Poeti Osman Dushi rrinte në lokal shpinëkthyer ndaj rrugës, rufiste filxhanin e kafesë, hapte mbyllte bllokun , me ritualin e një njeriu të rëndësishëm. Ndjente se ndihej i pakënaqur. Nuk kishte frymëzim. Para një muaji botoi vëllimin e tij poetik që pati një sukses të vogël në rrethe të ngushta miqsh. Gazetat shkruan për të ,duke e quajtur mjeshtër, një zbulim i ri i atij dhjetëvjeçari në poezinë shqipe, po lexuesi po tregohej indiferent. Libraret i hidhnin librat me poezi në një cep, ekspozonin më tepër poetët tradicionalë, poezinë e huaj , libra historikë, po kurrë poetët e rinj. Kjo gjë, të cilën e kishte pikasur me trishtim dhe angështi , herë e nervozonte, po më së shumti i sillte një ligështi dhe limonti të thellë, të cilën e treste me vetminë e poetit që e dinte se ishte kryesor. Dikush, një ditë i tha se duhej të hiqte dorë nga poezia, a nuk kishte thënë Sartri se poezi shkruanin popujt naivë? Nëse donte të kishte sukses, le të shkruante për fiset, libra historikë, memoriristikë, për veteranët dhe ish të persekutuarit, publicistikë politike e sociale të porositur nga biznesmenët kokëgdhë, që paguanin për një artikull shuma të kënaqshme dhe gazetat s`i pikasnin kurrë, ose edhe në do t`i pikasnin , nuk e bënin të madhe, sepse ato i paguanin biznesmenët ose pastruesparaxhinjtë e fshehtë. Porositë që i merrte në rrethe të ngushta njerëzish ai i shikonte më një mirëbesim të çastit, po më vonë harronte dhe në bllokun e tij të trashë rendiste vargjet. Edhe pse gjysmëbetohej se nuk do të shkruante më poezi, pikërisht atëhere ,si për inat,vargjet vërshonin më tepër , veçmas atëhere ai e kuptonte se kishte lindur i mallkuar për të qenë poet. Në këtë lumë arsyetimesh dhe faktesh, ai i kalonte ditët tek lokali me gjendje mesatare, varfërisht , i vetmuar, i hutuar, po kurrësesi pa përtuar të shkruaje vargje që ,nganjëherë viheshin mbi njëra tjetrën si një palimpsest, në lojë moderne. Ditët e fundit në klub vinte dhe një vajzë flokëgjatë, me trup të bëshëm, gjithësesi e bukur, tërheqëse. Pinte cigare dhe rrinte bukur gjatë pranë tavolinës duke shfletuar një libër me poezi. Më tepër se vajza, atë e gëzonte fakti që ajo lexonte poezi. Përqëndrimi i saj dhe buzët e mbledhura, të cilat ai ia shihte mirë e kënaqte pa masë. Në një nga ato çaste ai tentoi ta takonte, po a nuk do të ishte më mirë sikur ta linte në qetësinë e vet, se, mbase do ta bezdiste dhe ajo s`do vinte më aty. Nëse do të ishte lexuese e rregullt e poezisë , patjetër duhej t`i kishte rënë në dorë libri i Osman Dushit, dhe, nëpërmjet fotografisë, duke bërë një lidhje me personin e tij të pranishëm ,ajo do të vinte ta takonte vetë.Kjo gjë mund të konsiderohej sukses për të . Ndaj ai s`duhej të nxitonte.Kur erdhi aty Ramadan Vogli, prozator i njohur, të cilin ai e çmonte, befas vajza me takt u ngrit dhe iku pa rënë në sy. Për poetin kjo qe një rastësi. Prozatori nxori nga qesja një libër dhe me stilolaps shënoi diçka. Ishte një dedikim për poetin.
-Qenka autor i huaj- mërmëriti poeti dhe lexoi: Klaudio Voght. Prozatori u gajas, ai e vështroi me bisht të syrit poetin si për të kuptuar diçka, s`dihet çfarë, pastaj qetësisht, si të ndodhej para një zbulimi, tha:
-Klaudio Voght jam unë.
-Pra, ju qenkeni me dy emra?
Është emri i ri..Unë shkrova tri romane me emrin e vjetër, po lexuesi kaloi indiferent.Vetëm kur vura këtë emër ,atëhere lexuesi u kujtua të avitej drejt meje, tani kam shumë lexues, nuk i përballoj dot …Në një farë mënyre gjeta një zgjidhje, ty mund të duket si një hakmarrje, po njeriu kërkon të mbijetojë, në këtë kohë abrashe, mizerabël, plot prozaizëm dhe çudira që s`kanë fund.Kam nevojë të bëj një kapërcim kohor, pastaj sa të fitoj ca para ,mbase kthehem tek emri i vjetër, po tani më duhet të fitoj vetëm para, ia kam gjetur shijen lexuesit…-
Po këtu ka një kontradiktë-tha poeti, subjekti shqiptar dhe autori i huaj…
-Jo, edhe subjektet janë të huaja..Unë kam ndenjur shtatë vjet në Angli dhe subjektet janë nga jeta londineze, amerikane, gjermane.I njoh mirë mjediset atje, njoh mirë jetën sociale, dramat ,dashuritë, mënyrën e jetesës, pastaj fantazia, ajo që kritikët e lodhur letrarë ngaqë s`gjejnë fjalë tjetër i thonë:fikshën…
Osman Dushi shqeu sytë.Prozatori e kuptoi se ai u ngufos ndaj porositi shpejt dy uiski me akull.
-Ah, sot nuk dua të pi –tha Osman Dushi,po prozatori trokiti gotën me gotën e tij duke këshilluar:
-Poetët duhet të pijnë, duhet të jenë sherrxhinj, të dalin nga kornizat që të bien në sy, është imperativ i kohës së sotme që të biesh në sy, ndryshe mbarove.Sot duhet të jesh kulpër, jo lis…
Klaudia Voght e thau gotën , pagoi duke porositur gotë tjetër për poetin, dhe iku me nxit.Në ato moment iu kujtua se një librari i kërkonte me ngulm njëzet kopje të romanit të ri dhe me para në dorë.Gotën e dytë të uiskit poeti e pa si një pellg prej të cilit nuk pasqyrohej asgjë.Filloi të mendonte për prozatorin.Sa i çuditshëm , si ia kishte hedhur karremin lexuesit.Në një farë mënyre kishte të drejtë.Ishin kohë çudirash, kohë kur duhej të luaje, të lëvizje.Poetin e turbulloi ky mendim.Kur vajti në shtëpi pothuajse ishte errur.Në ashensor, me të sesi u gjend një vajzë.Ajo ia nguli sytë romanit që ai mbante në dorë.Ngjyra e kuqe e buzëve të saj, dhe lëkura e përndezur e fytyrës e bënë që t`i hidhte një sy kopertinës, kot, sikur ajo vajzë t`ia kishte vjedhur reflekset kapakut të librit. Nuk deshi të fliste, po vajza tha:
-E kam lexuar këtë roman, është fantastik, eh, shkruajnë mirë autorët e huaj…
Vajza zbriti në katin e pestë, ndërsa ai donte edhe dy kate.Këto fjalë sikur e stepën në vend po ndërkohë ai po dilte nga dera e ashensorit.Atë mbrëmje deri afër mëngjesit ai lexoi romanin e Klaudio Voght.E tërhoqi.Ishte një roman me intrigë të thekshme, ngjarje interesante, histori të ndërlikuara dashurish, ndarjesh, fate njerëzorë të nëpërkëmbura nga një realitet i ashpërsuar prej sjelljes së njerëzve dhe prej kapriçiosh të fatit.Ai do t`ia thoshte të nesërmen mendimet Klaudio Voghtit, po ai nuk erdhi.Sigurisht, erdhi vajza, rrinte gjithnjë ashtu, e mbështjellë me vetminë e saj të brishtë, duke pirë çaj e duke lexuar.Osman Dushin po e tërhiqte gjithnjë ajo ,por nuk po gjente një mënyrë, një farë takti sesi mund të fliste me të.Dita iu duk e zbrazët, ndonëse prania e vajzës i afronte një imazh tërheqës.Ditën tjetër erdhi Klaudio Voght.Ishte skuqur në fytyrë dhe sytë i ndrisnin nga një gëzim që hetohej lehtë.Siç kuptohej, tregtia i kishte ecur mirë. Poeti nuk preferoi ta pyeste, mbase ai shprehej vetë, po prozatori porositi sërish pije të shtrenjtë dhe fërkoi duart për t`i treguar tjetrit se ndihej i kënaqur pikërisht nga kjo.Ai i tha poetit se kishte një propozim të mirë edhe për të. Osmani lëvizi kokën sikur e panjohura të vinte drejt tij dhe të gjendej i papërgatitur.-
-Ti duhet të ndryshosh emrin , tha Klaudio Voght.Me këtë emër që ke, stonon.Kjo botë do ndryshim , përshtatje, sa të kuptojë ajo se cili je ti, kaluan dhentë kodrën.Poeti filloi të mendohej.Klaudio Voght e kapi këtë.
-Mos u mendo gjatë, a nuk e kanë ndryshuar emrin Mark Tuen, Molier, O`Henri,Stendali e sa e sa të tjerë.Emri letrar pranohet.
-Unë kam botuar tre libra, të paktën këtë duhej ta kisha bërë që në fillim.
-Gjithnjë ka një fillim për të kapërcyer një stad tjetër, tha Klaudio Voght me tonin e një filozofi.Të nesërmen Klaudio Voght nuk erdhi.As vajza. As ditën tjetër.Erdhi në një ditë kur poeti ishte në humor.Një shok e kishte njoftuar se ishte botuar një cikël i mirë në një gazetë të Prishtinës.
-Hë, vendose për emrin, pyeti Klaudio Voght, sikur ai të kishte lindur dje.Me siguri, jo.Ta kam gjetur unë.Ti do të quhesh Odin David.Hajt të pimë për emrin e ri…Poeti ngriti supet.As mos e çaj kryet, mërmëriti tjetri, nuk po bën ndonjë tradhti në këtë botë tradhtare.Është një emër për së mbari ,pa shquarsi mbiemri, po që të bën të shquar në jetë.Poeti heshti.Emri letrar pranohet, çuçuriste Klaudio Voght, përderisa njeriu ka në dorë shumë gjëra, pse mos mundet të ndryshojë emrin e vet, kjo është një nga shkaqet më të lehta.Jemi një shoqëri që njeh vetëm aparencën dhe nuk ka kohë të thellohet, sepse dinamika e jetës nuk të lë për meditim të gjatë.
Pasdite poeti u përkund në hijen e emrit të ri.Herë i ngjante me një fshikull e herë me një duhmë aromëlehtë që e tejçonte në një realitet të ri.Kur ai e dërgoi një cikël në gazetë me emrin e ri të nesërmen erdhi Klaudio Voght me gazetë në dorë .
-Ah, more mik, tha ai. Nuk kemi poezi.Kam lexuar një poet të mrekullueshëm amerikan. Gjithë modernitet, shprehje të bukura.Poeti ngriti kokën , përqëndroi vështrimin dhe po kuptonte se Klaudio Voght shprehej sinqerisht dhe poetit po i vinte mirë për këtë.Klaudio Voght po shprehej ,ndonëse herë pas here thoshte se poezia nuk ishte sferë e tij, proza po, aty të thekte.Por edhe disa poetë kryesorë të botës thoshte se i njihte me themel, ndonëse kishte kohë që s`lexonte poezi, por, ky poeti amerikan sikur i kishte rizgjuar një dashuri të vjetër.
-Ai jam unë-tha poeti.
Klaudio Voght u tërhoq ngadalë si ta pickonte një mizë.Punët e shumta e kishin bërë ta harronte .Ja efekti, tha ai.Kur hutove mua që s`para hutohem lehtë, le të tjerët…Dhe tani të pimë, dhe boto librin të cilin, do ta financoj unë…
Ai e dinte se Klaudio Voght realizonte gjithçka, hunda e tij e hollë nuhaste erën e rrezikut ashtu edhe erën e suksesit, e për këtë sikur po ndjente njëfarë simpatie për të.Gjithë poezitë e blloqeve i sistemoi me kujdes dhe pas dy javësh i dha dorëshkrimin të cilin Klaudio Voght ia botoi në një libër me dyqind kopje.Poetit as s`i shkoi ndërmend se treqind të tjera Klaudio Voght i kishte mbajtur për vete.Po edhe sikur ta dinte këtë nuk kishte rëndësi.Rëndësi kishte si do të pritej libri, a do të shitej dhe çfarë parashë do të siguroheshin nga kjo.Poeti rendi librarive dhe mori paratë e kopjeve të para, madje një librare i kërkoi kopje shtesë se kishte kërkesa për këtë libër.Kur ia tha këtë gjë mikut të tij, Klaudio e pa me kujdes thesarin e vet dhe pa droje shfaqi një kënaqësi të madhe.Atë ditë poeti e qerasi , madje prishi aq para sa ç`kishte harxhuar Klaudio që kur ishin njohur.
-Suksesi është afër nesh, mjafton ta kapësh, pastaj rri , punon për ty. Dhe ai i përmendi një numër shkrimtarësh të njohur që tani shkruanin broçkulla, po librat e tyre shiteshin, sepse inercia e emrit është gjë e madhe në këtë botë të padrejtë që s`ka kohë të thellohet .Ditën tjetër Klaudio Voght nuk erdhi.Si ta kishte kuptuar mungesën e tij erdhi vajza.Poeti porositi kamarierin që t`i dërgonte vajzës në tavolinë çfarë të donte.Si ta kishte pritur këtë gjest vajza e mori limonatën në dorë dhe u drejtua tek ai.Fytyra e saj e qeshur shprehte një ironi të qerasjes.
-A mund të ulem me ju tha ajo.-Është kënaqësi, tha poeti, ju vini shpesh këtu, unë u kam parë me vëmendje , kam dashë t`u flas , po nuk kam gjetur momentin. Ju mos jeni poete?
–Oh, jo, tha vajza, shkruaj poezi sirtari, por poete nuk jam.Lexoj shumë, më pëlqejnë disa poetë të traditës dhe nga të rinjtë më pëlqen një poet që quhet Osman Dushi.Poeti u zu ngushtë. Ai nuk ishte Osman Dushi.Gjithësesi me takt e kaloi këtë fakt dhe i foli asaj për poezinë , për leximet e shumta.Vajza u mahnit , ajo po e shihte me ngulm.I bënin përshtypje fjalët e tij të rrjedhshme, konseguenca e vërtetësisë së njohurive, purpuri i lehtë i faqeve të tij, një skuqje e natyrshme e njeriut të pasprovuar në biseda me femra.Poeti vinte re një eptim të lehtë të vajzës, që mbërrinte në kufijtë e një përkujdesje të brishtë .Ai i tha se ajo duhej të vinte të nesërmen se do t`i jepte dorëshkrimin e tij të ri.Kishte nevojë për dikë, dhe mendonte se ajo kishte kulturë dhe shije, e, për këtë do ta shpërblente.Vajzës i pëlqyen këto fjalë dhe ata u ndanë sikur të njiheshin prej kohësh.Të nesërmen erdhi Klaudio Voght.Ishte i murrëtyer në fytyrë, buza i shkonte pak shtrembër.Ai nuk e vuri re dorëshkrimin e poetit që rrinte në një karrige bosh.Tha se kishte një gjyq me një botues.Kishte botuar pa leje një roman të Tolstoit me titull”Bija mëkatare”, ai i kishte ndryshuar titullin, betohej se e kishte përkthyer vetë,po botuesi që ishte një peshkaqen i njohur kishte marrë disa ekspertë dhe puna po shkonte keq.Pas tri ditësh Klaudio erdhi. Ishte i gëzuar.Gjyqi nuk do bëhej.Ishte ujdisur me botuesin.
–Nuk e ke idenë si u zbut maskarai, tha. Ai do të botonte tri romane të zotit Voght dhe ky hesap mbyllej.E tërhoqi padinë dhe më afroi miqësinë.Në zërin e tij nuk kishte keqardhje po një zvargimë të trullosur triumfi.Kur ai iku, erdhi vajza.Ajo ishte mahnitur nga poezitë, po në to s`ishte emri .
-Cili është autori?-pyeti ajo .Odin David,tha poeti.Po ti më the se dorëshkrimi është i imi,ndërsa më paske dhënë një autor të huaj.
-E kam ndryshuar.
Vajza nuk foli. Ajo, mbase kuptoi se kjo mund të diskutohej më vonë, ose fare.Ata folën për gjëra të tjera, për modën e fundit, historinë e vipave, filmat më në zë, e, kjo poetit iu duk e çuditshme, ai ende nuk po kuptonte pse kjo vajzë u tërhoq nga interesi për poezinë e tij. Ditët në vazhdim ai bëri shëtitje me të duke harruar vendin e zakonshëm dhe Klaudio Voght , i cili e kishte ndihmuar për ta mbushur xhepin me aq para sa të qeraste vajzën si një zotni i vërtetë.Ajo çfarë ndodhi më pas midis tij dhe asaj qe një mrekulli, kështu do ta përcaktonte poeti më vonë, dhe kjo mrekulli u krye aq shpejt sa ai s`e kishte imagjinuar më parë, mbasi nuk i pëlqeu që ajo iu dha aq shpejt, po gjithësesi kuptoi sa shumë kohë i kishte humbur duke iu kushtuar vetëm poezisë ,duke harruar poezinë më të madhe që ishte femra.Nëse ajo nuk dilte në kohën e caktuar, ai fillonte e skuqej, ndjente ethe, imagjinonte çdo të keqe, sillte ndërmend çdo mundësi, dhe vetëm kur ajo dilte, atëhere fytyra e tij çelej e merrte një pamje normaliteti.Mungesa e Klaudio Voghtit, sikur ai ta kishte kuptuar se ç`po bënte i sillte një paqe shpirtërore. Po kur e solli ndërmend, pikërisht atëhere, Klaudio Voght u dha tek bërryli i një rrugice.Flokët i kishte të kërleshura si nga një erë e fortë, po atë ditë nuk frynte erë.Dukej i lodhur e buzët i mbante të mbyllura sikur të kishte frikë të fliste.Sa e pa Odinin ai mori një drejtqëndrim që tjetrit s`i pëlqeu, se pas këtij drejtqëndrimi ai u tërhoq pak sikur tjetri donte ta sulmonte.Veç ai e nisi bisedën në fillim për botuesin e vet, që kërkonte të blinte romanet e tij për të marrë të drejtën e shitjes, dhe ai të mjaftohej me njëqind kopje.Kulmi ishte se ai kërkonte t`i ndryshonte emrin nga Klaudio në Klaudia.Më ka vënë litarin në fyt ,tha ai ,po ti e di që Klaudio Voght e gjen gjithnjë një shteg. Romanet do t`i botojmë të dy njëkohësisht , sejcili në hesap të vet dhe të shohim kush do të dalë më i fituar.Maskarait i duhet përgjigjur me të njenjtën monedhë , përndryshe ai të vë përpara dhe nuk të jep rastin më të vogël për aman.Leri edhe problemet familjare, s`po më ecin mirë, kam një mbesë që e quajnë Mahmudie, dhe nuk pranon të ndryshojë emrin, po i them me të mirë, se , pastaj ajo nuk i di si i ujdis xhaxhai punët.Dua ta martoj me një gjerman që ka marrë përsipër botimin e romaneve të mia në Gjermani, është ca i thyer në moshë, po burri, si do që të jetë, e plak një grua.Dhe tani të pijmë se kur takoj ty sikur çlodhem nga ca brenga që më shkaktojnë të tjerët.Uf, ç`botë e fëlliqur…Ditën tjetër ai e priti vajzën dhe ajo erdhi në orën e caktuar. Dukej pak e lodhur dhe akoma më e bukur për shkak të lodhjes. Sytë e saj të zinj sikur mbanin brenda një pellg të ndenjur brenge që s`e lëvizte asnjë furtunë apo shkaku më i fortë për t`u ndjerë e lumtur.Ai nuk e pyeti po vetëm shijoi hiret e trupit të saj te vendi i caktuar.Dukej se ajo kërkonte ta shijonte atë të gjithin si për herë të fundit,dhe vërtet ia tha këtë. Ajo të pasnesërmen ikte në Gjermani, martohej me një gjerman, me këmbënguljen e xhaxhait të vet Ramadan Vogli.Sidoqoftë kishte pranuar të shkonte me poetin , për të ndjerë në jetën e vet aromën e një dashurie të vërtetë që nuk do e harronte gjithë jetën , të vetmen dashuri të cilën do ta mbante mend gjatë.Odin David u zverdh, u drodh, dhe, po ashtu, padashje, ai nuk donte të shihte asnjë në ato çaste, vetëm se atij i kumbonin në vesh fjalët e vajzës se ajo tani nuk quhej Mahmudije po Herta Voght.Se dashuria, si do që të jetë, nuk mund të ekzistojë në varfëri, si anija që do të çahej po të kishte material të dobët në një det me dallgë të mëdha ose po të përplasej në një ajzberg të fshehtë.Ai e kuptoi se nuk duhej të qante, as të ulërinte ,vetëm ktheu kurrizin duke kujtuar se e kishte kthyer ai i pari, po ndërkohë vajza nuk dukej më.
-Ti nuk duhet të ikësh,foli ai me zë të lartë, por fjalët e tij i mori era duke i përzier me ca gjethe që i ngrinte në ajër për t`i hedhur pastaj poshtë.Pranë tij kaloi një vajzë me një djalë , të cilët qëndruan një çast.
-Paska rrjedhur i shkreti, foli djali.
-Mos e ka lënë e dashura, ia ktheu vajza._
-Problem.. shtoi djali ndërsa era i kishte lënë gjethet të qeta.Poeti i kalonte paraditet në shtëpi, lexonte shkruante duke ndjerë në kraharor një gur që nuk e hidhte dot.Leximet e shumta sikur po ia largonin vajzën dhe çuditërisht po e kapte një kureshtje për Klaudio Voght.Ç`bënte ai tani, me siguri e kishte martuar atë, Klaudio Voght , po të donte martonte edhe të shoqen, pastaj e rimartonte me veten e tij.Nga ky mendim i erdhi të qeshë me të madhe dhe qeshi.Kjo e qeshur i dha një çlirim.Për jetën nuk duhej menduar seriozisht, prandaj njerëzit kishin të drejtë që i ndërronin mendimet si sulltani gratë e haremit.Ndoshta njerëzit kishin të drejtë që kthesat e kohës i prisnin me shpejtësi e nga kjo shpejtësi disa pësonin aksident e disa kalonin matanë gjersa futeshin në rrugën e suksesit.Ndaj, pa kokëçarje ai vendosi të dilte nga shtëpia,të shkonte tek vendi zakonshëm.Klaudio Voght nuk dukej, as Mahmudia.Erdhi dikush dhe e thirri në emër.Ai ndjeu çudi po shpejt e mblodhi veten.Ishte historian V.K, i cili i zgjati në dorë një material të daktilografuar me makinë shkrimi.Kishte krijuar një shoqatë për mbrojtjen e atdheut dhe të vlerave kombëtare që ishin në rrezik nga agjentura e huaj .Poeti Osman duhej të regjistrohej patjetër, sepse ishte dikush ,dhe atdheu kishte nevojë për të.Ky popull kishte djem që të merrnin gjak në vetull për të mos lejuar që në Shqipëri mos hynte derri e dosa.Poeti i tha se nuk merrej me shoqata, madje as me shoqata shkrimtarësh, veçse me poezi.
-Unë besova tek ty, tha tjetri, sot që atdheu ka nevojë .Nga larg dukej Klaudio Voght.
-Ja, ti mund të anëtarësosh shkrimtarin e njohur, Klaudio Voght, tha poeti.Historiani vuri re Klaudio Voght që po vinte dhe iku me nxit duke thënë:
-Ai është agjent…mos rri me të, se ta fut ujin nën rrogoz e s`e merr vesh.
Poeti pa tek sytë e zotit Voght një skuqje të lehtë dhe poshtë syve një sajim qeskash që shprehte lodhje.Ai i tregoi se Herta Voght ishte ndjerë e lumtur, sa nuk ka më ,për martesën ,dhe gjermani i kishte ftuar në Gjermani, ajo kishte insistuar që një ftesë të ishte edhe për Odin David.Këmbënguljen e saj nuk e kishte kuptuar kurrë, megjithëse tekat e Hertës ishin të panjohura dhe kush e di çfarë i kishte sajuar mendja e shkretë, sepse mendja është një grusht me miza.Pastaj ai foli për romanet e veta në gjermanisht, për famën atje, subjektet e shkëlqyera që do bënin bujë.Në entuziazmin e tij që erdh duke u rritur ,u duk se flaka e syve sikur mori një ngjyrë më të madhe, ndërsa qeskat e lodhjes sikur u mbushën me ujë për ta shuar këtë flakë.Suksesi e tundonte kaq shumë sa edhe fytyra sikur plastifikohej sipas grafikëve të shpirtit që zhvendoste tjetri në një zonë të panjohur të imagjinatës.I tha se biletën do t`ia priste ai, dhe kur të shkonin në Gjermani paratë paguheshin nga Herta.Mosreagimi i poetit u mor si aprovim.Por poeti kishte vendosur ndryshe.Ai do shkonte në fshatin e lindjes dhe do hiqte çdo komunikim me botën,atje do futej në një pyll e do bisedonte me shpezërinë ,kafshët, duke ndjerë aromën e luleve.Ndaj kur erdhi Klaudio Voght te vendi i zakonshëm nuk e gjeti aty.Të pasnesërmen niseshin për Gjermani.Ai e kërkoi gjithandej, madje i vajti edhe në shtëpi , fundja s`kish hall shumë për të, po bileta kushtonte ca, dhe çfarë do i thoshte mbesës që kishte insistuar aq shumë.Po Klaudio Voght nuk jepej lehtë.Në djall të shkojë ai dhe bileta për të ,shkrofëtiu ,duke hungërirë me tërsëllimë.Ishte munduar ta bënte njeri, po poetët nuk bëhen kurrë njerëz, tha me vete dhe u nis.Atje në Gjermani nuk kishte për të pasur kohë për të menduar për mediokritete të tilla.E prisnin para projekte madhore…
Komentet