Nga çdo rrugë a shteg që të zgjedhësh këtë verë për të hyrë në malësi të Gjakovës (Tropojë), para syve të shfaqen pamje sa të bukura dhe të madhërishme, epike dhe lirike.
Konfiguracioni magjepsës i viseve të kësaj krahine të lind kënaqësi estetike, të vë në mendime, të evokon historinë, të kujton legjendat, kreshnikët me Mujën e Halilin në krye.
Ndalojmë te Qafa e Morinës, duke u kthyer prej Gjakove. Një qafë mali madhështore. Ajo ka shërbyer historikisht si portë natyrore nëpër të cilën kanë kaluar shqiptarët nga Shkodra e malësitë e veriut, në Kosovë dhe anasjelltas. Ajo ishte portë bujare, pa kanata, gjithnjë e hapur e për të gjithë,. Ndërkohë regjimet dikatoriale komuniste i vunë kanata politiko-ushtarake, e rrethuan me gardh elektrik, e bënë tabu kalimin e lirë nëpër të 50 vjet për shqiptarët nga të dyja anët e kufirit, duke e kyçur me roje ushtarake, të armatosura deri në dhëmbë.
Tashmë kjo portë, falë lirisë, falë çlirimit të Kosovës, është gjithnjë e hapur, plot jetë e gjallëri, me vargane veturash e automjetesh të ndryshme duke kaluar nëpër të.
Kundrojmë pellgun e Tropojës, të cilin vendasit e quajnë Lugi i Malësisë. Ndonëse e kemi vërejtuar atë shumë herë prej këtu, përsëri sytë ndiejnë kënaqësi, duke e rrokur sërish nga pikëshikime të ndryshme. Udhëtimi të bën të meditosh dhe nga këndvështrime të reja. Prej këtu shihet si në pëllëmbë të dorës, si prej një llozhe të madhe, gjithë teatri kryesor natyror i Malësisë. Lugina poshtë maleve shtrihet si një platé e blertë e tij. Vargmalet që e rrethojnë: Shkëlzeni kryelartë, Radeshja e Gashit, Qypi i Gracit, Maja epike e Hekurave, Shtylla e Grisë, Korja e Gegysenit, Dobreji e Maja e Begajve shpalosen si llozha e ballkone të tij. Në këtë teatër janë luajtur role të ndryshme fatesh njerëzore. Këtu jehonin pushkët kur lindnin djem, të cilët do t’i delnin zot vatanit. Këtu jehuan këngët majëkrahu, tupani e çiftelia në dasma e miqësi. Këtu u jetuan dhe drama e tragjedi të dhimbshme në luftërat kundër armiqve gjakatarë, shpeshherë më tragjike se ato të Eskilit e të Shekspirit.
Përballë kësaj Qafe shquhet madhërishën në horizont, e përflakur nga perëndimi i diellit, Qafa e Kolçit, e cila lidh këto visore të Malësisë me Nikaj-Merturin. Te ajo qafë kalonte udha e moçme e Pultit, një Vijë Egnatia e viseve të Veriut, prej Shkodre deri në Kosovë, ku ende ruhen aty-këtu gjurmë kalldremi të saj. Ajo qafë, në një largësi më të shkurtër, përballet dhe me Qafën e Luzhës, një portë tjetër e madhe hyrëse prej Bytyçit në Lug të Malësisë.
Dhe ngado, qafa e gryka malesh, të cilat malësorët i mbyllën me gjokset e tyre për të ndalur vërshimet e hordhive barbare ndër shekuj. Kështu, vetëm në Qafë të Previsë, sipas librit “Gjaku i tyre në damarët tanë” të autorëvë Selim Musaj e Halil Katana, kanë rënë 24 dëshmorë të kombit në luftëra të ndryshme për liri dhe pavarësi; në Qafë të Morinës14 të tjerë, në atë të Luzhës 10, në Qafë të Gashit 8, ndër ta dhe Heroi i Popullit Fahri Ramadani e partizani antifashist italian Galdeo Galderizi.
Buzëmbrëmje. Dielli na lë lamtumirën e ditës. Shtëllunga të tejmëdha resh ulen si balona majë Shkëlzenit. Ato përhapen, pa vonuar, majëmaleve dhe duken në muzg si dallgë të shkumëzuara oqeani. Nja tri cukla të tjera resh lëvizin ngadalë, si dele të ndara prej tufe. Qielli i purpurtë erret prej tisit të natës. Qyteti “Bajram Curri” rrezëllin si kurorë gjigande prej rruazash të arta të dritave elektrike.
Të nesërmen në mëngjes udhëtojmë drejt fshatit Valbonë, i cili është shndërruar tashmë në fshat turistik. Gryka e Dragobisë ushton prej makinave me udhëtarë. Karvane me njerëz e tufa bagëtish që dalin për verim në bjeshkë. Vizitorë e turistë prej rretheve të tjera të vendit e të huaj ndalojnë shpesh. Kamerat e tyre filmojnë, aparatet fotografike fiksojnë në celuloid pamje të mahnitshme të shpatmaleve të këtyre anëve, ku e madhërishmja me të bukurën e idiliken janë gërshetuar mrekullisht. Edhe shkëmbi dhjetëra metra i lartë ka ruajtur në shtat ndonjë qetë të vogël, ndonjë folezë të zbukurar me bar e lule, ka vënë ndonjë kurorë pishash në majë të tij. Molikat shfaqen si nuse me vello të gjelbra, të sapozgjuara prej gjumit. Lart në male zbardhojnë ende lara bore si “vatra qëndrese” të dimrit të shkuar. Një puhizë ere i bën të fëshfërijnë lehtas gjethet e aheve. Te Fusha e Gjesë në Valbonë, një grup nxënësish, të veshur hijshëm me rroba shumëngjyrëshe, shëtisin e luajnë si trumbë pëllumbash. Këtu vizitori e turisti menjëherë e ndiejnë veten më mirë, më energjikë, duke thithur ajrin e pastër, të pasur me ozon të pishave. Sytë të bëhen më të mprehtë. Oreksi të shtohet.
Turistët janë përhapur gjithandej. Kanë ngrehur edhe çadra, të cilat i kanë sjellë me vete, bashkë me vetura e automjete të ndryshme, madje dhe biçikleta e motoçikleta. Na bën përshtypje një burrë i moshuar, fytyrëkuqlosh. Sodiste me kërshëri peizazhet e bjeshkëve përballë. Quhej Peter, kishte ardhur nga Gjermania. Ai thotë se Tropoja e, veçanërisht Valbona, janë vende që të lënë pa mend me pamjet e tyre.
Vendësit e shfrytëzojnë këtë sezon me shërbimet që u ofrojnë të huajve. Hajredin Selimi sapo është kthyer prej “Bajram Currit” me automjetin e tij, të ngarkuar me ushqime, fruta e perime. Ai na tregon për turizmin familjar, që ka ngritur në banesë të tij, me fjetje, gatim e shërbime të tjera. Janë ndërtuar dhe lokale shërbimi këtu e te Rrogami i Shalës. Gjithsesi ato janë ende të kufizuara e larg parametrave të shërbimit turistik bashkëkohorë.
Bjeshkët e Malësisë së Gjakovës ndryjnë perla e mrekulli të mahnitshme, që mjaft prej tyre njihen pak. Ato shpalosen dhe në bashkësi. Numri shtatë është i njohur si numër simbol, si Shtatë mrekullitë e botës, Shtatë palë tokë e shtatë palë qiella etj. Edhe këtu gjenden mrekulli të natyrës që arrijnë këtë numër, si Shtatë Liqenet e Sylbicës, të cilat përfaqësojnë shtatë margaritarë të bukur sykaltër në pllajat e zhveshura prej drurëve në këtë bjeshkë të bukur. Apo Shtatë Grykat, siç janë Gryka e Dragobisë, Gryka e Valbonës, Gryka e Çeremit etj. Ndërkohë dalin në pah dhe bukuri të tjera ujore të mrekullishme, si gjashtë liqenet e Jezercës, Liqeni i Dashit në bjeshkë të Doberdolit, Liqeni i Ponarëve në bjeshkë të Krasniqes, Liqeni i Madh e Liqeni i Vogël në Radeshe të Gashit. Apo lumi i Valbonës, që rrjedh si drenushë kaltëroshe gjoksit të alpeve tona; lumi i Currajve si degë e kristaltë e tij, i cili e merr vrapin në lartësitë alpine të katundit piktoresk Curraj i Epër e zbret shpatmaleve, derisa bashkohet me lumin e Merturit; Lumi i Gashit, verës i qetë e i këndshëm, ndërsa dimrit i rrëmbyeshëm dhe i frikshëm; Vrella sykaltër e Shoshanit etj.
Ditën tjetër ndalojmë në Kika, mbi Dragobi e ngjitemi grykës përpjetë. Ja Çeremi, ky fshat i Vuthajve, i cili bashkë me Valbonën patën mbetur brenda kufijve të gjysmështetit shqiptar në vitin 1912. Kisha vite pa shkelur në këto anë e nuk ngopesha pa i rrokur gjithkah me sy. Një fshat alpin me bukuri të veçanta, i rrethuar me male e bjeshkë të shëndetshme, plot ahe, pisha e bredha, i cili popullohet verës me vërritarë e vizitorë të shumtë. Prej aty kalojmë në kurorën lindore të bjeshkëve të Krasniqes. Ajri i freskët, dielli i këndshëm dhe humnerat poshtë saj, të krijojnë ndjesinë sikur je në një planet tjetër. Lugina e Valbonës, me shpatmalet si mure anash, të krijon përfytyrimin e një kështjelle vigane. Kreshtat e majave përvijohen në horizont si bedena qiellgrithës të saj. Ndalojmë të Kungji i Armve. Bjeshkët të zgjojnë kërshëri dhe me emrat e tyre. Këtu është një rrafsh i bukur, ku mblidheshin malësorët gjatë verave, bëheshin kuvende, falej Bajrami etj. Ndërkohë aty vareshin armët, prej nga e ka marrë dhe emrin kjo bjeshkë. Më tutje është Bira e Kusisë, një bjeshkë me lëndina të gjelbra, ku ka një birë të madhe në të cilën gurët, kur hidhen në të, tingëllojnë si në kusi,. Në horizont kah lindja shquhen dhe bjeshkë të tjera me emra burimorë shqip: Bigat (prej bigë) e Haklajve në Radeshe të Gashit, Përbuja (nga për + bujë, bujtje) e Shipshanit, Tringëllima etj. Çuditërisht kanë mbetur dhe relikte emërvendesh që prej pushtimit sllav, si Trokuzi (trekëndëshi) i Halil Alisë; Koshuticë, vend drenushash, Doberdol, lugmir. Madje ruhen dhe relikte të tilla me burim latin qysh prej kohës së pushtimit romak. Përveç emërvendit Valbonë, prejardhjen e të cilit e ka shpjeguar së pari dijetari Konstantin Jireçek, prej valis, luginë + bona e mirë, hasim dhe Kollata, nga collātătus, i tejmadh, vend shumë i madh; Rupa, prej rūpēs, shkëmb, shkrep.
Prej kësaj kurore syri të rrok gati të gjitha bjeshkët e Malësisë së Gjakovës. Në përceptimin e tyre zotëron madhështorja, epikja, legjendarja. Hasani, miku im nga Dragobia, i cili më shoqëron, më flet për ciklin e kreshnikëve, për protagonistët e tij, Mujën dhe Halilin.
– Ja, më thotë ai ndër të tjera, duke shtrirë dorën në drejtim të Majës së Hekurave, mbi Klysyrë. Qatje janë Lugjet e Verdha. Luginës, poshtë atyne Lugjeve, nuk këndojnë kurrë qyqja as zogjtë, se e ka nemë Kunja (Ajkuna) atë vend, kur e ka gjetë djalin të vorruem. Ma nelt, në perëndim të Dragobisë, te Qeta e Dozhlanit, asht Vorri i Imerit të Mujs.
Kësisoj, eposi ynë legjendar ruhet i gjallë në emervendet dhe në kujtesën e banorëve të këtyre anëve. Gegysenasit të flasin për Login e Kunors në bjeshkë të tyre. Këtu, sipas legjendave, Muja ka vënë kurorë me Ajkunën. Aty mblidheshin dhe kreshnikët e gjuanin gurapeshk, hanin deshë të pjekur, niseshin për Kotorre etj. Në Lugje të Verdha, sipas gojëdhënave, është dhe një lëndinë, ku “Sokol Halili e ka kaluar natën e parë me Tanushën e krajlit”. Në Breg-Lumi të tregojnë Lugun e Zanave, në Mash të flasin për Pusin e Zanave, në Bytyç për Shpellën e Kuqe, që ndodhet në Sylbicë, ku thuhet se rrinin zanat…
Duke zbritur Grykës së Dragobisë mbi Klysyrë m’u kujtua dimri i ashpër i 2005-ës. Orteku i madh, që ishte rrokullisur nga ana e Lugjeve të Verdha, e kishte mbuluar krejtësisht lumin e Valbonës, deri në rrugën automobilistike të anës tjetër. Ndërkohë ajo e kishte zhbiruar atë dhe rridhte mahnitshëm poshtë kubesë gjigande të ortekut. Të dukej si skenë e gjallë nga poema e ciklit të kreshnikëve Martesa e Halilit. Ia përshkrova atëherë këtë pamje studiuesit Mehmet Doçi, i cili shkoi menjëherë atje, e fotografoi dhe, më vonë, e paraqiti në ballinën e librit Ujitja në Tropojë.
Lugina e Valbonës është këto ditë e populluar me pushues, prej grykëderdhjes së saj në liqenin e Komanit, deri në afërsi të burimit, lart në alpe, me qytetarë nga “Bajram Curri” e fshatrat përreth dhe turistë të huaj. Ata lahen në lumë e rreziten në diell breg saj. Ndërsa përjetoja pamjet magjepsëse të bjeshkëve e të viseve të Malësisë së Gjakovës, m’u kujtua një thënie e Dostojevskit: Ne jetojmë në një parajsë, por nuk duam ta njohim. Ato, duke na rrezatuar në shpirt imazhe romantike dhe kënaqësi estetike të pafundme, edhe ftojnë, diktojnë e kërkojnë një shfrytëzim më frytdhënës të tyre nga njeriu, një ndikim më të madh shndërrues e zbukures të tyre nga shteti, shoqata e fondacione të ndryshme. Këtë luginë të bukur e shfytyrojnë për vizitorët e turistët, retë e pluhurave që ngrihen rrugës automobilistike buzë lumit nga makinat e automjetet në lëvizje dhe në udhëtim. Asfaltimi i saj, i filluar qyshkur, ka ngecur që në hyrje të Grykës së Dragobisë. Në fshatin Valbonë sëpata e druvarëve ka prerë dhe pishat e bredhat e bukur, në hije të të cilëve pushonin shumë të ardhur. Lëvizjet e banorëve drejt qendrave qytetëse, për mungesa investimesh për të ndërtuar një jetë më të mirë, po çon në shpopullimin e fshatrave të tërë. Katundi Curraj i Epër, me bukuri të rralla natyrore dhe një ndër vatrat më të pasura të epikës sonë legjendare, ku janë mbledhur 16 këngë të spikatura, ose rreth një e treta e këngëve të vëllimit Epika legjendare I, Tiranë 1966, është boshatisur. Në disa bjeshkë ka vite që nuk del njeri për verim në to.
Dhe braktisja e malësisë, mosdalja në bjeshkë e qitja e tyre në harresë, do të thoshte shkretim i tyre, do të shkaktonte vdekje të ngadaltë për mitet e legjendat, për emërvendet si “përmendore të kujtesës njerëzore”, sikurse i vlerëson një dijetar; do të çonte në humbje të mjaft trashëgimeve tona të mrekullueshme kulturore.
- E ribotojmë në shenjë nderimi për shkrimtarin, publicistin, gjuhëtarin Avdyl Sulaj, i cili u nda dje papritur nga jeta. Reportazhi, botuar për herë të parë më 24 korrik 2011, është një ndër bashkëpunimet e Avdyli me VOAL gjatë këtyre viteve.
Komentet