Lojtarët e Kosovës, gjatë intonimit të himnit, para ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës kundër Spanjës.
Doruntina Baftiu
Mesfushori 19-vjeçar, Lindon Emërllahu, u zgjodh pjesë e skuadrës së Kosovës për herë të parë në shtator të këtij viti, para ndeshjes kundër Irlandës Veriore në kuadër të Ligës së Kombeve. Ai u ftua nga trajneri Alain Giresse edhe këtë muaj, kur Dardanët zhvilluan dy ndeshje miqësore.
Këto dy ndeshje – të mërkurën kundër Armenisë dhe të shtunën kundër Ishujve Faroe – u zhvilluan përderisa 32 ekipe kombëtare të tjera po përgatiteshin për kampionatin prestigjioz botëror “Katari 2022”.
Emërllahu tregoi se edhe pse Dardanët mbetën jashtë Kupës së Botës, ky kampionat ka qenë temë diskutimi mes futbollistëve, ndërsa shton se dy skuadrat që ai vetë do t’i mbështesë janë Zvicra dhe Argjentina.
“Besoj që është ndjenjë e mirë të luash në Kupën e Botës. Normalisht, do të ishte një ndjenjë e papërshkrueshme që të paraqitesha me Kosovën në Kupën e Botës”, u shpreh mesfushori i Ballkanit, kampionit në fuqi të Kosovës në futboll, për Radion Evropa e Lirë.
Futbollisti 19-vjeçar, i cili këtë sezon luajti në gara evropiane me Ballkanin, beson se Dardanët në të ardhmen do të mund ta arrijnë kualifikimin në turne të tillë pasi që thotë se “Kosova ka një ekip shumë të mirë me lojtarë me përvojë”.
Çka ndodhi në kualifikimet për këtë Botëror?
Më 20 mars 2021, Kosova mësoi kundërshtaret e saj në kualifikimet për Kupën e Botës “Katar 2022”. Edhe pse fillimisht i ra shorti të jetë pjesë e Grupit A, Dardanët u zhvendosën në Grupin B, pasi Serbia veçse ishte zgjedhur për atë grup dhe dy vendeve nuk u lejohet nga FIFA të përballen mes vete.
Në Grupin B, Kosova u përball me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë. Pas tetë ndeshjeve të zhvilluara, mes 28 marsit dhe 14 nëntorit të vitit 2021, Kosova radhitej e fundit në grup, me gjithsej pesë pikë të grumbulluara.
Rrugëtimin në këtë grup, Dardanët e nisën me një humbje me rezultat 3:0 nga Spanja në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku mbyllën ndeshjen me dhjetë lojtarë pasi Bernard Berisha, që ishte inkuadruar në lojë vetëm në minutën e 83-të, u përjashtua nga loja me dy kartonë të verdhë.
Florent Hadergjonaj nga Kosova gjatë ndeshjes me lojtarët nga ekipi i Spanjës, 31 mars 2021.
Kosova i dha fund ciklit të ndeshjeve në Grupin B me barazim 1:1 me Greqinë në Athinë, në stadiumin olimpik “Spyros Louis”, ku shënoi Amir Rrahmani pas një harkimi brenda 11-metërshit nga Edon Zhegrova në minutën e 76-të.
Mes këtyre dy ndeshjeve, Kosova e arriti edhe një fitore historike në stadiumin “Batumi Arena”, ku mposhti Gjeorgjinë me rezultat 1:0. Fitoren Dardanëve ua siguroi autogoli i mbrojtësit gjeorgjian, Davit Khocholava, i cili devijoi gjuajtjen me kokë të Vedat Muriqit. Kjo mbetet fitorja e parë dhe e vetme e Kosovës në kualifikime për Kupën e Botës.
Kjo fitore dhe dy barazime të tjera kundër Greqisë ia siguruan Kosovës pesë pikët e grumbulluara në këtë fazë.
Të pamjaftueshme për kualifikim në Kupën e Botës, tani kosovarët mund t’i përcjellin dy futbollistët me prejardhje nga Kosova që luajnë për ekipin kombëtar të Zvicrës: Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin.
Sytë drejt “EURO 2024”
Këta dy futbollistë mund të luajnë kundër Kosovës më 9 shtator dhe 18 nëntor të vitit të ardhshëm, gjatë kualifikimeve për Kampionatin e ardhshëm Evropian, që do të mbahet në Gjermani.
Shortin që e vendosi Kosovën në Grupin I – bashkë me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën – Federata e Futbollit e Kosovës e cilësoi si short të favorshëm, pasi tha se “iu shmang top-gjigantëve të futbollit evropian”.
Pas shortit, trajneri i Dardanëve, Alain Giresse, ishte shprehur veçanërisht i emocionuar për ndeshjet kundër Zvicrës, teksa shtoi se “duhet të shohim si mund të kualifikohemi”.
“Tani na mbetet të përgatitemi mirë, t’i vëzhgojmë kundërshtarët tanë dhe të përgatitemi për të qenë në kushtet më të mira që nga muaji mars dhe për ta filluar këtë cikël kualifikimesh me ambicie”, tha Giresse.
Faza kualifikuese nis në muajin mars dhe përfundon në nëntor të vitit të ardhshëm. Dhjetë fituesit dhe dhjetë nënkampionët e grupeve kualifikohen drejtpërdrejt në “EURO 2024”, ndërsa tri vendet e tjera plotësohen përmes fazës së play-offs.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, kishte thënë se “ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi në të gjitha drejtimet për t’u kualifikuar. Është momenti ynë”.
Nga Grupi I, edhe para fillimit të kësaj faze kualifikuese, Izraeli e ka të siguruar kualifikimin të paktën në fazën e play-offs për shkak të performancës së tyre në Ligën e Kombeve.
Fituesve të grupeve të Ligave A, B dhe C iu takon nga një vend në play-offs për kualifikim në EURO 2024. Nëse ata e sigurojnë kualifikimin edhe pa play-offs, atëherë vendi i tyre i shkon skuadrës më të mirë të radhës në ligën e tyre. Kosova u radhit e dyta në grupin e saj në Ligën e Kombeve, në Grupin 2 të Ligës C, të cilin e fitoi Greqia me gjashtë pikë më shumë.
Komplikime potenciale: Ndeshjet kundër Rumanisë
Mesfushori Drilon Cenaj është ndër të paktët futbollistë kosovarë që ka luajtur në Rumani, njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Por, Cenaj thotë se kjo nuk pati ndikim negativ në përvojën e tij sa luante për Pandurii Targu Jiu gjatë viteve 2018 dhe 2019.
“Unë kurrë në atë kohë nuk kam pasur probleme pse jam shqiptar. Edhe lojtarët, edhe krejt kryesia e klubit e kanë ditur që jam shqiptar, por e kanë ditur që kam edhe pasaportë hungareze, kështu që nuk ka pasur ndonjë problem”, thotë për REL-in, Cenaj, që tani luan për Prishtinën.
Futbollisti 25-vjeçar thotë se bashkëlojtarët dhe tifozët ishin të kënaqur me të në aspektin profesional dhe nuk iu interesonte prejardhja e tij, përveç kur e pyesnin për situatën në Kosovë dhe për vizitat e tij aty.
Por, politika dhe sporti nuk janë mbajtur gjithmonë të pavarura nga njëra-tjetra.
Një ditë pas shortit për kualifikimet në EURO 2024, Federata e Futbollit e Rumanisë u raportua nga mediumi rumun GSP të ketë vënë dyshime mbi organizimin e ndeshjes kundër Kosovës.
“Duke marrë për bazë situatën gjeopolitike, Federata e Futbollit të Rumanisë do të ketë dialog me Qeverinë e Rumanisë për të mësuar kushtet për ndeshjet në të cilat përfaqësuesja jonë do të takohet me Kosovën”, u cituan të kenë thënë nga Federata rumune.
Federata e Futbollit e Kosovës tha për REL-in se “ne sigurisht se kemi kontaktuar me Federatën rumune, por ata asnjëherë nuk kanë shprehur dyshime në lidhje me zhvillimin e ndeshjes”.
“FFK-ja ka marrëdhënie të mira dhe korrekte me Federatën rumune, ashtu sikurse me çdo federatë tjetër”, thanë nga FFK-ja.
Megjithatë, Ministria e Sportit e Rumanisë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Federata rumune ka kërkuar sqarime nga qeveria për kushtet në të cilat mund të zhvillohet ndeshja kundër Kosovës.
Ata kanë thënë se është propozuar themelimi i një grupi punues të përbërë nga Ministria e Sportit, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Federata e Futbollit e Rumanisë pasi që thanë se ndeshja kundër Kosovës e sjell “një situatë që e pretendon një kontekst specifik ndërkombëtar”.
Por, lidhur me këtë propozim të bërë nga Federata rumune më 11 tetor ende nuk është vendosur pasi që po pritet një vlerësim nga Drejtoria e Ballkanit Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rumanisë.
Lojtarë të Kosovës festojnë me tifozë pas golit të dytë në fitoren 3:0 kundër Bullgarisë në kualifikime për EURO 2020.
Në të kaluarën, Kosova ka luajtur edhe me Kombëtare të tjera, vendet e të cilave nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Greqia dhe Qipro nuk e kishin cilësuar problematike, ndërsa një ndeshje kundër Ukrainës ishte zhvendosur në Poloni.
Vitin e kaluar, Federata e Futbollit e Spanjës gjithashtu kishte pretenduar se nuk do ta lejojë ekipin e Kosovës të luajë me flamurin e vendit, por në fund ndeshja ishte zhvilluar normalisht.
UEFA, organi qeverisës i futbollit në Evropë, në një përgjigje për REL-in, ka theksuar se nëse Rumania refuzon të luajë, do të ndiqen rregullat e përcaktuara në rregulloret në fuqi. Sipas këtyre rregullave, cilado skuadër që refuzon të luajë humb ndeshjen me rezultat 3:0, por rrezikon edhe të humbasë vendin në “EURO 2024”.
Drejtor sportiv i AC Milan për dy vjet, deri në majin e kaluar, ish-sulmuesi i kombëtares Igli Tare dyshohet për pastrim parash në Shqipëri, në kuadër të një hetimi të gjerë për korrupsion.
Ish-drejtori sportiv shqiptar i AC Milan, Igli Tare (53 vjeç), është objekt i një hetimi për korrupsion në Shqipëri, ku është e përfshirë ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila vetë është nën akuzë në një çështje për dhënien e kontratave publike, njoftoi më 9 shtator Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), në një komunikatë të gjatë.
SPAK-u thotë se ka zgjeruar hetimin ndaj Belinda Ballukut edhe te ish-sulmuesi i kombëtares (67 ndeshje), i cili ka gjithashtu shtetësi italiane. Igli Tare, i cili mbajti postin e drejtorit sportiv të klubit kuqezi nga viti 2024 deri në maj 2026, dyshohet veçanërisht për pastrim parash në këtë çështje shumë të bujshme.
Gjatë karrierës së tij si futbollist në Itali, ai ka luajtur për Brescia-n, Bolognën dhe Lazion e Romës, ku ka qenë gjithashtu “DS” në vitet 2008-2009 dhe 2022-2023.
Dy vila në bregdetin jonian
E afërt me kryeministrin socialist Edi Rama, zonja Balluku u vu nën akuzë në nëntor 2025 nga SPAK-u për favorizim në dhënien e tenderëve në kuadër të dy projekteve të mëdha rrugore, me vlerë të përllogaritur në disa qindra milionë euro. Ajo u shkarkua nga detyra në nëntor 2025.
Sipas prokurorisë, “me qëllim fshehjen e përfitimit të siguruar nga një vepër korrupsioni”, ish-zëvendëskryeministrja regjistroi në emër të Igli Tares dy vila në bregdetin Jonian, në jugperëndim të vendit, në Dhërmi dhe në Palasë. Të dyja vilat, të shitura sipas prokurorisë në mënyrë fiktive ish-futbollistit, janë sekuestruar.
“Për të fshehur këtë pasuri të padeklaruar, e pandehura Belinda Balluku iu drejtua shtetasit Igli Tare, i cili kreu veprime fiktive”, shpjegon SPAK-u në komunikatën e tij.
Tare është marrë në pyetje nga hetuesit në gusht, në kuadër të këtij hetimi.
Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit përbën një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Disa ish-ministra të qeverive të Edi Ramës, në pushtet që nga viti 2013, janë vënë në shënjestër të drejtësisë në çështje korrupsioni. sn
Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka dënuar klubin Crvena Zvezda të Beogradit dhe Borac Banjalluka për sjelljen raciste të tifozëve të tyre, pasi në ndeshjet e këtyre klubeve në garat evropiane iu bë homazh Ratko Mlladiqit, të dënuarit për gjenocid dhe krime të tjera të luftës.
Në ditën e vdekjes së Mlladiçit më 27 gusht, tifozët e Zvezda-s në ndeshjen kundër klubit futbollistik, Viktoria Plzen në Çeki shpalosën pankarta me mbishkrimin “Gjeneral, lavdi e madhe dhe faleminderit”, ndërsa brohoritën emrin e Ratko Mlladiçit. Për këtë arsye, Qendra Përkujtimore e Srebrenicës kërkoi nga UEFA që ta përjashtojë përgjithmonë klubin nga Beogradi.
Komisioni Disiplinor i UEFA-s njoftoi se Crvena Zvezda është dënuar me një gjobë prej gati 100.000 eurosh për sjellje raciste dhe brohoritje të papërshtatshme nga tifozët, si dhe me ndalimin e shitjes së biletave për tifozët e saj për ndeshjen e radhës si mysafir në një garë evropiane.
Gjatë ndeshjes, tifozët e klubit të Beogradit shpalosën pankarta me mbishkrimin “Gjeneral, lavdi e madhe dhe faleminderit ”, ndërsa brohoritën emrin e Ratko Mlladiçit. Më pas, FK Crvena Zvezda publikoi në profilet e saj zyrtare në rrjetet sociale fotografi ku pankartat në fjalë shihen qartë.
Për shkak të sjelljes raciste dhe/ose diskriminuese të tifozëve, Zvezda u gjobit me 40.000 euro, ndërsa për transmetimin e një mesazhi të papërshtatshëm për një ngjarje sportive u gjobit me 50.000 euro. Klubi u gjobit edhe me 8.250 euro për sjelljen e pahijshme të ekipit gjatë ndeshjes si mysafir në Plzen.
Në ndeshjen e Borac Banjalluka kundër Vikingur Reykjavik, më 27 gusht, në ditën e vdekjes së Mlladiçit, në tribunat e stadiumit të qytetit në Banjallukë iu bë homazh Mlladiqit.
Komisioni Disiplinor i UEFA-s njoftoi se klubi nga Banjalluka, për shkak të sjelljes raciste dhe/ose diskriminuese të tifozëve, është dënuar me 30.000 euro, ndërsa është urdhëruar mbyllja e pjesshme e stadiumit për ndeshjen e radhës të Borac-it në një garë evropiane.
Borac është dënuar edhe me 4.000 euro për sjelljen e pahijshme të ekipit, me 3.500 euro për ndezjen e mjeteve piroteknike, ndërsa anëtari i stafit teknik, Bogolub Zhelkoviq, është dënuar me 2.000 euro për fyerjen e zyrtarit të ndeshjes.
Briken Calja ka fituar medalje ari në stilin e shkëputjes, duke ngritur 154 kilogramë, që është edhe një rekord në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026.
Peshëngritësi shqiptar ka garuar sot në kategorinë deri 75 kilogramë. Në stilin e shkëputjes ai ngriti 147 kilogramë në provën e parë. Në provën e dytë, Calja ngriti 152 kilogramë dhe në të tretën 154 kilogramë. Tre prova të kaluara me sukses dhe rekord nga ai për Lojërat Mesdhetare.
Shqipëria kishte marrë tri medalje më parë në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, të gjitha në mundje. Medalje ari ka fituar Islam Dudajev, medalje argjendi Zelimkhan Abakarov dhe medalje bronzi Ardit Zeneli.
Nelson Hysa regjistroi një tjetër fitore bindëse teksa mposhti të shtunën në mbrëmje, Thomas Narmon në përballjen mes dy peshave të rënda, të pamposhtura dhe pa humbje në karrierë.
Veterani 41-vjeçar shqiptar iu deshën vetëm dy raunde për të hedhur në tapet kundërshtarin norvegjez, në ndeshjen e zhvilluar në O2 Arena të Londrës. Një goditje e fortë me të djathtën, e la Narmon të shtrirë në tapet vetëm 36 sekonda pas nisjes së raundit.
Narmo arriti të ngrihej sërish në këmbë, por ishte dukshëm i paqëndrueshëm. Për këtë arsye, arbitri ndërhyri dhe, me të drejtë, vendosi ta ndërpresë menjëherë përballjen.
Mjekët u futën menjëherë në ring dhe i dhanë oksigjen Narmos, i cili fatmirësisht u largua nga ringu duke ecur me këmbët e tij.
Pas shpalljes së rezultatit, Hysa u drejtua drejt vendeve pranë ringut, ku u përfshi në një përplasje të tensionuar me boksierin gjerman Agit Kabayel.
Me këtë sukses, Nelson Hysa e çon rekordin e tij në 25 fitore dhe asnjë humbje (25-0) dhe tashmë kërkon një mundësi për të luftuar për titull.
Boksierja nga Kosova, Donjeta Sadiku, ka fituar medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, pasi në finale mposhti garuesen e Serbisë, Kristina Kuluhova.
Kuluhova, ruse që përfaqëson Serbinë, u lëndua dhe meçi i finales në kategorinë deri në 60 kilogramë, u ndërpre në raundin e dytë.
Kjo është medalja e parë e Kosovës në Lojërat Mesdhetare, që këtë vit mbahen në Itali.
Ekipi i Kosovës në këto lojëra përbëhet nga 163 sportistë, 87 meshkuj dhe 76 femra që garojnë në 21 sporte të ndryshme.
Kosova do të jetë mikpritëse e lojërave të ardhshme mesdhetare që do të mbahen më 2030.rel
Cristiano Ronaldo po i afrohet fundit të karrierës së tij si futbollist. Ylli portugez ka zbuluar në një intervistë për “Vogue” se sezoni i ardhshëm mund të jetë i fundit në karrierën e tij.
40-vjeçari tha se ka menduar edhe për jetën pas futbollit dhe se ka planifikuar aktivitete të shumta që do ta mbajnë të angazhuar.
“Ky ndoshta do të jetë viti im i fundit si lojtar futbolli. E kam planifikuar të gjithë të ardhmen time dhe është shumë e rëndësishme ta bëj këtë. Kam shumë gjëra që do të më mbajnë të zënë, deri në atë pikë sa është e vështirë t’ju them vetëm një gjë. Thjesht i kam planifikuar të gjitha”, tha Ronaldo.
Ylli portuges pranoi se fundi i futbollit mund të krijojë një boshllëk të madh në jetën e tij, ndaj dëshiron ta mbushë kohën me udhëtime, sport dhe aktivitete të tjera.
“Kur futbolli mbaron, mund të lërë një boshllëk të madh dhe duhet ta mbushni kohën tuaj me gjëra të ndryshme të planifikuara… jo vetëm me një gjë. Jam gati të shijoj më shumë veten, të udhëtoj më shumë, të shikoj dhe të luaj padel, të cilin e dua shumë. Kështu që dua të vazhdoj të shijoj atë që kam fituar… dhe atë që kemi fituar së bashku. Sepse ishin 25 vjet të mbushura me shumë aktivitete të përditshme”, tha ai.
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i dha flamurin shtetëror ekipit që do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, në Itali.
Pasi u ofroi mbështetje, kryeministri Kurti theksoi se pas secilës medaljeje, cilësdo fitoreje dhe çdo flamuri të Kosovës që është ngritur në arenat ndërkombëtare, qëndrojnë vite pune, sakrifice, disipline dhe besimi, vlera këto që sporti i kultivon më së miri dhe të cilat i duhen edhe shoqërisë sonë.
“Sportistët tanë kanë dëshmuar se, pavarësisht madhësisë së vendit, mund të kemi rezultate të mëdha. Në garat më të rëndësishme ndërkombëtare, ata kanë bërë që emri i Kosovës të dëgjohet, flamuri shtetëror të valëvitet dhe himni të intonohet me krenari” , tha kryeministri Kurti.
Duke i uruar sportistët për përfaqësimin në Taranto, kryeministri Kurti tha se fitorja është e rëndësishme, por mënyra se si luftojmë për të është ajo e cila na përcakton.
“Kur të hyni në arenat e Tarantos, do të jeni aty si sportistë të Kosovës, por edhe si ambasadorë të vendit tuaj. Ballafaqohuni për Republikën e Kosovës me dinjitetin që e meriton”, tha ai, duke uruar që nga atje të kthehen me krenari, me përvoja të reja dhe, pse jo, me sa më shumë medalje.
Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:
I nderuar Ministër i Sportit dhe Rinisë, z. Blerim Gashani
I nderuari President i Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Ismet Krasniqi,
Të nderuar përfaqësues të federatave sportive,
Të nderuar punëtorë sportiv dhe ju trajnerë,
Shumë të dashur sportiste e sportistë,
Të nderuara medaliste olimpike Majlinda, Distria dhe Laura,
I nderuari mjeshtri kampion,Driton Kuka,
Të nderuar të pranishëm,
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Sonte jemi mbledhur për një moment fort të veçantë, për të prezantuar ekipin, i cili do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Lojërat Mesdhetare në Taranto të Italisë 2026.
Por, mbi të gjitha, jemi këtu për t’u thënë sportistëve tanë një gjë të thjeshtë dhe të rëndësishme: Kosova është me ju.
Pas secilës medaljeje, cilësdo fitoreje dhe çdo flamuri të Kosovës që është ngritur në arenat ndërkombëtare, qëndrojnë vite pune, sakrifice, disipline dhe besimi. Këto janë vlera që sporti i kultivon më së miri dhe të cilat i duhen shoqërisë sonë.
Sportistët tanë kanë dëshmuar se, pavarësisht madhësisë së vendit, mund të kemi rezultate të mëdha. Në garat më të rëndësishme ndërkombëtare, ata kanë bërë që emri i Kosovës të dëgjohet, flamuri shtetëror të valëvitet dhe himni të intonohet me krenari.
Sot, një brez i ri sportistësh po përgatitet të shkruajë kapitullin e radhës, një mundësi tjetër që Kosova të paraqitet e të përfaqësohet përmes talentit, angazhimit dhe suksesit të rinisë së saj.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë ta shohë sportin si një investim në njerëz, në shëndetin e shoqërisë, në zhvillimin e të rinjve si dhe në imazhin ndërkombëtar të Republikës sonë.
Dua t’u shpreh mirënjohjen e veçantë trajnerëve, federatave, Komitetit Olimpik të Kosovës, familjeve dhe të gjithë atyre të cilët qëndrojnë pas sportistëve tanë. Shpeshherë, sukseset që i shohim në podium janë rezultat i shumë sakrificave të cilat publiku nuk i sheh.
E sonte, para nisjes suaj për Taranto, dua t’ju them: Shkoni me besim. Shkoni me përkushtim. Shkoni për të dhënë më të mirën tuaj. Fitorja është e rëndësishme, por mënyra se si luftojmë për të është ajo e cila na përcakton.
Kur të hyni në arenat e Tarantos, do të jeni aty si sportistë të Kosovës, por edhe si ambasadorë të vendit tuaj. Ballafaqohuni për Republikën e Kosovës me dinjitetin që e meriton.
Ne do t’ju ndjekim, do t’ju mbështesim dhe do të gëzohemi me çdo sukses tuajin.
Dhe kur flamuri i Kosovës të ngrihet lartë atje, le ta kujtojmë se pas tij qëndron një vend i fortë, një popull i tërë dhe një brez i ri i cili beson në mundësitë e veta.
Ju uroj shumë suksese në Taranto, kthehuni me krenari, me përvoja të reja dhe, pse jo, me sa më shumë medalje.
Suksese sportistëve tanë! Vazhdoni na bëni Krenarë! Ju faleminderit shumë për vëmendjen!/Zyra e Kryeministrit
Vetëm disa ditë pas dasmës së Kristiano Ronaldos me Xheorxhina Rodriguez në Portugali, janë zbuluar detaje të reja në lidhje me marrëveshjet financiare që do të rregullojnë marrëdhënien e tyre në rast se gjërat nuk vazhdojnë si tani.
Në media ndërkombëtare është spekuluar se ka kushte specifike financiare që do të zbatohen në rast të një divorci në të ardhmen.
Sipas “Marca”, Xheorxhina do të përfitonte një pagë prej 100000 eurosh në muaj për gjithë jetën.
Kjo garanton përjetësisht gruan e Ronaldos, por mbron edhe perandorinë financiare të ndërtuar në vite nga futbollisti. Shpenzimi mujor nuk është e vetmja garanci e parashikuar në marrëveshje.
Sipas gazetës spanjolle, modelja gjithashtu mban pronësinë e rezidencës familjare në La Finca, një nga zonat më ekskluzive dhe më të kërkuara të Madridit.
TIRANA- Ish-futbollisti me origjinë nga Vlora, Agim Bubeqi është ndarë nga jeta në moshën 63-vjeçare, duke shënuar kështu një humbje të madhe për sportin shqiptar. Ish-sulmuesi i njohur i viteve ’80, pjesë e Flamurtarit është gjetur i pajetë në banesën e tij të mërkurën.
Dyshohet se ai kishte ndërruar jetë disa ditë më parë, ndërsa mungesa e tij është vënë re nga fqinjët të cilët kanë kontaktuar autoritetet përkatëse lidhur me rastin. Ende nuk dihen shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së tij, ndërsa pritet një sqarim nga autoritetet kopetente.
Ish-futbollisti ka qenë pjesë e Flamurtarit gjatë një prej periudhave më të rëndësishme të historisë së klubit. Pas kësaj ka reaguar edhe Klubi i Flamurtarit, i cili ka shprehur ngushëllimet, duke theksuar se kontributi dhe emri i tij do të mbeten pjesë e historisë dhe kujtesës së familjes kuqezi.
“Flamurtari F.C. shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Agim Bubeqit, ish-futbollistit të viteve të arta të klubit tonë. Kontributi dhe emri i tij do të mbeten pjesë e historisë dhe kujtesës së familjes kuqezi. Ngushëllime të sinqerta familjarëve, të afërmve dhe gjithë komunitetit sportiv”, shkruhej në postimin e klubit./Dosja.al
Kombëtarja e Kosovës në boks ka arritur një sukses të madh në turneun prestigjioz ndërkombëtar “Mustafa Hajrulahović – Talijan”, i cili u mbajt nga 28 korriku deri më 1 gusht 2026 në Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë.
Boksierët kosovarë e përfunduan turneun me gjithsej 6 medalje:
1 medalje të artë – Taulant Jakupi (85 kg)
1 medalje të argjendtë – Riad Isufi (55 kg)
4 medalje të bronzta – Bashkim Bajoku (55 kg), Erdi Aliu (65 kg), Ensar Badallaj (70 kg) dhe Flori Tarani (75 kg).
Në finalet e turneut, Kosovën e përfaqësuan dy boksierë.
Taulant Jakupi zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme, duke e mposhtur bindshëm boksierin shqiptar Useid Nika me rezultat 5:0. Gjatë të tre raundeve, Jakupi dominoi në ring, e vuri disa herë kundërshtarin në vështirësi dhe demonstroi teknikë të lartë, disiplinë taktike dhe shpirt të madh luftarak, duke fituar medaljen e artë.
Në kategorinë 55 kilogramë, Riad Isufi u përball në finale me italianin Tommaso Orlando, nga i cili u mposht pas një dueli cilësor. Pavarësisht humbjes, Isufi tregoi boks të nivelit të lartë, teknikë të shkëlqyer dhe karakter sportiv, duke dëshmuar se është një nga talentet më premtues dhe e ardhmja e boksit kosovar. Atij i mungon vetëm përvoja më e madhe në arenën ndërkombëtare.
Trajneri i Kombëtares, Shefki Bogujevci, u shpreh i kënaqur me paraqitjet e boksierëve, duke vlerësuar angazhimin, disiplinën dhe nivelin e treguar gjatë gjithë turneut.
Drejtësinë në këtë turne e ndau edhe gjyqtari ndërkombëtar kosovar Latif Demolli, i cili përfaqësoi me sukses Kosovën edhe në aspektin e arbitrimit.
Ky rezultat përbën një tjetër dëshmi të progresit të boksit kosovar në arenën ndërkombëtare dhe një motivim të madh për garat e ardhshme./Federata e Boksit e Kosovës
Boksieri shqiptar, Kristian Prenga, u mposht me nokaut në raundin e dytë nga Antoni Xhoshua, në sfidën që u mbajt në Xhedah të Arabisë Saudite. Pavarësisht se raundi i parë ishte i gjithi për Prengën, në të dytin, amerikani Xhoshua, u transformua në një “përbindësh” të vërtetë, duke hedhur në tokë boksierin shqiptar.
Pas duelit Prenga dha një prononcim të shkurtër në lidhje më këtë përballje, duke u shprehur (Postimi këtu):
“Urime për të. Kjo nuk ishte mbrëmja ime. Ishte plani i Zotit që ai të fitonte. Unë jem me Të. Çfarë Ai thotë, unë jam mirë. Mendova se mund ta bëja të njëjtën gjë edhe në raundin tjetër gjithashtu, por kjo nuk ndodhi.
Kisha vetëm 10% të tifozëve këtu sepse nuk kanë ardhur prej luftës. Por nëse do të ndodhte në Europë, ju premtoj se do të ishte 90% më shumë.
Ajo çfarë mund të them, ndjesë të gjithëve. Nuk iu bëra krenarë, por herës tjetër”, deklaroi Kristian Prenga. /Panorama Sport/
Shtatë ndeshje të Kupës së Botës 2026 kanë përfunduar nën vëzhgim për dyshime të mundshme lidhur me manipulimin e basteve.
Alarmi është ngritur nga Grupi i Kopenhagës, rrjeti ndërkombëtar që monitoron dhe lufton trukimin e ndeshjeve sportive.
Edhe pse raporti i plotë nuk është publikuar, Këshilli i Evropës ka bërë të ditur se janë lëshuar shtatë “alarme të verdha”, të cilat sinjalizojnë situata që kërkojnë hetim të mëtejshëm, por nuk përbëjnë prova se ndeshjet janë manipuluar.
Ndër elementët e konstatuar përfshihen luhatje të pazakonta të kuotave të basteve, informacione të pakonfirmuara dhe aktivitet i dyshimtë në tregjet e basteve dhe rrjetet sociale.
Një nga rastet që ka tërhequr më shumë vëmendje është ai i sulmuesit amerikan Folarin Balogun.
Sipas raportit, platforma Polymarket hapi baste për aktivizimin e tij ndaj Belgjikës, edhe pse lojtari ishte i pezulluar në atë moment.
Më pas pezullimi u anulua dhe Balogun zbriti në fushë, ndërsa monitoruesit theksojnë se një treg i tillë nuk u hap për asnjë futbollist tjetër të ndëshkuar me karton të kuq gjatë turneut.
Në analizë është përfshirë edhe ndeshja Spanjë–Kepi i Gjelbër, ku u raportuan baste me vlerë rreth 4.8 milionë dollarë për skenarin që spanjollët të mos fitonin, si dhe vonesa e gjatë e VAR-it për anulimin e një goli të Ferran Torres ndaj Arabisë Saudite.
Megjithatë, FIFA vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim, duke theksuar se analizat e saj nuk kanë zbuluar prova për manipulim të ndeshjeve në Botërorin 2026.
Hetimet pritet të vijojnë për të sqaruar të gjitha rastet e raportuara.
Komentet