Sa pikasën tymin zogjtë dhanë sinjalin,
Buçiti sirena e u ndez alarmi,
Rreziku po kanoste pyllin e moçalin
Gjithçka rrezikonte t’shkrumbohej nga zjarmi.
Frika e kaosi shpërthyen gjithandej,
Kafshë edhe shpend në ikje u dhanë,
Me minj e me hiena, me ujqër e çakej,
Me korba e me sorra, lejlekë e pelikanë.
E njani prej tyne, nji pelikan gushëmadh,
Edhe pse n’atë hall, tu’ qeshë u mek,
Kur pa nji kolibër, me t’cilin u përball,
Që shkonte drejt zjarmit me pak ujë në sqep.
-Ti -i tha kolibrit -o je krejt torollak,
O thjesht po e ban për famë e për bujë,
T’kuptosh situatën don mend krejt pak
Se zjarmi nuk shuhet me nji pikë t’vetme ujë!
-E di sa pak vlen ky kontributi jem,
Por unë po baj sa mundem, more mik,
T’gjithë po të mblidheshim, kafshë edhe shpend,
Përballojmë kyt zjarm edhe çdo rrezik.