkodrën.

Qartazi, partizanët prisnin largimin e gjermanëve nga qyteti, që dukej se do të ndodhte nga ora në orë, por saktësisht partizanët nuk e kishin informacionin kur do të kryhej. Për këtë arsye, Dickinson u kthye në Laç të Vaut të Dejës dhe u bë gati për të sjellë trupat e patrullës së LRDG dhe stacionin e radios së komunikimit me shtabin, stacion që ndodhej në Drisht. Në këtë situatë, me
datë, 29 nëntor 1944, Dickinson informoi qendrën e tij në Bari, në lidhje me pikëpamjet e partizanëve dhe ngurrimin e tyre për të lejuar ushtarakun britanik të mblidhte informacionin, që ai kërkonte. Pak orë më vonë, mbërritën lajmet se Shkodra ishte evakuar prej armikut. Kështu pra, edhe Dickinson raporton, se gjermanët e evakuan qytetin e Shkodrës me datë, 29 nëntor 1944. Në darkën e datës 29 nëntor 1944, Dickinson u përpoq të shkonte të merrte informacionin e duhur dhe takoi njerëz në rrugën që vinte nga Shkodra, për ta konfirmuar lajmin. Ai vendosi, që të nesërmen me datë, 30 nëntor 1944, të shkonte në Shkodër për të bërë njohjen e gjendjes atje, për të shqyrtuar aerodromin dhe për të lokalizuar pilotin e RAF, gjurmët e të cilit ishin gjetur tre ditë më parë. Bisedat me banorët e Shkodrës tregonin, se para evakuimit kishte ndodhur një dezertim masiv i gjermanëve. Gjermanët tashmë ishin larguar nga Shqipëria dhe operacioni Aleat i nxjerrjes së gjermanëve jashtë vendit, i quajtur Operation “Frontier”, dukej se kishte përfunduar.

Sipas ushtarakëve britanikë në terren, partizanët hynë në Shkodër me datë, 29 nëntor 1944, kur forcat gjermane u tërhoqën në Mal të Zi.

Në Shkodër mbahet mend prej asaj kohe, një ngjarje, që ka ndodhur natën në kapërcyell të datës 28 nëntor duke gdhirë dita e re, 29 nëntor 1944, që lidhet me minimin e qytetit nga ana e forcave gjermane në ikje. Tetë ushtarë xhenierë italianë, ndërhynë në kohë duke ndaluar zjarrin të merrte përmasa të mëdha dhe shmangën kështu një shpërthim shkatërrimtar, që do të kishte qenë
një fatkeqësi e madhe për Shkodrën dhe popullsinë civile të saj. Nga rrëfimet e qytetarëve shkodranë, mbahet mend se gjermanët arritën të kapin dy nga xhenierët italianë dhe i groposën ata për së gjalli. Edhe pse një nga depot shpërtheu, qyteti gjithsesi shpëtoi i paprekur dhe evakuimi i forcave gjermane u bë pa luftë. Partizanët hynë në Shkodrën e evakuar nga gjermanët, në qytetin që përherë kishte qenë qendra e një opozitë të brendshme të fuqishme kundër diktaturave dhe do mbetej përherë e tillë. Siç duket, tërheqja e fundit e madhe gjermane nga Shkodra ka ndodhur me datë, 28 nëntor 1944. Kjo datë gjendet e shënuar në një dokument tjetër te SOE britanike dhe mendohet të ketë zgjatur deri në orën 02.00 a.m. të agimit të datës, 29 nëntor 1944. Ndërsa hyrja e partizanëve saktësisht ka ndodhur me datë, 29 nëntor 1944, gjatë paraditës, kur tashmë ishte siguruar që këmbë gjermani nuk ndodhej më në qytet. Nigris e shtyn edhe dy orë më tepër qendrimin e gjermanëve në Shkodër. Ai shkruan se gjermanët, pas shkatërrimeve që sollën në natën e fundit në qytet, e mbyllën në mënyrë të turpshme qëndrimin e tyre në orën 04.00 të mëngjesit të datës 29 nëntor 1944. Ikja e tyre u shoqërua me një lloj keqardhjeje prej vendasve, për sjelljen e tyre fundore prej armiqsh prepotentë dhe të pabesë.

Largimi nga qyteti nuk do të thotë, se në pjesën e rrugës që nga Shkodra në drejtim të Podgoricës, në pikat e vrojtimit dhe kontrollit, nuk ka pasur njësi të ushtrisë gjermane. Evakuimi i mëtejshëm nga Shqipëria tërësisht është zhvilluar pa luftime të mëdha, derisa trupat e fundit gjermane u larguan nga ky vend me datë, 4 dhjetor 1944.

Edhe Nigris tregon se repartet e fundit gjermane që u larguan nga Shkodra, bënë disa ditë për të kapërcyer kufirin, ndoshta në pritje që të arrinte në Podgoricë dhe të merrte rrugën për në Berane e gjithë kolona e projektuar, që më kot ishte orvatur për të hapur rrugën në linjën nga Nikshiqi në Trebinje. Kështu që trupat nga Shkodra mbetën mbrapa për të formuar një kolonë të vetme në ndjekje të trupave tashmë në marshim drejt Sarajevës, duke kaluar nga Plevnja.

Versionin britanik i ngjarjeve, që lidhen me evakuimin e Shkodrës nga gjermanët dhe hyrjen e partizanëve në qytet, në diten e zymtë dhe të ftohtë të 29 nëntorit 1944, e konfirmon edhe At Zef Pllumi, dëshmitar i kohës së fillimit të këtij salvimi mizor ndaj popullit shqiptar.

Ndërkohë, në lidhje me atë çfarë ka ndodhur në Shkodër, Malësi e Madhe, Dukagjin, Postribë, Ana e Malit, Mirditë dhe Pukë, ekzistojnë edhe disa raporte të përgatitura nga Komiteti Qarkor i PKSH për Shkodrën, ndër të cilët spikat ai i datës, 9 prill 1945, që përmbledh një periudhë të gjatë rrëfimi nga ditët pak para çlirimit dhe deri më datë, 31 mars 1945: Raporti bën krejtësisht të qartë atë çfarë ne konstatuam më sipër, bazuar në dokumentet britanike:

Çlirimi i qytetit të Shkodrës u bë pa luftë, kështu që forcat partizane nuk arritën të provojnë veten në një ndeshje me armë me forcat gjermane dhe me ato që konsideroheshin si bashkëpunëtorë të tyre. Ndaj, kjo bëri që forcat e opozitës nacionaliste të dilnin të padëmtuara nga qyteti dhe nga periferitë.

Brigadat partizane thjesht u derdhën në një qytet pa këmbë ushtari pushtues, në një qytet të cilin paraprakisht e paragjykonin, mbasi kishin një urrejtje të mbruajtur kundër qytetarisë, të cilën e konsideronin si çerdhe të reaksionit.

Kjo ndodhte pa e njohur aspak kulturën, që ai vend përfaqësonte dhe arsyet e kundërshtisë së tyre ndaj partizanëve komunistë. Populli i Shkodrës, siç kuptohet nga raporti, konsiderohej prej tyre, se mbarte “peshën e injorancës, mizerjes ekonomike, paragjykimesh dhe zakonesh, gjendje patriarkale dhe shpirt mercenarizmi”.

Ky ishte konceptimi i invaduesve, që erdhën në Shkodrën e madhe, të cilin nuk e kishin shkelur kurrë më parë dhe që ishte krejt ndryshe nga pikëpamja e zhvillimit, ekonomik, social, kulturor, botëkuptimit të komuniteteve përbërëse, në krahasim me qytetet e tjera të Shqipërisë.

Mirëpo ata nuk kuptonin dot arsyet, pse popullsia e qytetit dhe qarkut kishte qëndruar indiferente ndaj luftës, si dhe nuk e dinin si funksiononte struktura sociale e shoqërisë dhe rendi i gjërave në këto anë. Ato nuk kuptonin fillimisht formacionin shpirtëror dhe kulturor, unitetin civil në diversitetin religjioz të Shkodrës qytetare. Populli i qytetit të Shkodrës, sikurse e provon edhe raporti i vetë drejtuesve komunistë krahinorë, u mbajt larg kontributit për lëvizjen.

Ardhja e UNÇSH u prit në përgjithësi në heshtje nga banorët e qytetit dhe fshatrave.

Pas hyrjes së trupave partizane në Shkodër, ajo opozitë e pakët e armatosur që ekzistonte, u zhvendos drejt zonave periferike më të mbrojtura, në Malësi të Madhe, Dukagjin, Pukë, Mirditë etj.

Si kundërpërgjigje, Komiteti Qarkor i PKSH për Shkodrën dhe komanda e ushtrisë, parashikoi dhe kreu si një masë të domosdoshme, një operacion në stil të gjerë, duke kaluar nga
njëra krahinë në tjetrën, duke çarmatosur dhunshëm popullin, duke kryer rrahje masive dhe vrasje të kujtdo, që u rezistoi dhe që ishte në listat e armiqve, sipas tyre. Operacioni ushtarak i hapi rrugën më pas operacionit politik dhe policor. Epiqendra e goditjes ka qenë Kisha Katolike dhe Arqipeshkvia e Shkodrës, e cila u mbajt nën vëzhgim, që në fillesë. Ushtria partizane rëndoi që në fillim me dhunën e saj mbi të gjitha shtresat e popullit dhe posaçërisht në këtë drejtim, Seksioni Ekonomik i Korpusit (Prapavija) veproi me dorë të lirë në çdo pikëpamje. Ushtria mbisundonte dhe pushteti u mbulua krejtësisht nga aktiviteti ushtarak. Ushtria zaptoi lokalet dhe bëri shkatërrime masive, të cilat pranohen edhe nga vetë drejtuesit komunistë. Shumë lokale në qytetin e Shkodrës u katandisën në një gjendje të atillë sa, sipas përcaktimeve, do të duheshin qindra, mijëra dhe miliona franga për t’i rikthyer në gjendjen e mëparshme. Kjo nuk ishte pasojë e luftës me gjermanët, por e pushtimit barbar komunist, plaçkitjeve dhe grabitjeve që forcat ushtarake partizane bënë ndaj pasurisë private të shkodranëve. Oficerët e ushtrisë partizane shkatërruan edhe një numër të konsiderueshëm makinerish dhe fabrikash. Në operacione, repartet e ushtrisë partizane u treguen të vendosura për dëmtim inatçuer ndaj të bukurës, të panjohurës, të të mirave publike dhe private, etj.. Sjellja e tyre ishte e rreptë dhe e egër. Ata më pas filluan një mobilizim pa asnjë kriter. Kështu, ushtria monopolizoi veprimin politik dhe ushtarak, duke eklipsuar punën e pushtetit civil ende të paformësuar. Zhvillimi i operacionit ushtarak në qarkun e Shkodrës, zhvendosi gjithë aktivitetin civil dhe rindërtues në plan të dytë. U desh edhe shumë kohë, derisa aktiviteti i ushtrisë dhe ai i pushtetit të zhvilloheshin të ndarë njëri nga tjetri, në Shkodër dhe në Qarkun e saj.

Kush janë “fitimtarët”, partizanët, udhëheqësit e pakontestueshëm të rendit të ri, që premtohej, por që nuk njihej nga shumica?- pyet profesor Sami Repishti. “Numri i tyre ishte i vogël, e kaluemja e tyne jo e qartë e në disa raste, shqetësuese, programi i tyne revolucionar, e metodat e përdorura deri tashti, ishin të ashpra e diktatoriale. E lirueme nga bota e dy regjimeve të urrejtun, shoqnia shqiptare priste me padurim nji periudhë paqeje e sigurie, që të shijonte lirinë e porsafitueme. Nji ndjenjë instinktive, e pashpjegueshme, por e pranueshme kudo dhe tek të gjithë, e frikës se po hyjshim në nji tunel, dritën e së cilit nuk e shihshim, ishte në mendjen e zemrën e shumicës së atyne që ecshin, vrapojshin e grumbulloheshin në sheshin qëndror të qytetit….. “marrja e
pushtetit” nuk u ba me dhunë, sepse nuk u kundërshtue.

Administrata e vendit, deri atë ditë në shërbim të “bashkëpunëtorëve të okupatorit”, u vue në shërbim të “autoritetit partizan”… Rrugët e qytetit filluen të mbushën me partizanë të brigadave të ardhuna nga jugu i vendit. Për mungesë vendi e organizimi, me mijëra u vendosën në shtëpi qytetarësh, që i ushqejshin edhe me bukë….. Nji botë e re shpalosej nga tregimet e tyne. Pothuejse të gjithë ishin “mobilizue” në katundet e tyne. Ruheshin nga “komandanti” e “komisari”. Të gjithë kishin “historira” me tregue e sidomos, për ekzekutimet masive në katundet malore. Nji ngjarje e shëmtueme në qendër të qytetit, ra si bomba e parë që zgjoi qytetarët, sinjali i parë i asaj që do të vinte ma vonë. Nji grup “bashkëpunëtorësh” me okupatorin, u ekzekutuen publikisht në sheshin kryesor… Në vendin e ngjarjes, pashë kufomat e përgjakuna, të rreshtueme njëna pranë tjetrës. Të gjithë ishin me rrobe civile. Rreth e rrotull tyne, grupe partizanësh hidhshin valle me nji ritëm që shoqnohej me kangën, e re për mue: “Lule Sofo, lule djalë!” Nji turmë qytetarësh të heshtun, vështronte me tmerr këtë masakër: ekzekutime publike, simbas modelit nazist, pa proces, pa gjyq, pa mbrojtje ligjore, pa të drejtë apeli. Ishte shija e parë e shoqnisë së re… Po ngrinte kokën organizimi i ri shtetnor, i mbështetun mbi forcën e hekurit e zjarrit, ashtu sikur kisha dyshue dy vjetët e fundit”

Kjo ishte “dita e parë e lirisë” në Shkodër, në të gjithë Shqipërinë e Veriut dhe shpjegimi është i mjaftueshëm për të kuptuar përse në këto anë, ajo ngjarje, 29 nëntori 1944, nuk është pranuar si një ditë feste. Largimi i okupatorit të huaj që nuk prekte njërëz të pafajshëm deri në ditët e ç’akordimit të fundit, u shoqërua me ardhjen e një okupatori të brendshëm që përdorte dhunën pa dallim, prekte të gjithë dhe nuk respektonte lirinë dhe pronën e individit.

Dy oficerë britanikë, Tony Andrew dhe James Duncan (fotot e te cileve po i jap me poshte), që hynë në Shkodër pavarësisht përpjekjeve dhe presionit të ushtruar nga partizanët për të mos i lejuar ata, raportojnë se burgu i qytetit “po pëlcet nga numri i madh i të burgosurve politikë” dhe se trupat e të ekzekutuarve janë lënë shtrirë nëpër rrugët e qytetit.

Po ashtu Duncan shkruan, se “partizanë me uniformë shkojnë shtëpi më shtëpi, pa asnjë dallim dhe u kërkojnë para, ushqime, radio, rroba, si dhe u marrin qytetarëve makina shkrimi, mjete dhe makineri pune të ndryshme. Këto masa po shkatërrojnë privatësinë e familjeve, po rrisin koston e jetesës së tyre dhe nuk po lihen të qetë.”

Oficerët folën me qytetarë shkodranë të profesioneve të ndryshme si: një piktor, shegert dyqani, murgesha, punëtorë, tregtarë tekstilesh, drejtorë shkollash, pronarë hoteli, librashitës, rrobaqepës,
etj.. dhe të gjithë i thanë: “Ne nuk mund të vazhdojmë më kështu! Pse britanikët nuk vijnë këtu?”. Dhe ky mesazh u transmetua në Bari me datë, 11 janar 1945, por efekti i kësaj deklarate ishte vetëm heshtja e autoriteteve Aleate, arshivimi, deri sot, kur këto fakte të shkruara po i paraqites, tani pas 80 vitesh në tekstet e historisë së Shqipërisë, si një rekord dokumentar për të treguar të vërtetën.

Sot, nga lartësia e gjykimit historik, vërej se, duke filluar nga data, 29 nëntor 1944, në Shqipëri në përgjithësi dhe në Shqipërinë Veriore në veçanti, u instalua një regjim dhunues, që do t‘i kushtonte këtij vendi, humbjen e bijve dhe të bijave më të mira të tij, ndërsa kryeqendrës së Shqipërisë, Shkodrës, 29 nëntori do t’i sillte fillimin e shkatërrimit të plotë të institucioneve dhe
trashëgimisë kulturore, shkencore, edukative, fetare dhe qytetare, eliminimin gradual të primatit moral, kulturor, ekonomik dhe shpirtëror të qytetit në skenën shqiptare të krijuem prej shekujsh.

Në krye të këtij procesi urdhërdhënës ka qenë diktatori Enver Hoxha, i cili, me sa kuptohet, përveçse një ekstremist në politikë, mbartte në formimin e tij personal, një urrejtje të pafshehur për Gegninë.

Nderkohe, luftën për liri kundër okupatorit e kanë bërë djemtë e thjeshtë shqiptarë të rreshtuar në formacione luftarake.

Lufta ka marrë përmasa të mirëfillta çlirimtare gjatë rrjedhës së viteve 1943-1944.

Vepra e partizaneve te thjeshte, nacionalisteve antifashiste, ishte legjitime, e drejte, pjese veprimtarise se nje koalicioni te gjere kunder fashizmit, dhe si e tille ajo duhet nderuar.

Nga ana tjeter, shoqeria shqiptare pas 80 viteve duhet te jete aq e pjekur sa te denoje krimet ndaj popullsise se pafajshme qe rrodhen pas dates 29 nentor 1944.

Shqipëria e 29 nëntorit të vitit 1944 do jetë një Shqipëri me perspektivë krejtësisht të ndryshme nga ajo që u këput më 7 prill 1939, e ajo që u përpoq të rindërtohej në vjeshtën 1943: me strukturë sociale, kulturore dhe krahinore të përmbysur, me nënsisteme të shkatërruara, me një luftë civile në zhvillim e sipër, e cila do të vazhdonte gjatë gjithë vitit 1945 dhe në formë të ftohtë dhe të ashpër për shumë kohë më pas. Kjo luftë civile do ta mbisundonte dhe kapërthente idealin e lirisë dhe çlirimit, mbasi kaloi çdo limit të arsyes çlirimtare ndaj pushtuesit, përfshiu gjithë shoqërinë dhe vendosi nën terror pjesën më të madhe të Shqipërisë së Veriut, e cila nga kjo periudhë e mbrapa, do të jetë e shkatërruar në strukturen e vet tradicionale, pa elitën pararendëse dhe në një pozicion krejtësisht të dhunuar politikisht, nën pushtetin e ri komunist të menaxhuar nga Beogradi fillimisht, dhe pas dhjetorit 1945, edhe nga Moska.

29 nentori eshte nje dite per reflektim te dyanshem, te arsyeshem, te drejte, te ndershem dhe rrefimtar:

Shqiperia europiane nuk ka me kohe te degjoje rrefime te njeanshme, te pandershme dhe te paverteta. Ajo ka nevoje per reflektim mbi parime, qe jane te pranuara gjithesisht ne boten e qyteteruar.

Nje reflektim me nderim per luftetaret e lirise, per te renet ne luften civile qe shkaterroi njesine antifashiste shqiptare dhe shoqerine a paanshme ne pritje, per eliten politike dhe intelektuale te vendit, qe vendosi ta kapercente kete kohe te rende, qe nuk ishte “fajesi” e Shqiperise, me kujdes dhe mbi parimet e mbajtjes se shtetit nacional ne kembe, por qe u martirizua perllogari te vendimarrjeve te nisura nga Shtabi Komunist Jugosllav.

blank

 

blank

Faik Konica shkrimtarit Guillaume Apollinaire: “Mashtruesit francezë me famë botërore gjenden të fshehur në periferi të Londrës…” (Letra origjinale e 10 tetorit 1904)

Faik Konica (1875 – 1942) — Guillaume Apollinaire (1880 – 1918)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Nëntor 2023

Në veprën “Guillaume Apollinaire. Correspondance. I Lettres reçues. XI K-La.”, gjejmë një letër të Faik Konicës drejtuar shkrimtarit francez me 10 tetor 1904, në të cilën atdhetari shqiptar i rrëfen asokohe një sekret të veçantë. Këtë letër, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Lincoln Cottage,

Garfield Road,

Chingford, (Essex)

Me 10 tetor 1904.

Mik i shtrenjtë,

E lexova me shumë interes artikullin tuaj për dy “princat e rremë të Shqipërisë” dhe do ta shfrytëzoj për një artikull të ardhshëm tek “Albania”. — Për sa i përket “Oxford (India) paper”, më thanë se shitej vetëm me shumicë (një numër i caktuar pakosh) : sa fletë do t’ju duheshin ? — Harrova që në letrat e mia të mëparshme t’ju tregoja për një histori vërtet të jashtëzakonshme, të cilën nuk do ta prisnit : Imagjinoni që ushtria angleze është në manovra dhe një muaj më parë, dy skuadrilje kalorësie erdhën për të ngritur çadrat dhe kampuar në lëndinat e Chingford. Ne dolëm për një shëtitje atje, pasi shumë njerëz shkuan atje nga të gjitha anët, dhe papritmas ne njohëm — a mendoni se kë ? Zonja Thérèse Humbert, personalisht, ju betohem ! dhe ishin me të : 1°/Romain Daurignac, 2°/Eve Humbert, 3°/Marie Daurignac, 4°/Frédéric Humbert. Nuk kishte asgjë për tu gabuar. Përballë një pasthirrme në frëngjisht nga gruaja ime, ata u zbuluan dhe një minutë më vonë ishin zhdukur. E kuptoni ? bota mendon se ata janë në burg, dhe ata janë fshehur të qetë në periferi të Londrës. Djalli e di se cilët personazhe duhet të kenë marrë pjesë në mashtrimet e tyre që “burgu” i tyre të ketë qenë kaq fiktiv.

Përzemërsisht,

F. B. Konica

blank

DW sjell versionin e historianëve gjermanë për Pavarësinë: Austro-Hungaria donte një shtet të fuqishëm shqiptar, por Franca dhe Rusia….

Konferenca e Londrës e vitit 1912 nuk e njohu qeverinë e Ismail Qemalit. Ajo vendosi që Shqipëria të bëhet principatë. Një libër sqaron sfondin.

Ishte një e hënë pasdite e dhjetorit të vitit 1912, kur ambasadorët e Austro-Hungarisë, Gjermanisë, Rusisë, Francës dhe Italisë u mblodhën për një çaj në dhomën e punës së ministrit të Jashtëm anglez Edward Gray. Njëra nga temat kryesore të takimit, që në muajt e mëpasshëm do të përsëritej e do të hynte në histori nën emrin Konferenca e Londrës, ishte Shqipëria.Që vendi ballkanik, populli i të cilit gati tri javë më parë kishte shpallur pavarësinë, do të mëvetësohej kjo dihej. Por pyetja ishte, se cila do të ishte forma e këtij shteti, kufijtë e tij dhe kush do ta drejtonte këtë popull me shumicë myslimane? Historiani gjerman Hanns Christian Loehr, në ibrin e tij me titullin “Die Gründung Albaniens – Wilhelm zu Wied und die Balkandiplomatie der Grossmaechte 1912-1914” (Themelimi i Shqipërisë – Wilhelm Wiedi dhe diplomacia e fuqive të mëdha ndaj Ballkanit 1912-1914), botim i vitit 2010, i ka marrë nën lupë bisedat e asaj kohe.

 

Kufiri mes Serbinë ishte i panatyrshëm

 

Në librin e tij prej mbi 250 faqesh, Loehr analizon diplomacinë e fuqive të mëdha në prag të Luftës së Parë Botërore, duke marrë si shembull pikërisht krijimin e shtetit shqiptar. Me shtet shqiptar ai nuk nënkupton atë që nënkupton shumica e shqiptarëve, shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912, por atë krijesë që doli si rezultat i kompromisit të Londrës në vitin 1913: Pra një principatë e pavarur nën udhëheqjen e princit gjerman Wilehlm zu Wied dhe e mbrojtur nga gjashtë fuqitë e mëdha.

Negociatat e asaj kohe për krijimin e shtetit shqiptar, sipas Loehr, marrin një rëndësi të veçantë në historinë evropiane dhe madje atë botërore. Sepse aty pasqyroheshin mosmarrëveshjet midis fuqive: Një shembull është arritja e kompromisit për kufijtë e Shqipërisë, si pasojë e të cilit 750 mijë shqiptarë u lanë jashtë territorit: “Kufiri me Serbinë, për shembull, ishte një kufi shumë i panatyrshëm dhe i padrejtë për popullin shqiptar, por meqenëse ishte rezultat i një kompromisi, ai bëri që të paktën edhe për dy vjet të ruhej paqja evropiane dhe të mos kishte luftë ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Rusisë”, tha Loehr asokohe në një intervistë për DW shqip.

Austro Hungaria pro shtetit shqiptar

Austro-Hungaria ishte pro një shteti të fuqishëm shqiptar ku të përfshiheshin të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët. Vjena në këtë mënyrë, donte të pengonte daljen e Serbisë (kësisoj edhe të Rusisë) në Detin Adriatik. Austro-Hungaria mbështetej nga Gjermania dhe Italia, ndërsa Rusia dhe Franca mbronin interesat e shteteve të tjera ballkanike: Serbi, Mali i Zi, Bullgari dhe Greqi, të cilat do të kishin preferuar ta ndanin mes tyre hapësirën shqiptare. Që kjo zgjidhje e dalë nga ky pazar interesash do të dështonte, dukej për shembull edhe në mënyrën se si ishte planifikuar ndërtimi institucioneve të shtetit të ri. “Aty ishte përcaktuar me hollësi edhe se si do të ndaheshin postet e drejtorëve të Bankës së Shqipërisë ndërmjet gjashtë fuqive. Përcaktime të tilla deri në detaje do të bëheshin shkak për grindje të herëpashershme”- tha Loehr.

Perandori gjerman Wilhelm II kundër krijimit të Shqipërisë

Fakti që princi i zgjedhur për të udhëhequr shqiptarët ishte gjerman nuk ishte patjetër shenjë e interesimit të veçantë të Gjermanisë për Shqipërinë. Wilhelm zu Wied, princi që u caktua të vihej në krye të principatës së re, u zgjodh në atë post meqë ishte protestant dhe gjerman, pra, mendohej të ishte i paanshëm. Por ai nuk kishte aspak përvojë me Shqipërinë duke u bërë kështu personifikim i këtij kompromisi të dobët. Fakti që ishte gjerman ishte pozitiv, sepse Gjermania nuk kishte interesa të drejtpërdrejta në Ballkan. Dhe më së miri kjo del në pah nga qendrimi i perandorit të atëhershëm: “Wilhelmi II nuk donte as që Wied-i të shkonte në Shqipëri, e as që të kishte një shtet shqiptar. Por ishin diplomatët ata që e manovruan atë në këtë drejtim duke iu referuar detyrimit që vinte nga aleanca me Vjenën”.

Dhe këtu del edhe shkaku se përse Loehr, i cili si historian është marrë kryesisht me rrëmbimet e veprave të artit në kohën e nazizmit, merr mundimin të bëjë një studim për Shqipërinë: “Duke parë politikën e jashtme të Gjermanisë, në shembullin e Shqipërisë, sheh se Perandori gjerman nuk kishte fare pushtet. Kështu duke shtruar pyetjen, se kush e mban përgjegjësinë për shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, përgjigja është se një pjesë kryesore të përgjegjësisë nuk e mban Perandori, por kancelari i Perandorisë (Bethmann Hollweg)”, thotë ai në intervistë.

Skandabeg në vend të Skënderbeut

Pra, Loehr e ka vërtetuar atë që dëshironte. Pyetja që mbetet për ata që janë vërtet të interesuar të mësojnë diçka të re për historinë e Shqipërisë, është se çfarë mund të zbulojnë ata tek ky libër. Michael Schmidt-Neke është njëri nga historianët gjermanë, që është marrë më së shumti me historinë e Shqipërisë së asaj periudhe. Ai e ka lexuar librin e Loehrit dhe e ka recensuar atë në revistën shkencore Suedosteuropa-Mitteilungen (Njoftime nga Evropa Juglindore).

Në një intervistë për programin shqip të Deutsche Welle-s, Schmidt-Neke kritikon faktin, që autori u referohet vetëm burimeve gjermane e austriake. “Në libër mungojnë burimet nga fuqitë e tjera. Po ashtu injorohet tërësisht literatura shkencore e vendeve ballkanike, për të mos folur pastaj për literaturën shqiptare”, thotë Schmidt-Neke.

Schmidt-Neke gjithashtu konstaton me keqardhje, se për Wied-in flitet vetëm në shtatëdhjetë faqet e fundit, pra nuk është një libër i mirëfilltë për historinë e Shqipërisë në periudhën e Wied-it, ashtu siç premton titulli. Që autori pothuajse nuk ka fare njohuri nga Shqipëria, këtë nuk e dëshmon vetëm fakti që nuk ka përdorur burime nga literatura shqipe, por edhe që shumë emra personalitetesh shqiptare janë shkruar me gabime, si për shembull: Skandabeg, e jo Skanderbeg, siç thirret Skënderbeu nga gjermanët. Por sipas Schmidt-Nekes, Loehr tregohet naiv kur e riprodhon legjendën se një farë gjermani me emrin Otto Witte, i cili në vitin 1913 gjoja ishte shpallur mbret i Shqipërisë nga osmanët. “Burimi i vetëm i kësaj përralle është libri që ka shkruar vetë Witte”, thotë Schmidt-Neke.

Edhe pse libri i Hanns Christian Loehrit ka kaq mangësi, për historianët ai përmban shumë detaje interesante, histori diplomatike dhe kujtime për Gjermaninë nga një diplomat shqiptar që mund të sjellin një ndihmesë për të plotësuar panoramën e asaj kohe. Një i tillë është për shembull fakti që kishte shumë gjermanë, që u treguan të gatshëm të viheshin në mbrojtje të princ Wiedit, e që njëri syresh ishte poeti i njohur Georg Trackl. /DW

blank

PJESË NGA HISTORIA TRAGJIKE E ANEKSIMIT TË ULQINIT NGA MALI I ZI- Nga XHELADIN ZENELI

(Komunikimet dhe planet djallëzore të ambasadorëve të Fuqive të Mëdha që i paraprinë këtij aneksimi)

Sa herë që kujtoj thënien e njohur e cila thotë “Fatet e popujve të vegjël dalin nga dyert e tragjedive të mëdha”, më shkon mendja te dorëzimi i Ulqinit, Malit të Zi nga ana e Fuqive të Mëdha të asaj kohe.

Ulqini do ti bashkangjitet  Malit të Zi,kundër vullnetit dhe dëshirës së banorëve  të tij, të cilët ishin krejtësisht me popullsi  shqiptare, në vitin 1880, dy vite pas vendimeve të Kongresit famëkeq të Berlinit që u mbajt në vitin 1878.

Janë bërë përpjekje të shumta,duke përfshirë edhe rezistencë të armatosur, nga ana e popullit shqiptar për ndalimin e aneksimit të këtij territori shqiptar nga ana e Malit të Zi, por pa sukses.

Pas një demonstrimi të paparë të flotës detare ushtarake të Fuqive të Mëdha në urjrat e Adriatikut, pranë Ulqinit si dhe pas humbjes së luftës në teren të kryengritësve shqiptarë ndaj numrit shumë më të madh të forcave osmane, Porta e Lartë (Perandoria Osmane) përmes Dervish Pashës, me 26 Nëntor 1880, ia dorëzoj Ulqinin Principatës së Malit të Zi.

Në dokumentet  konfidenciale të kohës të cilat më vonë Zyra e Jashtme e Britanisë së Madhe (Foreign Office), do ti publikoi me titull : KORRESPONDECA E MËTEJSHME lidhur me KORIGJIMIN E KUFIRIT MALAZEZ,(mbi 200 faqe të shkruara), paraqesin kumunikimet e ndërsjellta të protokoluara të ambasadorëve të Fuqive të Mëdha të asaj kohe që kanë të bëjnë me përcaktimin e kufirit të Malit të Zi, konkretisht krijimin e mundësive dhe realizimin e një prej vendimeve të Kongresit të Berlinit të vitit 1878, i cili ka të bëjnë pra me anaksimit të qytetit  të Ulqinit nga ana e Malit të Zi.

Gjatë një korrespondence

kohore prej dy muajve (prej 1 Korrikut  deri me 31 Gusht të vitit 1880 ) janë shkëmbyer mbi 500 telegrame në mes përfaqësuesve diplomatik

të vendeve të tyre përkatëse, kryesisht  të Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë dhe Rusisë.

Këto shkëmbime janë dëshmi ekskluzive e kohës që nxjerrin në pah planet djallëzore ,intrigat, prapaskenat e Fuqive të Mëdha të kohës që janë zhvilliar përmes përfaqësuesve diplomatik në vendet e tyre përkatëse.

Cilët ishin protagonistët e vendimeve të dhimbshme për kombin tonë

Disa nga protagonistët diplomatik të kohës të përfshirë në shkëmbimin e telegrameve ku diskotohej çështja e dorëzimit të Ulqinit Malit të Zi kanë qenë:

1.Henry George diplomat  i “Foreign Office-it”

britanez me detyrë në Vienë të Austrisë

2.Earl Granville, zyrtar  i “ Foreign Office-it ” në Londër

3.Kirby Green, konsuli gjeneral i Austrisë në Shkodër

4.George J. Goschen, ambasadori britanez në Turqi

5.Augustos Paget, diplomat britanez me detyrë në Romë të Italisë

6.M. de Giers , ambasador i Francës në Rusi;

7.The Earl of Dufferin,

ambasador i Britanisë në Rusi;

8.M. Radonich ( Radonić), përfaqësues i Malit të Zi në Cetinë;

9.Lord Odo Russell ,

përfaqësues i qeverisë gjermane me seli në Berlin;

10.M. Lippich, konsulli gjeneral i Austrisë në Shkodër;

11.Abedin Pasha, i ngarkuari i Portës së Lartë për çështjet me Malin e Zi , dhe të tjerë.

Objekt i këtyre komunikimeve janë edhe princat gjerman të asaj kohe si , Pinci Bismarck dhe Princi Hohenlohe.

Po shkëpus vetëm një komunikim të shkurtë i cili tregon shumë qartë vendosmërinë e këtyre diplomatëve ndërkombëtar për shkëputjen e Uqinit nga trungu kompakt etnik shqiptar dhe skenarin për bashkangjitjen e tij, Malit të Zi.

Në telegramin numër 421 z. Kirby Green nga Shkodra  i shkruan Earl Granville në Londër se ka pas një komunikim me z. Riza Pasha i cili ka pranuar në parim shkëputjen e Ulqinit dhe bashkangjitjen e tij Malit të Zi por me kusht që “Fuqitë e Mëdha duhen të marrin mbi vehte zbatimin e kësaj marrëveshje, kurse forcat turke mund të kenë misionin e të ruajtjes së kufirit pasi që ai do të vendoset…”.

Është interesant se disa nga këto diplomatë, me rastin e komunikimit të tyre e pranojnë qartas se venbanimet të cilat ata tentonin t’ja dorëzonin Malit të Zi  ishin territore shqiptare sepse iu referohen aryre si “Albanian districts” ( Rrethe apo zona shqiptare), por megjithate dhe përkundër kësaj ata vendosen në mënyrë të dhunshme dhe arbitrare dorëzimin e qytetit tonë bregdetar-Ulqinit, Malit të Zi.

Turpi historik i Fuqive të Mëdha të kohës

Vlen të theksohet se territori  i Malit të Zi para Kongresit të Berlinit në vitin 1878 kishte  4,405 km² kurse pas Kongresit 9,475 km² duke përfshirë edhe daljen në det të tij. Pjesa dërmuese e ekspanzionit dhe dyfishimit territorial të Malit të Zi u arrit kryesisht në dëm të trojeve shqiptare.

Por sikurse ky ekspanzion në fund të shekullit 19-të,

të mos ishte i mjaftueshëm, ai pas rreth tre dekadave pasoi me një tjetër, ate të Konferencës së ambasadorëve në Londër e mbajtur në vitet 1912-1913, ku Fuqitë e Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe,Franca, Gjermania,Italia, Austro-Hungaria dhe Rusia), muarën vendimet fatale që prekën gjysmën e territorit të Shqipërisë së pavarur.

Me aneksimine Ulqinit nga ana e Malit të Zi në vitin 1880 është një ndër fillet e tragjedisë së ndarjes dhe të coptimit të trojeve shqiptare dhe turpi historik i Fuqive të Mëdha të asaj kohe të cilat me vendimet e tyre në fund të shekullit 19-të dhe në fillim të shekullit 20-të, lën rreth 40% të popullsisë shqiptare jashtë kufijve të shtetit të sapo krijuar shqiptar- Shqipërisë.

Xheladin Zeneli

Nëntor 2023

blank

DITA E FLAMURIT- Përgatiti Fritz RADOVANI

 

LUIGJ GURAKUQI
Mendime e kujtime
KUVENDI Romë, 30 Nânduer 1919 (Paris më 20 Nânduer  1919)

Në nji ditë t’errtë e të trishtueshme të Kallëndorit, i lodhun nga vjetët, e, mâ fort, nga mundimet e të vështirat e nji jete të kalueme, pa ndalim, mbi brigje e nën shatorre në mest të fushavet të luftës luâni i Krues, Skandërbeu, ulte kryet madhështuer, e dirgjej e rënkonte në shtrat të vdekës atje në Lesh. Rriba e murrânit i sillte në vesh ushtimën e tmershme të luftës s’ashpër që ziente në breg të Kirit, pranë Drishtit ndërmjet turqvet e të Shqiptarvet. Gjaku i ndezun i valonte ndëpër dejt e çeliktë, e
zemra trimoshe i dridhte parzmën tue rrahun me rrëmbim, e i pëlciste nga dëshiri për të fluturuem si rrufeë në ndihmë të vllazënvet të vet. Por trupi i Tij i rândë nuk tundej dot nga vendi. I mundun nga sëmundja, por jo nga luftat e rrebta e të parreshtuna nga të cilat kishte dalë gjithmonë Burri i famshëm mbyllte syt, e me tê errej e shuhej edhe fati i Atdheut !

Trimat, shokët e Tij, qi bashkë me Tê kishin ndamun, për sa e sa vjet gëzim e rreziqe, e luftarët e Tij mâ të përmendunit merrshin udhën e mërgimit e përndaheshin në të katër anët. Qytetet e Tija mâ të fortat, fole sokolash e sqifterësh, bijshin njena mbas tjetrës nën sulmin e anmiqvet. Shqipja rregjineshë, qi kishte fluturuem gjithnji ngadhnjyese mbi ajrin e lirë të Shqipniës, përmblidhte kthetrat, varte krahët e strukej në shpellat e maleve të larta ; e flamuri kuq e zi, shenj lirie e ngadhnjimi, përmbysej e zhdukej, e mbyllej i palosun në zemrat e Shqiptarvet të veshun në të zeza.

Në atë ditë të vajtueshme e fatkeqe, robnia mâ e ashpër e dhunore nisi të rândonte mbi kryet e kurrusun të Shqiptarvet të mjerë. I ndrydhun e i shtypun nga pushtuesi barbar, komi i ynë ra në shkretnim e në vobeksië. Të harruem prej të gjithve, edhe prej atyne të cilvet u kishin dhânë pa kursim ndihmën e vet në ditën e rrezikut, e të mbetun pa mbështetije e pa shpresë, Shqiptarët u shtrenguen, mâ në fund, t’i shtroheshin fatit e të hyjshin në marrëveshje me pushtuesin. Por edhe në qoftë se gjyshat t’anë e harruen, pak nga pak, mëniën kundër anmikut qi të parët u kishin lânë trashigim, me gjithë këtê nuk e buerën kurrë ndiesiën e liriës. Sado herë qi u erdhi rasa e qi i a pan gjasën, Shqiptarët nuk e kursyen kurrë jetën e vet e nuk prituen kurrë me ngritun krye kundër turqvet qi kërkojshin me u rrëmbyem edhe gjurmat mâ të
mbrâme të të drejtavet kombtare.

Po nga nji tok shkajqesh, qi nuk âsht nevoja t’i përmendim këtu, Shqiptarët, që lypsej t’ishin mâ të parët me shpëtuem nga sgjedha e Turqiës, nuk e patën fatin e mirë të fqinjve të vet. Këta, jo vetëm qi u liruen mâ parë se na nga robnia e përbashkme, po mbasandaj, tue harruem gjakun e derdhun prej burravet t’anë për liriën e tyne, nisën të ndêjnë dëshiret e veta lakmuese mbi tokët e Shqipniës. Gâdi gjithmonë të duruem, e shumë herë edhe të mbështetun e të përkrahun nga qeveria turke qi nuk donte t’a shihte varrin qi ditë për ditë po i hapej përpara, fqinjt t’anë, në vend qi të na tregojshin mirënjohsiën e vet e të na shpërbleshin me të mirë ndihmën qi u kishim dhânë, rrokën propagandën e shkomsimit ndë mest të popullit t’ënë të padishëm tue përdorun ç’farë do mjeti e dhelpnie e tue bâmun vegël edhe feën e shkollat
për të na helmuem gjakun, për të na prishun zemrat, për të na rrëmbyem trashigimet Kombtare mâ të shtrenjtat.

Mjerimet e salvimet qi ka hekun Komi Shqiptar, sidomos në pesdhjetë vjetët e mbráme të robniës së vet, janë të panjehuna. Ndonse Kom më vete e të ndamun prej turqvet për nga gjuha e nga zakonet, Shqiptarët qén dënuem të bâheshin flîja e lajthimevet dhe e fajevet të Turqiës me të cilën vetëm fati i zi i kishte pjekun. Kështu ndodhi kohën e Traktatit të Berlinit e kështu do të ngjante edhe mbas luftës Balkanike, kur Europa, tue mohuem të drejtat e Shqiptarvet, mendohej me shpërblyem, me
copa t’ Atdheut t’ënë, fitimin e beslidhunvet të Balkanit mbi Turqiën, atë fitim të cilin Shqiptarët e kishin pregatitun me kryengritjet e veta të fundit.

Mbase 450 vjetë kishin kaluem, 450 vjetë të gjata pësimesh e të vështirash, që kur se flamuri i kuq me shqipen e zezë dykrenshe, ai flamuri i lumnueshëm i Skandërbeut, ishte shdukun prej qiellit të kaltër të Shqipniës. Anmiqt shekullorë të Komit Shqiptar kishin shkelun me kâmbë dhunuese tokën Arbnore të lame me gjakun e bijvet të vet, mbi trupat e të cilvet topitej pareshtun tehi i shpatavet e i thikavet të pushtuesvet barbarë. Të dehun nga fitimi i papritun kundër Turqiës, e të ndezun prej mëniës gjakpijse kundër fisit t’ënë, ushtarët beslidhun të Balkanit kishin urdhën qi të mos kurseshin asfare jetën vllazënvet t’anë, pse kështu qeveriët
e tyne do të mundshin mâ vonë me mbretnuem e me sunduem mâ lehtas mbi pakicat Shqiptare të shpëtueme prej atyne therjeve të pamëshira.

Përpara këtij rreziku të kobshëm qi varej mbi fatin e Atdheut, Shqiptarët, ndonse të turbulluem e të turitun prej rrjedhës së vrulltë t’atyne ngjarjeve të papandehuna e të trishtueshme, e mblodhën mendjen, i bashkuen zemrat e i dhan besën njeni tjetrit qi me u përpjekun e me marrë masat e duhuna për shpëtimin e vendit të të parvet.

Pa humbun kohë, burrat e krenët e tyne mâ të vjefshmit u mblodhën në Vlonë ku, nën kryesiën e të ndëjyemit Ismail Qemal Bej, prokllamuen mvetësiën  e Shqipniës e ngritën Flamurin të kuq e të zi, qi shtërgjyshat u kishin lânë trashigim të palosun e të mbyllun në varret e veta.

Kujtimin e kësaj dite gazmore, të cilën të parët t’anë e kishin pritun me aqë dëshir e qi na, mâ të lumë se ata, patëm fatin e bardhë qi t’a shohim me sy, Komi Shqiptar po pregatitet t’a kremtojë me lulzim më 28 të këtij mueji.

Po të hedhim një sy mbi të ndodhunat e panumërta, të ndryshme e të vajtueshme qi kanë përsjellun jetën e Shqipniës së lirë e qi na vërtiten përpara me shpejtim si fytyrat mbi pëlhurën e nji kinematografi, nuk duem t’i besojmë vetes s’onë, na duket si të jemi n’andërr : e shtatë vjetët, qi na ndajnë prej ditës së proklamimit të Mvetësiës s’onë, na bâhen mâ të gjata e na dalin mâ të hidhuna se 450 vjetët e robniës së vjetër.

Përpara mjerimit t’Atdheut të cunguem prej Konferencës së Londonit, e tue pamun vendin e të parvet e vllaznit e vet akoma të paliruem prej thonjvet t’anmiqvet, Shqiptarët e humbën shpresën, e buerën guximin. Të lânun prej Qeverivet të mëdha pa atë mbështetje e pa atë ndihmë për të cilat ka pasun nevojë çdo komb i vogël në kohët e para të të mkambunit të vet, Shqiptarët muerën prapë tatpjetën e nisën përsëri t’u vên veshin propagandavet të hueja e, sikurse pësimet e të ligat e vuejtuna të mos u kishin vjeftun fare mësim, ran për prapë në fajet e përparshme. Edhe nji herë gjaku i Shqiptarvet nisi me shkuem rrëkeë, edhe nji herë flamuri i ynë u rrëzue e u shduk, edhe nji herë anmiqt e pushtuen tokën e Shqipniës e sunduen edhe mâ rreptësisht mbi popullin t’ënë të ndamun në çeta e në partië gjithfarësh. E as sot të zezat t’ona nuk kanë marrë fund, e fati i Atdheut t’ënë ndodhet akoma i padalluem.

E kremtja e 28 Nândorit duhet të jetë pra për né të gjithë, jo vetëm nji ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe nji ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bâjmë sqyrtimin e vetdijes s’onë. Në këtë ditë duhet të vêmë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten t’onë ndë a kemi bâmun gjithkund e gjithmonë detyrën qi kishim përpara Atdheut. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet t’ona, të harrojmë hidhnimet e anmiqsiët qi na ndajnë, t’i japim vllaznisht dorën njeni tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshavet t’anë se sot e mbrapa do të përpiqemi për të mirën e Atdheut, për lulzimin e Komit, për nderin e Flamurit t’ënë.

Në veprimin e në sjellën t’onë të mbajmë gjithnji ndër mend këshillet e vlerta urtësie, vllaznie e Atdhetarie qi, në veprën e tij profetike, u jipte Shqiptarvet, ndëpër gojë të Marash Ucit, Vjershëtori i ynë kombtar tue u thânë:

“Armët e mbushme mos me i dhânë,
Me shokë t’uej kurr mos me u zânë.
Kurr ujt turbull mos me i rá,
Mos me dalun n’ và t’pa và.
Vendin t’uej me e dashtë për ore,
Me ruejt besë, mos me çartë ndore.
T’huejnë me fjalë mos t’a poshtnoni,
Bukën para por t’i a shtroni
Në Shqipní si âsht kênë zakoni ;
Me i besue mos i besoni !”

Luigj GURAKUQI
Paris më 20 Nânduer 1919.
KUVENDI Romë, 30 Nëntor 1919.
***
Shenim F.R.: Botohet pa asnjë ndryshim prej origjinalit, me rastin e 28 Nandorit
2023.
Melbourne, 27 Nandor 2023.

blank

SHTEPIA E SHEMBUN E LUIGJ GURAKUQIT

blank

“Dërvishi i Luzhës ishte mik i shtëpisë sonë, unë isha i vetmi intelektual i Tropojës që mora pjesë në varrimin e tij- Nga Dervish Hajdar Gurina

 

blank

Dervish Hajdar Gurina

Memorie.al / Dervishi i Luzhës, patrioti dhe kleriku i Tropojës, sa më shumë kohë kalon, aq më shumë vlerësohet dhe lartësohet në mendjet dhe zemrat e besimtarëve. Ai lindi më 15.07.1904 në fshatin Luzhë të rrethit të Tropojës, në një familje të thjeshtë fshatare. Luzha është një fshat thuajse fushor, me një kreshtë të butë, që kalon përmes fshatit, pika më e lartë e të cilit shkon 295 m. mbi nivelin e detit dhe zbret në 240 m. mbi nivelin e detit në pjesën më të ulët, nga ku është hyrja kryesore automobilistike për në fshat. E përshkojnë dy Vitalinat, lumenj të vegjël, që bashkohen në pjesën fundore të fshatit. Kodrat e Bukovës e ndajnë nga Llugajt dhe Dunisha. Mali Dobrej, e ndan nga fshatrat; Tpla, Degë, Berishë, Bytyç dhe maja e Dhinë, nga fshati Mejdan.

Është në “zemër” të Tropojës, por nuk kufizohet drejtpërdrejtë me asnjë fshat të tij. Luzha është një mrekulli natyrore, dhuratë e Zotit ashtu siç është Tropoja, një perlë në zonën e Alpeve shqiptare. Fshati ka pasuri të mëdha natyrore mbi, dhe nëntokësore, gjë që e bën të lehtë jetën e fshatarëve. Në periudhën e dimrit, është e fundit që mbulohet nga bora. Toka e pasur, klima dhe puna e luzhjanëve të palodhur, bëjnë që aty të kultivohen kultura të shumta bujqësore dhe mbarështohen bagëtitë. Periudhën e verës, pjesa më e madhe shtegtojnë në bjeshkën e Balçinës. Historia e popullimit të sotëm, e ka origjinën nga Botusha e Kosovës dhe zë fill në vitin 1555. Një vend i begatë, njerëz atdhedashës, të besës, mikpritës, bujar, punëtor, inteligjentë dhe me histori që për të gjithë brezat e kaluar të bën të ndihesh krenar.

Në këtë fshat me tradita patriotike, fetare, arsimore, kulturore etj., lindi dervish Rexhep Tarçuk Bala, që me vullnetin e Allahut u rrit, u formua dhe u lartësua me devotshmërinë e tij në adhurimin dhe shërbimin në rrugën e Zotit. U rrit jetim, pasi prindërit i vdiqën dhe e lanë të vogël. Për të u kujdes mixha (xhaxhai) Bajram Sefë Bala, që e trajtonte atë, si fëmijët e tij. Që në vegjëli tek ai, u duken shenjat e dervishit të ardhshëm dhe gradualisht Allahu e plotësoi me dijen dhe fuqinë e nevojshme, për të qenë i devotshëm në rrugën hyjnore të Ehlitarikatit, të bamirësisë ndaj besimtarëve që i drejtoheshin atij. Në Kur-an, suretu El Bekare ajeti 21 faqe 33 thuhet: “O ju njerëz, adhuronie Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve dhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm”.

blank

Dhe ky adhurim tek baba Dervish filloi sapo hapi sytë për herë të parë në këtë jetë deri sa kaloi në Ahiret, në fqinjësi të Zotit të tij. Në suren En Nisaë ajeti 1 faqe 109 thuhet: “O ju njerëz! Kinie frikë Zotin tuaj, që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre u shtuan burra shumë e gra. Dhe kinie frikë Allahun, që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin se Allahu, është mbikëqyrës mbi ju”. Për mua, për të gjithë ne që e kemi njohur nga afër Dervish Luzhën, ky ajet kuranor, tingëllon shumë saktë dhe origjinal. Ai ishte i dashur me kushërinjtë, fshatarët, me lidhjet fisnore e miqësore. U gjendej ne kohën dhe vendin e duhur dhe i ndihmonte për ç’ka ata kishin nevojë. Sa i domosdoshëm tingëllon sot ky ajet kuranor, ku duket një “ftohtësi” në familje dhe shoqëri për të mos thënë ndryshe…?!

Gjithë jetën e Tij ia kushtoi kësaj feje, duke e quajtur veten një shërbëtor i thjeshtë, pa mburrje pa fjalë, por fjalë pak dhe më shumë i heshtur, predikonte besimin në një Zot që është Allahu. Ndonjë rast përmendte emrin e ndonjë njeriu që ishte “i padëshiruar” edhe nga opinioni, i cili u kundërvihej njerëzve me “petkun” e pushtetit, servil i regjimit ne fuqi asokohe. Shumë i ri, Rexhep Tarçuk Bala, merr rrugën ku Zoti e çon ne Teqen e Çajës në Kukës. Aty në moshën 17-vjeçare, vishet dervish i tarikatit Halveti, nga sheh Rexhepi, i cili e kompleton me shërbimet e nevojshme. Dervishi kthehet në vendlindjen e tij të dashur, në Luzhë, nga ku ka marrë edhe emrin Dervishi i Luzhës. Nëna e tij Fate, ishte me fat dhe e bekuar pasi Zoti i dhuroi djalin, shenjtorin, prijësin, udhëheqësin dhe ruajtësin e pamjes origjinale të dervishit dhe dervishizmit, në kushtet e një lufte të egër të shtetit komunist, ndaj klerikëve dhe fesë në Shqipëri.

E përndoqën dhe u munduan ta largonin nga rruga e fesë dhe tarikatit, por nuk ia arritën qëllimit të tyre të errët. Personat që i kundërviheshin me vetëdije (moshat madhore) Zoti i ka gjykuar dhe i gjykon. Unë e kam njohur nga afër Dervishin e Luzhës, që në hapat e para të mia në jetë. Vinte shpesh në shtëpinë tonë, pasi ishim komshinj të një vllaznie, por ishte shumë mirë edhe me babën tim, Sali Sadri Gurina, i cili ishte myhyb i tarikatit. Dervishi i Luzhës ishte i thjeshtë. Ai ruajti gjithmonë uniformën e Dervishit Halveti. Taxha që pasqyrohet edhe në fotot që disponojmë sot dhe hirka, rolin e së cilës e luante pelerina e zezë dhe që nuk i hiqte kurrë, ishin pjesë e trupit të Tij. Zoti deshti dhe për brezin tim, që e njohëm nga afër të kënaqur dhe të bindur në shpirt, flasim për cilësitë e Tij gjeniale, për dijen, fuqinë, urtësinë në zgjidhjen e halleve dhe problemeve të besimtarëve, kudo dhe kurdoherë. Në fenë islame thuhet: “Kur Zoti flet me gojën e njeriut, bëhen qeramete (mrekulli)”.

Dhe me gojën e babës Dervish, Zoti foli gjithmonë. Ai ishte i dashur me fëmijët, besimtarët dhe vëllezërit e Tij të tarikatit. Ai vlerësohet për prijësin “model” të dervishit, që punoi për kënaqësinë e Zotit, për të fituar xhenetin e Tij. Dervishi shtegtonte fshat më fshat, duke predikuar besimin tek Allahu, duke u gjendur me dashuri e dhembshuri, tek njerëzit dhe hallet e tyre, padyshim zgjidhjen e tyre. Faktet janë me mijëra dhe mrekullitë e babës Dervish përcillen brez pas brezi. Ne tropojanët i dimë e i njohim mirë. Shikimi i Tij shprehte thellësinë e mendimit, meditimit, sigurisë ne atë që ai besonte, shërbente dhe realizonte. Unë personalisht si besimtar, kam fakte të gjalla, të jashtëzakonshme të bamirësisë së tij fetare, që më ka ndihmuar mua dhe familjen time. Ka bërë shefat (ndërmjetësim) tek Allahu fuqiplotë, mëshirues dhe mëshirë bërës, kështu problemet janë zgjidhur në rrugën e duhur, e për këtë, ne jemi të kënaqur dhe falenderues.

Kështu flasin të gjithë besimtarët. Ai po të vinte në shtëpi, ishte “hijelehtë”, siç thotë populli, të jepte mbarësi, nuk kërkonte kurrë asgjë, në këmbim të shërbimit, nuk merrte për goje pritjen e respektin e bërë. Muzika popullore, këngët, vallet, i pëlqenin shumë. Këtë e tregon lahuta që kurrë nuk e ndau nga vetja. I binte lahutës dhe këndonte, i pëlqente kërcimi i burrave dhe shpesh në dasma kërcente edhe vetë. I plotësuar nga Allahu me dijen e nevojshme, dhuntinë e parashikimit, përcaktimit të ngjarjeve, telepatia dhe largpamësia, e kanë bërë fetar të pavdekshëm, vështirë të arritshëm nga të tjerë. Dervishi i Luzhës, nuk rendi asnjëherë pas kënaqësive të kësaj bote. Qëllimi i vetëm për të, ishte adhurimi dhe puna për kënaqësinë e Tij, veprat e mira për të cilat jam i sigurt që me to, ka fituar dhe do të shpërblehet nga Allahu në përjetësi.

Misticizma apo tesavufi siç njihet nga bota islame, është gjallëria shpirtërore e njeriut. Është fryti që del kur njeriu zhduk egoizmin dhe ekzistencën e tij materiale, me anën e rregullave fetare, bëhet zotërues i fronit të zemrës. Mistikët islamë këtë tezë, e bazojnë në shprehjen e lartë hyjnore: “Nuk më nxë Mua, as qielli im dhe as dheu, më nxë vetëm zemra e besimtarit të bindur. Duke pastruar zemrën nga çdo e keqe, njeriu shenjtërohet, arrin shkallët më të larta morale, i zbulohen të gjitha thesaret e fshehta, mbetet i shkrirë në fronin e Zotit, që në gjuhën fetare mistikët islamë i thonë: “Beka Billah” (mbetje tek Zoti). Unë që shkruaj këta rreshta, jam i sigurt, që Baba Dervish ishte i tillë dhe se ai jetonte, shërbente, për kënaqësinë e Allahut, duke braktisur çdo kënaqësi të kësaj jete materiale.

Dervish Rexhep Tarçuk Balaj, është shenjtori që me vullnetin e Zotit, arriti realizimin e plotë dhe në shkallën më të lartë të mbështetjes në këto katër shtylla, parime, ligje udhërrëfyese njohës dhe respektues i tyre. Në rrugën e gjatë si bamirës, ka shërbyer pa dallime fetare, pa dallime të tjera, duke mos kërkuar kurrë asgjë, në këmbim të shërbimeve. Ishte një patriot dhe luftëtar për çlirimin e Shqipërisë dhe Kosovës, nga pushtuesi i huaj. Me dëshirën dhe kërkesën e Tij, u rreshtua në Brigadën e e XXV-të Sulmuese partizane të Tropojës. Në njërën dorë mbante flamurin tonë kombëtar dhe në tjetrën teberin (shpatën). Ai i priu brigadës çlirimtare, deri në kufi me Serbinë.

Unë që shkruaj në këtë përvjetor të 109-të të lindjes së Dervishit të Luzhës, jam i diplomuar për histori, por kam emocione të mëdha dhe druhem të mos gaboj në jetëshkrimin e Tij. Qëllimi i shkrimit është të përkujtojmë me dashuri, respekt, mirënjohje, përulje, besim dhe shpresë jetën e Dervishit të Luzhës dhe të edukojmë tek të rinjtë respekt dhe besim për fenë dhe Zotin. Dervishi i bëri “fidarie” jetën e Tij, për të përhapur dritën hyjnore, ligjet e Zotit ngado që kalonte, gjithë jetën e Tij, e shkriu për të ndihmuar njerëzit në nevojë, fukaranë, për ata që sytë, mendjen dhe shpirtin i drejtojnë me përulje tek Allahu, shpëtimtari ynë. Nuk mendoj për pasurinë dhe “luksin” e botës reale.

Unë jam dëshmitar kur partia dhe shteti komunist i kërkoi përmes meje, që të pranonte t’i ndërtonin një shtëpi në Luzhë. Në atë kohë unë isha kryetar këshilli për fshatin. Dervishin e gjeta tek shtëpia e Shiqer Ukës, në Matoshaj dhe ia paraqita mendimin e tyre. Ai më tha që; ata duan të më ndërtojnë shtëpi në “vijën e verdhë” dhe nuk pranoi. Gjithë “pasurinë” e Tij, e mbante me vete në një thes. Në dorë, zakonisht mbante një shkop druri, me 72 nyje. Me këtë ai aludonte dëshmorët e Luftës së Qerr-Belasë (mendimi im). Tarikati Halveti, ka një detyrim në raste të veçanta, me detyrë nga shehi i Teqes, që besimtari mbyllet për 40 ditë në vetmi, brenda Teqes. Gjatë kësaj kohe bëhet ziqer, lexohet Kur-an dhe i drejtohen lutje të madhit Zot. Baba Dervish Halvetin, e bënte në mënyrën e Tij të veçantë, në një “gropë varri” në Cerrnicë. Vitet e fundit, i kaloi në fshatin e Tij të dashur të lindjes, në Luzhë.

Fillimisht tek Shiqer Uk Matoshi pastaj vjen tek babai im, Sali Sadria dhe i thotë që; kam ardhë me vdekë, me e “dorëzue shpirtin”, tek shtëpia jote. Baba i thotë që; unë jam komunist dhe ardhja jote shihet për keq nga partia dhe më mbeten fëmijët pa shkollë. Ti e din qejfin dhe dëshirën time Dervish – i thotë baba Dervishit. Po, ashtu është thotë Dervishi dhe unë ty nuk dua të të bëj keq. Pas kësaj ngrihet dhe ikën. Vendoset tek Hysni Halit Bala, deri në fund të jetës së Tij, 81-vjeçare. Aty gjeti respekt dhe shërbimin që i nevojitej atij. Njerëzit shpesh i dëgjon të thonë, që e kam mbajtur ne shtëpi Dervishin. Është e vërtetë që Malësia e Gjakovës e ka dashur Babë Dervishin, si askënd tjetër, por duhet të pranojmë, që Dervishi ka mbajtur veten dhe ne, na ka mbajtur, na mban dhe na ndihmon edhe sot që flasim.

Aty ku është Tyrbja e Tij rreth një vit përpara se ai të vdiste, Hysni Bala ka mbjellë një bli, me kërkesën e Dervishit, tek livadhi i Sefës, gjyshit te Dervish Rexhep Tarçuk Balajt. Kam pasur fatin e madh me vullnetin e Zotit, që të jem vazhdues shpirtëror i rrugës së shenjtë të Ehlibejtit, duke pasur ndihmën e pandërprerë të shenjtorëve të Tropojës, në veçanti të Babës Dervish. Jam i vetmi intelektual i Tropojës, që kam marrë pjesë në varrimin e Tij. Ka qenë e vështirë për atë periudhë politike. Të gjitha rrugët kontrolloheshin nga Sigurimi i Shtetit dhe spiunët për të dokumentuar pjesëmarrësit, por sigurisht që asnjë nuk pati pasoja ndëshkimi nga shteti. Vendin e varrimit e kishte caktuar vetë.

Veprimtaria e Dervish Luzhës, ishte shumë dimensionale: në lartësi pasi lidhet me veprimtarinë hyjnore dhe Allahun e lartësuar, në kohë pasi është e përjetshme, në hapësirë pasi shtrihet në Tropojë, trevat Shqiptare dhe më gjerë. Besimtarë të popujve të ndryshëm nderojnë, ndezin qirinj me respekt dhe besim tek tyrbja e Tij dhe i luten Zotit. Njeriu është mysafir në këtë jetë dhe e gjata është pastaj. Baba Dervishi, plot besim i dorëzuar tek Zoti, punoi gjithmonë që Ditën e Gjykimit në Fushën e Mahsherit, pejgamberi Muhamed (a.s), do t’i hapë derën e xhenetit. Në luftë me jezidin, me të keqin, me veset, njollat në ndërgjegje, me anët e shëmtuara të shoqërisë dhe për më tepër i luftuar nga regjimi komunist, doli fitimtar dhe është dëshmor i Allahut. Në këtë shkrim të shkurtër kushtuar bamirësit të vërtetë të Tropojës, mendoj që të japim disa mesazhe që kanë qenë edhe këshilla të përhershme të Tij:

– Familja është e shenjtë, ta ruajmë të pastër. Aty të sundojë dashuria, respekti, sinqeriteti, bashkëpunimi, hallalli dhe paqja.

– Fëmijët të duan nënën dhe babain me respekt, gjithmonë me përulje ndaj tyre, t’u shërbejnë me devotshmëri. Mos harroni se Zoti, “fillon” tek nëna dhe babai.

– Të respektojmë fqinjin dhe t’i gjendemi për mirë në raste nevoje.

– Të zgjerojmë njohuritë fetare duke respektuar institucionet e Zotit (xhamitë), duke lexuar Kur-an, ligje të sheriatit, të jemi të kulturuar dhe të devotshëm për familjen dhe shoqërinë.

– Institucionet politike dhe shtetërore të shërbejnë me pastërti, humanizëm dhe respekt ndaj ligjeve në fuqi dhe halleve të popullit.

– Mediat e shkruara dhe vizive të bëjnë më tepër në shërbim të edukimit fetar dhe atdhetar të brezave.

– Institucionet fetare të punojnë më tepër dhe të lidhen drejtpërdrejtë me besimtarët kudo që të jenë pa pretendime, por me devotshmëri për kënaqësinë e Allahut. Literature fetare të jetë më sociale dhe të shkojë te besimtari pa interes material, por vetëm shpirtëror, për riza të Zotit.

Duke e mbyllur shkrimin, shpresoj që të kem ndikuar sado pak tek ndjenjat tuaja fetare të besimit, për të mos harruar shenjtorët tanë, por t’i kujtojmë ata me dashuri, respekt dhe besim. Le të jetë jeta dhe vepra e ndritur e Dervishit të Luzhës, model i thjeshtësisë, devotshmërisë dhe përkushtimit për të qenë të plotësuar në detyrat tona familjare, shoqërore, shtetërore, politike dhe për ne Dervishët, në rrugën fetare, në rrugën e Imam Alisë, në rrugën e pejgamberit Muhamed (a.s), në rrugën e Allahut, Zoti tone fuqiplotë. Për mua ka qenë, është dhe mbetet babai, prijësi, udhëheqësi i pazëvendësueshëm shpirtëror.

Në rrugën time si bamirës dhe shërues, jam i sigurt me besimin tek Zoti, se do vazhdoj me përkushtim e devotshmëri të plotë misionin dhe gradën e Dervishit, të dhënë nga Teqeja e madhe e Halvetive të Shqipërisë – Pazari. Zoti e mëshiroftë, faltë dhe dërgoftë në xhenetin më të lartë dervishin Rexhep Tarçuk Balajn. Besimtarët, dervishët e hakut, nuk i varrosin në dhe shenjtorët, por në zemrat dhe shpirtrat e tyre. Zoti bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që të jenë e kurdoherë. Zoti më faltë mua nëse kam bëra pa dashje ndonjë gabim në shkrimin tim. Amin. Memorie.al

blank

Princ Vidi në një optikë të panjohur- Nga Prof. Marenglen Kasmi

Në kuadër të një qëndrimi studimor disamujor në Institutin e Historisë Ushtarake të Potsdamit në Gjermani para disa kohësh, kisha planifikuar hulumtime edhe në arkivin federal në Berlin. Duke rrëmuar nëpër indekset arkivore, hasa dy dosje (vëllime), e para me numrin R 8034/II 8478 dhe e dyta R 8034/ II 8479. Të dyja dosjet kishin mbishkrimin Shqipëria: Veprimtaria shtetërore dhe ekonomike [Albanien, Staats- und Wirtschaftsleben].

Vëllimi i parë fillonte më 15 nëntor 1913 dhe mbaronte më 23 maj 1914, ndërsa vëllimi i dytë vazhdonte prej 24 majit 1914 deri më 9 nëntor 1915. I porosita të dyja dosjet dhe pak më vonë shërbimi i sallës më njoftoi se ato ishin gati. I shtyrë nga kurioziteti ndërpreva punën që po bëja dhe fillova menjëherë t’i shfletoja. Përmbajtja e tyre ishte befasuese. Në to gjendeshin artikuj të gazetave gjermane të kohës, si Vossische Zeitung, Berliner Zeitung am Mittag, Neue Freie Presse, Berliner Tageblatt, Tägliche Rundschau, Vossische Zeitung, Neue Freie Presse, Berliner Lokal Anzeiger, Frankfurter Zeitung, Leipziger Neue Nachrichten, Berliner Neue Nachrichten, Deutsche Tages Zeitung etj., ku shkruhej vetëm për Shqipërinë. Madje, arkivistët, gjatë përpunimit të dokumentacionit – sipas shkrimit duhet që përpunimi të jetë bërë diku rreth viteve 1920 – ishin kujdesur t’i radhisnin artikujt kronologjikisht, ditë pas dite.

Bëhet fjalë për disa qindra artikuj të madhësive të ndryshme. Gazetarët gjermanë shkruanin nga Durrësi e Vlora për situatën në Shqipëri në vitet 1913 – 1914, kur shqiptarët ishin në pritje të princit Wilhelm zu Wied, që Fuqitë e Mëdha u kishin caktuar në krye të shtetit të tyre të ri. Kjo ngjarje ishte mjaft intriguese për lexuesit gjermanë. Një princ gjerman, ndonëse paksa i rënë nga vakti, po dërgohej si sundimtar në një vend krejt të padëgjuar, si Shqipëria. Kështu që, të gjitha gazetat gjermane u kujdesën t’i dërgonin gazetarët e tyre në këtë vend të panjohur e të pazhvilluar. Nga ana tjetër, njoftimet që vinin prej Shqipërisë ishin të rëndësishme edhe për politikën gjermane të kohës. Nuk duhet harruar që jemi në një periudhë ku shtypi orientonte ende politikëbërjen, paçka se është e vështirë të vlerësohet masa e ndikimit të tij në këtë proces.

Vlera historike e këtij dokumentacioni është shumë e madhe. Në të gjenden vlerësime të situatës së përgjithshme të Shqipërisë, pas Shpalljes së Pavarësisë, problemet politike, ekonomike, sociale e kulturore që ka vendi, raportet e tij me vendet fqinje. Më tej, në to raportohet në kohë reale mbi ngjarje të rëndësishme duke u pasqyruar këndvështrimi i personazheve historike, si Ismail Qemali, Esat pashë Toptani, Turhan pasha etj. Sigurisht që në qendër të vëmendjes qëndronte princ Wied-i.

Deri tani, si dokumentacion të kësaj natyre për historinë e Shqipërisë në fillimshekullin XX kemi njohur vetëm Korrespondencën Shqiptare të Leo Freundlich, e përgatitur për botim në vitin 2012 në gjuhën gjermane nga studiuesi i ndjerë, Robert Elsie.

Leo Freundlich, një publicist austriak, duke filluar prej muajit korrik 1913 e deri në gusht të vitit pasardhës mblidhte çdo ditë artikujt e shtypit që flisnin për Shqipërinë. Shpesh ai i shpërndante këta artikuj, të cilët i quante Korrespondenca shqiptare, edhe në zyrat shtetërore të qeverisë austro-hungareze, duke themeluar, në një farë mënyre pa dashur, edhe agjenturën e parë shqiptare të lajmeve.

Krahasuar me Korrespondencën Shqiptare që, sikurse thamë, bazohet kryesisht në shtypin austro-hungarez, por edhe në burime të tjera që Leo Freundlich nuk i përmend, shtypi gjerman jo vetëm që e plotëson dokumentimin e kësaj periudhe, por vjen në një formë edhe më të plotë. Ai mbulon me njoftime një periudhë kohore plot dyvjeçare, nëntor 1913 – nëntor 1915, ndërkohë që Korrespondenca Shqiptare ka pasqyruar një periudhë prej diçka më shumë se një vit, korrik 1913 – gusht 1914. Po ashtu, duhet theksuar se, meqenëse qeveria gjermane nuk kishte interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri, shtypi gjerman ishte në gjendje të vepronte më i pavarur, e të shkruante më i pandikuar, çka ndoshta nuk mund të thuhet për shtypin austro-hungarez apo edhe atë italian, duke ditur interesat e këtyre vendeve në Shqipëri e më gjerë në Ballkan. Nëse i krahasojmë të dyja burimet tona, vihet re lehtësisht që, ndërsa Korrespondenca Shqiptare fokusohet kryesisht vetëm në përshkrimin e ngjarjeve, shtypi gjerman i kushton një rëndësi të veçantë edhe analizës së tyre.

Mund të themi pa hezitim që këto shkrime të shtypit gjerman të kohës përbëjnë dokumentimin më të plotë për historinë e Shqipërisë në vitet 1913 – 1915. Sigurisht që në këto shkrime nuk bëhet fjalë për studime shkencore, por për një gazetari serioze, e cila kujdeset të bëjë analiza sa më të qëndrueshme e realiste. Për të vërtetuar besueshmërinë e këtyre informacioneve, duke iu referuar ngjarjeve kryesore të ndodhura në këtë periudhë, si arrestimi i Esat pashës nga princ Wied-i, kryengritja e Shqipërisë së Mesme etj., i kemi krahasuar ato edhe me burimet arkivore të Arkivit Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Berlin [Politisches Archiv des Auswärtigen Amts]. Përputhshmëria e informacionit është mjaft e madhe.

Sa më sipër, në kuadër të 110-vjetorit të ardhjes së princ Wied-it në Shqipëri (1914 – 2024), mendova të përgatis një botim kushtuar kësaj periudhe të shkurtër historike të Shqipërisë në fillim të shekullit XX, duke u përqendruar në burimet arkivore gjermane për këtë periudhë, e kryesisht në këtë dokumentacion të ri.

Për ta bërë botimin sa më të plotë, në kreun e parë jepet një studim për periudhën e Wied-it, që e kemi quajtur Ksenokracia e një princi gjerman në Shqipëri. Ndër të tjera, në të trajtohen arsyet e zgjedhjes së Wied-it si sundimtar i Shqipërisë, marrëdhëniet e tij me Esat pashën, kryengritjen e Shqipërisë së Mesme, shkaqet e dështimit të qeverisjes së Wied-it në Shqipëri e deri te problemet e Wied-it me drejtësinë pas Luftës së Parë Botërore etj. Ky studim është i rëndësishëm, sepse plotëson kuadrin e botimit dhe e lehtëson vazhdimin e leximit, duke e bërë atë më të kuptueshëm.

Në kreun e dytë, që është edhe pjesa më e rëndësishme e këtij botimi, jepen artikujt e shtypit gjerman të kohës. Kemi përzgjedhur e përgatitur për botim rreth 50 artikuj që trajtojnë periudhën kohore janar – maj 1914. Metodologjia e ndjekur për zgjedhjen e tyre është bazuar në rëndësinë e ngjarjeve, duke ndjekur kronologjinë e zhvillimit të tyre.

Risjellja e refleksioneve të princ Wied-it për Shqipërinë, në kreun e katërt të këtij botimi, e ndihmon lexuesin të krijojë një tablo më të plotë historike për këtë periudhë. Me këto refleksione, lexuesi shqiptar është njohur edhe më parë, por kryesisht me përkthime nga gjuha angleze. E veçanta e këtij botimi është se i sjellim ato për herë të parë të plota dhe të përkthyera nga origjinali në gjuhën gjermane, shtypur nga një manuskript.

blank

Në kapitullin e fundit, botohen për herë të parë në gjuhën shqipe kujtimet e sekretarit të dytë në shërbimin diplomatik gjerman, Rudolf Nadolny. Më 29 prill 1914, Ministria e Jashtme gjermane vendosi hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në formën e një Agjencie Diplomatike pranë qeverisë së princ Wied-it. Meqenëse ende nuk dihej nëse Wied-i dhe qeveria e tij do të qëndronin përfundimisht në Durrës, emërtimi i plotë i kësaj përfaqësie jetëshkurtër ishte “Agjencia diplomatike dhe Konsullata e Përgjithshme për Shqipërinë”. Agjencia e filloi menjëherë aktivitetin e saj dhe provizorisht ajo u drejtua nga Nadolny. Kur Wied-i mbërriti në Shqipëri, Nadolny ishte i vetmi përfaqësues i shërbimit diplomatik gjerman që ndodhej pranë tij. Kujtimet e Nadolny-t hedhin një dritë mjaft interesante mbi ngjarjet e ndodhura. Krahasimi që u kemi bërë kujtimeve të tij me raportet zyrtare që ai dërgonte nga Durrësi në Berlin përgjatë vitit 1914, dokumentacion që gjendet në Arkivin Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Berlin, i klasifikojnë ato pa hezitim si një burim i vlefshëm dhe i besueshëm historik.

***

Kiel N. Nachrichten,  25 janar 1914

Në principatën shqiptare

Nga Fritz Lorch

Shqiptarët dhe kandidatura e Wied-it

Vlorë, 14 janar 1914

Orienti është një sfinks edhe për njohësit më të mirë të tij. Këtë e rikonfirmoi përsëri historia e viteve të fundit: Abdyl Hamiti u kap në befasi nga revolucioni xhonturk, ndonëse kishte ndërtuar në gjithë perandorinë një rrjet spiunazhi të zgjeruar. Sikurse edhe vetë xhonturqit, të cilët pretendonin se e vlerësonin saktë situatën, fillimi i luftës ballkanike i goditi si një rrufe në qiell të kthjellët. Një nga territoret më të panjohura në ish-perandori është edhe principata e re shqiptare. Kush guxon të kuptojë mendimin e popullit shqiptar për kandidaturën e princ Wied-it, ballafaqohet me një mijë vështirësi. Së pari, të karakterit gjuhësor: ka vërtet shumë pak europianë të cilët e kuptojnë dialektin gegë të Veriut, atë toskë në Jug dhe dialektin elbasanas në qendër të perandorisë së re. Përveç kësaj, është mëse e dyshimtë nëse shqiptari do ju thotë të vërtetën: nëse ai është analfabet, nuk do të dijë të përgjigjet fare. Nëse atë e ka parë kultura dhe jo ai kulturën, atëherë ai do t’i përgjigjet intervistuesit në një mënyrë të tillë, që ai mendon se ashtu është më e pëlqyeshmja për intervistuesin.  Ndërkohë nuk duhet harruar se nëntëdhjetë e nëntë për qind e shqiptarëve janë analfabetë! Me të drejtë mund të pyesësh veten nëse “bijtë e shqipes” kanë një ndjenjë kombëtare. Jo më larg se para disa vitesh, kjo pyetje e shtruar në këtë mënyrë të përgjithshme, do të kishte përgjigje negative. Por, me shpërthimin e revolucionit xhonturk ka ndodhur një ndryshim, i cili duhet të konsiderohet befasues. Ishin shqiptarët ata që hodhën tej të parët prangat e sundimit absolut. Ishin po ata që ngritën krye me krenari dhe rrokën armët, kur qeveria e Komitetit në Kostandinopojë tentoi që djemtë e lirë të maleve, të cilët dashuronin të drejtat shekullore si veten e tyre, t’i kthente në osmanë të turqizuar, duke futur sistemin e taksave, shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe alfabetin turk. Për aq kohë sa sulltanët turq i trajtonin shqiptarët si bashkëluftëtarë dhe i shpërblenin, ishin në gjendje të pushtonin botën me ta. Prej momentit, kur ata donin t’u imponoheshin dhe të tronditnin traditat e tyre të vjetra, ata u shndërruan nga miq në armiq. Drejtuesit e popullit shqiptar e kuptuan se vetëm nëpërmjet bashkimit mund të shpëtohej pavarësia e vendit. Dhe menjëherë filloi një agjitacion i gjallë për një Shqipëri të lirë e të pavarur, e cila nuk duhej të kishte më lidhje me perandorinë turke.

Pra, një ndjenjë kombëtare ekziston, si te drejtuesit në qytete ashtu edhe te kryetarët e fiseve në brendësi të vendit. Dhe, këta drejtues e kuptojnë mjaftueshëm situatën e jashtme dhe të brendshme, sa për të ditur që sot, miqtë e tyre të vetëm janë Austro-Hungaria dhe Italia. Shqipëria nuk është ende gati për të qenë republikë. Prandaj, përse nuk duhet të jenë dakord këta prijës shqiptarë për një princ, kandidatura e të cilit mbështetet me vendosmëri nga këto dy fuqi? Shqipëria mund të mbrohet nga etja për territore e Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi vetëm me ndihmën e Aleancës Tripalëshe, pas së cilës qëndrojnë edhe Fuqitë e Mëdha të tjera. Përse duhet që Shqipëria të ndjekë një rrugë të vetën, e cila e çon atë në humnerë? Një arsye tjetër është se Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë ndonjë dinasti të vetën. Arsyeja qëndron në karakterin popullor primitiv demokratik, në pakalueshmërinë dhe izolimin e vendit, i cili nuk ka lejuar asnjëherë krijimin e një shteti modern por më tepër favorizonte ndarjen në shumë organizime fisnore. Po ashtu, shqiptarët e kanë të qartë që asnjë prijës fisi, i vjetër apo i ri, nuk është i pavarur mjaftueshëm, qoftë mendërisht ashtu edhe financiarisht, për të dominuar mbi prijësit e tjerë, të cilët deri në këtë kohë kanë qenë në të njëjtin rang. Nga ana tjetër, princi vendas do të ishte mysliman, katolik ose ortodoks. Asnjëra origjinë e tillë nuk do të ishte e mirë. Një princ mysliman do të kishte kundër malësorët e frikshëm katolikë dhe mirditorët në Veri, si edhe ortodoksët e kultivuar në Juglindje. Por edhe një princ “latin” ose “grek” nuk do të qeveriste dot pa shumicën myslimane. Duhet përmendur që ndërmjet shqiptarëve nuk ka pasur kurrë konflikte fetare serioze dhe të krishterët dhe myslimanët jetojnë në paqe me njëri-tjetrin, në këtë kontekst luftarak europian. Megjithatë është më mirë që princi i ardhshëm të mos i përkasë asnjërës nga tre besimet fetare.

Natyrisht duhet që Princi të sjellë me vete para, madje shumë para. Shqipëria ishte e pasur për aq kohë sa shqiptarët ishin shok armësh dhe vezirë të turqve dhe sillnin plaçkë lufte në shtëpi. Por, që kur vendi është i varur prej burimeve të veta, kur armiqtë e shtrëngojnë nga të gjitha anët, kur gjakmarrja është shndërruar në një sport par exellence, bijtë krenarë të maleve janë shtrënguar të emigrojnë për të fituar bukën e gojës ose të kthehen në lypës dhe të vuajnë nga uria, të vjedhin njëri-tjetrin dhe të shkatërrojnë ato pak vlera që ka vendi. Me paratë që pritet të sjellë Princi ose që do të vijnë së bashku me të, duhet të ndërtohen hekurudha, të kultivohen sipërfaqe të mëdha toke, të ndërtohen porte dhe mole detare dhe të zhvillohet industria. Norma e interesit për paranë është shpesh mbi 60 përqind! Shqiptari nuk është në gjendje të paguajë taksa, sepse është i varfër; hë për hë, si burim të ardhurash shërbejnë vetëm doganat. Prandaj pritet që me ardhjen e princ Wied-it, do të vijë edhe një rrymë e madhe ari në vend.

Se çfarë roli të madh do të ketë “paraja” në perandorinë e re të shqiponjave mund ta kuptosh nga fakti që, sot, Shqipëria ka tri qeveri vetëm përgjatë bregdetit, – pa përmendur ato në brendësi të vendit. Këtu në Vlorë, së bashku me Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit, sundon Ismail Qemali, një pasardhës i trungut të vjetër të Vlorajve. Në Durrës mbretëron Esat pasha dhe në Shkodër drejton Komisioni i Marinës i Fuqive të Mëdha. Të gjitha këto qeveri, me përjashtim të Shkodrës, e sigurojnë ekzistencën e tyre nga taksat doganore. Nëse Princi i ri dëshiron të dalë i fituar nga konfliktet administrative me gjithë këto grupime, duhet që të ketë në dispozicion të tij më shumë mjete financiare. E thënë shkurt dhe qartë: sa më shumë [para] të sjellë Princi me vete, aq më e përzemërt do të jetë pritja e tij.

***

Berliner Lokal-Anzeiger,  26 prill 1914.

 Si u krijua Froni shqiptar?

Nga E. L. Platz

Është krijuar një Shqipëri e lirë dhe e pavarur. Banorët e saj, pasardhës të ilirëve të lashtë, fiset e të cilëve u përhapën në të dy brigjet e detit Adriatik e deri në Danub, ishin të pavarur në gjuhë, organizim dhe zakone. Ndonëse dalloheshin për cilësi të larta fizike dhe mendore, ata nuk mundën të formonin një shtet koheziv, sepse ishin të ndarë dhe nuk ishin në gjendje t’i linin përfitimet personale ose fisnore para interesit të përbashkët. Gjithashtu, ata nuk ishin mjaftueshëm të fortë për të shmangur armiqtë e jashtëm dhe kësisoj, iu nënshtruan sundimit romak, sundimit bizantin, sundimit serb dhe atij turk. Vetëm disa personalitete të forta arritën që nën udhëheqjen e tyre, të bashkonin përkohësisht një pjesë të madhe të vendit. Gjergj Kastrioti, princi i Krujës, i quajtur Skënderbeu, heroi legjendar kombëtar është ende i gjallë sot në memorien e popullit. Për 25 vite të përgjakshme, ai luftoi për lirinë e atdheut të tij kundër epërsisë së madhe të ushtrive turke. Ai e quajti veten me krenari “Princi i epirotëve dhe shqiptarëve si dhe ushtar i Jezu Krishtit”. Një ethe tinëzare i mori atij jetën. Populli i tij luftoi për pavarësi edhe për njëmbëdhjetë vjet të tjerë derisa iu nënshtrua dominimit turk në vitin 1479. Përsëri e në vazhdimësi, shqiptarët, bijtë e shqiponjave, tundnin krahët për të shkatërruar zinxhirët e urryer të robërisë. Por, atyre u mungonte udhëheqësi, që me grusht të hekurt ti mbante të bashkuar. Vitet e gjata të robërisë e ushqyen shpirtin e popullit shqiptar me dëshirën për drejtësi dhe liri. U hodhën kështu rrënjët e identitetit kombëtar deri sa erdhi ora e ndërgjegjësimit politik për bashkimin kombëtar.

Dhe erdhi ora! Europa foli; ajo donte paqe dhe siguri në Ballkan, një kundërvënie ndaj rivalitetit në rritje në brigjet e Adriatikut. Ajo krijoi një Shqipëri të lirë, të pavarur dhe caktoi një princ gjerman për ta udhëhequr atë me dorë të fortë drejt paqes dhe kulturës: princin Wilhelm zu Wied. Territoret kufitare të vendit, vazhdimisht të diskutueshme, por pjesërisht të mbipopulluara nga popujt sllavë dhe helenë, u ndanë me një të rënë të lapsit dhe ranë në duart e Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë. Bërthama e vendit që mbeti në Shqipëri tregon ende ndarjet e vjetra: fiset e gegëve në Veri, të toskëve në Jug, janë të ndryshëm në dialekt dhe strukturë; të krishterët katolikë në Veri, greko-ortodoksët në zonat jugore dhe midis tyre janë myslimanët. Populli vazhdon të jetë i ndarë në fise, në malësorë, qytetarë dhe fshatarë. Të gjithë janë të ndryshëm në mendime, dëshira dhe ndjenja. Po ashtu edhe në të vepruar. Vetëm klithma e lirisë dhe e pavarësisë i zgjoi zemrat e tyre. Mbreti po vjen për të marrë trashëgiminë e Skënderbeut. Një murmurimë përhapet gjithandej: “Mbreti po vjen!” Ai do të sjellë paqe, liri e begati, por do të jetë edhe një gjykatës i drejtë. Frika nga ndëshkimi tashmë po paralizon dorën e krimit, i cili haset rrallë. Ai do të jetë mbrojtës i gjithë besimeve fetare, myslimanë e të krishterë. Kështu ata nuk do të ndikohen nga fanatikët. Ata duhet të punojnë së bashku për detyrën madhore, atë të rimëkëmbjes dhe zhvillimit të atdheut.

Rrugët e hendeqet që të çojnë në Durrës, janë mbushur plot njerëz, të cilët vijnë nga malet e nga fusha, duke ecur në këmbë, mbi kuajt e tyre të vegjël e të forte dhe mbi qerre të tërhequra nga buajt. Veshur me kostumet e tyre të lashta e piktoreske, si në një kortezh pelegrinazhi, burra, gra – të mbuluara e fytyrëzbuluara – dhe fëmijë, po shkojnë të shohim mbretin e tyre.

I zgjuar nga gjumi shekullor, Durrësi përgatitet të bëhet rezidenca e mbretit. Mbi themelet e kalasë ngrihet godina gjysmë e rrënuar e gjykatës turke. Tani ajo do të kthehet në pallat, në “konakun” e princit. Para saj, në breg të detit, gjendet një kopsht i lulëzuar, në të cilin gjelbërojnë palmat dhe dafinat. Sheshi i portit, deri tani një grumbull i ndyrë rrënojash, me varrin e një myslimani të shenjtë në qendër, po rrafshohet e pastrohet dhe po dekorohet për festën. Kënetat pranë konakut po thahen. Një komision mjekësor po kontrollon puset dhe kanalizimet e qytetit dhe nxjerr urdhëresa. Mjeku personal i princit, që erdhi para tij, vaksinon fëmijët, të cilët fillimisht dolën vullnetarë, për të shmangur kësisoj epideminë shkatërruese të lisë.

Edhe rrugicat e shtrembra dhe me gunga u zbukuruan. U ndërtuan hotele, taverna dhe kafene: “Tek shpella blu“, “Tek guva e hajdutëve”, “Tek bujtina e gërmuesve të arit”, të cilat janë kthyer në miniera floriri për pronarët. Deri në katër burra flenë në një dhomë të mjerë, me mobilje copë-copë, por që e paguajnë shtrenjtë. Me çdo anije mbërrijnë nga Austria e Italia mysafirë të rinj, gazetarë, fotografë e kinematografë, gjuetarë punësh, spekulantë dhe aventurierë, sipërmarrës të rinj, tregtarë, zejtarë dhe teknikë. Por asnjë gjerman nuk vjen. Edhe këtë radhë si shpesh herë, ai do ta humbasë shansin duke u menduar gjatë, ndërkohë  që të tjerët po ndërtojnë e rimodelojnë shtëpi, po shtypin mijëra kartëvizita për zyrtarët e rinj, po shtypin e shumëfishojnë rregulloret e reja, po bëjnë këpucë lustrafine e frakë për nëpunësit e rinj, po pjekin paninet etj.

Pas hekurave të dritares së haremit, gratë vështrojnë me kureshtje ngutjen dhe nxitimin e njerëzve në rrugë, të cilat zakonisht janë kaq të qeta. Patriotët mblidhen nëpër taverna për të diskutuar për politikë, për t’u këshilluar, por edhe për të vepruar. Shpirti i njerëzve fillon të vlojë dhe mjafton shkaku më i vogël për t’u derdhur. Një bej nga Jugu, i cili ishte plaçkitur nga grekët, hedh në tokë e thyen një tavllë duhani duke e shkelur në mënyrë demonstrative atë me këmbë, vetëm sepse në të me germa greke është shkruar emri i firmës prodhuese, “Singer”. Përfaqësuesi i kompanisë dhe ortodoksët e pranishëm ngrenë zërin, protestojnë. Situata bëhet e dhunshme. Përleshja pasohet nga një paradë nëpër rrugica, duke kënduar këngë patriotike dhe duke mbajtur fjalime. Një thashethem po qarkullon nëpër qytet: Nesër, 60 patriotë do të vijnë nga Vlora. Me vete kanë kuti me bojë dhe furça të mëdha, për të lyer shtëpitë ortodokse, nga bardh e kaltër, me ngjyrat e shqiptarëve, në kuq e zi. Ditën tjetër, qysh herët në mëngjes, pronarët e shtëpive të kërcënuara janë duke punuar për të parandaluar katastrofën. Ata po i lyejnë vetë shtëpitë me ngjyrat kuq e zi. Dhe boja, për fat të keq le gjurmët e saj edhe në palltot e shumë të huajve të pakujdesshëm.

17 shkurti është një ditë historike. Esat pasha nga familja Toptani, trashëgimtar i përfaqësuesit të Sulltanit në Tiranë, mbrojtësi i Shkodrës, me emër të madh, i frikshëm dhe megjithatë i respektuar, ambicia e të cilit ishte kurora e Shqipërisë, e mposhti dëshirën dhe hoqi dorë nga kurora. Ai shkon në Gjermani si udhëheqës i delegacionit të Shqipërisë për t’i ofruar princ Wied-it kurorën. Njerëzit e shoqërojnë deri në port. Në një fjalim të shkurtër ai vë në dukje rëndësinë e ditës, bashkimin dhe pavarësinë përfundimtare të Shqipërisë, të mishëruar në personin e Mbretit, të cilin po shkojnë ta marrin. “Rroftë mbreti Wilhelm I, rroftë Shqipëria!”, brohoret turma. Esat pasha hoqi dorë. Nga zgjuarsia vallë? Nga dashuria për atdheun?

Të gjitha ngjarjet e ditëve në vijim: evakuimi i Korçës nga grekët, ardhja e bandës muzikore nga Brindisi, delegacioni i mërgimtarëve shqiptarë nga Amerika e Veriut (Bostoni), Rumania, Italia, Bullgaria dhe Dalmacia, shkollat, topat e dërguara nga Italia për të përshëndetur ardhjen e princit, e Marta e Shenjtë, shkaktonin shpërthime të gëzueshme në shpirtin e popullit. Me një bandë muzikore ciganësh në krye, turma njerëzish bredhin çdo mbrëmje rrugicave që të çojnë te konaku, që tani për tani mishëron idenë princërore, duke thirrur pandërprerë: “Rroftë Mbreti! Rroftë Shqipnia!

Më 5 mars u kthye Esat pasha me delegacionin. Ai i njoftoi njerëzit që u grumbulluan rreth tij se ata kudo në Europë ishin pritur me dashamirësi dhe se princ Wied-i i kishte pranuar simbolikisht ujin, dheun dhe bukën e Shqipërisë, se ai ishte mbreti i tyre. Thirrjet “rroftë” nuk mbaronin. Gjithçka është gati, pranvera po vjen dhe lulet po çelin. Qyteti është zbukuruar. Në port janë ngritur tribuna, në shtyllat e larta të lyera me ngjyrë të kuqe valëviten flamuj, janë vendosur drita elektrike për ndriçim dhe janë bërë gati fishekzjarrët. Konaku, shtëpia e parë e Wilhelm-it I, është gati të presë atë dhe gruan e tij, mbretëreshën.

Mëngjesin e 7 marsit dielli lind me shkëlqim mbi malet e Shqipërisë. Duke premtuar një të ardhme plot dritë për vendin, ai zgjon banorët me rrezet e tij, për t’u përgatitur për ditën e madhe që sapo ka gdhirë. Shpejt rrugicat dhe sheshi fillojnë të gjallërohen. Delegatët e ardhur po mblidhen. Ata shkëmbejnë me njëri-tjetrin shpresat dhe frikën e tyre për të ardhmen. Por sot ata presin me gëzim të takohen me të ardhmen e tyre, në këtë ditë të madhe, që ka bërë bashkë toskë dhe gegë, ortodoksë, katolikë dhe myslimanë. Fesi i kuq turk i ka lënë vendin qeleshes së bardhë të shqiptarëve.

Vazhdojnë e vijnë ende të ftuar të tjerë. Delegatë vendas dhe të huaj. Komandanti anglez i trupave ndërkombëtare në Shkodër, kolonel Philipps, shfaqet në krye të oficerëve të tij, kryetarit të bashkisë dhe disa përfaqësuesve të parisë së Shkodrës, me një tunikë të kuqe flakë  dhe me helmetë mbi kokë. Trupat dhe xhandarët e komanduar për shërbim nderi shkojnë në postet e tyre. Qielli është mbuluar me një vello të lehtë resh, duke ia bërë më të lehtë pritjen turmës, e cila është derdhur në shesh. Një pjesë e kureshtarëve, për të pare më mirë kanë hipur mbi çatitë dhe ballkonet përreth, duke formuar një grumbull shumëngjyrësh kostumesh kombëtare dhe uniformash.

Duke valëvitur flamujt, delegacionet e ardhura nga krahinat e vendit dhe nxënësit e shkollave ​​zënë vendet e caktuara. Në mes të sheshit, banda muzikore italiane luan himnin kombëtar në tribunën e ngritur për ta. Ka kaluar ora një dhe entuziazmi është në kulm. Një lloj çoroditje ndihet mes turmës. Anijet shihen në horizont. E para ndër to, “Taurus-i” i hollë austriak, i cili është caktuar të sjellë çiftin princëror në shtëpinë e tyre të re.

Ai ndiqet në vijën të drejtë nga një kryqëzor italian, një francez dhe një anglez. Nga anijet luftarake të ankoruara në port dhe nga bateria e artilerisë e pozicionuar mbi qytet, dëgjohen të shtënat salutuese të topave. Banda muzikore luan himnin kombëtar austriak, kambanat e kishës dërgojnë përshëndetjen e tyre dhe entuziazmi i përmbajtur prej kohësh i turma çlirohet në brohoritje të zhurmshme.

Esat Pasha shkon në bordin e “Taurus-it”. Ai ka veshur një kostum civil të zi dhe mban një fes bardhë e gri në kokë. Durimi i atyre që presin është ende në provë. Në orën 3, u dëgjuan përsëri të shtënat e topave. Varka me princin i afrohet molit me shpejtësi të madhe. Një mirëseardhje e zhurmshme përshëndet sovranin teksa ai shkel në tokën shqiptare. Përfaqësuesit e qeverisë së përkohshme, konsujt e huaj, koloneli Philipps, pastaj shefi i oficerëve holandezë dhe personalitetet fetare e presin çiftin princëror te shkallarja. Pastaj kolona vazhdon ngadalë drejt tokës. Në krye ecën Princi. Ai është i gjatë, ka veshur uniformën e re kombëtare me shiritin kuq-zi-kuq dhe në kokë mban kapelën e bardhë. Serioz, por miqësor, ai përshëndet rojet e nderit. Pranë tij, e shoqja, Sofia, e veshur me të bardha dhe me fytyrë pak të skuqur nga emocioni.

Në të majtë të saj, pothuajse në të njëjtën radhë, ecën Esat pasha. Ai kthehet nga bordi i anijes me uniformën e re të gjeneralit të vendit veshur, si ushtari i parë i mbretit të tij. Pas tyre vijnë shoqëruesit. Kolona drejtohet drejt kopshtit të pallatit. Aty, kryetari i qeverisë së përkohshme, Leoni, në emër të Fuqive të Mëdha, pret çiftin princëror në tokën shqiptare dhe i dorëzon princit fatin e Shqipërisë së lirë, tashmë të bashkuar, me të gjitha pushtetet.

Gjatë fjalës, ai e vendos theksin në vështirësitë dhe dasitë e mëdha që ekzistojnë në vend, me të cilat princi duhet të ballafaqohet. Princi falënderon Komisionin dhe kërkon që ata të vazhdojnë ta ndihmojnë edhe më pas, duke marrë në konsideratë situatën e vështirë në të cilën ai mori detyrën.

Në fund të dy fjalimeve të gjata, nga turma e ngjeshur u dëgjuan brohoritje për mbretin, mbretëreshën, fëmijët princërorë dhe Shqipërinë e bashkuar. Kolona vazhdoi lëvizjen nëpër kopshtin e pallatit. Çifti princëror i përshëndet të gjithë në mënyrë miqësore. Nxënësit e shkollës qëndrojnë në fund. Të vegjlit i dhurojnë princeshës buqeta të mëdha me lule.

Me gëzim të dukshëm, kjo grua e lartë i pranon këto dhurata nga fëmijët, e ardhmja e vendit, si simbol i dashurisë dhe besnikërisë. Në pragun e pallatit, një përfaqësues rumun, vendos para këmbëve të princeshës dy pëllumba të lidhur me një kordon ari.

Ata duhej t’i çonin përshëndetjet dhe mesazhet mbretëreshës Carmen Sylva. Princesha i mban shtrënguar pëllumbat pranë zemrës, si një simbol paqeje dhe nuk i lëshon. Edhe një herë shoqëruesit dhe delegacionet japin urimet e tyre. Më pas, çifti princëror, i prekur nga rëndësia e momentit, hyn në sallë, nën çatinë që do t’i mbrojë këtej e tutje, e që do të jetë shtëpia dhe kështjella e tyre, “shtëpia e babait” për popullin e tij.dita

blank

Le Petit Parisien (1908) Turqia e re- Çfarë do bëjnë shqiptarët?- Intervista ekskluzive me Ferid Pashën, ish-kryeministrin shqiptar të Perandorisë Osmane

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Nëntor 2023

“Le Petit Parisien” ka botuar, të hënën e 31 gushtit 1908, në faqen n°3, intervistën ekskluzive me Ferid Pashën mbi të ardhmen e Perandorisë Osmane dhe shqiptarëve, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Turqia e re

Çfarë do të bëjnë shqiptarët ?

Deklarata të rëndësishme të ish-kryeministrit Ferid Pasha

Kostandinopojë, 30 gusht.

Nga të gjithë popujt që përbëjnë Perandorinë Osmane, shqiptarët janë padyshim më interesantët. Ata posedojnë cilësi të cilat, në Lindje, nuk i has shpesh : ata janë njëkohësisht inteligjentë dhe energjikë. Ata luajtën një rol të rëndësishëm në lëvizjen xhonturke. Mund të thuhet pothuajse se revolucioni është vepër e tyre. Niazi Beu, Riza Teufiku, Selim Sirri dhe shumë të tjerë janë me origjinë shqiptare.

Por, nëse do t’u besohet disa pesimistëve, atë që kanë bërë shqiptarët, shqiptarët e tjerë mund ta zhbëjnë. Tashmë shqiptarët prej kohësh i kanë dhënë Sulltanit një gardë besnike dhe të frikshme. Qëndrimi i këtyre ushtarëve, pamja ushtarake e të cilëve u bën përshtypje të gjithë atyre që marrin pjesë në Selamllik, shkakton shqetësim. Pretendohet se një regjiment i tyre refuzoi të bënte betimin në Kushtetutë dhe është e sigurt se këta pretorianë përbëjnë shpresën e fundit të armiqve të regjimit të ri.

I etur për të ditur mendimin e një personi kompetent, shkova dje te ish-veziri i madh Ferid Pasha, i cili është edhe vetë një fëmijë (bir) i Shqipërisë dhe një burrë inteligjent e guximtar.

Ju e dini se Ferid Pasha, në kohën kur ishte në detyrë, ishte i pari që deklaroi qartë se rivendosja e Kushtetutës ishte e nevojshme. Ju gjithashtu e dini se para se të ndiqte këshillën e tij, sulltani filloi duke i hequr vulën e shtetit. Që atëherë, Ferid Pasha roli i vërtetë politik i të cilit sigurisht sapo ka filluar ka jetuar në prapavijë dhe i ka ndjekur nga larg ngjarjet që ai kishte planifikuar dhe dëshiruar me zell.

— Shqiptarët, më tha ai, përbëjnë pararojën e osmanëve në anën evropiane, me të cilën janë në kontakt të drejtpërdrejtë. Ata kanë një mendje të gjallë, një inteligjencë « elastike » dhe një aftësi të jashtëzakonshme për të lëvizur dhe mbi të gjitha për t’u përshtatur me mjedisin ku jetojnë. Prandaj nuk duhet të habitemi kur shohim kaq shumë shqiptarë në rangun e parë të xhonturqve.

Sa për shqiptarët e gardës perandorake, ata do të respektojnë, të jenë të sigurt, betimin që i bënë sovranit të tyre. Besnikëria dhe mirënjohja janë virtyte që këta njerëz i praktikojnë në shkallën më të lartë.

Por kini kujdes të mos nxirrni nga ky fakt as përfundimin më të vogël të pafavorshëm për regjimin e ri. Sovrani është i lidhur me Kushtetutën, ashtu si populli është i lidhur me sovranin me një lidhje të vetme, të cilën askush, ta themi me zë të lartë, nuk ëndërron dhe nuk mund ta ëndërrojë ta lëshojë. Është gjithashtu e pavërtetë që shqiptarët e gardës janë armiqësorë ndaj kësaj Kushtetute, të cilën Madhëria e Tij ka premtuar solemnisht, në disa raste, se do ta ruajë dhe do ta respektojë.

Pra, Madhëri, ju nuk parashikoni ndonjë rrezik reagimi nga kjo anë ?

Asnjë. Dhe ju lutem, përsëriteni këtë, sepse legjendat duhet të shkatërrohen dhe të pengohen që të përhapen.

Shkaqet e dorëheqjes

Më pas e pyeta Ferid Pashën se në çfarë kushtesh kishte lënë pushtetin.

— Më shumë se njëzet herë e kam ofruar dorëheqjen. E dija shumë mirë që situata ishte shumë e rëndë dhe se nëse Turqia donte të mbijetonte, duhej të hiqte dorë nga gabimet e së shkuarës dhe të hynte me vendosmëri në rrugën e reformave. Unë kam qenë i vetmi që kam guxuar të them hapur të vërtetën, sado e dhimbshme për sovranin. Ditën kur m’u desh t’i tregoja Madhërisë së Tij pasojat fatale të një gjendjeje kundër së cilës nuk kisha pushuar kurrë së protestuari, në masën e fuqisë sime, i thashë : “Më mirë do të tërhiqja mbi vete zemërimin e Madhërisë suaj të keqinformuar sesa të marr përgjegjësinë për atë që do të ndodhë nesër!” Ju e dini pjesën tjetër.

Epo! me vullnetin e mirë për të cilin tashmë keni pasur kaq shumë prova, ne do të kompensojmë shpejt kohën e humbur. Ne po llogarisim, për më tepër, tek perëndimorët, veçanërisht tek francezët, që të na ndihmojnë, të na lehtësojnë detyrën.

Dhe si, Madhëri ?

— Mbi të gjitha, ne kemi nevojë të edukojmë veten dhe duhet të marrim si shembull sistemin tuaj arsimor. Ne kemi futur tashmë në administratën tonë disa nga institucionet tuaja : Këshillin e Shtetit, Gjykatën e Kasacionit, Gjykatën e auditimit. Ne kemi miratuar kodet tuaja, procedurën tuaj. Shumë prej nesh flasin gjuhën tuaj, një instrument i mrekullueshëm përparimi dhe qytetërimi. Natyrshëm, ne drejtohemi ndaj jush për të kompletuar arsimin tonë, me dëshirën për t’i dhënë Perandorisë Osmane vendin që i takon në koncertin evropian.

F. M.

blank

“Toka amerikane” në Tiranë, historia e pronës ku ndodhet sot Ambasada e SHBA-ve! Arsyeja pse mbreti Zog e shiti dhe pse trualli u la bosh për vite me radhë

UVIL ZAJMI/ Nga nëntori i vitit 1963, te ky aktual, kanë kaluar ’60 vite, nga dita kur u papritur një e shtënë, dy, tre goditën për vdekje presidentin amerikan JF Kenedi, ndërsa ai po shëtiste me një Limusinë në njërën nga rrugët e Dallasit në shetitin e Teksasit.

E nëse shkon në Uashington, e do preferosh të bësh një vizitë në Arlington Cimitery, aty ndodhet një pjesë e historisë së kësaj familjeje, ajo më tragjikja, pasi pikërisht në atë memorial është varri i tij dhe i familjes së tij.

Me origjinë irlandeze, deputet, pastaj senator i shtetit Masacuset, është i pari president amerikan i fesë katolike. Një karrierë e shkurtër politike, pasi u nda nga jeta në moshë shumë të re. Janë vitet e luftës së ftohtë, pastaj vrasja, kur ishte vetëm 46-vjec. Nga ai nëndor i largët, janë lënë pas disa dhjetëvjecarë, por figura e JF Kenedit vazhdon të mbetet edhe sot shumë e vlerësuar. nga historianë, filozovë, admirues, qytetarë. Sigurisht edhe për shqiptarët, që e kanë përjetuar nga larg atë dramë. Një botë e tërë e kujton sot me nderim, figurën e tij.

MUZETË

Udhëtimin disa ditor në SHBA, në Uashnington e kam të lidhur jo vetëm me qëndrimin me familjen e vajzës, nipin Roi, që prej vitesh jetojnë, punon atje, por në vijim për të parë e riparë sigurisht Shtëpinë Bardhë, United States Capitol, Muzeun Lincoln, Memorialin e ushtarëve amerikanë të rënë në Vietnam, etj, etj. Bashkë me to dhe mrekullitë që të ofrojnë muzetë gjigantë të Uashingtonit, National Air and Space Museum, National Museum of American, National Museum of Natural History, United States Holocaust Museum etj.

Nga kapsula e anijes kozmike Apolo 11, avionët e luftës në Vietnam, ato presidencialë, Enola Gay-n që hodhi bombën atomike në Hiroshima, një Boing B-29, me emrin e nënës së pilotit, kolonelit Paul Tibbets, etj. Të hapura në cdo ditë të javës, hyrje e lirë, por shumë vizitorë, shpesh e pamundur të futesh, pa bërë një prenotim më parë.

VARREZAT

Përveç takimit me të afërm, miq, shokë, për mua ka një tjetër efekt dhe moment emocionues Uashingtoni, një qytet i stilit europian, pa gradiacela, përkundrazi, me një gjelberim të jashtëzakonshëm i shtrirë në hapësira të mëdha. Por, ajo që më shtyn të shkoj te Varrezat e Arlingtonit, te ai memorial kolosal është e lidhur kryesisht me të kaluarën, ngjarjen e madhe tragjike që tronditi botën, siç ka qenë ajo Xhon F. Kenedit dhe historia e tij. Një burrë i pashëm, president në moshë të re, demokrat, i edukuar, koha e tij mbetet edhe sot një stil modern, mënyrë kenediane e të jetuarit, të qenit, sjelljes, me principet kryesore të jetës, elegancës, lirisë për një qytetar, politikan amerikan. Jo vetëm për ata në Shtëpinë e Bardhë por në të gjitha shtetet në Amerikën e Bashkuar.

Pastaj dashuria me Zhaklinën, gruan bukuroshe, deri te vrasja, e cila ka patur një jehonë që vazhdoi gjatë, vite e dekada më pas. Edhe në Shqipërinë komuniste të fillim viteve 60-të, ajo ndodhi pati impaktin e saj, pasi Kenedi ka qenë i simpatizuar nga shqiptarët dhe brezat e asaj kohe. Pikërisht në ato varreza, ku janë të vendosur të gjithë ushtarakët amerikanë të rënë, midis tyre, në një sipërfaqe të kufizuar është edhe ish-Presidenti JFKenedi, gruaja e tij Zhaklin dhe djali i tyre. Në hyrje të paraprin Këmbana e Madhe, dhuratë e Hollandës për SHBA-në si falenderim per ndihmën e dhënë gjatë luftës së dytë botërore, pranë të cilës është Memoriali i Marine Corps, një vepër skulpturale e inspiruar nga një fotografi, kur gjashtë marinsa ngulin flamurin amerikan në majë të malit Suribachi në Japoni, në betejën e Iwo Jima-s gjatë luftës së dytë botërore.

I befasuar gjindesh sapo futesh në atë gjelbërim  kolosal 2.5 km2, ndërsa nis të ngjitësh shkallët, kudo i shoqëruar nga tabelat “Qetësi dhe Respekt”. Njerëz në pafunëdsi që lëvizin në këmbë ose me mjetet e vëna në dispozicion, të gjithë do të kalojnë e ndalojnë aty, domosdosmërisht tek varri i familjes Kenedi. E rrethojnë atë memorjal, ku ndodhet një pllakë e vendosur në tokë një drejtkëndësh 10x 15 metra, e kufizuar me një litar simbolik, të gjithë në heshjte, me aparate nw duar duke bërë foto. Ngjitur me të, në një kodër të vogël është muzeu, i rrethuar me një gjelbërim, qetësi por edhe madhështi.

ROBERT E. LEE

Është kthyer në muze, ajo që quhet Shtëpia e Komandantit të Flotës Robert E Lee Memorial, që ndodhet në majë të kodrës disa metra mbi varrin e familjes Kenedi. Një ndërtesë dy katëshe me një kontroll shumë rigoroz kur futesh. Ajo që të mrekullon përveç çafër është vendosur aty, pjesa më e rëndësishme I përket pavionit të familjes Kenedi, ku janë ekspozuar foto të ceremonisë së varrimit, veshja, tromba e oficerit që drejtonte marshin funebër, detaje të karrocës, kuajve, veshjet, gjithçka që ka lidhje me atë funeral. Të ruajtura me kujdes dhe me informacionin e nevojshëm.

Pastaj pavione të tjerë, ku janë vendosur pjesë të historisë së familjes së komandantit Lee i cili e ja kishte dhuruar shtetit amerikan atë shtëpi. Pastaj dalja dhe qëndrimi në një shesh në gjysme harku ku janë vendosur të gdhendura në mermer thënie, fraza në memorje dhe në nderim të ushtarakëve amerikanë të rënë nëpër botë. Dhe pamja që të ofrohet është një tjetër mrekulli, kur nga lart ke mundësinë të vështrosh në thellësi Memorial Avenue, Arlington Memorial Bridge dhe Lincoln Memorial.

VRASJA

Ka qenë e premte, 22 nëntor të vitit 1963, në Dallas të Teksasit, në orën 12.30, John Fitzgerals Kennedy u plagos shumë rëndë nga goditjet e një arme ndërsa ai po shëtiste në Dealey Plaza me gruan e tij Zhaklin, në bordin e një Limousine presidenciale (Lincoln Continental e vitit 1961). Me to në makinë ishte edhe guvernatori Xhon Kanelli edhe ky i plagosur rëndë, me gruan Nellie.

Ai që e filmoi çastin tragjik, ishte një rrobaqepës Abraham Zapruder, i cili ishte në vendin dhe çastin e duhur në momentin e goditjes. Ai që e qëlloi (me një armë të modelit italian) nga dritaret e një puntorie, ishte një 24-vjecari Li Harvei Osvald, një ish-pilot në marinën amerikane, që një pjesë të jetës e kishte kaluar në Bashkimin Sovjetik. Ai u kap menjëherë, por në mënyrë befasuese u vra nga Xhak Rubi në korridoret e gjykatës në hyrje të rajonit të policisë në Dallas, me 24 nëntor, vetëm dy ditë pasi ai kishte vrarë Kenedin.

DHËNIA E LAJMIT

“Mirëdita zonja dhe zotërinj. Ju lutem kërkoj falje, nëse nuk marr frymë, por rreth 10, 15 minuta më parë ndodhi një ngjarje tragjike në Dallas City”- ishte zëri i spikerit që informonte teleshikuesit. Ndërsa një buletin nga salla e shtypit Dallas njoftonte: “Presidenti Kenedy dhe guvernatori Xhon Konelli u plagosën nga tre të shtëna me armë në qendër të qytetit Dallas».

Në të njëjtën ditë disa gazeta dolën në një edicion të jashtëzakonshëm për të dhënë lajmin. Ndërkohë televizioni, për herë të parë në histori, vijoi me transmetim të drejtpërdrejtë për katër ditë radhazi. Vrasja e Presidentit Kenedi është më i gjati dhe i pandërprerë i lajmeve në historinë televizioneve amerikane, deri në orën 9:00 të datës 11 shtator 2001, kur rrjetet televizivë amerikanë transmetuan drejtpërdrejtë për 72 orë rresht sulmin terrorist në New World Trade Center Jork.

AMERIKA NË ZI

Lajmi i vrasjes së Kenedit shtangu gjithë Amerikën e mbarë botën. Gra e burra duke qarë, njerëz të mbledhur në qendra të mëdha tregtare duke ndjekur televizorin që vazhdimisht transmetonte ngjarjen. Trafiku u bllokua dhe shkollat në të gjithë Amerikën deri në Kanada u mbyllën. Qeveritë e mjaft vendeve ngritën në shenjë solidariteti flamurin në gjysëm shtize. Në radio dhe televizionet e shumë vendeve të botës, pasi kishin ndërprerë transmetimet, jepnin muzikë funebre dhe njoftime lidhur me vrasjen e presidentit.

Ambasadat amerikane në të gjithë botën, hapën “Librin” e ngushëllimeve. Ndërkohë televizioni, për herë të parë në histori, vijoi me transmetim të drejtpërdrejtë për katër ditë rradhazi. Vrasja e Presidentit Kennedi është transmetimi më i gjatë dhe i pandërprerë e lajmeve në historinë televizive amerikane. Ky fakt deri në orën 9:00 të datës 11 shtator 2001, kur rrjetet transmetuan drejtpërdrejtë për 72-orë radhazi sulmin terrorist në New World Trade Center Jork.

FUNERALI

Zonja e Parë Zhaklin Kenedi, në konsultim me Robert F. Kenedin, vëllain e Xhonit, dhe sekretarin e Mbrojtjes Robert McNamara, miratoi varrimin e presidentit në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit. Më 25 nëntor 1963, në orën 13:00, filloi funerali shtetëror dhe ndër udhëheqësit e shteteve pranë varrit të tij ishin Presidenti I Francës Charles de Gaulle, Kancelari i Gjermanisë Ludwig Erhard, Perandori Haile Selassie i Etiopisë dhe Princi Philip i Mbretërisë së Bashkuar. 50 avionë të Marinës dhe të Forcave Ajrore fluturuan të ndjekur nga aeroplani i presidentit, Air Force One.

Bazamenti fillestar i varrit ishte 20×30 metra i rrethuar nga një gardh i bardhë. Gjatë vitit të parë më shumë se 3.000 njerëz në një orë kanë vizituar varrezën e Kenedi-t, ndërsa në fundjavë rreth 50.000. Tre vjet pas vdekjes, më shumë se 16 milionë njerëz kishin ardhur te varri i tij. Për shkak të turmës së madhe, zyrtarët e varrezave dhe anëtarët e familjes Kenedi menduan që të ndërtohej një bazament më i përshtatshëm, i cili filloi në vitin 1965 dhe përfundoi më 20 korrik 1967.

E ndezur nga Zhaklin Kenedi gjatë varrimit, Flaka e Përjetshme e vendosur në qendën e një guri rrethor me granit në krye të varrit, vazhdon të digjet edhe sot. Vetëm dy presidentë të SHBA janë varrosur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit. Tjetri është William Howard Taft, i cili vdiq në vitin 1930.

TRAGJEDITË QË GODITËN FAMILJEN KENNEDI 

Në fillim të fushatës për zgjedhjet presidenciale Kenedi dhe Zhaklin të martuar në 12 shtator 1953, zhvilluan së bashku gjithë turin në SHBA. Në zgjedhjen e 8 nëntorit 1960, Kenedi triumfoi ndaj Richard Nixon, duke u shpallur Presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur ishte vetëm 43-vjec. Zhaklin e diplomuar në George Town University Uashington, u bë Firts Lady më e re, vetëm 34-vjece. Ajo kujtohet për raporet me median, admiruese e modës, me veshjet e krijuar për të nga stilisti Oleg Kasini, një ikonën e njohur për nga eleganca.

Po kështu për menutë që zgjidhte gjatë pritjeve në Shtëpinë e Bardhë. Aftësinë e saj në aspektin social sidomos në marrëdhnëiet  ndërkombëtare, shpesh herë decizive në politikën e bashkëshortit Xhon, duke filluar nga raportet me Parisin e Sharl De Gol, deri me Rusinë e Nikita Krushovit. Gjithmonë në vijën e parë në evenimentet sociale dhe kulturore, duke krijuar një rreth miqësor me artistë të famshëm. Pas vdekjes së bashkëshortit, dhe me rrezikun që e kanoste gjithë familjen Kenedi ajo vendosi të largohej nga Amerika. Me 20 tetor 1968, martohet me armatorin grek, miliarderin Aristotele Onasis i cili ndërpreu “Love story-in” me këngëtaren Maria Kalas.

Zhaklin Bouvier Kennedy Onassis, vdiq më 23 maj 1994, dhe trupi i saj u vendos pranë varrit të Xhon Kenedit në Arlington. Tragjedia e familjes Kenedi është e lidhur edhe me vdekjet e fëmijëve, Arabella që lindi e pa jetë, dhe Patrik, që vdiq dy ditë pas lindjes, të cilët janë vendosur pranë Xhon e Zhaklinë. Ndërkohë Karoline ishte vajza e parë dhe pas saj djali Xhon Kenedy Junior, i cili u rrëzua me avionin e tij bashkë me gruan dhe hirin e trupave të tyre u shpërnda në oqean aty ku ra avioni në korrikun e vitit 1999. Pranë memorialit të Xhon Kenedit është edhe varri i vëllait, Robert Kenedi ish-ministër e drejtësisë në administratën e Xhon Kenedit, më pas senator i Njy Jorkut i vrarë edhe ky gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale të vitit 1968.

“ARMIKU I PËRBASHKËT …”

Ndonëse largësi e madhe, me një censurim total, shqipatërt e kanë ëndërruar Amerikën dhe lidhjet me të kanëqenë të gjithë mënyrave. Nga tentativat, arratisjet e bujshme të shqiptarëve drejt Amerikës, diversantët e ardhur në Shqipëi deri te slogani i njohur komunist:”Imperializmi amerikan armiku i përbashkët I të gjithë popujve”.

Filmi rus “Vizita e Krushovit në Amerikë”, shfaqur në kinema në fillim të viteve 60-të, ishte ndër të parët që solli pamje nga Amerika ku krahas filmit shihje gradaçielat e Neë Yorkut. Ndërsa ai që tronditi mjedisin ishte filmi “Armiku i përbashkët” që u shfaq rreth vitit 1963 në kinema “Partizani” e “17 Nëndori” në kryeqytet. Njerëz që vërshonin për të parë filmin ku tregohej jeta në Amerikë, njëkohësisht castet elektrizuese kur këngëtari i famshëm i Rock and Roll, Xherri Ljuis, ekzekutonte në piano dhe të pranishmit që ndiqnin ritmin duke kënduar nën zë. Por, vetëm tri ditë qëndroim u hoq me shpejtësi.

Për të vijuar sërish me filmat hollivudianë me Merilin Monro, aktorin Stive Rives, ato Western me Klint Istvud, apo “Tango e fundit në Paris” me Marlond Brando i parë fshehurazi në orët e vona të natës. Më pas serialët “Dallas”, “Dinasty”, apo “This is Amerika”, të transmetuar nga kanali i dytë i televizonit jugosllav, JRT, të ndjekur nga tiranasit cdo të hënë e të enjte në mbrëmje. Pastaj këngëtarët Rey Calls, Tom Xhons, Frank Sinatra, mbreti i Rock and Roll Elvis Presly, që kur vdiq pati një impakt edhe në Shqipëri. Për të ardhur te letërsia me librat e verdhë të ndaluar, atë “Tragjedi amerikane” të Teodor Drajzer, për të vijuar me “Brodaway-in e famshëm shqiptar në Rrugën e “Dibrës”, pijen “Coca Cola”, pasionin për pantallonat kauboj, ato blue jeans, dhe një cimcakiz Bruklin”, etj.

Tre njerëzit e parë që që zbritën në hënë astronautët amerikanë Kollin, Oldrin dhe Armstrong me Apolo-n 11-të, lufta në Vietnam, kur gazeta “Zëri i Popullit”, njoftonte se forcat vietnameze kishin rrëzuar një avion dhe numri i tyre shkonte nga 453, në 454, pastaj 455….dhe pilotë të zënë robër. Historia e boksierit Klei, dhe si e kanë ndjekur shqiptarët fshurazi me televizorë me vete, takimin me Xhorxh Foremanin në tetorin 1974. Kur atleti Tomi Smith ngriti grushtin lart në podiumin e Olimpiadës Meksikë ’68, te stili Fosburi që habiti botën në kërcimin së larti, si dhe yjet e basketbollit të NBA-së me kolosin Jabar.

Shahisti amerikan Bob Fisher që çmendi rusët në matcin e paharruar, skandali i “Wotërgeit-it”, notari Mark Spic, fitues i 7 medaljve të arta në “Mynih 1972”. Jeta intensive amerikane, dashuritë e famshme të aktorëve të njohur, Hollivudi, te Selia e Kombeve të Bashkuara, etj. Dhe kur Oransoda, skuadra kampione e basktebollit të Italisë në dhjetorin e 1968-tës erdhi në Tiranë dhe në formacion kishte dy amerikanë. Një takim që u mbyll 73-73, ndaj të cilëve Agim Fagu shënoi 48 pikë. Por edhe kush kishte lindur atje, ose me prindër që kishin jetuar në Amerikë ishte pak i vecantë në Shqipërinë e atyre viteve.

“HARRI FULTZ” DHE “TOKA E AMERIKANE”

E para e njohur dhe me kontribut të madh në vitet 30-40-të në të cilën janë arsimuar shumë shqiptarë në profesione të ndryshme. Shkolla “Harri Fulz”, kështu është njohur, pastaj Politeknikumi “7 Nëntori”. E njëjta ndërtesë është edhe sot. Ndërsa “Toka” kujtohet të paktën nga disa breza pas viteve 50-të, dhe bëhet fjalë për një hapësire, truall tokë në jug të Muzeut Lenin-Stalin, përballë Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, e cila ka qëndruar në vite e lirë, pa mundur që askush të bëjë një ndërtim aty. As vetë shteti diktatorial.

Thuhej se “është tokë, truall amerikan, të cilën Mbreti Zog, me dëshirën që amerikanët të ishin prezentë në Shqipëri ja kishte shitur shtetit amerikan, të cilët nuk mundën të vinin, vecanërisht pas ardhjes së komunizmit dhe raportet e tensionuara që ishin krijuar me SHBA-në. Për këtë arsye nuk mund të zaptohej. Ky informacion qarkullonte për kohën dhe sa herë që do të kaloje në Rrugën e Elbasanit do të shikoje atë zonë të gjelbëruar. Sot aty është ambasada amerikane.

POLITIKA, KUR HRUSHOV DHE NIKSON NDRYSHUAN KURSIN

Janë dy momente të rëndësishme, që lidhen direkt edhe me politikën, që ndikun dhe ndoqi Shqipëria pas viteve 60-të. Fillimisht me turneu amerikan të Nikita Hrushovit, i cili filloi më 15 shtator 1959 cka në kthim ai ndryshoi përfundimisht drejtimin e kampit socialist, duke iu referuar perëndimit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dhe ajo e vitit 1972, kur pas bisedimeve, të Henri Kizinger me Cu En Lain, në të famshmen lojën e pingpongut, pas të cilës Presidenti asokohe Mao Ce Dun priti Presidentin amerikan Richard Nixon në Pekin, duke sinjalizuar një politikë të hapjes së Kinës, e cila u avancua nga Ten Ciao Ping dhe qeveritarët kinezë, që edhe ata nën ndikimin amerikan ndryshuan linjën, me ide, dëshirë drejt perendimit. Vetëm Shqipëria i qëndroi besnike parimeve marksite-lenisniste.

SHPRESA

E tillë ka qenë, ora dhe zëri që vinte përtej oqeanit. Shumë shqiptarë në ato vite e më pas e kanë ndjekur sistematikisht, me kureshtje, fshehuarzi, kur në 18.00 të mbrëmjes uleshin me veshin te radio për të dëgjuar“Zërin e Amerikës” në shqip, nga i cili prisni, dita-ditës për ndryshime, hapje. Gjithcka që përcillej nga zëri legjendar e Elez Biberajt, zëri i shpresës, zëri perendimit. Sa kanë besuar shqiptarët tek ai zë. Të nesërmen në grupe konfidenciale fillonin diskutimet, interpretime, hamëndje për atë cfarë ai kishte thënë.

Gjithcka ndryshoi pas ardhjes së Beker-it në vitet 90-të në Shqipërinë e etur për demokraci. U rikthye ambasada amerikane, filloi aplikimi i lotarisë amerikane, shqiptarë që shkonin e vinin në Amerikë. Por edhe “Ok”, që pak mund ta dëgjoje ose aspak në ato vite, kjo frazë nisi të shfaqet normale në komunikimin popullor.

Dy gërmat që nuk praktikoheshin, ishte frikë ti shqiptoje, një dygërmësh karakteristik i komunikimit amerikan, jo vetëm në SHBA por në të gjithë globin, në Shqipëri gjeti përdorim vetëm pas viteve 90-të. Dhe në mbyllje, kontaktin që morrëm me Amerikën, na ofroi edhe libri i Ylli Pangos “Amerika”, e parë dhe e trajtuar nga një këndvështrim kurioz, interesant dhe informues nga një personalitet e jetës inteletuale shqiptare, i cili e kishte prekur atë vend, duke na i sjellë me detaje në librin e tij.

blank

PSE VETEM SHKODRA?!- Pergatiti Fritz RADOVANI: Pjesa XXX

CAFO BEG ULQINI
(1873 – 1977)
CILA ISHTE DETYRA E
SEKSIONIT KATOLIK
PRANë DEGëS Së
MBRENDSHME Të
SHKODRES Në 1946,
I VETMI N’BOTë ?
-ZHDUKJA E PERJETëSHME E
VEPRAVE T’ ATDHETARVE.

KUSH ISHTE
CAFO BEG ULQINI?

Po mundohen disa “dijetarë marksistë – leninistë”, deri dje komunistë me thundra e patkoj mushku me shkrue “Historinë e Shqipnisë” pa Veriun ose, e thanun haptas pa “Historinë Shkodres”, që asht Historia e Vertetë!

Nuk dij si mund të mendohet me shkrue per qytetin e Shkodres pa zanë me gojë Kalanë Rozafat, apo nderthurjen e lumejve në hymje të qytetit?

Si shkruhet per një qytet pazanë me gojë tri urat rreth hymjes: Të Kirit, ate të Bahçallekut dhe uren e lumit Buna? Tri unazat e arta të Rozafës Plakë!

Historia e Shqipnisë pa historinë e Veriut, e ma mirë me thanë pa Historinë e Shkodres, asht si me dashtë me folë per një njeri të mendshem “pa kokë”!

Mos u çuditni aspak nga shemtimet mendore e shkencore të universiteteve tona me mendsi marksiste – leniniste, dhe themele të “realizmit socialist”!

Shkodra dallohet per dy rryma të ftohta ernash, per veriun që vjen prej Stom Golemit, e pershkohej nepër lagjen Rus dhe, murrlanin e Rrencit, që vinte e shkapetej tek Dugajt’ e Reja të Shkodres per gjoksin e një Burri të njohun dhe shumë të Nderuem me Emnin Cafo Begu, e, që të dyja ktheheshin mrapa…

Ishte Burrë me të vërtetë i thinjun, por trupi i madh sportiv gjithmonë i mbajtun dhe i kërpitun, i veshun me pardysy ngjyrë qumështi apo kostume kafe e krem, të
tërhiqte vëmendjen. Ishte mjaft i pashëm, me sy shqiponjë gjithmonë vrojtues, nofulla të gjana që ngërthehëshin kur nxirnin çdo tingull të ambël të fjalës së tij joshëse.

Për pak kohë shihej se edhe klientët e Tij ishin të zgjedhun…

E njoha nga viti 1961, tek dyqani i Tij si cingareshitës. Fliste një Shqipe të bukur dhe shumë terheqëse. Cafo Begu kishte një histori interesante të jetës së tij.

Ai jetonte tek disa miqë të tij dikund kah stadiumi. Nuk kishte familje as të afërm, mbasi ishte detyrue me i lanë në anën e Jugosllavisë, që në ditët e para mbas luftës së Dytë Botnore, kur andej ashtu edhe këndej në pushtet erdhën komunistët.

Në Shqipni kërkohej se ishte Anëtar i katërshes së Regjencës në periudhën e okupacionit gjerman me Maliq Beg Bushatin, At Anton Harapin dhe Lef Nosin. Ndërsa, nga jugosllavët paguhej me napolona ar koka e Tij, mbasi kishte deklarue botnisht se: “Trojet e mija janë Tokë Shqiptare!”.

Kjo deklaratë nuk ishte thjeshtë e një pronari apo çifligari tokash, po ishte: “ Një shtytje ma andej e piramidave të vume në vitit 1913, në Tokën tonë Shqiptare!”. Një problem i pambyllun edhe sot!

Në vitin 1968 u njoha ma afër me Té. Ai më tregoi se kishte njohë edhe Babën tem dhe se kishte pasë edhe ky hobi për hipizëm. Kishte disa foto ndër plantacionët e veta me kuaj. Ruente si relike fotografi të grues së vet dhe të vajzave, të para vitit 1945.

Me largimin e trupave gjermane kishte shkue në trojet e veta dhe, aty ishte strehue, madje, edhe ruejtë kokën ndër miqë e besnikë të vet.

Kishte provue jetën e shpellave, gropave, të skamit dhe të vuejtjes për disa vite deri me rastin e “amnestisë së bame për faljen e jetës së atyne që dorëzohën në Shqipni” dhe që, nuk do të dënohen me vdekje nga gjykatat komuniste. Kishte kalue hetusitë speciale dhe ishte dënue me shumë vite burg i përfshimë në nenet e “krimëve të
luftës”. Mbasi u lirue, erdhi në Shkoder ku mbylli edhe jeten e Tij larg Familjes së Vet të Nderueme.

Në dhjetorin e vitit 1968, hapi me mue bisedën për At Anton Harapin: “Asht kenë një dhe nuk bahen dy si Ai!”. Në vitin 1944, kur At Antoni, aty nga fundi i nandorit 1944 po kthehej nga Gjermania, ishte ndalue në Podgoricë dhe në një hotel, Ai asht takue me komandantin e trupave gjermane që po largoheshin nga Shkodra. Komandanti gjerman e kishte njoftue At Antonin për largimin nga Shqipnia dhe e kishte ftue me ikë me ata, tue i sigurue që do ta çonin ku do të dëshronte At Antoni, për mos me ra në duert e komunistëve, që me 28 Nandor do të hynin në Shkoder. At Antoni nuk ka pranue me u largue nga Shqipnia dhe po kjé nevoja do të pranonte edhe vdekjen për të cilën, Ai vetë nuk dinte shkak. Por kishte kërkue nga gjenerali gjerman, “largimin e trupave të fundit të ushtrisë gjermane me datën 29 Nandor 1944 dhe jo, me 28 që kishin planifikue ata”, mbasi i kishte shpjegue që “nuk asht mirë me na njollosë Ditën e Festёs sё Flamurit, me ditën e okupacionit komunist të Atdheut!”.

Komanda gjermane e ka pranue kërkesën e At Antonit dhe ushtarët e fundit gjerman janë largue nga Shkodra në mengjezin e datës 29 Nandor. Për këte veprim At Antoni kishte vue në dijeni atë natë edhe Cafo Begun. Të nesërmen ishte nisë për Shkoder, ndonse edhe Cafo Begu, e kishte ftue me qendrue aty ku do të strehohej ky vetë, por as Cafo Begut Ai, nuk i kishte pranue me qendrue andej mbasi, “nesër kanë me thanë, paska shkue At Antoni me ruejtë kryet tek serbët e malazezёt…”

Cafo Beg Ulqini e përfundonte bisedën me një konkluzion per At Antonin: “Shërbimi i At Antonit, për mosnjollosjen e Ditës së Madhe të Flamurit, asht shërbimi ma i madh që një Atdhetar si At Anton Harapi, mundet me i ba Atdheut të vet. Ka me ardhë një kohë që për këte vepër Ai do të zanë vendin që meriton në Historinë e
Popullit Shqiptar!”.

Kujtoj, që më thonte njëditë i Ndjeri Cafo Beg: “Kaq shumë kanë rrejtë komunistat, sa vërej tashti në 1974 se, tue lexue dokumentat historike të botueme në këta 30 vjet, e tham sinqerisht, nuk gjej asnjë fakt historik të shkruem pa fallsifikime dhe shtrembnime, madje as, edhe vetë aktin e Pavarësisë në Vlonë me 28 Nandor 1912, até që kanë botue këta!”.

Falsifikatorët e historisë së lavdishme të Shqipnisë, ishin e mbesin bijtë e pandreqshëm të baballarve të vet!

Këte thanje të Cafo Beg Ulqinit ma mirë se kushdo e verteton edhe koha që po jetojmë e, që bijtë e kriminelave komunistë që dhunuene per 50 vjetë të shkreten Shqipni, sot jo vetem po e vorfnojnë por edhe po e shperbajnë, një akt i panjohun as në kohen e pushtimit gjatë otoman.

Cafo Beg ULQINI ishte një Shqiptar i vertetë, Atdhetar i perkushtuem dhe një prej Burrave të papersëritshem per tiparet e Tija të besës e mikpritjes. Kur menduem se shpetuem mbas vitit 1985, Vetem në Shkoder krimineli Ramiz Alia ka vra 182 Shqiptarë të Veriut…

blank

 

Ky asht Trupi i pajetë i Pllumb Pëllumbit, vra në Hot (Shkoder) më 16 qershor 1990…

“Ramiz Alia kishte mundësi me ba gjak…’po nuk bani!” thonë “disa…”!

Prandej, edhe vazhdon me kenë edhe ky si “shokët, hero…”!!
Kurrë Shqiptarët nuk do të mësojnë të verteten historike!

Ma shumë as “nuk e dishrojnë”! Madje, as nuk i ban pershtypje!

Kudo që të veni kamben mendoni se komunizmi gjakatar ka hapë një Vorr!

Isha kurjoz me dijtë aty nga viti 1993 të verteten se, cila, asht arsyeja e vrasjes së njenit prej Fisit tim në vitin 1948.., të pakten si asht shkrue nder dokumenta?! U nisa e shkova në degë të punve të mbrendshme të Shkodres. I tregova rojes e ai thirri një oficer që kishte arkivin. Nuk vonoi erdhi e mbasi i shpjegova pse unë e kerkoj atë dokument, mbasi i pushkatuemi asht arrestue në nandorin e 1946 dhe vetem na asht njoftue nga roja e deres së hetuesisë Dulaç Lekiqi, ku ishte Kuvendi i Fretenëve i kthyem në burg se, dje me daten 11 Mars 1948, “asht pushkatue, dhe mos sillni ma ushqime!” Na nuk dijshim asgja ma shumë të dokumentueme deri në vitin 1992.

Shkueme në një zyrë ku nuk kishte njeri. U ula tek një tavolinë dhe aty oficeri X më solli një blok të trashë të pergatitun me disa fletore të lidhuna bashkë. Më shpjegoi se “këtu janë të gjithë emrat e Atyre personave që janë pushkatuar nga viti 1944 e deri në vitin 1991 edhe në kufi.”

E hapa dhe fillova me lexue emnin, emnin e babës, mbiemnin, data ose viti i ekzekutimit, simbas rendit alfabetit. Kishte rasë që shenohej fshati prej nga ishte kenë. Ndonjë kishte edhe vendin e ekzekutimit (në ndonjë rreth tjeter) kur nuk ishte pushkatue në Shkoder. Oficeri iku dhe më la vetem tue shikue Ata Emna të mjerë…
Gjatë leximit fillova me kujtue edhe “disa” që nga koha më ishin fshi fare nga kujtesa Emnat e Tyne, ose i kishe ndigjue si Fise. Nga fundi mu kujtuen edhe emnat e dy oficerave të ushtrisë që u dënuen krejt vonë, se gjoja kishin mendue me shkue nga Shkodra dhe me lirue të burgosunit e Spaçit etj., dhe u vrane. Nder të vramit në kufi njoha emnin e Dhuratës, vajzës Bahrije Manit, me të cilen kam punue (prill 1990) kur i vrane vajzen dhe sigurimi e pat varrosë tek Radio Shkodra. Listat vazhdonin me data dhe vendet ku janë vra deri vonë.Kjo per mue ishte e pakuptueshme mbasi në Shkoder na nuk kujtonim asnjë nga ata gjyqe!

Fillova me dyshue per ndonjë gabim shenimi mbasi kishte edhe disa emna qytetesh tjera si Permet, Vlorë, Pogradec, Sarandë etj., që ishin shenue aty dhe Emni i të vramit njihej se ishte nga Veriu. Erdhi oficeri dhe e pyeta tue i tregue të verteten se në Shkoder, në dhjetë vjetë që kanë kalue unë, nuk kujtoj asnjë nga këta Emna që janë këtu, perveç, Atyne kater që shpjegova ma naltë. I paraqita edhe variantin e ndonjë vrasjes në kufi, po këtu mbas vitit 1985 bahen edhe 182 të pushkatuem apo të vramë, që në Shkoder, “na as nuk i kemi ndigjue kurrë këta vrasje”!

Më shikoi dhe më besoj, se po i thojshe të verteten, nuk ngurroi fare me më tregue ate që as nuk më shkonte nder mend. Jam i bindun se këte e bani edhe nga keqardhja per ata vrasje!

“Këta Emra janë shumica djelmë të rinjë, po me biografi të keqe. Kur ishin ushtarë u dergonin në vende të largëta nga Shkodra. Atje disave u bëhej një gjyq “i thënçin” dhe gjyqi i dënonte me vdekje “per tentativë arratisje”, ose “veprimtari armiqësore”. Silleshin në fshatin e vet dhe prindërve u thohej: “Ka vra veten gabim, ose janë
vra duke luajtur, nga pakujdesia apo e ka vra një shoku i vet padashje, etj. Kështu, familja e persekutuar, duke mos mundur të kerkoi të verteten nga fshatrat e thella malore, apo fshatarë kulakë kanë humbur djalin!”

E kush i dha shpjegime atyne fatzezve që humbën loçkat e zemres së tyne?

E jam shumë i sigurtë se as sot Ata nuk e dijnë të verteten e vrasjes së tyne.

Unë kerkova At Mati Prennushin, per të cilin Dr. Pjeter Pepa shkruen: “Pader Matia asht jo vetem figurë e paster politike, por edhe kundershtar politik gjithmonë n’ aktivitet atdhetar kunder turqve, serbve, malazezve, monarkisë, pushtuesve italian, gjerman der te pushtuesit sllavo – komunist të 1944. Ka punue gjithmonë per
një shtet demokratik europjan”.

Gjithshka një “mister i panjohun” i fatkeqsive të sistemit komunist!

E pra, kjo asht “Historia e daltueme nder Gurt e pathyeshem të Rozafës”!

Melbourne, 24 Nandor 2023.

blank

“Do t’i bëjë atentat kryeministrit! Ka gjetur bajonetë dhe…”- U arrestua sapo doli nga Radio Tirana, si u pushkatua gazetari! Fotot e tij me plumb në kokë ia vunë para në Spaç, Fatos Lubonjës për…

Publikon një studim të kryer nga AIDSSH (Autoriteti për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), të titulluar; “ZHDUKUR – SIGURIMI NË FJALËT E VETA”, 19 DEGË SIGURIMI, 3299 JETË, 1 HISTORI’, në të cilin është shfrytëzuar ‘Historiku i Sigurimit të Shtetit’, që i përket një periudhë kohore nga viti 1943, deri në 1991-in, ku janë përfshirë 19 degë të Sigurimit të Shtetit, të rretheve: Durrës, Kolonjë, Burrel, Krujë, Lushnje, Dibër, Gramsh, Pogradec, Korçë, Tepelenë, Elbasan, Lezhë, Sarandë, Gjirokastër, Vlorë, Shkodër, Tropojë, Skrapar, Librazhd dhe Tiranë.

blank

 

“Ata që mendojnë se regjimet komuniste janë vepër vetëm e kriminelëve, lënë në hije një të vërtetë themelore: regjimet kriminale nuk u formuan nga kriminelët, por nga entuziastët e bindur…”!

blank

          Milan Kundera, “Lehtësia e padurueshme e qenies”

ELBASANI

Vrasje me pambuk Historiku i Sigurimit të Elbasanit është më i veçanti nga të gjitha rrethet e vendit. Gjuha e ashpër, intrigat, kurthet, ekzekutimet gjatë luftës dhe pas saj janë pastruar tërësisht, duke nxjerrë për pasojë një “Sigurim”, që nuk është më i njëjti, si në qytetet e tjera. E megjithatë, Elbasani ishte pjesë e Shqipërisë dhe dramaturgu Ethem Haxhiademi, ishte arrestuar në Elbasan, e do të vdiste në Burrel, duke qenë edhe sot pa varr.

“Ai u godit dhe mori dënimin e merituar…”, është pothuaj maksimumi që has në Historik. Termi “kriminel”, i kudogjendur në rrethet e tjera, këtu zëvendësohet me “kulak”. Te Sigurimi i Elbasanit, rrallë dalin të vrarë, rrallë të pushkatuar rrugëve, apo në male, rrallë dalin metodat e përpunimit. Megjithatë, pavarësisht gjuhës prej pambuku, matanë kishte arrestime, që jo gjithnjë përmenden. Në vend të termave: pushkatim, likuidim, asgjësim apo vrasje, që gjenden në historikët e tjerë, Elbasani përdor vetëm një folje, edhe atë në pësore: u godit (!) Edhe në rastet kur përmendet një i arratisur, si N. H., ish-kryetar kooperative i Rrajcës, nuk tregohen metodat e përpunimit, thjesht vërehet se u dënua për tradhti ndaj atdheut. Por ajo që nuk thuhet, nuk do të thotë se nuk ka ndodhur, dhe ana tjetër e ngjarjes, tregon atë që historiku fsheh.

Përkthyesi i burgut të Burrelit

“Natë dimri… 25 janar 1947, e martë. Ishim mbledhur të gjithë rreth votrës në dhomën e zjarrit…! Baba po korrigjonte hartimet e një klase së ‘Normales’ së Elbasanit…! Duke përfituar nga muri i shembur i avllisë, njerëz të armatosur hynë pas pak në shtëpinë tonë…! U paraqitën si njerëz të pushtetit lokal, se gjoja kishin ardhun për kontroll, për gjana të ndalume për kohën…! Pashë…më vonë babën, duke zbritur nga shkallët me duar të lidhura…! Akuzohej për komplot për përmbysjen e pushtetit, për bashkëpunim me anglo-amerikanët”. I biri, Emini, e kujton me këto fjalë arrestimin e babait.

Pas asaj nate, emri i Ethem Haxhiademit (1902-1965) do të shuhej për më së 4 dekada, nga 1947-a, deri pas 1990-ës. Në po kaq kohë, dramat, tragjeditë, poezitë, përkthimet dhe studimet e tij do të heshtshin. Para asaj nate, ai kish pasur në duar gjithë botën. Me shkollën e mesme të kryer në Leçe (Itali), ai do të ndiqte studime në Insbruk (Austri) dhe Shkenca Politike në Berlin e Vjenë. Ish-prefekt i Lushnjës, drejtor në Ministrinë e Brendshme, anëtar i Institutit të ri të Studimeve Shqiptare, pas lufte u bë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe kryetar i degës së saj për Elbasanin. Më 1946, ishte mësues i gjuhës shqipe në Shkollën ‘Normale’ të Elbasanit, derisa u arrestua dhe u dënua me vdekje. Bibliotekën dhe dorëshkrimet ia konfiskuan, ndërsa pas ndërhyrjes së Aleksandër Xhuvanit dhe Omer Nishanit, dënimi me vdekje, iu kthye me burgim të përjetshëm. Vdiq më 17 mars 1965, pasi kishte punuar për shumë vjet, si përkthyes në burgun e Burrelit.

Dorëzimi i trishtë i Lef Nosit

“XH. N., ishte rekrutuar nga “Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit” dhe në mënyrë të pabesë, e çoi Lef Nosin në duart e forcave që e arrestuan më 7 gusht 1945”. Në studimin e historianit Edmond Malaj, për përndjekjen e Lef Nosit, shënohen të gjitha vendet ku ai u fsheh nga miqtë që të mos binte në duart e Sigurimit; nga Shkodra, në Malësinë e Dukagjinit, në Tiranë në disa familje dhe te mulliri i Xhemal Farkës, e mandej deri në Elbasan, ku u strehua në pyje, banesa dhe deri në një fabrikë alkooli.

Gjykata Ushtarake e Tiranës e gjykoi bashkë me Atë Anton Harapin “të akuzuar pse si kriminelë lufte dhe armiq të popullit… në cilësinë e tyre anëtarë të Regjencës në kohën e okupacionit nazist, kanë bashkëpunuar dhe i kanë shërbyer këtij okupatori në dëm t’interesave të larta të Atdheut dhe janë përgjegjës për të gjitha krimet, shkatërrimet dhe dëmet materiale të kryera në vendin tonë”.

Mikja e tij, antropologia Margaret Hasluck, i dërgoi një letër Enver Hoxhës, ku tregohej e gatshme të dëshmonte përpara çdo gjykate shqiptare, për pafajësinë e Lef Nosit, por më 12 shkurt 1946, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me vdekje, pushkatim. U ekzekutua te Kodra e Priftit (ose, sipas një versioni tjetër, te Kodra e Kryegjyshatës Bektashiane), bashkë me Maliq Bushatin dhe At Anton Harapin.

Pjesëmarrës i Kongresit të Manastirit, njëri prej delegatëve të Elbasanit në Kuvendin e Vlorës, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, Ministër i Postë-Telegrafës (4 dhjetor 1912-21 shkurt 1914), Kryetar i Asamblesë Kombëtare (1943), Anëtar i Regjencës (1943-1944), botues, arkivist, filolog, folklorist, etnograf, numizmat, arkeolog e politikan. Një prej figurave më poliedrike të vendit, kish lindur në lagjen ‘Kala’ të Elbasanit, në një prej familjeve më të mëdha të qytetit…!

Për ekzekutimin e tij, Adelina Kosturi, kujtonte se: “Fill pas pushkatimit, kunati im, Jorgaq Kosturi mori dy punëtorë, i mbuloi me dhé, se ishin varrosur shumë cekët dhe vendosi një kavanoz tek këmbët e Lefit, për ta identifikuar më vonë. Ky varr nuk është gjetur akoma”!

Sekretari i Fan Nolit, vdes në mjerim

Në historikun e Sigurimit në Elbasan, ai përmendet si element që i kundërvihej vijës së Partisë, por pa dhënë pasojat e kësaj kundërvënieje. “Qamil Çelirama, i cili më përpara kishte patur pozita me rëndësi shtetnore dhe që njihej si komunist i vjetër dhe pjesëmarrës i luftës në Francë, filloi të villte vrer kundër vijës së Partisë…”!

Mik i Lef Nosit, Hilë Mosit, Dervish Himës, Mithat Frashërit, ai kishte punuar në kabinetin e qeverisë së Sulejman Delvinës e Iljaz Vrionit dhe në ministrisë e Xhafer Ypit. Vrasja e mikut të tij, Avni Rustemi, e mbajti në Tiranë, kur më pas u bë sekretar i Fan Nolit, duke punuar me Haki Stërmillin. Pas rënies së qeverisë së 1924-s, emigroi.

Në Bari strehohej te Bahri Omari, ndërsa në Francë do të bëhej anëtar i Partisë Komuniste. Është në Paris, kur delegacioni shqiptar shkon në Konferencën e Paqes, dhe atje takon Enver Hoxhën e Hysni Kapon. Me ndërhyrjen e Ymer Dishnicës, kthehet në Shqipëri dhe emërohet Kryetar i Kryqit të Kuq Shqiptar. Në 60-vjetorin e Hoxhës, nga Tirana i bëhet një vizitë, ku i kërkohet të dëshmojë aktivitetin revolucionar të Enver Hoxhës në Paris si student dhe ai përgjigjet, se; “nuk e ka njohur për të tillë”. Pas kësaj përgjigjeje, i pritet pensioni. Ata që e kanë njohur, si Bukurosh Dylgjeri, rrëfejnë se vitet e pensionit qenë vitet e izolimit të tij, ndërsa agjentët e Sigurimit të Shtetit e ndiqnin dhe e provokonin kudo. “Në vitet 1974 – 1975, Qamil Çeliramën e cilësuan “armik të popullit” dhe si i tillë ndenji 14 vjet në izolim, arrest shtëpie”, shton Dylgjeri, duke rrëfyer se u nda nga jeta në mjerim të plotë.

TIRANA

Vangjel Lezho, udhëtimi i pamundur drejt Moskës

Ish-nxënës i “Normales” së Elbasanit, i diplomuar në Moskë për gazetari, më 1959, Vangjeli, baba e bashkëshort, nis punë si gazetar kulture, në Radio Tirana. Kur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik po rrënoheshin, ai pa një dritë diku larg. Një të diel përvëluese korriku të vitit 1963, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, munguan në një vizitë që gazetarët e Radio Tiranës, i bënë në shtëpi një kolegu që martohej. Të nesërmen, në radio u hap fjala se Lezho, ishte arrestuar në tentativë arratisjeje nga Pogradeci.  Atë ditë, Kokomani dukej i habitur. Pak ditë më vonë, edhe ai do të ishte në qeli.

Hetuesia e Lezhos, duhet të ketë qenë një torturë. Ai kishte lënë një dhomë shtëpi në Tiranë dhe ishte përpjekur të arratisej, për t’iu bashkuar gruas së tij ruse dhe së bijës. “Në mars të vitit 1962, merret në përpunim paraprak Robert Vullkani. Në muajin prill, sipas mendimit të dhënë nga Trifoni, bashkë me Vangjelin dhe Fadilin, shkruajnë tekste me përmbajtje armiqësore dhe me 28 prill…afishojnë dhe përhapin në rrugët e qytetit”, shkruhet në Historikun e Sigurimit.

Në të 30-at, dënohet me burg në Spaç, bashkë me mikun e tij Kokomani. Akuzoheshin se mbanin kontakte me oficerin sovjetik Valentin Zhej. 13 vite më pas, është më i revoltuar se ç’ishte jashtë burgut.  Më 9 korrik 1978, Lezho, Kokomani dhe shoku i tyre në burg, Xhelal Koprencka, i dërgojnë letra udhëheqësve të lartë të PPSH-së, Hysni Kapos dhe Ramiz Alisë, ku kritikojnë ashpër Enver Hoxhën. “Perandorinë e Enverit e mban në këmbë armata e spiunëve…! Ky ‘Olimpi’ ynë e ka mbushur Shqipërinë pëllëmbë e burg, që ua kalojnë edhe atyre të fashizmit…”! Pasi letrat mbërritën në Tiranë, Lezhon dhe Kokomanin i pret ri-dënimi. Nëse herën e parë i shpëtuan vdekjes, të dytën nuk ia dolën. Më 18 maj 1979, u dënua me vdekje, me pushkatim  për “krijimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë kundërrevolucionare”. U ekzekutua më 28 maj të po atij viti. Eshtrat e tij, ende nuk janë gjetur!

“Po mbushen 18 vjet që udhëheqja shqiptare, duke e çuar vazhdimisht popullin, gjithmonë kurriz përkulur, në greminën më të turpshme që ka parë historia, sulmon pa pushuar, si kukuvajka në errësirë, vendin dhe popullin e madh të Tetorit, me shigjetat më të pështira e të helmuara”!

Nga letra e korrikut 1978

Fadil Kokomani, gazetari që shigjetoi “zotat”!

“Te fotoja e parë, e madhe, ishin ata të tre, diku në një ledh, natën, në natyrë, të lidhur me një litar, që shikonin pa dyshim të frikësuar, të tmerruar kamerën e atij fotografit që po i fotografonte në momentin para pushkatimit. Pra, ishin gjallë. Dhe çuditërisht ishte ajo që më tërhoqi më shumë…! Që më ngelën sytë…! Që sikur ishin gjallë dhe më panë e i pashë…! Pastaj fotografia ngjitur, e madhe prapë, ishin që të tre, por tashmë të shtrirë, të vdekur. Ndërsa në të tria fotot e vogla, ishte secili më vete, me plumbin në ballë…”!

Fadil Kokomani, Vangjel Lezho dhe Xhelal Koprencka, ishin ekzekutuar, kur Fatos Lubonjës, bashkëvuajtës në Spaç, në formë presioni, i vihen përpara imazhet e tyre. Ishte viti 1979. Historia që u paraprinte atyre fotografive, niste në vitin 1963. I pari që bie në pranga, është Vangjel Lezho. Disa javë më pas, një të martë gushti në mbrëmje, Fadil Kokomani po dilte nga Radio Tirana. Ishte në të 30-at, kur jeta e tij u mbyll mes muresh.

Me studime të kryera në Universitetin e Leningradit (Shën Petërburg), ai shkruante  tregime, reportazhe e skica letrare, por nuk kishte pranuar ftesën për t’u anëtarësuar në parti. Akuza ndaj tij, është; “si kryetar i një grupi që kishte shpërndarë trakte dhe kishte dashur t’i bënte atentat kryeministrit”. Historiku i Sigurimit të Tiranës, pretendon se Trifon Xhagjika, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, donin të vrisnin ministrin e Brendshëm dhe disa punonjës Sigurimi, për çka ky i fundit shton se; “Fadili kishte gjetur një bajonetë, me të cilën kanë bërë prova, si mund të vritet njeriu”!

Dënohet me vdekje dhe i falet jeta me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Nga Spaçi, ku vuante dënimin bashkë me Vangjel Lezhon, më 1978, i dërgon letër  Komitetit Qendror të PPSH-së dhe dënohet me 10 vite burg.

“Krijuat një fe të re të perëndive të Tiranës, krijuat Zotin e ri në personin e Enver Hoxhës, të cilin e kanë tmerr dhe frikë të gjithë, pasi ai është bërë Zot i familjes, i ndarjeve dhe martesave, i aksioneve dhe i zboreve sfilitëse, i kafshatës së bukës dhe – çka është më tronditësja – ai është kapitalisti dhe punëdhënësi primar dhe permanent i kësaj toke shqiptare,” shkruanin Kokomani dhe Lezho.

Teksa vuante dënimin në kampin e Spaçit, më 23 shkurt 1979 u arrestua sërish dhe, më 18 maj të po atij viti, u dënua me vdekje, me pushkatim “për krijimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë kundërrevolucionare” dhe “për agjitacion e propagandë”. Ai u ekzekutua më 29 maj 1979, bashkë me Vangjel Lezhon dhe Xhelal Koprenckën. Gazetari e shkrimtari, është ende pa varr, pavarësisht përpjekjeve për kërkimin e eshtrave të tij nga nipi vet, ish-Ministri i Brendshëm, Spartak Poçi (1999).

Pjesë e letrës nga burgu e Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos

“Në një shtet ku jeta e përgjithshme dhe e veçantë i nënshtrohet mendimit dhe rrugës politike të një suite të përjetshme, pa dyshim që ky shtet është pushtuar nga një humnerë amoraliteti! Në Shqipërinë Socialiste, fëmijës, qysh kur del nga barku i nënës, i japin pushkën dhe këtë e bëjnë vetëm me qëllimin humanitar që ai, fëmija, kur të rritet, të vrasë veten”!

Kërkimi i eshtrave

-Rrëfimi i nipit të Kokomanit, Spartak Poçi (ministër i Brendshëm në vitin 1999)

“Bashkë me oficerin, shkuam në vendin e treguar. Ndodhej pranë një kazerme të mjerë ushtarake, e cila, megjithëse pa ndonjë funksion të dukshëm, ruhej me një ushtar. Aty për aty ngrita një ekip gërmimi dhe filluam që atë ditë, por deri në muzg nuk gjetëm asgjë. Vazhduan të nesërmen, të pasnesërmen….!

Rrëfimi i oficerit të togës së pushkatimit

Oficeri i togës së pushkatimit, i pat rrëfyer ish-ministrit Spartak Poçi, nipi i Kokomanit, se makthi i natës së pushkatimit, e ndiqte tërë jetën. “U ndieva shumë i dobët për të reaguar…! Kur makina u nis, ishte Fadili që pyeti se ku po shkonim…! Dikur ndaluam në një shteg të ngushtë e të errët…! Ngjitur me të ndodhej gropa. Ishte një skenë që të kallte datën. I ulëm në gjunjë, me fytyrë nga gropa. U qëlluan menjëherë, pothuajse njëkohësisht, me nga një plumb në kokë, nga mbrapa, në një distancë fare të afërt…! Gjumi më del shpesh dhe i kujtoj të tre. Nuk kam provuar tmerr më të madh se atë natë të zezë. Kam pësuar një shok të pashlyeshëm”. Ishin ekzekutuar Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, Xhelal Koprencka.

Xhelal Koprencka, 5 dënime, një me vdekje

Imazhi më i njohur i Xhelal Koprenckës, është ai i një djaloshi të njomë. Ngjan pothuaj fëmijë. Buzëqesh me dy sy që ndrijnë. Pas atij portreti plot dritë, është historia e një djali që u dënua pesë herë nga regjimi komunist. Është historia e një djali që një natë, me duar të lidhura e nxjerrin nga qelia dhe e çojnë për ta pushkatuar, në një shpat të djerrë në rrethinat e Tiranës. Dhe në fund është historia e një djali që pas asaj nate, nuk dihet as fati i trupit të tij.

Ai vinte nga një familje e madhe nga Skrapari. Gjyshi i tij që kish pasur të njëjtin emër, kishte qenë firmëtar i Pavarësisë dhe ishte vrarë në mënyrë misterioze. Dënimi i parë iu dha më 1967, kur ishte 35 vjeç. Pas dënimeve në burgun e Tiranës, Sarandës e Ballshit dhe punës si hidraulik në Shkodër, në Spaç mbërrin më 1977. Në burg njihet me gazetarët Vangjel Lezho e Fadil Kokomani. Ishin pothuaj të një moshe. Kur dy gazetarët i çojnë letër Ramiz Alisë dhe Hysni Kapos, duke denoncuar hapur regjimin komunist, një letër të ngjashme dërgon edhe Koprencka, me të njëjtat akuza, për një sistem shtypës që mbahet nga armata e spiunëve. Letra e tij nuk është gjetur, ashtu siç nuk është arkivuar as fotografia e trupit të pajetë, që do u tregohej të dënuarve si formë presioni, por pas këtyre letrave, të tre arrestohen sërish dhe i pret procesi gjyqësor. Akuza e parë ishte agjitacion e propagandë.

Gjykata Popullore e Rrethit Mirditë, e deklaroi fajtor dhe e dënoi (duke bashkuar dënimet e mëparshme) me 25 vjet burgim. Por e pret një akuzë e re, si edhe shokët e tij. Arrestohet sërish më 23 shkurt 1979, me pretendimin se ka krijuar një organizatë, si “armik i tërbuar i shtetit të diktaturës së proletariatit dhe ndërtimit socialist të vendit”. Ai nuk e pranon. Para hetuesit Dhimitër Beshiri, e cilësoi “thjesht një fantazi”.

Ndërsa ishte në qeli në Tiranë, i vunë pranë një bashkëpunëtor të Sigurimit që ta zbërthente. Rezultati dihet. Me vendimin nr.3, datë 9.5.1979, Gjykata e Lartë i deklaroi fajtorë të pandehurit, për; “pjesëmarrje në organizatën antisocialiste” dhe agjitacion e propagandë sipas neneve 55 e 57 të Kodit Penal, duke dënuar Kokomanin, Lezhon dhe Xhelal Koprenckën me vdekje, me pushkatim.

Rrëmbimi dhe vrasja e Galip Hatibit

I akuzuar se “se ka hyrë në shërbim të spiunazhit të imperializmit amerikan”, 26-vjeçari dibran, Galip Hatibi, i sapomartuar, me 25 shtator 1946, arrestohet nga forcat e Sigurimit të Shtetit. Dëshmitë flasin për një arrestim që merr formën e një rrëmbimi të fshehtë, para godinës së Universitetit të Tiranës. “Më 1946, me urdhër të Nestit, kam arrestuar ilegalisht Galip Hatibin…si agjent i amerikanëve. Ai merrej në pyetje nga Nesti dhe Thoma Karamello..! Di se shpesh, Nesti me Thomain, e kanë rrahur keq Galipin dhe shumë keq e kanë trajtuar. Është vrarë ilegalisht në korrik-gusht 1948, me gjyq special, bërë me urdhër të Vaskës nga Angji Faber dhe Skënder Kosova”, pohonte oficeri i lartë i Sigurimit, Vango Mitrojorgji në autokritikë.

I mbajtur i izoluar për një kohë të gjatë në bodrumin e Seksionit të Sigurimit të Shtetit (te Selvia), ai nuk u mor asnjëherë në pyetje, derisa u ekzekutua, sipas disa dëshmive, diku afër zonës së Kinostudios, pasi ishte bërë kockë e lëkurë.

Gjatë procesit të vet, Koçi Xoxe i vënë tashmë në akuzë, pohonte se; “Për Galip Hatibin, Vaska (Koleci) më tha se ishte katandisur në gjendjen mizerabël dhe kështu, edhe me vendim të Komandantit (Enver Hoxhës) u ekzekutua me një gjyq formal”.  Vartësi i tij, Vango Mitrojorgji, pohonte po ashtu, se: “lidhur me përdorimin e torturave, kur hasej rezistencë, përdoreshin me të madhe torturat, derisa i arrestuari, vdiste ose tregonte”. Ndërsa në gjyqin kundër Kadri Hazbiut e Feçor Shehut, akt-akuza përmend se; “Nga provat dhe faktet e grumbulluara nga organet e hetimit, janë konkretizuar shumë raste të vrasjeve të tilla, të bëra pa gjyq, me urdhër të tradhtarëve Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti e Llambi Peçini. Këtu përmenden, ose siç janë vrasja pa gjyq e pastaj djegia në furrë nga Mihallaq Ziçishti, e Galip Hatibit të arrestuar si spiun i amerikanëve, vrasjet e kryera në Pukë, Rrëshen, Krujë, Burrel, Berat, etj.”.

Dëshmitë e personave përgjegjës, përfshijnë disa fajtorë në ekzekutimin e tij, duke thyer edhe vetë ligjet komuniste, fati i tij mbetet i paqartë, siç edhe vendi ku prehen eshtrat e tij nuk u mësua kurrë!

Pas vrasjes së Galipit, e shoqja Asamble Hatibi, njohu kalvarin e vuajtjeve bashkë me fëmijën, Durimin. Përveç pakënaqësisë që kishte kundër regjimit, që i vrau të shoqin, një akuzë tjetër që iu bë, ishte se ajo ka përforcuar fjalët për figurën e keqe morale të Enver Hoxhës. Asambleja do të arrestohej në tetor 1978 për t’u  liruar në nëntor 1982.

Përveç saj, përndiqej edhe i biri. Ndonëse i talentuar në futboll, ai   u la të punonte në ndërmarrjen gjeologjike. “Është tepër korrekt, tepër i mbyllur, por në gjoksin e tij zien një vullkan. U këshillua”, shkruan Sigurimi për të.

Sigurimi pranon manipulimin

Oficeri i lartë i Sigurimit, Vango Mitrojorgji, i marrë i pandehur pas arrestimit të Koçi Xoxes, në një autokritikë që bën, zbardh mënyrën e vdekjes së Andrea Zisit. Andrea kish qenë komunist i orëve të para, themelues i “Grupit të Zjarrit”, grup komunist i themeluar në Athinë dhe që në vitet e para, në përplasje me komunistët, që do të merrnin pushtetin. Në kujtimet e Koço Tashkos, Zisi përmendet për lidhjet e tij me komunistët grekë dhe po ashtu, si sabotator që ka bashkëpunuar me Mustafa Krujën. Oficeri i Sigurimit, Vango Mitrojorgji, zbardh mënyrën si vdiq. “Di se kur kam qenë në D.P.M., Vaska ka urdhëruar për të ekzekutuar një farë Andrea Zisi, të cilin e ka ekzekutuar kapiten Kapo Kapaj. Këtë e kanë maskuar, se gjoja iku nga makina”.

Dënimi i tri grave

Liri Gega, Dhora Leka dhe Selfixhe Broja, (Ciu), u dënuan të akuzuara se kishin lidhje me zbulimet jugosllave. Jetët e tyre qenë krejt të ndryshme, fatet dhe vendimet që morën deri në fund, po ashtu, siç është edhe sot kujtimi për to.

Selfixhe Ciu, ishte shoqe e Musine Kokalarit, gazetare e shkrimtare, që i kish botuar shkrimet e para më 1935. Pas studimeve në Firence, ajo u kthye dhe u rilidh me grupet komuniste dhe do të internohej disa herë bashkë me të shoqin. “Ne që vumë një tullë në këtë ngrehinë që shkatërroi jetën tonë, jetën e këtij populli, ndoshta dhe i kemi merituar ato vuajtje, atë kalvar”, ka rrëfyer e bija, t’i kenë thënë Selfixhe dhe Xhemal Broja.

Dhora Leka ishte kompozitore e lidhur me Luftën Nacionalçlirimtare dhe krijuese e një sërë këngësh partizane. Ndërsa Liri Gega, ish-anëtare e Byrosë Politike, në luftë shumë afër Enver Hoxhës, ishte bashkëshortja e gjeneral-major Dali Ndreut, ish-Komandant i Korparmatës së Parë gjatë Luftës. Si Liri Gega, si Dali Ndreu, u dënuan me vdekje, pasi u akuzuan si “agjentë të Jugosllavisë së Titos” dhe u ekzekutuan.

Në historikun e Sigurimit të Tiranës ka një dokument që i bashkon të trija. “Të gjithë kuadro të Zbulimit Jugosllav, u vunë në lëvizje dhe vendosën në kontakt me një pjesë të agjenturës së tyre të vjetër dhe të rekrutuar të rinj, si Petro Bullati, Dali Ndreu, Liri Gega, Dhora Leka, Zija Dibra, etj. Nëpërmjet Dhora Lekës, ata u lidhën dhe me armiq të tjerë të Partisë si Bedri Spahiu, Tuk Jakova, etj…! U arrestuan personat që u vërtetua plotësisht, se ishin vënë në shërbim të jugosllavëve, si; Dali Ndreu, Liri Gega, Petro Bulloti, Zija Dibra, Dhora Leka, etj. U muarën masa internimi e dëbimi nga Tirana i një sërë elementesh me rrezikshmëri e të implikuar me zbuluesit jugosllavë, siç ishin; Pëllumb Dishnica, Nesti Zoto, Selfixhe dhe Xhemal Broja, etj., gjithsej 25 familje.

“Nga studimi i bërë nga grupet e bashkëpunimit, komisionet, rezultonin se rreth 300 veta të arrestuar ishin armiq ose dyshoheshin për veprimtari armiqësore. Ndër ta, përveç krerëve të reaksionit e kriminelëve të luftës, ishin gjeneral Mirdasi, Beqir Valteri, Estref Frashëri, Terenc Toçi, Fejzi Alizoti, aktiviteti i të cilëve dihej”.

Akuza si agjentë

Amerikanët “rekrutonin agjentët e vjetër, si; Llazar Papapostoli, Shaban Balla, Kolë Kuqali, intelektualë të degjeneruar e borgjezë, si; Gjergj Kokoshi, Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri, Beqir Çela, Enver Sazani, Sulo Klosi, Selaudin Toto, etj., njerëz të klasave të përmbysura, si; Shefqet Beja, Bejat, Toptanasit, etj. Klerikët Sheh Ali Pazari, Dom Shtjefën Kurti, Andon Dukagjini, Meshkalla, etj.”!

“Një veprimtari të theksuar armiqësore zhvillonte kleri. Nën pretekstin e mbrojtjes së fesë, këta propagandonin kundër pushtetit popullor. Medreseja e Tiranës dhe xhamitë, u kthyen në qendra kryesore të aktivitetit reaksionar që drejtoheshin nga ish-kryetari i komiteti

blank

 

blank

FOTO: Ngjarja e rëndë e 22 nëntorit ’89: Si u kthye një aksion humanitar, në një tragjedi me 23 të vdekur

22 nëntor 1989… Helikopteri MI-4 koduar me shifrën “650” ishte ngritur në ajër me urgjencë pas alarmit se diku në Qafën e Llogorasë, një autobus me studentë kishte përfunduar në humnerë. Dy pilotët dhe tekniku, së bashku me një ekip mjekësh e ndihmësmjekësh, të gatshëm për të kryer një mision humanitar në shpëtim të jetëve të tyre, u nisën rrëmbimthi nga pista e regjimentit të Farkës edhe pse parametrat e kohës nuk tregonin asgjë optimale.

E ndërsa bazamenti prej betoni zvogëlohej rrufeshëm, secili prej tyre mendonte se vetëm disa orë më vonë, kur gjithçka do të përfundonte, helikopteri me flatrat e mëdha do të ulej përsëri aty, dhe ata do të mund të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre me gjysmën e shpirtit të lehtësuar, se në fund të fundit kishin shpëtuar disa jetë njerëzore. Koha ishte e keqe binte shi dhe vetëtimat shkarkonin masa elektrike në ajër.

Sinan Çela, Komandanti i Regjimentit udhëhiqte operacionin nga kulla e komandimit deri në çastin kur lidhja u shkëput. Pas kësaj heshtja ishte e plotë. Duhet të ketë qenë ora 17:55 minuta kur helikopteri i parë ra në shpatin e Karaburunit. Vetëm gjashtë apo shtatë minuta më pas diku në Vunoi helikopteri i dytë do të rrëzohej gjithashtu tragjikisht. Në regjimentin 4040 dhe në gjithë zonën e Farkës lajmi do të përhapej me shpejtësi.

Flora, gruaja e Enver Hakës, një prej pilotëve të vrarë, vite më pas e kujtonte kështu në një rrëfim për DITA mëngjesin e asaj nate të tmerrshme:

“Në mëngjes herët, në orën 06:00 trokiti dera. U çova e përgjumur pasi djali i vogël më qante shumë natën dhe në mëngjes gjumi më kishte mundur. Teksa vrapova të hap derën dëgjova zërin e fqinjës time të thoshte: “Hape derën”. E hapa dhe ajo më tha: “Vishu shpejt, sepse do të ikim në spital. Enveri është shumë sëmurë”. U trondita thellë aq sa dhe rrobat i vesha mbrapsht. Por s’pata shumë kohë. Në apartamentin tonë hynë dhe disa ushtarakë nga të regjimentit dhe u ulën nëpër karrige. U ula dhe unë dhe po i vështroja, duke u lutur që të çoheshim shpejt e të iknim në spital. Por një nga shokët e tij tha: “Enveri ka qenë trim”. U çudita, sepse folja ishte e pavend. Jo “ka qenë”, por “është”, ndërhyra unë gjithë ankth unë. Në atë çast fqinja më tërhoqi në dhomën tjetër ku flinin dy fëmijët dhe më tha; “Bëhu e fortë. Enveri të la”…”

Po çfarë ndodhi? Si u kthye një aksion humanitar, në një tragjedi që përfundoi me 23 të vdekur?

Njihet si “Tragjedia e Llogorasë”, por në fakt autobusi me 14 studentë e 3 pedagogë të Institutit Bujqësor, si dhe një ushtar si pasagjer, është rrëzuar në të dalë të Himarës duke shkuar për në Kollos. Pikërisht aty ku është një tatëpjetë e fortë, shoferi ka nxjerrë autobusin tij “Shkodra” në afolio, e pas kësaj nuk ka mundur të fusë dot marrshin. Janë “regjistruar” vetëm fjalët e fundit të tij duke bërtitur: “U morëm në qafë”.

Automjeti ka marrë tatëpjetën dhe shoferi nuk e ka pasur më nën kontroll. Autobusi rrëshqiti në humnerë në një lartësi prej gati 70 metrash. Shoferi i autobusit Ali Omuri dhe një student, Albert Smoka, humbën jetën në vend, ndërsa shumë të tjerë morën plagë të rënda mes tyre dhe pedagogu Misto Shumeli.

Për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve rëndë, nga Tirana u dërguan dy helikopterë: MI-4 644 i drejtuar nga komandanti Vangjel Postoli, piloti Tafil Agaj dhe teknik Pandeli Xhumba, dhe MI-4 650 i drejtuar nga komandanti Agron Galanxhi, piloti Veledin Resuli dhe teknik Enver Haka. Në bordin e tyre kishin edhe ekipin e mjekëve të spitalit nr. 2 në Tiranë, të përbërë nga Agim Qarri, Kujtim Hysi, Dionis Makuçi, Zana Floqi si dhe ndihmësmjekja Dhurata Leka.

Atë natë në vendngjarje mbërritën ministri i brendshëm Hekuran Isai që shoqërohej nga sekretari i parë i rrethit të Vlorës Enver Halili. Por gjithashtu shkoi dhe Haxhi Aliko, rektori i Institutit të Lartë Bujqësor. Helikopterët u nisën drejt Llogorasë dhe pas 50 minutave fluturim u ulën në fushën e Himarës për të marrë studentët e plagosur dhe për t’i sjellë në Tiranë. Në Farkë prisnin katër ambulanca për të marrë të plagosurit.

Në kthim, në një prej helikopterëve hipën mjeku Nafail Metollari dhe ndihmësmjeku Piro Kuko të spitalit të Himarës. Por tragjedia u thellua edhe më tej. Për shkak të motit shumë të keq, dy helikopterët u përplasën me shpatet e maleve, ndërsa pilotët mjekët, pedagogët e studentet, humbën jetën para se të mbërrinin në spital. Ekuipazhet e përbëra nga; Vangjel Pistoli, Agron Galanxhi, Tafil Agai, Veledin Resuli, Pandeli Zhupa dhe Enver Haka, e bashkë me ta edhe mjekët e infermierët që ishin nisur nga Tirana për të shpëtuar jetën e studentëve, nuk u kthyen më.

Por në bordet e dy helikopterëve ishin gjithashtu 9 studentë e dy pedagogë Misto Shumeli dhe Thoma Plasa.

Ushtarakët e Regjimentit të Farkës që ranë në këtë aksident ajror u shpallën “Dëshmorë të Atdheut” dhe prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

blank
Lapidari në Llogara
blank
Pllakë përkujtimore për ushtarakët e rënë
blank
Fotot e nëntorit 1989, një nga helikopterët e rrëzuar

Një nga viktimat e kësaj tragjedie ishte profesor Misto Shumeli.

Profesor Misto ka lindur në Kodër para 68 vitesh. Ishte më i vogli i fëmijëve të Sokratit dhe Frosinës, në një familje me tradita,ndjenja atdhetare dhe mbi të gjitha arsimdashëse. Ata e rritën atë në një skamje të plotë me vuajtje dhe mundime, por dashuria për shkollën,etja dhe pasioni për dije e bënë më të fortë,të kapërcente çdo vështirësi dhe pengesë.

Pavarësisht halleve të shumta i kreu studimet rregullisht,në të gjitha ciklet dhe me rezultate të shkëlqyera. Pas përfundimit të studimeve të mesme në shkollën “Abaz Shehu” në Tepelenë, iu dha e drejta e studimit në Institutin e Lartë Bujqësor(sot UBT) në Tiranë në Fakultetin e Agronomisë të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm. Ishin ato rezultate që e mbajtën Miston pedagog në atë universitet ku punoi 15 vjet me përkushtim, aftësi profesionale e punë kërkimore shkencore.

Ky pasion dhe vullnet shpërthyen në përmasat e një shkencëtari të guximshëm dhe të suksesshëm. Ka kryer studime pasuniversitare në Itali dhe ka marrë pjesë aktive në veprimtaritë kombëtare për të dhënë mendime të vlefshme për zhvillimin e bujqësisë,agronomisë në veçanti.

Për arritjet e suksesshme në fushën pedagogjike dhe në atë shkencore në vitin 1984 iu dha atij titulli “Doktor i shkencave”.

Pedagog dhe shkencor por mbi të gjitha njerëzor, – kështu e kujtojnë Profesor Miston ish studentë, kolegë, bashkëkohës, miqtë dhe familja e tij e shtrenjtë. Komunikimi, sjellja dhe marrëdhënia me ta e bënë pedagogun e ri Misto Shumeli në një nga figurat më të vlerësuara të Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Këto virtyte të larta njerëzore që ai dispononte u ka mbetur njerëzve në mbresa të cilët pa përjashtim e kujtojnë dhe pas kaq shumë vitesh me dhimbje e respekt të madh. Sepse auditorët ishin familja e dytë për të dhe diçka e pashmangshme në jetën e tij.

Por jeta ka ligje të hekurta, ajo ta rrëmben atëherë kur nuk e pret. Ajo u tregua e padrejtë me profesorin buzagaz.

blank
Profesor Shumeli

Viktimat e helikopterit të parë

1-Vangjel Postoli, komandant

2-Tafil Agaj, pilot

3-Pandeli Xhumba, mekanik

4-Misto Shumeli, i plagosur në aksident

5-Elida Hyseni, e plagosur në aksident

6-Donika Ferra, e plagosur në aksident

7-Zef Sula, i plagosur në aksident

8-Kujtim Hysi, mjek

9-Zana Floqi, mjeke

10-Dhurata Leka, ndihmësmjeke

11-Nafail Metollari, mjek në Himarë

12-Piro Kuko, ndihmësmjek në Himarë.

Viktimat e helikopterit të dytë

1-Agron Galanxhi, komandant

2-Veledin Resuli, pilot

3-Enver Haka, mekanik

4-Thoma Plasa, i plagosur

5-Ilirjana Brahimi, e plagosur

6-Taip Llaçi, i plagosur

7-Xhelal Ndreu, i plagosur

8-Agim Qarri, mjek

9-Dionis Makoçi, mjek

dita


Send this to a friend