Këto ditë doli nga shtypi monografia ime e titulluar “Shqipëria në’Luftën e Madhe’, 1914-1918”, botim i
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, dorëzuar për shtyp me 1 dhjetor 2024.
“Shqipëria në “Luftën e Madhe” 1914-1918” është më së pari një studim i përqëndruar në Historinë e Rrëzimit të Shtetit të Parë të Shqipërisë, (3 shtator 1914-28 shkurt 1916), ose në atë njihet ndryshe si Koha e Mbrapshtë e Shqipërisë. Së dyti, është një histori e marrëdhënieve ndërkombëtare mbi Shqipërinë për të gjithë përiudhën e Luftës së Parë Botërore, raporteve të veçanta në mes Italisë dhe Austro-Hungarisë, e qëllimeve të tyre pozitive dhe negative në fushën e politikës së jashtme, me fokus Shqipërinë. Një vëmendje të veçantë i është kushtuar analizës së pushtimeve të hapura të Greqisë, Italisë, Serbisë dhe Malit të Zi dhe tërheqjeve rrënimtare të Serbisë dhe Malit të Zi përmes Shqipërisë, në fund të vitit 1915 dhe fillim të vitit 1916. Në dy kapitujt e fundit, në mënyrë trajtohet administrimi austro-hungarez i dy të tretave të Shqipërisë dhe i një pjese të Kosovës, Malësisë, etj., dhe administrimi italian dhe francez në zonat respektive të pushtimeve të tyre në Jug të kufirit zyrtar, 1916-1918
Eshtë një studim i bazuar mbi kërkimin arkivor të pabotuar më parë, mbi dokumentacion arkivor të botuar dhe mbi arritjet e historiografisë mbi temën tonë dhe të ndërlidhurat me ate.
Studimi është i kornizuar teorikisht përmes dy lenteve vlerësuese: analizës së dështimit të shtetit dhe studimit të nacionalizmit, ndërkohë që e vendos rastin shqiptar brenda korpusit më të gjerë të literaturës mbi formimin e shteteve post-imperiale në Ballkan dhe mbi rivalitetet imperialiste në prag të Luftës së Parë Botërore, veçanërisht marrëdhënien e tensionuar midis Austro-Hungarisë dhe Italisë mbi Shqipërinë dhe kontrollin e Adriatikut, në rrethanat e 10 muajve të parë të luftës
Kështu, në pikëpamje të historisë diplomatike, një vëmëndje të posaçme i kemi kushtuar zbulimit të qëndrimeve të dy fuqive adriatikase, Italisë, nga vera e vitit 1914 deri në hyrjen e saj në luftë në maj 1915, të Austro-Hungarisë, nga fillimi i Luftës së Madhe deri në ditët e “hallit të madh” të saj me aleatin e pasigurtë, Italinë, në pranverën 1915. E gjitha kjo e lidhur me tratativat mes tyre, mes Italisë dhe vendeve të Antantës, për të pranuar copëtimin e Shqipërisë në funksion të mbajtjes së fuqisë apeninase të lidhur pas njerës ose tjetrës aleancë. Ky mision rezultoi i pamundur për Vjenën dhe relativisht fatlum për Antantën. Në Vjenë mbeti e ruajtur dhe e dokumentuar vetëm kjo “njollë” e kohës së lëkundjes së diplomacisë austro-hungareze në raport me traditën e përkrahjes së interesave kombëtare shqiptare. Përndryshe në Romë, nuk kishte vend për moral të lartë ndaj Shqipërisë. Cënimi i interesave kombëtare shqiptare kishte qenë frekuent, konstant, i alternuar me pozivitet të paqendrueshëm, bamirësi, mikpritje. Kështu, në qoftë se për klasën politike italiane, korigjimi ka ardhur me vonesë, ose ka qenë i pasigurtë, i paqendrueshëm në çdo kohë, për Vjenën zyrtare korigjimi ndodhi pak muaj me vonë, në të mirë të ribërjes administrative dhe kulturore të Shqipërisë mike.
Periudha e marrë në studim përfaqëson, para së gjithash, historinë e një vendi që nuk arriti të krijonte kohezion të qëndrueshëm shtetëror dhe kombëtar, si pasojë e trashëgimisë osmane, ndërhyrjeve të vazhdueshme të fuqive shoviniste ballkanike dhe divergjencës së interesave të Fuqive të Mëdha, të cilat fillimisht kishin qenë garantet e shtetformimit dhe të asnjanësisë së Shqipërisë, por që tashmë ishin përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin botëror. Këtij konteksti iu shtua hyrja e Italisë në luftë kundër ish-aleatëve të saj strategjikë dhe politika e saj ndaj Shqipërisë, të cilën e trajtoi si një plaçkë të mirëfilltë, duke cenuar rëndë shtetin dhe popullin shqiptar pikërisht në momentin më delikat të ekzistencës së tyre politike, kur nga ana tjetër e Adriatikut pritej mbështetje e sinqertë dhe reale.
Periudha nga 3 shtatori 1914 deri në pranverën e vitit 1916 është e ndarë në disa faza që lidhen me kontrollin e pushtetit qendror në Durrës dhe pushtimin e territorit të Shqipërisë nga fuqitë e huaja. Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi kontrollin vorio-epirotist dhe më pas, të drejtëpërdrejtë grek të Shqipërisë së Jugut, që kapërcen herë mbas herë kufirin minimal të synimeve të qarqeve shoviniste në Greqi; kemi ndërhyrjen italiane në Sazan dhe Vlorë; nga 3 shtatori 1914 deri në qershor 1915 kemi një kontroll gjithnjë në rritje dhe raprezalje në të gjithë Shqipërinë qendrore rurale dhe qytetare, shpesh herë deri në Vlorë, Berat, Elbasan, deri në Milot dhe Adriatik, nga kryengritësit otomanistë-ehlikjamistët, të kontrolluar nga agjentët xhonturqë; nga fundi i muajit qershor 1915 deri në janar 1916 ndodh pushtimi i dytë të Shkodrës nga Mali i Zi, rihyrja e Serbisë në Shqipëri, fillimisht si pushtues, me pas, në mënyrë të pandërprerë, si një hordhi e shpartalluar në të ashtuquajturën Tërheqjen e Madhe Serbe dhe Malazeze, përmes Shqipërisë, për shkak të shkatërrimeve respektive të shteteve dhe ushtrive të vendeve të lartëpërmendura; ndodh më pas pritja e madhe rraskapitëse dhe transportimi i mbetjeve të ushtrive, qeverive dhe mbretërve pa mbretëri të Serbisë dhe Malit të Zi, nga portet e Shëngjinit, Durrësit dhe Vlorës prej flotave të Italisë, Francës dhe Britanisë së Madhe, për në Korfuz dhe Itali; Së bashku me ikjen e tyre, kemi fundin e sundimit 17 mujor të Essad Pashë Toptanit në Durrës, rënien e tij, fundin e një qeverie qëndrore nominalisht shqiptare, përmbajtësisht otomaniste, praktikisht pro serbe, pro greke dhe pro italiane, mbi të gjitha, aspak nacionale, nga pikëpamja e interesave të Shqipërisë së Rilindur. Fundi i kësaj periudhe, rënia dhe largimi i faktorëve që rrënuan Principatën e Shqipërisë, është paradoksalisht, një kohë fatlume për Shqipërinë me invadimin dhe pushtimin miqësor të pjesës më të madhe të vendit prej Ushtrisë Austro-Hungareze, për shkak se, duke filluar nga marsi i vitit 1916, rifillon për këtë vend rivendosja nën fuqinë e veprimit administrativ, për pjesën më të madhe të territorit, të një linje autonome shqiptare të bazuar mbi elitën më te emancipuar dhe më të shkolluar të vendit, me frymëzim europianist, me sistematizim gjermanik, me bazament rilindas. Si kundërpeshë ndaj rolit nxitës të Austro-Hungarisë, edhe Italia dhe Franca, brenda zonave të tyre përkatëse të ndikimit, u detyruan të respektonin aspiratën e elitës shqiptare për një rindërtim shtetëror të europianizuar, të mbështetur mbi konturet e vendimmarrjes ndërkombëtare të periudhës pararendëse të luftës.
Pra, menjëherë pas këtyre dy vjetëve të kaosit, pikërisht në gjendjen e luftës, nën okupimin/administrimin austro-hungarez, do të fillonte për Shqipërinë nga Shkodra tanimë si kryeqendër, rizgjimi administrativ, arsimor, kulturor, do të rifillonte procesi i përforcimit të kohezionit kombëtar ndër shqiptarë, tashmë në një hapësirë më të gjerë të banuar prej tyre, që përfshinte edhe pjesë nga shqiptarët e Kosovës dhe ata të Malit të Zi, nën dominimin nominal të perandorisë dualiste.
Pjesa e fundit e punimit analizon periudhën e të ashtuquajturit Pushtim Miqësor Austro-Hungarez, pushtimin italian të Shqipërisë jugperëndimore, pushtimin francez të Korçës, si edhe mbylljen përfundimtare të Luftës së Madhe në kontekstin shqiptar
Ngjarjet e trajtuara në libër janë rindërtuar në rend kronologjik nga këndvështrimi faktik, mbi bazën e një korpusi të gjerë burimesh: arkivave shqiptare, austro-hungareze, britanike, italiane dhe amerikane; shtypit të kohës; kujtimeve dhe dëshmive të disa prej aktorëve dhe dëshmitarëve të atyre ditëve vendimtare; si dhe botimeve dokumentare dhe literaturës historiografike, të shfrytëzuar ose të neglizhuar nga studiuesit pararendës.
Në përmbyllje të punimit, monografia mbyllet me një kapitull përfundimtar konkluzionesh, i konceptuar si një studim i zgjeruar më vete, i cili trajton procesin e shpërbërjes së shtetit, evolucionin e nacionalizmit shqiptar në të gjithë epokën e Rilindjes dhe të Pavarësisë, si edhe konfigurimin e marrëdhënieve ndërkombëtare lidhur me Shqipërinë gjatë viteve 1914–1918.
Ky studim avancon tezën se kolapsi i Principatës së Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore nuk mund të shpjegohet vetëm nga dobësitë e brendshme ose agresioni i jashtëm, por nga ndërthurja e tre faktorëve vendimtarë: trashëgimitë strukturore të sundimit osman, “agjencisë” centrifugale të forcave kundërrevolucionare të brendshme dhe strategjive konkurruese të fqinjëve dhe Fuqive të Mëdha. Rënia e Shqipërisë në anarki më 1914–15 dhe fragmentimi i saj nën pushtime të shumëfishta mishërojnë njëkohësisht brishtësinë e një shteti të sapokrijuar dhe dilemat më të gjera të ndërtimit të shteteve post-imperiale në Ballkan.
Megjithatë, Shqipëria përfaqëson një rast sui generis: pavarësisht shpërbërjes së parakohshme të pavarësisë së parë, elitat nacionaliste, diaspora patriotike dhe qendrat e modernizimit kulturor arritën të riaktivizojnë programin kombëtar në kushte nga më të pafavorshmet, por duke siguruar që ideja e shtetësisë shqiptare të mbijetonte luftën dhe të vendoste themelet për rikonstituimin e saj pas vitit 1918.
Në dy vitet që pasuan pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare shtetërore Shqipëria nuk njohu paqe. Eksperimenti i formësimit të shtetit u udhëhoq nën disa cikle vështirësish shumë të mëdha. Vendi nuk kishte një traditë politike, as edhe një entuziazëm nacional të shtrirë në të gjithë shoqërinë, as edhe qëllime të përbashkëta mes degëve të ndryshme të nacionit, as edhe ideale të tilla të ngulitura dhe të përhapura në çdo pore të shoqërisë. Faktorët shumëvjeçarë që e penguan për një zhvillim të rregulluar dhe progresiv të nacionit dhe vonuan lindjen e shtetit, sërish u ringjallën duke e dobësuar Shqipërinë në Kohën e Lindjes së Parë.
Shqiptarët, me përjashtim të një pakice të ndërgjegjshme, nukleve të “Kulturës së Lartë” të përhapur si ishuj ndriçues në të gjithë vendin, si një minorancë progresiste në “detin” e pafundëm të prapambetjes, nuk sakrifikuan për mirëqënien e përgjithshme shtetërore, dinjitetin identitar personal dhe bashkësinë shtetërore të endërruar aq shumë nga rilindasit.
Rilindasve, Shtetformuesve shqiptarë, për t’i vendosur të gjithë segmentet në përputhje me imperativin nacionalist, iu deshën më shumë se disa beteja. Synimi i tyre ishte kornizimi i segmenteve në një bosht identitar dhe mjaft diplomaci me fuqitë e huaja, për ta bërë të njohur përmasën territoriale të popullit shqiptar, të drejtën e tij për shtetësi. Rilindjes Kombëtare Shqiptare, përfaqësuesve të shtetit të porsaformuar, iu desht edhe të përballoheshin me mbrojtjen e popullsisë shqiptarë të dëbuar nga trojet etnike, me shmangien e asimilimeve dhe politikat ndërhyrëse të fuqive ballkanike, posaçërisht të Perandorisë Osmane. Por mbi të gjitha, Rilindasve dhe Shtetformuesve, iu desht të përballeshin më kundërshtinë e dhunshme ndaj shtetit dhe nacionit, kuptuar si Rizgjim Identitar në një kontinent të përfshirë në modernitet dhe industrializim, të segmenteve pro-otomane të shoqërisë dhe klasës së bejlerëve vendas. Ata segmente, në këtë agim ndryshimesh në Europë dhe në Shqipëri, këmbëngulën të ndiqnin modelin oriental të sundimit dhe të mbartnin një identitet të ndryshëm në raport me popullsinë tjetër të Shqipërisë, që përkrahu indipendencën, europianizimin dhe shekullarizimin e shtetit në kufijtë nacionalë.
Fundi i Luftës së Parë Botërore ka qenë një kohë dramatike për Shqipërinë, për shkak të largimit nga skena gjeopolitike europiane të Perandorisë Austro-Hungareze. Për Shqipërinë u krijuan dy vakume të menjëhershme: së pari, ai i brendëshmi, institucional, për pjesën më të madhe të territorit, që për gati tre vite u administrua nga austriakët; së dyti, në bisedimet e paqes, Shqipëria nuk do të kishte më një zë të kualifikuar dhe besnik, pro saj, brenda fuqive të mëdha vendimarrëse. Italia, e rreshtuar përkrah vendeve fituese të Antantës, për një numër arsyesh, nuk mundej dhe nuk do ta luante dot në mënyrë të qëndrueshme, serioze dhe të vërtetë, një rol të tillë pro Shqipërisë, çështjes së saj kombëtare.
Mirëpo, edhe pse vitet pas Luftës së Parë Botërore do të jenë një sfidë e vërtetë në aspektin shtetformues për elitën nacionaliste, në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, bashkësia nacionale që do të duhej të drejtohej nga kjo udhëheqësi, pati një ftillim të ndryshëm në aspektin e vetëdijës mbi përkatësinë dhe në pranimin më të madh të parimeve mbi të cilat do të duhej të rithemelohej marrëdhënia ndërshqiptare. Nacionalizmi tanimë, në mënyrë të qartë, po mbështetej gjithnjë e më shumë, mbi parimet e elitës së Kulturës së Lartë: Europianizimi Institucional i Shtetit Indipendent, Rindertimi Identitar Albanianist, Shekullarizimi i Jetës Publike, nje drejtim i balancuar kulturalisht dhe krahinarisht i shtetit dhe mbrojtja e pa kompromis e Çështjes Nacionale.