Personi që shihni në foto është kryeministri i Québec, François Legault, kryetari i partisë në mazhorancë prej katër vjetësh, që quhet “Koalicioni E ardhmja e Québec” (Coalition Avenir Québec). Akronimi i partisë është CAQ dhe mbështetësit e tij quhen “caquistes”. Kush di frengjisht, e di edhe si shqiptohet kjo fjalë.
Kush është François Legault
Legault është me profesion kontabilist dhe një nga bashkëthemeluesit e kompanisë kanadeze të fluturimeve “Air Transat”, të cilën e drejtoi deri në vitin 1997. Prej vitit 1998 ai hyri në politikë, i ftuar nga kryeministri indipendentist i Parti Québecois (PQ), Lucien Bouchard, direkt ministër e më pas deputet. Ka drejtuar si ministër Shëndetësinë dhe Arsimin në ato vite, sektorë që sot janë ende me shumë probleme.
Kur kujtoj këtë, them me vete, ç’mendon vërtet në kokën e vet kryeministri ynë për faktin që gati 1 milion qytetarë të provincës nuk kanë mjek familje dhe 59% e godinave të shkollave janë të vjetëruara. Nuk po hyj tek problematikat me të cilat ndeshet sektori i arsimit, apo te gjendja katastrofike me të cilën u përballën shtëpitë e të moshuarve në fillimet e pandemisë, aq sa iu bë thirrje ushtrisë të ndihmonte. Këto problematika i dinë dhe janë në gjendje t’i shpjegojnë shumë më mirë bashkatdhetarët tanë, që punojnë në këta sektorë.
Dua të sjell në vëmendje gjithashtu, që François Legault është i vetmi kryministër provincial që i mbylli me detyrim gjatë pandemisë nga darka në mëngjes në shtëpi qytetarët e vet. Ai ia besoi administrimin e pandemisë dhe bërjen e planit të masave për kapërcimin e krizës një firme private, McKinsey, me të cilën këshillohej vetëm ai dhe “entourage” i tij i ngushtë, firmë e cila vetëm në periudhën prill-qershor 2020 është paguar 35,000 dollarë në ditë. Në total kjo firmë u ka kushtuar taksapaguesve të Québec 6,6 milionë dollarë. A thua nuk kishte shteti specialistë të aftë për ta këshilluar qeverinë? Sigurisht që po dhe angazhimi i privatëve, sipas meje, por jo vetëm, ishte mungesë totale respekti ndaj atyre që ia kanë përkushtuar karrierën shërbimit publik.
Për t’iu rikthyer edhe njëherë profilit të tij politik, pas 5 vitesh deputet në opozitë dhe konfliktit me Pauline Marois, liderja e PQ që arriti të bëhej kryeministre më pas, François Legault u tërhoq nga politika më 2009, sepse nuk besonte më tek projekti për pavarësinë e Québec. Ai rikthehet më 2012 në politikë, tashmë në krye të CAQ duke arritur të marrë si parti 27% të votave e duke u renditur partia e tretë pas PQ dhe Liberalëve. Në zgjedhjet e dy viteve më vonë, 2014, CAQ merr 23% duke ruajtur statusin e opozitës së dytë zyrtare.
2018 do jetë viti i realizimit të ambicjes politike të François Legault, e cila përflitej qysh në kohën kur ishte në radhët e PQ dhe diskutohej në kulisa si pasardhësi i kryeministrit indipendentist Bernard Landry. Kësaj radhe ambicia do të realizohej nën petkun e një nacionalisti pragmatist brenda Kanadasë federatë, për te cilën ai pretendon një rrugë të tretë (më shumë transferta dhe kompetenca për provincat)
Gjatë fushatës për zgjedhjet e 1 tetorit 2018, ai paraqiti një diskurs nacionalist, i fokusuar në mbrojtjen e vlerave të Québec, veçanërisht duke propozuar një reduktim prej 20% të imigracionit në provincë dhe imponimin e një testi vlerash për emigrantët, për të provuar integrimin e tyre të suksesshëm. Në përfundim të saj CAQ arriti të zgjedhë 74 deputetë nga gjithsej 125 dhe qeveris vetëm prej katër vitesh.
Zgjedhje të paracaktuara
Zakonisht, çdo mandat qeveritar i konsumon mazhorancat. Shembulli i provincave kanadeze, veçanërisht Ontario dhe Québec ka dëshmuar katër vitet e fundit të kundërtën, sepse sistemi mazhoritar me një tur i penalizon partitë që renditen pas partisë së parë. P.sh. në Ontario, në zgjedhjet e fundit këtë verë, Konservatorët nga 76 që kishin në legjislaturën e kaluar, këtë vit zgjodhën 84 deputetë nga 124 gjithsej. Pra pësuan rritje. NDP e renditur e treta me votë të përgjithshme, arriti të zgjedhë 31 deputetë, ndërsa Liberalët morën vetëm 8 deputetë, edhe pse u renditën të dytët në vota të përgjithshme.
I njëjti skenar pritet të përsëritet edhe në Québec, madje në version më të keq. Ndërkohë që një nga premtimet e pambajtura të kryeministrit Legault ishte ndryshimi i sistemit zgjedhor. Madje kësaj here ai me cinizëm u shpreh gjatë fushatës, që kjo temë tani nuk përbën shqetësim veçse për disa intelektualë, sepse qytetarëve që udhëtojnë në mjetet e transportit publik nuk u shkon mendja fare për të.
Problemi i këtyre zgjedhjeve është se vota do ndahet për herë të parë në pesë parti. Sipas sondazheve të fundit CAQ i François Legault mund të marrë rreth 38% të votave, Liberalët e Dominique Anglade 17%, Québec Solidaire i Gabriel Nadeau-Dubois 15%, Indipendentistët (PQ) e Paul Saint-Pierre Plamondon 15% dhe Konservatorët et Eric Duhaime 14%.
Me sistemin aktual, përveç ndofta njërit, Gabriel Nadeau-Dubois (ish-lideri i Lëvizjes Studentore që rrëzoi nga pushteti më 2012 kryeministrin Liberal Jean Charest) që thuajse e ka të sigurt rizgjedhjen në zonën e tij, tre liderët e tjerë të partive opozitare rrezikojnë të mos zgjidhen as deputetë. Ka madje analistë që parashikojnë që partia e kryeministrit aktual mund të fitojë gati 100 vende, nga 125 gjithsej.
Nëse ky parashikim do të realizohet kjo nuk është aspak e shëndetshme për demokracinë. Një shoqëri multikulturale ka nevojë për më shumë ekuilbër dhe konsensus politik, aq me tepër që situata ekonomike me inflacionin e lartë si asnjehërë prej tri dekadash e ka vështirësuar mjaft jetesën e përditshme të shumicës dërrmuese të qytetarëve të provincës. Njëherazi, përbërja e parlamentin duhet të reflektojë edhe përqindjen e votës popullore, çka sipas asaj që përmenda më lart, aktualisht është thuajse e pamundur. Probabiliteti për ndonjë surprize është thuajse zero.
Diskursi i mazhorancës kundër imigrantëve
Sipas meje, François Legault, pas kaq vitesh në politikë, e meriton plotësisht edhe epitetin “dhelpër”. Se që është cinik dhe arrogant kjo pak a shumë dihet. Të paktën për atë kategori qytetarësh që nuk sugjestionohen kollaj nga politikanët e tipit të tij, tek të cilët gjuha non-verbale e Legault bie lehtë në sy.
Në këtë fushatë që u mbyll dje, ai me shumë marifet e devijoi debatin kryesor nga ekonomia dhe inflacioni (për mua si votues dhe besoj për shumë si unë, problemi kryesor mbetet sa është fuqia jonë blerëse në kushtet aktuale në raport me ato që na hyjnë llogari çdo muaj) apo gjendja skandaloze në sistemin shëndetësor, tek tema e imigracionit, që nuk duhet të kalojë sipas tij shifrën e 50,000 të ardhurve në vit edhe pse mungesa e fuqisë punëtore po ndikon negativisht në ekonominë e provincës. Po kështu i mëshoi fort “fatit të gjuhës frengjisht” në Québec, numri përdoruesve të të cilës ka rënë. Kaq mjafton pë të ndezur “zjarrin” e nacionalizmit dhe sipas meje është një kalkulim i ftohtë për të tërhequr sa më shumë nga vota e frankofonëve.
Personalisht edhe mua, si frankofon që e ka zgjedhur Québec për shkak të gjuhës, më duket me shumë rëndësi ruajtja e gjuhës frënge, por kjo nuk bëhet duke limituar imigracionin dhe as me teste vlerash, së të gjithë kombet, kudo në botë vlerat themelore i kanë të njëjta. Ndofta dukem cinik, por do preferoja që më shumë të rinj frankofonë, para se të merren me rritje kafshësh (që edhe vetë i dua) të merren me rritje fëmijësh, se një nga elementët e rëndësishëm për prosperitetin e një kombi është edhe ruajtja e ritmeve optimale të natalitetit për ta rigjeneruar shoqërinë dhe për të frenuar plakjen. Këtë e kanë kuptuar mirë autoktonët e Kanadasë që po rriten nga viti në vit në numër.
Nuk mund të rri pa veçuar dhe disa fakte shqetësuese nga kjo fushatë sa i takon temës së imigrantëve. Edhe pse kryeministri Legault është përpjekur të jutifikohet për gafat e tij apo të ministrit të tij në detyrë të Imigracionit Jean Boulet, unë nga kjo fushatë kam të ngulitur në kokë që Legault imigrantët i konsideroi si njerëz që sjellin konflikte në Québec. Ai kërkoi falje më pas dhe pretendoi që u keqkuptua, por a mund ta besoj? Ai deklaroi se të rrisësh mbi 50,000 numrin e imigrantëve në Québec, kjo do të ishte një lloj vetvrasjeje për provincën. Para se të mendojë në këtë mënyrë, ai duhet të gjejë zgjidhje për uljen e mungesës së krahut të punës veçanërisht në sektorë kritikë dhe për kushte më të mira integrimi për të sapoardhurit. Ekonomia dhe frankofonia duhet të mbrohen paralelisht.
Dhe më në fund për këtë temë, diskursi më skandaloz dhe krejt i gënjeshtërt, madje fyes deri në ekstrem për të gjithë ne si imigrantë të natyralizuar, do më mbetet në kujtesë ai i Ministrit të Imigracionit, Boulet, i cili fjalë për fjalë deklaroi në fushatë: “80% e imigrantëve që vijnë në provincë shkojnë në Montréal, nuk punojnë dhe nuk integrohen me vlerat e Québec”. Atyre që më lexojnë, po ua lë ta gjejnë vetë epitetin që meriton ky palo minister Imigracioni. Për fat të keq, kryeministri ynë, që hiqet si babai i kombit të Québec, nuk e shkarkoi në vend edhe si ministër edhe si kandidat për deputet Jean Boulet, por u mjaftua të thotë, që pas zgjedhjeve ai nuk do jetë pjesë e kabinetit të tij.
Legault, “Santa Claus” i vitit 2022
Mbrëmë në rrjetin Facebook, dëgjova dhe mesazhin e fundit të filmuar të babait tonë të kombit, slogani elektoral i të cilit është “Vazhdojmë”…
Babai i kombit u drejtohej votuesve duke u thënë ndër të tjera: “Ju mund të mbështeteni te unë, por edhe unë kam nevojë të mbështetem te ju. Në dhjetor të gjithë do merrni nga një çek 400 deri në 600 dollarë ndërsa pensionistët 2000 dollarë më shumë. Votoni për mua.” Për dreq se ç’mu kujtuan dhe zgjedhjet e vjetshme në vendin ku më ka rënur koka…
Nuk durova dot pa bërë koment. E para herë që komentoja në faqen zyrtare të një politikani. I thashë vetëm kaq: Z. Legault a mos ju duket vetja Santa-Claus që premtoni çeqe dhuratë për Krishtlindje”?
Sigurisht votën time kundër ai e mori qysh të dielën e kaluar, ditën e votimeve paraprake.
©Taulant Dedja
Komentet