VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Kërcënimi bërthamor i Koresë së Veriut sfidon edhe tabutë në Japoni

By | August 10, 2017
blank

Komentet

blank

Vendet e NATO-s dërgojnë anije dhe avionë në Evropën Lindore ndërsa rriten tensionet në Ukrainë

VOA

NATO-ja tha të hënën se vendet anëtare të saj po dërgojnë më shumë anije dhe avionë luftarakë në Evropën Lindore, në përgjigje të grumbullimit ushtarak të Rusisë përgjatë kufirit të saj me Ukrainën.

Një deklaratë e NATO-s vuri në dukje vendosjen e forcave, ose shqyrtimin mundësive për dërgimin e trupave dhe pajisjeve shtesë nga vende të shumta, duke përfshirë Danimarkën, Spanjën, Francën, Holandën dhe Shtetet e Bashkuara.

“NATO-ja do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët, duke përfshirë edhe përforcimin e pjesës lindore të aleancës”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. “Ne gjithmonë do t’i përgjigjemi çdo përkeqësimi të mjedisit tonë të sigurisë, duke përfshirë forcimin e mbrojtjes sonë kolektive”, shtoi ai.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në NATO për përshkallëzimin e tensioneve.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania njoftuan gjithashtu se kanë urdhëruar personelin e ambasadave të tyre dhe anëtarët e familjeve në Kiev që të largohen nga Ukraina, duke përmendur mundësinë e veprimeve ushtarake ruse.

Ministria e Jashtme e Ukrainës, shprehu pakënaqësinë më vendimet amerikane e britanike.

“Ndërsa respektojmë të drejtën e kombeve të huaja për të garantuar sigurinë e misioneve të tyre diplomatike, besojmë se një hap i tillë është i parakohshëm dhe një shembull i kujdesit të tepruar”, shkroi në rrjetin Tëitter të hënën, zëdhënësi i kësaj ministri, Oleg Nikolenko.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën se BE-ja nuk po planifikon ndonjë tërheqje të ngjashme. Ai i bëri këto komente para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, të cilit, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i është bashkuar pasdite virtualisht.

“Ne nuk do të bëjmë të njëjtën gjë sepse nuk dimë ndonjë arsye të veçantë. Por sekretari Blinken do të na informojë”, tha zoti Borrell.

blank

Bursa dhe rubla në Rusi vazhdojnë të bien për shkak të rreziqeve gjeopolitike

Moskë

Për shkak të tensioneve të Rusisë me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian (BE), rubla dhe bursa ruse kanë vazhduar rënien edhe në ditën e parë të javës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Rubla ruse në ditën e parë të javës humbi 0,4 për qind vlerë kundër dollarit duke shkuar në nivelin 77,7, ndërsa 0,1 për qind kundër euros dhe arriti në nivelin 88.

Indeksi i bursës së Moskës (MICEX) humbi vlerë prej 2,75 për qind duke arritur në 3.344 pikë, kurse indeksi RTS u ul për 3,3 për qind dhe arriti në 1.355 pikë.

Analistët theksojnë se përveç tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës dhe rritjes së mundësisë për një konflikt ushtarak, edhe urdhri për largimin e familjeve të personelit të ambasadës amerikane në Kiev ka krijuar presion për rënien në tregjet ruse.

blank

Julian Assange fiton leje për të apeluar ekstradimin në SHBA

RFE/RL

Themeluesit të faqes WikiLeaks, Julian Assange, i është dhënë leje për ta apeluar vendimin që mundëson ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara.

Uashingtoni dëshiron ta përballë me gjykim Assange-in, lidhur me publikimin e 500,000 dokumenteve ushtarake që kanë të bëjnë me luftërat e Shteteve të Bashkuara në Irak dhe Afganistan.

Në dhjetor të vitit të kaluar, një gjykatë në Londër ka përmbysur vendimin e një gjykate më të ulët që pamundësonte dërgimin e Assange-it në Shtetet e Bashkuara, me arsyetimin e rrezikut të vetëvrasjes.

Avokatët e Assange-it më vonë kanë sfiduar vendimin, duke argumentuar se gjykata më e lartë e shtetit duhet të marrë vendime “në bazë të pikave të ligjit që lidhen me rëndësi të përgjithshme publike”.

“Është pranuar kërkesa e palës së paditur për vërtetimin e kësaj pike”, kanë thënë gjyqtarët, Ian Burnett dhe Timothy Holroyde përmes një vendimi me shkrim.

Vetë gjyqtarët kanë thënë se ata nuk mund t’i japin të drejtë Assange-it për ta apeluar vendimin në Gjykatën Supreme.

Mirëpo Assange ka të drejtë të kërkojë drejtësi në bazë të asaj pike në gjykatën më të lartë, e cila më pas mund të vendosë nëse do të shqyrtojë rastin.

“Julian ka fituar”, ka thënë Stella Morris, e fejuara e tij, njëherësh nëna e dy fëmijëve të tij të vegjël.

“I takon tani Gjykatës Supreme për të vendosur nëse do të dëgjojë apelin e Assange-it”.

Turmat e mbledhura në qendër të Londrës e kanë mirëpritur këtë vendim.

Mbështetësit e tij kanë argumentuar se shëndeti i tij fizik dhe ai mendor është prekur rëndë nga qëndrimi në një burg të sigurisë së lartë në juglindje të Londrës.

Ai ka qenë mbrapa grilave sepse shihet si rrezik për arratisje, meqë më 2012 i ka ikur një dënimi me kusht, i cili lidhej me pretendimet se ka sulmuar seksualisht dy gra në Suedi.

Assange ka qëndruar shtatë vjet në ambasadën e Ekuadorit në Londër.

blank

Edhe Britania tërheq stafin e ambasadës nga Kievi

Britania e Madhe ka nisur të tërheqë stafin nga ambasada e saj në Ukrainë në mesin e paralajmërimeve për rrezikun e një pushtimi rus.

Sipas BBC, zyrtarët thanë se nuk ka ndonjë kërcënim specifik për diplomatët britanikë, por më shumë se gjysma e stafit do largohet nga Kievi.

Edhe SHBA ka ndërmarrë një veprim të tillë, duke thënë se pushtimi rus mund të ndodhë nga momenti në moment.

Kurse stafi i ambasadës së BE nuk do të largohet.

Rusia ka mohuar se ka një plan për pushtimin e Ukrainës, por dhjetëra mijëra trupa janë vendosur në kufirin me Ukrainën.

Departamenti i Shtetit ka paralajmëruar njerëzit që të mos udhëtojnë drejt Ukrainës dhe Rusisë.

blank

Përhapja e Omicron- Kryeministrja e Zelandës së Re anulon dasmën

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka marrë vendim për të anuluar dasmën për shkak të situatës epidemiologjike në vend.

Zelanda e Re ka njoftuar kufizime të reja kundër koronavirusit dhe kjo ka bërë që kryeministrja të marrë një vendim të tillë.

Shpërthimi i variantit Omicron ka shqetësuar autoritetet, të cilët kanë njoftuar edhe masat e reja.

Kufizimet përfshijnë mbajtjen e maskave në dyqane dhe transportin publik dhe se qytetarët duhet të jenë të vaksinuar në rast se janë në një aktivitet me rreth 100 persona.

Në një intervistë për mediat ajo gjithashtu konfirmoi se dasma e saj është anuluar.

Zelanda e Re ka regjistruar rreth 15, 104 raste me COVID dhe 52 viktima. gsh

blank

Britania: Rusia dëshiron të instalojë një lider pro-rus në Ukrainë

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss. Fotografi nga arkivi.

RFE/RL

Mbretëria e Bashkuar e ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, se po bën komplot që të instalojë një figurë pro-Moskës që ta udhëheqë Qeverinë e Ukrainës.

Zyra e Jashtme britanike tha se kandidati potencial i Kremlinit është ish-deputeti ukrainas, Yevhen Murayev.

Rusia ka vendosur mbi 100,000 trupa në afërsi të kufirit me Ukrainën, por mohon se po planifikon që ta sulmojë këtë shtet.

Ministrat britanikë kanë paralajmëruar Qeverinë ruse se do të përballet me pasoja serioze në rast të pushtimit të Ukrainës.

Në deklaratën e lëshuar, sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, tha se “informacionet që po dalin sot hedhin dritë mbi aktivitetet ruse për të shkatërruar Ukrainën dhe janë një pasqyrë se si mendon Kremlini”.

“Rusia duhet të shtensionojë situatën, t’i japë fund fushatës së agresionit dhe dezinformatave dhe të zgjedhë rrugën e diplomacisë. Siç ka thënë vazhdimisht Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj, çdo pushtim rus në Ukrainë do të ishte një gabim i madh strategjik që do të kishte pasoja të rënda”, tha ajo.

Por Ministrja e Jashtme ruse ka hedhur poshtë pretendimet e Britanisë se po planifikon të të instalojë në lider pro-rus në Ukrainë, teksa presidenti Vladimir Putin po shqyrton nëse duhet të japë urdhrin që ta pushtojë këtë shtet fqinj.

“Dezinformatat që po qarkullojnë nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar janë një tjetër tregues se shtetet anëtare të NATO-s, të udhëhequra nga shtetet anglo-saksone po i përshkallëzojnë tensionet në lidhje me Ukrainën”, tha Ministrja e Jashtme ruse përmes një postimi në Twitter.

“Ne i bëjmë thirrje Zyrës së Jashtme që të ndalë përhapjen e këtyre marrëzive”, tha ministria.

Në deklaratën e Zyrës së Jashtme britanike u tha se Qeveria britanike ka informacione se shërbimet e inteligjencës ruse mbajnë lidhje me disa ish-politikanë ukrainas.

Në mesin e tyre u përmendën edhe Serhiy Arbuzov, që ka qenë zëvendëskryeministri i parë i Ukrainës në periudhën 2012-2014 dhe ushtrues detyre i kryeministrit të Ukrainës më 2014. Në këtë listë u përfshi edhe Andriy Kluyev, që ishte zëvendëskryeministër i parë më 2010-2012 dhe shef i stafit të ish-presidentit ukrainas Viktor Yanukovich; Volodymyr Sivkovich, ish-kreu i Këshillit ukrainas të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare dhe Mykola Azarov, që ka shërbyer në postin e kryeministrit të Ukrainës në periudhën 2010-2014.

Sekretarja e Jashtme britanike, Truss në deklaratën e lëshuar, përsëriti mbështetjen për “sovranitetin dhe integritetin territorial, në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht” të Ukrainës, “përfshirë edhe Krimenë”.

“Ukraina është shtet i pavarur dhe sovran”, tha ajo.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara thanë se i kanë parë “me shqetësim të thellë” pretendimet e Mbretërisë së Bashkuar.

“Ky lloj komploti është thellësisht shqetësues. Populli ukrainas ka të drejtën sovrane që të përcaktojë vetë të ardhmen e tij dhe ne qëndrojmë me partnerët tanë në Ukrainë të zgjedhur në mënyrë demokratike”, tha përmes një deklarate, Emily Horne, zëdhënëse e Këshillit për Siguri Kombëtare të SHBA-së.

Deklarata e Zyrës së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar vjen pasi mediat evropiane dhe ruse raportuan se Londra dhe Moska janë pajtuar që të mbajnë bisedime të rralla të nivelit të lartë, për të diskutuar për krizën përgjatë kufirit të Rusisë dhe Ukrainës.

Më 22 janar, agjencia shtetërore e lajmeve ruse, TASS raportoi se kryediplomatja britanike Truss, do ta vizitojë Moskën në muajin shkurt, për t’u takuar me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

TASS citoi një burim të paidentifikuar në Ministrinë e Jashtme të ketë thënë se “ministrja e Jashtme britanike ka kërkuar për një mundësi për të udhëtuar në Moskë” dhe se vizita i është miratuar.

Vizita e propozuar e Truss do të ishte vizita e parë e një sekretari të Jashtëm britanik në Moskë që prej dhjetorit të vitit 2017.

Ndërkaq, agjencia AFP më 22 janar, citoi një “burim të mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar” të ketë thënë se sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace ka ftuar homologun e tij rus, Sergei Shoigu që të bisedojë lidhur me tensionet në Ukrainë.

“Duke pasur parasysh se bisedimet e fundit të mbrojtjes mes dy shteteve tona kanë ndodhur në Londër më 2013, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu ka ofruar që të takohet në Moskë”, citohet të ketë thënë ky burim.

Ftesat për vizita të tilla vijnë në kohën e rritjes së tensioneve mes Rusisë dhe Perëndimin lidhur me grumbullimin ushtarak rus, por edhe të kërkesave të Moskës që po kërkon frenimin e aktivitetit të aleancës ushtarake, NATO në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
blank

SHBA dërgon 90 tonë armë dhe municione në Ukrainë

Kiev

SHBA-ja ka dërguar 90 tonë armë dhe municione në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga Ambasada e SHBA-së në Ukrainë thuhet se avioni që ka transportuar armët ka mbërritur në aeroportin “Boryspil” të Kievit.

“Kjo ndihmë që kemi dërguar për mbrojtësit e vijës së parë të Ukrainës, tregon angazhimin e fuqishëm të SHBA-së për të drejtën sovrane të Ukrainës për vetëmbrojtje”, thuhet në deklaratë.

SHBA-ja ka siguruar më shumë se 650 milionë dollarë ndihmë për sigurinë e Ukrainës në vitin 2021 dhe se ndihmat në këtë fushë që nga viti 2014 kanë tejkaluar vlerën prej 2.7 miliardë dollarë, theksohet më tej.

“SHBA-ja do të vazhdojë të sigurojë ndihma të tilla për të mbështetur Forcat e Armatosura të Ukrainës, do të mbështesë mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj kundër agresionit të Rusisë”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.

blank

Kryediplomatja britanike do ta vizitojë Moskën

RFE/RL

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, pritet që të qëndrojë në Moskë për bisedime me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Agjencia shtetërore e lajmeve ruse TASS, duke u thirrur në burime brenda Ministrisë së Jashtme, raportoi se kjo vizitë pritet të ndodhë në muajin shkurt.

TASS më 22 janar citoi një burim nga ministria të ketë thënë se “ministrja e Jashtme britanike ka kërkuar mundësinë që të udhëtojë për në Moskë” dhe se kjo kërkesë i është miratuar.

Londra ende nuk ka reaguar lidhur me këto raportime.

Nëse ndodh kjo vizitë, atëherë do të ishte vizita e parë në Moskë e një Sekretari të Jashtëm të Britanisë që nga dhjetori i vitit 2017.

Paralajmërimi për këtë vizitë në Moskë vjen në kohën e rritjes së tensioneve midis Rusisë dhe Perëndimin për shkak të grumbullimit ushtarak rus përgjatë kufirit me Ukrainën si dhe kërkesave të Kremlinit që NATO të kufizojë aktivitetin në shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Në një fjalim më 21 janar në Australi, Truss paralajmëroi presidentin rus Vladimir Putin, që “të heqë dorë dhe të tërhiqet nga Ukraina përpara se të bëjë një gabim të madh strategjik”.

Ajo tha se një pushim i mundshëm i Ukrainës “do të çonte vetëm në një situatë të tmerrshme dhe humbje jetësh”.

Vizita e propozuara po ashtu vjen gjithashtu teksa Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia kanë raporte të tensionuara për shkak të helmimit fatal në Londër të ish-oficerit rus të sigurisë, Aleksandr Litvinenko dhe tentim-vrasjes më 2018 në Sallsbëri të ish-zyrtarit rus të inteligjencës, Sergei Skripal duke përdorur një agjent nervor të zhvilluar në kohën sovjetike.

Qeveria britanike ka fajësuar Moskën se ka kryer të dy sulmet. Rusia ka hedhur poshtë këto akuza.

blank

Afrika thirrje për përfaqësim të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Kampala

Presidenti i Ugandës Yoweri Museveni i kërkoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së të miratojë reforma që do t’i mundësojnë Afrikës përfaqësim të përhershëm në këtë institucion, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke hapur një takim në kryeqytetin Kampala, ku morën pjesë zyrtarë që përfaqësuan dhjetë shtete anëtare të Bashkimit Afrikan, Museveni tha se 1,3 miliard njerëz në kontinentin afrikan meritojnë përfaqësim në Këshillin e Sigurimit.

“Këshilli i Sigurimit i OKB-së është dashur dhe duhet të reformohet”, tha ai.

“Ky nuk është një favor nga askush, por një e drejtë e të gjithë popujve që banojnë në planetin Tokë”, shtoi Museveni.

“Ne kërkojmë të drejtën tonë për përfaqësim të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Afrikanët dhe miliarda aziatikë nuk mund të mbahen jashtë Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga pesë shtete anëtare që e monopolizojnë atë tani”, theksoi presidenti i Ugandës.

Ai e quajti sistemin aktual si të padrejtë, duke thënë se Afrika duhet të ketë një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit për të siguruar që ai të mos përdoret negativisht kundër Afrikës.

Pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së janë SHBA-ja, Kina, Rusia, Franca dhe Britania. Dhjetë vendet e tjera të këshillit ndërrohen me rotacion midis anëtarëve jo të përhershëm që shërbejnë për mandate dyvjeçare.

blank

Irani, Rusia dhe Kina nisin stërvitjen e përbashkët ushtarake në Oqeanin Indian

Marina iraniane, ruse dhe kineze nisën një stërvitje të përbashkët ushtarake në shkallë të gjerë në veri të Oqeanit Indian, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare iraniane IRNA, stërvitja e quajtur “Rripi i Sigurisë Detare 2022”, zhvillohet në një zonë të madhe me një sipërfaqe prej 17 mijë kilometra katrorë në veri të Oqeanit Indian, me sloganin “Së bashku për paqen dhe sigurinë”.

Anijet luftarake dhe njësitë ajrore të Marinës iraniane dhe Ushtrisë së Gardës Revolucionare po marrin pjesë në stërvitje. Rusia dhe Kina gjithashtu marrin pjesë me anijet e tyre të luftës dhe mbështetjes logjistike.

Zëdhënësi i stërvitjes, kundëradmirali, Mostafa Tajeddini tha se veriu i Oqeanit Indian është shumë i rëndësishëm për shkak të lidhjeve të tij me rrugët ujore të rëndësishme si Bab el Mandeb, Malacca dhe ngushtica e Hormuzit. “Kjo stërvitje që zhvillohet në këtë rajon, i cili njihet si trekëndëshi i artë dhe ka një rëndësi jetike për tregtinë botërore, është një përpjekje bashkëpunuese për të mbrojtur interesat e tre vendeve dhe për të garantuar sigurinë e qëndrueshme detare”, tha ai.

Duke thënë se gjatë stërvitjes do të kryhen operacione të ndryshme taktike si shpëtimi i një anijeje të djegur, lirimi i një anijeje të rrëmbyer, gjuajtja në caqet e përcaktuara dhe objektivat ajrore të natës, Tajeddini tha se forcimi i sigurisë së tregtisë ndërkombëtare detare, lufta kundër terrorizmit detar dhe piratëve, shkëmbimi i informacionit në zonat e kërkim-shpëtimit dhe transferimi i përvojës në operacionet taktike janë ndër objektivat kryesore të stërvitjes.

Irani, Rusia dhe Kina për herë të tretë organizojnë stërvitje të përbashkët me emrin “Rripi i Sigurisë Detare”. E para nga këto stërvitje detare u mbajt në dhjetor 2019.

blank

OKB miratoi rezolutën që dënon mohimin e Holokaustit

Marrë nga Associated Press

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi të enjten një rezolutë të përgatitur nga Izraeli, që dënon çdo mohim të Holokaustit dhe u kërkon të gjitha kombeve dhe kompanive të mediave sociale, “të marrin masa aktive për të luftuar antisemitizmin dhe mohimin ose shtrembërimin e Holokaustit”.

Organizata botërore prej 193 anëtarësh e miratoi rezolutën me konsensus, pa votim, dhe me një goditje “çekani” nga presidenti i Asamblesë, Abdulla Shahid, i cili u takua me një grup të mbijetuarish të Holokaustit para mbledhjes së asamblesë. Armiku numër 1 i Izraelit, Irani, “u distancua” nga rezoluta.

Ambasadorët e Izraelit dhe Gjermanisë, të cilët e mbështetën fuqimisht rezolutën, theksuan rëndësinë e miratimit të saj më 20 janar, që është 80-vjetori i Konferencës së Wannsees, ku udhëheqësit nazistë bashkërenduan planet për të ashtuquajturën “Zgjidhja përfundimtare e çështjes së hebrenjve”, në një vilë në brigjet e liqenit Wannsee të Berlinit në vitin 1942, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Rezultat i asaj konference ishte krijimi i kampeve naziste të vdekjes dhe vrasja e afro 6 milionë hebrenjve, që përbënin një të tretën e popullit hebre. Përveç kësaj, sipas rezolutës, u vranë miliona njerëz të kombësive të tjera, pjesëtarë të pakicave dhe grupeve të shënjestëruara.

“Tani jetojmë në një epokë në të cilën trillimi po bëhet fakt dhe Holokausti po bëhet një kujtim i largët”, i tha asamblesë ambasadori i Izraelit në OKB, Gilad Erdan, duke kërkuar mbështetje për rezolutën.

Ambasadori Erdan, nip i të mbijetuarve të Holokaustit, tha se rezoluta ruan kujtimin e 6 milionë viktimave dhe angazhohet për t’u siguruar që shtrembërimi dhe mohimi i Holokaustit, “nuk do të tolerohet më”.

Ai tha se platformat e mediave sociale, përfshirë rrjetet Facebook, Twitter dhe You Tube, po përhapin “pandeminë e shtrembërimeve dhe gënjeshtrave” në lidhje me Holokaustin.

“Gjigantët e mediave sociale nuk mund të qëndrojnë më të vetëkënaqur me urrejtjen e përhapur në platformat e tyre” dhe duhet të ndërmarrin veprime tani, tha ambasadori izraelit.

Rezoluta lavdëron vendet që kanë ruajtur kampet naziste të vdekjes dhe u kërkon 193 vendeve anëtare të OKB-së “të zhvillojnë programe arsimore që do t’i mësojnë brezat e ardhshëm për Holokaustin, për të ndihmuar parandalimin e akteve të gjenocidit në të ardhmen”.

Rezoluta kërkon nga OKB-ja dhe agjencitë e saj, që të vazhdojnë zhvillimin dhe zbatimin e programeve që synojnë të kundërshtojnë mohimin dhe shtrembërimin e Holokaustit dhe të mobilizojnë shoqërinë civile dhe të tjerët, për të ofruar fakte rreth tij.

Aktualisht, OKB-ja ka një program informimi mbi Holokaustin dhe Organizata e OKB-së për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, ka një program për edukimin mbi Holokaustin dhe luftën kundër antisemitizmit.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid dhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, mirëpritën rezolutën nëpërmjet një deklarate të përbashkët, duke shprehur shqetësimin e jashtëzakonshëm për “rritjen dramatike të mohimit dhe shtrembërimit të Holokaustit”. Ata thanë se dukuria e krahasimit të mosmarrëveshjeve aktuale politike me Holokaustin është “thellësisht shqetësues” dhe “një shtrembërim i historisë”, si dhe padrejtësi ndaj viktimave të Holokaustit.

Irani akuzoi Izraelin se është “i vetmi regjim i aparteidit në botë”, ideologjia e të cilit bazohet në dy shtytësit kryesorë të Luftës së Dytë Botërore, “racizmin dhe ekspansionizmin”. Në një deklaratë të lexuar nga një diplomat i ri, Irani akuzoi gjithashtu Izraelin se po përpiqet të “shfrytëzojë vuajtjet e popullit hebre në të kaluarën, si mbulesë për krimet që ka kryer gjatë shtatë dekadave të fundit kundër vendeve të rajonit, përfshirë të gjithë fqinjët e tij, pa përjashtim”.

Ndryshe nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë ligjërisht të detyrueshme, por pasqyrojnë opinionin global.

Në vitin 2005, Asambleja e Përgjithshme caktoi 27 janarin, ditën kur kampi i përqendrimit në Aushvic u çlirua nga ushtria sovjetike, si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në kujtim të viktimave të Holokaustit.

blank

19-vjeçarja Zara Rutherford: pilotja me moshën më të re arrin fluturimin e plotë rrotull botës

Lumturia e Zara Rutherford menjëherë pas uljes që e bëri atë të hyjë në historinë e aviacionit

19-vjeçarja zbarkoi në Belgjikë: ajo është pilotja më e re që ka përfunduar turneun botëror

VOAL – 19-vjeçarja Zara Rutherford u ul në Aeroportin Ndërkombëtar Kortrijk-Wevelgem në Belgjikë të enjten rreth orës 13:00. Ajo është pilotja më e re që fluturon e vetme nëpër botë.

Udhëtimi i vajzës belgo-britanike drejt perëndimit me një aeroplan sportiv ultra të lehtë filloi më 18 gusht 2021 nga i njëjti aeroport në Flanders Perëndimore dhe e pa vajzën të fluturonte mbi pesë kontinente. Ardhja në Belgjikë fillimisht pritej të hënën, por mjegulla e dendur bëri që faza e fundit të shtyhej. Në fund, turneu botëror i Zara Rutherford zgjati 155 ditë. sda-eb


blank
blank
Send this to a friend