Delegacioni i Komisionit të Çështjeve të Jashtme të Parlamentit Evropian i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri dha një konferencë për mediat, ku kryetari delegacionit, Tunne Kelam, tha se bojkoti i Parlamentit nga përfaqësuesit më të lartë të qytetarëve, përbën një sinjal shumë të keq dhe cenon besueshmërinë e shtetit.
Duke folur për vizitën në Shqipëri, Kelam tha se, ajo vjen në atmosferën e shpresës, sepse sipas tij, janë të interesuar që Shqipëria të hapë zyrtarisht negociatat në qershor për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian (BE).
Sipas Kelam të gjitha problemet e demokracisë dhe bashkëpunimi mes partive mund të zgjidhen dhe mund të stabilizohen në kuadrin e BE-së.
“Ju keni bërë progres domethënës në shumë fusha. Mbeten ende gjëra për t’u bërë, ndërkohë që vëmendja jonë së pari shkon në reformën në drejtësi, procesin e vettingut dhe të gjitha këto po shkojnë mirë. Gjëja më e rëndësishme është pjesa e zbatimit të ligjeve për të qenë të gatshëm për të filluar negociatat për anëtarësim. Ky vendim do të merret nga këshilli, por për këtë nevojitet bashkëpunim i brendshëm dhe kjo është jetike. Sinjali më i keq që mund të japë Shqipëria është që ka ndasi dramatike dhe strategji të ndryshme politike për këtë objektiv. Duhen tejkaluar ndasitë partiake dhe kjo është ajo që na shqetëson ne më tepër”, tha eurodeputeti Kelam.
Duke folur për bojkotin parlamentar të opozitës, Kelam theksoi se: “Bojkoti i përfaqësuesve më të lartë të njerëzve, përbën një sinjal shumë të keq dhe cenon besueshmërinë e shtetit dhe kombit në tërësi. Ne nuk jemi dakord që bojkotimi i Parlamentit do të ishte gjëja e drejtë dhe e duhur për t’u bërë. U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike dhe në veçanti shoqërisë civile që të ndikojnë mbi aktorë të ndryshëm që ata të bashkohen me njëri-tjetrin. Nuk mund të gjesh dot një pretendim për të vonuar objektivin më të rëndësishëm kombëtar për shkak të ndasive që lidhen me avancimin e interesave partiake.”
Lidhur me protestat e opozitës, Kelam tha se “jemi kundër protestave të dhunshme, sepse nuk është mënyrë demokratike për zgjidhjen e problemeve. Ne jemi kundër nxitjes së dhunës nga partitë politike, sepse, sipas tij, kjo është kundër stabilitetit dhe besueshmërisë së vendit.
Ndërsa, raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Kunt Fleckenstein, në fjalën e tij tha se procesi i reformave të kërkuara nga Këshilli Evropian (KE) për hapjen e negociatave është duke vazhduar.
“Ne bëjmë thirrje Këshillit që të përqendrohet në këto fakte dhe që në qershor të jepet drita e gjelbër për çeljen e negociatave. Ne nuk kemi dyshim që ky parlament do të vazhdojë rrugëtimin e vet, ndoshta edhe me anëtarë të rinj, por do të shikojmë”, tha Fleckenstein.
Duke folur për dorëzimin e mandateve parlamentare nga ana e opozitës, ai shtoi se bojkoti nuk është mënyra e duhur për zgjidhjen e problemeve. “Ne presim që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të bëjnë detyrën e tyre dhe të shkojnë në punë. Bojkotimi i Kuvendit nuk zgjidh problemet”, tha ai.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, delegacioni i Parlamentit Evropian zhvilloi takime me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, liderin e opozitës dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, si dhe zyrtarë të tjerë.
Delegacioni përbëhej nga eurodeputetët Tunne Kelam, Cristian Preda, Kunt Fleckenstein, Juan Fernanando Lopez Aguilar, Bas Belder, Ilhan Kyuchyuk dhe Tamas Meszerics.
Kujtojmë se deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), vendosën të japin dorëheqje nga mandatet e tyre parlamentare, ndërsa ky vendim është kundërshtuar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE).
Komentet