Bad Bunny shkëlqeu në kampionatin vjetor të futbollit amerikan, Super Bowl, duke e bërë performancën e tij artistike temë kryesore të debatit për politikat e vendit.
“E vetmja gjë më e fuqishme se urrejtja është dashuria”, ishte slogani që shihej në një billboard në skenë.
Shfaqja filloi në fusha sheqeri të Puerto Ricos, duke treguar jetën dhe kulturën e vendit të këngëtarit, përpara se të performonte hitin “Yo Perreo Sola”, një himn për të drejtat e grave për t’u argëtuar pa ngacmime.
Përmes gjuhës dhe energjisë, Bad Bunny dërgoi mesazhin se gëzimi dhe festa janë forma të rezistencës, ndërsa përballë sulmeve të ICE dhe padrejtësive ndaj komunitetit latino, ai festoi krenarinë dhe unitetin.
Performanca përfshiu një dasmë të vërtetë, dhurimin e një replike të Grammy (çmimin që fitoi me 1 shkurt) për një fëmijë dhe shfaqje surprizë të artistëve të njohur si Lady Gaga dhe Ricky Martin, duke lidhur nostalgjinë me solidaritetin ishullor.
Ai foli kryesisht në spanjisht, por përfundoi me “God bless America” (Zoti bekoftë Amerikën), ndërsa valëviteshin flamujt e të gjitha vendeve të Amerikës Jugore dhe asaj Veriore, duke theksuar lidhjen kulturore dhe diasporën.
Festimi i energjisë, vallëzimit dhe kulturës u shndërrua në një deklaratë politike të fuqishme dhe kreative, pa dhënë armë kundërshtarëve konservatorë, shkruan Vanity Fair.
Bad Bunny nuk do të marrë asnjë kompensim për paraqitjen e tij në shfaqjen e pushimit të Super Bowl 2026.
Këngëtari portorikan, i cili u përgatit me muaj të tërë për të dalë në skenë dhe për të kënduar në këtë event, që nga shtatori i vitit 2025, i cili u njoftua zyrtarisht, nuk është paguar për paraqitjen e tij, siç u bë e ditur.
NFL tradicionalisht nuk i paguan interpretuesit e Super Bowl. Në vend të një page të rregullt, këngëtarët dhe interpretuesit skenik thjesht shijojnë ekspozimin dhe ndikimin e 12-15 minutave që i kushtojnë shfaqjes së tyre, e cila është transmetimi më i madh televiziv i vitit në Amerikë.
NFL mbulon të gjitha kostot e udhëtimit dhe prodhimit për shfaqjen, të cilat Reuters vlerëson se arritën në 13 milionë dollarë në vitin 2020. Artistët paguhen vetëm në të ashtuquajturën “shkallë sindikale”, një shumë minimale e përcaktuar nga kontratat, e cila është shumë larg milionave në tarifa që ata zakonisht marrin për koncerte.
“Ne nuk i paguajmë artistët”, tha një zëdhënës i NFL për Forbes në vitin 2016. “Ne mbulojmë shpenzimet dhe kostot e prodhimit.” Pavarësisht mungesës së pagesës së rregullt, shfaqja e pushimit mbetet një nga skenat më të kërkuara në botë. “Shumë artistë e shohin atë si një mundësi unike për të ndarë muzikën dhe talentin e tyre me miliona shikues”, shpjegoi avokatja e shfaqjes, Lori Landew.







Komentet