VOAL

VOAL

KS i OKB-së voton për kandidatët për sekretar të përgjithshëm

October 5, 2016

Komentet

NATO i përgjigjet pyetjes së Vuçiçit për paktin rajonal të mbrojtjes e sigurisë: Shqipëria dhe Kroacia kontribuojnë në stabilitetin rajonal

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, tha se Shqipëria dhe Kroacia kontribuojnë në stabilitetin rajonal, kur u pyet për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes të dy shteteve të aleancës me Kosovën.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia marsin e vitit të kaluar nënshkruan një deklaratë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Zyrtarët e mbrojtjes të këtyre tri shteteve janë takuar dy herë gjatë këtij muaji për zbatimin e kësaj deklarate dhe kanë paralajmëruar se gjatë këtij viti do të zhvillojnë një stërvitje të përbashkët.

Ky bashkëpunim ka zemëruar Serbinë, presidentit i të cilës, Aleksandar Vuçiq, e ka parë si “aleancë sulmuese” kundër “serbëve dhe Serbisë”.
Shekerinska shtoi se NATO-ja nuk merr pjesë në diskutime apo konsultime për deklaratën e në shkruar nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi, por anëtarësimi në aleancë nuk i parandalon shtetet që të kenë marrëveshje shtesë të mbrojtjes me palë të treta.

Starmer në Mynih: Evropa është një gjigant i fjetur, duhet të jetë gati të luftojë nëse është e nevojshme! Kemi kapacitete të jashtëzakonshme mbrojtëse

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, deklaroi se Europa është një “gjigant i fjetur”, duke u bërë thirrje vendeve evropiane anëtare të NATO të bashkëpunojnë për të vepruar me “efikasitet të madh” përballë agresionit rus.

“Duhet të ecim përpara së bashku për të ndërtuar një NATO më evropiane. Siç e shoh unë, Europa është një gjigant i fjetur”, tha Starmer në fjalimin e tij në Munich Security Conference të shtunën.

“Ekonomitë tona janë 10 herë më të mëdha se ajo e Rusisë. Ne kemi kapacitete të jashtëzakonshme mbrojtëse, por shpesh kjo përfundon duke qenë më pak se shuma e pjesëve tona”, theksoi ai. “Planifikimi dhe prokurimi i fragmentuar industrial kanë çuar në boshllëqe në disa fusha dhe në përsëritje masive në të tjera”, shtoi më tej.

Lideri britanik theksoi se, ndonëse SHBA mbetet një aleat i pazëvendësueshëm, strategjia kombëtare e sigurisë e Shteteve të Bashkuara nënkupton që Europa duhet të marrë përgjegjësinë parësore për mbrojtjen e saj. “Ky është normaliteti i ri”, u shpreh ai.

Starmer deklaroi se Europa duhet të jetë e gatshme të ndërtojë një “fuqi të fortë” dhe të jetë e përgatitur të luftojë, nëse është e nevojshme. “Kjo është monedha e kohës sonë; duhet të jemi në gjendje të parandalojmë agresionin dhe po, nëse është e nevojshme, duhet të jemi të gatshëm të luftojmë, të bëjmë gjithçka që kërkohet për të mbrojtur popullin tonë, vlerat tona dhe mënyrën tonë të jetesës”, deklaroi ai.

Keir Starmer theksoi se Europa duhet të investojë në sigurinë e saj dhe të diversifikojë kapacitetet, pa synuar të zëvendësojë plotësisht Uashingtonin, i cili mbetet një partner jetik në fushën e mbrojtjes.

“Flas për një qasje të sigurisë së Europës dhe për autonomi më të madhe evropiane, që nuk nënkupton largimin e SHBA-ve”, përfundoi kryeministri britanik. gsh

Fjalimi i Rubios në Mynih: Qetësim për aleatët dhe thirrje për ndryshim

Alex Raufogli

Në një sallë të mbushur me udhëheqës politikë dhe ushtarakë nga Evropa dhe përtej, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbajti një fjalim që arriti dy gjëra njëkohësisht: të qetësonte aleatët e shqetësuar dhe të bënte thirrje të fuqishme për ndryshim.

Pas muajsh pasigurie mbi drejtimin e Uashingtonit nën presidentin Donald Trump – dhe kujtimeve ende të freskëta nga viti i kaluar i fjalimit me tone konfrontuese i nënpresidentit JD Vance – shumë të pranishëm në sallë dukeshin të lehtësuar.

“Pothuajse mund ta ndjenit se po merrnin frymë lirshëm”, tha pas fjalimit të Rubios një diplomat i lartë evropian për Radion Evropa e Lirë. “Përmbajtja është e fortë. Por, toni? Kjo ka rëndësi”.

“Fëmijë i Evropës”

Rubio vazhdimisht vuri theksin te lidhja e Amerikës me Evropën, duke e përshkruar SHBA-në si të lidhur shpirtërisht dhe kulturalisht me kontinentin. “Ne gjithmonë do të jemi një fëmijë i Evropës”, tha ai, duke përmendur historinë, gjuhën, besimin dhe sakrificat e përbashkëta.

Ai i paraqiti mospajtimet jo si kritika, por si shprehje të shqetësimit. Nëse SHBA ndonjëherë duket “e drejtpërdrejtë dhe urgjente”, tha ai, kjo ndodh sepse “interesohemi thellësisht për të ardhmen tuaj dhe tonën”. Amerika dëshiron që Evropa të jetë e fortë, shtoi ai, sepse fati i Evropës është i pandashëm nga siguria kombëtare e SHBA-së.

Për të theksuar lidhjen mes tyre, Rubio përmendi një listë të gjigantëve kulturorë evropianë – Mozart, Beethoven, Dante, Shakespeare, Michelangelo, Da Vinci – së bashku me The Beatles dhe The Rolling Stones, dhe monumente ikonike si Kapela Sistine dhe Katedralja e Këlnit. Këto, tha ai, dëshmojnë jo vetëm madhështinë e së kaluarës, por edhe premtimin për të ardhmen.

Rubio mori duartrokitje të gjata dhe një ovacione – një dallim i dukshëm, siç vërejtën disa pjesëmarrës, me pritjen që kishte marrë Vance një vit më parë.

“Illuzion i rrezikshëm”

Por, nën ngrohtësinë e fjalimit fshihet një kritikë e ashpër.

Duke u mbështetur në historinë e konferencës, e cila u themelua në vitin 1963 në kulmin e Luftës së Ftohtë, Rubio kujtoi një kohë kur “mijëra vjet civilizim perëndimor u var në një fije”. Perëndimi triumfoi, tha ai, por e interpretoi gabim fitoren e tij.

“Euforia e këtij triumfi na çoi drejt një iluzioni të rrezikshëm”, argumentoi ai, se historia kishte përfunduar, se demokracia liberale do të përhapej dhe se tregtia dhe rregullat globale do të zëvendësonin interesin kombëtar dhe kufijtë.

Ky vizion, tha Rubio, injoroi “natyrën njerëzore” dhe mësimet e mijëvjeçarit. Ai çoi në deindustrializim, transferimin e sovranitetit tek institucionet ndërkombëtare dhe atë që ai e quajti një “valë të paparë migrimesh masive” që kërcënon kohezionin shoqëror.

Sekretari amerikan i Shtetit me kujdes i paraqiti këto jo si dështime evropiane, por si gabime të përbashkëta të Perëndimit. “Ne i bëmë këto gabime së bashku”, tha ai, dhe “së bashku i detyrohemi popujve tanë të përballemi me këto fakte dhe të ecim përpara”.

Migracioni, industria dhe sovraniteti

Rubio argumentoi se deindustrializimi “nuk ishte i pashmangshëm,” por rezultat i zgjedhjeve politike të bazuara në atë që ai e quajti një “iluzion” pas Luftës së Ftohtë. Ai kritikoi atë që e përshkroi si tregti të lirë dogmatike, e cila shkatërroi industri dhe i dha avantazh rivalëve.

Për çështjen e migracionit, ai hodhi poshtë idenë se kontrolli i kufijve është ksenofob. Rimarrja e kontrollit mbi kufijtë kombëtarë, tha ai, është “një akt themelor i sovranitetit kombëtar”. Dështimi për ta bërë këtë, paralajmëroi ai, paraqet “një kërcënim të menjëhershëm për strukturën e shoqërive tona”.

Dëshpërimi i emigrantëve përgjatë kufirit SHBA-Meksikë
Fotogaleri

Dëshpërimi i emigrantëve përgjatë kufirit SHBA-Meksikë

Menjëherë pas betimit të Donald Trumpit si president, autoritetet kufitare të SHBA-së pezulluan një program që lejonte qindra mijëra migrantë të hynin ligjërisht në SHBA përmes planifikimit të takimit nëpërmjet një aplikacioni në telefon.

Ai kritikoi gjithashtu disa politika të gjelbra, duke thënë se përpjekjet për të “kënaqur një kult klimatik” kanë varfëruar shoqëritë perëndimore, ndërkohë që konkurrentët vazhdojnë të shfrytëzojnë karburantet fosile.

Privatisht, disa zyrtarë evropianë shprehën shqetësim për këtë formulim, por pranuan se në pikëpamje më të gjerë kjo do të rezononte me pjesë të elektoratit të tyre vendas.

“Ai po përshkruan debatet që ne tashmë i kemi në vendet tona”, tha një diplomat nga Evropa Perëndimore. “Dallimi është se ai po thotë: ndaloni menaxhimin e përkeqësimit dhe filloni ta zhbëni”.

Pa interes për “përkeqësim të menaxhuar”

Rubio insiston se Uashingtoni nuk synon të dobësojë aleancat, por të “revitalizojë një miqësi të vjetër”. SHBA-ja nuk dëshiron aleatë që “justifikojnë status quo-n e shkatërruar”, tha ai, por partnerë të gatshëm të rindërtojnë forcën.

Ai argumentoi se përkeqësimi është një zgjedhje. Ashtu sikurse Perëndimi e refuzoi fatalizmin pas Luftës së Dytë Botërore, duhet ta refuzojë atë edhe tani. Shtetet e Bashkuara nuk kanë “asnjë interes të jenë kujdestarë të sjellshëm dhe të rregullt të përkeqësimit të menaxhuar të Perëndimit”.

Kjo frazë nxiti një nga reagimet më të forta në sallën ku po mbahej fjalimi.

“Ai po na sfidon”, tha një diplomat i lartë nga Evropa Veriore. “Por, ai po përfshin edhe veten në atë sfidë. Ky është dallimi”.

OKB-ja, Ukraina dhe pyetjet e vështira

Rubio po ashtu bëri thirrje për reforma – jo për zhbërje – të institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, të cilat, sipas tij, kanë “potencial të jashtëzakonshëm”, por nuk kanë arritur të zgjidhin konflikte si Ukraina dhe Gaza.

“Në një botë të përsosur”, tha ai, diplomatët dhe rezolutat do të mjaftonin. “Por, ne nuk jetojmë në një botë të përsosur”.

Sa i përket Ukrainës, Rubio tha se çështjet e nevojshme për t’i dhënë fund luftës janë “ngushtuar”, por tashmë kanë mbetur “pyetjet më të vështira për t’u zgjidhur”. Ai tha se Uashingtoni do të vazhdojë të testojë nëse Moska është serioze për negociata, duke mbajtur në fuqi sanksionet dhe mbështetjen ushtarake për Kievin. Një marrëveshje e drejtë dhe e qëndrueshme mbetet synimi, shtoi ai.

I pyetur në një sesion të shkurtër pyetje-përgjigje pas fjalimit nëse Rusia është vërtet e interesuar për paqe, Rubio u tregua i kujdesshëm: “Ata thonë se janë”. SHBA-ja, tha ai, do të vazhdojnë të shqyrtojnë se cilat kushte mund të jenë të pranueshme për të dyja palët.

Sa i përket Kinës, Rubio pranoi se interesat e SHBA-së dhe Kinës “shpesh nuk do të jenë në të njëjtën linjë”, por theksoi se duhet të menaxhohen dallimet dhe të shmanget konflikti.

Fjalimi i Rubios u pasua nga deklarata të ministrit të Jashtëm të Kinës, Wang Yi, i cili mbrojti multilateralizmin dhe paralajmëroi kundër përballjes mes blloqeve, duke theksuar peshën gjeopolitike të debatit.

Megjithatë, ishte performanca e Rubios ajo që dominoi bisedat në korridore.

Mesazhi – mbi sovranitetin, kufijtë, industrinë dhe reformën – u bëri jehonë temave që për një kohë të gjatë lidhen me lëvizjen politike të Trumpit.

Megjithatë, duke i mbështjellë ato me pohime për trashëgiminë e përbashkët dhe sakrificën e ndërsjellë, Rubio përdori një ton dukshëm të ndryshëm nga ndërhyrjet e mëparshme amerikane.

“Ai nuk e zbuti përmbajtjen”, tha një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian. “Por, e zbuti mënyrën e paraqitjes së përmbajtjes. Dhe, kjo e bën më të lehtë për ta dëgjuar”.

Të paktën për momentin, aleatët e Uashingtonit dukeshin të qetësuar se deklaratat e drejtpërdrejta nuk nënkuptojnë domosdoshmërish prishje të raporteve.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Dy herë më shumë konflikte të armatosura sesa 15 vjet më parë! Civilët në shënjestër të dronëve, çfarë u tha në Konferencën e Mynihut

Civilët po bëhen gjithnjë e më shumë objektiv i drejtpërdrejtë në konfliktet e armatosura moderne, sidomos me përhapjen e teknologjive të reja si mjetet ajrore pa pilot (dronët). Paralajmërimi u bë nga presidentja e Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, Mirjana Spoljaric, gjatë fjalës së saj në Konferenca e Sigurisë në Mynih.

“Sot po shënojmë dy herë më shumë konflikte të armatosura sesa 15 vjet më parë dhe katër herë më shumë sesa 30 vjet më parë”, theksoi ajo, duke nënvizuar se situata globale e sigurisë është përkeqësuar ndjeshëm.

Sipas Spoljaric, nuk bëhet fjalë vetëm për rritjen e numrit të konflikteve, por edhe për intensitetin dhe shkallën e tyre. “Konfliktet e armatosura po përkeqësohen për shkak të progresit të shpejtë teknologjik”, u shpreh ajo, duke përmendur në veçanti ndikimin në rritjen e zhvendosjes së detyruar të popullsisë.

Ajo theksoi se dronët po përdoren jo vetëm kundër objektivave ushtarake, por gjithnjë e më shpesh edhe kundër civilëve. “Luftërat janë shndërruar në luftëra jo kundër atyre që mbajnë armë, por kundër civilëve, në një mënyrë të qëllimshme”, deklaroi kreu i KNKK-së.

Spoljaric paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e braktisjes së respektimit të së drejtës ndërkombëtare humanitare gjatë konflikteve. “Nëse shkatërroni rregullat e luftës dhe thoni se do ta fitoni me çdo kusht, pa rregulla, atëherë u dërgoni një mesazh të gjithë atyre që mbajnë armë se çdo gjë është e lejuar. Është vetëm çështje kohe para se një bombë të shpërthejë në qytetin tuaj”, theksoi ajo, duke shtuar se teknologjitë e reja dhe përhapja e grupeve të armatosura e bëjnë këtë skenar gjithnjë e më të mundshëm. bw

Ambasadori i Uashingtonit në NATO: Rusia mund të mos dëshirojë kurrë paqe

Ambasadori i SHBA-së në NATO ka deklaruar se Rusia mund të mos jetë kurrë e gatshme të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, të cilën Kremlini e nisi gati katër vjet më parë.

“Mendoj se ukrainasit janë gati të bëjnë një marrëveshje të arsyeshme tani, e cila do të ishte e drejtë duke pasur parasysh rrethanat”, tha ambasadori amerikan Matthew Whitaker gjatë një diskutimi në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.

“Por thjesht nuk jam i bindur se rusët janë të gatshëm të bëjnë një marrëveshje, se do të ndodhë një ditë”, shtoi ai.

Veçanërisht, ky mesazh duket të jetë i kundërt me atë të dërguar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump disa orë më parë dje.

Republikani i kërkoi homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, të nxitojë për të arritur një marrëveshje me Moskën në mënyrë që të mos “humbë mundësinë e madhe” që i është paraqitur, përpara raundit të ardhshëm të negociatave nën kujdesin e SHBA-së në Gjenevë të martën e ardhshme. bw

Dosja Epstein- Historiani bën deklaratën e fortë në Daily Mail: Ish-kryeministri britanik bëri treshe me Ghislaine Maxwell

Javën e kaluar, Departamenti i Drejtësisë publikoi pjesën më të madhe të dokumenteve deri më tani nga hetimi i financuesit pedofil Jeffrey Epstein, që përbëhej nga më shumë se 3 milion dokumente, foto dhe video.

 

ANGLI- Historiani, Andrew Lownie ka rrëfyer në një intervistë me Daily Mail, se një ish-kryeministër britanik ka qenë i përfshirë në një trekëndësh seksual me trafikanten e dënuar të seksit Ghislaine Maxwell. Lownie iu bashkua autores të ‘Sunday Times’, Sarah Vine, për të kuptuar më shumë mbi publikimet më të fundit të dosjeve të Epstein nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së.

Javën e kaluar, Departamenti i Drejtësisë publikoi pjesën më të madhe të dokumenteve deri më tani nga hetimi i financuesit pedofil Jeffrey Epstein, që përbëhej nga më shumë se 3 milion dokumente, foto dhe video.

Si një zë i hershëm që paralajmëroi për sjelljet shqetësuese dhe rrjetin komprometues të lidhjeve të tij, Lownie është bërë një autoritet kontestues mbi lidhjet e elitës britanike me Epstein.

Përveç pretendimit se në vitin 2006, Andrew dhe Epstein tentuan të paguanin një balerinë për të kryer marrëdhënie seksuale me të dy njëkohësisht, Lownie pretendoi se princi nuk ishte i vetmi anëtar i shoqërisë së lartë britanike që kishte pasur marrëdhënie seksuale me Epstein dhe Maxwell.

Lownie tha: Kam dëgjuar shumë biseda rreth tresheve seksuale – përfshirë një trekëndësh mes Ghislaine dhe një kryeministri britanik.

Vine: Një kryeministër i kohëve të fundit?

Lownie: Në fakt një ish-kryeministër, por nuk është Winston Churchill.

Lownie pretendoi se publiku ende nuk di shumë për aktivitetet e Andrew me Epstein. Ai tha se elemente brenda Pallatit Buckingham dhe qeverisë ndihmuan dhe mbuluan Dukën e dikurshëm të York-ut, duke fshehur sjelljen e tij.

Andrew ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat për sjellje seksuale të pahijshme. Në 2022, ai zgjidhi një çështje civile me Virginia Giuffre pa pranuar përgjegjësi, megjithëse shprehu keqardhje për lidhjen e tij me Epstein.

“Ne kemi shumë më tepër për Andrew. Mendoj se gjithashtu do të zbulojmë se ai është ndihmuar dhe mbrojtur më shumë se sa e kuptojmë. Kjo do të ekspozojë dhe emra të tjerë që do të dalin në skenë. Kjo është arsyeja pse mendoj se Mbretit i duhet të flasë. Andrew ka qenë i mbrojtur për një kohë të gjatë nga një gamë e tërë njerëzish rreth tij, shumë prej të cilëve në pozicione zyrtare.

“Duhet të ndodhin dy gjëra: duhet të kemi një hetim parlamentar mbi kohën e Andrew si Përfaqësues i Tregtisë. Së dyti, duhet të publikohen të gjitha dosjet mbi kohën e Andrew si Përfaqësues i Tregtisë. Sipas ligjit, ato duhet të jenë në Arkivat Kombëtare. Kjo do të ndihmonte për të pastruar ‘stallat’ dhe për të rikthyer një pjesë të besimit”, tha Lownie.

Sa i përket Epstein, Lownie pretendoi se financieri ishte një aset i inteligjencës ruse, i rekrutuar nga Bashkimi Sovjetik në vitet 1980. Ai tha se Epstein dhe të tjerë ishin rekrutuar për të drejtuar operacione ‘honeytrap’ në Britani dhe në Shtetet e Bashkuara, me qëllim sigurimin e ndikimit dhe shantazhit ndaj personave me pushtet.

“Në vitet 1930, rusët depërtuan në establishment përmes Oxford-it dhe Cambridge-it. Më pas kuptuan se mund ta bënin këtë edhe përmes familjes mbretërore. Kuptuan se kishte anëtarë të etur për para brenda familjes mbretërore, të cilët do të shkonin në shtrat me njerëz të caktuar dhe do t’u jepnin atyre akses dhe kredibilitet

Ka materiale që janë sekuestruar nga FBI-ja dhe që nuk janë bërë kurrë publike video ku përfshihet edhe Andrew. Një pjesë e këtij materiali iu dha Putinit. Ne e dimë që Andrew ishte i përfshirë në ‘honeytrap’-e në Rusi, në Azinë Qendrore, kudo. Por, pa dyshim, mua më janë dhënë prova se Epstein ishte një burim rus dhe se ai drejtonte këto operacione ‘honeytrap’. Ai tregtonte informacion dhe shantazh,” shpjegoi Lownie./Dosja.al

Shefi i NATO-s ironizon Moskën: Rusia po pëson humbje tronditëse! Ariu rus po ecën me shpejtësinë e një kërmilli në Ukrainë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha të premten se Rusia po pëson humbje tronditëse në luftën e saj kundër Ukrainës, ndërsa bëri një koment ironizues ndaj narrativave që e portretizojnë Moskën si një “ari të fuqishëm”.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ministrin e Jashtëm gjerman Johann Wadephul, Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte tha se kishte një marrëveshje të gjerë midis ministrave të mbrojtjes të NATO-s për të vazhduar dhe rritur mbështetjen për Ukrainën.

 

Rusët po pësojnë humbje marramendëse ditë pas dite. 35,000 të vdekur në dhjetor. 30,000 vdekje në janar. Ata duan që ne t’i perceptojmë rusët si një ari të fuqishëm, por mund të thuhet se ata po lëvizin nëpër Ukrainë me shpejtësinë e një kërmilli kopshti. Dhe të mos e harrojmë. Le të mos biem në kurthin e propagandës ruse.”, u shpreh ai.

Komentet e tij erdhën pas një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, ku ai tha se aleatët shprehën mbështetje të gjerë për ruajtjen dhe rritjen e ndihmës për Kievin.

Ai nënvizoi se bashkëpunimi më i ngushtë midis NATO-s dhe Bashkimit Evropian ka forcuar përpjekjet kolektive, veçanërisht në mbështetje të Ukrainës.

“Rendi botëror nuk ekziston më”- Merz hap Konferencën e Mynihut: Sezoni i festave për Evropën ka mbaruar, luftërat kulturore të SHBA-së nuk janë tonat!

Kancelari gjerman Friedrich Merz, hapi Konferencën e Sigurisë në Mynih me një vlerësim të ashpër të situatës ndërkombëtare, duke deklaruar se, në kundërshtim me sloganin e konferencës së këtij viti, rendi botëror nuk është “nën kolaps”, por “nuk ekziston më”.

 

Në fjalën e tij hapëse, Merz argumentoi se ngjarjet e fundit shënojnë fundin e asaj që ai e quajti “pauza e gjatë e Evropës nga historia botërore”, duke vënë në dukje se kontinenti po rihyn në një epokë konfrontimi të ashpër gjeopolitik, balancash fuqie dhe konfliktesh.

Kancelari gjerman theksoi se kthimi i politikës së fuqive të mëdha është tani korniza kryesore për hartimin e politikave evropiane, me theks në parandalimin, rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe konkurrencën gjeopolitike.

“Qëllimi ynë kryesor si evropianë dhe si gjermanë është ta pranojmë këtë realitet të ri sot”, tha ai. “Kjo nuk do të thotë që ne e pranojmë atë si fatin tonë të pashmangshëm.”

Vërejtjet e tij erdhën pas një samiti informal të udhëheqësve të Bashkimit Evropian, në një kohë kur qeveritë në të gjithë kontinentin po përpiqen të formulojnë një strategji koherente për të rritur konkurrueshmërinë dhe për të ringjallur sektorët industrialë.

Merz theksoi se Evropa po dështon në përkthimin e peshës së saj ekonomike në ndikim gjeopolitik. PBB-ja e Rusisë është rreth 2 trilionë euro, vuri në dukje ai, ndërsa ekonomia e Bashkimit Evropian është pothuajse dhjetë herë më e madhe.

“E megjithatë, Evropa nuk po vepron dhjetë herë më fort”, tha ai, duke e përshkruar hendekun si dobësinë kryesore strategjike të kontinentit.

‘Një përçarje e thellë’ me Shtetet e Bashkuara

Merz foli për një “përçarje të thellë” që është hapur midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, duke treguar dallime në rritje në një nivel politik dhe tregtar.

“Luftërat kulturore të SHBA-së nuk janë tonat. Dhe ne nuk besojmë te tarifat dhe proteksionizmi, por te tregtia e lirë”, tha ai, në një nga përshkrimet më të drejtpërdrejta të tensioneve transatlantike të sotme.

Paralajmërim për Kinën dhe çështjen bërthamore

Kancelari paralajmëroi gjithashtu për ngritjen e Kinës, duke vlerësuar se “brenda pak vitesh” Pekini ka të ngjarë t’i kalojë Shtetet e Bashkuara në fuqi ushtarake. Siç tha ai, “pretendimi i SHBA-së për lidership është në prag të fundit, ndoshta tashmë i humbur”.

Në fjalimin e tij, Merz zbuloi se kishte diskutuar mundësinë e një mjeti parandalues ​​bërthamor evropian me Presidentin Francez Emmanuel Macron.

“Diskutova një mjet parandalues ​​bërthamor evropian me Emmanuel Macron”, tha ai, duke prekur një nga çështjet më të ndjeshme në arkitekturën e sigurisë evropiane.

Përmendja e tij lidhet me diskutimet se si Evropa mund të forcojë mbrojtjen e saj strategjike mes pasigurisë në lidhje me garancitë afatgjata të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara. Franca ka arsenalin e vetëm bërthamor plotësisht të pavarur në Evropë.

Mesazh për Pekinin përpara vizitës

Deklaratat e Merz përcaktuan gjithashtu qëndrimin që ai pritet të mbajë gjatë vizitës së tij të parë në Kinë si kancelar më vonë këtë muaj. Pavarësisht pranimit të fuqisë në rritje të Pekinit, ai e bëri të qartë se realiteti i ri gjeopolitik nuk do ta çonte Berlinin “në përqafimin e Kinës”.

Ai vuri në dukje se Pekini përdor sistematikisht varësitë e vendeve të tjera në avantazhin e tij. Ai kujtoi se industria gjermane e automobilave ishte pothuajse në një ngërç vitin e kaluar kur Kina vendosi kufizime në eksportin e magneteve të rrallë të tokës, të cilët përdoren në komponentë kritikë në të gjithë zinxhirin e vlerës.

Kancelari pritet të ngrejë çështjen e kufizimeve të eksportit si një pikë kyçe ngërçi në bisedimet e tij me udhëheqjen kineze, duke kërkuar rregulla më të qarta dhe parashikueshmëri më të madhe në marrëdhëniet tregtare.

Në fjalimin e tij në Mynih, Friedrich Merz u përpoq të përshkruajë një strategji evropiane më realiste dhe më bindëse në një botë ku, siç argumentoi ai, rendi i vjetër ndërkombëtar tashmë ka kaluar. Panorama

Sondazhi i ‘Politico’: Amerikanët, gjermanët, francezët dhe britanikët e shohin Luftën e Tretë Botërore si të mundshme brenda pesë viteve të ardhshme, por…!

Vlerësimi se bota po shkon drejt një Lufte të Tretë Botërore shprehet si e mundshme nga qytetarët e vendeve perëndimore në një sondazh të ‘Politico’-s.

 

Në të pesë vendet që morën pjesë në sondazh – Shtetet e Bashkuara, Kanada, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania – shumica dërrmuese e të anketuarve besojnë se bota po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme.

Amerikanët, gjermanët, francezët dhe britanikët e konsiderojnë shpërthimin e një Lufte të Tretë Botërore si më të mundshëm sesa jo brenda pesë viteve të ardhshme.

“Ndryshimi në më pak se një vit pasqyron një ndryshim dramatik drejt një bote më të pasigurt, ku lufta shihet si e mundshme dhe aleancat janë të lëkundura”, tha kreu i sondazheve në Public First, i cili kreu sondazhin, pasi rritja krahasuar me pyetjen përkatëse në vitin 2025 është e madhe.

Megjithatë, i njëjti sondazh regjistroi ngurrimin e perëndimorëve për të bërë sakrifica për të financuar më shumë shpenzime ushtarake. Ndërsa ka mbështetje të gjerë për rritjen e buxheteve të mbrojtjes në përgjithësi në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Gjermani dhe Kanada, kjo mbështetje ra ndjeshëm kur qytetarët mësuan se kjo mund të nënkuptojë rritje të borxhit publik, shkurtime në shërbime të tjera ose rritje të taksave.

Gjetjet, bazuar në sondazhe të më shumë se 2,000 votuesve në secilin vend midis 6 dhe 9 shkurtit, zbulojnë sfidën me të cilën përballen udhëheqësit e NATO-s ndërsa përpiqen të forcojnë sigurinë në një kohë kufizimesh fiskale.

Meqenëse lufta katërvjeçare e Rusisë në Ukrainë nuk po merr fund menjëherë dhe veprimet ushtarake të SHBA-së në Iran, Siri, Venezuelë dhe Afrikë nën drejtimin e Presidentit Donald Trump nuk po e shohin si të dukshme një rrezik në rritje të konfliktit global.

Kjo është veçanërisht e theksuar në Mbretërinë e Bashkuar, ku 43% besojnë se është “e mundshme” ose “shumë e mundshme” që një luftë e re botërore të shpërthejë deri në vitin 2031 – nga 30% në mars 2025. Pothuajse gjysma e amerikanëve – 46% – besojnë se një luftë e re botërore është “e mundshme” ose “shumë e mundshme” deri në vitin 2031 – nga 38% vitin e kaluar.

sondazhi

Midis pesë vendeve, vetëm gjermanët besojnë në përgjithësi se një luftë e tretë botërore është e pamundur në pesë vitet e ardhshme.

Kur bëhet fjalë për përfshirjen e vendeve individuale në veprime ushtarake, të anketuarit amerikanë ishin më të prirur të besonin se vendi i tyre do të ishte në luftë në pesë vitet e ardhshme, të ndjekur nga të anketuarit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë.

Në të njëjtën kohë, të paktën një në tre të anketuar në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Kanada thanë se ishte e mundshme ose shumë e mundshme që një armë bërthamore të përdoret në luftë në pesë vitet e ardhshme.

Rusia konsiderohet kërcënimi më i madh për paqen në Evropë, ndërsa kanadezët e shohin Amerikën e Trump si rrezikun më të madh të sigurisë. Në Francë, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-të emërohen si rreziku i dytë më i madh. Panorama

“Xhaxhi Jeffrey më ka lënë pa fjalë!”- Kryekëshilltarja ligjore e “Goldman Sachs” jep dorëheqjen pas publikimit të email-eve me Jeffrey Epstein! Zbulohen dhuratat që ka marrë prej tij

Kryekëshilltarja ligjore e Goldman Sachs, Kathryn Ruemmler, paraqiti dorëheqjen mbrëmjen e së enjtes, pas publikimit nga Departamenti i Drejtësisë i miliona dokumenteve që e lidhin me të dënuarin për vepra seksuale, Jeffrey Epstein.

 

Largimi i Kathryn Ruemmler, e cila ka shërbyer si këshilltare ligjore e Shtëpisë së Bardhë gjatë presidencës së Barack Obama dhe si bashkëkryetare e komitetit për menaxhimin e reputacionit në Goldman Sachs, vjen në kuadër të një vale dorëheqjesh apo largimesh të drejtuesve të lartë që pasuan publikimin, më 30 janar, të rreth tre milionë dokumenteve nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë lidhur me çështjen Epstein.

Dorëheqja e saj, e cila do të hyjë në fuqi më 30 qershor, pasoi publikimin e dosjeve që përfshijnë korrespondencë elektronike ndër vite nga një person me emrin “Kathy Ruemmler”, i cili në mesazhe i referohej financierit tashmë të ndjerë si “xhaxhi Jeffrey”.

Në një email të vitit 2018, “Kathy Ruemmler” e falënderon Epstein për një dhuratë “të mrekullueshme dhe të menduar me kujdes”, ndërsa në një mesazh të janarit 2019 shkruan: “Sot xhaxhi Jeffrey më ka lënë pa fjalë! Çizme Jeffrey, çantë dhe orë”, duke përshkruar dhuratat që pretendohet se ka marrë.

Në një deklaratë me shkrim të dërguar me email mbrëmjen e së enjtes, ajo theksoi se “përgjegjësia ime është të vendos interesat e Goldman Sachs mbi gjithçka” dhe se “me keqardhje” e kishte njoftuar drejtorin ekzekutiv të bankës, David Solomon, për synimin e saj “për t’u larguar nga pozicioni i Chief Legal Officer dhe Këshilltare e Përgjithshme Ligjore” e bankës së Wall Street.

“Që kur iu bashkova Goldman Sachs gjashtë vite më parë, ka qenë privilegj për mua të kontribuoj në mbikëqyrjen e çështjeve ligjore, institucionale dhe rregullatore të kompanisë, të forcoj proceset e menaxhimit të rrezikut dhe të siguroj që ne të veprojmë në përputhje me vlerën tonë themelore të integritetit në gjithçka që bëjmë”, thuhet në deklaratë.

David Solomon, në një reagim të tijin, e cilësoi Ruemmler si një këshilltare të jashtëzakonshme ligjore gjatë gjithë mandatit të saj në bankë, duke theksuar se Goldman Sachs është “mirënjohëse për kontributin dhe këshillat e saj të mençura në një gamë të gjerë çështjesh të rëndësishme ligjore për kompaninë”. Ai shtoi se “si një nga profesionistet më të vlerësuara në fushën e saj, Kathryn ka qenë gjithashtu mentore dhe mike për shumë prej njerëzve tanë dhe do të na mungojë. E pranova dorëheqjen e saj dhe respektoj vendimin e saj”.

Ndërkohë, zëdhënësja e Ruemmler, Jennifer Conley, deklaroi për CNN pas publikimit të emaileve se juristja e lartë “nuk ka bërë asgjë të gabuar”, “nuk ka asgjë për të fshehur” dhe se asgjë në dosje “nuk sugjeron të kundërtën”.

Sipas saj, Ruemmler “ka qenë e qartë dhe konsistente që në fillim: ajo e njihte atë në kuadër të punës së saj si avokate penale e mbrojtjes, kishin një klient të përbashkët, mori referime prej tij dhe mbajti një marrëdhënie miqësore brenda këtij kuadri profesional”. Panorama

“Partneritet, jo varësi!” – Shtetet e Bashkuara lançojnë NATO 3.0, doktrinën e tyre të re për Aleancën atlantike

NATO po hyn në një fazë të re strategjike, sipas deklaratave të Zëvendës Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së, Elbridge Colby, përpara takimit të ministrave të mbrojtjes të Aleancës në Bruksel të enjten, me Uashingtonin që promovon një model bashkëpunimi të bazuar në “partneritet, jo varësi”.

Elbridge Colby, një figurë kyçe në strategjinë e re të sigurisë kombëtare të administratës sw Donald Trump, njoftoi se Aleanca po kalon në atë që ai e quajti “NATO 3.0 “, duke shpjeguar se është “një kthim i vërtetë në atë që NATO ishte projektuar fillimisht të ishte”.

“Ne kemi një bazë shumë të fortë për të punuar së bashku në partneritet, duke e pozicionuar NATO-n si një Aleancë të bazuar në bashkëpunim dhe jo në varësi”, tha ai, duke shtuar se faza e re shënon një forcim të rolit të Evropës në mbrojtjen e kontinentit, me Rusinë si kërcënimin kryesor si një pikë referimi kyçe dhe me një kufizim të misioneve jashtë kufijve gjeografikë të Aleancës.

“Tani është koha për të ecur përpara së bashku, me pragmatizëm ”, theksoi ai.

Zyrtari amerikan ia atribuoi këtë ndryshim “udhëheqjes historike të Presidentit Trump”, duke vënë në dukje se në vitin 2025 ekziston një “angazhim i vërtetë” që Evropa të marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen konvencionale të NATO-s, e cila, siç tha ai, korrespondon me një kthim në “NATO 1.0” , domethënë në modelin origjinal të funksionimit të Aleancës. gsh

Dokumentet e dosjes “Epstein”, Jes Staley figuron kujdestar i pasurisë së financierit deri në 2015! Email-i mes tyre: Përshëndete Borëbardhën, ishte…

Dokumente të reja të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, tregojnë se Jes Staley ishte i emëruar si një nga kujdestarët e pasurisë së Jeffrey Epsteinit të paktën deri në vitin 2015, duke vënë në pikëpyetje dëshminë e tij në gjykatë se ai e kishte refuzuar këtë rol.

 

Sipas dokumenteve të noterizuara, të nënshkruara dhe të datuara nga vetë Staley, përfshirë një dokument të majit 2015, ai figuron si një nga tre kujdestarët e “Jeffrey E Epstein 2014 Trust”, së bashku me avokatin afatgjatë të Epstein-it, Darren Indyke, dhe një bashkëpunëtor të quajtur David Mitchell, investitor në pasuri të paluajtshme.

Në dokument thuhet se kujdestarët kishin të drejtë për një pagesë vjetore prej 250 mijë dollarësh, si edhe rimbursim të shpenzimeve të arsyeshme, megjithëse nuk është e qartë nëse Staley është kompensuar për këtë rol.

Dokumenti është pjesë e një numri të madh materialesh të publikuara në fund të janarit nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, në kuadër të hetimeve ndaj financierit të diskredituar.

Vitin e kaluar, Staley i tha një gjykate në Mbretërinë e Bashkuar se ai kishte refuzuar kërkesën e Epstein-it për t’u emëruar kujdestar i pasurisë së tij, ndërsa përpiqej të rrëzonte ndalimin e përjetshëm të vendosur nga Autoriteti i Sjelljes Financiare (FCA) për shkak të lidhjeve të tij me trafikantin e dënuar seksual, shkruan “Financial Times”.

Gjatë një seance në mars, ai u pyet nëse Epstein kishte dashur ta emëronte si kujdestar të pasurisë së tij. “Dhe unë e refuzova”, u përgjigj Staley. Avokatja e FCA-së, Leigh-Ann Mulcahy KC, e pyeti më tej nëse ai kishte njoftuar Barclays për këtë kërkesë, ndërsa Staley deklaroi se kjo kishte ndodhur shumë herët, kur ai punonte në fondin BlueMountain Capital, dhe se ai e kishte refuzuar rolin.

Kur u pyet më tej, Staley shtoi se fakti që ai kishte refuzuar të bëhej kujdestar “mund të tregojë se nuk isha një mik i ngushtë personal”.

Staley punoi në BlueMountain Capital nga viti 2013 deri në 2015. Barclays njoftoi emërimin e tij si drejtor ekzekutiv në tetor 2015. Sipas dokumenteve të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë, trusti ishte ndryshuar dhe nënshkruar nga Staley një muaj më herët.

Në qershor, Tribunali i Lartë vendosi se Staley nuk arriti të provonte pretendimet e tij kundër FCA-së, duke lënë në fuqi vendimin se ai kishte mashtruar me pakujdesi autoritetin rregullator dhe duke konstatuar një “dështim serioz gjykimi”.

Staley ka pohuar prej kohësh se ai dhe Epstein kishin një “marrëdhënie të ngushtë profesionale”, por jo miqësi personale. Në vitin 2025, ai deklaroi se nuk kishte qenë në dijeni të “aktiviteteve monstruoze” të Epstein-it gjatë periudhës së marrëdhënies së tyre.

Trusti i vitit 2014 u anulua më vonë dhe versioni i vitit 2019 nuk e përfshin Staley si kujdestar.

Sipas raportimeve të mëparshme, Staley ishte emëruar gjithashtu si ekzekutor në disa versione të testamentit të Epstein-it, së bashku me ish-sekretarin amerikan të Thesarit, Lawrence Summers, por në testamentin përfundimtar ai nuk figuronte.

Epstein u arrestua në vitin 2008 dhe vuajti 13 muaj burg në Florida pasi pranoi fajësinë për kërkim marrëdhëniesh seksuale me një të mitur. Ai vdiq në një burg në Nju Jork në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për akuza të ndara për trafikim seksual, çka shkaktoi pasoja të mëdha për shumë figura të larta të biznesit dhe politikës që kishin pasur kontakte me të.

Staley, ish-drejtues i lartë në JPMorgan Chase, ka deklaruar se ishte njohur me Epstein-in në fillim të viteve 2000 si klient i bankës. Ai mbajti kontakte me të të paktën deri në fund të vitit 2015, kur mori drejtimin e Barclays, duke thënë se i kishte ndërprerë marrëdhëniet para se të bëhej drejtor ekzekutiv.

Të dy shkëmbyen më shumë se një mijë email-e, ku Staley kërkonte këshilla për çështje që varionin nga paga e tij në JPMorgan deri te arsimimi i vajzës së tij, dhe në disa raste iu referua Epstein-it si “familje”.

Mes tyre kishte edhe referenca më të paqarta, përfshirë email-in tashmë famëkeq ku Staley shkruante: “Ishte argëtuese. Përshëndete Borëbardhën.” Ai i tha gjykatës se nuk e kujtonte se çfarë i referohej email-i për “Borëbardhën”. Panorama


Send this to a friend